• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2016

Kosova nuk ka nevojë për “nënë e babë”!

October 18, 2016 by dgreca

1 enver Bytyci

Shkruan: Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi/

Një nga krerët e Lëvizjes “Vetëvendosja” të Kosovës, i dërguari dhe përfaqësuesi i kryeministrit të Shqipërisë dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, pra Bojken Abazi, ka shkruar se: “Ideja e ndryshimit të psikologjisë kolektive në Kosovë nga “Nëna Shqipëri” te krijimi i një nëne të re, pra “Nëna Kosovë”, që lind “kombin” kosovar, e anashkalon faktin se “Nëna Kosovë” ka për “babë” Serbinë, që e ka krijuar idenë e kësaj “nëne” të re nëpër dekada përmes ndarjes së Kosovës nga Shqipëria dhe (për)dhunimit sistemik kolonialist” Nuk dua të zgjatem në teorizime të shumta rreth kësaj teye, e cila duket se është kauzë e Bojkenit, Vetëvendosjes dhe kryeministrit tonë, zotit Rama. Por do të ndalem të dy momente, të cilat do të duhet që lexuesi t’i dijë, t’i njohë, natyrisht pa qenë i detyruar t’i pranojë. Eshtë e vërtetë se Serbia i ka parë shqiptarët e Kosovës si “trup i huaj” në truallin e Kosovës. Prandaj ajo shkroi dhe aplikoi programe të shumta asgjësimi dhe shfarosjeje të tyre. I shihte si të tillë shqiptarët në Kosovë, me qëllim që ata ta forconin gjithnjë e më shumë idenë e Nënës Shqipëri, t’i mbanin sytë te Shqipëria Londineze dhe në rastin e spastrimeve etnike të ishte po Shqipëria destinacion i shqiptarëve të shpërngulur. Të tilla programe kanë hartuar dhe zbatuar shumë akademikë, përfshirë dhe “nobelistin”, të cilin e admirojnë Rama dhe Blushi, pra Ivo Andriç. Dhe nuk po them aspak ndonjë zbulim: Nëse nuk do të ndërhynte NATO, shqiptarët e Kosovës do të kishin marrë rrugët e botës përmes Shqipërisë më 1999. Me këto programe asgjësimi ata ia arritën qëllimit që shqiptarët në Kosovë t’i mbanin sytë nga Shqipëria, madje të duartrokisnin me entusiazëm edhe politikat izolacioniste të diktaturës komuniste në Shqipëri dhe vetë diktatorin e egër shqiptar. Ndërsa ata dëshmuan në kushtet e autonomisë së viteve 1970, se kanë energji të jashtëzakonshme për ta zhvilluar dhe prosperuar vendin e tyre. Shumë prej atyre që e njihnin regjimin komunist izolacionist të Shqipërisë aso kohe ishin të qartë se çfarë përfaqësonte për ta Shqipëria. Pra, sa ishte në gjendje një vend ekzotik I izoluar si vendi ynë të bënte diçka për Kosovën. Megjithatë fjalimet e diktatorit, mbushur me nota nacionalizmi sidomos pas prishjes me Kinën, krijuan një brez mbështetësish për diktatorin Hoxha dhe Shqipërinë komuniste. Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij dhanë shembullin e parë sesi do të duhej të sillej lidershipi i Kosovës ndaj atij të Tiranës. Rugova ishte i pari udhëheqës politik që në kushtet e lirisë së mendimit diti të kundërshtonte presionet e Berishës ndaj tij dhe të refuzonte politikat e Nanos e të Mejdanit ndaj Kosovës. Fromula e tij për një “Kosovë të pavarur, të hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë” ishte gjetja ideale për ardhmërinë e shqiptarëve në Kosovë. Kjo formulë mbetet postulat dhe larg folklorizmit nacionalist, ishte dhe mbetet vision, tek i cili duket se sot janë rikthyer udhëheqësit aktualë të Prishtinës. Të larguarit dhe baraslarguarit e Prishtinës nga Tirana dhe Beogradi nuk duhet gjykuar nga ngjarjet e së kaluarës. Edhe pse Tirana ka patur qasje të një sjellje miqësore e të marrëdhënieve të ngushta me Prishtinën, ky nuk është argument se Kosova dhe Shqipëria do të duhej të bashkoheshin menjëherë dhe kështu të zhbëheshin institucionet e pavarësia e Kosovës. Edhe pse Serbia ka ushtruar dhunë, terror, masakra, asgjësime të pafund, ky nuk është argument se shqiptarët e Kosovës do të duhet të sakrifikojnë territorin e tyre më të pasur të nëntokës e mbitokës dhe të bashkoheshin me Shqipërinë me çmimin e ndarjes së saj. Në fund të fundit ata Shqipëria i ka ndihëmuar, por nuk i ka mbrojtur ndonjëherë nga terrori i Serbisë. Ka edhe raste kur i ka ndihëmuar atij terrori në forma të ndryshme. Shembujt dihen e nuk besoj se duhen përsëritur. Ndërkohë edhe kryeministrit tonë i pëlqen që të “lëmë të kaluarën” e “të kthehemi nga e ardhmja”, ndaj poi a plotësojmë këtë dëshirë. Largimi ose baraslargimi nga Tirana e legjitimon më shumë politikën e largimit dhe shkëputjes nga Beogradi, I heq Beogradit “argumentin” absurd të presionit mbi bashkësinë ndërkombëtare se “Shqiptarët duan të krijojnë një Shqipëri të Madhe”. Ndërkohë që teoria e Bojken Abazit dhe Vetëvendosjes i jep Beogradit një armë të tillë të mbushur me barutin e një “argument” të munguar. Kurse qëndrimi e qëllimi i vërtetë i Serbisë nuk është njohja, konsolidimi dhe funksionimi I shtetit të Kosovës, përkundrazi, shkërmoqja e tyre, qoftë dhe me koston e “bashkimit të saj me Shqipërinë”, në kushte paqësore, pra me dialog me Serbinë. Minsitri i Jashtëm i qeverisë serbe, Daccicc, të cilin Rama e thërret me dashuri Ivo dhe e fton në ditëlindje t’i këndojë serenata, siç u shpreh vetë ai në një intervistë në Beograd, me dhjetra herë është shprehur qartë dhe saktë. Po citoj: “Ne nuk na duhet në sa shtete jetojnë shqiptarët, ne duam që serbët të bashkohen në një shtet”.Ndërkaq ai kohët e fundit i ka mëshuar tezës, të cilën e pëlqejnë idhtarët e bashkimit me forcë e të menjëhershëm, se “Shqiptarët e Kosovës janë shqiptarë të Shqipërisë”, duke lënë të kuptohet se “Serbia nuk është kundër bashkimit të tyre me Shqipërinë”. Por ama me kushtin që serbët e Kosovës t’i bashkohen Serbisë. Duket shumë qartë se në Serbi tashmë kanë hequr dorë nga plani i asgjësimit fizik të shqiptarëve dhe i janë kthyer një programi tjetër, bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Madje për këtë teori qeveria dhe politika e Serbisë po harxhon aq shumë energji, sa kurrë ndonjëherë tjetër. Të njëjtën gjë kërkon dhe Vetëvendosja dhe të njëjtën gjë nxisin “idhtarët e bashkimit” në stanin e Edi Ramës. Po pse serbët e duan një bashkim të menjëhershëm të shqiptarëve të Kosovës (jot ë Kosovës), me Shqipërisë”? Në Beograd ka ngutje për këtë, me qëllim që ta heqin nga axhenda e tyre nyjen penguese të anëtarësimit të Serbisë në BE, pra Kosovën. Po si? Duke e bashkuar pjesën e banuar me shqiptarë me Shqipërinë dhe me këtë rast duke përfituar territoret e banuara me serbë, sidomos në veriun e Kosovës. Një bashkim i tillë do të bëhej me dialog dhe bisedime, jo me luftë. Në këtë dialog Serbia do të vinte në pazar territoret e Kosovës, madje pasuritë e Kosovës, Trepçën dhe rajone tjera të pasura të saj. Dhe në këtë pazar ajo do të dilte e fituar, sikur gjysmën e këtij territori ta përfshinte brenda kufijve shtetërorë serbë. Kështu politika dhe qeveria e Beogradit do të kishte dy përfitime: Përfitime në territor dhe përfitime nga heqja qafe e një një pengese, asaj për njohjen e shtetit të Kosovës. Kjo do të thotë se Serbia ka nevojë që të mos ekzistojë shteti i Kosovës që të shuhet aqë është arritur deri më sot në Kosovë me shpalljen e pavarësisë, miratimin e kushtetutës dhe ligjeve të saj si dhe ndërtimin e funksionimin e institucioneve shtetërore të saj. Serbia ka nevojë që Vetëvendosja e Boikenët të luftojnë për ndarjen e Kosovës. Asaj nuk I bëhet vonë pse shqiptarët në emër të nacionalizmit djegin e shkatërrojnë pasuritë e vendit të tyre, shkërmoqin dhe shkatërrojnë institucionet e Kosovës. Edhe nëse nuk do të arrinte ndarjen, me asgjësimin me anën e shqiptarëve të institucioneve të Kosovës do ta shtynte pafund njohjen e shtetit më të ri në Europë e kështu do ta realizonte një ditë ëndërrën e saj. Shqiptarët në vend të bashkohen për shtetin e Kosovës, bashkohen për të realizuar me parulla nacionaliste qëllimet e Serbisë. Me taktikën e saj të “pajtimit shqiptaro-serb” dhe të parullave e lëvizjeve për bashkim, Serbia do të nxiste shqiptarët e Maqedonisë që edhe ata të kërkojnë shkatërrimin e shtetit të Maqedonisë. Asgjësimi i këtij shteti është strategji e përhershme e Beogradit, ndërkohë që nga kjo humbja do të ishte në anën e shqiptarëve. Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë herë shprehet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, herë thotë të kundërtën. Kur shkon në ekranin e Batoon Haxhiut, thotë se dëshiron bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kur del në ekranet e TV në Beograd shprehet se “Kurrë nuk ka qenë përbashkimin e shqiptarëve në një shtet”. Shqiptarët detyrohen të jetojnë në amullinë e mjergullën që krijojnë deklarata të tilla dhe kjo vjen, sepse deri më tash shqiptarët në Kosovë ende nuk kanë vendosur çfarë do të bëjnë me vetveten: Do të forcojnë shtetin që kanë krijuar, apo do ta shkatërrojnë atë shtet dhe institucionet e tij me parullat nacionaliste shkatërruese të bashkimit. Edi Rama shfaqet një elklektik dhe fjalën e përdor sipas interesit vetjak në funksion të pushtetit. Por një gjë ishte e qartë: Zoti Rama për këto qëllime iu fut punës për “zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb” përmes bisedimeve Tiranë-Beograd. Sa kohë që Prishtina heshti, ai vazhdoi misionin e tij pa u ndalur në harmoni të plotë me dëshirat e qeverisë së Serbisë. Edhe kjo taktikë do të çonte në vënien në diskutim të institucioneve, pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Kur zullumi u trash reaguan disi ashpër përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Ata nuk mund të pranonin zhvleftësimin e gjithë atij investimi kombëtar e ndërkombëtar që është bërë për shtetin e shtetësinë e Kosovës, nuk mund të pranonin që si viktimë e Serbisë të ishin spektatorë e të injoruar në zgjidhjen e këtij konflikti. Por Serbisë i intereson zgjidhja përmes bashkëpunimit me qeverinë e Tiranës. Ndoshta edhe bashkësisë ndërkombëtare, përveç SHBA-ve, të lodhur nga konflikti shqiptaro-serb. Nëse zoti Rama do t’i shkonte deri në fund “misionit” të tij të admiruar prej zotit Vuçiç, për bisedime të drejtpërdrejta për zgjidhjen e konfliktit të tillë, atëherë do të vihen përsëri në diskutim sovraniteti e integriteti territorial i Kosovës. Paralelisht do të gjallëroheshin Boiken-ët me parullat e nacionalizmit shkatërrues dhe do të vinte puna deri te opsioni që kam përmendur më lart, ndarja e Kosovës në emër të bashkimit të saj me Shqipërinë. Ne shqiptarët kemi humbur sa herë jemi thirrur kësisoj si tani në emër të nacionalizmit për të shpëtuar pushtetin e hajdutëve, diktatorëve dhe kriminelëve. Kësaj here në Prishtinë dikush tërhoqi vëmendjen dhe ju shpjegoi liderëve të Kosovës se sa e rrezikshme është loja e “pajtimit shqiptaro – serb” nga Tirana e Beogradi, duke anashkaluar viktimën e Serbisë, Kosovën. Dikush tërhoqi gjithashtu vëmendjen edhe për prapaskenat e lojës së destabilizimit të shtetit të Kosovës nga ana e liderëve të Vetëvendosjes. Prandaj dhe institucionet e Kosovës reaguan në mënyrë të pazakontë, duke kundërshtuar hapur dhe me tone të prera atë që ata e quajnë “ndërhyrje të Shqipërisë në punët e Kosovës”. Ne nuk ishim mësuar me këtë lloj kryengritje të Prishtinës ndaj Tiranës. Në Tiranë ishte bërë zakon të luhej roli I “babait”, duke e paraqitur Shqipërinë si “nëna” e shqiptarëve të Kosovës. Tani Abazi thotë se nëse “Nëna Shqipëri”, bëhet “Nëna Kosovë”, dilka se shqiptarët në Kosovë paskan “babë” Serbinë. Duhet të jesh delirant t’i shpjegosh fenomenet e sotme kësisoj. Kosova nuk ka nevojë të ketë “nënë e babë”. Prej 17 shkurtit 2008 ajo është vetë edhe nënë, edhe babe, pra zot në territorin e saj. Dhe këtë e arriti në sajë të sakrificave të saj, si dhe të mbështetjes së SHBA-së dhe NATO-s. Shqipëria luajti një rol ndihmës të rëndësishëm, por për këtë nuk ka pse kërkon haraç. Në fakt ndodhi diçka e pazakontë. Ishim mësuar që Prishtina të pajtohej me politikat dhe tutelën e Tiranës. Madje liderët e Kosovës gëlltitën injorimet e njëpasnjëshme të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Gëlltitën dhe flirtimet e tij me Vuçiç e me Albin Kurtin, derisa nuk duruan dhe i thanë atij: STOP! Reagimi i kalemxhinjve të romantizmit të rilindjes socialiste u shfaq pa maska. Ata u tërbuan për dy arësye: Së pari u befasuan nga reagimi i institucioneve të Prishtinës, së dyti, se projekti i përbashkët serbo-ramo-vetëvendosje mbeti në tentativë pa u realizuar. Kur them serbo-ramo-vetëvendosje, nuk mendoj se ka një rekordim zyrtar, mafioz e diskret midis tyre, çka do të ishte tradhëti. Por besoj se të dyja segmentet shqiptare kanë rënë viktimë e planit serb të ndarjes së Kosovës nëpërmjet “pajtimit” përmes bisedimeve me Tiranën

Filed Under: Opinion Tagged With: “nënë e babë”!, kosova, Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi

KUJTESE-17 tetor 1979, NËNË TEREZA FITOI NOBEL

October 18, 2016 by dgreca

 

Rilindja,17 tetor 1978: U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA-LAUREATE/1-nana-tereza-cmimi-nobel1

-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja shkruante historinë/

PRISHTINË, 18 Tetor 2016- Gazeta DIELLI- Behlul Jashari /  “U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA – LAUREATE”, ishin mbititulli e titulli i gazetës Rilindja në 18 tetor 1979, ku në nëntitull theksohej: “Fituesja, që përndryshe është shqiptare, deklaroi se të hollat prapë do t’i shpenzojë për qëllime bëmirësie”. Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja raportonte për ngjarjen e madhe në Oslo të një dite më parë.

Në 10 dhjetor 1979 Nana Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Këto fjalë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të shënuara në “Rilindja”, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin.

Kështu kam shkruar në RILINDJA 60 VJET MONOGRAFI, botuar shtojcë speciale e gazetës tradicionale të Kosovës për ditën e jubileut -12 shkurtit 2005, ku kam cituar fjalët e nobelistes shqiptare Nëna Terezë në ditën e pranimit të Çmimit Nobël.

Nën foton në monografi shkruan: Nënë Tereza në bisedë me dr. Mehmet Begracën dhe redaktorin e gazetës sonë (Rilindja) Nehat Islamin (qershor, 1980).

TË TJERA NGA MONOGRAFIA RILINDJA 60 VJET:

1-gazeta-rilindja-ballina-behlul-jashari-foto

SHKRONJA PËR “RILINDJEN” DËRGOI TIRANA

Në Shtypshkronjën e  “Rilindjes” në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe. Shkronja plumbi të alfabetit shqip në një sasi më të madhe u sollën me arka nga Shqipëria  pas një marrveshje të nivelit më të  lartë në Tiranë të  udhëheqjes së atëhershme të Shqipërisë dhe të Kosovës, marrjveshje që përfshinte edhe dërgimin e mësuesve shumë të nevojshëm për shkollat e hapura kosovare.

HISTORIA NË NJË FJALI

“Rilindja” filloi të dalë më 12 Shkurt 1945 në Prizren, në kuadrin e vendimeve të  Kuvendit të Bujanit, e mandej vazhdoi të dalë në kryeqytetin Prishtinë, si gazetë  institucionale, gjegjësisht me një status të medias publike, ndërsa që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta doli edhe në kushtet e ndalimit e të mbylljes së dhunshme, doli edhe me emrin “Bujku” si gazetë gjysëmilegale dhe e rezistencës, që e sfidoi ndalimin, doli  e pavarur dhe do të mbetet  e pavarur.

1rilindja-nehat-behlul-jashari

RILINDJA MË 1962: KOSOVA FITOI BANORIN E NJIMILIONIT

RILINDJA e datës 6 Korrik 1962 shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.

ABETARJA E PARË NË GJUHËN SHQIPE

Sot duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punen vetmohuese të punëtorëve grafik u shtyp, për një kohë realtivisht të shkurtë…Abetarja përmbanë 58 faqe dhe asht  shtyp në 5.000 ekzemplarë.

(RILINDJA, 19 nanduer 1946)

GJUHA E NJËSUAR LETRARE NË RILINDJA NGA 12 SHKURTI 1970

RILINDJA në 25-vjetorin e saj, më 12 Shkurt 1970, filloi të dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikllin “Të mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.

PALLATI I SHTYPIT FILLOI TË NDËRTOHET NË NËNTOR 1971

RILINDJA më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i Pallatit të Shtypit. RILINDJA pasi kishte investuar në truallin e Pallatit filloi edhe nëdrtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 18 tetor 1978, FITOI NOBEL, Nene Tereza, Rilindja

KERCENIMET E MINISTRIT TE JASHTEM GREK KOTZIAS

October 18, 2016 by dgreca

Kotzias kërcënon Shqipërinë nën ndikimin e këshilltarit të Putinit/

1-kotziasNe Foto:FOTO:1.Nikos Kotzias me Aleksander Dugin, 2013/

Nga Arben LLALLA/

Gjuha kërcënuese që ka përdorur në deklaratën e fundit ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, sipas të cilit Greqia ka dhjetëfish ushtrinë më të fortë, ekonominë, armët e kështu me radhë, nuk i shkon përshtat një ministri të BE-së. Një ministër e Europës nuk mund të kërcënojë aleatin e tij, anëtar të NATO-s.

Retorika e Kotzias (Koxhas) nuk është e rastësishme, ai prej disa vitesh, para se të bëhej ministër i jashtëm i Greqisë, merrte leksione diplomatike nga këshilltari i presidentit rus Vladimir Putin, Aleksandër Dugini. Disa herë kam shkruar në media për lidhjet e ngushta të Nikos Kotzias me partinë Fronti Nacionalist Bolshevik në Rusi. Gjatë periudhës që Nikos Koxhas drejton Ministrinë e Jashtme të Greqisë ai ka bërë takime të shpeshta me vendet, të cilat njihen si pro ruse dhe antiamerikane apo antieuropiane.

Nikos Koxhas është njeriu që krijoi lidhet e ngushta të kryeministrit Aleksi Cipras me kryetarin e Rusisë, Vladimir Putin. Në Prill të 2013, Nikos Koxhas ftoi në Greqi për të mbajtur një ligjëratë në Universitetin në Pireut, Aleksandër Dugin, ideator i partisë Fronti Nacionalist Bolshevik. Kotzias e shoqëroi për disa ditë në Greqi Duginin dhe i siguroi atij një takim me drejtuesit e lartë të nazistëve të Agimit të Artë. Aleksandër Dugin është këshilltar i Putinit dhe i ka sugjeruar që Rusia sa më shpejtë të pushtojë Gjeorgjinë e Ukrainën duke i rithemeluar Perandorinë Ruse. Një tjetër këshillë ekstremiste që Dugin i tha Putinit ishte heqja e shtetësinë ruse për të gjithë liderët opozitarë dhe disidentët.

Sulmet e disahershme ndaj PDIU-së prej Nikos Koxhas nuk janë të rastësishme. Këto sulme të shprehura nëpër mediat greke vijnë si pasojë e presioneve të BE dhe SHBA për zgjidhjen sa më parë të Çështjes Çame. Vitet e fundit PDIU është bërë zëri i vetëm i fuqishëm për politikat kombëtare në Ballkan dhe kuptohet që sllavët e grekët nuk u pëlqen që në Shqipëri të ekzistojë një parti mbarëkombëtare, e cila vlerëson se shqiptarët duhet të shohin nga perëndimi, SHBA dhe BE.

Dalja në skenë e paketës së problemeve që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Greqisë, të paraqitur nga ministri Ditmir Bushati tek Komisioneri Hahn i ka hapur shumë telashe Nikos Kotzias. Kjo gjë ka bërë që kryediplomati grek, Nikos Kotzias të shprehet me gjuhën e urrejtjes dhe kërcënuese ndaj Shqipërisë, gjuhë që është jashtë protokollit diplomatik.

Kryeministri Aleksis Tsipras është nën presion të vazhdueshëm për shkarkimin e Kotzias, si nga partia e tij, ashtu edhe nga aleati qeveritar Panos Kamenos i ANEL.

Për deklaratat kërcënuese për ushtrinë e fortë që ka Greqia përballë Shqipërisë, Nikos Kotzias duhet të ketë parasysh faktin se ne jemi dy vende fqinje, anëtare të NATO-s, ku kemi rreth 30 mijë martesa të përziera vetëm këto 20 viteve të fundit pa folur për ato me pakicën greke në Shqipëri. Ne jetojmë në shekullin XXI, ku demografia në Ballkan tregon se shqiptarët janë një komb në rritje dhe jo në rënie siç është Greqia.

Historia na thotë se kur shqiptarët nisën kryengritje e 1821, ata ishin një grusht i vogël përpara gjithë asaj perandoria osmane. Koha tregoi atë që sot Nikos Kotzias ka kombësi ortodokse greke, se përndryshe mos të ishin shqiptarët nga Morea, Nafplio e Çamëria, Kotzias dhe shumë Koxhas të tjerë do ishin sot qytetarë të denjë myslimanë të Turqisë.

Në përfundim të fjalës së tij kërcënuese Nikos Kotzias lëshon një thirrje: “T’i zgjidhim problemet me vendet që aspirojnë të aderojnë në Europë, përpara se të fillojnë negociatat me Bashkimin Europian. Shpresoj ta kuptojnë se kjo është në interes të tyre”.

Ky është një tjetër kërcënim që rrëfen se Greqia po planifikon bllokimin e procesit integrues për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Natyrisht që duhet të çelen bisedimet shqiptaro-greke për çështjet e pazgjidhura, por si të barabartë, pa eufori dhe folklorin kërcënues. Shqipëria i ka letrat e hapura duke patur primare zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame, çështjen e pronave të shqiptarëve nga Thraka e deri në Çamëri. Për këtë duhet zbatuar Marrëveshja e Lozanës për minoritetin shqiptar që ekziston ende në Greqi. Kështu mund të krijohet besimi tek njeri-tjetri dhe grekët të çlirohen nga ankthet. Vetëm në këtë mënyrë grekët dhe shqiptarët mund ta shohin njëri-tjetrin në sy, pa drojë, inate, mllefe duke mos ngritur barriera e kurthe.

Për rikthimin e çamëve në Çamëri nuk është se duhet të ndodhi ndonjë çudi, nuk është as e pamundur, por grekët dhe shqiptarët duhet të jenë të përgatitur që rikthimi të bëhet paqësisht.

Një zgjidhje paqësore e Çështjes Çame, ku shteti grek do të hiqte si fillim Ligjin e Luftës me Shqipërinë, do të lejonte çamët të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara. Këto po do të ishin hapat kryesorë që do të ndikonin pozitivisht në psikologjinë e mirëbesimit tek dy popujt.

Këto veprime nuk janë të pamundura nëse vërtetë tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën. Pa zgjidhje të Çështjes Çame, asnjëherë nuk do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë mes dy popujve.

Nuk e dimë se çfarë të papriturash na përgatit e ardhmja, por fillimi i shekullit XXI, po tregon se në Ballkan ka më shumë shqiptarë se sa grekë.

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: E MINISTRIT TE JASHTEM GREK, KERCENIMET, Kotzias

Gjendja në Trepçë

October 18, 2016 by dgreca

AKP diskuton gjendjen në Trepçë/

-Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit shqyrtoi propozimin për ofrim për shitje përmes procedurave të tenderimit të 12,000 tonëve të  mbetjeve të pluhurit të plumbit sipas kërkesës nga Trepça Veri. Aprovoi propozimin sipas kërkesës së Trepçës Jug për lejimin e shitjes së koncentrateve të plumbit dhe zinkut për vitin 2017/

1-akpPRISHTINË, 18 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kryesuar nga Petrit Gashi, në mbledhjen e sotme, ku menaxhmenti raportoi për aktivitetet e muajit shtator 2016 dhe për proceset e planifikuara në të ardhmen, diskutoi edhe raportin  mujor  të  punës  për gjendjen në Trepçë. Në këtë mbledhje Bordi shqyrtoi propozimin për ofrim për shitje përmes procedurave të tenderimit të 12,000 tonëve të  mbetjeve të pluhurit të plumbit (Pb) sipas kërkesës nga Trepça Veri, shitjet e së cilës do të kishin ndikim jo vetëm financiar por edhe në përmirësimin dhe mbrojtjen e ambientit. Poashtu, Bordi diskutoi dhe aprovoi propozimin sipas kërkesës së Trepçës Jug për lejimin e shitjes së koncentrateve të plumbit dhe zinkut në këtë ndërmarrje për vitin e ardhshëm 2017.Bordi gjithashtu konfirmoi vendimin emergjent të kryesuesit dhe zëvendës kryesuesit për anulimin e  kontratës për këmbim prone me komunën e Deçanit për arsye të ndërtimit të shkollës dhe mori vendim që të kërkoi nga Ministria e Administratës dhe Pushteti Lokal shqyrtimin e interesit publik të kërkesës për ndërtim të objektit banesor.

Një ndër vendimet e rëndësishme ishte aprovimi i shitjeve të aseteve në likuidim nr. 27, për çka Menaxhmenti dhe Bordi i Agjencisë kanë bërë përgatitje për kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm.Agjencia ka bërë ndryshime në politikat operative dhe ka miratuar procedurat e shitjes, rregullat e përgjithshme të tenderit, gjithnjë me qëllim të përmirësimit të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre dhe lehtësimit të pjesëmarrjes së investitorëve dhe tërheqjes së numrit sa më të madh në tenderët që pritet të zhvillohen.Vala e re e shitjes së aseteve në likuidim nr. 27 do të përmbajë gjithësej 54 asete nga rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ndërsa shpallja e tenderit do të bëhet në 24 nëntor e ceremonia e dorëzimit dhe hapjes së ofertave do të mbahet një muaj më vonë, në 4 dhjetor.

Gjithashtu, Bordi aprovoi raportet e shpërndarjes së përkohshme të mjeteve për kreditorët e pesë  ndërmarrjeve shoqërore që janë në proces të likuidimit: “Kompresori”, NHT “Rugova”, “Vrella”, “Drithnaja” dhe  “Flamme-ing”. Shuma e fondeve për shpërndarje është 214.838 euro.Bordi po ashtu miratoi raportin për shitjen e banesave të ndërmarrjeve shoqërore, i cili ka përmbajtur 19 kërkesa të palëve.U mor vendim edhe për disa qiradhënie, ndërsa mbledhja e ardhshme e Bordit është caktuar për datën 31 tetor 2016.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: AKP, Gjendjen në Trepçë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës në SHBA

October 18, 2016 by dgreca

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Shpend Maxhuni po qëndron për vizitë zyrtare në San Diego të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

1-drejtori-polici-maxhuni-ok

Në foto:Drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Maxhuni, kryeprokurorja znj. Loretta E Lynch nga SHBA si dhe stafi përcjellës./

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Shpend Maxhuni është duke qëndruar për vizitë zyrtare në San Diego të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku po merr pjesë në konferencën e shefave të Policisë në kuadër të IACP-së (International Association of Chiefs of Police – Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë).Në këtë konferencë pjesëmarrës janë një numër i madh i nivelit të lartë të shefave të Policisë, jo vetëm nga SHBA-ja por edhe nga vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.Pjesëmarrja dhe takimi me përfaqësues të organizatave të ndryshme policore, në konferenca të këtij karakteri, mundëson shkëmbimin e përvojave policore, trajtimin e problemeve dhe fenomeneve nga fusha e rendit dhe sigurisë, si dhe njohjen me teknologjitë më të reja të cilat aplikohen në fushën e sigurisë.

Po ashtu në këtë konferencë fokus i veçantë i është dhënë luftës kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, krimit të organizuar transnacional si dhe llojeve të tjera të krimit.Kjo konferencë e karakterit policor është një nga konferencat më të mëdha të mbajtura çdo vit në SHBA, ku Policia e Kosovës është mbështetur dhe përkrahur nga ICITAP-i amerikan për të qenë pjesëmarrëse.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: ne SHBA, Shpend Maxhuni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT