• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUZIKA TRADICIONALE TOSKE

May 17, 2018 by dgreca

1-Spiro-J.-Shetuni1-250x267

Shkruan:Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI/

Universiteti Winthrop- Rock Hill, South Carolina- USA/

“Asaman, o moj lule,

S’të kam parë, as sot, as dje!

S’të kam parë, as sot, as dje,

Dil pakë në penxhere!

Dil pakë në penxhere,

Të të shoh se cila je!

Të të shoh se cila je,

E vogël, a e madhe!”…

Tradicionale

Çështje etnomuzikologjike, si:  shqyrtimi i vendit që zë muzika tradicionale toske brenda muzikës tradicionale shqiptare, njohja e tipareve të saj më të rëndësishëm lëndoro-substancialë e strukturoro-formalë, marrdhëniet me dialekte të tjerë të muzikës tradicionale shqiptare, rrezatimi kulturoro-artistik brenda dhe jashtë kufijve etnikë të Shqipërisë, etj., kanë qenë, ndër vite, sa shqetësime vazhdimisht të thellë, aq edhe ëndrra ngaherë të bukura, që unë kam pasur!  Duke dhënë një pamje të përgjithshme të përfytyrës së dialektit muzikor tosk gjatë shekullit XX, artikulli im nuk përfaqëson vetëm se një përpjekje modeste për të njohur sadopak këtë lloj dialekti.

 Parashtrim

Muzika tradicionale toske është dialekti i muzikës tradicionale shqiptare që bën jetë në Shqipërinë Juglindore, ose, më mirë, në bashkësinë e madhe të krahinave etnografike, që, në popull, njihet me emrin Toskëri.  Nga pikëpamja tipologjike, ajo ekziston në tre nën-dialekte muzikorë kryesorë:  nën-dialekti muzikor i Toskërisë, nën-dialekti muzikor i Myzeqesë, nën-dialekti muzikor i Çamërisë.  Nga ana e tyre, këta nën-dialekte ndahen, gjithashtu, në stile të ndryshëm muzikorë.  Ndër ‘ta, brenda nën-dialektit muzikor tosk, lejomëni të përmend:  stilin muzikor të Skraparit, stilin muzikor të Kolonjës, stilin muzikor të Devollit, stilin muzikor të Gorës, stilin muzikor të Oparit, stilin muzikor të Mokrës, etj.  Midis tipareve themelorë dallues të muzikës tradicionale toske, më lejoni të ve në dukje sidomos:  1)  përbërja, në disa raste, nga një linjë melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme, ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit, zakonisht, nga një këngëtar ose instrumentist i vetëm, individualisht, solistikisht;  përbërja, në shumicën e rasteve, nga dy ose tri linja melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme, ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit nga shumë këngëtarë ose instrumentistë, kolektivisht, në grup;  2)  natyra arioze, muzikale, e këndueshme e mjeteve të saj shprehës në përgjithësi dhe e melodikës në veçanti;  3)  sistemi modal/tonal pentatonik;  4)  imitacioni si thelb i ndërthurjes së linjave melodike;  5)  metrika/ritmika herë-herë e matur, e qartë, e përcaktuar, herë-herë e pamatur, e paqartë, e lirë, ose kapriçoze, delikate, e stërholluar;  6)  mos-shoqërimi me instrumente muzikorë (fjala është për muzikën tradicionale zanore toske), etj.

Muzika tradicionale toske pёrfaqёson njё art, sa me përmbajtje të thellë, aq edhe me formë të pasur.  Ashtu sikurse ndodh brenda muzikёs tradicionale labe, edhe brenda saj vërehet një dallim i ndjeshëm midis stilit grarishte dhe stilit burrërishte të të kënduarit.  Përsa i takon stilit grarishte, vëmendje tërheqin sidomos:  struktura e përgjithshme dy ose tri-zërëshe;  melodika relativisht e kufizuar;  imitacioni i ngushtë midis linjave kryesore melodike;  harmonia e pasur;  metrika/ritmika më shpesh e matur, etj.  Ndërkohë, përsa i takon stilit burrërishte, përshtypje bëjnë sidomos:  struktura e përgjithshme dy ose tri-zërëshe;  melodika mjaft e zhvilluar;  imitacioni i gjerë midis linjave kryesore melodike;  harmonia e kufizuar;  metrika/ritmika më shpesh e pamatur, etj.  Të njohësh së brendshmi muzikën tradicionale toske do të thotë të njohësh, së paku, dy tipare kryesorë të mbarë muzikës tradicionale të Shqipërisë Juglindore:  strukturën modale/tonale pentatonike dhe imitacionin si parim kryesor të ndërthurjes së linjave të saj melodike.

Përsa i takon sistemit modal/tonal, muzika tradicionale toske afron mjaft sidomos me muzikën tradicionale labe:  në të dyja rastet, sistemi modal/tonal është i njëjtë–pentatonik.  Vetëm se pentatonika toske ndryshon në thelb prej pentatonikës labe.  Po kështu, ndërsa brenda muzikës tradicionale toske, si kriter kryesor i ndërthurjes së linjave të saj melodike, shërben imitacioni, brenda muzikës tradicionale labe, si kriter kryesor i ndërthurjes së linjave të saj melodike, shërben kontrasti.  Pёrveç sistemit të përbashkët modal/tonal, një afri tjetër midis këtyre dy dialekteve muzikorë, ndonëse s’është aq thelbësore, shfaqet karakteri a cappella:  mos-shoqërimi i muzikës zanore me instrumente muzikore.

Të kuptuarit e mënyrës së ekzistencës së muzikës tradicionale toske ka qenë një proces bukur i vështirë!  Ç’është e vërteta, gjatë viteve të para të studimeve të mia, unë, thuajse qetësisht, mendoja se, muzika tradicionale toske–zanore o intrumentore, një-zërëshe o shumë-zërëshe—, ekziston thjesht si një dukuri kulturoro-artistike e pandashme në njësi të veçanta, pra, si një dialekt muzikor që nuk degëzohet në stile muzikorë!  (Në atë kohë, ndoshta me naivitet, unë arsyetoja pak a shumë në këtë mënyrë: “Përse duhet vallë që muzika tradicionale toske të ekzistojë në stile muzikorë?!  Çfarë kuptimi do të kishte një dukuri e tillë?!  Apo mos ndoshta ajo do të ishte thjesht një dëshirë subjektive e studiuesit etnomuzikolog?!”)  Mirëpo, me kalimin e kohës, duke dëgjuar këngë tradicionale toske të fshatrave dhe zonave të ndryshme etnografike, gradualisht, dalngadalë, si pa kuptuar, vura re se, muzika tradicionale toske, ekziston në stile muzikorë herë-herë mjaft të spikatur.  Kështu, për mua, filloi të bëhet përherë e më e qartë ideja se, zona etnografike, si:  Skrapari, Kolonja, Devolli, Gora, Opari, Mokra, etj., ndërsa këndojnë brenda të njëjtit dialekt muzikor, sërish dallohen muzikalisht njëri nga tjetri.  Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, arrita në përfundimin se, dialekti muzikor tosk i muzikës tradicionale shqiptare, ekziston në stile të ndryshëm muzikorë, sipas zonave etnografike, dhe, herë-herë, sipas fshatrave të caktuar.  Megjithse duket e tepërt, sërish përmend faktin se, një ligjësori e tillë—prania e vazhdueshme e stileve muzikorë–, karakterizon të katërt dialektet muzikorë themelorë të muzikës tradicionale shqiptare:  dialektin muzikor geg, dialektin muzikor tosk, dialektin muzikor lab, dialektin muzikor qytetar.

Muzika tradicionale toske s’ka qenë asnjëherë e panjohur për mua:  prindërit e mi, Xhorxhi S. Shetuni dhe Vala J. Shetuni, sikurse tërë arumunët e Shqipërisë, këndonin në të njëjtën mënyrë–toskërisht.  Një ditë, im Atë vendosi të më mësojë edhe mua të këndoja toskërisht.  Këshilla e parë që mora prej tij ishte mënyra sesi të bëja iso, pra, sesi të vendosja notën bazë të modit.  Këshilla e dytë ishte mënyra sesi t’a ngreja zërin, sesi t’a shtjelloja dhe sesi përsëri t’a ulja në notën bazë, pra, sesi të ndërtoja melodinë.  Këshilla e tretë ishte mënyra sesi pritet kënga shumë-zërëshe toske, pra, sesi të bëja imitacion.  Sa herë që mendoj për këto mësime, e rëndësishme më duket sidomos këshilla mbi mënyrën sesi të bëja iso:  për një këngë që nuk shoqërohet me instrumente muzikorë, ose, që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, për një këngë që vetë-shoqërohet me anë të isos, pa ditur të bësh “e” në një tingull të vazhdueshëm, nuk mund të mësosh sesi të këndosh!

Repertori

Muzika tradicionale toske ka një repertor mjaf të pasur.  Mund të shprehem pa ndrojtje se, çdo nën-dialekt dhe stil muzikor tosk, përfaqësohet nga këngë të një niveli artistik, krijues e interpretues, me të vërtetë mjeshtëror.  Disa ndër krijimet muzikorë më të shquar tradicionalë toskë, të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndoshta do të ishin:  “Ballët me sedefe,” “Moj leshdredhura pas gryke,” “Mbeçë, more shokë, mbeçë,” “O ju malet e Skraparit,” “O kurbet i shkretë,” “Zunë yjtë e po rrallojnë,” etj. (brenda nën-dialektit muzikor të Toskërisë);  “Erdhi dita, nënë, të martonemë,” “Nerënxë, të pata thënë,” “Të rriti nëna ty,” “Në Krutje ç’u ndez shkëndija,” “Gjith’ rinia është ngritur,” etj. (brenda nën-dialektit muzikor të Myzeqesë);   “Osman Takës,” “Çelo Mezanit,” “Trim, Lule Çapari,” etj. (brenda nën-dialektit muzikor të Çamërisë).   Më lejoni që të jap tekstin poetik të këngës me titull “Mbeçë, more shokë, mbeçë:”

“Mbeçë, more shokë, mbeçë

Përtej Urës së Qabesë!

Falë me shëndet nënesë:

Të dy qetë të m’i shesë,

T’i japë nigjah së resë.

Të më shesë kalë e mushkë,

Të më rrisë djalë e çupë.

Në pyetë nëna për mua,

I thoni që u martua!

Në pyetë:  — Ç’nuse mori?

— Shatë plumba për kraharori!

Në pyetë:  — Ç’kalë hipi?

— Me tre drurë prej meiti!

Në pyetë:  — Kë kishte pranë?

— Sorrat dhe korbat e hanë!”

Tipare themelorë dallues

Duke i shqyrtuar tiparet më themelorë dallues të muzikës tradicionale toske, qoftë edhe në vija të përgjithshme, ndoshta do të mund të fitohet një ide deri-diku e qartë rreth përfytyrës tërësore, lëndoro-substanciale e strukturoro-formale, të saj.  Lejomëni që të bëj një karakterizim të shkurtër, vetëm se thelbësor, të secilit prej tyre.

Karakteri strukturor një-zërësh e shumë-zërësh

Karakteri strukturor një-zërësh nënkupton përbërjen e një pjese të muzikës tradicionale toske nga një linjë e vetme melodike.  (Të kësaj natyre janë zhanre, si:  nina-nana ose ninulla, vajtimi ose ligjërimi, boroitja ose logatja, etj.).  Një strukturë e tillë sjell, si rrjedhojë, të interpretuarit, zakonisht, nga një këngëtar ose instrumentist i vetëm, solistikisht, individualisht.  Teorikisht, mundësia që interpretimi i zhanreve të mësipërm të bëhet edhe nga shumë këngëtarë ose instrumentistë, kolektivisht, në grup, nuk përjashtohet.  Ka, pastaj, edhe një mënyrë të ndërmjetme ose të dyfishtë, e cila bashkon dy rrugët e mësipërme.  (Kujtojmë, p.sh., vajtimet kolektive.)  Mirëpo, pavarësisht nga mënyra e interpretimit, struktura e përgjithshme, në këto raste, mbetet gjithmonë një-zërëshe.

Karakteri strukturor shumë-zërësh nënkupton përbërjen e pjesës më të madhe të muzikës tradicionale toske nga disa linja melodike:  zakonisht dy ose tri.  (Të kësaj natyre janë zhanre, si:  kënga lirike me llojet më të ndryshme të saj–të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.–, ballada, kënga epike–legjendare e historike–, pjesa instrumentore, vallja tradicionale, etj.).  Një strukturë e tillë sjell, si pasojë, të interpretuarit nga shumë këngëtarë ose instrumentistë, kolektivisht, në grup.  Po të marrim parasysh dendurinë e përdorimit të zhanreve shumë-zërësh brenda muzikës tradicionale toske, atëherë mund të pranojmë se kjo lloj muzike është më tepër shumë-zërëshe.

Karakteri arioz

Karakteri arioz, muzikal, i këndueshëm nënkupton zhvillimin e ndjeshëm të mjeteve shprehës të muzikës tradicionale toske, një-zërëshe o shumë-zërëshe, në përgjithësi, dhe të melodikës së saj në veçanti.  (S’është vështirë të kuptohet se, melodikisht, kjo lloj muzike vjen më e zhvilluar sesa muzika tradicionale labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe.)  Linja melodike të ndryshme të muzikës tradicionale shumë-zërëshe toske janë strukturalisht të zhvilluara në shkallë të ndryshme.  Sigurisht, linja e isos edhe këtu paraqitet gati e njëjtë sikurse në muzikën tradicionale shumë-zërëshe labe.  Ndërsa dy linjat e tjera, ajo e marrësit (solistit të parë) dhe ajo e prerësit (solistit të dytë) dallojnë mjaft prej linjave kryesore përkatëse të muzikës tradicionale shumë-zërëshe labe.  Veç linjës së parë melodike, nga pikëpamja e përfytyrës melodiko-modale, vëmendje tërheq edhe linja e dytë melodike.  Tipare të tillë karakteristikë të stilit muzikor tosk të burrave, si:  natyra improvizuese, dridhërima e vazhdueshme, zbukurimet e shumta, metrika/ritmika gjysmë ose krejtësisht e lirë, regjistri i lartë, etj., i japin atij (stilit muzikor të burrave), ashtu sikurse përgjithësisht muzikës tradicionale shumë-zërëshe toske, një bukuri, poezi e ngarkesë të veçantë ideo-estetike.

Karakteri moda/tonal pentatonik

Karakteri modal/tonal pentatonik nënkupton ndërtimin e muzikës tradicionale toske, një-zërëshe o shumë-zërëshe, prej modesh të përbërë nga pesë tinguj të ndryshëm, të cilët vendosen, si rregull, në largësi sekondash të mëdha e tercash të vogla.  Nënvizojmë se, modet pentatonikë janë të përbashkët, si për zhanret muzikorë një-zërësh, si:  nina-nana ose ninulla, vajtimi ose ligjërimi, boroitja ose logatja, etj., ashtu edhe për zhanret muzikorë shumë-zërësh, si: kënga lirike me llojet më të ndryshme të saj (të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.), ballada, kënga epike (legjendare e historike), etj.  Eshtë e vërtetë se, brenda zhanreve muzikorë të ndryshëm, një-zërësh o shumë-zërësh, shpesh herë, përftohen, sipas rastit, edhe intervale të zvogëluar o të zmadhuar.  Por është vendi të sqarojmë se, interval të tillë kanë më tepër vlerë të pjesshme, episodike, të rastit.

Karakteri imitues

Karakteri imitues parakupton ngjizjen e muzikës tradicionale shumë-zërëshe toske, në thelb, prej raportesh të njëjtë melodikë, kontrapunktikë, harmonikë, metrikë/ritmikë midis linjave të saj melodike në përgjithësi dhe dy linjave kryesore melodike në veçanti.  (Në qoftë se, në muzikën tradicionale shumë-zërëshe labe, thelbin e ndërthurjes së linjave melodike e përbën kontrasti, në muzikën tradicionale shumë-zërëshe toske, thelbin e kësaj ndërthurjeje e përbën imitacioni.)  Marrësi dhe prerësi afrojnë midis tyre, mbi të gjitha, në aspektin melodik:  linja melodike e solistit të dytë, në thelb, nuk ndryshon nga ajo e solistit të parë.  Kjo linjë shfaqet si një imitim, si një varjim, si një pasurim melodik i simotrës së saj.  Vëmendje tërheq, gjithashtu, uniteti modalo-harmonik midis marrësit dhe prerësit:  më shpesh, ata i shtjellojnë linjat e tyre, si në mode të njëjtë, ashtu edhe në sfera të përbashkëta harmonike.  Në unitetin modalo-harmonik midis marrësit e prerësit, mendoj se, nuk është pa rëndësi as ndikimi që ushtron organizimi metrik/ritmik herë-herë i lirë i muzikës tradicionale shumë-zërëshe toske.

Karakteri metrik/ritmik i matur dhe i lirë

Karakteri metrik/ritmik i matur nënkupton natyrën e një pjese të muzikës tradicionale toske, një-zërëshe o shumë-zërëshe, për të qenë në përgjithësi e matur, e qartë, e përcaktuar, nga pikëpamja metrike/ritmike.  (Në këtë aspekt, muzika tradicionale toske shfaqet thuajse e njëjtë sikurse muzika tradicionale qytetare.)  Karakteri metrik/ritmik i lirë nënkupton natyrën e një pjese të muzikës tradicionale toske për të qenë në përgjithësi e pamatur, e paqartë, e lirë, ose kapriçoze, delikate, e stërholluar, nga pikëpamja metrike/ritmike.  Brenda muzikës tradicionale toske, karakteri metrik/ritmik i matur dhe karakteri metrik/ritmik i lirë karakterizojnë përkatësisht stilin muzikor të grave dhe stilin muzikor të burrave.  Kështu, metrikisht/ritmikisht, vërehet një dallim i ndjeshëm midis stilit grarishte dhe stilit burrërishte të të kënduarit.  Lëvizjet, kohët, njësitë ritmike të stilit grarishte i përmbahen në tërësi matshmërisë, qartësisë, përcaktueshmërisë.  Ndërkohë, lëvizjet, kohët, njësitë ritmike të stilit burrërishte i përmbahen zakonisht pamatshmërisë, paqartësisë, lirësisë.  Krahas faktorëve të tjerë, diferencimi i ndjeshëm metrik/ritmik midis sitlit muzikor të grave dhe atij të burrave vjen si shprehje e bukurisë estetike të muzikës tradicionale toske në tërësi.

Karakteri a cappella

 Karakteri a cappella ose thjesht zanor parakupton natyrën e muzikës tradicionale zanore toske e labe, një-zërëshe o shumë-zërëshe, për të mos u përcjellë me instrumente muzikorë, ose, që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, për t’u vetë-shoqëruar.  Ndonëse provat materiale mungojnë, duhet pranuar pa asnjë mëdyshje se, gjatë zhvillimit të saj historik, muzika tradicionale zanore e Shqipërisë së Jugut, një-zërëshe o shumë-zërëshe, nuk e ka njohur shoqërimin instrumentor.  Brenda muzikës zanore shumë-zërëshe, ky tipar lind, në mënyrë shkakësore, shfaqje të rëndësishme në jetën e saj, si:  vetë-përcjellja me iso, shoqërimi i valleve me këngë, modulacioni, etj.  Në procesin shumë-shekullor, të ngadaltë dhe të ndërlikuar të kristalizimit të muzikës zanore shumë-zërëshe, një rëndësi të veçantë pati lindja e isos:  ajo mban të paluajtur bazën e modit;  ndihmon bashkëtingëllimin e linjave melodike;  rrit ngarkesën emocionale të krijimeve shumë-zërëshe;  lartëson nivelin interpretues të tyre, etj.  Pra, duke qenë “a cappella,” muzika tradicionale zanore shumë-zërëshe toske e labe vetë-shoqërohet me iso;  isua është faktori kryesor që e bën atë të qëndrueshme nga pikëpamja modale/tonale;  përkundrazi, mungesa e saj sjell paqëndrueshmëri modale/tonale.

Muzika toske dhe muzika labe

Një krahasim i përgjithshëm midis dialektit muzikor tosk (nën-dialekti muzikor tosk, nën-dialekti muzikor myzeqar, nën-dialekti muzikor çam, së toku) dhe dialektit muzikor lab shfaqet si një çështje e rëndësishme, sidomos duke marrë parasysh faktin se, këta dy dialekte, janë pa dyshim të afërt, në mos të njëllojtë, në katër aspekte muzikorë themelorë, si:  i)  struktura e përgjithshme ose sasia e linjave melodike;  ii)  tekstura muzikore;  iii)  sistemi modal/tonal;  iv)  raportet e muzikës zanore me instrumentet muzikore. Disa përfundime që dalin përmes krahasimit të dialektit muzikor tosk me dialektin muzikor lab, ndoshta do të mund të formuloheshin si vijon:

  • Dialekti një-zërësh o shumë-zërësh tosk fiton më tepër ngarkesë ideo-emocionale lirike, ndërsa dialekti një-zërësh o shumë-zërësh lab ruan më shumë ngarkesë ideo-emocionale epike.
  • Në rrafsh të përgjithshëm strukturor, dialekti shumë-zërësh tosk ekziston me dy ose tri linja melodike, kurse dialekti shumë-zërësh lab ekziston me dy, me tri dhe me katër linja melodike.
  • Në rrafsh melodik, dialekti tosk është më tepër arioz, muzikal, i këndueshëm, ndërsa dialekti lab shfaqet më shumë recitativ, deklamativ, folës.
  • Në qoftë se, metrikisht/ritmikisht, dialekti tosk vjen, herë-herë, i pamatur, i paqartë, i papërcaktuar, ose kapriçoz, delikat, i stërholluar, dialekti lab shfaqet, më shpesh, i matur, i qartë, i përcaktuar.
  • Historikisht, dialekti shumë-zërësh tosk ka njohur, në një farë mase, edhe shoqërim instrumentor, kurse dialekti shumë-zërësh lab, përgjithësisht, s’e ka njohur dhe as e njeh shoqërimin instrumentor.

Muzika toske dhe muzika arumune

Muzika tradicionale toske e Shqipërisë dhe muzika tradicionale arumune e Shqipërisë, për shekuj me radhë, kanë jetuar e jetojnë thuajse brenda së njëjtës hapësire etniko-socialo-gjeografike.  Në kushte të tillë, ato kanë dhënë e marrë njëra me tjetrën, kanë ndikuar njëra mbi tjetrën, kanë bashkëvepruar midis njëra-tjetrës.  Disa përfundime që dalin përmes krahasimit të muzikës tradicionale toske me muzikën tradicionale aurmune, ndoshta do të mund të formuloheshin si më poshtë:

  • S’ka dyshim se, nga pikëpamja e strukturës së përgjithshme, e teksturës muzikore, sistemit modal/tonal, etj., muzika tradicionale arumune e Shqipërisë është ndikuar në një shkallë prej muzikës tradicionale toske të Shqipërisë: përfytyra e saj tërësore melodiko-modale është mbrujtur pikërisht përmes një procesi të tillë.
  • Nga ana tjetër, përmes tipareve më themelorë dallues të saj, edhe muzika tradicionale arumune e Shqipërisë ka ndikuar në një masë mbi muzikën tradicionale toske të Shqipërisë.
  • Ndërkohë, muzika tradicionale arumune e vendeve të tjerë të Gadishullit të Ballkanit dhe gjithë Europës Juglindore–Greqi, Maqedoni, Bullgari, Rumani, Serbi, etj.–, duke ekzistuar në dialekte të caktuar, herë më pak o herë më shumë, dallon prej muzikës tradicionale arumune të Shqipërisë.
  • Sidoqoftë, asnjëherë s’duhet harruar se, gjatë rrjedhës së shekujve, qoftë muzika tradicionale arumune e Shqipërisë, qoftë muzika tradicionale arumune e vendeve të tjerë të Gadishullit të Ballkanit dhe gjithë Europës Juglindore, asnjëherë nuk iu nënshtruan lehtёsisht ndikimit të kulturave muzikore të popujve bashkë-shtetas ballkanikë: në mënyrë të vendosur, ato lindën, rritën, zhvilluan e kristalizuan tipare të mëvetësishëm dallues.

Studiues shqiptarë e ndërkombëtarë dhe poetë

Albanologë të ndryshëm, shqiptarë e ndërkombëtarë, herë më pak o herë më shumë, kanë ndriçuar aspekte të rëndësishëm jashtë-muzikorë të kulturës materiale e shpirtërore të Toskërisë.  Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend studiues, si:  Eqrem Çabej, Mary Edith Durham, Uilfrid Fidler [Wilfried Fiedler], Sami Bej Frashëri, Andromaqi Gjergji, Johannes Georg von Hahn, Qemal Haxhihasani, Faik Konica, Theofan S. Noli,  Jorgo Panajoti, Selami Pulaha, Spiro Shkurti, Alfred Uçi, Martin Urban, Agron Xhagolli, Rrok Zojzi, etj.  Studiues të tjerë, shqiptarë e ndërkombëtarë, herë më pak o herë më shumë, kanë ndriçuar aspekte të rëndësishëm muzikorë.  Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, më lejoni që të përmend muzikologë, si:  Beniamin Kruta, Albert Paparisto, Ramadan Sokoli, Doris Shtokman [Doris Stockmann], Erik Shtokman [Erich Stockmann], Xhein S. Shugerman [Jane C. Sugarman], Vasil S. Tole, etj.

Përfaqësues të shquar të poezisë shqipe, u ndikuan, më së pari, pikërisht prej bukurisë dhe pasurisë së rrallë të poezisë tradicionale toske.  Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend figura, si:  Dritëro Agolli, Naim Bej Frashëri, Theofan S. Noli, etj.  Krahas një numri vjershëtorësh të mirënjohur popullorë, duke u mbështetur në të njëjtën trashëgimi, doli një plejadë tjetër, më e re, poetësh të talentuar, midis të cilëve, alfabetikisht, sipas mbiemrave, më lejoni që të përmend poetë, si:  Bardhyl Londo, Koçi Petriti, Dhori Qiriazi, Xhevahir Spahiu, etj.  Mbledhës i përkushtuar i folklorit letrar të Shqipërisë së Jugut, ka qenë, midis të tjerëve, Fatos Mero Rrapaj. Të shpresojmë se studiues të tjerë, shqiptarë e ndërkombëtarë, etnomuzikologë e muzikologë, do të bëjnë emër pikërisht duke iu përkushtuar hulumtimit të muzikës tradicionale shqiptare në përgjithësi dhe asaj toske në veçanti.

Epilog

Duke e vështruar muzikën tradicionale të Shqipërisë së Jugut si të ndarë në dy dialekte muzikorë kryesorë, njërin prej të cilëve e përfaqëson dialekti muzikor tosk (nën-dialekti muzikor tosk, nën-dialekti muzikor myzeqar, nën-dialekti muzikor çam, së toku) dhe tjetrin–dialekti muzikor lab–, mund të pranohet se, të pasur në stile muzikorë janë, veçanërisht, nën-dialekti tosk dhe dialekti lab i saj.  Nga pikëpamja e sasisë së stileve muzikorë, nën-dialekti myzeqar dhe ai çam vijnë disi më të kufizuar ose shumë më të kufizuar.  Po kështu, gjatë shekullit XX, dialekti muzikor tosk, në tërësi, sikur njohu një zhvillim strukturoro-formal më pak të ndjeshëm sesa dialekti muzikor lab.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: MUZIKA TRADICIONALE, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI, TOSKE

NJOFTIM NGA AMBASADA AMERIKANË NË KOSOVË- APLIKIM PER VIZA TURISTIKE B1/B2

May 17, 2018 by dgreca

PRISHTINË- Gazeta DIELLI/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dërgoi sot këtë njoftim:

KOSOVARËT E MOSHËS MBI 50 VJEÇARE DO TË MUND TË APLIKOJNË PËR VIZË TURISTIKE (B1/B2) NË AMBASADËN E SHBA-ve NË PRISHTINË

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë ka kënaqësinë të njoftojë se, duke filluar menjëherë do të fillojë të pranojë aplikacionet për viza turistike (B1/B2) për kosovarët e moshës mbi 50 vjeçare. Deri më tani, shërbim i tillë është ofruar në Prishtinë vetëm për aplikuesit e moshës mbi 60 vjeçare. Pasi që ambasada e SHBA-ve në Prishtinë përpiqet të ofrojë shërbime të cilësisë së lartë për qytetarët e Kosovës të cilët aplikojnë për viza, dhe ka konsideratë për vështirësitë që paraqet udhëtimi për në Shkup, duke pasur parasysh mbylljen e rrugës kryesore, ajo ka vendosur t’i zgjerojë shërbimet për viza të ofruara në Prishtinë.

Në të ardhmen, aplikantët duhet plotësuar formularin DS-160 (i cili mund të gjindet në faqen zyrtare të ambasadës së SHBA-ve në: https://xk.usembassy.gov/visas/), të përzgjedhin Prishtinën si vend të aplikimit, dhe të caktojnë terminin për intervistë në web-faqe. Në ditën e intervistës aplikantët duhet të paguajn tarifën për vizë (me para në dorë, dollarë ose euro) në ambasadë ku dhe do të intervistohen nga një zyrtar konsullor. Vini re se këto procedura dallojnë nga ato në ambasadën e SHBA-ve në Shkup. Aplikantët të cilët tashmë e kanë paguar tarifën për vizë në mënyrë elektronike apo në Bankën Raiffeisen nuk mund ta përdorin këtë pagesë për të aplikuar në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë – ata ose duhet të aplikojnë në Shkup ose duhet të bëjnë një pagesë të re. Gjatë intervistës të gjithë aplikantët duhet të dëshmojnë se kualifikohen për të marrë vizën. Zakonisht, vizat e aprovuara mund të mirren në ambasadë, një ditë pune pas intervistës.

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë shpreson të ofrojë më shumë shërbime për viza në vitin vijues. Për çdo risi dhe ndryshim ju lutemi të përcjellni ambasadën në Facebook. Pyetjet tuaja mund ti drejtoni në PristinaVisas@state.gov

VINI RE:

  • Aplikantët duhet të paraqiten jo më shumë se 15 minuta para intervistës. Armët ose çantat e mëdha janë të ndaluara në amabasadë. Aplikantët këshillohen t’i lënë paisjet elektronike në shtëpi për të lehtësuar kontrollimin e tyre nga ana e personelit të sigurimit.
  • Për të arritur tek Sektori Konsullor duhet ecur shkallëve dhe nëpër sipërfaqe jo të rrafshta. Për shkak të hapsirës së kufizuar personat të cilët nuk aplikojnë për vizë nuk do të mund të futen në ambasadë. Aplikantët me aftësi të kufizuar të lëvizjes, apo që kanë nevojë për ndihmë të ndonjërit prej anëtarëve të familjes këshillohen të aplikojnë në ambasadën e SHBA-ve në Shkup.
  • Çiftet e martuara mund të aplikojnë së bashku në Prishtinë përderisa njëri nga ta është mbi 50 vjeç. Të gjithë aplikantët tjerë të moshës 14 deri 49 vjeçare e që aplikojnë për vizë turistike (B1/B2), që përndryshe nuk kualifikohen të aplikojnë në Prishtinë, duhet të aplikojnë në ambasadën e SHBA-ve në Shkup.
  • Sektori Konsullor ka numër të kufizuar të termineve. Aplikantët duhet të kenë durim nëse data e tyre e dëshiruar për intervistë nuk është në dispozicion. Aplikantët me raste urgjente këshillohen të aplikojnë në ambasadën e SHBA-ve në Shkup.

16 May 2018

U.S. EMBASSY PRISTINA TO ACCEPT B1/B2 VISA APPLICATIONS FROM KOSOVARS AGED 50 AND OLDER

The U.S. Embassy in Pristina is pleased to announce that it will accept B1/B2 visa applications from all Kosovars aged 50 and older, starting immediately.  Previously, only B1/B2 applicants aged 60 and older were eligible to apply in Pristina.  Because the U.S. Embassy in Pristina seeks to provide high levels of customer service to Kosovar visa applicants and recognizes the difficulty of traveling to Skopje given the closure of the main road, it has decided to expand the visa services offered in Pristina.

Prospective visa applicants must fill out the DS-160 visa application (found on the U.S. Embassy website:  https://xk.usembassy.gov/visas/) and list Pristina as their place of application.  Applicants can then make an appointment on the website.  On the day of their appointment, they will pay the required visa fee (dollars or euros only) at the Embassy and be interviewed by a consular official.  Please note that these procedures differ from the visa application procedures at the U.S. Embassy in Skopje.  Applicants who have already paid their MRV fee online or at a Raiffeisen Bank cannot use this fee to apply at Embassy Pristina- they must either apply at Embassy Skopje or pay a new fee.  All applicants must demonstrate their qualifications for the visa at the time of the interview in order to receive a visa.  In most cases, approved visas may be picked up at the Embassy the next working day after the interview.

The U.S. Embassy in Pristina looks forward to offering additional visa services in the coming year.  Please follow the Embassy on Facebook for news and updates.  Questions may be sent toPristinaVisas@state.gov.

IMPORTANT POINTS

  • Applicants should arrive no more than 15 minutes before the time of their interview.  Large bags or weapons are prohibited at the Embassy.  To facilitate security screening, applicants should consider leaving electronic devices at home.
  • Access to the Consular Section involves steps and uneven surfaces.  Because of space limitations, individuals who are not applying for visas may not enter the Embassy.  Visa applicants with limited mobility or who require the assistance of a family member should consider applying at the U.S. Embassy in Skopje.
  • Married couples may apply together in Pristina as long as one member of the relationship is over the age of 50.  All other B1/B2 visa applicants between the ages of 14 and 49, who do not otherwise qualify to apply in Pristina, must apply at the U.S. Embassy in Skopje.
  • The Consular Section has limited appointment capacity.  Applicants should be patient if their desired application date is unavailable.  Visa applicants with urgent travel should consider applying at the U.S. Embassy in Skopje.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ambasada amerikane, Behlul Jashari, ne Kosove, Njoftim

Pse shqiptarët e duan Zogun I ?

May 17, 2018 by dgreca

Original caption: King Zog and Queen Geraldine of Albania in Sweden July 20, 1939 Stockholm, Sweden

COMOEDIA (1928) : “AHMET ZOGU KA BËRË PËR SHQIPËRINË, ATË QË ASNJË KRYETAR SHTETI NUK KA BËRË DERI TANI PËR VENDIN E TIJ.”/1 Zogu

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Maj 2018/

“Comoedia” ka botuar, të enjten e 6 shtatorit 1928, në faqen n°3, shkrimin e shkrimtarit, romancierit dhe gazetarit, Pierre Chanlaine, në lidhje me arritjet (sukseset) e Ahmet Zogut gjatë udhëheqjes së tij .

Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë për publikun shqiptar, tekstin ekskluziv të gazetës franceze :

 E kaluara e një mbreti.

Pse shqiptarët e duan Zogun I ?

 “Z. Ahmet Zogu, President i Republikës së Shqipërisë, që prej 31 janarit 1925, sapo u shpall Mbret i Shqipërisë. Nëse disa kurora rrëzohen, të tjera shfaqen. Kompensim i merituar.Kur luftova në Shqipëri, ishte vendi më i prapambetur që ekzistonte. Një vend i bukur, ku përrenjtë kapërcejnë me gëzim pranë maleve gjigante, një vend gjithashtu simpatik. Shqiptarët e kanë mbrojtur gjithmonë gjuhën e tyre ndaj shtypjes greke apo turke. Shqiptari është besnik ; Ai e ruan nderin. Nga tradita, ai është një ushtar i mrekullueshëm. Etërit e tij luftuan në Fornovo (Fornoue) në ushtritë e Henry III, Maximilien-it dhe François I.

 Ai është i matur. Është trim. Si mund të mos e duam atë ?

Po, por para Ahmet Zogut, duhet të thuhet se vendi nuk ishte shumë i sigurtë. Ky organizëm i vogël ishte i infektuar me mikrobe – komitadjis – që e hanin atë. Nuk kishte pushtet qendror. Dhe nëse rastësisht fuqitë e mëdha do të kishin vendosur një, askush nuk do t’u bindej atyre.

 Anarkia mbizotëronte dhe lindi pyetja, pavarësisht simpatisë që shqiptarët kishin ngjallur, pavarësisht protestave të tyre të rrepta dhe legjitime, nëse do të ishim të detyruar që t’i ndajmë ata mes grekëve dhe jugosllavëve.

 Ahmet Zogu u shfaq. Dhe vendi u transformua.

 Fillimisht, ai krijon një Kushtetutë.Dy dhoma. Dhoma e Deputetëve, e zgjedhur me votim të drejtpërdrejtë nga populli ; Ajo e Senatit, në të cilën një e katërta caktohet nga Presidenti, pjesa tjetër zgjidhet si deputetët.

Presidenti i Republikës është në të njëjtën kohë President i Këshillit, si në Shtetet e Bashkuara. Ai formon Kabinetin dhe është përgjegjës për Dhomën e Deputetëve. I investuar në detyrat e tij dhe i shqetësuar nga përgjegjësitë e tij, Ahmet Zogu punon. Ai ndërtoi rrugë : atë të Durrësit për në Tiranë ; atë të Elbasanit për në Korçë ; atë të Tiranës për në Shkodër, e cila ndahet nga një urë madhështore mbi lumin Mat.

 Kompania Franceze e “Fives-Lille” ka ndërtuar dy nga këto vepra arti, midis Durrësit dhe Tiranës, për të cilat mund të jetë krenare.Këtyre rrugëve u shtohet ajo e Beratit për në Tiranë, e ndërtuar kohët e fundit, dhe ajo e Santi – Quaranta për Selanik, të cilën e kishim riparuar gjatë luftës dhe që ai e riparoi sërish.

Ahmet Zogu urdhëron që të qarkullojnë rrugëve shërbime të rregullta auto-transporti. Por, pavarësisht gjithçkaje, meqë komunikimet janë të ngadalta, ai krijoi tri linja avionësh : Tiranë, Vlorë, Korçë ; Tiranë – Shkodër, Brindisi, Vlorë.

Menjëherë, vendi u bë i sigurtë. Ahmet Zogu do t’i sigurojë atij mjete që do të mundësojnë shkëmbime. Ai po ndërton portin e Durrësit. Një kompani shqiptare është themeluar për të prodhuar energjinë hidroelektrike të nevojshme për veprimtarinë e qytetit. Një hekurudhë – e para në këtë vend – është ndërtuar mes Tiranës dhe Durrësit ; tani ajo shtrihet deri në portin e Vlorës.

Dhe pastaj, presidenti, metodikisht, por me energji, shfrytëzon – së fundi – pasurinë e tokës : bakrin e rajonit të Pukës, shfrytëzimin e naftës së Elbasanit dhe të Vlorës prej katër kompanive – një franceze, një italiane, një angleze dhe një amerikane ; peshkarexhat e gjirit të Vlorës, që një kompani franceze i ka dhënë me qera, perlat e liqenit të Ohrit, kuajt e vegjël të fushës së Mukrës (Mursisë), të cilët njihen për rezistencën e tyre dhe shitja e të cilëve në vendet fqinje është një burim fitimesh i rëndësishëm për Shqipërinë.

Industritë e vjetra – fabrikat e sapunit, rafineritë e naftës (vajit), fabrikat e duhanit dhe të alkoolit – mbrohen ; kultivimi i drithërave dhe hardhive, zhvillohet. Dhe kur një vend i organizuar tërheq vëmendjen e të tjerëve, dhe meqë duhet frymëzuar frika së bashku me admirimin, Ahmet Zogu krijoi një ushtri dhe një xhandarmëri. Oficerë italianë dhe anglezë janë përgjegjës për organizimin e njërës dhe tjetrës. Forcat e armatosura përbëjnë totalisht rreth njëzet mijë burra.

Ahmet Zogu ka bërë për Shqipërinë, atë që asnjë kryetar shteti nuk ka bërë për vendin e tij. U tha se ai kishte bërë vetëm një koloni italiane…Një interpretim i gabuar! A do t’a lejonte patriotizmi shqiptar një gjë të tillë ? Në të vërtetë, shqiptari, si të gjitha vendet në zhvillim, shfrytëzon pasurinë e tij nëpërmjet kompanive të huaja. Por konçesionet jepen në bazë të gjykimit (analizës) dhe vetëm në rast të ofertave të barabarta fitojnë kompanitë italiane.”

 Pierre Chanlaine

Filed Under: Histori Tagged With: Ahmet Zogu, Aurenc Bebja, COMOEDIA (1928), shqiperia

Kosovë-Kuvendi për bashkëpunimet me Shqipërinë

May 17, 2018 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës në seancë me 23 pika në axhendë, tre për raportet e bashkëpunimet me Shqipërinë/

1 Behlul Kuvend.JPG1 Kuvendi kosove.JPG

 -Nuk kalon vendimi i President të Kosovës për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 17 Maj 2018/ Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot në një seancë plenare me 23 pika në axhendë, mes të cilave tre për për raportet e bashkëpunimet me Shqipërinë – dy propozim-rezoluta dhe një debat parlamentar.

“Propozim-rezoluta për heqjen e Romingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë” dhe “Propozim-rezoluta për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë”, janë pikat 18 dhe 19.

Ndërsa, nën 21 është “Debati parlamentar në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për unifikimin e pikave doganore ndërmjet tyre, sipas kërkesë së deputetit Visar Ymeri, mbështetur edhe nga 11 deputetë”.

Pjesë e axhendës është edhe “Shqyrtimi i Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, në pikën e 10-të.

Seanca nisi me Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe Koha për pyetje parlamentare për të vijuar me shqyrtimin e Vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare. Ky vendim i Presidentit nuk kaloi, pasi nuk mori votat e nevojshme, nga Kuvendi 120 anëtarësh 28 votuan pro, 32 kundër e 7 abstenuan, derisa në sallë ishin 83 deputetë, por votuan jo të gjithë – vetëm 67.

“Për miratim kërkohen së paku 61 vota pro”, siç u theksua para votimit nga kryesuesi, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, i cili citoi edhe Kushtetutën në Nenin 80, ku thuhet: “Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur”.

Në 4 prill 2018  bëhej e ditur se, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 80 dhe nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka marrë vendim për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, të miratuar më 15 mars 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ligji për Shoqëritë Tregtare ishte miratuar në Kuvend  bashkë me me amendamentin e 12 që përcakton pjesëmarrja e grave në borde me dyzet për qind.

“Për shoqëritë tregtare duhet gjetur forma të arritjes së mundësive të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën ekonomike, duke krijuar lehtësira për arritjen e barazisë gjinore dhe me këtë edhe në raste të caktuara arritjen e kuotës gjinore, por jo duke ndërhyrë në lirinë e aktivitetit ekonomik të shoqërive tregtare, mirëpo duke i stimuluar ato”, thuhej në njoftimin nga Presidenca për mosdekretimin Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe kthimin në Kuvend për rishqyrtim.

Në axhendën e seancës së Kuvendit, në punimet e pasditës pas pushimit që u dha, sot janë edhe gjashtë projektligje, mes të cilëve shqyrtimi i parë i Projektligjit për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, si dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën.

Gjatë punimeve të seancës së nisur sot Kuvendi shqyrton edhe Strategjinë shtetërore të ujërave në Kosovë 2017-2036, Planin e veprimit për biodiversitetin 2016-2020, si dhe raporteve për vitin 2017 të Zyrës së Rregullatorit për Energji, të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe të Agjencisë për ndihmë juridike falas.

Seanca e Kuvendit të Kosovës e nisur sot pritet të zgjasë më shumë se një ditë. Ndërsa të mërkurën e ardhshme, në 23 maj, Kuvendi do të mblidhet në vazhdim seancash me pikat e papërfunduara në 16, 17, 18, 20 dhe 26 prill, si dhe  në 3 maj 2018.Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 është konstituuar pas gati tre muajsh – në  7 shtator, kur u zhvillua vazhdimi i shtatë i seancës konstituive të nisur në 3 gusht.Dita e 7 shtatorit 2017 ishte dita e 27 vjetorit të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, me të cilën Kuvendi në seancën në Kaçanik shpallte Kosovën Republikë në vijimësi të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut.

Filed Under: Rajon Tagged With: bashkepunim me Shqiperine, Behlul Jashari, Kuvendi i kosoves

Zhytësat shqiptarë dhe ata amerikanë në një trajnim të përbashkët në Pashaliman

May 17, 2018 by dgreca

Zhytesa 1.

Nga Shefqet Kërcelli/DIELLI

Në zbatim të programit të bashkëpunimit midis Forcës sonë Detare dhe Flotës së SHBA, miratuar nga Ministria e Mbrojtjes, nga data 11 deri më 17 maj 2018, në Qëndrën e Zhytjeve Pashaliman u zhvillua trajnimi i personelit të kësaj qëndre për kërkimin dhe asgjesimin e municioneve në det, nga skuadra e trajnimeve nënujore, EOD, e Flotës së SHBA.

Në zbatim të këtij programi, fillimisht mbas rikonicionit të kryer nga specialistët amerikanë para 3 muajsh, nga Qëndra e Zhytjeve Pashaliman, u morrën të gjitha masat e nevojshme organizativo-teknike, që trajnimi të vijojë normalisht për të arritur objektivat e caktuara. Në trajnim morrën pjesë zhytësa të Qendrës sonë dhe zhytësa amerikanë, të Marinës së SHBA.

Për një javë rresht instruktorët amerikanë trajtuan teorikisht dhe praktikisht cështje të tilla si, mjekësia nënujore, mënyrat e kërkimit nënujor për municionet luftarake të paplasura, njohja me këto municione, njohja e minave detare e silurave, nxjerrja e tyre nga fundi i detit në sipërfaqe dhe afrimi në breg, vendet ku mund të ngrihen e transportohen dhe zbatimi i masave të sigurimit teknik në këto raste. Për këtë u provuan disa lloj lidhjesh, ngritjesh dhe tërheqjesh për në breg e mole të sigurta. Gjithashtu nga instruktorët amerikanë u zhvillua trajnimi për përdorimin e dhomës hiperbarike nga personeli ynë zhytës sipas standarteve përkatëse.

Gjatë këtyre ditëve midis zhytësave shqiptarë dhe amerikanë u zhvilluan aktivitete sportive, si ndeshje futbolli, ndërkohë që personeli amerikan u njoh me resurset turistike e traditat historiko-kulturore të zonës së Vlorës.

Në përfundim të këtij trajnimi, më datën 17 maj u zhvillua ceremonia e certifikimit të zhytësave shqiptare për operacionet nënujore EOD, ku u theksua rëndësia e këtij trajnimi dhe bashkëpunimi në të ardhmen.

Theksojmë se që nga viti 1995, ka pasur një bashkëpunim të rregullt midis zhytësave tanë dhe atyre amerikanë, ku vec trajnimeve dhe zhytjeve në thellësitë joniano-adriatike, pala amerikane ka afruar ndihma e pajisje për zhytësat tanë.

Filed Under: Kronike Tagged With: amerikane, Pashaliman, Shefqet Kercelli, zhytsat shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1416
  • 1417
  • 1418
  • 1419
  • 1420
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT