• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2016

Flet stilistja dhe koleksionistja Stela Skënderaj

November 2, 2016 by dgreca

3-ali-pasaj4-figura1-skenderaj-flamure

-Populli turk nuk ka paragjykime për figurën e Skënderbeut, mund të ketë individë/

– Përgatita veshjet me simbole, ku shqiponja tre dimensionale ka në një krah Ismail Qemali, në krahun tjetër Skënderbeu, në mes Shqipëria e bashkuar.4-shqiponje– Këto punime i kam punuar vet, janë më shumë se 100 punime kryesisht portrete patriotësh/

– Populli turk ka një fjalë që më ka pëlqyer gjithmonë “Të duash nuk je i detyruar, por të respektosh po”.  /

– Ishte një veshje që bëri një tërheqje shumë të madhe tek vizitorët, nga populli dhe mediet turke ku e shprehën “veshja që tregon historinë e Shqipërisë si një libër”/

– Vetëm për përgatitjen e shqiponjës që ka përmasat 3 m gjerësi dhe 3.20 gjatësi u përdor 8 kg material për tu qëndisur/6-skenderajNga Albert Z. ZHOLI/

Stela është një stiliste dhe koleksioniste që ka më shumë se 20 vjet që jeton dhe punon në Turqi. Ajo ka hapur disa ekspozita me veshje tradicionale popullore shqiptare të punuara me dorë, ku mbizotërojnë portretet e personaliteteve tona kombëtare në shekuj. Këtë radhë ajo në Stamboll dhe Ankara do të hapë një ekspozite tepër specifike më shumë se 100 punime, ku këto veshje do të pasqyrojnë historinë e kombit shqiptar me anën e simbolikës. Vetëm për përgatitjen e shqiponjës që ka përmasat 3 m gjerësi dhe 3.20 gjatësi u përdor 8 kg material për tu qëndisur

Një projekt interesant si erdhi si ide?

Nga profesioni kreatore që kam më kanë tërhequr shumë veshjet popullore shqiptare, kanë një larmi mahnitëse ngjyrash modelesh. Çdo krahinë ka kostumet karaktetistike të saj. Kur po punoja një ditë pashë një video që fliste për xhubletën. E kisha parë si veshje por nuk e njihja me shumë hollësi. Koleksionistja tregonte lulet e xhubletës kësaj veshje që është një thesar i vërtetë i popullit tonë i trashëguar deri në ditët e sotme. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte thënia “Femrat bënin në të historinë e tyre”. Kjo ishte ajo thënie që më dha idenë… Një veshje shekullore ku bëhet fjalë për një histori 4000 vjeçare dhe konsiderohej veshja e perëndive. Atëherë përse mos të bëja historinë e Shqipërisë në të? Fillimisht doja të hyja në librin e rekordeve duke përgatitur veshje me 2000 motive, por kushtet që ndodhesha ishin pak të vështira për sigurimin e tyre, pasi jetoj në Turqi. E nisa edhe e-mailin në Londër por ishte i vështirë sqarimi pasi është një libër më shumë për gara se sa vlerash artistike.. . Për 6 muaj u mora me kërkimin e motiveve, çfarë do përdorja dhe njëkohësisht isha ne kontakt të vazhdueshëm me një mikun tim profesor i degës së etnografisë në universitetin e Prishtinës z. Bashkim Lajqi, pa ndihmën e të cilit nuk do ishte e mundur sigurimi i motiveve origjinale të kostumeve popullore.

Ku do bëhet prezantimi i kësaj veshjeje, ekspozitë?

Prezantimi do të zhvillohet në Ankara dhe Stamboll, kjo është ideja. Por le të ecim, rruga do na tregojë vetë.

Përse këtë prezantim kaq dinjitoz do ta bëni vetëm në Turqi?

Prezantimi në Turqi pasi unë këtu ndodhem, këtu jetoj, punoj dhe këtu është duke u punuar I gjithë materiali. Është i vështirë transporti i saj në vend tjetër pasi do një organizim vërtet serioz qoftë edhe për transportin pasi përmasat janë vërtet të mëdha. Performanca në tërësi ka një gjatësi prej 10 m dhe gjerësi 5m, e cila është komplet e mbushur me portrete të historisë që i përkasin popullit shqiptar në shekuj. Po ashtu ka motive karakteristike të veshjeve popullore. Vetëm për përgatitjen e shqiponjës që ka përmasat 3 m gjerësi dhe 3.20 gjatësi u përdor 8 kg material për tu qëndisur…Për veshjen përdora 30 m copë. Për përgatitjen e portreteve, rruazat janë përdorur në sasi të madhe. Është një investim serioz kohor dhe financiar .

A mendoni se do të ketë paragjykime për figurën e Skënderbeut në Turqi?

Sigurisht që jo. Unë kam 20 vjet që jetoj në Turqi. Populli turk nuk është popull me paragjykime të tilla aq më tepër çfarë ka ndodhur para 500 vjetësh. Në të është edhe portreti i Ali Pash Tepelenës. Populli turk ka një fjalë që më ka pëlqyer gjithmonë “Të duash nuk je i detyruar, por të respektosh po”.  Dhe kjo është mëse e vërtetë. Po e respektove të respekton, pasi kjo është kultura e këtij vendi. Paragjykimet për Skënderbeun unë vetëm nga shqiptarët i kam dëgjuar por jo nga populli turk. Në vitin 2013 në panairin ndërkombëtar të kulturës në Izmir, mora pjesë me koleksionin e veshjeve me simbole, ku midis tyre ishte edhe shqiponja tre dimensionale që e përgatita për 100 vjetorin, ku në një krah ishte Ismail Qemali dhe në krahun tjetër Skënderbeu, në mes Shqipëria e bashkuar. Ishte një veshje që bëri një tërheqje shumë të madhe tek vizitorët, nga populli dhe mediat turke ku e shprehën “veshja që tregon historinë e Shqipërisë si një libër” . Në atë veshje ishin ndërthurur edhe himni i flamurit dhe emblema e Besëlidhjes Shqiptare më 1444. Pra, nuk pata asnjë lloj problem, përkundrazi i vlerësuan dhe i konsideruan si vepra arti. Po ta konsiderosh dikë armik ai armik bëhet, po ta konsideroni mik, po, mik do bëhet është kaq e thjeshtë. Unë bëj vepra arti, jo nacionalizëm ekstremist. S’ka kuptim. Shqiptarët paragjykimet e tilla për të kaluarën duhet ti lënë pas dhe të shikojnë përpara si vepron bota. Izraeli me Gjermaninë  kanë marrëdhënie të mira kur as 100 vjet s’janë mbushur nga masakrat e Hitlerit, athere përse ne të kemi frikë se mos na paragjykojnë për heroin tonë Kombëtar që ka jetuar para 500-vjetëve? Nuk ka logjikë.

Si do ta organizoni këtë projekt?

Ky projekt është ı ndarë në 4 faza ku mendohet të përdoren rreth 100 figuracione nga arkeologjia, legjenda, historia, kultura. Këto do jenë të ndërthurura në një veshje të vetme nga e cila erdhi edhe ideja e këtij projekti. Veshja quhet XHUBLETA. Por çfarë është xhubleta? Një veshje tepër e lashtë në histori që është shfaqur para 2000 vjetësh. Veshje që ka qenë e përdorshme në zonën e Ballkanit deri në Kretë. Kjo veshje ka mbetur e izoluar vetëm në zonën e Shkodrës. Është veshje me një stil tepër konservativ dhe tepër të mahnitshëm..Bashkë me pelerinën të jep përshtypjen e kalorësve të kryqëzatave ,apo pamjet e perëndeshave të lashta. Në pamjen e pare jep përshtypjen e një kambane kishe. Në të janë ndërthurur simbole tepër mistike të cilat janë trashëguar brez pas brezi por që sot s’mundem dot ti deshifrojmë këto mrekulli (thesar i trashëguar nga lashtësia në këtë veshje mistike). Sfondi qëndron i zi sikur ndërthuren me kodet universale me një stil tepër të pasur artistik. Dikur femra shqiptare në këtë veshje me an te simbolikës pasqyronte dhe historinë e saj familjare. Por, për fat të keq këto thesare të pazëvendësueshme kulturore janë varrosur sipas traditës. Kur varroseshin femra e varrosnin bashkë me këtë veshje. Këto veshje pasqyronin në të dy dimensionet pra dy botët jetën e sotme dhe të përtejme ndoshta e si dhe jetën pas vdekjes ndoshta edhe kjo ishte një nga arsyet që femra shqiptare varrosej bashkë me këtë veshje. Është një veshje që mora frymëzimin për këtë thesar kulturor dhe shumë pak të njohur nga vet shqiptarët.

Në themel të kësaj ekspozite çfarë ideje do të përcjellësh tek vizitori?

Këto punime i kam punuar vet. Janë më shumë se 100 punime Në këto veshje vendosa të pasqyroj historinë e kombit shqiptar me anën e simbolikës. Ashtu sı femrat shqiptare kanë qëndisur në tërë historinë e tyre. Për realizimin e kësaj veshje janë ndarë ne 4 faza. një fazë është përgatitja e 35 figuracioneve ku do jenë Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza, Luftëtari ı Kosovës Adem Jashari, simbolika e lirisë sı dhe Mic Sokoli mbi top. Alı Pash Tepelena. Heroi legjendar Gjergj Kastriot Skënderbeu, rilindësit Migjeni,  Fan Noli ı cili jo vetëm Shqipërisë por edhe ka lënë thesar të madh literaturës botërore. Është luftëtari Çerçiz Topulli. Kurse nga periudha e mitologjisë është hyjnia e zonës së Çamërisë  “TANAGARA” është “PANI” hyjnia e blegtorisë e cila ka qenë ne zonën e Butrintit. Do jetë “Kafka” mistike Ilire që sot ndodhet në dorën e një koleksionısteje në SHBA. Do jetë “DEA e Butrintit” një nga thesaret kombëtare simbol i femrës shqiptare. Është legjenda e shqiponjës, e cıla e nxori njeriun ne dimensionin e sotëm. Legjenda e lashtë e periudhës se kreshnikeve MUJI DHE ZANAT. kurse nga pjesa e folklorit do jen te pasqyruara veshje te zonave te ndryshme te Shqipërisë. Bashke me këtë si vallet dhe instrumentet popullore pasi edhe vet veshja e XHUBLETES s’mund të ketë kuptim pa lahutën dhe pa kullat e lashta te cilat janë simbole trimërie simbole trashëgimie te një kulture shumë të lashtë. Këto figuracione do jenë të lidhura me njëra tjetrën në formën figurative të “DNA” të cilat tregojnë rrjedhën e shekujve të ndërthurur në një veshje përreth një flamuri ı cili është një simbolik e mistershme të cilës i thonë shqiponjë por mënyra e transmetimit të tij është po aq mistik sa ky popull dhe qëndron në një ngjyrë të kuqe me shumë e ngjyrës së kuqe universale. Dhe më interesantja është se me shekuj ndryshon lëvizjen e krahëve të saj. Prandaj në këtë veshje do jetë me një madhësi 9 metër katror por akoma nuk është e qartë pasi përmasat e këtij simboli mund të ndryshojnë. Përgatitja e këtij simboli me këtë përmasa kaq të mëdha duke menduar se do qëndiset me dorë do ketë fazën e dytë të përgatitjes së këtij model projekti me vlera të mëdha artistike dhe historike. Faza e 3 do jetë përgatitja e pjesës së historisë ku do jenë të rreshtuara njëra pas tjetrës periudhat historike Pellazgët, Ilirët, Arbërit, deri tek shqiptarët, e sotëm  dhe festimet e 100 vjetorit. Në këto pjesë do jenë të pasqyruara simbole të trashëguara nga historia gjetje arkeologjike si dhe simbolet e vet veshjes së xhubletës të cilat janë tepër mistike, gjë që tregojnë një prejardhje të një kulture tepër të lartë artistike si dhe informative të cilat ı krahasoj edhe me formën e piramidave dhe trashëgimet e pasqyruara në muret e saj. Përgatitja e fazës së 4 është qepja e kësaj veshjeje dhe montimet e këtyre figuracioneve të përgatitura. Në bel do jetë e pajisur me një brez të pasuruar me simbolikën ilire sikurse edhe pelerina ku do jenë luftëtar ilirë si dhe priftërinj të cilët mbajnë simbolikën e vjetër ilire, 2 gjarpërinjtë të cilët e kanë konsideruar si ekuilibri ı jetës dhe ylli me 10 cepa simboli i kultit ilir. Për më tej, Dielli ı cili është mbajtur nga Aleksandri ı Madh më pas. Ky simbol ka historinë 12 mijë vjeçare. Kurse kapuçi ı pelerinës do jetë simbolikë e helmetave ilire ku është dashi në të dyja anët. Kjo veshje ka një ndërthurje tepër të madhe simbolikash, ku janë të pasqyruara vlera e 3 muzeumeve .

Sa ditë do të zgjasë ky aktivitet?

Nuk do zgjasë shumë vetëm një ditë pasi po diskutohet të jetë pjesë e festimeve të ditës së flamurit të organizuar nga ambasada shqiptare në Turqi.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, Stela Skënderaj, stilistja dhe koleksionistja

Kosova do mbështet më shumë shqiptarët në Luginën e Preshevës

November 2, 2016 by dgreca

-Presidenti Thaçi priti një delegacion të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve nga Lugina e Preshevës/

1-thaci-l-presheves

PRISHTINË, 2 Nëntor 2016-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot një delegacion të Luginës së Preshevës, të kryesuar nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Jonuz Musliu.Presidenti Thaçi dhe kryetari Musliu biseduan për gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon.Presidenti Thaçi theksoi se me konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, do të rriten edhe mundësitë për t’i mbështetur më shumë shqiptarët në Luginën e Preshevës. “Respektimi i të drejtave të pakicave është njëri prej kritereve kryesore për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe asnjë shtet kandidat, përfshirë këtu edhe Serbinë, nuk mund të avancojë në procese integruese pa i përmbushur standardet më të larta të respektimit të pakicave”, ka thënë presidenti Thaçi. Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu, i cili shoqërohej nga kryetarja e Kuvendit Komunal të Preshevës, Ardita Sinani, si dhe nga kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, duke folur për nivelin e bashkëpunimit mes autoriteteve të Kosovës dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës, theksoi se ekzistojnë mundësi të shumta për ta thelluar këtë bashkëpunim.Presidenti Thaçi dhe kryetari Musliu biseduan edhe për rëndësinë e veçantë të rritjes së bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës dhe shkëmbimeve tregtare me këto tre komuna shqiptare, në mënyrë që të përmirësohet mirëqenia e qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Filed Under: Rajon Tagged With: Keshillin Kombetar, Lugina e Presheves, Presidenti Thaçi, priti

Kryeministri Mustafa ne Londer, BERZH mbështet Kosovën edhe me strategji të re

November 2, 2016 by dgreca

zkm-3zkm-1-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po qëndron për vizitë në Londër/

 

1-britani4

PRISHTINË, 2 Nëntor 2016-B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po qëndron për vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, ku sot është takuar me Sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme, Boris Johnson dhe ministrin e Shtetit për Evropë dhe Amerikë në Zyrën e Jashtme dhe të Komonuelthit, Alan Duncan.Gjatë takimit me sekretarin Johnson, kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin e gjithanshëm në Kosovë, si dhe për të arriturat evidente në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e qeverisë dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e madhe të Britanisë për Kosovën në të gjitha fazat, duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes.

Po ashtu, ai theksoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar, si një prej partnerëve kryesorë strategjikë të Republikës së Kosovës. Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme, Boris Johnson, shprehu përkrahjen e mëtejme të Britanisë së Madhe për Kosovën.Sekretari Johnson, po ashtu, u interesua për zhvillimet në Kosovë dhe theksoi vullnetin e Mbretërisë së Bashkuar për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën. Ndërsa, gjatë takimit të kryeministrit Isa Mustafa me ministrin Alan Duncan u bisedua për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës dhe përkrahjen e mëtejme të Londrës për Kosovën në shumë aspekte.Në dy takimet ishin të pranishëm edhe ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.

 

 

zkm-2-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vizitoi Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër, ku pati një takim me presidentin e Bankës, Sir Suma Chakrabarti/

zkm-1

 PRISHTINË, 2 Nëntor 2016-B.Jashari/ Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vizitoi Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër ku pati një takim me presidentin e Bankës, Sir Suma Chakrabarti. Të pranishëm ishin edhe anëtarët e qeverisë së Kosovës, ministrat Avdullah Hoti dhe Memli Krasniqi, dhe menaxhmenti i lartë i BERZH, ku me ç`rast diskutuan aktivitetet e Bankës në vend. Kosova është bërë pjesëtare e BERZH si dhe vend i operacioneve në dhjetor të vitit 2012. Deri më tani, BERZH ka investuar në 50 projekte në Kosovë, që arrijnë një shumë prej më tepër se 200 milionë euro. Në tetor të vitit 2016, Bordi i Drejtorëve të BERZH ka miratuar strategjinë e re të vendit për punën e kësaj Banke në Kosovë me tre prioritete që mbështesin zhvillimin e konkurrueshmërisë në sektorin privat, përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji dhe mbështetjen e konektivitetit dhe integrimit rajonal.

Para miratimit të strategjisë së re për vendin, Presidenti i BERZH, Chakrabarti vizitoi Kosovën në qershor të vitit 2016, në vazhdën e një turneu më të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Në muajin shkurt të këtij viti, Kryeministri Mustafa përcolli Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor në BERZH.

Presidenti Chakrabarti e mirëpriti mundësinë që të takohet sot me kryeministrin dhe delegacionin e lartë qeveritar nga Kosova. “Ne jemi të gatshëm që të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin me Kosovën. Jemi fuqimisht të përkushtuar që ta mbështesim zhvillimin e sektorit privat në një bazë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, si dhe integrimin rajonal të vendit. Vetëm gjatë këtij viti unë e kam vizituar Ballkanin Perëndimor dy herë dhe ajo çfarë pashë ishte inkurajuese. Tani kemi një përpjekje të vërtetë reformuese dhe BERZH është e gatshme të ofrojë ndihmën e saj me investime dhe dialog politik”, tha presidenti Chakrabarti.Njoftimi dërguar sonte nga Londra thekson se, kryeministri Mustafa tha se BERZH-i është duke mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe zbatimin e shumë projekteve. “Sot, ne kemi marrë mbështetje konkrete nga presidenti Chakrabarti për projekte të cilat janë të parapara në prioritetet e qeverisë së Kosovës dhe do të kenë ndikim në përmirësimin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe avancimin e cilësisë së jetës së njerëzve. Qeveria e Kosovës mirëpret strategjinë e re të BERZH-it për Kosovën dhe pret përfshirje më të madhe të BERZH-it në mbështetjen e sektorit privat, sidomos tani pas vlerësimit pozitiv nga ana e Bankës Botërore për kushtet e të bërit biznes në Kosovë”, tha Mustafa.

Delegacioni i Kosovës do të shfrytëzojë vizitën në Londër për diskutim të detajuar me përfaqësuesit e menaxhmentit të BERZH-it dhe për të diskutuar për projekte konkrete.Gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, presidenti Chakrabarti nënshkroi dy marrëveshje me bankat lokale, të dyja me qëllim të asistimit të bizneseve lokale të sektorit privat, që është një nga prioritetet e Bankës. Operacionet e BERZH-it në Kosovë kryesohen nga Elena Petrovska, e cila iu bashkua presidentit dhe kryeministrit në mbledhjen e sotme.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Berzh, edhe me strategji të re, mbeshtet Kosoven

VLERËSIMI I BALLISTËVE TË LUSHNJËS “MARTIRË TË DEMOKRACISË” ËSHTË I DREJTË

November 2, 2016 by dgreca

(Mendësia komuniste na pengon të ndëshkojmë si e sa duhet krimin komunist)/

1 Prof.-Asc.-Dr.-Thanas-L.-Gjika-220x292 (2)

Nga Thanas L. GJIKA, USTER/SHBA/

Në shtypin shqiptar në atdhe dhe në diasporë, si dhe në biseda të ndryshme më ka rënë rasti, të lexoj e të dëgjoj ish pushtetarë të diktaturës, ose bijtë e tyre, të cilët vijojnë të mbrojnë mentalitetin e vjetër komunist dhe ta quajnë kohën e diktaturës kohë e një qeverisje normale me disa gabime. Të tillë njerëz asnjëherë nuk shkruajnë e as e hapin bisedën të parët për të dënuar krimet e sistemit komunist dhe me shumë zor e pranojnë që ai sistem ishte një sistem i gabuar, se ai sistem ishte po aq i turpshëm sa dhe nazizmi e fashizmi dhe se krimet e tij duhen ndëshkuar po ashtu si u ndëshkuan krimet e nazi-fashizmit prej popujve që i përjetuan ato, gjermanëve dhe italianëve. Mirëpo mbas vitit 1991, kur në Shqipëri u pranua kapitullimi i sistemit diktatorial komunist, të tillë njerëz u përpoqën ta lenë në heshtje dënimin e krimeve të atij sistemi, t’i harrojnë poshtërsitë dhe krimet që kryen ata ose prindërit e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore (L2B) dhe gjatë diktaturës. Kurse, kur presidentët e republikës kanë marë mbas vitit 1992 ndonjë vendim që ua skërmit koret atyre plagëve dhe krimeve, hidhen përpjetë dhe aktivizohen në kor duke diskutuar me shkrim ose me gojë plot fyerje e sharje njësoj si në kohën e ditaturës, kur çdo ballist e nacionalist cilësohej thjesht tradhëtar e bashkëpunëtor me pushtuesin.E vërteta historike dihet se ballistët e nacionalistët kishin dalë malit e luftonin kundër pushtuesve fashistë italianë para se të mbahej Konferenca e Pezës më 16 shtator 1942, kur u krijua Fronti Nacional, ku bënin pjesë gjithë forcat luftarake pa dallim krahine, besimi dhe ideje. Kjo konferencë zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacional të përbërë nga zotërinjtë Kamber Qafmolla kryetar, Mustafa Gjinishi sekretar, Ndoc Çoba, Myslim Peza, Abaz Kupi, Enver Hoxha dhe Ymer Dishnica. Pra katër ishin nacionalistë e tre komunistë.

Po ashtu dihet se më 1-3 gusht 1943 u mbajt Mbledhja e Mukjes, ku forcat balliste, nacionaliste e komuniste u ulën si të barabartë në tavolinë dhe zgjodhën Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë i cili përbëhej nga 24 vetë prej të cilëve dymbëdhjetë ishin përfaqësues të Ballit Kombëtar, gjashtë të Partisë Komuniste (PKSh) dhe gjashtë të forcave nacionaliste. Ky komitet formuloi Proklamatën e përbashkët për vijimin e luftës kundër pushtuesit italian dhe çdo pushtuesi tjetër që mund të vinte. Proklamata e këtij komiteti ishte kjo:

Popull shqiptar!

Po bëhen afro 5 vjet që Italia fashiste ka pushtue vendin tonë të shtrenjtë dhe po mbjell kudo zi e mjerim.Barbarizma ka arritur kulmin. Në këto kohë të fundit ka djegë e ka shkatërrue fshatra e qytete dhe me një etje të tërbueme ka vra e ka therë burra e gra, djem e vajza, pleq e të rinj dhe fëmi të vegjël shqiptar që ende thithin qumështin e nënës… Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, shprehje e gjallë e fuqive të kombit, paraqet këtë program:

  1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.
  2. Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.
  3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.

Shqiptarë!

Nuk keni ç’të prisni ma. Armiku është akoma në vatrat tona.

Erdhi koha që të çohemi të gjithë të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, intelektualë e patriotë qytetarë dhe katundarë dhe të rrokni armët për dëbimin sa më të shpejtë të pushtuesit të huaj nga toka e shenjtë shqiptare.

Ngrihuni të gjithë pra, betohuni rreth flamurit të Skënderbeut, bashkohuni rreth Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë dhe sulmoni në çdo vend e kënd, me armë e çdo mjet armikun pushtues, zgjidhni prangat e robërisë që i kini në duar afër 5 vjet dhe merrni gjakun e martirëve tanë që ditën të vdesin në fushën e nderit për lirinë e Shqipërisë. Dita e shpëtimit erdhi!

Jashtë armiku zaptues!

Rroftë Shqipëria e bashkueme në luftë kundër pushtuesit!

Rrofshin aleatët tanë të mëdhenj, Angli, Shtetet e Bashkueme e Bashkimi Sovjetik!

Rroftë Shqipëria e pavarme, demokratike popullore!

Të dërguarit e Partisë Komuniste ia shpunë Enver Hoxhës Proklamatën e Mbledhjes së Mukjes në Vithkuq të Korçës, ku ishin mbledhur forcat partizane për krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese. Nesti Kërënxhi, njëri prej anëtarëve të delegacionit të PPSh-së, ka treguar se Enver Hoxha pasi e lexoi e pranoi dhe tha: “Mirë e keni bërë”. Mirëpo në atë kohë doli nga çadra e tij Miladin Popoviç, i cili u afrua dhe kërkoi ta lexonte vetë proklamatën. Pasi arriti te pika e dytë, ku përmendej e drejta për vetvendosjen e popujve dhe Shqipëria etnike, ai e grisi letrën dhe ia hodhi Enverit në fytyrë duke thirrur me inat: “Nanën Shqipnisë etnike! Enver mohoje sa më parë!”

Kështu u hodh poshtë marrëveshja e Mukjes, arritja më e rëndësishme e forcave të përbashkëta antifashiste. Enver Hoxha, si ushtar i bindur i Miladin Popoviçit, filloi nga veprimet për ta mohuar e hedhur poshtë marrëveshjen e Mukjes. Ai formuloi më 10 shtator 1943 dhe u dërgoi organizatave të partisë në bazë një shkresë sekrete ku urdhëronte që të shpallej Balli Kombëtar tradhëtar dhe bashkëpunëtor i pushtuesit, kur ushtarët e kësaj organizate nuk kishin kryer asnjë bashkëpunim me pushtuesin, por e kishin luftuar atë së bashku me partizanët.Grisja e Proklamatës së Mukjes prej Miladin Popoviçit duhet dënuar prej historiografisë sonë si ndërhyrje në punët e brendshme të ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare Shqiptare, kurse mohimi i Proklamatës së Mukjes nga ana e Enver Hoxhës duhet quajtur tradhëti kombëtare dhe duhet dënuar sa më rëndë. Ndërsa deri sot historiografia jonë e ka konsideruar thjesht si një nënshtrim ndaj emisarëve jugosllavë, pa gjykuar pasojat shkatërrimtare që solli ky vendim për të ardhmen e lëvizjes antifashiste të popullit tonë.Eshtë e kuptueshme se hedhja poshtë e marrëveshjes së Mukjes dhe urdhëresa sekrete e Shpatit (Enver Hoxhës) për t’ua kthyer ballistëve pushkët e partizanëve krijoi një gjendje çoroditëse ndaj forcave të Ballit Kombëtar, të cilat pas disa javësh filluan të ndodheshin edhe përballë pushkëve të pushtuesve të rinj, gjermanëve. Të ndodhur midis dy zjarresh, mjaft reparte të forcave balliste filluan të bashkëpunonin me pushtuesit gjermanë, sepse këta shprehën gadishmëri për të mos i asgjësuar. Kështu Balli Kombëtar nga një forcë ushtarake antifashiste që kishte luftuar disa vjet për çlrimin e vendit nga zgjedha fashiste, u kthye brenda muajve tetor-nëntor 1943 në një forcë bashkëpunëtore me pushtuesin e ri nazist, i cili për demogogji shpalli se nuk erdhi në Shqipëri si pushtues, por vetëm për të ruajtur hapur rrugët e lidhjes me forcat e veta të vendosura në Greqinë fqinje.

Ky gabim i rëndë nuk mund t’i falet Balli Kombëtar, i cili ishte krijuar si një organizatë patriotike prej elitës intelktuale shqiptare që ishte formuar në Europë e Amerikë, dhe që deri atëhere e kishte drejtuar me mençuri dhe kishte fituar simpati të madhe në popull, sidomos në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Por duhet kuptuar se në këtë gabim historik forcat e Ballit Kombëtar nuk i shpuri dëshira e tyre, por pushka partizane. Ndryshimi që ndodhi në forcat partizane duke u kthyer ato nga forca që luftonin për liri në aleancë me forcat e Ballit Kombëtar, në forca që filluan të luftonin kundër pushtuesit, por dhe kundër aleatit të tyre, ishte tregues i pamohueshëm se PKSh-ja e shtyrë prej emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, dha sinjalin e fillimit të luftës për marrjen e pushtetit si forcë e vetme politike, pra dhënies së luftës edhe tipare të luftës civile.

Në Mbledhjen e Mukjes ishte vendosur që problemi i pushtetit të vendosej mbas çlirimit të vendit përmes votës së lirë të popullit. mirepo emisarët e Titos e mësuan Enver Hoxhën se komunistët nuk duhej ta ndanin pushtetin me askënd. Me një fjalë Partia Komuniste Shqiptare përqafoi që në atë kohë idenë e sundimit të Shqipërisë së nesërme si forcë e vetme politike, ashtu si sundonte Partia Komuniste Bollshevike në Bashkimin Sovjetik, përmes diktaturës komuniste. Që nga muaji tetor 1943 edhe pse forcat partizane kërkonin e merrnin ndihma nga Anglo-amerikanët dhe flisnin se aleatët e jashtëm antifashistë ishin tre Anglia, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik, në fakt drejtuesit e PKSh-së filluan me zë të ulët të ngrihej lart Bashkimi Sovjetik, të flisnin me lavëdërime për Stalinin dhe Titon, por jo edhe për Çurcillin dhe Rusveltin. Në situatën e re që krijoi PKSh-ja me propagandën e saj për ta paraqitur veten si e vetmja forcë që po luftonte pushtuesin e ri gjerman, Abaz Kupi u detyrua të tërhiqte forcat e tij prej Frontit Nacional Çlirimtar edhe të delte si forcë më vete me emrin Partia e Legalitetit. Kështu jugosllavët ia arritën qëllimit: i përçanë forcat e armatosura shqiptare antifashiste në tre grupe forcash që nuk mund të bashkëpunonin më midis tyre.

Luftëtarët e Ballit Kombëtar, në shumicën e tyre, duke qenë të ndikuar prej elitës drejtuese ishin njerëz me bindje antikomuniste. Kështu, lufta që u shpalli atyre Partia Komuniste e shoqëruar dhe me propagandën e saj pro Bashkimit Sovjetik, ua qartësoi ballistëve faktin se PKSh-ja ishte armik i papajtueshem i tyre dhe se lufta për marrjen e pushtetit për këtë parti ishte problemi themelor. Kjo situatë e prishi drejtpeshimin e shumë komandantëve të Ballit dhe i shtyu drejt gabimit fatal: bashkëpunimit me pushtuesit gjermanë.

Mirëpo duhet të pranojmë, se në rast se në gusht 1943 PKSh-ja nuk do ta kishte hedhur poshtë Proklamatën (marrëveshjen) e Mukjes dhe në shtator të atij viti nuk do ta kishte shpallur Ballin Kombëtar tradhëtar e armik, nuk do të kishte ndodhur përçarja midis forcave shqiptare antifashiste dhe do të ishte arritur çlirimi i vendit si rezultat i luftës së përbashkët të forcave balliste, komuniste dhe nacionaliste. Kurse çështja e llojit të pushtetit do të ishte vendosur prej popullit me anën e votimit të lirë, për krijimin e një Shqipërie të lirë popullore e demokratike, si ishte formuluar në pikën e tretë të Proklamatës së Mukjes. Një Shqipëri e tillë që do të drejtohej prej forcave pluraliste (demokratëve ballistë, nacionalistëve pro mbretit dhe komunistëve, nuk do të krijonte atë klimë që krijoi PKSh-ja si forcë e vetme në pushtet e cila instaloi diktaturën e ashpër komuniste.

Sot, pasi kemi përjetuar kapitullimin e sistemit njëpartiak të diktaturës së proletariatit, pasi në Europën Lindore janë dënuar krimet e komunizmit, pasi kemi parë se sa thellë e dënuan fashizmin dhe nazizmin Italia e Gjermania që solli si pasojë ecjen e tyre të shpejtë përpara, nuk duhet ta mohojmë vlerën heroike që ka pasur çdo person që ka kundërshtuar të bashkohej me një komandant si Mehmet Shehu, kur dihej se ai ishte një shërbëtor besnik i Dushan Mugoshës, këtij sërbi antishqiptar e kriminel, që punonte për realizimin e instalimit të një pushteti sa më të keq për popullin tonë dhe vasal të Jugosllavisë. Në atë kohë një djalosh partizan shikonte tek Mehmet Sheu udhëheqësin trim të Brigadës së Parë Sulmuese, kurse një ballist me bindje antikomuniste shikonte tek Mehmet Shehu një kriminel që ishte betuar për të përhapur yllin e kuq të komunizmit në të pesë kontinentet e botës. (Betimi që bënin para Dushan Mugoshës partizanët shqiptarë kur ky i projektonte për t’u bërë kuadro drejtues të ushtrisë partizane dhe të PKSh-së, ishte: “Betohem për yllin e kuq se do të zbatoj çdo urdhër që do të më jepet prej eprorëve të mij edhe sikur të më duhet të vras nënë e babë!”). Mehmet Shehu ia kishte bërë Dushan Mugoshës këtë betim që në vitin 1942, kur ky kishte shkuar për të rekrutuar kuadro në krahinën e Vlorës. Po ky Mehmet Shehu, kur i tha Tahir Kadareja, një nga kuadrot e Brigadës së Parë: “Mehmet ne po vrasim shumë shqiptarë dhe jo pushtues të huaj”, iu përgjigj: “Partisë sonë i mjafton një Shqipëri edhe me njëqindmijë banorë, mjafton që të jenë kokulur e të bindur”. Këto e shumë fakte të tjera tregojnë se Mehmet Shehu në marrëdhenie me pushtuesit italianë e gjermanë ishte një luftëtar trim, por në marëdhënie me popullin shqiptar ishte një zbatues besnik i urdhrave të Dushan Mugoshës dhe Enver Hoxhës, të cilët e shtynin vazhdimisht të kryente vrasje e krime, me qëllim që përmes terrorit të nënshtronte popullin shqiptar.

Të vijmë tani tek 65 ballistët e zonës së Lushnjës, shumë prej të cilëve deri në gusht 1943 kishin luftuar krah për krah me forcat partizane, kurse më 21 tetor mbas përpjekjes me këto forca u zunë rob prej partizanëve të Mehmet Shehut. Kur Mehmet Shehu u kërkoi këtyre robërve të hidheshin në anën e tij e të luftonin krahas forcave të tij, ata e kundërshtuan këtë kërkesë. Ata i thanë se donin të shkonin në shtëpitë e tyre dhe nuk donin të merrnin më pjesë në luftë. Mehmet Shehu dhe Dushan Mugosha që ndodhej prezent, i pushkatuan këta robër në kundërshtim me ligjin e luftës, sipas të cilit duhej të liheshin të lirë.

Para disa ditësh, Presidenti i Republikës i shpalli këta ish ballistë “Martirë të demokracisë”. Ky vlerësim shkaktoi diskutime të zjarrta midis opinionistëve dhe historianëve shqiptarë, disa e arsyetonin të drejtë vendimin e Presidentit, disa e quanin të padrejtë. Unë mendoj se z. Bujar Nishani, Presidenti i Republikës, ka pasur të drejtë. Them ka pasur të drejtë mbasi kundërshtimi i robërve ballistë ndaj kërkesës së Mehmet Shehut për t’u bashkuar me të, nuk duhet marrë thjesht si kundërshtim për të mos luftuar pushtuesin, por si kundërshtim ndaj bashkimit me Mehmet Shehun, i cili ishte i njohur si shërbëtor i Dushan Mugoshës, njeriut që kërkonte terror ndaj shqiptarëve. Përsa i përket çështjes se ata ishin apo nuk ishin për luftën çlirimtare, kjo ishte zgjidhur prej kohësh, kur shumica e tyre dhe sidomos komandantët e tyre kishin rëmbyer armët e kishin dalë malit si luftëtarë për lirinë e atdheut, ishin bërë anëtarë të Frontit Nacional që u formua në Konferencën e Pezës dhe kishin luftuar së bashku me forcat partizane deri në mes të gushtit 1943.

Vlerësimi i tyre si “Martirë të Demokracisë” është një mësim për të sotmen dhe të ardhmen e popullit shiptar. Ky vlerësim na mëson që mbas sodit të mos ketë më bindje të verbër e nënshtrim ndaj komandantëve të shitur tek të huajt, si ishte Mehmet Shehu që kreu trimëri në luftë kundër pushtuesve të huaj, por terror e krime ndaj popullit të vet, si vegël e Dushan Mogoshës dhe emisarëve të tjerë të PKJ-së. Na mëson se komandantë si Mehmet Shehu nuk i janë dashur dhe nuk i duhen ushtrisë sonë. Na tregon se kundërshtimi i së keqes që në fillimet e saj është akt heroik, shumë më i vlefshëm se kundërshtimi i saj kur ajo është përhapur e bërë sunduese. Na mëson se është e turpshme për ne të mos e dënojmë të keqen komuniste as sot pasi ajo na ka shtypur e përdhunuar më shumë se gjysëm shekulli dhe për më keq akoma, kur sistemi i saj ka kapitulluar me turp para 26 vjetësh.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Martire te Demokracise, Thanas L Gjika, Vleresimi i Ballisteve te Lushnjes

PËRSE VATRA I THA JO SAMITIT TË EDI RAMËS?

November 2, 2016 by dgreca

dalip-ok

NGA DALIP GRECA/Edhe pak ditë na ndajnë nga i ashtuquajturi ”Samit i Diasporës” i kryeministrit të Shqipërisë. Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, në respekt të qytetarëve shqiptarë, nuk do të jetë e përfaqësuar në atë paradë paraelktorale të kryeministrit, që nuk ka bërë asgjë për diasporën në tre vitet e keqqeverisjes, që i ka lënë shqiptarët e Amerikës pa konsullatë, ku jetojnë së paku gjysëm milion shqiptarë.

Vendimi i Federatës “Vatra” për të mos marrë pjesë në Samitin e Ramës u mor nga strukturat e saj. Fillimisht ishte kryesia që e diskutoi pjesmarrjen ose jo në këtë Samit ndërshqiptar të diasporës, siç e quan kryeministri. Me vota të hapura u vendos që Vatra të mos bëhej pjesë e një farse paraelktorale të Kryeministrit me argumentin se pjesmarrja dekorative në atë Samit nuk i shërben diasporës, nuk i shërben qytetarëve shqiptarë, por vetëm partisë së Kryeministrit.

Edhe Këshilli Drejtues i Vatrës, i mbledhur me 1 Tetor 2016, e la në fuqi vendimin e  Kryesisë për mospjesmarrje në Samitin e nëntorit, që po propagandon me aq zhurmë Edi Rama dhe instrumentet e tij këtu në diasporë.Natyrisht që ka dhe vatranë, siç kishte dhe anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit Drejtues, që mendojnë se Vatra duhet të marrë  pjesë në Samitin e Ramës ,me qëllim që ajo të mos ”vetëizolohej” apo “vetëpërjashtohej” nga samiti.  Argumenti i atyre që votuan “pro” shkuarjes ishte që Vatra të ishte pjesmarrëse dhe t’ia thoshte në sy kryeministrit se ky Samit është thjeshtë një farsë dhe asgjë më shumë, se ai nuk mund dhe nuk duhet ta manipulojë e as ta politizojë diasporën, të mos e përçajë atë, se ai në tre vitet e qeverisjes nuk ka bërë asgjë për diasporën, jo vetëm kaq por, ia hoqi edhe zyrën konsullore në metropolin e Nju Jork-ut, kur kjo zyrë ka qenë e pranishme që në vitet ’20 të shekullit të shkuar( Edi Rama e mbylli ashtu siç kishte bërë diktatori Enver Hoxha), se ai s’ka bërë asgjë për të tërhequr investitorë nga diaspora, përkundrazi dhe ato pak biznesmenë që gjeti ua ka prurë në majë të hundës me vështirësitë fiskale dhe pasigurinë, t’i thoshte se ne emigrantët nuk duam Shqipëri të mbytur nga krimi dhe mafia, një Shqipëri të mbuluar nga droga, një Parlament, ku strehohen kriminelët etj… etj. Por ku dhe si t’ia thoje Ramës të gjitha këto në një 5 minutëshin, që ai ka vënë në dispozicion si për një individ, që plotëson formularin e tij, apo për një organizatë krahine apo fshati, po aq edhe për  organizatat historike, siç është Vatra me 104 vite jetë në SHBA? Çfarë t’i thuash më parë Edi Ramës për 5 minuta në një Samit, që nuk është për Diasporën, por reklamë për atë vetë? A nuk qe i atillë takimi me mjekët e diasporës në vitin 2013? Përveç fotogarfisë me kryeministrin, çfarë mbeti nga ajo paradë? Në ç’gjendje është sot shëndetësia shqiptare? Ku shkuan idetë që dhanë mjekët nga diaspora? Nga ky samit kanë për të mbetur pas: Fotografite e Ramë(edhe në Fb), shëtitjet e planifikuara në qytetet turistike, dhe fjalimet e Ramës dhe të ministrave të tij.

Serioziteti i këtij Samiti duket që në formularin e propoganduar me aq zë nga ambasada në Washington dhe disa instrumente në shërbim të tij këtu në SHBA. Sipas formularit në Samitin e Ramës mund të shkojë kush të dojë si individ, ndërsa Vatrës i kanë bërë së fundmi dhe një ofertë bujare: mund të vini edhe me dy përfaqësues! Çfarë ndreqi shtimi i një perfaqësuesi, kur secili person mund të plotësonte formularin dhe të shkojë në Tiranë si turist?

Mënyra se si po e organizon kryeministri Samitin është e dështuar që në nisje. Ashtu siç qeveris, pa pyetur kënd, po ashtu po e organizon edhe këtë Samit, pa e pyetur Diasporën se çfarë problemesh ka ajo, çfarë mendon ajo për punën e qeverisë në raport me diasporën, çfarë mendon ajo për keqeverisjen që e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi, pa organizuar ndonjë anketë a sondazh. Kryeminstri vetë vendos e vetë vulos, pa i përfillur grupet e interesit. Ky është modeli i tij i qeverisjes.

Ka zëra që thonë se Vatra nuk shkon në Samitin e Ramës sepse mbështet opozitën, të cilën Kryeministri e ka përjashtuar nga Samiti, ashtu siç ka përjashtuar edhe institucionin e presidencës së Republikës së Shqipërisë. Secili ka mendjen e vet dhe mund të arsyetojë ashtu siç ia thotë mendja, por Vatra i ka dalë për borxh kryeministrit socialist, edhe pse vetë Rama, nga foltorja e Partisë së Shpëtim Idrizit(Kongresi i PDIU, qershor 2016), u ankua se “ Vatra më sheh si një njeri të dyshimtë”….Në fakt e vërteta është krejt ndryshe: Kryeministri e sheh Vatrën me dyshim. Vatra e takoi Kryeminstrin Edi Rama më 26 shtator 2013  në hotelin”Four Sizen” në Manhattan, dhe e uroi për mandatin që i dhanë votuesit shqiptar.

Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj, ndër të tjera i tha Kryeministrit Rama në prani të ambasadorit Ferid Hoxha dhe këshilltares së tij Ina Kuka: “Për zgjedhjet e 23 qershorit, shumica e vatranëvet patën shprehur mendimin që proceset e integrimit dhe programet ekonomike të mos ndërpriteshin nga ndërrimi i administratës qeveritare dhe, solidarë me shtresën e ish të persekutuarëve, kanë shprehur shqetësimin nga disa shënja recidive komuniste dhe zëra revanshiste të vrejtura në fushatën paraelektorale të koalicionit socialist. Megjithatë, kualifikimin e zgjedhjeve si më të mirat, me standardet më të larta deri tani, njohjen e rezultatit të zgjedhjevet dhe kalimin paqësor të pushtetit tek administrata e re, i vlerësojmë pozitive. Ju urojmë për fitoren, për të cilën keni bërë përpjekje të mëdha, në gjykimin tonë ndonjëherë dhe me tepri. Ju dëshirojmë sinqerisht, në vazhdimësi si administratave të më parshme, arritje të suksesshme në dobinë e vëndit e të kombit. “Vatra” do të mbështesë përpjekjet për të arritur suksese në dobinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar dhe, gjithashtu në vazhdimësi, ne do të shprehim mospajtimin dhe do të bëjmë presion konstruktiv kur ta shohim të nevojshme.”

Vatra i është përmbajtur fjalës së dhënë, ndërsa Kryeministri që premtoi bashkëpunim, Jo. Vatra ka vazhduar ta bëjë oponencën konstruktive, me deklarata e ka këshilluar Kryeministrin në pragvizitat në Beograd, që të mos harrojë kërkesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i ka kërkuar kryeministrit, që të mos bëjë deklarata delirante si ajo për kandidatin amerikan për president, republikanin Trump, i ka kërkuar që të pastrohet nga akuzat në SHBA për 80 mijë dollarët e Bilalit (ndoshta do ta ketë plotësuar formualrin për Samitin edhe Bilali. Pse jo?), i ka kërkuar që të pastrojë Parlamentin nga kriminelët dhe Shqipërinë nga mafia dhe kanabisi, i ka kujtuar ato çfarë i kërkoi Vatra në takimin e 26 shtatorit 2013, por Rama hesht. Ai ka ardhë shpesh në SHBA, pas atij takimi me Vatrën, por ndërkohë që ka pasë kohë edhe të shkojë në Las Vegas, apo të festojë ditëlindje konsujsh nderi të pa miratuar , por nuk ka pasë kohë që të vijë t’i hedhë një sy Vatrës, nga e cila kanë dalë Kryeministra, ministra, ambasadorë, njerëz të shquar,…qofshin dhe të zakonshmit e sotshëm…Nuk është Vatra që e sheh me dyshim Kryeministrin, por ai largohet në mënyrë të dyshimtë Vatrës.

Në mbyllje të këtij editoriali dhe një pyetje për Kryeministrin: Përse nuk e organizoi këtë biçim samiti në fillim të mandatit, por në fund të tij? Çfarë do të bëjë për diasporën në këta pak muaj që i kanë mbetë të qeverisë? Asgjë, veç do ta kthejë këtë Samit në një paradë paraelktorale, ku ai dhe ministrat e tij do të bëjnë paradën e mos-sukseseve (jo të drogës, jo të krimit, jo të pasigurisë, jo të korrupsionit, jo të largimit masiv të shqiptarëve, që shtojën radhët e diasporës dhe paksojnë popullsinë në vend, nuk do të flasë as për mungesën e konsullatës së shtetit shqiptar në SHBA, as për mungesën e një Ministrie të Diasporës, kur gjysma e popullsisë është realisht në diasporë etj…etj)

Ia pafsh hajrin këtij Samiti farsë i nderuar Kryeministër!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, editor i Diellit, i Edi rames, Jo, Vatar dhe Samiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT