• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2019

DIELLI-110 VJET- KOSTË ÇEKREZI U VARROS ME 16 JANAR 1959

January 12, 2019 by dgreca

KOSTË ÇEKREZI, GAZETARI QË E BËRI DIELLIN TË PËRDITSHËM, U VARROS ME 16 JANAR 1959/

  • Atë të premte të 16 janarit 1959, vatranët dhe anëtarët e Shoqatës “Shqipëria e Lirë”, tek përcillnin arkivolin që mbante trupin e pajetë të Kostë Çekrezit drejt varrezave të Forest Hills Cemetery në Boston, kishin ulur kokat në shenjë dhimbjeje dhe pendese. Në fakt edhe pasvdekja kishte ruajtë surpriza për Kostë Çekrezi. Trupi i tij rrezikohej të digjej nga e bija, por e shpëtoi Noli pas këmbënguljes të një myslimani, që ishte mik i Çekrezit, Victor (Vexhi) Dobro. Ç’kishte ndodhë?
  • Noli- Victor ( Vexhi) Dobro: Pse nuk përpiqesh të më dërgosh njerëz të gjallë, që të më ndihmojnë, po kërkon të më dërgosh të vdekur!

1 Koste CekreziNGA DALIP GRECA*/

Dhimbja vinte nga fakti se po përcillnin një ndër intelektualët më të zëshëm të kolonisë shqiptare në SHBA, ndërsa  pendesa – ndoshta vinte nga fakti se, as Vatra, as Shqipëria e Lirë, nuk arritën ta çmonin sa dhe si duhet kapacitetin e tij intelektual, aq sa u detyrua, që të izolohej dhe të vepronte i vetmuar, duke mbetur një kryengritës rebel i përhershëm. Akuzat e hedhura kundër tij në rreshtat e Diellit ishin si shigjeta të helmta të hedhura pas shpina në fsuhën e betejës. Kush i lexon ato sot, krijon bindjen e rreme se  Çekrezi kishte një mijë të këqija, kishte pak ose aspak vlera pozitive, ishte një karrierist, egocentrist, njeri që nuk punonte për çështjen shqiptare etj. Ai u etiketua jo rrallë si tradhëtar, spiun, agjent, antikombëtar, ngatërrestar, njeri që solli veç belara…

Kortezhi kaloi afër varrit të idhnakut të tij, Faik bej Konicës, që e pat luftuar më së shumti, për të vazhduar më tej, drejt kodrës, në Forest Hills, ku do të varrosej arkivoli i Çekrezit dhe ku bashkë me trupin e tij do të kyçeshin dhe shumë enigma e akuza, që mbetën pa përgjigje edhe sot e kësaj dite. Pak më tej, po në atë varrezë, do të pushonte gjashtë vite më pas edhe Imzot Noli, kalorësi i lodhur i shqiptarizmës, që edhe ai,i pat hedhur ca shigjeta idhnake akuzash, Çekrezit. Nëse të tri mendjet e zgjuara do të kishin bashkëpunuar, sa qenë gjallë, do t’i kishin sjellë shërbime tepër të çmuara Kombit, mirëpo shumë energji, shumë kohë dhe shumë faqe gazetash shpenzuan duke sharë njeri-tjetrin me fjalët “agjent”, spiun, grek, serb,turk, antishqiptar, antikombëtar.

 

 

KRONIKA PËRCJELLËSE

 

Kostë Çekrezi, gazetari që e bëri Diellin të përditshëm, ndërroi jetë me 10 Janar  1959. Në faqen e parë të gazetës   Diellit, që u botua të mërkurën e 14 janarit 1959, lajmi i vdekjes së tij ishte dhënë shkurtazi, vetëm me pesë rreshta, në fundin e faqes së parë. Në të përcillej lajmi mortor:” Kostë Çekrezi vdiq në Washington.Trupi i tij u suall në Boston, sot më 14 të këtij muaji, dhe u vendos në shtëpinë funerale, Arthur Hasiotis 1654, Washington Street, Boston, Mass.Të enjten trupi i Tij do të vendoset në kryekishën Shën Gjergji. Varrimi bëhet të premten, më 16 janar  në orën 2 pasdreke.

Në fakt Trupi i Çekrezit shpëtoi për fije nga djegia. Dhe shpëtimtar ishte një mysliman.Ja si rrodhën ngjarjet:Në kohëvdekjen e tij Çekrezi punonte për gazetën amerikaneThe Washington Star, që botohej në Washington dhe jetonte në Arlington, Virginia. Aso kohe në Arlington banonte dhe Victor(Vexhi) Dobro, I cili ishte bërë mik me Çekrezin. Për vendosjen e  trupit të Çekrezit në Shtëpinë mortore në Arlington, ishte interesuar bija e tij e vetme, që ish e martuar, zonja Tovar. Vexhiu lajmëroi në telefon Peshkop Nolin në Boston dhe i sugeroi që trupi i Çekrezit të dërgohej në Boston dhe të varrosej nga Kisha Shqiptare në Forest Hills, ku preheshin dhe vatranë të tjerë, përfshi dhe kundërshtarin e tij, Faik Konica.

Fan S. Noli, sipas Vexhiut, (Dielli 16 Shtator 1985), fillimisht nuk tregoi intersim dhe i tha atij: Pse nuk përpiqesh të më dërgosh njerëz të gjallë, që të më ndihmojnë, po kërkon të më dërgosh të vdekur!

Disa orë pas kësaj bisede telefonike Vexhiu mëson se e bija e Çekrezit po mendonte që ta digjte trupin e të atit. Vexhiut nuk I erdhi mirë dhe u zemrua me idenë së bijës së Çekrezit. I telefonoi sërish Peshkop Nolit dhe I tha prerë: E bija e Çekrezit kërkon të djegë trupin e tij. Unë jam musliman, por di se feja juaj, sikundër feja jonë, nuk e lejojnë djegjen e të vdekurit. Prandaj po ju përsëris mendimin tim që trupi i Çekrezit të dërgohet në Boston dhe ta varrosë Kisha Shqiptare në varrezat e shqiptarëve në atë qytet, ashtu siç ka varrosur më parë Faik Konicën.”

Fan S. Noli e pranoi mendimin dhe i tha Vexhiut që trupi i Çekrezit të dërgohej në Boston.

Madje Imzot Noli i dërgoi edhe një letër z. Victor (Vexhi) Dobro, që në atë kohë jetonte në adresën: 809 N. Wayne Street-Arlington Virginia.

Letra ka përmbajte falenderuse në emrin e Kishës Orthodkse Shiptare të Amerikës.

 

Në kohëvdekjen e Çekrezit, gazeta Dielli ishte e përjavshme. Në numrin e 21 janarit, Dielli, në faqe të pare  përcillte kronikën e varrimit të tij. Nuk mungonin në rreshtat e kronikës edhe vlerësimet pozitive. Edhe Imzot Noli nuk i kishte kursyer lavdet gjatë meshës. Në shkrimin editorial, Qerim Panariti, (që nuk ia pat kursyer sharjet në të gjallë) shkruante se Kostandin Çekrezi ishte një nga patriotët më të dëgjuar të Shqipërisë. Ai vdiq në Arlington, Va, të shtunë me 10 Janar dhe u varros në Boston, të Premte më 16 Janar. Shërbesa e varrimit u bë në kryekishën Shën Gjergji prej Hirësisë së Tij, Kryepeshkopi Fan Stylian Noli, i ndihmuar prej Ikonom At Christ Ellis, Ikonom At Sokrat Sotir prej Worcester, Mass dhe At Vasil George i Kishës Kombëtare në Natick, Mass.

Sipas artikullit të Diellit, mësohet se shkaku i vdekjes ishte një goditje në zemër. Kostë Çekrezi ishte në dhomën e tij në godinën Calrendon Trust Co, Arlington, Va, kur pësoi goditjen në zemër dhe ndërroi jetë në moshën 67 vjeçare.

Çekrezi qe shumë aktiv në Vatër, por më pas ai u bë objekt kritikash nga gazeta e Vatrës”Dielli” për qëndrimet e atij antimonarkiste, anti Konice. Çekrezi ka plot merita për shtypin shqiptar dhe ishte modeli i luftëtarit të shtypit të lirë. Është themelusi i Shoqërisë Shqipëria e Lirë dhe gazetës së saj “Liria”, por shumë shpejt ai do të zhgënjehej edhe nga krijesat e tij, nga që kjo e fundit u bë vegël e regjimit të Tiranës, ashtu siç , Dielli ishte vënë në shërbim të Mbretërisë, në kohën e Faik Konicës.

Gjithësesi në kronikën përcjellëse, shkruhet se pranë arkivolit, në Shtëpinë Funerale, dalloheshin dy kurora; ajo e Vatrës dhe e Shqipërisë së Lirë, mes të cilave qe veprimtaria patriotike dhe publiçistike e Kostë Çekrezit. Në një farë mënyre pajtimi kishte ardhë në atë shtëpi mortore, pas vdekjes.

Çekrezi pati kundërshtar numër një Ministrin e Mbretit në Ëashington, Faik Konicën, por si për ironi të fatit, varret i kishin pranë e pranë.Së paku të pajtoheshin në jetën e përtejme!

Dielli shkruan:”Patrioti i mirënjohur u varros në Forest Hills Cemetery, në një vend të lartë, jo shumë larg varrit të Faik Konicës. Një udhë e vogël i ndanë të dy patriotët.”

Pas varrimit të patriotit Çekrezi, Kryekisha Shën Gjergji shtroi një drekë memoriale për shpirtin e patriotit, në sallën e saj.

Në ceremoninë mortore, peshkop Fan S Noli mbajti një fjalim të shkëlqyer  mbi jetën dhe veprën e Kostë Çekrezit.

Çekrezi pati lënë pas një vajzë, që jetonte aso kohe në New York. Ajo quhej Georgia Leila Tovar.

 

JETA

 

Kostë Çekrezi pat lindur në fshatin Ziçisht të Devollit në mars 1892. Që në fëmini ra në sy dëshira e tij për shkollim. Studioi në Gjimnazin grek të Korçës, të cilin e  përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Më 1909 u gradua dhe më pas shkoi në kryeqytetin grek, Athinë, ku kreu studimet universitare. Studioi për drejtësi. Më 1913 e gjejmë përkthyes në Komisionin Ndërkombëtar të Fuqive të Mëdha , i cili qeveriste Shqipërinë, pas dorëheqjes së Ismail Qemalit. Një vit më vonë do të merrte kontakte me Federatën Panshqiptare të Amerikës, e cila qe krijuar 7 muaj para shpalljes së Pavarësisë së shtetit Shqiptar. Federata Vatra e kërkoi Çekrezin për editor të  gazetës së saj ”Dielli”. Në atë kohë ai ishte në Brindizi, Itali dhe sapo e mori ftesën iu përgjigj pozitivisht . Mbërriti në Boston dhe nis nga puna për të drejtuar Diellin në nëntor 1914. Ardhja në Amerikë i dha mundësi t’i thellojë njohuritë. Katër vjet pasi mbërritjes në SHBA, arriti që të diplomohej për arte në Universitetin e Harvardit. Në vitin 1923 është profesor në Universitetin e Ëashingtonit.

Jeta e Çekrezit kaloi mes tallazeve; si kundërshar i Monarkisë, ai shpesh herë u gjet majë më majë me pushtetin, i anatemuar dhe i burgosur prej tij. Madje nuk i shpëtoi dhe arrestimit. Në vitin 1928 u gjet fajtor për një lajm të pasaktë dhe u dënua me një vit burg. Ndërhyrja e Mehmet Konicës e shpëtoi. Tre vite më vonë, në atë që u quajt Kryengritja e Vlorës për të rrëzuar Zogun, më 1931, ai u akuzua si organizator kryesor dhe u arrestua. Katër vjet më vonë, për të mos rënë sërish në pranga, ai mundi të arratisej nga Shqipëria në Itali, pasi së bashku me postkomandantin e Fierit, Musa Kranja, ishte organizator i Kryengritjes së Fierit. Kjo kryengritje mori jetën e 11 xhandarëve që u gjetën bashkëpunëtor, të cilët siç njoftonte Dielli u egzekutuan. Numri total i të dënuarëve me vdekje, ishte 41, por një pjesë u falën nga Mbreti. Çekrezi, në të tre rastet mori mbi vete mënitë e Diellit dhe të Vatrës dhe priti shigjetat e Faik Konicës dhe Refat Gurrazezit. Në fillim të viteve ’40 të shekullit të shkuar gjendet në kampet e Francës. Më 1942 kthehet sërish në SHBA për të mos u kthyer më në Atdhe.

 

 

EDITOR I DIELLIT

 

Pse dhe si erdhi Çekrezi në SHBA? Siç shkruan ish editori i Diellit, Refat Gurrazezi, Vatra dhe gazeta e saj Dielli, patën probleme pas ikjes të dy themeluesëve  në Europë. Madje vetë Federata pat mbetur pa kryetar dhe drejtohej nga sekretari i përgjithshëm. Kuvendi i 20 korrikut të 1913, që pasoi atë të 4 korrikut të të njëjtit vit, zgjodhi kryetar dhe editor të Diellit Kristo Dakon, por ai nuk shkoi mirë me sekretarin Loni Kristo dhe radhitësin e Diellit, Efthim Natsi. Në një mbledhje që thirri kryetari 10 ditë pas Kuvendit, nuk u gjet ilaçi i pajtimit, edhe pse Efthim Natsi pranoi bashkëpunimin, por sekretari L Kristo u hoq nga detyra. Me 24 gusht u mblodh sërish një kuvend, i treti brenda dy muajëve, Kristo Dako dha dorëheqjen, duke lënë bosh vendin e  kryetarit të Vatrës, por edhe atë të editorit të Diellit. Kuvendi zgjodhi kryetar të Vatrës Vangjel Gjikën dhe  Dennis Kamburin (Kambury) e emëroi editor të Diellit, ndërkohë që Loni Kristo u rikthye në pozicionin e sekretarit të Vatrës. Pas Dennis Kamburit punoi ca kohë si editor Paskal Aleksi dhe Eftim Natsi, i cili,po sipas Gurrazezit, ishte atdhetar i mirë dhe mjaft i zoti për punët e gazetës.

 

VONESA E NOLIT DHE FTESA PËR ÇEKREZIN

 

Gjetja e një editori të përshtatshëm për Diellin, ishte një shqetësim në Kuvendet e Vatrës. Kuvendi, që u mblodh më 10 Janar 1914, duke mos gjetur një kandidaturë të përshtatshme për editor të Diellit, vendosi që të përzgjidhte mes këtyre kandidaturave: Faik Konicës, që aso kohe ishte në Durrës, Milo Duçit, që ishte në Vlorë, Aleksandër Xhuvanit, Mithat Frashërit, Simon Shuteriqit, në Elbasan dhe Abdyl Ypit në Vlorë. U shkroi letra secilit prej tyre. Faik Konica nuk u gjend në Durrës, kish ikur pas një përplasje me Esat Toptanin, të tjerët dhanë përgjigje se nuk vinin dot në Amerikë. Pas problemeve me Vangjel Gjikën (i cili dha dorëheqjen) dhe ekipit që shtypte Diellin,Vatra mbeti me Loni Kriston sekretar dhe kryetar të përkohshëm.Pikërisht në atë kohë Vatra mori një letër nga Noli, që kërkonte redaksinë e  Diellit, por me disa kushte. Komisioni u mblodhe me 5 gusht 1914 për të diskutuar kushtet, që vinte Noli. U pranuan ato kushtet dhe iu dërgua Ftesë që të vinte menjëherë (Noli atë kohë ishte në Trieste) dhe të merrte drejtimin e Diellit me 80 dollarë në muaj (ky ishte një nga kushtet që kishte vënë Noli, përfshi dhe mosndërhyrjen në punët e Diellit. Mirëpo për çudi Noli nuk po dukej në Boston, u vonua dhe komisioni e pa të arsyeshme që të mblidhej sërish dhe të merrte vendimin që t’i dërgohej telegram tjetër për të mësuar shkakun e vonesës, ndërkohë që Komisioni mori dhe një vendim rezervë për të mos humbur kohë, nëse s’vinte Noli, të ftohej Kostë Çekrezi. Si përfundim, Noli nuk erdhi dhe ftesa iu dërgua Çekrezit. Ai e mori gazetën me 10 nëntor 1914. Ishte vetëm 23 vjeç, ku nisi të drejtojë Diellin, që në atë kohë dilte dy herë në javë. Për më shumë se një vit u zgjidh problem i editorit dhe gazeta Dielli duket se gjeti ustain. Madje ai kërkoi që gazeta hap pas hapi duhej të madhohej dhe të dilte më shpesh. Edhe Refat Gurrazezi, që në kohën kur drejtoi Diellin, nuk la gjë pa shkruar kundër Çekrezit, madje sulmet të ashpra janë të asaj kohe, kur qe editor, 1928-1936, tek vlerëson editorët në shkrimet seriale për Historinë e Vatrës, botuar më së pari në gazetën Dielli, shkruan:” Me anë të Çekrezit u zgjidh problemi i editorit të Diellit. Kostë Çekrezi munt që të kish të metat e tij, si çdo njeri tjetër, por si punëtor i kish shokët e rrallë.”

Edhe studiuesi Idriz Lamaj, një ndër studiuesit e Kostë Çekrezit, në kumtesën e tij me rastin e 100 vjetorit të Gazetës Dielli, i vlerëson maksimalisht aftësitë gazetareske dhe intelektuale të Kostë Çekrezit.Citoj: “ Kostë Çekrezi për gjysëm shekulli bëri shërbime të njohura në lëvizjen patriotike shqiptare në Amerikë… Çekrezi ishte njeri dinamik, i palodhur dhe u përpoq që ta përmirësonte sa më shumë gazetën Dielli.”

 

 

PËRBALLJA ME  FAN S NOLIN

 

Kostë Çekrezi kërkonte të hynte në zemrën e lëvizjes patriotike të shqiptarëve të Amerikës, jo se Dielli nuk ia jepte këtë mundësi, por ai dëshironte të bëhej faktor  udhëheqës, dhe tentoi që të dilte në krye, t’i printe lëvizjes, por  dështoi nga që e kishte të vështirë bashkëpunimin. Ai vuri kandidaturën për kryetar  të Vatrës përkundrejt kandidaturës së Fan Nolit, i cili kishte mbërritur në Boston në qershor 1915, dhe gjithashtu kishte kërkuar  vendin e kryetarit në Kuvendin e 4 korrikut 1915. Në atë kohë Vatra nuk kishte kryetar por drejtohej nga sekretari Loni Kristo. Komisioni e pa të arsyshme që të mos lejoheshin të hynin në Kuvend të dy pretendentët për kryetar, me qëllim që të mos ndikonin tek delegatët dhe i vazhdoi punimet pa ata. Gjithësesi Kuvendi nuk mundi që t’i vërë në udhë punët e Vatrës në Kuvendin e 4 korrikut. Nuk u arrit që të zgjidhej kryetari. Për këtë arsye u thirr një Kuvend tjetër më 17 korrik. Punimet e atij Kuvendi i hapi Hasan Bitincka, ndërkohë që cairman i Kuvendit u zgjodh Dennis Kamburi. Kuvendi i zgjati punimet për dy ditë. Kandidatura e Çekrezit nuk fitoi. Në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës u zgjodh Fan Noli, të cilit i dhanë për zyrtarë: Kristo Kirkën, Kol Rodhen, Hasan Bitnckën, Kostë Çekrezin, që ishte ende editor i Diellit, Kol Tromarën dhe Kostë Rackën.

Pikërisht në javën e parë të nëntorit 1915 u vendos që gazeta Dielli të botohej e përditshme. Mirëpo atë javë përfundonte edhe kontrata e Kostë Çekrezit si editor. Komisoni u mblodh, diskutoi dhe mori vendim që ta shtynte  afatin e kontratës deri më 27 nëntor, me arsyen se duhej të paraqiteshin edhe kandidatë të tjerë për editorë. Kur u mblodh komisioni në datën e caktuar, çuditërisht kandidatura e Çekrezit, u rrezua, nuk u pranua për editor me arsyen se “kishte shkelë nyjat e marrëveshjes që kishte bërë me Komisionin e Vatrës.” Nga ky shkak drejtimi i Diellit iu la kryetarit të Vatrës, Fan Noli, i cili pat si ndihmës editor Andon Frashërin. Noli e mbajti detyrën e editorit rreth 7 muaj, deri me 6 korrik 1916.

 

ZHGËNJIMI

 

Kostë Çekrezi natyrisht që pësoi një farë zhgënjimi me shmangien që i bënë nga gazeta, të cilën ai e kishte bërë të përditshme. Megjithatë edhe pas këtij zhgënjimi, e vazhdoi aktivitetin e tij në Vatër duke dhënë një kontribut të veçantë, veçanërisht kur Vatra ishte vënë përballë Partisë Politike, të krijuar nga ish kryetari i Vatrës, Kristo Dako. Në Kuvendin e 1 korrikut 1917, i cili vazhdoi punimet për 12 ditë, Kostë Çekrezi qe tepër aktiv dhe sërish e vuri kandidaturën, natyrisht jo për kryetar të Vatrës, por për editor të Diellit. Në sesionin e  këtij Kuvendi, kur u votua për editorin, ishin dy kandidatura; Bahri Omari dhe Kostë Çekrezi (në fakt ishte dhe një kandidaturë e tretë, ajo e autorit të tekstit të Hymnit të Vatrës, Refo Çapari, por kjo kandidaturë edhe pse ishte e paraparë të shtrohej në Kuvend, nuk u paraqit me argumentin se Çapari ishte kundër ndikimit të fesë në Vatër, ç’ka do të thoshte t’i hiqje Kishen- gurin e themelit Federatës Vatra). Bahri Omari pati më shumë mbështetje dhe fitoi me 40 vota nga 32 që siguroi Çekrezi. Ky ishte zhgënjimi i tretë për Çekrezin; i pari- humbja përballë Nolit; i dyti-humbja e vendit të editorit pasi e pat bërë Diellin të përditshëm dhe i treti- humbja e përballjes me Omarin. As ky dështim nuk e theu Çekrezin,i cili ishte tepër  aktiv edhe në Kuvendin e 7 korrikut 1918. Madje ai ishte autor i telegramit që iu drejtua Dr. Turtullit në Zvicër, për t’iu lutur Mithat Bej Frashërit, që të pranonte ftesën e Vatrës dhe të vinte në SHBA dhe të merrte kryesimin e Federatës. Kuvendi e mori këtë vendim sepse aso kohe përçarja ishte e madhe dhe u mendua se një njeri i kalibrit të Mithat Frashërit, që ishte larg grindjeve dhe përçarjeve të këtushme, doemos do të sillte bashkimin, dhe do të sheshonte përçarjet që ishin sjellë nga Partia Politike e Kristo Dakos, që kish marrë me vete një pjesë të vatranëve.

Madje Vatra në atë Kuvend zgjodhi një Komision për pajtim dhe bashkim me Partinë e Dakos, ku bënte pjesë dhe Çekrezi nga krahu i Vatrës; në këtë komision bënin pjesë: Muke Përmeti, Kol Tromara,  Xhafo Poshi, Kostë Çekrezi,Shefqet Frashëri dhe Bahri Omari. Natyrisht që bashkimi nuk u bë dhe përpjekjet shkuan dëm. Po në këtë Kuvend, Kostë Çekrezi u zgjodh editor i Revistës “Adriatik”(The Adriatic Review). Mirëpo pa përfunduar Kuvendi, Kostë Çekrezi u grind me Nolin dhe dha dorëheqjen si editor i revistës ”. Detyrën e editorit e mori vetë  Fan Noli, për t’ia dhënë Çekrezit pas një viti. Më pas Vatra e emëroi Kostë Çekrezin delegate në Ëashington dhe më pas u përforcua edhe me Dr. Erickson.

Ka dhe një fakt të regjistruar nga kronikat e kohës dhe që nuk i ka shpëtuar as syrit dhe penës të Refat Gurrazezit: Në manifestimin e madh të Pittsburgh, Pa, Vatra dërgoi Kostë Çekrezin si përfaqësues, ndërkohë që Partia Politike kishte dërguar kryetarin e saj Kristo Dako. Ishin mijëra shqiptarë në atë manifestim-paradë për shpëtim Kombëtar. Pas paradës rreth një mijë vetë ishin futur në një sallë, ku u kërkua nënshkrimi i një Rezolute për të drejtat Kombëtare. Kristo Dako refuzoi që të bashkëpunonte me Kostë Çekrezin e Vatrës dhe nuk deshi ta nënshkruante. Këtë moment, Refat Gurazezi e përshkruan kështu:” Populli u mërzit nga ajo sjellje dhe kërkonte nënshkrimin e Rezolutës nga përfaqësonjësit e të dy organizatave. Ahere u ngrit një vatran, i qojtur Ali Kuçi nga Tomorica e Beratit, një burrë i madh  gjashtë këmbë e ca i gjatë, që u vajti pranë atyre dhe u tha:- Jemi mbledhur sot këtu për një qëllim të shenjtë, për të kërkuar të drejtat dhe lirinë Kombëtare të Shqipërisë. Tani, nënshkruajeni Rezolutën se për këtë Flamur ju hodha të dyve jashtë nga penxherja. Të dy kapën penën dhe nënshkruan.”

 

GAZETARI, PËRKTHYESI, SHKRIMTARI

 

Çekrezi u shqua si gazetar, ai shkroi edhe për gazetat amerikane dhe bashkëpunoi me agjensi të ndryshme. Përveç kontributit në gazetën Dielli, dha një kontribut të jashtzakonshëm si penë e kalorësit të lirisë së fjalës. Në Shqipëri ai botoi për dy vjet, 1926-1928,  gazetën “Telegraf”, e cila pati si oponente të fortë gazetën Dielli, që këndej. Gazeta e tij u mbyll, por ai s’hoqi dorë, në vitin 1930 nisi botimin e të përjavshmes “Ora” e cila gjithashtu u fshikullua nga Dielli, ku ustai i penës Faiku, pa u shfaqur  me emër, i vërviste hobe kritikash e akuzash.

Penës dhe mendjes së Çekrezit i përkasin edhe përkthime, fjalor, libra. Kështu që në kohën kur ishte me studime në Harvard ai nisi punën për librin në gjuhën angleze “Albania Past and Present”. Ky libër me 250 faqe u botua në Neë York më 1919. Fragmente të librit u botuan në vitet ’70, pas vdekjes së autorit, në gazetën që ai pat rrit qysh në djep”Liria” të Bostonit.

Çekrezi ka meritën e hartimit të disa teksteve mësimore për shkollat shqipe në Atdhe, të cilat kishin aq shumë nevojë në atë kohë. Ndër tekstet që shkroi Çekrezi përmenden:” Histori e Shqipërisë”, “Histori e Vjetër”, “Histori e Mesjetës”, “Historia e Re e Europës”, Librin e Këndimit etj. Këto libra u botuan në Shtypshkronjën e Vatrës me harxhet e saj dhe u dërguan me mijëra kopje në Shqipëri, falas.

Kostë Çekrezi botoi edhe një Fjalor Anglisht-Shqip, Boston 1923, që do të bëhej objekt kritikash në Dielli. U gjet nga ustai Konica, një fjalë e përkthyer jo saktë nga Çekrezi, dhe në disa shkrime të Diellit, përdorej për ta ironizuar – Veal, që Çekrezi e kishte përkthyer- mish kau dhe jo viçi. Është viti 1923, kur Çekrezi u kthye në Atdhe dhe vazhdoi veprimtarinë e tij botuese e publiçistike. Tre vjet pasi ishte kthyer në Tiranë ai botoi librin e përkthyer “The Perfect Tribute” të amerikanes Mary Andreës. Penës së tij përkthyese i përkasin edhe “Konti i Monte Kristos”  të Dymas. Kostë Çekrezi qe zgjedhur në Shqipëri anëtar i Këshillit të Naltë të Shtetit, ndërkohë që pat edhe aktivitet diplomatik në Ëashington. Ai është autor i librit”Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë”, ku shqetësimi i tij për një copëtim të tretë të Shqipërisë nga Greqia, pas rezolutës të senatorit Pepe , duket i egzagjeruar. Ndoshta ishte një përpjekje e tij për të thyer vetminë dhe izolimin.

 

AKUZAT, ENIGMAT

 

Mbi Kostë Çekrezin qëndrojnë shumë  enigma, të cilave, ai nuk u dha përgjigje të shkoqur sa qe gjallë.

Shpesh herë gazeta Dielli, veçanërisht në kohën që kishte për editor Refat R Gurrazezi, ka qenë shumë e ashpër ndaj Çekrezit. Editori që e bëri Diellin gazetë të përditshme, epitetohet si spiun, si agjent, si antikombëtar, si vrangjelist, si bolshevik, tradhtëar  etj. Jo rrallë Dielli përdorte vendin e editorialit për të sulmuar Çekrezin, ç’ka tregon se e vlerësonte, qoftë edhe si kundërshtar. Herë me editorial pa emër, herë me letra nga “nxënësi vatran”, shigjetohet  ish editori. Janë më shumë se 30 sulme në Diellin e vitit 1928, dhe afërsisht po kaq në Diellin e vitit 1929. Në vitin 1928, Çekrezi u arrestua dhe u dënua me një vitburg nga gjykata, ndërhyrja e Mehmet Konicës, ish përfaqësues i Vatrës në Londër, i dha lirinë. Por për Diellin, Çekrezi mbeti “agjent” sepse ai formuloi një lajm, qe u konsiderua i pavërtetë dhe qëllimkeq, që sillte destabilitetin e Shqipërisë.Gazeta e tij ”Telegraf” u mbyll.

Në numrat e Diellit të viteve 1930, Çekrezi , që këtë radhë epitetohet me një sharje të marrë hua nga gazeta “Koha” e Mihal Gramenos, “vrangjelisti”, sjell vetëm belara për shtetin shqiptar, siç solli belara për shqiptarët e Amerikës.

Në Diellin e 28 marsit 1930, Çekrezi sulmohet si spiun, thashethemexhi, që ka mashtruar një shkrimtar amerikan i cili shkroi librin” Summer  Lightning”,  me shpifje të Çekrezit, ku shahej Mbreti i Shqipërisë. Vatra e dërgoi për provë librin për gjyqin politik të Tiranës, ku Çekrezi u dënua për së dyti, këtë herë i akuzuar për ngjarjet e Vlorës, ku ai u konsiderua organizator.

Në numrin e 26 gushtit 1930, në Shënime Editoriale, botohet shkrimi-akuzë ”Një spiun mbi spiunllëkun”, ku i bëhej aktakuza përkëtej Oqeanit Çekrezit, i cili edhe pa këtë aktakuzë e kishte marrë dënimin nga Gjykata shqiptare.

Duke shfletuar numrat e Diellit në vitet 1933-34-35, akuzat kundër”telegrafçiut” nuk pushojnë. Edhe lajmet që lidhen me Çekrezin, Dielli i përcillte, me akuza”Spiuni Kostë Çekrezi është trasferuar nga burgu i përgjithshëm i Tiranës në burgun e Gjirokastrës”.(Dielli, 10 mars 1933).

Artileri të rëndë me gjyle të rënda ka përdorë Dielli veçanërisht pas “kryengritjes së Fierit”, ku Çekrezi dhe zv/komandanti i Xhandarmërisë së Fierit, Kranja, ishin organizatorë.

Po a ishte vërtetë spiun, agjent, Çekrezi? Kjo është pika më delikate, kur trajtohet figura e tij, pa marrë në konsideratë dokumentet, arkivat sekrete.

Studiuesi dhe gazetari Idriz Lamaj, e ka trajtuar këtë anë delikate të Çekrezit, duke evidentuar faktet publike të polemikave të Nolit, Konicës, Kolonjës, Panaritit, Gurrazezit, të cilët e patën vënë në dyshim atdhetarizmin e Kost Çekrezit. Duke shfletuar pjesën më të madhe të polemikave, kam konstatuar se akuzat kanë qenë të përgjithshme, pa fakte, më shumë politike. Konflikti me Nolin nisi, kur të dy punonin bashkë, njeri kryetar e tjetri editor, edhe pse Dielli e banalizon konfliktin se “Noli nuk duronte erën e çorapeve të Çekrezit”. Përveç kësaj Çekrezi e rivalizoi Nolin, duke dashur të bëhet kryetar përballë tij, ç’ka Noli nuk e gëlltiti. Me Konicën konflikti ishte më i thellë; përveçse personal, një garë intelektuale mes tyre, më i ashpër ishte konflikti për qëndrimet politike; Çekrezi liberal, Konica konservator; Çekrezi antimbret; Konica Ministër dhe “avokat” i Mbretit. Madje shpesh Çekrezi e sulmon Konicën, duke e akuzuar se kishte përça Vatrën dhe kishte paksuar numrin e vatranëve. Një konflikt që e detyroi Diellin shumë herë të bënte përgënjeshtrime dhe polemika.

Gjithësesi akuzat kundër Çekrezit më shumë kanë qenë mediatike dhe jo të faktuara. Një konstatim që nuk ka nevojë të diskutohet është antimonarkizmi i Çekrezit, ndoshta kjo ndjenjë e çoi atë në veprime ekstremiste.

Mendimi i studiusit Idriz Lamaj se gjithçka do të ftillohej vetëm me hapjen e arkivave, duket më i drejt për ta ndriçuar anën enigmatike të Çekrezit.

 

  ÇEKREZI NUK ISHTE KOMUNIST, POR…

 

Akzua që i bëhej Kostë Çekrezit si komunist nuk duket fort e argumentuar. Është e vërtetë se ai ishte monarkist, është i vërtetë edhe mendimi se ai anonte majtas, por  mendoj se ishte një i majtë liberal i modelit amerikan. Flet në favor të kësaj teze debati i tij me Mehmet Shehun në kampin e përqëndrimit në Francë në vitet ’40, apo kritikat që i bën ai sistemit komunist. Ndërsa Mehmet Shehu me grupin e vet tresh, mbrojnë lidhjen e Shqipërisë me Moskën dhe bolshevizmin, Çekrezi argumenton idenë se vetëm Amerika, që e shpëtoi në Konferencën e Paqes Shqipërinë, do të ishte një aleate e sigurtë. Në ndihmë të kësaj teze flasin edhe takimet e Çekrezit me të dërguarit e Enver Hoxhës (me dijeninë e Departamentit të Shtetit). Çekrezi harxhoi mjaft kohë që t’u mbushte mendjen diplomatëve komunistë të Tiranës, Tuk Jakovës e Mihal Priftit, që të mos i prishnin marrdhëniet me Washnigtonin dhe t’i njihnin marrveshjet e lidhura nga Mbreti Zog me Amerikën. Çekrezi mund të kritikohet për një farë naiviteti politik në analizën që u bënte zhvillimeve komuniste në Shhqipëri, pasqyruar veçanërisht në librin e tij”Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë” , ku ka vendosur veten e tij në qendër të ngjarjeve, dhe merr përsipër që të përcjell idenë e tij për nëj bashkim gjithëkombëtar, ku përfshinte edhe komunistët e Tiranës, edhe diasporën shqiptare, veçanërisht atë ën Amerikë. Sapo qe botuar libri ato kohë, udhëheqësi historik i Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji, që e ka quajtur naivitet të plotë idenë e Çekrezit për një bashkim mes diasporës dhe Tiranës zyrtare të asaj kohe. Duke i bërë oponencë ideve të Çekrezit, Prof. Abaz Ermenji shkruante kështu në gazetën “Flamuri” në edicionin e maj –qershorit 1952”Sikur t’ish i mundur bashkimi dhe bashkëpunimi në vijën e interesavet kombëtare i tërë këtij mozaiku shqiptarësh që merren me “politikë”, atëhere përse do të ndodheshin përpara gjendjes së sotëshme ? Dhe prova është që, “Vatra”, “Shqipëria e Lirë” e Amerikës, qeveria e Tiranës dhe gjithë të tjerët po qëndrojnë në pozitat e tyre edhe pasi Z. Çekrezi “e çoi kushtrimin e tij”.

Pra pasi ishte botuar libri!

Po a ishte kundër interesave Kombëtare siç është akuzuar Kostë Çekrezi? Vështirë të besohet sepse  ai kreu aq shërbime kombëtare sa e rrëzon këtë tezë, që është endur gjatë nga gazeta e Vatrës dhe shtypi në shërbim të monarkisë, me të cilën Çekrezi ishte i papajtueshëmsi antizogist.

Studiuesi Idriz Lamaj, në parashtrimin, që u ka bërë akuzave ndaj Çekrezit shkruan se”të injorosh dyshimet e Nolit dhe Konicës ëshët shumë e vështirë, por ai shton se është vështirë ta dënosh atë pa u gjurmuar veprimtaria e tij politike nën rrogoz.Nga ana tjeter,  Lamaj, në favor të Çekrezit, ka ka përmendur një letër të 15 qershorit 1943, e cila e kthen peshoren nga Çekrezi.  Këtëleter, Çekrezi ia dërgonte ambasadorit britanik në Washington. Ndër të tjera në letër shkruhej”Për të parandaluar një konflikt të armatosur midis palëve kontestuse për ish territoret e ish Jugosllavisë dhe të Greqisë, integruar Shqipërisë nga forcat e Axit, është i domosdoshëm dislokimi sa më parë i forcave aleate. Ato territore duhen mbajtur nën kontrollin ushtarak dhe te adminsitrohen nga forcat aleate derisa të vijë një kohë e përshtatshme për plebisht, sipas paragrafit të dytë të Kartës së Atlantikut. Ai shfaq mendimin që në ato territore si dhe në territorin shqiptar nuk duhet të vërë këmbë asnjë ushtar jugosllav apo grek. Ky citim nuk ka nevojë për koment, ai flet qartazi për orientimin kombëtar të Çekrezit.

BURIMET:

1 “Historia e Federatës Vatra” prej Refat Gurrazezit

2 Koleksioni i Diellit për vitet 1928, 29, 30-36

3 Kostë Çekrezi”Plani i Tretë i copëtimit të Shqipërisë”

4 Idriz Lamaj”Kostë Çekrezi, një ndër editorët e shquar të diellit”, kumtesë me rastin e 100 vjetorit të Diellit, botuar në gazetën Dielli, shtator 2009

5 Th Naqo”Jeta dhe veprimtaria e patriotit Kostë Çekrezi”

6-Gazeta FLAMURI, mars-prill dhe maj-qershor 1952(A Ermenji-Duke lexuar një libër të Kostë Çekrezit

  • Dielli, 16 Shtator 1985
  • *Marrënga Libri nëproces-110 VJET HISTORI, DIELLI DHE EDITORET – 1909-2019

Filed Under: Opinion Tagged With: 16 Janar u varrros, dalip greca, editori i Diellit, Koste Cekrezi

Bashkimi nuk bëhet duke “importuar” kudro të dyshimta !

January 11, 2019 by dgreca

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI/ 

1 Mehdi_Hyseni

*** Shqipëria nuk është në krizë për kuadro, por nga korrupsioni mafioz, nga pasiguria, nga varfëria, nga papunësia, nga pabarazia dhe nga padrejtësia.
Prandaj, nuk  është fare e këshillueshme, që të ashtquajturat “kuadro deficitare” kosovare, të pëzihen si Serbia në punë të brendshme të Shqipërisë  (2013-2019) !

 Sipas ligjeve dhe Kushtetutës në fuqi të Shqipërisë (1998) dhe sipas normave të së drejtës ndërkombëtare, shtetasit shqiptarë të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Serbisë (edhe nëse e kanë shtetësinë fiktive të Shqipërisë)  nuk kanë asnjë të drejtë të zgjedhen dhe të emërohen presidentë, ministra, kryeministra,  zëvendëskryeministra, deputetë, presidentë, këshillëtarë etj. në institucionet dhe në organet shtetërore të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht se i përkasin të njëjtit komb shqiptar,  sepse shteti është diçka tjetër, nuk është kombi.Parapëlqehet se ata farë “ekspertësh” kosovarë, të ikin nga Shqipëria (sepse kjo ka mjaft kuadro politike dhe diplomatike, edhe për të eksportuar),  le kthehen t’i ndihmojnë Kosov֝ës, e cila ka më së shumëti nevojë për kuadro të mirëfillta si politike, ashtu edhe diplomatike,  e të mos sorollatën, duke “shitur mend” nëpër Tiranë, që gjoja  “veza t’i tregojë pulës” se si duhet bërë politika, diplomacia dhe dejtësia e një shteti me  histori dhe me traditë më se 100-vjeçare.

 Çfarë i duhen  Shqipërisë “gazetarë”, “analistë”,  “këshillëtarë” dhe “ministra” nga Kosova, kur  ajo të tillë ka për “eksport” ?!

 Pse dhe çfarë iu kanë dashur disa gazetarë dhe analist֝ë  të Kosovës, ( të cilëve  askush nuk ua varë në Kosovë, (sepse “kombëtarisht qenkanë të krimbur”, siç shkruajnë masmediat shqiptare), që kryeministri Edi Rama i paska bërë “këshillëtarë, ministra dhe nënministra” të qeverisë së tij. Ky fenomen i pazakonshëm për qeveritë e derisotme të Shqipërisë (1945-2019), nuk do t’i sjellë asgjë të dobishme dhe të vlefshme politikës kombëtare e as ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, sepse atafarë këshillëtarësh dhe ministrash po të kishin qenë me vlerë dhe me kredibilitet sigurisht se do të vepronin në Kosovë, e cila 100 herë më shumë se Shqipëria, ka nevojë specialistë të fushave të ndryshme (sidomos në politikë dhe në diplomaci).Shqipëria nuk ka asnjë nevojë për të “importuar specialistë” (liderë politikë dhe diplomatë) nga Kosova, kur kjo  vetë vuan nga “sëmundje” e tillë), sepse ka me qindra e mijëra të tillë si brenda Shqipërisë, ashtu edhe në diasporë (në Evropë dhe në Amerikë).

 Derisa kemi dy shtete të pavarura, të cilat as de fakto e a de jure ende nuk janë bashkuar në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare e as në kuptimin e së drejtës historike si një komb dhe si një shtet i vetëm, atëherë nuk ekziston kurrfarë nevoje për improvizime dhe për parada politiko-propagandistike (që në prapavijë kanë interesa të ndryshme politike, tregtare,  biznesin dhe luftën për pushtet, që të përçahen sa më shumë), që disa kosovarë të emërhoen këshillëtarë, ministra apo zëvendësministra në qeverinë, në kuvendin apo në Presidencën e Reublikës së Shqipërisë.

 Përthithja e kuadrove nga Kosova, “dëshmi e mungesës”  së kuadrove të mirëfillta në Shqipëri!?

 Një politikë e tillë e qeverisë së Shqipërisë, është e  gabuar, duke qenë se ka kuadro të afta dhe të specializuara të mjaftueshme dhe të dëshmuara, me eksperiencë dhe me prestigj  kombëtar dhe ndërkombëtar  si në fushën e politikës,  të drejtësisë, të diplomacisë dhe të ekonomisë, të kulturës, të artit etj. Ndaj, këto kuadro vendore, duhet të vihen në veprim, të shfrytëzohen për të mirën e përgjithshme (për zhvillimin dhe për përparimin e gjithëmbarshëm) të Shqipërisë, JO të ofendohen, të diferencohen, të diskriminohen dhe të margjinalizohen si “tepricë teknologjike” (ashtu siç po ngjet në Kosovë, gjatë vietve 2000-2019, në vend të kuadrive të mirëfillta të kualifikuara dhe të dëshmuara profesionale kombëtare dhe atdhetare shqiptare, këto i kanë diferencuar, duke i lënë rrugëve si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës, duke i “zëvendësuar” me bërllog dhe me injorantë sipas çelësit partiak, ideologjik, nepotiost dhe mahallor),  duke  i “zëvendësuar” me “importin” e kuadrove të paverifikuara dhe të padëshmuara  si profesionalisht, ashtu edhe kombëtarisht nga Kosova kinse për t’u treguar armiqve tradicionalë shekullorë serbo-sllavë se ja, kjo është “strategjia e bashkimit” të Shqipërisë me Kosovën!?

 – Jo, kjo nuk është kurrfarë forme e bashkimit (me  2 – 3 këshillëtarë apo ministra a zëvendësministrave nga Kosova), por një provokim i keq edhe për Shqipërinë, edhe për Kosovën, edhe për aleatët-partnerët evropianë e amerikanë. -Bashkimi  si komb dhe si shtet bëhet vetëm atëherë kur të gjithë shqiptarët dhe territoret e tyre  bashkohen në një shtet kombëtar-Shqipërinë Etnike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bashkimi i Kombit, kuadrote dyshimta, Prof. Dr. Mehdi Hyseni

PERKUJTIMI I GJENERAL ABAZ KUPI-KUJTESE PER NESER, E SHTUNE, 12 JANAR

January 11, 2019 by dgreca

 

Njoftimi I Partise Levizja e Legalitetit per SHBA dhe Familja KUPI/

1 Varri-kjo-Abaz-Kupi-002-600x450

Partia Levizja e Legalitetit, Dega e SHBA-se, ne bashkepunim me familjen Kupi, ka nderin te njoftoje komunitetin shqiptar, entet fetare dhe politike,mbreteroret shqiptare, anetaret e Partise Levizja e Legalitetit, miqte dhe dashamiret e familjes Kupi, se edhe sivjet, si cdo vjet, diten e Shtune me date 12 Janar 2019, ne oren 11:00am do te mblidhemi tek varri i Gjeneral Abaz Kupit, ne varrezat Maple Grove Cemetery, ne Kew Gardens New York, per te perkujtuar 43 – vjetorin e vdekjes se keti udheheqesi te madh te nacionalizmit shqiptar, njeriut simbol te beses ndaj atdheut, themeluesit te Organizates Kombetare “Levizja e Legalitetit”, politikanit te pa kompromis, besnikut te pashoke ndaj Mbretit Zog dhe mbi te gjitha organizatorit te rezistences antifashiste te 7 Prillit 1939, Kryetarit tone dhe heroit kombetar, Abaz Kupi!

Tubimi do te mbahet me 12 Janar 2019, ne oren 11:00 am ne adresen e meposhtme:

Directions

127-15 Kew Gardens Road, Kew Gardens, New York 11415
Telephone: 718-544-3600, Fax: 718-544-2227

Te gjithe Shqiptaret jane te ftuar dhe te mirepritur.

Mire se te vini.

Kryesia e Partise Levizja e Legalitetit per SHBA.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Partia Levizja e Legalitetit, Perkujtim i i abaz Kupit

KRYEMINISTRI NUK FOLI SHQIP ME DIPLOMATET

January 11, 2019 by dgreca

-Për cilat arsye Kryetari i qeverisë rrëzoi standartin e komunikimit Institucional me diplomatët? Gjuha na drejton kah logjika! /

1 entela Kasi2

Nga Entela KASI/

Gjuha e Kryeministrit përballë diplomatëve të akredituar në Shqipëri, përveç jashtë standardit të komunikimit diplomatik, nuk ishte shqip. Disa fjalë nga osmanishtja nuk i përdor as turqishtja moderne në komunikimin institucional. Që të flasim për gjuhën, në rastin e shqipes e cila është një prej gjuhëve të rralla të botës, kjo mbetet temë për studiuesit, shkencetarët. Gjuha është kombi. Për tenecitetin e kombeve, është shprehur Çabej, mjeshtëri. Pyetja që shtrohet është tepër e thjeshtë. Përse Kryeministri i Shqipërisë në fund të takimit me diplomatët nuk foli shqip? Thënë shqip dhe shkurt ka disa çështje.

1. Cila është arsyeja e cila e drejton Kryeministrin Rama të dalë tej standartit të komunikimit institucional, e të rrëzohet në sy të botës, duke u veshur me agresivitet dhe fyerje ndaj Institucionit të Presidentit të Republikës?

2. Përse Kryeministri i Shqipërisë zgjedh fjalët e osmanishtes kur i drejtohet diplomatëve kundër Institucionit të Presidentit të Republikës?

3. Pse gjuha e Kryetarit të qeverisë, është konfliktuale?

Komunikimi jashtë çdo standardi prej Kryeministrit si institucion, nuk ndihmon aspak në integrimin Evropian të Shqipërisë, e nuk ndihmon po ashtu as Kosovën. Për cilat arsye Kryetari i qeverisë rrëzoi standartin e komunikimit Institucional me diplomatët? Gjuha na drejton kah logjika!

Filed Under: Komente Tagged With: diplomatet, ENTELA KASI, kryeministri, shqipja

SHKOLLAT SHQIPE DHE MËSUESIT SHQIPTARË TË ÇAMËRISË

January 11, 2019 by dgreca

Shkruan: Adil FETAHU/

Vetë lavdërohemi, por edhe studjues e historianë të huaj e pranojnë se Shqiptarët, si pasardhës të pellazgëve, ilirëve e arbënorëve, janë raca dhe populli më i lashtë në Ballkan dhe në Europë, që dikur kishte një shtrirje të gjërë. Përkundër kësaj, në historinë më të re kemi ngelur ndër popujt më të prapambetur në Europë, në pikëpamje ekonomike, sociale, arsimore, shkencore e kulturore. Kjo prapambetje jona është pasojë e pushtimeve të perandorive dhe fuqive të huaja pas rënies së Mbretërisë Ilire, tkurrjes së hapësirës jetësore dhe zhvillimit të vonshëm të shkollimit dhe arsimit në gjuhën amtare, shqipe.Në kohën e Perandorisë Osmane, hapësira etnolinguistike homogjene shqiptare shtrihej nga Sutomore dhe Pazari i Ri deri në Gjirin e Prevezës (në vijën veri-jug), dhe nga deti Adriatik dhe Joni deri në Preshevë (në vijen perëndim-lindje). Në këtë hapësirë etnolinguistike bënë pjesë edhe Çamëria dhe i tërë Epiri, deri në Artë e Prevezë, i banuar me shqiptarë autoktonë. Gjuha shqipe e popullit të Çamërisë dhe Epirit është një dialekt i shqipës që ka ruajtur format arkaike qysh prej gjuhës ilire, të cilën poeti ynë i madh Naim Frashëri e quanë “gjuhë e perëndive”: “Eni vjen pej Çamërie/, me ato milëra fjalë/e me gjuhë Perëndie”.

Sami Frashëri, në Enciklopedinë e tij (1889), kur bënë fjalë për Shqipërinë, në zërin “Arnavutlluk”, shkruan: “Bregu jugperëndimor i Shqipërisë thirret Çamëri. Ka pamje parajse, me ullinj, portokalle, limona e kullota të bukura dimërore. Në brendi ka lugina shumë të bukura midis maleve, pllaja e fusha të larta, siajo e Janinës”. Ndër të tjera, Samiu thotë: “Viset më të begatshe të Shqipërisë janë fushat e Myzeqesë (1000 km/katrore), ndërsa më e  bukura është Çamëria (5000 km/katrore)”.

Historia e Çamërisë është e dhembshme, por edhe krenare, me personalitete të shquara që kanë dritësuar dhe i kanë dhënë lavdi vendit dhe kombit, prej historisë së lashtë  e deri në historinë më të re. Nuk ka një vend tjetër në botë kaq i vogël, që i t’i ketë dhënë njerëzimit aqë shumë figura të shquara,  të përmasave botërore, e të profileve të ndryshme, sikur ka dhënë Çamëria në tremijë vjetët e fundit të historisë.

Çamëria, i tërë Epiri dhe pjesa më e madhe e territorit shqiptar ra nën pushtimin e Perandorisë Osmane në vitin 1449. Pushtimi osman shkaktoi valë të migrimit të popullsisë së Çamërisë dhe gjithë Epirit, në drejtim të ishujve të Greqisë dhe në Itali (Arbëreshët).  Megjithatë, Çamëria deri në vitin 1944 është dominuar nga popullsia autoktone shqiptare, veçse pa të drejta elementare kombëtare për gjuhën, arsimin dhe kulturën e vet, e shtypur nga regjimet fashiste të  Greqisë. Sipas statistikës turke, në vitin 1910 Sanxhaku i Çamërisë kishte 72999 banorë, prej të cilëve 60897 ishin Myslimanë dhe 29593 Ortodoks (A.Baltuçi). Ndërsa sipas statistikës greke, në vitin 1937 Çamëria kshte 279 fshatra, me 112619 banorë, nga të cilët vetëm 20200 ishin grekofonë.

1.Politika arsimore e Perandorisë Osmane  Pas reformave të Tanzimatit, me një Rregulloren për Arsimin  e Përgjithshëm (1869), arsimi u fut në mbrojtje të shtetit, do të thotë se shkollat themelohen, financohen dhe mbikqyren nga shteti, ndonësese lejoheshin edhe shkolla private. Rregullorja përcaktonte  që në  çdo fshat të ketë shkollë fillore të ciklit të ulët, katër klasëshe (“Iptidayie Mektebi”); çdo fshat, vendbanim apo qytet me mbi 500 familje, ta ketë shkollën fillore të ciklit të lartë (“Rushtiye Mektebi”), e cila zgjaste 6 vjet dhe pas saj mund të vazhdohej shkolla e mesme; çdo qytet me mbi 1000 familje, një shkollë të mesme (“Idadiye Mektebi”), ndërsa në qendrat e mëdha nga një shkollë e lartë (“Sulltaniye”). Për mësuesit dhe arsimtarët parashihej të kishin kualifikimin “Darulmualim”, që nënkuptonte të kenë të kryer universitetin. Rregullorja kishte paraparë edhe shkolla profesionale (industriale) dhe shkolla ushtarake. Mirëpo, shqiptarët, përveçse të shkolloheshin në shkolla të huaja e në gjuhë të huaj (turqisht, greqisht, gjermanisht, italisht),  nuk përfituan nga ajo Rregullore, ngase atyre  nuk iu lejohej hapja e shkollave në gjuhën shqipe.  Nga ajo Rregullore përfituan “miletet” tjera: greke, bullgare, serbe, rumune, po edhe Austrohungaria dhe Italia, të cilat, për interesa të veta e me synime djallëzore,  zgjëruan rrjetin e shkollave të tyre edhe në tokat shqiptare.  Që prej shekullit 15, me islamizimin e një pjese të popullsisë, shqiptarët ishin të ndarë në tri fe, dhe ata vetëm gjuhën e kishin të përbashkët. Ndërsa  Perandoria osmane bazohej në sistemin e “mileteve” e  jo të kombeve.  Milet quhej kombi i përkufizuar sipas besimit fetar (myslimanë ose të krishterë: ortodoksë e katolikë). Dhe me qenë se shqiptarët ishin shpërndarë në tri fe, ata nuk ishin një “milet”, prandaj mund të ndiqnin shkollat në gjuhë turke (me alfabetin arab), në gjuhën greke, sllave ose latine, me alfabetet e tyre. Në fund të shekullit 19, në katër vilajetet shqiptare, kishte 1187 shkolla turke (1125 shkolla fillore, 57 shkolla “plotore”- fillore të ciklit të lartë, dhe 5 të mesme), kishte më se 1000 shkolla greke dhe mbi 300 në gjuhën serbe e bullgare, si dhe disa tjera në gjuhën italiane ose gjermane (austriake). Kështu, Perandoria otomane ua kishte mohuar shqiptarëve jo vetëm lirinë dhe pavarësinë kombëtare,  por edhe gjuhën, pasi nuk iu lejonte shkolla, administratë as aktivitete kulturore në gjuhën shqipe. Edhepse shkollat e hueja iu shërbenin qëllimeve dhe interesave tjera, shqiptarët që u shkolluan në to përfituan dije e kulturë. Disa sish punonin në shkollat ose administratat e hueja, dhe ata që kishin ndjenja kombëare, dijen e tyre e shfrtyëzonin për t’i ndihmuar popullit të vet; ata  fshehtas ua mësonin gjuhën  shqipe fëmijëve e të rriturve. Këtë e bënë veçmas në periudhën e Rilindjes kombëtare.

2.Roli i rilindasve në përhapjen e arsimit shqip

Rilindja kombëtare shqiptare, si një lëvizje e përgjithshme, që veproi prej vitit 1931-1912, e sidomos pas Lidhjes së Prizrenit (1878), të cilën Engelsi e quante se ishte lëvizja më përparimtare në Ballkan,  në programin e saj politik kishte çlirimin nga pushtuesi otoman, pavarësinë dhe bashkimin trojeve shqiptare, ndërsa në fushën ideologjike e sociale kishte – hapjen e shkollave, zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe  të kulturës mbarëkombëtare. Rilindasit e njohur,si: Naum Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Anastas  Kullurioti, Dhaskal Thodri, Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Hoxhë Tahsini,Pashko Vasa, Jani Vreto, Zef Jubani, Koto Hoxhi, Thimi Mitko, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Pandeli Sotiri, Nuçi Naçi, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji e  shumë të tjerë,  përkundër vështirësive, pengesave dhe rreziqeve që iu kanoseshin,  bënë punë të mëdha në formimin e klubeve dhe shoqërive kulturore,  hapjën e shkollave, botimin dhe përhapjën e librave e gazetave në gjuhën shqipe. Porta e Lartë dhe kisha greke merrnin të gjitha masat dhe bënin çmos për të mos lënë shkolla në gjuhën shqipe. Në vitin 1867, një delegacion i popullit shqiptar, i përbërë nga K.Kristoforidhi,Pashko Vasa, Hasan Tahsini dhe Ismail Qemali, i kërkoi perandorit osman çeljen e shkollave shqipe, por Porta e lartë jo se lejoi ato, veçse ndërmori masa më të rrepta për ndalimin e tyre. Edhe në ato kushte, fshehurazi mësohej  shkrim-këndimi i gjuhës shqipe.

Një frymëmarrje më e lehtë për të hapjen e shkollave dhe zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe u krijua pas “Hyrjetit” ( korrik, 1908) kur, me ndihmën e shqiptarëve, xhonturqit erdhën në pushtet,   dhe filloi çelja e shkollave gjithandej nëpër Shqipëri,  veçse ajo periudhë nuk zgjati. Sepse, programi politik i xhonturqëve ishte i kundërt me ineresat kombëtare shqiptare. Haki Pasha, në mbledhjen e parë të qeverisë së tij (1911), pasi u bë kryeministër, kishte deklaruar: “Rreziku më i madh nga të gjitha kombet që rrojnë nën imperatorinë tonë janë shqiptarët; ky komb mos zgjohet nga gjumi i rëndë dhe mos përkëmbet, mos marrë diturinë dhe gjuhën e vet, se atëherë e mori lumi Turqinë Evropjane, madje shqiptarët që kanë zënë të hedhin temelet e kombësisë me anë të shkrimit e këndimit shqip, një ditë mund të vënë tërë Turqinë në dorë”!

3.Hapja e shkollave  dhe mësuesit në Çamëri

Si të gjitha viset shqiptare nën pushtimin otoman, edhe krahina e Çamërisë ishte në situatë të vështirë, sa i përket  shkollimit dhe arsimimit të popullit në gjuhën amtare. Bile ishte në pozitë edhe më të keqe, për shkak se përveç pushtetit turk, gjuhën shqipe e urrenin akoma më tepër kisha dhe shteti i Greqisë. Në të vërtetë në Çamëri asnjëherë nuk pati një sistem të mirëfillt të shkollimit dhe arsimimit në gjuhën shqipe. U bënë disa përpjekje, fshehtas e herë-herë edhe haptas për të mësuar shkrim-lexim e për të çelur shkolla në gjuhën shqipe, por përndiqeshin me ashpërsi, arrestoheshin, persekutoheshin ose likuidoheshin aktivistët,  mësuesit, shpërndarësit e librave dhe përkrahësit e përhapjes së gjuhës shqipe.

Lidhja Kombëtare Shqipatare i kishte dy qendra kryesore patriotike në Çamëri: Preveza (në jug) dhe Filati (në veri),  nëpërmes të cilave zhvilloi aktivitetin e vet, si në pikëpamje të luftës për liri e pavarësi, ashtu edhe në përpjekjet për ruajtjen, mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Përhapja e mësimit të shkrim-leximit dhe të librave në gjuhën shqipe bëhej kryesisht nga klubet dhe shoqëritë atdhetare, të mëdha e të vogla,  që ekzistonin ose formoheshin asokohe: në Stamboll, Sofje, Bukuresht, Selanik, Shkup,Manastir,Janinë, Elbasan, Korçë, Berat, Delvinë, Gjirokastër, Filat, Prevezë, etj. Dhe ky aktivitet mori hov pas Revolucionit xhonturk (1908).   Në Prevezë, Sheh Sabri Preveza, formoi shoqërinë “Dituria” dhe në teqën e tij çeli “shkollën” shqipe. Në Filat, atdhetari Rexhep Demi  mbante lidhje të dendura me klubet dhe shoqëritë shqiptare të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes, Janinës, Aleksandrisë etj, dhe menjëherë pas Hyrjetit (korrik 1908), formoi klubin “Vëllazëria”, duke mundësuar kështu që përmes klubit të përhapte aktivitetin e mësimit të gjuhës shqipe. Ai edhe vet punoi si mësues në Konispol, Gjirokastër, Libohovë etj. Veç kësaj, u angazhua kundër shpërnguljes së çamëve për në Turqi. Shkolla e parë në Filat u çel më 7 shtator 1908, ku mësues të  parë  ishin Qamil Izet Çami dhe Hamit Demi. Pas kësaj,  deri më 1910 u çelën edhe disa shkolla tjera,  në Luros, Mallakastër, Konispol, Ninat, Koskë, Janjar, Konicë, Mazarek, etj. Qamil Çami bëri përpjekje edhe për hapjen e një shkolle të mesme në Filat, për të përgatitë mësues për shkollat shqipe.  Përveç mësimit të fëmijëve gjatë ditës në shkollë, mësuesit mbanin edhe kurse  të natës, për të mësuar  edhe të rriturit shkrim e lexim shqip. Me insistimin e aktivistëve dhe të popullit të Çamërisë, gjuha shqipe nisi të mësohej edhe në shkollat turke dhe  në ato greke, ndonëse me fond të vogël orësh dhe e nënçmuar nga udhëheqësit e atyre shkollave. Një formë të mësimit të shkrim-leximit në gjuhën shqipe e ndihmuan edhe “mësuesit shetitës”. Shkollat shqipe (1908-1912) i ndihmuan me libra e financa klubet dhe shoqëritë atdhetare brënda e jashtë atdheut, ndërsa populli i lëshoi shtëpitë për shkolla. Ndihmë të veçantë asokohe dha Dervish Hima, doktori Asaf Çami-Ajdonati po edhe shumë të tjerë. Rasih Dino mbante me financat e tij katër shkolla dhe paguante nga 350 grosh në muaj tre mësues “shetitës”, për t’ua mësuar njerëzve shkrim-këndimin, dhe kishte filluar ndërtimin e një godine shkollore në Filat. Rexhep Demi, në moshën 62 vjeçare kreu kurse për mësues. Dhe këta mësues e aktivistë, sa bënin luftë për gjuhën, poaq bënin për alfabetin latin,  pasiqë xhonturqit ua impononin alfabetin arab, ndërsa kisha greke alfabetin grek.

Duke vlerësuar punën në mësimin e gjuhës shqipe në periudhën prej Lidhjes së Prizrenit,  Sami Frashëri në librin e tij: “Shqipëra ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhet”(1899), shkruan:“Shkollat nuk u shtuan e të vinin mbarë si duheshe, po shkronjat shqip u përhapnë nëpër gjithë anët e Shqipërisë, edhe burra e gra, djem e vasha, gjithë mësuanë në pak kohë të shkruajn’ e të këndojnë gjuhënë shqip. Më njizet vjet shkronjatë shqip lëshuanë aqë  rrënjë të shëndosha e zun’ aq themele të fortë, sa s’mund të çkulet e të rrëzohet kurrë. Ky dru q’u vu njizet vjet më parë, u lulëzua edhe dha pemë fort t’ëmbla e të bukura”.

Por ai proces, ai aktivitet dhe ai enthusiazëm i popullit të Çamërisë e gjithë Shqipërisë për mësimin e gjuhës dhe për shkollën shqipe, u ndërpre me shpërthimin e kryengritjeve të armatosura për çlirimin e vendit dhe me Luftën Ballkanike,  me ndarjen e Çamërisë nga Shqipëria, të cilën Konferenca e Londrës (1913) ia dha Greqisë, e cila jo se nuk lejoi shkolla shqipe, por bëri terror mbi popullsinë myslimane të Çamërisë, duke i detyruar të shpërngulën për në Turqi, Shqipëri e deri në Amerikë, ndërsa shqiptarët e krishterë duke i asimiluar në grekë.

4.Periudha mes dy luftërave botërore

Gjatë Luftës së Parë Botërore, në vitin 1917 Çamëria ishte nën pushtimin e ushtrisë italiane. Për ta joshur e qetësuar popullin, Komesariati i Përgjithshëm Italian lejoi përdorimin e Flamurit kombëtar shqiptar dhe hapjen e shkollave shqipe. Menjëherë u çelën shkollat në Filat dhe Gallbaç, por kjo situatë nuk zgjati, pasiqë Greqia iu bashkua fuqive të Antantës, ashtu që ushtria italiane e la Çamërinë përsëri në zotërim të ushtrisë e të pushtetit të egër fashist grek. Me politikën raciste e fashiste, Greqia bëri gjithçka që myslimanët e Çamërisë të shpërngulën prej vendit të tyre, ndërsa orthodoksët të asimilohen. Për shkolla shqipe as që mund të bëhej fjalë më.

Pas shpalljes së Republikës së Shqipërisë (21 janar 1925), po edhe pas shpalljes së Mbretërisë Shqiptare (1 shtator 1928), qeveria shqiptare shumë herë  paraqiti ankesa në Lidhjen e Kombeve,  për diskriminimin e shqiptarëve të Çamërisë nga sheti grek.  Pas shumë ankesave,  në vitin 1926, u arri një marrëveshje reciproke  midis qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë, për mësimin e gjuhës shqipe për minoritetin shqiptar në Greqi dhe minoritetin grek në Shqipëri, por edhe ajo sabotohej nga regjimi i Greqisë. Në vitin shkollor 1936/37, në Çamëri u hapën 6 shkolla, me 10 mësues, për mësimin e gjuhës shqipe, por kjo bëhej në shkollat greke, dhe nga mësues grekofonë! Megjithatë, prej vitit 1929 deri më 1939, në disa qytete e fshatra të rrethit të Pramithisë dhe të Filatit, në Çamëri,  funksionuan disa shkolla fillore për nxënës dhe kopështe për fëmijë, diku të ndara veçmas për myslimanë, e diku të përziera. Kështu, bie fjala, në vitin shkollor 1937/38, në  shkollat e Çamërisë mësonin gjuhën shqipe 387 nxënës,në: Filat (85), Lopës (75), Smartë (14), Nistë (40), Solloëi (27), Gurrës (16), Mazarek (80), Grikohor (50), ndërsa për shkollat në Karbunara dhe Vrohona nuk kishte mësues. Edhepse  ai nuk ishte një sistem i shkollimit kombëtar, sadopak e mbajti gjallë gjuhën shqipe. Asokohe, nxënës nga Çamëria u shkolluan edhe në shkollat në Shqipëri. Në këtë drejtim, një kontribut të veçantë të shkollimit të çamëve e dha Konvikti ”Çamëria”, në Sarandë, i cili  funksionoi prej vitit 1928 – 1941, dhe gjatë asaj kohe shumë nxënës nga Çamëria, me shpenzimet e shtetit shqiptar,  kryen shkollimin cilësor në shtetin amë. Shqipëria e asaj kohe i kishte kushtuar  vëmendje të posaçme shkollimit të popullit, duke përfshirë edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë (Kosovë, Çamëri e vise tjera). Shteti investonte në shkollimin brënda dhe jashtë vendit. Në periudhën 1925-1939, në gjithë Shqipërinë ishin çelur 643 shkolla fillore dhe 18 shkolla të mesme, të cilat i kryen mbi 60000 nxënës. Se sa ishte e lartë cilësia e mësimit në shkollat shqiptare të asaj kohe, tregon fakti se me diplomën e shkollës së mesme të Shqipërisë, pranoheshin pa konkurs në studime kudo në shtetet e Europës: Itali, Austri, Francë, Angli, Gjermani, Turqi, Rumani, Greqi. Sheti shqiptar i paguante mirë mësuesit dhe oficerët e ushtrisë. Në pyetjen e një gazetari të huaj, përse shteti i stimulon veçmas këto dy kategori, Ahmet Zogu ishte përgjigjur: “Mësuesi e ndriçon mendjen e kombit, ndërsa oficeri i ruan kujftë e atdheut”.

5.Periudha 1941-1944

Gjatë Luftës së Dytë Botëtore,  shqiptarët jashtë Shqipërisë  londineze pushtimin Italian dhe gjerman (1941-1944) e përjetuan si çlirim nga regjimet fashiste serbo-malazeze dhe greke. Sepse pushtuesit e ri lejuan bashkimin e trojeve shqiptare,  hapjen e shkollave shqipe dhe përdorimin e simboleve kombëtare. Ministri i arsimit në qeverinë e Shqipërisë, Ernest Koliqi, ndërmori masa të menjëhershme për hapjen e shkollave dhe dërgimin e mësuesve në “trojet e çliruara”, në Kosovë, Çamëri e Maqedoni. Në Çamëri u hapën shkollat shqipe në rrethin e Filatit, Gumenicës, Margëlliqit e Paramithisë. Pa patur të dhëna tjera, për numrin e shkollave e të nxënësve dhe funksionimin e atyre shkollave, për to po shënojmë vetëm emrat e  24 mësuesve veteranë të asaj periudhe, që punuan në Çamëri, e të cilët presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, i dekoroi në vitin 1994, me motivacion: se hapën dhe shërbyen në shkollat shqipe të Çamërisë, gjatë periudhës 1941-1944.  Ata mësues të dekoruar janë (për rrethin e Filatit): Dino Aqif Abedin, Zeqiraj Mehmet Abdyl, Sejko (Zelfo) Mahmut Abdul, Sejko (Adem) Jakup Shefqet, Sejko Beqir Fejzi, Duçe Mete Ilaz, Demi Avdi Isa, Feçi Ismail, Çumani Sulo Jakup, Sejko Rahmi, Husa (Niza) Riza, Muharremi Alush Sami, Muharremi Halim Sadik, Vëllazërori Nikollë Spiro, Dino Vesel, Çomi Hamza Zenel; (për rrethin e Margëlliçit): Çeço Hasan, Dauti Jahja, Mehmet Halil Jasin; (për rrethin e Gumenicës): Rusi Kasi Musa, Sejko Abdul Qamil, Beqo (Meço) Duro Shaban;  dhe (për rrethin e Paramithisë): Saliko Hasim Sadik (*emrat e mëspipërm për të dekoruarit, janë marrë nga libri i Tahir Z.Berishës: “Emra që nuk harrohën III”, Prishtinë, 2005).

Dhe vëtetë, emrat e atyre rilindasve, atyre atdhetarëve që luftuan me pushkë e me penë, për çlirimin e atdheut e për  ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të ndjenjave kombëtare, qoftë në cilësi të udhëheqësve të klubeve e të shoqërive atdhetare,  atyre mësuesve, atyre që dhanë pa kursim për mësimin e gjuhës dhe arsimimin e popullit, atyre që lëshuan shtëpitë për shkolla, atyre që përhapën librin shqip, duke sakrifikuar e rrezikuar jetën e vet e të familjeve të tyre, duhet të kujtohen e të mos harrohën kurrë, të shkruhen e të ruhen për brezat e ardhshëm.

Filed Under: Histori Tagged With: Adil Fetahu, Shkollat ne Cameri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT