Nga Enver Bytyçi/
Albanofobia ka një histori të gjatë. Ajo ka lindur bashkë me lindjen e platformave nacionaliste të Greqisë, Serbisë dhe vendeve të tjera rreth nesh. Kjo dukuri është pasqyruar saktë dhe mirë në veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç´ka qenë, ç´është dhe çdo të bëhet”. Por albanofobia është riformuluar, ushqyer dhe mbajtur gjallë në të gjitha kohët, që prej kohës kur fqinjët tanë qenë marrë vesh në pragun e pavarësisë së Shqipërisë për ndarjen e territoreve shqiptare. Ajo marrëveshje e fshehtë fillimisht midis Serbisë dhe Greqisë e më pas me Malin e Zi dhe Bullgarinë tashmë është bërë publike dhe ekspertët, studiesit e historianët e kanë klasifikuar si marrëveshje antishqiptare. Ndërsa sot albanofobia po shfaqet në formën e bllokimit të saj për të mbërritur në destinacionin integrues, në Bruksel. Ndërkohë në historinë e saj njëshekullore, por edhe më parë, nuk ka hartuar e nënshkruar asnjë dokument antiserb, antigrek, antimalazez ose antibullgar.
Festa e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë zbuloi një risi të panjohur më parë. Për herë të parë gjatë periudhës njëshekullore shqiptarët dëshmuan se janë faktor kryesor në rajon. Për herë të parë në historinë 100 vjeçare ata festuan në Shkup, në Prishtinë, në Tiranë, në Vlorë e madje edhe në Preshevë. Për herë të parë ne shqiptarët u ndjemë të lirë, në kuptimin real e më të plotë të fjalës. Ishte kjo ngjarje, e cila de facto i bashkoi shqiptarët, por ndërkohë shkaktoi reagime te fqinjët tanë. Dy prej tyre, presidenti maqedonas dhe ministri i Jashtëm i Greqisë në shenjë proteste refuzuan të merrnin pjesë në festimet e 100 vjetorit tonë panshqiptar. Ata nuk thanë se ishin të tronditur nga uniteti dhe bashkimi i shqiptarëve në liri, por shfrytëzuan ca kokrra vezë në xhamet e kryeministrit maqedonas dhe një fjali të kryeministrit Berisha për padrejtësinë historike të bërë ndaj shqiptarëve, brenda së cilës përfshihet Preveza, për të anoluar pjesmarrjen në festime. Mjaftoi që të përmendej emri i Prevezës, të banuar para 100 vitesh mbi 90 për qind prej shqiptarëve, dhe qeveria greke të nxirrte dhëmbët e saj kërcënues. Të njëjtën gjë u përpoqën të bëjnë dhe maqedonasit hajdutë të historisë dhe trashëgimisë kulturore të Shkupit.
Kushdo që ka ndjekur fjalimet, deklaratat, festimet, ka mbërritur te përfundimi se shqiptarët tashmë duhen llogaritur si faktor i padiskutueshëm. E ndërkohë të duket se deri në këto kohë ne nuk ishim llogaritur si faktor, edhe pse ishim këta që jemi sot. Fjalimet, veçmas ato të kryeministrit shqiptar, patën përmbajtje patriotike. Ato nuk patën asnjë konotacion nacionalist, me të cilat mund të llogaritet përdorimi i dhunës për ndryshimin e kufijve, apo për bashkimin me dhunë të shqiptarëve. Formula e Berishës ishte dhe mbetet e thjeshtë: Të bashkohemi si shqiptarë të lirë në Bruksel. Ata që janë mësuar të paragjykojnë i lexuan deklaratat e Berishës si “projekt për krijimin e Shqipërisë së Madhe”. Të tillë pati dhe vijojnë të shpallen me shumicë dhe brenda nesh, sidomos ndër politikanët e opozitës. Kurse fqinjët tanë shkuan edhe më tej – thanë se Shqipëria kërcënon paqen e sigurinë në rajonin e Europës Juglindore.
Eshtë shumë e sigurt se deklarimet e Berishës nuk kanë asnjë qëllim krijimin e ndonjë fantazme të fabrikuar në Beograd, Athinë e gjetke sa i përket asaj që quhet “Shqipëri e Madhe”. Por është fakt se festimet e 100 vjetorit të pavarësisë i bashkuan shqiptarët më shumë mes tyre dhe ngritën në një shkallë maksimale frymën patriotike ndër ne. Pikërisht ky moment ishte i dhimbshëm për fqinjët tanë, të cilët reaguan ashpër dhe me tone shoviniste, si gjithnjë në historinë tonë 100 vjeçare.
Nga studimi i këtij fenomeni më rezulton se ekziston ende në kokat e udhëheqësve politikë në Athinë dhe në Beograd projekti i “mbajtjes nën kontroll” të një Shqipërie të vogël, të tkurrur, të dobët, të paaftë për të reaguar ndaj orekseve shoviniste dhe të drobitur deri në atë masë, sa të mos jetë e zonja të reagojë kurrënjëherë e për kurrëfarë provokacioni, imponimi dhe ndërhyrje të fqinjëve tanë. Ky projekt i hartuar nga ish-kryeminsitri serb, Nikolla Pashiç dhe ish- kryeministri grek, Venisellos, në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të kaluar, ka lënë gjurmë dhe mbahet në sirtarët e politikës shtetërore në vendet tona fqinjë si model për intervenime permanente kundër shqiptarëve. Ky projekt ka ushqyer gjithashtu në çdo kohë albanofobinë ballkanike dhe ka bërë shpesh herë që të gjithë fqinjët tanë, ashtu si në Luftrat Ballkanike të para 100 vjetëve, të bashkohen në politikat e tyre antishqiptare. Ky është një fakt, të cilin nuk do të munden ta zhbëjnë as historianët më në zë të botës së civilizuar.
Të mësuar e të shoqëruar me një albanofobi të stërgjatur, albanofobët ballkanikë janë shqetësuar së tepërmi nga ajo çfarë panë e çfarë ndodhi në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë sonë. Prandaj dhe reaguan deri në atë masë, sa në Bruksel eurodeputetët grekë të deklarohen se “Në Greqi kurrë nuk kanë banuar shqiptarë”. Në librin tim “Shqiptarët, serbët dhe grekët” kam dhënë me qindra fakte e prova, me të cilat provohet se në Greqi kanë jetuar dhe jetojnë tri kategori shqiptarësh: Shqiptarët e Çamërisë, shqiptarët arvanitas dhe emigrantët e kohëve tona moderne. Këto fakte dhe prova janë mbështetur në shumicën e rasteve nga arkivat dhe dokumentet, botimet dhe shkrimet e autorëve grekë.
Por çfarë vihet re? Nëse deklaratat e Berishës për Prevezën, si territor i banuar dikur me shqiptarë, interpretohen si nacionaliste, ndonëse kjo është thjesht një deklaratë që i referohet historisë, deklaratat e politikanëve grekë, se “Në Greqi nuk paska pasur kurrë e nuk paska minoritet shqiptar”, kalojnë si pa u vënë re. Dhe megjithëse Europa ka si standard të saj kryesor mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kur është fjala për Greqinë ajo e bën një sy qorr e një vesh shurdh. Ndërsa në Bruksel sponsorizohen reagime të ashpra për një aksident automobilistik të ndonjë minoritari grek në Shqipëri, heshtet dhe nuk dëgjohet aspak, kur dikush në parlamentin e europian, ngrihet dhe mohon ekzistencën e shqiptarëve si minoritet në Greqi. Para dy ditësh këtë sjellje jo normale e kritiko ashpër eurodeputeti gjerman, Bernd Posselt, i cili foli ndryshe nga kolegët e tij, duke përmendur se shqiptarët në Ballkan një një ndër popujt më të vjetër dhe se të drejtat e tyre janë mohuar nga Europa.
Standardi europian i gjykimit të europianëve rreth qëndrimeve nacionaliste është shumë i diferencuar jo vetëm sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Standardi i tillë diferencues është shfaqur edhe në fushën e sigurisë e të krijimit të klimës paqësore në bashkëpunimin rajonal. Kur grekët këndonin në paradë ushtarake vargje me të cilat bëhet thirrje që me zorrët e shqiptarëve të bëhen opinga, europianët heshtën. Për Brukselin kjo sjellje greke nuk ishte kërcënim dhe përpjekje për destabilizim të sigurisë dhe paqes në rajon. Ndërsa një deklaratë historike e kryeministrit të Shqipërisëe cila ka sjell në vëmendje një të vërtetë të pamohueshme, shërbeu këto ditë për kritika të ashpra në parlamentin europian, madje me paralajmërime për uljen e “toneve nacionaliste”. Po pse u dashka që vetëm “tonet nacionaliste” të shqiptarëve të quhen “të rrezikshme”. Kjo është njëra anë. Shembulli i dytë mbetet sjellja e Beogradit. Edhe pse në kushtetutën e Serbisë rivendikohen territore të shteteve fqinjë, përkatësisht Kosovës, edhe pse veprimet nacionaliste të Beogradit kanë provokuar destabilizimin e paqes e të sigurisë në Kosovë e në rajon, edhe pse udhëheqësit nacionalistë e ekstremistë në pushtet të implikuar në krime kundër shqiptarëve sillen me prepotencë nacionaliste, ata përshëndeten, nderohen e respektohen në Bruksel, madje veprimet e tyre shihen si shprehje e “qëndrimeve konstruktive”!!!
Duke medituar në këtë frymë, më vjen në imagjinatë rasti i Shkupit. Aty po fallsifikohet historia me qëllim që të mbahen gjallë ethet e nacionalizmit të Nikolla Gruevskit. Po tjetërsohet historia e Shkupit dhe e Maqedonisë, prejardhja dhe lavdia e Aleksandrit të Madhe e deri te ajo e Nënë Terezës. Po në Europë askush nuk ngrihet e të thotë diçka, aq më pak ta paralajmërojë dhe ndëshkojë Shkupin zyrtar për ndjenjat nacionaliste dhe albanofobinë që nxit dhe ushqen në këtë vend. Vetëm shqiptarët “janë fajtorë”, sipas përceptimit europian.
Ndërsa për shqiptarët ndodh ndryshe, edhe kur ata nuk e tejkalojnë etikën dhe nuk tolerojnë dhunën për qëllime nacionaliste. Të bën përshtypje kur sheh si fajësohen shqiptarët e Kosovës pse ata mund të flasin diçka të papëlqyeshme për ndonjë ose disa politikanë në Bruksel. Madje ata u ndëshkuan ditët e fundit nga Këshilli i Ministrave të BE-së, duke ua refuzuar fillimin e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, gjë për të cilën kishin marrë një premtim të qartë. Kjo marrëveshje u asocua krejt papritmas me bisedimet me Beogradin e para së gjithash me “zgjidhjen e çeshtjes së serbëve” në veri të Mitrovicës. Mjafton ky lloj formulimi që të bëjmë një parashikim të errët të së ardhmes së Kosovës. Lidhja e “suksesit” në veri nga ana e qeverisë së Prishtinës me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për integrim europian është thika më e mprehtë europiane në shpinën e Kosovës. Kondicionimi i tillë do të thotë më së paku autonomi substanciale për rreth 40 mijë serbët e veriut të Kosovës e për pasojë bllokim të institucioneve, bllokim të marrjes së vendimeve, kantonizim në llojin boshnjak të Kosovës, përfundimisht perspektivë të zymtë e ndoshta integrim të pamundësuar të saj në strukturat e Bashkimit Europian. Ndonëse Martti Ahtisaari ishte përfaqësues i BE-së në hartimin e dokumentit të statusit të Kosovës dhe ky dokument u pranua plotësisht nga pala shqiptare, Europa ndryshoi qëndrimin e saj në standardet që vetë kishte vendosur për shqiptarët, duke kërkuar de facto ndryshimin në favor të Serbisë të atij dokumenti. Nëse shqiptarët refuzojnë, Brukseli kërcënon: Nuk ka integrim, nuk ka marrëveshje asocim.stabilizimi?!!! Kaq lehtë e ushtrojnë në Bruksel presionin e tyre ndaj institucioneve të Prishtinës e ndaj shqiptarëve, sa të duket se gjithçka imponohet prej andej e shumë herë në favor të orekseve serbe në territorin e shtetit të Kosovës.
Ndërkaq Beohgradit i janë hapur të gjitha kanatat, portat dhe dyert për të shkuar sa më shpejt në tavolinën e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, ashtu siç i dhanë edhe kryesimin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Ndërsa serbët shkojnë deri në karrigen e parë të OKB-së si nacionalistë, shqiptarët ndëshkohen, paralajmërohen dhe madje kërcënohen pse ruajnë gjakftohtësinë, disiplinën politike dhe pse janë mbështetësit më të zjarrtë të integrimeve europiane. As vetë gjermanët, hollandezët e popuj të tjerë themelues të BE-së nuk janë proeuropianë sa shqiptarët. Mos ndoshta kjo është arësyeja pse BE mban një qëndrim të tillë antishqiptar?! Do të duhen studime dhe kërkime të shumta për ta vërtetuar këtë hipotezë. Por intuita më çon në vërtetësinë e maksimës “Fëmija që nuk qan, nuk usheqehet nga e ëma”. Shqiptarët nuk qahen, nuk kërcënojnë, madje shprehen më europianë se europianët e për këtë shkak në Bruksel ndëshkohen sa herë që dosja jonë vihet në tavolinën e politikanëve.
Nëse nuk do të kishte ndodhur kjo me Kosovën, ndoshta do të isha i prirur të besoja në formulën se “politika shqiptare nuk është e pjekur që Shqipërisë t´i jepet statusi i vendit kandidat”. Por nuk rezulton kështu. Më krijohet përshtypja se edhe Maqedonia po ndëshkohet për shkak se aty shqiptarët përbëjnë 40-50 përqind të popullsisë dhe jo për shkak të një konflikti banal, “Ndërroje ose mos e ndërro emrin”. Më bëhet të besoj se Brukseli është shumë i interesuar që pesë vende të unionit të vijojnë të mos e njohin shtetin e pavarur të Kosovës, ashtu siç duket i interesuar që të mbahet pezull i ashtuquajturi konflikt greko-maqedon, me qëllim gjetjen e një alibie për ta bllokuar integrimin e Maqedonisë në BE. Në Bruksel duket fort qartë se ka interesa të kundërta sa i përket integrimit të shqiptarëve në Unionin Europian. Sipas tyre, integrimi i plotë i tyre do të thotë përfundimisht njohje e plotë e shtetit të Kosovës, më tej njohje e plotë e rolit shtetformues të shqiptarëve në Maqedoni, forcim të pozitave të Shqipërisë Londineze e pas kësaj, në mënyrë demokratike, askush nuk do të mund ta pengonte dëshirën e tyre të jetonin nën një çati të përbashkët. Çatia e përbashkët e shqiptarëve mund të kishte emër të ndryshëm, federatë, konfederatë, lidhje shtetesh apo ku e di unë çfarë. Dhe kjo do të mund të arrihej pasi të gjithë bashkë të takoheshim në Bashkimin Europian. Pikërisht këtë, pra bashkimin e shqiptarëve në Bruksel, përpiqen albanofobët ta pengojnë, ndonëse kjo është strategjia politike e nacionale e politikës shqiptare në të gjitha trevat ballkanike.
Fatkeqësisht qarqe të caktuara në Bruksel kanë gjetur në Shqipëri disa shërbëtorë të zellshëm dhe i nxisin ata për revolucione, dhunë, revoltabojkote e bllokime, me qëllim krijimin e alibisë në politikën e tyre albanofobike. Nuk është zor të inkurajosh një ose dy politkanë me ndikim që të të japin alibinë e kundërshtive. Nëse nuk do të kishte ndodhur bllokimi i tri ligjeve në parlamentin shqiptar nga opozita, ka shumë mundësi që albanofogët në Bruksel të sponsorizuar nga mafia politike antishqiptare në rajon të kishin sajuar diçka tjetër shtesë për ta bllokuar dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Në Bruksel ka nga ata që mendojnë se pikërisht për të çbllokuar refuzimin e opozitës t´i jepej Shqipërisë statusi e me vullnet të mirë Këshilli i MInistrave mund të deklarohej publikisht: “Edhe pse kreu i opozitës shqiptare dëshiron ta bllokojë integrimin, ne nuk do t´i ndëshkojmë shqiptarët.
Duke u fokusuar në këtë aspekt, çdokush konstaton faktin se shqiptarët janë të injoruar dhe të diskriminuar nga disa europanë. Por si ndodh atëherë që ne shqiptarët në masën 87 përqind votojmë për të qenë pjesë e unionit Europian?! Kjo vjen për shkak të së kaluarës historike tonës, për shkak të vokacionit perendimor që kemi pasur në historinë tonë. Jemi i vetmi komb ballkanik, i cili në çaste dramatike për Europën, kemi sakrifikuar veten për mbrojtjen dhe ruajtjen e identiteti të saj. Jemi i vetmi komb ballkanik që në themelin e gjuhës sonë kemi alfabetin latino-europian. Jemi i vetmi komb ballkanik, që kemi pranuar me bindje e pa vështirësi të gjitha këshillat e të gjithë këshilltarët europianë, duke filluar te Princ Vidi, dhe që shprehim nderimin tonë të thellë për veprën e tyre. Jemi i vetmi komb ballkanik, që ruajmë mirënjohen si shprehje të karakterit dhe moralit tonë. Ndërsa shumë prej europianëve, me qëndrimet e tyre albanofobike na shtyjnë deri në dëshprim, duke na vënë alternativën: – Mos ndoshta duhet ndryshuar kursi ynë për të na vlerësuar më shumë dhe për të na dhënë vendin që na takon në Bashkimin Europian?! Megjithatë një debat në parlamentin europian ka zbuluar diversitetin që ekziston sa i përket qëndrimit ndaj Shqipërisë. Si thamë në fillim, deputetët grekë, thuajse njëzëri reaguan me ashpërsi kundër Shqipërisë dhe deklaratave të kryeministrit shqiptar gjatë festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë. Ndërsa eurodeputeti gjerman, Bernd Posselt, theksoi se “pranimi i Shqipërisë në BE është në dorën e shqiptarëve dhe jo të komunistëve grekë”. Dhe shtoi se “Shqipërisë i janë bërë padrejtësi, që në Kongresin e Berlinit”, duke ripohuar deklarimet e kryeministrit shqiptar. Denoncimi i një eurodeputeti gjerman i padrejtësive të Kongresit të Berlinit pati një vlerë të dyfishtë: Nga njëra anë ai pranoi gabimet e paraardhësve të tij dhe nga ana tjetër vuri në piskamë faktin se Kongresi i Berlinit ishte zanafilla e nismës europiane për copëtimin e territoreve shqiptare, në atë rast më së shumti në favor të Greqisë. Ndërkohë shqiptarët pas Berlinit i mbrojtën trojet e veta në reqonë e sotme me vendosmëri e sakrifica të mëdha.
Sjellja e disa qarqeve europiane ndaj shqiptarëve më jep ndjesinë se edhe viti 1997 ishte sajuar mes tjerash për ta ndërprerë integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ritmet e zhvillimit të para atij viti sollën në vëmendje faktin se Shqipëria mund të afrohej shpejt me standarde në portat e Brukselit, por shumë europianë nuk donin që Tirana zyrtare të gjendej aty para Beogradit zyrtar. Dhe fatkeqësisht kështu ndodhi. Madje punët shkuan deri aty sa autorë të krimit të vitit 1997 ta keqpërdorin këtë fakt, duke akuzuar se “Ne jemi të fundit, pas Serbisë”.
Dhe jo vetëm kaq, por edhe krijimi i së paku dy organizatave politike, njërës në Tiranë dhe tjetrës në Prishtinë, të cilat shfaqen me veprime ekstreme, duket se është porositur diku për të barazuar viktimën, shqiptarët, me agresorët e kriminelët, serbët. Një iniciativë për referendum për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, të cilën ambasadori amerikan, Arvizu, e kritikoi ashpër, mua më duket si pjesë e lojës që dikush në Bruksel e gjetkë të justifikojë alibinë, sipas të cilës “Shqiptarët janë problemi i Ballkanit”. Kjo iniciativë vjen në kundërshtim të vetë interesave të shqiptarëve. Nëse ne do të bënim një referendum të tillë në këto kohë, atëherë do të tërhiqnim vëmendjen nga qëllimi kryesor – integrimi – dhe do të harxhonim energji për bashkimin administrativ të shqiptarëve, duke i kontribuar një trendi antishqiptar të zhvillimit. Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë faktorë në kohët e izolimeve. Ata u bënë faktor në rajon në kohën e globalizimit. Për këtë arësye mbështetja për integrimin është rruga më e mirë dhe më e sigurt për të rritur rolin e përgjegjësinë e shqiptarëve në Ballkan. Ndërkaq një referendum në kohët e sotme për bashkim, do t´i kontribuonte tezës së ish-presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, i cili deklarohej se Beogradi është i gatshëm ta zgjidhë me Tiranën konfliktin shqiptaro-serb. Kjo do të thoshte e do të thotë, ndarjen automatike të Kosovës, nëse ajo bashkohet me Shqipërinë. Kuq e Zinjtë dhe Vetëvendosja nuk e kanë bërë të qartë sesi do ta evitonin këtë ndarje, në rastin e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Dhe nëse ata janë të mendimit se në këmbim të bashkimit do të duhet të jepnin territore, atëherë kjo e ve në diskutim gjithë programin politik të shpallur si program nacionalist të këtyre dy organizatave politike.
Eshtë evident fakti se europianë të caktuar, të mbështetur nga Serbia e Greqia punojnë për të gjetur alibi e bashkëpunëtorë në këto alibi brenda në Shqipëri, në Kosovë e në trevat e tjera ku jetojnë shqiptarët. Më pas ata gjejnë pa vështirësi aleatë në Bruksel dhe prej këtej zgjerohet harta e albanofobisë, së paku në nivelin e paraqitjes së shqiptarëve si “rrezik dhe problem për paqen e stabilitetin në Ballkanin Perendimor”. Por kjo nuk do të thotë se politika shqiptare duhet të mbërrijë në nivelet e servilizmit idiotesk ndaj çdo projekti dhe këshille europiane. Ajo e ka për detyrë të ndërtojnë krahas strategjisë së mirëkuptimit edhe strategjinë e imponimit. Ndërsa e para ka qenë dhe është e vetmja rrugë e ndjekur deri më tash, deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë në 100 vjetor, duket së synojnë strategjinë e imponimit. Dhe një kombinim i të dy rrugëve, përkatësisht mirëkuptimit dhe imponimit, do t´u bënte mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve.