• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

ALBANOLOGJIA NË UNIVERSITETIN E TRAKYAS NË TURQI

March 12, 2021 by dgreca

“Dielli” me shqiptarët në Edirne, Turqi/

ALBANOLOGJIA NË UNIVERSITETIN E TRAKYAS NË TURQI/

Rijetë Simitçiu pedagoge në departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Trakya-s në Edirne, Turqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, historinë e Departamentit të Albanologjisë në Universitetin e Trakya, krijimin e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe që është i vetmi në mbarë Turqinë i themeluar në 125 vjetorin e lindjes së Fan Nolit, “Unionin e Universiteteve të Ballkanit”  një union që bashkoi universitet e vendeve të Ballkanit edhe një numër jo të vogël të universiteteve shqiptare etj. Me pedagogen Rijetë Simitçiu bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

HISTORIKU I DEPARTAMENTIT TË ALBANOLOGJISË NË UNIVERSITETIN E TRAKYA-S

Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe u themelua në vitin akademik 2007/2008 në kuadër të Gjuhëve dhe Letërsive Ballkanike të Fakultetit të Letërsisë në Universitetine Trakya-s, i vetmi në mbarë Turqinë. Interesimi i studentëve për të studiuar gjuhën shqipe në Universitetin e Trakya-s përgjatë viteve 2011-2016 është rritur për herë më shumë. Në këtë departament deri në vitin akademik 2017/2018 numri i kontigjenit të studentëve që mund të fillonin studimet themelore/bachelor ishte 20(20+1) studentë, ndërsa tani ky kontigjen kaplon numrin 30(30+1) të studentëve. Aktualisht, rreth 56 studentë janë duke studiuar në Departament e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Edirne të Turqisë. Stafi i brendshëm akademik i këtij departamenti përbëhet prej tre mësimdhënësve dhe dy asistentëve. Studentët të cilët kanë përfunduar studimet themelore/bachelor për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe mund t’i vazhdojnë studimet postdiplomike (master dhe doktoratë) në këtë fushë në Departamentin e Studimeve Ballkanike. Ky departament u hap në vitin akademik 2013/2014 në kuadër të Institutit të Shkencave Sociale të Universitetit të Trakya-s.

AKTIVITETET QË BËHEN NË DEPARTAMENTIN E GJUHËS DHE LETËRSISË SHQIPE TË UNIVERSITETIT TË TRAKYA-S

Në këtë departament vite me radhë janë bërë aktivitete të ndryshme. Së pari dua të filloj për rolin dhe rëndësinë e “Programit të Shkëmbimit Mevlana” që ka luajtur në këtë departament. Me vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare të datës 23 gusht 2011, ky program synon të shkëmbejë studentë dhe staf akademik midis institucioneve të arsimit të lartë që ofron arsimi në Turqi dhe institucioneve të arsimit të lartë që ofrojnë universitetet shqiptare. Universitet shqiptare me të cilët është aplikuar ky shkëmbim përvojash në kuadër të departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe janë: Universiteti “Aleksandër Moisiu” – Durrës dhe Universiteti “Eqrem Çabej” – Gjirokastër (Shqipëri), Universiteti “Ukshin Hoti” – Prizren (Kosovë), Universiteti Shtetëror i Tetovës (Maqedoni) dhe Universiteti i Malit të Zi (Mali i Zi). Që nga gushti i vitit 2010 e këtej studentët e këtij departamenti janë mysafirë të Universitetit të Prishtinës “Ukshin Hoti” për të ndjekur kursin e gjuhës shqipe për dy javë rresht në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Seminari, që nga viti 1974, mbledh gjithë studiuesit e studentët që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Për disa vite radhazi është organizuar “Dita e Studentëve të Gjuhëve të Ballkanit”, në këto manifestime është recituar, luajtur e kënduar shqip në qytetin historik të Edirnes. Studentët tanë po ashtu marrin pjesë edhe në organizimin e manifestimeve të tjera si në “Ditën e Shpalljes së Republikës së Kosovës”, në “Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë”, e kështu me radhë. Këto manifestime që u përmendën së fundi organizohen nga studentët kosovarë e shqiptarë në krye me rektorin e këtij universiteti. 

UNIVERSITETI I TRAKYA-S THEMELOI “UNIONIN E UNIVERSITETEVE TË BALLKANIT”

Universiteti i Trakya-s për dallim prej universiteteve të tjera të Republikës së Turqisë që kanë për qëllim përgatitjen profesionale të profileve të caktuara, ai ka për qëllim edhe krijimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje, përkatësisht me shtetet e Ballkanit. Që nga viti 2014 ky universitet themeloi “Unionin e Universiteteve të Ballkanit” 34 anëtarësh, ndërsa sot ky union përmban 80 anëtarë. Prej këtyre 80 universiteve nga mbarë Ballkani një numër jo i vogël prej tyre janë universitete shtetërore e private nga mbarë trevat shqiptare. Në një farë mënyre ky union jo vetëm që bashkoi universitet e vendeve të Ballkanit, ai njëkohësisht bashkoi edhe një numër jo të vogël të universiteteve shqiptare. Misioni i këtij unioni është formimi i marrëdhënieve mes universitetesh të vendeve të Ballkanit për një mësimdhënie më efektive dypalëshe. Produkt i një misioni të tillë është edhe programi i “Diplomës së Dyfishtë (2+2)” i cili vuri bazën në mes të Universitetit të Trakya-s me Universitetin e Prishtinës nëpërmjet dy departamenteve, atë të Gjuhës dhe Letërsisë Turke dhe të Gjuhës e Letërsisë Shqipe. Marrëveshja e këtij të pari u realizua dhe filloi të zbatohet prej vitit të kaluar akademik.Për vënien e themelit të kësaj marrëveshjeje në fushën e gjuhës shqipe, në nëntor të vitit 2019, prorektori i Universitetit të Trakya-s që njëkohësisht është edhe drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë Prof. Dr. Murat Türkyılmaz-i u takua me dekanen e Fakultetit të Filologjisë Prof. Dr. Linditë Rugovën dhe me shefin e Departamentit të Gjuhës Shqipe Prof. Dr. Bardh Rugovën. Për hir të situatës së pandemisë për momentin ky proces ka stagnuar por në një të afërme shumë të shpejtë pritet të fillojë. Misioni tjetër shumë i rëndësishëm që po ndërmerr Universiteti i Trakya-s është numri i studentëve që pranon ky universitet çdo vit e më shumë, si prej Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë etj. Në këtë vit akademik në këtë universitet vijojnë studimet nga Kosova (477 studentë), Shqipëria (144 studentë), Maqedonia (177 studentë), Mali i Zi (36 studentë) dhe nga Serbia (61 studentë). Këta studentë i ndjekin studimet themelore/bachelor, master dhe dokoraturë me shumë përkushtim dhe dashuri për punë. Këtij numri kaq të madh të studentëve universiteti iu vjen në krah edhe pas përfundimit të studimeve duke iu dhënë një mundësi për punësim nëpër shtetet amë të tyre. Universiteti në fjalë filloi projektin “TEKNOPARK” në Kosovë, për të vazhduar më tutje në vendet e tjera fqinje. Më 20 janar të këtij viti në Prishtinë u nënshkrua protokolli i modelit “Kosova Teknopark” në mes të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe rektorit të Universitetit të Trakya-s Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu. Në fund nuk do i lë pa i përmendur edhe revistat të cilat boton ky universitet që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe. Revistat shkencore “Revista e Institutit për Kërkime Ballkanistike” dhe “Revista Ballkanistike përgjuhës dhe letërsisë”, si dhe “Revista – Ura e Rumelive”. Kjo e fundit punimet që kanë të bëjnë me gjuhën, letërsinë, kulturën shqiptare i boton në të dyja gjuhët, në njërën anë të faqes në turqisht e në anën tjetër në shqip.

KONTRIBUTI I REPUBLIKËS SË TURQISË PËR GJUHËN SHQIPE

Qeveria e Turqisë në këto vitet e fundit ka ndërmarrë mjaft hapa të rëndësishme lidhur me pozitën dhe rëndësinë e gjuhës shqipe në Republikën e Turqisë. E para, ka futur gjuhën shqipe si lëndë me zgjedhje në shkollat e mesme të ulëta. Ndërsa e dyta, ka futur gjuhën shqipe si provim zyrtar shtetëror në Republikën e Turqisë. Në dhjetor të vitit 2016 Ministria e Arsimit të Turqisë dhe Universiteti i Trakya-s kanë nënshkruar protokollin për bashkëpunim. Kështu që nxënësit e shkollës së mesme të ulët të mësojnë gjuhën shqipe si lëndë me zgjedhje në kuadër të gjuhëve dhe dialekteve që jetojnë në Turqi. Ky protokoll u nënshkrua nga ministri i arsimit të Turqisë Dr. Cem Gençoğlu dhe rektori i Universitetit të Trakya-s Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu ndërsa plan-programet dhe tekstet shkollore u përpiluan nga pedagogët e këtij universiteti. Plan-programet mësimore janë përpiluar duke marrë për bazë kurrikulën e Ministrisë Turke të Arsimit për plan-programet mësimore të gjuhëve dhe dialekteve që “jetojnë” në Turqi, mirëpo duke ia përshtatur natyrës së gjuhës dhe kulturës shqiptare. Tekstet mësimore prej klasës së 5-të deri në dhe të 8-tën kanë përfunduar, ndërsa mësimi i gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje ka filluar gjatë vitit shkollor 2017/2018. Në Fletoren Zyrtare më 7 shkurt 2018-të u hap rruga për mbrojtjen zyrtare të gjuhës shqipe në Turqi. Qindra shqipfolës kanë hyrë në provimin e gjuhës shqipe. Interesim të madh kanë treguar jo vetëm shqiptarët që jetojnë në Turqi por edhe shtetasit turq, ndër ta edhe ata me origjinë shqiptare. Në këtë provim janë futur edhe studentët që kanë përfunduar degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Trakya-s në Edirne. Ky provim ka për qëllim përcaktimin e nivelit të njohurisë së gjuhës shqipe. Kështu një nëpunës në Turqi që zotëron gjuhën shqipe, pas dhënies së provimit, do të marrë shpërblim nga shteti çdo muaj duke ia bashkangjitur atë rrogës mujore.

KUSH ËSHTË RIJETË SIMITÇIU?

Quhem Rijetë Simitçiu, jam e lindur më 7 prill të vitit 1979 në qytetin e Prizrenit. Shkollën fillore, gjimnazin dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike për mësuese i kam mbaruar në vendlindje. Studimet themelore Fakultetin e Mësuesisë dhe studimet master në Fakultetin e Filologjisë i kam përfunduar në Universitetin e Prishtinës. Tema ime e masterit me temë “Kohët e foljes sipas Selman Rizës” është udhëhequr prej Prof. Dr. Bardh Rugovës. Në janar të viti 2015 Instituti i Shkencave Sociale të Universitetit të Trakya-s vuri themelet për hapjen e Departamentit të Studimeve Ballkanike për studime të doktoratës, në kuadër të saj studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe. Në këtë rast unë pata fatin të jem studentja e parë e kësaj fushe. Me një fjalë u hap një derë historike për studime albanologjike në Turqi, prandaj ndihem jo vetëm e nderuar por edhe me shumë fat. Tema e doktoratës që unë studioj titullohet “Kopjimi i kodeve të turqishtes në shqipe në shembujt e gjetur te të folmet e Dibrës së Madhe (të Maqedonisë)  dhe të Dibrës së Vogël (të Shqipërisë)”. Kjo temë doktorate jo vetëm që bashkoi dy Dibrat, ajo bashkoi edhe dy studiues të ndritur mentorin tim Prof. Dr.Ahmet Günşen dhe bashkëmentorin Prof. Dr. Bardh Rugova, i pari nga Turqia e i dyti nga Kosova. Me 12 mars të vitit 2001 kam filluar karrierën time si mësimdhënëse në qytetin tim të lindjes Prizrenin. Ndërsa që nga fillimi i vitit 2014 e gjerë më sot punoj si mësimdhënëse në departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Trakya-s në Edirne. Me një fjalë ky universitet m’i ka hapur dyert edhe si mësimdhënëse edhe si studente prandaj i jam shumë mirënjohëse. Kur u kontaktova nga gazeta “Dielli” e Federatës Mbarëshqiptare VATRA në New York, për të bërë një intervistë, emocionet ishin të papërshkruara. Nuk arrija të besoja se më kërkonin prej gazetës “Dielli”, gazetës të cilën e themeloi Fan Stilian Noli së bashku me Faik Konicën 112 vjet më parë. Dhe për çudi ky Departament i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe që është i vetmi në mbarë Turqinë u themeluar në 125 vjetorin e lindjes së Fan Nolit edhe atë vetëm 100 km larg vendlindjes së tij Ibriktepes (në atë periudhë Vilajet i Edirnes). Edirneja, Edreneja apo Adrianopoli, si të doni ja thoni, është qyteti ku mbaroi Noli gjimnazin. Tani të gjitha këto që u përmendën mund të jenë të rastit apo siç thonë: “Rasti është mbret i botës”. Para se ta përfundoj këtë intervistë dua t’ju falënderoj juve z. Sokol, si dhe shtëpinë e madhe të VATRËS e Gazetës “Dielli” që ma dhatë këtë mundësi. 

Filed Under: Histori Tagged With: Albanologjia, E TRAKYAS NË TURQI, ne Universitetin, Sokol Paja

Biri i Gjokë Drenicarit

March 12, 2021 by dgreca

-Tregim Nga Mëhill Velaj/

Në kullë atë mbrëmje kishte shumë tension, ndërsa Gjoka Drenicari, me të atin dhe disa luftëtarë ishin ulur rrotull vatrës dhe flaka e zjarrit ndriçonte krejt konakun. Sytë e Gjokës teksa ia kishte ngulur sytë të atit, dhe gjithfarë mendimesh i sorollateshin, veçmas ato fjalët e urta e të mënçura të cilit i vinin shpesh në mëndje:”Edhe nëse luftoj kundr turkut nuk e bëj për të më lavdëruar, askush nuk ka nevojë për lëvdata, ideali ynë është  të shkatërrojmë e të përzejmë turqit nga vatra,  se kjo tokë dardane është e jona dhe ne duhet ta çlirojmë e mbrojmë.” Kaq herë i ati dhe Gjoka ishin përballur me vdekjen në luftë me pashain turk dhe hordhitë e tij.Tensioni në kullë mes burrave vazhdonte e sikush jepte mendimet e tij për planin si e si ta vrisnin pashain.

 -Tashmë ju të gjithë e dini, fillimisht unë e kam kundërshtuar idenë për ta vrarë pashain. Gjithsesi unë tashmë i bashkohem mendimit, planit tuaj dhe mezi pres ta shoh të varur pashain turk, biles t’i heq fronin me duart e mija, edhe nëse më rrezikohet jeta ime, -tha i ati.

 Fjalët e të atit ia prenë mendimet në mes, dhe po e dëgjonte me vëmendje. Gjoka u befasua nga forca e trimërisë dhe e kurajos e të atit.Të gjithë ata luftëtarë që ishin aty e dinin dhe kishin parë me sytë e tyre masakrat e barbaritë e  Xhemal Pashës. Gjoka thirri emrin e secilit luftëtar, për të bërë betimin para se të niseshin në luftë. Të gjithë luftëtarët u përgjigjën njëzëri:”Betohemi”! Gjoka ia hodhi sytë çdo fytyre të atyre trimave që po i jepnin besën, që iu kishte vajtur thika në palcë, dhe plagën që hapte ajo ishte e mundur të shërohej, vetëm duke luftuar armikun që u kishte zaptuar vatrat. Luftëtarët morën udhëzimet. Misioni i tyre do të fillonte në mëngjes!

*****

Fshati shtrihet përgjatë fushës së Rafshit të Dukagjinit dhe Bjeshkët e Nemuna i qëndrojnë si kurorë majash Lumëbardhit. Nga gryka shkëmbore e Rugovës dëgjohet gurgullima e rrjedhës të Lumëbardhit që ndan fshatin në dy pjesë. Gjatë rrjedhës, lumi vadit fushat e livadhet në të dyja anët e tij, derisa tutje bashkohet me rrjedhën e Drinit të bardhë e Drinit të Zi, që burojnë nga Bjeshkët, dhe kështu vazhdojnë rrugën për t’u derdhur në detin Adriatik. Maria ngriti paksa fustanellën dhe si kthehu edhe njëherë kokën nga Bjeshka e Zheblit, ia nguli sytë Gurit të Verdhë. Më pas lëvizi në drejtim të oborrit dhe syri i kapi Gjokën që po përqafohej me prindërit. Pa ia ndarë vështrimin Majës së Peklenës dhe Majës së Hasanit, hipi  në karrocë dhe priste  të shoqin. Ndjeu të lëkundej karroca dhe ajo kthehu kokën menjëherë. Gjoka hipi vërtik në të dhe po i buzëqeshte. Edhe ajo me sytë akoma ëndërrimtarë i buzëqeshi. I shoqi ia vuri dorën mbi bark dhe po ia lëmonte.

-Të siguroj Marie se do të arrijmë shëndoshë e mirë! – i dha kurajo ai, sikur ta lexonte në sytë e të shoqes merakun e ankthin, që ajo kishte për fëmijën në barkun e saj. Sapo kishte hyrë në muajin e nëntë të shtatëzanisë. Gjoka tërhoqi frerët dhe i mëshoi zërit fort, i tha pelës:

-Ec, Dorinë!

-Si e thirre im zot, Dorinë?- e pyeti ajo buzagaz.

-Po, po, është emri i saj, në vend që ta thërras dembele, më mirë Dorinë – i tha ai dhe ia dha të qeshurës. Maria kthehu kokën përsëri nga oborri ku qëndronin akoma i vjehrri me të vjehrrën, që po i ndiqnin me sy akoma. Ai burrë shtatlartë mbante kokën lart, megjithëse mori shumë plagë në betejën kundër pashait turk dhe garnizonit të tyre në qytet. Turqit pas vrasjes së Xhemal Pashës ishin bërë më barbarë dhe rrëmbenin fëmijët apo gratë shtatëzëna dhe i çonin në Stamboll. Kështuqë ata vendosën të shkonin matanë Adriatikut, për t’i shpëtuar represionit dhe barbarisë osmane. Me sytë e lotuar ngriti dorën për t’iu thënë lamtumirë atyre, por nuk mori përgjigje. Kur iu afruan okolisë së fshatit, ndaluan jashtë punishtes të farkëtarisë, për t’i mbathur pelës patkonjtë. Farkëtari sa i pa doli nga dyqani me zejet ndër duar dhe u ndodh sakaq pranë Dorinës. Teksa ai ia mbërthente patkonjtë, pela drejtoi kurrizin dhe jashtëqiti ndër këmbët e farkëtarit. Më pas kthehu kokën dhe ia nguli sytë Maries. Hungëriti sikur donte të kërkonte të falur për ç’ka bëri.Maria i buzëqeshi lehtë. Pela tundi kokën dhe hungëriti përsëri, kësaj here disi më fort se herën e parë. Gjoka vështronte të shoqen dhe pelën, ndiqte tërë admirim bisedën e tyre të heshtur. Si mbaruan punë, vazhduan rrugën fillimisht drejt Dukagjinit verior. Si lanë karrocën në mes ca ferrishteve në pyll, shaluan Dorinën dhe  kaluan mes  disa shtigjeve nëpër grykat e maleve, përmes kullotave me liqej gracialë më një bukuri të rrallë e mahnitëse duke lënë pas Kullën e Begut dhe të Sheremetajve. Gjatë gjithë rrugës Maria vështronte herë me sy të qeshur, herë të lotuar. Vështronte dhitë e egra që si lozonjare i ngjiteshin bjeshkëve të thepisura dhe shqiponjat që fluturonin mbi kurorën e Alpeve. Ngazëllehej nga ajo ç’ka po soditëte, një panoramë e bukur që të kënaqte e të çlodhte sytë, por edhe në brendësi të shpirtit. I tregonte të shoqit gjithçka që i kapte syri. Po afronte mbasditja dhe pak do të ngrysej.

-Ja edhe gjysëm ore dhe do të arrijmë në kullotat, matanë atij vargmalit të heshtur janë kasollet e barinjve, – i tha Gjoka duke shtrirë dorën në atë drejtim. Ia hodhi krahun shpatullave dhe e afroi pas vetes. Maria u struk thellë në gjoksin e të shoqit dhe dorën tjetër e mbështeti në gjurin e Gjokës.Në të perënduar të diellit u gjendën në një fushë të hapur me bimë foragjere, pemë, perime të ndryshme dhe disa hardhija rrushi pranë kasolleve të barinjve. Gjoka u hodh sakaq nga karroca, i zgjati dorën të shoqes të zbriste. I tha të qëndronte aty ta priste. Tërhoqi Dorinën për kapistalli dhe e la të lirë të kulloste me kuajt e barinjve.

Kur iu afruan njërës prej kasolleve, Maria këputi një verigë rrush, duke e përtypur, i tha të shoqit:

-Oh sa i ëmbël e i shijshëm!

-Bëjnë verë shumë të mirë dhe raki, – i tregoi ai. -Në të vetmin vënd që këmba e turkut nuk ka shkelur, dhe shpresoj që këta të na ndihmojnë për të dalë në breg të Adriatikut në krahun e Mali të Zi, aty ku derdhet Drini- saktësoi Gjoka. Kthehu kokën pas e ia nguli sytë faqes shkëmbore të Rugovës, duke sjellë ndërmend fjalët e të atit se ai shkëmb ishte simboli i lirisë i Dardanisë për gati disa shekuj.

***

Në mëngjes herët sapo feksi dita, Gjoka, Maria dhe miku i tyre, bari, morrën rrugën e luginës përfund Majës së Cakorit, që të mbërrinin më shpejt në bregun malazes. Më në fund arritën në qytetin bregdetar. U vendosën në hanin e qytetit. Maria mori zemër i tha të shoqit se tashmë ishin në vëndin e duhur, dhe qyteti gjeografikisht ndodhej shumë pranë detit Adriatik. Si bënë gati ato pak sende që kishin marrë me vete ranë të flinin. Të nesërmen, herët në mëngjes do të niseshin me anije në anën tjetër të Adriatikut, në Galantinë të Italisë.

Galantinë? Gjoka nuk e pat shkuar kurrë në mendjen e tij për të shkuar aty. Për  momentin ai dhe Maria do të vendoseshin aty. Ëndrra e tij rrinte fshehur brenda shpirtit të tij, për të ikur më larg që andej në Amerikë.

Kur arritën në port ditën tjetër, kuptuan se nuk ishin të vetmit ata që kishin lënë shtëpi e katandi, dhe po largoheshin nga atdheu gjithashtu. Aty gjetën me qindra gra, burra e fëmijë, me sendet e tyre dhe me lotët e lamtumirës për njerëzit e  tyre të dashur, me shpresën për t’i shpëtuar represionit turk, asimilimit  dhe  një jetë më të mirë për fëmijët e tyre. Gjoka nuk ia lëshonte dorën të shoqes. Me dorën tjetër mundohej të largonte njerësit për të hapur rrugën, që Maria të kalonte lirshëm. Si u sistemuan në anije, morrën frymë thellë.Maria mbështeti kokën të shpatulla e të shoqit;

-Imzot nuk ndjehem mirë, kam dhimbje përfund të barkut! –i tha Gjokës.

Me të shpejtë ai rrëmbeu një batanije nga çanta dhe e mbuloi të shoqen. Kur anija u nis të dy ia ngulën vështrimin bregut të detit dhe sa më shumë largoheshin. Gjithçka ju dukej bardhësi.Ndërsa i afroheshin bregut të Galantinës, Maria shijonte bukurinë e rrezeve të kuqërremta të perëndimit të diellit zhytur në kaltërsinë e detit dhe qiellit.Ishte si një dritë shprese që kishte hyrë papritur në jetën e tyre dhe  të gjithë atyre që ishin në atë anije. Ndjehu dorën e Gjokës t’i lëmonte barkun. Vështrimi i Gjokës tretej tutje përpara, ndërsa Mari  vështronte akoma horizontin që po linin mbas. Asnjëri nuk fliste, por gjithsecili sikur lexonte mendjen e njeri tjetrit.

-Imzot sa vjen e po më shtohen dhimbjet në fund të barkut- i tha ajo përsëri, kësaj here shtrëngoi fort nofullat dhe fytyra kishte çehre tjetër.

-Ja edhe pak, Marie e do të mbrrijmë. Do të kemi shtëpinë tonë, fëmijët tanë, toka është pjellore e do të mbjellim, plot agrume, portokalla të ëmbël e të shijshëm si mjalti, rrush, mollë, grurë, misër. Nuk do të vuajmë më dhe kurrë nuk do të jemi të urritur, – i thoshte Gjoka të shoqes, si për t’ia larguar mendjen nga dhimbjet. Ai e ndjehu që ajo do të lindëte. Maria u çua në këmbë. Gjoka pa djersë në fytyrën e të shoqes. Ajo dridhej e tëra. Një grua aty pranë kthehu kokën. Kur pa Marien në atë gjendje iu afrua pranë.

-Çfarë ka zonja tuaj ?- e pyeti ajo menjëherë.

-Të lutem, të lutem, ajo po lind zonjë! Ndihmojeni për atë Zot’ fisniken  time, ajo po lind!! – i tha  Gjoka asaj. Ai trim që nuk ishte trembur para hordhive turke, nuk i kishte mbetur pikë gjaku në fytyrë. Gruaja e kapi Marien nga krahu dhe e zbriti poshtë në katin e parë të anijes. Gjoka i ndoqi pas. Maria u shtri në anë të krevatit të drunjtë. Gruaja rrëmbeu një kovë me ujë aty pranë. Filloi t’i jepte zemër e kurajo Maries të shtynte sa më shumë që  të lindëte fëmija. Mes dhimbjeve dhe ulërimave pas gjysëm ore ajo lindi djalë. Gruaja i lut Gjokës të griste gunën e tij. Ai sakaq e grisi atë e ia dha gruas. Ajo si i preu kërthizën dhe ia lidhi atë, mbështolli vogëlushin e ia lëshoi ndër duar të atit. Ndërsa vetë gruaja vazhdoi të kujdesej për Marien.

Lotët rrëshqisnin nga sytë e Maries teksa dëgjonte zërin e vogëlushit që qante dhe zërat e gëzuara të njerëzve përreth. Të gjithë kishin ardhur aty në atë anije të panjohur me njëri tjetrin, por ky udhëtim i kishte bashkuar fort se po ndanin së bashku ikjen, mërgimin, gëzimet dhe hidhërimet, së paku tani për tani, që gjithsecili po ikte në të njëjtën destini. Maria ia hodhi sytë të shoqit. Sytë e tij lotonin gjithashtu.Qetësisht, me buzët që bëlbëzonin,  ai e pyeti, si ta quanin  djalin e tyre.

-Dardan, im zot, Dardan!! – i  tha ajo, e lumtur kësaj here.  Anija po i afrohej bregut të Galantias. Dhe pak do të zbrisnin. Aty i prisnin disa njerëz të tyre që kishin emigruar më parë se ata.  Kur më në fund arritën, Gjoka vështronte tokën e premtuar. Brenda ndjehu boshëtirën. Ndjehu t’i mungonte atdheu.Shpejt e shpejt mblodhi gjithçka. Maria me Dardanin e vogël ndër krah dhe Gjoka që e mbante për krahu, zbritën nga anija. Maria e lumturuar ecte drejt shtëpisë që do të kishin paskëtaj. Kishte kohë që nuk ishte ndjerë kaq e lumtur sa kësaj here. Gjithçka i përkiste asaj dhe familjes.

                  ******

Prindërit e Dardanit, -Gjoka dhe Maria, qëndruan në Galantia për më shumë se një dekadë. Biles patën edhe dy fëmijë të tjerë, mbas Dardanit. Dhe një ditë të bukur me diell ata hipën në një anije që të çonte në Amerikë.Gjatë gjithë lundrimit përmes Atlantikut, Maria dhe Gjoka patën qënë në terror psikologjik, ankth e frikë, se çfarë do të ndodhte paskëtaj. Maria përfytyronte burra të egër e gra si shtriga lakuriq, me shpata, shigjeta, që jetonin në pyje të dendura dhe kafshë të egra, të cilët ishin të gatshëm të qëllonin e sulmonin njerëzit që shkelnin në pyllin që zotërohej vetëm prej tyre. Për gati disa javë në anije, Gjoka e Maria jetuan me ankthin e frikën. Qëndronin sëbashku në çdo moment dhe kurrë nuk i ndanë nga vetja fëmijët e tyre.Mundoheshin t’i ushqenin sadopak me atë ushqim të anijes, që vetë ata dhe fëmijët e tyre nuk mundeshin ta hanin. Teksa vështronte fëmijët në heshtje mendonte edhe për të ardhmen e tyre. Lotonte. Po i afroheshin bregut të ëndërruar, por të panjohur për ta. Kur zbritën në tokën e huaj,u pritën nga disa vendas, me ndihmën e të cilëve u vendosën në pjesën jugperëndimore të saj, dhe me atë pak kapital që kishin grumbulluar në Galantia, blenë një fermë. Shtëpia nuk ishte më shumë se dy –tre kilometra larg qytetit. Ishte një shtëpi e vjetër e braktisur dhe e rrahur nga shiu e errërat, por që kishte  nevojë për t’u riparuar e lyer. Kishin ”tradhëtuar” të kaluarën dhe sytë krahët e shëndoshë e mendjen e fortë drejt së ardhmes. Gjoka e Maria me fëmijët e tyre tashmë e kishin realizuar ëndrrën e tyre. Brenda një viti gjithçka dukej e mirë dhe mbasi kishin mbaruar të gjithë punët e ditës mblidheshin me fëmijët e tyre rreth vatrës.

-Vështroji sa na janë rritur fëmijët, – i tha Gjoka, të shoqes. –Na ndihmojnë shumë me punët e fermës! Kanë shumë dëshirë të jenë fermerë.

 Dardani po përparonte shumë në shkollë po ashtu edhe vajza e tyre, ndërsa i vogli qëndronte pas fustanellës së të ëmës gjithë ditën.

Një natë teksa atë e bir bisedonin, Dardani i shprehu dëshirën të atit, se dëshironte të bëhej një kalorës,luftëtar si Gjokë Drenicari, dikur në Dardani. Gjoka e pa në bebe të syrit i habitur që jehona dardane e origjinës ishte ngulitur thellë në karakterin e të birit, dhe kjo po e kthente shumë vite mbas, falë ëndrrës së të birit, Dardanit.Jo me gjysëm zemre por buzën në gaz ndjehej  krenar e i lumtur, që i biri Dardani  po rimëshironte të ardhmen në gjurmët e të gjyshit, së bashku me prindërit e tij, Gjokën e Marien, tërë familja, të punonin tokën dhe ta mbronin atë, të kryenin detyrimet që kishin ndaj tokës që i bëri zotër në atë vend të largët. Gjoka vështroi përsëri të birin, dhe thellë brenda vetes ndjehu forcën e premtimit edhe për dy fëmijët e tjerë. Flaka e origjinës kurrë nuk do të shuhej nga brezi në brez. Gjoka ra në mendime të thella, por ai, Maria dhe fëmijët e tij, ishin pjesë e historisë mijëra vjeçare të Dardanisë paçka se ata ndodheshin matanë Atlantikut, trashëgimia e shpirtit luftëtar vinte që nga thellësia e shekullit dhe brezave…. Nuk ishte mësim, por përkushtim shpirtëror e atdhetar, dhe Gjoka ishte shumë krenar e i lumtur që biri i tij do të mbante në njërën dorë dijen e në tjetrën shpatën. Dhe nuk vonoi shumë, Dardani u kthye në Dardani të luftonte. Nuk ishte më shumë se njëzet e dy vjeçar!

                           *****

Kur Dardani mbërriti në Dardani, turqit kishin pushtuar gati shumicën e kështjellave në pjesën veriperëndimore, Ndër to kishin pushtuar edhe kështjellën e Dukagjinasve, sa e kishin detyruar këtë të fundit të braktiste principatën.  Si pasojë e kësaj, kishin shpërthyer edhe kryengritjet e shqiptarëve dhe Dardani i ri iu bashkua luftëtarëve arianitas, të cilët e kishin çliruar principatën e tyre nga turqit osmanë. Pushtimi i rajoneve të Ballkanit nga turqit tronditi jo vetëm shqiptarët por edhe fqinjët e tyre, të cilët duhej të bashkoheshin për të luftuar armikun e përbashkët. Në betejën e përgjakëshme të Lumëbardhit, Dardani u shqua si një luftëtar, biles djaloshi trim arriti sa të vriste edhe Sulltan Muratin e I-rë. E nesërmja dhe historia më pas, do të fliste gjatë për luftëtarët e rënë në fushën e betejës dhe të plagosurit e shumtë, që i vendosën për t’iu kuruar plagët në kështjellën e lashtë të Arianitasve.

-Për aktet e tyre të trimërisë shpirtin e tyre vetmohues do të tregojë historia, – i tha Dardani, një luftëtari që dergjej në shtrat me plagë të shumta. Hodhi sytë rreth e rrotull dhe vuri re shpatat që qëndronin përkrah martirëve që dergjeshin në kullë. Nga jashtë kështjellës vinin lajme se sulmet e njëpasnjëshme të ushtrivë osmane për pushtimin e trojeve shqiptare, jo vetëm kishin rrënuar anën ekonomike të tyre, por gjithkund shpata otomane hapte plagë e derdhej gjaku nga trupat e shqiptarëve. Gjithashtu ishte rritur ndjeshëm edhe qëndresa e shqiptarëve, deri edhe në veprime individuale duke vrarë nëpunës e feudalë osmanë. Kishte edhe lajme të trishtuara, për ata shqiptarë që nuk e duronin dot represionit turk, braktisnin vendbanimet dhe emigronin larg shumë larg, ashtu sikundër patën bërë para njëzet e ca viteve prindërit e Dardanit. Ia nguli vështrimin thellë syve të Kapedan Lekës, që ishte i shtrirë përtokë, pranë vatrës në një shtroje gune.

-Sa të thinjura i ka vetullat e qepallat, – mendoi Dardani. Kishte mbështetur kokën në krahun e majtë dhe dora sipër ballit ishte aq e bardhë si e një çilimiu disa muajsh. Kapedan Leka ishte krejt ndryshe nga luftëtarët e tjerë, të cilët ishin aty së bashku me familjet e tyre.Ai kishte mbetur fillikat, të gjithë familjen ia kishin vrarë truqit. Kapedan Leka u çua vrik në këmbë. Ia hodhi krahun shpatullave të Dardanit dhe ashtu të kapur me njëri -tjetrin dolën në pjesën e pasme të kështjellës, nga ku shikonin në pëllëmbë të dorës Bjeshkët e Nëmuna, dhe Majën e Cakorit. U ulën poshtë kumbullës. Koha ishte e ngrohtë dhe me diell. Nga pjesa tjetër e kështjellës vinin zëra fëminorë që luanin.Kapedani nxorri një hartë që e kishte fshehur brenda rrethit të  shajakeve dhe e hapi të gjithën mbi bar.Me zërin e tij të vrazhdë  dhe me gishtin tregues, i rrëfente planin e sulmit të beftë ndaj garnizonit turk. Dardani e pyeti për vendndodhjen e tyre dhe se kur planinifikonte t’i sulmonin.

-Janë aty mes Bjeshkëve, në jug të grykës, ku rrjedh Drini i Bardhë,- iu përgjigj mënjëherë Kapedani, pa ia ndarë sytë hartës. U kollit fort dhe vazhdoi:

-Nesër në të gdhirë o trim i Kapedanit!

******

Nuk ishte zbardhur ende, dhe ashtu në errësirë çeta e luftëtarëve nën drejtimin e Dardanit kapërcyen Drinin e Bardhë. Era që frynte i shtynte të dilnin më shpejt në bregun tjetër të lumit. Kur ata dolën në tokë u fshehën pas disa shkëmbinjëve, së bashku me kuajt, sa më shumë të qe e mundur, për të mos u dalluar nga turqit çallmëkuq. Kur zbardhi, dhe qielli ishte ngjyrë gri,Dardani shkoi të shihte pozicionet, që do të vendoseshin luftëtarët, nga ku do të fillonin sulmin mbi garnizonin turk.Kur u kthye ai iu tha luftëtarëve se për një orë a pak më shumë do të mësynin. Pas pak filluan tamtamet e daulleve të turqëve dhe britmat çoroditëse të tyre. Dardani ishte në krye të kalorësve dhe flamujt e ngritur lart, ia u bëri me shenjë të sulmonin. Shqipja dykrenare ndër flamujt shihte vëngër gjysmëhënën e çallmakuqëve. Filloi një luftë ballë për ballë.Pas kryqëzimit të shpatave nisi përleshja dhe luftohej fyta-fyt. Kokat e prera të turqve notonin në Drinin e Bardhë, që skuqte nga gjaku i tyre. Kuajt qëndronin në këmbët e prapme dhe hingëllinin fort, turfullonin. Luftëtarët shqiptarë po përparonin në brendësi të garnizonit turk. 

        Dardani zbriti kalin dhe me shpatën që priste nga të dyja krahët hyri brenda në garnizon aty ku ishte bimbashi. Pa e bërë të gjatë iu vërsul dhe në atë dy luftim jo vetëm që e vrau bimbashin çallmëkuq por mori edhe shumë plagë vetë. Ashtu i plagosur zvarrë -zvarrë erdhi pranë bashkëluftëtarëve të tij.Kapedan Leka sa e pa , e rrëmbeu djaloshin dhe e çoi diku poshtë një peme të madhe.

-E vrava Kapedan, – bëlbëzoi Dardani, dhe i zgjati flamurin me shqiponjën dykrenare. Mori frymë lehtë e vazhdoi: -Ja çoni nënës time, Marie, atje në kontinentin e largët  dhe i thoni që Dardani do të flejë përjetësish në tokën dardane.

-Po bir e fituam betejën!!! –tha Kapedan Leka. Zëri i dridhej.

-Zot të lutem, mos ma merr! Është i vetmi që më ka mbetur! -u lut Kapedani me vete me sytë nga qielli.

– Ja vlen që për atdhe edhe të flijohemi,mërmëriti  Dardani përsëri, kësaj here me zë fare të mekur.Kapedani iu afrua, ia mori kokën ndër duart e tij.

– Jo bir mos ik, kemi akoma për të bërë për atdhe !-i tha me zë të dridhur teksa shihte Dardanin të jepte shpirt. Dardani buzëqeshi lehtë dhe vari kokën. Kapedani e rrëmbeu në gjoksin e tij dhe ai trim që nuk iu tremb syri në përleshjet me çallmakuqtë, tani po lotonte… Pikat e lotit binin mbi fytyrën e mekur të Dardanit…

             ****

Lajmi i rënjes si hero dhe martir në fushën e betejeës mbërriti shumë shpejt në kontinentin e largët, te prindërit e Dardanit, Maria e Gjoka.Nuk vonoi shumë edhe Maria mbylli sytë nga marazi dhe dëshpërimi për të birin. Ndërsa edhe sot e kësaj ditë tregohet legjenda për luftëtarin trim Dardan Drenicari..….

Mëhill VELAJ

Mars 2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Biri i Gjokë Drenicarit, Mhill velaj, Tregim

Shkëlqimi dhe mjerimi i Çështjes çame

March 11, 2021 by dgreca

– Atyre që ëndërrojnë e shpresojnë ende te kapedanët kandidatë, do u rekomandoja të kujtonin vargjet e këngës së vjetër të Minushes, por në variantin çam: Ne PDIU-ja, ma keshe shtëpinë/ Qaje moj Minushe, qaje Çamërinë! …/

SHKRUAN: GEZIM ZILJA/DIELLI

Duke parë skenën politike shqiptare, ku menjëherë mendja të shkon te dokumentarët me hienat dhe tufat e qenve të egër, nuk mund të rri pa thënë, atë që mendoj për këtë çështje, që e kam patur dhe e kam shumë për zemër. Duket sheshit se përfaqësuesit e çamëve e tradhtuan çështjen e shenjtë, që djeg e drithëron me historinë e masakrave, varret e prishura, e shpirtrat e të parëve, që enden, e enden në ato toka të bekuara, pa gjetur prehje. 

Themelimi i “Shoqatës Çamëria” ishte nismë e një grupi të madh çamësh, kryesisht nga qyteti i Vlorës dhe i Fierit, intelektualë dhe punëtorë. Shoqata në themelimin e saj shprehu si qëllim, të vetin, kthimin e trojeve të Çamërisë, zotërve të tyre, larguar më dhunë nga ushtria dhe policia greke. Në krye të “Shoqatës” u zgjodh burri i shquar i Çamërisë, intelektuali dhe patrioti i paharruar, Abaz Dojaka. “Shoqata” nën drejtimin e këtij njeriu idealist e plot virtute, bëri shumë herë më tepër se është bërë këto tridhjetë vite nga PDI-ja, PDU-ja dhe së fundmi PDIU-ja. Në kohën e zotit Dojaka, kishte entuziazëm dhe besim se çamët do të arrinin qëllimin, që i kishin vënë vetes. Atëherë kishte vetëm një yll polar, vetëm një qëllim, atë të njohjes dhe kthimit të pronave zotërve  të tyre. Në shumë pak kohë ajo arriti të ndërkombëtarizojë çështjen çame dhe të hartojë një program të thjeshtë e të zbatueshëm për arritjen e qëllimit bazë. Ndoshta është vendi të përmendim edhe një kryetar tjetër, shumë të çmuar të “Shoqatës,” Arshi Rexho. Nuk mund të harrohen sakrificat e tij për njohjen e çështjes çame sidomos jashtë vendit. Tridhjetë vjet më vonë problemi çam është kthyer në një tragjikomedi me regjisor, skenarist e aktorë vetë çamët dhe përfaqësuesit e tyre në parlamentin shqiptar. Tashmë jemi shumë larg idealit dhe kohës kur në krye ishin Abaz Dojaka, Arshi Rexhua dhe të tjerë. Më vonë “Shoqata” e pa të arsyeshme të kthehej në parti me kryetar çamin, Tahir Muhedini. Partia mori emrin PDI, Partia për Drejtësi dhe Integrim. Programi saj ishte po ai i Shoqatës “Çamëria” me ndonjë ndryshim të vogël. Çamët menduan se krijimi i PDI-së do të rriste shanset e zgjidhjes së problemit të tyre, duke pasur përfaqësuesit e vet në parlamentin shqiptar. Në zgjedhjet e vitit 2009 me një fushatë spektakolare nën sloganin e spikatur patriotik “E duam Çamërinë” arritën të fitonin një deputet, Dashamir Tahirin, në rrethin e Vlorës, atje ku çamët janë ngulur me shumicë. Ky ishte deputeti i vetëm i fituar nga partia çame. Në krahun e të majtëve nga lista emërore fitoi deputeti socialist Shpëtim Idrizi, çam, me kombësi shqiptare. Për arsye të ndryshme të dy deputetët krijuan partinë e re PDU-në, Partia për Drejtësi dhe Unitet, që edhe kjo do të merrej me problemin çam. Përfundimisht të dy partitë u shkrinë në një të vetme, PDIU, me kryetar Shpëtim Idrizin, nënkryetar Dashamir Tahirin dhe president Tahir Muhedinin. U gjetën tre karrike që krerët mund të rrinin rehat. Por ç’ndodhi në të vërtetë me partinë e re? PDIU-ja hyn në aleancë me qeverinë Berisha. Këtu fillojnë dhe pazarllëqet e para të PDIU-së. Ata ia “nxinë” jetën qeverisë demokratike me ato dy vota (vezë të arta) që sa herë i nevoiteshin, PDIU-ja e detyronte të kërcente vallen e famshme të Osman Takës, herë me muzikë e herë pa muzike. Në shkurt të vitit 2012 partia came arriti të merrte Zëvendësminstrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zëvëndësministrin e Arsimit dhe të Shkencës, Zëvendësministrin  e Drejtësisë,  Kreun e Sigurimeve Shoqërore, Kreun e Shërbimit Kombëtar të Punës, Nëndrejtorin e Arkivës së Shtetit, Kreun e Drejtorisë së Patentave, Kreun e Inspektoriatit Qendror të Ndërtimit dhe të Karburanteve dhe ca sardele e cironka shtesë  hera-herës.

Në 23 qershor 2013 PDIU “a gonfie velle” arriti apogjeun e vet me pesë deputetë. Dashamir Tahiri, Omer Mamo, Shpëtim Idrizi, Tahir Muhedini, Aqif Rakipi me përjashtim të Dashamir Tahirit anuan nga qeveria e majtë. Ata u muarën me gjithçka përveçse me çështjen çame.  Përçarjet midis tyre erdhën jo për çështje parimore por thjesht për çështje interesash. Në vitin 2017 përdredhjet e Idrizit ia kaluan kërcimtarëve dhe pelivanëve të cirqeve më të njohura mjafton të shohim tabelat me votat e PDIU-së në vitet 2013 dhe 2017.

Viti 2013    Tirana          Vlora            Fieri     Durrësi      Elbasani    Dibra

Vota           9.173            6.782         9.058       3.785          12.110     248

Viti 2017      Tirana         Vlora       Fieri       Durrësi       Elbasani      Dibra

Vota            12.434          3608        6347       4519          29.431       12.605

Kokoshi që polli tre vezë të arta çeli zogj në furrikun. që u  fabrikua, nga Partia Socialiste, në Elbasan dhe në Dibër. Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda nuk ia dolën të fitojnë në Tiranë dhe tre deputetët, që fitoi PDIU-ja kaluan me PS-në. Sot krerët e PDIU-së të djeshmit e të sotmit janë më të përçarë se kurrë. Idrizi dhe Doda kandidojnë nën siglën e PD-së, duke pasur në mes “armikun” Dule të  PBDNJ-së, Dashamir Tahiri nën siglën e partisë së Jozefina Topallit dhe Tahir Muhedini me Partinë Socialiste?! Çamët e mirë dhe të mençur mund të votojnë nga dhe si të duan. Por kapedanët çamë që morën përsipër “Çështjen çame” të ndarë në tre parti e kanë tradhëtuar atë në mënyrë të pariparueshme. Atyre që ëndërrojnë e shpresojnë ende te kapedanët kandidatë, do u rekomandoja të kujtonin vargjet e këngës së vjetër të Minushes, por në variantin çam: Ne PDIU-ja, ma keshe shtëpinë/ Qaje moj Minushe, qaje Çamërinë! 

Filed Under: Featured Tagged With: Gezim Zilja, i Çështjes çame, mjerimi, Shkëlqimi

Bullist i lindur

March 11, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Nuk është Dash Shehi rrënimi i shqiptarëve o fyell. Këtej zihesh me robtë se të thonë që Spitali Rajonal në Fier ngjan me stallat e derrave, këtej poston foto të Dashit me gojën mënjanë. Po si stallë dërrash duket. Le të kërcej pupthi edhe Kreshniku me batutën që unë të fal gomarin, ti e shikon nga dhëmbët. Stallë e kaluar stallave, apo atyre që ne i quanim komplekse. U ndërtuan shumë në Myzeqenë tonë në vitet 80-të. Po nga ne ama, nga ne, nga djersa jonë. Por që ta themi copë, ky Spitali Rajonal që po na hapesh bythësh, ti vi anës atyre komplekseve të derrit. Kishe vërtetë qejf t’i shikoje, madje vendosur mrekullisht në natyrë. Se natyra e kafshëve është. Edhe ti ndërto vet një herë, pastaj mburru. I ke nxjerrë arkitektët në pension, montatorët po ashtu, dhe na hapesh barkut me dhuratat e Erdoganit. Këtej hiqesh namusqar i i arkitekturës dhe projekteve kompjuterike. Na mbyte me teatrin e ri dhe prishe historinë kombëtare të artit pa zbardhur dita, duke sharë arkitekturën. Sot është fare e lehte që me një telefon në dorë të bësh çfarë të duash me portretin e një njeriu. Mund t’ja zgjatësh veshët, ashtu siç edhe t’i kanë zgjatur edhe ty, mund t’ja nxjerrësh gjuhën, apo llapën siç na pëlqen ta themi, etj. Mund t’i heqësh rrobat, mund t’i heqësh edhe brekët. Janë avantazhet e teknologjisë. Pra me një telefon celular në dorë, nuk ka rëndësi shumë marka pasi sot janë aty aty. Mendo pastaj me një kompjuter kur ke pas vetes edhe ca snobë të hakerimit a të teknollogjisë që i paguan. Mund të të sjellin në shtrat edhe Merilin Monronë. Po pse kjo është ajo çfarë duan shqiptarët në përgjithësi? Shqiptarët duan punë jo bullizëm. E kanë kokën plot shenja nga bullizmi klasor. Këtë po bën sot ti kryeministri i Shqipërisë me kandidatët e opozitës. I kënaqesh gjuhës jashtë të Grida Dumës, apo gojës mënjanë a plot raki të Dashamir Shehit. Të paktën në gjithë këto kohë të ndyra bulliste, ky duket më me këmbët në tokë për ato që thotë nëpër studiot e Tiranës së lodhur dhe me identitet internacional, me identitet oriental, me gjithçka, veç shqiptar jo. Nëse është e vërtetë që rakia e bën Dashamir Shehin shqiptarin më me këmbë në tokë, qoftë e bekuar pika e saj. Pra ti Edi Rama duhej të shpalosësh një program të mirëfilltë ekonomik ku t’i bindësh fort shqiptarët për më tepër që kërkon një mandat të tretë. Një program a një plan rigjenerimi total i të të gjithë vendit për shkak të firove 8 vjeçare. Ku pavarsisht se ti flet për suksese, shqiptarët mbajnë mend  vetëm furgonë televizionesh që shpërndajnë ndihma derë më derë, lali Erin, OJQ-ët, E Shtuna Ndryshe apo fondacionet fetare të të dy krahëve. Thua se problemet e shqiptarëve janë goja mënjanë e Dashamir Shehit? Asesi. Një kronikë e djeshme në një televizion shqiptar, një ilustrim i gjallë i vëllimit poetik Kolla e vdekjes e Musine Kokalarit, mjerim i verdhë, mjerim që të merrte shpirtin…, jepte jetën e vështirë të një familje diku nga fshatrat e Matit. Jetonin në kontenier prej 6 vitesh. I kryenin nevojat personale në qiell të hapur, lanin rrobat në qiell të hapur. Kishin turp nga varfëria.  Fare mirë një nga ato gjëndjet e frikshme me rrethinat e Bangladeshit. Ishin njerëz që fati i kishte ndëshkuar. Kurse ti bën art bullist krahasues, gjuha e Gridës, goja mënjanë e Dashit, syzet dhe emri i Markut a ku di unë. Je kryeministri i shqiptarëve o fyell, jo i Dashit dhe Gridës. Dhe mjerë ata që të kanë aty. Se je pikërisht në atë gjëndje, kur robi kujton se edhe pordhët i ka me mend. Vetëm armët të kanë mbetur pa i marrë, por me sa duket, po vazhdove kështu edhe do i nxjerrësh një ditë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bullist i lindur, Ilir Levonja

Ujq e njerëz

March 11, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/Për të qenë shoqëri, kafshë është gjithçka që duhet të jemi në disa gjëra. Hierarkia është rregullim nga maja në bazë. Shoqëria udhëhiqet nga hierarki. Po ashtu  edhe kopeja ka hierkinë e saj. Ata që janë në krye, të parët e vërtetë, janë mbrojtës kundër ndërhyrjes, por rrallë pohojnë veten brenda grupit, rrallë veprojnë me agresion, rrallë japin urdhra, dhe nuk përdorin forcën fizike të kontrollit.
Një elitë njerëzore nuk duhet ta ngrejë kurrë zërin. Të tjerët nuk e kuptojnë që është në krye. Nëse bërtet për të tërhequr vëmendjen askush nuk të sheh si drejtues, por si njeri jashtë kontrollit. Udhëheqësi i vërtetë ushtron autoritetin përmes mbikëqyrjes së qetë të atyre që varen prej tij.
Ekspertët, duke studiuar tufa ujqërish, e quajtën Alfa kryesuesin e kopesë, prej të cilit Elitat e njerëzve kanë ç’të mësojnë:
Një Alfa zakonisht ha i pari, vendos kur dhe cili do të hajë më pas, frymëzon besim përmes kujdestarit të vendosur prej tij për sigurinë dhe mirëqenien e grupit; ai nuk është domosdoshmërisht më i forti ose më i shpejti, por mund të ndëshkojë një anëtar të grupit me një vështrim ose me zë të ulët, dhe e përdor fuqinë me gjykim.
Nuk shohim një Alfa të vërtetë, nëse ai duhet të bërtasë, të ngacmojë ose të sulmojë ata që janë nën’të për t’i nënshtruar. Me këtë sjellje Alfa humbet besimin e tufës dhe i rrezikon të gjithë përmes pasigurisë së tij, përmes shfaqjes së frikës dhe mungesës së guximit. 
Nëpërmjet studimeve të grupimeve të mëdha të ujqërve është mësuar se krakteristika kryesore e një ujku Alfa është vetë-siguria. Ai e di se çfarë është më e mira për kopenë e tij, dhe udhëheq me shembullin e vet.
Në fund të hierarkisë është Omega, ujqërit e rangut më të ulët. Omega në përgjithësi ha e fundit dhe shërben si një valvul çliruese pakënaqësie e tufës. Ajo mban barrën e tensioneve kur tufa bëhet subjekt sulmi nga grabitqarët ose nga tufat rivale. Omega vepron si një lloj lidhje shoqërore. Ajo është aq kyçe për strukturën e grupit, saqë kur grupi humbet, hyn në periudhë të gjatë zie, ku e gjithë tufa ndalon gjuetinë dhe thjesht shtrihet sikur të mos kishte më ndonjë arsye për të vazhduar. Humbja e omegës mund të kërcënojë kohezionin shoqëror dhe të vërë në rrezik të gjithë tufën. Në varësi të përbërjes së kopesë, një Omega mund të mos zëvendësohet lehtësisht. Omegë e re nënkupton ulje në nivel të të gjithë tufës, dhe kjo destabilizohet. Njerëzit mund të mësojnë shumë nga ujqërit. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astritb Lulushi, Ujq e njerëz

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT