• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2021

Kryekuvendari Konjufca priti në takim gjeneralin amerikan, Wesley Clark

July 7, 2021 by dgreca

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ish-komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, mikun e madh të shqiptarëve, gjeneralin amerikan Wesley Clark, i cili shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Gjenerali Clark u shpreh i lumtur për vizitën e tij në Kosovë dhe e përgëzoi kryekuvendarin Konjufca për progresin dhe të arriturat që ka shënuar shteti ynë ndër vite, duke u bërë shembull impresionues i lirisë e demokracisë dhe faktor paqeje, stabiliteti e bashkëpunimi në rajon e më gjerë. 

Ndërsa kryekuvendari Konjufca, pasi i dëshiroi mirëseardhje gjeneralit Clark, tha se populli i Republikës së Kosovës dhe ai personalisht ndjehen shumë të nderuar e të privilegjuar që në mesin e tyre sot gjendet ish-komandanti Suprem i NATO-s dhe miku i madh i popullit tonë, gjenerali amerikan Wesley Clark – ushtaraku i shquar i cili urdhëroi bombardimet e Aleancës Veriatlantike mbi caqet serbe, duke i dhënë fund kapitullit të dhimbshëm të historisë sonë dhe duke ndaluar kështu gjenocidin e Serbisë mbi popullin shqiptar në Kosovë. 

“Shfrytëzoj edhe këtë rast për t’ju shprehur Juve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mirënjohjen dhe falënderimin e pafund për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbështetjen që vendi juaj vazhdon t’i jap vendit tonë në të gjitha proceset e integrimit dhe zhvillimit të gjithmbarshëm.  

Liria dhe pavarësia e Kosovës tashmë mbajnë vulën tuaj, të ShBA-ve, të NATO-s dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Republika e Kosovës do t`ju mirëpres gjithmonë si hero”, tha kryekuvendari Konjufca.​

Filed Under: Kronike Tagged With: Gjenerali Clark, Kryeparlamentari Konjufca

Burim emri

July 7, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi /

Grekët e lashtë quheshin Yoni.
Të gjitha fjalët e lidhura me Y ose J – si Yauna (persisht), Yona dhe Yavana (sanskrisht), Yevan (hebraisht) dhe derivatet e tyre të shumtë në Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme deri në Yuan (kinezisht) – rrjedhin nga shqiptimi arkaik i emrit “Jona”.
Emri fillimisht ishte “Yahwones”, emër mjaft i vjetër – ndoshta shkon prapa në perandorinë asiriane, ku ‘Iauna’ dhe ‘Yauna’  përdoreshin qysh në shek. 8 pes. Persianët janë ndoshta më të përgjegjshmit për popullarizimin e emrit, pasi sunduan brigjet e Jonit dhe shumë prej territoreve ku emri hyri në gjuhët vendore.
Emri Greqi vjen nga emri romak, Graecus. Aristoteli citon me këtë emër disa nga banorët e Epirit, të cilët jetonin në bregun perëndimor të Greqisë përballë Italisë. Ata ishin të njohur për përdorimin e bimëve si mjete shërimi. Disa thonë se Jona një emër shumë i vjetër për pjesën qendrore greke të Pthias në Thesali. Në çdo rast romakët e shoqëruan emrin Graecus me njerëzit që flisnin greqisht edhe pse ishte një emër të cilin shumë pak greqishtfolës e përdornin për veten e tyre.
Rruga e vërtetë me të cilën emri Graecus hyri në latinisht nuk është e qartë. Ndoshta folësit latinisht të Italisë jugore e morën këtë fjalë që vinte nga njerëzit me të cilët bashkëvepronin (kolonë të ardhur nga Epiri). Në kohëra të dokumentuara, romakët ishin të vetëdijshëm për fjalën kryesore që grekët përdornin për veten e tyre – Helenë, që është ende term i preferuar në Greqishten e Re – por ata vazhduan të përdorin ‘Graecus’.
Helen ishte gjithnjë një fjalë e ndërlikuar – ajo identifikonte njerëz me kulturë dhe gjuhë helene, por nuk përfaqësonte një entitet të vetëm. Një individ do të identifikohej si Helen për t’u dalluar nga një “barbar” (pjesa tjetër e botës), por do të kishte më shumë gjasa të merrte identitetin e tij si qytetar i një qyteti të caktuar ose, si nënshtetas i një mbretërie. Ishte pak a shumë si t’i quash të gjithë amerikanët “Yankees”, ose të thuash se të gjithë meksikanët janë Aztekas ose Maja. “Yankees” është në të vërtetë një analogji e mirë, pasi fjala fillimisht përdorej për Anglezët e rinj, por përfshiu më vonë të gjithë amerikanët. Në Indonezisht Greqia quhet Yunani. Fjala nuk dihet se nga erdhi apo kur ata filluan ta quanin kështu. E njëjta gjë ndodh edhe në shumicën e gjuhëve indiane, persiane dhe aziatike qendrore. Praktikat e vjetra mjekësore greke quhen ‘junani’, që vjen nga ‘Jona’,  sipas emrit të rajoneve malore bregdetare – të pasura me bimë medicinale – ku këto mënyra mjekimi e kanë origjinën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, burim emri, greket e lashte

RREZIKU GLOBAL NGA VARIANTI DELTA I SARS-COV-2

July 7, 2021 by dgreca

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik */

Në fillim të pandemisë, shumë pak ekspertë menduan se bota do të kishte një vaksinë efikase kundër Covid-19. Në fakt, sot kemi disa vaksina, dhe më shumë se 3 miliardë doza të shpërndara tashmë në të gjithë botën. Edhe pas pesëmbëdhjetë muajsh që Koronavirusi shkaktoi një mbyllje globale, pandemia është ende e ndezur në shumë pjesë të botës. Në të njëjtën kohë, Koronavirusi ka evoluar në variante super të transmetueshme që përhapen më lehtë se versioni origjinal i tij. Përplasja midis këtyre ndryshorëve do të përcaktojë qasjen e pandemisë në muajt dhe sezonet e ardhshme, sidomos për vendet e pavaksinuara ose me vaksinim të ulët në të gjithë botën. Këtu, pra, janë tre parime të thjeshta për të kuptuar se si ato ndërveprojnë. Me paralajmërime dhe nuanca, së bashku, ato mund të shërbejnë si një udhëzues për manaxhimin e kësaj pandemije globale dhe të ardhmen tonë të afërt.

DELTA, VARIANTI MË I TRANSMETUESHËM I SARS-COV-2

Një gjë është e qartë: Koronavirusi po bëhet më i transmetueshëm nga dita në ditë. Që nga fillimi, kur virusi u shfaq në Kinë, ai ka pësuar mutacione që e ndihmojnë atë të përhapet më lehtë mes njerëzve. Varianti Alpha, i zbuluar për herë të parë në Britani të Madhe vitin e kaluar, është 50 përqind më i transmetueshëm se versioni origjinal, dhe tani varianti Delta, i zbuluar për herë të parë në Indi dhjetorin e kaluar, është të paktën 50 përqind më i transmetueshëm se sa varianti Alpha. Koronavirusët, si të gjithë viruset, fitojnë mutacione në kodin e tyre gjenetik ndërsa kopjohen gjatë replikimit të tyre mbrënda qelizava tona, dhe SARS-CoV-2 nuk bën përjashtim. Kurdoherë kur një virus infekton një mbartës te tij të ri, ai bën kopje të vetvetes, me ndryshime të vogla gjenetike – mutacione – që dallojnë viruset e reja nga “prindërit” e tyre. Shumë nga këto mutacione nuk kanë aspak ndikim në qasjen e mëtejshme të virusit. Por disa mund të ndryshojnë strukturën ose funksionin e virusit. Identifikimi i ndryshimeve në sekuencën gjenetike të një virusi është relativisht e thjeshtë. Të kuptosh se si ato ndryshime ndikojnë në mënyrën e përhapjes së një virusi nuk është aq e thjeshtë. Për shkencëtarët, proteina gjemb që rrethon Koronavirusin, e cila ndihmon virusin të hyjë në qelizat tona, është një vend i mirë për të filluar të shohim këto ndryshime.  

ALPHA DHE DELTA, A JANË TË RREZIKUAR NJERËZIT QË JANË VAKSINUAR?

Ndërsa një epidemi zgjerohet, zgjerohet edhe diapazoni i mutacioneve dhe viruseve që mbajnë avantazhe që i lejojnë ata, për shembull, të përhapen më lehtë ose të kalojnë sistemin imunitar për të tejkaluar paraardhësit e tyre standardë. Kështu kemi marrë variante super të transmetueshme si Alpha dhe Delta. Dhe, ndërsa virusi “rrotullohet” ai krijon mënyra që përfundimisht ne mund të përballemi me variante që mund të infektojnë edhe njerëz të vaksinuar. Pra, të bëjnë vaksinën, për të cilën shkenctarët kanë punuar kaq shumë, jo efikase ndaj tij!  Mutacionet që ndihmojnë virusin të lidhet më fort me qelizat tona mund ta bëjnë më të lehtë transmetimin e tij nga një person te tjetri. Imagjinoni sikur merrni frymë dhe në një pikël që përmban SARS-CoV-2 të përmbajë viruse me aftësi lidhëse më të forta, ato do të jenë më efikase në gjetjen dhe infektimin e qelizave tona. Ndërsa nuk është e ditur ende se sa grimca të SARS-CoV-2 duhet të thithën për t’u infektuar, e dimë se pragu ka të ngjarë të jetë shume më i ulët për një virus që është më i mirë në kapjen e qelizave tona.  Prandaj, ku variant i virusit dhe dominon.

VARIANTET E REJA TË SARS-COV-2 RREZIKOJNË TË PAVAKSINUARIT

Njerëzit e vaksinuar janë më të sigurtë se kurrë, pavarësisht nga variantet, përfshirë këtu dhe variantin Delta. Por njerëzit e pavaksinuar janë në rrezik më shumë se kurrë për shkak të këtyre varianteve. Edhe pse ata do të fitojnë një farë mbrojtje nga imuniteti i të tjerëve, ata gjithashtu priren të grumbullohen shoqërisht dhe gjeografikisht, duke mbjellë shpërthime edhe brenda komuniteteve shumë të vaksinuara. Lajmi i mirë është se vaksinimi ofron mbrojtje të fortë kundër variantit Delta. Studimet e reja tregojnë se vaksina Pfizer-BioNTech ishte 88 përqind efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike nga varianti Delta në njerëz plotësisht të vaksinuar. Vaksina AstraZeneca siguroi pak më pak mbrojtje. Dy doza ishin 60 përqind të efektshme kundër variantit. Efikasiteti i një doze të secilës vaksinë, megjithatë, ishte shumë më i ulët – vetëm 33 përqind. Një lajm akoma më i mirë është se ne nuk jemi aq të prekshëm sa ishim në fillim të pandemisë. Vaksinat induktojnë një shumëllojshmëri të antitrupave mbrojtës dhe qelizave imune. Këto mbrojtje gjithashtu ndryshojnë nga personi në person, kështu që edhe nëse një virus i shmanget grupit mbrojtës të një personi, ai mund të ndalet kur hidhet në një mbartës të ri. Nuk kemi arsye për të besuar se do të ketë papritmas një variant që shfaqet dhe shmang gjithçka, dhe papritmas vaksinat kundër Koronavirusit të jenë të padobishme. Por sa më shumë zgjat, dhe më shumë virusi “rrotullohet”, për çdo ndryshim hap-pa-hapi të virusit, një farë mbrojtje humbet tek individët. Për këtë arsye, peshën kryesore të transmetueshmërisë së varianteve të reja do ta mbajnë personat e pa vaksinuar.

NDIKIMI I VARIANTEVE TË SARS-COV-2 NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS DHE NË BOTË

Me ritmet e vaksinimit në rritje, transmetueshmëria e shtuar e virusit nuk do të ndikojë në ecurinë e pandemisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SH.B.A.). E pamë se variantiti Alpha që nxiti shqetësime rreth një rritjeje gjatë muajve të pranverës, në fakt nuk rezultoi një rritje masive infektimesh. Përqindja e rasteve Alpha vazhdoi të rritet, por numri i përgjithshëm i infeksionëve vazhdoi të ulet. Megjithëse se Alpha u bë dominante në Sh.B.A. dhe virusi ishte bërë më i transmetueshëm biologjikisht, ai nuk po transmetohej tek me shumë njerëz. Kjo është ajo që ne presim dhe për variantin e ri Delta. Çelësi për kontrollimin e kësaj, si dhe të gjitha varianteve të njohura deri më tani ka qenë dhe do vazhdojë të jetë: sa më shumë njerëz të vaksinuar.  Globalisht, më shumë njerëz kanë vdekur nga Koronavirusi në gjysmën e parë të këtij viti sesa në të gjithë vitin e kaluar – një fakt i rëndë, duke pasur parasysh daljen e vaksinave në fund të vitit të kaluar. E vërteta tragjike është se, për pjesën më të madhe të botës, vaksinat dhe mund të mos ekzistojnë. Tre të katërtat e vaksinave Covid janë administruar në vetëm dhjetë vënde të botës, ndërsa vëndet më të varfra kanë marrë më pak se gjysmën e një përqind të furnizimit, duke treguar një pabarazi të madhe. Në SH.B.A. rreth 50 përqind e popullsisë janë plotësisht e vaksinuar. Në Indi, ku virusi u “ushqye” pjesërisht nga përhapja e shpejtë e variantit Delta gjatë muajve të fundit, vetëm 3.3 përqind e popullsisë ka arritur vaksinimin e plotë. Shtetet e Bashkuara kanë premtuar se do të dhurojnë gjysmë miliardë doza në përpjekjen globale të vaksinimit; shpresojnë të japë dyqind milion deri në fund të vitit. Britania e Madhe dhe vendet e tjera evropiane kanë dhuruar gjithashtu qindra miliona doza në vendet më të varfra. Këto përpjekje janë të rëndësishme dhe do të ndihmojnë jashtëzakonisht shumë – por jo për disa muaj, dhe ndoshta deri në vitin 2022. Ndërkohë, shumë vende do të vazhdojnë të përballen me sfidat sociale dhe ekonomike të krijuara nga valët e krijuara nga variantet e reja dhe masat e shëndetit publik për të ndaluar këto valë të reja. Edhe atje ku ekziston vullneti politik për vazhdimin e masave të tilla, ai nuk është i pafund; vendet nuk mund të qëndrojnë në bllokim përgjithmonë.

DELTA ËSHTË VARIANTI I PARË I PERIUDHËS SË PAS VAKSINIMIT

Në një kuptim, mund të themi se Delta është varianti i parë i periudhës së pas-vaksinimit. Një pjesë e njerëzimit, mbase gjashtëqind milion njerëz nga 7,6 miliardë njerëz, janë kryesisht të mbrojtur kundër tij, megjithë transmetueshmërinë e tij të lartë. Për ta, kapitulli më i ri i pandemisë është diçka si një epilog, pasi historia kryesore për ta, në fakt, tashmë ka përfunduar. SH.B.A të paktën ka një furnizim të mirë të vaksinave për të mbushur ato boshllëqe nëse është e nevojshme. Në vendet pa doza të mjaftueshme për ta ndaluar atë, varianti Delta paralajmëron shumë më tepër telashe për popullsinë e tyre. Në disa mënyra, është një luks të thuash që efektet e tanishme të Delta-s në SH.B.A janë të paparashikueshme. Por, për ata që mbeten të pavaksinuar, me zgjedhje ose nga mungesa e vaksinave, Delta përfaqëson sfidën më të fundit në një seri betejash në vazhdim. Në një botë pjesërisht të vaksinuar ose të pavaksinuar, varianti Delta do të vazhdojë t’i ekspozojë ata ndaj rreziqeve të rritura për t’iu nënshtruar Covid-19.

* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës –VATRA. 

Filed Under: Histori Tagged With: Delta COV-2, dr. Pashko Camaj, Rreziku Global

Dokumenti, eksodi i 2 korrikut, shteti komunist akuzon shqiptarët e larguar, si kriminelë dhe huliganë

July 6, 2021 by dgreca

Përgatiti: Eneida Jaçaj/

   Diktaturat mund të mbretërojnë, por jo në përjetësi! 

Sa më i paditur, i paarsimuar, i varfër të jetë një popull, aq më të lehtë do ta ketë diktatori të ushtrojë kultin e individit, të mbajë shoqërinë nën tutel, duke zbatuar propagandën e shtypjes dhe mjerimit! Kjo është motoja e sistemeve diktatoriale, e cila u zbatua për 45 vite edhe në Shqipërinë komuniste. 

    Gjendjes së mjerimit, varfërisë së tejskajshme, shtypjes të të gjitha të drejtave dhe lirive, pushtetit të padiskutueshëm të diktatorit, i kishte ardhur fundi edhe në Shqipëri. Populli, i revoltuar, nga skamja dhe propaganda e kalbur komuniste, guxoi të ngrihej për të rrëzuar sistemin dhe për t’u drejtuar drejt “Portës së Lirisë”. Ky popull i nënshtruar pati kurajën të hidhte tej “lëvozhgën” e kalbur të një mentaliteti të cunguar, të prapambetur, që e la Shqipërinë të “verbër” për shumë vite, pasojat e së cilës ndihen edhe sot.  

Nga një diktaturë e egër, ishte shdërruar tashmë në një diktaturë të brishtë që dita-ditës po shembej nga themelet. Revolta apo kryengritja e popullit arriti kulmin kur qeveria i pakësoi ushqimin dhe i ndërpreu ujin në ditët e nxehta.

    Më 2 korrik 1990, shqiptarët mësynë drejt ambasadave të huaja, duke mbartur mbi vete “çelësin e fitores” kundër regjimit, me dëshirën e madhe se do të sillnin shpresën, mirëqënien, rritjen ekonomike, begatinë për Shqipërië në çdo aspekt të jetës. 

Kjo datë historike është quajtur eksodi i shqiptarëve, si pikënisja e rrëzimit të regjimit komunist, e cila u pasua me Lëvizjen e Dhjetorit 1990, që i dha goditjen e fundit. Të huajt e cilësonin Shqipërinë si një “Kubë e Vogël” në Ballkan, por shqiptarët me aktin e tyre treguan se ishin të aftë të merrnin në dorë fatet e tyre.

   Burra, gra dhe fëmijë lanë familjet për t’u drejtuar kryesisht në vendet e Europës Perëndimore, për arsye ekonomike, për të gjetur një punë që do t’u siguronte të ardhura, me të cilat do të ndihmonin edhe familjet në Shqipëri. 2 korriku 1990 është një ditë po aq e gëzueshme, por e dhimbshme për familjet shqiptare. Në dyert me kangjella të ambasadave, gra, burra, e të moshuar, me lot në sy nuk e pranonin ndarjen me familjarët e tyre, të cilët do të ndërmerrin rrugën e së panjohurës, rrugën e kurbetit. Ato kangjella dukeshin aq të frikshme, të ftohta; si kangjellat e burgut të dhimbjes, ku loti nuk do të thahej dhe brenga e shpirtit nuk do të shuhej derisa të larguarit do të bashkoheshin sërish me pjesën tjetër të familjes. 

Largimi

  Pas lajmit të largimit të 4795 shqiptarëve, shteti komunist i cilësoi këta shqiptarë të thjeshtë dhe të varfër, kriminelë, huliganë dhe njerëz të çoroditur. Mendësia komuniste vijonte përpjekjet e saj për shtypjen e popullit, duke orvatur të përndiqte këta shqiptarë. Nëse sistemi komunist do të vijonte të mbretëronte, shqiptarët e ambasadave do të përndiqeshin nga spiunët dhe së bashku me familjet e tyre do të internoheshin apo pushkatoheshin. 

   Autoriteti i Dosjeve ka zbuluar dosjen e datës 19 korrik 1990, ku shihet qartë plani i qeverisë për të kthyer mbrapsht të larguarit. “Largimi i menjëhershëm i 4795 qytetarëve shqiptarë, të futur në ambasada në Tiranë, në vende të ndryshme të botës, është një akt shumë i rëndë dhe i dënueshëm. Duke parë kurdoherë parasysh faktorët që çuan në një situatë të tillë, zhvillimet politike ndërkombëtare jo të favorshme dhe qëndrimet e reagimet e shteteve të ndryshme ndaj vendit tonë, del e domosdoshme të përcaktohet një qëdrim i qartë që do të mbahet ndaj tyre në vendet ku do të ndodhen”, thuhet në dosje. 

   Për të gënjyer opinionin publik, shteti komunist i cilëson të larguarit njerëz të degjeneruar, pa integritet. “Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komiteti i Partisë së Tiranës, do të nxjerrin të dhëna të sakta, por nga një shqyrtim paraprak i kontigjentit të personave të larguar, duke u mbështetur në formularët individualë dhe nga disa të dhëna që u morën në kontaktet e pakta të shokëve tanë që patë rast të futen në ambasadë, të larguarit mund të ndahen në këto grupime:

  Njerëz të degjeneruar, vjedhës e aventurierë, huliganë e vagabondë, që janë dënuar apo burgosur disa herë. Njerëz të papunë e me mendimin për t’u punësuar jashtë shtetit;

njerëz me pakënaqësi politike e me pikëpamje kundër pushtetit popullor; njerëz të pakënaqur nga të ardhurat ekonomike dhe të prirur nga mendimi se do të fitojnë më shumë jashtë shtetit”, thuhet në dosje.

  Shumë shqiptarë që u larguan jashtë kufirit në korrik të 1990, të cilën morën me vete vetëm rrobat e trupit, sot kanë arritur majat në vendet ku kanë ndërtuar jetët e tyre. Në çdo cep të botës gjenden ata shqiptarë të ambasadave të korrikut, që kanë triumfuar jo vetëm kundër regjimit, por kanë triumfuar edhe me sukseset e tyre. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eksodi i 2 Korrikut, Eneida Jaçaj, shteti komunist

“Ecja drejt së djathtës…”

July 6, 2021 by dgreca


Nga Astrit Lulushi/

“Ecja drejt së djathtës, dëshmi morale dhe mençurie” është libri i ri i Prof. Thanas L. Gjikës, ku ai rendit disa figura që çajnë këtë udhë. Libri ka vlera për studimet shkencore, vlerësime autorësh e veprash letrare, portrete, kujtime, letra. Është një libër për të gjithë, jo vetëm për brezin e ri; është edhe për ata që votën e përdorin si kartë pa vlerë, ose e shesin për një thes miell
Shqipëria ka nevojë për një krah të djathtë politik dhe opinion. Por gjendja  mbetet e cunguar nga lufta e egër e klasave, dje, dhe nga trajtimi me ironi, shpërfillje e sarkazëm nga krahu i majtë, sot.
Gjika sjell në libër personalitete si, Lek Pervizi, Sami Repishti, Jozef Radi e Visar Zhiti që provuan diktaturën e majtë në formën e saj më të ashpër me burgje, internime, përndjekje; dhe të tjerë si, Dino Martiko që u shua burgjeve; ose më të rinj si, Fotaq Andrea e Luan Rama që i janë kushtuar zbardhjes së gjurmëve nëpër botë të shqiptarëve dhe miqve të tyre në shekuj. Libri është një zë jo vetëm për ata që shpëtuan, por për Atdheun në përgjithësi, i cili duket se ka mbetur në kohë.
Libri “Ecja drejt së djathtës dëshmi morale dhe mençurie” përmban studimin e Thanas Gjikës mbi apostulin Lukë dhe Dhiatën e Re, ku vë në dukje dobësitë e studimeve të derisotme.
Pjesa më nostaligjike e librit ështē kapitulli V, ku Gjika, veç pjesëzave nga koha e rinisë së tij, sjell kujtime rreth njohjes me figura të shquara, si Lasgush Poradeci. Letër-këmbimi i Prof. Gjikës me autorë të ndryshëm, vendosur si kapitull i veçantë në libër, tregon gjithashtu respektin që autori gëzon në fushën e studimeve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Ecja Drejt se Djathtes, Thanas L Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT