
Artan Nati/
Njeriu nuk lind me një pasaportë në shpirt. Ai lind vetëm me një pyetje që do ta ndjekë gjithë jetën: “Kush jam unë?” Përgjigjja nuk shkruhet në certifikatën e lindjes dhe as në kartën e identitetit. Ajo formohet ngadalë, nga gjuha që dëgjon në djep, nga përrallat e gjyshes, nga buka që ndahet në sofër, nga këngët që këndohen në dasma, nga mënyra se si një popull qan të vdekurit dhe feston lindjen e një fëmije. Në fund të fundit, njeriu nuk është vetëm produkt i gjeneve të prindërve, është edhe produkt i kujtesës së shoqërisë ku rritet. Ne trashëgojmë jo vetëm ngjyrën e syve, por edhe mënyrën se si shohim botën. Jo vetëm zërin, por edhe fjalët që zgjedhim. Jo vetëm fytyrën, por edhe turpin, krenarinë, frikën dhe shpresat. Prandaj psikologët flasin për identitetin si boshti që mban të bashkuar copëzat e jetës sonë. Edhe kombet kanë një bosht të tillë. Ai nuk ndodhet në kromozome, por në atë që mund ta quajmë metaforikisht ADN-ja sociale. Është kodi i padukshëm që na mëson si të sillemi me mikun, si ta presim të huajin, si ta nderojmë të moshuarin, si ta kuptojmë fjalën e dhënë dhe si ta përjetojmë turpin kur e shkelim atë.
Problemi fillon kur ky kod zëvendësohet me një tjetër të importuar, jo sepse është më i mirë, por sepse është më në modë. Atëherë shfaqet shqiptari i shekullit XXI: pi ekspreso italiane, ha sushi japonez, feston Halloween amerikan, përdor fjalë anglisht në çdo fjali, por nuk di më t’i tregojë fëmijës së vet pse babai ngrihej në këmbë kur hynte një plak në dhomë. Ka mësuar të porosisë “flat white”, por ka harruar të urojë “të bëftë mirë”. Kjo nuk është kozmopolitizëm, por është harresë kulturore. Mjafton të shohësh disa dasma shqiptare. Dikur ato ishin një festë ku çdo këngë tregonte një histori dhe çdo valle kishte një kuptim. Sot shpesh ngjajnë si një kopje e lirë e një videoklipi ndërkombëtar: hyrje me fishekzjarre, tym artificial, vallëzim sipas TikTok-ut dhe tortë me pesë kate, ndërsa askush nuk mban mend dy vargje të një kënge popullore. Tradita nuk është zëvendësuar, por është marrë me qera për një natë dhe nuk quhet dasëm, por event. Edhe gjuha po pëson të njëjtin fat. Dikur njerëzit krenoheshin që flisnin bukur shqip. Sot disa krenohen më shumë që nuk e flasin mirë. Çdo fjali është bërë një koktej ku anglishtja, italishtja dhe shqipja grinden për “modernitet”.
Nuk është problemi se dimë gjuhë të huaja, por problemi është kur fillojmë të kemi nevojë për një përkthyes për të kuptuar gjyshen tonë. Kur kjo ADN kulturore këputet, njeriu nuk bëhet automatikisht modern. Ai bëhet konsumator i identiteteve të gatshme. Ndërron stile siç ndërron markat e telefonit. Sot sillet si amerikan, nesër si italian, pasnesër si turk, ndërsa në fund nuk është më asnjëri. Satira është se ne shpesh e quajmë këtë “progres”. Në fakt, progresi nuk është të kopjosh gjithçka që vjen nga jashtë. Progres është të kesh vetëbesimin për të zgjedhur. Japonezët u modernizuan pa pushuar së qeni japonezë. Finlandezët nuk hoqën dorë nga finlandezëria për t’u bërë europianë. Grekët vazhdojnë të debatojnë si grekë edhe kur përdorin teknologjinë më të avancuar. Vetëm ne kemi prirjen ta ngatërrojmë modernizimin me maskimin. Një komb nuk humbet kur mëson gjuhë të huaja, kur udhëton apo kur përvetëson teknologji të reja. Humbet kur fillon të turpërohet nga vetja. Sepse çasti kur një shoqëri fillon të ketë komplekse për gjuhën, historinë dhe karakterin e saj, atëherë ajo nuk po ndërton të ardhmen, por fshin kujtesën. Dhe një popull pa kujtesë është si një njeri me amnezi që ecën, flet, konsumon, voton, madje edhe feston, por nuk mban mend më se kush është.
Nëse një i huaj do të donte të mësonte shqipen e sotme, nuk do ta dërgoja as te Akademia e Shkencave dhe as te Fjalori i Gjuhës Shqipe. Do ta çoja për një orë në Parlament.
Pas asaj seance, ai do të dilte me bindjen se gjuha zyrtare e Shqipërisë është një përzierje ekzotike mes shqipes, anglishtes, italishtes dhe disa tingujve të pakuptueshëm që nuk i njeh askush. Shpesh nuk është e qartë se ku fillon kryefjala dhe ku mbaron kallëzuesi. Fjalitë ngrihen me shumë entuziazëm, por rrëzohen para se të mbërrijnë te kuptimi. Sintaksa duket si një ndërtesë e nisur pa projekt: disa tulla shqip, disa anglisht, pak italisht për fasadë dhe shumë beton retorik. Dëgjon një deputet që thotë: “Duhet të implementojmë një new approach për performancën e governance-it në raport me stakeholders.” Në fund mbetet pyetja e vetme logjike: Po shqip, vallë, çfarë donte të thoshte Është krijuar ideja se sa më shumë fjalë të huaja të përdorësh, aq më inteligjent dukesh. Nëse thua “zbatim”, rrezikon të dukesh provincial. Nëse thua “implementim”, fiton menjëherë një aureolë eksperti. “Takim” tingëllon i zakonshëm; “meeting” ka më shumë kolesterol intelektual. “Palët e interesuara” janë njerëz të zakonshëm, ndërsa “stakeholders” tingëllojnë sikur kanë zbritur nga një konferencë në Bruksel. E njëjta epidemi ka prekur edhe një pjesë të opinionistëve televizivë. Për të shpjeguar një fenomen që gjyshi do ta shpjegonte me pesë fjalë të pastra shqip, nevojiten njëzet minuta dhe një arsenal termash në anglisht. Nuk flitet më për “ndikim”, por për “impact”. Nuk ka më “rrëfim”, por “narrativë”.
Nuk thuhet “kornizë”, por “framework”. Nuk flitet për “zgjidhje”, por për “roadmap”. Në fund të emisionit, shikuesi nuk është bërë më i ditur, është bërë dygjuhësh pa dëshirën e tij. Ironia është se shqiptarët krenohen se flasin një nga gjuhët më të vjetra të Evropës, por shpesh sillen sikur ajo nuk ka fjalë të mjaftueshme për të shprehur mendimin modern. Sikur shqipja të ishte e aftë vetëm për këngë popullore dhe dolli dasmash, ndërsa ekonomia, filozofia, teknologjia dhe politika kërkojnë domosdoshmërisht përkthyes. Natyrisht, askush nuk e mohon se disa terma teknikë ndërkombëtarë janë të nevojshëm. Çdo gjuhë huazon. Edhe shqipja ka huazuar ndër shekuj. Por ndryshimi është se dikur huazonim sepse na mungonte fjala, por sot shpesh huazojmë edhe kur fjala ekziston. Nuk është nevoja që udhëheq huazimin, por snobizmi. Ja si do të tingëllonte një emision televiziv:
Revolucioni i Flamingove. Një mbrëmje në studion televizive
Moderatorja: Mirëmbrëma! Sonte do të analizojmë fenomenin më të ri politik: Revolucionin e Flamingove. Është revolucion ekologjik, estetik, ideologjik apo thjesht një sfond i bukur për Instagram?
Grida: Unë mendoj se nuk duhet ta shohim flamingon vetëm si flamingo. Flamingoja është një narrativë fluide e identitetit post-modern, ku individi dekonstrukton hapësirën simbolike përmes performancës kolektive…
Curri: Dakord… por unë kam vetëm një pyetje. Flamingot kanë ardhur të protestojnë apo kanë humbur rrugën për në lagunë?
Lorenci: Nuk është kaq e thjeshtë. Historia na mëson se çdo revolucion fillon me një simbol. Francezët kishin Bastijën, rusët kryqëzorin “Aurora”, ndërsa ne kemi flamingon. Është progres. Më mirë rozë se gri.
Moderatorja: Pra, flamingoja është simbol politik?
Grida: Jo vetëm politik. Është një akt rezistence semiotike ndaj paradigmës tradicionale të pushtetit.
Curri: Përktheje në shqip, të lutem. A bëhet fjalë për zogun apo jo?
Lorenci: Ju po e nënvlerësoni. Në Ballkan çdo zog, kafshë apo pemë ka potencial elektoral. Shqiponja ka qenë e zënë prej kohësh. Flamingoja gjeti një boshllëk në treg.
Grida: Në fakt, flamingoja sfidon binaritetin klasik të protestës. Nuk marshon drejt pushtetit; ajo performon ekzistencën.
Curri: Domethënë nuk proteston, por bën koreografi?
Moderatorja: A mund ta rrëzojë një flamingo një qeveri?
Grida: Debati nuk duhet reduktuar në politikë. Këtu kemi të bëjmë me një ndërgjegjësim kolektiv ekologjik.
Evropa nuk ka nevojë për një Shqipëri që kopjon gjithçka, por për protesta paqësore si kjo që po përjetojmë. Ka nevojë për një Shqipëri që respekton ligjin si gjermanët, punon me përkushtim si zviceranët, mbron institucionet si vendet nordike, por ruan shpirtin e saj, gjuhën e saj dhe aftësinë për ta bërë mikun të ndihet si në shtëpi. Ashtu si Italia i dha Evropës Rilindjen, Greqia filozofinë, Britania parlamentarizmin dhe vendet nordike kulturën e besimit institucional, edhe Shqipëria ka diçka për të dhënë: përvojën e mbijetesës, kulturën e mikpritjes, energjinë e diasporës, gjuhën e saj të lashtë dhe një identitet që ka mbijetuar mes perandorive. Në fund të fundit, integrimi evropian nuk është emigrim kulturor. Nuk është dorëzim identiteti. Është një marrëveshje e pashkruar: ne i japim Evropës më të mirën që kemi, ndërsa marrim prej saj më të mirën që ajo ka ndërtuar. Vetëm kështu nuk bëhemi një kopje e askujt, por një shoqëri më e mirë se ajo që ishim dje.