• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2017

PËRFAQSUES I RI I VATIKANIT NË SHQIPËRI

May 10, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1 Nga Frank Shkreli/Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani pranoi të martën Letrat Kredenciale të Nuncit të ri Apostolik,  Kryeipeshkëvit Charles John Brown, rezident në Tiranë.  Më 9 mars të këtij viti, Papa Françesku e emëroi atë në këtë detyrë, si përfaqsues të Vatikanit në Shqipëri.  I përndershmi Brown, me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, para se të emërohej në postin apostolik në Tiranë, ka shërbyer në Irlandë si Nunc Apostolik dhe njëkohësisht mban edhe titullin si Kryeipeshkv i Akuileas.  Irlanda ishte posti  tij i parë diplomatik.  1 ok Charles John Brown

Imzot Charles John Brown, ka lindur në Nju Jork, më 13 tetor 1959.  Ka kryer studimet në degën e historisë, në Universitetin e njohur Notre Dame të shtetit Indiana, në SHBA.   Më pas ka vazhduar teologjinë në Universitetin e Oksfordit në Angli dhe është specializuar në Studime Mesjetare në Universitetin e Torontos, në Kanada, për të përfunduar më vonë studimet në Teologji Sakramentale në Universitetin e Shën Anselmit në Romë.  Përfaqsuesi i ri diplomatik në Tiranë, është shugurua meshtar më 13 maj 1989, në Katedralen e madhe të Shën Patrikut, në Nju Jork.  Fillimisht,  ai ka shërbyer si zëvëndës famullitar, pastaj është emëruar Kapelan i Shenjtërisë së Tij Papë, ndërsa në shtator 2009, kryen detyrën si Sekretar i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar.  Që nga viti 1994 është edhe funksionar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.  

Besoj se gjatë shërbimit të tij në New York, është e pamundur që të mos ketë qenë në kontakt me komunitetin shqiptaro-amerikan, sidomos me komunitetin katolik, i cili i ka pasur gjithmonë dyertë e hapura të Katedralës së Shën Patrikut, si komunitet në përgjithsi dhe pa dallime feje.  Kështuqë, përfqsuesi i ri diplomatik i Vatikanit në kryeqytetin e shqiptarëve duhet të ketë  ditur diçka më shumë për kombin shqiptar dhe për historinë e kishës shqiptare, para se të emërohej Nunc Apostolik në Shqipëri.

Sipas zëdhënsit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Dom Gjergj Meta, nunci i ri mbërriti të dielën në Shqipëri, ku u prit nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, nga ipeshkvijtë dhe kleri vendas. Përfaqsuesi i ri i Vatikanit në Tiranë, fjalët e para që ka thënë me të arritur në kryeqytetin shqiptar ishin se, kishte takuar para disa javësh Papën Françesku, i cili i emocionuar i ka thënë: “Po të dërgoj në një komb të martirizuar.  Mos rri i mbyllur në nunciaturë por dil e tako njerëzit, kishën lokale. Shko në periferitë për të takuar njerëzit.”

Në portalin peregrinus.al, Imzot Charles John Brown citohet të ketë thënë gjithashtu se takimi midis tij dhe Kryetarit të shtetit shqiptar, Z. Bujar Nishani – me rastin e paraqitjes së Letër-Kredencialave, ishte shumë i ngrohtë, ndërsa është shprehur, njëkohsisht, se ndjehej shumë entuziast për detyrën e tij të re në Shqipëri.  Si përfaqsues diplomatik i Vatikanit me titullin “Nunc Apostolik” në Shqipëri, Imzot Brown do të jetë përfaqsues i Selisë së Shënjtë pranë shtetit shqiptar por siç e cilëson radio Vatikani, edhe “krahu i zgjatur i Papës” pranë Kishës Katolike Shqiptare.

Siç dihet, Shqipëria dhe Vatikani gëzojnë midis tyre marrëdhënie diplomatike shumë miqësore, të shkëlqyera, mund të thuhet.  Vitin që kaloi,  shënuan 25-vjetorin e rivendosjes së këtyre marrëdhënieve (7 shtator, 1991), pas rënjes së komunizmit dhe pas një historie persekutimesh dhe martirizimit të Kishës Katolike Shqiptare, për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Lidhjet e kombit shqiptar me Selinë e Shenjtë janë shekullore dhe historike.  Pothuaj të gjithë udhëheqsit shqiptarë të periudhës post-komuniste kanë vizituar zyrtarisht dhe privatisht Vatikanin, ndërsa Papa Gjon Pali i dytë dhe Papa Françesku janë dy udhëheqës të Kishës Katolike që kanë vizituar Shqipërinë pas shëmbjes së komunizmit.  Gjatë vizitave të tyre, ata kanë shfaqur nderimin dhe kanë deklaruar respektin e tyre për bashkjetesën që ekziston midis shqiptarëve të të gjitha feve, duke e theksuar tolerancën fetare midis shqiptarëve, si një shembëll bashkjetese fetare, madje edhe në nivel ndërkombëtar.  

Marrëdhëniet e ngushta midis Vatikanit dhe Shqipërisë, duke marrë parasyshë historinë e persekutimit të fesë nga regjimi enverist, tregojnë se me vullnet të mirë, gjithçka është e mundur në këtë botë.  Gjithçka ngjallet e përtrihet dhe se arsyeja, megjithëse për fat të keq e kishte humbur drejtimin gjatë regjimit komunist, më në fund e ka gjetë rrugën dhe na bën të besojmë se e drejta dhe e mira triumfojnë, përfundimisht, mbi të keqën.  

Ndonëse marrëdhëniet zyrtare midis Vatikanit dhe Shqipërisë shënuan 25-vjetorin e themelimit të tyre shtatorin që kaloi, marrëdhëniet e Arbërit me Vatikanin dhe udhëheqësit e Kishës Katolike gjatë shekujsh, janë aq të vjetra sa edhe historia dy mijë vjeçare e ekzistencës së Kishës Katolike.  Vatikani ka inkurajuar vazhdimisht përpjekjet dhe dëshirën e kombit shqiptar për të gjetur më në fund vendin e vet aty ku i takon, në rradhë me kombet e tjera europiane — aty ku e ka pasur gjithmonë vendin.  Selia e Shënjtë gjithashtu ka promovuar si shembull të mirë, për mbarë botën, bashkjetesën fetare midis shqiptarëve.  Fatbardhësisht, nuk është feja as marrëdhëniet fetare midis shqiptarëve ato që ndalojnë integrimin e plotë të Shqipërisë në organizmat euro-atlantike, por janë grindjet, mosmarrveshjet dhe mos-toleranca politike, midis partive të pozitës dhe opozitës, ato që po pengojnë tmerrsisht zhvillimin normal të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe që po e çon kombin drejtë një katastrofe të paparashikur.

Shqipëria dhe kombi shqiptar i shumë vuajtur nga ajo që Papa Françesku e ka cilësuar si “ideologjia e së kaluarës”, ka nevojë për një fillim të ri, për tolerancë më të madhe politike dhe për një diskurs më njerëzor dhe komunikim të respektshëm në radhët e politikës.

Shqipëria gjeti mënyrën, më në fund, që të rivendoste — dhe për më shumë se një çerek shekulli — të zhvillojë marrëdhënie diplomatike që konsiderohen si të shkëlqyeshme dhe miqësore me Vatikanin, të cilin ish-regjimi komunist i Enver Hoxhës e konsideronte si qëndrën e “obskurantizmit botëror”.  Si është e mundur, që siç është shprehur edhe Papa Françesku për të gjitha besimet që jetojnë dhe veprojnë në, “vëllazëri mes tyre” në Shqipëri, që kjo të mos ndodhë edhe në radhët e klasës politike shqiptare, ashtuqë kombi i rimëkëmbur shqiptar të ecën më në fund drejt integrimit euro-atlantik.  Marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Shqipërisë dhe Vatikanit duhet të jenë shëmbull se sa do të acaruara dhe armiqësore, historikisht, të jenë marrëdhëniet midis shteteve (siç ishin dikur mes Shqipërisë dhe Vatikanit) ose edhe individëve dhe kundërshtarve politikë — pajtimi është gjithmonë i mundshëm dhe i preferueshëm.

Urojmë që marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis Vatikanit dhe Shqipërisë – dikur kundërshtarë të përbetuar ideologjikë – të shërbejnë si shëmbull se çfarë mund të arrihet me respekt, tolerancë dhe bashkpunim me njëri tjetrin, jo vetëm në nivel ndërkombëtar por edhe në nivel kombëtar.  Me këtë rast le të bashkohemi me ambasadën e Shqipërisë në Vatikan dhe t’i, “Urojmë punë të mbarë dhe suksese Nuncit të ri Apostolik në Tiranë, në forcimin e mëtejshëm të marrëdhieve shekullore të popullit shqiptar me Selinë e Shenjtë”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, I VATIKANIT, ne Shqiperi, PËRFAQSUES I RI

“O sa mirë”! Me fy shqiptarë!

May 10, 2017 by dgreca

Nga  Enver Bytyçi/ Kur ish-kryeministri i Serbisë, Vladan Gjorgjeviç, shkroi dhe botoi në vitin 1913 veprën e tij “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha”, ku i paraqet shqiptarët si njerëz me bisht, të cilët ngjiten pemëve si majmunë dhe ushqehen ende si ne rendin primitiv me frutat e pemëve të egra. Madje i quante lëkurkuqë të një rrace jashtëtokësorësh, “prej të cilëve Europa duhej të të kishte frikë”. E bënte këtë në momentin vendimtar për shtetforimin e Shqipërisë, ndaj dhe kishte si qëllim kryesor t’u mohonte shqiptarëve të drejtën e shtetformimit! Asokohe e gjithmonë Serbia ka përdorur këtë fyerje të madhe për t’i ndarë shqiptarët nga Europa dhe Perendimi e për t’i lënë ata në mëshirën e fatit, një popull e një komb pa identitet, pa histori, pa gjuhë, pa kulturë, pa traditë sociale e shtetformuese! E kam lexuar këtë vepër dhe çuditesha se si një punim i tillë kishte marrë statusin e një studimi antropologjik, për t’u përkthyer më pas në disa gjuhë të huaja e për të zënë vend në të gjitha bibliotekat e Perendimit, në universitete, në institute, në bibliotekat private e kudo, duke krijuar tek të huajt kontaktin e parë “të ufove shqiptarë me botën e civilizuar”! Por nuk shprehja habi se një ish-kryeministër i Serbisë kishte marrë përsipër që përmes një vepre të tillë të denigronte deri në racizëm kombin shqiptar, me qëllim që të ndalej shtetformimi në hapësirën e tij. Surpriza vjen tani, mbas më shumë se një shekulli. Jo nga Beogradi, por nga vetë shqiptarët, nga Prishtina. KTV e Kosovës jep prej kohësh një shou tyeleviziv të titulluar “O sa mirë”! Në edicionin e 104 të këtij shou vjen në skenë një pasazh kur një aktore futet në klasën e mësimit dhe ankohet tek mësuesja për dy shoqet e saj të dhomës. Njëra prej tyre quhet Xhbane dhe regjizori e ka përcaktuar si një vajzë tropojane. Vajza që ankohet bën këtë dialog me mësuesen: …Unë nuk muj me flejt me ato të dyja…njëra endet tan natën jerëm, tjetra e bën objektin (m.. tin) në dhomë…ë Ndërsa mësuesja, Jana Hajdari, thotë: “Ah e ke fjalen per Xhbanen? Dëgjo shpirt, e di kur duhet të bëhesh merak ti për atë? Kur ta shohësh Xhbanen duke akorduar një violinë ose, mos o zot, duke kënduar një arje. Po, këto, këto që thua ti Xhbanja i ka në gjak shpirt! Ajo ka lindur në shpellë! Ajo lufton me ariun, me ujkun! Ajo bën zjarr me ashkla, çan gurët, han telat me dhëmbë…”!!! Një dialog si ky, edhe pse në sens humori, në fakt nuk i le asgjë mangut akuzave, përbuzjes, fyerjes që Vladan Gjorgjeviç u bën shqiptarëve, përveçse në këtë dialog nuk flitet për shqiptarët në tërësi, veçse për një krahinë të Shqipërisë së Veriut. Edhe Gkorgjeviç “studimin e tij e shtrin deri në Dibër. Por në rastin e tij kjo fyerje ka marrë nofkën racizëm serb kundër shqiptarëve. Ndërsa në rastin e “O sa mirë”!, është vështirë çfarë emri mund ‘ti vemë?! Fatkeqësisht kjo ndodh në një ekran televiziv me shikues të shumtë në Prishtinën e shumëvuajtur nga racizmi, ksenofobia dhe diskriminimi! Ndodh në kryeqytetin e patriotizmit të shqiptarëve, në njërën prej tri kryeqendrave të kulturës shtetformuese të shqiptarëve! Ndodh në fillimin e shekullit të XXI dhe jo në fillimin e shekullit të XX! Po nuk ndodh një fyerje dhe ndarje e tillë vetëm në Prishtinë. Mund të jesh njeriu më i sukseshëm në art, në kulturë, në letërsi, në veprimtarinë sociale, në fushën akademike, madje përtej kufijve të Shqipërisë, por sipas shumë shqiptarëve dhe nëse je gjeni, po je nga Veriu, “nuk di të bësh shtet”, “nuk di të qeverisësh”, “je i prapambetur”, “je arkaik, alpin, malok i trashë…”! Kjo paranojë që lidhet kryesisht me pushtetin dhe për këtë arësye hidhet në shoun homoristik, vjen në skenë, sepse përdoruesi i kësaj skeme është i palumtur, ndjehet i kërcënuar, e njëkohësisht bëhet i pamëshirshëm në mjetet që zgjedh për denigrimin kolektiv të atyre “që e kërcënojnë” në mbretërinë e pushtetit të tij. Nisur nga një premisë e tillë vijnë e shfaqen epitete fyese të vazhdueshme. Më të përdorshmet janë fjalët e përzgjedhura me metodën e djallit si “malok” (Noli), ose “alpin” (Rama), ose arkaikë (Nano). Maloku, alpini arkaiku, gega janë gjithnjë njerëz “me bisht”, që luftojnë “me ariun e me ujkun, bëjnë zjarr me ashkla, çajnë gurët, hanë telat me dhëmbë…”!!! Kësisoj përgjatë e pas një shekulli i shohim ende bashkë sllavët antishqiptarë dhe shqiptarët e etur për pushtet! Ndaj “malokët” përshkruhen si një “rracë primitive”, e cila nuk di e nuk mund “të bëjë shtet”! Refreni i kohës së sotme është “Në bëjmë shteeet”! Antiteza është e lexueshme: “Ata për një muaj do të rikthejnë rrëmujën, nëse fitojnë zgjedhjet”! (Nëse do të merrnin pjesë në zgjedhje! Ky soj politikanësh e krijuesish ksenofobë, megjithëse deri në mbrëmjen e 24 marsit 1999 ishin kundër shkëputjes së Kosovës nga Serbia, u shndrruan brenda natës në të kundërtën e vet. U bënë lavdiplotit e çlirimit të Kosovës nga Serbia. Ndërsa sot janë aktorët më të mëdhenj të projektit të krijimit të Jugosllavisë së re, me Shqipërinë në përbërje të saj. Ky soj politikanësh dhe intelektualësh dallkaukë ka ardhur deri në këtë gjendje me dy mjete: Me demagogjinë e propagandës se “di të bëjë shtet”! Dhe me përdorimin e mjeteve të dhunshme e përçarjes kombëtare, si forma më dobiprurëse për marrjen dhe sundimin e gjatë të pushtetit të tyre! Fatkeqësisht ky soj politikanësh, krijuesish e intelektualësh vihen me inferioritet në bashin e “Odës së Burrave të Kosovës”?! Ndërkaq shou televiziv “O sa mirë” nuk është tjetër veçse shprehje e këtij inferioriteti në favor të antishqiptarëve të shndërruar në nacionalistë të thekur, me qëllim mashtrimin dhe tërheqjen e disa prej elitës së Kosovës në projektet e veta hileqare të Jugosllavisë së Re! Nëse vemë re me vëmendje këto lidhje e ndikime, atëherë do të shohim se fryma enveriste dhe fryma jugosllaviste bashkëpunojnë me zell e mjeshtri të paparë midis tyre. Produkt i kësaj fryme është linçimi i atyre që kundërshtojnë këto dy rryma në Shqipëri e në Kosovë. Këta kundërshtarë janë tashmë në rolin e atyre personazheve që Vladan Gjorgjeviç i vinte në lojë dhe i fyente ethshëm në vtin 1913. Shqiptarët nuk fyhen më aq shumë prej Beogradit, sa fatkeqësisht prej enveristëve në Tiranë dhe titistëve në Prishtinë. Enveristë e titistë janë bërë bashkë për të promovuar Titon e sotëm, Aleksandër Vuçiç dhe bashkë me të për të realizuar projektin euro-rus të krijimit të Jugosllavisë së Re. Qëllimi është i njëjtë: Pushteti dhe përdorimi I tij për pasuri, lakmi, makutëri, e harbutëri! Por kjo gjendje e trashëguar nga serbët dhe e rinovuar në kohët e sotme në një formë tjetër nga shqiptarët enveristë e titistë, ka krijuar një situatë ndarjesh dhe vuajtjesh të qarta patologjike. Nëse do ta lejojmë këtë sëmundje të egos së pushtetit që të thellojë më tej ndarjen, urrejtjen dhe egërsinë përçmuese midis shqiptarëve, do të duhet të përgatitemi për të përballuar një gjendje pakënaqësie e cila për pak mund të shndërrohet në konflikt. Tiranë, më 10.05.2017

Filed Under: Politike Tagged With: “O sa mirë”!, Enver Bytyci, Me fy shqiptarë!

KOSOVË-KUVENDI RRËZOI QEVERINË

May 10, 2017 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës, mungesë votash për mosrrëzimin e qeverisë së koalicionit të dy partive më të mëdha/1 kuvendi rrezim qev

-Kuvendi i Kosovës shpërndahet dhe nuk mund të ketë seancë e votim për demarkacionin/

-Kuvendi në seancë mocioni mosbesimi për qeverinë, në një ditë të gjatë politike pritjesh edhe për zhvillime tjera/

PRISHTINË, 10 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme me replika e përplasje të mëdha edhe mes partnerëve kryesorë të koalicionit të dy partive më të mëdha nuk kishte vota të mjaftueshme për “mbrojtjen” e qeverisë së udhëhequr nga LDK nga rrëzimi – mocioni i mosbesimit të opozitës, të përkrahur me vota e deklarime edhe nga partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK.

Qeveria e kryeministrit Isa Mustafa u rrëzua me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallën e seancës së Kuvendit të Kosovës  ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh.

“Shihemi në zgjedhje të reja të parakohëshme”, ishte mesazhi i fundit i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të legjislaturës që përfundon mandatin edhe me akuza e kundërakuza për njëri-tjetrin.

Kuvendi i Kosovës nisi sot me vonesë rreth 45 minutëshe një seancë plenare, të paralajmëruar për në orën 10:00, me të vetmen pikë në axhendë: “Shqyrtimi i Mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupet parlamentare: Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mbështetur nga 42 deputetë”.

Për të rrëzuar qeverinë duheshin së paku edhe 19 vota për të arritur numrin 61 – një më shumë se gjysmën e Kuvendit të Kosovës me gjithësej 120 deputetë. Ndërkohë që deri në mëngjesin e sotëm nuk kishte deklarime tjera publike për votë pro mocionit të mosbesimit, votimi rriti numrin e votave kundër qeverisë apo për t’i dhënë fund udhëheqjes së saj nga partia e dytë me numrin e deputetëve-LDK, ndërsa pritej edhe çfarë do jetë qëndrimi i partisë së parë-PDK, e cila ditën e sotme politike në Kosovë, që pritet të jetë e gjatë edhe me zhvillime tjera, e ka nisur me një takim të udhëheqjes për të marrë vendime për çështjet e aktualitetit. Vendimin e PDK-së për mocionin e mosbesimit për qeverinë e bëri të ditur grupi parlamentar i saj gjatë seancës së Kuvendit, vonesa e të cilit në një takim vonoi edhe nisjen e seancës.

Në Kuvendin e Kosovës aktualisht Partia Demokratike e Kosovës kishte 36 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 33, Lëvizja Vetëvendosje 16, Lista Serbe 11, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8, Gjashtë Plus (i komuniteteve pakicë) 6, Nisma për Kosovën 6, ndërsa pa grup parlamentar ishin 4 deputetë.

Qeveria e Kosovës pas shtyrjes së mbledhjes së të hënës së kësaj jave, ku sipas axhendës pritej procedimi i demarkacionit, ka parlajmëruar se do e mbajë pas ditës së sotme të seancës së Kuvendit të mocionit të mosbesimit. Por Kuvendi i Kosovës shpërndahet dhe nuk mund të ketë votim për demarkacionin.

“Pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u arrit dakordimi që mbledhja e kabinetit qeveritar ku do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të mbahet pas seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të zhvillohet të mërkurën”, bënte të ditur komunikata e të hënës dërguar nga qeveria e drejtuar nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Ndërsa, në një komunikatë mbrëmë dërguar nga Kuvendi i Kosovës theksohej kërkesa që të procedohet me demarkacionin këtë të mërkurë para mocionit të mosbesimit të qeverisë.

“Në rast të mos procedimit të demarkacionit para mocionit ndaj qeverisë, duhet të lëvizet përpara në rrugëzgjidhje tjera”, paralajmëronte komunikata e dërguar  nga Kuvendi i Kosovës, i drejtuar nga lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

Projekligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi ishte në axhendën e Kuvendit të Kosovës në seancën e 1 shtatorit 2016, por u tërhoq nga qeveria derisa opozita e kundërshtonte edhe me protesta e mungonte Lista Serbe dhe nuk ishte e sigurt se për miratim do arriheshin të paktën 80 vota.

Ky numër i nevojshëm i votave – dy të tretat e totalit të deputetëve nuk mund të arrihej edhe nëse votojnë pro të gjithë nga grupet parlamentare të dy partitve më të mëdha të koalicionit qeverisës PDK e LDK me gjithësej 69 deputetë, e edhe nëse atyre u bashkohen edhe 6 deputetët e Gjashtë Plus të minoriteteve dhe 4 deputetët pa grup, në numrin total 79 do ishte mangu një votë dhe kjo do pamundësonte ratifikimin e demarkacionit.

Tre partitë opozitare, madje edhe disa deputetë nga maxhoranca, kishin paralajmëruar votim kundër dhe sipas disa deklaratave mosratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi në votimin në seancën e Kuvendit Kosovën e çonte poashtu në zgjedhje të parakohëshme, fillimisht në shpërndarjen e parlamentit.

 

Vetëshpërndarje të Kuvendit të Kosovës kishte edhe në legjislaturën e kaluar, të katërt  në liri, pas kërkesës së nënshkruar nga 57 deputetë, në një seancë të jashtëzakonshme në 7 maj 2014 me 90 vota pro, 4 kundër, 3  abstenime dhe menjëherë u shpallën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në momentin e votimit, prezenca fizike në seancë ishte 111 deputetë nga 120 anëtarët e Kuvendit të Kosovës. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten së paku dy të tretat e të gjithë deputetëve kosovarë. Vendimi i Kuvendit për vetëshpërndarje është përcjellë edhe me duartrokitje të deputetëvëve.

Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, është zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, të cilat ishin të pestat në liri, të dytat në pavarësi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, KOSOVË-KUVENDI, Kuvendi rrezoi Qeverine, RRËZOI QEVERINË

“PUSHTETI I MITIT” I STUDIUESIT AMERIKAN JOSEPH CAMPBELL NË SHQIP

May 10, 2017 by dgreca

-LIBRI BESTSELLER I CAMPBELL VJEN NE SHQIP NGA PERKTHYESI FARUK MYRTAJ/Kopertina Pushteti i Mitit jpgDoli nga shtypi nga shtëpia botues “Milosao” bestselleri i fuqishëm “Pushteti i mitit” (me përkthyes prozatorin e mirënjohur Faruk Myrtaj) i studiuesit amerikan Joseph Campbell, në një analizë të shkëlqyer të bashkëjetesës së njeriut me mitet, besimet dhe bestytnitë e krijuara në shekuj prej tij.Për autorin mitologjia ështe kënga e Universit, muzika e sferave. Pushteti i mitit është një spjegim vezullues i botës letrare të shpirtit,thuhet në pasthënien e librit. Autori është hartuesi i veprave me studime të mrekullueshme për mitet dhe temat e lidhura me to. Është shumë i njohur në SH:B.A. libri “Atlasi historik i mitologjisë së Botës” si dhe “Mitet dhe simbolet në artin indian dhe civilizimin”,”Mbreti dhe kufoma”, “Filosofitë indiane”, “Mitet, ëndrrat, feja”, “Heroi me njëmijë fytyra” dhe shumë libra të tjerë janë disa nga veprat e tij. Libri që po paraqesim është konceptuar si një bisedë me gazetarin e mirënjohur Bill Moyers, nga fillimi deri në fund. Të dy plotësojnë njeri tjetrin duke analizuar fenomenet mitike nga kahe të ndryshme. Bill Moyers, në hyrjen e këtij libri thotë:”Ai shkroi dhe editoi rreth njëzetë libra, më shërbeu si mësues në përvojën time, si pasuri e rrallë në njohjen e botës dhe në imazhet e gjuhës, dhe unë do doja që edhe të tjerë ta përjetonin këtë eksperiencë me një mësues si ai, gjithashtu. Kështu, dëshira për të ndarë këtë thesar të njeriut që inspiroi serinë e PBS time (Public Broadcasting Service) dhe këtë libër.
         Një gazetar, siç thuhet, i gëzohet një license për t’u arsimuar në shkolla publike; ne jemi me fat në mundësinë t’i kalojmë ditët tona në kurs të vazhdueshëm edukimi, edhe si të rritur. Por, askush s’ më ka mësuar mua më shumë se Campbell dhe kur ia thashë atij, dukej se i duhej të përballo-nte përgjegjësinë për çfarëdo rridhte prej pasjes mua nxënës. Qeshi dhe citoi një Romak të vjetër: “Fatet prijnë atë që do; atë që nuk do që fatet ta tërheqin zvarrë.”

Ai mësonte, siç mësuesit e mëdhenj mësojnë, përmes shembullit të vetë. Nuk ishte mënyrë e tij të përpiqej të fliste me dikë për gjithçka (përveç një rasti, kur ai i shkoi pas Jean, të martohej me të!). Predikuesit gabojnë, thoshte, duke dashur të flasin me njerëzit mbështetur tek besimi; më mirë të shpërfaqin rrezatimin e zbulimit të tyre vetjak.”

Si e shfaqte ai gëzimin për të mësuarin dhe për jetën?

Matthew Arnold besonte që kritika më e madhe është “të dish më të mirën e njohur dhe menduar në botë, dhe përmes shndërrimit të saj në të vërtete të kohës dhe të ideve të reja.” Kjo është ajo që Campbell bënte. Ishte e pamundur ta dëgjo-je – vërtetë ta dëgjoje atë- pa kuptuar në vetëdijen tënde më të thellë një joshje të re jete, rritjen e imagjinatës tënde vet-jake.

Ai binte dakord që “ideja prijëtare” e punës së tij ishte të gjente “të përbashkëtën, ngjashmërinë e temave në botën e miteve, duke u orientuar për një kërkim konstant në psikikën njerëzore dhe për fokusim ndaj principeve të thella.”

“Ju e keni fjalën për kërkimin e kuptimit të jetës?” e pyeta.
“Jo, jo, jo,” tha ai. “Për eksperiencën e qenies së gjallë.”
Isha shprehur se mitologjia është një hartë e brendshme eksperience, skicuar prej njerëzve që e kanë përshkuar atë udhë. Dyshoja se ai do të bashkohej me këtë përcaktim prozaik gazetaresk. Për të, mitologjia ishte “kënga e universit”, “muzika e sferave” – muzika që vallëzojmë edhe kur nuk arrijmë të saktësojmë tonin. Jemi duke dëgjuar refrenin e këngës, “nëse dëgjojmë me kënaqësi të ftohtë për mumbo jumbo-t, gjepurat e ndonjë doktori magjistar në Kongo, lexojmë me ekzaltim të kultivuar përkthimet prej soneteve të Lao-tsu, hera herës thyejmë guaskën e ashpër të një argumenti të Aquinas, ose kapim befas shkëlqimin e kuptimit të një përralle bizare me gjigand Eskimez.”

Ai imagjinonte që ky kor i madh kakofonik filloi kur paraardhësit tanë të hershëm nisën të rrëfejnë ngjarje për njeri tjetrin, në lidhje me kafshët që vrisnin për ushqim dhe për botën e mbinatyrshme, ku kafshët shkonin pasi vdisnin. “Atje përtej, diku,” përtej fushëpamjes së ekzistencës, ishte “zoti i kafshëve të pyllit”, që mbante fuqinë mbi jetën dhe vdekjen; nëse dështonte të kthente mbrapsht bishat për t’u sakrifikuar sërish, gjahtarët dhe familjet e tyre do të vuanin urie. Kështu, shoqëritë e hershme mësuan që “esenca e jetës është që ajo gjallon duke vrarë dhe duke u ushqyer; ky është misteri i madh me të cilin mitet kanë të bëjnë.” Gjuetia bëhej rituali i sakrifikimit dhe gjuetarët, në kthim, performonin aktet e shpërblimit, kompensimit për shpirtrat e ikur të kafshëve, duke shpresuar t’i kandisin që, në kthimet e tyre të mëvonshme, të sakrifikoheshin sërish. Bishat e pyllit janë vështruar si emisarë prej botës tjetër, që Campbell vinte në përfundimin se “një akord i mrekullueshëm, magjik” ngrihej mes gjuetarit dhe gjahut, sikur të ishin kyçur në një cikël vdekje “të pa-kohë, mistik”, varrosur dhe ringjallur. Arti i tyre – pikturat në muret e shpellave – dhe literatura gojore dhanë formën për impulsin që ne tani e quajmë religjion.”
Libri ka 368 faqe dhe kushton 1000 lekë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Faruk Myrtaj, Joseph Campbell, Pushteti i Mitt

AMBASADA AMERIKANE:KUJDES NGA PROTESTA E 13 MAJIT NE TIRANE!

May 9, 2017 by dgreca

* Security Message for U.S. Citizens: Large political protest planned in Tirana, Albania on May 13, 2017/

ambasada amerikane*Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët amerikanë për protestën e 13 majit/Ambasada amerikane në Tiranë njofton qytetarët amerikan në Shqipëri për një protestë të madhe politike të planifikuar për më 13 maj 2016.Protesta sipas ambasadës, nis nga ndërtesa e selisë së Partisë Demokratike e Shqipërisë dhe përfundon tek ndërtesa e kryeministrisë.Ambasada thotë se nga protesta preket edhe trafiku rrugor, ndërsa u kërkon qytetarëve amerikanë që të jenë të kujdesshëm dhe të monitorin raportet e medias.Sipas deklaratës, “Ambasada e SHBA-së nuk ka informacione për ndonjë kërcënim specifik ndaj shtetasve apo interesave të SHBA”.Ambasada u kujtoj qytetarëve amerikanë se demonstrimet dhe ngjarjet e mëdha synojnë të jenë paqësore mund të kthehen në konfrontime.“Shmangni zonat e demonstratave dhe ushtroni kujdes nëse ndodheni në afërsi të ndonjë tubimi të madh, protestave ose demonstrimeve. Tubimet e mëdha publike mund të ndikojnë në të gjitha arteriet kryesore hyrëse të qytetit”, thuhet në reagim.

Njoftimi i plotë:

Ambasada Amerikane në Tiranë njofton qytetarët amerikanë se një protestë e madhe politike është planifikuar të zhvillohet më 13 maj 2017, e cila nis te selia e Partisë Demokratike Shqiptare dhe përfundon para Kryeministrisë.Qarkullimi rrugor mund të preket nga protesta. Ju lutemi që të ndiqni raportimet në media dhe të ndryshoni planet për atë ditë.Ambasada Amerikane nuk është e shqetësuar për ndonjë kërcënim konkret ndaj qytetarëve apo interesave amerikane.Ambasada u rikujton shtetasve amerikanë se edhe demonstratat me qëllime paqësore mund të kthehen në konfrontime.Shmangni sheshet e protestës dhe qëndroni larg vatrave, apo tubimeve të tilla. Turma me njerëz mund të ketë në të gjitha rrugët kryesore të qytetit.Protestat në një qytet mund të prekin ose shkaktojnë protesta edhe në qytete të tjera të vendit.Rishikoni planet tuaja; qëndroni vigjilent dhe ndiqni raportimet më të fundit në media. Sigurohuni që të ndiqni të gjitha hapat e nevojshme për sigurinë tuaj personale.Qytetarët amerikanë duhet t’i shmangin vatrat e protestave. Edhe ato me qëllime paqësore mund të kthehen në konfrontime të dhunshme.

***

Security Message for U.S. Citizens: Large political protest planned in Tirana, Albania on May 13, 2017 | U.S. Embassy in Albania/

The U.S. Embassy informs U.S. citizens that a large political protest is planned for May 13, 2017, beginning at the Democratic Party of Albania (DP) headquarters building and ending at the Prime Minister’s office building in Tirana, Albania. Traffic patterns may be affected.  Please monitor media reports and adjust plans as needed.  The U.S. Embassy is not aware of any specific threats against U.S. citizens or interests.

The Embassy reminds U.S. citizens that even demonstrations and large events intended to be peaceful can turn confrontational.  Avoid areas of demonstrations, and exercise caution if in the vicinity of any large gatherings, protests, or demonstrations.  Large public gatherings can affect all major incoming arteries to the city in which they occur.  Demonstrations in one city have the potential to lead to additional public rallies or demonstrations in other locations around the city and country.

 

Filed Under: Komente Tagged With: 13 Maj, Ambasada amerikane, Kujdes, Protesta, Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT