• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2019

Kur do të shohim Shtetet e Bashkuara të Europës – ëndërr e të madhit Viktor Hugo

December 29, 2019 by dgreca

Nga Alfred Papuçiu*/

Herë pas here u kthehem shënimeve, mesazheve nga ana e miqve të mij të mirë që më shkruajnë lidhur me mendimet që shpreh në shtyp, sidomos për dëshirën time që edhe Shqipëria dhe Kosova, të jenë një ditë në Europën e Brukselit. Një prej tyre është dhe profesori i nderuar i gazetarisë shqiptare, Hamit Boriçi, i cili para do kohësh më shkruante:

“Lexova ciklin e shkrimeve – mbrojtje e shkëlqyer e të drejtave të patjetërsueshme të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar; aktakuzë kundër grupeve dhe individëve jo thjeshtë dashakëqinj të Shqipërisë, por edhe politikanëve amoralë në Europë e Shqipëri; advokaturë mjeshtërore me dituritë e një diplomati e publiçisti për çështjet ballkanike, europiane dhe më tej.
Artikujt janë mbrujtur me fakte dhe interpretime kompetente, shprehur me retorikë racionale, por edhe emocionale. Ju nuk keni qëndruar indiferent ndaj kësaj padrejtësie të radhës të paprinciptë që i bëhet Shqipërisë dhe Ballkanit, por u ngritët si tribun i drejtësisë kombëtare e ndërkombëtare, duke u dhënë një shembull edhe politikanëve dhe diplomatëve tanë që shtrirë në plazhe rrezitën për të fituar energji që të zihen me njeri-tjetrin sa të fillojë vjeshta politike në Shqipërinë e “reformave të mëdha”; dhe ashtu mendojnë si e si të vazhdojnë mashtrimet për premtimet e përbetimet që i bënë elektoratit, pa çka se harxhuan miliona Euro e Dollarë edhe nga arka e shtetit. Ju përgëzoj edhe për stilin dinamik që përshkon artikujt tuaj; për mjeshtrinë e komunikimit, duke u servirë lexuesve të interesuar dhe të painteresuar informacione, fakte dhe argumente të pakundërshtueshme.
Me respekt të veçantë, Hamiti”
Ndërsa një mik tjetër, Profesor Luan Shahollari, më shkruan:

“Përshëndetje nga Tirana ,Alfred!

Më vjen mirë që menjëherë pas vizitës në Shqipëri po “ktheheni” here pas here me shkrime në shtypin shqiptar. Kjo tregon se Dheu Amë ju ka dhënë gjallëri e krijimtari…E lexova edhe shkrimin për Hugoin e Madh dhe Shtetet e Bashkuara të Europës dhe më kujton qëndrimet e tua për Europën që në vitet 90-të, kur unë kam ardhur në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën dhe me pëlqeu. Tek libri im i fundit, të kam përmendur me shumë respekt për vizionin tënd largpamës për Shqipërinë dhe Europën. Ndërkohe jam duke lexuar librin “Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara”, i cili po më suprizon me gamën e gjërë të temave dhe personazheve që keni hasur në jetën tuaj interesane, brënda dhe jashtë shtetit, ku sundon tema e dashurisë dhe respektit për njeriun dhe Shqipërinë. Përshëndetje dhe urime! Luani”

Këto mendime të shprehura janë pasqyrimi i një mendimi origjinal dhe të lirë. Ai lidhet me mendimin e përhapur tek një pjesë e opinionit europian: Europa i përket të gjithë shteteve dhe banorëve që e përbëjnë atë, pra duke përfshirë edhe ”Europën tjetër”, ku bëjmë pjesë edhe ne, Shqipëria, Kosova, Zvicra dhe një numër shtetesh të tjerë që janë akoma jashtë saj. A do ta mendojë këtë stafi i ri, drejtues i Europës së Brukselit që është krijuar këto ditë? Këtë do ta tregojë koha, nëse vizioni i tyre për Europën pa kufi që e kanë menduar disa dekada më parë, baballarët e Europës, do të bëhet më në fund realitet.

Studimi i çështjeve europiane më ka shtyrë të gërmoj më tepër për vlerat e individit, lirinë, pluralizmin, Shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe përparësinë e demokracisë.  Nuk i kemi njohur më parë, apo më mirë të themi nuk na i kanë mësuar në shkollë, figurat e atyre që shkrinë energjitë për Europën, si Denis De Rougemont, Alfred Borel, Jean Monnet, De Gasperi, Robert Shuman.

 Qysh nga Lufta e Dytë Botërore, pajtimi franko-gjerman ishte një nga shtyllat e integrimit europian. Përballë Lindjes që ishte nën kontrollin e ish- Bashkimit Sovjetik, Perëndimi krijoi Këshillin e Europës në Strasburg, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pastaj disa vende europiane krijuan Komunitetin Europian, i cili pak e nga pak u zgjerua dhe sot quhet Bashkimi Europian, i përbërë nga 27 vende. Që nga viti 1989, historia e Europës ka patur ndryshime të thella. Në Lindje, regjimet komuniste u ”fundosën” dhe lindën nacionalizmat. Europa, pa të lindin si kërpudhat pas shiut, Shtete- kombe, shpesh në luftë me njeri tjetrin. Tanimë, shihet një formë tjetër e bashkimit midis vendeve europiane të Lindjes dhe të Perëndimit. Shqipëria tashmë bën pjesë në institucione të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe ushtarak në Europë: në Këshillin e Europës, në Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, në Aleancën e Atlantikut Verior, në organizma europiane të Kombeve të Bashkuara, si Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, si dhe ka paraqitur kërkesën për integrim në Bashkimin Europian. 

Qasjet gjeografike dhe gjeopolitike të kontinentit europian kanë marrë parasysh ndryshimin e shkallës së Bashkimit Europian që nga zgjerimi i madh i 2004 -2007.  BE e 27 – 29 në 2012 – e ka vendosur veten si sistemin qendror të organizimit politik në kontinent. Sidoqoftë, nëse e kthejmë pikëpamjen dhe ne e konsiderojmë kontinentin në tërësi, vërejmë se BE përmbledh “vetëm” 27 shtete nga 49 që përbëjnë kontinentin në përkufizimin e tij, të mbajtur nga Këshilli i Evropës (47 shtete anëtare + Bjellorusia të pezulluara që nga viti 1997 + e njohën pjesërisht Kosovën).  

  Europa jashtë-BE Totali i Këshillit të Europës
total %
Sipërfaqja Popullsia Numri i shteteve 6 016 075 km² 325,9 millions 22 57,9 39,5 44,9 10 392 855 km² 826,2 millions 49

Në vitin 2010, mbi një sipërfaqe prej 4,376,780 km², BE mblodhi 500.3 milion europianë, ose 42.1% të zonës së përcaktuar nga Këshilli i Europës, nga 10,392,855 km² dhe 826 milion banorët e interesuar. Në të gjithë kontinentin brenda kufijve të tij konvencionarë, BE ka 68.2% të popullsisë. Dhe të tjerët?

Europa jashtë – BE mbledh kështu 22 shtete – një numër që ka rënë në vite – të cilat janë shpërndarë shumëllojshëm në të gjithë kontinentin, me madhësi shumë të ndryshme dhe peshë ekonomike dhe demografike. Ato gjithashtu ndryshojnë në natyrën dhe intensitetin e marrëdhënieve të tyre me BE-në. Shkurt, nuk mund të flasim për një tërësi homogjene, as politikisht, as gjeografikisht. A e bën kriterin e anëtarësimit jo-BE, në një element të unitetit në një grupim të tillë? Cilat pika të përbashkëta mund të ketë ndërmjet Moldavisë, e cila ka GNP më të ulët për frymë në kontinent (1,229 € / banor) dhe Zvicrën (45,814 € / banor)? Midis Rusisë së gjerë dhe shumë të populluar (17,098,241 km² për 141 milion banorë) dhe principatës së Andorrës (468 km² për 95,000 banorë)? Sidomos pasi që është e nevojshme të shtohen në këto 22 shtete, territoret europiane që i përkasin një Shteti Anëtar, por që nuk janë pjesë e BE: Ishujt e Kanalit (Jersey, Guernsey),  Man, ose Faroe, si dhe bashkitë italiane të Livigno dhe Campione d’Italia (i bllokuar në Zvicër). Këto mikro-territore mbledhin gati 250,000 banorë.

Natyra dhe intensiteti i marrëdhënieve me BE-në, vendi i shteteve ose grupimet e shteteve në arkitekturën gjeopolitike të kontinentit mund të japin një çelës të qasjes gjeografike të kësaj tërësie. Fakti është se ekzistojnë kategori të ndryshme të shteteve, të cilat është e mundur të identifikohen nga profili i tyre dhe konceptimi i tyre për marrëdhëniet e tyre me BE: mospranimet vullnetare, planifikimet që të bashkohen afatmesëm, afrimi strategjik me qëllim të ribalancimit politik dhe / ose ekonomik… kur pyetja është unanime brenda elektoratit dhe grupeve politike kombëtare!

Ne mund të identifikojmë disa grupe shtetesh të shqetësuar nga probleme të ndryshme: shtetet e EFTA-s, ato të CEFTA / CEFTA (Shoqata e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore), ato të CIS dhe mikro-shteteve. Rusia dhe Turqia janë raste të veçanta për shkak të peshës së tyre ekonomike dhe demografike. Këto dy shtete gjithashtu kanë karakteristikën e përbashkët të territorit të tyre kombëtar. Për të shkuar më tej në Europën e Re që nuk dihet kur do realizohet, duke nxitur kështu shtete dhe forca jashtë Europës të marrin, ndoshta primatin..

A mos bëhet kjo enkas për ta mbajtur përsëri një pjesë të Ballkanit dhe të Europës Jugperendimore si fuçi baruti, që popujt që e përbëjnë atë të mos jenë të qetë? Shqiptarët nuk  kërkojnë ndrime kufinjsh me futjen e tyre në Europë, megjithë padrejtësitë që ju bënë atyre, disa shtete europiane, në vitin 1913, që për çudi janë krijuar si të tilla, shumë më pas Shqipërisë dhe Kosovës. Ata nuk kërkojnë as ”dhuratat” që i bëri E. H., Titos, duke i dhënë atij territore shqiptare, sikur i kishte si çifligje të veta (?!). Ata kërkojnë vetëm të kenë mundësi të lëvizin lirshëm, si paraardhësit e tyre, për të parë të afërmit që japin ndihmesën për zhvillimin e vendeve europiane.

Në një qëndrim të tillë, përveç shqiptaruqëve, që ”për inat të sime vjehrre”  çirren kundër përkatësisë në Bashkimin Europian, pasi u ka nxjerrë bojën dhe Mitrua ”dështaku”(?!) futen edhe një grupim armik që për interesa meskine nuk duan ta shohin Shqipërine dhe Kosovën në Europë. A nuk duhet të mendohet mirë ky grupim  se nuk u a ka fajin populli sovran për një ecuri të tillë,  se nuk duhet të afishojë më “çirrjet” e tyre në kundërshtim me dëshirën e një populli të tërë shqiptar në Shqipëri dhe Diasporë,  se e mira e Shqipërisë dhe e bashkëbesëlidhësve është në Europën e Brukselit, siç u realizua dhe në Aleancën e Atlantikut verior, apo me SHBA dhe vendet e tjera mike të Shqipërisë dhe Kosovës ? Nuk duhet t’i vihen më gurë, more të paudhë,  udhës së nisur nga demokracia e brishtë shqiptare, pasi gjithkush që vepron kështu, fshehur apo hapur, do të mallkohet dhe dënohet edhe nga të afërmit e tyre, që po i vënë emrit të familjes një njollë të zezë zifti që nuk hiqet më kurrë. Shërbimi më i madh që i bëjmë Kombit në këto çaste, është që t’i lëmë mënjanë mërirat e kaluara, mllefet personale. E njëjta rrugë duhet të zgjidhet edhe në Kosovë, dhe ti lihet pa vonesë të fillojë punën,  krahas parlamentit të ri që u krijua, edhe qeverisë së  re të ligjshme të Albin Kurtit. 

Edhe duke mos qënë parlamentarë, shteti i brishtë demokratik do t’u japë një punë, përveç bizneseve që keni krijuar me kohë. Kështu e ngrehim më lart, ju shqiptarë të ndershëm në Diasporë dhe Komb,  figurën e shqiptarit trim, me karakter, të çiltër, mirënjohës, mikpritës, qoftë ai malësor, fshatar, intelektual, por që ka një aspiratë të madhe: futjen në Europën e Brukselit, pasi aty është para shumë kombeve që e përbëjnë atë, por në klubin e madh të përfaqësuesve zyrtarë të shteteve europiane. 



Në padrejtësitë që i bëhen popullit fisnik shqiptar, kanë dorë dhe llobet e fuqishme, sado të pakta, armike të Shqipërisë dhe Kosovës, që janë të lidhura me mafian ndërkombëtare. Ata i sollën fenomenet negative në Shqipëri, thjesht për interesat e tyre që ta shtyjnë pranimin e Shqipërisë në Europën e Brukselit sa më tepër që të kenë mundësi, të marrin ata akoma pjesën e luanit, në ndarjen e ndihmave europiane. Ata që i mbajnë akoma në dorë fatet e Shqipërisë dhe Kosovës në Bruksel, duhet ta dijnë mirë se kanë qënë shqiptarët ata që i kanë mbajtur, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vatrat e tyre, pa i dorëzuar tek nazistët gjermanë,  mijra italianë që kishin ardhur si pushtues. Ata u mbrojtën dhe u larguan vetëm pas mbarimit të kësaj Lufte. Janë me mijra e mijra ata grekë që kanë marrë ndihma nga shqiptarët gjatë luftës italo-greke dhe si mirënjohje breza të tjerë të këtyre njerëzve humanë shqiptarë, marrin pension nga shteti grek. A nuk duhet në këto çaste, këta miq të Shqipërisë, grekë, që për çudi mbeten më tepër miq të serbomëdhenjve, apo  italianë, si edhe çifutë (të vetmit shqiptarët në Europë që nuk i dorëzuan hebrejtë tek xhelatët nazistë)  të ngrejnë zërin e tyre për të vënë në vend padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Apo tashmë ata e ”kanë kaluar lumin” dhe u intereson që edhe disa vite të përfitojnë nga puna e papaguar e atyre mijra e mijra shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova, që rropaten rrugëve të Greqisë, Italisë dhe Europës!?

Më kujtohet para disa vitesh, një bashkëkombas i yni, ju drejtua një ministri të jashtëm të një vendi europian, ku ishte vendosur: ”Zoti ministër, unë kërkoj nga autoritetet tuaja të departamentit të brëndëshëm të më japin lejen e qëndrimit këtu, pasi unë kam dhënë kontribut edhe për vendin tuaj duke luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Ministri qeshi me të madhe dhe u dha porosi atyre që ishin pranë tij t’i jepnin përgjigje pozitive qytetarit nga Shqipëria.

Kam një simpati të veçantë për Zvicrën . Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian, pasi kështu ka vendosur populli sovran i saj dhe nuk dihet se kur mund të bëjë pjesë në të. Por ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me fqinjët që janë në Europėn e Brukselit, apo edhe më larg. Zvicra nuk e ndien mospraninë e saj si anëtare e Bashkimit Europian dhe ndoshta nuk ka nevojë për atë Europë “deri diku të korruptuar”. (Të më falin zyrtarët europianë, por këtë e shpreh që të mos marrin më nëpër këmbë një popull sovran, autokton, si populli shqiptar. Mjaft më me ndërhyrje dhe anatema që nuk do të harrohen nga populli europian i Shqipërisë). Zëri i Zvicrës dëgjohet dhe vlerësohet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Do të doja që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Shqipėri, në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit dhe jo të shkojmë në Bruksel apo në Strasburg dhe të paraqesim argumente qesharake dhe të kundërta që lidhen me çështjet madhore të kombit dhe që brezat e ardhshëm apo edhe shumica e shqiptarëve europianë nuk i “hanë më”. Po nuk deshëm njėri-tjetrin si vëllezër, si miq, dashamirës, solidarë, edhe pse nuk mund ta zgjedhim fqinjin, kolegun, apo përfaqësuesin e një partie opozitare, atëhere do të mbetemi te demokracia e brishtë,  e filluar qysh para gati 30 vitesh.  

Gazetari André Crettenand ka botuar një libër të bukur për vendin e tij të vogël, Zvicrën. Së shpejti ai do dalë në shqip për lexuesin tonë në Kosovë, Shqipëri, Zvicër dhe kudo në Diasporë.  Në çdo faqe që përkthej, mendoj se çfarë mund të marrë edhe Kombi ynë nga ky vend i vogël si Zvicra.

“Përsosmëria është e pranishme në këtë vend”. Në librin e tij të vogël, nga numri i faqeve,  me titull “Zvicra. Shpikja e një kombi “, André Crettenand shkruan me plot elozhe për origjinën e tij. Ky ish gazetar i “L’Hebdo” dhe TSR, ish drejtor i informacionit në TV5 Monde në Paris, aktualisht Drejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Televizionin zviceran,është autori i një “deshifrimi” të Konfederatës, në koleksionin « shpirti i popujve .Nënjë numër të vogël faqesh, André Crettenand tregon më tepër se 500 vite të historisë të Zvicrës.

Kam lexuar shumë libra për arritjet e këtij vendi të vogël, gjatë tre dekadave të jetës sime në Zvicër që e kam përshkruar disa herë,  me sipërfaqe afro dyfishi i vendit tonë që Rilindasit tanë e kanë menduar edhe për Shqipërinë tonë, por edhe për Kosovën martire. Por ju them të drejtën se ky libër më ka bërë  të mendoj edhe për Kombin tonë që ka vlera dhe pasuri natyrore shumë më tepër se Zvicra, një bregdet të virgjër, në një pjesë të territorit të saj, dhe njerëz punëtorë dhe paqedashës, apo edhe në Kosovë me njerëz liridashës dhe krenarë. Prandaj u nisa për udhë dhe vendosa ta përkthej në shqip, këtë libër të përkryer, të një gazetari të njohur zviceran.

Ai thotë se shembulli i Zvicrës është unik dhe kur i them se Rilindasit tanë donin që Shqipëria të bëhej si Zvicra, buzëqesh dhe thekson se çdo vend ka karakteristikat e veta, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, për të cilat ka lexuar dhe i njeh edhe nëpërmjet shkrimtarit të shquar, Ismail Kadaré, apo bisedave që kemi shkëmbyer bashkë. Falenderon dhe gazetën « Bota Sot » që ka botuar një shkrim dinjitoz për librin e tij. 

Libri fillon me historinë e Vilhelm Tell, mitit themelues të Zvicrës, dhe përfundon me homo alpinus, një popull i begatë, shumë gjuhësh dhe i përbërë nga shumë kultura, duke përfshirë  edhe rreth 200 mijë  shqiptarë, që ndjek në 2016 rrugën e tij drejt përsosjes. Gjatë përshkrimit të tij,André Crettenand lëkundet mes lavdërimit dhe kritikave rreth këtij shteti pothuajse tepër të begatshëm për të qenë i sinqertë, shumë pak i njohur për të qenë i vlefshëm dhe tepër i qetë dhe i lumtur për të ekzistuar. Aidruhet pak kur flet për vendin e tij kaq bukur, sidomos, për një ndjenjë krenarie që si një zviceran i mirë na mëson  të përmbahemi . Por modestia e lexuesit zhduket nga ndjenja e saktësisë së një Zvicre, të treguar nga një prej bijve të saj. Një libër për ta kuptuar zviceranët, duke u kujtuar atyre që jetojnë atje, përse ndihen aq mirë dhe ata që kanë ikur pse duan të kthehen. Ashtu si autori i librit, tek i cili ne ndjejmë një nostalgji të ëmbël për këtë vend të privilegjuar që “nuk është zvarritur në fatkeqësitë e botës”. Një vend nga i cili duhet të marrë shembull edhe Kombi ynë. Po të shkosh në muzeun « Alimentarium » në Lozanë sheh me syte e tu, rrugën e vështirë të Zvicrës dhe zviceranëve, që sot janë shembull në tërë botën për përkushtimin e tyre dhe arritjet e shumta në fusha të ndryshme të jetës, në marrëdhëniet e shkëlqyera me fqinjët, edhe pa bërë pjesë në Bashkimin Europin, apo edhe më tej me vendet e tjera të botës, duke përfshirë edhe SHBA.

Pse Zvicra?, shprehet autori.

“Gjithçka fillon nga një lojë mizore. Një gjykatës, përfaqësues i Habsburgëve dënon një malësor rebel. Ky është i detyruar të qëllojë një shigjetë mbi një mollë të vendosur në kokën e të birit. Ushtrim i rrezikshëm. Ndërkaq, burri e pranon sfidën. Dhe ja del mbanë. Por ai ka fshehur një shigjetë tjetër. I detyruar të jape shpjegim mbi shigjetën e fshehur, ai pranon se ajo ishte ruajtur për gjykatësin, në rast fatkeqësie. Më vonë, malësori e vret gjykatësin e mbrapshtë.

Lind legjenda e Vilhelm Telit. Ajo do të kalojë shekuj, do të frymëzojë poetët, do të mahnitë zviceranët. Kurajo, zotësi, dëshirë për pavarësi, revoltë kundër fuqive, personazhi Tel u pajis me të gjitha cilësitë, duke i dhënë Zvicrës legjendën e praruar, për të cilën ajo u bë krenare. Një legjendë që kapërceu larminë e gjuhëve, territoreve dhe feve. Sot, historianët thonë se Vilhelm Teli nuk ka ekzistuar kurrë. Pa dyshim. Të paktën, legjenda ka patur efektet e saj : »Si koka e prerë e Orfeut, mitologjia vazhdon të flasë, edhe pas vdekjes së tij, edhe me kalimin e kohës ». Ne jemi të të njëjtit brum si dhe ëndrrat, thotë Shekspiri.

Përsosmëria ndodhet në këtë vend. Peisazhet janë të përkryer. Qytetet kanë një pastërti të habitshme, fshatrat të zbukuruar me lule, rrugët të rregullta. Dëbora çdo vit është e pranishme dhe ndriçon vendin. Banorët e saj flasin të gjitha gjuhët, ata u përkasin kulturave të ndryshme, jetojnë në një harmoni të përkryer. Një mekanizëm politik i gjetur u jep mundësi minoriteteve që të nxjerrin në pah të drejtat e tyre. Qeveria ka një stabilitet të dalluar. Populli vendos për gjithçka, në sajë të demokracisë të drejtpërdrejtë. Cilësi që hasen në fushën ekonomike. Zvicra zë vendet e para në botë për shpikjet. Me të vërtetë nuk ka papunësi. Ka pak konflikte sociale. Me përjashtim të disa grindavecëve kritikues, Zvicra është e njëzëshme. Gjendja është idilike. Ose më mirë, këtë duan të mbajnë mend për atë, sikur përsosmëria mbizotëron ndaj çdo kritike. Gjetiu, gjithmonë është më keq. Përsosmëria dhe e veçanta. Zviceranët e zonës gjermane kanë shpikur një fjalë për ta shprehur këtë : Sonderfall. Ai përmbledh si neutralitetin, sistemin politik dhe mbarëvajtjen ekonomike. Pa dyshim, asnjë vend nuk ka trumpetuar aq shumë se aiështë « i veçantë », ndryshe nga të tjerët dhe për këtë arsye duhet lënë i qetë. Një rast i veçantë në botë, një model përsosmërie, por që asnjeri nuk e bën të vetin. Ndoshta është frika e një lumturie që do të dilte shqetësuese. Kështu, Orson Welles flet për Zvicrën në filmin e tij « Njeriu i Tretë » : « Gjatë 30 viteve në Itali nën Borgia, ata patën luftë, terror, vrasje dhe masakra, por gjithashtu është Mikelanxhelo, Leonadro da Vinci dhe Rilindja. Në Zvicër, ata kanë patur 500 vite të një dashurie vëllazërore, demokracie dhe paqeje, dhe çfarë solli kjo? Ja ku është.

Nuk bëhet Historia me gjykime të mira. Nuk ka stacione metrosh me emra të bujshëm betejash. Nuk ka kremtime të madhërishme, parakalime në bulevardet e mëdha. Zvicra ka shpikur orën tingëlluese në shtëpi. Ajo e mbylli orën në një kuti prej druri,  e zotëroi siç ndoqi fatin e vet : në mënyrë të pandalshme.

Kështu që zviceranët ditën të tregojnë historinë e tyre të praruar. Atë të një populli të vogël të guximshëm që arrin të mbijetojë në një natyrë të vështirë, shpesh vetëm në një mjedis perandorish, dukatesh dhe mbretërimesh ziliqare. Të një vendi punëdashës, të shkathët, të shpejtë, shpikës. Atje ku të tjerët mbështeten tek një e kaluar e lavdishme, pallatesh me afreske, katedralesh gotike, gërmadhash antike, monumentesh përrallore, Zvicra ka investuar tek peisazhi dhe mirëqënia. Zviceranët janë të ndërgjegjshëm se jetojnë në një vend të dashur nga perënditë. Po ata janë modestë, disi të mjaftueshme, nga ata që e njohin sekretin. Zvicra nuk ka qënë prirur nga prozelitizmi i Francës revolucionare, e vendosur për të përhapur dritën tek i gjithë planeti. Ajo e di që është një model, ajo e di që të tjerët e dijnë, pra ajo nuk ka nevojë të mburret shumë.

Ndoshta kjo histori e mjaftueshmërisë të të ardhurave ka lindur në Marignan. Disfatë e paharruar e zviceranëve që deri atëhere terrorizonin ushtritë e të gjithë dinastive europiane. « Ndëshkuesit e mbretërve » u ndëshkuan edhe vete. Historianët hahen mbi rëndësinë e ngjarjes dhe rolin që ka luajtur kjo disfatë në përfytyrimin zviceran. Kremtimi i 500 viteve të betejës, në 2015 solli një polemikë të madhe. Njëra palë gjykonte se neutraliteti zviceran ishte frymëzuar nga ngjarjet italiane, të tjerët mendonin se kjo disfatë nuk e kishte dobësuar shpirtin luftarak të zviceranëve dhe as nuk kishte kontribuar në tërheqjen e përgjithshme të vendit.

Megjithatë unë mendoj se  ngjarja ndikon në psiqikën kolektive dhe nëse atëhere nuk pati pasojat e shpresuara të një disfate absolute, ajo shërbeu më vonë si simbol. Një popull i mbyllur në vetvete, i gatshëm të eksportojë aftësinë e tij- do të jenë mercenarët- por duke zgjedhur për çdo rast- Kongresi i Vjenës i 1815- statukuonë se sa çdo zgjerim të territorit. Një popull, siç thotë Regis Debray në librin e tij Urimi i kufinjve, « është një çështje mitesh dhe formash. Kërkohen një legjendë dhe një hartë ». Legjenda, ishte Teli, harta, qe ky « vend i vogël ».

Midis Veriut të zotë dhe Jugut që kërkon të shijojë kënaqësi materiale, Zvicra mori nga pak nga të gjithë. Mund të thuhet se ajo ka « zemrën franceze dhe kokën gjermane », siç thoshte filozofi Feuerbach, që kërkonte një përkufizim të një mendimtari ideal. Por këtu mendimtari është punëtori me përvojë të madhe. 

Për Zvicrën nuk është dëgjuar të flitet shumë që nga fillimi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ajo tërhiqej në kohën e duhur nga një gjendje e vështirë, por nuk përcaktonte rregullat. Ajo nuk ishte një mbretëri, ajo nuk ushqente të ishte një përfituese e famshme dhe e pangopur, ajo nuk ndërtonte një perandori. Tek « Zotërit e Greqisë », helenisti nga Lozana, Andre Bonnard thotë :” Mjerr njeriu shumë i lumtur ». Lumturia e plotë dhe pa fund është një grackë apo një vegim. Asnjë njeri nuk ka të drejtë për lumturinë absolute, privilegjin hyjnor ». 

Zvicra është një vend i qetë dhe gjithmonë i mundshëm për mërgatë, që nuk ka mjerim por megjithatë e ndërlikuar, e shqetësuar. Sypatrembur, por egoistë nga kujdesi i tepruar, të aftë për më të mirën por dhe më të keqen, për arritje të shkëlqyera . Zviceranët nuk kanë patur fatkeqësitë e botës. Dhe megjithatë kanë shpikur frika bashkëkohore: një sulm i papritur atomik, pushtim i njoftuar nga Lindja, luftë kimike. Jo se këto rreziqe nuk kanë egzistuar, por zviceranët janë të përgatitur me kujdes të tepruar. Vlerësohet më mirë qetësia kur shmang katastrofën.  Të Vjetërit e përcaktonin në këtë mënyrë epikurizmin –arritjen e lumturisë. : të gëzosh lumturinë e të egzistuarit në siguri në breg, kur furtuna fillon në det të hapur. Pra fillimisht Zvicra është ky vend i qetësisë. Ajo ka frymëzuar më tepër poema se sa tragjedi. Në brigjet e Lemanit janë vendosur kompozitori Paderevski në Morzhe, shkrimtari Vladimir Nabokov në Montrë. Atje, Stravinsky kompozoi Ardhja e pranverës. Çarli Shaplini u vendos në Vevei. ” Në buzë të Lemanit, Stendali, Michelet, Ruskin dhe Tolstoi e ndjenë më të butë ardhjen e Lumturisë, të Poezisë dhe të Bukurisë…”. Dhe në kohë të tjera ishin Huhuenotët të përzënë nga Franca, Germaine de Stael që iku nga Napoleoni, Lenini që përgatiti kthimin në Rusi. Pak kohë më parë, David Bowie.

Kjo i ka magjepsur romantikët. Viktor Hugo e përshkoi Zvicrën në 1839. Ai hartoi një raport të plotë lidhur me udhëtimet e tij helvetike qe e çuan nga Bazeli në Vevei. Ai përfshin në tekstin e tij vizatime, skica. Ai shënon, komenton. Në fillim, e frymëzon Rini i madhërishëm, pastaj Alpet, më në fund liqeni. “ Liqeni më guduliste këmbët. Ishte një qetësi e madhe në këtë natyrë të madhe. Ishte diçka madhështore dhe e butë. Një çerek ore më vonë, varka ishte zhdukur, afshi i liqenit ishte qetësuar, qyteti ishte në gjumë. 

“Helvétia është një mit . Zvicra është një markë. Por si u krijua si vend, i populluar nga tetë milionë banorë, krenarë, megjithë ndryshimet e tyre, me flamurin e tyre me Kryqin e Bardhë që njihet kudo ? Dhe si arrin ajo të mbetet aq e begatë, duke qëndruar me vetmohim, jashtë Bashkimit Europian që e rrethon ? Që nga brigjet e liqenit Leman deri tek fusha e Grütlit, në lartësitë e Zvicrës qëndrore, deri tek luginat e Valesë, të rëpira deri në kufinjtë italofone të Tessin. Identiteti i Zvicrës kudo është ngritur në virtut. Por kujdes. Kjo lumturi e të qënit zviceran, shpesh e karikaturizuar nga ata që e vëzhgojnë nga jashtë me zili, gjithashtu meriton një diagnozë kërkuese ».

Zvicrën unë e admiroj dhe çdo herë që shkoj tek miqtë e mij të shumtë zviceranë, si dhe bashkëkombas, apo udhëtoj diku nëpër territorin e saj, mrekullohem me ndryshimet galopante që shoh. Por në asnjë çast nuk mund ta harroj vendin nga kam ardhur, Shqipërinë. Nuk mund të harroj atë kafen e mëngjezit aty në restorantin e vogël pranë shtëpisë, ku shpesh bisedoja miqësisht dhe lirshëm me mikun e mirë të tim eti, Tunit, Xhevat Beqaraj apo me profesorin e nderuar të Historisë së Francës në fakultet, Koli Xoxi, me babain e gazetarisë Prof. Hamit Boriçi, me profesorët e nderuar dhe miq të mij të mirë Ksenofon Krisafi dhe Shaban Murati, me miqtë profesorë që mblidheshim tek Colosseum çdo mëngjez. Nuk mund të harroj ato ditët e bukura, të kaluara buzë detit Adriatik dhe Jon, si dhe Semanit, Vjosës. Nuk mund të harroj udhëtimet në rivierën shqiptare, ditët e bukura të kaluara në Sarandë, në atë mrekullinë e kafes së “Gjuetisë”, në Lezhë, në Valbonën ku u mrekulluan miqtë e mij brazilianë, në Drilon, në Korçën me ato rrugët karakteristike, në Voskopojën e paraardhësve të mij, si dhe atje buzë Gjanicës, në Fier prej nga e kam prejardhjen nga prindërit. Nuk mund të harroj Apolloninë, ku në fëmijërinë time shkoja shpesh tek të afërmit dhe takoja dhe bisedoja me xha Pilon e Muzeut, por edhe shkrimtarin Jakox Xoxa që shkruante “Lumin e Vdekur”. Nuk mund të harroj lagjen “Liri” dhe “Konferenca e Pezës”, po në Fier, ku jetonin gjyshërit e mij dhe ku kam kaluar çaste të këndshme dhe të lumtur. Ashtu si dhe për europianët, gjenealogjia është kthyer në një nga argëtimet më të preferuara, edhe për mua është kthyer në një argëtim, për të plotësuar pemën gjenealogjike, të lënë me kujdes nga im atë i paharruar, Tuni. Shpesh pyesja edhe nënën time të ndjerë, si dhe motrën time, apo edhe të afërm për emra dhe ngjarje të ndryshme. I shënoj ato me kujdes, për kënaqësinë time. Të ndërtosh pemën tënde gjenealogjike, do të thotë të studjosh gjeografinë, historinë, demografinë, të gjesh kuptimin e fjalëve që janë përdorur nga paraardhësit. Gjenealogjia jep një ndihmesë të madhe edhe për gjenetikën. Mjekët kur duan të kuptojnë marrëdhëniet midis prindërve që janë të prekur nga e njëjta sëmundje e trashëguar, i drejtohen gjenealogjisë që dëshmon në shumë raste lidhjen midis grupeve të popullsisë.

Historia e Europës, është  e lidhur me atë të vendit tim, disa shekullore, Shqipërisë. Megjithë shumllojshmërinë e gjuhëve dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në gjithë territorin europian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime: mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoeuropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra mijra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Europën prej dhjetra dekadash, a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, Skënderbeu europian, ata guvernatorë e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën, ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët meritojnë shumë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm, vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, Kosova, edhe ata popuj që ëndërrojnë të « kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin për në Evropë », në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë. Europa tani përbëhet nga shtete kombe, që në të kaluarën kanë qënë në luftë me njëri tjetrin. Por tani vërehet një etapë e re e historisë europiane, ashtu siç e ëndërronte Vikor Hygoi i madh, Curçilli, De Rougemont, dhe siç e ëndërrojnë shqiptarët autoktonë europianë. Historia e Europë,s pas kohës së luftrave dhe nacionalizmave, ka si drejtim kontaktet midis popujve, komunikimin dhe kritikën e përbashkët, shkëmbimet ekonomike, sociale e kulturore.



Komuniteti Europian është një arritje e mirë e një projekti të paqes që mbështetet në përvojat e shumta të shkëmbimeve midis popujve të kontinentit. Europa në tërësi do të forcohet në mënyrë të vërtetë,  vetëm në sajë të solidaritetit me të gjithë botën që e përbën atë dhe jo me një „ndërtim“ të një fortese të rremë dhe egoiste. Edhe Skënderbeu, për të cilin u flas miqve të mij europianë, është pjesë e pasurisë së përbashkët europiane. Edhe Nënë Tereza,  Isa Boletini, Adem Jashari, Bubulina, Shota Galica, Zhan D’Ark, si edhe Vilhelm Teli i Zvicrës.

***

Europa ka si kufij Atlantikun, Oqeanin Arktik, Uralin, Mesdheun, brigjet veriore dhe perendimore të Pont-Euxin dhe më në jug Bosforin dhe Hellespontin. Pa botën e Mesdheut, Europa nuk do të ishte e plotë dhe fizionomia e saj do të ishte e mangët, pasi vlera politike dhe ekonomike, kulturore, shpirtërore e Mesdheut kanë një rëndësi të madhe për civilizimin europian.

Lufta civile kërcënoi të përfshijë të gjithë ish- Jugosllavinë, « shtet artificial » që doli e « fituar » nga Lufta e Parë Botërore, nga ndarja e pabesë e kufijve, në sajë të disa fuqive të mëdha që vendosnin pa marrë parasysh aspiratat e popujve që e përbënin Europën. Në të gjitha republikat e Jugosllavisë të drejtuar nga serbomëdhejtë u përhap fryma dhe dëshira për autonomi dhe më tepër. Spastrimet e komunistëve nacionalistë kroatë pastaj serbë, të instruktuara nga Tito në fillim të viteve 70-të, të kryera pas vdekjes së tij sidomos në Kosovë, ishin shenjat paralajmëruese, të një revolte më të madhe. Dëshira për pavarësi ishtë e afërt Krijimi i shteteve të pavarur dhe njohja e tyre nga komuniteti ndërkombëtar do të sillte patjetër një zgjidhje të vazhdueshme të problemeve të kombësive dhe minoriteteve në Jugosllavi dhe në Europë, si edhe të problemeve të tranzicionit drejt demokracisë dhe zhvillimit. A duhej refuzuar akoma pavarësia e Kosovës ndaj Serbisë  Erdhi koha, bile e vonuar që ajo të kishte shtetin dhe strukturat e veta, identitetin e saj. Duhej ndërtuar një arkitekturë e re europiane, në një tërësi të Europës multinacionale, multifetare, shumëgjuhëshe dhe kulturash. Shqipëria, njëfarë kohe e tulatur nga problemet e veta, me ardhjen e qeverisë demokratike mbështeti me forcë krijimin e Republikës së Kosovës, duke provokuar reagimin e serbëve të Milosheviçit që refuzuan të heqin dorë nga ajo që ata e cilësojnë si „djepi i kulturës së tyre“.



 Edhe sot, me mundësinë e padrejtë që u jipet serbomëdhenjve,  e içëve të tjerë kriminelë, që t’i bashkohen armatës së madhe të serbomëdhenjve që janë larguar me pasuritë e tyre që në kohën e Titos, apo ato femra të bukura serbe që janë martuar me autoritete europiane, intelektualë, historianë që bëjnë historinë e shteteve europiane dhe atyre që janë akoma jashtë saj, Europa e Brukselit bën hesapet pa hanxhinë. Pjesa më e madhe e popullsisë së Kosovës përbëhet nga shqiptarët që janë aty autoktonë. Pakica serbe është vendosur aty më vonë dhe kjo dihet historikisht dhe e argumentuar edhe nga historianë të nderuar europianë dhe të pavarur nga propaganda serbomadhe. Për më tepër dihet se jeta e përbashkët e popujve të Jugosllavisë nuk ka qënë në respekt të barazisë dhe identitetit, apo zhvillimit ekonomik të çdonjerit që e përbëjnë atë. Komuniteti europian dhe sidomos SHBA po pranojnë pak e nga pak se kjo është „çështje jo vetëm europiane“ dhe po marrin përgjegjësinë e tyre. Megjithatë, Milosheviçi,dhe ata që e pasuan, duke marrë si shkak revoltën e ligjshme të popullit kosovar, të mbështetur nga bashkëkombas që jetojnë jashtë dhe popuj miq, trumbetuan me mllef ideologjinë e Serbisë së madhe. Flaka nacionaliste serbomadhe u përhap nga një republikë në tjetrën. „Divorci“ i popujve ju kundërvu sistemit nacional totalitar. E drejta për vetvendosje u vu në rend të ditës. Një hap u bë me pavarësinë e Kosovës. Urojmë që kjo padrejtësi e historisë së sotme, me refuzimin e vizave për qytetarët e shtetit të pavarur të Kosovës,  të shkojë sa nuk është vonë, në krahun përparimtar…

Po të shfletosh volumet e « Historisë së përgjithshme të civilizimeve » të shkruara nga „kokat e mëdha“ të historisë, duke përfshirë edhe serbë të vendosur prej kohësh në Europën e Brukselit, deri vonë nuk gjeje ndonjë referencë për Shqipërinë. Nuk është vendi këtu për të dhënë argumenta të tjerë, jo vetëm si ato të profesorit zviceran, Basil Schader, njohës i përkryer i gjuhës shqipe,gjuhëtarëve, historianëve në botë, lidhur me historinë e civilizimit shqiptar, por kjo harresë të bën të mendosh : historianët që kanë shkruar historinë e Europës, edhe të « Europës tjetër » a mos i ka dhënë vetë shans E.H. të « sundojë » në Shqipëri nga 1944 deri në 1985, derisa vdiq ? E vërtetë është se në atë periudhë, veprat e tij kishin përparësi dhe përktheheshin edhe në gjuhë të huaj, ato përmbanin edhe fakte historike, por ata historianë që formulonin edhe historinë e Shqipërisë, krahas asaj të « Europës tjetër », diku atje në një vend të Europës, nuk mund të merrnin si bazë referenca të diktatorit. Por nga ana tjetër, në mos gabohem, janë botuar në gjuhë të huaj edhe në atë kohë libra si « Historia e Shqipërisë », në gjuhën frënge, nën kujdesin e profesorëve të nderuar shqiptarë, mbi 25 vite më parë, që përmban edhe fakte historike të pakontestueshme për historinë e civilizimit shqiptar, jo vetëm gjatë kohës së Skënderbeut, por edhe më parë. Për çudi, botimi i 2004 « Ligjërata ballkanike: fjalë dhe njerëz », i të njëjtës shtëpi botuese në Francë, nuk i referohet shumë veprës së francezit Zhorzh Kastelan (Georges Castellan) « Histori e Ballkanit » (shekulli XIV-XX), 1991, e cila përmban fakte historike bindëse dhe për civilizimin e « Europës tjetër », duke përfshirë edhe Shqipërinë, edhe për autoktoninë e shqiptarëve e shumë dëshmi të tjera, por autori i « Ligjëratës… » gjen me vend të përmendë nga libri i profesor Kastelanit vetëm faktin se « populli » i Shqipërisë « del shumë jashtë cakut të shtetit të tij eponim dhe duke bërë këtë ai kënaq dëshirat kontradiktore të lexuesve francezë dhe ballkanikë ». Autori nuk mungon t’i japë vend edhe Mira Millosheviçit, gruas së diktatorit të vetëvrarë, në një kohë që mund të merrte, ndër të tjera, të dhëna historike nga botimi i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Instituti Historisë të vitit 1993 (mbi 11 vjet para botimit të « Ligjëratës… », me titull: « The truth on Kosova » (E vërteta mbi Kosovën ). Ky botim voluminoz prej 350 faqesh ka dokumenta mbi ilirët dhe autoktoninë e shqiptarëve.



Që populli shqiptar s’ka dalë jashtë « cakut » të shtetit të tij eponim, mjafton të përmendim vetëm shkrimin e studjuesit Aleksandar Stipeviç, me titull «Every story about the Balkans begins with the Illyrians » (Cdo histori mbi Ballkanin fillon me Ilirët »), apo të studjuesit tjetër Radoslav Katiçiç «  Mbi antroponiminë dhe etnogjenezën e Shqiptarëve » ; të prof. Henrik Baric « Disa të vërteta mbi banimin e hershëm të shqiptarëve në Gadishullin e Ballkanit » ; apo prof. francez Alain Ducellier « A e kanë pushtuar shqiptarët Kosovën » ; ai libër përmban burime të shumta studimore , jo vetëm nga arshivat qëndrore shtetërore të Republikës së Shqipërisë, por edhe të Turqisë, të Austrisë, të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, të Gjermanisë, të arshivave të Foreigh Office të Britanisë së Madhe dhe të vetë ish-Jugosllavisë.

Gjatë qëndrimit tim disa ditësh para disa kohësh në Tiranë mora librin e tretë të diplomatit dhe gazetarit penëartë, me një përvojë 40 vjeçare edhe në fushën e gazetarisë, apo prej një dekade, në atë të diplomacisë. E kam fjalën për Shaban Muratin, me të cilin vite më pare, në vitet 70-80-të ishim kolegë. Atij ndoshta nuk do t’i vijë mirë që unë shkruaj për të, pasi ai është tepër modest, por leximi i librit, si dhe dedikimi që më ka dërguar, nuk mund të më lënë pa e përmendur. « Fredit, mikut tim të vjetër, me vlerësimin për kontributin e shquar në promovimin e çëshjesh shqiptare nëpër botë. Shabani”. Do të uroja që libri i Shaban Muratit të ishte në tavolinën e çdo diplomati shqiptar kudo në « Europën tjetër » apo në vendet e Bashkimit Europian, dhe gjetiu. Ai është një analizë e përkryer e “Cështjes shqiptare pas Pavarësisë së Kosovës”,  është një testament diplomatik. Siç shprehet ndër të tjeranë librin e tij me postulata tepër aktuale, vetë analisti ynë i shquar, diplomat karriere dhe ish drejtor i Akademisë Diplomatike të Shqipërisë, se janë shkëputur njëherë e përgjithmonë nga ide, doktrina, programe dhe ambicje për ta sabotuar këtë çështje”. Dhe ai vazhdon: “çështja shqiptare është ende e kërcënuar, sepse shtete ballkanike, që kanë një trashëgimi historike jo miqësore me çështjen shqiptare në përgjithësi dhe me përbërës të saj në veçanti, si psh me Kosovën, nuk kanë dëshmuar“çështja shqiptare identifikohet me mbrojtjen e interesave strategjike e jetike të kombit shqiptar. Në këtë kuptim, shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e kudo që jetojnë, nuk mund të mos ndjejnë edhe vetë veten e tyre si pjesë dhe bartës të çështjes ende të pazgjidhur shqiptare”.



Një shërbim i tillë ndaj Kombit që bën Shabani me librat e tij, duhet lavdëruar. Më parë ai fillimisht“ I bëri një analizë të thellë procesit të « ndërrimit demokratik » në Serbi, pas rënies së regjimit famëkeq të Millosheviçit. Libri i tij « Serbia kundër Serbisë » – analizë e një gjysëmrevolucioni të lënë përgjysëm, botuar nga shtëpia botuese « Albin » në 2005, lexohet me nje frymë dhe s’ke dëshirë ta lësh pa e mbaruar deri në fund. Në të flitet me realizën edhe për « Europën tjetër » dhe rolin ogurzi të disa qarqeve keqdashëse.

1-     Nga dëshira e mirë e disa shteteve europiane për të parë Serbinë të inkuadruar në proceset e reformave demokratike bashkë me shtetet e tjera të rajonit.

2-     Nga dëshira jo e qartë e disa shteteve të Bashkimit Europian dhe e Rusisë për të kundërshtuar praninë dhe rolin e NATO-s në rajonin e Ballkanit.

3-     Nga dëshira e vjetër e disa shteteve të rajonit për të bërë një rikompozim të aleancave të vjetra në terrenin ballkanik me të njëjtën bazë antishqiptare. Ekspertë të ndryshëm vlerësojnë »se Serbia ia arriti këtij avancimi nëpërmjet nxitjes, pjesëmarrjes dhe fryrjes së vatrave të tensionit në rajonin tonë. Nuk ishte rastësi që ajo i lidhte vatrat e ndryshme të tensionit në Ballkan vetëm me emërtim shqiptar dhe me përrallën e vjetër të përpjekjeve për « Shqipëri të Madhe ». Fushata intensive e diplomacisë serbe për satanizimin e faktorit shqiptar në Ballkan, e kombinuar me veprimtaritë e lidhjeve të vjetra të shërbimeve sekrete dhe me idiotizmin apo mercenarizmin e disa grupeve revolucionare ose kriminale shqiptare, arriti të lëvizë për të keq në disa kancelari opinione dhe qëndrime kundrejt kombit shqiptar » :

Shaban Murati e meritonte të shkruheshin faqe të tëra për librin e tij, si dhe të tjera për Bosnjën etj. Shaban Murati shpreh një të vërtetë të pamohueshme në librin e tij të fundit që çdo historian apo analist i Ballkanit,  Europës  mund ta vërejë thjesht : « Cdo diplomat dhe analist e ndjen se bëhet e vështirë të kuptohet plotësisht kuadri i rolit dhe i veprimit të një shteti në Europën Juglindore, pa njohur edhe pikëpamjen e të gjitha kryeqyteteve rajonale, me të cilat shteti përkatës ka marrëdhënie dhe raporte historike e perspektive.



Një pikëpamje nga Shqipëria del si një nevojë për çdo studjues, që kërkon të plotësojë njohjen e hartës historike, diplomatike dhe politike të rajonit. Nuk janë të paktë diplomatët dhe studjuesit europianë, që e kanë krijuar opinionin e tyre për Shqipërinë dhe kanë formuar kulturën e tyre për çështjen shqiptare në Ballkan nga literatura politike serbe. Nuk kam hasur ndonjë studjues apo diplomat, që ta ketë formuar opinionin e tij për Serbinë nga literatura politike e Shqipërisë. Serioziteti i analizës dhe kërkimit të së vërtetës këshillon njohjen e dy literaturave… ». “Enigmat diplomatike të Pavarësisë së Kosovës”-fletë nga ditari i një ambasadori është shkruar për çështjen e statusit dhe të pavarësisë së Kosovës, brenda vorbullës së ngjarjeve,” i nxitur nga ndjenja e detyrës për të dhënë një kontribut modest në përpjekjet për të shpeguar në kohë për opinionin public dhe diplomatic shqiptar se çfarë po ngjet, për të dërguar një sinjal drejt vendimmmarrësve, nëse kanë patur veshë dhe dëshirë për të dëgjuar”.

Këto postulata dhe libri i sipërpërmendur i analistit të politikës së jashtme, prej mëse 50 vitesh dhe diplomatit të urtë, modest, por me tepër kulturë, Shaban Muratit, duke njohur thellësisht jo vetëm historinë, politikën, kulturën, zakonet e vendit të vet, por edhe të vendeve ku ka qënë ambasador, do të dëshiroja të përktheheshin sa më parë në gjuhë të huaj, qoftë anglisht, frëngjisht, apo gjuhë tjetër. Ky do të ishte një shërbim i madh që do t’i bëhej edhe kombit tonë dhe vënies në vend të të vërtetave historike që të mos shtrëmbëroheshin enkas, apo edhe të prirur për t’i servirur opinionit publik dhe lexuesit « fjalë dhe njerëz » që mund të shkaktojnë keqkuptime apo fatkeqësi popujve dhe vendeve të « Europës tjetër ». Mjafton që këta autorë të shohin edhe « jetët e dymbëdhjetë Qezarëve », 12 biografi të ndara në 8 libra për Qezarin, Augustin dhe trashëgimtarët e tyre julio-klaudienë (Tiberin, Kaligulën, Klaudin, Neronin) ; apo për tre perandorët e vitit 69 (Galba, Othoni, Vitelliusi), ato të tre perandorëve të dinastisë flaviane (Vespasienin, Titysin, Domilienin). Në to mëse njëherë përmenden me respekt Ilirët, paraardhësit autoktonë të « shqipëtarëve », « arbanasve », « arbëreshëve », « arvanitasve ». Le të lexojnë Homerin dhe ç’thotë për shqiptarët, dijetarin francez Solange d’Angely.



Çfletoj kohë pas kohe edhe librin e Gaston Boissier i Akademisë Franceze « Ciceroni dhe miqtë e tij », studim mbi shoqërinë romake të kohës së Qezarit, botuar nga libraria « Hachette » në 1923. Në të përmenden me simpati dhe shqiptarët. Po t’i kthehem qoftë edhe me dy rreshta librit të profesorit francez Zhorzh Kastelan « Historia e Ballkanit » ke respekt për këtë studjues që i jep vendin që meriton edhe « Europës tjetër », pra ndër ta dhe Shqipërisë dhe librin ja dedikon : « Kolegëve dhe miqve të mi në Shqipëri, Bullgari, Greqi, Rumani, Turqi e ish-Jugosllavi, të cilët gjatë një çerek shekulli më bënë ta kuptoj e ta dua Ballkanin ». Këtyre historianëve duhet t’u jepen në dorë dhe t’u besohen arkivat e shteteve europiane, në mënyrë që e vërteta historike të mos shtrëmbërohet dhe t’i shkojë për hosh keqdashësve të « Europës » për ta përçarë atë, për të futur pyka midis tyre.

Pra në këto çaste do të dëshiroja që ata që vendosin në Euopën e Brukselit, të cilëve do t’u dërgojmë një letër si intelektualë shqiptarë në Diasporë, të mësojnë edhe për Kombin tonë që i ka dhënë Europës figura të shquara, shumë më tepër se serbofilët që ai takon dhe ku sot e kësaj dite me mijra e mijra shqiptarë japin ndihmesën e tyre në fushën e ekonomisë, të shkencës, të ndërtimit, arsimit, që ato të ecin më përpara. Jo vetëm Ismail Kadarenë që njihet në botë më tepër se sa një president i çdo vendi qoftë, por edhe Robert De Niro, Aleksandër Moisiu, Sandra Bullock, James Belushi, Ferid Murati, Angjelin Prelocaj, Eliza Dushku, Stan Dragoti, Riçard Lukaj, Joseph DioGuardi, Emina Cunmulaj, George Tenet, Kledi Kadiu, Laura Mersini Houghton , Tedi Papavrami, Anthony Athanas, Erald Dervishi Saimir Pirgu, Fadil Berisha, Liria Begeja, Nik Xhelilaj, Karl Gega,  dhjetra e dhjetra artistë që i ka duartrokitur, ma merr mendja në skenat madhështore të Brukselit, Skalës, Parisit, Nju Jorkut, Athinës, Buenos Airesit, etj., edhe kryetarë shtetesh që e përbëjnë Europën. Hendeku midis « Europës tjetër » dhe Europës së 27-tëve nuk duhet të thellohet më. E vërtetë se epoka e E.H. e kishte hequr Shqipërinë nga historia e përgjithshme e civilizimeve europiane, pasi ishte cilësuar një « vend i mbyllur », « hermetik ». Por tani Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më si portugezët kur « flakën » diktaturën vite më parë, apo spanjollët që fshinë frankizmin dhe hynë në Europën e Brukselit, megjithë mangësitë që kishin në ato kohë. Shqiptarët nuk janë më si italianët, grekët dhe popuj të tjerë që u detyruan në fillim të shekullit të 20-të, apo edhe më vonë të merrnin rrugën e kurbetit, atje në Amerikën e largët. Është e vërtetë që « arbanasit » kur u larguan nga vitet 1700 nga tokat e tyre amtare, u detyruan nga të tjerët të ndronin emrin, siç u detyruan edhe shqiptarët krishterë në kohën e otomanëve të ndryshonin emrat e tyre për të pasur një punë në administratën e asaj kohe. Megjithatë të vërtetat dhe vlerat e një kombi nuk mund të shuhen. Është e vërtetë që nga « padija » apo enkas, bashkë me qingjat shqiptarë, u grabitën dhe u shitën për dy kacidhe edhe zbulime arkeologjike, në ato vende që akoma i shkojnë për hosh për interesa të ngushta Beogradit dhe jam i bindur që kanë ndikuar  në vendimarrjen famëkeqe të  deri djeshme. Por ato nuk mund ta lënë Shqipërinë në një « Europë tjetër » për shumë kohë. Miku im Franko, si edhe unë ruajmë si të shenjta pemën gjenealogjike të familjeve tona, si edhe shumë familje në Europën e të 27-tëve. Nxisim edhe fëmijët tanë t’i kenë ato, si dhe fotografi të familjes, gjyshërve dhe gjysheve. Bëri mirë  Zografë Kokthi që na dërgoi jetëshkrimin e gjyshit dhe gjyshes së saj, luftëtarit me kobure,  Dhimitër Kokoneshi që të mos e harrojnë brezat e ardhëshëm. Ato do transmetohen brez pas brezi. Është e vërtetë se gjuha jonë dihet se është e folur që në « kohën e Perëndive », por historiografia perendimore i ka anashkaluar disa herë të vërtetat historike sidomos të Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse disa popuj, duke përfshirë dhe shqiptarët, si rezultat i pushtimeve të huaja, u detyruan të ndronin fenë, apo i janë bërë dhe padrejtësi të tjera, kjo nuk do të thotë se nuk janë të denjë për të zgjeruar Europën e të 27-tëve dhe duhet të qëndrojnë përjetësisht në « Europën tjetër ». Të jesh në Europën e Brukselit apo edhe jashtë saj, është një mënyrë e përkohshme jetese në të përditshmen e një qytetari europian, për të cilën unë shprehen pa prapamendime…Të gjithë jemi të ndërvarur dhe të lidhur me njeri tjetrin. Sipas mendimit bashkëkohor « Individualiteti » ka kuptim vetëm kur je në një grup dhe kur shkëmben mendime, por edhe kulturën, etj., me të njëjtën barazvlerë. Shumë vende që hynë vite më parë, apo edhe vitet e fundit në Europën e Brukselit dhe u shkëputën nga « Europa tjetër », nuk kishin të njëjtin nivel zhvillimi, siç e kanë sot, pasi kanë marrë subvencione të shumta. Korrupsoni në « Europën tjetër » është i dukshëm dhe në anën e « civilizuar ». Kjo si rezultat i një të vërtetë, pasi njerëzit bëhen të pangopur por disa herë edhe nga xhelozia…Lexojmë çdo ditë lajme të mira…Disa shoqëri ajrore përfshirë së fundi dhe Easyjet, etj fluturojnë në Shqipëri në aeroportin modern “Nënë Tereza” të Rinasit. Ku shqiptarët si edhe unë kemi tani pasaportat biometrike që siç duket përfaqësues të BE si kanë parë. Por do t’i a dërgojmë t’i shohin! Të shohin edhe autostradën që lidh Tiranën me Rinasin apo me Fierin tim. Të shohin bankat e shumta europiane dhe amerikane që janë vendosur në Shqipëri dhe i kanë shtuar dita ditës përfitimet e tyre. Të shohin disa universitete europiane ku japin mësim profesorë të dëgjuar shqiptarë që kanë studjuar në Europë dhe kolegë europianë apo amerikanë. Të shohin ato magazina madhështore që u a kalojnë atyre të shumë vendeve europiane, të shohë…Europën vetë , në Shqipërinë e brishtë demokratike !

Dëgjojmë edhe se statusi i Kosovës do të merret parasysh, shumë shpejt. Jetojmë në një epokë të jashtëzakonshme, plot shpresa dhe shqetësime, një epokë ku zbulimet pasojnë njëra tjetrën, ku qëndrimet e kundërta nuk kursejnë as zakonet dhe as traditat më solide ; një epokë ku problemet që dje nuk viheshin në dyshim : të energjisë, të zhvillimit të vendeve europiane, të strukturave politike të botës së industrializuar, sot përbëjnë një shqetësim për disa ; tani jemi « të pushtuar » nga Televizionet publike dhe private, si dhe gazetat e shumta ;  diku shprehen për paqe, për buqeta me lule, solidaritet, mirësi ; diku tjetër vetëm kriminalitet, prostitucion e drogë… Fenomene që nuk ishin të dukshme në të kaluarën, si rezultat i « hermetizmit ». Shumë prej tyre u sollën enkas nga mafia italiane, apo edhe vetë ndonjë fqinj, enkas për ta lënë Shqipërinë jashtë Brukselit. Thuhej për të qeshur se ekonomistët shqiptarë po të shkojnë në Amerikë do ta shkatërojnë ekonominë amerikane, me padijen e tyre. Por shumë prej tyre punojnë edhe në Uoll Strit, edhe diku tjetër, në aeronatikë, apo si arkitektë, profesorë, artistë, edhe në Europën e të 27-tëve…Ka ndonjë që të shtyjë hyrjen e Shqipërisë  apo Kosovës « de jure » në Bruksel, pasi u pëlqen fuqia e lirë punëtore shqiptare, mungesa e mbrojtjes së tyre nga « shteti i së drejtës » ku jetojnë…Ne jetojmë edhe në një epokë të solidaritetit ndërkombëtar, kur i jepet dora njeri tjetrit. Në këtë ndërvartësi të thellë, kufijtë pothuaj fshihen midis njerëzve apo edhe shteteve fqinje. Zvicra dhe Franca në kufijtë e tyre, nuk kanë mure ndarëse, apo tela me gjemba. Por kanë bimësi dhe lule. Natyrisht kontrollet « e lëvizshme » nuk mund të shmangen ndaj keqbërësve.

Nën shembullin e Komunitetit Europian që i bashkoi armiqtë tradicionalë, sapo kishte mbaruar lufta, popujt e vendeve të tjera europiane që nuk bëjnë akoma pjesë në Europën e të 27-tëve, pra janë në ”Europën tjetër”, si Zvicra, Norvegjia, Shqipëria, Kosova dhe disa vende të tjera europiane, do t’i sjellin asaj një frymë të re bashkëpunimi dhe paqeje në kontinent. Pra nga 49 vende që e përbëjnë kontinentin europian, vetëm 27-të prej tyre ndodhen në Europën e Brukselit.

Dihet botërisht se të paktën tre qytete kryesore të Shqipërisë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, me një jetë të pandërprerë, kanë afërsisht një moshë me Romën. Gjurmët arkeologjike greko-ilire-romake, teatro dhe amfiteatro ndodhen kudo në vendin tonë. „Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit europian, popull themeltar në rrafshin e tij, ashtu siç është pranuar gjuha shqipe nga gjithë gjuhëtarët e mëdhenj, si një ndër 10 a 12 gjuhët bazë të kontinentit“, na kujton shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadaré. Dhe ai vazhdon me argumenta: „Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para europianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan të zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Europës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria“.

Më lejoni ta përfundoj këtë shkrim me mendime të mija modeste, pa mllef, pa nerva, pa prapamendime për vende që i përkasin « Europës jashtë Brukselit », me fjalët e shkrimtarit të madh francez Viktor Hygo, shumë dekada më parë, në fjalimin e tij më 21 gusht 1849, në Kongresin e Paqes për „Shtetet e Bashkuara të Europës“: „ Do të vijë dita kur armët do t’u bien nga duart, edhe juve! Do të vijë një ditë kur lufta do të duket gjithashtu absurde dhe do të jetë po aq e pamundur midis Parisit dhe Londrës, midis Petersburgut dhe Berlinit, midis Vjenës dhe Torinos, që siç është e pamundur dhe duket absurde sot midis Rouenit dhe Amiensit, midis Bostonit dhe Filadelfias. Do të vijë një ditë kur ju Francë, ju Rusi, ju Itali, ju Angli, ju Gjermani, ju të gjithë, kombe dhe kontinent, pa humbur cilësitë tuaja të veçanta dhe individualitetet tuaja të lavdishme, do të shkriheni ngushtësisht në një bashkësi superiore dhe do të ndërtoni vëllazërinë europiane, ashtu si Normandija, Bretanja, Burgonja, Lorena, Alzasa, të gjitha provincat tona që u bënë njësh me Francën. Do të vijë një ditë kur nuk do të ketë më fusha të tjetra lufte dhe se tregjet do të hapin rrugën e tregëtisë dhe mendjet e njerëzve do mbushen me mendime. Do të vijë një ditë kur mortajat dhe bombat do të zëvëndësohen nga votat, nga votimi i përgjithshëm i popujve, nga arbitrazhi i nderuar i një senati të madh sovran që do të jetë në Europë, ashtu siç është Parlamenti në Angli, ashtu si është Dieta në Gjermani, si është Asambleja Ligjvënëse në Francë ! (Duartrokitje) Një ditë do të vijë kur do të tregohet një top në muze, siç tregohet sot një instrument torture, duke u habitur se çfarë ka qënë ai (Të qeshura dhe bravo nga salla). Do të vijë një ditë, ku do të shihen këto dy grupe të mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtetet e Bashkuara të Europës (Duartrokitje), të vendosura përballë njeri tjetrit, duke i dhënë dorën njeri tjetrit, mbi detet, duke shkëmbyer produktet e tyre, tregëtinë, industrinë, artet, gjenitë e tyre, duke deshifruar globin, duke kolonizuar shkretëtirat, duke përmirësuar nën shikimin e Krijuesit dhe duke kombinuar sëbashku, për të patur të gjithë mirëqënie, këto dy forca të pakufishme, vëllazërimi i njerëzve dhe fuqia e Zotit (Duartrokitje të zgjatura) Victor Hugo.

*Autori ka mbrojtur “Diplomën e Studimeve të Larta Europiane”/DEA/ në Universitetin e Gjenevës, me temën “Shqipëria dhe Europa – perspektiva të integrimit” dhe ka punuar në Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Europën në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, dhe në organizma të tjera ndërkombëtare. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Alfred Papuçiu, Shtetet e Bashkuara te Europes

Ambalazh i ri i projekteve të vjetra

December 28, 2019 by dgreca

Takimet që filluan në Serbi dhe që do të përmbyllen në Serbi janë ambalazh i ri i projekteve të vjetra/

Nga Bardhyl Mahmuti/

Në samitet që u mbajtën në Berlin (28 gusht 2014), në Vjenë (27 gusht 2015), në Parisi (4 korrik 2016) dhe në Trieste (13 korrik 2017) përfaqësuesit më eminent të BE-së u përpoqën të mbanin të hapur perspektivën evropiane për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjën.

Është plotësisht e vërtetë se në përputhje me nivelin e takimeve, në të gjitha këto samite shteti i Kosovës është përfaqësuar me udhëheqësit e institucioneve të veta.

Në të gjitha këto takime u tha në mënyrën më të qartë të mundshme se “ardhmëria e shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është investim strategjik për paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet të Europës në tërësi”. Nga ky këndvështrim, “ata përshëndetën angazhimet që shtetet e Ballkanit Perëndimor të promovojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë regjional”.

Pjesëmarrja  përfaqësuesve të institucioneve të shtetit të Kosovës në këto takime ka qenë në përputhje të plotë me orientimet politike të vendit tonë për integrim në BE. Të përmenden “darkat dhe drekat që udhëheqësit e Kosovës paskëshin ngrënë me përfaqësuesit e Serbisë gjatë këtyre takimeve”, ashtu siç bën z. Edi Rama dhe tellallët e tij /gazetarë që janë futur në paketën e “ligjit antishpifje”, janë manipulim i neveritshëm. Të gjithë ata që përmendin takimet paraprake, të udhëhequra nga BE-ja, dhe fajësojnë udhëheqësit e Kosovës se gjoja “kanë futur vendin në rrugë qorre dhe kanë izoluar Kosovën” pse nuk morën pjesë në tri takimet e “Mini-Shengenit” serb, janë vënë në shërbim të fshehjes së realitetit dhe përhapjes së gënjeshtrave.

Përhapja e gënjeshtrave dhe fajësimi i udhëheqësve të Kosovës për mospjesëmarrje në takimet që nuk kanë asgjë të përbashkët me procesin e filluar nga BE-ja nuk është asgjë tjetër pos strategji e shfajësimit të palës serbe.

E vërteta qëndron në faktin se iniciativat e BE-së për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor u minuan nga serbët e Bosnjës. Të rikujtojmë se edhe gazetarët që sot hungërojnë kundër “hipokrizisë së politikanëve të Kosovës”, më 6 korrik të vitit 2019 publikuan lajmin se “Për shkak të ‘ftesës denigruese’, Thaçi refuzon ftesën e Dodik për në Samitin e Sarajevës”. Në shkrimet që publikuan këtë lajm thuhet në mënyrë të qartë se “kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik ka thënë se Hashim Thaçi nuk është ftuar në cilësinë e Presidentit të Kosovës, në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që do të mbahet në Banja Llukë, por si përfaqësues i Prishtinës” dhe se “Dodik ia ka bërë të qartë Hashim Thaçit se ai duhet të kuptojë që Kosova është pjesë e Serbisë”.

Nuk ka turp më të madh sesa të fshihet ky fakt dhe të fajësohen udhëheqësit e Kosovës pse nuk marrin pjesë në takime të tilla.

As z. Edi Rama e as tellallët e tij nuk mund ta fshehin faktin se refuzimi i pjesëmarrjes në këtë samit nuk ishte futje e “Kosovës në rrugë qorre” nga ana e udhëheqësve të Kosovës, por qëndrim në përputhje të plotë me interesat e shtetit të pavarur të Kosovës. Të mos harrojmë se në atë kohë, edhe Kryeministri i Shqipërisë e refuzoi pjesëmarrjen në samitin e Banja Llukës dhe për këtë veprim askush nuk e akuzoi z. Edi Rama se “po e futë Shqipërinë në rrugë qorre”. Përkundrazi! Solidarizimi me Kosovën ngjalli një simpati të madhe te qytetarët e Kosovës.

Në të njëjtën periudhë kohore kur kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik i kujtonte Hashim Thaçit se “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe e ftonte të merrte pjesë në samitin e Banja Llukës “si qytetar i Prishtinës”, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev doli me qëndrime të njëjta. Në intervistën dhënë “Kurir TV” të Serbisë, Zoran Zaevi mohoi gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët, deklaroi se gjoja “Kosova është zemra e Serbisë dhe se aty është historia e Serbisë” dhe përsëriti qëndrimin e vet kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Në përputhje të plotë me pikëpamjet e lartpërmendura, më 24 dhjetor 2019 Zoran Zaev deklaroi: “Kosova mund t’i bashkohet iniciativës, por Kosova dëshiron të ftohet si një shtet më vete, e cila nga ana tjetër është pjesë e një problemi të pazgjidhur me Serbinë, ku vendet e tjera nuk mund të ndërhyjnë”.

Ndryshimi i rregullave të lojës që ishin vendosur nga BE-ja dhe përpjekja për t’i imponuar Kosovës kushte të papranueshme është njëra anë e medaljes. Anën tjetër të medaljes e përbëjnë përpjekjet ruso-serbe për grusht-shtet në Mal të Zi dhe mbështetja e forcave maqedonase që janë kundër BE-së dhe kundër NATO-s. Strategji ruse ka për qëllim të krijojë zonën e saj të influencës në këtë pjesë të Europës Juglindore dhe ta kthejë në digë kundër BE-së dhe NATO-s.

Takimet në Novi Sad, në Ohër dhe në Durrës nuk janë vazhdimësi e samiteve që u mbajtën në Berlin, në Vjenë, në Parisi apo në Trieste. Madje edhe vetë z. Edi Rama e titullon publikimin si “Takimi i 3-të Rajonal për Ballkanin Perëndimor”.

Takimet që filluan në Serbi dhe që do të përmbyllen në Serbi nuk janë asgjë tjetër pos një ambalazh i ri i projekteve të vjetra. Për këtë veprim që nuk ka përkrahjen e fuqive të mëdha të BE-së dhe të SHBA-ve, në intervistën ekskluzive për emisionin “Stav” të TV O2, të datës 23 dhjetor 2019, Aleksandar Vuçiq deklaroi se “Edi Rama ka treguar një guxim që rrallë shihet te politikanët ballkanas. Unë e di sesa është e rrezikshme dhe aspak naive kur u kundërvihesh të mëdhenjve evropianë apo të tjerë”.

 “Kushdo qoftë që e ka përmendur apo kërkuar bashkimin të Ballkanit dhe të ballkanasve, ai e ka pësuar. Edhe mbreti Alekdandar edhe Svetozar Markoviqi e kanë pësuar në mënyra të ndryshme (…) Mbreti Aleksandar Karagjorgjeviq ka qenë një njeri mjaft i dijshëm dhe jashtëzakonisht i guximshëm. E akuzojnë se ka vendosur diktaturën në kohën kur e ka shpëtuar shtetin që e ka formuar dhe ka mbrojtur të drejtën e serbëve që të jetojnë në një shtet. Ka rrëfimet, për të cilat nuk kemi fakte, se Zhorzh Klemanso (Georges Clemenceau) i ka thënë që ta vizatojë deri ku është Serbia e Madhe dhe ta marrë atë territor. Edhe pse një gjë e tillë nuk dëshmohet me asgjë, shumica e serbëve kanë qëndrim negativ ndaj mbretit Aleksandar Gjorgjeviq, pikërisht për këtë arsye. Ka qenë plotësisht e qartë se ka qenë e vetmja formë shtetërore që ka mundur të krijohet, ku serbët do të jetonin në një shtet. Dhe për herë të parë një gjë të tillë ka arritur ta bëjë mbreti Aleksandar së bashku me serbët e asaj ana të Drinës dhe të Danubit (…). Dhe për atë e ka vrarë organizata ku kanë qenë ustashët si Ante Paveliqi, VMRO-ja por bullgare e Vlado Çernozemskit, shërbimet sekrete italiane, angleze dhe të vendeve të tjera. Si ka mundur të jetë i keq për Serbinë kur të gjithë kanë dashur ta likuidojnë?!”.

Në ndërhyrjen e gazetarit Milovan Jovanoviq se “kritikuesit e Mini-Shengenit thonë se ky projekt parasheh krijimin e Jugosllavisë së Re, në Prishtinë flitet se po bëhet Serbia e Madhe, ndërkaq në Serbi thonë se je duke bërë Shqipërinë e Madhe” Aleksandar Vuçiq deklaron në formë sarkastike: “Të gjithë e kanë kuptuar! Mendoj se ajo është mirënjohja më e mirë për iniciativën tonë”.

Po, po! Në Kosovë të gjithë  kanë kuptuar se në kohën kur shteti serb u heq nënshtetësinë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjes, me qëllim që t’i shpallë si apatrid, presidenti serb Aleksandar, njëlloj si dikur mbreti serb Aleksandar, përpiqet të heq kufijtë e shteteve përreth, që serbët të jetojnë në një shtet. Në këtë kontekst, z. Edi Rama duhet të sqarojë pse pranoi të shkonte në takimin e Novi-Sadit në Serbi, atje ku nuk ishte ftuar Kosova, dhe pse ka pranuar të bëhet tellall i një projekti që Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë.

Aleksandar Vuçiq sqaroi qëllimet politike të “Mini-Shengenit” serb. Ndërkaq, propaganda për krijimin e të ashtuquajturës “zonë e lirë e qarkullimit të kapitalit” nuk është asgjë tjetër, pos zhurmë për të fshehur qëllimin e vërtetë të krijimit të një “zone” ku do të qarkullojnë lirshëm paratë e pista, ku “kapitali” i grumbulluar nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni do të shitet si “investim i jashtëm”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, projekt i vjeter

10-VJETË PA AMBASADORIN LUBLIN DILJA, ISH PËRFAQËSUES I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË WASHINGTON

December 28, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
10-vjetë më parë, kaloi në amshim Ambasador Lublin Dilja, anëtar i çmuehsëm i trupit diplomatik shqiptar dhe mik i përzemërt i të gjithë atyre që erdhën në kontakt me të ndjerin Dilja.10-vjet më parë, Shqipëria humbi njërin prej përfaqsuesve diplomatikë më të papritueshëm të saj.  Ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington, i ndjeri Lublin Dilja u nda nga kjo jetë, 10-vjetë më parë, prej një sëmundjeje të rëndë, në vitin 2009, kur ai ishte në moshën 51-vjeçare, në kulmin e jetës dhe të veprimtarisë së tij aktive diplomatike.  Ishte një vdekje e rëndë për të gjithë ne që patëm fatin ta njihnin, pasi ndërroi jetë në një moshë kur njeriu arrinë kulmin e fuqive mendore, profesionale, diplomatike dhe shoqërore.  Ishte kjo një humbje e rëndë, sidomos, për familjen e të ndjerit Lublin, për Shqipërinë dhe për trupin diplomatik të saj.
Njëherazi, ishte një humbje e rëndë edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, me të cilin Ambasadori Lublin Dilja pothuaj menjëherë pasi kishte filluar nga detyra në Washington dhe si asnjë ambasador tjetër i Shqipërisë në SHBA, si atëherë dhe sot kishte lidhur marrëdhënie të ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi, dhe me individë të komunitetit, në veçanti.
Unë e kisha takuar Lublin Diljen për herë të parë, një ditë pasi kishte arritur në Washington në Nëntor të vitit 1993, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, i akredituar gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada. Ai qëndroi në këtë detyrë deri në tetor të vitit 1977.  Më kujtohet sikur të ishte dje, në shtëpinë time në Folls Çërç të shtetit Virxhinia, nja 10 kilometra jashtë Uashingtonit, atë natë të nëntorit të vitit 1993 kisha disa mysafirë, pjesëtarë të një delegacioni të Partisë Demokratike nga Shkodra, edhe ata gjithashtu në vizitën e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara. Unë nuk e njihja Ambasadorin e ri shqiptar në Uashington, por vizitorët shkodranë më njoftuan se një ditë më parë kishte ardhur ambasadori i ri shqiptar në Washington, Lublin Dilja, të cilin ata e njihnin, dhe më sugjeruan që ta ftoja edhe atë për darkë me qëllim që të njiheshim me njëri tjetrit. Në atë kohë mezi prisnim të takonim njerëz të ardhur nga Shqipëria, e lëre më ambasadorin e parë të rregullt të Shqipërisë në Washington.
E pranova me kënaqësi propozimin e vizitorëve nga Shqipëria sepse — ndonëse kisha qenë dëshmitar i nënshkrimit të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit në Mars të vitit 1991– ardhja e ambasadorit të ri shqiptar në Uashington – përfaqësues i një qeverie post-komuniste të Shqipërisë – më dukej gjithnjë si një ëndërr që ishte vështirë të merrej me mend si realitet. Ishte diçka që në të vërtetë e kishim pritur dhe shpresonim për një kohë të gjatë, por që thuaj se kishim humbur shpresën se do të rivendoseshin ndonjëherë marrëëdhëniet midis dy vendeve– duke marrë parasyshë armiqësinë prej pothuaj gjysëm shekulli të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj Shteteve të Bashkuara.
Sidoqoftë, Ambasador Dilja e pranoi ftesën menjëherë për të ardhur tek shtëpia ime pa asnjë hezitim, megjithëse ishte i lodhur nga rruga e gjatë nga Shqipëria, pasi kidhte arritur në postin e tij të ri diplomatik vetëm një ditë më parë. Ndenjëm deri vonë atë natë duke biseduar për Shqipërinë dhe ëndrrat e popullit shqiptar për liri demokraci, pas pothuaj një gjysmë shekulli, nën njërin prej regjimeve më të egra komuniste që ka njohur bota. Natyrisht, Ambasador Dilja ishte i interesuar për të mësuar sa më shumë për jetën dhe zhvillimet politike në Uashington si dhe për misionin e tij të ri diplomatik që e priste në kryeqytetin amerikan.
Ambasadori Dilja ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme kujtimesh ndër të gjithë ata persona me të cilët është takuar shoqërisht dhe me të cilët ka punuar profesionalisht, jo vetëm në fushën diplomatike, por dhe në fusha të tjera të veprimtarisë së tij me të gjithë miqët e dashamirët shqiptarë dhe amerikanë, që e kishin njohur. Jo vetëm gjatë shërbimit të tij diplomatik, si përfaqësues i denjë i Republikës së Shqipërisë në Uashington, por më vonë edhe si Ministër-Fuqi-Plotë i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si pedagog në fushën e arsimit shqiptar.
Për mua personalisht, përshtypjet mbeten shumë të mira dhe respekti për Ambasadorin Lublin Dilja, si njeri dhe si përfaqësues i denjë diplomatik i Shqipërisë, u çimentuan atë natë në shtëpinë time në Virxhinia jashtë Uashingtonit.  Lublini të lente përshtypjen si njeri i thjeshtë dhe pa pretendime, posedonte shumë cilësi të larta njerëzore. Me gjithë sfidat shëndetësore, ai e përballoi situatën me kurajë të thellë dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie për punën e tij prej diplomati dhe në jetën e tij të përditshme. Ishte tepër i urtë, me sjellje të një zotërie, por serioz në punën e tij dhe i vetëdijshëm se përfaqësonte Shqipërinë. Si i tillë, gjatë shërbimit të tij diplomatik në Uashington dhe në Nju Jork, ai i solli nder Shqipërisë, si në qarqet diplomatike amerikane dhe ndërkombëtare, ashtu edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte bërë, ndërkohë që nuk mungonte kurrë në aktivitetet e tija, me gjithë sëmundjen e rëndë që e kishte lodhur shumë gjatë viteve të fundit të jetës së tij, kur shërbente në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Jam dëshmitar se si diplomat i ri, ai përfaqësoi vendin e tij në kryeqytetin amerikan gjatë një periudhe shumë të vështirë për Shqipërinë dhe për të personalisht. Me gjithë këto vështirësi, përfshirë sfidat financiare dhe politike me të cilat përballej ambasada shqiptare në Uashington dhe vet Ambasadori Dilja, përfshirë krizën e mallkuar që kishte pllakosur Shqipërinë në atë kohë, ai shërbeu me dinjitet dhe u kthye në atdhe, megjithëse mund të rrinte dhe të vendosej në Amerikë në mënyrë permanente, ashtu siç bënë shumë diplomatë të tjerë shqiptarë gjatë viteve. Me sjelljet e tija dhe në bisedat me Lublinin gjatë asaj periudhe të vështirë për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, kurrë nuk u dëgjua t’i hidhte baltë Atdheut që i shërbeu me dinjitet, të cilin e donte aq shumë, por ndjehej i privilegjuar që i ishte dhënë mundësia ta përfaqësonte atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje edhe në biseda private, Ambasador Dilja nuk shfryhej kurrë për problemet personale ose institucionale në të cilat hasnin, por si përfaqësues i vërtetë dhe i denjë i vendit të tij që ishte, Lublin Diljas të linte përshtypjen se ai ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pikëspari në shërbim të Shqipërisë dhe jo domosdo në shërbim ose si përfaqësues i ndonjë partie ose individi të veçantë.
Puna e tij e zellshme dhe e palodhshme, me gjithë sfidat serioze shëndetësore me të cilat që përballuar, trimërisht, çdo ditë të viteve të fundit të jetës së tij – ashtu në heshtje dhe pa bujë, vuante.  Dashuria e tij për Atdheun dhe për interesat kombëtare, sidomos në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, e stolisin Ambasadorin Lublin Dilja me merita të veçanta dhe e bën atë shembull të një diplomati të denjë dhe të respektuar të Shqipërisë, për brezat e ardhshëm të diplomacisë shqiptare. Për këtë arsye e kujtoj mikun tim të vjetër Ambasador Lublin Dilja – 10-vjet pas largimit të tij nga kjo jetë me respekt, jo vetëm për punën e tij si diplomat, por edhe si mik e dashamir i komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte gjatë periudhës që ai përfaqësoi Shqipërinë në Uashington dhe në Nju Jork të Shtetet e Bashkuara.
Në këtë 10-vjetor të kalimit në amshim të Ambasador Diljes, i paraqesim familjes së tij të ngushtë dhe ish-bashkpuntorëve të tij në diplomacinë shqiptare, ngushëllimet tona më të gjalla e të sinqerta në kujtim të mikut dhe diplomatit të shquar shqiptar, me ndjiesi vëllazërore!

Filed Under: Politike Tagged With: 10 vjet

MIHALLAQ QELESHI, FJALIMI I LAMTUMIRËS

December 28, 2019 by dgreca

NGA THANAS L. GJIKA*/

Në këtë jetë, si ka thënë i paharrueshmi Peshkop Fan Noli, të gjithë jemi kalimtarë. Kush më shpejt e kush më vonë largohet nga jeta duke lënë pas kujtimin e tij. Të lesh një kujtim të mirë është gjëja më me vlerë që mund t’u lesh pasardhësve të tu. Nuk ka rëndësi se sa gjatë rron, se çfarë postesh e pasurish ke pasur, se çfarë postesh dhe pasurish u le pasardhësve. Rëndësi më të madhe ka të lesh emrin e mirë, sepse emri të ndjek edhe pas vdekjes. Askush nuk do, që pas vdekjes, njerëzit e tij të ndjehen me turp, kur t’i përmendet emri, por secili do që familjarët dhe miqtë e tij të ndjehen krenarë.

Ju keni dëgjuar, që pasi largohet nga jeta një njeri i mirë, thuhet: “Zoti e ndjeftë, ishte zemërmirë!” Por unë, që e njoha nga afër jetën e familjes Qeleshi, po ju them se Mihallaqi ishte një nga ata burrat e rrallë, për të cilët thuhet në mënyrë figurative: “Ai e kishte zemrën më të madhe se krahërori”. Dhe kjo shprehje thuhet për një njeri që e ha jetuar jetën si qytetar i ndershëm që u ka qëndruar larg tundimeve të djallit, që ka punuar e jetuar si trim, që ka mbrojtur të vërtetën, që ka përkrahur të dobëtit dhe ka ndihmuar të varfërit. Për ne që jetojmë larg atdheut ka rëndësi të ndihmojmë mëkëmbjen e komunitetit, pra dhe të institucioneve fetare dhe shoqërore që na bashkojnë dhe na përfaqësojnë në diasporë. Të gjitha këto aspekte të jetës Mihallaqi i ka plotësuar në mënyrë shembullore që në rininë e tij.

Ai u lind në Korçë më 31 gusht 1954 në një familje atdhetare që kishte qenë e lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste në krahun e Partisë Komuniste, por që kjo parti pasi erdhi në fuqi i shkaktoi shumë trauma kësaj familjeje. Mihallaqi ëndërronte të bëhej mjek për të shëruar njerëzit nga sëmundjet, por pas arrestimit të dytë të babait, atë e dëbuan nga Fakulteti i Mjekësisë dhe e detyruan të punonte vetëm punë krahu. Në jetën e tij pas kësaj ngjarjeje ky djalosh shpesh herë gëlltiti më shumë lot se bukë. Të tillë ishin momentet kur pas dënimit të babait me 25 vjet burg, nëna u trondit rëndë dhe u shtrua në spitalin psikiatrik të Elbasanit dhe e vogla Katerinë e Mihallaqi mbetën jetimë edhe pse babanë dhe nënën i kishin gjallë. Pas ca kohe u erdhi fëmijëve nga burgu një porosi nga babai: “Mihallaq dhe Katerinë, mos ajdeni të më takoni në burg!” Dy fëmijët, që e dinin sa i dhemshur ishte babai i tyre, u prekën thellë nga kjo porosi me të cilën ai ia mohonte vetes mundësinë e takimit dhe të çmalljes me ta. Por, ish-komunisti Thanas Qeleshi donte t’i shpëtonte fëmijët nga pasojat e politikës çnerëzore të asaj kohe.

Tronditës ishte për Mihallaqin dhe takimi i parë me babanë në burgun e Gjinokastrës pas 13 vjet ndarjeje. Për fat të mirë me të kishte shkuar në atë takim dhe Agroni, burrin i Katerinës, për ta shoqëruar e kurajuar. Kur u organizua takimi, baba Thanasi nuk dha asnjë shenjë njohjeje. Edhe pasi Mihallaqi i tha se kush ishte, babai iu përgjigj: “Nuk të njoh”. Djali, i trembur se mos vitet e jetës në izolim ia kishin shkatërruar kujtesën. Iu afrua dhe i tha: “Baba jam unë, Malaka, si më thërrisje kur isha i vogël. Nuk të kujtohet? Përqendrohu!” Me lot në sy iu afrua babait dhe e përqafoi. Pastaj i tregoi se ai dhe Katerina ishin martuar dhe se të dy kishin nga dy fëmijë, ia prezantoi Agronin, dhëndrin e tyre. Pas kësaj, at e bir u qetësuan, por shqetësimet nuk iu ndanë as babait as të birit edhe pas daljes nga burgu. Regjimi u ndërrua , por demokracia e vërtetë, si e donin të përndjekurit e vërtetë të ndërgjegjes si Thanas Qeleshi dhe fëmijët e tij, nuk erdhi. Trazirat e vitit të mbrapshtë 1997 i detyruan familjet e përndjekura të Mihallaqit dhe të Katerinës të kërkonin strehim politik në ShBA, ku erdhën më 1999.

Jeta në Amerikë, ku ka më shumë demokraci se kudo, i dha mundësi Mihallaqit të shpalosë më mirë aftësitë e tij. Ai provoi punë dhe zanate që nuk i kishte menduar më parë. Duke punuar me ndershmëri, guxim dhe zemër të hapur arriti të bëhej biznesmen që diti të fitonte dollarë dhe t’i prishte si duhej për të shijuar jetën bashkë me familjarët dhe shoqërinë.

Me jetën e përkorë si anëtar dhe veprimtar i Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, si anëtar i regullt i “Federatës Vatra” dhe abonent i gazetës “Dielli”, si qytatar aktiv në face book-un e tij, ku shkruante komente të mençura; si bashkëshort, si baba e gjysh shembullor; si shok e mik i dashur i shumë shqiptarëve dhe amerikanëve, Mihallaq Qeleshi e realizoi ëndrrën e tij për t’u bërë mjek. Ai u bë Mjek, me “M” të madhe, sepse me jetën dhe punën e tij na ndihmoi dhe do na ndihmojë, jo thjesht për të shëruar sëmundje e plagë në trupat tanë, por për të na treguar rrugën e qytetarisë së ndershme për të na shëruar dhe shpëtuar shpirtrat tanë.

Të gjithë ne që kemi qenë shokë e miq të Mihallaqit do ta mbajmë kokën lart sa herë të përmendet emri i tij, prandaj ju lutem dhe familjarëve, bashkëshortes Efi, vajzave Mariolla e Adelaida, dhëndurëve Scot St. Jean dhe Jani Tego, si dhe mbesave Jessica, Savanah, Brielle dhe Allison, mos u dëshpëroni për largimin para kohe të njeriut tuaj të dashur, sepse ai iku sipas thirrjes që iu bë prej Zotit. Këtë Thirrje, si tha Julia në poezinë e saj dhe Father Mark sot, shpirti i tij e ndjeu, prandaj këto muajt e fundit bëri disa gosti për të lënë kujtime të gëzuara, dhe në mbrëmjen e 22 dhjetorit 2019, shkoi i ngopur nga jeta me suksese.

Lamtumira që i dha mbrëmë komuniteti ynë me pjesëmarrje të jashtzakonshme para dhe pas trisaisë që mbajtën Father Mark Doku dhe Father Nicolas Apostula, tregoi se largimi i këtij njeriu të mirë nga gjiri ynë, frymëzon dhe nxit për afrimin me njëri tjetrin, për afrim me kishën tonë që na bashkon nga lindja deri në vdekje…

I Përjetshëm qoftë kujtimi i të dashurit dhe të mirit Mihallaq Qeleshi!

*Fjalimi i mbajtur gjate ceremonise percjellse.

Filed Under: Vatra Tagged With: Mihallaq Qeleshi, Thanas Gjika

POETI

December 28, 2019 by dgreca

  • Rrëfim për Visar Zhitin dhe Edmond Cajën/
  • NGA URAN BUTKA/

Ai trokiti me mollëzat e gishtërinjve mbi xhamin e repartit të pikturës ku punoja. Nëpërmjet qelqit paksa bojëqielli, si përmes një shtrese uji, dallova imazhin e përthyer të Visarit. Po buzëqeshja e tij e veçantë, ishte e vërtetë dhe depërtuese. U ngrita menjëherë dhe dola jashtë, pak i habitur.
Gjatë përqafimit, u përpoqa të kujtoja, kur kishim ndenjur së bashku për herë të fundit. Gjithsesi, kishte mjaft kohë. Në pamje kish mbetur ashtu siç qe adoleshent: flokët ngjyrë mjalti kaçurrela-kaçurrela, shkapërdredhur mbi ballë e mbi tëmtha. Fytyra nazike, sytë disi të papërcaktuar – midis ngjyrës së ullirit të papjekur dhe barit rrëzë pishave. Poshtë bebes së zezë, një dritëz e ngrohtë okër. Buzët e holla si vargjet. Po të mos kishte mjekrën burrërore, do të mendoje se shihje fytyrën e një Narcisi të brishtë e të përhumbur. Edhe sikur të kishte ndryshuar, do ta kisha njohur, siç e njoha menjëherë nga buzëqeshja e gjerë, gati fëminore, që i merrte gjithë fytyrën.
– Ju kërkova në shkollë, -tha Visari. – Kujtova se do të ishit arsimtar. Ndoshta, më mirë kështu. Kam respekt për punën e mësuesit, por nuk e dua.
– Bëjmë një shëtitje apo gjerbim një kafe?- e pyeta.
– Po më vë të zgjedh ndërmjet parajsës dhe ferrit,- qeshi ai.
Zgjodhëm parajsën. Ecëm në drejtim të Shkëlzenit. Kaluam fshatin Markgegaj dhe arritëm deri te Vau i Veizit, një toponim i ri nga emri i farmacistit të qytetit që peshkonte vetëm atje. Aty fillonte gryka e thellë e Valbonës, nga e cila vinte një frullizë vjeshte, ndërsa ujërat e saj thërrmoheshin në mijëra ngjyra. Visari më pyeste për çdo gjë, sikur të isha vendas. Po shkelte për herë të parë andej me dëshirën e zjarrtë për të vizituar qytetin alpin dhe Valbonën me një bukuri tronditëse. Si poet kishte zgjedhur vjeshtën e dytë, kur Alpet kishin vënë mbi sy qeleshen e bardhë, ndërsa lugina e Valbonës i kishte të gjitha ngjyrat e dheut.
Zërat tanë përsëdyteshin dhe jehonat, si shumëfishime uturruese fjalësh, përhapeshin në krejt luginën.
– Valbonën e kam përfytyruar si një vashë që zbret nga Alpet, e gjatë, e hollë dhe e zhdërvjellët si gjarpërushe, me sy të kaltër e me rroba të bardha, si shkuma e ujërave qiellore, – tha Visari.
– Që këtu e gjer lart te burimet, nis e sos mrekullia e Valbonës,- thashë unë. – Kam shkuar gjer në Dragobi. Më tej nuk kam guxuar. Është zonë kufitare…
– Çudi, tha Visari, – gjërat e ndaluara i lakmoj dhe kur s’i arrij, më shfaqen në ëndërr. Pa ëndrrat jam një skelet. Nga im atë kam dëgjuar aq shumë për Kosovën, saqë e shoh shpesh në ëndërr. A nuk është kjo trevë pjesë e Gjakovës? I rashë tërthor Lumës, ngaqë më thanë se është gjymtyrë e Kosovës…
Visari fliste tërë pasion. Jehona i jepte thellësi dhe fjala i kishte hije.
– Jam kaq afër Kosovës dhe aq larg! Dhe kaq afër Ali Podrimjes. Ai shkruan për Kosovën, unë jo. E habitshme! Kam stisur me mend vargje për të, por a do të vijë dita t’i botoj?
Qëndroi një hop. Mandej, mërmëriti papritur: “Ti kalë i bardhë, Pegasi im, si shkohet në Kosovë, tregomë. Malli më ka marrë, pa qenë kurrë…”
Foli në mënyrë aq të natyrshme, sa u preka nga kjo thjeshtësi pathosi. Kuptova që ai edhe ekzaltohej, edhe vuante njëherësh. Kishte një nevojë të brendshme të nxirrte dufin poetik të shpirtit, të gjente një shteg… Një lloj botimi të pashkruar. Pat dërguar kohë më parë një tufë me poezi për, por kishte marrë vesh tërthorazi që s’do të botoheshin kurrë. Atëherë, instinktivisht, i deklamonte ato vend e pavend, herë duke folur me vete e herë nën zë dhe, kur gjente ndonjë teqe, si puna ime, falej e rrëfehej më i qetë. Kjo i siguronte atij komunikimin aq të domosdoshëm me të tjerët dhe me veten, një
bashkëbisedim të fshehtë të shpirtrave. Kësisoj dëgjonte edhe jehonën e zërit të tij. Një mundësi verifikimi. Ndoshta e ndiente që brumi kishte tharm të fuqishëm dhe furra kish temperaturë të lartë, por nuk e dinte se si dilte buka.
– E megjithatë, unë thur vargje pa m’i lexuar kush. Dhe për t’u ndier i gjallë, shkëmbej ndonjë varg me një shok, me një të dashur…
– A ke ndonjë të dashur?- e pyeta pa ndonjë kuriozitet të veçantë, i shtyrë nga dëshira që ai të kishte një tokëzim, një cak prehjeje, një engjëll mbrojtës.
– Deri tani, vetëm poezinë – u shfajësua Visari. – Ndaj, Muza më shfaqet në formën e një zane, që i do të gjithë, por mua jo.
– Jemi afërsisht në vendin e Zanave, – i thashë.
– Këto vise kanë prodhuar poezinë madhore të etnisë sonë,- e plotësoi Visari. – Madje, “Iliada” dhe “Lahuta” që janë të papërsëritshme, janë ushqyer nga legjendat dhe këngët e kreshnikëve. Homeri dhe Fishta, i pari dhe i fundit, mbeten dy rapsodët më të mëdhenj në botë.
– Po Kadareja?
– Kam dobësi për Të. Drithërohem kur e lexoj. Për gjërat më të bukura e më të guximshme të tij, unë ulërij… Dritëroi më ngjall tjetër ndjenjë. Ka një mirësi ndryshe, prej dheu…
– Po për veten?
Visari më shikoi drejt në sy.
– Poezitë e mia janë ende të pashkruara, ndaj s’mund të gjykosh për një foshnjë që s’ka lindur. Unë i ndiej që më lëvizin, më godasin me shkelma si fëmija në bark të nënës. I dua, por i mbaj brenda vetes, të burgosura. Ato kërkojnë të më shqyejnë, të dalin dhe të harlisen të lira…
Visari e kish ndier dhe e kish kuptuar misionin e vet në këtë botë, por edhe të poezisë. E përjetonte thellë shestimin, por edhe mospërputhjen e tij me mundësinë e shfaqjes, të derdhjes. Kjo e kishte bërë të pasigurt, të trishtë dhe rebel. Nga ana tjetër, duke qenë i dashur, shpirtmadh, i çiltër deri naiv, edhe poezia e gatuar brenda tij kishte fituar vetvetiu këto tipare, sidomos dhimbsurinë, që i pikonte dhe i pikonte pareshtur.
“Jam me të mundurit gjer në çastin e fitores,- thotë ai. – Nuk e di, po vuajtja e tjetrit, dhimbja e tij, me prek, më bën të vuaj shpirtërisht. Kështu që edhe poezia ime merr vetiu anën e të dobëtve, që loti i tyre të rrjedhë në faqen time”.
Tek Vau i Veizit u kthyem, sepse nisi të frynte një erë e vagëlluar që i paraprinte fërtymës. Ecëm në heshtje për një kohë të gjatë, sikur të na ishin mbaruar fjalët, teksa dëgjonim rënkimet e erës.
– “Profili im është era”- pëshpëriti ai dhe u kthye nga unë. – A e di se ç’ndiej tek ecim të heshtur dhe era na lë pas?
Unë ngrita supet. Visari u kthye me fytyrë nga era. Krelat i përhidheshin rreth kokës si susta të leshta, ndërsa palltoja e madhe, e zezë si një zhgun murgu, u nder me cepa të kthyer, si krahët e thyer të një nositi në nisje të fluturimit.
-Më duket sikur shpirti im vërsulet përpara meje si një shpend me krahë të mëdhenj, të përzhitur nga vetëtimat. Ndjek me sy shpirtin. Vazhdimisht më ikën larg… larg dhe unë mbetem pas…
Fytyra e Visarit ishte gërryer, sikur t’ia kishte gërryer shpirtin era. M’u duk si një fantazëm.
– Ti ke lindur poet, por në një kohë pa poezi. Dhe këtë do ta vuash,- i thashë i menduar. –
– E ndiej, por s’mund t’i shmangem. Jam rob i saj. O Zot, sa gjëra më presin që duhet të kryej dhe jeta s’mjafton…
 
Më vështroi me ndrojtje. Fytyra i mori një refleks të purpurt. Dukej sikur digjej i tëri.
– Të më falësh,- tha pas pak, – e teprova. E kam këtë dobësi. Në jetë jam i qetë, në frymëzim rrëmbehem si një fëmijë. Ka kohë që jam i kyçur dhe i drojtjur, për t’ua dëftuar të tjerëve atë që më shungullon përbrenda. Ti ma dhe këtë mundësi…
Fytyra iu bë si prushi mbuluar nga një push i hollë hiri.
Nisën pikat e para të një shiu të imtë e të ftohtë dhe ne shpejtuam. Shiu do t’i bëjë mirë, mendova.
– Nesër do të ngjitem nëpër Valbonë,- tha ai. – E kam taksur.
– Është e rrezikshme… Mund ta trajtojnë si tentativë arratisjeje…
– Po unë s’kam ndërmend të kaloj kufirin, edhe pse mendërisht e kam kapërcyer,- shtoi ai me humor.
– Edhe mendimi dënohet,- ia ktheva unë pa humor.
– Nuk mund të ndjehem i lirë, po të mos jem i lirë të shoh Dragobinë. Liria është e tillë vetëm kur gëzohet.
Fjalët e tij shungullonin.
– A njeh njeri tjetër këtu?- e pyeta.
– Një mësues letërsie. Kemi mbaruar bashkë fakultetin në Shkodër.
– Mirë do të ishte të shkoje bashkë me të.
Ai pohoi me kokë.
I ishim qasur qytetit. Shakullima ish topitur, ndërsa nga lart binin gjethëza dëbore.
Në sheshin e qytetit u ndamë. Ai u var për në hotel. Atje e priste skulptori Hilmi Hoxha. Sa më tepër largohej, aq më shumë ndieja një boshllëk, një mall, një merak. Më erdhën në mendje fjalët e Visarit, por të ndryshuara nëpërmes shpirtit tim:
“O Zot, sa gjëra na presin dhe ne s’mundemi!”
Visari ishte mësues në një fshat ndërmjet Kukësit dhe Peshkopisë. Katundi ishte i vogël dhe shkolla me pak nxënës. I donte malësorët vocërrakë, të shkathët, të zgjuar dhe të bukur, por i dhimbseshin ngaqë ishin të varfër, të veshur e të ushqyer keq, gati të uritur. Mësimin ua bënte aq tërheqës, saqë mezi e prisnin dhe, kur ai fliste, ata magjepseshin. Por magjia nuk mbaronte brenda orës së mësimit. Në pushim rrinte me ta, luante me top e shëtiste, bisedonte për librat. Nxënësit, që s’e kishin parë me sy librin jashtëshkollor, e lexonin atë duke ecur, në rrugë, me bagëtitë, në oborrin e shkollës e kudo. “Na i bëri fëmijët të marrë si veten”- thoshin fshatarët, të cilët përmendnin fjalët e thukta dhe romuzet hidh e prit të tij.
-“Hë, mësues, a pikon shkolla?- Ka vende që edhe s’pikon. – O mësues, a keni pas gja me hangër? – Besa, boll. Në mëngjes vezë të rrahura, në drekë vezë të skuqura, në darkë vezë të ziera. Shyqyr, që s’ka vakt tjetër…”
Por kishte çaste kur mësuesi shugatej dhe s’përzihej me njeri. Madje as me kolegët, jo se i përçmonte, porse i pëlqente vetmia. Këto ishin çastet e krijimit. I përqendruar s’dihet se ku, të shihte e s’të shihte, të fliste e s’të fliste dhe, ç’ishte më e habitshme për ta, ai lëvizte buzët e bisedonte me vete. “Ai flet me Zotin ose me dreqin”- kish thënë një mësues i vjetër dhe, që prej asaj dite, disa e shihnin si të shenjtë e disa si të çmendur.
Në mbrëmje mblidhej në dhomën-katua me një mësues tjetër jabanxhi. Visari lexonte pareshtur ose meditonte i përhumbur mbi shtratin e drunjtë. Llazari nuk e lodhte kokën as me libra, as me abstragime. “Unë jam pragmatist”, thosh ai dhe merrej me gjithçka tjetër për të shtyrë kohën. Kështu që
edhe biseda e tyre ishte ose e zvargur, ose e munguar. Visari përgjigjej sa për mirësjellje, pa ditur ç’thosh dhe shpesh me mendjen gjetiu.
 
Shpesh, në gjysmerrësirën e dhomës, ku fekste turbullt një fener i nxirë nga tymi, Llazari i hapte muhabete politike. Atëhere Visari i mbyllte instinktivisht qepenat e ngrehinës së vet, bëhej më i vranët dhe s’dihej pse i dilte vegimi i një gjahtari të pamëshirshëm. Një xhaxhanë e vet, Maksutin, mësues në Skrapar, e kishte pushkatuar partia. Babai, Hekurani, poet që i shfaqte mendimet-kundër në formë humori e shakaje, nuk i shpëtoi burgut. Visari, i mbartur në Lushnjë me gjithë familje, donte të ndiqte në atë qafë si njërin, si tjetrin. Mirëpo, fatalisht, ishte njëherësh edhe mësues, edhe poet. Atëbotë, kur duhej folur apo kundërshtuar, edhe heshtja konsiderohej miratim ose moskallëzim. Gjithsesi, heshtja ishte më e mundshmja e gjithë pamundësive. Ose gjuha e Ezopit.
Kur Llazarin e zinte gjumi dhe gërhiste, Visari rindizte fenerin dhe lexonte Lorkën dhe Dostojevskin… Në fundjavë, merrte arratinë. Shëtiste në natyrë, shtegtonte si një bard, me trastën e vjershave në shpirt. Kishte përshkruar luginën e Tamarës dhe ishte mrekulluar si në atë të Valbonës. Pas gjurmëve të poezisë, kishte arritur gjer në Bjeshkët e Namuna. Bisedonte me malsorë të moçëm dhe merrte prej tyre ngjarje e figura. I pat thënë një ditë plaku i Bardhokëve: “Me më ardhë, më bahet qejfi; me të thirrë, nuk kam.” Dhe Visari shkon vetë në kullën e tij. Miku i pyllit, i lumit dhe i zjarrit, ulet këmbëkryq mbi postiqe në qoshen e djathtë të oxhakut, përballë të zotit të shtëpisë. Pas tij, Gjergji, i biri. Gruaja e këtij, dëshpërimisht e bukur, hyn me hapa ballade dhe kërkon t’i laje mikut këmbët, sipas zakonit. “Po unë a të pranoj të m’i lash këmbët?”- i thotë Visari – A nuk do të më zërë mallkimi i krojeve? Trarët e kullës ndiejnë dhimbje, si atëherë kur i ndanë nga pemët. Sepse gruaja është si pema,- mendon Visari. Është e tmerrshme që malësorët e duan pemën, por s’e kuptojnë gruan, perëndeshën e jetës. – “Ju lutem, largomani legenin, këtë verbëri të turbullt, ku mbytet dinjiteti juaj!”- përgjërohet Visari. Ajo e largon dhe ai ndjehet mirë.
Ai përpiqet të kundërshtojë të keqen dhe të zbulojë kudo të mirën, të bukurën, poetiken, por shpesh, gjen të rëndomtën, që mitizon Njëshin. Fatkeqësisht, edhe te këngët, rapsoditë. Kjo gjë e dëshpëron dhe ai s’gjen ngushëllim, prehje. Lëvizjet e tij shihen me dyshim. Edhe vetë ai.
Një ditë, i vunë prangat. Armikut të popullit në emër të popullit, Në mesditë. Në mes të qytetit.. E hipën në Gazin 69. E çuan në qeli, ku njohu hetuesinë dhe torturat. Urdhri për arrestim kishte ardhur nga Tirana. Shkak për këtë ishin bërë poezitë e tij. Ato që kishte dërguar për botim. Autopsinë dhe shqyrtesën ua bënë ekspertët letrarë P.K. dhe R.V., inicialet e të cilëve i kujtonin Partinë Komuniste dhe Revolucionin Violent. Poezia ishte prostituta, që e kishte tradhtuar. Ajo flirtoi dhe me ekspertët dhe mandej edhe me të tjerë, më të mëdhenj e më potentë. Ishte një valë e nxehtë arrestimesh dhe prerje kokash në fushëbetejën e artit, ishte kohë e çmendur.
Nëna e Visarit, veshur me të zeza, mori rrugën për në Tiranë. Si një hije i shkoi në shtëpi Dritëroit, me të cilin binte kushëri.
– Dritëro, ma shpëto Visarin!
– S’kam ç’bëj. E morën në qafë vjershat.
– Po ti je kryetari i shkrimtarëve, si s’ke ti në dorë?! Fjala jote e ndan davanë. Duhet të ta marrin parasysh.
– E marrin dhe s’e marrin. Unë e bëra një përpjekje, por pa bereqet.
– A është fajtor Visari? Ma thuaj?
– Është dhe s’është…
– Nuk po të marr vesh, unë korba.
– Thuaj shyqyr, të tjerët po i pushkatojnë…
Në mes të sheshit “Skënderbeg” ajo kishte ndaluar Kadarenë.- Jam nëna e Visarit. Ma shpëtoni djalin! Ju kini aq pushtet.
– Më vjen shumë keq, nënë. Po unë jam vetë në mjerim dhe nga dita në ditë pres të rrënohem si Visari.
– Edhe ju?
– Më beso.
Ajo kishte ikur e tmerruar nga sytë këmbët, prej sheshit, ku njerëzia bënte shëtitjen e mbrëmjes. E kishte besuar dhe s’kishte bërë përçapje tjetër.
Visari u dënua me dhjetë vjet burg, me akuzën “Dekadent dhe armiqësor”. E dërguan menjëherë në Spaç e mandej në Qafë-Bar. Kampet e përqendrimit kishin nevojë të shtonin krahët e punës pa pagesë, për të nxjerrë bakrin nga nëntoka.
***
I ati, Hekurani, s’e duroi dot goditjen. Visarin e kishte pikë të dobët dhe e donte përtej vetes. Tek ai i kishte varur të gjitha shpresat. Vetë kishte mbetur pothuajse anonim. Në vitin tragjik 1944, kishte shkruar poemën dramatike “Përqafimi i dy kundërshtarëve, një ballisti dhe një partizani”, ndërsa krijimet e mëpasme, i mbetën pa botuar. Vargjet e tij deklamoheshin dhe këndoheshin gojë më gojë si popullore. Të mos e kish edhe Visari fatin e tij! E pat rritur me bukë e pa bukë, por e kishte ushqyer me tharmin e librave. Kur, më në fund, u imponua në skenën e estradës të Lushnjës, të parën dhe të fundit punë që realizoi, ishte t’i siguronte të birit shkollimin.
Atë natë, që mori vesh arrestimin e Visarit, iu fik drita e syve. Kur e dëgjoi këtë, atje në burg, i biri bëri me mend një poezi: “Plak fatkeq, i verbër, më i verbër se nata. Dielli të perëndoi pas ballit. Nuk je i detyruar të shohësh… Sa herë i mbyll sytë, që të bëhem si ty. Ku ta gjej një shkrepëtimë që ta lëshoj nëpër natën tënde?”
Nëna i vinte me trasta ushqimesh dhe merrte fshehtas nga burgu qeset me vjersha të Visarit. I lexonin fshehtas në dhomën e vogël të Hekuranit. I dëgjonte i verbëri dhe në ato çaste sytë i feksnin nga një dritë hënore. Dukej sikur i kishte ardhur shikimi. Po kur ai bënte lëvizjet e zakonshme të të verbërit, gjithçka kthehej në natë dhe poezitë merrnin udhën e varrit. Pasi i fusnin në një arkëz, si kockat, i mbulonin thellë në bahçen e motrës së martuar.
Prej ditës që kishte arritur poezia e parë, nëna u bë e fortë, hipte e zbriste nëpër kamionë, shpesh ecte edhe në këmbë, në pikun e vapës apo të acarit, pa e lagur buzën dhe pa e ndalur hapin, për të arritur sërish tek i biri.
Dhoma e akullt e takimeve ishte e ndarë në mes nga hekura të dendur. Pas tyre qëndronte Visari, si një kaproll i ri i mbyllur në kafaz dhe, një çap më tutje, polici, si një gjahtar në përgjim të gjahut. Nëna, matanë katroreve metalike, si një murgeshë që falet për të dy. Por, përnjëherësh, ajo ngrihet dhe turret drejt të birit. Duart e tyre bashkohen nëpërmjet hekurave, si stalaktike shpellash. Biseda bëhet pa kuptim, pa lidhje, copa-copa, si në përçartje. Të dy, nënë e bir, duke pëshpëritur e ledhatuar duart e njëri tjetrit, hetojnë çastin. Duart e Visarit dridhen, shtrëngohen, zgjaten gjer brenda qafave të këpucëve ushtarake, tërhiqen me shpejtësi dhe përsëri bashkohen me ato të nënës, për të përcjellë vjershat gjer në gjirin e saj. Kur kryhet ky akt prestigjatorësh, duart e tij bien poshtë si degë të këputura. Atëkohë ata kërkojnë fjalën, që s’e gjejnë dot më. Koha e lejuar ka mbaruar… Polici e largon Visarin, i cili ia dërgon nënës fjalët e pathëna nëpërmjet syve të ujshëm dhe gishtave të dorës që dridhen në ajër…
Kur ajo kthehet në shtëpi, i bashkon copëzat e poezive të nxjerra nga të çarat e burgut, për të ndërtuar shpirtin e të birit. Mandej ia lexonte me zë të ulët Hekuranit. Ai zgjaste duart , që dridheshin dhe prekte copëzat e letrave të rrudhura me poezi. Ai kërkonte nëpër letra shkrimin e Visarit, gjurmët e duarve të tij. –“Ku janë duart?”, kërkonte në ajër i verbëri. – “Ikin duart e mia. Vijnë tek ti, si dy lejlekë të trembur” i thotë Visari. -“Ku janë sytë, buzët?” – plaku heton fragmente të fytyrës për t’i plotësuar portretin. Dhe Visari ia dërgon nga e çara e shpirtit: “I kam sytë. Po asnjë peisazh nuk fërgëllon aty, i përmbysur në atë pak kaltërsi që më ka mbetur… Në pjerrësinë e ballit tim rrjedhin ditët, si rrëke të ftohta shiu, kryqëzohen me vijat e rrudhave… Më dridhen buzët, të gjitha petalet e buzëqeshjeve u vyshkën. Memec puthjesh, gjithë vetmi, largohem edhe nga vetja…”
Në burgun e Spaçit, mes malesh, ku edhe dielli druhet të hyjë dhe në ferrin e Qafë-Barit, ku s’ka asnjë fije bari, po ka gurë të vdekjes, mbetet vetëm trupi i tij, kufoma. Shpirti i ka ikur dhe po i ikën çdo ditë. Trupi dergjet, gjysmën e kohës në qeli, gjysmën tjetër në punë për të nxjerrë mineral të helmët nga galerat e bakrit. Përjeton atje terrin e nëntokës, kësaj nate të llahtarshme. Shpirti i kërkon dritë. Galeria shembet dhe prej andej del ujë i zi. Nuk i lënë skeletët e gjallë sa të kalojnë ujërat dhe sa të davaritet tymi i hidhur i minave. I vënë në rresht për të ngarkuar vagonët si varre. Vazhdim i varreve, mendon Visari, teksa mbush me lopatë varrin e tij. “Leckat e trupit na dridhen, kurmi na shndërrohet në baltë, djersa në lot. Thyhen kazmat, por më parë thyhen kockat tona. Ngrihem, duke e ditur se do të bie prapë.”
Megjithatë, është ende i gjallë, megjithatë ecën verbërisht, për të dalë mbi tokë. Një shok i ferrit, i mbështetet dhe ai e mban. Pastaj i ikën nga duart dhe bie i vdekur. Visari e ngre në krahë me mundimin e Sizifit. Ku e gjeti fuqinë? Ecën me një të vdekur mbi supe nëpër galerinë e shembur e të përmbytur. Ndoshta, mund të jetë gjallë- mendon Visari. Çizmet e shqyera shqyhen edhe më, por ai s’ia merr të vdekurit ato. Rrobat i qullen, mjaft që i vdekuri të mos laget, të mos ngrijë. Sytë i notojnë në ujërat e helmëta dhe në baltën që gjarpëron nëpër këmbë. Dhe ai mbart mbi shpinë të vdekurin, që është edhe vetja e tij. Del nga terri i llangosur, me çizmet e plumbta, me lopatën në dorë (çudi që s’e kishte lëshuar!) si një mallkim që e ndjek pas dhe me vdekjen përsipër. Shembet me gjithë atë, sa sheh dritë, sa sheh dritë dhe sapo merr ajër të kthjellët. Dhe nuk ndien më. Kur hap sytë, ndodhet në qelinë e burgut. Rri shtrirë si një mumie. Qetësia i pëlqen. Mbyll sytë dhe ëndërron. Ëndrrave pranga s’u vë dot. Jepet tërësisht pas ëndërrimeve dhe ripërtërihet, bëhet prapë i gjallë, i bukur, i paqetuar me botën. Atëherë i vijnë mendimet si bletët. Ndërton hojet dhe derdh mbi to pjalmin e mbledhur në lulet e ëndrrave. Nuk ekziston më as qelia pa dritë e pa ajër, as galeritë e vdekjes. Absurdi dhe boshi janë sfiduar. Ai harron gjithçka, edhe vdekjen, edhe krimin që s’e kishte kryer, edhe ata që e kishin realizuar krimin ndaj tij. Poezia, që i kish shkatërruar jetën, po endte një jetë tjetër, atë idealen, magjepsësen. Ajo i jep dehjen, kënaqësinë e krijimit. Ai nuk ndien as mungesën e lirisë. Qelia mbushet me dritë, me ajër, me njerëz. Ata dëgjojnë mërmëritje vargjesh Poeti s’i bën dot zap dhe ua thotë vargjet shokëve, jo për t’u dukur, por si nevojë e brendshme e thellë, e papërmbajtur, si një llavë zhuritëse, por ende jo shumë e qartë, e papërcaktuar. Ai nuk kërkon përjetësinë, as të zotërojë botën, siç ëndërrojnë poetët. Madje, as të pushtojë zemrat e bashkëvuajtësve, që ndoshta do të vdisnin aty si Përkthyesi dhe të tjerët. Një forcë e pashpjegueshme, e fshehtë dhe zjarrmuese si dashuria, e bën të komunikojë me shokët e burgut me fjalë poezie. Nxjerrja e tyre nga shpirti dhe ngashnjimi i të burgosurve të ndërgjegjes, lehtësimi i dhimbjeve të tyre, ngritja e moralit dhe e shpresës, e bëjnë atë të lumtur, ndonëse ai kishte frikë nga lumturia. Atëherë, mendimet e ndjenjat i shfaqen njëherësh, me një qartësi të ndritshme, të papërballueshme.
I vetmi në qeli që ishte i pandjeshëm ndaj poezive, qe veterineri. Gëzimi druhej edhe nga fakti që robi atje ridënohej për një fjalë, e jo mandej për vargje të tëra fjalësh të dyshimta. Nuk donte të ngatërrohej në këtë mesele me rrezik. Kur Visari i deklamonte vetë ato, kjo ishte gjysma e së keqes, se dëshmia ishte eterike, në ajër. Por kur i shkruante dhe ua jepte të tjerëve, si trakte, atëherë…
 
Visari përfitonte ngaqë letrat ishin të lejuara në burg. Madje, qenë varur përtej portës dy kuti postare, një për letrat zyrtare, ku hidheshin lutjet, ankesat, denoncimet, spiunimet drejtuar komandës, qeverisë dhe tjetra për ato private, dy herë në muaj veç dy faqe, të cilat u shkonin familjarëve, nëse nuk preknin jetën e burgut. Ato duhet të ishin të lumtura. Një herë Visari hodhi një letër drejtuar motrës, ku shkruante: “Jam mirë…”
– Ç’janë këto tre pika?- e pyeti të nesërmen operativi i Sigurimit.
– Pika janë,- iu gjegj Visari.
– Ç’do të thuash me to?
– Asgjënë.
– Prishi, nëse do që letra të shkojë.
– Le të mos shkojë edhe ajo.
– Vazhdimisht tregon mosbindje1, kjo do të të hajë kokën.
Në qelinë e përbashkët shkruante poezi paksa hapur, kinse bënte një letër. Kur e pyeste ndonjë nga spiunët e infiltruar apo nga gardianët se ç’po bënte, u thoshte se po shkruante një letër. Letra lejohet…
Gëzimi e dinte që Visari shkruante vjersha, sepse e ndiente nga afër sesi i ndryshonte ritmi i frymëmarrjes dhe i mërmëritjes. Ai ishte nga Martaneshi, një krahinë e thellë blegtorale, ku punonte si veteriner. Ishte burgosur për sabotim ekonomik, meqenëse kishte ngordhur në koperativë një tufë dhish nga një epidemi. Kishte lënë në shtëpi një djalë shtatëvjeçar dhe gruan. Ajo, për fatin e tij të keq, ishte e bukur. Brigadieri, që e kishte akuzuar për sabotim, ishte një imoral i pështirë, por njëherësh edhe sekretar partie. Me pushtet. Ndërsa ajo ishte e pambrojtur. Gëzimi e mbante mendjen atje dhe e brente gjithnjë e më tepër meraku. Rrinte mënjanë dhe s’përzihej me njeri. Por çfarë e dëshpëronte më shumë, ishte se ajo nuk i kishte shkruar asnjë letër. Ç’kishte ndodhur? Ai punonte si kalë, për të shuar dyshimin dhe mërinë. Kur kthehej në qeli, binte si i vdekur. Por i delte gjumi natën dhe ngrihej i dalldisur. Visari, aty ngjitur me të, e qetësonte. Në fillim ai i dukej i leshtë, ngaqë merrej me bejte. I kishte zët poezitë dhe ato s’bënin vend brenda tij. Madje, kishte frikë prej tyre si djalli nga temjani. Vdekja e Përkthyesit, për të cilin ai shkroi një elegji, e bëri të mendonte ndryshe për Visarin: “Nuk paska fjalë, po rrëke”. Pas kësaj zuri t’ua vinte veshin vargjeve të tij dhe disa prej tyre edhe t’i pëlqenin, por s’e bënte veten. Ato sikur ia hiqnin dhimbjen me dorë dhe i jepnin forcë. Një natë, kur çalltisi nga një ëndërr e keqe për të shoqen, Visarin e gjeti duke shkruar. Dritat nuk fikeshin në burg, ishin pjesë e mbikëqyrjes. Gëzimi mbylli sytë, po gjumi s’e merrte më. Zgjati dorën, kapi një letër të posashkruar dhe lexoi: “Që të zgjohesh nga gjumi i madh, i zi, bëj një vepër ti, kushdo qofsh. S’ka rëndësi madhësia e saj. Le të jetë e thjeshtë si mbjellja e një peme. Mos ki frikë, le të jetë dhe vdekje, por e tillë që e kundërshton vdekjen”.
U ngashënjye nga fjalët me peshë. “Sikur janë qëndisur enkas për mua,”- murmuriti. Vargu i fundit iu ngjiz në tru dhe ai e përsëriste me vete i tronditur. Flaka e mekur e kundërshtimit iu rrit si pa kuptuar brenda vetes.
Në revoltën e Qafë-Barit (ajo e Spaçit kish shpërthyer më parë), Gëzimi u bashkua me grupin kryesor dhe u rreshtua në ballë të protestës, duke habitur edhe Visarin, edhe politikanët e burgosur, të cilët drejtonin revoltën.
– Edhe guri pëlcet nga nxehtësia, – i tha Visari.
– Por edhe nga ngrica, – ia ktheu tjetri. Miniera e Qafë-Barit ishte po aq primitive si ajo e Spaçit, por e akullt. Gjeologët sovjetikë kishin thënë që ajo mund të shfrytëzohej vetëm me mjete, por kurrsesi me njerëz, për shkak të ujërave nëntokësore, rrezikut të shembjeve dhe helmimit. Autoritetet shqiptare dërguan atje të burgosur politikë, që konsideroheshin vegla pune. Çdo ditë me dhjetëra të gjymtuar dhe të vdekur. Kur ndërrohej turni, ata që dilnin nga galeritë, u uronin atyre që hynin: “Dalshi gjallë!” Të vdekurit i nxirrnin nga nëntoka, sepse u ngatërroheshin nëpër këmbë të gjallëve që punonin dhe i flaknin në humbëtirë, pa varr e pa nishan.
Protesta e të burgosurve të Qafë-Barit u bë pikërisht për këto, për shkak të rritjes së dhunës dhe të terrorit. Por edhe ndëshkimi ndaj tyre qe i pamëshirshëm.
Gjyqi i komandës dënoi me pushkatim organizatorët. Gëzimin e kursyen. E dënuan me njëzet e pesë vjet burg, bashkë me pjesëmarrësit e tjerë të revoltës. Poetin e veçuan në kaush dhe e dënuan me tharje.
Gëzimin e kishin torturuar aq shumë në hetuesinë e burgut, sa nuk njihej. Mezi qëndronte në këmbë. E kishte ndarë mendjen të fliste fort dhe ta kthente gjyqin në gjyq kundër tyre. Donte ta zbrazte shpirtin e mbushur plot . Mirëpo komanda, që luante rolin e trupit gjykues, nuk mori asnjë të pandehur në pyetje.. Gëzimi u zhgënjye. Ky s’është gjyq, mendoi. I erdhi të pështirë nga ata që kishte përballë dhe iu dukën më skllevër e më mjeranë se të dënuarit. Papritur, perifrazoi me zë disa vargje të Visarit, që i dolën nga shtresimet e nënndërgjegjes: “Ju jeni më të burgosur se ne. Na morët lirinë duke humbur edhe tuajën. Ne, të dënuar përkohësisht, ju të dënuar për jetë!”
– Si the, si the?!- ulëriti shefi i policisë, Edmond Caja, ose “kockëthyesi” siç e quanin të burgosurit. – Përkohësisht, the? Ta falëm jetën, jo se na dhimbsesh, por se na duhesh. Kush do ta nxjerrë bakrin për njëzet e pesë vjet? Na bën edhe moral, pale! Cili t’i ka ngulur në tru këto mendime, Visari? Paske shpresë të dalësh, ëë? Këtu do të ngordhësh si qen, pa njeri pranë. Vulëhumbur. As eshtrat s’kanë për të t’i gjetur. Ta dish mirë që letrat e sat shoqeje i kemi këtu stivë. Kemi bërë mirë që s’t’i kemi dhënë. S’ke për t’i parë kurrë as letrat, as atë…
Ndërsa Caja shkumëzonte, Gëzimit i qeshi nuri. Ajo s’më paska harruar! mendoi. Zemra i gufoi nga një gëzim i përmallshëm, i munguar…

Filed Under: LETERSI Tagged With: poeti, Uran Butkka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT