• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2016

KRYETARI I VATRES URON PRESIDENTIN E SHBA, DONALD TRUMP

November 11, 2016 by dgreca

3-gjon-bucaj

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, Dr. Gjon Buçaj, në traditën e paraardhësave të tij, i dërgoi zotit Donald J. Trump urimet për zgjedhjen e këtij të fundit President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke kujtuar deklaratat e papërgjegjshme dhe të dëmshme të Kryeministrit Rama në prillin e kaluar kundër atëherë kandidatit Trump, kryetari Buçaj, bashkë me urimet shpreh edhe besimin e fortë se, edhe nën Administratën e Trump-it, “marrëdhanjet miqsore në mes të Shteteve të Bashkueme dhe të kombit shqiptar do të vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme dhe gjithnji ma të forta, sikurse kanë qenë historikisht qyshë prej kohës së Woodrow Wilson-it e përtej, pa marrë parasyshë se kush banon në Shpinë e Bardhë”. Në atë kohë, Vatra pati bërë një deklaratë për shtyp, me qellim të mbronte marrëdhënjet e mira të shqiptarëvet me Amerikën, ashtu siç ka bërë gjatë diktaturës komuniste, kur propaganda zyrtare e Tiranës ishte shumë armiqsore kundër Amerikës dhe demokracive të tjera perëndimore.

Po jua sjellim shqip dhe anglisht, si tekstin e letrës së urimevet, ashtu edhe atë të deklaratës së 10 prillit 2016.1-logo-e-vatres

New York- November 9, 2016/

Mr. Donald J. Trump  President-Elect of the United States/                                                                                         Dear Mr. President-Elect,

On behalf of The Pan-Albanian Federation of America VATRA (THE HEARTH), I am honored and happy to extend to you our heartfelt congratulations for your historical election as the Forty Fifth President of the United States.

It is our deep conviction that you will have the support of the people of this great country, of which we the Albanian-Americans are proud and lucky to be part, in implementing the ambitious Agenda that you have laid out during your extraordinary campaign.

In addition, we are strongly confident that, under your Administration, the friendly relations between the United States and the Albanian nation will continue to be excellent and progressively stronger, as they have been historically since Woodrow Wilson’s era and beyond, regardless of who occupies the White House.

Best wishes for your esteemed Family’s wellbeing, and for a successful Presidency.

Faithfully yours,

Dr. Gjon Buçaj,/

President

***1-logo-e-vatresThe Pan-Albanian Federation of America Vatra (The Hearth) 2437 Southern Blvd Bronx, NY 10458

New York, 9 nandor 2016

Donald J. Trump

President i Zgjedhun i Shteteve të Bashkueme                                                                            New York

I dashun z. President i Zgjedhun,

Në emën të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA (THE HEARTH), kam nderin dhe ndjehem i lumtun t’ju drejtoj urimet e përzemërta për zgjedhjen t’uej historike Presidneti i Katërdhetepestë i Shteteve të Bashkueme.

Asht bindja e jonë e thellë se ju do të keni mbështetjen e popullit të këtij vendi të madh, pjesë e të cilit kemi krenarinë dhe fatin të jemi edhe na shqiptaroamerikanët, për realizimin e planit ambicioz që keni shpalue gjatë fushatës s’uej të jashtëzakonshme.

Gjithashtu kemi besimin e fortë se, nën administratët t’uej, marrëdhënjet miqsore në mes të Shteteve të Bashkueme dhe të kombit shqiptar, do të vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme dhe gjithnji ma të forta, sikurse kanë qenë historikisht qyshë prej kohës së Woodrow Wilson-it e përtej, pa marrë parasyshë se kush banon në Shpinë e Bardhë.

Dëshirat ma të mira për mirëqenjen e Familjes s’uej shumë të nderueme dhe për suksesin e mandatit t’uej presidencial.

Besnikisht i juej,

Dr. Gjon Buçaj, Kryetar

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra (The Hearth)

2437 Southern Blvd Bronx, NY 10458

***

1-logo-e-vatres

April 10, 2016

P R E S S  R E L E A S E

The Board of Directors of The Pan-Albanian Federation of America VATRA (THE HEARTH), held a meeting today at the organization’s headquarters in New York, where its discussion focused primarily on a reported statement by the Prime Minster of Albania that “Donald Trump is a threat to America and, no doubt, a threat to Albanian-American ties.” According to The New York Times and other media sources, Mr. Rama was speaking at a talk show Thursday evening on Kosovo’s private television channel Klan Kosova, when he said that Trump’s election would bring “major damage” to the U.S. and would also be “a real threat to Albanian-American ties”.

The Prime Minister’s statement was unanimously condemned by the Board Members, as irresponsible and out of touch with reality. Intentionally or not, he interferes in the electoral process of the U.S. He also seems to ignore the fact that the friendly Albanian-American ties were established a long time ago and have been progressively strengthened, especially around the time of World War I, when President Woodrow Wilson saved Albania from further partitioning by the European Allies. The credit goes both ways: on one side, the reputation of Albanian Americans who showed love and loyalty to this Country and intensive lobbying, particularly by Bishop Fan Noli, Faik Konitza and others on behalf of Albania; on the other side, the spirit of democracy and compassion for the small nations and for human rights of the people of the United States. This has been a continuous pattern since its inception over a century ago and it will continue unabatedly for the foreseeable future.

In addition, Mr. Rama should know that the friendship of the United States towards Albania is bipartisan, as it has been demonstrated in the past and in recent times; and Albania is the one who enjoys a greater benefit from its relationship with the United States, not the other way around!

During the dreadful communist rule, the Albanian diaspora in America and elsewhere in the Free World, particularly VATRA, has been the true voice of the Albanian people and has maintained and strengthened friendly ties with the American people, as opposed to the official voice of the communist party that gave birth to the party that Mr. Rama chairs today.

We know that whoever wins the presidential election will maintain strong friendly ties with Albania. At the same time, we want to assure Mr. Trump and other candidates, that the Albanian people everywhere will remain friendly and pro-American as always, regardless of who occupies the White House.

1-logo-e-vatres

***

10 prill 2016

DEKLARATË SHTYPI

Këshilli Drejtues i Federatës Panshqiptare të Amerikls VATRA (THE HEARTH) mbajti nji mbledhje sot në selinë e vet në New York, ku diskutimi u përqendrue kryesisht mbi nji deklaratë të raportueme nga shtypi të Kryeministrit të Shqipnisë se “Donald Trump asht kërcnimm për Amerikën dhe, pa dyshim, kërcnim për lidhjet shqiptaro-amerikane”. Simbas gazetës “The New York Times” dhe burimeve të tjera, z. Rama ishte tue folë në mbramjen e së ejtes në Kosovë, në kanalin televiziv privat “Klan Kosova”, kur ai tha se zgjedhja e Trump-it do të siellte dam të madh Shteteve të Bashkueme dhe do t’ishte, gjithashtu, “kërcnim real i marrëdhanjevet shqiptaro-amerikane”.

Deklarata e Kryeministrit u dënue unanimisht nga antarët e Këshillit, si e papërgjegjëshme dhe pa lidhje me realitetin. Me qellim ose pa qellim, ai ndërhyn në procesin elektoral të Shteteve të Bashkueme. Duket se ai, gjithashtu, nuk e njeh faktin që lidhjet miqsore shqiptaro-amerikane janë themelue para shumë kohe dhe kanë shkue tue u ba gjithnji e ma të forta, sidomos rreth kohës së Luftës së I-rë botnore, kur Presidenti Woodrow Wilson e shpëtoi Shqipninë prej coptimit të matejshëm nga ana e Aleatëve të Europës. Lindja e këtyne marrëdhanjeve të mira vjen nga të dy anët. Në nji anë, shqiptarët e Amerikës njiheshin për dashuninë dhe besnikinë ndaj këtij vendi, kurse Peshkop Noli, Faik Konica e tjerë bajshin promovim intensiv për Shqipninë; nga ana tjetër, ishin shpirti demokratik dhe dhimsunia e popullit amerikan për kombet e vogla dhe për të drejtat njerzore. Kjo ka qenë pasqyrë e vazhdueshme qyshë në zanafille para nji shekulli, dhe kështu do të vijojë e pandalshme për t’ardhmen.

Gjithashtu, z. Rama duhet t’a dijë se miqsia e Shteteve të Bashkueme ndaj Shqipnisë nuk asht njipartiake dhe si e tillë asht dëshmue në të kaluemen dhe në kohë të afërta; duhet t’a dijë edhe se Shqipnia asht ajo që gëzon ma shumë dobi nga kjo miqsi se sa pala amerikane!

Gjatë regjimit të tmerrshëm komunist, diaspora shqiptare në Amerikë e vende të tjera të Botës së Lirë, sidomos Vatra, ka qenë zani i vërtetë i popullit shqiptar, që ka mbajtë e përforcue lidhjet miqsore me popullin amerikan, në të kundërtën e zanit zyrtar të partisë komuniste, nga e cila ka lindë partia që kryeson z. Rama sot.

E dijmë se kushdo që fiton zgjedhjet presidenciale në Amerikë, ka për të mbajtë lidhje të forta miqsore me Shqipninë. Në të njajtën kohë, duem të sigurojmë zotin Trump dhe kandidatët e tjerë, se populli shqiptar kudo, do të mbetet mik dhe proamerikan si gjithmonë, pa marrë parasyshë kush banon në Shpinë e Bardhë.

 

 

Filed Under: Vatra Tagged With: Donald Trump, Kryetari i Vatres, Uron Presidentin e zgjedhur te SHBA-ve

Projekti Dy-Gjuhësor(Dual Language) në Shkollat Publike të Nju Jorkut

November 11, 2016 by dgreca

– E rëndësishme në këtë fazë, është prononcimi i sa më shumë prindërve që janë të interesuar t’i regjistrojnë fëmijët në këtë program.Eshtë pikërisht komuniteti shqiptar ai që do t’i japë shtytjen përfundimtare këtij projekti./

– Të mësuarit në dy gjuhë jo vetëm e ndihmon përparimin e këtyre fëmijëve në mësime por në të njëjtën kohë i pajis ata me kulturë të gjerë, i bën akoma më observues dhe më të thellë në mendimin analitik.

– Do t’u sugjeroja mësuesve që janë të licensuar të punojnë në Departamentin e Arsimit në NY të punojnë për të zotëruar certifikatën shtesë që kërkohet për mësimdhënie në programe dy-gjuhësore (programi bilingual kërkon 15 kredite shtesë)./

drita-okNga Drita Gjongecaj/ Zv.Drejtore shkolle në Bronx, NY/  Në historinë e cdo kombi gjuha ka pasur dhe ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar.Edhe për ne shqiptarët, ruajtja e gjuhës amtare ka qenë dhe mbetet dëshirë dhe nevojë e pamohueshme, qysh nga Rilindasit dhe deri në ditët e sotme.Por sot kërkesat sociale dhe ekonomike e sjellin këtë nevojë në nivele të tjera. Tani njohja dhe përdorimi i gjuhës duhet të jetë në nivele akademike në të katër komponentet e saj (të shkruarit, të lexuarit, të folurit dhe të të dëgjuarit) dhe është me rëndësi që komuniteti ynë ta kuptojë se në ekonominë e sotme globale, njohja dhe përvetësimi në të tilla nivele cilësore i hap individëve më shumë dyer për prosperitet. Në këto kushte, është pikërisht projekti integrues dy-gjuhësor (Dual Language) që mund të bëjë një hap cilësor në  përpjekjet për ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe edhe këtu në diasporën e largët.

Çfarë është programi dy-gjuhësor/ Dual Language?

Programi integrues ose paralel dy-gjuhësor është një program i plotë shkollor sipas standardeve të arsimimit të shtetit të Nju Jork-ut ku fëmijët studiojnë edhe në shqip, edhe anglisht. Me fjalë të tjera mësimi zhvillohet pesë ditët e javës në shkollë të rregullt publike dhe varet drejtpërdrejt nga Bordi i Arsimit të NY (Department of Education).Nxënësit studiojnë një ditë në anglisht dhe ditën tjetër në shqip ose në mënyrë të ngjashme me këtë, mësimi mund të zhvillohet gjysmën e ditës në njërën gjuhë dhe gjysmën në tjetrën.Në këto lloj programesh, të gjitha lëndët mësimore zvillohen në të dyja gjuhët. Kjo pasqyrohet edhe në dëftesën shkollore të fëmijës dhe brenda pak viteve ata janë në gjendje t’i shkruajnë, lexojnë dhe kuptojnë në mënyrë të barabartë të dyja gjuhët dhe kulturën e të dy vendeve.

E vecanta e këtij programi është se u krijon njëkohësisht mundësinë për të përvetësuar të dy gjuhët si atyre që kanë lindur në Amerikë dhe e kanë anglishten parësore, po ashtu edhe atyre që dinë shqip por vetëm pak ose aspak anglisht. Prandaj ky program është emërtuar Two-Way ose Dual/Dy-gjuhësor. Me fjalë të tjera, ky model mundëson që fëmijët e ardhur ta ruajnë gjuhën amtare ndërkohë që mësojnë anglisht dhe njëkohësisht, u mundëson atyre qëaktualisht e njohin anglishten të bëhen bilingual. Që tëdy grupet formojnë një klasë të vetme dhe shërbejnë si model gjuhësor për njeri-tjetrin gjatëmësimdhënies dhe mësimnxënies si dhe nëpërmjët bashkëbisedimit në të dyja gjuhët.

Mësimi integrues ose paralel në dy gjuhë është i bazuar në studime shkencore dhe në eksperiencën e shumë e shumë programeve që janë të përhapura sidomos në Los Angeles, Texas, apo New Mexico ku numri i emigrantëve është vërtet i konsiderueshëm. Në bazë të statistikave të ndryshme, fëmijët që studiojnë në programe integruese dy gjuhëshe arrijnë rezultate më të larta në mësime si edhe në provimet e shtetit të cilat në Nju Jork përfshijnë nxënësit që nga klasa e tretë fillore. Duke qenë se diversiteti etnik dhe kulturor edhe në NY ka përmasa të mëdha, shkollat publike përherë e më shumë po hapin dyert për programe dy-gjuhësore ku lëndët bazë mësohen jo vetëm në anglisht por edhe në një gjuhë të dytë. Programe të tilla ekzistojnë në NY në gjuhën hebraishte, kineze, japoneze, në gjuhën e Bangladeshit, në spanjisht dhe frengjisht, por asnjë deri më sot në shqip.

Përpjekjet për krijimin e një programi të tillë në shqip kanë filluar prej më se një viti.Personalisht kam hartuar një propozim që është paraqitur në Bordin e Arsimit të Nju Jorkut.Bisedime janë zhvilluar me drejtues të Bordit të Arsimit dhe Zyrës së fëmijëve të cilët anglishten e kanë gjuhë të dytë(Office of English Language Learners) lidhur me anën teknike dhe disa nevoja që duhen plotësuar para se ky projekt të marrë jetë. Në këtëproces, është shumë i rëndësishëm fakti që zoti Mark Gjonaj e ka pritur shumë mirë dhe me entuziazëm këtë propozim dhe vazhdon jo vetëm ta mbështesë, por edhe inkurajojë komunitetin në këtë drejtim.

Në mënyrë që kyprojekt të bëhet realitet, mbetet akoma punëpër të bërë në hartimin e kurrikulumit shqip dhe njësimit me atë anglisht sipas standardeve të shtetit të New Yorkut. Po ashtu nevojiten mësues të licensuar për ushtrimin e profesionit të mësuesit në NY, tekste dhe materiale të tjera në shqip, etj. Megjithatë, ajo që është më e rëndësishmja në këtë fazë, është prononcimi i sa më shumë prindërve që janë të interesuar t’i regjistrojnë fëmijët në këtë program.Eshtë pikërisht komuniteti shqiptar ai që do t’i japë shtytjen përfundimtare këtij projekti.

Duhet thënë se në disa raste prindërit kanë merak se mësimi në gjuhën shqipe do të bëhet pengesë për përvetësimin e lëndëve në anglisht ose ndoshta që studimi paralelisht në dy gjuhë mund të jetë mbingarkesë mendore për fëmijët. Unë dua t’u them atyre se përkundrazi, të mësuarit në dy gjuhë jo vetëm e ndihmon përparimin e këtyre fëmijëve në mësime por në të njëjtën kohë i pajis ata me kulturë të gjerë, i bën akoma më observues dhe më të thellë në mendimin analitik.

Sot njohja e më shumë se një gjuhe është bërë një nevojë e pashmangshme.Bazuar në studimet shkencore dhe në analizën psiko-linguistike, rruga më efektive për të përvetësuar një gjuhë të re, është të fillohet qysh në moshat e vogla. Për rrjedhojë, me qëllim që nxënësit të aftësohen të flasin, kuptojnë, lexojnë dhe shkruajnë të dyja gjuhët njëkohësisht, rekomandohet që ata të fillojnë mësimin jo më vonë se në Kindergarten ose klasën e parë. Po kështu nevojitet që këta nxënës të qëndrojnë në program të paktën 5 vjet deri sa të përfundojnë shkollën fillore. E provuar shkencërisht, periudha me e ndjeshme e pjekurise biologjike të trurit në lidhje me gjuhën lidhet me këtë moshë.Më vonë, një pjesë e madhe e qelizave nervore që lidhen me zhvillimin gjuhësor, së bashku me aftësitë përvetësuese zvogëlohen apo edhe humbasin.Kjo është arsyeja që fëmijët dhe të rinjtë mësojnë gjuhë të huaja shumë më lehtë dhe më shpejt sesa të rriturit.Po ashtu, aftësia e të folurit është më e favorizuar pikërisht në këtë moshë.Rezultatet janë të dukshme sidomos në shqiptimin e fjalëve dhe aksentin që të rriturit në më të shumtën e rasteve nuk e evitojnë dot.

Eshtë shumë favorizuese që politikat arsimore të Nju Jorkut e inkurajojnë integrimin në jetën, gjuhën dhe kulturën amerikane paralel  me ruajtjen e identitetit etnik, historik, kulturor dhe gjuhësor të emigrantëve. Ky është një shans për brezin e ri në mërgim për t’u zhvilluar si pjesëtarë të të dy kulturave dhe të dy gjuhëve njëkohësisht. Mësimi i gjuhës shqipe jo vetëm përbën identitetin tonë etnik e historik, por edhe shërben si investim për kombin.

Nëse në të shkuarën, shumë nëna shqiptare nuk kanë pranuar të flasin një fjalë anglisht me qëllim që ta ruajnë shqipen dhe t’i “detyrojnë” fëmijët e tyre të komunikojnë vetëm shqip me ta, sot ekziston mundësia që kjo dëshirë e trashëguar brez pas brezi të bëhet realitet pa asnjë kusht, pa dhënë asgjë në këmbim dhe mbi të gjitha, mbi baza reale akademike dhe me metodat më bashkëkohore tashmë të provuara si të suksesshme.

Megjithatë, të hartosh dhe të vësh në zbatim një program të tillë, është një proces i tërë dhe kërkon shumë punë. Do të doja që kolegët e mi arsimtarë kudo në NY të ndihmojnë në sensibilizimin e prindërve në lidhje me rëndësinë dhe përfitimet që mbart në vetvete mësimi paralel dhe integrimi i dy gjuhëve në aspektin personal dhe atë kombëtar. Në të njëjtën kohë do t’u sugjeroja mësuesve që janë të licensuar të punojnë në Departamentin e Arsimit në NY të punojnë për të zotëruar gjithashtu certifikatën shtesë që kërkohet për mësimdhënie në programe dy-gjuhësore (programi bilingual kërkon 15 kredite shtesë).

Programe të tilla lehtësuese ofrohen nga disa kolegje dhe universitete në qytetin e NY.Për më shumë informacion, na ndiqni ose kontaktoni në faqen e facebook,Dual Language Immersion/Programi Paralel Dy-Gjuhësor: English/Albanian…

Për t’u kualifikuar si mësimdhënës në Dual Language, një individ duhet të plotësojë këto kërkesa:

-Dokumentacion i plotë legal për të punuar në SHBA (Proper documentation to work in the US)

-Liçensë për mësimdhënie lëshuar nga shteti i NY (NYS Teaching Certificate)…

-Çertifikatë shtesë në fushën e dy-gjuhësisë (Bilingual Extension Teaching Certification)

– Njohje e mirë e anglishtes dhe gjuhës shqipe

Të vazhdojmë ta ruajmë me krenari dhe ta trashëgojmë gjuhën e bukur shqipe, gjuhë unike që paraqitet degë më vete në pemën e gjuhëve indoevropiane dhe që për shekuj me rradhë i ka rezistuar kohërave.Të mos harrojmë se përvecse për atdhetarizëm, brezat e sotëm duhet ta ruajnë gjuhën shqipe edhe për interesa personale, ekonomike dhe kulturore.Dygjuhësia përbën një përparësi edhe në tregun e punës në ekonominë e sotme globale.

Programi paralel/gjithëpërfshirës dy-gjuhësor u siguron  shqiptarëve për herë të parë shkollën e tyre institucionale nën drejtimin e Bordit të Arsimit.

 

 

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Drita Gjongecaj, në Shkollat Publike, Projekti Dy-Gjuhësor, të Nju Jorkut

11 NANDOR 1990- SHKODRA FESTON LIRINË E FESË

November 10, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

imgres

Ne Foto:Don Simon JUBANI (1927 – 2011)/

 ■Mbas ramjes së Murit të Berlinit dhe ngjarjeve në Rumani, edhe Shqipnia e mbetun e fundit në Europë filloi që me 14 Janar 1990, kur Rinia Shkodrane mendoi me rrëzue me forcë bustin e diktatorit Stalin, me dhanë shenjat e para se “edhe këtu komunizmi mori fund” me Demostraten e “heshtun” në Sheshin e Deshmorëve…

■Protesta e bame me arkivolin e djalit të vramë Pllum Pllumbaj, me rasen e varrimit të Tij nga Burrat e Malësisë tue fillue nga komiteti i PPSh e deri nder varrezat e Stom Golemit, trandi thëmelet e komitetit qendror, e bani me folë me vete Nexhmije e Ramiz, që as në anderr nuk e kishin pa një turmë Burrash, që ua shtini mneren.

■4 NANDOR 1990, ora 9.00 p. dr…Ishte Java e të vdekunve, që Shkodra nuk i harron…

Shoferi Mark Morana trokiti në deren e Don Simon Jubanit dhe i tha këto fjalë: “Don Simon, Populli asht mbledhë nder vorreza dhe po të pret per Meshë!..” Dhe, Don Simoni shkoi. Kjo ishte Mesha e Parë mbas “Revolucionit Kultural të 1967”, në Kishëzen e vogel të Vorrezave të Rrëmajit, e cila u pat djegë pak vite perpara nga sigurimi komunist…

Shkodra u dynd nder Varreza të Rrëmajit dhe filloi riparimin e Kapelës së djegun…

■Me daten 6 Nandor 1990, Don Simoni u thirrë në Degen e Mbrendshme të Shkodres nga kryetari Çapajev Taçi dhe shefi policisë Dilaver Papare, që e kercnuen per mos me thanë me daten 11 Nandor, Meshen që kishte njoftue Popullin e Shkodres me daten 4.

Don Simoni ishte pergjegjë: “Doni a nuk doni ju, unë Meshen me 11 do ta them!”…

Shkodra nuk këthehej ma mbrapa!

■Me daten 10 Nandor, katet e siperme të apartamenteve perballë Rrëmajit dhe tarracat e tyne ishin të mbushuna me tyta automatikësh dhe armatime. Po ashtu edhe vagonat e trenit që lidheshin me depon e hekurudhës, vlonin nga sampistët… po me 10 Nandor, nuk dij a i ka shkrue në kujtimet e veta sekretaria e PPSh, Maria Gjoni, vizitat e bame tek i Ndjeri Sander Troshani dhe disa familje të tjera në lagjen Ballabane, nga të cilët ajo kerkonte që me u angazhue nder disa gjipsa sigurimi të shtetit per me fotografue dhe me mbajtë shenime per njerzit që do të kalonin nga shkolla Pyjore, rruga Canej e andej nga rruga Skenderbeg…, per me marrë pjesë në Meshen e ditës së diele, ora 11.00 p.dr.

Besoj, nuk e ka harrue pergjegjen që mori ajo dhe shoqnuesi i saj nga Sander Troshani!

■Me daten 10, rreth orës 19 në darkë, më ka thirrë një klerikë që njihshe prej kohësh, Don Zef Hardhija (Simoni), dhe më ka “porositë mos me shkue të dielen në Meshë, mbasi do të rrezikojshe jeten…” I kam thanë: “Unë do të shkoj familjarisht!!”…

Dhe kam shkue e kam marrë pjesë në Meshen që tha Don Simon Jubani…

■Në darkë ka ardhë tek unë një person e më ka tregue zhvillimet e ngjarjeve mbas orës 22.00 të darkës së datës 10 Nandor 1990… Në komitetin e PPSh së Shkodres, ku ishte atë natë roje. “Shkonin e vinin njerëz të besimit të PPSh në komitet dhe takonin sekretarin e komitetit shokun Xhemal Dymylja. Bisedonin dhe merrnin urdhën si me veprue. Asht dhanë urdhen i premë nga Ramiz Alia që gjatë ceremonisë së Meshës, me veprue me armë dhe me ba gjakderdhje mbrenda varrezave, ku do të nderhyjnë edhe sampistët që ishin nder vagona. Po iku kush nga varrezat, nga tarracat e apartamenteve me goditë…

Fiks në ora 23.30 kur isha tue pi kafe me shokun Xhemal, ka ra telefoni i tij dhe, ai ka fillue me folë me shokun Ramiz Alia, të cilit i thonte gjithnjë: “Si urdhnon sh. Ramiz!”. ■Kur mbylli telefonin më tha këto fjalë: “Me urdhën të OKB, neser duhet me u sigurue qetsia e plotë nder Varrezat e Shkodres. Terhiqni të gjitha vendimet e marruna deri tashti, dhe siguroni të mos ngjasi ndonjë e papritun me armë, mbasi do të mbajmë pergjegjsi per veprimet e pakontrollueme… Tashti, më tha mue, merr ketë listë emnore dhe mi thirrë të gjithë këtu. Ai në telefonin e vet dhe unë me të timin, kemi thirrë rreth 150 vetë gjithë naten dhe kemi vazhdue me dhanë udhzime deri kah ora 9 para dreke të së dieles. Ishte fat i madh që nuk ngjau ndonjë akt i pakontrolluem.”

***

■Fjala e Ramiz Alisë në Byronë Politike të K.Q. PPSh, tregon haptas mendimi i tij per Klerin Katolik në vitin 1990: “Në Shkoder Vatikani ka agjenturat e veta…!”

■Don Simoni shkruen: “Spiunat e mbrendshem e të jashtem të paguem nga sigurimi per të më poshtnue e per të ulë rrolin vendimtar që Shkodra ka luejtë në të gjitha aspektet e jetës shoqnore këtu në Shqipninë tonë…, kanë shkrue dhe perhapë fjalen mbrenda dhe jashta Atdheut, se unë paskam kenë i autorizuem nga Ramiz Alia…”

Asht e vertetë se ka qarkullue kjo shpifje, po koha vertetoi se kush ishte Prifti Trim i Shkodres Don Simoni, që mbas vdekjes së Tij nuk la asnjë si veten Trim e të vendosun!

■Asht kenë nisiator per Lirinë e Fjalës dhe të Drejtat e Njeriut me pikpamje Europjane.

Mbas Vepres Madhshtore të Meshës së Parë, me 4 dhe 11 Nandor 1990, Don Simoni asht

i Pari Klerik Katolik Shqiptar, që asht thirrë në Vatikan me u takue me Papen Gjon Pali II, vizitë e cila, asht pasue nga disa Personalitete Botnore në Belgjikë, dy herë nga vetë Administrata Amerikane, Parlamenti Rus, Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Stambolli, Kajro, Izraeli dhe shumë institucine jokristjane Botnore.

■Universiteti i San Franciskos në Kaliforni i ka akordue Don Simon Jubanit diplomen “Honoris Causa” si protagonist i “një Epoke të Re në Shqipni”.

Shteti i Miçiganit e ka nderue Don Simonin me një “Special Tribute”.

■Don Simon Jubani ka shkrue: “Ateizmi në Shqipni gjoja e kishte gjetë supernjeriun, Enver Hoxhen, dhe ky donte të fitonte me gjak e terror çka Kisha e kishte fitue me lutje, zotësi, mund e djersë. Dhe si të gjithë tiranët që skllavnuen Popullin e Perëndisë, edhe ky mori mallkimin e Popullit të Zotit, u shtyp si miza dhe perfundoi në koshin e plehut të historisë, e megjithkëte, salvuesit nuk kanë mësue nga historia!..

■Komunizmi na bani edhe ma të famshëm, se na shtoi numurin e Martirëve.”

            Melbourne, 10 Nandor 2016.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: - SHKODRA FESTON, 11 NANDOR 1990, Fritz radovani, LIRINË E FESË

RREZIK PËR MARRËDHËNIET SHQIPTARO-AMERIKANE?

November 10, 2016 by dgreca

1-shkreli-frankNga Frank Shkreli/Ishte kjo një deklaratë sa bombastike aq edhe e papërgjegjëshme nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, nga udhëheqsi i një vendi siç është Shqipëria e cila historikisht, por sidomos në këto 25 vitet e fundit, ka gëzuar marrëdhënie të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara.  Dhe për çka?  Duket se Zoti Rama është futur në “pyllë pa kmesë” ndërsa iu përgjigj pyetjeve hipotetike mbi mundësinë e fitores së kandidatit republikan amerikan, Donald Trump gjatë një interviste në televizionin Klan- Kosova.   Fitorja e kandidatit republikan për president Trump, deklaroi Kryeministri shqiptar, do të ishte një kërcënim ndaj vendit të tij dhe ndaj marrëdhënieve bilaterale midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.  Sipas agjencive të lajmeve Rama u citua të jetë deklaruar jo vetëm si Edi Rama, por si Kryeministër i Shqipërisë dhe si i tillë ai u shpreh në emër të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve se sipas tij, “Donald Trump do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe pa dyshim është një kërcënim real edhe për marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane”.  Megjith peshën e rëndë të këtij prononcimi, Zoti Rama nuk dha asnjë shpjegim dhe asnjë fakt për të jutsifikuar deklaratën e tij se pse zgjedhja e mundëshme e Donald Trump do të kërcënonte marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.  Edhe unë si shumë amerikanë i kam mendimet dhe rezervimet e mia serioze për Donald Trump.  Prandaj për mua nuk kanë rëndësi pikëpamjet e Edi Ramës për Donald Trumpin, por ka rëndësi fakti që ai e lidhë Trumpin me marrëdhënjet shqiptaro-amerikane dhe me pasojat që mund të ketë fitorja e tij mbi marrëdhënjet dy-palëshe.

Janë shumë gjëra që mund të thuhen e të shkruhen për këtë deklaratë të papërgjegjshme nga një udhëheqës qeveritar sa që njeriu nuk di se ku t’ia fillojë. Por si fillim: Le ta marrim me mendë për një minutë, se Donald Trump zgjidhet president i Amerikës, çdo bëjë Kryeministri Rama me 20 janar, 2017, ditën e inuagurimit të presidentit të ri?  A do të njoftojë ai prerjen e menjëhershme të marrëdhënieve midis Tiranës dhe Washingtonit, në mënyrë të njëanshme?  Çfarë do bëjë? A do të mbyllë menjëherë ambasadën amerikane në Tiranë dhe të përjashtojë gjithë personelin diplomatik amerikan nga Shqipëria?  Janë pyetje për të cilat shoqëria dhe media shqiptare duhet të kërkojnë përgjigje prej kryeqeveritarit të zgjedhur me vota e tyre për të ardhmen e marrëdhënieve të Shqipërisë me vendin që sot konsiderohet si kryealeati dhe mbështetsi kryesor i të drejtave të shqiptarëve.Për ndryshe duhet bërë pyetja se pse bën një kërcënim të tillë publik Edi Rama?  Është e pabesueshme që të merret me mendë që ai të dëshirojë me të vërtetë prishjen e marrëdhënieve, por nga ana tjetër është një deklaratë aq e papërgjegjshme sa të bën të mendosh.  Me sa kam ndjekur fushatën për zgjedhjet paraprake këtu në Amerikë, mua nuk më kujtohet ndonjë rast që Donald Trump të ketë përmendur ndonjë herë Shqipërinë ose shqiptarët — as për mirë as për keq – prandaj lindë pyetja se çka e shtyri, çka e motivoi Edi Ramën të bënte një deklaratë të tillë, madje me vendosmëri, “e kam thënë e do ta them” nënvijoi ai, deklaratën e cila është shumë vështirë të tërhiqet tani.

Deklarata e Zotit Rama ishte krejtësisht a paprovokur. Reagimet ndaj deklaratës së tij duket se nuk ia çajnë fort kokën.   Në çdo vend tjetër normal të botës, sidomos në vigjiljen e vizitës së Kryeministrit në Shtetet e Bashkuara, diplomatët dhe eskpertët shqiptarë do kalonin këtë fund jave duke u përpjekur të bënin atë që njihet si “damage control” ndaj kësaj deklarate të papërgjegjëshme të kryeministrit të tyre, si masë të parë dhe ndër të tjera masa, duke ftuar ambasadorin amerikan në Tiranë për t’i shpjeguar se në të vërtetë, “ajo që donte të thonte Kryeministri mbi marrëdhëniet amerikano-shqiptare është  kjo dhe jo ajo..…se marrëdhënjet tona janë të forta pa marrë parasyshë se kush është në Shtëpinë e Bardhë….” e të tjera.   Sepse ndryshe nga ambasadat shqiptare nepër botë, ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk përfaqson asnjë individ të veçantë ose një parti politike, por mbarë popullin dhe qeverinë amerikane, (përfshirë edhe Donald Trump) pa marrë parasyshë dallimet politike dhe partiake. 

 Është në rregull, por a pakëshillueshme për një Kryeministër shqiptar që me komentet e tija si individ i lirë që është, falë kryesisht rolit amerikan në rrëximin e komunizmit në Europë përfshirë Shqipërinë që të përzihet drejtë për drejtë në fushatën politike amerikane, në mbështetje ose kundër një kandidati të cilës do qoftë parti, kjo është e drejtë e tij siç është  edhe e të gjithë neve.  Por ajo që tërhoqi vëmendjen dhe pyetja që i duhet drejtuar Zotit Rama është: është e drejta e jote të kritikosh Trumpin ose këdo tjetër, po me marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ç’pate, Zoti Kryeministër?  Çfarë kanë të bëjnë ato me Donald Trump?

 Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, i nderuar Zoti Kryeministër, nuk varen nga një person as nuk prishen prej një personi, as nuk kultivohen e as nuk përparojnë nga një parti dhe as duke u bazuar në ideologji ose në pikëpamjet e një udhëheqsi të caktuar ose të një partie.  Sa për dijeni, Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë marrëdhëniet amerikano-shqiptare, si dhe lidhjet me çdo vend tjetër, si marrëdhënie popull me popull — midis dy popujve të lirë, jo midis udhëheqsish në kohë të caktuara as midis partishë politike, bazuar në interesat e tyre ideologjike afat shkurtë e sy qorrë.  Në të vërtetë, deklarata e Kryeminsitrit Rama mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në Kosovë është edhe një shuplakë ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilin pritet ta vizitojë këtë javë.  Them shuplakë ndaj këtij komuniteti, i cili për një shekull punoi rëndë dhe me gjithë zemër për ruajtjen dhe forcimin e këtyre marrëdhënieve midis dy popujve, të cilat kohët e fundit shënuan 25-vjetorin e rivendosjes së tyre.  Sepse historia e komunitetit shqiptaro-amerikan është në të vërtetë historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ç’prej kohës së Fan Nolit dhe Faik Konicës.   Atëherë, si edhe sot – diaspora shqiptare në Amerikë madje edhe gjatë periudhës më të vështirë të këtyre marrëdhënieve gjatë regjimit enverist në Shqipëri — ka luajtur dhe vazhdon të luaj edhe sot rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare pa dallim, i ka konsideruar gjithmonë si të pa zevëndsueshme për interesat afatgjata dhe afatshkurta të kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan.  Diaspora shqiptare në Amerikë, të cilët mund të jenë demokratë ose republikanë për nga antarësia partiake, historikisht janë përpjekur të sigurojnë së bashku mbështetjen e përfaqsuesve të këtyre dy partive në mbështetje të kauzave të shqiptarëve. Megjithë ndasitë që ekzistojnë në çdo komunitet, në këtë pikëpamje komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë i bashkuar.  Ka ditur të krijojë mbështetje për Shqipërinë dhe për Kosovën dduke kultivuar përkrahjen për shqiptarët nga presdientë amerikanë, republikanë dhe demokratë, si dhe nga anëtarët e Kongresit amerikan të të dy partive.  Deklarata e Ramës mund të prishë këtë ekuilibër midis dy partive politike amerikane kur vjen puna për mbështetjen e intersave të shqiptarëve për të cilën ka punuar për shumë dekada komuniteti shqiptaro-amerikan.   Përballë deklaratës së Z. Rama, lindë pyetja nëse udhëheqsi i sotëm i Shqipërisë i konsideron këto marrëdhënje si të tilla — të rëndësishme dhe të patjetërsueshme — me ose pa Trumpin — ose cilindo tjetër kandidat në Shtëpinë e Bardhë?  A po ndoshta preferon të lobojë për një parti amerikane kundrejtë një tjetre.  Jo se do të ketë ndonjë influencë në këtë përpjekje, por gabim më të madh nuk do të kishte për mirëvajtjen e marrëdhënieve amerikano-shqiptare kur kryeministri i një vendi si Shqipëria të shpallet publikisht pro ose kundër një kandidati në fushatën amerikane për president.   Kjo nuk hecë në Amerikë dhe nuk pranohet as nga njëra as nga tjetëra palë politike amerikane.    Është kjo një përpjekje që do përçante jo vetëm mbështetsit amerikanë të kauzave shqiptare, por do të shkaktonte ndasi të ngjashme si në kohën e komunizmit edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, gjë që do të kishte pasoja serioze për dy vendet. Prandaj duhet të ketë vëmendje ndaj deklaratave të tilla, nga një udhëheqës shteti.

Edi Rama nuk është as i pari as i mbrami, i cili si një individ ose si udhëheqës të qeverive të ndryshme që kritikon Donald Trump, pasi Trump duhet të kritikohet për shumë qëndrime të tia.  Por deri më tani nuk kam parë ndonjë kërcënim nga ndonjë president ose kryeministër i ndonjë vendi që të ketë kërcënuar prishjen e marrëdhënieve bilaterale siç bëri Edi Rama në rast se fiton Donald Trump.  Madje as udhëheqsit meksikanë, të cilët ndër të tjerë kanë kritikuar më ashpër se askush kandidatin republikan duke hedhur poshtë politikat dhe qëndrimet e kandidatit Trump karshi vendit të tyre, sidomos në lidhje me propozimin e tij për ndërtimin e një muri midis dy vendeve për të ndaluar imigracionin illegal.  Madje as Meksika nuk ka kërcënuar prishjen e marrëdhënieve me Amerikën në rast të fitores së Trump, që tani duket si një alternative gjithnjë e më e pamundur, megjithëse këtyre gjërave nuk u dihet.

Prandaj, Kryeministri Rama do bënte mirë të mësonte diçka nga reagimet e më të mirëve udhëheqës botërorë në lidhje me këtë bisedë.  Në një intervistë me gazetën Huffington Post, Kryeministri i ri i Kanadasë, Justin Trudeau u shpreh se megjithë ndryshimet e mëdha politike që ai ka me Donald Trump, nëqoftse është e nevojshme ai do të gjëjë mënyrat për të punuar me të, nëqoftse zgjidhet.  Nuk është kjo hera e parë, shtoi ai, që ideologjia e presidentëve amerikanë dhe kryeministrave kanadezë, në të kaluarën, të mos ketë qenë gjithmonë në përputhje me njëra tjetrën. Por megjith këtë, midis dy vendeve janë zhvilluar marrëdhënje konstruktive dhe positive, theksoi kryeministri kanadez.   Megjithë kundërshtimet e tija me politikat e Trumpit, udhëheqsi kanadez gjatë intervistës me Huffington Post as nuk e kritikoi as nuk e mbështeti kandidatin Trump dhe as nuk kërcënoi prishjen e marrëdhënieve midis Otavasë dhe Washingtonit, nëqoftse fiton Donald Trump.  Kryeministri i Kanadasë shtoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë tepër të rëndësishme për tu marrë me individ, por se njëkohsisht ai është duke ndjekur nga afër këtë moment tepër të rëndësishëm, “në demokracinë më të madhe të botës”, u shpreh udhëheqsi kanadez.

Edhe ti Zoti Rama mos u shqetso aspak, por të keshë besim dhe bindje se populli amerikan, siç nënvijoi ndër të tjera edhe Trudeau, ashtu si gjithmonë gjatë historisë, në fund të këtij procesi politik, do të dijë se cilin kandidat të zgjedhë për ta udhëhequr atë për katër vitet e ardhëshëm.  Dhe njëkohsisht uroj që gjatë vizitës këtë javë në Shtetet e Bashkuara të bindeni dhe të zotoheni Zoti Rama – pa marrë parasyshë se cili nga kandidatët nga cilado parti politike qoftë, do të votohet me shumicë nga populli amerikan nëntorin që vjen – se marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan do të konsiderohen nga ju dhe qeveria juaj si tepër të rëndësishme për tu marrë me paragjykime ndaj kandidatëve të veçantë për president.  Uroj gjithashtu që në fund të vizitës tuaj në Shtetet e Bashkuara të largoheni nga ky vend, i bindur se marrëdhëniet e kombit shqiptar me Washingtonin, sidomos në këtë periudhë kritike, mbeten të pazëvëndsueshme dhe në interesin afat shkurtë dhe afat gjatë për shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkan.  Uroj Zoti Kryeministër që në fund të vizitës në Amerikë, të largoheni gjithashtu – me besimin tek votuesit amerikanë, se më në fund, ata do të jenë të aftë të votojnë kandidatin që ata konsiderojnë si më të mirin për president dhe se kur të këthehesh në Shqipëri të sigurosh bashkombasit tu se vendimi i votës së lirë të amerikanëve këtë vit, nuk do të ketë kurrfarë pasojash në marrëdhëniet amerikano-shqiptare megjithë deklaratën tuaj të papërgjegjëshme në Prishtinë, për të kundërtën. Këtë ua ke borxh shqiptarëve. Kjo është përgjegjësia jote.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, rrezik per marrdheniet, shqiptaro-amerikane, Trump

Johannes Hahn në Kosovë, promovohet Axhenda për Reforma Evropiane

November 10, 2016 by dgreca

johannes-hahn-prishtine-17-maj-2016

-Hahn bashkë me Lunaçek takim me të gjithë liderët e partive për të diskutuar nevojën për tejkalimin e krizës politike/

thaci-lunacek

-Thaçi-Lunaçek: BE-ja s’duhet të vonohet me Kosovën dhe rajonin/

thaci-lunacek-1

-Mustafa e falënderoi eurodeputeten Lunacek për përkrahjen që po i jep Kosovës/

johannes-hahn-prishtine-17-maj-2016-1

Veseli: Nëse do të vijë lajmi për liberalizim të vizave për Kosovën, atëherë ai do të vijë nga zonja Lunaçek/

– Hoxha: Do t’i adresojmë rekomandimet e Raportit të progresit për sundimin e ligjit/

PRISHTINË, 10 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Komisioneri për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, nesër do ta vizitojë Kosovën.

“Kjo është vizita e parë në rajon e Komisionerit Hahn pas miratimit të Pakos për Zgjerim dhe vizita e tij do të jetë e fokusuar në lansimin e Axhendës së Reformave Evropiane”, thekson Zyra e BE-së në Kosovë.Qeveria Kosovës në mbledhjen e djeshme ka miratuar Axhendën për Reforma Evropiane, të cilën e vlerësoi si një dokument tepër të rëndësishëm, i cili e orienton punën e saj edhe sa i përket anës ekonomike dhe politike të zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, por edhe në krijimin e hapësirës në të ardhmen për integrim në Bashkimin Evropian.“Axhendën për Reforma Evropiane do ta promovojmë së bashku me Komisionerin Hahn”, paralajmëroi kryeministri Isa Mustafa.   Gjatë vizitës në Kosovë, Komisioneri Johannes Hahn do të takohet me autoritet politike duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Isa Mustafa, zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç, i cili përfaqëson komunitetin serb, dhe ministrin e punëve të jashtshme  Enver Hoxhaj. Komisioneri do t’a përmbyllë ditën me një takim së bashku me nënkryetaren e Parlamentit Evropian dhe Raportuesen për Kosovën Ulrike Lunaçek me të gjithë liderët e partive politike për të diskutuar nevojën për tejkalimin e krizës politike.Komisioneri Hahn mbërrin në Prishtinë ndërkohë që Lunaçek në vizitën e saj me rastin e publikimit të Raportit për Kosovën 2016  nga Komisioni Evropian, që u bë dje në Bruksel, sot ka nisë takimet me autoritetet e Kosovës.Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim edhe eurodeputeten Ulrike Lunaçek.Me eurodeputeten Lunaçek, presidenti Thaçi ka biseduar për procesin integrues të Kosovës.“Bashkimi Evropian mbetet destinacioni i vetëm i Kosovës. Ne mbesim të përkushtuar në reformat e përgjithshme për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Por, edhe BE-ja të mos vonohet me Kosovën dhe rajonin”, ka thënë presidenti Thaçi.Presidenti Thaçi dhe eurodeputetja Lunaçek kanë biseduar edhe për rëndësinë e ndërtimit të partneritetit dhe bashkëpunimit reciprok ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, eurodeputeten Ulrike Lunacek. Gjatë takimit, u bisedua për zhvillimet në Kosovë, raportin e Komisionit Evropian, rrugën integruese evropiane si dhe proceset tjera.Kryeministri Mustafa e njoftoi për implementimin e MSA-së, masat që po ndërmerren në zhvillimin e mëtejmë ekonomik, implementimin e reformave në fusha të ndryshme, strategjitë zhvillimore, qëndrueshmërinë buxhetore si dhe për fuqizimin e vazhdueshëm të shtetit ligjor e luftën kundër korrupsionit.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për Axhendën e Reformave Evropiane, e cila u miratua një ditë më parë në qeverinë e Kosovës.  Kryeministri Mustafa dhe eurodeputetja Lunacek biseduan edhe për domosdoshmërinë e adresimit të çështjes së demarkacionit, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës të mos iu pamundësohet edhe më tutje lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Mustafa e falënderoi eurodeputeten Lunacek për përkrahjen që po i jep Kosovës, duke shprehur përkushtimin e Kosovës në proceset e mëtejme eurointegruese.Eurodeputetja Ulrike Lunacek, po ashtu, shprehu përkrahjen e saj për rrugën integruese evropiane të Kosovës.Në takim me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, sot pasdite, Lunaçek tha se Parlamenti Evropian do ta mbështesë Kosovën në perspektivën evropiane dhe për liberalizimin e vizave, por institucionet e Kosovës duhet t’i plotësojnë kushtet e kërkuara. Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë, për angazhimet e vazhdueshme të institucioneve të vendit në procesin e integrimit evropian, si e vetmja rrugë për shtetin e Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, falënderoi raportuesen Lunaçek për kontributin dhe përkrahjen e saj të pakursyer për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe në mekanizma të tjerë të BE-së, duke ia lehtësuar kështu Kosovës rrugën euro-integruese.

Kryeparlamentari Veseli përsëriti edhe njëherë kërkesën për heqje sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian.“Nëse do të vijë lajmi për liberalizim të vizave për Kosovën, atëherë ai do të vijë nga zonja Lunaçek”, theksoi kryetari Veseli.Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli tha se Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë t’i plotësojë kriteret e kërkuara dhe do të punojë në axhendën e reformës evropiane në Kosovë.Edhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot ka takuar Ulrike Lunaçek, nënkryetaren e Parlamentit Evropian dhe Raportuese për Kosovën pranë Komisionit të Parlamentit Evropian për Kosovën.Në takim me ministren Hoxha, Lunaçek potencoi se progresi i arritur duhet çuar përpara sepse rruga euro-integruese e Kosovës është e pakthyeshme dhe ofroi mbështetjen e saj të plotë që ky proces të përmbyllet sa më parë dhe me sukses.“Do t’i adresojmë rekomandimet e Raportit të progresit për sundimin e ligjit”, tha ministrja kosovare. Në të gjeturat kryesore të Raportit 2016 për Kosovën theksohet se në prill hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e në maj Komisioni Evropian i bëri një propozim Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së ku rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën.Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, thkeson Raporti, Kosova mbeti e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.Shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së  në Kosovë, Nataliya Apostolova, Raportin për Kosovën 2016 dje ua ka dorëzuar  zyrtarisht kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe kryeministrit Isa Mustafa, ndërsa do ia dorëzojë edhe presidentit Hashim Thaçi.Me këtë rast u bisedua për përmbajtjen e Raportit si dhe hapat e mëtejmë në avancimin e proceseve në Kosovë. U theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit në arritjen e synimeve të përbashkëta në rrugën eurointegruese të Kosovës, për vazhdimin e reformave të gjithanshme, zhvillimin ekonomik, fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe luftimin e dukurive negative.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Johannes Hahn në Kosovë, për Reforma Evropiane, promovohet Axhenda

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT