
Projekti i William Willard Howard që iu paraqit Pres. Wilson më 1918
Nga Rafael Floqi
“Të krijohej një qeverie shqiptare, zyrtarët e së cilës, për aq sa ishte e mundur, të zgjidheshin nga shqiptarët që jetonin në Shtetet e Bashkuara.“ _ William Willard Howard
Nga ndihma humanitare te projekti politik
Në vjeshtën e vitit 1918, kur William Willard Howard u ul të shkruante për të ardhmen e Shqipërisë, përpara tij nuk ishte thjesht harta e një vendi të vogël në bregun lindor të Adriatikut. Ishin edhe kujtimet e pesë viteve të shkuara. Shqipërinë ai nuk e kishte njohur nga telegramet diplomatike të Washingtonit apo nga raportet që qarkullonin në kancelaritë evropiane. Kishte shkuar vetë atje. Kishte parë pasojat e Luftërave Ballkanike, refugjatët, varfërinë dhe më pas urinë. Në vitin 1918, kur Evropa e vjetër po shembej dhe Woodrow Wilson po e vendoste parimin e vetëvendosjes në qendër të retorikës amerikane të paqes, për Howard-in Shqipëria nuk ishte më një çështje abstrakte ballkanike. Ishte një vend që ai besonte se e njihte nga afër.1
Rruga e tij drejt Shqipërisë kishte filluar përpara Luftës së Parë Botërore. Committee for the Relief of the Wounded and Starving in Constantinople and the Balkan States, i krijuar në New York pas shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike, e zgjodhi Howard-in sekretar në shkurt 1913.
Sipas dokumenteve të ruajtura në Burke Library të Columbia University, ai iu drejtua kishave amerikane për kontribute; rreth 75,000 letra u shpërndanë dhe fushata mblodhi afërsisht 22,000 dollarë të tjerë. Në tetor 1913 Howard udhëtoi vetë në Shqipëri për të parë gjendjen në terren.2
Kështu nisi një marrëdhënie që do ta çonte disa herë drejt Shqipërisë dhe, pesë vjet më vonë, drejt propozimit të tij për një zgjidhje politike amerikane.
Duhet shënuar se veprimtaria e Howard-it nuk ishte pa polemika. Dokumentet e të njëjtit arkiv tregojnë se më 1913 ai u bë objekt hetimi nga një inspektor postar amerikan lidhur me metodat e mbledhjes së fondeve, ndërsa komiteti kundërshtoi pagesën që ai merrte nga shumat e mbledhura.3 Megjithatë, ai nuk ndryshon faktin e dokumentuar se Howard udhëtoi në Shqipëri dhe se, në vitet që pasuan, emri i tij shfaqet vazhdimisht në fushatat amerikane për ndihmën ndaj shqiptarëve.
Kur u kthye në Amerikë, Howard solli me vete jo vetëm përshtypje, por një argument: katastrofa shqiptare duhej bërë e dukshme për publikun amerikan. Për të, pas kufijve që diskutoheshin në Evropë ndodheshin njerëz që kishin humbur shtëpitë, ushqimin dhe sigurinë. Nëse në fillim ai kishte shkuar për të parë, shumë shpejt nisi të shkruante dhe të organizonte ndihma. Shqipëria po bëhej pjesë e veprimtarisë së tij publike.
Në pranverën e vitit 1915 gjendja ishte bërë edhe më e rëndë. Një lajm amerikan me titullin “An Appeal for Albanians” njoftonte se Albanian Relief Fund dhe The Christian Work and Evangelist kishin nisur një fushatë për popullsinë shqiptare të goditur nga uria. Apeli mbështetej ndër të tjera në raportin e Howard-it, të identifikuar si sekretar i fondit, si dhe në një mesazh të ambasadorit amerikan në Perandorinë Osmane, Henry Morgenthau. Plani i komitetit ishte konkret: një anije ndihmash duhej të nisej drejt porteve shqiptare me miell dhe misër për farë.4
Kështu, për Howard-in çështja shqiptare kishte kaluar nga dëshmia te veprimi. Në pasaportën e tij amerikane të vitit 1915 qëllimi i udhëtimit shënohej “Relief Work”, ndërsa rruga e deklaruar ishte përmes Italisë drejt Shqipërisë. Dokumentacioni i udhëtimit dhe raportimet e kohës e lidhin atë me anijen Albania dhe me shpërndarjen e miellit në Durrës për njerëzit në nevojë, pa dallim kombësie ose besimi.5 Ishte një ndryshim domethënës: Howard nuk po përpiqej më vetëm të tregonte historinë e shqiptarëve; po përpiqej t’u sillte bukë.
Por dokumenti që na lejon të hyjmë më afër në mendimin e tij është letra e 14 tetorit 1916. Pas udhëtimit të tretë në atë që shtypi e quante “zona e urisë” e Evropës, Howard iu drejtua redaktorit të Commercial & Financial Chronicle të New Yorkut. Letra ishte e shkurtër, por dramatike: Shqipëria, shkruante ai, po vdiste nga uria dhe nuk kishte madje as një gazetë të vetën për t’ia bërë të njohura botës nevojat e saj. Tragjedia e saj po kalonte pa u vënë re. Howard i kërkonte gazetës të hapte një derë përmes së cilës apeli i Shqipërisë të mund të arrinte te populli amerikan.6
Letra shoqërohej nga një qarkore me titullin domethënës “American Fair Play” – “Drejtësia amerikane”. Howard e ndërtonte argumentin mbi një kontrast të fortë moral: Amerika kishte dërguar dhjetëra milionë dollarë ndihma në Belgjikë, Poloni, Armeni, Siri dhe vende të tjera të goditura nga lufta, ndërsa Shqipëria, sipas tij, po lihej të vdiste në heshtje. Qarkorja e identifikonte Howard-in si të sapokthyer nga udhëtimi i tij i tretë në zonën shqiptare të urisë dhe përcillte paralajmërimin e tij se, pa ndihmë, uria dhe epidemitë mund të shkatërronin popullsinë.7

Në qendër të apelit qëndronte një fjali që përmbledhte mënyrën se si Howard e shihte dramën shqiptare: “Tragjedia e Shqipërisë është se një komb po vdes nga uria, ndërsa populli i Shteteve të Bashkuara, i ngarkuar me dhurata për pjesën tjetër të Evropës dhe për Turqinë, kalon në anën tjetër.”8
Ai thoshte se kishte kërkuar ndihmë “në vende të larta”, se kishte kërkuar një kore buke prej atyre që kishin dhënë miliona për popuj të tjerë dhe se kishte kërkuar më kot. Atëherë vendosi t’i drejtohej drejtpërdrejt “plain people”, njerëzve të zakonshëm të Amerikës. Synimi i tij ishte i prekshëm: “Dua të kthehem në Shqipëri me një anije të ngarkuar me ushqime.”9
Anija, pohonte ai, ishte gati. Në New York një grup klerikësh dhe redaktorësh do të ndihmonin në mbledhjen e një ngarkese humanitare. Kontributet administroheshin nga Rev. Frederick Lynch, redaktor i The Christian Work dhe sekretar i Carnegie Church Peace Union, ndërsa adresa e fondit ishte Balkan Relief Fund, 70 Fifth Avenue, New York City. Howard kërkonte kontribute në çdo shumë, “nga çmimi i një buke e lart”.10 Kjo adresë dhe ky emër – Frederick Lynch – do të shfaqeshin përsëri dy vjet më vonë, këtë herë jo në një apel për ushqime, por në një dokument që do të arrinte deri në Shtëpinë e Bardhë.
Në vjeshtën e vitit 1918, Howard mund t’i ketë sjellë ndër mend të gjitha këto ndërsa përgatitej të shkruante për të ardhmen politike të Shqipërisë: udhëtimin e parë të vitit 1913, fshatrat dhe refugjatët, fushatën për miell e misër të vitit 1915, udhëtimet e përsëritura dhe apelin e dëshpëruar të vitit 1916. Në fillim pyetja ishte: Si mund t’i shpëtojmë shqiptarët nga uria?
Në vitin 1918 ajo po shndërrohej në një pyetje politike: Si mund të ndërtohet një Shqipëri që të mos ketë nevojë të shpëtohet përsëri?

Bota ndërkohë kishte ndryshuar. Lufta po përfundonte, Austro-Hungaria po shpërbëhej dhe Wilson e kishte futur parimin e vetëvendosjes në gjuhën e rendit të ri ndërkombëtar. Howard e pa momentin si një mundësi. Në artikullin që titulloi “An American Republic in Europe”, ai e fillonte pikërisht me Wilsonin: tani që forcat austro-hungareze ishin tërhequr nga Shqipëria, shkruante ai, ishte bërë e mundur që “ungjilli” wilsonian i vetëvendosjes së kombeve të vogla të zbatohej menjëherë. Shqipëria, sipas tij, ishte gati për vetëqeverisje.11
Howard nuk e paraqiste veten si një teoricien që po zgjidhte një problem mbi hartë. Ai e mbështeste autoritetin e propozimit te përvoja personale, duke deklaruar se njohja e Shqipërisë dhe kontakti i tij me shqiptarë të të gjitha shtresave – “nga pashallarët deri te drejtuesit e gomarëve” – e shtynin të paraqiste një program konkret. Propozimi i parë ishte i jashtëzakonshëm për qartësinë e tij: PresidentiWilson, në bashkëpunim me aleatët e Shteteve të Bashkuara, të shpallte Republikën e Shqipërisë.12
Këtu përfundonte transformimi i Howard-it nga humanitari te avokati i një zgjidhjeje politike. Në vitin 1915 ai kishte kërkuar një anije me miell. Në vitin 1916 kishte kërkuar “American Fair Play” për fëmijët e uritur të Shqipërisë. Tani kërkonte që fuqia morale dhe politike e Amerikës të përdorej për të siguruar vetë ekzistencën e shtetit shqiptar. Buka mund ta shpëtonte njeriun për një dimër; një shtet i mbrojtur, në logjikën e tij, mund ta shpëtonte kombin.
Dhe shkrimi nuk mbeti thjesht në faqet e The Christian Work. Më 20 nëntor 1918, Frederick Lynch, kryeredaktori i revistës dhe i njëjti njeri që kishte administruar kontributet e fushatës së vitit 1916, ia dërgoi artikullin Presidentit Woodrow Wilson. Në letrën shoqëruese Lynch e paraqiste Howard-in si një njeri që ndoshta dinte më shumë për situatën shqiptare se kushdo tjetër në Amerikë, sepse kishte qenë disa herë në Shqipëri, përfshirë gjatë luftës, dhe kishte shërbyer prej vitesh në organizatat e ndihmës shqiptare. Lynch shtonte se shumë nga ata që e njihnin çështjen mendonin se Howard kishte gjetur zgjidhjen e duhur. Dokumenti mban edhe vulën e Division of Near Eastern Affairs, 27 nëntor 1918, çka tregon hyrjen e tij në aparatin e Departamentit të Shtetit.13
Shtatë pikat e projektit amerikan
1. Shpallja e Republikës së Shqipërisë
Howard propozonte që Presidenti Wilson, në bashkëpunim me aleatët e Shteteve të Bashkuara, të mbështeste shpalljen e Shqipërisë si republikë. Në këtë mënyrë ai largohej nga modeli i vitit 1914, kur Fuqitë e Mëdha kishin vendosur në krye të Shqipërisë Princ Wilhelm Wied-in. Për Howard-in, koha e monarkive kishte përfunduar. Shqipëria e pasluftës duhej të ndërtohej sipas modelit republikan.14
2. Amerika të merrte Shqipërinë nën mbrojtje
Pika e dytë ishte edhe më radikale. Shtetet e Bashkuara duhej t’i jepnin Shqipërisë të njëjtin lloj: udhëzimi, ndihme dhe mbrojtjeje që Amerika kishte ushtruar në Kubë dhe në Filipine. Howard, pra, nuk propozonte aneksimin e Shqipërisë. Ai mendonte për një shtet shqiptar të veçantë, por të mbështetur dhe të mbikëqyrur nga SHBA gjatë periudhës së ndërtimit të institucioneve.15

3. Shqiptarët e Amerikës të ndërtonin shtetin
Një nga pjesët më interesante të projektit lidhej me diasporën. Howard propozonte krijimin e një qeverie shqiptare, zyrtarët e së cilës, për aq sa ishte e mundur, të zgjidheshin nga shqiptarët që jetonin në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte një vlerësim jashtëzakonisht të lartë për emigrantët shqiptarë të Amerikës. Sipas Howard-it, ata kishin përvetësuar frymën e qytetërimit amerikan, kishin mësuar anglishten, kishin ndjekur shkollat amerikane dhe kishin fituar zakone pune, kursimi dhe organizimi industrial. Pikërisht këta njerëz, mendonte ai, mund të ktheheshin në Shqipëri dhe të formonin bërthamën administrative dhe ekonomike të shtetit të ri. Howard llogariste rreth 60,000 shqiptarë në Shtetet e Bashkuara. Diaspora, në vizionin e tij, nuk ishte thjesht burim parash apo propagande kombëtare. Ajo duhej të bëhej një nga instrumentet e modernizimit të Shqipërisë.16
4. Amerika të garantonte rindërtimin financiar
Howard propozonte që rindërtimi i Shqipërisë të financohej nëpërmjet bonove të qeverisë shqiptare, të garantuara nga Shtetet e Bashkuara. Ai llogariste se mund të duheshin rreth 20 milionë dollarë, ose aq sa të kërkonte rindërtimi. Por këto para nuk do të ishin dhuratë. Shqipëria, sipas projektit, do t’i shlyente ato gradualisht. Kështu projekti kombinonte mbrojtjen politike amerikane me një program financiar të rindërtimit të shtetit.17
5. Njëzet e pesë vjet nën drejtimin amerikan
Kjo ishte pika më e guximshme e projektit. Howard propozonte që kontrolli dhe drejtimi amerikan mbi qeverinë shqiptare të vazhdonin: për një periudhë prej 25 vjetësh, ose derisa Presidenti i Shteteve të Bashkuara të gjykonte se shqiptarët ishin të përgatitur për t’i administruar vetë punët e tyre. Modeli që kishte në mendje ishte përsëri përvoja amerikane në Filipine. Gjatë kësaj periudhe duhej të përgatitej një brez i ri administratorësh shqiptarë. Në këtë kuptim, projekti i Howard-it i afrohej asaj që vetëm pak muaj më vonë, në Konferencën e Paqes, do të quhej mandat amerikan mbi Shqipërinë.18
6. Kufijtë sipas parimit etnik
Howard prekte edhe çështjen më të rrezikshme të Shqipërisë: kufijtë. Ai kërkonte që kufijtë e shtetit të përcaktoheshin sipas vijave etnike dhe jo sipas kufijve që ai i konsideronte arbitrarë të vendosur përpara luftës. Në këtë koncept ai përmendte posaçërisht: Strugën, Dibrën dhe Gjakovën, si edhe zonën e Liqenit të Ohrit. Këto territore, shkruante Howard, kishin mbetur jashtë Shqipërisë pas vendimeve të vitit 1913. Kjo pikë është veçanërisht e rëndësishme sepse e lidh projektin e tij drejtpërdrejt me parimin wilsonian të vetëvendosjes.19
7. Marrëveshjet sekrete të shpalleshin të pavlefshme
Pika e shtatë prekte drejtpërdrejt diplomacinë sekrete të Luftës së Parë Botërore. Howard kërkonte që marrëveshjet e bëra nga Fuqitë Qendrore ose nga fuqitë e Antantës për të ardhmen e Shqipërisë, kufijtë dhe kontrollin e saj, të konsideroheshin të pavlefshme. Në praktikë, argumenti godiste logjikën e Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915, i cili kishte parashikuar një copëtim të mëtejshëm të Shqipërisë. Shqipëria, argumentonte Howard, duhej të trajtohej mbi bazën e parimeve që Presidenti Wilson kishte shpallur kur Amerika hyri në luftë.20
Një program për rindërtimin
Howard nuk ndalej te diplomacia. Programi i tij përmbante tetë prioritete: ushqimin e popullsisë së uritur; punësimin e burrave të aftë për punë; ndërtimin e rrugëve; sigurimin e qeve, mjeteve bujqësore dhe farërave; futjen e metodave moderne të bujqësisë; ngritjen e industrisë së lëkurës, këpucëve, dorezave dhe tekstileve të leshit; shfrytëzimin e burimeve minerare; dhe ngritjen e shkollave fillore.21
Howard kishte udhëtuar, sipas dëshmisë së tij, rreth 450 milje në brendësi të Shqipërisë. Ai përshkruante mungesën dramatike të rrugëve dhe argumentonte se ndërtimi i tyre duhej të ishte një nga projektet e para të administratës së re. Ai shihte gjithashtu një potencial të madh hidroenergjetik. Lumenjtë shqiptarë, sipas tij, mund të furnizonin industrinë e ardhshme, ndriçimin dhe madje hekurudhat elektrike. Në Shqipëri ai kishte parë qymyr, ndërsa në Vlorë kishte parë asfalt të grumbulluar për eksport. Shqiptarë të ndryshëm i kishin folur edhe për burime nafte. Por Howard insistonte se pasuritë natyrore nuk duhej të shndërroheshin në pasuri private të pak individëve. Ato duhej të shfrytëzoheshin nga shteti për të mirën publike.22
Në dhjetor 1915, Howard ndodhej në Durrës me anijen humanitare Albania, ndërsa ushtria serbe, e tërhequr përmes maleve shqiptare, po arrinte në Adriatik. Pas kësaj erdhi pushtimi austro-hungarez. Në mbarim të luftës ai përshkruante një vend të shkatërruar ekonomikisht dhe demografikisht, por ku patriotizmi dhe dëshira për një shtet të sigurt kishin mbijetuar.23
Nga projekti i Howard-it te debati mbi mandatin
Në fund të vitit 1918, para Konferencës së Paqes në Paris, Howard kishte paraqitur një formulë konkrete: një republikë shqiptare me garanci amerikane, rindërtim financiar, administrim tranzitor dhe kufij të përcaktuar sipas parimit etnik. Projekti i tij mund të lexohet si pararendës i debatit për një mandat amerikan, por nuk duhet barazuar automatikisht me një mandat të miratuar. Përcjellja e artikullit në administratën amerikane dëshmon qarkullimin e propozimit, jo pranimin e tij si politikë zyrtare.24
Për qarqet shqiptaro-amerikane që kërkonin mbrojtje për shtetin shqiptar, largësia e Shteteve të Bashkuara nga Ballkani e bënte alternativën amerikane tërheqëse. Italia, ndërkaq, ishte një nga nënshkrueset e Traktatit të fshehtë të Londrës. Në këtë kontekst, mbështetja amerikane shihej si një mundësi për të ruajtur ekzistencën e Shqipërisë dhe për të ndërtuar institucionet e saj.
Titulli “An American Republic in Europe” përmblidhte vizionin e Howard-it: një republikë shqiptare që gjatë tranzicionit do të përfitonte nga institucionet, kapitali dhe ekspertiza amerikane. Diaspora do të shërbente si ura njerëzore midis dy vendeve. Megjithatë, periudha njëzetepesëvjeçare e kontrollit të propozuar e bënte këtë një projekt mbikëqyrjeje të gjerë, krahas premtimit për vetëqeverisjen e ardhshme.
Howard kërkonte që mbështetësit amerikanë të Shqipërisë të mblidheshin, ta sillnin gjendjen e vendit në vëmendjen e Presidentit Wilson dhe, me miratimin e tij, të konsultoheshin me përfaqësuesit e shqiptarëve të Amerikës. Shqipërisë duhej t’i jepej një mundësi reale për “jetë, liri dhe kërkimin e lumturisë”.25
Kështu mbyllej rrethi që kishte filluar më 1913 në Shqipërinë e rrënuar nga Luftërat Ballkanike. Howard kishte shkuar për të parë, kishte organizuar ndihma dhe kishte kërkuar të zgjonte ndërgjegjen amerikane. Më 1918 ai përpiqej t’i jepte një përfundim politik asaj përvoje: dikur kishte kërkuar një anije me bukë; tani kërkonte një garanci për Shqipërinë.
Shënime dhe burime
1. William Willard Howard, “An American Republic in Europe,” The Christian Work, 1918, 518–520. Artikulli iu përcoll Presidentit Woodrow Wilson nga Frederick Lynch, 20 nëntor 1918; dokumenti i Departamentit të Shtetit mban vulën e Division of Near Eastern Affairs, 27 nëntor 1918.
2. Committee for the Relief of the Wounded and Starving in Constantinople and the Balkan States Records, 1912–1914, Missionary Research Library Archives, Burke Library at Union Theological Seminary, Columbia University. Përmbledhja historike e koleksionit shënon zgjedhjen e William Willard Howard si sekretar në shkurt 1913, shpërndarjen e rreth 75,000 letrave, mbledhjen e afërsisht $22,000 dhe udhëtimin e Howard-it në Shqipëri në tetor 1913.
3. Committee for the Relief of the Wounded and Starving in Constantinople and the Balkan States Records, 1912–1914, përshkrimi historik i koleksionit, Missionary Research Library Archives, Burke Library, Columbia University.
4. “An Appeal for Albanians,” The Cranford Citizen, 1 prill 1915. Artikulli identifikon Howard-in si sekretar të Albanian Relief Fund, përmend raportin e tij mbi zonën e urisë dhe planin për dërgimin e Christian Work Relief Ship me miell dhe misër për farë drejt porteve shqiptare.
5. William H. Waggoner, “Dedicated Relief Worker or Con Man?,” studim mbi pasaportën dhe udhëtimet e William Willard Howard, që riprodhon pasaportën amerikane të vitit 1915 dhe dokumenton itinerarin evropian dhe veprimtarinë e tij të ndihmës. Artikulli citon gjithashtu raportimin se Howard shpërndau miell në Durrës “to all needy people, irrespective of nationality or creed.”
6. William Willard Howard, letër drejtuar redaktorit të Commercial & Financial Chronicle, 14 tetor 1916, botuar nën titullin “Albania’s Dire Distress—Help Needed,” Commercial & Financial Chronicle 103, no. 2678 (21 tetor 1916): 1467.
7. William Willard Howard, “American Fair Play,” në Commercial & Financial Chronicle 103, no. 2678 (21 tetor 1916): 1467. Teksti u ribotua edhe në gazeta të tjera amerikane, përfshirë The Manning Times, 25 tetor 1916.
8. Howard, “American Fair Play,” 1467. Përkthimi në tekst është i autorit.
9. Howard, “American Fair Play,” 1467. Howard shkruante se, pasi kishte kërkuar ndihmë “in high places”, tani i drejtohej “the plain people” dhe deklaronte: “I want to go back to Albania with a shipload of food.”
10. Howard, “American Fair Play,” 1467. Qarkorja identifikon Rev. Frederick Lynch, D.D., redaktor i The Christian Work dhe sekretar i Carnegie Church Peace Union, si arkëtar të fushatës; kontributet drejtoheshin te Balkan Relief Fund, 70 Fifth Avenue, New York City.
11. Howard, idem
12. Howard, Idem
13. Frederick Lynch, letër Woodrow Wilsonit, 20 nëntor 1918, RG 59, Political Affairs: Albania, 1910–1939, M1211, roll 1, National Archives and Records Administration, College Park, Maryland. Dokumenti mban vulën e Division of Near Eastern Affairs, 27 nëntor 1918.
14. deri 23, Howard, Idem.
24. Howard, “An American Republic in Europe,” 518–520; Lynch, letër Woodrow Wilsonit, 20 nëntor 1918.
25. Howard, idem Përkthimi në tekst është i autorit.
Burime plotësuese
Daily News (St. John’s, Newfoundland), 18 korrik 1921. Material për veprimtarinë humanitare të Howard-it në Armeni, Persi, Shqipëri dhe Kubë; Memorial University of Newfoundland, Digital Archives Initiative.
William Willard Howard, Horrors of Armenia: The Story of an Eye-Witness (New York: Armenian Relief Association, 1896