• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Testament poetik i Anton Çefës

December 20, 2018 by dgreca

DOLI NGA SHTYPI LIBRI MË I RI I ANTON ÇEFËS/

1 Anton Cefa Libri.jpg

Anton Çefa vjen me librin e tij më të  ri me titull “Fjala shqipe si zjarri i shejtë” nën siglën”Botimet FISHTA”. Ky është libri i 19-të i Çefës. Po sjellim për lexuesit parathënien e librit.

***

3-anton_cefa

Testament poetik i Anton Çefës/

Libri”Fjala shqipe si zjarr i shejtë” dëshmon pjekurinë artistike të shkrimtarit Anton Çefa dhe konsolidim të stilit të tij krijues!/

dalip-ok

Nga Dalip GRECA/

Libri i ri shkrimtarit Anton Çefa “Fjala shqipe si zjarr i shejtë” përgjatë leximit të përcjell ndjesinë e një testamenti shpirtëror e poetik njëherazi, sa artistik aq edhe atdhetar. Të krijohet kjo ndjesi sapo troket në libër, në esenë-prozë poetike, ATDHEU YNË SHQIPERIA, apo tek mbush fort mushkëritë me ajër për të lexuar me një frymë dhe deri në fund vargjet e mrekullueshme tek “Filli i Fjalës” apo “Atdheu”,- të bashkuara me thënien brilante të Apostullit të Shqiptarizmit, Mithat bej Frashërit, që përcjell aksiomën e dashurisë për Atdheun: “Kriter për veprimet tona kemi dashurinë për Atdheun, dashurinë pa kufi, pa kushte, dashurinë si ajo e mëmës për fëminë e saj . . .  Kundrejt Atdheut kemi vetëm detyrë,  asnjë të drejtë, përveç të drejtës që ta adhurojmë.”…

Edhe Anton Çefa e adhuron Atdheun, herë me dashuri e herë me dhimbje që të këput shpirtin e ta drithëron zemrën. Tek proza poetike, autori ndërsa zbërthen kuptimin leksikor të emërtesave”Atdhe”-“Mëmëdhe”,duke i pagëzuar në gjuhën shqipe me emrat e prindërve, përcjell lidhjen e fortë dhe të pandashme me Atdheun, ashtu si fëmijët kanë me prindërit. Përmes një gjuhe të lëmuar, si mjeshtër i shqipes, Çefën e ndihmon dhe stili i tij i veçantë i të shkruarit, kur herë-herë përsëritet fjala bazë që përmbanë mesazhin, ndërkohë që fjalia ka një ritëm të brendshëm që të mrekullon: “Atdheu është toka jonë, trojet tona, trojet e dheut, trojet e shpirtit, trojet e gjakut, trojet e frymës, trojet e gëzimit, trojet e dhimbjes; të dhimbjes nga dashuria, të dhimbjes nga vuajtja, të dhimbjes nga dhimbja.”…Bukur! Komenti është i pavend.

Autori ndjehet krenar për historinë e Atdheut të vet dhe ka mall për të. Edhe pse të duket sikur një tis patetizmi është hedhur mbi Atdheun, ai është origjinal, është i besueshëm, është njerëzor: “Kur jemi afër, të shohim me sy, të prekim me dorë, të puthim me buzë; kur jemi larg, të shohim me mall, të prekim me afsh, të ndjejmë me dhimbje…” Është krejtësisht e vërtetë. Kush nuk i ka përjetuar këto ndjesi?!

Edhe në poezinë “Filli i Fjalës” poeti vrapon prej fëmijërie në dashuri të pafund për Atdheun: Përtej dashurisë, nana./ Përtej flijimit, Atdheu….

Ndërsa në poezinë “Atdheu” ka një bashkëbisedim poetik të tij me Atdheun të ngjajshëm me atë të një djaloshi të dashuruar me vashën e tij të zemrës: Nemitem para bukurisë…. Lule të trëndafilta elbaroze/ Bien mbi ballin tand, / Kundërmim gjethesh e bari të blerë. /Në folenë e buzëqeshjes tande, /Gugatë nji jetë n’shperthim./ Dhimbje që grafullon në shpirt./  Dhe para gjithkohësisë sate…/

Poezia ëshët e ndërtuar mbi dy linja, atë të dashurisë së pakufi ndaj atdheut dhe mesazhin e mos harresës. Poeti nuk shan, nuk bërtet, nuk inatoset me Shqipërinë e vet, por e porosit atë që të mos i harrojë; ulurimat, britmat, krimin, rënkimet e ajrit, shiun që pikonte gjak, derisa shpërthen:

Shqiperi, ti dhimbje e thekshme, /Shqiperi, ti dashuri e përjetshme,/ Shqiperi, ti mall i pamatun,/ A ndigjon, ti, zanin e erës / Si dikur, Ulurimat, britmat ? /Mos harro ! / Kurr mos harro/ Krimin që nuk njihte vllanë,/ Rrënkimet e ajrit, /Shiun që pikonte gjak prej qielli,/ Mos harro natën e gjatë /Me putrat e randa të errësinës ! Fal, Po mos harro!/

Anton Çefa në përshkrimin poetik të 100 viteve të Shqipërisë në “Kryqzimin e kohëve”, ndalet krenarisht tek 28 Nëntori i Pavarësisë(1912)-kur Atdheu u nis në rrugën e tij/ Të dritës,/ Të Flamurit,/ U dridh nga gëzimi dora e shejtë e Plakut/ Dhe i dha fluturimin valëvitës shqiponjës/ Dhe shtizës dridhjen….Por, ah, : Shtizë që nuk qëndron si duhet/ Në kryqëzim të ernave e kohëve./

Në pak vargje poeti thotë shumë, aq sa historianit do t’i duheshin vëllime.

Më pas ai ndalet tek viti ters-1913, kur: U çanë qielli e malet / Mbi teh të ndarjes, / U nis lumi e bjeshka,/ Kullat, kasollet e zemrat u nisën./ Loti i bigëzuem i Shqiponjës/ Kulloi dhimbje,/ Prizreni mbeti diku/ Dhe Vlona në emnat e fëmijëve.

Metaforikisht poeti i ka thënë të gjitha, sërish në pak rreshta. Ai vetëm denocon dhe vuan vendimin e Europës, që në nxori në treg 2/3 e territoreve shqiptare, ndau Prizrenin me Vlorën…dhe Vlora, Berati, Saranda, Shkumbini, mbetën në emrat e vajzave dhe djemëve kosvarë!

Por tragjeditë s’kishin të sosur për shqiptarët. Vjen 1944-ra, kur : Në skenë të kohës/ Shkëlqen kamë e Makbetit/ Dhe ne / Autorë dhe aktorë të nji tragjedije/ Të turpshme…

Shiheni, autori përdor shumësin: “Ne”…në fakt ishin “Ata”! Paçka pse autori qe dënuar dhe vetë me heshtje…

Në pak vargje, poeti përcjell 45 vite dhimbje, gremisje në greminën e kohës absurde(1945-1990), kur shqiptarët të vetëizoluar përjetuan të tjera tragjedi: Natë me shti gishtat ndër sy, /Por duhet me i thanë mëngjes, /Mëngjes me diell, bile. /Oh sa t’i  merrka dielli sytë…/ Ecim përpara , me hapin lart, marshojmë,/ Me kangë në gojë, në buzë!/ S’e dijmë ku shkojmë, /Por të gjitha rrugët të çojnë atje . . . . . / n’greminë…/

Poeti së bashku me të gjithë popullin e vet përjeton andrrën e zgjimit më 1991, kur: Shpirtnat/ Të humbun prej kohësh / Zgjohen në kërkim t’vetvetes…Por, medet, se një natë e erërt, e kobshme, po vinte…Viti i mbrapshtë- ’97-ta, kur: Me duer mizore/ Nekrologjinë i ban/ Flamurit Vlona./ Shpirti i Shqiponjës dihat/ Në buzë të honit….

Po sot, ku është Shqipëria? Poeti nuk flet, veç sjell dy citate. Lexuesi e nxjerr vetë përfundimin:

Shqiperia sot

“Pa demokratë nuk ka demokraci”- Fukuyama

“Ma të zi se komunistat janë vetëm komunistat antikomunista” – Vaclav Havel

Edhe pse libri”Fjala shqipe si zjarri i shejtë” ka një ndërthurje të gjinive të krijimit, poezi dhe prozë,ai ka të përbashkët stilin poetik dhe mesazhin qytetar dhe artistik që përcjell.

Do të veçoja për realizim artistik: NË KËRKIM TË FJALËS SË URTË; NËN KUPOLA SHPELLASH (Atë Pjeter Bogdanit); “MË KA ZËNË SHQIPJA” (FAN NOLIT); KU TA VE EPITAFIN ? (P. Gjergj Fishtës); ZBARDHUN NGA BRENGË E FJALËS (Prof. Eqrem Çabejt), JU S’KENI  EMNA( MARTIRËVE TË DIKTATURËS), IKE MBAS DYERSH MERMERI (FREDERIK RRESHPES); etj…

Ndërsa për poezitë erotike do të thoja se ato janë perla të rralla, që do t’i krahasoja me ata stolat e rrallë të vendosur në një park për t’u shlodhur vizitorët. Kështu dhe në këtë libër, lexuesi pasi përjeton dhimbshëm shqetësimet, dhimbjet dhe dashuritë e poetit, e gjenë qetësinë tek poezitë erotike….Janë të mrekullueshme, pak lasgushiane, por të Antonit.

Libri dëshmon pjekurinë artistike të shkrimtarit Anton Çefa dhe konsolidim të stilit të tij krijues!

* Parathënia e librit

Filed Under: LETERSI Tagged With: dalip greca, i Anton Çefës, Testamenti poetik

E padukshmja është e pavlerësuar…

December 20, 2018 by dgreca

1 qerim vrioni

Mbi librin e ri “Pikëllim në një foto të vjetër” të studiuesit Qerim Vrioni/

Nga Astrit Lulushi/

Për shumë njerëz asgjë nuk është aq e padukshme sesa një e vërtetë. Edhe pse qëndron para syve, shtyhet nën hundë, ose kalon në grykë – ata nuk e shohin, nuk e ndjejnë, nuk e shijojnë. Libri “Pikëllim në një foto të vjetër” përmban pikërisht thelbin e kësaj të vërtete. Autori  Qerim Vrioni – kërkues i palodhur e këmbëngulës i arkivave të fotografisë – ia kushton këtë studim të mirëfilltë, fotografit Kolë Maca (1882-1945, veprimtaria e të cilit ka mbetur pak e njohur. Maca i përket viteve të trazuara kur ekzistenca e Shqipërisë ndodhej në balancë; kjo përbën domosdoshmëri që figura e Macës – këmbëngul Qerim Vrioni – duhet të rilindë, sepse mjaft ka mbetur e harruar.

Kultura shqiptare është treguar e padrejtë me figurën e Kolë Macës, autor i shumë fotove monumentale historike, veçanërisht ato nga rrethimi i Shkodrës më 1913. E padrejtë, kultura shqiptare, ende e politizuar, është treguar edhe me shumë figura të tjera, të cilat, ngadalë apo me shpejtësinë e hapit të breshkës, kanë filluar të rehabilitohen, megjithëse jo të plota, siç është rasti i kohës së fundit me Mid’hat Frashërin, të cilin politika sot kërkon ta shfrytëzojë për shumë gjëra, por jo për atë që është më e rëndësishme, për meritat si Ati i nacionalizmit a patriotizmit shqiptar. Dihet se për 45 vjet fajin e kishte diktatura. Për këto 28 vjet pas diktaturës, faji ka mbetur jetim.

E padukshmja është e pavlerësuar. Për mijëra vjet, urtësia transmetohet nga brezi nē brez pikërisht sepse ajo është e urtë, shpreson të zbulohet. Njerëzit sot gjithnjë e më pak lexojnë, si ata që vijnë në jetë, kalojnë në ‘të, por nuk e njohin, dhe ndahen prej të panxënë, trashëgimia e tyre vdes bashkë me ‘ta. “Lirova shumë skllevër, por mund të kisha liruar mijëra të tjerë, nëse e dinin se ishin skllevër”, shkruante në kujtimet e saj Harriet Tubman (1820-1913), e cila shpëtoi nga skllavëria qindra zezakë, duke përdorur rrjetin e ashtuquajtur Hekurudha e Nëndheshme, gjatë Luftës Civile amerikane.

Libri “Pikëllim në një foto të vjetër” (EMAL, Tiranë 2018), është i thjeshtë në vëllim (85 fq.), por i shkruar me finesë e imtësi që vetëm një studiues i mirëfilltë si Qerim Vrioni di të përcjellë. Libri, i ndarë në rreth 10 kapituj, me një album fotosh të Kolë Macës, dhe një bibliografi botimesh vendase e të huaja, përbën edhe një mësim të hollësishëm të historisë së luftës  për mbrojtjen e Shkodrës nga sulmi i forcave malazeze në vitin 1913,  e parë kjo qëndresë nëpërmjet syrit të fotografit Kolë Maca.

Filed Under: Kulture Tagged With: “Pikëllim në një foto të vjetër”, Astrit Lulushi, Qerim Vrioni

“Shkatërrimi kreativ” i sistemit

December 20, 2018 by dgreca

Një shtet si Shqipëria, që politikisht e ekonomikisht shtrëngohet për fyti nga banda e oligarkë sidhe ekonomia kapitaliste mbi të cilën bazohet ekzistenca e tij, mund të shpëtohet nga sa po i ndodh vetëm me një mrekulli të tillë- “shkatërrimi kreativ”/

1 Lindita Komani

Nga Lindita KOMANI/

Disa muaj më parë një gazetare e re në moshë foli dhe pa i bërë syri tërr u përball me kryeministrin me probleme të theksuara personaliteti. Të gjithë e duartrokitën për guximin.

U mendua se ishte ajo dhe kaq.

Me protestën e studentëve po kuptohet që nuk bëhet fjalë për dukuri individuale të një gazetareje guximtare por për një brez të tërë, brezi i të rinjve që nuk i bën syri tërr.

Të rritur në liri e pa imponimin “mos bëj këtë!” e “mos bëj atë!” e mbi të gjitha të mësuar që në moshë të njomë me të drejtën e tyre që të mbrojnë të drejtat e tyre, ata vijnë në këtë çast X dhe në mënyrë të natyrshme bëjnë një shkundje si kjo që po ndodh.

Më e bukura është që ata funksionojnë të pavarur, nuk e lënë veten të përdoren, janë kreativë, në ajër e kapin dhe kuptojnë fjalën e njëri-tjetrit, duke shfaqur në këtë mënyrë një inteligjencë emocionale që të rriturit vetëm se mund t’ua kenë zili.

Në mënyrë organike po zbulohen, filtrohen dhe po shmangin të injektuarit nga jashtë natyrshmërisë së tyre, prurjet nga partitë e organizatat pranë politike që synojnë pushtet politik e duan të përvetësojnë frymën e revoltës.

Ashtu si duhet të ndodhë me lëvizjet e vërteta transformuese, dialog nuk ka, ka “shkatërrim kreativ”.

“Shkatërrimi kreativ” në sistem, apo më mirë meqë është ende në fillesë, krisja thelbësore që studentët po mundësojnë me revoltën e tyre, me këmbënguljen për të drejtën që u takon për arsim e dije dhe që ka potencialin që të çojë në “shkatërrimin kreativ” të sistemit, është një dëshmi që liria është një vlerë e jashtëzakonshme për një shoqëri.

Në kapitalizëm, sikurse është sjellë qartë e thjesht nga studiuesi austriako-amerikan Joseph Schumpeter, “shkatërrimi kreativ” dëshmon të jetë forca e vërtetë shpëtuese e sistemit nga monopoli e të ngjashmit e tij.

Një shtet si Shqipëria, që politikisht e ekonomikisht shtrëngohet për fyti nga banda e oligarkë sidhe ekonomia kapitaliste mbi të cilën bazohet ekzistenca e tij, mund të shpëtohet nga sa po i ndodh vetëm me një mrekulli të tillë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: “Shkatërrimi kreativ”, i sistemit, Komani, lindita

Përgjumja e shqiptarëve në Maqedoni

December 20, 2018 by dgreca

“Një popull që flen, ai popull vdes”. (Ismail Qemal Vlora)/

arben-llalla

Nga Arben LLALLA/

Më në fund partitë politike shqiptare hoqën dorë butësisht nga kërkesat e shqiptarëve për barazi me qytetarët sllavë në Maqedoni. Prej shumë vitesh shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të mashtrohen nga intelektualët me kapacitete të kufizuara për interesa të tyre personale. Kaluan kaq vite dhe shqiptarët ende janë qytetarë të kategorisë së dorës së dytë ku i mohohet shkollimi në gjuhën amtare si në shek.19, flamuri kombëtar tashmë me ligj është zvogëluar duke e humbur krenarinë shqiptare, shkatërrimi ekonomik i ndërmarrjeve të mëdha, degradimi i fesë etj. Për të larguar vëmendjen nga këto probleme shoqërore që ndeshen shqiptarët në Maqedoni prej shumë vitesh sistemi shtetëror i ndihmuar nga grupe të ndryshme intelektualë shqiptar të vënë në shërbim të interesave sllave shpikin probleme të reja të cilat nuk kanë lidhje fare me atë se çfarë po ndodh në të vërtetë me shoqërinë shqiptare. Kjo lloj metodë hynë në luftërat e qeta të cilat zhvillohen me “Armët e heshtur”. Armët e heshtura janë avancuar si pasojë e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik këto 30 vitet e fundit. Kjo ka bërë që pushteti të veprojë në kohën e duhur me anë të elitave të saja për të ndalur zhvillimin e klasës së mesme e cila gjithnjë historikisht ka udhëhequr revolucionet. Kështu, sistemi shtetëror ka më shumë kontroll mbi popullin dhe pushtetin e gjerë duke bërë të mundur izolimin e tyre. Kuptohen se të gjitha këto bëhen që shqiptarët të mbeten të prapambetur dhe mos të kenë informacionet e duhura se çfarë po ndodh me botën përreth.

Kujtesa e dobët e votuesve shqiptar ka bërë që askush të mos flasin dhe të shkruaj për të dënuarit padrejtësisht të rastit të Sopotit, për vrasjen dhe burgosjen e ish-ushtarëve të UÇK-së, rasti i Kondovës, për vrasjen e një studenti shqiptar më 2005 në dhomën e tij nga policia në Tetovë, për vrasjen e Harun Aliut, për burgosjen e shqiptarëve, rastit Mostra, rasti i Kumanovës, për rrahjet e nxënësve shqiptar nëpër autobuzë, për premtimet që partitë shqiptare u betohen votuesve të tyre, etj.

Shqiptarët në Maqedoni protestuam disa herë për luftërat qytetare në Egjipt dhe Siri duke kërkuar me të drejtë ndaljen e tyre dhe paqja të mbizotërojë në këto shtete, por shqiptarët kanë disa vite që nuk po protestojnë për të drejtat e tyre që shkelen çdo ditë me të dyja këmbët në Maqedoni. Deputet shqiptar, ata papagallët xhuxhmaxhuxh që dikur çirreshin në emër të luftës dhe viteve të burgjeve të ish-Jugosllavisë janë fshehur pas gishtit sepse i mbushën xhepat duke siguruar të ardhmen e fëmijëve të tyre me pasuri të bërë në emër të Patriotizmit.

Është për të zënë kujën kur shikon familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës së 2001 në një varfëri të thellë, prej kaq vitesh ata u mashtruan për pensione dhe përkrahje nga partia që thirren në emër të luftës, por në të vërtetë ajo është thjeshtë parti si shumë partitë të tjera që u përkasin vetëm 2-3 personave për përfitime biznesesh personalë. Dikur një ministër çirrej se janë ngritur komisione të punës për të krijuar bazën ligjore për tu dhënë pensione, por në të vërtet asgjë nuk u bë, çdo deklaratë e këtij ministri kokëtul kishte qenë gënjeshtër si shumë gënjeshtra që thonë përditë përfaqësuesit e votës shqiptare në Maqedoni.

            Ende vazhdon të qarkullojë Enciklopedia e famshme sllave që ofendon kombin shqiptar dhe asgjë nuk u bë, as nuk u ndal e as nuk u korrigjua. Fëmijët shqiptar mësojnë nëpër shkolla me tekste shkollor që ofendohet kombi i tyre dhe asnjë inspektor i arsimit nuk ka kërkuar ndalimin e këtyre teksteve shkollorë.

Jemi dëshmitarë që arsimi shqip po degradon sot duke e ulur cilësinë e sajë dhe na ushqyer me injorancë dhe mediokritet. Shtresat e ulëta sociale shkollohen me modesti duke bërë të mundur që hendeku midis klasës shoqërore të lartë dhe të ulët të ketë një hapësirë ndarje të pakapshme. Shumë njerëz janë pajisur me diploma të pamerituara, në fund të çdo viti shkollor brenda natës 10 njëshat mund të bëhen 10 dysha.

Dikur studentët shqiptar quheshin me të drejtë studentë heronj, por sot Unionet e studentëve janë kthyer në vegla të partive politike edhe një Union i studentëve të pavarur që funksionojnë diku nga viti 2005-2007 u zhduk bashkë me daljen në “pension” të kryetarit të saj. (Siç duket shumica e shoqatave, partive apo organizatave shqiptare funksionimin e tyre e lidhin vetëm me emrin dhe figurën e kryetarit të saj). Nuk kemi dëgjuar prej kaq vitesh që Unionet e studentëve shqiptar të protestojnë për të drejtat e tyre, siç duket studentët janë të kënaqur me jetën e tyre studentore dhe programet mësimore në universitet që ndjekin. Ishte nder të diplomoje në Universitetin e Tetovës, tashmë ndihemi në turp kur shikojmë se si diplomohen në Universitetin Shtetëror të Tetovës individë që nuk kanë mundur të marrin me meritë diplomën e shkollës së mesme. Nëpër institucionet shtetërore punësohen militant partiak të cilët i përkasin shtresës së ulët të shoqërisë dhe jo individë që mund ti ofrojnë zhvillim vendit dhe shoqërisë.

Shqiptarët në Maqedoni duken sikur janë përgjumësh, por kur do zgjohen atëherë shqiptarët në Maqedoni? Shqiptarët do zgjohen kur të hanë shpulla deputetët e tyre në Kuvendin e Maqedonisë, kur do të hanë shpulla ministrat shqiptar nga huliganët sllavë. Kjo gjë ka ndodhur edhe dikur me deputetët shqiptar në Kuvendin e Perandorisë Osmane. Ishte Marsi i vitit 1911, deputeti Ismail Qemal Vlora kërkoj llogari për shpifje në një shkrim të botuar në gazetën turke “Le Jeune Turc” dhe deputeti xhonturk Dervish Beu duke vërejtur tonin e lartë të zërit, atëherë i ra me shpullë Ismail Qemal Vlorës. Deputeti shqiptar Hasan Prishtina reagoj duke thënë “Zotërinj, ta dini mirë se kjo ngjarje do të sjellë shumë të liga”. Më tej deputetët xhonturq i kërkuan falje Ismail Vlorës, por shpulla e Dervish Beut e kishte bërë të vetën, nacionalistët shqiptar ishin zgjuar nga gjumi i thellë nën jorganin e Perandorisë Osmane dhe pas më shumë se një viti Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë më 1912.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, ne Maqedoni, Përgjumja e shqiptarëve

KOMEDITË QË LUHESHIN NË ERRËSIRË!

December 20, 2018 by dgreca

1 Shefqet Dobra 2

NGA SHEFQET DOBRO/

Kur shkova në Spaçin e Mirditës, në ferrin e të gjallëve, aty gjeta Kristo Lolen.

Kriston e kisha njohur: vetëm si njeri të hipur në kalë, në kohën kur, ne  punëtorëve e bujqësisë, do pastronin rrodhet e deleve; para se të qetheshin, ishte një punë shumë e vështire, na bëheshin duart gjak prej rrodheve. Kristo ishte Rumun. Përgjithësisht, rumunët apo çobejtë, si i quanim më së shumti, me blegtori merreshin. Këta ishin popull shëtitës, fati i tyre qe mbetën në Shqipëri, se u mbyllën kufijtë pas fitores së komunizmin, përndryshe, kush e di nga do kishin shkuar. Së pari, u konfiskuan bagëtitë, kuajt e mushkat, mandej, disa i çuan në ferma disa nëpër kooperativa. Kristo, në vitet shtatëdhjetë, ishte përgjegjës i blegtorisë së imët, për gjithë ndërmarrjen 29/të nëntori të Lushnjes, veçse me kalë, mund ti ndiqte, kudo që të ishin kopetë. Dy herë e kisha parë gjithsej.

Si çobanët, apo vllehët, që kishin mbetur këtu, edhe Kosovarët, të cilët, të dashuruar pas propagandës që i bënte radioja e gazetat lumturisë që gëzonte e jetonte populli në Shqipëri,- Si thoshte një plak: – ne jemi: lulkuq përjashta e furufuk nga brenda- dmth, kush dëgjonte ç’thoshte radio – luste Zotin të vinte në Shqipëri, kurse Shqiptarët, rrezikonin jetën të arratiseshin, të shpëtonin nga “lumturia” mjerane, që i kishte zënë, Kosovarve “Fërrt” ua bënte mendja dhe  vrap vinin te ne, të gëzonin parajsën e lumturisë së rreme socialiste. Gënjeshtra të merr mendjen me bukurinë e jashtme por, të merr frymën, kur të “gllabëron”. Eh si është kjo jetë, disa braktisin nënën e tyre, se u duket njerrka më e mirë dhe, mbeten pa as njërën.

Fillimisht, kosovaret, sapo futeshin këndej kufirit, i nënshtroheshin një hetuesie të rreptë, se mos kishin ardhur për agjenturë, pastaj i binin nëpër kampet e internimit, të shijonin lumturinë e ëndërruar. Këta e pësonin si ai që tregojnë: O babë, zura një hajdut!- i tha djali.

-Bjere këtu qenin e birin e qenit!- i tha baba.

-Po ky, nuk më lëshon mua, o bab!- i tha djali.

-Po, pse nuk thua: Të ka zënë ai ty, jo ti hajdutin- i tha baba.  Tani, këta nuk mund të ikin ashtu si shkonin nga Kosova në Zvicër, e ku të donin, këtu, kushdo që futej këtu, nuk mund të kthehej më nga kishte ardhur,  por, kishin dy rrugë: o të bëheshin spiunë për ne e për njeri tjetrin, o të dënoheshin ashtu si dënoheshin shqiptarët  që donin të arratisen. Shqiptarët iknin nga halli, këta e kërkuan si breshka te nallbani. Të gjithë në burg ose kampe internimi, me ne ishin.

Kristua, në Spac, ishte përgjegjës i zonë së tretë. Kuadër, ishte përsëri, por jo me tufë bagëtish, por me tufën njerëzish, bashkë me ta, i rrethuar me tela e me polic që nuk e lëshonin kërbaçin nga dora.

Mua më caktuan në zonën e dytë, ishte më e vështira, kishte pirit, që ishte shumë i rëndë kur e merrje ta hidhje në vagon, pa le kur të binte vagoni nga shinat- se nga lagështia e tepërt, shinat lëviznin, temperatura brenda në galeri shkonte deri në 35- 40,  gradë, uji ishte me acid, atë do pinim, të gjitha të këqijat i kishte kjo zone-( galeri). Por, më e keqja ishte se, të qëllonte të ishe në grup, me shokë që nuk punonin dhe: o duhet të bëje punën e shokëve, o të pranoje ndëshkimin që ishte… ata që e kanë provuar e dinë.

Për të shpëtuar nga ky hall i madh, mendova: veçse Kristo, nuk mund të më ndihmojë tjetër njeri- edhe se nuk kisha fol kurrë me të. Me gjithat, një mbrëmje, ju drejtova si lushnjari lushnjarit- në fakt, as ai as unë, nuk ishim lushnjarë, në Lushnje kishim banuar.

I fola dhe i thash:- meqë edhe kryetari i zyrës teknikë është çoban, a më ndihmon…. pasi ja sqarova arsyen- më tha: ku do të shkosh?

-Në grupin e Muharrem Xhydollarit, bëhemi një grup që nuk na shkon kot puna dhe, meqë unë njoh të afërmit e tij, jam më i sigurt për….. i kupton vet ti! Me gjithë se për fjalën e fundit, u pendova, nuk e dija ç’njeri ishte dhe… aty, askujt nuk mund ti besoje.

Pa merak më tha. Disa më thanë se, duhet ti premtoja diçka po unë, nuk bëra se, po të ishte i ndershëm, do ofendohej, po të ishte rezil, do e kërkonte vetë shpërblimin. Muajin tjetër, emri im ishte në grupin që kërkova. U thash shokëve- unë nuk e kam njohur më parë veçse e kam par të hipur në kalë, thoshin se ishte përgjegjës blegtorie, por kaq. Thonë se njerëzit, bëhen të vlefshëm, kur përballen me vështirësi, Kristua, ndoshta, i tillë ka qenë, që tani është këtu.  atë që nuk e ke njohur nga afër, nuk është mirë ta paragjykosh.

Një ditë të diele që e bëmë pushim, rastisi që të takohemi – se turnet na bënin që nëse nuk i bënim të dielat pushim, një muaj nuk takoheshim- dhe unë,  mendova ta falënderoja Kriston.

– Ah more djalë, po s’ka përse të më falënderosh- më tha- nuk nuk bëra ndonjë gjë e madhe, punëtor je prap në të njejtën galeri.

-Se ne nuk kishim ndonjë njohje më parë, veçse si lushnjar- i thash.

-Thua ti- më tha. Po, edhe si Lushnjar, kaq gjë, pse mos ta bëja.

-Për mua, është nderë i madh- i thash. Pasi biseduam ca e pyeta: Ti kishe një vend pune të mirë, përse të dënuan? Apo… si çoban?

-Më ke njohur  në atë kohë ti? –më tha.

-Të kam par, kur vije me kalë në Tërbuf, kur ne pastronim rrodhet deleve. Qeshi.

-Natyrisht që si çoban. Më akuzuan për agjenturë- më tha.

-Me atë grup ishe edhe ti?- i thash. Ça nuk flitej për ju! Thoshin:- kanë kapur një grup çobanësh shumë të rrezikshme, si thoshte njëri nuk thoshte tjetri, secili, shtonte diçka. Në çdo mbledhje, kur flitej për armiq, ose diskreditonin ndonjë, grupin tuaj merrnin si shembull.

-Në fakt, ishe e vërtetë? – e pyeta

-Ata kështu thoshin, po në punë më arrestuan! Por, koha kur më akuzonin, unë kisha qenë ushtar dhe, mendova me endjen time se, për ëtë gabim, unë do fitoja pafajësinë- se kisha fakte për ta rrëzuar akuzën, vendosa: të pranoja hetuesinë, trajtimin mizor që më bënë- se po të mbrohesha me gabimin që kishin bërë ata, hetuesia do bënte ndryshime. Kurse te gjykata, kisha besim, por, kisha gabuar. Edhe gjykata: ose nuk mundje të rrëzonte hetuesinë ose, ishte e nyejt me hetuesinë

Kur ata thanë pikërisht atë që doja unë. At’herë, unë iu drejtova trupit gjykues: zoti gjykatës, më akuzoni se unë me këta që më keni bërë grup,  takoheshim një të huaj po, kush ishte ai i huaj, ç’far ishte: grek apo serb a ç,far dhe pse nuk është ai me ne.

-Ne duam të na e thoni ju!- tha

– Po që unë, në atë kohë, kam qen ushtarë, e dini ju?- tash

-Si! -Tha gjykatësi.

-Po zoti gjykatës, së pari, këta me  cilët më keni përzierë, nuk kemi qen kurrë bashkë, as nuk i njoh, e dyta dhe më e rëndësishmja,  në këtë kohë, kam qen ushtar, mund të interesoheni te reparti ku kam kryer shërbimin.  Për këtë, i lutem trupit gjykues, për mua të gjykojë drejtë dhe, t’më japë pafajin sipas ligjit.  Pa e prishur terezinë gjykatësi-tha- mund të jetë bërë ndonjë gabim, njerëzit bëjnë dhe gabime.

-Nëse njerëzit bëjnë gabime, pse duhet të dënohem unë gabimisht?

-Se me agjenturë, je marrë- më tha. Është gabuar viti, nuk ka rëndësi kjo- tha.

-Ka shumë rëndësi, shoku gjykatës- thash- se: nëse me dokumente vërtetojnë që kam qenë ushtarë,  akuza del e rreme – thash.

Eh more djalë, këto ishin komedi që luheshin në errësirë- më tha- Kristo.

-Pse në errësirë? – e  pyeta.

-Po… më shikoi-  po një shtëpi  pa derë pa dritare, na do i futet drita, ashtu jemi ne;  vend i izoluar, as hyn a del njeri, jemi të izoluar nga gjithë bota, errësirë e shkuar errësirës jemi; bëjnë si të duan me e ne, na akuzojnë e na dënojnë për ça të duan, edhe me pushkatim, kot fare, nuk pyet njeri, kush di ç’bëhet këtu, kush do kërkoj llogari, jemi të shkëputur nga bota. Unë e shikoja, nuk ndjehesha mirë, veçse e dëgjoja.

Mirë pezullojmë gjyqin- tha gjykatësi. Merreni çojeni atje! Kur ti rregullojnë këto lajthitje, u bëjmë gjyqin, t’u japim atë që meritojnë armiqve!.  Ne vend të merrja pafajin; që ishte plotësisht  e justifikuar për mua,  filloi hetuesia për së dyti dhe më e vështirë; ndërruan  vitin dhe datat, edhe hetuesin. Më dënuan 25-vjet.  Ko ishte drejtësia jonë. Këto ishin gjyqtarët dhe hetuesit tonë. Kur desha të kundërshtoj unë, më dhanë një të shtytur sa desh u përplasa në derë, mos më kishte kapur një nga policët. Ne akuzohemi si  “armiqtë” për agjenturë, edhe se nuk kanë fakte. Ky qe fati i jonë! Tha. por nuk kuptoj një gjë, përse u duhet që na dënojnë kot?   U buzëqeshte buzë, u lëngoftë shpirti, ashtu si na lëngon ne dhe familjeve tona- shtoi Kristo.

Zoti, e dëgjoftë këtë që thua ti!- i thash.

Filed Under: Histori Tagged With: Komedite, ne erresire, qe luheshin, Shefqet Dobra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1168
  • 1169
  • 1170
  • 1171
  • 1172
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT