• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2021

KUJTËSË- INXHINIER KOSTA MANI, SHOQËRUESI I FAN S. NOLIT, U SHUA NË MATHAUZEN

May 9, 2021 by dgreca

Inxhinieri Kosta Mani, i diplomuar  në M.I.T(Massachusetts Institute of Technology), babai i regjisorit të famshëm Pirro Mani, vatrani që shoqëroi Fan S. Nolin në Tepelenë dhe Vlorë, u shua në kampin e vdekjes në Mathauzen, më 27 Janar 1945.Një histori tragjike. Inxhinier Kosta Mani la Amerikën për të projektuar e ndërtuar urat, rrugët, ndërtesat e Shqipërisë, u arrestua nga fashizmi, u burgos dhe u pushkatua nga nazizmi, u shpall dëshmor dhe tradhëtar nga komunizmi….

Nga Dalip Greca*

Ngjarjen ma ka treguar këtu në New York,i biri i Kosta Manit, Pirro Mani,gjeniu i skenës shqiptare, gjenerali i regjisurës,i cilësuar si Stanislavski shqiptar. Ishte një peng, që e shoqëroi për shumë kohë.

Pyetjes që i drejtova për misteret e jetës të të atit, ai iu përgjigj shkurtazi:

  • Më rëndoi shumë ai peng. Më ka ndjekur gjatë të gjithë jetës, edhe në skenë. E ke vënë re episodin e gurit të pendimit tek “Cuca…”? Është krijuar prej meje ai episod, duke patur në mendje fundin e babait tim, Kosta Mani. E kam mësuar vonë faktin, që ai dha shpirt duke mbajtë mbi shpinë pesha të rënda,gurë, ja, ashtu si guri i pendimit. I zbriste në shkallaren e një galerie të nëndheshme, si mijëra të tjerë në kampin e vdekjes së Mathauzenit gjatë Luftës së Dytë Botërore, shpikje e nazistëve… Pasi mbush mushkëritë thellë, më thotë se këtë të vërtetë ia ka treguar një durrsak, që shpëtoi gjallë nga kampi i vdekjes, pas mbërritjes aty të aleatëve antinazistë….Ishte një nga ata që i shpëtuan ferrit të Mathauzenit.

Ja si e pat përshkruar ai ngjarjen, që i mori jetën inxhinier Kosta Manit:

“Babai i Pirros, Kosta, ishte rebeluar nga stërmundimi dhe vuajtjet e pafundme.Dikur kishte thënë”mjaft”, nuk duroj më! Nuk kishte pranuar Kosta të vazhdonte të ngrinte “gurin e turpit”, gurin e poshtërimit; pas tij vinte guri i varrit. Ushtarët gjermanë të kampit i dërgonin të burgosurit në një galeri të nëndheshme dhe i detyronin të ngrinin thasë apo gurë të mëdhenj mbi shpinë (si rrasë varri) dhe i shtrëngonin me pahir që t’i ngjiteshin të përpjetës. Motivi? Të stërmundoheshin derisa të fikeshin fare. Dhe ata çapiteshin me shpirt ndër dhëmbë me shpresë e me gurin e rëndë mbi shpinë.

E ka përshkruar mjeshtrisht këtë episod studiuesi Josif Papagjoni në librin kushtuar jetës dhe skenës të mjeshtrit Pirro Mani….”Kosta e kishte imagjinuar veten edhe si Krishti, edhe si Sizifi në këtë ngjitje”…

Po përse duhej ta bënte sakrificën, kur, pas ngjitjes, do ta prisnin plumbat? – pyet Pirro më shumë veten, se sa të atin. Kosta Mani nuk e kishte ngritur “rrasën e varrit”, gurin e poshtërimit. Ata e grinë me plumba. Ai u masakrua më 1945, u shpall dëshmor, po në 1945, ndërsa komunistët e ripushkatuan më 1946, duke e ekzekutuar përsëdyti!

KUSH ISHTE INXHINIERI KOSTA MANI ?

