• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Masakra e padënuar

February 25, 2018 by dgreca

Bomba-ne-Ambasaden-Sovjetike

Nga Reshat Kripa/

Në këtë përvjetor të masakrës së pashembullt që regjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike në shkurt të vitit 1991, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin  pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s’ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve. Kush ishte ajo forcë që u dha mundësi këtyre heroinave për të mbijetuar në ato kushte ferri? Padashur më kujtohet thënia e filozofit të shquar gjerman Friedrich Nietzsche që shkruante:

Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku….

Po, ishte gjaku dhe origjina fisnike që i mbajti aq lart këto gra, vajza dhe djem. Fisnikërinë e tyre nuk mundi ta thyente as terrori dhe as metodat e tjera djallëzore të përdorura nga rregjimi.                                                                                               Fola vetëm për këto pesë familje, pasi këto erdhën në qytetin tim dhe e kemi ndarë vuajtjen së bashku, por nuk mund të rri pa përmendur edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera të shpërndara nëpër Shqipëri, fati i të cilave ishte i njëjtë me këtë të këtyre që përmenda më sipër.

Kujtoj këto dhe para syve më dalin njëzetedy martirët e kësaj masakre të paramenduar që filloi më 19 shkurt dhe brenda një jave, deri më 26 shkurt, gjithçka ishte kryer, duke filluar nga arrestimet masive dhe deri në ekzekutimin makabër. Një veprim i theksuar servilizmi të paparë i një kllouni politik ndaj “mikut më të madh të popullit shqiptar, Bashkimit Sovjetik”, i njëjtë me atë të shprehur disa vite më parë kur braktiste Kosovën martire në favor të  “vëllezërve jugosllavë” të cilëve u shërbente si shërbëtori besnik i padronit.

Kush ishin këta martirë?

Sabiha Kasimati, Pjerin Guraziu, Anton Delhysa, Zyhdi Herri, Gafur Jegeni, Jonuz Kaceli, Manush Peshkëpia, Mehmet Shkupi, Niko Laze, Lluka Rashkoviç, Haki Kodra, Reiz Selfo, Myftar Jegeni, Thoma Katundi, Hekuran Troka, Qemal Kasaruho, Tefik Shehu, Gjon Temali, Fadil Dizdari, Petro Konomi, Pandeli Nova dhe Ali Qorralliu.

Nder dhe respekt kujtimit te tyre te paharruar.

Ja si është shprehur krimineli Mehmet Shehu, kryeministër i asaj periudhe, lidhur me këtë ngjarje në mbledhjen e byrosë politike:

Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, po një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht që të marrim masa represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba dhe kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi. Unë mendoj se kjo masë që do të marrim duhet të jetë në një shkallë të tillë, te elementi që përpunohet, elementi reaksionar i tipit Kasaruho etj, sonte ti arrestojmë. Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta nga këta të cilët nja 10 ose 15 prej tyre ti pushkatojmë duke zgjedhur sigurisht nga ata më kryesorët mbasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të proçedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana, të familjeve reaksionare brenda një muaji.

Ndërsa të gjithë anëtarët e tjerë të byrosë politike i përgjigjen një zëri:

 Të gjithë jemi dakort me këto masa.

Lidhur me sa më sipër CIA ka hedhur dritë mbi ngjarjen e 1951. Ajo thekson:

 Në Shqipëri besohet gjerësisht se bomba ishte një inskenim i autoriteteve shqiptare për të justifikuar fushatën e radhës së spastrimeve në parti. Ky version mbështetet dhe nga fakti që pas saj u arrestuan rreth 1000 shqiptarë (50 prej të cilëve u pushkatuan pa gjyq dhe familjet u internuan në kampe)

Kjo ishte Shqipëria socialiste e asaj periudhe. Po sot çfarë po bëhet për nderimin e këryre figurave  dhe integrimin e trashëgimtarëve të tyre? Çdo gjë është lënë në heshtje. Edhe një rezolutë e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006, në të cilën deputetet socialistë dolën nga salla, megjithëse kanë kaluar mbi njëmbëdhjetë vjet asnjë pikë e saj nuk është realizuar.

Është miratuar një ligj mbi dëmshpërblimin financiar të të dënuarve politikë nga regjimi komunist por ndonse kanë kaluar gati dhjetë vjet ende ka mbetur për në kalendat greke zbatimi i saj. Deri kur vallë?  Madje sipas një projekt-ligji që po përgatit qeveria Rama u hiqet e drejta e dëmshpërblimit trashëgimtarëve të rradhës së dytë, një qëndrim i theksuar armiqësor ndaj kësaj shtrese fisnike që e pagoi lirinë dhe demokracinë me gjakun e saj.

Në  rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Nr. 1481 (2006) “Nevoja për Ndëshkimin Ndërkombëtar të Krimeve të Regjimeve Totalitare Komuniste” theksohet:

“Asamblea  beson  që  viktimat  e  atyre  krimeve  që  u realizuan nga regjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara”

Ndërsa. zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës deklaroi:

Nuk   ka   asnjë   vend   ku   komunizmi të  ketë  ardhur  në  pushtet  dhe  të  ketë  qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Janë pikërisht këta lakej të komunizmit që sot janë në pushtet madje disa prej tyre në poste drejtuese në kuvend, qeveri apo drejtësi që i kanë ngritur zërat e tyre të ngjirur duke  duke hedhur baltë mbi martirët e vërtetë të këtij kombi, midis të cilëve edhe këta martirë.

Nuk është e rastit që në vendin tonë, si në asnjë vend tjetër të ish-sistemit socilaist, që një qeveri që e quan veten demokratike të jetë në aleancë me parti që në programin e tyre kanë sisetmin komunist, që hymnizojnë diktatorin Enver Hoxha, që nxjerrin gazeta me propagandë të hapur komuniste apo që shfaqin në ekranet e disa televizioneve  filma shqiptar të periudhës së përmbysur që hymnizojnë atë periudhë. Nuk është e rastir që edhe televizioni shtetëror shqiptar, për të cilin paguan takse çdo shqiptar, ka filluar të shfaqë filma të këtij karakteri.

Sipas një libri të një ish-profesorit tim të nderuar që kishte vizituar Gjermaninë, deri rreth viteve 80-të në shkollat gjermane nuk studiohej as Hitleri dhe as nazizmi. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që populli gjerman ta harronte atë periudhë të errët të historisë së tij. Po tek ne çfarë po ndodh? Ka kohë që flitet për një rishikim të historisë së Shqipërisë, por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë. Nëpër shkollat nxënësit tanë vazhdojnë të helmohen me propagandën neokomuniste. Në Varrezat e dëshmorëve vazhdon të mbizotërojë ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët u flijuan për atë yll dhe jo për atdheun. Mua më duket sikur gjembat e atij ylli ende vazhdojnë të ngulen në eshtrat e martirëve tanë që prehen në ato varreza.

Deri kur do të vazhdohet në këtë mënyrë?

Filed Under: Featured Tagged With: Masakra e padënuar, reshat kripa

Zgjerimi i BE-së: Juncker udhëton në Ballkan

February 25, 2018 by dgreca

-Nga e diela e deri të mërkurën (26 shkurt – 01 mars 2018) presidenti i Komisionit të BE-së, Jean Claude Juncker, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor./

-MESAZHI:Presidenti i Komisionit Europian Juncker: Ju vazhdoni reformat, ne vazhdojmë mbështetjen për të ardhmen tuaj europiane./

Nga Brukseli, Bernd Riegert/

Me këtë turne rrufe në Maqedoni, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë-Herzegovinë dhe Kosovë, Junckeri synon të “japë kurajë”, siç e quan ai. Në strategjinë e prezantuar para do kohe ai kishte përmendur për herë të parë një datë për anëtarësim të mundshëm në BE, konkretisht vitin 2025. Por kjo datë nuk do të thotë se pas shtatë vjetësh të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen anëtare të BE-së. “Kjo është vetëm një datë inkurajuese”, tha Junckeri para vizitës.Gjashtë qeverive të antarëve potencialë të BE-së duhet t‘u kërkohet që të bëjnë më shumë reforma, të bëjnë më shumë për shtetin ligjor, të luftojnë korrupsionin, të garantojnë lirinë e medias, të nxisin ekonominë dhe të zgjidhin konfliktet me njëri-tjetrin.Vetëm nëse kjo do të bëhet në masën e duhur dhe nëse plotësohen disa kritere, do të ketë anëtarësime, thonë burime nga zyra e Juncker-it në Komisionin e BE-së. Vullneti i BE-së për antarësim ekziston dhe këto vende kanë një perspektivë të vërtetë.

Shqipëria dhe Maqedonia mund të fillojnë negociatat

Pak para se presidenti i Komisionit të niset për Ballkan, komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se Shqipëria dhe Maqedonia së shpejti mund të fillojnë negociatat formale të anëtarësimit. Në verë, tha Hahn, do të caktohet një datë konkrete. Deri tani  negociata formale kanë filluar vetëm me Serbinë dhe Malin e Zi, dhe Mali i Zi, i cili është anëtar i NATO-s ka bërë përparimet më të mëdha.

“Këtu kemi të bëjmë me 18 milionë njerëz në gjashtë shtete të rajonit që ndodhen ende në situata delikate. Prandaj është në interes të BE-së, që t’i ndihmojë këto shtete dhe këta njerëz e t’u japë një perspektivë”, pat thënë Johannes Hahn gjatë perzantimit të strategjisë më të fundit për Ballkanin.

Probleme të pazgjidhura nga e kaluara

Gjatë udhëtimit të tij në Ballkan, kryetari i Komisionit, Jean-Claude Juncker, do të haset me një sërë konfliktesh të pazgjidhura ndërmjet shteteve. Atë më të madhin e ka për momentin Kosova, e cila nuk njihet nga të gjitha shtetet e BE-së dhe para së gjithash nga Serbia. Para se Serbia ose Kosova të bëhen dikur anëtare të BE-së, ky problem duhet të zgjidhet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përpiqet që t’i parapërgatisë shtetasit e vet se në fund duhet ta njohin Kosovën. “Për ta parë veten në Europë, na duhet të paguajmë një çmim nga e kaluara”, tha Vuçiçi gjatë vizitës së tij në Komisionin Europian, dy javë më parë. Bashkimi Europian përpiqet prej katër vjetësh të arrijë një pajtim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, deri tani pa sukses bindës. Junckeri do të ndërmarrë një përpjekje të re për ndërmjetësim në udhëtimin e tij në Ballkan, thonë qarqe diplomatike nga Brukseli.

Symbolbild Westbalkan Flaggen (mit EU) (picture-alliance/Photoshot/Qian Yi)

Jo vetëm pasojat e luftës së Kosovës, por edhe pasojat e luftrave civile në ish-Jugosllavi do të merren me presidentin e Komisionit të BE-së. Kroacia, tashmë anëtare e BE-së, dhe Serbia kanë disa llogari të hapura për shkak të reparacioneve të luftës. Bosnja-Hercegovina vazhdon të jetë e ndarë etnikisht mes kroatëve, serbëve dhe myslimanëve dhe thuajse e paaftë për të funksionuar. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, gjatë një vizite në Bruksel, tha se ekzistojnë „interesa të përbashkëta” mes Kroacisë dhe Serbisë për të bashkëpunuar ekonomikisht dhe politkisht në kuadër të BE-së. Por, sipas tij, ka shumë çështje të hapura në lidhje me reparacionet e dëmeve të luftës.

Juncker do të sqarojë dhe do të kërkojë durim

“Ne mund të ndikojmë këtu duke sqarur dhe duke ua bërë të qartë se problemet duhet të zgjidhen, përndryshe vetëm sa humbim kohë”, tha Jean-Claude Juncker disa ditë para nisjes në Ballkan. Veç kësaj në Europë duhet durim, tha Juncker. „Marrëveshja e reparacioneve të luftës ndërmjet Gjermanisë dhe Luksemburgut u arrit vetëm pas 45 vjetësh”, tha Junckeri, i cili më parë ka qenë kryeministër i Luksemburgut.

Nga vera, ose nga fillimi i vjeshtës Komisioni i BE-së do të publikojë itineraret konkrete për secilin prej gjashtë vendeve që synojnë anëtarësimin në BE. Itinerearet do të marrin parasysh rrethanat në secilin vend, tha një zëdhënës i Komisionit të BE-së. Më parë kryetarja e radhës së BE-së, Bullgaria, e pati ftuar BE-në Sofje për një samit mbi Ballkanin Perëndimor. Bullgarët duan t’u japin patjetër një hov të ri negociatave me shtetet e tyre fqinje në Ballkan. Ndërsa Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore në BE kanë shumë rezerva. Kancelarja federale, Angela Merkel, për shembull, nuk e ka përmendur kurrë vitin 2025 si datë të mundshme për anëtarësim.

Shefi i komisionit të BE-së, Juncker, e ka thënë vazhdimisht se sa kohë që ai është në detyrë, pra deri në shtator të vitit 2019, nuk do të ketë zgjerim. Për këtë refuzim kategorik ai është kritikuar nga miqtë e Ballkanit si shkurajues. Tani Juncker po kalon në një kurs më pozitiv, por anëtarësimin konkret prapëseprapë preferon t‘ua lërë pasuesve të tij, në vitin 2025 e më pas.

***

Presidenti i Komisionit Europian Juncker: Ju vazhdoni reformat, ne vazhdojmë mbështetjen për të ardhmen tuaj europiane./

Nga Ruci/

Presidenti i Komisionit Europian Juncker: Ju vazhdoni reformat, ne vazhdojmë mbështetjen për të ardhmen tuaj europiane.

Jean-Claude Juncker (picture-alliance/AP Photo/V.Petrova)

Me këtë mesazh Presidenti i Komisionit Europian (KE), Jean Claude Juncker nis të dielën ( 25 shkurt 2018) me Shkupin dhe Tiranën, turin e tij në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (BP). Si turi ashtu edhe dhe mesazhi janë paralajmëruar nga vetë Juncker, në fillim të këtij muaji, në fjalën e tij më 6 shkurt, kur KE shpalli strategjinë “Një perspektivë e besueshme zgjerimi dhe rritje e angazhimit të BE në Ballkanin Perëndimor”.

“Do të udhëtoj në sejcilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor në fund të muajit me një mesazh të qartë: vazhdoni reformat, ne do të vazhdojmë mbështetjen për të ardhmen tuaj europiane” paralajmëroi Juncker në fjalën e tij të rastit.

Vijim i reformave të brendshme – motori i progresit drejt BE

Në prag të vizitës së Juncker në Tiranë,  komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn tha, se Shqipëria dhe Maqedonia mund të fillojnë së shpejti negociatat zyrtare të anëtarësimit pasi KE do të rekomandojë„ndoshta deri në verë që vendet anëtare të BE të fillojnë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë” mbështetur në reformat e rëndësishme,të cilat i kanë kualifikuar këto vende për hapjen e  negociatave. Në këtë kontekst reforma në drejtësi në Shqipëri ka marrë vlerësim të posaҁëm nga BE dhe sidomos kryerja e vettingut të gjykatësve dhe prokurorëve. Por Shqipëria ka përpara shumë reformat ë tjera, të mëdha, të brendshme, sidomos në sigurimin e shtetit të së drejtës dhe standardeve ekonomike.

Në diskutimin publik ” Rigjallërimi i angazhimit Europian me Ballkanin Perëndimor” të zhvilluar ditët e fundit në Tiranë nga Këshilli Europian për Çështjet e Jashtme, me nismën e Institutit Shqiptar të Medias, Carl Bild, bashkëkryetar i Bordit të këtij Këshillli dhe ish-kryemnistër dhe ministër i Jashtëm i Suedisë theksoi, se  “Dera e BE për BP është e hapur, jo sot, jo nesër por kur të përmbushen kriteret dhe të arrihen standardet e BE. Ai vuri në dukje se  BP ka nevojë për investime që të zhvillohet ekonomikisht dhe të ecë drejt BE në arritjen e standardeve të BE. Sipas vlerësimit të Komisionit Europian,„ asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor aktualisht nuk mund të konsiderohet një ekonomi tregu funksionale dhe as të ketë kapacitet për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut në BE. Pavarësisht nga të gjitha përparimet në kryerjen e reformave, mbeten shumë çështje strukturore, të cilat ndikojnë në tregjet e punës dhe veçanërisht në mundësitë e punësimit për të rinjtë “. Për KE situata është e errët edhe për sa i përket lidhjes së shtetit me krimin e organizuar, korrupsionin në administratën publike, ngatërrimin e fortë të interesave publike me ato private, kontrollin e mediave.

Priorite mbrojtja dhe siguria

Vizita e Juncker në Tiranë dhe pesë kryeqytetet e tjera të vendeve të BP pritet të tregojë sesi BE do të mbështesë transformimin e rajonit për t’iu kundërvënë ndikimit të Kinës me investimet e saj strategjike, Rusisë  apo Turqisë edhe pse vazhdon të jetë donatori dhe investitori më i rëndësishëm në rajon. Po kështu edhe partneri më i rëndësishëm  politik, edhe partneri më i madh tregtar  me një vëllim tregtar vjetor prej rreth 43 miliardë eurosh. Kjo nuk mjafton që rajoni të arrijë standardet e BE para se të bëhet pjesë e tij. Për ta mbështetur në transformimin që duhet që rajoni të “hyjë në derën e hapur të BE”, BE në  strategjinë e re ka përcaktuar gjashtë fusha specifike: sundimin e ligjit, sigurinë, migracionin, zhvillimin social-ekonomik, lidhjen mes rajonit në transport dhe energji, axhendën digjitale, pajtimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Për të ofruar në Strategjinë e Ballkanit Perëndimor dhe për të mbështetur një tranzicion të qetë përpara anëtarësimit, financimi adekuat është i domosdoshëm.  Por në prag të turit ballkanik të Juncker në Ballkanin Perëndimor, të premten ( 23.02.2018) Këshilli Europian, i drejtuar nga Donald Tusk mori vendimin që fondet më të shumta të BE të përdoren për mbrojtjen, sigurinë dhe frenimin e migracionit illegal. A do të sigurohen fonde për të mbështetur transformimin e BP kur BE ka prioritetet të tjera? Fondet për transformimin e Ballkanit mbeten në krye të faktorëve që e japin besueshmëri në angazhimin e ri të BE ndaj BP.

Filed Under: Analiza Tagged With: udhëton në Ballkan, Zgjerimi i BE-së: Juncker

RASTËSISHT ME XHON LENON

February 25, 2018 by dgreca

«Njeriu në përgjithësi dhe krijuesi në veçanti asnjëherë nuk janë njëdimensionalë…» (Ibrahim Kodra)/

1-xhevair-lleshi-zyre

Skicë nga Xhevair Lleshi/

Në Stamboll nuk është e lehtë të përballesh me rastësitë, edhe pse është viti 1977. E tillë qe edhe ajo ditë plot diell në një nga kafet e sheshit Tahsim. Njerëz që hyjnë e dalin me ngut. Salla plot. Askujt s’i vete në mendje se aty është një piktor me emër e me plot letra në çantën e madhe, që dukej si i harruar në një kënd të këndshëm të kafenesë. Dhe kur kanë mbaruar klientët e parë, vijnë të dytët, pushojnë, hidhen në veprim, qeshin, lëvizin, ndërsa mendimet rrjedhin vetiu dhe atje mes tyre një shpërthim zërash. Dikush, një djalë me syze, këndon. Magjike. Nuk zë zot vend. Maestro Kodra rrëmben letrën  e trashë, lapsat me majë të trashë hapur mbi tryezë. Nuk e njeh artistin, ndonëse nga larg, ku është ai, vijnë pëshpërima përplot drithërimë: Hero i madh! Si askush tjetër! Bllokohet kafeneja. Do ta paguaj! Ç’më bëre! Qofsh i përjetshëm! S’do të harrojmë kurrë! Maestro Kodra e hodhi skicën menjëherë. Mrekulli. Sa pak do të jenë si ty! Dhe sa me fat qenkam sot! Edhe kafeneja! Ta kem parë, thua? Po, me siguri! Një nga djemtë e tavolinës ku bënte vokalica dhe lëshonte zëra të shkëputur e puthi në buzë. Jam i lumtur, bërtet djali. Të zotëroj si burrë. Ndihem zot!…

Maestro Kodra ka nxjerrë fletën e dytë dhe vizaton mrekullisht shpejt. E bukur! Ky do të ishte një artist i madh! Çfarë lëvizjeje! Të dritësonte me sy, me aq shkëlqim dhe ngacmim. Unë nuk të njoh. Unë të kam zbuluar vetëm tani. Një lëvizje e çmendur. Edhe vijat e skicës konfigurojnë po atë lëvizje. Për herë të parë, belbëzon Kodra, nuk po kap thelbin e përmbushur në dëshirë, njohja është patjetër një armë. Dritëhijet, duhen dhënë shpejt. Asnjëherë s’kam qenë skllav i instinktit, kam bërë punën sipas natyrës. Dua që me krijimin tim të dëfrejnë. Ai edhe punonte, me nxitim sigurisht, edhe fliste si me vete, me zë. Një tingull i ëmbël, drithërimë e lehtë dhe padyshim një mungesë e madhe. Një vizatim i thjeshtë por me shijen e instinktit, thjesht sa për të shuar urinë e krijimit. Dhe m’u shfaq ky artist, që me siguri do të jetë emër i madh. Dhjetëra vajza e djem vraponin nëpër kafene, flisnin, potere, kumt i një fati të ri, diçka që mund ta klasifikosh edhe si mbretërore, pa mish e pa verë, mund të zgjidhje ç’të mundje, seks me teprí, po sidomos lëvizja, eleganca, zërat harmoniozë, grinta me aq nerv, buzëqeshje të bardha e pa një rrudhë, shkëlqim ngashënjyes. Jo, për asgjë, nuk mund ta vësh dorën në zjarr. Ç’të të them tjetër, more djalë, do ta mbyll tani, jam edhe unë në afsh, jam si një tronditje e pamendueshme, si të jem i sëmurë. E di, kam ethe të mëdha kur jam në punë. Të vizatuarit më fal kënaqësi të rrallë, i thoshte vetes Maestro Kodra. Ç’tjetër mund t’ia forcojë jetës kuptimin?…

Dëgjoi që po këndonin. Pastaj zërat sërish u fashuan. Nuk po e shihte dot. Rrëmujë e vërtetë artistike. Erdhi aty pranë kamerieri dhe i solli një ujë. Pastaj kanellë. Sa bukur, tha. E di kush është? Turma po largohej me ngut të madh. Sërish brohorima. Fluturonin foto dhe shami të bardha. Gjuhë e kuptueshme, gjeste në ajër, të shtyra, ca ikona që fluturonin andej këtej, aromë e bukur dhe me aq seks. Mund t’ia vije fajin seksit, mund të ekzagjeroje pëshpërimën, mund të shfreje habí plot frymëzim, mund të krenoheshe edhe me djersën dhe pastaj, shkrepën mijëra blice dhe një gaz i ngjyruar. E pa edhe kur po hynte në holl atë fytyrë të bukur që ngrihej përplot madhështi. Edhe syzet e djaloshit nuk reshtnin së qeshuri, vajza e djem që e puthnin, kakofoni lëvizjeje, dhuntia e përmbajtur që e fal natyra, pamje tërësisht befasuese… Është Xhon Lenon! Nuk e njeh? Maestro Kodra ngriu. Sa mirë që i besoi instinktit. Spikaste një dozë e madhe frymëzimi me një ëndje triumfuese. S’mund të mos e vinte buzën në gaz. Faleminderit, Xhon Lenon, s’do të harroj kurrë këtë rastësi dhe këto dy vizatime. Kamerieri i fotografoi. Fotografoi edhe Maestro Kodrën, aty në kafenenë Tahsim në një ditë të nxehtë e plot dritë!Vuri dorën në zemër dhe iu bë se po falënderonte edhe instinktin.

Tiranë, më 24.02.2018

Filed Under: ESSE Tagged With: ME XHON LENON, RASTËSISHT, Xhevair Lleshi

Kosovë-Demarkacioni, shtesa “si orientim” për konsensus

February 25, 2018 by dgreca

1 Kuvendi 61 Shtesa1 Kosova 10 vjet1 treshja e Kosoves–Për kalimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi duhen së paku edhe 2 vota për të arritur numrin 80 – dy të tretat e nevojshme të Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh. Mbetet të shihet a do të sigurohen nga dy partitë që janë deklaruar kundër – Lëvizja Vetëvendosje opozitare me 32 deputetë dhe Lista Serbe, pjesë e koalicionit qeverisës, me 10 deputetë/

 1 Behlul Kuvend

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 PRISHTINË, 25 Shkurt 2018/ Shtesa “si orientim” është krejt ajo që u ndryshua  në Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi me dakordimin dje së bashku të tre liderëve të partive të koalicionit qeverisës, PDK, AAK e AKR, e që është mirëpritur nga partia opozitare LDK si “gatishmëri për të pranuar propozimin” e saj.

Tash, pas këtij konsensusi, për në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, e cila pas tre shtyrjeve pritet të mbahet të mërkurën e javës së ardhshme, janë të sigurta edhe 27 votat e grupit parlamentar të LDK dhe bashkë me 23 të PDK, 10 të AAK, 6 të Nisma-s e 2 të deputetëve të AKR që janë pa grup parlamentar bëjnë gjithësej 68.

Kur këtyre u shtohen edhe 6 votat e grupit Gjashtë Plus të komuniteteve pakicë joserbe dhe 4 të deputetëve tjetë pa grup parlamentar, mes të cilëve një serb që është deklaruar për ratifikimin e marrëveshjes që është edhe një kusht për liberalizim vizash, numri total i votave pro arrin në 78, ndërsa për kalimin e Projektligjit duhen së paku edhe 2 vota për të arritur 80-shin – dy të tretat e nevojshme të Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh.

Mbetet të shihet a do të sigurohen të paktën edhe 2 votat e nevojshme pro nga dy partitë që janë deklaruar kundër – Lëvizja Vetëvendosje opozitare me 32 deputetë dhe Lista Serbe, pjesë e koalicionit qeverisës, me 10 deputetë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bëri të ditur në mbrëmjen e djeshme se “me marrëveshjen e re konsensuale, ndryshimi që ka pësuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror është shtesa ‘si orientim’, me kërkesë të LDK-së”, ndërsa shtoi se “kjo fjalë ishte ajo që pengonte ratifikimin e marrëveshjes”.

Të premtën e kësaj jave në seancën e Kuvendit, që u shty për herë të tretë, pas të enjtes e më herët në mbrëmjen e 28 shkurtit, kryeministi Haradinaj tha se ka dy vjet e gjysmë që skena politike kosovare  është ndarë për një temë që ka të bëjë me territorin vendit, me kufirin  me Malin e Zi,  ndërsa duke iu drejtuar LDK-së tha se “asnjë germë nuk i hiqet” asaj që ka proceduar qeveria për Projektligjin.

“Projektligji për demarkacionin ratifikon marrëveshjen e 26 gushtit 2015. Për të parë dilemat, qeveria ka formuar një komision, i cili ka nxjerrë një raport”, tha kryeministri.

Lidhja Demokratike e Kosovës në seancën e jashtëzakonshme kishte shkuar me qëndrimin se është unanimisht pro, por “nuk mund të mbështesë ratifikimin e Projektligjit nëse i bashkëngjiten dokumente kontradiktore”.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila  ëshët shprehur kundër dhe ka bërë edhe “thirrje për mosvotim”, u pa në sallën e seancave planare të Kuvendit e “armatosur” jo me gaz lotsjellës siç ka ndodhur viteve të kaluara, por me pako të mbushura me peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime të qytetarëve kundër demakacinit të organizuar në kohën kur edhe partia e kryeminisrit të tashëm ishte në opozitë.

Ndërsa, nga ana e Listës Serbe  10 deputetet e saj mungonin në sallën e seancave planare të Kuvendit e më parë 3 ministrat e saj në qeveri abstenuan në votimin për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

“Neni 3” i Projektligjit, pas shtesës së dakorduar dje, ka këtë përmbajtje:

“Pjesë përbërëse të këtij ligji janë:

1.1.Marrëveshja për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenë me datë 26 gusht 2015;

1. 2.Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për shënimin e Kufirit Shtetëror si orientim dhe

1.3.Deklarata e përbashkët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Sh.T.Z. Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi,  Sh.T.Z. Filip Vujanoviq e datës 16.02.2018.”

Në mbledhjen e paraditës së 20 shkurtit 2018 qeveria mori vendimin për tërheqjen nga procedurat e miratimit në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Procedimi më i ri, me vendimin e  mbledhjes së pasditës së 20 shkurtit 2018, i projektligjit për ratifikimin e demarkacionit nga qeveria në Kuvend është i treti.

Procedimi i dytë ishte me vendim të mbledhjes së qeverisë të 4 dhjetorit 2017.

Procedimi i parë ishte në 4 gusht 2016  me vendim të mbledhjes së qeverisë së udhëhequr atëherë nga kryeministri Isa Mustafa me miratim njëzëri të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore.

Më pas, qeveria Mustafa u rrëzua në 10 maj 2017 në seancën e Kuvendit të Kosovës me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallë  ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh. Ky votim në Kuvend u pasua me shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare për datën 11 qershor 2017.

Plot tre muaj pas zgjedhjeve, në ditën e parë të punës të qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej se kryeministri Haradinaj i ka propozuar qeverisë së re shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqin, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit të ri Shtetëror për Demarkacion.

Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi është nënshkruar në 26 gusht 2015 në Vjenë. Për palën kosovare e ka nënshkruar atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.

 Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, demarkacioni, Kuvendi, Shtesa

Stavro Stavri, ish ministrin fuqiplotë shqiptar në Francë, Jugosllavi e Greqi…

February 25, 2018 by dgreca

Stavro Stavri- Kavajasi që mbante një emër melodioz e të harmonishëm, si vetë kënga e mjellmës/

1 Fotaq-AndreaNga Fotaq Andrea/

kavaja 1ne pazarin e kavajes

E kemi fjalën për Stavro Stavrin (1885-1955), ish ministrin fuqiplotë shqiptar në Francë, Jugosllavi e Greqi, avokat, doktor në drejtësi (diplomuar në Paris), ish deputet i Prefekturës së Durrësit në vitet 1920, ish Sekretar i përgjithshëm i Kryesisë së Republikës së Shqipërisë, deputet i Tiranës, ish profesor i gjuhës shqipe në Shkollën e Gjuhëve Orientale në Paris, mik i madh i Francës, që e dekoroi më 1950 me Çmimin e madh të Gjuhës franceze. Po japim më poshtë dy dokumente historike që e shfaqin atë patriot të përkushtuar me zemër, zë e mendje për çështjen shqiptare në fillimet e shtetit të ri shqiptar. Sepse është i treti shqiptar (pas Mustafa Abdylit dhe Dhimitër Beratit), zëri i bukur i të cilit figuron historikisht i regjistruar në Arkivat e Vjenës e të Sorbonës dhe i dyti ministër i Shqipërisë (pas Iliaz Vrionit) në cilësinë e Anëtarit të asociuar të Akademisë Diplomatike Ndërkombëtare të Parisit. Figurën e tij e ka bërë të njohur publikisht në kohët tona Olimbi Velaj (2006), dhe më pas në korrespondencë me njëri-tjetrin (2012) Rudi Metaj e i ndjeri Robert Elsie, ky enciklopedist modern i botës shqiptare që prehet përjetësisht nën hijen e rëndë të Alpeve të Shqipërisë. Më pas, mësojmë nga studiuesi Fatmir Minguli se biografi Zyhdi Shehi i ka kushtuar një monografi diplomatit Savro Stavri, por për fat të keq, librin e tij nuk e disponojmë.

Arkivat franceze dhe sidomos Biblioteka e pasur numerike “Gallica” japin disa të dhëna interesante për Stavro Stavrin sipas shtypit të kohës kur ai jetoi e veproi në vitet 20-30. Kështu, mësojmë nga goja e Stavrit se vetë emri i tij me tingëllim të harmonishëm “canorus” do të thotë “Kryqi i Kryqit”, se më 1925 synonte të botonte një “përmbledhje rrëfenjash të Orientit” në bashkëpunim me Zonjushen Alice Brenot, doktore në Letërsi, dhe latiniste e rrallë për kohën, me të cilën ai do të martohej po atë vit, dhe se më 1932, kur jepte pritje në Ambasadën shqiptare në të famshmen “Rue de la Pompe”, në krah të Znj. Brenot, ai kishte botuar tashmë një poemë në revistën “La Bourgogne”. Po ashtu, libri i tij “Etudes sur l’Albanie” (“Studime për Shqipërinë”), botuar në Paris që më 1922, ishte komentuar nga shtypi i kohës “si një vepër interesante në të cilën [autori] përshkruan doket, historinë fetare e letrare,  zakonet familjare të atij vendi nga i cili ai ka dalë si një nga përfaqësuesit më të shquar të tij” (gazeta “Cœmédia”, 3 gusht 1925).

Lidhur me dy dokumentet e mëposhtme, vlen të theksojmë se incizimi i zërit të tij nga Arkivat e Sorbonës pasqyron një dialekt “puro kavajas”, që përbën, si çdo dialekt tjetër, një pasuri fonetike të shqipes, mjaft me interes për gjuhësinë historike shqiptare; nga ana tjetër, historiku i shkurtër i kombit shqiptar që ai shpalos në fjalën e tij para Akademisë Diplomatike ndërkombëtare të Parisit shfaq jo vetëm frymën e tij të fuqishme patriotike, por edhe erudicionin e tij të thellë, që e mbështet më ndonjë rast në teza e teori të kohës, me kufizimet dhe pasaktësitë e tyre shkencore, si për shembull prejardhja e popullit shqiptar nga Azia, tezë që e mbështeste gabimisht Louis Benloew, ky gjuhëtar e etnolog i mirënjohur hebre-francez. Por, po ja lëmë fjalën vetë Doktor Stavro Stavrit me transkriptimin që i kemi bërë zërit të tij të incizuar dhe me fjalën që mban në Akademinë Diplomatike të Parisit.

Letër drejtuar një miku

8 qershor 1921

nga Stavro Stavri (transkriptim i tekstit të incizuar, 2, 09 minuta).

I dashni e i nershmi vlla,

Mora letrën tate mas gjasht’ vjet       që nuk ta pata pa shkrimin e u g’zova shum’ për shnetin tuj. Sikur ju, en mu, m’ka marr malli shum’ për ju, për Kavajën, ene për gjithë viset e Shqipnis’. Letra juj më pru nër men’ gjith’ qejfet e djemnis, fjalimet [bisedat] që kena bã, kangët kombiare që kemi punu, djemt’, gocat e gjith’ ato njerzit qi i mësojën  me kënu e me shkru shqip në kohën e Turqis.

Pres me gëzim dit’n e lumtme  që do ju shof me sy, se nuk paska gjã m’e amël e mã e dashme se mãmëdheu. Gëzohem që kãm n’gju [dëgjuar] se sot se gjith’ shqiptar’t, t’mãdhenj e t’vegjël, burra e gra menojn e punojn për Shqipni. Me kët’ mënyr’ do përmajm’ e do shigurojm’ të drejtat tona. Në qoftë se gjinet nonji që ene nuk i ka ardhë menja, do dojim të fluturojëm të vijëm atje e t’i thojëm :

O vlla shqiptar,

Që n’gjith’ punët je i mar’[mbarë],

Pa ktheji syt’ në Shqipni,

Se gjinet ene në idhni.

Mos bȭ [e bë] me g’zim anmikun,

Që do Shqipnin m’ e fikun.

Shqipnin e ka neru Zoti me gjith’ t’mirat,

Me det, lumna, projna, me fusha, male e bjeshka,

Me tok’ t’begatshme që mshef  shum’ pasuni.

à burrani pra, t’mësojm,

Nat’ e dit’ t’punojm’

Mãmëdhen t’lulzojm’,

Q’i t’na gëzohet miku

E t’na ket nez [ndez] anmiku

E gjith’ bota t’na nerojn’.

Kaq gjã nji student shqiptar, me zemër plot mall ju thot : « Dashtë Zoti o mãmdhetarë, mos i shkoj kjo lutje kot !

I falem shnet t’gjithve,

Stavri [pasojnë duartrokitje].

 

Statuti ndërkombëtar i Shqipërisë

Nga Stavro Stavri

Fjala në Akademinë Diplomatike Ndërkombëtare, Paris, 1932.

Nëse bashkimi bën forcën, kohezioni sjell fuqinë, dhe Akademia Diplomatike Ndërkombëtare, falë frymës së harmonisë mes anëtarëve të saj, e ka për detyrë t’i bëjë Europës dhe Botës mbarë shërbimet më të çmuara.

Kompani ndërkombëtare, Akademia na shfaqet sa nyje lidhëse, aq edhe udhërrëfyese e vatër ndriçuese për tërë ata që ndihen të izoluar, të pasigurt a mbërthyer nga ankthi i së nesërmes.

Kombet, ashtu si familjet, mund të jenë në mos të përçara, të paktën të shqetësuara nga konfliktet e interesit, por është pikërisht zgjuarsia e anëtarëve të saj, udhëhequr nga fryma e kortezisë, e bamirësisë dhe, në rast nevoje, nga fryma e sakrificës dhe e vetëmohimit, ajo që do dijë t’i sheshojë tërë çështjet e mosmarrëveshjeve.

Çka përbënte madhështinë e Familjes së lashtë ishte nënshtrimi ndaj autoritetit prindëror, dhe çka e bën me emër edhe sot familjen patriarkale ballkanike është bindja ndaj kreut të saj, dhe rezultatet pozitive të kësaj bindjeje shfaqen nëpërmjet unitetit të drejtimit dhe të orientimit familjar.

Çka do të shfaqë madhështinë e Botës njerëzore, dhe në mënyrë të veçantë të Europës së qetësuar e të ringritur do të jetë nga ana e cilitdo Anëtar të Familjes Universale – dua të them nga ana e çdo Shteti -, pranimi i vullnetshëm i sugjerimeve apo i propozimeve të një Këshilli me kompetenca të plota, i pavarur e i paanshëm, me objektiv të vetëm riorganizimin e përgjithshëm.Ditën kur ky Këshill do të jetë i përbërë nga Anëtarë tek të cilët dija që zotërojnë do të jetë garanci për pagabueshmëri nga ana e tyre, jeta shembullore që bëjnë do të dëshmojë se nuk udhëhiqen nga asnjë ndjenjë interesi të ngushtë, se ndershmëria në veprimet e tyre do të jetë model i ndershmërisë morale; dhe po atë ditë nuk do të ketë kurrfarë dyshimi që Këshilli do të ushtrojë mbi fatet e pesë kontinenteve një ndikim të efektshëm përherë e më të madh.Pikërisht këtë përpiqet të realizojë nëpërmjet punimeve të veta Akademia Diplomatike Ndërkombëtare, e cila sot po më bën nderin të më pranojë në radhët e saj për të zënë vendin e paraardhësit tim të ndjerë Ilias Vrionit, i cili ka qenë gjatë karrierës së tij Kryetar i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Ministër i Punëve të Jashtme në disa kabinete qeveritare dhe që prej shtatë vjetësh i akredituar pranë Qeverisë së Republikës Franceze në cilësinë e të Dërguarit të Jashtëzakonshëm dhe të Ministrit Fuqiplotë të Shqipërisë.

Zotërinj,

Pesëqind e dymbëdhjetë Ambasadorë e Ministra, të bërë bashkë, me një qëllim të vetëm, tek i shohim të bashkërendojnë përpjekjet e tyre në të njëjtin drejtim, të dhurojnë krejt cilësitë e tyre të natyrshme, rezultatin e punëve dhe të përvojës për realizimin e të njëjtit qëllim, atë të gjetjes së një zgjidhjeje për vështirësitë që po kalon sot Bota – ja forca e zgjuarsisë dhe e gjenisë përfaqësuar prej tyre, ja shenja paralajmëruese e suksesit të pritshëm!

Do t’ju flas sot për Shqipërinë, për origjinat e saj, për gjendjen e saj në Europën e sotme.

Ka shtete të rinj dhe Shqipëria është një prej tyre; ka popuj të lashtë, dhe shkipëtarët janë një prej tyre.

Shkipëtarë, është emri i të parëve tanë, pak a shumë njëlloj si Galët që është emri i të lashtëve tek Francezët,  apo si Iberët, tek Spanjollët, si Kletët tek Irlandezët dhe si Germanët tek Alemanët.

Ardhur prej Azie gjatë mërgimesh parahistorike të popujve, ky degëzim i vogël i familjes së madhe ariane, degëzim që ruajti në gjuhën e vet krejt karakteristikat e gjuhëve indo-europiane, u vendos në këtë krahinë ballkanike buzë Adriatikut dhe u mbajt aty me aq vitalitet sa aty ndodhet edhe sot e kësaj dite.

Ardhur para Grekëve, ardhur para Sllavëve, në një epokë aq shumë të hershme, ata shfaqen tashmë autoktonë, dhe vetëm gjurmët gjuhësore e kujtimet tradicionale shfaqin atë stad kalimtar të jetës së tyre buzë detit Kaspik dhe në malet e Kaukazit para mbërritjes së tyre në Iliri.

Shkipëtarët, të lumtur tek e panë veten të vendosur në këtë qoshk toke të re për ta, e shprehën ndjenjën e tyre me fjalën “i lirë”, duke e quajtur kështu vetveten “ilirianë“, dhe më pas do të njiheshin vetëm me këtë emërtim. Në bazë të krahinave ku banonin, ata dalloheshin mes tyre në Taulantë, Peonë, Dardanë… Ishin paganë, adhuronin forcat e natyrës si dhe zogun mbret të maleve, shqipen, nga ku morën emrin shkipëtarë, bij të Shqipes.

Si njohën jetën nomade, mbërritën në stadin e jetës patriarkale, hapën toka të reja, dhe e quajtën veten arbanës apo arëbërës, kultivues të arës, aurura, emër homerik i tokës-arë. Emri modern Shkipëtarë megjithatë vazhdon të ekzistojë.

Disa shekuj më vonë, Bizantinët i quajtën Alvanites apo Arvanites, që Turqit e shqiptuan Arnautë apo Arnavutë.

Sikur shqiptarët të kishin jetuar në qetësi në tokën e tyre, nuk ka kurrfarë dyshimi se do të kishin njohur që herët një erë të gjatë paqeje shoqërore, por të vendosur siç ishin në udhëkryq të Lindjes e të Perëndimit, do ndodhte pikërisht në territorin e tyre përplasja midis dy koncepteve morale që do të trondiste Europën përgjatë shekujsh: krishterimi dhe besimi kuranik.

Në shekujt e parë të erës sonë, apostulli Pal erdhi në Iliri të përhapë doktrinën e Jezusit, madje ai i përkushtoi shumë prej epistulave të veta Ilirëve, të cilët i ktheu në besimin e tij.

Gjatë skizmës së Orientit, të ndodhur nën ndikimin politik të Kostandinopojës, shumë prej tyre pranuan ritin ortodoks; po kur në shekullin XV filloi lufta  e gjysmëhënës kundër kryqit, shumë shqiptarë do të njihnin vuajtjet dhe mjerimet e kësaj lufte.

Dhe me pushtimet e njëpasnjëshme që bënë, ngadhënjyesit do të impononin edhe fenë e tyre për cilindo që do donte të ruante të drejtën për të zotëruar toka, si dhe për të pasur disa privilegje. Pikërisht në këtë kohë, për të shmangur rrënimin e tyre, shqiptarët, e disa syresh me bindje të plotë, pranuan fenë e Muhametit. Dhe me përhapjen e kësaj feje, dy sekte do të viheshin përballë njëri-tjetrit, ai i sunitëve, muhamedanë të hershëm, dhe ai i bektashinjve që, tek adhuronin Allahun, njihnin për profet Muhametin por edhe Aliun. Aktualisht, myslimanët e Shqipërisë, të pavarur nga Kalifati, formojnë një bashkësi myslimane shqiptare, dhe kreu i tyre shpirtëror është Krye-Myftiu, i përqendruar në Tiranë. Bektashinjtë kanë për të parë të tyre Krye-Gjyshin, i cili është i përqendruar edhe ai në Tiranë.

Ortodoksët kanë gjithashtu kishën e tyre autoqefale kombëtare, kurse katolikët romakë kanë vartësi nga Vatikani.

Shqiptarët gëzojnë në Shqipëri liri të ndërgjegjes dhe qofshin katolikë, ortodoksë apo myslimanë, të gjithë kanë të drejtën e barabartë për funksionet publike dhe kulti që praktikojnë më me zell është përkushtimi ndaj atdheut.

Pa mjetet e duhura, duke qenë të izoluar për shkak të natyrës malore të vendit, shqiptarët, prapëseprapë kanë pasur nderin t’i bëjnë kauzës së Europës së krishterë një shërbim të çmuar duke ngritur një barrikadë ndaj sundimit aziatik.

Është pikërisht Heroi i tyre kombëtar Skënderbeu, ai që u bë artizan i në vepre të tillë, mburojë përballë tërë asaj ofensive.

Gjon Kastrioti, nga familje fisnike shqiptare, banonte në kështjellën e Krujës dhe mbretëronte në rajonin e Matit dhe të provincave përreth. Sulltan Murati II, që kishte pushtuar një pjesë të Azisë e të Thrakisë, erdhi për të sulmuar princërit fqinjë të Shqipërisë. Gjon Kastrioti po ashtu u sulmua nga trupat e Muratit. Për të shpëtuar popullin e tij, nuk gjeti mënyrë tjetër veçse dha peng katër djemtë që u morën në Adrianopojë. Sulltani helmoi tre syresh, dhe më i vogëli, vetëm nëntë vjeç, e çuditi me bukurinë dhe zgjuarsinë e tij, e rriti kështu së bashku me djalin e tij, Mehmetin, ai që më vonë, do të pushtonte Kostandinopojën. Mësoi aty greqishten, latinishten, turqishten, arabishten, italishten, sllavishten, si dhe zanatin e armëve, në të cilin nuk do vononte të shkëlqente. Në Anadoll, korri fitore dhe do të njihte gradat më të larta dhe krejt lavdet, ndërkohë që sulltani do t’i vinte emrin Skënderbe,  domethënë princi Aleksandër.

Gjon Kastrioti sakaq do të ndërronte jetë dhe sulltani e pushtoi krejt vendin brenda një kohe të shpejtë, duke e nënshtruar e duke mbajtur mbyllur në pallat nënën e Skënderbeut dhe të motrën. Skënderbeu ndjeu thellë në shpirt dhembje të tillë që u shndërrua në urrejtje të pamëshirshme ndaj vrasësit të vëllezërve të tij dhe pushtuesit të vendit ku kishte lindur. Priti çastin e volitur për t’u përgjigjur.

Despoti George Brankoviç i Serbisë ishte thyer ndërkohë nga Turqit dhe papa Eugjeni IV porositi Hungarezët, Polakët dhe Transilvanët të shkonin në ndihmë të Serbëve kundër ushtrive turke ku shkëlqente Skënderbeu në atë kohë. Në kulmin e betejës, Huniadi la Vladislavin  në kampin e vet dhe niset në krye të 10.000 trupave për të bërë një manovër të fshehtë, duke përparuar në drejtim të Moravës për të zënë në befasi trupat turke.

Skënderbeu tek zbuloi këtë manovër, kuptoi se kishte ardhur çasti për shpagim. Mblodhi aty-aty besnikët e tij shqiptarë që e shoqëronin dhe mori së bashku me ta vendimin për tërheqje; Hungarezët i ranë befasisht ushtrisë turke dhe e shpartalluan. Skënderbeu mbërtheu ndërkohë reis efendiun që mbante vulën zyrtare të sulltanit dhe i diktoi një ferman drejtuar guvernatorit të Krujës, qyteti i tij i lindjes. Fermani urdhëronte që guvernatori t’ia linte postin e tij Skënderbeut.

Guvernatori, duke i besuar këtij urdhri të sulltanit nuk e bën fjalën dysh. Në çast, Skënderbeu mbledh krerët dhe parinë e rrethinave të Krujës, i vë në dijeni të planeve pushtuese dhe armiqësore të sulltanit. Të gjithë në një zë shprehin gatishmërinë për t’i bërë qëndresë sulltanit dhe e shpallin Skënderbeun mbret, ndërkohë që prapsin sulmet e garnizoneve të sulltanit. Skënderbeu ishte në atë kohë njëzet e nëntë vjeç.

Sulltani, me t’u vënë në dijeni të qëndrimit hakmarrës të Skënderbeut ndaj tij, i drejtoi një letër plot qortesë, po prapë e falte për veprimin që kishte bërë.

Skënderbeu iu përgjigj me këto fjalë:

“Nga kampi i tij pranë Krujës, më 12 gusht 1445, Gjergj Kastrioti, ushtar i Jezu-Krishtit dhe Princ i Epirotëve, për Muratin, Princ i Turqve, përshëndetje!…” E përligj më pas qëndrimin e vet dhe deklaron hapur se do të vazhdojë luftën gjer në fund për shpëtimin e atdheut të tij.

Sulltani përgatiti atëherë një ushtri tepër të madhe në numër që e drejtoi vetë kundër Krujës, por u mund dhe iu desh të largohet nga Shqipëria. La aty vetëm dy gjeneralë dhe 25.000 trupa për të mbrojtur disa fronte në kufi me Maqedoninë.

Skënderbeu festoi fitoren në krejt trojet shqiptare dhe, pa lënë kurrgjë pas dore, e përdori gjeninë e vet për të inspektuar qytetet dhe krahinat, për të zhdukur pasojat e luftës dhe për të ringjallur kudo shpirtin shqiptar.

Njëzet e pesë vjet me radhë, ai luftoi me sukses kundër armiqve të Shqipërisë duke u veshur me lavdi. Kështu Turqit, që kishin nënshtruar Azinë, Greqinë dhe kishin pushtuar Kostandinopojën Trebizondën, Valakinë, Serbinë, Bosnjën, pësuan dështim në Shqipëri, gjë që i pengoi të pushtonin Romën dhe të ngrinin flamurin e gjysmëhënës në Kapitol.

Ai mbretëroi për njëzet e dy vjet si Mbret i Shqipërisë, i zgjedhur nga populli i tij, i njohur nga Selia e Shenjtë, nga Venediku, nga Mbreti i Napolit, nga mbreti i Francës, nga princërit e Serbisë, të Valakisë, të Hungarisë, madje edhe nga kundërshtari i tij Mehmeti II, me të cilin përfundoi marrëveshje tregtare.

Pas vdekjes së tij më 1467 [1468], pushtimi islamik u vendos sërish dhe Shqipëria u shndërrua në provincë osmane. E megjithatë, asnjëherë shqiptarët nuk e konsideruan veten si banorë të një vendi të pushtuar, tek përjetuan thjesht administrimin otoman, aq difektoz për më tepër në Europë, por edhe më shumë në Azi, ndërkohë që ruajtën gjuhën, doket, zakonet e tyre dhe sa herë që u jepej rasti, do shfaqnin fuqishëm ndjenjat e tyre separatiste e autonomiste. Kështu ndodhi me Bushatllinjtë, pashallarët trashëgimtarë të Shkodrës, më pas me Ali Pashë Tepelenën, me Himariotët, Suliotët, Malësorët e Mbi-Shkodrës, Mirditorët  banorët e krahinës së Matit, që ruajtën gati përherë njëfarë autonomie.

Gjatë Kongresit të Berlinit, u formua Lidhja e Prizrenit për të parashtruar të drejtat kombëtare e për t’i mbrojtur ato. Edhe më pas, më 1909, 1910, 1911, ata luftuan me ashpërsi kundër Xhon- Turqve dhe ashtu sikurse ndodh me hekurin që tek e rreh në kudhër pa pushim, arrin më në fund ta thyesh, po ashtu, pas një numër revolucionesh lokale, një mbledhje e tërë patriotëve shqiptarë u mbajt më 28 nëntor 1912 në Vlorë, ku u ngrit nga Ismail Qemal Vlora, në shenjë pavarësie, flamuri kombëtar, i kuq me shqiponjën e zezë dykrenore. Përpara faktit të kryer, në prani të një populli i gatshëm që më mirë të vdesë se sa të jetojë pa liri, pavarësia e Shqipërisë u njoh nga Fuqitë e mëdha më 20 dhjetor 1912 në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës.

Zotërinj,

Tek pata nderin t’ju flas për zanafillat e Shqipërisë, tek solla në kujtesën tuaj shkurtimisht etapat kryesore të historisë sonë, gjer më 1912, më lejoni t’ju paraqes tani gjendjen e sotme të Mbretërisë së Shqipërisë dhe marrëdhëniet e saj me shtetet fqinje si dhe me shtetet e tjera europiane.

Ahmed Zogu, prejardhur nga një familje e lashtë dhe fisnike shqiptare e Matit, pasi luftoi pareshtur gjatë pesëmbëdhjetë vjetësh për të konsoliduar pavarësinë e atdheut të vet tronditur rrezikshëm, pasi siguroi unitetin e të gjitha krahinave dhe stabilitetin e kufijve të përcaktuar nga Protokolli i Firences, u zgjodh mbret i Shqiptarëve më 1 shtator 1928 nga Asambleja kombëtare, kur kishte qenë më parë President i Republikës së Shqipërisë; u ngjit në fron me emrin “Zogu i parë”.

Shqipëria është sot një monarki demokratike, parlamentare, e trashëguar, në bazë të Kushtetutës monarkike të 1 dhjetorit 1928.

Dy termat “monarki demokratike”, që duken në vetvete kontradiktore, shpjegohen kësisoj: me përjashtim të anëtarëve të Familjes Mbretërore, që mbajnë titullin “Madhëri, Princ, Princeshë”, Shqipëria nuk jep asnjë titull tjetër fisnikërie, dhe Shqiptarët nuk mund të mbajnë kësi titujsh në vendin e tyre. Gjithë shqiptarët janë të barabartë në të drejta e detyra, dhe nuk ekzistojnë privilegjet.

Janë krijuar dy urdhra kombëtare dekorimesh, “Urdhri i Skënderbeut” dhe kohët e fundit “Urdhri Besa”. Vetëm mbreti ka të drejtë t’i japë këto urdhra.

Kushtetuta monarkike që shfuqizonte tërë dispozitat e Kushtetutës republikane, përpunuar nga Asambleja Kushtetuese gjatë rivendosjes së Legalitetit më 21 janar 1925, ia beson pushtetin ekzekutiv Mbretit, që e ushtron këtë pushtet nëpërmjet Ministrave të tij. Mbreti ka gjithashtu të drejtën e faljes dhe të drejtën për të ulur apo ndryshuar ndëshkimet. Pushteti legjislativ ushtrohet si nga Mbreti, ashtu dhe nga Dhoma e Deputetëve. Kjo Dhomë, e zgjedhur për katër vjet, sapo është ripërtëritur dhe përbëhet nga gjashtëdhjetë anëtarë të zgjedhur me votim të përgjithshëm në dy shkallë.

Mbreti përfaqëson shtetin shqiptar si brenda, si jashtë, pret dhe akrediton veprimtarët diplomatikë. Nga ana tjetër, në rast agresioni, mund të shpallë gjendjen e luftës, si dhe përfundon marrëveshje miqësie, aleance etj., duke i dhënë llogari Parlamentit për qëndrimet e tij në pajtueshmëri me interesin e lartë të shtetit.

Shqipëria shpreh gëzim për regjimin e vet monarkik. Populli e mbështet njëzëri sovranin e tij, duke e shfaqur entuziazmin gjatë festave kombëtare dhe shtypi i bashkohet gjithë këtij entuziazmi.

Të huajt, udhëtarët që kanë shkuar në Shqipëri para pesë vjetëve, dhe që janë kthyer përsëri aty, shohin tani një vend krejt të transformuar. Dhe kjo, falë energjisë dhe urtësisë së mbretit të vet, që ka ditur të stimulojë zellin për punë dhe të thyej fuqinë e dembelizmit dhe fatalizmit rrënjosur në popull përgjatë katër shekujsh sundimi osman, duke e zëvendësuar me energjinë dhe përkushtimin ndaj atdheut.

Ndër njëmijë shembuj, do të përmend vetëm një, vëmendjen krejt të veçantë me të cilën Sovrani ynë përkujdeset për edukimin kombëtar: kështu, në Shqipëri, Zotërinj, në mbrëmje, tek dalin nga shkolla, shohim, qoftë edhe nëpër fshatrat e vegjël, të ecin me hap rreshtor vajza të reja duke kënduar këngë patriotike; dhe, si nëna të ardhshme për brezat e rinj, asgjë nuk është lënë pas dore në formimin e tyre si edukueset e para të drejtuesve të ardhshëm të shtetit, të mjekëve të ardhshëm, të avokatëve të ardhshëm, të inxhinierëve të ardhshëm, të punonjësve të ardhshëm të dorës dhe mendjes. Dy cilësitë që ato zotërojnë dhe që duhet t’i zotërojnë plotësisht: guximi dhe vetëmohimi, janë të tilla që duhet të njihen edhe jashtë kufijve, sepse Shqipëria sot kërkon të zërë një vend të denjë për të, të denjë për të shkuarën e saj heroike, të denjë për një shtet të lirë e të pavarur siç është sot nën qeverisjen e sovranit të saj fisnik e gjenial.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetet fqinje, Jugosllavinë e Greqinë, janë miqësore dhe me vullnetin e mirë të të gjitha palëve, këto marrëdhënie mund të bëhen përherë e më të përzemërta.

Shqipëria dhe Italia kanë marrëdhënie të shkëlqyera mbështetur në Traktatin e aleancës mbrojtëse, nënshkruar në Tiranë më 22 nëntor 1927. Në bazë të këtij Traktati, përcaktohet shprehimisht se të dyja Palët e larta kontraktuese kanë vendosur të merren vesh për një aleancë mbrojtëse, qëllimi i vetëm i së cilës është forcimi i marrëdhënieve të natyrshme që ekzistojnë fatmirësisht  midis të dyja vendeve, për të siguruar një politikë zhvillimi paqësor.

Qeveritë britanike e franceze janë shprehur në favor të zhvillimit të shtetit të ri shqiptar, dhe politikanë të Britanisë së Madhe, burra shteti francezë si d’Estournelle de Constant e Z. Ministër Justin Godart, i kanë sjellë Shqipërisë nga pikëpamja ndërkombëtare një mbështetje të madhe gjatë formimit të saj si shtet i pavarur.

Ne kemi përfaqësues diplomatikë në Athinë, Beograd, Ankara, Sofje, Romë, Paris, Londër, Uashington, si dhe një delegat të përhershëm në Shoqërinë e Kombeve.

Kjo është gjendja e sotme e Shqipërisë, e këtij vendi aq të njohur për bukuritë e veta dhe për pasuritë natyrore, një vend i hapur ndaj shteteve europiane dhe Botës së Re.

Kur më 1930, Konferenca e parë ballkanike u mblodh në Athinë me qëllim që të punohet për afrimin e popujve të ndryshëm të Ballkanit dhe për të intensifikuar marrëdhëniet e tyre ekonomike, populli shqiptar nuk qëndroi moskokëçarës ndaj ftesës që iu bë, po dërgoi delegatët e vet në Athinë, dhe këtë gjë bëri edhe në Stamboll e Bukuresht.

Asnjë ftesë për pjesëmarrje në Konferenca ndërkombëtare, që i është drejtuar qeverisë apo popullit shqiptar, me qëllim që të forcohet bashkëpunimi i çiltër për ruajtjen e paqes, nuk ka mbetur pa përgjigje të favorshme nga ana jonë, sepse Shqipëria, e lirë dhe e pavarur, e quan si detyrë të vet të japë kontributin e saj bashkëpunues për rendin dhe prosperitetin në Ballkan e në Adriatik, ku ajo ka portet e veta të Shëngjinit, Durrësit, Vlorës dhe Sarandës; nën drejtimin e Mbretit të saj, ajo ia kushton tërë përpjekjet e veta paqes në botë, për interesin ndërkombëtar.

Përktheu nga origjinali

Fotaq Andrea

Filed Under: Histori Tagged With: Fotaq Andrea, Kavajsi, Stavro Stavri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1528
  • 1529
  • 1530
  • 1531
  • 1532
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT