• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

OKB përjashton Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

April 7, 2022 by s p

VOA / https://www.zeriamerikes.com/a/6519375.html

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pezulloi të enjten Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në përgjigje të njoftimeve për “shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut” nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë.

Projekt-rezoluta e propozuar nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, u miratua me 93 vota pro, ndërsa 24 vende votuan kundër dhe 58 vende abstenuan. Një shumicë prej dy të tretash votash pro të anëtarëve që votuan – abstenimet nuk llogariten – ishte e nevojshme për të pezulluar Rusinë nga këshilli prej 47 anëtarësh.

Pezullimet nga Këshilli janë të rralla. Libia u pezullua në vitin 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të udhëheqësit të atëhershëm Muammar Gaddafi.

Rezoluta e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së prej 193 anëtarësh shpreh “shqetësim të madh për krizën e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe humanitare në Ukrainë”, veçanërisht për njoftimet për abuzime të të drejtave nga Rusia.

Rusia kishte paralajmëruar vendet anëtare se një votë pro ose abstenim do të shihej si një “gjest jomiqësor” me pasoja për marrëdhëniet dypalëshe, sipas një komenti të parë nga agjencia Reuters.

Rusia ishte në vitin e dytë të mandatit tre-vjeçar në këshillin me qendër në Gjenevë, i cili nuk mund të marrë vendime ligjërisht të detyrueshme. Megjithatë, vendimet e tij dërgojnë mesazhe të rëndësishme politike dhe mund të autorizojnë hetime.

Moska është një nga anëtarët më të zëshëm në këshill dhe pezullimi i saj e ndalon atë të flasë dhe të votojë, thonë zyrtarët, megjithëse diplomatët e saj mund të marrin ende pjesë në debate.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës e përshëndeti vendimin e Asamblesë së Përgjithshme për të pezulluar Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut.

“Kriminelët e luftës nuk kanë vend në organet e OKB-së që synojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Falënderoj të gjitha vendet anëtare që mbështetën rezolutën e OKB-së dhe zgjodhën anën e duhur të historisë,” shkruante në Twitter Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba.

Nga Brukseli ku foli pas takimit të NATO-s, edhe Sekretari amerikan i Shtetit e përshëndeti vendimin.

“Një vend që po kryen shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut nuk duhet të ulet në një organ, detyra e të cilit është të mbrojë ato të drejta. Sot, u ndreq diçka e gabuar”, tha ai.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar dy rezoluta që denoncojnë Rusinë me 141 dhe 140 vota pro respektivisht. Moska thotë se po kryen një “operacion special” për çmilitarizimin e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara kishin njoftuar se do të kërkonin pezullimin e Rusisë pasi Ukraina akuzoi trupat ruse për vrasjen e qindra civilëve në qytetin Buça.

Rusia mohon të ketë sulmuar civilët në Ukrainë.

Filed Under: Rajon

“Mbreti” i Viron Konës një apel, për shoqërinë 

April 7, 2022 by s p

Fran Gjoka/

Viron Kona prezantohet kësaj here përpara lexuesit me romanin e tij më të ri “Mbreti”. Ky shkrimtar vijon i vendosur dhe energjik rrugën e tij krijuese,  teksa deri më sot shifra e botimeve të tij e kalon numrin 50. Bisedat me të janë përherë entuziazte, ndërsa boton një vepër letrare, ka në mendje krijimin  e një vepre tjetër… 

           -Ndodh edhe kjo, – shprehet ai me sinqeritet, – që, ti je duke punuar një krijim artistik, ndërkohë të troket në kokë një ide apo subjekt tjetër më i fuqishëm, më frymëzues dhe më emocionues. 

           -Çfarë, e ndërpret punën e nisur dhe fillon tjetrën?

          -Jo gjithnjë, por edhe ndodh. Figurativisht do ta shpjegoja kështu:Ti ke planifikuar diçka për të nesërmen, por befas të vjen një “mik”, madje edhe në mes të natës, i cili mbase edhe të zgjon nga gjumi. Kur ti shikon se cilin mik ke përpara, entuziazmohesh dhe planet që ke për të nesërmen i ndryshon. Kjo është krijimtaria, ajo që të duket më eomocionuesja, ajo për të cilën të rreh më fort zemra, ajo del “pa radhë” përpara dhe ti duhet t`i kushtosh asaj vëmendjen që meriton. Përndryshe zjarri krijues shuhet dhe ai frymëzim largohet, rrallë ndodh që të të kthehet përsëri. E. Pelin, një shkrimtar i njohur bullgar, thotë: “Duhet të të digjet shpirti zjarr që t’u thuash diçka të tjerëve”. Natyrisht që kjo është përvoja ime dhe nuk marrë përsipër të bëj “të diturin” për këtë çështje.

            -Mos është kjo që po thua, të kalosh “degë më degë”? 

            -Mbase, dikush mund ta quaj edhe ashtu, por unë po shpreh thjesht një përvojë. Shërbimi më i madh i bëhet asaj vepre që të bën të ndihesh më i frymëzuar, veprës ku përjetimet i ke më të mëdha, ndjenjat dhe emocionet të vijnë më të fuqishme. Më ndodh shpesh herë që heq kapituj apo faqe të tëra nga ato që kam shkruar dhe zë i shkruaj përsëri, hedh aty mendimin e ri, që më duket edhe më i bukur, më frymëzues dhe më artistik. Dhe, e di, mendimet e bukura nuk vijnë duke “shtrydhur mendjen”, por duke punuar, ato vijnë kur përfshihesh i tëri në vërshimin dhe magjinë e punës krijuese. S`ka rëndësi as vendi ku je, as komoditeti, as kushtet e rehatshme. Mendimet më të bukura mua më kanë ardhur duke shkruar, por edhe në udhëtim, me furgon, autobuz apo aeroplan. Mbaj gjithnjë letra të bardha me vete dhe stilolapsin dhe sapo më vjen mendimi zë e shkruaj, nganjëherë nuk e ndiej fare udhëtimin sepse shkruaj papushim, ndodh edhe që më vjen keq që mbërrita në destinacion, sepse aty dhe vala krijuese ndërpritet. 

                –Është e rekomandueshme kjo mënyrë të shkruari?

                -S`di se ka “mënyra” të caktuara se si të shkruash. Të erdhi, shkruaje. Jeta jetohet çdo moment, ashtu dhe vepra letrare mund të nis krijimin e saj çdo moment, nuk ka orë apo ditë të caktuar që të thuash:’Tani do të ulem dhe do të shkruaj një poezi, një tregim apo një fragment romani…!” 

                 -Të lodh puna krijuese?

                 -Krijimi i vërtetë të rrëmben dhe nuk e ndien lodhjen. Po ndieve lodhje në letërsi, atëherë lëre fare!

            -Le të vijmë te romani i ri që ju e titulloni “Mbreti”. Për cilin mbret bëhet fjalë? Apo është thjesht një libër për fëmijë me qëllim argëtimin e  tyre?

           -Ju e dini që fëmijët i dua shumë, por nuk mendoj që ky libër është për ata. “Mbreti” është një libër për të rritur. Ndërsa gjuha e përdorur dhe personazhet janë kafshë, libri ka gjuhën e Ezopit, ku kafshët  nënkuptojnë njerëz. Idetë dhe mesazhet e librit ndonëse dalin nëpërmjet marrdhënieve të kafshëve, në thelb ato i bëjnë apel jetës dhe mbrojtjes së saj nga ata që uzurpojnë pushtetet, që mbretërojnë barbarisht, që kryejnë veprime mizore ndaj jetës së njerëzve. Mbyllja e shtigjeve për diktatorët, është kusht themelor për të jetuar të qetë, të lirë dhe në paqe. Historikisht por edhe realisht, diktatorët sapo marrin pushtetin dhe vihen në krye të një shteti apo mbretërie, ata heqin maskat, “harrojnë” premtimet e bujshme dhe shfaqen të dhunshëm, duke mbytur të drejtat dhe çdo liri të popullit të tyre apo të popujve të tjerë. Ata sundojnë duke përdorur metodën “përça e sundo!”, përdorin forma sundimi të rafinuara duke i hedhur njerëzit kundër njëri-tjetrit, ndërkohë që hedhin edhe botën në luftëra të vazhdueshme, përfshihen në krime të panumërta njerëzore, janë shkaktarë dhe ideatorë të gjenocideve mizore dhe të vuajtjeve të shumta të njerëzve të thjeshtë, të pafajshëm e paqësorë, të cilët me naivitet, të mashtruar apo të manipuluar, u shkojnë pas si delet pas ujkut….Për dikatorin, njerëzit nuk janë njerëz, por ata janë hije, janë thjesht numra, janë “gurë shahu” që përdoren “mish për top”, siç përdoren ushtarët për t`u vrarë në luftërat pushtuese dhe grabitqare, gjithnjë për të realizuar qëllimet e mbrapshta ambicioze të diktatorëve. Ndërkaq, jo vetëm mbretërit dhe pushtetarët diktatorë, por  edhe njerëz të tjerë në rrethana të caktuara  bëhen më të këqijë se kafshët, ata vrasin njëri – tjetrin, spiunojnë, shkatërrojnë, djegin; “të fortët” dhunojnë më të dobëtit, ata përdhunojnë dhe bëjnë të gjitha të këqijat nga e para tek e fundit pa asnjë brerje ndërgjegjeje. Si pasojë e konflikteve të mëdha për të ruajtur pushtetet, mbretëritë, për të përvetësuar padrejtësisht pronat, pasuritë, etj., kanë ndodhur në këtë botë përplasje njerëzore fatale. 

                 Personazhi kryesor i romanit, “Mbreti”, është Luani i Dytë, mbreti i kafshëve të pyllit. Ai duke justifikuar egërsinë, babëzinë dhe makutërinë e vetë, “akuzon” njerëzit se “ata flasin për paqe, mbajnë fjalime, shkruajnë e çfarë nuk bëjnë që të tregojnë se janë paqësorë, por nga ana tjetër ata urrejnë dhe përbuzin, në njërën dorë mbajnë lule, kurse në tjetrën pas shpine mbajnë gati thikat,  ata përgatiten për luftëra kundër njëri – tjetrit… Dhe, kur fillojnë luftërat ata përdorin armë të shfarrosjes në masë, armë kimike, armë bakteriologjike, armë bërthamore, që vetëm me një goditje shuajnë e zhdukin qytete dhe popuj të tërë. Në këto luftëra botërore ata vrasin pa mëshirë racën e tyre… Lufta e Parë Botërore pati afro 20 milionë të vrarë. Lufta e Dytë pati 60 milion njerëz të vrarë, luftërat rajonale… Pra, shekulli që kaluam, është shekulli më i turpshëm i njerëzve…. Sa herë thonë “paqe” ata mendojnë për luftën…”           

          Mesazhet e librit janë të shumta dhe të fuqishme. Një lexim i vëmendshëm na tregon se kemi përpara një libër me vlera, të shkruar me gjuhën ezopiane. Thuajse në çdo kapitull të tij duket se bie nga një kambanë, që na bën thirrje të jemi të vëmendshëm, syçelët, të besojmë në vepra dhe jo në fjalë boshe, të mbështetim dhe të ndihmojmë jetën tonë, të fëmijëve tanë dhe të brezave që vijnë, gjithnjë duke u ruajtur nga zgjedhja e vendosja në kryet tona të njerëzve mashtrues, mizorë, vrasës, dhunues e përdhunues, vjedhës të pangopur. Të mos lejojmë “mbirjen” dhe zhvillimin e diktaturave dhe të diktatorëve, të cilët ringjallen si Hidra (përbindëshi me trup gjarpri me nëntë koka, të cilit sa herë që i pritej njëra kokë i ringjallej koka tjetër).

              ”-Përpara se të më vrasin këta mua, do t`i vrasë unë ata”, – thotë mbreti Luani i Dytë dhe u sulet kafshëve me egërsinë më të madhe. 

                Romani është i ndarë në kapituj dhe përpara lexuesit shfaqen skena të gjalla e krejt befasuese, ku tregohen krahas egërsisë dhe barbarisë, edhe vese të tjera që shfaqen në shoqërinë njerëzore, vese që jetojnë brenda qenies së disa njerëzve, të cilët e shfaqin “përbindëshin” apo “helmin” nga brenda tyre, madje në raste dhe rrethana të caktuara. “Pse u bë kështu ky?! Si nuk e paskemi njohur!? E vumë ujkun bari!” – thotë shpesh herë naivi i zhgënjyer përpara atij njeriu që pasi realizoi qëllimin, u shfaq ndryshe nga sa dukej e besohej. Psikologjia bën shpjegimet e duhura në kësi rastesh, kurse letërsia ka gjuhën e saj të rrëfimit, duke shfaqur, ndriçuar e portretizuar tipa, karaktere, personazhe që përfaqësojnë anë dhe pamje të ndryshme të njeriut, anë të mira apo të liga, e ndërmjet tyre fshihet e kamuflohet mjeshtërisht  “përbindëshi” njerëzor…   

          Shkrimtari Kona duke përdorur mjete artistike e figurative, si dhe batuta të holla e shigjetuese, demaskon me sarkazëm, me ironi therëse, me urrejtje e përbuzje ligësinë dhe barbarinë, por edhe fshikullon fort edhe vese të tilla, si: servilizmi, spiunimi, mashtrimi, zilia, egoizmi, gënjeshtra, pabesia, korrupsioni… 

           Romani “Mbreti” të vë në mendime  të thella për jetën. Ai të ngjallë forca dhe energji  të brendshme, që të mos pajtohesh asnjëherë me të keqen…

Filed Under: LETERSI Tagged With: FRAN GJOKA

#Kujto 7 Prillin

April 7, 2022 by s p

Erald Kapri/


Ky është mesazhi i fundit që lëshoi Mbreti Zog mëngjesin e 7 Prillit. Thirrja nuk arriti dot të shpërndahet në të gjithë vendin. Për më shumë, detajet në librin; Mbreti Zog, pas dyerve të mbyllura. “Njoftohet Populli Shqiptar se Qeveria Italiane, me disa kërkesa të reja që nuk pajtohen me traktatet me marrëveshjet miqësore që kemi pasur, ka kërkuar cënimin e indipendecncës dhe sovranitetit të Mbretërisë Shqiptare. Unë dhe qeveria mbretërore nuk e pranojmë kurrë këtë cënim që konsiston në bjerrjen e lirisë së këtij populli të fituar me gjak. Në rast se kërcënimi bëhet me anën e forcës, ftoj mbarë popullin shqiptar me kenë sot të bashkuem me zemër e shpirt për mbrojtjen e Atdheut dhe të indipendencës së tij deri në të mbramen pikë të gjakut të vetë. Jam i bindur se populli shqiptar, i vogël në numër, por i madh në kurajo dhe në shpirt, ka për me diftë që në këto raste me e tregue veten se ushqen në shpirtin e tij atdhedashurinë më të flakët që është gjithmonë karakteri i stërgjyshërve të tij. Jam i bindur se një popull i bashkuar në këtë mënyrë do të ketë padyshim edhe mbrojtjen hyjnore prandaj i bëj sot apel popullit tem mos me bjerrë kurajon dhe dashurinë për Atdheun se pas çdo here a vonë do t’i siguroj përsëri kësaj toke të drejtën që i ka falur natyra. Rroftë Shqipëria. Rroftë Populli Shqiptar. Zogu i I”.

Filed Under: Histori Tagged With: Erald Kapri

PERËNDIMI, NDËRMJET ZELENSKIT DHE PUTINIT, NUK DUHET T’A LERË VEHTEN TË NDALOHET NGA FRIKA

April 7, 2022 by s p

Nga BARBARA STEFANELLI

Cili është synimi I “armëve vdekjeprurëse”, të dorëzuara qëndresës së Zelenskit, të sanksioneve financiare që shtrëngojnë Moskën e të gjithë mbitakimeve që planifikojnë mbështetjen Ukrainës? Po synojmë ndërprejen e luftimeve apo fundin e pushtetit të Putinit? Përpara këtij udhëkryqi, që nga agimi I 24 shkurtit, po krijohet një lëmsh përsiatjesh. Herë herë çjerrës në thellësi, herë herë përmbledhtas paditës mes palëve. Pyetja është dramatike. Pamjet nga frontet e kësaj lufte – pamje civilësh e ushtarësh të çrrënjosur, të plagosur, të vrarë – na mbërrijnë e na pështjellojnë prej më shumë se një muaji.Mjafton të lexohen faqet e romanit Zgjedhja e Walter Veltronit, ato në të cilat tregohet bombardimi amerikan mbi Romë i 19 korrikut 1943, për të kuptuar se si mund të vdesin tremijë banorë të një qyteti, mjaft prej tyre fëmijë, në një ditë të vetme. Duhej t’ishte një sulm aleat që synonte një hartë strukturash të dobishme për regjimin e Mussolinit, por tymi dhe era  i kthyen ato dy orë në kronikën e një ploje që rezultoi e “papërfytyrueshme” fill mbas qoshes së Papës e të Koloseut.

Luftërat janë mohimi i njerëzimit, i vetë jetës, i çdo vlere në të cilën kapemi për të gjetur e për të mbrojtur një kuptim. Por çështja është fatkeqësisht një tjetër: a ekziston ai udhëkryq? Raphael Glucksmann, i pyetur nga Stefano Montefiori për Corrieren, me qartësi ka thënë: “Nëse rusët nesër pushojnë së luftuari, lufta mbaron; nëse ukrainasit nesër pushojnë së luftuari, mbaron Ukraina. E mbas Ukrainës do t’u takojë Vëndeve të tjera”. Në të kaluarën – në vargun Çeçeni, Gjeorgji, Krime, Donbas – është prova që një zgjerim mund të jetë shtjellimi i një konflikti të projektuar nga presidenti rus  si dëmshpërblim. Një dëmshpërblim i nevojshëm për të fshirë “poshtërimin” e pësuar nga Nëna Rusi më 1989 dhe për të ndaluar infektimin demokratik të arritur deri në Kiev.

Për një kohë të gjatë vështrimi i ynë ka qënë i shuar, së paku me ndërprerje. Tani gjithshka ka ndryshuar: bota ka ndryshuar, ne kemi ndryshuar. Tani dijmë se kjo është edhe lufta e jonë; prej gjithmonë dijmë që luftërat e çlirimit ekzistojnë.

Ukrainasit po i vërtetojnë të gjithëve- -vetë rusëve – që Vladimir Putini mund të përballohet e të kundërsulmohet. Madje të ndalohet. Së fundi, ndoshta, edhe të thyhet nëse arsyeja për të cilën luftohet është mbijetesa e identitetit e të vetëvendosjes së një populli të tërë që – ndoshta është e drejtë të përsëritet pesë javë mbrapa – është sulmuar.

Ukraina duhet të fitojë, ka shkruar në The Atlantic Anne Applebaum, një nga zërat më të sprovuar e më të pikëlluar të kësaj krize. E menjëherë ka pyetur vehten: çfarë mund të bëjë Perëndimi? “Ka vetëm një rregull: nuk mund të tregohemi të frikësuar. Putini na dëshiron të gjymtuar nga frika, aq sa të mos jemi në gjëndje të marrim vendime, të tëhiqemi të gjithë së bashku, duke i lënë të hapur rrugën nëpërmjet Ukrainës, drejt Polonisë e madje më tutje, n’Evropë. Së fundi ai kujton mirë kohën në të cilën trupat sovjetikë kontrollonin gjysmën e Gjermanisë”. Ka pra vetëm një rrugë: “Të ndihmohet Kievi për të mos e humbur këtë luftë”.

“Corriere della Sera” 7 1prill 2022     Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Komente

Provokimet e njëpasnjëshme të Rusisë ndaj Suedisë nuk kanë të ndalur

April 7, 2022 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU

Rusia si një shtet imperialist, me regjimin e saj diktatorial, për çdo vit cenon me avionet e saj luftarak hapësirën ajërore të Suedisë. Reagimet dhe protestat që u dërguan në adresë të regjimit rus asnjëherë nuk u shqyrtuan dhe kësisoj ato mbetën në sirtarët e harresës. Cenimi i hapësirës ajërore të këtij shteti skandinav, fatkeqësisht. u bë edhe pasi nisi pushtimin në Ukrainë. Këtë provokim të pandershëm, të pararyeshëm, të padrejtë,  por në esencë të rrezikshëm, forcat ajërore ruse e shkaktuan edhe pardje, gjë që shkaktoi  shqetësim jo vetëm të adminstratës të këtij vendi neutral, por edhe në mesin e qytetarëve. Kjo aventurë e rrezikshme “ ngacmoi” edhe durimin e armatës amerikane, e cila me avionet e saj iu afrua kufirit rus për t’i treguar qartë se me këtë politikë kërcënuese dhe frikësuese për shtetet e vogla nuk mund të vazhdohet tash dhe në të ardhmen. Ky provokim nuk është i rastësishëm ngaqë aspiratat gllabëruese të imperializmit rus kanë një adresë të saktë e kjo është ujdhësa e Gotlandit, e cila është një vend shumë i rëndësishëm gjeostrtegjik. Shi për këtë, jo vetëm avionët por edhe nëndetëset luftarake ruse shkelin hapësirën detare pranë kësaj ujëdhese sa herë që atyre u teket. Ndaj, edhe kërkesa dhe presioni i opinionit suedez për të qenë anëtare e aleancës veriatlantike është më së i arsyeshëm për shkak se ky vend skandinav nuk e ndien vetën të sigurt nga veprimet luftënxitëse të regjimit rus.

Mediat ruse për disa vjet kanë “ pikturuar” imazh negativ për Suedinë

Imazhi negativ i Suedisë, në bazë të një hulumtimi të Nyheter-24 ka treguar se është fjala për keqinformim në mediat shtetërore ruse, të cilat për disa vite ka “pikturuar” një imazh negativ për Suedinë – dhe se ky shtet në fakt dallohet sa i përket këtij imazhi krahasuar me vendet e tjera nordike. “Suedia është portretizuar qartësisht më negativisht se vendet e tjera,” tha për Nyheter24 kohë më parë Edward Deverell, profesor i asociuar i shkencave politike në Kolegjin Suedez të Mbrojtjes Kombëtare dhe autori kryesor i një studimi që trajtonte pikërisht këtë. Propaganda ruse për Suedinë: “Vlerat qesharake” Charlotte Wagnsson, profesoreshë e shkencave politike në Kolegjin Suedez të Mbrojtjes Kombëtare, ishte gjithashtu e përfshirë në shkrimin e studimit. Ajo thotë edhe këtë në programin e mengjezit të kanalit të parë të televizionit shtetëror, për portretizimin e Suedisë në Sputnik, media pro-qeveritare ku thuhet ndër të tjera se: – “Suedia është një shtet i rrënuar: i ndarë brenda dhe jashtë në raport me vendet e tjera dhe me vlera qesharake. Një vend që ka humbur historinë e tij dhe gjithashtu nuk ka të ardhme. Por cilat janë “vlerat qesharake” që nxjerrin në pah mediat shtetërore ruse? Një shembull është përdorimi i dietave në Suedi. – Thuhej se në Suedi nuk ka më asnjë fe. Janë të paktë ata që besojnë në fe dhe më pas ju e zëvendësoni këtë nevojë, këtë dëshirë, me dieta dhe Suedia bëhet ekstremiste në pikëpamjen e saj për dietat, thotë Wagnsson në P1 Morgon.

Të shtënat e blinduara suedeze dhe armë të tjera depërtuese të blinduara kanë qenë të papritura efektive në luftën në Ukrainë. Ky efekt katastrofik i të qëlluarit me armë portative antitank më ka habitur së paku, thotë nënkoloneli Joakim Paasikivi për NRK norvegjeze. Suedia ka vendosur të dërgojë gjithsej 10,000 armë kundërtank dore të tipit armor shot 86, të quajtura edhe p-shots. Ato janë të destinuara për përdorim kundër automjeteve të blinduara lehtë, por jo tankeve të rënda. Pavarësisht kësaj, duket se armët e dorës po godasin dhe shkatërrojnë automjetet ruse të blinduara, por edhe tankët për të cilat ato nuk janë të dedikuara.

Tankët ruse janë keq të projektuara dhe po shkatërrohen lehtë nga armët suedeze

– “Goditën disa tanke ruse me armë suedeze për të cilat ne në disa raste nuk menduam se mund të shkatërronin një tank, thotë për NRK-në nënkoloneli Joakim Paasikivi, i cili është mësues i strategjisë ushtarake në Kolegjin Suedez të Mbrojtjes Kombëtare”. Efektiviteti mund të jetë pjesërisht për shkak të faktit se ushtarët ukrainas janë të mirë në përdorimin e armëve dhe futen në pozicione të mira për t’i gjuajtur ato. Pjesërisht, mund të jetë për shkak se tanket ruse janë projektuar keq, sipas tij. –“ Municioni ruhet në kullën e topave. Goditja pranë kullës së topit shkakton zjarr me municion. Municioni shpërthen, kulla fluturon dhe ekuipazhi vdes”, thotë Paasikivi për NRK.

 Forcat e Armatosura të Norvegjisë deklarojnë se kanë dyfishuar angazhimin e tyre dhe kanë dërguar 4000 armë antitank të tipit M72, të cilat  gjithashtu përdorën me dorë, por që cilësohen si më të dobëta se plumbat suedezë të parkimit. Sipas nënkolonelit Paasikivi, lufta në Ukrainë ka treguar se grupe të vogla dhe të shkathëta në këmbë – shpesh pas linjave të armikut – mund të rrëzojnë efektivisht forca të blinduara dhe automjete të tjera. Ai sheh një të ardhme për grupet e këmbësorisë së lehtë dhe të sigurisë vendase në vendet nordike dhe se ata duhet të pajisen me dronë për zbulim. “Mbrojtja territoriale finlandeze dhe rojet e brendshme suedeze dhe norvegjeze kanë rast jashtëzakonisht të mirë për të kryer këtë lloj beteje të suksesshme”, tha ai për NRK. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT