
Prof.dr. Pal Nikolli/
Kur mbaron durimi i popullit dhe lind kërkesa për një demokraci të vërtetë.
Ka një çast në jetën e një shoqërie kur heshtja nuk është më durim, bindja nuk është më pajtim dhe frika nuk është më pengesë për të kërkuar ndryshim. Është çasti kur grumbullimi i padrejtësive e kapërcen kufirin e durimit qytetar dhe pakënaqësia shndërrohet në revoltë. Kur qytetarët ngrihen për të kërkuar ndryshim, kjo nuk ndodh gjithmonë sepse dikush i thërret. Ndonjëherë, ata ngrihen sepse nuk mund të vazhdojnë të jetojnë si më parë.
Shqipëria duket se po përballet me një pikë kritike të marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve dhe pushtetit. Pakënaqësia e akumuluar ndër vite po kërkon të shndërrohet në zë, në qëndresë qytetare dhe në kërkesë për ndryshime të thella në mënyrën se si ushtrohet pushteti. Pas dekadash premtimesh, zhgënjimesh, shpresash të parealizuara dhe mundësish të humbura, pyetja nuk është më vetëm se kush duhet ta qeverisë Shqipërinë, por edhe në interes të kujt qeveriset ajo dhe kujt i përket, në të vërtetë, e ardhmja e saj.
Një vend mund të ndërtojë kulla, të hapë rrugë, të mbushë horizontin me vinça dhe të shpallë projekte madhështore, por nuk mund të konsiderohet i zhvilluar nëse qytetarët e tij nuk kanë mundësi të sigurojnë punë të denjë, banesë të përballueshme, arsim cilësor, shërbime shëndetësore të aksesueshme dhe sigurinë se e ardhmja do të jetë më e mirë se e tashmja.
Moderniteti nuk matet vetëm me lartësinë e ndërtesave, por edhe me cilësinë e jetës dhe dinjitetin e njerëzve që jetojnë në to.
Shteti nuk është pronë e pushtetit
Një nga deformimet më serioze të demokracisë është krijimi i perceptimit se shteti dhe institucionet e tij janë vazhdimësi e partive politike që fitojnë zgjedhjet.
Në këtë logjikë, fitorja elektorale nuk shihet si marrje e një mandati të përkohshëm për administrimin e interesit publik, por si e drejtë për të kontrolluar institucionet, për të ndikuar mbi administratën dhe për të orientuar burimet ekonomike të vendit sipas interesave të pushtetit.
Por zgjedhjet nuk i japin askujt pronësinë mbi shtetin.
Qeveria merr mandatin për të qeverisur, jo për të sunduar. Parlamenti është institucioni i përfaqësimit politik të qytetarëve, jo një mekanizëm që duhet të miratojë automatikisht çdo vendim të shumicës. Administrata publike duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe jo të shndërrohet në një strukturë shpërblimesh për militantët partiakë. Drejtësia duhet të zbatojë ligjin në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, pa u orientuar nga interesat e atyre që ushtrojnë pushtet.
Kur këto parime dobësohen, demokracia mund të vazhdojë të ekzistojë në formë, por humbet një pjesë thelbësore të përmbajtjes së saj.
Përqendrimi i tepruar i pushtetit përbën një rrezik të veçantë për funksionimin demokratik të shtetit. Sa më shumë përqendrohet vendimmarrja, aq më të kufizuara mund të bëhen mundësitë e komuniteteve për të përcaktuar përparësitë e tyre. Sa më e dobët të jetë llogaridhënia, aq më i madh bëhet rreziku që interesi publik të zëvendësohet nga interesat partiake ose private.
Reforma administrative dhe territoriale duhej të sillte shërbime më cilësore, administrim më efikas dhe zhvillim më të balancuar të territorit. Nëse rezultatet konkrete tregojnë largim të shërbimeve nga komunitetet, dobësim të përfaqësimit vendor ose varësi të tepruar nga vendimmarrja qendrore, atëherë modeli duhet të vlerësohet dhe, kur është e nevojshme, të rishikohet.
Decentralizimi nuk është thjesht ndarja e territorit në njësi administrative. Ai nënkupton aftësinë reale të komuniteteve për të marrë vendime për çështjet që u përkasin, brenda kufijve të ligjit dhe duke mbajtur përgjegjësi për administrimin e burimeve të tyre.
Sovraniteti popullor nuk mund të reduktohet në një votë çdo katër vjet. Ai duhet të shprehet edhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
Foto: politiko.al