Tregon Pirro – Babai im, Kosta Manim ka lindur në Korçë. Si shumë korçarë, emigroi herët në Amerikë. Ka qenë rreth të katërmbëdhjetave, kur mori rrugën e kurbetit përtej Atlantikut. Krahas punës vazhdoi edhe studimet. Ka studiuar në Institutin e famshëm M.I.T. të Bostonit, ku kishte studiuar edhe mjeshtri i madh i fotografisë, Gjon Mili, madje Kosta është diplomuar para mjeshtrit Mili. Është diplomuar për inxhinieri-arkitekturë. Ishte pjesë e Vatrës dhe idhtar I Fan S.Nolit. Si shumë idealistë të tjerë vatranë, e la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri për të ringjallur vendin, për të bërë Shqipërinë. Kishte në xhep diplomën e inxhinierit.Sa i mungonin Shqipërisë inxhinierë të tillë si Kosta Mani!

Në Shqipëri qe kthyer me Imzot Nolin dhe e kishte shoqëruar atë në udhëtimet, që kryezoti i shqiptarëve të Amerikës kishte bërë në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në Tepelenë dhe Gjirokastër. Këtë episod, Pirros ia pat treguar nëna e tij.Pasi Fan Noli e la Shqipërinë, Kostë Mani nuk e ndoqi pas. I tha Imzotit se Shqipëria kishte nevojë për inxhinierë dhe ai do të qëndronte. Vendimi ishte i prerë. Ati i shqiptarisë, Noli, i kishte dhënë bekimin. Dhe ai vazhdoi të punojë për disa kohë në Ministrinë e Punëve Botore. Kishte fatin që të punonte me një tjetër inxhinier të zot, me inxhinier Gjovalin Gjadri. Shqipëria ishte me fat, nga që ishin bashkë dy shkolla inxhinierike; ajo amerikane, ku ishte diplomuar Kosta Mani dhe ajo austriake, ku ishte diplomuar inxhinier Gjadri. Të dy ndërtuan ura, rrugë, vila, që i qëndruan kohës.

Pirro përhumbet në rrëfimin e tij:

– E mbaj mend mirë rrugën malore të Thethit. Babai më kishte marrë me vete. E kam në kujtesë bukurinë përrallore të Thethit. Ata punonin, unë vështroja bukuritë e egra të maleve dhe pastaj kthehesha i lodhur dhe i kënaqur në çadër. Qe kohë vere. Ishte e bukur natyra e atyre anëve.

Edhe Urën e Zogut, urën me harqe, e pat ndërtuar Gjadri me Kosta Manin. Pirro kujton se edhe atje i ati e pat marrë me vete disa herë. Madje e mban mend të atin dhe Gjadrin me hartat përpara, tek ndiqnin projektin. Kosta Mani ishte kudo, ku ndërtohej. Kishte ndërtuar për vete edhe një shtëpi provizore në Tiranë, që priste ta modernizonte kur t’ia kishte ngenë.

Kosta Mani jepte edhe mësim në Shkollën Teknike të Fullcit. Jepte lëndën e Matematikës. Pirro kujton se i ati lexonte shumë libra. Në bibliotekën e tij ndodheshin libra të Balzakut, Stendalit, Dumas, Tolstoit e të shumë e shumë shkrimtarëve të tjerë me emër.

Kosta Mani ndërtoi edhe urën e Kardhiqit, në Gjirokastër. Kjo urë i dha një fatkeqësi dhe një dhuratë, që do ta kishte të shtrenjtë gjatë jetës së tij të shkurtër.

Tregon Pirro:

– Gjatë punimeve për ndërtimin e urës Kosta theu këmbën. Ku të gjente mjek në ato anë, ku nuk shkelte këmbë njeriu? E mbartën me mushkë dhe e çuan tek një mjeshtre popullore, që i kishte dalë nami si ortopede e rrallë. Mjeshtrja, (plaka thirrej Dade), jetonte në Stegopull të Gjirokastrës. Muskujt e Kostës sforcoheshin nën dhimbjet e shtrëngimeve të plakës, ndërsa sytë i ishin ngulë në bukurinë e rrallë të një vajze 15-16 vjeçare, mbesës së plakës Dade. Inxhinieri shëroi njëherësh këmbën dhe shpirtin. Vajza bjonde, zanë e shkuar zanës, me emrin e bukur Amali, do të bëhej “robinë” e inxhinier Kostës, i cili e kërkoi sakaq për grua. U martuan me Amalinë dhe lindën fëmijën e parë, Pirron, pastaj dhe dy vajzat, motrat e Pirros. Kosta, ndërkohë kishte blerë një truall 6 mijë m2, në rrugën “Shën Gjergji” në Tiranë, sot rruga”Ali Demi” dhe aty ndërtoi shtëpinë e tij. Jeta ecte në rrjedhat e veta. Shpesh, Kosta bridhte nëpër Shqipëri, ku ndërtonte a projektonte. Merrte me vete edhe Pirron e vogël dhe e ushqente me dashuri për kombin, Atdheun e shtrenjtë, që duhej dashur, edhe kur ishte kockë e lëkurë. Në ditën e pushtimit fashist, Kosta u pushua nga puna dhe u arrestua me akuzën se kishte hedhur në erë urën e Limuthit, atë urë që e kishte projektuar e ndërtuar vetë. Kosta kishte shtetësi amerikane, urrente fashizmin dhe u trondit nga pushtimi i Shqipërisë. Dikur hapi një zyrë private në Tiranë, “Stika”, së bashku me inxhinierin Spiro Koleka. Ajo zyrë nisi projektet e ndërtimit të infrastrukturës së Tiranës; projektoi rrugë, sheshe, parqe, vila të bukura dy dhe tri katëshe. Kosta projektoi vilën e njohur mbi kodrat e Tiranës, “Baballarët e Teqesë” dhe vepra të tjera që i rezistuan kohës.

Pirro është i bindur se babai ka qenë antifashist në shpirt dhe si i tillë ishte zgjedhur edhe në Këshill. Madje, për reputacionin që gëzonte, u zgjodh edhe deputet i Korçës. Gazeta “Tomorri” e asaj kohe i kushtoi hapësirë në kronikën e vet fjalës së deputetit Kosta Mani:“Çamëria dhe Kosova janë pjesë të pandara të Shqipërisë”, deklaronte deputeti Kosta  Mani.

      Në kohën e Asamblesë Kombëtare, në kohën e pushtimit gjerman, si deputet ishte pjesë e saj. Partizanët e qëlluan me top, duke e shpallur si “Asambleja tradhëtare”. Si shumë intelektualë të tjerë patriotë, Kostë Mani mendoi se Atdheut mund t’i shërbehej edhe nën pushtim. Por atë pjesëmarrje nuk ia falën komunistët. Umblodh qarkori dhe e përjashtoi Kostën nga Këshilli. Ishte kohë e çmendur. Komunistët e akuzojnë, fashistët e arrestojnë.Edhe gjermanët, po ashtu, e arrestojnë si njeri të rrezikshëm. Me kë ishte Kosta Mani? Ishte me Shqipërinë. Arrestimi në fundin e dhjetorit 1943 nga gjermanët ishte fatal. Nazistët e syrgjynosën në kampin famëkeq të Mathauzenit. Pirro kujton se, nëna, e cila kishte marrë vesh lajmin e largimit nga burgu dhe internimin jashtë Shqipërisë, i kishte shkuar në burg dhe i kishte dhënë një xhaketë, që të mos kishte ftohtë, nën astarin e së cilës kish qepur, nën një arnë, 40 napolona flori. T’i ketë për çdo rast, pat menduar nëna. Pirro atë kohë ishte fëmijë, 12 vjeç. E ka në kujtesë pamjen e trishtë. Të burgosurit i hipën në kamionë dhe i nisën në mëngjes herët. Imazhi i mbeti në mendje. Në shtëpi prisnin në ankth ndonjë lajm. Shenja e fundit e komunikimit ishte një telegram, që ishte nisë nga Kosta. Ishin vetëm tri fjalë: “Jemi në Manastir”! Asnjë lajm tjetër.

E gjithë jeta e Kosta Manit, është një dramë me shumë skena të mistershme, një dramë e ankthshme me shumë akte, thotë i biri, Pirro Mani, për të cilin misteriet mbeten të pazbardhura ende edhe sot.

Hija e të atit dhe shpirti i tij peng nuk i janë ndarë Pirro Manit as këtu, në Sh.B.A.. Erdhën në Amerikë, u vendosën në Kolorado dhe më pas, në New York. Shpesh shëtisja me hijen e tim eti. Më dukej se do ta takoja diku….Edhe ai kishte qenë në Amerikë…

Pirro nuk hoqi dorë nga gjurmimet për të gjetur të dhëna për të atin, që më parë nuk mund t’i siguronte. Mësoi se Kosta Mani nuk ishte i vetëm, kur e nisën në kampin e vdekjes. Ishin më shumë se 200 të burgosur. Një pjesë i dërguan në Prishtinë, pjesën tjetër në Mathauzen, ku i ra fati të shkonte baba Kosta. Përmes kërkimeve me shoqatat amerikane-hebraike, u arrit të sigurohen të dhënat e munguara, përfshirë dhe kohën e vdekjes, 27 Janar 1945, vendin e  vrasjes dhe të dhëna të tjera…., madje, edhe numrin që mbante në uniformën e kampit të internimit.

…Lajmi fatal është mësuar pak muaj pas çlirimit të Shqipërisë. Në shtëpi kishte shkuar Spiro Koleka, që ka qenë ortak me Kostën në zyrën e projektimeve dhe ndërtimeve “Stika”. Spiro ishte inxhinier i ri asokohe dhe bashkëpunoi me Kostën, edhe për të fituar eksperiencë. Ai solli lajmin fatal në shtëpinë e Kostë Manit. Familja shpalli zinë dhe e qau Kostën.

U shpall dëshmor nga regjimi. Familjes iu dha edhe karta e dëshmorit, por drama e Kostë Manit nuk kishte të sosur. Ashtu si në kohën e italianëve, të gjermanëve dhe të komunistëve, secili e pa si armik.

Pirro tregon: Më kujtohet se ka qenë një burrë me emrin Faruk, që jetonte në një barakë, diku aty ku ka qenë Ministria e Jashtme. Faruku ka qenë kampion boksi. Ai qe rritur në shtëpinë e Kosta Manit. Kujtoj se Faruku mbante dhe një pistoletë, ngaqë kishte qenë partizan…”

Pirro kujton se po vinte Faruku me nxitim dhe i thotë: – Ç’po bën këtu? A e di ti se po demaskojnë gratë e familjes Mani?!

Shkoi me vrap. Agjitatorët komunistë ngrinin zërin në kupë të qiellit për armikun imagjinar. Dhe armiku paskish qenë Kosta Mani, që na qenkish shpallë “dëshmor me biografi të keqe”,  sepse paskish marrë pjesë në Asamblenë tradhëtare! Fronti Demokratik dhe partia nuk mund ta toleronin këtë tradhëti!Ultimatumi i demaskimit ishte i rreptë: Familja armike Mani duhej të largohej brenda shtatë ditëve nga Tirana! Nisën reprezaljet.Pirron dhe motrën Marikën i hoqën nga puna, ndërsa motrën tjetër, Mirelën, e pezulluan nga shkolla. Ua hoqën dhe triskat. Ishte hapur fjala se Kosta nuk ishte vrarë e se punonte si agjent në një shërbim perëndimor!

    Pirro thotë se e pagoi rëndë faturën.Por, siç duket, dikur u bindën se të gjitha këto ishin fantazira të sëmura komunistësh, sigurimsash,militantësh.Vetë ata e vërtetuan se Kosta ishte ekzekutuar në Mathauzen. Mirëpo hija e dyshimit mbeti pezull e kurrë nuk u trajtua më si dëshmor. Jo vetëm kaq, por Kostës nuk iu përmend emri asnjëherë si një nga inxhinierët e parë të Shqipërisë, diplomuar në Sh.B.A.. Pirro ruan një dokument që ka emrat e inxhinierëve që kanë kontribuar në Shqipëri, ku emri i parë është ai i Kosta Manit, pastaj i dy inxhinierëve italianë, i Gjadrit dhe i të tjerëve.

Rehabilitimi i të birit të Kostës, Pirro Manit, ndodhi vonë…..

E kujtojmë në ditën e fitores mbi nazizmin…*Dielli-arkiv

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Kosta Mani, Mathauzeni

Në Kosovë shënohet Dita e Evropës festë zyrtare

May 9, 2021 by dgreca

-Me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës nga Bashkimi Evropian në Kosovë jepet Çmimi “Evropiani i Vitit 2021”/

PRISHTINË, 9 Maj  2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kosova shënon Ditën e Evropës, 9 Majin, e cila është festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin e miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008. Dekretimi i  Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para 13 vitesh në 9 Prill, më pak se dy maj pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.

 Në prag të 9 Majit 2021, Shoqata e Matematikanëve të Kosovës është votuar për Çmimin “Evropiani i Vitit 2021”, çmim ky që jepet çdo vit me rastin e Ditës së Evropës nga Bashkimi Evropian në Kosovë. 

Në ceremoninë e zhvillur, kryetarit të Shoqatës së Matematikës së Kosovës Armend Shabani iu dha çmimi nga Ambasadori Tomáš Szunyog – Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë / Përfaqësues Special i BE-së. Të nominuarit e tjerë: Arlinda Murtezi – aktiviste rome, Flutura Kusari – nga Iniciativa Kosovare Kundër Padive SLAPP dhe Blerta Basholli – regjisore filmi ishin poashtu të pranishëm. 

Fituesit e mëparshëm Lul Raka dhe Jeton Neziraj gjithashtu ishin të pranishëm në këtë ceremoni, së bashku me Zëvendës Kryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi.

Për të gjashtin vit radhazi, me rastin e Ditës së Evropës, Bashkimi Evropian Kosova i ndan Çmimin Evropian të Vitit një individi / institucioni që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane gjatë vitit paraprak. Fituesi u vendos përmes votimi që u bë online përmes llogarisë e Facebook-ut të BE-së, nga populli i Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Dita e Evropes, Kosove

Rose Wilder Lane: Këtu do jetoj unë me dy fëmijët e mi

May 9, 2021 by dgreca

– Malësorja  e Alpeve  100 vjet më parë mbron  fuqishëm pronën private në veprën “ The Peaks of Shala “

Nga Pertefe Leka /

Në një artikull  interesant për tri shkrimtaret amerikane Ayn Rand, Isabel Patersen dhe Rose Wilder Lane, theksohej se ato me veprat e tyre, pavarësisht nga njera tjetra, kishin arritur në një mendim  filozofik të përbashkët për idenë e lirisë,duke inspiruar  Lëvizjen Liberatore.

 Rose Wilder Lane, kishte vizituar Shqipërinë,që në vitin 1921 dhe ka  shkruar shumë për vendin tonë .Qëndrimi i saj  në Shkodër  e lidhi  ngushtë  me të riun   Rexhë Meta , historia e tyre  tashma është e njohur.

Rose Wilder Lane (1886-1968)është vajza e shkrimtares së mirënjohur amerikane, Laura Ingalls Wilder, autore e një seriali librash historiko-letrar. 

Rose e rritur në një mjedis  të tillë shkoi me tutje duke e shtrirë aktivitetin në një game të gjerë  krijimesh si gazetare, biografe dhe autore e shumë librave letrarë e filozofikë.

Me 1920, Rose e ftuar nga Kryqi i Kuq Amerikan, punoi  si publiciste  në këte mision 

humanitar. Për këte , Rose udhëtoi në Europë e Azi  për të observuar se si funksiononte ky shërbim dhe për të vepruar dhe ndihmuar vendet e prekura  nga Lufta e Parë Botërore.

Erdhi në Shqipëri, kur mijëra refugjatë  lufte ishin larguar nga Kosova, Plava e Gucia dhe nga trojet  e tjera të lëna jashtë kufijëve.

Ajo  shkoi në Shkodër, ku  vepronte  Kryqi i Kuq Amerikan , që  jepte ndihma në emër  të “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”. Këtu fillojnë lidhjet e Roses me Shqiptarët dhe me djalin, Rexhë Meta, ne fillim si përkthyes dhe me pas e adoptoi , duke e konsideruar si birin  me të shtrenjtë  të shpirtit saj.

Vepra e saj për Shqipërinë është “The Peaks of Shala” (Majat  e Shalës)  ku Rose përshkruan terrenin e thyer, kullat  karakteristike të malësisë, mënyren e jetesës, traditat  dhe gjakmarrjen.

Letrat, që Rose u dërgonte miqëve të saj, ku përshkruheshin ngjarjet nga jeta politike e shoqërore  janë përmbledhur  me titullin “Albanian Garden”. Në këto letra janë paraqitur me hollësi, përveç të tjerave edhe ngjarjet e vitit 1922 dhe figura shume dimensionale e Ahmet Zogut. Aty shihet interesi i saj për Shqipërinë, vend që ajo e zgjodhi të jetojë përgjithmonë.

Vepra Kulmore e Rose është “The discovery of Freedom”(Zbulimi I Lirisë).

Kjo vepër filozofike nuk bën fjalë për Shqipërinë, por është e rëndësishme për ne  sepse Rose për të ndërtuar Kryeveprën e saj e mori frymëzimin nga një ngjarje të cilën e përjetoi ne  Majat e Shalës dhe u bë zanafilla e filozofisë së saj në mbrojtjen e  lirisë se individit dhe të pronës private.

Në ate fshat, shkruan Rose,gjeta një jetë fisnore të mbyllur nga gjakmarrja,por me njerëz fisnikë e mikëpritës.

Gruaja që e frymëzoi ishte një 21-vjecare e martuar me dy fëmijë, së cilës ia kishin vrarë burrin serbët pas 5-vjet martesë. Gruaja në fjalë, në kundërshtim me traditën dhe normat fisnore kërkonte që shtëpinë,  të cilën e kishte ndërtuar me burrin e saj, ta trashëgonte vetëm ajo me dy femijët. Ishte e papritur për mysafiren amerikane të ishte dëshmitare e një debati  të ashpër midis krerëve të fisit dhe gruas” rebele” e cila me kurajo shtronte kërkesën për pronën private.

“Këtu do të jetoj unë me dy fëmijët e mi”

( ne ate shtëpi, ishin grumbulluar 17 veta nga familja e burrit dhe nga fisi) 

Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit,ku thuhej: Gruaja e ve flet vetë – mund të  ishte njështytje që e bëri aqë të vendosur gruan të flasë përpara  kuvendit, apo e drejta natyrale dhe forca e argumentit se – Këtë  shtëpi e kam ndërtuar me burrin tim – e bënë ate të  vetëdijshme që mos  të tërhiqej nga kërkesa  për pronësinë. 

Besoj se të dyja bashkë e bënë atë burrneshë të kapërcejë kufizimet  e atij sistemi primitive, një guxim  i paparë dhe i padëgjuar ndonjëherë në ato anë.

Prezenca e gazetarës amerikane në ate Kuvend  i vuri në një pozitë të vështirë  krerët e fisit. Ata mundoheshin ta sqaronin mikeshën e huaj, se kjo nuk kishte ndodhur kurrë nëfisin e tyre, dhe se ajo  ishte nje ortek për fshatin.

Ata ishin kureshtarë të dinin më shumë  për vendin ku jetonte Rose, se si veprohej atjepër te drejtën e pronës.

Rose, duke parë se spjegimet e saj binin ndesh me gjykimin e tyre, shkruan: “ Ishte jashtë fuqive të mia të interpretimit”.Nderkohë, Rose e quante të drejtë kërkesën e gruas se re.

Ajo u mahnit nga këmbëngulja dhe forca e karakterit të saj, edhe pse e vetme ne ate kuvend të burrave dhe pa asnjë mbështetje nga anëtaret e fisit, vazhdonte të mbronte të pandryshuar kërkesën e saj: 

              ”Shtëpia është e imja, unë dua shtëpinë time”.

Kur situate u acarua midis asaj dhe parisë, njeri nga pleqtë u ngrit, por i pafuqishëm  për të argumentuar kundërshtimin thirri: “A kanë pare malet tona një gjë të tillë në qindra –qindra vjet më përpara se të vinin  turqit? Ajo është gogoli”.

Pergjigjja e gruas ishte: “Me këto duar e kam  mbuluar çatinë, unë nuk do ta jap shtëpinëtime”.

Ne fund, kryetari i fisit i ndodhur në shtëpi përballë miqëve të huaj ,u detyrua ta sqaronte 

më mirë problemin e hapur. Ndër të tjera ai tha: ”Shtëpia i takon fisit dhe jo një njeriu.Asnjë prej nesh nuk mund të thotë  se kjo është shtëpia ime, sepse ne jetojmë të gjithëbashkë. Kështu ka qenë edhe përpara se të vijnë  romanet dhe kështu do të jetë gjithmonë”.

Kur  pjesëtaret e fisit iu pergjigjen unanimisht kryetarit ”Të lumtë goja!” Gruaja e re u ngrit e revoltuar dhe pa folur asnjë fjalë e la kuvendin, ku vetëm kercitja e derës e prishi qetësinë e krijuar pas  fjalës së fundit.  

​Rose, që gjithë kohën kishte observuar qëndrimin e gruas se re dhe e kishte miratuar kërkesen e saj te  drejtë, e përshkruan me detaje pamjen e saj fizike dhe shpirtërore në ate moment kritik. 

”Ajo  u largua nga dhoma e debatit  pa përshëndetur, por ajo grua kurrë  nuk do të pushojë së kërkuari shtëpinë e saj. Ajo kurrë nuk do të jetë e qetë,deri sa ta marri pronen e vet.Aty, shkruan Rose, vepronte ligji i LEC-it(Law Enforcment Command)

Gjithë këto që Rose i shkruante në veprën “The Peaks of Shala,” u bënë  pjesë e asaj filozofie  që mbronte me forcë pronën private dhe të drejtat e individit në veprën “Zbulimi i Lirisë”.

Aty Rose demaskon,  kolektivizimin në B.Sovjetik  ku ajo takoi fshatarë të uritur nëGjeorgji, Azerbaixhan …. , të cilëve u kishin marrë tokën forcërisht dhe jetonin të dëshpëruar në ate realitet të  nxirë.

Vënia përballë e Komunizmit primitiv me ate “modern”qenë një burim  për analisten për të argumentuar vlerat absolute të lirisë e të pergjegjësisë personale. Ne veprën “The Dicovery of Freedom” (Zbulimi i Lirisë),ajo filtroi mendimet dhe eksperiencen e saj shumëvjecare,pikënisje për të cilën ishte  malësorja shqiptare që mbrojti me forcë pronën private.

Në këtë vepër Rose qëndroi konsekuente deri ne fund e pikëpamjeve të saj,  duke ngritur lart të drejtat natyrale të njeriut dhe duke u bërë pjesë e asaj filozofie që ka në bazë  kundërshtimin e tiranisë kudo në botë.Kjo kërkesë për pronën private  vazhdon edhe sot  pas 100 vjetesh nga jugu  në veri  kur grabitja  dhe tjetërsimi  i pronave  është bërë evidente; vazhdon  të ndihet zëri i Gruas  se  kjo pronë më përket mua,toka, shtepia ……është trashëgim  nga gjyshi,babai  dhe puna  ime …..

Filed Under: Opinion Tagged With: Ketu do te jetoj, me femijet e mi, Rose Wilder Lane

A ËSHTË E DREJTË TË PËRKUJTOHET NAPOLEONI?

May 9, 2021 by dgreca

A ËSHTË E DREJTË TË PËRKUJTOHET NAPOLEONI?

Nga STEFANO MONTEFIORI-Perktheu-Eugjen MERLIKA/

Një president I Republikës franceze nuk mund të mos përkujtojë Napoleon Bonapartin. Nuk do të kishte mundur t’i shmangej Nicolas Sarkozy,  i hipur mbi kalë dhe me kapellen dycepëshe në fotomontazhin e famshëm të Economist-it para zgjedhjeve fitimtare të vitit 2007, as mund të tërhiqet mbrapsht tani Emmanuel Macron-i, i cili është paditur apo vlerësuar shpesh, simbas pikëpamjeve, për kahun bonapartist, atë prirje për të përqëndruar pushtetet, për t’u folur francezëve pa ndërmjetës, për të marrë pozën e njeriut të fatit n’Evropë. Në fakt Macron-i ka lajmëruar se në pesë majin e ardhshëm Franca do t’a përkujtojë dyqind vjetorin e vdekjes së Perandorit.

Por nuk janë kohë të lehta për personazhet historikë e për atë që do të përballojë kujtimin e tyre. Zëdhënësi i Qeverisë Gabriel Attal i ka vënë duart përpara. Napoleoni do të shihet “me sy të zgurdulluar”, pra duke mbajtur parasysh “edhe çastet më të vështira” e “për zgjedhje që sot duken të kundërshtueshme”. Asnjë shenjtërim të verbër.

Por nëse protestat kundër racizmit e kolonializmit në muajt e shkuar kanë çuar në thyerjen e përmendores së Victor Schoelcher, autorit të shfuqizimit përfundimtar të skllavërisë në 1848, por i bardhë e pra paternalist, merret me mënd se çfarë do t’i takojë Napoleonit që më 1802 rivendosi skllavërinë mbas heqjes së bërë nga Konventa, tetë vite më parë. Në fakt Franca ka gjetur në vitin napoleonian një tjetër rast për t’u ndarë.

”Të përkujtohet por jo të festohet” porosit Hubert Vedrine, këshilltari diplomatik i Francois Mitterrand-it e më pas ministri i Jashtëm socialist gjatë kryesisë Chirac. “Është e drejtë të kujtohet Napoleoni sepse bëmat e tij kanë ekzistuar, por nuk duhet të festohet, sepse festohet gjithshka për të cilin mund të jemi krenarë simbas mendësisë sonë të sotme”. Por janë shumë që ndihen krenarë për Napoleonin edhe sot, si për shembull deputeti i Republicains (e djathta) Julien Aubert: “Më 15 gusht 1969 presidenti Georges Pompidou shkoi në Ajaço për të festuar dyqindvjetorin e lindjes së Napoleonit, e para e një sëre përkujtimoresh në të gjithë Vendin. Franca e vitit 1969 nuk kishte asnjë problem për të mëtuar trashëgiminë napoleoniane sepse njihej në lakminë e një France të fuqishme n’Evropë, me një mesazh drejtuar botës.”

Por Napoleoni nuk qe vetëm kampioni i universalizmit francez, qe edhe themeluesi i kodit civil e i sistemit edukativ bashkëkohor. Ndjeshmëritë nga 1969 deri sot kanë ndryshuar, aq sa përvjetori shkakton mëdyshje edhe në brendësi të qeverisë: Elisabeth Moreno, ministre për Barazinë burrë – grua kujton se “Napoleoni ka qënë një nga mizogjinët më të mëdhenj të historisë”, por ajo do t’i bashkangjitet me pahir vendimeve të qeverisë.

Kujtimi i Napoleonit zgjon interes edhe në Shtetet e Bashkuara, ku muajt e fundit mediat liberale kanë qënë shumë t’ashpër me qeverinë franceze, të dyshuar për lëshime të tepërta islamofobisë, racizmit e mizogjinisë. Me një kryeartikull shumë t’ashpër në New York Times, historiania Marlene L. Daut e universitetit të Virgjinisë fton institucionet franceze që të “shohin më me kujdes historinë skllaviste të Vëndit të tyre se sa të nderojnë një ikonë të epërsisë të bardhë”.

Ndoshta ka arsye Teresa Cremisi, një botuese e madhe italiane  në Paris, kur në Journal du dimanche  kujton një mungesë  hapësire, një paaftësi të përgjithëshme për të shmangur anakronizma qesharake. Është një problem që ka të bëjë jo vetëm me Napoleonin por me të gjithë personazhet historikë. “Kundërshtitë mbi përkujtimoret i shëmbëllejnë zënkave të pallatit. Është njësoj sikur Historia të zbresë me shapka n’oborrin e pallatit, t’i drejtohet njerëzve të mëdhenj sikurse fqinjëve të katit, të emërtuar për mangësitë e tyre. Është çasti të festojmë Voltaire-in? Merre me mënd, një islamofob dhe antisemit. Rousseau? E pamundur, braktisi fëmijtë. Richelieu? Një tradhëtar i lindur.  Baudelaire? Një i droguar mizogjin e zëmërlëshuar. Është për të pyetur nëse së paku Shën Tereza e Lisieux  mund t’i shpëtojë humorit të keq të bashkëkohësve tanë.

“Corriere della Sera” 19 mars 2021    E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: A ËSHTË E DREJTË, Eugjen Merlika, NAPOLEONI, TË PËRKUJTOHET

“OLD BRIDGE-URA E VJETËR” PROMOVOHET NË VATËR

May 9, 2021 by dgreca

“OLD BRIDGE-URA E VJETËR” E STUDIUESES ARJETA FERLUSHKAJ PROMOVOHET NË VATËR TË DIELËN, 16 MAJ 2021/

-Promovimi organizohet nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Albanian-American Dual Language & Culture-

Të Dielën me 16 Maj 2021, në orën 3.00 PM, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” organizohet promovimi I librit”OLD BRIDGE-URA E VJETËR” i studiueses Arjeta Ferlushkaj, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”.

Promovimi organizohet nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Albanian-American Dual Language & Culture. 

Veprimtaria do të moderohet nga Marjana Bulku.

Bëhuni pjesë e këtij promovimi.

Filed Under: Featured Tagged With: Arjeta Ferlushkaj, Old Bridge, Promovohet, Vater

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT