• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2017

Skulptori Vasil Rakaj:SECILI KA NJE ENDERR….

December 15, 2017 by dgreca

Intervistoi për Gazetën “Dielli”: Tom Therçaj/

Martin Luther King Jr.Portret, Nënë TerezaVasil Rakaj, Tom TherçajMartin Luther King Jr. (Bocet)Kompozim, Gruaja qe mban botenNënë Tereza, Prishtinë, vepër e V. RakajSkulptori V. Rakaj me organizatorëtGjatë proçesit krijues

 Ka kaluar më shumë se një gjysëm shekulli nga viti 1963, kur ne Washington D.C., Martin Luther King Jr. mbajti fjalimin historik që do të shndërronte përgjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Unë kam një ëndërr” (I have a dream). Skulptori i njohur Vasil Rakaj asokohe ishte vetëm 10 vjeç, në moshën kur ënderrat kanë vetëm dimensione fëminore.Ënderra e lirisë, ënderra e barazisë dhe të tjera ënderra të guximshme do të lindnin e do të bëheshin realitet vite më vonë. Tashmë, Rakaj prej 2 dekadash punon dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Autori i monumentit të Shenjtores Nënë Tereza dhe i shumë veprave të tjera, fitues i disa çmimeve, është përzgjedhur për të realizuar bustin kushtuar aktivistit të famshëm për të drejtat e njeriut, Martin Luther King Jr.

Zoti Rakaj, ju jeni autori i veprave të dy personaliteteve me famë botërore: Shenjtores Nënë Tereza dhe aktivistit Martin Luther King Jr. Pse pikerisht kjo perzgjedhje?

 –Qe ne fillim dua te them se jane realizime qe me bejne te ndihem krenare. Janë dy vepra  me  dy histori të ndryshme dhe shumë interesante. Idea për realizimin e monumentit të Nënë Terezës ishte një nismë private e vëllezërve Gojçaj, shqiptarë nga Mali i Zi me banim në SHBA. Ndërsa busti i King është një nismë  me shume institucionale.

Them histori interesante sepse në vitin e trazuar 1997, kur ne Shqiperi shumë njerëz rrëmbyen armët ne ate rrebelim masiv pas renies se firmave piramidale, unë i kaloja ditët e pothuajse edhe netët brenda studios.

Vëllezërit Lekë e Pashko Gojçaj, ishin njohur me krijimtarinë time, e sidomos portretin në dru të Nënë Terezës që ishte paraqitur në konkursin tematik kushtuar bamirëses shqiptare në Galerinë Kombëtare të Arteve në vitin 1996. Edhe pse mora çmimin e tretë, nga ai çast pata privilegjin dhe nderin të quhem skulptori i Nënë Terezës.

Vëllezërit Gojçaj më përzgjodhën dhe financuan realizimin e monumentit të Nënë Terezës që do të vendosej në Tuz (Mali i Zi), Prishtinë (Kosovë), Detroit dhe New York (SHBA). Kjo më bëri autorin e parë në botë që përjetësoi në skulpturë Nënë Terezën. Sic dihet Nene Tereza, me thjeshtesine dhe  modestine qe e karakterizonte, nuk donte te flitej per te, nuk lejonte ti ngriheshin monumente.  Kanë kaluar dy dekada nga ajo kohe  dhe tematika kryesore në punimet e mia është kjo Shenjtore me origjinë shqiptare.

Si u përzgjodhët për të realizuar veprën për Martin Luther King Jr.?

-Shoqata e Skulptorëve në Connecticut ku jam anëtar prej shumë vitesh, pasi kam marrë pjesë në shumë ekspozita, rekomandoi disa artistë mes të cilëve bëja pjesë edhe unë mes te cileve do te perzgjidhej autori i bustit te Martin Luterit…Bashkë me disa vepra për Nënë Terezën dhe portrete të figurave historike shqiptare, prezantova edhe projektin për bustin e King (bocet), te cilat si te thuash ishin si  nje pasaportë e identitetit tim krijues. Siç duket, kisha qëlluar në shenjë.Nuk vonoi dhe brenda pak ditësh më trokitën në studio një grup prej 10 vetë ku bënte pjesë edhe kryetari i bashkisë së qytetit Ansonia (Connecticut)  ku jetoj, , David Cassetti. Të tjerët ishin përfaqësues të komunitetit, organizatorë për realizimin e veprës që do të vendoset pranë bashkisë së qytetit të Ansonias. Ata  nuk kishin ardhur rastesisht, por per te sjelle lajmin e mirë që kishin  përzgjedhur mua. Ishim të gjithë të gëzuar e nuk di se kush më shumë, unë si artist, qe do te isha autori i vepres, apo ata që kishin trokitur në studion e duhur.

Ja dedikoni fatit apo talentit  këtë perzgjedhje që do ta dëshironte çdo artist?

– Nuk jam nga ata njerez qe besoj shume tek fati. Asgje nuk te dhurohet po nuk e meritove. Por nëse do t’i referohem dikuj, parasegjithash  ia dedikoj Nënë Terezës të cilën e ndiej si engjëllin tim mbrojtës. Nuk harroj në asnjë çast të shprehem me zemër se ajo më ka ndryshuar jetën. Është më shumë se një mrekulli që një artist shqiptar i cili në rininë e vet është edukuar nga sistemi komunist me urrejtjen ndaj fesë dhe social imperializmit, të bëhet qytetar Amerikan dhe autor i personaliteteve të shquara si Nënë Tereza dhe Martin Luther King Jr.Dikush qe mund ta lexoje si konfirmim shprehjen time, natyrisht nuk mund ta kuptoje e ndjeje aq thelle sa une. Diktatura, mungesa e lirise, censura kane qene te paimagjinueshme. Kush nuk e ka jetuar ate sistem ne Shqiperi e ka te pamundur te kuptoje persekutimin deri ne palce.

Liria eshte e cmuar per cdo qenie njerzore, por per nje artist dicka me shume.

Gjithsesi per te ardhur tek pergjigja e pyetjes tuaj, ndoshta janë të dyja bashkë, edhe fati, edhe talenti. E kush më shumë mund t’i jepte jetë ëndrrës sime.

Ju thatë që keni paraqitur një bocet që ju shpalli fitues. Diçka më shumë për këtë vepër. 

-Pas shumë konsultimesh në komunitet, institucionet e kulturës dhe bashki, është përzgjedhur fillimi i pranverës së vitit të ardhshëm për të përuruar bustin e Martin Luther King.  Ndërkohë, unë kam hulumtuar shumë mbi figurën e tij, që përherë e më shumë më ka mbushur me frymëzim të ri. Eshte nje personalitet qe te jep vazhdimisht  energji pozitive. Herë pas here organizoj takime me përfaqësues të komunitetit fetar, që janë iniciatorë të veprës. Edhe sot, pas më shumë se një gjysmë shekulli, ata vazhdojnë ta kenë si pikë referimi aktivistin Martin Luther King Jr. Ka kohe qe enderra e tij është realizuar. Amerika është vendi i shanseve të barabarta dhe i dimensioneve të lirisë. Veç ënderra e King mund të ishte aq e guximshme saqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të drejtoheshin për 8 vite nga një Afrikano-Amerikan, si Barack Obama.

Dimensionin e shanseve të barabarta e kam përjetuar çdo ditë në Amerikë, por veçanërisht në përzgjedhjen time  për realizimin e kësaj vepre. Siç dihet ka artistë të shumtë me prejardhje të ndryshme në SHBA. Asnjëri nga organizatorët nuk u ndikua nga bindjet e mia, origjina, as nga ngjyra e lëkurës për të më përzgjedhur si autorin e veprës. E kjo pra eshte Amerika e shanseve te barabarta, Amerika qe enderronte misionari i lirise qe do te perjetesoj edhe me vepren time.

Është interesant  fakti se dikur jetoja në qytetin e Laçit  ku edhe pse fare pranë kishës së Shën Ndout besimin e kisha të shtypur, feja ishte e ndaluar, ndersa sot jam duke realizuar, pas Shenjtores Nënë Tereza, bustin e Nobelistit për Paqen, Martin Luther King Jr.

A keni ndonjë tjetër projekt ambicioz?

-Nje artist eshte gjithnje ne kekim. Ndihem më i motivuar se asnjëherë tjetër. Kam disa projekte paralele. Ndër të tjera, një vepër për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Koleget qe e kane pare  projektin (bocetin) jane entuziasmuar.

Viti 2018 eshte shpallur ne Shqiperi viti i Heroit tone Kombetar Gjergj Kastrioti.

Edhe pse nuk e kam bere publik kete projekt, sic duket permes miqve lajmi eshte perhapur. Keshtu, disa dite me pare, me telefonoi nje koleg, piktori i mirenjohur Gjergj Pali, i cili me ftoi te perfaqesohesha me vepren time tematike ne ekspoziten qe do te hapet ne Ambasaden Shqiptare ne New York.Gjithashtu, kam edhe disa vepra të tjera  monumentale e lirike. Dua te vecoj nje kompozim per gruan, e veshtruar  pertej dimensionit te nenes, si nje force e madhe ne zhvillimin e botes.

 

Filed Under: Featured Tagged With: KA NJE ENDERR...., Skulptori Vasil Rakaj:SECILI, Tom Therçaj

PO MBYLLET VITI I TURPIT

December 15, 2017 by dgreca

PO  MBYLLET  VITI  I  TURPIT:“50  VJETORI I  SHPALLJES  REVOLUCIONIT  KULTUROR – 1967”/

DY  MONSTRAT  E  PAPREKSHME…/1 dy monstra

 6 SHKURT 1967 – KUSH NË EUROPË KA BA MBI POPULLIN E VET ATE SHKA KANË BA KËTA DY TERRORISTË NGA VITI 1941 – 1991 ?!

2018: Afrohet Viti i Gjergj KASTRIOTIT – Skenderbeut.

NGA FRITZ RADOVANI/ AUSTRALI/

“REVOLUCIONI IDEOLOGJIK ANTINJERZOR I 1967”: Diktatori Enver Hoxha “Revolucionin Ideologjik e Kulturor të vitit 1967” e filloi me surratin e vet antieuropian, dhunoi identitetin tonë kombtar tue fillue nga  Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, i cili nga “dr.prof e akademikët” quhet “Skënderbeu Gjergj Kastrioti” (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Botim i Akademisë së Shkencave të RPSSh, Tiranë 1985 fq. 964), vazhdohet: “Heroi Kombëtar i shqiptarëve, strateg e burrë shteti i madh që udhëhoqi luften për pavarësi kunder pushtimit osman,…një nga figurat e shquara të historisë së shek. XV…” Gjergj Kastrioti – Skenderbeu ishte Figura ma e shqueme, dhe jo “një nga figurat e shquara të historisë së shek. XV…” Këtu fillon edhe dhunimi i Tij…

1969: Dhunohet në Vaun e Dejës Kisha ku asht kunorzue Heroi ma i madh i Kombit Shqiptar, pikrisht në 500 vjetorit të vdekjes së Tij. Thëmelet e saj janë e vetmja dëshmi e vjetersisë së saj. Veprat e artit dhe afreskit u shkatrruen… Shkatrruesit e Saj sot shetisin nder bulevardet e Tiranës, ku tregojnë “sesi i vuen dinamitin Kishës…”

Komunistët kudo ku kanë marrë pushtetin, kanë inaugurue terrorizmin në masë si mjet qeverisje. Enver Hoxha në “Fjalimin Programatik” të tij, për thellimin e “Revolucionit socialist” mbi bazen e “mësimeve të panderprera proletare të PPSh”, synon në të gjitha fushat e jetës politike, shoqnore, historike, kulturore dhe arsimore, me ba “spastrimin” e shoqnisë Shqiptare nga të gjitha “mbeturinat e vjetra”. E me shka i zevendsoi ato?!

Enver Hoxha shpallë “Shtetin e Parë Ateist në Botë”…me dekretin 4337: “Shteti nuk njeh asnjë fé dhe inkurajon zhvillimin e propagandës ateiste, për të krijuar të njerëzit botkuptimin shkencor e materialist” Artikulli 37 i Kushtetutes RPSSh, 1976. Tirani anadollak Enver Hoxha persëritë: “Çka thotë partia bën Populli!”… Po PPSh kush ishte? – Enver Hoxha me kriminelët e tij, të byrosë politike…Hysni Kapo, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu dhe i zgjedhuni nga kriminelët e Spanjës Mehmet Shehu, si specialist masakrash per dhunimin e të drejtave të njeriut, per me detyrue njerzit “mos me Besue në Zotin”.

19 MARS 1967, terroristi Ramiz Alia, mbyll perfundimisht Kishat Katolike në Shkoder, tue fillue me Kishen Katedrale të Shkodres. Njëheri fillon edhe dhunimi i vorrezave nder Kisha të Atyne klerikëve që kishin vdekë para vitit 1900 dhe 1944.

Ndoshta, një krim i tillë ishte i panjohun nder shtetet tjera komuniste të Lindjes!

29 PRILL 1967: Atëherë kur nder oborret e shtëpijave të Shkodres ishin vendosë piramidat e kufinit, dhe errsina sllavokomuniste e frika kishte pushtue mendjet e zemrat tona, nga një shtëpi perdhese në Ballabane u ngrit një Burrë, me Kryq per parzem e me penë në dorë na la të daltueme në Gurt’ e Rozafës atë testament që ndoshta gjithë Europa s’ e ka! Ishte i Madhi At Pjeter Mëshkalla S.J., që pa Ju tutë syni i rrethuem nga bishat e egra komuniste në kopshtin zoologjik të Institutit Pedagogjik u tha kriminelëve të pashpirtë, instruktorëve të partisë, “profesorëve dhe intelektualëve të njohur” per kulturen e tyne të gjanë ateiste dhe antishqiptare, po si gjithmonë shumica agjenta sigurimi:

“Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu, a e dini se po bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit?!

Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!”

U ndigjue një za nga salla, ishte “shoku” Xhemal Dini: “Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” – At Mëshkalla ju përgjegj: “Digjeni edhe ju që sonte, ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e po forcohet! Shqiptarët nuk e djegin Ungjillin, këte e them si Shqiptar që jam, mbasi kur kam lindë kam pasë vetëm një emën, ky ishte emni SHQIPTAR, se linda nga prind Shqiptarë… Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e kam mbajtë me nder, asht kenë emni Shqiptar e derisa të vdes, do të jem SHQIPTAR! Unë i përkas  Popullit tem, ai me njeh mirë dhe e di sa kam ba unë për té, por ai  mos harroni se ju njeh mirë edhe ju!”…

5 PRILL 1967 Në letren që At Mëshkalla i shkruen kriminelit Mehmet Shehu i tha:

“… Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni.

Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit.”

19 KORRIK 1967: Gjyqi u zhvillue po, pak kush dinte mbylljen e asaj ngjarje të madhe historike per të cilen vazhdon edhe sot heshtja… E kjo njëditë “do të shkrepin”!

Në fjalen e fundit në gjyq At Mëshkalla tha: “Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prap se prap do të dal, sepse ju shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hangër, e aty asht fund i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë!”

At Pjeter Mëshkalla ia mbërrijti asaj ditë që pat profetizue ma parë. Ai  pa me sy shka paralajmëroi. Diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit dhe këtij nuk patën shka me i ba. Ai dhe Ideali i Tij Fitoi !

Duhej luftue deri në zhdukje botkuptimi fetar me luftë kunder institucioneve fetare që ruenin Fenë në zemren dhe mendjen e Popullit. Me këte detyrë merrej direkt Ramiz Alia dhe servilët e tij Xhemal Dini, Musa Kraja, Jovan Vujoshi, Jup Kastrati, etj.

SEKSIONI KATOLIK në Degen e Mbrendshme në Shkoder, jep orjentimet per zhvillimin e këtij “Revolucioni Ideologjik” Fillojnë arrestimet e pushkatimet barbare…

Eksperienca e viteve 1944 – 48 në Shkoder, kur ishin në qytet  26 BURGJE dhe HETUESI, ku masakrohej inteligjenca dhe Populli Heroik i Shkodres, filloi me dhunimin e Kanuneve dhe objekteve të kultit:

Dhunohet Opera e “Skenderbeut”, me zhdukjen e kompozitorit Prenkë Jakova.

1968: Dhunohet “Kanuni i Skenderbeut” me dënimin me vdekje të Don Frano Illisë.

Dhunohet në Kuvendin e Françeskanëve Troshan, vepra e artit, pikturë me vaj per Gjergj Kastriotin, e cila, vidhet nga Galeria e Arteve në Tiranë, me leje nga shteti.

Shfarosen bibliotekat e klerikëve dhe veprat e artit nder Kishat Katolike të Shqipnisë…

***

KUSH NË EUROPË KA BA ATE QË BANE DY MONSTRAT TONA DHE SOT, ATA TERRORISTË VAZHDOJNË ME KENË “HERONJË TË POPULLIT SHQIPTAR ?!

PRILL 1967: Me porosi të KQ të PPSh dhe të terroristit E. Hoxha, tek Dosja 2291 Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme, prokurori i pergjthshëm Lefter Goga, urdhnon:.. “Hetuesit mund të përdorin torturat më shnjerëzore deri në vdekje të burgosurëve, pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurëve që mund të vdesin në duart e tyre në hetuesi.” Dhe, jo nder pak hetuesi u aplikue kjo shkresë antinjerzore.

Vetem nga viti 1967 – 1990 u pushkatuen dhe u mbyten në tortura:

  1. Imzot Ernesto Çoba (8 Janar 1980)   Don Zef Bici (8 Maji 1968)
  2. Don Mark Dushi (8 Maji 1968)   Don Marin Shkurti (1 Prill 1969)
  3. Don Shtjefen Kurti (20 Shtator 1971)  6. Don Anton Doçi (1973)
  4. Don Mikel Beltoja (10 Shkurt 1974) 8. Don Prek Nikçi (15 Mars 1974)
  5. Don Mark Hasi (11 Shtator 1981)  10. Don Lazer Jubani (29 Korrik 1982)
  6. Don Lec Sahatçija (4 Prill 1986) 12. Don Nikoll Gjini (1987)
  7. Imzot Lazer Sheldija (10 Shtator 1988) 14. Don Pjeter Gruda (13 Janar 1989)

Burgosën, torturohen dhe u dënuen me shumë vite burg e punë të detyrueshme:

  1. At Pjeter Mëshkalla, 25 vjetë burg; Don Mikel Koliqi 38 vjetë;
  2. Don Nikoll Mazrreku 37 vjetë; At Zef Pllumbi 28 vjetë;
  3. Don Simon Jubani 26 vjetë; At Gegë Lumaj 20 vjetë;
  4. At Gjergj Vata 10 vjetë si pasuesit… Don Frano Illija;
  5. Don Ndoc Sahatçija; Don Nikoll Troshani;
  6. Don Zef Simoni; Don Kolec Toni;
  7. Don Ndre Krroqi;            At Anton Luli;
  8. Don Ndoc Ndoja; Don Gjergj Simoni;
  9. Don Marjan Arta; Fra Gasper Jubani;
  10. At Ferdinand Pali; At Aleks Baqli;
  11. At Leon Kabashi; Don Martin Trushi;
  12. Don Nikoll Pergjini interrnohet.

Arrestohet kangtari Lukë Kaçaj; perkthyesit Prof. Nikoll Dakaj e Prof. Mark Dema,  shkrimtarë, artistë… Puntorë dhe besimtarë…E kushdo që mendohet Atdhetarë!

Tragjedia e Popullit Shqiptar vazhdon me mbi 120 varreza të Rinisë vrame në kufinjë.

Vrasjet e 2 Prillit 1991 në Shkoder, tregojnë vazhdimsinë deri tek Rin Monajka në Vjenë.

EUROPË, nuk të lejon kanabis, korrupsioni dhe pasunimi i politikanëve me pa ma larg!

Hypni mbi germadhat e Shtëpijave të Luigj Gurakuqit, At Gjergj Fishtës, Osman Kazazit dhe Kullave të Prekë Calit… E shihni, se vazhdon me kenë e shkrueme…

25 PRILL 1993 Tek Monumenti i Gjergj KASTRIOTIT – SKENDERBEUT:

“Europa duhet t’ a dijë…

“Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…” Papa Gjon Pali II (Sheshi Skenderbeu Tiranë).

            Melbourne, 15 Dhjetor 2017.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, po mbyllet, Viti i Turpit

NJERIU QË NUK E DURON DOT KURRË JETËN E MËRZITSHME E MONOTONE

December 15, 2017 by dgreca

Duke biseduar me një telepati të zakonshme me mikun tim, Qatip Mara, në mëngjesin e shtatëdhjetë vjetorit të tij…/

Nga Xhevair Lleshi

1 qatip Mara

Në Foto: Qatip Mara me mjekun e tij në Nju Jork/

Po. Te ky njeri, që kur ishte djalë i ri, student, se atëherë pata fatin ta njoh, edhe sot që mbush shtatëdhjetë vjeç, vura re një ndjesi të çuditshme: nuk e duronte kurrë jetën e mërzitshme e monotone. Edhe si mendim sepse kurdoherë e e vija re teksa përdridhte hundën, herë-herë edhe kur përhumbte vështrimin dhe gjithnjë më dukej se i vishte vetes mendimet që zgjidhte, sikur donte të ndërtonte gardërobën e fjalëve: fliste dhe flet edhe tani që mban një zemër të re në trupin e tij të shkathët. Bën një mëkat të madh sikur t’ia largosh sadopak këtë gardërobë atij. Njihuni prej meje me të: Qatip Mara, një mësues epope, që të vështron në sy me ngashëri, që gjithnjë e merr me vete kudo që të jetë gardërobën e vjetër dhe të re të fjalëve, spërkatur me aromë trëndeline. Ju nuk besoj ta kini parë ndonjëherë si rritet trëndelina në lëndinat e Kropishtit të tij të vegjëlisë, sepse kjo bimë aromatike dhe e pazëvendësueshme ka qenë edhe bar mole edhe bimë dashurie. Bie fjala i spërkatur me ujë trëndeline mund t’i tërboje vashat e reja në teatrin kombëtar teksa luheshin dramat dhe tragjeditë e mëdha të historisë. Sepse asokohe luanin në skenë të mëdhenjtë e lavdishëm! Dhe pikërisht kjo gardërobë e përzgjedhur fjalësh do ta bënte atë veç të tjerash edhe një mësues të madh, bashkëpunues të pazëvendësueshëm, me të cilin ndjehesh lirshëm, fare shpenguar, se aty sigurisht që je në shtëpinë e fjalëve. Dhe e di mirë: atë gardërobë e mori me vete kudo që shkoi e jetoi : në Armen, në Selenicë, në Greqi (për të fituar jetën dhe për të shëruar të bijën!), në Vlorë e në Tiranë. Edhe tani në New York ai s’di punë tjetër, pasuria e tij e madhe e fjalëve përdoret kur ecën në park, kur shkon në një shkollë, kur shkruan (dhe jo vetëm kujtime të mahnitshme!), kur gjen befas një mik, apo kur i hipën në kokë të endet në botën e bejteve të Labërisë.

Unë e njoh mirë këtë njeri të madh, atë mësuesin idealist të Selenicës, zboristin hokatar të Armenit, që e adhuron të shoqen, edhe ajo një mësuese e njohur por që di aq shumë të kujdeset për gardërobën e fjalëve të burrit të saj, që nuk iu nda as asaj gardërobe edhe atij vetë edhe në udhëtimin e mahnitshëm me aeroplan të posaçëm nga Milano në New York, për të fituar zemrën e re djaloshare. Ky njeri është fare i rrallë, i them nganjëherë si ato speciet në zhdukje, me një kujtesë të llahtarshme, një nga gjërat e spikatura të një njeriu që di ta mbajë me kujdes tharmin e tij të bukur që tani aktualisht është në apogje, sidomos kur pret e përcjell miq apo grupe miqsh, se të gjithë janë adhurues të fjalëve të buta e të egra, të dendura e të rralla. Ai e dashuron jetën më shumë se askush: dhe Zoti ia shpërbleu, e mori dhe e çoi me zemër në dorë (bashkë me bijën e tij të çmuar) në New York-un e madh. E kur u kthye së andejmi me zemrën e re, fluturonte nëpër Tiranë e në Vlorë, kudo, duke folur vazhdimisht, po edhe duke fshirë nganjëherë një pikë lot në cep të qepallës. I mahnitshëm edhe me zemrën e re. Sikur e ndihmuan fjalët, thosha me vete. Ah! Nuk e duronte dot t’i vinte vetes dhe fjalëve këllëf, sidomos nuk e duronte kurrë jetën monotone (as fjalët monotone, as zërin monoton!) sepse i bëhej çdo çast e më shumë e mërzitshme, e lodhshme vetë jeta. Ndaj dhe ishte gati të ikte, të largohej. T’i largohej çdo njeriu. Një ditë, nga ato të rinisë, këputem dhe shkoj në Selenicë. E kërkova gjithandej, në shkollë, në muze, në rrugë, kafene por e gjeta disi larg qytetit, në buzë të Vjosës. Rrinte në breg të saj, shikonte zallishten e gjerë dhe ujët e saj të kaltër, që kur i ngrihet mendja hardalloset e bëhet e tmerrshme. Më pa, përdrodhi buzët siç bënte për të fshehur habinë dhe më tha se aty gjente prehje, aty nuk komunikonte me njeri, mbetej vetëm, përtypte mendime të çastit në këmbë, kërkonte edhe më tej përpikëri të tjetërfarme dhe sikur fshihej për të mos rënë fare në sy. Aty pranë Vjosës, që shihte matanë fushën e Frakullës dhe vdiste (madje vdes akoma për një urë, që do të ishte urë jete e qytetërimi të jashtëzakonshëm!)  mund të tregonte edhe historinë e tij të dashurisë, duke i regjistruar një për një fjalët, që edhe tani s’i ka harruar. Fjalët i japin hijeshi të rrallë dashurisë, i japin atë që quhet ndryshe regjistrin poetik, i veshin romantikën e veçantë, e mbushin pse jo edhe më një melankoli e trishtim aq të ëmbël sa më s’bëhet. Vërtet ato çaste janë jetëshkurtra, nisin në një breg lumi, ose në buzë deti, plot kuptim e me një sensibilitet tronditës e pastaj përfundojnë në një tjetër zjarrmi, me mjaft kuptim, gati si përmbushje e një rasti për të kaluar mërzinë. Po, mërzinë. Se jeta jonë rrethohet nga kjo vrasëse e paskrupullt: mërzia! Ka pasur të drejtë që shprehej aq hapur kundër saj, duke ndjekur rrugën e kundërt me të përplot ëndrra dhe qëllime fisnike, që për fat të keq ose mbetën në mes të rrugës, ose nuk u bënë dot kurrë të tijat. Ato ishin dhe janë gjëra që filluan, po nuk u kryen prej pamundësisë që e ndjek njeriun. Ose më saktë prej pamundësisë klasike që gjithë jetën e ka rrethuar mikun tim të mirë e të pazëvendësueshëm. Pamundësia e gjërave të vogla të përditshme, ama, i dhuroi një mrekulli magjike: e çoi tek zemra e re dhe ai i bindet një tjetër jete, atje në New York-un e largët (për ne). Se po të rrethohej nga mundësitë e mëdha miku im do ishte «harruar» me kohë…

Përkujdesja e përkorë e mikut tim të vërtetë, djaloshit të dikurshëm me sytë shpuzë – Qatip Mara – po edhe tani vrapuesit shtatëdhjetëvjeçar që i gëzohet zemrës së re, është mjaft prekëse që ia çoi edhe atje në kryeqytetin e botës gardërobën e fjalëve, me siguri sepse fjalët e duan njeriun ashtu siç është, treçerek ëndërr e një çerek re­alitet. E di miku im, ti mendon se ky realitet i ashpër e i padurueshëm (në Shqipërinë tënde e time!) është si një kosh plehrash për ëndrrat dhe qëllimet e mira! Asgjë nuk u bë mirë, edhe kur ti ndiqje demonstratat, mitingjet, ngrije lart gishtat, kur more arratinë sepse i doje fjalët të kishin tingull tjetër dhe elegancë, pasi njerëzit kudo të jenë duhet të mbeten gojëhapur prej fjalëve. Ama prej fjalëve të gardërobës sate! Ti, or mik, edhe atëherë, i rrethuar nga mërzia dhe monotonia e ngahershme, nuk e ke besuar se do të ishte mundësia gati e pamundur gjer në fund e njeriut ajo që do të triumfonte edhe tek ty vetë, edhe pse e shikoje gjithnjë si individualist i pandreqshëm. Ti i ke dashur njerëzit me një dhembshuri në përgjithësi dhe udhëhiqeshe nga ideali i intelektualit humanist për ta parë jetën e mërz­itshme e monotone e të përsëritshme me dashurinë e zakonshme të njeriut të vuajtur.

Po, miku im, ti e di se edhe sot njerëzit i mbyt makutëria, batakçillëku dhe sidomos injoranca, hipokrizia e padurueshme, pa lëre pastaj kurvëria, deliri i pandreqshëm, vetëkënaqësia e mrekullueshme, hajdu­tëria dhe krimi, lakmia e përbindshme, aventura e përhershme, shto pastaj edhe profecinë e gënjeshtërt. Dhe dashuria nuk përfun­don kurrë, kurdoherë është aty pranë, me buzagazin e përjetshëm e të përndritur. Pastaj vjen zemra e re e Qatip Marës që merret vetëm me punët e mira, me njerëzit që kanë shpirt e mend, me ata që përfun­dojnë punët e bukura por që atë urën që lidh Selenicën dhe Buzëmadhin nuk e bënë dot kurrë. Aq më tepër që tani atu shkon edhe rruga e re drejt Tepelenës dhe buzë Vjosës. Ti i ruan shpresat se mos e mbyll atë punë miku yt i mirë Genc Pollo, ndoshta nga që është bir i profesorit tonë Stefanaq Pollo. Sa herë e dëgjon atë në parlament ndihesh disi i trishtuar, madje me një tis trishtimi, po jo mbytës dhe pastaj dalldisesh pas një dhembshurie të madhe me një sens bukurie të përjet­shme, rrëqethëse, të provuar rrallë e pa shumë dritë si në vjeshtë kur dielli ndriçon përmes vranësirave dhe gjethet bien mbi lulet e thara. Ja, këtë ndjesi ke, sepse vendi ynë, or mik, kështu vazhdon të jetë: i mërzitshëm dhe monoton, në dimër e në verë. Dhe ne kurdoherë i ndjejmë kaq thellë këto gjëra! Sepse vjen dikush pranë teje e meje dhe dëgjon në vet­minë tënde (time), vazhdimisht duke folur me gojën tonë, ti me gardërobën tënde e unë patjetër me timen, po ja që s’na kupton njeri, ndoshta për ty ngaqë je delikat dhe aq i sjellshëm në fjalë. Me sa duket unë qenkam miku i trishtimit tënd dhe tgi i trishtimit tim…

Sot, miku im i mirë, ato provincat tona të largëta po braktisen dhe po bëhen akoma më të mjerë qytetet e mëdhenj si Tirana, Vlora apo edhe Berati, që janë shndërruar në qytete pa kripë. Aty (a e ke vënë re?) rilind çuditërisht njeriu i vogël i cili megjithatë ndjehet keq. Sot këta njerëz janë më vulgar dhe më të paturpshëm, më të tharë nga ndjenjat (madje ndjenja s’ka më fare!), janë më lakmitar se kurrë dhe më të korruptuar se ndonjëherë. Sot s’flitet më për ideale dhe gardëroba e fjalëve (e di, jo gardëroba jote!) dërdëllit më cinizëm: Ma thuaj troç, sa fitoj unë! Sot flet pasuria makute e cila ndërron shpesh makina, nuk dashuron por ka neps e bën seks, se nuk e njeh më pasionin (madje as pasionin satanik!), sot veç të prishin punë, sot edhe moti i keq kurvëron me personalitetin e njeriut, sot gjyqtari i tregon pasuritë e tij me prejardhje nga ruleta ! Prandaj qenka kaq e mërzitshme jeta ? S’e di !

Prandaj gardëroba e fjalëve të tua është shprehje e zhgënjimit fisnik, me aq shumë karaktere që nuk fitojnë asgjë, që vetëm humbasin, që fisnikëria e tyre mbetet bashkë me një nën­qeshje të çuditshme prej komediani. Se ty dhe fjalën tënde nuk e intereson shumë fabula, po karakteri. I kemi në jetën tonë të gjithë këta që ti i përçmon me të drejtë, për­ditë përshëndetemi me ta, i dimë bëmat e tyre, po nuk kemi kureshtje të kthejmë kokën për t’i bërë edhe njëherë në sy. Sepse kurdoherë bëmat e tyre janë të trishtme, të mërzitshme, ndonëse në dukje argëtuese e të jashtëzakonshme, sepse jeta e tyre (po edhe jona!) nuk e ka atë tharmin lektisës që të rrëmben e bën për vete. Se ti kërkon sjelljen njerëzore, nuk ke kohë të merresh me veset sepse e do pa masë virty­tin! E pra, virtyti është gjithnjë specie e rrallë, në zhdukje. Dhe ti, ndërkaq, nuk proteston, nuk kundërshton më me forcë, duke mbetur si gjithmonë kumtuesi më besnik dhe më i ndershëm i jetës, të cilës nuk i bën koment, por vetëm e këqyr, e vëzhgon hollë dhe thellë, si në një heshtje nate, pastaj pjesën tjetër të padukshme ia kërkon rishtas zemrës së re në kraharorin e bërë copë nga bisturia moderne. Ah sa do të doje një degëz trëndeline mali apo livadhi, të ta sillnin aty në dhomën tënde dhe të bëje gjumë shqerke me të nën jastëk, duke u kujdesur që ta mbaje pranë gardërobën tënde të fjalëve për ta bërë jetën më pak të mërzitshme e më pak monotone…

Tiranë, më 15 dhjetor 2017, në ditën e shtatëdhjetë vjetorit tënd, Qatip Mara !

Filed Under: ESSE Tagged With: Njeriu qe nuk duron jeten e merzitshme, Qatip Mara, Xhevair Lleshi

DEGA E VATRËS NË WASHINGTON DC, VIZITË ZYRTARE NË KONGRESIN AMERIKAN

December 15, 2017 by dgreca

1 dega Uashing2 Flamuri amerik1 The flag

– Me inisiativën e Degës së VATRËS në Washington DC dhe me ndihmën e Zonjës Barbara Comstock, Kongresiste republikane e Virginias, u bë e mundur flamuri amerikan u fluturua në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA në godinën e Kongresit Amerikan (Capitol Hill) me 28 Nëntor 2017 me rastin e 105 vjetorit  të pavarsisë së Shqipërisë.

Armini1 Gjoni Viktim komuniz1 Gjoni

– Me 12 Dhjetor 2017 dega e Washingtoni bëri analizën punës për vitin 2017/

 Nga Armin ZOTAJ/

Me 14 Dhjetor 2017 dega e Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra në Washington DC, pati një vizitë zyrtare në Kongresin Amerikan, ku takua me përfaqësuesen e Partisë Republikane të shtetit të Virginia në Kongresin Amerikan Zonjën Barbara Comstock.Me inisiativën e Degës së VATRËS Washington DC dhe me ndihmën e Zonjës Comstock u bë e mundur flamuri amerikan u fluturua në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA në godinën e Kongresit Amerikan (Capitol Hill) më 28 Nëntor 2017 me rastin e 105 vjetorit  të pavarsisë së Shqipërisë. Zyra e Kongresistes Comstock gjithashtu zhvilloi një tur në godinën e Kongresit Amerikan me Degën E Vatres ne Washington DC.

Ky takim i shtohet një viti të ngjeshur pune për Degën e Vatrës në Washington.  Analiza e punës së kësaj Dege të VATRES për vitin 2017 u diksutua në mbledhjen  që u zhvillua   më 12 dhjetor 2017.  Gjatë kësaj mbledhjeje u vu në dukje se dega e VATRËS në Washington DC është gjithmonë e më përqëndruar në punë aktive në shërbim të lidhjeve sa më të ngushta mes Federatës PanShqiptare të Amerikes VATRA dhe institucioneve të SHBA.

Viti 2017 filloi me punë të rëndisishme për këtë degë.Në Janar të 2017 VATRA Washington DC mbështeti dhe luajti një rol të rëndësishëm në vendimin e  kryesisë  së VATRES dhe kryetarit të saj në atë periudhë Dr. Gjon Bucaj në protestën që u organizua nga VATRA përpara ambasadës së Francës në Washington me rastin e arrestimit të paligjshëm të  Z. Ramush Haradinaj, (sot Kryeministri i Kosovës )në Francë nga një urdhër arresti  i policisë së Serbisë.

Në muaj Mars kjo Degë u vizitua nga Kryetari I asaj kohe të VATRES Dr. Gjon Bucaj dhe financieri  i Vatrës Marian Cubi. Dega zhvilloi zgjedhjet në bazë të Kanunores së VATRËS.   Kryetarja e Degës Zonja Merita McCormack dha dorëheqjen dhe kryetar i ri për këtë degë u zgjodh  Z. Armin Zotaj.

Në Prill të këtij viti Dega e Vatrës në Washington DC pati një takim zyrtar me Drejtorin Ekzekutiv te Fondacionit Viktimat e Komunizmit ne Washington Z. Marion Smith. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth domosdoshmërisë së edukimit të brezit të ri në SHBA rreth krimeve të ideologjisë komuniste në mënyrë që kjo ideologji të mos përsëritet kurr më. Biseda në këtë takim u përqendrua reth dështimit që ka ndodhur në Shqipëri në 25 vitet e fundit përsa i përket de-komunizimit të historisë dhe shoqërisë shqiptare. De-komunizimi i shoqërisë dhe historisë shqiptare është kërkuar gjithmonë nga VATRA dhe i  është drejtuar të gjithë qeverive shqiptare në këto 25 vitet e fundit.

Në Maj të 2017 kjo degë mori pjesë në dëgjimin e një séance të Nën Komisionit të Europës, Euroazisë dhe Reziqeve të Reja, i cili është pjesë e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Kongresit Amerikan.  drejtuar nga kongresmeni republikan Dana Rohrabacher.Kjo séancë e këtij nënkomisioni kishte subjekt : Vendet Ballkanike, Rrezik I Paqes dhe Stabilitetit.  Në këtë séancë e cila drejtohej  kongresmeni I Partisë Republikane Dana Rohrabache dëshmuan, Zv Asistenti I Ndihmës Sekretarit të Shteti Z. Hoyt Yee, Presidenti I Ligës Shqiptaro –Amerikane i Nderuari Z. Joseph Di Guardi, Gordon N. Bardos I një firmë për studimin e Europës Juglindore si dhe Daniel Srrwe profesor në Universitetin e John Hopkins të Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare.  Cështjet e korrupsionit dhe terrorizmit në Ballkanin Perndimor ishin objekti kryesor  i këtij komisioni.

Në muajin Qershor Dega e VATRËS Washington DC mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Fondacioni i Viktimave te Komunizmit : “ Thirrja e Kombeve” ku vendosi kurorë me lule tek monumenti I Viktimave të Komunizmit në Washington DC – në emër të kombit Shqiptar dhe në kujtimin të mijërave njerzëve që humbën jetën gjatë regjimit barbar  komunist në Shqipëri.

Pas pjesmarrjes në Kuvendit e VATRES më 10 qershor dega Washington DC është shprehur me insitim kundër shkeljeve të mëdha që u bënë në Kuvend dhe shprehu hapur mendimet dhe sygjerimet e saj. Faktkeqësisht akoma nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga drejtuesit VATRES.  Muaji Qershor do mbyllej me një takim të degës në Departamentin e Shtetit dhe prezantimin e kryetarit të kësaj dege me zyrën shqiptare të këtij Departamenti.

Në muajin Korrik Dega e Federatës PanShqiptare e Amerikës VATRA në Washington DC mori pjesë në përkujtimin e vdekjes së fituesit të cmimit Nobel të Paqës dhe luftëtarit për demokracinë në Kinë Dr. Liu Xiaobo i cili vdiq në burgjet e diktaturës komuniste kineze në moshën 62 vjecare.  Kjo përkujtimore e cila u shoqërua me ndezje qirinjesh në Monumentin kushtuar Viktimave të Komunizmit në kryeqytetin amerikan u organizua nga Fondacioni i “Viktimave të Komunizmit” në Washington DC.

Ndërkohë në muaji Gusht Dega kujtoji ditën e “Kordeles Së Zezë” tek monunmenti i Viktimave të Komunizmit.  Në këtë ditë 78 vjet më parë më 23 Gusht 1939 Gjermania Naziste e Adolf Hitlerit dhe Bashkimit Sovjetik i Stalinit nënshkruan paktin e mossulmit të njohur si pakti i Molotov (Ministri i Jashtëm Sovjetik) –Ribbentrop (Ministri i Jashtëm Nazist) që do rezultonte me fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe do ti shkakonte botës më shumë se 50 milion të vdekur.

Në tetor Dega e VATRËS në Washington DC në bashkëpunim me Librarinë e Kongresit organizoi kumtesën e Zonjës. Flora Nikolla, kryeredaktore e Agjensisë Telegrafike dhe drejtuese e fondacionit Albanian Excellence me titull : “Shtypi Shqiptar pas Komunizmit dhe Diaspora Shqiptare- Marrëdhëniet me Shqiperinë”.  Ajo gjithashtu i dha  cmimin Albania Excellence ish -kryetarit të VATRES Dr.Gjon Bucaj.

Përkujtimi i 100 vjetorti të Viktimave të Komunizmit në Washington do të ishte aktiviteti më i rëndësishëm për këtë degë në muajin Nëntor. Ky aktivitet që zgjati tre ditë dhe përfshiu akademike, studjues, kongresmenë, senator si dhe Presidentin Trump dhe ish-Presidentin Bush u pasqyrua cdo ditë në Facebook nga Dega e VATRES në Washington DC dhe u përmblodh me një artikull të plotë në gazetën Dielli. Gjitashtu dega priti dhe Drejtuesen e Autoritetit të Informimit të Dosjeve Sekrete të Ish -Sigurimit në Shqipëri  Zonjën Gentiana Mara Sula dhe Z. Simon Mirakaj I cili ka vuajtuar 44 vjet të jetës së tij në kampet e internimit të komunizmit.

Për të gjitha këto aktivitete Dega ka përgatitur raporte dhe artikuj për botim në shqip dhe anglisht jo vetëm për gazetën Dielli por dhe për median.

Për vitin e ardhshëm Dega e Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA -Washington DC vendosi të vazhdojë në punën e saj në lidhje sa me të ngushta me institucionet amerikane dhe do të përkrahë gjithmonë ata që humbën jetën dhe vuajtën burgjeve dhe internimeve nën komunizmin enverian. Gjithashtu Dega vendosi  ashtu sic ka vepruar që me krijimin e saj ti qëndrojë besnike dhe të mbrojë me cdo kusht Kanunoren e VATRËS si e vetmja gur themeli e institucionit 105 vjecar të  Nolit dhe Konicës- VATRËS. Në këtë drejtim Dega e Washington DC nuk bën dhe nuk pranon asnjë kompromis.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Armin Zotaj, dega e Vatres ne Washington, Vizite ne Kongres

VETEVRITET LIGJVENSI I KENTACKYT DAN JOHNSON

December 14, 2017 by dgreca

1 Don JonsonDan Johnson, ligjvënësi republikan i Kentackyt që refuzoi të jepte dorëheqjen pas akuzave për agresion seksual ndaj një 17-vjeçareje, u gjet i vdekur mbrëmjen e së mërkurës. 57-vjeçari, sipas të gjitha gjasave është vetëvrarë duke përdorur një armë zjarri.Johnson u zgjodh në legjislaturën shtetërore në vitin 2016. Fitorja e tij ishte pjesë e dallgës së fitoreve republikane, që i dhanë kësaj partie kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kentuckyt për të parën herë në gati 100 vite.

Ai arriti të triumfonte, pavarësisht faktit që vet udhëheqësit republikanë e kishin nxitur të hiqte dore nga gara, në vazhdën e disa komenteve raciste që kishte bërë në Facebook.

Një prej tyre i krahasonte Barack dhe Michelle Obamën me majmunë. Si pastor i kishës “Heart of Fire” në Louisville, Johnson kishte mbështetur një sërë projektligjesh që kishin të bënin me liritë fetare dhe mësimin e Biblës në shkollat publike.

Por, ai kishte qëndruar më së shumti larg dritës së prozhektorëve, deri kur Qendra vendore e Raportimit Investigativ publikoi një raport, ku thuhej se kishte përdhunuar një adoleshente në bodrumin e shtëpisë së tij në vitin 2013.

Vajza asokohe e pati njoftuar policinë mbi incidentin dhe kjo e fundit hetoi, por çështja u mbyll e nuk u ngrit asnjë padi. Ligjvënësi i hodhi poshtë me forcë akuzat, duke i cilësuar si krejtësisht të rreme.

“Vetëm Zoti e di të vërtetën”, shkroi ai në Facebook, në një postim që po konsiderohet si shënim vetëvrasjeje. “E dua Zotin dhe e dua gruan time, që është bashkëshortja më e mirë në botë”.(XH SH)

Filed Under: Politike Tagged With: DAN JOHNSON, VETEVRITET LIGJVENSI I KENTACKYT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT