-Tregim Nga Mëhill Velaj/
Në kullë atë mbrëmje kishte shumë tension, ndërsa Gjoka Drenicari, me të atin dhe disa luftëtarë ishin ulur rrotull vatrës dhe flaka e zjarrit ndriçonte krejt konakun. Sytë e Gjokës teksa ia kishte ngulur sytë të atit, dhe gjithfarë mendimesh i sorollateshin, veçmas ato fjalët e urta e të mënçura të cilit i vinin shpesh në mëndje:”Edhe nëse luftoj kundr turkut nuk e bëj për të më lavdëruar, askush nuk ka nevojë për lëvdata, ideali ynë është të shkatërrojmë e të përzejmë turqit nga vatra, se kjo tokë dardane është e jona dhe ne duhet ta çlirojmë e mbrojmë.” Kaq herë i ati dhe Gjoka ishin përballur me vdekjen në luftë me pashain turk dhe hordhitë e tij.Tensioni në kullë mes burrave vazhdonte e sikush jepte mendimet e tij për planin si e si ta vrisnin pashain.
-Tashmë ju të gjithë e dini, fillimisht unë e kam kundërshtuar idenë për ta vrarë pashain. Gjithsesi unë tashmë i bashkohem mendimit, planit tuaj dhe mezi pres ta shoh të varur pashain turk, biles t’i heq fronin me duart e mija, edhe nëse më rrezikohet jeta ime, -tha i ati.
Fjalët e të atit ia prenë mendimet në mes, dhe po e dëgjonte me vëmendje. Gjoka u befasua nga forca e trimërisë dhe e kurajos e të atit.Të gjithë ata luftëtarë që ishin aty e dinin dhe kishin parë me sytë e tyre masakrat e barbaritë e Xhemal Pashës. Gjoka thirri emrin e secilit luftëtar, për të bërë betimin para se të niseshin në luftë. Të gjithë luftëtarët u përgjigjën njëzëri:”Betohemi”! Gjoka ia hodhi sytë çdo fytyre të atyre trimave që po i jepnin besën, që iu kishte vajtur thika në palcë, dhe plagën që hapte ajo ishte e mundur të shërohej, vetëm duke luftuar armikun që u kishte zaptuar vatrat. Luftëtarët morën udhëzimet. Misioni i tyre do të fillonte në mëngjes!
*****
Fshati shtrihet përgjatë fushës së Rafshit të Dukagjinit dhe Bjeshkët e Nemuna i qëndrojnë si kurorë majash Lumëbardhit. Nga gryka shkëmbore e Rugovës dëgjohet gurgullima e rrjedhës të Lumëbardhit që ndan fshatin në dy pjesë. Gjatë rrjedhës, lumi vadit fushat e livadhet në të dyja anët e tij, derisa tutje bashkohet me rrjedhën e Drinit të bardhë e Drinit të Zi, që burojnë nga Bjeshkët, dhe kështu vazhdojnë rrugën për t’u derdhur në detin Adriatik. Maria ngriti paksa fustanellën dhe si kthehu edhe njëherë kokën nga Bjeshka e Zheblit, ia nguli sytë Gurit të Verdhë. Më pas lëvizi në drejtim të oborrit dhe syri i kapi Gjokën që po përqafohej me prindërit. Pa ia ndarë vështrimin Majës së Peklenës dhe Majës së Hasanit, hipi në karrocë dhe priste të shoqin. Ndjeu të lëkundej karroca dhe ajo kthehu kokën menjëherë. Gjoka hipi vërtik në të dhe po i buzëqeshte. Edhe ajo me sytë akoma ëndërrimtarë i buzëqeshi. I shoqi ia vuri dorën mbi bark dhe po ia lëmonte.
-Të siguroj Marie se do të arrijmë shëndoshë e mirë! – i dha kurajo ai, sikur ta lexonte në sytë e të shoqes merakun e ankthin, që ajo kishte për fëmijën në barkun e saj. Sapo kishte hyrë në muajin e nëntë të shtatëzanisë. Gjoka tërhoqi frerët dhe i mëshoi zërit fort, i tha pelës:
-Ec, Dorinë!
-Si e thirre im zot, Dorinë?- e pyeti ajo buzagaz.
-Po, po, është emri i saj, në vend që ta thërras dembele, më mirë Dorinë – i tha ai dhe ia dha të qeshurës. Maria kthehu kokën përsëri nga oborri ku qëndronin akoma i vjehrri me të vjehrrën, që po i ndiqnin me sy akoma. Ai burrë shtatlartë mbante kokën lart, megjithëse mori shumë plagë në betejën kundër pashait turk dhe garnizonit të tyre në qytet. Turqit pas vrasjes së Xhemal Pashës ishin bërë më barbarë dhe rrëmbenin fëmijët apo gratë shtatëzëna dhe i çonin në Stamboll. Kështuqë ata vendosën të shkonin matanë Adriatikut, për t’i shpëtuar represionit dhe barbarisë osmane. Me sytë e lotuar ngriti dorën për t’iu thënë lamtumirë atyre, por nuk mori përgjigje. Kur iu afruan okolisë së fshatit, ndaluan jashtë punishtes të farkëtarisë, për t’i mbathur pelës patkonjtë. Farkëtari sa i pa doli nga dyqani me zejet ndër duar dhe u ndodh sakaq pranë Dorinës. Teksa ai ia mbërthente patkonjtë, pela drejtoi kurrizin dhe jashtëqiti ndër këmbët e farkëtarit. Më pas kthehu kokën dhe ia nguli sytë Maries. Hungëriti sikur donte të kërkonte të falur për ç’ka bëri.Maria i buzëqeshi lehtë. Pela tundi kokën dhe hungëriti përsëri, kësaj here disi më fort se herën e parë. Gjoka vështronte të shoqen dhe pelën, ndiqte tërë admirim bisedën e tyre të heshtur. Si mbaruan punë, vazhduan rrugën fillimisht drejt Dukagjinit verior. Si lanë karrocën në mes ca ferrishteve në pyll, shaluan Dorinën dhe kaluan mes disa shtigjeve nëpër grykat e maleve, përmes kullotave me liqej gracialë më një bukuri të rrallë e mahnitëse duke lënë pas Kullën e Begut dhe të Sheremetajve. Gjatë gjithë rrugës Maria vështronte herë me sy të qeshur, herë të lotuar. Vështronte dhitë e egra që si lozonjare i ngjiteshin bjeshkëve të thepisura dhe shqiponjat që fluturonin mbi kurorën e Alpeve. Ngazëllehej nga ajo ç’ka po soditëte, një panoramë e bukur që të kënaqte e të çlodhte sytë, por edhe në brendësi të shpirtit. I tregonte të shoqit gjithçka që i kapte syri. Po afronte mbasditja dhe pak do të ngrysej.
-Ja edhe gjysëm ore dhe do të arrijmë në kullotat, matanë atij vargmalit të heshtur janë kasollet e barinjve, – i tha Gjoka duke shtrirë dorën në atë drejtim. Ia hodhi krahun shpatullave dhe e afroi pas vetes. Maria u struk thellë në gjoksin e të shoqit dhe dorën tjetër e mbështeti në gjurin e Gjokës.Në të perënduar të diellit u gjendën në një fushë të hapur me bimë foragjere, pemë, perime të ndryshme dhe disa hardhija rrushi pranë kasolleve të barinjve. Gjoka u hodh sakaq nga karroca, i zgjati dorën të shoqes të zbriste. I tha të qëndronte aty ta priste. Tërhoqi Dorinën për kapistalli dhe e la të lirë të kulloste me kuajt e barinjve.
Kur iu afruan njërës prej kasolleve, Maria këputi një verigë rrush, duke e përtypur, i tha të shoqit:
-Oh sa i ëmbël e i shijshëm!
-Bëjnë verë shumë të mirë dhe raki, – i tregoi ai. -Në të vetmin vënd që këmba e turkut nuk ka shkelur, dhe shpresoj që këta të na ndihmojnë për të dalë në breg të Adriatikut në krahun e Mali të Zi, aty ku derdhet Drini- saktësoi Gjoka. Kthehu kokën pas e ia nguli sytë faqes shkëmbore të Rugovës, duke sjellë ndërmend fjalët e të atit se ai shkëmb ishte simboli i lirisë i Dardanisë për gati disa shekuj.
***
Në mëngjes herët sapo feksi dita, Gjoka, Maria dhe miku i tyre, bari, morrën rrugën e luginës përfund Majës së Cakorit, që të mbërrinin më shpejt në bregun malazes. Më në fund arritën në qytetin bregdetar. U vendosën në hanin e qytetit. Maria mori zemër i tha të shoqit se tashmë ishin në vëndin e duhur, dhe qyteti gjeografikisht ndodhej shumë pranë detit Adriatik. Si bënë gati ato pak sende që kishin marrë me vete ranë të flinin. Të nesërmen, herët në mëngjes do të niseshin me anije në anën tjetër të Adriatikut, në Galantinë të Italisë.
Galantinë? Gjoka nuk e pat shkuar kurrë në mendjen e tij për të shkuar aty. Për momentin ai dhe Maria do të vendoseshin aty. Ëndrra e tij rrinte fshehur brenda shpirtit të tij, për të ikur më larg që andej në Amerikë.
Kur arritën në port ditën tjetër, kuptuan se nuk ishin të vetmit ata që kishin lënë shtëpi e katandi, dhe po largoheshin nga atdheu gjithashtu. Aty gjetën me qindra gra, burra e fëmijë, me sendet e tyre dhe me lotët e lamtumirës për njerëzit e tyre të dashur, me shpresën për t’i shpëtuar represionit turk, asimilimit dhe një jetë më të mirë për fëmijët e tyre. Gjoka nuk ia lëshonte dorën të shoqes. Me dorën tjetër mundohej të largonte njerësit për të hapur rrugën, që Maria të kalonte lirshëm. Si u sistemuan në anije, morrën frymë thellë.Maria mbështeti kokën të shpatulla e të shoqit;
-Imzot nuk ndjehem mirë, kam dhimbje përfund të barkut! –i tha Gjokës.
Me të shpejtë ai rrëmbeu një batanije nga çanta dhe e mbuloi të shoqen. Kur anija u nis të dy ia ngulën vështrimin bregut të detit dhe sa më shumë largoheshin. Gjithçka ju dukej bardhësi.Ndërsa i afroheshin bregut të Galantinës, Maria shijonte bukurinë e rrezeve të kuqërremta të perëndimit të diellit zhytur në kaltërsinë e detit dhe qiellit.Ishte si një dritë shprese që kishte hyrë papritur në jetën e tyre dhe të gjithë atyre që ishin në atë anije. Ndjehu dorën e Gjokës t’i lëmonte barkun. Vështrimi i Gjokës tretej tutje përpara, ndërsa Mari vështronte akoma horizontin që po linin mbas. Asnjëri nuk fliste, por gjithsecili sikur lexonte mendjen e njeri tjetrit.
-Imzot sa vjen e po më shtohen dhimbjet në fund të barkut- i tha ajo përsëri, kësaj here shtrëngoi fort nofullat dhe fytyra kishte çehre tjetër.
-Ja edhe pak, Marie e do të mbrrijmë. Do të kemi shtëpinë tonë, fëmijët tanë, toka është pjellore e do të mbjellim, plot agrume, portokalla të ëmbël e të shijshëm si mjalti, rrush, mollë, grurë, misër. Nuk do të vuajmë më dhe kurrë nuk do të jemi të urritur, – i thoshte Gjoka të shoqes, si për t’ia larguar mendjen nga dhimbjet. Ai e ndjehu që ajo do të lindëte. Maria u çua në këmbë. Gjoka pa djersë në fytyrën e të shoqes. Ajo dridhej e tëra. Një grua aty pranë kthehu kokën. Kur pa Marien në atë gjendje iu afrua pranë.
-Çfarë ka zonja tuaj ?- e pyeti ajo menjëherë.
-Të lutem, të lutem, ajo po lind zonjë! Ndihmojeni për atë Zot’ fisniken time, ajo po lind!! – i tha Gjoka asaj. Ai trim që nuk ishte trembur para hordhive turke, nuk i kishte mbetur pikë gjaku në fytyrë. Gruaja e kapi Marien nga krahu dhe e zbriti poshtë në katin e parë të anijes. Gjoka i ndoqi pas. Maria u shtri në anë të krevatit të drunjtë. Gruaja rrëmbeu një kovë me ujë aty pranë. Filloi t’i jepte zemër e kurajo Maries të shtynte sa më shumë që të lindëte fëmija. Mes dhimbjeve dhe ulërimave pas gjysëm ore ajo lindi djalë. Gruaja i lut Gjokës të griste gunën e tij. Ai sakaq e grisi atë e ia dha gruas. Ajo si i preu kërthizën dhe ia lidhi atë, mbështolli vogëlushin e ia lëshoi ndër duar të atit. Ndërsa vetë gruaja vazhdoi të kujdesej për Marien.
Lotët rrëshqisnin nga sytë e Maries teksa dëgjonte zërin e vogëlushit që qante dhe zërat e gëzuara të njerëzve përreth. Të gjithë kishin ardhur aty në atë anije të panjohur me njëri tjetrin, por ky udhëtim i kishte bashkuar fort se po ndanin së bashku ikjen, mërgimin, gëzimet dhe hidhërimet, së paku tani për tani, që gjithsecili po ikte në të njëjtën destini. Maria ia hodhi sytë të shoqit. Sytë e tij lotonin gjithashtu.Qetësisht, me buzët që bëlbëzonin, ai e pyeti, si ta quanin djalin e tyre.
-Dardan, im zot, Dardan!! – i tha ajo, e lumtur kësaj here. Anija po i afrohej bregut të Galantias. Dhe pak do të zbrisnin. Aty i prisnin disa njerëz të tyre që kishin emigruar më parë se ata. Kur më në fund arritën, Gjoka vështronte tokën e premtuar. Brenda ndjehu boshëtirën. Ndjehu t’i mungonte atdheu.Shpejt e shpejt mblodhi gjithçka. Maria me Dardanin e vogël ndër krah dhe Gjoka që e mbante për krahu, zbritën nga anija. Maria e lumturuar ecte drejt shtëpisë që do të kishin paskëtaj. Kishte kohë që nuk ishte ndjerë kaq e lumtur sa kësaj here. Gjithçka i përkiste asaj dhe familjes.
******
Prindërit e Dardanit, -Gjoka dhe Maria, qëndruan në Galantia për më shumë se një dekadë. Biles patën edhe dy fëmijë të tjerë, mbas Dardanit. Dhe një ditë të bukur me diell ata hipën në një anije që të çonte në Amerikë.Gjatë gjithë lundrimit përmes Atlantikut, Maria dhe Gjoka patën qënë në terror psikologjik, ankth e frikë, se çfarë do të ndodhte paskëtaj. Maria përfytyronte burra të egër e gra si shtriga lakuriq, me shpata, shigjeta, që jetonin në pyje të dendura dhe kafshë të egra, të cilët ishin të gatshëm të qëllonin e sulmonin njerëzit që shkelnin në pyllin që zotërohej vetëm prej tyre. Për gati disa javë në anije, Gjoka e Maria jetuan me ankthin e frikën. Qëndronin sëbashku në çdo moment dhe kurrë nuk i ndanë nga vetja fëmijët e tyre.Mundoheshin t’i ushqenin sadopak me atë ushqim të anijes, që vetë ata dhe fëmijët e tyre nuk mundeshin ta hanin. Teksa vështronte fëmijët në heshtje mendonte edhe për të ardhmen e tyre. Lotonte. Po i afroheshin bregut të ëndërruar, por të panjohur për ta. Kur zbritën në tokën e huaj,u pritën nga disa vendas, me ndihmën e të cilëve u vendosën në pjesën jugperëndimore të saj, dhe me atë pak kapital që kishin grumbulluar në Galantia, blenë një fermë. Shtëpia nuk ishte më shumë se dy –tre kilometra larg qytetit. Ishte një shtëpi e vjetër e braktisur dhe e rrahur nga shiu e errërat, por që kishte nevojë për t’u riparuar e lyer. Kishin ”tradhëtuar” të kaluarën dhe sytë krahët e shëndoshë e mendjen e fortë drejt së ardhmes. Gjoka e Maria me fëmijët e tyre tashmë e kishin realizuar ëndrrën e tyre. Brenda një viti gjithçka dukej e mirë dhe mbasi kishin mbaruar të gjithë punët e ditës mblidheshin me fëmijët e tyre rreth vatrës.
-Vështroji sa na janë rritur fëmijët, – i tha Gjoka, të shoqes. –Na ndihmojnë shumë me punët e fermës! Kanë shumë dëshirë të jenë fermerë.
Dardani po përparonte shumë në shkollë po ashtu edhe vajza e tyre, ndërsa i vogli qëndronte pas fustanellës së të ëmës gjithë ditën.
Një natë teksa atë e bir bisedonin, Dardani i shprehu dëshirën të atit, se dëshironte të bëhej një kalorës,luftëtar si Gjokë Drenicari, dikur në Dardani. Gjoka e pa në bebe të syrit i habitur që jehona dardane e origjinës ishte ngulitur thellë në karakterin e të birit, dhe kjo po e kthente shumë vite mbas, falë ëndrrës së të birit, Dardanit.Jo me gjysëm zemre por buzën në gaz ndjehej krenar e i lumtur, që i biri Dardani po rimëshironte të ardhmen në gjurmët e të gjyshit, së bashku me prindërit e tij, Gjokën e Marien, tërë familja, të punonin tokën dhe ta mbronin atë, të kryenin detyrimet që kishin ndaj tokës që i bëri zotër në atë vend të largët. Gjoka vështroi përsëri të birin, dhe thellë brenda vetes ndjehu forcën e premtimit edhe për dy fëmijët e tjerë. Flaka e origjinës kurrë nuk do të shuhej nga brezi në brez. Gjoka ra në mendime të thella, por ai, Maria dhe fëmijët e tij, ishin pjesë e historisë mijëra vjeçare të Dardanisë paçka se ata ndodheshin matanë Atlantikut, trashëgimia e shpirtit luftëtar vinte që nga thellësia e shekullit dhe brezave…. Nuk ishte mësim, por përkushtim shpirtëror e atdhetar, dhe Gjoka ishte shumë krenar e i lumtur që biri i tij do të mbante në njërën dorë dijen e në tjetrën shpatën. Dhe nuk vonoi shumë, Dardani u kthye në Dardani të luftonte. Nuk ishte më shumë se njëzet e dy vjeçar!
*****
Kur Dardani mbërriti në Dardani, turqit kishin pushtuar gati shumicën e kështjellave në pjesën veriperëndimore, Ndër to kishin pushtuar edhe kështjellën e Dukagjinasve, sa e kishin detyruar këtë të fundit të braktiste principatën. Si pasojë e kësaj, kishin shpërthyer edhe kryengritjet e shqiptarëve dhe Dardani i ri iu bashkua luftëtarëve arianitas, të cilët e kishin çliruar principatën e tyre nga turqit osmanë. Pushtimi i rajoneve të Ballkanit nga turqit tronditi jo vetëm shqiptarët por edhe fqinjët e tyre, të cilët duhej të bashkoheshin për të luftuar armikun e përbashkët. Në betejën e përgjakëshme të Lumëbardhit, Dardani u shqua si një luftëtar, biles djaloshi trim arriti sa të vriste edhe Sulltan Muratin e I-rë. E nesërmja dhe historia më pas, do të fliste gjatë për luftëtarët e rënë në fushën e betejës dhe të plagosurit e shumtë, që i vendosën për t’iu kuruar plagët në kështjellën e lashtë të Arianitasve.
-Për aktet e tyre të trimërisë shpirtin e tyre vetmohues do të tregojë historia, – i tha Dardani, një luftëtari që dergjej në shtrat me plagë të shumta. Hodhi sytë rreth e rrotull dhe vuri re shpatat që qëndronin përkrah martirëve që dergjeshin në kullë. Nga jashtë kështjellës vinin lajme se sulmet e njëpasnjëshme të ushtrivë osmane për pushtimin e trojeve shqiptare, jo vetëm kishin rrënuar anën ekonomike të tyre, por gjithkund shpata otomane hapte plagë e derdhej gjaku nga trupat e shqiptarëve. Gjithashtu ishte rritur ndjeshëm edhe qëndresa e shqiptarëve, deri edhe në veprime individuale duke vrarë nëpunës e feudalë osmanë. Kishte edhe lajme të trishtuara, për ata shqiptarë që nuk e duronin dot represionit turk, braktisnin vendbanimet dhe emigronin larg shumë larg, ashtu sikundër patën bërë para njëzet e ca viteve prindërit e Dardanit. Ia nguli vështrimin thellë syve të Kapedan Lekës, që ishte i shtrirë përtokë, pranë vatrës në një shtroje gune.
-Sa të thinjura i ka vetullat e qepallat, – mendoi Dardani. Kishte mbështetur kokën në krahun e majtë dhe dora sipër ballit ishte aq e bardhë si e një çilimiu disa muajsh. Kapedan Leka ishte krejt ndryshe nga luftëtarët e tjerë, të cilët ishin aty së bashku me familjet e tyre.Ai kishte mbetur fillikat, të gjithë familjen ia kishin vrarë truqit. Kapedan Leka u çua vrik në këmbë. Ia hodhi krahun shpatullave të Dardanit dhe ashtu të kapur me njëri -tjetrin dolën në pjesën e pasme të kështjellës, nga ku shikonin në pëllëmbë të dorës Bjeshkët e Nëmuna, dhe Majën e Cakorit. U ulën poshtë kumbullës. Koha ishte e ngrohtë dhe me diell. Nga pjesa tjetër e kështjellës vinin zëra fëminorë që luanin.Kapedani nxorri një hartë që e kishte fshehur brenda rrethit të shajakeve dhe e hapi të gjithën mbi bar.Me zërin e tij të vrazhdë dhe me gishtin tregues, i rrëfente planin e sulmit të beftë ndaj garnizonit turk. Dardani e pyeti për vendndodhjen e tyre dhe se kur planinifikonte t’i sulmonin.
-Janë aty mes Bjeshkëve, në jug të grykës, ku rrjedh Drini i Bardhë,- iu përgjigj mënjëherë Kapedani, pa ia ndarë sytë hartës. U kollit fort dhe vazhdoi:
-Nesër në të gdhirë o trim i Kapedanit!
******
Nuk ishte zbardhur ende, dhe ashtu në errësirë çeta e luftëtarëve nën drejtimin e Dardanit kapërcyen Drinin e Bardhë. Era që frynte i shtynte të dilnin më shpejt në bregun tjetër të lumit. Kur ata dolën në tokë u fshehën pas disa shkëmbinjëve, së bashku me kuajt, sa më shumë të qe e mundur, për të mos u dalluar nga turqit çallmëkuq. Kur zbardhi, dhe qielli ishte ngjyrë gri,Dardani shkoi të shihte pozicionet, që do të vendoseshin luftëtarët, nga ku do të fillonin sulmin mbi garnizonin turk.Kur u kthye ai iu tha luftëtarëve se për një orë a pak më shumë do të mësynin. Pas pak filluan tamtamet e daulleve të turqëve dhe britmat çoroditëse të tyre. Dardani ishte në krye të kalorësve dhe flamujt e ngritur lart, ia u bëri me shenjë të sulmonin. Shqipja dykrenare ndër flamujt shihte vëngër gjysmëhënën e çallmakuqëve. Filloi një luftë ballë për ballë.Pas kryqëzimit të shpatave nisi përleshja dhe luftohej fyta-fyt. Kokat e prera të turqve notonin në Drinin e Bardhë, që skuqte nga gjaku i tyre. Kuajt qëndronin në këmbët e prapme dhe hingëllinin fort, turfullonin. Luftëtarët shqiptarë po përparonin në brendësi të garnizonit turk.
Dardani zbriti kalin dhe me shpatën që priste nga të dyja krahët hyri brenda në garnizon aty ku ishte bimbashi. Pa e bërë të gjatë iu vërsul dhe në atë dy luftim jo vetëm që e vrau bimbashin çallmëkuq por mori edhe shumë plagë vetë. Ashtu i plagosur zvarrë -zvarrë erdhi pranë bashkëluftëtarëve të tij.Kapedan Leka sa e pa , e rrëmbeu djaloshin dhe e çoi diku poshtë një peme të madhe.
-E vrava Kapedan, – bëlbëzoi Dardani, dhe i zgjati flamurin me shqiponjën dykrenare. Mori frymë lehtë e vazhdoi: -Ja çoni nënës time, Marie, atje në kontinentin e largët dhe i thoni që Dardani do të flejë përjetësish në tokën dardane.
-Po bir e fituam betejën!!! –tha Kapedan Leka. Zëri i dridhej.
-Zot të lutem, mos ma merr! Është i vetmi që më ka mbetur! -u lut Kapedani me vete me sytë nga qielli.
– Ja vlen që për atdhe edhe të flijohemi,mërmëriti Dardani përsëri, kësaj here me zë fare të mekur.Kapedani iu afrua, ia mori kokën ndër duart e tij.
– Jo bir mos ik, kemi akoma për të bërë për atdhe !-i tha me zë të dridhur teksa shihte Dardanin të jepte shpirt. Dardani buzëqeshi lehtë dhe vari kokën. Kapedani e rrëmbeu në gjoksin e tij dhe ai trim që nuk iu tremb syri në përleshjet me çallmakuqtë, tani po lotonte… Pikat e lotit binin mbi fytyrën e mekur të Dardanit…
****
Lajmi i rënjes si hero dhe martir në fushën e betejeës mbërriti shumë shpejt në kontinentin e largët, te prindërit e Dardanit, Maria e Gjoka.Nuk vonoi shumë edhe Maria mbylli sytë nga marazi dhe dëshpërimi për të birin. Ndërsa edhe sot e kësaj ditë tregohet legjenda për luftëtarin trim Dardan Drenicari..….
Mëhill VELAJ
Mars 2021