AKP diskuton gjendjen në Trepçë/
-Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit shqyrtoi propozimin për ofrim për shitje përmes procedurave të tenderimit të 12,000 tonëve të mbetjeve të pluhurit të plumbit sipas kërkesës nga Trepça Veri. Aprovoi propozimin sipas kërkesës së Trepçës Jug për lejimin e shitjes së koncentrateve të plumbit dhe zinkut për vitin 2017/
PRISHTINË, 18 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kryesuar nga Petrit Gashi, në mbledhjen e sotme, ku menaxhmenti raportoi për aktivitetet e muajit shtator 2016 dhe për proceset e planifikuara në të ardhmen, diskutoi edhe raportin mujor të punës për gjendjen në Trepçë. Në këtë mbledhje Bordi shqyrtoi propozimin për ofrim për shitje përmes procedurave të tenderimit të 12,000 tonëve të mbetjeve të pluhurit të plumbit (Pb) sipas kërkesës nga Trepça Veri, shitjet e së cilës do të kishin ndikim jo vetëm financiar por edhe në përmirësimin dhe mbrojtjen e ambientit. Poashtu, Bordi diskutoi dhe aprovoi propozimin sipas kërkesës së Trepçës Jug për lejimin e shitjes së koncentrateve të plumbit dhe zinkut në këtë ndërmarrje për vitin e ardhshëm 2017.Bordi gjithashtu konfirmoi vendimin emergjent të kryesuesit dhe zëvendës kryesuesit për anulimin e kontratës për këmbim prone me komunën e Deçanit për arsye të ndërtimit të shkollës dhe mori vendim që të kërkoi nga Ministria e Administratës dhe Pushteti Lokal shqyrtimin e interesit publik të kërkesës për ndërtim të objektit banesor.
Një ndër vendimet e rëndësishme ishte aprovimi i shitjeve të aseteve në likuidim nr. 27, për çka Menaxhmenti dhe Bordi i Agjencisë kanë bërë përgatitje për kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm.Agjencia ka bërë ndryshime në politikat operative dhe ka miratuar procedurat e shitjes, rregullat e përgjithshme të tenderit, gjithnjë me qëllim të përmirësimit të procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre dhe lehtësimit të pjesëmarrjes së investitorëve dhe tërheqjes së numrit sa më të madh në tenderët që pritet të zhvillohen.Vala e re e shitjes së aseteve në likuidim nr. 27 do të përmbajë gjithësej 54 asete nga rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ndërsa shpallja e tenderit do të bëhet në 24 nëntor e ceremonia e dorëzimit dhe hapjes së ofertave do të mbahet një muaj më vonë, në 4 dhjetor.
Gjithashtu, Bordi aprovoi raportet e shpërndarjes së përkohshme të mjeteve për kreditorët e pesë ndërmarrjeve shoqërore që janë në proces të likuidimit: “Kompresori”, NHT “Rugova”, “Vrella”, “Drithnaja” dhe “Flamme-ing”. Shuma e fondeve për shpërndarje është 214.838 euro.Bordi po ashtu miratoi raportin për shitjen e banesave të ndërmarrjeve shoqërore, i cili ka përmbajtur 19 kërkesa të palëve.U mor vendim edhe për disa qiradhënie, ndërsa mbledhja e ardhshme e Bordit është caktuar për datën 31 tetor 2016.