• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2020

VERIFIKIMI

April 26, 2020 by dgreca

Tregim nga NAUM PRIFTI/

Aziz Xhediku po fërkonte kopsat e xhaketës me sidol, kur një i panjohur hyri në zyrën e tij. Pa lëvizur nga vendi dhe pa ndërprerë lustrimin, Azizi i ngriti sytë nga dera me një shprehje pyetëse. “Drejtori i Hetuesisë, Iljaz Kapllani,” u prezantua vetë personi. Azizi u ngrit në këmbë dhe gërvëllima e këmbëve të karriges e mbyti pak mbiemrin e vizitorit. Funkionarë të drejtësisë nuk kishin shkelur kurrë më parë në zyrën e të plotfuqishmit të Kurorës. Veshi menjëherë xhaketën në të cilën kopsat rrëzëllyen për një moment sikur të ishin aktivizuar nga drita që mezi hynte nga dritarja dhe mori qëndrim gatitu. Në kokën e madhe të Azizit tipari më dominues ishte hunda mishtore dhe e gjerë, e cila i jepte poseduesit pamje prej tuafi, ndërsa sytë ishin dy rruzulla të vegjël e dinakë. Në të dy anët e xhaketës i dilnin duar me nyje të argasurura nga punë të rënda. Zyra e tij qe aq e zhveshur sa s’hynte kurrkund fjala mobilim. Në hapësirën mes mureve të zhveshura dukej se rrinin në siklet një tryezë me dy karrige të shtrembëra dhe një telefon i zi kubik.

I plotfuqishmi i ofroi cigare të lira nga ato që pinte vetë. Iljazi nuk pranoi që të mos krijonte as lidhjen më të vogël shoqërore. Ai hapi çantën prej lëkure, nxorri një letër të shkruar me dorë dhe e lëshoi ngadalë mbi tyrezë.

-Shoku Aziz, – i tha me ton zyrtar, – Mininstrit të Brendshëm i ka ardhur një letër, ku ju akuzoheni se keni rrahur një qytetar në zyrë. – Fshatar! – e saktësoi shpejt Azizi.

-Qytetar! – ngulmoi Iljaz Kapllani. – Të gjithë nënshtetasit, sipas ligjit janë qytetarë të republikës,- ia sqaroi termin Drejtori.

-Po e ka meritue! Boll mirë ia kam ba, – deklaroi Azizi prerazi.

“Sa i trashë! Në vend ta mohojë a të gjejë një lloj justifikimi, po e konfirmon hapur,” tha me vete Iljazi. Ai shkoi te dritarja dhe i bëri dikujt shenjë me kokë. Pas pak në zyrë hyri Liman Kozhani.

-Ç’kërkon këtu? – iu hakërrua i Plotfuqishmi. – Të thirri kush?

Me vetullat e rrëzuara, Limani kërkoi me sy ndihmën e njeriut të ardhur nga kryeqyteti. Kur ai i dha shenjë të ulej në karrigen e lirë pranë tij perballë Azizit, figura e Limanit u tkurr edhe më shumë.

-Këtu, në këtë zyrë të goditi shoku Aziz? – e pyeti hetuesi.

I plotfuqishmi shfryu nëpër flegrat e hundës vrumdulla inatçore ajri por nuk e ndërpreu vijën e pyetjes.

-Këtu…- belbëzoi fshatari pa guxuar t’i ngrinte sytë.

-Nuk i paska ba fajde,..- shpërtheu Azizi duke tundur kokën gjithë mllef.- Pa le edhe je anku?

Hetuesi i skandalizuar nga deklarata sa arrogante aq edhe pohuese e të Plotfuqishmit, iu drejtua palës tjetër për ta përfunduar shpejt ballafaqimin shpejt.

-A nuk e kuptoni gabimin tuaj? Nuk keni të drejtë të jepni ndëshkime fizike dhe zyrat tona janë vende pune, dhe jo ndëshkimesh. Orientimet e partisë dhe rregulloret e brendshme i përcaktojnë qartë kompetencat dhe detyrat e punonjësve të policisë dhe të rendit.

Të plotfuqishmin s’po e mbante vendi. Mezi duroi që vizitori nga Tirana t’i mbaronte ato fraza të gjata e të ngatërruara.

-Pyete, pyete pse e zdrugata, – ngulmoi Azizi duke zbritur në terrenin praktik dhe bënte hapa drejt Limanit.

-Për çfarëdo fajesh të kryera ligjji parasheh dënime dhe nene e dispozita të përcaktuara të cilat i japin vetëm gjykatat popullore.

-Ky pat thënë…

-Ju lutem – e ndërpreu hetuesi.- Personi gëzon të drejtën e fjalës, të mendimit, të shtypit, të cilat janë të sanksionuara në Kushtetutë. Kuptojeni këtë gjë.

-Edhe po e la “kushtetuta” s’e la unë, -gjëmoi Azizi.- Të çaprashisë asi gjanësash, reaksionare…

-Çfarëdo që të ketë thënë, s’keni të drejtë ta ndëshkoni pa gjykatën tone popullore.

-S’paskam të drejtë? – protestoi Azizi i habitur dhe i fyer. – Të thotë ky surrat-thiu se Enver Hoxha ia mori fshatarit tokën, bagëtinë, kullotat dhe e la cullak… 

Hetuesit sa nuk i kërcyen sytë jashtë zgavrave tek dëgjoi blasfemi aq të rënda për udhëheqësin nga një fshatar.

-Si? Si? Përsërite edhe njëherë, – e luti nga që s’po u zinte besë veshëve.

I plotfuqishmi ripohoi deliktin e rëndë e të pafalshëm, duke shtuar se informata ishte e saktë, mbasi kishte ardhur nga dy burime të ndryshme.

Sikur karrigia të ishte pajisur me katapultë, hetuesi nuk do të kishte brofur në krahun tjetër të zyrës. Shpifje e përbindshme, e thënë me qëllim të mbillte pakënaqësi te fshatarët. Një lapangjoz guxonte të përfliste udhëheqësin e lavdishëm dhe sistemin kooperativist. Sytë e tij po nxirrnin shkëndija përvëluese mbi fshatarin e paralizuar në një pozë apostolike nga që aty dëgjoi për herë të parë pse ishte rrahur.

Ky, hë?- deshi të sigurohej Iljazi.

-Po, nji ky! – ia vërtetoi Azizi duke zgjatur gishtin e trashë drejt kokës së Limanit.

-Ti more qelbanik, – brafulloi Drejtori i Hetuesisë – more zgjebarak teveqel, lapurak, lapangjoz, llosh, të marrësh nëpër gojë atë që s’i vjen as te thembra e këmbës? Po kush te nxorri në dritë, ty more idiot, kush ta solli lirinë, pushtetin popullor, kush po e ndërton socializmin? – Cerkat e pështymës i fluturonin si saçme nga goja. Dhe që t’ia ngulte më mirë qortimet në tru, nisi t’i binte me grusht nga ana që kishte me afër.

Azizi po e sodiste skenën duke admiruar shpejtësinë e grushtave ndërsa fshatari po tkurrej gjithmonë e më shumë aq sa u ul përtokë buzë e ngjunjë dhe që t’i shpëtonte rrebeshit të goditjeve u sul nga dera, të cilën e kapërceu me një shkelm që mori në prapanicë. 

-Ta kishe vrare mutin, – shkumëzoi Iljazi, aq i nxehur sa nuk e përmbajti fjalorin. Duart vazhdoni t’i dridheshin nga nervozizmi që e kishte pushtuar. –Ky meriton prangat! – shtoi duke u kthyer nga i Plotfuqishmi. –Sajo një relacion t’ia përcjellim prokurorisë për ndjekje penale, -urdhëroi Hetuesi.

Azizi nuk lëvzi nga vendi.

-Dëgjove? – i shfryri Iljazi.

-Lëre dreqin se ka një tufë fëmijë…., – ia ktheu Azizi. – E kam edhe pak ilaka nga ana e gruas.

Drejtori i Hetuesisë ngulmoi se Liman Kozhani gjithsesi duhej gjykuar e dënuar që të bëhej shembull për të tjerët.

-Se mos vetëm ai…- u shfajësua Iljazi pa të keq. Flasin lart e poshtë të gjithë këtu veç në rrethe më të ngushta se ky tutkun.

-Duhen proceduar, – ngulmoi përsëri Iljazi.

-Në gjyq? Kurrsesi! – kundërshtoi Azizi. –Të tilla akuza bajnë ma shumë dam se dobi.

Udhëzimet e bredshme lëshuar nga KQ, porositnin gjyqtarë e prokurorë që emri i Enver Hoxhës të mos përgojohej nëpër gjyqe. Hetuesit ju desh të pranonte se i plotfuqishmi kishte veprurar drejt që e kishte mbyllur atë incident delikat me një rrahje edukuese.

Azizi pasi vari një revole të paraluftës në brez, e shtrëngoi fort rripin e mesit, dhe po bëhej gati të dilte nga zyra.

-A shkojmë nga shtëpia tani, or mik? – e ftoi natyrshëm si ta kishte të njohur prej vitesh. –Këtu e mbaruam punën për sot. E kemi një farë hoteli në qendër, po dyshekët kutërbojnë erë nafte nga shoferët e kaminonëve dhe natën çimkat nuk të lënë rehat.

-Do kthehem në qytet, – u mëdysh Iljazi.

-E pse me kaq ngut? – kundërshtoi Azizi. – E kam rojtur një ftujak të mirë për mysafirët. Sa të pimë nga nji kafe e nga nji duhan, Resmija e ka therun dhe e ka pjekun. Tani që verifikimi kishte mbaruar, Drejtori i Hetuesisë nuk kishte pse të mos e pranonte ftesën. E rrëmbeu ankesën e shkruar me dorë nga tryeza e të Plotfuqishmit dhe e mbështolli grusht përpara se ta hidhte në plehra. Kushedi kur do arrijnë ta kuptojnë këta fshatarë drejtësinë tone, mendoi me vete duke dalë nga zyra e të Plotfuqishmit të Kurorës.     

Filed Under: LETERSI Tagged With: Naum Prifti, Tregim, Verifikimi

“SHPËTIMTARËT”

April 26, 2020 by dgreca

ESE NGA PIRRO LOLI

                                                                                                                                                                  Po thyhen pasqyrat para fytyrës së armikut dhe mikut, pushtuesve dhe shpëtimtarëve; po prefektizohen maskat, teknologjia e xhamit. Si kamerat televizive, si ngjyrat. Dhelpërojnë gjuhët. Ka dhe fjalë të bukura që përhapen nga “shpëtimtarët” të tipit “soros” e co’,që, në heshtje përhapen si  viruset me gonxhe trëndafili..  Nuk thotë kot populli ynë “ Ruam nga miku se nga armiku ruhem vetë” Po nga tanët kush do na shpëtojë ?

                                          ***

Historikisht i huaji është parë nga ne  dhe me dyshim dhe si shpëtim e sot edhe si aleat e shpresë. Diku edhe me servilizëm e vasalitet neveritës. Qenia ime shekullore lidhur në skaje diagonalesh nga kontinenti në kontinent, ka gjetur shpëtimtarë plot me shpresa, dhe është futur nën ombrellë e në sqetull të dikujt. Jo më kot, edhe me njëfarë naivitetin, që para 600 vjetësh, shkruam në kanunin tonë historik:” Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e  mikut”.Por dhe Zoti na ka harruar dhe miqtë, na kanë ngatërruar. E ai,  dikushi. na është shtruar këmbëkryq në vatër si i zoti i shtëpisë. E kemi nga këta hoxhallarë, hashimllarë e ramallarë. që u kanë fërkuar kokën herë njërit e herë tjetrit, verbërisht. Janë vetëm maska, hipokrizi dhe mashtrim i sofistikuar. Maska, që nuk njohin Krisht e Muhamet, buzëqeshin, zbukurohen,  reklamojnë djallin si engjëll. Pas maskave të  tyre, fshihen fytyrat plastike çnjerëzore e perverse. Dhe kur maska njësohet plotësisht me lëkurën e diktatorit, drama jonë është kthyer në tragjedi të përmasave popullore e kombëtare.   

 Agonia e vasalit dhe e shpëtimtarit, tek ne, ka zgjatur me shekuj. E Breza të tërë na janë  “toksikuar” deri në palcë. Natyrisht, aleancat midis shteteve janë të vjetra sa bota e të domosdoshme për palët, por, për ne si vend i vogël historikisht të pushtuar, të plagosur e të përçarë, kanë qenë jetike. Por, ….

KUJTESA E PA THARË

(Këtu nuk do merrem me armiqtë e me pushtuesit që nuk na kanë munguar kurrë; –  ata erdhën, vranë, plaçkitën, shkatërruan, por e kanë ditën e ikjes, tutje shtyhen në gropat e historisë dhe harrohen.) Qenia ime shekullore lidhur nëpër skaje kontinentesh, shpresë  e besë në emër të dikujt, me miq e armiq, “çlirimtarë” e “shpëtimtarë” ulur këmbëkryq në vatër, në mes të shtëpisë. 

   Nuk na u shkulën  as shpëtimtarët; petale tharë, tashmë, kanë mbetur vetëm gjemba paqësorë.  As të puthin as të shpojnë. Na u bënë si të shtëpisë e këmbëngulin për paqe të përgjithshme, bisedime, traktate, kushtetuta, reforma, ligje   e lëshime…

Të shumtët “shpëtimtarët” tanë,  në më se  një shekull,  kanë qenë,  fatkeqësisht, nga shpellat bolshevike. Miq për kokë. Stalin Tito. Tavarish e druzhje, e më pas, vëllezër të dashur  Lej Fen. Në pamje të parë dukeshin sikur frymën tonë na e mbanin në pëllëmbë të dorës, serbë, rusë, kinezë.,…. Shpëtimtarë historikë. Mezi na u  hoqën qafe e, në heshtje, u shtynë tutje në honet e harresës. E ata shpesh na ngrihen në gjumë si lugetër,  na kujtojnë miqësinë, dhuratat, yjet, bukën, armët, frymën që më paskan dhënë. E ka ca plagë që nuk zënë kore dhe e kanë të lehtë që nga “miq “ për kokë të të kthehen në  armiq dinakë me bllokada buke. 

Lidhja me serbin, gjat e pas Luftës II, B,  mikun e madh jugosllav,  ishte katastrofale; krerët e Shqipërisë fort mirë e dinin që ata   kishte dhënë prova gjaku e çfarosëse për Shqiptarët.;  mutacioni i kuq serbo shqiptar i viteve 40`, vrau mijëra shqiptarë në Kosovë e Shqipëri; ( Ky i tanishmi covid-19, pandemiku, e shumta do vazhdojë disa muaj sa të bëhet zap, ndërsakorona-serbusi ka qenë  konstant, i pranishëm në jetën tonë shumë shekuj që nga i shtati; e, edhe kur e kemi pasur armik , dhe mik me kokë, me tavarish Stalin e druzhe Titon, (strukur në sqetull të tyre) ndër nesh,  kanë qenë gjithnjë të pranishëm, si epidemi e  pa vaksinuar, dhe kanë zhdukur qindra mijë jetë njerëzish. Vetëm në shek. e fundit ata dëbuar me zjarr  e bajoneta shqiptarët e Kosovës  nga rreth 700 vendbanime autoktone. Kujtesa jonë për ta është përvëluese.

“O LARO TË HËNGËRT TËNJA”…

  …E ke të keqen nga brëna”, thotë labi. 

Përvojat tona shekullore tregojnë se, gjithmonë në krye kemi  pasur mall vendi, të larë e të palarë, të  molepsur e të kokolepsur me miqtë tanë të mëdhenj “shpëtimtarë”… Sot, të gjithë dëshirojmë Evropën e Bashkuar. Tokën e merituar dhe të premtuar. A thua se shqiptari ka brenda vetes një farë Abrahami nga katundi që i paska humbur nuri dhe pret e pret të dalë në në BE, ose mes dallgësh “në stere”?. Të sotëshmit Hashimllarë e Ramallarë mes grupesh bejlerësh e agallarë, në Kosove e Shqipëri, por le të kujtojmë sadopak:

Që  nga 1912, me I . Qemalin, deri më 1944-5 kemi pasur 30 kryeministra, mall vendi, “laro”, po secili kush më pak e kush më shumë, nuk i ka shpëtuar dot influencave, aleancave të dobëta, e të gabuara, mbështetjeve e mosmarrëveshjeve. Nga 1945 deri 1991 kishim tre kryeministra komunistë, mall vendi, “laro” të shartuar me hibrite bolshevike staliniste, servilë e vasalë të rusit, serbit e kinezit; gati gjysëm shekulli diktaturë gjakësore në kohë paqeje, krejtësisht të izoluar, në luftë me të gjithë, e të shkatërruar… 

…Ç’ fytyrë kanë “shpëtimtarët”, “larot”e barkut tonë? I njohim. Historikisht të pa ndryshueshëm,  këtej e matanë kufirit. Maska e tradhtarit nuk ua mbulon plotësisht fytyrën. Lëkurë  zbetë. Buzëqeshje plastike. Kokërruar a me lesh të kremuar. Dhe kolltuku i lartë i pushtetit u duket se janë dhe pronarë të lirisë, të kushtetutës e  të popullit që mund të bëjnë ç’të duan me to e, të parat gjëra  që përmendin janë (gjoja)aleancat,  ndëshkimet, paragrafët, burgu, gjobat…Tapitë e pushtetit ua ngushtojnë rrugët, ua ndryshkin dekoratat, ua shkel gjakun, ua nxijnë  ngjyrat, ua ngatërrojnë aleancat. Në Shqipëri dhe Kosovë, grupe mafiozësh rreth presidentit Thaçi e        kryeministrit Rama,  qenie të heshtura të natës që dorën e zgjatin në terr.  kushdo qoftë, presidentë a kryeministra. Andej e përkëtej. Të mos të na lëbyren sytë.  Vulat e tyre zyrave ngjajnë me njollat e diellit nën lëkurë,  e maska e tyre në fytyrë u jep  pamje “të çiltër”…Këta tipa  nuk e kuptojnë dot se çdo qeveri rrezikohet vazhdimisht nga shkarkimi i vet. (Çurçilli)

KAKOFONI DIPLOMATIKE

Kakofoni me serbët por dhe midis Shqipërisë dhe Kosovës si absurditet. Kukuvajkat serbo shqiptare aktualisht çfrytëzojnë ndonjë mosmarrveshje midis miqve tanë strategjikë, SHBA e BE, duan vetëm e vetëm të nxisin ndjenjat antiamerikane ndër shqiptarë, që , siç dihet është populli më proamerikan në Evropë. Vendosja e Kosovës përballë dilemave me Amerikën a me Evropën është thjesht serbizëm  vuçian  ose enverizëm shqiptar.. Të kërkosh në rrugën tonë euro – atlantike vetëm njërën palë, qoftë ajo amerikane apo evropiane, është thikë me dy presa në shpinë. Dhe,  kur kjo thikë vjen nga tanët,  të ngulet  më thellë në trup të kombit tone. Kur pandemia po merr jetë njerëzish, Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, votoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kurtit, natyrisht me ndihmën aq të ngutshme e “dashamirëse” të diplomacisë  kakofoniste amerikane.(?!)

Është Europa, stacioni ynë perëndimor, “shpëtimtarja”,  ajo që ka harruar se ne kemi identitet autokton evropian  e jo njëherë, jemi vrarë për mbrojtjen e saj,  e ajo, jo njëherë, ka qenë promotor i coptimit të kombit shqiptar. A thua se nuk e di Evropa se korona serbe  vetëm në dy vitet e fundshekullit, përkatësisht më 1998-9, u vranë dhe u zhdukën rreth 15.000 qytetarë të Kosovës; nuk e di ajo se xhelati i Ballkanit, aktualisht i përkëdhelur nga qarqe e kulisa evropiane, vrau, preu,  masakroi, 300 mijë veta në Slloveni, Kroaci, Bosnje, Kosovë? Nuk i njeh Evropa , në veçanti Franca e Hollanda,  masakrat  serbe në Vukovar, Sarajevë,  Srebenicë,  Reçak,, Krushë, etj. Ku ishte kjo Evropë, kur militarët nazi-fashistë serbë, dhunuan 100 mijë gra kroate , boshnjake e shqiptare. A ka pasur genocid më të madh në Ballkan që pas L, së II B? Dhe ç’drejtësi e demokraci qenka kjo që, jo vetëm që nuk ndjek parimet e vetvendosjes, të barazisë e të të reciprocitetit, por ka privilegjuar xhelatin, jo viktimat, humbësin e asaj lufte dhe fundin e Jugosllaviseë, jo fitimtarin(krahun e NATO-s) dhe, është ajo (BE me burokratët e Brukselit që na dredh e përdredh si peshk në majë të grepit) e që  akoma e mban Kosovën të izoluar, e na  stigmatizon në heshtje çdo vlerë. Sot, sikur s’ka një lis të varësh torbën;  s’ka më peshë fjala, hollohet e hapet si llastikë për nevoja globale(gjoja); nëpërkëmben të vegjlit dhe kokëfortët që mbrojnë drejtësinë. Ju, miqtë tanë strategjikë, amerikanë e evropiane, nuk e kini njohur akoma atë dikushin, atë askushin, atë humbësin, atë mashtruesin, atë përdhunuesin?! Nuk e njihni akoma atë kobrën  që shkel syrin nga ju e kokën e kthen nga lindja, dhe vuçiçët, thaçistët etj. kafshojë  bishtin e vet të rizgjidhen kryeministra e presidentë… E pafalshme që dhe diplomatë të caktuar të “SHBA po kontribuojnë për krizën”, siç tha kongresmeni Engel, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara,, (mars 28, 2020) …SHBA-ja duhet t’i shtrëngojnë rripin Serbisë, të vendosë sanksione  për lidhjet e saj të sigurisë me Rusinë. …Sipas tij, kur një demokraci e vogël “detyrohet me dhunë” të bëjë diçka, ajo është “vepër maltretimi dhe jo vepër e partnerit të pjekur”. Presioni ndaj Prishtinës për taksën është padyshim i pabalancuar. Diplomatët serbë udhëtojnë në gjithë botën për t’iu bërë presion shteteve që të tërheqin njohjen e Kosovës, ndërkohë që Serbia i thellon marrëdhëniet me Moskën dhe blen sasi të mëdha armësh ruse”, vazhdon Engel. (?!)

Mungon bashkëpunimi midis Evropës dhë SHBA që, të paktën, të dyja Serbi e Kosovë,  t’i trajtojnë si panterë të baradartë. Dhe dihet diferencimet krijojnë mure, pengojnë negociatat dhe marrëdhëniet mbeten të ngrira. Frika e SHBA se mos Serbia, denbabaden,  pro ruse, mund të  kthehet edhe me Rusinë e Putinit, sot,  tingëllon absurde e tregon diplomaci të dobët perëndimore. E ja kështu, Jo vetëm që nuk ngrihen saksione kundër Serbisë për lidhjet e saj të sigurisë me Rusinë, për tregëtinë e armëve e provokimet e herëpashershme, por trajtohet si kaposh i krekosur edhe në bisedime me Kosovën. Ka diçka që  nuk shkon këtu. Akoma gjallon kulisave ideja çoroditëse e shkëmbimit të territoreve? Diplomatë të ndryshëm, Grenell,( filo serb), Kosnett, Palmer  etj. pohojnë dhe e mohojnë këtë absurd, që mund të trazojë përsëri Ballkanin. Çfarë drejtësie qenka kjo , kur hiqen paralele midis – temës së reciprocitetit tregëtar  me propagandën djallëzore të Vuçiçve për çnjohjen e kosovës si shtet sovran? Ka në këtë mes, jo vetëm moskuptime, por dhe spekulime – e gojët e liga thonë se Kurti duhej larguar se po na prishte me amerikanët.  Diplomati hipokrit, Grenell është po aq i (keq)përdoruri nga kapot e shqiptarëve, ashtu siç i  ka keqpërdoruar ai  shqiptarët për qëllimet parciale të  administratës burokratike amerikane. Pse Grenelli dhe Vuçiçi duan  Thaçin në bisedimet e jo Kurtin?! Kakofonia e diplomacisë amerikane, në Tiranë e tipit “Lu”, e ajo evropiane si F. Moderini, Vlahudin, Soreka etj. kllouna- soristë de xhepistë, me  komisionerë burokratë , këshilltarë, të dërguar e të paautorizuar, njeri gozhdës tjetri patkoit, në këto dhjetë vjetët e fundit  kanë dalë nga pozicioni i tyre e, shpesh,   janë sjellë( si zot në shtëpinë tonë) e  guvernatorë të Tiranës.  Ndërkohë, kurrsesi nuk kanë mundur të mbjellin masivisht viruse antiamerikane në Kosovë e Shqipëri.. Ndër nesh, ata që shtiren si pro amerikanët më të mëdhenj, janë  në thelb kundërshtarë dinakë … Ka ikur koha tashmë me lepe e peqe, c’thotë porta e  sulltani,  Moska, Pekini  e Beligradi… Diplomacia e demokracive të zhvilluara që aspirojmë të gjithë,  na mëson të pajtohemi, të biem dakord dhe për të mos rënë dakord apriori, atje ku preken të drejtat njerëzore e shtetërore e kombëtare. 

TË TRETËT…

Bisedimet Kosovë – Serbi, jo rrallë me maska – me të tretë e më të katërt, sikur do pajtohen dy planetë Deri kur do marrin pjesë nëpër komisione e negociata diplomatë e komisionerë  që,  si magjistarë, herë me një sy, e herë me tjetrin pas syzeve të zeza lexojnë llumin e zi të kafesë  në filxhan të bardhë. Na kërkojnë ta mbjellin paqen  si patate në gropa. Po lirinë tonë nuk e njohin. Zgjidh e merr  na thonë, direkt e indirekt, pylli ka hyrje dhe dalje më të errëta, rrugë me  bar të  pashkelur dhe shtigje  të parrahura nga shkon dhelpra. Paqja është më e komplikuar  duket sikur na  thonë, zgjidh e merr,  nga zjarri, uji e ngrica apo nga ndarja në copa, mendojnë…

Të tretë e të katërt, nuk duan t’i  njohin e t’i gjykojnë, as varret masive, as përdhunimet , as  kokat e prera si në kohën e Erdogulit.  Të pikëlluara, gotat   nëpër tavolina luksoze diplomatike, të kristalta heshtin, të gatshme të krisen nga një e qeshur krrak…Na thonë ta djegim të vërtetën si letër. Shkrumbi shuk i mbledhur paska vlerë; na thonë armiku është kohë e shkuar, armiku ka ndryshuar. Mos e mbylleni derën e mbyllur; Vetmia nuk pret. [Dhe  shpëtimtari nuk ka gojë. As flet as hesht.] E njohim kokën e kobrës zbukuruar me ojna. Luciferi paska ndryshuar lëkurë. Agresorët qenkan lodhur nga vrasjet. Përtypin urrejtje e  buzagaz duan të bisedojnë. Ia njoh  kokën  dhe zorrët akrepit; përtej vetvetes, shekujve të shkuar,  kërkon një copë zemër, një tjetër djep. Racë e zgjedhur . Dhe kobër. Dhe akrep. E njoh mirë gjarprin e madh që mbyti Laokontin. Që të pranohej kali.  Të digjej Troja. Të pranohet si zgjidhje trupi i Kosovës  copa copa….E kam provuar nënshtrimin. Dhe çlirimi ynë nga okupatorët  ishte ngjitur me okupimin nga shpëtimtarët. Çlirimtarë dhe shpëtimtarë të tillë  janë djaj me brirë e pa brirë. 

o Zot, o Zoti im, thashë, lejomë, të ngrihem më këmbë,   të eci drejt miqësisë së vërtetë, drejt drejtësisë, vetvetes, ligjit, bukës, lirisë dhe të mos lidhem me zinxirë të florinjtë, të shpëtoj nga shpëtimtarët gjysmakë e hipokritë, të shpëtoj dhe nga “të mitë”.

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Pirro Loli, Shpetimtaret

NDERROI JETE SHQIPTARJA E MADHE ZONJA LUME M. JUKA

April 26, 2020 by dgreca

Nga Eduard M. Dilo Me hidherim, trishtim e tronditje shpirterore, mesova se ka nderruar jete Zonja Lume M. Juka, profesoreshe e nderuar, moter  ne shpirt dhe bashkepunetora e mike e afert e Nanes sone  Terese. Krejt bota shqiptare dhe Kombi yne humbi nje intelektuale dhe patriote te shquar, nje grua e rralle, aq sa te huajt ketu ne N.Y. kur bisedonin me te, e pyesnin plot gezim e dashuri: ” na duket sikur takuam e biseduam Nanen Terese;  ju lutem kush jeni ju, si e keni emrin?”. Ajo me thjeshtesine, butesine,  miresine dhe driten qe reflekton ne ata syte e saj plot embelsi, u pergjigjej:” Jam Shqipetare, ashtu si ishte dhe Nana Terese, ngjaj si duket me te, se jemi nga nje vend, e duke qene per shume kohe prane Saj kam -si duket – dicka te marre prej Saj!” Zoti e kish sjelle qe une te bisedoja  e takohesha shpesh, te takohem e te degjoj mrekullite e dala nga zemra e kesaj Zonje,  qe nuk nderon vetem Shkodren qe e lindi, por krejt Kombin tone.                      E kompletuar me nje kulture qe do t’a kish zili gjithkush, ishte aq e pervuajtur  sa dhe e ditur;  ishte vete MIRESIA, si ka qene dhe motra e saj , Shkencetarja Shqiptare Prof. Dr. Safete S. Juka, Apo vellezerit e saj.  U nda nga jeta, duke lene mbrapa vetem shembell e drite-dritesie. Tere jeten ja perkushtoi me zemer e shpirt vetem Kombit, mori pjese kudo dhe kurdohere ne gjithe aktivitetet ku percillte dhe predikonte me urtesi e miresi vec dashurine e pa kufi qe kish per Atdhene. Ishte e thjeshte dhe teper modeste, kurre nuk beri dicka per tu dikur e rene ne sy, por vec bente ate qe ja thosh zemra e shpirti, mbrujtur e edukuar ne shtepi vetem me ndjenje atdhetare. “ Patriotizmin dhe dashurine per Kombin e quante detyre, dhe nuk kerkoi kurre shperblim e perfitim prej tij”.  Bota shqiptare sot eshte me e heshtur, eshte ne zi se humbi nje nga intelektualet e pakta qe ka ne gjirin e saj. Te prehesh ne Paqen e Zotit mikja jone e madhe Zoja Lume M Juka. Do te jeshe e pa harruar ne kujtimet tona, qe te deshem e na deshe aq shume.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Eduard dilo, Nderroi jete Lume Juka

25 Prill 1993-PAPA GJON PALI II EDHE NË SHQIPËRI TAKOI PRESIDENTIN E KOSOVËS RUGOVA

April 26, 2020 by dgreca

Para 27 viteve, gjatë vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova e takoi në Tiranë dhe i dhuroi një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin/

-Në 25 Prill të vitit 1993 raportoja nga Prishtina në Tiranë: Papa është sot edhe në çdo familje shqiptare në Kosovë… 

-Po në vitin 1993, në 11 Mars,  Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin e Kosovës Rugova/

-Më parë, në Shkurt 1993, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova udhëheqte delegacionin e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…

-Në 26 Gusht 2005 Presidenti historik Rugova vuri gurthemelin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë:  Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 25 Prill 2020/ Para njëzet e shtatë viteve, gjatë vizitës së Atit të Shejtë Papa Gjon Palit II në Shqipëri në 25 Prill 1993, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova e takoi në Tiranë dhe i dhuroi një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin.

Papa është sot edhe në çdo familje shqiptare në Kosovë, kam raportuar kështu nga Prishtina në Tiranë për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të lajmeve të Shqipërisë.

 Atë ditë të lume, në 25 Prill të vitit 1993, raportimin se si pritej e përjetohej në Kosovë vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri e nisja herët në mëngjes me telex-in, që ishte mundësia e vetme e lidhjes, dhe me shumë vështirësi, në atë kohë nga Prishtina e Kosova me Tiranën e Shqipërinë. Më pas për të përcjellë e parë vizitën shkova në Gjakovë, qytetin pranë kufirit të hekurt që ndante, ku mund të shihej Televizioni Shqiptar përkundër pengesave e zhurmuesve që i kishin vënë në gjithë Kosovën në rrethanat e okupimit të egër nga regjimi i Beogradit.

Për vizitën e parë historike të një Pape në Shqipëri, nga transmetimet e Radio Televizionit Shqiptar në televizorin e një familje gjakovare u bënë edhe foto për gazetën e vetme të përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë “Bujku”,  themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha dhe që si gazetë e rezistencës me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dilte nga 18 Janari i vitit 1991, pasi me dhunë ishte ndaluar gazeta tradicionale kosovare Rilindja…

Gazeta “Bujku”, që nga ballina, raportonte gjërësisht për vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, shqiptarëve…

 Më parë, në 11 Mars 1993, Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin e Kosovës Rugova nga i cili mori një Promemorie për çështjen shqiptare. Gjatë qëndrimit në Itali Presidenti Rugova takoi Kryeministrin e atëhershëm Italian Xhuliano d’Amato, nga i cili kërkoi angazhimin e Qeverisë Italiane për vendosjen e forcave paqeruajtëse në Kosovë si hap i parë për shtensionimin e situatës dhe fillimin e zgjidhjes së krizës.

 Para udhëtimit në Itali-Vatikan, po në vitin 1993 – në 16 Shkurt Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova udhëheqte një delegacion nga Kosova, që kishte shkuar në Amerikë me qëllim që të njoftojë udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtypjen e të drejtave civile, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Presidenti Rugova bëri publik planin dhjetëpikësh të veprimit për ta zgjidhur krizën e Kosovës dhe për t’u dhënë fund padrejtësive. Për herë të parë kërkon një protektorat civil ndërkombëtar në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Uashington Presidenti Rugova u prit nga Tomas Najllz, Ndihmëssekretar i Shtetit për Evropë dhe Kanada si dhe në Komitetin e Kongresit Amerikan për Marrëdhënie me Jashtë nga kongresmenët Li Hamilton, Tom Lantos dhe Ben Gilman.


Nga 17 deri më 19 Shkurt 1993 Presidenti Rugova mori pjesë në tubimin kushtuar problemit të ish-Jugosllavisë të organizuar nga “Qendra Karter” në Atlanta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

E, në 11 Gusht 1993 Presidenti Rugova i shkruajti letër Ambasadores së SHBA-ve në OKB, Medlin Ollbrajt, të cilën e falënderon për angazhimin për miratimin e Rezolutës për vazhdimin e misioneve vëzhguese në Kosovë si dhe kërkon që si preventivë Kombet e Bashkuara të marrin në protektorat Kosovën për të normalizuar jetën dhe evituar konfliktin…

KATEDRALJA NËNË TEREZA NË PRISHTINË, E PËRKRAHUR NGA PAPA GJON PALI I DYTË

Në 26 Gusht 2005 Presidenti historik Ibrahim Rugova vuri gurthemelin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë  së bashku me atëherë Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalin e Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

SHQIPTARËT VATRANË NGA AMERIKA SHUMË KONTRIBUES PËR KATEDRALEN E KOSOVËS SHËN NËNË TEREZA 

Në 5 Shtator 2017, shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar…

Filed Under: ESSE Tagged With: Behlul Jashari, Papa II, Rugova

HISTORIA

April 26, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Çdo gjë që duket e padurueshme priret të shkatërrohet. Pushtimet, shtypjet, tiranitë, të gjitha janë të përkohëshme, të gjithave u vjen fundi, janë pasojat e tyre që lënë gjurmë të përherëshme. Kur njeriu sheh fillimin e një periudhe, ai në fakt bëhet njëkohësisht, dëshmitar dhe parashikues i rrënimit të saj. Vetëm kjo duket se justifikon të qenit optimist edhe në momentet më të errëta, kur të tjerë humbasin shpresën. Gjithashtu, kjo e bën optimizmin një filozofi edhe të së kaluarës. Një post në qeveri a shoqëri, si çdo gjë tjetër, nuk është krijuar për të qenë përgjithmonë, por ka që mendojnë se janë lindur për të udhëhequr, edhe pse jeta një ditë ndërpritet dhe të gjithë duken njësoj. Fuqia e një Perandorie shuhet edhe pse rilind a reformohet në mënyrë që perandori të zgjasë edhe për ca kohë sundimin. Anomalitë e dukshme në historitë shoqërore ose politike, tregojnë se krijimi i botës nuk ndodhi në fillim të kohës, por ndodh çdo ditë. Një hap përpara implikon rrënime e humbje të gjërave që njeriu i harron që i ka pasur. Ngjarjet e kaluara janë të vetmet që sot analizohen e simulohen vetëm për të arritur përfundimin që dihet, se dëmet kanë qenë më të shumta sesa të mirat qē ato kanë mundur të sjellin, por, edhe se pa ‘to asgjë, as historia, nuk do të kishte qenë e mundur të ndodhte.

Filed Under: Emigracion, ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, historia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT