• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2026

“Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”

March 21, 2026 by s p

Kur “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit” u botua për herë të parë, synimi ishte të rikthehej figura e Ismail Qemalit jo thjesht si një personalitet historik, por si një model lidershipi, i ndërtuar mbi karakterin, vizionin dhe guximin për të vepruar në momente pasigurie. Pritja që libri ka marrë nga lexuesit në vijim ka qenë inkurajuese dhe njëkohësisht nxitëse për reflektim të mëtejshëm. Fakti që edhe botimi i katërt u përmbyll me një tirazh të kufizuar, të realizuara në bashkëpunim me “Filara”, tregon se interesi për të kuptuar lidershipin përmes historisë sonë mbetet i gjallë.

Ky botim i pestë, i përditësuar, në shqip dhe botimi i dytë, i përditësuar në anglisht i “The Founder”, vjen si një vazhdimësi natyrore e këtij dialogu me lexuesin.

Ndryshimet e bëra janë të kujdesshme dhe të përqendruara. Ato përfshijnë përmirësime të vogla në formulime, saktësime në përmbajtje, si dhe pasurimin e albumit fotografik me disa imazhe shtesë, të cilat synojnë të thellojnë dimensionin historik dhe dokumentar të librit. Këto ndërhyrje nuk e ndryshojnë thelbin e argumentit, por e bëjnë atë më të qartë dhe më të plotë.

Ismail Qemal Vlora përfaqëson një model të rrallë në historinë shqiptare. Ne kemi pasur shumë liderë që kanë synuar pushtetin. Ismail Qemali synonte diçka tjetër. Ai kërkonte të ndërtonte një shtet që të mos kishte nevojë për liderë të përjetshëm. Në këtë kuptim, ai mbetet ndoshta i vetmi lider shqiptar që nuk synoi të sundonte shtetin që krijoi, por ta themelonte atë mbi parime që e tejkalojnë individin.

Më shumë se një shekull pas shpalljes së pavarësisë, pyetjet që shoqëruan atë moment mbeten ende aktuale: Çfarë do të thotë të udhëheqësh në favor të interesit publik? Si balancohet pragmatizmi me parimet? Dhe, mbi të gjitha, si mund të ndërtohet një lidership që nuk mbetet peng i rrethanave, por i kapërcen ato?

“Themeluesi” nuk është një biografi tradicionale, është një manual për ekzekutivët modern. Ky libër nuk synon të idealizojë të shkuarën, por të nxjerrë mësime prej saj. Figura e Ismail Qemalit nuk paraqitet si një monument i largët, por si një pikë referimi që na fton për krahasim, reflektim dhe, në raste të caktuara, për vetëkritikë.

Nëse ky botim i ri arrin të kontribuojë, qoftë edhe modestisht, në një debat më serioz mbi lidershipin, përgjegjësinë dhe të ardhmen e jetës sonë publike, atëherë ai e ka përmbushur qëllimin e tij.

Evarist Beqiri

Tiranë, 2026

Filed Under: LETERSI

Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën

March 21, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Gjatë kërkimeve në korespondencat e shumta filatelike të ruajtura në familjen time për pothuajse një shekull, më tërhoqën vëmendjen shumë prej tyre që lidhen me emrin e intelektualit me origjinë nga Gjakova, z. Rasim Juniku. Ai më kujtohet si një personalitet që përmbushte cilësitë e njeriut të denjë për të mbetur në kujtesën e kujtdo që pati rastin ta njihte nga afër. Personalisht, kam disa arsye për ta kujtuar me respekt Bacën Rasim. E para, lidhet me faktin se im atë kishte pasur me të një miqësi të gjatë, e cila ishte ndërtuar mbi pasionin e përbashkët për kulturën dhe artin e filatelisë, por mbi të gjitha mbi ndjenjën e thellë patriotike që i bashkonte në dashurinë për Kosovën. Së dyti, ruaj në kujtesë figurën e tij mbresëlënëse, të cilën pata fatin ta njihja nga afër gjatë kohës kur shërbeja në arsim në qytetin e Kukësit, në vitet ’80. Në shëtitoren hijshme të qytetit, pranë gjimnazit ku punoja, e dalloja që larg Bacën Rasim nga shtati i tij i drejtë dhe i lartë, me të cilin dukej sikur donte t’u kujtonte të gjithëve se përfaqësonte denjësisht figurën e patriotit gjakovar,mqs emri i tij të sillte ndër mend edhe majën e malit Junik, pjesë e Bjeshkëve të Nemuna në Alpet shqiptare. Nuk mund të harroj kurrë shkëlqimin e syve të tij nga gëzimi sa herë që takoheshim dhe bisedonim për pasionin e madh të jetës së tij: filatelinë. Në ato biseda ndihej qartë se për të pullat postare nuk ishin vetëm objekte koleksioni, por edhe dëshmi të historisë, kulturës dhe jetës së popullit tonë. Për të dhe për shumë miq të tij, filatelia ishte bërë një urë miqësie që lidhte njerëz nga vende të ndryshme dhe krijonte marrëdhënie të qëndrueshme për gjithë jetën. Për këtë arsye, disa fjalë për jetën dhe kontributin e Rasim Junikut janë të domosdoshme të shkruhen, në mënyrë që të kuptohet më mirë se si ai e përjetoi kënaqësinë që i jepte filatelia dhe se çfarë kontributesh intelektuale dha në lidhje me çështjen e Kosovës dhe kulturën shqiptare.

Rasim Juniku ishte një nga ata njerëz që gjatë gjithë jetës së tij ruajti një lidhje të fortë me dijen, kulturën dhe dashurinë për atdheun. Bashkëkohësit e kujtonin si një njeri të përkushtuar, punëtor dhe me një pasion të veçantë për librin, historinë dhe kulturën shqiptare. Për edukimin dhe arsimimin e tij, ashtu si për shumë jetimë nga Gjakova, Malësia e Gjakovës, Hasi dhe Luma, ndikim të rëndësishëm kishin përpjekjet e patriotëve shqiptarë si Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, të cilët mbështetën arsimin e të rinjve shqiptarë në ato kohë të vështira. Gjatë shkollimit, Rasim Juniku tregonte gjithmonë respekt të madh për mësuesit e tij. Ai i kujtonte ata si njerëz të përkushtuar dhe patriotë të vërtetë, të cilët u jepnin nxënësve jo vetëm dije, por edhe frymëzim. Sipas tij, mësuesit e asaj kohe ishin “trima të zotë të pushkës, të mendjes dhe të pendës”, njerëz që punonin me pasion për edukimin e brezit të ri. Në vitet 1923–1928 ai ndoqi mësimet në shkollën plotore të Internatit “Kosova” në Tropojë. Kjo shkollë kishte mbetur në kujtesën e tij si një vatër e rëndësishme edukimi, ku mësuesit përpiqeshin të formonin një brez të ri të ndërgjegjshëm dhe të arsimuar. Në atë kohë librat në gjuhën shqipe ishin të rrallë, dhe Rasimi kujtonte se sa herë që nxënësit arrinin të gjenin një libër në shqip, ata e kalonin dorë më dorë dhe e ruanin me shumë kujdes, si një pasuri të çmuar. Kjo përvojë ndikoi që tek ai të lindte një dashuri e veçantë për librin dhe për çdo gjë që lidhej me kulturën shqiptare. Rasim Juniku nuk u nda kurrë nga dëshira për të mësuar. Ai ruajti lidhje të ngushta me mësues dhe intelektualë të kohës dhe gjatë jetës së tij punoi e jetoi në disa qytete të Shqipërisë, si Ballsh, Kavajë, Ferizaj, Prizren, Lezhë, Pukë dhe Kukës. Ndër njerëzit me të cilët kishte krijuar miqësi përmenden Maksut Milova, Sule Hekali, Feim Lulashi dhe Sulo Klosi në Ballsh; Qamil Golemi dhe Shuaip Domnori në Lezhë; si dhe Milosh Gjergj Nikolla – Migjeni, Asim Vokshi, Abdulla Çanga dhe Engjëll Kosmaçi në Pukë.

                                                             

Fig.1  Certifikate mirenjohje per punen ne zyren postare Puke 1932

  Në vitin 1928 Rasim Juniku kishte filluar punën si praktikant në postën e Pukës. Me përkushtimin dhe korrektësinë e tij në punë ai ishte dalluar shpejt si një nga punonjësit më të përpiktë të shërbimit postar shqiptar.  Ai kishte besuar gjithmonë se njeriu kishte për detyrë të jepte kontributin e tij për vendin dhe për shoqërinë. Sipas bindjes së tij, njeriu nuk duhej vetëm të jetonte, por edhe të punonte për të mirën e atdheut dhe për përparimin e vendit.

                                                            

                   Fig2. Ekspozite filatelike ne Bajram Curri 1987

                                                                                 

Fig3. Me pasion tregon eksponatet e ekspozites 1987

Përveç punës në shërbimin postar, Rasim Juniku kishte zhvilluar një pasion të veçantë për filatelinë, e cila me kalimin e viteve u bë një nga dashuritë më të mëdha të jetës së tij. Ai ndiente krenari sa herë që shihte në pulla postare simbolet kombëtare shqiptare, si shqiponjën dykrenore, portretin e Skënderbeut, pamje nga trevat shqiptare, elemente të arkeologjisë apo kostume popullore. Për këtë arsye ai kishte filluar t’i grumbullonte dhe t’i ruante me kujdes, duke i konsideruar një pasuri të çmuar kulturore.Me nje vullnet te pazante ,ai iu kishte përkushtuar mbledhjes së pullave të postës shqiptare kudo që mund t’i gjente. Me ndihmën e miqve dhe bashkëpunëtorëve ai kishte arritur të siguronte në koleksionin e tij edhe pullën e parë postare shqiptare të nxjerrë nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës më 5 maj 1913, si dhe shumë seri të tjera pullash të nxjerra në qytete të ndryshme të vendit gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore dhe më pas gjatë periudhës së mbretërisë së Ahmet Zogut. Një nxitje e rëndësishme për ta thelluar këtë pasion kishte qenë edhe njohja e tij me poetin Migjeni në Pukë. Nëpërmjet miqve dhe bashkëpunëtorëve, si Engjëll Kosmaçi dhe të tjerë, Rasimi kishte zgjeruar rrethin e njohjeve dhe interesave të tij kulturore. Ai merrte shpesh letra nga vende të ndryshme, në zarfat e të cilave kishte pulla të ndryshme postare, i ruante me kujdes dhe përpiqej të mësonte sa më shumë për historinë dhe origjinën e tyre, sepse për të, çdo pullë përfaqësonte një vend, një kulturë dhe një periudhë historike, pullat postare ishin si lajmëtarë të vegjël të kontinenteve, sepse në një hapësirë të vogël ato përfaqësonin jetën, historinë dhe kulturën e popujve të ndryshëm.

                                                                       

  Fig.4 Kujdesi ne pregatitjen e ekpozites Kukes 1985

Qendrimi i Rasim Junikut ne shoqeri nuk ishte indiferent, por me karakterin e tij dashamires,ndjenjat e tiaj patriotike dhe pasionin per kulturen perpiqej ti transmetonte tek brezi ri,dhe per kete ai ishte njepjesmarres dhe inisiator i veprimtarive të rëndësishme kulturore. Ai kishte hapur tri ekspozita te sukseseshme filatelike, përkatësisht në Kukës më 1985, në Pukë më 1986 dhe në Bajram Curri më 1987. Këto ekspozita kishin tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve dhe kishin qenë një mënyrë për të promovuar kulturën filatelike. Në ekspozitat e tij ai kishte paraqitur edhe libra të rrallë dhe objekte të tjera muzeale që lidhen me historinë dhe kulturën shqiptare. Ndër to përmendeshin koleksionet e gazetave “Bashkimi”, “Drita”, “Kukësi i Ri” dhe libra të tjera me vlerë historike e kulturore. Për disa vite ai kishte drejtuar edhe rrethin e filatelistëve të rinj pranë Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës, duke ndihmuar të rinjtë të njihnin më mirë historinë dhe vlerat e pullave postare. Ne nje interviste ne radio Kukesi shprehej: ”Vertete jam i moshuar, por besoj se jam edhe ne rreshtat e pare te me te rinjve. Kush merret me filatelili nuk ka pleqeri…”.

               

  Fig5. “Mirenjohje” me rastin e 100 vjetorit te krijimit Postes Shqiptare

 Pasioni i tij për filatelinë e kishte lidhur Rasim Junikun me shumë filatelistë të njohur nga vende të ndryshme. Ai mbante një korrespondencë të pasur me koleksionistë dhe studiues të filatelisë, ndër të cilët përmenden Idriz Fishta në Shkodër, Robert Ballauri në Tiranë dhe shumë të tjerë. Nëpërmjet kësaj korrespondence, ata shkëmbenin jo vetëm materiale filatelike, por edhe të dhëna e informacione mbi botimet më të fundit të pullave postare, si në Shqipëri ashtu edhe në vende të tjera të botës.

Megjithatë, jeta e Rasim Junikut nuk kufizohej vetëm në pasionin për filatelinë. Ajo kishte një lidhje të thellë dhe të pandarë me çështjen e Kosovës dhe me të ardhmen e saj, e cila për më shumë se një shekull kishte jetuar nën presionin dhe dhunën e politikës serbomadhe. Kjo ndjenjë e fortë patriotike e kishte shtyrë atë të mbante një korrespondencë të gjerë me personalitete të politikës në Shqipëri dhe në Kosovë, si edhe me figura të njohura të politikës ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli, Itali dhe në vende të tjera. Në këto letra ai shprehte shpesh respektin dhe vlerësimin e tij për politikën e vendeve perëndimore dhe për rolin vendimtar që kishte luajtur NATO në çlirimin e Kosovës. Një jehonë të veçantë patën edhe letrat që ai i kishte dërguar Papa Gjon Palit II, të cilin e falënderonte për mbështetjen morale ndaj popullit shqiptar dhe e ftonte të vizitonte Kosovën, e cila sapo kishte dalë nga lufta dhe kishte fituar lirinë e saj.

Fig6. Kopje  e letres se derguar Papa Gjon Palit te 2-te ne Vatikan, 1996

Në përfundim të këtij shkrimi mund të themi me bindje se Rasim Juniku la pas një trashëgimi të pasur shpirtërore dhe materiale. Si rezultat i pasionit të tij të madh dhe kërkimeve të palodhura ndër vite, ai arriti të krijojë një koleksion të rëndësishëm filatelik. Ky koleksion përbëhej nga 13 albume, të cilat përfshinin një numër të madh zarflash FDC (First Day Cover) dhe shumë seri pullash postare, të sistemuara me kujdes sipas kritereve shkencore. Kjo pasuri përbën një kontribut të vyer për historinë dhe zhvillimin e filatelisë shqiptare dhe, fatmirësisht, sot kujdeset dhe zhvillohet më tej nga djali i tij i vogël, Shpëtimi, i cili vazhdon me përkushtim këtë traditë familjare.

                                                             

Fig 7  Aktivitet filatelik Kukes,1996

Me figurën e tij, Rasim Juniku përfaqësonte patriotin e përkushtuar kosovar, njeriun e kulturës dhe intelektualin që, edhe në fushën e koleksionizmit, u shqua si një përfaqësues i denjë i kësaj veprimtarie në kulturën e kombit tonë. Ai u nda nga jeta në vitin 2000, duke lënë pas kujtimin e një njeriu të përkushtuar ndaj dijes, kulturës dhe historisë së vendit të tij.

Filed Under: Histori

Shpirti arvanitas në Rilindjen Europiane për atdheun e humbur

March 21, 2026 by s p

Ndriçim Kulla/

Në historinë e qytetërimit europian, Rilindja Europiane nuk ishte thjesht një kthim te antikiteti, por një ringjallje e thellë e vetëdijes njerëzore, një çlirim i mendjes dhe një rivendosje e dinjitetit të individit në raport me botën. Brenda këtij universi të ri shpirtëror, ku latinishtja u bë gjuha e mendimit dhe arti një formë e lirisë, një vend të veçantë zë edhe kontributi i arbërorëve dhe arvanitasve, bij të një atdheu të humbur, por jo të harruar.

Ky shpirt arvanitas, i përndjekur nga historia dhe i shpërndarë në brigjet e Italisë, Greqisë dhe më gjerë, nuk u tret në harresë; përkundrazi, ai u sublimua në dije, në art dhe në filozofi. Në këtë mënyrë, mërgimi u kthye në një formë të veçantë të atdhedashurisë: një atdhe që nuk mbrohej më me shpatë, por me penë, me mendim dhe me krijim.

Në rrafshin e parë të kësaj pranie intelektuale qëndrojnë humanistët e shkencës dhe filozofisë, si Gjon Gazulli, një nga figurat më të hershme që lidhi traditën shqiptare me dijen perëndimore. Ai nuk ishte vetëm një dijetar i kohës së tij, por një dëshmi e gjallë se kultura arbërore kishte rrënjë të thella në universin europian të mendimit. Pas tij, figura si Nikollë Leonik Tomeu dhe nxënësi i tij Mihal Artioti vazhduan këtë traditë, duke e shndërruar dijen në një urë midis identitetit të tyre të humbur dhe botës së re që i kishte pranuar.

Në një tjetër dimension, ai i artit dhe letërsisë, shfaqen figura që jo vetëm u integruan në Rilindjen Europiane, por edhe e pasuruan atë. Poeti latin Mikel Maruli, me vargjet e tij, ringjalli frymën klasike duke i dhënë asaj një ton të brendshëm tragjik, një mall për një origjinë të humbur. Në skulpturë, Andrea Aleksi dëshmon për një ndjeshmëri estetike që i përkiste jo vetëm një shkolle artistike, por një kujtese kolektive që kërkonte të materializohej në gur. Ndërsa në pikturë, emra si Viktor Karpaçi dhe Mark Bazaiti përfaqësojnë një kulm të ndërthurjes së kulturave, ku origjina arbërore nuk shuhet, por shndërrohet në një dimension të heshtur të krijimit.

Por ajo që e bën këtë kontribut të veçantë nuk është vetëm prania e këtyre individëve në historinë e Rilindjes, por mënyra se si ata e përjetuan këtë epokë. Për ta, Rilindja nuk ishte vetëm një lëvizje intelektuale, por edhe një akt shpëtimi. Ata i përkisnin një bote që po zhdukej nën pushtimin osman, një bote që nuk mund të mbrohej më fizikisht. Kështu, ata zgjodhën një formë tjetër rezistence: ruajtjen e identitetit përmes universalizmit.

Latinishtja, gjuha në të cilën ata shkruan, nuk ishte një mohim i origjinës, por një strategji e mbijetesës kulturore. Duke shkruar në gjuhën e përbashkët të Europës, ata siguruan që zëri i tyre të dëgjohej, që kujtesa e tyre të mos mbetej e izoluar në një hapësirë të mbyllur. Në këtë kuptim, panteoni i humanistëve arbërorë në latinisht nuk është një humbje identiteti, por një zgjerim i tij, një hyrje dinjitoze në historinë e mendimit europian.

Ky fenomen duhet parë edhe në një plan më të gjerë. Arbërorët dhe arvanitasit nuk ishin thjesht pjesëmarrës në Rilindjen Europiane; ata ishin bartës të një përvoje historike të veçantë: përvojës së humbjes dhe të rikrijimit. Në një Europë që po kërkonte të ringjallte antikitetin, ata sillnin me vete një tragjedi moderne, atë të një atdheu të pushtuar. Dhe pikërisht kjo tragjedi i jepte thellësi kontributit të tyre.

Në këtë mënyrë, shpirti arvanitas shfaqet si një ndërthurje e dy forcave: e kujtesës dhe e krijimit. Ai nuk mbeti i ngujuar në nostalgji, por u shndërrua në një energji që prodhoi dije, art dhe mendim. Ky është paradoksi i tij më i madh: duke humbur tokën, ai fitoi një hapësirë më të gjerë, atë të kulturës europiane.

Prandaj, kur flasim për kontributin e shqiptarëve në Rilindjen Europiane, nuk duhet të kufizohemi vetëm në emra apo vepra. Duhet të kuptojmë frymën që i lëvizi ata: një përpjekje për të mos u zhdukur, për të mos u bërë hije në historinë e të tjerëve. Ata zgjodhën të bëhen pjesë e historisë universale, duke ruajtur në heshtje një identitet që nuk kërkonte zhurmë, por që jetonte në çdo vepër të tyre.

Filed Under: Politike

“Saint Paul in Dyrrach”

March 20, 2026 by s p

Federata Pan-Shqiptare “VATRA” në Boston, Së bashku me me degën e Worcesterit dhe Kishën Ortodokse Shqiptare të “Shën Trinisë”, ju fton në prezantimin publik të librit “Saint Paul in Dyrrach” (Shën Pavli në Durrës) nga Prof. i Asoc. Thanas Gjika.

E diel, 29 mars 2026, Ora 12:30pm

Adresa: 245 D Street, South Boston, MA

Parkingu:Përballë ose në rrugë falas

Një aktivitet me vlera historike dhe shpirtërore për të gjithë komunitetin shqiptar.

Jeni të mirëpritur!

Filed Under: Vatra

THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

March 20, 2026 by s p

Një gur themeli për kulturën shqiptare në diasporë.

Nga Frank Shkreli

Ditët e fundit, këtu në Shtetet e Bashkuara, pronari i Shtëpisë Botuese në Tiranë Z. Bujar Hudhri dhe shqiptaro-amerikani, Dr Pashko Camaj hapën librarinë online ‘Alblibris’, me libra fizikë, për të gjithë shqiptarët e Amerikës, por jo vetëm. AlbLibris – Libri shqip në SHBA –Themelimi i “Alblibris” në Shtetet e Bashkuara përfaqëson një nga nismat më domethënëse kulturore të shqiptarëve në diasporë dhe — në shumë kuptime — të parën e këtij lloji në Amerikë.

Në një realitet shpesh të vështirë të jetës në Shtetet e Bashkuara, ku komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë historikisht i fokusuar në mbijetesë ekonomike dhe integrim social, krijimi i një strukture kushtuar librit shqip — qoftë si platformë botuese, shpërndarëse apo promovuese – plotëson një nevojë të kahershme dhe përbën një akt vizionar nga ana e nismëtarve të këtij projekti. “Alblibris” nuk është thjeshtë një ndërmarrje kulturore, se në të vërtetë, ai mund të shndërrohet në një institucion identiteti për komunitetin shqiptaro-amerikan, në rritje e sipër.

Për dekada, libri shqip në Amerikë ka qenë i fragmentuar. Është e vërtetë se ka pasur dhe ka botime sporadike, por me promovim dhe shpërndarje të kufizuar, pikërisht, për arsye të një mungese infrastrukture profesionale siç është struktura e posa themeluar për librin shqip, “Alblibris”, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Edhe figura historike të shqiptarëve të Amerikës, si Faik Konica apo Fan Noli e kuptonin se pa një bazë të qëndrueshme kulturore në diasporë, si organizata, gazeta e libra, eventualisht, rrezikohej – ashtu siç ka ndodhur edhe me shumë grupe etnike në këtë vend, të zbehej, gradualisht, identitetit kombëtar, Besoj që themelimi i “Alblibris” të mbush boshllëkun e deritanishëm kulturor të komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe më gjërë. Në këtë kuptim, “Alblibris” vjen si përgjigje konkrete ndaj një boshllëku të gjatë – me themelimin e saj si një qendër ku libri shqip jo vetëm botohet, por edhe qarkullon, promovohet dhe diskutohet.

Prandaj themelimi i kësaj qendre kulturore është i rëndësishëm në disa nivele, që në shumë pikëpamje, kanë rëndësi strategjike me disa dimensione. Siç iç theksova më lartë, institucionalizimi i librit shqip në diasporë – për herë të parë — krijohet një platformë e strukturuar në SHBA. Kjo qëndër siguron edhe një ndërlidhje me autorët shqiptarë – një urë e drejtpërdrejtë mes krijuesve, shkrimtarëve dhe poetëve në Shqipëri, Kosovë dhe lexuesve në Amerikë. Mbi të gjitha, kjo qëndëër me misionin e saj të përhapjes së librit shqip, synon ruajtjen e gjuhës shqipe – veçanërisht për brezat e rinj shqiptaro-amerikanë që rriten larg atdheut. Mund ë shërbejë gjithashtu edhe si një shërbim pozitiv në fushën e “diplomacisë kulturore”, libri si ambasador i identitetit shqiptar në shoqërinë amerikane

Më kujtohet kur punoja për seksionin shqip të Zërit të Amerikës gjatë 1970-ave, kur me qëllim të ishim në kontakt me gjuhën e përdorur në mediat e kohtë propagandës së atëhershme të Shqipërisë komuniste – porosisnim, gazeta, revista e libra, nepërmjet një kontakti në Itali e që na vinin në thasë një herë në gjashtë muaj ose njëherë në vjet. Për fat të mirë, ajo kohë nuk është më dhe me të drejtë tani konsiderohet si periudha e territ kulturor. Prandaj themelimi i “Alblibrit” këto ditë në Shtetet e Bashkuara duhet të vlerësohet edhe si një nismë me peshë historike, në këtë kohë, për komunitetin tonë këtu në Shtetet e Bashkuara.

Ndonëse shekulli i kaluar për shqiptarët e Amerikës është shënuar, kryesisht, nga gazeta si Dielli dhe të tjera, më pak të njohura dhe organizata si Vatra — shekulli XXI kërkon institucione të reja që i përgjigjen kohës digjitale dhe nevojave të reja gjuhësore e kulturore. Në këtë prizëm, “Alblibris” mund të konsiderohet vazhdim i natyrshëm i kësaj tradite — por në një nivel të digjitalizmit, natyrisht, shumë më të specializuar dhe professional se në të kaluarën.

Natyrisht se çdo nismë në fillim, nuk është e lehtë, sidomos një projekt i kësaj natyre. Sfidat janë reale! Ndoshta treg i kufizuar, konkurrencë me botimet anglisht, kostoja logjistike dhe për ne shqiotarët, ashtu siç është zakoni, mungesë e politikave mbështetëse. Por pikërisht këto e bëjnë nismën edhe më të vlefshme. Megjithë këto sfida me të cilat mund të përballet “Alblibris”, perspektiva e suksesit është gjithashtu e mirë, nëse ky projekt mbështetet nga brezi i tanishëm i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe nëse gjënden mënyra për të bashkëpunuar edhe me institucione të ndryshme arsimore e kulturore. Në atë mënyrë, “Alblibris”, ka mundësi të kthehet në një pikë referimi për librin shqip në mbarë diasporën shqiptare

Themelimi i “Alblibris” nuk është thjesht një lajm kulturor – por është një zhvillim me peshë historike, nëse i prihet për së mbari në këtë rrugëtim historik. Ky projekt është dëshmi e gjallë se diaspora shqiptare në Amerikë po hyn në një fazë të re kulturore në fillim të shekullit XXI, ashtu si edhe në fusha të tjera të jetës në Amekë: drejt vetëdijes kulturore dhe një kontributi të qëndrueshëm, gjuhësor, kulturor dhe shpirtëror për komunitetin shqiptaro-amerikan.

I urojmë suksese “Alblibris” – në këtë mision që i shëren diasporës dhe Kombit. Me rastin e themelimit të “Alblibris” në Shtetet e Bashkuara nga botuesi Bujar Hudhri dhe Dr Pashko Camaj, ju urojmë vetëm sukseset më të përzemërta në këtë rrugëtim fisnik dhe me peshë kombëtare. Kjo nismë nuk është vetëm një ndërmarrje kulturore, por një shërbim i vyer ndaj gjuhës shqipe, librit shqip dhe identitetit shqiptar në diasporë. Urojmë që në gjurmët e traditës së ndritur të themeluesve të Federatës Vatra dhe të mendimit të thellë të figurave të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan të të gjitha kohërave — Faik Konica e Fan Noli, “Alblibris” ka potencialin të bëhet një vatër e re e dijes dhe e kulturës shqiptare në Amerikë. Me këmbë të mbarë!

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROBERT LULGJURAJ – NJË KANDIDATURË QË ZGJOI, BASHKOI DHE KRENAROI KOMUNITETIN SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Presidenti Wilson, Konferenca e Paqes, Çështja Adriatike dhe fati i Shqipërisë
  • Arbëreshët e Italisë, një histori italiane që kërkon të njihet
  • Republika në udhëkryq, kur ndryshimi i sistemit bëhet detyrim kombëtar
  • Pullat e taksës shqiptare dhe kontributi i Mirgen Shamllit në studimin e tyre
  • Kapitalizmi shqiptar dhe urrejtja komuniste…
  • At Leonard de Martino, Ati françeskan që mëkoi me dije dhe dritë, At Gjergj Fishtën, shpirtin dhe penën e shërbesës së shqiptarisë
  • ANSAMBLI I HASIT “PJETËR BOGDANI”– AMBASADOR I FOLKLORIT HASJAN DHE I KULTURËS KOMBËTARE
  • Gala Koncerti në Ohër – Festë e artit dhe bukurisë
  • Shkrimtari Arben Rogova vizitoi Vatrën
  • Rilindasi At Shtjefën Gjeçovi
  • Pse duhet ta lexojmë Andon Zako Çajupin?
  • Kujtojmë në ditën e tij të lindjes atdhetarin e shquar Sotir Peci
  • Albanian americans support the protests in Tirana
  • NJË DITË “AMBASADOR” I LIBRAVE TË MI…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT