• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

Agim Xh.Dëshnica, Poezi Klasike Kineze në Sofrën e Diellit

October 31, 2016 by dgreca

POEZI KLASIKE KINEZE/

Perkth. Nga Agim Xh.Dëshnica/

LI  BO   (701-762)/

    PI  VETEM/

Mes luleve vendosa poçen,/

Kur nata ish e qetë/

Dhe nisa shtruar të pi verë/

Pa mik i mbetur shkretë./

Të pinim bashkë i thirra hënës,/

Në orë të mirë mbi dhe,/

I çova fjalë hijes sime/

E tok u bëmë tre./

A mundet vallë të pijë hëna,/

Pyes unë për një çast,/

Dhe hija ime, që s’më ndahet

E shpesh më qepet pas?

Me hënën e hijen pa nguruar,

Në natë me qeti,

Gjer sa të vijë sërish pranvera

Të pimë rash në ujdi.

Ia mora këngës, pas avazit,

Lëkundej hënë e artë.                    

Kërcej, kërcen dhe hija ime

Pa zhurmë dhe e gjatë.

Gëzuam çakër qejf, të tre,

U dehëm bukuri.                

E pasi paq u pimë, u ndamë

Gjithkush në fat të tij.

I mbetur vetëm prap,

më duhet  t’endem nëpër jetë.

Gjer sa të shihemi ndër yje,

te Kashtë e Kumtrit vetë.    

                 ————-

   VAN  VEJ  ( 701-761)

 NE NJE KASOLLE MALI

Në mes të jetës mbërrita e tani

Në heshtje të vërtetën po kërkoj.

Maleve Zhunan jetoj në shkretirë

E paqe e dëshiruar më mbuloi.

I vetëm shkoj shetis në male thellë,

Kur vjen e më merr i ëmbli frymëzim.

Nuk paska qenë e kotë çdo trazirë,

Kujdesjet e dikurshme pa kuptim.                             

Shpeshherë atje mbi  rrëpirë,

Prej nga buron lumi shkumë e valë

Ndalem, shoh  si ngrihen nga luginat

Të bardha borë retë palë, palë.

E rastësisht takohem me druvarin,

Me të ia nis bisedës zemërhapur.

Pa bëj shaka e qesh dhe s’merret vesh

Se ora e kthimit për shtëpi ka ardhur.

              LO BIN –VAN  (640- 684)

NE BURG I KENDOJ BULKTHIT

I burgosur, plak nga jugu,

Kur në vjeshtë zbardh mëngjesi,

Përgjoj bulkthin  tek këndon.

Ndaj mendimet më trazojnë.

O ti bulkth, më thuaj përse

Në frëngji vjen fluturim?

Pse me këngën e  trishtuar

Mua plakun shqetëson?

Vesë e njomë nëpër krahë,

Të rëndon në fluturim.

Edhe era me duhi

Zërin tënd ta mbyt nën zhurmë.

Te kjo botë e ndyrë askush,

Çiltërinë s’ta beson.

Sado këngët të shpëthejnë

Thellë nga zemra jote e pastër.

                ———–

DU FU   (712- 770)

  KESHTJELLA BODI’

Kështjella  e gurtë Bodi’

Mbi male kryet ngre.

Nga portat e saj

Dalin e ikin re.

Nën kështjellën

E zymtë Bodi’

Si me gjyma

Bie shi.

Teksa Lumi

Vrrullshëm nget

E brigjeve godet.

Hënë e zbehtë

Sipër pyllit tejmatanë

Shfaqet në mjegullnajë.

Këtu kuajve,

S’u pëlqen të punojnë,

Të kthehen mbrapsht,

Mesa shihet dëshirojnë.

Veç nga njëmijë,

afro njëqind shtëpi

Qendrojnë më këmbë

Edhe tani.

Gratë e shkreta

U sfiliten në punë,

Por vijnë e taksat

Ua marrin me dhunë.

Dhe në çdo shtëpizë,

Si gjithmonë më kot,

Gratë e veja derdhin lot.

                ——-                        

    VAJTIM PER VDEKJEN E POETIT
               TEN ÇU*

    Poetin Ten Çu

    S’do ta shohim kurrë më…

    Vargjet e poetit

    Më janë aq të dashur!

     

    Sot kur mëgjesi ndriti,

    Hapa arkën edhe pashë.

   Brejtës gri dëmtonin

   letra e shkrime.

     

   As sot nuk mund ta di,

   Ku është mbuluar poeti.

   Kur pyeta për poetin,

  ndjeva dënesat e tij.

  Atë vend do ta gjej

  E mbi varr do të qaj.

  T’i kthej poetit,

  Lotët që derdhi dikur.

       ———–

VEJ  IN-u ( 736- 825)

MBI KULLEN E KALASE

Barisim në shtëpi, shetisim në korije-

      duam të jemi bashkë të dy.

Trishtohemi mes resh, mbi mal e det,

      ti për mua e unë për ty.

Gratë shkundin robat e lara dritë

     afër maleve në vjeshtë.

Në nahijen  tonë me shkurre e ferra

     bie shi i ftohtë, rrebesh

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Agim Xh Deshnica, LI BO, LO BIN –VAN, ne sofren e Diellit, Poezi Klasike Kineze, VAN VEJ

IDEALI I KRYQËZUAR I NACIONALIZMIT SHQIPTAR

October 31, 2016 by dgreca

mitat-frasheriNga Kolec TRABOINI/

Për fatin e trishtë të popullit shqiptar, sot në skenën politike kanë dalë forcat më të pandërgjegjshme, ambicioni i të cilave është vetëm e vetëm përfitimi dhe pasurimi me çdo kusht dhe pa marrë parasysh mjetet që përdoren. Kaq keq janë katandisur punët në Atdheun tonë të stërmunduar, sa para se të kërkohet mafia në fusha të tjera, duhet kërkuar në skenën politike. Një mafie aq dinake dhe e sofistikuar saqë e ka kthyer politikën shqiptare në një rreth vicioz ku përplasen jo dy apo tre ide e programe, për çfarë është e bëhet politika, por dy a tre individë, politikanë të paskrupullt, të cilët për hir të interesave personale apo të klaneve që u përkasin, nuk e kanë për gjë t’i venë flakën Shqipërisë, siç ia vunë në mënyrë të vazhdueshme në fillimet e demokracisë, por në mënyrën më të pashpirt e makabre në pranverë të vitit 1997.

Po si iu bë peshqesh këtij populli kjo kastë piratësh qeverisës, qofshin të së majtës apo të së djathtës? Si ndodhi e si rrodhi që në mënyrë sistematike u shkatërrua çdo pasuri kombëtare e këtij populli, që për pesëdhjetë vjet vërtet ka hequr mundimet e Krishtit, por ama edhe pse ndër më të varfërit në botë, me një pagë për të mbajtur frymën, ndërtoi hidrocentrale, fabrika e uzina, bëri bonifikimin e fushave, ngriti një industri të naftës e të plehrave kimike, instaloi linja të tensionit të lartë nga jugu në veri e nga lindja në perëndim. Pra, diç kishte në potencial ky popull, çfarë e ushqente shpresën se kalimi në sistemin e ri do të mund të bëhej pa eksese dhe vuajtje të mëdha ekonomike. Mirëpo çfarë ndodhi në të vërtetë? Politika injektoi idenë e mbrapshtë të shkatërrimit, se do t ‘na i ndërtonte kapitalizmi perëndimor më të mira veprat industriale, madje me teknologji moderne bashkëkohore. Do të na i ndërtonte Amerika badihava…      E kështu, politika i vuri flakën Shqipërisë duke nxitur vjedhjet e shkatërrimet. Në të vërtetë, shkatërrimet ishin leverdia më e madhe e politikës, sepse beniaminët e dikurshëm të komunizmit, që tororisnin gjoja ide të zhvillimeve të reja të socializmit envero-ramizian në gazetën “Zëri i Popullit”, (e që sot shiten si ide reformatore që paraprinë demokracinë në vitet 90), dolën pra më pas si “palikarë” të rinovuar në skenat e tranzicionit.     Dhe, për ta bërë më të besueshme nevojën e shkatërrimit, përhapën soj-soj teorish, madje duke u vënë ndërmarrjeve, fabrikave e uzinave epitete si “uzinat e fabrikat e Enver Hoxhës”, “Hidroçentralet e Partisë”, “Rrangallat e Diktaturës”. Pra përpunuan fillimisht platformën e shkatërrimit moral të industrisë kombëtare që ta kishin më të lehtë shkatërrimin material. I tërë qëllimi ishte që, si inisiativa ekonomike, ashtu edhe ajo politike të binte në duart tyre a të bijve të tyre, e kurrsesi në duart e njerëzve që për gjysëm shekulli konsideroheshin “armiq”, të cilët duheshin izoluar në mënyrat më të stërholluara ekonomikisht e politikisht.      Cila ishte kjo kastë e rinovuar dhe e konvertuar ” demokratikisht” për të mbijetuar në tribunat e jetës dramatike shqiptare edhe në kushtet e reja të shembjes së komunizmit anë e mbanë Europës. Kujt i takon merita e krijimit të këtij labirinthi pa rrugëdalje, këtij kaosi qytetar, këtij mjerimi kombëtar ekonomik ku u gjend Shqipëria në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që shkoi?! Dhe vazhdon si ogur i keq edhe pse dekada e shekullit të ri po kalon…      Natyrisht është thënë e stërthënë, ndaj nuk është vështirë të evidentohet emri i Ramiz Alisë si krijuesi i klaneve dhe i skemave të politikës së sotme sipas mësimeve e stilit të inicuar nga Gorbaçovi në Katovicë të Polonisë. Ose e thënë ndryshe, diktatori i fundit shqiptar krijoi Katovicën Shqiptare si një cikël i mbyllur brenda orbitës së PPSH-së, nga frika e marrjes së pushtetit prej së djathtës nacionaliste, kundërshtare e PPSH-së që ndodhej në perëndim, në aleancë kjo me “armiqtë e brendshëm” dhe klasat e përmbysura. Frika e Ramiz Alisë e kishte një shkak. Fantazma e përgjakur e Nikolla dhe Elena Çausheskut i shfaqej si Makbethit kufoma e Bankos. Prandaj dhe u ngut që, në lëshimin e parë për pluralizmin, në krye të forcës opozitare të viheshin patjetër një ekip a liderë komunistë të argasur dhe të besuar. Njerez që të ishin demagogë të besueshëm dhe oratorë të rreptë metingjesh, për të mos u lënë hapësirë forcave të tjera nacionaliste që mund të ktheheshin nga jashtë apo rizgjoheshin në vend. Dhe kështu krijoi skalionet e politikës shqiptare, rreshterët e demokracisë, të cilët jo vetëm kishin qenë nga rrethi i afërt i oborrit të pasmë të Bllokut të Byrosë Politike, por madje deri dhe ish ministra e diplomatë të Qeverisë Komuniste na u bënë kryetarë partish. Mirëpo Ramiz Alia kishte inkuadruar në projektet e veta nga ai lloj llumi bolshevik i paprinciptë, që nuk e kishin për gjë ta hidhnin krijuesin e vet në moçalin më të parë që do të takonin në rrugëtimin politik. Dhe vërtet Ramiz Alinë së pari e hodhën të vetët, e hodhën në moçal, e shanë dhe e mallkuan, i bënë një gjyq kafesh, e pastaj së fundi e lanë të kalonte pleqërinë si një eremit, e sa herë që e donte puna për ta treguar si një gogol për të trembur fëmijët e politikës naive shqiptare, e vunë të fliste, të bënte libra, të jepte intervista në konkurencë me Nexhmije e Liliana Hoxhën, të udhëtonte në Amerikë, të pinte, drekosej e darkosej në Pier Four, restorantin patriotik të shqiptarëve të Bostonit.      Kështu pra u formua garda e politikës së sotme, në të cilën përfshihen soj-soj politikanësh që e katandisën shtetin, Shqipërinë, të sëmurën e Ballkanit.      Të gjithë këta udhëheqës të sotëm, dalë prej kuintave të PPSH, ndarë e rindarë nëpër parti si në një lojë kungulleshke, bashkë me bandat e mediokërve që u vinë nga pas, në këtë periudhë kritike për popullin shqiptar janë si krimbat e zinj që e hanë nga brenda trungun e kombit shqiptar.      Le të hedhim një vështrim në paralelen tjetër të politikës, në rradhët e forcave të quajtura nacionaliste.      Shumë intelektualë e njerëz të thjeshtë të popullit kishin shpresa tek një idealist shqiptar i pakompromentuar si Abaz Ermënji, i vetmi i mbetur gjallë nga nacionalistët shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore, profesor në Liceun e Korçës, antifashist, komandant formacionesh të armatosura të Ballit Kombetar, organizator të rezistencës antikomuniste, profesor universiteti në Francë dhe udhëheqës i një force nacionaliste që kishte arritur të mbijetonte në mërgim. Mirëpo programi i partive (socialistët + demokratët + socialdemoktratët)  ishte i tillë, saqë arriti ta neutralizojë efektin e opozitës së vërtetë të mbetur nga lufta civile në Luftën e Dytë Botërore. Natyrisht, këtu duhet marrë në konsideratë se idealistë të njohur si Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, kishin kaluar në histori dhe pjesa e mbetur e nacionalistëve të përçarë si mos më keq kishte marrë tatëpjetën në mërgim. Ndërsa Legaliteti ishte një forcë gati e papërfillshme e pa kurrfarë influence përveçse kishte disa efekte nostalgjike në disa bij oficerësh zogollianë që bënin parada groteske. Influenca e mërgimtarëve nacionalistë në Shqipëri mbeti mjaft e vogël për shumë arsye. Së pari, sepse sistemi monist i kishte njollosur në mënyrë të rafinuar nacionalizmin, ndërkohë që kishte glorifikuar “internacionalizmin”, kështu që brezat e lindur pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipërinë e izoluar, kishin një përfytyrim krejt bardhë e zi për nacionalistët që qenë shpërndarë nga sytë këmbët nëpër Europë, Amerikë e Australi e ku mendohej të ishin shuar e harruar. Ndaj, shfaqja e tyre në kryeqytetin e tensionuar shqiptar kaloi pothuajse pa bërë ndonjë efekt. Por s’duhet harruar se qysh në vitin 1990 ishte hartuar programi i neutralizimit të këtyre forcave duke përfshirë edhe ato të ashtuqujtura Legaliteti. Pra, bijëzat e PPSH-së, si PS+PD+PSD+PR (e si në zinxhir bërthamor tashmë derivojnë me parti bijëza të reja), përdorën njëqind mënyra të sofistikuara që lojën e pushtetit pozitë-opozitë ta bënin ndërmjet vetes, e kurrë të mos linin që forcat e djathta të vërteta të organizoheshin deri në atë shkallë sa të përbënin një masë rreziku për interesat e tyre.

Kungulleshka e Kuqe e ndarë në katër pjesë, duke u koloruar sipas ide-projektit ramizian, kishte këtë detyrë historike; njëra, PS-ja mori përsipër vazhdimin e demaskimit të forcave nacionaliste me të cilat trembte popullin si me gogolin e përrallave, ndërkohë simotra e saj siameze PD-ja, i mbante nacionalistët pranë si aleatë të vegjël duke i mbikqyrur, imponuar, zvenitur, dekoloruar, për të mos e lënë kurrë që të bëhet forcë rivale.      Pozicioni dhe programi antinacionalist i PS-së ishte i afishuar, ndërkohë pozicioni dhe programi i PD-së ishte i kamufluar. Mirëpo kjo e fundit, duke qenë në pushtet, kur vinin në evidencë çështje kardinale si ajo për Kosovën apo çështja e pronave, shkiste si ngjalë nga ujrat blu të djathta në ujrat rozë të PS-së, ndërsa për çështje kombëtare, kreu demokrat e kishte deklaruar në Krasna Montana se çështja e Kosovës ishte çështje e brendshme e Jugosllavisë. Presidenti i asaj kohe njëkohsisht bëri një futje spektakolare të Shqipërisë në Konferencën e Vendeve Islamike, duke e lënë diplomacinë e qarqet Europiane me gojë hapur. Edhe sot, në atë konferencë jemi, ndërkohë që Europën e kemi ende larg…      Në këtë periudhë, forcat nacionaliste të grupuara në dy parti kryesore, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, kishin rënë në një gjumë letargjik. Kështu dhe Partia Republikane e Godos-Mediut që kishte kontradikta me të dyja krahët. Pra kërkonin mbi të gjitha të mbijetonin dhe prandaj e pranonin me kënaqësi serumin e PD-së për prani sado simbolike në parlament. Gjatë kohës që ishte në pushtet, kjo e fundit përfitonte jo pak nga fasada e këtyre partive për të theksuar gjoja tonet blu të djathta, që ishin aparenca e saj nëpër tribuna mitingjesh. Mirëpo qëndrimi ndaj pronës, e moskthimi i tokave pronarëve të ligjshëm, ligji 7501,  krijuan hendekun e parë serioz mes nacionalistëve dhe udhëheqësve të Partisë Demokratike në pushtet. Prej kësaj çarjeje fitoi jo pak Partia Socialiste, që ishte katandisur si mos më keq pas futjes së liderit të saj Fatos Nano në burg për korrupsion ekonomik me ndihmat e huaja për Shqipërinë. U desh hartimi i një projekt-kushtetute, në të cilën parashikohej një pushtet autoritar e disi absolut i presidentit që jetonte euforinë e vet në mes të një servilizmi e apatie totale të nëpunësve e të kuadrove të partisë së vet.

Gjysma rozë e ish PPSH-së e ndjeu se ishte situata më e mirë për një revansh ndaj simotrës së vet siameze blu. Projektkushtetuta e rrëzuar nga votimet në një referendum popullor i futi panikun militantëve të partisë në pushtet, të cilët edhe ata rimorën revanshin e vet historik. Në zgjedhjet e vitit 1996 militantët e partisë në pushtet u treguan kaq shumë të zellshëm, sa thuajse harruan se zgjedhjet kanë rregulla e ligje rigoroze e monitorohen, madje jo vetëm nga masmedia vendase, por edhe nga përfaqësuesit e huaj. Dhe kështu, hapur fare dhe me entuziazëm bolshevik, shpërndaheshin fletëvotime të panumërta nëpër duart e militantëve, të cilët i kthyen zgjedhjet në mitingje partiake bubulluese. Rezultati dihet. Pushteti në fuqi fitoi në mënyrë spektakolare krejt ngjashëm me fitoren e Frontit dhe komunistëve të Enver Hoxhës në fundin e vitit 1945.      Këto zgjedhje sollën precedentin më të dëmshëm dhe të rrezikshëm për demokracinë e brishtë shqiptare. Ishte një kthim galopant pas i demokracisë rrëqethëse. Të huajt panë se shqiptarët, çuditërisht ishin vetë kthyer në atmosferën e zgjedhjeve të diktaturës moniste, ku pushteti fitonte “Njëzëri ” me mbi 90 për qind të votave. Precedentët e absurditeteve të diktaturës ishin rikthyer si fantazma të frikshme në zgjedhjet e pranverës 1996.      Forcat nacionaliste, edhe pse të pakta dhe pa influencë të madhe në skenën e politikës shqiptare, u gjendën para një situate të paparashikuar. Edhe pse deri atëherë kishin pranuar të qëndronin nën hijen e PD-së në pushtet, për shkak të interesave të së djathtës, ata nuk mund të pranonin që demokratët, aleatë në pushtet, të operonin me mjete e stile të praktikuara dhunshëm nga komunistët në monizëm.      I ndodhur përpara këtij fakti tronditës, idealisti kombëtar Abaz Ermënji, që udhëhiqte (jo pa probleme) Partinë e Ballit Kombëtar, refuzoi në mënyrë kategorike të shkelte në parlamentin e sapozgjedhur. Pra e refuzonte vendin e deputetit që i kishte rezervuar e “djathta” pas “fitores së bujshme”. Tek ky nacionalist, principet idealiste dhe respekti ndaj popullit, të cilin e konsideronte sovranin e vetëm, ishin mbi interesat e partisë së tij dhe mbi interesat e një vendi në parlament, paçka se i ëndërruar nga çdo idealist që kërkon t’i shërbejë Atdheut.      Abaz Ermënji po jetonte një nga dilemat më tronditëse të jetës së tij në skenën e politikës e të nacionalizmit. E dinte se kampi rozë i PS, megjithëse e sulmonte në mënyrat më të paprincipta, madje duke e quajtur Profesorin e moshuar deri dhe kriminel, do ta priste me brohori reagimin e tij.      Çfarë duhet të bënte një nacionalist e idealist kombëtar në një situatë të tillë? Prijësi plak e luftëtari gjysmëshekullor i lirisë, ndodhej si në mes të Shillës e Karibës së politikës!      Deri atëherë kishte jetuar me shpresën se e djathta nacionaliste do të triumfonte drejtësisht e ndershmërisht në Shqipëri. Po ky nuk ishte triumf. Ky ishte turp. E, për më tepër, marrje nëpër këmbë e popullit. Sovrani ishte kthyer në çirak dhe mbi zverkun e tij kalëronin dhunuesit e zgjedhjeve të lira. Abas Ermenji, komandanti i çetave nacionaliste, profesor universiteti në Francë , i cili me aq kompetencë kishte shkruar një libër madhor “Historia e Shqipërisë”, kish një dinjitet të lartë e nuk mund të lejonte që të shkeleshin parimet kushtetuese dhe parimet e lirisë, për të cilat kish luftuar tërë jetën. Si nacionalist ishte afruar fillimisht me forcat demokratike, por nuk kishte arritur të kuptonte në fillimet e pluralizmit, se Shqipëria kishte rënë viktimë e skemës së Katovicës për transferimin e pushtetit në të njëjtat shtresa të privilegjuara të kastës komuniste, iniciuar kjo në zyrat hijerënda të Komitetit Qendror të PPSH. Edhe pse antikomunist i sprovuar në Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë dekadave të luftës së ftohtë, ai kishte pranuar që t’i afrohej aleancës së djathtë, në qendër të së cilës ishte Partia Demokratike edhe pse në udhëheqje të kësaj force politike qëndronin ish-komunistë dhe pinjollë të baballarëve që për gjysmë shekulli terrorizuan popullin shqiptar.1-abas-ermenjiIdealizmi kombëtar dhe besimi në triumfin e demokracisë e vuri Abas Ermenjin në një front me ata që lirisë, demokracisë dhe vetë popullit ia kishin me të keq. Abas Ermenji nuk arriti ta nuhaste lojën e prapaskenave, nuk arriti gjithashtu të mblidhte rreth vetes përkrahës idealistë. E kështu partia e tij, kundërshtarja më e rreptë e Partisë Komuniste të Enver Hoxhës, mbeti një formacion politik i zbehtë e me rol periferik.      I ndodhur në një gjendje ku e ashtquajtura “e djathtë” tek e cila mbahej shpresa i kish tradhëtuar idealet e tij, luftëtari plak i lirisë nuk mund të bëhej pjesë e një loje cinike. Ai nuk mund të hynte në atë Parlament, i cili nuk e kishte legjitimitetin e shprehjes së vullnetit të lirë të popullit. Me popullin ishte luajtur. Populli ishte tradhëtuar e për më tepër, ishte nëpërkëmbur.      Abas Ermenji ishte ndodhur përballë plumbave, por syri nuk i ishte trembur sepse e kishte taksur jetën për idealin. Por tani, në pleqëri të vonë, kur mendoi se arriti ta shohë e jetojë atë ditë të bardhë të çlirimit të njeriut prej dhunës, për të cilën luftuan por nuk e arritën burra të ndritur të kombit si Mit’hat Frashëri, veterani kombëtar papritur, në maj 1996, ndjeu se diçka brenda tij po thyhej. Luftëtari u lodh, u kërrus, sytë iu mbyllën me dhembje sepse nuk mund të shihte se si po kryqëzohej si Krishti, për të dytën herë, ideali i tij kombëtar e populli i tij të përgjunjej e të poshtërohej. Demokrati Abaz Ermënji, i ndodhur në mes të dy forcave të errëta të rrjedhës bashkëkohore kombëtare, vendosi që si një kapiten i besnik, të mbytet bashkë me anijen e tij, pa ambicje për të dalë në bregun e kompromiseve të pamoralshme.      U ul e shkroi, ashtu si dikur ishte shkruar Dekalogu i partisë së tij nacionaliste Balli Kombëtar, Promemorjen e denoncimit të farsës së zgjedhjeve të 26 majit 1996, denoncimin e mashtrimit cinik që iu bë popullit shqiptar, refuzimin e vendit të deputetit në parlamentin e turpit dhe hipokrizisë, duke e lënë kështu pas vetes këtë akt të lartë qytetar, si testamentin e tij të fundit politik.      Kohë më pas, veterani kombëtar Abas Ermenji, do të mbyllte sytë në Paris, i lënë në harrim si atëherë dhe sot e kësaj ditë, sepse ishte më shumë idealist kombëtar se sa duhej në këtë epokë mjerane, kur shkëlqimi i përket yjeve të korrupsionit të politikës dhe klaneve mafioze, me ose pa pushtet. Boston, Qershor 2004

Filed Under: Analiza Tagged With: i kryqzuar, Kolec Traboini, nacionalizmi

Fati i Shqiptarëve të Sirisë

October 31, 2016 by dgreca

Në prag të Samitit të Diasporës/1-muhamed-mufakuShkruan: Prof. Muhamed Mufaku*/*Historian kosovar me punësim në Amman-Jodani*/

Para ca ditëve mora ftesë nga Kryeministri Edi Rama për të marrë pjesë në “Samitin e Parë të Diasporës” që do të mbahet në Tiranë me 18-20 Nëntor 2016. Ndonëse ftesa është e datës 25 korrik 2016 dhe kërkohej konfirmimi deri në fund te Gushtit 2016, ftesa më erdhi vonë në mesin e Tetorit dhe është dashur më 20 Tetor t’i pëgjegjem duke e falendruar për ftesën dhe duke kërkuar ndjesë për pamundësinë e ardhjes në Tiranë për shkak të detyrimeve në universitet. Në fund të përgjigjes shpreha shpresën që në një Samit të këtillë të diasporës të jetë e pranishme edhe kolonia shqiptare në Siri, e cila “perjetoi fat tragjik me heshtjen e Shqipërisë dhe të Kosovës”.

Po atë ditë kur ktheva përgjegjën, më 20 Tetor 2016, lexova në shtypin e Beogradit (Danas 20/10/2016) për përcjelljen e kontigjentit të parë të ndihmës huminitare serbe për banorët e Halepit (ashtu si e njohin shqiptarët në traditë) ose e Alepos siç po njihet tani. Ajo ndihmë do të mund të shkojë edhe për ata pak shqiptarë që kanë mbetur në atë qytet të shktërruar. Kuptohet, ajo dërgesë nuk ka të bëjë me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Serbi ditë më parë. Shqiptarët, ose arnautët siç njihen atje, ngelën në atë vend nga koha e Mehmet Ali pashës pasi ai u detyrua të tërhiqte ushtrinë e tij prej Sirisë më 1840. Ata u bënë të njohur në Halep sa që në “Enciklopedinë e Halepit” u paraqitën edhe disa “fjalë të urta shqiptare” të mbledhura nga arnautët e qytetit.Megjithatë, shqiptarët e Halepit janë shumë pak në mesin e shqiptarëve të Sirisë të cilët përqendohen në Damask. Në krahasim me Halepin, shqiptarët e Damaskut kanë ardhur në këtë vend pas luftrave ballkanike në vitet 1912-1913 dhe midis dy luftrave botërore. Ato me shumicë janë prej Kosove sepse në atë vite ushtrohej dhunë kundër shqiptarëve që të shprënguleshin jashtë atdheut.Me kohë shqiptarët që u vendosen atje u bënë të njohur si “arnautë” dhe shumica e tyre mbajti mbiemrin “Arnaut”. Kjo kishte ndikimin pozitiv sepse krijonte një pakicë që dallohej lehtë në mesin e sirianëve dhe krijonte po ashtu një vetëdije të origjinës në mesin e gjenerateve të reja që janë lindur e rritur në Siri. Me hedhjen në kompjuter të reregjistrave të gjendjes civile në Siri më 2009 doli se në Siri ka gati 7500  persona me mbiemrin Arnaut. Duke marrë parasysh  shqiptarët me mbiemra të tjerë si Junizi, Aqifi, etj., numri i shqiptarëve në Siri arrin afërsisht 10 mijë vetë.

Mirëpo, më 2011 Siria u përfshi nga “Pranëvera arabe” dhe arnautët e Sirisë përjetuan mbrenda viteve 2011-2016 një fat të zi atje. Në fillim u ngritën siranët në demonstrata duke kërkuar liri e demokraci, kurse më vonë u shndërrua Siria në një arenë lufte me karakter rajonal e më gjër. Arnautët e Sirisë përjetuan fatin e sirianëve, dhjetra të rinj dolën në demonstra kundër regjimit të Asadit, dhjetra kapën armët në luftime, dhjetra të rinj u arrestuan dhe u vranë, gati gjysma mbetën pa shtëpi dhe u zhvendosen mbrenda Sirisë ose jashtë saj.Në këtë gjendje katastrofale shumë shikonin Kosovën me ndonjë shpresë pasiqë edhe kosovarët kanë përjetuar më 1999 ç’do të thotë të mbetet njeriu pa shtëpi në vend ose jashtë vendit. Mu atëherë, një zëvendës-ministër i ri i Punëve të Jashtme të Kosovës me emrin Petrit Selimi, i cili sa e kishte marrë atë post me kritere partiake, deklaroi se “në Siri nuk ka më kosovarë”. Domethënë, shteti i ri i Kosovës nuk kishte pse të shqetësohej për gjendjen në Siri. Jo vetëm aq. Arnautët e Sirisë që deri atëherë e kishin të lehtë të hynin në Kosovë në saj të mbiemrit të përbashkët Arnaut, tani iu vështirësua hyrja deri në maksimum në emër të vizës paraprake për sirianët.

Në ato rrethana, kur shumë arnautë më ankoheshin për gjendjen e tyre të vend, botova në verë të vitit 2011 një shkrim në gazetën “Koha Ditore” me titull “Cili është shteti amë për arnautët e Sirisë?” Mu atë ditë që u botua shkrimi në Prishtinë, një zyrtar i lartë i MPJ të Shqipërisë m’u paraqit kah ora 11 duke thënë: “Profesor, zoti Berisha sa e kishte lexuar artikullin. Ai iu falendron shumë. Ç’mund të bëjmë për shqiptarët e Sirisë?” Iu përgjegja me falenderim për atë interesim për arnautët e Sirisë duke i parashtruar ca ide. Pas ca ditëve i njëjti zyrtar m’u paraqit: “Profesor, ne mendojmë të ngrejmë një spital fushor afër kufirit jordanez me Sirinë për anautët”. Dhe unë iu përgjegja: “Po mirë, por nuk ka nevojë të reklamohet si spital për anautët sepse vet fakti se spitali është i Shqipërisë do të tërheq arnautët”. Ne fund të bisedës i kërkova leje për të botuar një lajm në shtypin vendas për atë inciativë të Shqipërisë. Pasi që lajmi doli, m’u paraqit i njëjti zyrëtar: “Profesor, ne kemi vendosur që atë spital të ngrejmë afër kufirit turk me Sirinë”. Dhe unë iu përgjegja: “Po mirë, do t’i lajmëroj arnautët që ikin kah veriu”. Mirëpo, asgjë s’u bë dhe ideja për “spitalin fushor” nuk u zevendësua me ndonjë gjë tjetër.

Gjatë viteve 2012-2014 gjendja në Siri u keqësua shumë dhe pati më shumë vrasje, shkatërrime e zhvendosje sa që numri i të vrarëve afrohej tek 300 mijë vetë kurse nja 10 milion sirianë janë zhvendosur mbrenda në Siri ose jashtë saj; gjë që përfshiu edhe arnautët. Mu në atë kohë kufinjtë e Kosovës u mbyllen hermetikisht ndaj arnautëve të Sirisë, me përjastim të ca raste individuale. Mu në atë kohë deputeti kosovar Amir Ahmeti mori nismën që të kërkojë prej qeverisë një ndihmë simbolike për arnautët e Sirisë pasiqë me shumicë ishin me origjinë prej Kosove. Në takimin e parë me ministrin për diasporë Ibrahim Maloku u përshëndet ideja dhe vetëm mbeti të përcaktohej shuma. Mirëpo, siç duket, pasi ministri u konsultua me bosin ai nuk përgjegjej më as në telefon.

Në verë të vitit 2014 isha për një vizitë në Tiranë dhe pata nderin të takohem me Presidentin e republikës së Shqipërisë Bujar Nishani. Edhe pse tema e bisedës ishte tjetër fare, në fund Presidenti më befasoi me pyetjen: “Si janë shqiptarër e Sirisë? Si i kanë punët?” Iu përgjigja shkurt, pasiqë nuk kishte më kohë, duke propozuar ca ide me çka Shqipëria do të bënte mirë për arnautët e Sirisë. Mbeti të rilidheshim në fund të vitit për më tej, por ajo gjë që nuk ndodhi.

Kuptohet, gjatë viteve 2015-2016 gjendja në Siri u përkeqësua akoma edhe më shumë dhe po ashtu edhe gjendja e arnautëve. Mund të thuhet tani se bërthama e kolonisë shqiptare në Siri u shkatërrua, sa që në lagjen e arnutëve në qendër të Damaskut (Divanje) kanë mbetur vetëm nja 100 arnautë. Marrë në përgjithësi, arnautët kanë përjetuar fatin e sirianëve, pra gati 100 të vrarë e gjysma e arnautëve  janë zhvendosur mbrenda në Siri ose jashtë saj në Turqi, Austri, Gjermani, etj.Për hir të gjendjes së kolonisë shqiptare në Siri, në fund të përgjegjes dërguar Kryeministrit të qeverisë shqiptare shpreha një dëshirë që në Samitin e Disaporës të degjohet zëri i kësaj kolonie të pafatë e cila pësoi shumë prej demogogjisë dhe indiferencës së qeverive të Shqipërisë e të Kosovës.

*E dergoi per Diellin Saimir Lolja, Kanada

Filed Under: Emigracion Tagged With: fati i shqiptareve!, Prof. Muhamed Mufaku, Siri

A po rrezikohet qëllimisht Clintoni?

October 31, 2016 by dgreca

1-clonton-4Lideri demokrat në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Harry Reid, tha se kreu i FBI-së mund të ketë shkelur ligjin, pasi ka bërë të ditur se agjencia e tij është duke hetuar disa emaile, të cilat mund të kenë lidhje me kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton.Reid akuzoi drejtorin e FBI-së, James Comey, për shkelje të një akti, i cili i ndalon zyrtarët të ndikojnë në zgjedhje.Lajmi për hetimet e FBI-së ka ardhur më pak se dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA.Agjencia është duke hetuar disa emaile që i përkasin një ndihmëseje të lartë të Clintonit.Emailet e Huma Abedinit besohet se janë gjetur në laptopin e burrit të saj, ish-kongresistit Anthony Weiner.Weiner është subjekt i një hetimi të veçantë, nën dyshimet se ka dërguar mesazhe seksuale te një vajzë e mitur.Raportohet se janë rreth 650,000 emaile për t’u hetuar në rastin Clinton, çfarë e bën të pamundur për hetuesit që të dalin me një vendim përpara zgjedhjeve.

FBI beson se emailet mund të lidhen me hetimet paraprake të Clintonit, për shkak të përdorimit të një serveri privat në kohën kur ka qenë Sekretare e Shtetit në administratën Obama.Ky rast është mbyllur në korrik pa ndonjë akuzë kundër Clintonit.Përmes një letre, lideri dekomrat i Senatit, Reid, akuzoi drejtorin e FBI-së, Comey, për ushtrimin e standardeve të dyfishta, me qëllim që të ndihmojë një parti politike përballë tjetrës.Ai tha se Comey mund të ketë shkelur Aktin e Kurdisjes, i cili i ndalon zyrtarët të përdorin pozitën e tyre për të ndikuar në zgjedhje.Reid po ashtu tha se Comey ka fshehur “informacione të vrullshme për lidhjet e afërta të kanidatit republikan për president, Donald Trump, dhe këshilltarëve të tij me Qeverinë e Rusisë”.

“Publiku ka të drejtë të dijë për këto informacione. Ju kam shkruar disa muaj më parë, duke kërkuar që këto informacione të bëhen publike”, tha Reid.Se çfarë efekti mund të ketë veprimi i FBI-së në zgjedhjet e 8 nëntorit, është e paqartë, por sondazhet e opinionit tregojnë se epërsia e Clintonit ndaj Trumpit ka rënë.Një sondazh i ABC News dhe i Washington Post, i publikuar të dielën, e ka treguar Clintonin vetëm me një përqindje përpara.Clinton i ka përshkruar veprimet e Comeyt si “të papara” ndonjëherë dhe “thellësisht shqetësuese”.Trump, në anën tjetër, ka lavdëruar vendimin e FBI-së, duke akuzuar Departamentin e Drejtësisë për mbrojtje të Clintonit.“Departamenti i Drejtësisë është duke bërë përpjekje të mëdha për të mbrojtur veprimtarinë kriminale të Hillary Clintonit”, tha Trump.Në një intervistë për televizionin CBS, nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Clinton po përballet me “një standard të dyfishtë” kur është fjala për besueshmërinë.Sipas vëzhguesve, veprimi i FBI-së mund të jetë asgjë, por edhe gjithçka për Clintonin. Analistët thonë se një gjë është e sigurt: edhe nëse Clinton fiton garën për Shtëpinë e Bardhë, ditët e para të presidencës së saj do të ndiqen nga kjo ngatërresë politike.(Pergatiti Valona Tela RFL)

Filed Under: Komente Tagged With: Clinton, rrezikon

LISTA E GJATE E KANDIDATIT TRUMP

October 31, 2016 by dgreca

1-trump2

Gazetari kanadez Daniel Dale, i “Toronto Star” ka bere nje list te GENJESHTRAVE qe Z Trump ka thene gjate ketyre 43 diteve te fundit. Perveç ketyre qe liston gazetari Daniel Dale, sot Z. Trump ka twitter nje genjeshter te re: “Twitter, Facebook, Google are “burying” FBI News” – shkruan ai. E verteta: asnjeri nga keta qe akuzon Trumpi, nuk e ka “varrosur lajmin e FB-ise”, pasi lajmi eshte i postuar ne te gjitha keta kompani qe akuzon ky. Po keshtu edhe me çeshtjen e emailave qe jane gjetur te kompjuteri i Weiners, ai perseri genjen, ashtu siç din ai ta bej kete pune. P. sh., ne letren qe drejtori i FBI i dergon Kongresit, shkruhet saktesisht keshtu: “Although the FBI cannot yet assess whether or not this material may be significant. . .” (“Megjithese FBI ende nuk ka bere vleresimin nese keto emaila mund te jene te rendesishem. . .), dhe kur vete drejtori i FBI, thote qe as une nuk di akoma se ç’ndodhen ne to, Z.Pinokio, qe nga genjeshtrat hunda e tij do te arrije brigjet e Evropes, keshtu qe amerikanet do te kalojne Atllantikun me makine per te shkuar ne Evrope, s’le miting pa genjyer ne menyren me te paskrupull: Z.Pinoku i cileson keto email si “Bigger than Watergate” (Shume me te rendesishme sesa Skandali i Uatergeitit!) dhe ulerin bashke me turmen: “Hilari te futet ne burg! Qe s’di pse me kujton atmosferen fill pas Luftes se Dyte boterore ne Shqiperi kur per çdo te arrestuar si “armik” turma bertiste: “te varet, te varet!” Lexoni nje pjese te listes te ketij Gazetari,  (lista gjendet ne kete link: https://www.indy100.com/article/this-journalist-is-listing-all-the-lies-donald-trump-tells-every-day-7322776, dhe te shihni konkretisht PINOKUN ME TE MADH qe ka njohur Bota! Duke perfunduar, dua te shtoj se sot ne GPS, ne nje interviste me Fereed Zakaria me ish ministrin e jashtem te Britanise, te Frances, te Singaporit dhe te Polonise te gjithe UNANIMISHT, nenvizuan rrezikun qe paraqet per boten zgjedhja e Z. Trump si President i USA.( Pirro Dollani- Las Vegas)

Filed Under: Komente Tagged With: genjeshtrave te Trump, Lista e gjate

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT