• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2022

DIASPORA DHE VËNDLINDJA

May 27, 2022 by s p

Gani Vila

Drejtor

ALBTV USA/


Z.Agim Lumani fabrikë e pestë e hapën në qytetin e Maliqit Shqipëri. Shqiptarët në shekuj të ndodhur nën luftëra,vrasje,skamje e pushtime të vazhdueshme nga fqinjët tanë dhe të huajt e tjerë me trimëri,sakrifica e zgjuarësi,me vetmohimin dhe gjakun e derdhur kanë ruajtur një pjesë të teritorit Ilir,kanë ruajtur,zakonet,traditat ,kulturën dhe gjuhën shqipe, kanë përparuar dhe janë shquar në të gjitha fushat,më shumë jashtë vendit si emigrant se sa në vendin etyre.Për kohë të gjatë shqiptarët e kanë parë emigrimin jashtë vendit dhe kohët e fundit edhe Perëndimin si shpëtimtarë nga skamja,dhe mundësi suksesi. Edhe bashkëatdhetari ynë Agim Lumani që jeton në Michigan mbas viteve 1990 ka lënë qytetin eMaliqit dhe realizoi suksesshëm ëndërrën e pëbashkët të gjithë shqiptarëve,ëndërrën Amerikane.Aktualisht ai është pronar i katër fabrikave të industrisë mekanike në amerike ku spikat ajoForm G.Tech.Në bizneset e tij punojnë mbi 300 puntorë ku shumica e tyre janë Shqiptaro-Amerikanë. Me idet,zgjuarsinë,mprehtësinë,intuitën,talentin,vizionin,largpamësin,guximin,investimet,manaxhimin,korrektësin,eksperiencën,tolerancën dhe humanizmin,me punën etij 20 orë në dite dhe të tjera cilësi që e karakterizojnë zotin Lumani janë burimet e suksesit e të përparimit nga viti në vit të biznesit të tij. Vitet kalojnë shpejtë bashkë me to vijnë edhe bilancet e kësaj jete të cilat z.Lumani i ka plotë suksese. E tani i pasur,atdhetar dhe patriot me rrënjë Kolonjare zoti Lumani një pjesë të ëndërrës amerikanëpo ja dedikon atdheut ton Shqipërisë, vëndlindjes së tij qytetit të Maliqit. Ka rreth pesë vjet që Zoti Agim Lumani ka riinvestuar duke hapur këtë herë Fabrikën e pestë Form G.Tchk në Shqipëri.Fillimisht në qytetin e Korçës dhe tani pritet nga dita në ditë të transferohen dhe instalohen makinerit në ndërtesën e re,në teritorin e ish Fabrikës të Sheqerit në qytetin e Maliqit.Aty ku dikur Agim Lumani ka punuar në rini. Krahës personave që e mbështesin dhe e vlerësojnë guximin në këtë investim të zotit Agim në vëndlindje,ka edhe miq,shok,biznesmen të suksesshëm me eksperienc dhe dashamirë që e bëjnë të çmendur zotin Lumani për këtë investim,veçanrisht nga atmosfera e frikëshme që ekziston nëshqipëri për investimet e huaja. Zoti Lumani deri tani është optimist,po vazhdon investimin dhe së shpejti pret të celebrojë biznesin, hapjen e fabrikës në shtëpinë e rrënjëve të tij.Zoti Lumani nuk lë jashtë vëmendjes pa vlerësuar mirëpritjen dhe mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep vazhdimishtë Bashkia e Qytetit të Maliqit dhe vet interesimin e kryebashkiakut Gëzim Topçiu. Para disa ditësh për arsye familjare unë u ndodha në qytetin e Korçës por vizitova edhe qytetin e Maliqit.Pata nderin dhe kënaqësinë që realizova një bised televizive me Kryebashkiakun Gëzim Topçiu dhe vizitova edhe punimet gjatë ndërtimit të Fabrikës Lumani,për të cilën po ju sjell një reportazh të shkurter informativ,por të gëzueshëm dhe të kënaqshëm nga vepra që Zoti Lumani po nderton në vëndlindje.Së shpejti do të kemi një intervistë me z.Lumani por për momentin i urojmë atij suksese dhe ju ftoj të ndjekim materialin e pregatitur me këtë rast.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Gani Vila

Votimi i diasporës së Kosovës, legjislacioni, mundësitë dhe sfidat

May 27, 2022 by s p

Eris Jashari/

Çka të mveshë si qytetar me të drejtën e të votuarit në një demokraci? Normalisht, janë ligjet dhe procedurat e caktuara që definojnë në detaje se nga cila moshë është e lejuar të votohet, kush ka të drejtë të shprehë vullnetin e tij në kutitë e votimit, rrugët e përfitimit të shtetësisë, mënyra se si votohet, lejimet dhe ndalimet tjera që veç e përmbajtësojnë këtë të drejtë elementare demokratike. Mirëpo, kur kësaj i shtohet edhe kontribuimi në buxhetin e atij shteti, të jepet moralisht e drejta të kërkosh llogari nga përgjegjësit që e menaxhojnë atë, të cilët zgjedhen dhe kontrollohen përmes të votuarit. Vetëm në vitin 2021, në formë të remitencave dhe shpenzimeve tjera janë pranuar rreth 2 miliardë euro nga mërgata, kurse i gjithë buxheti i shtetit është 2.7 miliardë euro (Germin, 2022). A duhet lejuar votimi i diasporës në zgjedhjet vendore në Kosovë?

Nëse veç pak kundrohet në historinë e luftës së fundit e cila është bazamenti i Republikës së sotme, veçse legjitimohet e drejta për gjithëpërfshirje të mërgatës në proceset shoqërore që ngjajnë në vend. ‘‘…diaspora shqiptare kontribuonte për organizimin e jetës paralele në Kosovë, respektivisht për financimin e arsimit dhe të shëndetësisë, si dy shtyllat kryesore për mirëmbajtjen e rezistencës civile dhe të kohezionit demografik shqiptar në Kosovë.’’ (Beha, 2017). Kjo dëshmon edhe më qartazi se e drejta e diasporës për të votuar në Kosovë as që duhet diskutuar. Pra, diskutimi duhet fokusuar në atë se si të përmirësohet kjo e drejtë, si të lehtësohet dhe përçohet në mënyrë sa më efiçiente zëri i atyre që jetojnë jashtë në rezultatet e zgjedhjeve, e pse jo ndoshta edhe në atë se si të përfaqësohen vetë ata në jetën politike duke e prekur politikbërjen në mënyrë konkrete, pra me pjesëmarrje direkte në ulëset e institucioneve gjegjëse. 

Korniza ligjore aktuale

Ligji për Diasporën dhe Mërgatën 04/L-095 e parasheh si mërgimtar apo pjesëtar i diasporës dhe mërgatës, çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë RKS-së dhe që ka lindur apo ka prejardhje familjare nga Kosova (gzk.rks-gov.net, LIGJI Nr. 04/L – 095 PËR DIASPORËN DHE MËRGATËN, 2012). Ky ligj mëton që mërgimtarët kudo nëpër botë t’i përfshijë në kuadër të identifikimit me shtetin e Kosovës. Kjo pastaj shërben si premisë bërthamë nga e cila derivon edhe kontribuimi i tyre në fuqizimin e tij si dhe dëshira për pjesëmarrje jo vetëm në jetën politike, por edhe atë ekonomike, kulturore e kështu me radhë. 

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës 03/L-073 përcakton se votuesi jashtë Kosovës, bën aplikim të suksesshëm nga jashtë saj duke përdorur një nga mënyrat e votimit sipas rregullave të KQZ-së (gzk.rks-gov.net, 2008). Sipas këtij ligji, në nenin 5, të drejtë për të votuar ndër të tjerë, ka edhe ai që banon jashtë Kosovës ose ka lëshuar Kosovën në apo pas 1 janarit 1998, me kusht që t’i plotësojë kriteret e parapara sipas ligjit në fuqi për të qenë qytetar i Kosovës. Pra sistemi zgjedhor e parasheh votimin e diasporës, ku përmes rregullave të KQZ-së mbi Votimin Jashtë Kosovës 03/2013, i përcaktojnë tri mënyra për ta marrë një fletëvotim duke e dorëzuar formularin për regjistrim ose aplikim:

  • (a) përmes postës në një nga Kutitë postare të KQZ-së, 
  • (b) faksit te KQZ-ja, në numrin e shënuar në fund të Formularit për Regjistrim/Aplikim për votim jashtë Kosovës. 
  • (c) emailit, në emailin zyrtar të Operacionit të Votimit Përmes Postës së shënuar në fund të formularit dhe të publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së në internet (KQZ, 2013).

Me këtë rregullore përcaktohet si kriter që votat jashtë Kosovës duhet të pranohen nga KQZ-ja 24 orë para ditës së zgjedhjeve, të cilat arrijnë me postë në adresën postare zyrtare.

Krahasimi me vendet e tjera

Një hulumtim i realizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Demokraci Plus (D+), ilustron qartazi se si është i rregulluar votimi i qytetarëve që jetojnë jashtë vendeve të tyre respektive si dhe përmes çfarë mënyre votimi shprehin vullnetin e tyre në zgjedhjet e brendshme. Në figurën 1 vërehet se në Kosovë është e lejuar të votojnë diaspora në të gjitha llojet e zgjedhjeve që organizohen, përveç zgjedhjes së Presidentit që është kompetencë e Kuvendit. Karakteristika të njëjta kur vije në pyetje të votuarit në zgjedhje lokale ka edhe në Finlandë, Poloni e Zvicër, ndryshe nga Kroacia, Bulgaria e Belgjika, ku nuk lejohet të votohet as në zgjedhjet lokale e as në referendume.

Figura 1 – Votimi i qytetarëve jashtë vendit sipas llojit të zgjedhjeve  (D4D & D+, 2018)

Ka disa metoda të cilat shtetet i përdorin për organizimin e zgjedhjeve jashtë vendit, duke përfshirë votimin: fizik (në ambasada apo konsullata), me postë, me faks, votimin elektronik, nëpërmjet një personi tjetër dhe votimin e parakohshëm (para ditës së zgjedhjeve) që njihet si proxy (D4D & D+, 2018). Krahasuar me vendet e listuara në figurën 2, Kosova është më e kufizuar në këtë drejtim, duke u mundësuar diasporës të votojnë vetëm përmes postës. Kjo në të shumtën e rasteve ka mobilizuar bashkatdhetarët që të marrin udhën qoftë edhe vetëm për ditën e zgjedhjeve, ku kanë shpenzuar kohë, mund e mjete financiare, vetëm që të shprehin vullnetin e tyre fizikisht. Vërehet se Zvicra dhe Armenia kanë bërë hapa përparues në lehtësimin e procedurave të të votuarit, ku është e besuar si formë edhe votimi elektronik. Njëherazi, nëpër shumë vende si Kroacia, Bullgaria e Franca, shihet mundësia e të votuarit në ambasada dhe konsullata si praktika më e mirë për ta bërë një gjë të tillë.  

Figura 2 – Praktikat sipas metodave të votimit (D4D & D+, 2018)

Sa i përket shteteve fqinje që e rrethojnë Kosovën, ka llojllojshmëri të rregullativave kur vije në pyetje lejimi i diasporës për të votuar. Në Mal të Zi nuk është e lejuar në asnjë formë të votohet përveç se brenda territorit të tij (Reçica, 2021). Aspak më mirë nuk qëndron as Shqipëria, e cila nuk e ka të rregulluar fare mundësinë e të votuarit në ndonjë formë tjetër, përveç se të votosh fizikisht atje. Në Maqedoni të Veriut në anën tjetër, ka qëndrim krejtësisht ndryshe sa i përket kësaj çështjeje. Mërgata maqedonase voton një ditë më herët se zgjedhjet nëpër konsullatat më të afërta ku jetojnë, dhe votat e tyre që numërohen si një zonë zgjedhore garantojnë tre (3) vende të deputetëve në Kuvend, por që zgjedhja e këtyre deputetëve është e kushtëzuar nëse plotësohet kriteri i votave që duhen për t’u bërë deputet krahasuar me gjashtë (6) zonat e tjera të brendshme (Atanasov, etj., 2022).

Sfidat rreth të votuarit të diasporës 

Në zgjedhjet qendrore të parakohshme në qershor 2017, vetëm 20,354 (6.8%) e diasporës ka aplikuar për t’u regjistruar për votim, ku nga to, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar 15,118 aplikacione për regjistrim dhe vetëm 5,949 (30% të aplikacioneve) kanë dërguar fletëvotimet ndërsa nga to 5,246 janë pranuar si vota valide (GERMIN, 2018). Kjo është një humbje e ¾ të votave potenciale në proces, e cila do të duhej të alarmonte institucionet përgjegjëse për të ndërmarrë masa që të evidentohen problemet dhe sfidat që shkaktojnë një dukuri të tillë. Shumë prej votave të bashkatdhetarëve nuk arrijnë me kohë në destinacion, e për pasojë humb edhe efekti i tyre i ligjshëm për ndikim në rezultat të zgjedhjeve.

 Kufizimi i afatit kohor për pranimin e votave jashtë Kosovës përmes nenit 96 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullës Zgjedhore të KQZ-së nr. 03/2013, është në kundërshtim me nenin 45, lexuar bashkë me nenin 55 të Kushtetutës, pasi që nuk përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi (GERMIN, 2020). Këto nene lejojnë që të kufizohen me ligje të drejtat nëse qëllimi i tyre është i arsyetuar mirë. Nëse logjika e kufizimit qëndron në atë se parandalon vonesën në procesin e numërimit të votimit, praktika ka dëshmuar të kundërtën, sepse votat me postë përfundojnë së numëruari në afat të shkurtër pas përfundimit të procesit zgjedhor, kurse certifikimi përfundimtar i tyre ka ditur të zgjasë me muaj, qoftë për shkak të ankesave të ndryshme apo pengesave tjera përgjatë procesit të numërimit. 

Argumentet PËR dhe KUNDËR

Debatet rreth lejimit apo ndalimit të votimit të atyre që jetojnë jashtë Kosovës janë të shumta, dhe shpeshherë kanë ditur të mbizotërojnë opinionin e gjerë në të gjitha taborët e shoqërisë, qoftë në mediet televizive dhe tryezat publike të diskutimit ashtu edhe në qarqe private. Secili analizon nga këndvështrimi i vetë, gjë që duhet respektuar, por që qëndrimi zyrtar i shtetit është ai që vlen në fund të ditës dhe se ky qëndrim duhet në vazhdimësi të mbrojë interesin e përgjithshëm të të gjithëve. Në tabelën e mëposhtme, paraqiten disa prej argumenteve për dhe kundër të votuarit të diasporës në Kosovë, të cilat shpërfaqin dy anët e ndryshme të medaljes për këtë çështje:

Për votimit të DiasporësKundër votimit të Diasporës
• Ofron mundësi të barabarta votimi për të gjithë;• U mundëson qytetarëve që jetojnë jashtë shtetit pjesëmarrjen në zhvillimet politike në vendlindje;• Siguron që qytetarët të mbajnë lidhje me prejardhjen e tyre;• Rrit interesimin e diasporës në zhvillimin ekonomik të vendlindjes;• Ofron mundësi për të zhvendosurit dhe emigrantët për të votuar, përfshirë edhe shërbyesit civil, shërbyesit diplomatikë.• Më pak të prekur nga veprimet e organeve/autoriteteve qeveritare;• Më pak të interesuar, dhe kanë më pak njohuri për problemet e shtetit;• Nuk paguajnë taksa në vendlindje, përse të kenë të drejtë për të vendosur për çështje politike?;• Kostoja e organizimit të votimit jashtë vendit është shumë e lartë;• Ka mungesë transparence në votim.

Tabela 1 – Argumente pro dhe kundër të votuarit të diasporës në Kosovë

Rekomandimet për reformat e nevojshme

Qeveria aktuale e Kosovës me në krye z. Albin Kurti miratoi ndryshimet për ligjin për zgjedhjet, për t’u mundësuar diasporës të votojë nëpër përfaqësitë diplomatike në vendet ku jetojnë, pa u konsultuar me partitë e tjera politike parlamentare, duke nxitur kështu reagime të ashpra të partive opozitare (Shehu, 2021). Reagime pati edhe nga shoqëria civile e përfaqësuesit diplomatikë ndërkombëtarë, të cilët ishin kundër që një proces kaq i rëndësishëm të kalohet brenda një mbrëmjeje të një së premte, e sidomos pa përfshirje të të gjitha palëve me interes në këtë çështje. Qeveria u tërhoq nga një iniciativë e tillë dhe i hapi rrugë për ta reformuar sistemin zgjedhor në proces të rregullt.

Në plan-programin qeverisës 2021 – 2025, Qeveria e Republikës së Kosovës në pikën 2.17.5 Rritja e rolit të mërgatës në zhvillimin dhe promovimin e vendit ndër të tjera parasheh “… krijimin e mundësive për votim nëpër misione diplomatike.” (Qeveria, 2021). Duke qenë e paraparë në dokumentin që portretizon fushëveprimtarinë dhe synimet kyçe të të qeverisurit përgjatë mandatit të saj, veç se bëhet i ditur qëndrimi i kësaj qeverie kur është në pyetje vota e diasporës. Ndonëse mund të ketë prapavijë politike për përfitim populist një pozicion i tillë, qëllimi primar është eliminimi i shpenzimeve dhe stërmundimeve të kësaj kategorie votuesish, që vullnetin e tyre do ta shprehnin në kutitë e votimit sa më pranë shtëpive të banimit në vendet ku jetojnë e veprojnë. 

Janë pesë (5) rekomandime që dalin nga të gjeturat e mësipërme:

  • Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ duhet të mbajë një regjistër i cili përfshin të gjithë Kosovarët që jetojnë jashtë vendit;
  • ambasadat dhe konsullatat të vënë në dispozicion ambientet e tyre, ku votuesit nga diaspora mund të shkojnë të votojnë;
  • të informohet më mirë popullata mbi të drejtën e tyre për të votuar;
  • afatet për aplikim dhe votim të zgjaten;
  • të ndahen vende të rezervuara në Kuvend për përfaqësim të diasporës.

Përfundime

Konceptimi i demokracisë mbështetet në parimin e “qeverisë nga populli”, që nënkupton se njerëzit qeverisin me veten, marrin pjesë në vendimmarrje duke strukturuar jetët e veta dhe fatin e shoqërive të tyre (Heywood, 2008). Askush nuk mund të mbrojë dhe avancojë në mënyrën më të mirë të mundshme interesat e një komuniteti apo grupi qoftë etnik, fetar, social a kulturor, apo të një grupi të migruar nga vendi i origjinës, se sa përfaqësuesit e zgjedhur prej tyre, si dhe asgjë nuk mundëson më shumë që një shoqëri të përparojë me hapat e duhur se sa përfshirja dhe identifikimi i të gjithëve me proceset shoqërore që ngjajnë në atë vend. Republika e Kosovës ka dëshmuar se ka vullnet dhe dëshirë që qytetarët e migruar jashtë, t’i bëjë të ndjehen si pjesë e pandashme e vetë ekzistencës së saj. Është në interesin e të mirës së përgjithshme që të përqafojë brenda vetes të gjitha grupacionet dhe t’i unifikojë ato me qëllimin e vetëm të një të ardhmeje prosperuese të përbashkët. 

Bibliografia

Atanasov, Z., Dimitrievski, D., Krsteska, A., Naumovska, B., Cekiq, A., Bliznakovski, J., & Todorovska, M. (2022, shkurt). SISTEMI ZGJEDHOR IMAQEDONISË SË VERIUT Si të sigurohet përfaqësimi i drejtë në Parlament. (E. Aeti, & J. Ziba, Përkth.) Shkup, Maqedoni e Veriut: Instituti Nacional Demokratik (NDI). Shikuar 26 maj 2022, prej https://www.ndi.org/sites/default/files/WEB%20Final%20Digi%20-%20%D0%90nalysis%20on%20the%20electoral%20model_Alb.pdf

Beha, A. (2017). MES STABILITETIT & DEMOKRATIZIMIT Zgjedhjet, partitë politike dhe demokracia brendapartiake në Kosovë. Prishtinë: Qendra për Kurajë Politike dhe Departamenti i Shkencës Politike, Universiteti i Prishtinës.

D4D, & D+. (2018, tetor). VOTIMI NGA JASHTË Shqyrtimi i politikave dhe rekomandimeve praktike. Prishtinë, Kosovë. Shikuar 22 maj 2022, prej https://d4d-ks.org/wp-content/uploads/2018/10/D4D_Elec_13_SHQ.pdf

GERMIN. (2018, maj). Analizë e shkurtër e politikave mbi votimin jashtë vendit. Shikuar 25 maj 2022, prej germin.org: https://germin.org/wp-content/uploads/2019/01/Analiz%C3%AB-e-shkurt%C3%ABt-mbi-Vot%C3%ABn-e-Diaspor%C3%ABs_Germin.pdf

GERMIN. (2020, mars). VOTIMI NGA JASHTË 2019 Analizë e votimit nga jashtë në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Prishtinë, Kosovë. Shikuar 18 maj 2022, prej https://germin.org/wp-content/uploads/2020/06/Vota_2019_Shqip.pdf

Germin. (2022, janar 8). KOSOVAPRESS. Shikuar 23 maj 2022, prej kosovapress.com: https://kosovapress.com/shpenzimet-dhe-remitancat-diaspora-i-dha-kosoves-rreth-2-miliarde-euro/

gzk.rks-gov.net. (2008, qershor 15). LIGJI NR. 03/L-073 PËR ZGJEDHJET E PËRGJITHSHME NË REPUBLIKËN E KOSOVËS. Prishtinë, Kosovë. Shikuar 22 maj 2022 prej https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2544

gzk.rks-gov.net. (2012, korrik 3). LIGJI Nr. 04/L – 095 PËR DIASPORËN DHE MËRGATËN. Prishtinë, Kosovë. Shikuar 22 maj 2022 prej https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=2831

Heywood, A. (2008). Politika. (B. Kraja, Përkth.) Shkodër: Dukagjini.

KQZ. (2013, korrik 2). RREGULLA ZGJEDHORE NR.03/2013 VOTIMI JASHTË KOSOVËS. Prishtinë, Kosovë. Shikuar 23 maj 2022 prej https://web1.kqz-ks.org/wp-content/uploads/2018/01/KQZ-Rregulla-03-2013.pdf

Qeveria. (2021, maj). PROGRAMI I QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS 2021 – 2025. Shikuar 27 maj 2022, prej kryeministri.rks-gov.net: https://kryeministri.rks-gov.net/wp-content/uploads/2021/05/Programi-i-Qeverise-se-Kosoves-2021-2025.pdf

Reçica, V. (2021, shkurt 4). Si voton diaspora në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Kroaci dhe Serbi. Shikuar 25 maj 2022, prej albinfo.ch: https://www.albinfo.ch/si-voton-diaspora-ne-shqiperi-maqedoni-mal-te-zi-kroaci-dhe-serbi/?fbclid=IwAR2c1o27_ly8H1iGX5mbUdCgRByNPogG-xsMyqkYQNk7N_e-qHpCljiGIRE

Shehu, B. (2021, prill 03). Ligji për zgjedhje – mollë sherri për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Shikuar 27 maj 2022, prej dw.com: https://www.dw.com/sq/ligji-p%C3%ABr-zgjedhje-moll%C3%AB-sherri-p%C3%ABr-zgjedhjen-e-presidentit-t%C3%AB-kosov%C3%ABs/a-57090633

Filed Under: Komente

Kryeministri i Kosovës në Samitin e Diaspores, vlerësim Vatrës Shqiptare në Amerikë

May 27, 2022 by s p

-Sot në Prishtinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës, ku ishin rreth 120 biznese nga diaspora dhe rreth 100 të tjera nga Kosova. “Edhe para vitit 1912, ka qenë shoqata “Vatra” dhe gazeta “Dielli” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe para vitit 2008, kemi pasur ambasadorët tonë joformal, pra juve në Evropën Perëndimore e gjetiu, që ka mundësuar mbështetjen ndërkombëtare për atë që vjen më pas, njëherë çlirimi e më pas edhe pavarësia”, theksoi mes tjerash Kryeministri Kurti/

PRISHTINË, 27 Maj 2022 – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është kthyer në Kosovë nga vizita shumëditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku i shumëmirëpritur ka vizitur edhe Federatën Pan-Shqiptare Vatra. “ Vizitën time mjaft të frytshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përmbylla në New York, pas tri ditë takimesh të ndryshme në Massachusetss, Connecticut, Rhode Island”, ka bërë të ditur Kryeministri Kurti dhe mes tjerash ka shkruar:

“Në 110-vjetorin e themelimit të Pan Federatës Shqiptare “Vatra”, takova në Neë York anëtarësinë e shoqatës më të vjetër shqiptare në ShBA. “Vatra” ka luajtur rol të rëndësishëm në luftën e shqiptarëve për liri dhe vetëvendosje. U kërkova që ta vazhdojnë misionin duke u angazhuar për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës”.

Kryeministri Kurti pas SHBA-ve ka qëndruar edhe në Zvicës, ku, mes tjerash, në kuadër të iniciativës së Qeverisë së Kosovës për Dialog me Mërgatën, në dy takime të ndara ka takuar mërgimtarët dhe studentët shqiptarë që jetojnë e studiojnë në Zurich.


 Sot në Prishtinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës, ku morën pjesë rreth 120 biznese nga diaspora dhe rreth 100 të tjera nga Kosova, ku ka folur edhe për Vatrën Shqiptare në Amerikë dhe gazetën e saj Dielli duke theksuar:

 “Edhe para vitit 1912, ka qenë shoqata “Vatra” dhe gazeta “Dielli” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe para vitit 2008, kemi pasur ambasadorët tonë joformal, pra juve në Evropën Perëndimore e gjetiu, që ka mundësuar mbështetjen ndërkombëtare për atë që vjen më pas, njëherë çlirimi e më pas edhe pavarësia”.

Kryeministri Kurti në fjalën e hapjes së Forumit, ku  morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përfaqësuesit e odave ekonomike, kryetarë komunash e përfaqësues të USAID-it,  tha se shpreson që nëpërmjet rrjetëzimit, që ofron ky forum sot, të lidhen partneritete bashkëpunimi, të investimeve të reja dhe të eksportit ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe atyre të diasporës.

Ai foli edhe për takimet që ka pasur gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë pasur për qëllim prezantimin e arritjeve ekonomike të Kosovës dhe potencialet investuese.

Ndër të tjera, veçoi nënshkrimin e marrëveshjes me MCC për investim prej $236.7 milionë në sektorin e energjisë gjatë viteve të ardhshme; vizitat në kompani teknologjike për të prezantuar potencialet e sektorit të IT në Kosovë; bisedat rreth mënyrave më të avancuara të përdorimit të teknologjisë për avancim të bujqësisë; bashkëbisedimet me studentët, investitorët dhe profesionistët e diasporës shqiptare.

Ndërsa tha që potencialet dhe interesat ekonomike të Kosovës i prezantoi edhe në takimet që ka pasur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Në Davos, kryeministri Kurti tha se ka theksuar që viti 2021 ka qenë vit i zhvillimit ekonomik të Kosovës, pasi që kemi pasur rritje ekonomike prej 10.53%, rritje eksportesh prej 83.6%, rritje në investime të huaja direkte prej 21%, ngritje në pagesa tatimesh prej 30%, pa ndryshuar politikat fiskale, dhe rritje të hyrash të Doganës prej 31%, ndërsa janë krijuar rreth 25,000 vende të reja pune.

Popullsia e re dhe profesionale, e cila flet gjuhë të huaja rrjedhshëm, është teknologjikisht e përparuar, dhe ka qasjen më të lartë rajonale në internet, kosto të ulët, na bën konkurrentë si fuqi punëtore, tha kryeministri.

Për ta lehtësuar zhvillimin ekonomik, ai tha se jemi duke punuar në fuqizim të rendit ligjor, me themelimin e Gjykatës Komerciale, si dhe përmirësimin e mëtejmë të infrastrukturës dhe të bërit biznes në vendin tonë.

Kryeministri ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe e hapur për të bashkëpunuar për zhvillim ekonomik, dhe të përkrahë nisma të reja që sjellin deri te rritja e investimeve, sidomos në ato të orientuara në eksport.

Filed Under: ESSE

Libri Klienti, një roman mbreslënës

May 27, 2022 by s p

Dr. Eugent Kllapi/

Fabula e këtij libri është e njohur në shekuj, por autorja përpiqet ta sjellë këtë njohje më të fortë dhe më aktuale me anë të së thjeshtës, jetikes, funksionit të së përditshmes, modernitetit të reales dhe dëshirës për të qenë njeri.

Romani klienti endet dhe thuret në këtë fabul në procesin e të kundërtave tek njeriu. Midis Tanatosit dhe Erosit, midis negatives dhe pozitives në vlera e ndërtuara në shoqëri, midis çmendurisë dhe normalitetit, midis mendimit të sëmurë dhe të marrë për pak dashuri, dhe dashurisë normale që mund të kthehet edhe si sëmundje e marrë, lojën midis plusit dhe minusit, procesin e të kundërtave që fillon sa ka filluar të ketë jetë njerëzore dhe nuk mbaron as për ditët e sotme.

Këtë përpiqet të shprehë në një panoramë sa të përgjithshme në dramën e konkretes.

Autorja me anë të një trilli mbresëlënës, një përshkrimi befasues për nga thjeshtësia dhe rrjedhshmëria e të thjeshtës, e të prek mes, sa e të shijuarit në çdo faqe të librit mundohet që për një histori të ndërtojë një kullë plot me bedena në drama njerëzore që vlojnë përbrenda për dashuri.

Në këtë këndvështrim ajo të ofron marrëdhënien njerëzore, çmendurinë ta përcjellë në tensionin e dashurisë, dashurinë ta përcjellë në tensionin e mirësisë dhe mirësinë në tensionin e vlerës për jetën.

Po a ja arrin dot autorja këtë? Shumëkush ka këndvështrimin e vet por autorja në këtë volum faqesh arrin të ndërtojë disa personazhe që nxjerrin krye në deviacionin mendor, konfuzitetin, sipërfaqësoritetin, dramat e shumëfishta të së përditshmes dhe tragjedinë që lind nga e thjeshta e qenies njerëzore.

Ngjarjet ndodhin në SHBA. Në qendër të romanit vihet dialektika e brendshme e një personazhi si Piteri që është në kufijtë e të zakonshmes dhe të jashtëzakonshmes, midis të qenët të sëmurë nëpërmjet deviancave mendore, obsesionit, manjakërisë dhe të qenët i neglizhuar, i harruar, i vrarë shpirtërisht, i urryer, i fyer.

‘’Unë nuk kisha kujt t’i pështirosesha më’’, shprehet autorja në vetën e parë për personazhin e Piterit. Kjo vetë e parë e ndjek tërë romanin në deshifrimin e karaktereve.

Një qenie njerëzore që ngrihet nga bullizmi, nga ndrydhjet dhe nga indiferenca, e kundërta e dashurisë.

Në anën tjetër të peshores ngrihet një personazh tjetër kryesor, Ana. Një vajzë shqiptare që duket e përkorë nga dashuria, e kundërta e indiferencës, por jo si vajzat e tjera megjithëse me të njëjtën dramë. Dëshirën për dashuri. E kush nuk do e donte! Këtu Ana futet në labirinthet e saj, kjo ndihet faqe më faqe ku Ana sa zbehet dashuron e zjarrtë, si nga sjelljet e saj dhe nga ditari i cili përshkruhet deri në detaj për nga personaliteti i saj nga autorja. Ajo nxjerr një karakter të zakonshëm që vlon dallgë të jashtëzakonshme brenda vetes pasi nuk njeh, nuk gjykon aq sa duhet dhe nuk është e keqe si femër. Dhe këtu ajo udhëton me vetveten dhe kohën e saj. Si thotë autorja:

 ‘’Ne udhëtojmë jo që t’i arratisemi jetës, por që jeta të mos arratiset me ne’’

Ajo përpiqet të nxjerrë më të mirën e vetvetes porse e mira bashkëjeton me të keqen. Dhe realisht ajo bashkëjeton në roman mjeshtërisht nga autorja falë personazhit tjetër Piterit, ana tjetër e medaljes i cili ndryshe nga Ana, që në vetvete është një mirësi konfuze sa ëngjëllore, është një ëngjëll që thurr të keqen për të triumfuar si i mirë. A nuk bëhet gjithçka për dashuri?! Ai është ngjizur nga vetë e keqja edhe pse ai nuk donte të ishte kaq impotent i së mirës. Me anë të së keqes ai vlon deri në vlim për të qenë i mirë. I keqi i mirë për Anën që do bëhet i miri për keq për të megjithëse në ndërgjegjen e vet mendon se do bëjë mirë. Çmenduria udhëzon dashuri siç do ajo të jetë. Por a mund të bashkohen të kundërtat? A mund të jenë një, Erosi dhe Tanatosi?! Kjo marrëdhënie shoqërore zhbirilon detaje që Mirela Kanini ofron aq shumë për lexuesin e thjeshtë i cili kërkon dramë, dashuri, vuajtje, mirësi, dëlirësi dhe trishtim, vdekje.

‘’Disa plagë nuk mbyllen kurrë. Thjesht ndalojnë së rrjedhuri gjak’’ shprehet autorja në libër.

Me pak ngulm çdo lexues do të gjejë aty si karakterin normal dhe atë anormal nëpërmjet disa personazheve dhe derivateve të tyre siç janë të dashurit e Anës, Karlosi dhe Mariusit të mirë, por që duken si dhurata patatinash në dashuri. Të dashurit e Piterit në roman nga ana tjetër duken si Piranja që hanë njëri-tjetrin në llojin e vet, të dashur dytësorë që duken rreth e rrotull kësaj vorbulle që Mirela i ngreh dhe përpiqet të na i servir me stilin e saj elokuent. Dalëngadalë të gjithë kërkojnë sikur të hanë vetveten në fabulën e Tanatosit, një personazhi apo një qenie që i bën keq vetvetes dhe bashkëjeton ngjitur me Erosin, që do të dashurojë. Ndjenjat kanë dramat e tyre që vrasin ndjenja nga ku drama të reja rilindin. Kjo është jeta!

Një libër fantastik për t’u lexuar me një frymë brenda disa orëve me një hyrje fenomenale për të shpjeguar psikozën e një njeriu të sëmurë, një zhvillim dinamik i karaktereve dhe një fund mbresëlënës për mënyrën si serviren ngjarjet deri në fund. Ato rrjedhin. Kush do të vdesë dhe pse? Në emër të kujt, të së mirës apo të së keqes, vallë a do mbijetojë ndokush? Në emër të marrëzisë apo dashurisë?!

Po a nuk jeton kaq afër marrëzia me dashurinë?!

Me anë të të zakonshmes mbretëria e shkrimit mund të na shprehë të jashtëzakonshmen.

A nuk jemi dhe ne ky lloj njeriu i thjeshtë që fshehim gjenialitetin tonë sa ndonjëherë errësirën duke e vrarë veten për të qenë më të përkryer?

Në qoftë se jeni të tillë lexojeni! Do të ngeleni të suprizuar dhe të kënaqur deri në fund.

Një libër që ia vlen! Nuk do ta kuptoni sa shpejt do të mbarrojë, mbase i ktheheni përsëri nga e para sepse kjo është Mirela Kanini! Një autore që thjeshtësinë e paraqet aq bukur në mbretërinë e elokuencës së saj e duket sikur nuk mbaron asnjëherë por bëhet pjesë padashur e vetes suaj. Duket si një libërth xhepi që avullon sa mundohesh të mbërrish në fund.

Ajo ia arrin të futet në mendjen e Lexuesit.

Klienti vlen!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Eugent Kllapi, Mirela Kanini

MANGËSITË E DIPLOMACISË SONË EKONOMIKE

May 27, 2022 by s p

Burimet natyrore, si thëngjilli dhe disa minerale të tjera, mund të jenë faktorë kyç në krijimin e një qëndrueshmërie ekonomike dhe mund të sigurojnë një rritje ekonomike dhe joshje investitorëve strategjikë. Mirëpo në pratikë ka ndodhur e kundërta. Jo vetëm që nuk u joshën investitorët e huaj, por ata u dëbuan me metodat më barbare. Kjo edhe për faktin se nuk funksionon diplomacia ekonomike, e cila përmendet shkarazi vetëm në ndonjë takim kurtoazie të politkanëve tanë me diplomat e huaj.

Nga Mehmet PRISHTINA/

Para shpalljes së pavarësisë (2008), Kosova me të drejtë ankohej se nuk kishte sovranitet të plotë politik e institucional për të hartuar një strategji të mirëfillt ekonomike, sepse disa kompetenca të kësaj fushe i takonin UNMIK-ut, si rrjedhojë e Rezolutës 1244. Efektet negative të mungesës së sovranitetit janë reflektuar negativisht në shumë fusha dhe sidomos në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar me organizatat ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore, OBT dhe organizatat tjera financiare ndërkombëtare-tregtare. Megjithatë bashkësia ndërkombëtare siguroi një mbështetje substanciale për rindërtimin e pasluftës dhe rivitalizimin e Kosovës, me ç’rast u zbatua me sukses programi i rikonstruimit gjatë fazës emergjente, ku edhe u shënua progres në zhvillimin ekonomik, posaçërisht gjatë periudhës 1999-2002.Në fazat e mëvonshme u dëshmua se zhvillimi ekonomik nuk u dhëhoq nga një strategji afatgjate e cila do të bazohej mbi mendimin shkencor të ekspertëve. Të gjitha qeveritë, pa përjashtim, hartuan strategji ekonomike populiste, vetëm për efekte elektorale, që nuk u zbatuan asnjëherë, sepse ishin të destinuara të dështojnë. Një ekonomi kombëtare konsiderohet e qëndrueshme nëse është e aftë të shfrytëzojë burimet dhe kapacitetet e saj njerëzore, financiare dhe kapitale, për gjenerimin e rritjes të vazhdueshme ekonomike dhe për sigurimin e mirëqenies së gjithë banorëve të saj.Përvoja 20 vjeçare ka dëshmuar se burimet njerëzore në Kosovës janë sfrytëzuar vetëm në ato fusha ku përkatësia partiake ka qenë kriter mbizotërues kundrejt kritereve profesionale. Kjo pastaj ka ndikuar në ngecjen e rritjes ekonomike dhe të mirëqenies së qytetarëve.Sipas statstistikave rezulton që nga viti 2002 rritja ekonomike ka shënur një ngadalësim gradual që u reflektua në përkeqësimin e pozitës sociale të qytetarëve, gjegjësisht në rritjen e papunësisë. Ky trend negative i zhvillimit ekonomik ndikoi negativisht edhe në psikologjinë e investitorëve e donatorëve të huaj, dhe për pasojë kemi reduktimtë donacioneve ndërkombëtare për 75% në krahasim me periudhën deri më 2002.Nëse iu referohemi të dhënave që i plasojnë here pas here ekspertët, mund të themi se sa i përket pasurive natyrore, Kosova mund të konsiderohet relativisht e pasur dhe ka përparësi në krahasim me vendet e rajonit. Këto pasuri, sidomos minierat, mund të konsiderohen burime të zhvillimit, me kusht që të janë të shoqëruara me teknologji të avancuara dhe shërbime nga fusha e hulumtimeve zhvillimore. Burimet natyrore, si thëngjilli dhe disa minerale të tjera, mund të jenë faktorë kyç në krijimin e një qëndrueshmërie ekonomike dhe mund të sigurojnë një rritje ekonomike dhe joshje investitorëve strategjikë.Mirëpo në pratikë ka ndodhur e kundërta. Jo vetëm që nuk u joshën investitorët e huaj, por ata u dëbuan me metodat më barbare. Tani kur Kosova ballafaqohet me një normë papunësie prej 40%, dhe me bilanc negativ tregtar, është shumë vështirë të binden investitotorët e huaj që të derdhin kapitalin e tyre në vendin tonë. Kjo edhe për faktin se nuk funksionon diplomacia ekonomike, e cila përmendet shkarazi vetëm në ndonjë takim kurtoazie të politkanëve tanë me diplomat e huaj, por edhe çpër faktin se nuk kemi ndonjë dokument që mund të quhet Strategji e diplomacisë ekonomike.Çdo shtet që ka pretendime serioze, i kushton një rëndësi të madhe diplomacisë ekonomike, për arsye se diplomacia ekonomike është një krah i fortë që mund të shërbejë për të zgjeruar rritjen e influencës ekonomike.Në rrethanat kur shërbimi ynë i jashtëm diplomatik nuk është kompletuar me stafin e domosdoshëm, është iluzore që të kemi një diplomaci të mirëfillt ekonomike. Nëse bazohemi në gjendjen faktike, atëherë ambasadat tona kanë dështuar të lehtësojnë qasjen në tregjet e huaja për bizneset nacionale, në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe pjesëmarrja në institucionet ndërkombëtare duke i’u shërbyer interesave nacionale.Prandaj, është e domosdooshme që krahas Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës të aktivizohen edhe digasterët tjerë që të ndërrmarin nisma të përbashkëta për funksionalizimin ndër-institucional me qëllim realizimin e suksesshëm të diplomacisë ekonomike. KJo mund të arrihet nëse misionet diplomatike sigurojnë material propagandues për kapacitetet egzistuese të Kosovës, si dhe organizojnë takime të odave ekonimikee tregtare ku bizneset nga Kosova do të prezantonin vlerat dhe kapacitet e veta. Por kjo nuk mund të arihet pa një kuadër të kualifikuar profesionalisht, i cili do të operonte me njohuri që janë kompatibile me trendet ndërkombëtare të ekonomisë dhe biznesit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Mehmet Prishtina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT