Tregim nga NAUM PRIFTI/
Aziz Xhediku po fërkonte kopsat e xhaketës me sidol, kur një i panjohur hyri në zyrën e tij. Pa lëvizur nga vendi dhe pa ndërprerë lustrimin, Azizi i ngriti sytë nga dera me një shprehje pyetëse. “Drejtori i Hetuesisë, Iljaz Kapllani,” u prezantua vetë personi. Azizi u ngrit në këmbë dhe gërvëllima e këmbëve të karriges e mbyti pak mbiemrin e vizitorit. Funkionarë të drejtësisë nuk kishin shkelur kurrë më parë në zyrën e të plotfuqishmit të Kurorës. Veshi menjëherë xhaketën në të cilën kopsat rrëzëllyen për një moment sikur të ishin aktivizuar nga drita që mezi hynte nga dritarja dhe mori qëndrim gatitu. Në kokën e madhe të Azizit tipari më dominues ishte hunda mishtore dhe e gjerë, e cila i jepte poseduesit pamje prej tuafi, ndërsa sytë ishin dy rruzulla të vegjël e dinakë. Në të dy anët e xhaketës i dilnin duar me nyje të argasurura nga punë të rënda. Zyra e tij qe aq e zhveshur sa s’hynte kurrkund fjala mobilim. Në hapësirën mes mureve të zhveshura dukej se rrinin në siklet një tryezë me dy karrige të shtrembëra dhe një telefon i zi kubik.
I plotfuqishmi i ofroi cigare të lira nga ato që pinte vetë. Iljazi nuk pranoi që të mos krijonte as lidhjen më të vogël shoqërore. Ai hapi çantën prej lëkure, nxorri një letër të shkruar me dorë dhe e lëshoi ngadalë mbi tyrezë.
-Shoku Aziz, – i tha me ton zyrtar, – Mininstrit të Brendshëm i ka ardhur një letër, ku ju akuzoheni se keni rrahur një qytetar në zyrë. – Fshatar! – e saktësoi shpejt Azizi.
-Qytetar! – ngulmoi Iljaz Kapllani. – Të gjithë nënshtetasit, sipas ligjit janë qytetarë të republikës,- ia sqaroi termin Drejtori.
-Po e ka meritue! Boll mirë ia kam ba, – deklaroi Azizi prerazi.
“Sa i trashë! Në vend ta mohojë a të gjejë një lloj justifikimi, po e konfirmon hapur,” tha me vete Iljazi. Ai shkoi te dritarja dhe i bëri dikujt shenjë me kokë. Pas pak në zyrë hyri Liman Kozhani.
-Ç’kërkon këtu? – iu hakërrua i Plotfuqishmi. – Të thirri kush?
Me vetullat e rrëzuara, Limani kërkoi me sy ndihmën e njeriut të ardhur nga kryeqyteti. Kur ai i dha shenjë të ulej në karrigen e lirë pranë tij perballë Azizit, figura e Limanit u tkurr edhe më shumë.
-Këtu, në këtë zyrë të goditi shoku Aziz? – e pyeti hetuesi.
I plotfuqishmi shfryu nëpër flegrat e hundës vrumdulla inatçore ajri por nuk e ndërpreu vijën e pyetjes.
-Këtu…- belbëzoi fshatari pa guxuar t’i ngrinte sytë.
-Nuk i paska ba fajde,..- shpërtheu Azizi duke tundur kokën gjithë mllef.- Pa le edhe je anku?
Hetuesi i skandalizuar nga deklarata sa arrogante aq edhe pohuese e të Plotfuqishmit, iu drejtua palës tjetër për ta përfunduar shpejt ballafaqimin shpejt.
-A nuk e kuptoni gabimin tuaj? Nuk keni të drejtë të jepni ndëshkime fizike dhe zyrat tona janë vende pune, dhe jo ndëshkimesh. Orientimet e partisë dhe rregulloret e brendshme i përcaktojnë qartë kompetencat dhe detyrat e punonjësve të policisë dhe të rendit.
Të plotfuqishmin s’po e mbante vendi. Mezi duroi që vizitori nga Tirana t’i mbaronte ato fraza të gjata e të ngatërruara.
-Pyete, pyete pse e zdrugata, – ngulmoi Azizi duke zbritur në terrenin praktik dhe bënte hapa drejt Limanit.
-Për çfarëdo fajesh të kryera ligjji parasheh dënime dhe nene e dispozita të përcaktuara të cilat i japin vetëm gjykatat popullore.
-Ky pat thënë…
-Ju lutem – e ndërpreu hetuesi.- Personi gëzon të drejtën e fjalës, të mendimit, të shtypit, të cilat janë të sanksionuara në Kushtetutë. Kuptojeni këtë gjë.
-Edhe po e la “kushtetuta” s’e la unë, -gjëmoi Azizi.- Të çaprashisë asi gjanësash, reaksionare…
-Çfarëdo që të ketë thënë, s’keni të drejtë ta ndëshkoni pa gjykatën tone popullore.
-S’paskam të drejtë? – protestoi Azizi i habitur dhe i fyer. – Të thotë ky surrat-thiu se Enver Hoxha ia mori fshatarit tokën, bagëtinë, kullotat dhe e la cullak…
Hetuesit sa nuk i kërcyen sytë jashtë zgavrave tek dëgjoi blasfemi aq të rënda për udhëheqësin nga një fshatar.
-Si? Si? Përsërite edhe njëherë, – e luti nga që s’po u zinte besë veshëve.
I plotfuqishmi ripohoi deliktin e rëndë e të pafalshëm, duke shtuar se informata ishte e saktë, mbasi kishte ardhur nga dy burime të ndryshme.
Sikur karrigia të ishte pajisur me katapultë, hetuesi nuk do të kishte brofur në krahun tjetër të zyrës. Shpifje e përbindshme, e thënë me qëllim të mbillte pakënaqësi te fshatarët. Një lapangjoz guxonte të përfliste udhëheqësin e lavdishëm dhe sistemin kooperativist. Sytë e tij po nxirrnin shkëndija përvëluese mbi fshatarin e paralizuar në një pozë apostolike nga që aty dëgjoi për herë të parë pse ishte rrahur.
Ky, hë?- deshi të sigurohej Iljazi.
-Po, nji ky! – ia vërtetoi Azizi duke zgjatur gishtin e trashë drejt kokës së Limanit.
-Ti more qelbanik, – brafulloi Drejtori i Hetuesisë – more zgjebarak teveqel, lapurak, lapangjoz, llosh, të marrësh nëpër gojë atë që s’i vjen as te thembra e këmbës? Po kush te nxorri në dritë, ty more idiot, kush ta solli lirinë, pushtetin popullor, kush po e ndërton socializmin? – Cerkat e pështymës i fluturonin si saçme nga goja. Dhe që t’ia ngulte më mirë qortimet në tru, nisi t’i binte me grusht nga ana që kishte me afër.
Azizi po e sodiste skenën duke admiruar shpejtësinë e grushtave ndërsa fshatari po tkurrej gjithmonë e më shumë aq sa u ul përtokë buzë e ngjunjë dhe që t’i shpëtonte rrebeshit të goditjeve u sul nga dera, të cilën e kapërceu me një shkelm që mori në prapanicë.
-Ta kishe vrare mutin, – shkumëzoi Iljazi, aq i nxehur sa nuk e përmbajti fjalorin. Duart vazhdoni t’i dridheshin nga nervozizmi që e kishte pushtuar. –Ky meriton prangat! – shtoi duke u kthyer nga i Plotfuqishmi. –Sajo një relacion t’ia përcjellim prokurorisë për ndjekje penale, -urdhëroi Hetuesi.
Azizi nuk lëvzi nga vendi.
-Dëgjove? – i shfryri Iljazi.
-Lëre dreqin se ka një tufë fëmijë…., – ia ktheu Azizi. – E kam edhe pak ilaka nga ana e gruas.
Drejtori i Hetuesisë ngulmoi se Liman Kozhani gjithsesi duhej gjykuar e dënuar që të bëhej shembull për të tjerët.
-Se mos vetëm ai…- u shfajësua Iljazi pa të keq. Flasin lart e poshtë të gjithë këtu veç në rrethe më të ngushta se ky tutkun.
-Duhen proceduar, – ngulmoi përsëri Iljazi.
-Në gjyq? Kurrsesi! – kundërshtoi Azizi. –Të tilla akuza bajnë ma shumë dam se dobi.
Udhëzimet e bredshme lëshuar nga KQ, porositnin gjyqtarë e prokurorë që emri i Enver Hoxhës të mos përgojohej nëpër gjyqe. Hetuesit ju desh të pranonte se i plotfuqishmi kishte veprurar drejt që e kishte mbyllur atë incident delikat me një rrahje edukuese.
Azizi pasi vari një revole të paraluftës në brez, e shtrëngoi fort rripin e mesit, dhe po bëhej gati të dilte nga zyra.
-A shkojmë nga shtëpia tani, or mik? – e ftoi natyrshëm si ta kishte të njohur prej vitesh. –Këtu e mbaruam punën për sot. E kemi një farë hoteli në qendër, po dyshekët kutërbojnë erë nafte nga shoferët e kaminonëve dhe natën çimkat nuk të lënë rehat.
-Do kthehem në qytet, – u mëdysh Iljazi.
-E pse me kaq ngut? – kundërshtoi Azizi. – E kam rojtur një ftujak të mirë për mysafirët. Sa të pimë nga nji kafe e nga nji duhan, Resmija e ka therun dhe e ka pjekun. Tani që verifikimi kishte mbaruar, Drejtori i Hetuesisë nuk kishte pse të mos e pranonte ftesën. E rrëmbeu ankesën e shkruar me dorë nga tryeza e të Plotfuqishmit dhe e mbështolli grusht përpara se ta hidhte në plehra. Kushedi kur do arrijnë ta kuptojnë këta fshatarë drejtësinë tone, mendoi me vete duke dalë nga zyra e të Plotfuqishmit të Kurorës.