-Sot në Prishtinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës, ku ishin rreth 120 biznese nga diaspora dhe rreth 100 të tjera nga Kosova. “Edhe para vitit 1912, ka qenë shoqata “Vatra” dhe gazeta “Dielli” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe para vitit 2008, kemi pasur ambasadorët tonë joformal, pra juve në Evropën Perëndimore e gjetiu, që ka mundësuar mbështetjen ndërkombëtare për atë që vjen më pas, njëherë çlirimi e më pas edhe pavarësia”, theksoi mes tjerash Kryeministri Kurti/
PRISHTINË, 27 Maj 2022 – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është kthyer në Kosovë nga vizita shumëditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku i shumëmirëpritur ka vizitur edhe Federatën Pan-Shqiptare Vatra. “ Vizitën time mjaft të frytshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përmbylla në New York, pas tri ditë takimesh të ndryshme në Massachusetss, Connecticut, Rhode Island”, ka bërë të ditur Kryeministri Kurti dhe mes tjerash ka shkruar:
“Në 110-vjetorin e themelimit të Pan Federatës Shqiptare “Vatra”, takova në Neë York anëtarësinë e shoqatës më të vjetër shqiptare në ShBA. “Vatra” ka luajtur rol të rëndësishëm në luftën e shqiptarëve për liri dhe vetëvendosje. U kërkova që ta vazhdojnë misionin duke u angazhuar për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës”.
Kryeministri Kurti pas SHBA-ve ka qëndruar edhe në Zvicës, ku, mes tjerash, në kuadër të iniciativës së Qeverisë së Kosovës për Dialog me Mërgatën, në dy takime të ndara ka takuar mërgimtarët dhe studentët shqiptarë që jetojnë e studiojnë në Zurich.
Sot në Prishtinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës, ku morën pjesë rreth 120 biznese nga diaspora dhe rreth 100 të tjera nga Kosova, ku ka folur edhe për Vatrën Shqiptare në Amerikë dhe gazetën e saj Dielli duke theksuar:
“Edhe para vitit 1912, ka qenë shoqata “Vatra” dhe gazeta “Dielli” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe para vitit 2008, kemi pasur ambasadorët tonë joformal, pra juve në Evropën Perëndimore e gjetiu, që ka mundësuar mbështetjen ndërkombëtare për atë që vjen më pas, njëherë çlirimi e më pas edhe pavarësia”.
Kryeministri Kurti në fjalën e hapjes së Forumit, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përfaqësuesit e odave ekonomike, kryetarë komunash e përfaqësues të USAID-it, tha se shpreson që nëpërmjet rrjetëzimit, që ofron ky forum sot, të lidhen partneritete bashkëpunimi, të investimeve të reja dhe të eksportit ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe atyre të diasporës.
Ai foli edhe për takimet që ka pasur gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë pasur për qëllim prezantimin e arritjeve ekonomike të Kosovës dhe potencialet investuese.
Ndër të tjera, veçoi nënshkrimin e marrëveshjes me MCC për investim prej $236.7 milionë në sektorin e energjisë gjatë viteve të ardhshme; vizitat në kompani teknologjike për të prezantuar potencialet e sektorit të IT në Kosovë; bisedat rreth mënyrave më të avancuara të përdorimit të teknologjisë për avancim të bujqësisë; bashkëbisedimet me studentët, investitorët dhe profesionistët e diasporës shqiptare.
Ndërsa tha që potencialet dhe interesat ekonomike të Kosovës i prezantoi edhe në takimet që ka pasur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Në Davos, kryeministri Kurti tha se ka theksuar që viti 2021 ka qenë vit i zhvillimit ekonomik të Kosovës, pasi që kemi pasur rritje ekonomike prej 10.53%, rritje eksportesh prej 83.6%, rritje në investime të huaja direkte prej 21%, ngritje në pagesa tatimesh prej 30%, pa ndryshuar politikat fiskale, dhe rritje të hyrash të Doganës prej 31%, ndërsa janë krijuar rreth 25,000 vende të reja pune.
Popullsia e re dhe profesionale, e cila flet gjuhë të huaja rrjedhshëm, është teknologjikisht e përparuar, dhe ka qasjen më të lartë rajonale në internet, kosto të ulët, na bën konkurrentë si fuqi punëtore, tha kryeministri.
Për ta lehtësuar zhvillimin ekonomik, ai tha se jemi duke punuar në fuqizim të rendit ligjor, me themelimin e Gjykatës Komerciale, si dhe përmirësimin e mëtejmë të infrastrukturës dhe të bërit biznes në vendin tonë.
Kryeministri ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe e hapur për të bashkëpunuar për zhvillim ekonomik, dhe të përkrahë nisma të reja që sjellin deri te rritja e investimeve, sidomos në ato të orientuara në eksport.