• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kohë Për Bashkim Kombëtar

November 30, 2017 by dgreca

…Ideologjitë politike, si dhe partitë e regjimet politike që lidhen me to, janë të ndryshueshme dhe të përkohshme. Ato vinë e ikin, lindin e vdesin. Ato që mbeten janë populli, kombi, identiteti, shteti dhe ideologjia kombëtare shqiptare, që vë mbi të gjitha interesat e Shqipërisë. Guri i provës i çdo ideologjie është përputhja e saj me interesat kombëtare./

1 portret 2 nelson

Nga Nelson R. Çabej-Nju Xhersi/

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, një shekull më parë, është dhe do të mbetet njw ngjarje monumentale në historinë e vendit tonë. Duke kremtuar sot këtë jubile historik dhe duke nderuar veprën madhore të heronjve të pavarësisë, ashtu si Naimi, ne sot thërrasim:“Ti Shqipëri na jep nderë, na jep emrin shqiptar!”

Themelimi i shtetit të pavarur shqiptar në 1912 nuk ishte vetëm një akt formal me rëndësi historike, politike dhe diplomatike, as vetëm kurorëzim përpjekjeve të shqiptarëve, të luftëtarëve të lirisë dhe të veprimtarëve politikë e kulturorë të Rilindjes sonë Kombëtare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjes mbanëdalëse të një populli, që, duke u ndodhur në qendrën e vorbullave gjigande çetnizuese e ç’kombëtarizuese perandorake romake, bizantine, bullgare, sërbe dhe osmane, si dhe të dyndjeve të njëpasnjëshme barbare, ia doli të ruajë gjuhën dhe thelbin e tij etnik, ndërkohë që popuj të tjerë të lashtë, në po ato rrethana, u fshinë nga historia e kontinentit.

Si rrallë ndonjë popull tjetër, shqiptarët mbetën të ngulur për mijëvjeçarë në trojet të parëve të tyre ilirë. Vëndi ynë në hartën e Europës nuk ndryshoi kurrë, ndonëse trojet tona u rudhën së tepërmi.
Gjatë një shekulli qysh nga shpallja e pavarësisë, Shqipërisë i është dashur të përballojë reziqe ekzistenciale jo vetëm nga pushtimet e fuqive të mëdha e të shteteve fqinjë, por edhe nga politikat armiqësore çkombëtarizuese, etno-pastruese, etj. të fqinjve në veri e në jug, si dhe ndërhyrjet e intrigat e tyre për destabilizimin politiko-ekonomik dhe përçarjen e shqiptarëve.

Sot, një shekull pas shpalljes së pavarësisë, pozita e Shqipërisë si një vend sovran është konsoliduar. Shqipëria është pjestare e plotë dhe aktive Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe
e të gjitha organizatave botërore që i interesojnë; ajo është anëtare e traktatit të NATO-s.

Komuniteti europian, dhe aleatët perëndimorë, në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara, kanë ndihmuar në mënyrë vendimtare për zgjidhjen graduale të çështjes kombëtare të shqiptarëve, ndreqjen e padrejtësive historike që janë bërë në kurriz të vendit tonë. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është një pikë kulminante dhe ende premtuese e kësaj prirjeje të re.

Brenda një shekulli, Shqipëria provoi forma të ndryshme të qeverisjes demokratike, republikane, monarkike dhe komuniste për t’u kthyer përsëri në demokraci, pas shuarjes së komunizmit në 1991.
Mësime nga një shekull pavarësi
Një shekull nuk është një periudhë e gjatë në historinë e një shteti, por ajo përmban vlera dhe mësime të mëdha që ne shqiptarët duhet t’i mbajmë parasysh për të sotmen dhe të ardhmen.

Së pari, ideologjitë politike, si dhe partitë e regjimet politike që lidhen me to, janë të ndryshueshme dhe të përkohshme. Ato vinë e ikin, lindin e vdesin. Ato që mbeten janë populli, kombi, identiteti, shteti dhe ideologjia kombëtare shqiptare, që vë mbi të gjitha interesat e Shqipërisë. Guri i provës i çdo ideologjie është përputhja e saj me interesat kombëtare.

Së dyti, ideologjitë mbikombëtare, si kozmopolitizmi, ndërkombëtarizmi, mondializmi, ndërkombëtarizmi proletar, etj., nuk përputhen me realitetin politik të botës së sotme, të mbarsur me konflikte aktuale dhe potenciale. Të zhvilluara për një botë utopike, të ndryshme nga bota në të cilën jetojmë, ato ideologji janë tërheqëse sidomos për rininë, dhe mund të shfrytëzohen, siç po shfrytëzohen sot, në propagandën kundër shqiptarisë, kundër kombëtarisë dhe ideologjisë shqiptare.

Së trerti, politika, si art i së mundshmes, mbështetet në interesat anëkëmbyese midis shteteve, të cilat janë relativisht të qëndrueshme. Historia na ka treguar sa s’bëhet më hapët se interesat e cilave fuqi europiane e botërore përputhen me ato të Shqipërisë.

Gabimet e së kaluarës për t’i gjetur aleatët ndër vende me ideologji ose sisteme politike të njëjta, e jo në partnerët gjeopolitikë afatgjatë, e kanë futur vëndin tonë në aleanca “strategjike” të gabuara e me pasoja të dëmshme për çështjen kombëtare. Historia na ka mësuar se aleancat ideologjike janë jetëshkurtëra. Ajo na ka treguar qartë se cilat fuqi europiane e botërore janë “proshqiptare” dhe aleate të vërteta strategjike të Shqipërisë.

Së katërti, ndërkohë që duhet të kërkojmë miqësinë me vëndet fqinje, politika e lëshimeve që kemi ndjekur ndaj tyre është e rrezikshme për vëndin dhe nuk ka shpurë në miqësi, por në kërkesa për lëshime të mëtejshme, në nënshtrim dhe dëmtim të interesave tona kombëtare.
Kohë për bashkim kombëtar

Çdo epokë në historinë e një vëndi ka përparësitë e saj politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, etj. Në kohën tonë të trubullt, plot me raste të mira të papërsëritshme, por edhe me reziqe historike, përparësinë e padiskutueshme politike e ka bashkimi i shqiptarëve, pavarësisht bindjeve dhe prirjeve të tyre politike, ideologjike e fetare.

Me krijimin e shtetit shqiptar në Kosovë dhe me hovin e sotëm të zhvillimit të ndërgjegjes kombëtare në Maqedoni e Mal të Zi, por edhe më tej, bashkimi kombëtar i shqiptarëve ka fituar edhe nje përmasë të re historike ndërshtetërore.

Duke fryrë më shumë se ç’duhet konfliktet e brendshme politiko-shoqërore, për interesa thjesht partiake, ne shumë herë harojmë se reziqet e vërteteta Shqipërisë nuk i vinë nga brënda, nga shqiptarët, por nga jashtë, nga të huajt. Dhe sot, një çerek-shekulli pas shuarjes së komunizmit, ka ardhur koha për të arritur, mbi bazën e urtisë dhe interesit të Atdheut, pajtimin dhe bashkimin politik të të gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, e kudo në botë.

Një Shqipëri e fortë për t’u bërë ballë reziqeve dhe kërcënimeve që mban e sotmja, e me të cilat është e mbarsur e ardhmja, kërkon pa tjetër bashkimin tonë kombëtar, si përbërësi më i rëndësishëm i “fuqisë së butë” (soft power) të vëndit.

Ne nuk kemi pse ta fshehim se bashkimi i shqiptarëve brënda Shqipërisë ka rënë në një pikë të ulët historike.

Dhe shkaqet e kësaj gjëndje janë janë të shumta e të njohura nga të gjithë, ndër të cilat:
– Rënia komunizmit në fillimin e viteve 90 krijoi një hutim dhe zbrazti ideologjike, që hapi fushë të lirë veprimi, jo vetëm për ideologjitë mbikombëtare kozmopolite e mondialiste, por edhe për veprimtaritë subversive dhe propagandën e gjithanshme antishqiptare, me pasoja të dëmshme, që nuk duhen nënvlerësuar, për atdhetarizmin dhe ideologjinë kombëtare shqiptare.

Në median shoqërore, në publicistikën shqiptare e të huaj dhe deri në botime “shkencore” të huaja u sulmuan haptas historia e shqiptarëve, identiteti, gjuha dhe prejardhja e tyre.

U shtrëmbëruan ngjarjet e mëdha dhe figurat e historisë, shtetit dhe kulturës shqiptare. Të gjitha këto sollën një trubullirë shpirtërore dhe intelektuale, që dëmtoi edhe besimin e rinisë shqiptare në vetvete dhe në aftësinë për ta bërë Shqipërinë.

Reagimi i intelektualëve ndaj kësaj furtune mediatike antishqiptare ka qënë i pamjaftueshëm kurse në nivelin institucional (Akademia e Shkencave me institutet e saj dhe universitetet) ka qënë thuajse i papërfillshëm.

– Politizimi skajor i jetës, në të cilën interesat dhe çështjet partiake, eklipsuan problemet e mëdha mbarëkombëtare. “Tranzicioni i pafund” tregon se Shqipëria është në një gjëndje kritike, e në situata të tilla, partitë duhet të harojnë ndryshimet e mospajtimet, për hir të interesit të Atdheut.

Fakti që interesat e partive janë të shumta e të ndryshme, kurse interesi i Atdheut është një, na thotë se interesat e partisë shumë herë bien ndesh me interesin e Atdheut, dhe për ne shqiptarët ky është mësim nga përvoja më shumë se sa rrjedhim teorik.

– Krahinorizmi i stimuluar për karriera personale, që në formën më të rezikshme gjeti shprehje në përdorimin e termave thellësisht përçarëse, “veriorë e “jugorë”.

– Ndërhyrja e huaj në institucionet fetare dhe në jetën fetare në Shqipëri, me qëllim të hapët përçarës e me synim të fundit aneksimin e territoreve të caktuara shqiptare.

– Paaftësia e jonë për të gjetur gjuhën e arsyes dhe të pajtimit lidhur me problemet komplekse të sundimit komunist në Shqipëri.

Një Shqipëri e fuqishme kërkon bashkimin e shqiptarëve. Të gjithë ne e duam Shqipërinë të bashkuar e të fuqishme por, përtej dëshirës së mirë, sot ka ardhur koha për të hedhur hapin e madh real të bashkimit të popullit, si një kusht i domosdoshëm i fuqizimit të brëndshëm të Shqipërisë, që mund të japë një ndihmë të madhe e të pazëvëndësueshme për fuqizimin dhe përparimin e çështjes kombëtare në Shqipëri, Kosovë dhe në përbërësin etnik shqiptar në vëndet fqinje. Dhe kjo është plotësisht e mundshme sepse dashuria për Atdheun dhe interesat e përbashkëta si shqiptarë, janë më të mëdha se çdo gjë që na ndan.

Ka shënja të qarta se tanimë shqiptaria ka ngadhnjyer mbi valën e pashëmbullt çerekshekullore të sulmit kundër historisë, kulturës, gjuhës, prejardhjes dhe vlerave morale e kulturore të shqiptarëve në përgjithësi. Andaj sot është koha për bashkim kombëtar; dhe është sot më shumë se kurrë ndonjëherë më parë. Ky bashkim do ta shtynte përpara çështjen kombëtare shqiptare në të gjitha frontet, politike, diplomatike, ekonomike, shkencore e kulturore. Askush nuk ka pse të trëmbet nga bashkimi i shqiptarëve, përveç armiqve të Shqipërisë.

Le t’i tregojmë edhe një herë botës se ne duam, dimë dhe kemi fisnikërinë të ngrihemi mbi mëritë politike që na ndajnë, të ngrihemi në lartësinë e detyrave të mëdha të momentit të sotëm kritik për fatin historik të Atdheut, ashtu siç ditëm në kohën e Gjergj Kastriotit dhe në kohën e
pavarësisë. Nuk ka dyshim se shqiptarët do të dinë ta kalojnë këtë provë madhore të urtisë dhe pjekurisë së tyre politike.

Koha kërkon që udhëheqja politike, të ngrihet mbi interesat sektare partiake e të çastit, të ndjekë politika afatgjata, që t’i bashkojnë shqiptarët e jo t’i përçajnë, si deri sot. Interesat e partisë t’i nënrendohen interesit të Atdheut e të vihen në funksion të tij. Partia është diçka, Atdheu është gjithshka.

Është detyra e “shtetit nënë” ta nisë këtë punë fisnike atdhetare me një diskutim popullor e një kuvënd të bashkimit kombëtar të të gjitha trojeve shqipfolëse.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kohë, Nelson Cabej, Për Bashkim Kombëtar

INTERVISTË ME FUSHËN

November 30, 2017 by dgreca

 ….Dhe hashashshi/

Edhe kanabisi/

S’përmbahen./

Hashashshi/

Edhe kanabisi /

Harbojnë/

Si dy tepistë blroshë,/

Tërbimshëm tërbojnë të dy/

Luginave, skërkave, kodrave maleve/

Pa u trandur në diell, breshër,/

Dëborë,

Shi

Duke sfiduar,

Duke mospërfillur

Prokurorë,  gjyqtarë  polici …!

Faslli Haliti/…………………………………

1-Faslli-haliti (2)

Viz. S.kamberi «Artist i Popullit»

 INTERVISTË ME FUSHËN/  

 PROLOG/

Myzeqe moj fushë/

Myzeqe /

Moj fushë/

Ti ishe hambari ynë /

Me misër të bardhë si sermë /

Ti ishe hambari ynë me grur të artë,/

Me grurnja të floririnjtë, të verdhë …!/

***

Fushë

Fusha ime

Bari yt brus,

Është prapë i blertë më ?

Mos u zverdh vallë i blerti,

Mos vallë u përcëllua, u tha?

Po

Gruri,

Derdhet si dikur

Fushave të myzeqesë

Kur kullonte pika ari çdo kalli,

Mos do kemi prapë zi të zezë buke,

Mos do kemi prapë karesti ?

Po

Misri ?

Bleron tej në ҫair

Apo zverdhet sapo mbin

Si dikur pa kalli në thatësirë?

Po

Pambuku

Zbardh 

Fushës  mbarë

Siҫ zbardhte  vite, dekada më parë?

Si

Si, si, si,

Misri thahet nga etja

Për një pikë ujë kanali të ftohtë,

Dhe s’arrin të çojë

Një kalli kaҫot ?

Kjo është karesti biblike, fusha ime dikur gjithë drithëra!

Ky është trishtim biblik moj fusha ime, fushë

Që misri, gruri  yt

Të mos arrijnë

Të çojnë

Kallinë,

Të mos na japin bukën,

Ky është më shumë se trishtim

Kjo është më tepër se karesti biblike

Ky është një trishtim më tej se ҫdo trishtim…!

Si,

Si, si, si?

As pambuku

S’çon, nuk çel boҫe

Qoftë edhe një boçe të vetme?

Perëndoi dielli ynë kështu  si dielli i Austerlicit

Deri sa edhe një një boçe

Të  mos çeli

Dot ,

Gjersa edhe një gonxhe pambuku

Fushave  myzeqare të mos zbardhet sot?

As edhe një boҫe të mos ҫel në ҫdo pad

Sa për t’i vënë një shtupë të vdekurit

Në puzë

Kur të niset për në Had?

Po

Pjepri,

Bostani

Shalqiri

Kungujt  e verdhë,

Varen si dikur në ferrë?

Si?

Dhe

Pjepri

Shalqini

Me t’u shinjur,

Me t’u zverdhur,

Kërkojnë shoping,

Kërkojnë ekzil ekonomik europian,

Pretendojnë tregun botëror  nëpër botë

Tejembanë

Nuk  i pranojnë

Si ezilantë ekonomik

Si biznesmenë ezilantë

Sikur pjeprat të jenë terroristë,

Sikur pjepri shalqini të jenë mbushur

Jo me ëmbëlsi, por me tritol, si kamikazistë.?!

Po

Hashashi,

Kanabisi

Harbojnë,

Më shumë se gruri

Më shumë se misri tërbojnë ?

 

Dhe hashashshi

Edhe kanabisi

S’përmbahen.

Hashashshi

Edh kanabisi

Harbojnë

Si dy tepistë blroshë,

Tërbimshëm tërbojnë të dy

Luginave, skërkave, kodrave maleve

Pa u trandur në diell, breshër,

Dëborë,

Shi

Duke sfiduar,

Duke mospërfillur

Prokurorë,  gjyqtarë  polici …!

Pa le pastaj

Ndonjë

Apo

Dy, tre,  pesë a gjashtë Parti !

***

Propozimi im:

Të shtohen policët dhe rojat civile

Sepse jo vetëm demat,

Mëshqerrat,

Delet,

Deshët

Po tërbohen

Por po tërbohen

Edhe politikanët tan ë,

Deputetët, pushtetarët

Por po na dehen, po na drogohen

Edhe  partiakët me kanabis, me  pseudopolitikë

 

Vendi po mbulodet me horra narkotikë …!

EPILOG

Eh moj fushë,

Moj fushë

Fushë

Fushë

Si je katandisë!

Hambar buke në vite, në dekada,

Sot një superhambar deng me hashash, kanabis…!

Gusht 2016 – nëntor   2017

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, Interviste me Fushen

TURQIT KANE USHTRUAR GJENOCID NDAJ SHQIPTAREVE, NUK JANE VELLEZRIT TANE

November 30, 2017 by dgreca

-Ne, nuk jemi vëllezër me turqit, por kemi histori të kundërt, sepse ata kanë bërë gjenocit barbar shumë shekullorë tek populli ynë/

image1Në kishën Zoja e Shkodrës në New York, pas meshës për deshmorët e lirisë u kënduan himnet kombëtare amerikane e shqiptare dhe u ringrit flamuri kuq e zi/

1 dom Pjetri

Nga Klajd Kapinova-Nju Jork/

 

1 klajdi

Sipas traditës shumë shekullore, në kishat katolike shqiptare në Shqiperi, Kosovë dhe diasporë gjithëmonë thuhet një meshë e veçantë drite, në përkujtim të martirëve shqiptarë, që dhanë jetën për idealet liridashëse kombëtare, kundër pushtuesve të huaj.

I pari që e filloi këtë traditë në Neë York ishte themeluesi i kishës katolike shqiptare në Amerikë mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989), i cili, në kishën Zoja e Këshillit të Mirë (sot Zoja e Shkodrës, NY), ngriti flamurin e heroit kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit.
Edhe këtë vit, që ishte ditë e zakonshme pune komuniteti shqiptaro amerikanë pa dallim feje, sipas traditës së mëparshme u bashkua pranë kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, në Hartsdale, Neë York, për të përkujtuar 28 nëntorin, Ditën e Flamurit  dhe 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Për festimin e Pavarësisë së Shqipërisë, si çdo përvjetor meshtari i dalluar dom Pjetër Popaj, sëbashku me besimtarët, u mblodhën në një meshë të shenjt, dedikuar Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa përjashta saj në oborrin e kishës në kompanjelin e saj u ngrit me respekt dhe krenari flamuri i kuq kombëtar me shqiponjën dy krenare.
Qysh në hyrje të fillimit të ceremonisë së meshës shenjte, kryqi u shoqërua nga tre gjakoj shqiptarë, të lindur dhe rritur në Amerikë, të cilët ishin të veshur me kostume tradicionale shumëngjyrëshe popullore të krahinave të Malësisë. Ato shoqëruan kryqin dhe meshtarët e famullisë sonë dom Pjetër Popaj dhe ndihmësin e tij dom Viktor Dedajn, të cilët udhëheqën meshën e shenjtë kushtuar të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptarë të rënë gjatë shekujve për idealet e pastra kombëtare.
Shumë djem e vajza të reja ishin veshur me xhubleta të lashta 5000 vjeçare të Malësisë, të cilat i dhanë pamje më festive kishës, në përkujtimin e ditës së flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u bë realitet nga patriotët shqiptarë më 28 nëntor 1912, në qytetin historik të Vlorës.
Dom Pjeter Popaj, pasi ka kremtuar meshën e shenjtë, kushtuar dëshmorëve të, të gjitha kohërave, ka bekuar Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Meshtari dhe lideri kryesor i komunitetit katolik në NY dom Pjetri, qysh në fillim uroj të gjithë shqiptarët: Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Gezuar Dita e Flamurit!
Famullitari Popaj, falë kulturës së gjërë dhe të thëllë evokoi historinë e popullit tonë nga lashtësia deri në ditët tona, ku ndër të tjera tha se: “Ne sot të gjithë këtu flasim shqip, pikërisht në saj të gjakut të derdhur për liri dhe pavarësi nga dëshmorët tanë kundër pushtuesve të huaj shumë shekullorë, duke filluar nga periudha ilire dhe deri në Pavarësinë e Shqipërisë më 1912 dhe lirinë e plotë të Kosovës në vitin 1999.
Pretku i sotshëm, ka përputhje me shumë ngjarje reale historike midis popullit të Izraelit dhe atij shqiptar, të cilët kanë vuajtur ndër shekuj nga pushtues të ndryshëm dhe kanë mbijetuar falë Zotit deri në ditët tona.
Ne, jemi një popull i fortë, sepse nuk dorëzohemi lehtë, mbasi i kemi mbijetuar vuajtjeve të njëpasnjëshme. Perandoria mizore osmane, në mënyrë barbare shkatërroj popujt dhe kulturat e tyre mijëravjeçare.
Një gjë të tillë me masakra të pa mëshirshme dyndjet barbare osmane e bënë në Turqi, duke shkatërruar Konstandinopojën, qendrën e civilizimit dhe kulturës përparimtare të kohës në Lindje. Përmes krimeve dhe gjenocidit shumë shekullorë osmanët pushtues krijojnë Perandorinë e themeluesit të tyre, që kishte emrin Osman, duke vrarë, djegur dhe plaçkitur banorët e hershëm në Turqi dhe e shtrijnë sundimin e tyre si oktapodi i zi drejt shteteve të tjera të krishtera në Ballkan, në Shqipëri dhe më gjërë në Afrikën Veriore…
Motoja e tyre udhëheqëse ishte përca dhe sundo. Këtë aksiomë ato e praktikuan me shumë sukses dhe më së shumti në trojet tona shqiptare, duke qëndruar për 500 vjet deri sa patriotët tanë shpallën pavarësinë e vendit të shqiponjave.
E rëndësishme është që të dihet historia e popullit tonë, sepse Zoti na ka dhënë heronjtë tanë për mbijetësë. I tillë ishte dhe mbeti kryetrimi i Arbërisë heroi kombëtar Gjergj Gjon Kastrioti, i cili nga 30 beteja që zhvilloi kundër turqve barbarë arriti të fitonte 29 të tilla, në saj të mbështetjes së fuqishme të popullit të vogël shqiptar.
Është detyra e historianëve tanë të flasin për këto vlera dhe jo të hidhën kundër simboleve tona kombëtare. Të flasësh shqip kundër heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës etj., është vërtetë një absurditet i ditëve tona.
Turqit, gjithëmonë dhe tradicionalisht, përmes shpatës dhe islamit janë munduar të asimilojnë popullin etnik shqiptar, i cili, është shembull në Europë për luftën e pareshtuar kundër pushtimit të tyre.
Ti bësh ballë një Perandorie të fuqishme të kohës, sikurse ishin osmanët nuk ka qenë e lehtë për popullin heroik shqiptar… Historia e flamurit shqiptar, simbolit tonë të dashur kombëtar është shumë interesante.
Atë e kanë mbajtur në zemër gjithëmonë shqiptarët edhe pse kanë qenë të pushtuar ndër shekuj nga osmanët, të cilët asnjëherë nuk na lejuan të mbanim flamurin dhe të flasim gjuhën tonë shqipe.
E këto fakte kokëforta historike nuk duhen harruar, sepse pikërisht në saj të heronjve tanë antiosmanë, ne dhe vetëm ne të mbijetuarit sot flasim gjuhën e bukur shqipe, pra kemi identitetin e pastër shqiptar.
Ne, nuk flasim për imagjinata, por për histori me plot vuatje dhe sakfrica sublime dhe mbijetesë stoike të popullit heroik shqiptar.
Arsyeja, që jemi mbledhur sot këtu është se ne duhet të falënderojmë me mirënjohje të thellë dëshmorët paraardhës, të cilët kanë derdhur gjakun e pastër arbëror për identitetin tonë që gëzojmë sot.
Ne flasim sot shqip, në saj të heronjëve tanë martir… Zoti i bëkoftë shqiptarët! Gëzuar Ditën e Pavarësisë të të gjithë shqiptarëve!”
Edhe në Qendrën Nënë Tereza, e cila është dekoruar nga shteti amë me urdhërin Mjeshtëri i Madh nga Presidenti i Shqipërisë, famullitari i palodhur patriot dom Pjetër Popaj, si gjatë predikimit dhe më pas, ka folur për rëndësinë e kësaj feste, duke e quajtur me të drejtë atë si festa me e madhe e identitetit të mirëfilltë kombëtar shqiptarë.
Gjatë, kësaj ceremonie, e cila u shoqërua edhe me disa fjalime përshëndetëse nga folësit, të cilët në esencë kanë rikujtuar rëndësinë e 28 nëntorit, u dha  një koncert festiv nga Shoqata Rozafat, në Qendrën Kulturore Nëna Tereza.
Në këtë ceremoni lider të komunitetit, përfaqësues të organizatave të ndryshme shqiptaro amerikane dhe veprimtar të dalluar, mbasi e kanë përshendetur këtë veprimtari, folën me fjalë të zgjedhura për rëndësinë e 28 nëntorit 1912, ndërkohë, që e uruan kishën katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, famullitarin e përkushtuar të saj dom Pjetër Popajn dhe të gjithë shqiptarët kudo janë.
Midis folësve të tjerë, në këtë ceremoni ka përshëndetur politikani zoti Mark Gjonaj antar i rizgjedhur pak kohë më parë në Asamblenë e Neë York-ut.
Aktivisti i palodhur komunitetit shqiptar, studiuesi dhe publicist Tomë Mrijaj (prej shumë dekadash Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit), gjatë një interviste të zhvilluar pak minuta pas mbarimit të ceremonisë së ngritjes së flamurit, ndër të tjeta tha, se: “Pavarësia dhe ngritja e flamurit nga patriotët shqiparë, është ngjarja më e madhe në historinë e popullit tonë.
Për të nderuar këtë ngjarje, Shoqata Mbarëkombëtare Trojet e Arbërit, pak kohë më parë ka mbajtur një Simpozium shkencor kushtuar tërësisht patriotit dhe klerikut të shquar shqiptar imzot Nikollë Kaçorrit zv/Kryeministër në Qeverinë e Ismail Qemalit, pas Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Shoqata në fjalë, me qendër në Prishtinë, në aktivitetin e mbajtur në Durrës, iu kushtua tërësisht personalitetit të shquar të botës shqiptare, prelatit imzot Kaçorrit, i cili, padrejtësisht gjatë periudhës së errët të komunizmit të zi në Shqipëri 1944-1990, ishte lenë qëllimisht në harresë, sepse ishte një klerik i shquar katolik dhe një shqiptar i devotshm i shqiptarizmës.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm kumtuan me ligjerat e tyre shumë interesante 19 studiues nga e gjithë bota shqiptare brenda dhe jashtë trojeve etnike.
Ky sesion shkencor u zhvillua në kohën dhe vendin e duhur, pasi është viti jubile  155-vjetori i lindjes së dom Nikollë Kaçorrit (21 shkurt 1862-21 shkurt 2017), 100-vjetorin e vdekjes së tij dhe 105-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Studiuesit e ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por dhe diaspora na sollën punime shkencore serioze, për vënjen në vend të figurave kombëtare.
Më 21 nëntor 1912, në Portin e Durrësit, zbritën një grup patriotësh të kryesuar nga Ismail Qemali, imzot Nikollë Kaçorri, të cilët vinin me misionin historik që të shpallnin Pavarësinë e shtetit shqiptar, ku më 26 nëntor në qytetin e Durrësit ngrihet flamuri i Pavarësisë.
Përndjekjet, gjyqet, kërcënimet kundër bariut shpirtëror atdhetar vazhduan aq sa situatën e tij e raportonin jo vetëm gazetat shqiptare të mërgimit (Dielli), por edhe gazetat e hueja italiane, si “Corriere di Trieste” dhe shtypi austriak, me të cilin ishte i lidhur ngushtë, për shkak të njohjes së gjuhës gjermane.
Prelati katolik kishte një zgjuarsi të rrallë, në polemika me klerikë myslimanë dhe ortodoksë, të cilët predikonin, të parët gjuhën arabisht (turqisht më vonë), të dytët greqisht.
Meshtari shqiptar, i edukuar dhe frymëzuar me ndjenjën e pastër atdhetare nga paraardhësit e tij klerikë katolikë, ai porosiste:
“Të predikojmë në gjuhën shqipe, se Zoti na ndigjon edhe shqip!”.
Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi dokumentin e pavarësisë me siglën Kaçorri.
Në mbledhjen e 41 delegatëve, që kishin mbërritur në Vlorë, atdhetari Nikollë Kaçorri ngrihet e thotë: “Në qoftë për nesër, vdesim sot, o flamur o dekë!”
U zgjodh nënkryetar i Qeverisë shqiptare. Kuvendi i Vlonës, i hapur në orën 14,°° të datës 28 nëntor 1912, miratoi Shpalljen e Pavarësisë.
Firma e dytë, mbas Ismail bej Qemalit, ishte imzot Nikollë Kaçorri. Valvitja e flamurit të Kastriotit atë ditë të shenjtë, siç e dëshmon një fotografi e vjetër, e paretushuar nga komunistët, u ba pikërisht nga patriotët e mëdhanj si: imzot Fan Stilian Noli, liberatori i madh Luigj Gurakuqi, imzot Nikollë Kaçorri e deri tek më i riu Mustafa Kruja etj.
Eshtrat e imzot Nikollë Kaçorrit u përcollën drejt Shqipërisë në shkurt të vitit 2011, mbas 94 vjetësh kur u nda nga kjo jetë, në tokën për të cilën e shkriu tërë qënien e tij.”
Ngritja e flamurit në kompanjelin e kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, në Hartsdale NY, u shoqërua me këndimin e hymnit kombëtar amerikan dhe shqiptar nga pjesëmarrësit shqiptaro amerikanë dhe një grup fëmijësh me veshje të bukura popullore të krahinave dhe zonave të ndryshme të trojeve etnike.
Historikisht dhe tradicionalisht, komuniteti i madh katolik shqiptar, tashmë me këto aktivitete thellësisht kombëtare, ka treguar se është i bashkuar e i organizuar shumë mirë rreth vatrës së atdhedashurisë, që është kisha katolike në SHBA, duke pasur një lidhje të fortë mes fesë së hershme të të parëve tanë dhe kombit tone të lashtë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dom Pjeter Popaj, gjenocid, Kisha Zoja e Shkodres, Klajd Kapinova, Turqit

…Të gjithë bashkë ia dalim mbanë

November 30, 2017 by dgreca

Problematika e romëve të Ballkanit Perëndimor, e njëjtë;të gjithë bashkë ia dalim mbanë/

2 Kosturi.JPG1 Kosturoi1 ok Kosturi Vepror

Nga Arben Kosturi*/

Problematika e romëve është e njëjtë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ndaj duke qenë të gjithë bashkë mund t’ia dalim mbanë në gjetjen e zgjidhjeve të drejta dhe efikase. Ky ishte konkluzioni i dalë  nga konferenca e 6 shoqatave rome nga 6 vende të ndryshme, zhvilluar në qytetin e Korçës. Ndaj, nisur nga ky këndvështrim, në bashkëpunm me shoqatat e këtij rajoni, do të bëjmë të mundur zhvillimin e kapaciteteve të OJQ-ve rome dhe ndërmarrjen e nismave cilësore për shfrytëzimin sa më efikas të fondve të BE-së. Të gjitha këto kërkojnë rritjen e aftësive tona për t’iu përgjigjur reformave të Bashkimit Europian. Për këtë arsye u desh oganizimi i kësaj konference “Roaming për ngritjen e kapaciteteve të organizatave rome për financimin nga BE-ja dhe ndërtimin e partneritetit”, bashkëfinancuar nga programi Erasmus dhe BE-ja.

 Dalja nga situata

Pra, nga shoqatat tona rome kërkohet gjetja e rrugvë për dalejn sa më shpejt nga situta ku ndodhemi, e cila nuk është në nvelin e kërkesave të kohës. Ekipi i projektit ka e vërejtur se Organizatat e Shoqërisë Civile Rome në Ballkanin Perëndimor nuk kanë njohuri të mjaftueshme për fondet e disponueshme të BE-së që mund t’u ndihmojnë atyre të trajtojnë sfidat lokale, kombëtare dhe rajonale me të cilat ballafaqohet popullata e këtyre vendeve. Për më tepër, ata nuk posedojnë kapacitetin e kërkuar për të aplikuar dhe menaxhuar fonde të tilla. Komisioni Evropian dhe numri i organizatave të tjera ndërqeveritare dhe ndërkombëtare shpesh shprehin shqetësimin e tyre mbi disavantazhet dhe kushtet e vështira të jetesës së popullatës rome, por OJQ-të rome si partnerët më me përvojë dhe më të nevojshëm nuk nisin partneritete strategjike, nuk aplikojnë për fonde të BE-së dhe nuk i shfrytëzojnë fondet që janë në dispozicion. Kjo ishte dhe një nga arsyet, që unë si drejtor ekzekutiv i shoqatës rome “Disutni Albania”  Korçë, bëra çmos që  konferenca të mbahej në Shqipëri, për t’’ju treguar që ne dimë të bashkëpunojmë, të menaxhojmë, të prezantojmë problemet tona, të kërkojmë ndihmë dhe të ofrojmë gjithçka mundemi. Konferenca kishte si qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe përcaktimin e  mënyrave të bashkëpunimit.

Synohet

Duke pasur këtë organizim si pikënisje, ekipi i projektit ka projektuar projektin “Roaming – Ngritja e kapaciteteve të organizatave rome për financimin nga BE-ja dhe ndërtimin e partneritetit” për të krijuar një strukturë lehtësuese për shoqërinë civile (pro) rome për të marrë pjesë aktive në politikën lokale dhe kombëtare dhe procesin e vendimmarrjes dhe vendosjen e një dialogu konstruktiv dhe sistematik me autoritetet dhe OJQ-të rome për të ndikuar në politikat mbi integrimin e romëve, përfshirjen sociale, mos-diskriminimin, dialogun ndëretnik, zhvillimin socio-ekonomik dhe të drejtat e qytetarëve. Grupet kryesore të synuara të “Roaming” ishin OJQ-të aktive në rrjetin “Roma SIMURGH” – një platformë shumë e kualifikuar joformale, e krijuar për të fuqizuar OJQ-të rome dhe për të avokuar për rritjen e mundësive të punësimit, për të promovuar mjete inovative për luftë gjithëpërfshirëse kundër anti-ciganizmit, për të sfiduar konceptet e udhëheqjes brenda komunitetit rom dhe për të diskutuar haptazi për migracionet e romëve në Evropë. Përfitues të këtij projekti ishin organizatat e shoqërisë civile rome nga Ballkani Perëndimor që zhvilluan kapacitetet e nevojshme gjatë gjithë këtij procesi.

Varfër dhe papunësi te romët

Gjithashtu gjatë konferencës doli në pah se romët ballafaqohen me barriera të drejtpërdrejta dhe të tërthorta në qasjen në shërbimet publike, që rrjedhin nga kriteret e përshtatshmërisë që ata nuk mund t’i binden, mungesës së informacionit ose të kuptuarit të procedurave administrative, si dhe stigmës dhe qëndrimit të shpeshtë diskriminues nga popullata shumicë. Përjashtimi afatgjatë ka ndikuar në kushtet e tyre të jetesës, trajtimin nga popullata shumicë dhe marrëdhëniet me institucionet qeveritare. Studimet tregojnë se niveli i varfërisë në mesin e romëve është dy herë më i lartë se popullsia shumicë, ndërsa shkalla e papunësisë është tre herë më e lartë se mesatarja. Romët në Shqipëri njihen si një minoritet etnik-gjuhësor. Burimet zyrtare thonë se në Shqipëri ka rreth 1,300 romë, megjithatë burime të tjera vlerësojnë se ka deri në 120,000 Regjistrimet zyrtare në Shqipëri i njohin romët. Komunitetet rome gjenden në të gjithë vendin, kryesisht  në Shqipërinë qendrore dhe juglindore. Shqipëria iu bashkua Dekadës së Përfshirjes së Romëve në vitin 2008; Në kuadër të kësaj kornize qeveria miratoi një Plan Kombëtar të Veprimit i cili përqendrohet në arsim, punësim dhe mbrojtje sociale, strehim dhe infrastrukturë, shëndet, infrastrukturën sociale dhe mundësitë e barabarta dhe trashëgiminë kulturore. 

Ende larg standardeve evropiane

Ende romët në Shqipëri jetojnë në kushte të këqija në vendbanime, pa lidhje me infrastrukturën bazë, si uji, shërbimet elektrike dhe publike. Ka pasur raste të dëbimeve me forcë dhe rasteve në të cilat autoritetet shqiptare kanë diskriminuar romët në ofrimin e shërbimeve sociale, pagesave të mirëqenies sociale, ofrimit të infrastrukturës komunale dhe kujdesit shëndetësor.

Në përputhje me Ligjin për Arsimin në Shqipëri shkollimi është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët mbi moshën gjashtë vjeçare. Për fat të keq, shumë fëmijë romë braktisin shkollën para se të përfundojnë tetë vitet e shkollimit të detyrueshëm. Vlerësimet jozyrtare tregojnë se frekuentimi i shkollave të mesme të romëve në Shqipëri është shumë i ulët, ndërsa 72% e fëmijëve shqiptarë ndjekin shkollën e mesme. Nuk ka bursa për të mbështetur arsimin e romëve në Shqipëri. Sipas një studimi të UNDP-së, rreth 52% e romëve nuk kanë arsim, 18% kanë vijuar vetëm disa vjet të shkollës fillore dhe vetëm 14% kanë arritur të përfundojnë shkollën fillore; vetëm 3% e të anketuarve romë kishin mbaruar shkollën e mesme dhe vetëm 4% ishin diplomuar në kolegj ose universitet. Gratë rome në përgjithësi kanë nivel më të ulët të arsimimit sesa meshkujt: 56% nuk kanë arsim, ndërsa 11% braktisin shkollën fillore. Prindërit romë kanë trajtim diskriminues nga mësuesit dhe studentët e tjerë dhe distanca të mëdha ndërmjet shtëpive dhe shkollave të tyre shihet si arsye shtesë për shkallën e ulët të shkollimit.

Fëmijët romë

Për shkak të varfërisë, shumë fëmijë romë duhet të punojnë për të kontribuar në të ardhurat e familjeve. Rreth 15% e fëmijëve romë të anketuar duhej të braktisnin shkollimin për të punuar.

Familjet rome kanë vështirësi në qasjen në kujdesin shëndetësor adekuat. Shumë fëmijë në familjet e mëdha rome vuajnë nga kequshqyerja, e cila ndikon në shëndetin e tyre të përgjithshëm dhe aftësinë për të studiuar. Shumë romë në Shqipëri nuk arrijnë të punësohen për shkak të kualifikimeve të ulëta arsimore dhe diskriminimit. Shumica e romëve mbijetojnë nga puna e rastësishme informale në bujqësi, shërbim publik dhe ndërtim me paga shumë të ulëta. Të ardhurat mesatare mujore për një familje rome janë 68 euro ndërsa në mesin e familjeve jo-rome që jetojnë në të njëjtin afërsi është 174.50 euro. Nuk ka zyrtarë të zgjedhur romë në nivel kombëtar ose lokal në Shqipëri. Megjithëse ata marrin pjesë në zgjedhje, votuesit romë përbëjnë një pjesë shumë të vogël të elektoratit. Partitë politike në përgjithësi inkurajojnë dhe mobilizojnë romët për të votuar gjatë fushatës dhe procesit të zgjedhjeve, por shpesh neglizhojnë shqetësimet e tyre pas zgjedhjes. Për të gjitha këto romët e Ballkanit Perëndimor do të bëhen të gjithë bashkë, për tia dalë mbanë

*Arben Kosturi, drejtor ekzekutiv i shoqatës “Disutni Albania” në Korccë.

* E dergoi per Diellin:Vepror Hasani

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ballkani Perendimor, bashke ia dalim, romet

Komuniteti Shqipetar ne Chicago Kremtoi Festen e Flamurit

November 30, 2017 by dgreca

1 Chikago2 ok Cikago1 Rizai1 Zijadin.JPG3 ok Cikago.JPG2 Chikago1 cikat e cikagos

Nga Shaban Zenuni/Chicago/

Ne nje ambient festiv ne sallen e mbushur plot te Diplomat West, vullnetaret e Komunitetit Shqiptaro -Amerikan ne Chicago organizuan manifestimin qendror te 105 vjetorit te pavaresise se Shtetit Shqiptar. Pervec nje numri te madh te bashkatedhetare  ne kete nate festive ishin te pranishem edhe perfaqesuesit e shoqatave dhe organizatave te ndryshme te cilat bashkepunojne me AACI. Evenimenti u moderua nga Ilir Borova dhe Shaban Zenuni te cilet falemenderuan mysafiret per pjesmarrjen e tyre. Ato njeherazi perkujtuan te pranishmit per miqesine  mes popullit tone dhe atij Amerikan si dhe njiheri I bene thirrje publikut te perkrahin Komunitetin Shqiptaro-Amerikan me pune vullnetare dhe mjete financiare per avancimin e brezave te ri.Zoti Borova lexoi letren e Ambasodores se Shqiperise, zonjes Floreta Faber, e cila dergoj urimet  dhe kenaqesin e saj  per ”Arritjet e AACI  te cilat  jane nxitje dhe frymezim per te gjithe”…1 Flamuri kulla1 salle Cikago1 ne shesh cikago24210333_1237347159742762_688452777347357764_o24059631_1237332579744220_5667266593771149187_o24129694_1237340899743388_1197561326494693211_n

Ne vazdim Moderatoret ftuan Kryetarin e Komunitetit Z.Gjaneto Harusha te hape mbremjen festive.  Ai falenderoi pjesmarresit per perkrahjen e tyre ndaj AACI-se, organizate jofitimpruese e cila ne misionin e saj ka per qellim edukimin dhe bamiresine.Kryetari Harusha nenvizoi disa objektiva te rendesishem te kesaj organizate dhe gjithashtu I beri thirrje bashkatdhetareve te antaresohen ne AACI dhe te japin kontributin maksimal ne edukimin ruajtjen e gjuhes dhe traditave kombetare ne shtetin e Ilinois.

Lideri  I AACI z.Harusha falenderoi sponsoret kryesore:  Manuela Papazisi Real  Estate  Broker Caldwell Banker; Ilir Numani me  Country Financial; Amazing Trucking and Dassler Logistics, Alfred Karalli me Mobile  & BP gas stations, Kosta Shamata  Luxara Real Estate Kris Maranda me  Maranda Real Estate Group, Aurel Maranda me Fairway Independent Mortgage Corporation  dhe shume te tjere.Ne kete mbremje festive ishin te prenishem dhe perfaqesuesit e qendrave fetare.  At Konstadin Tuda, Prifti I kishes Orthodoxe Shqiptare, nder te tjera nenvizoi rendesine e ruajtjes te gjuhes tone ne megrim, mision ky, te cilin jua perkujtoi nenave Shqiptare dhe gjithe prinderve qe sa me shume te flasin gjuhen shqipe ne familjet e tyre.Mbremjen festive  e shoqeruan tingujt e muzikes popullore per te cilen u kujdesen kengetaret e njohur Irma Libohova, Genta Ismaili, Shpat Kasapi dhe Grupi Muzikor Memedheu.Po ashtu vlen te permendet edhe Pjesmarrja e 97 vjecarit Hafuz Jusuf Azemi I dekuruar me Cmimin “ Nderi I Kombit” vitin e kaluar nga president Nishani.Ndersa Xhemail Elezi, nxenes I shkolles shqipe Drita nga Rokford, interpretoi Hymnin Amerikan me saksofon.Vallet dhe kenget popullore ne Diplomat West u degjuan deri ne oret e hershme te mengjezit, ku te pranishemit u larguan me buzeqeshje dhe perqafime me shprese se do takohen se shpejti ne muajin shkurt te vitit te ardheshem ne kremtimin e pavaresise se Shetetit te Kosoves.Solemeniteti I festes kombetare  vazhdoje  ne qender te Chicagos te marten me 28 Nentore Ku  ngritjen e flamurit gjigant e beri Mysafiri specilal z.Ziadin Sela, deputet ne parlamentin e Maqedonise. Ai nder te tjera shprehi kenaqesine te jete prezent ne mesin e Komunitetit Shqiptare te perbere nga gjitha krahinat ne nje “Mini Shqiperi” Ziadin Sela pergezoi Komunitetin Shqiptaro- American per organizimin e kesaj dite te rendesishme e cila bashkon gjith Kombin tone.Ne vazhim te ketij evenimenti  fjalen e rastit e moren  Dan Shure,  Ish president I dhomes ekonomike Israelo-Amerikane dhe president i BeShure LLC ne Chicago,ish kryetar I AACI Profesor Ilijaz Kadriu,Memo Gjonzeneli dhe kryeteri I tanishem I AACI-se, z.Gjaneto Harusha . Ky I fundit duke shfletuar momentet e rendesishme te historis se kombit nder te tjerat theksoi fatin e madhe qe Shqiperia kishte  prane saj  Shtetet e Baskuare Aleati me  I fuqishem ku njeri I liderve te saj  JFK  tha” Mos pyet se cfare beri sheti per juve por cfare ju mund te beni per shtetin Tuaj” Duke reflektuar situaten e sotme ne shtetet shqiptare  e sidomos luften kunder korupciont zoti Harusha nenvizoi se secili nga ne mund te beje me teper nese fokusohemi tek edukimi I gjenerates se re te punojme me teper se bashku dhe te luftojme te zgjidhemi ne organet lokale ku jetojme ne Sh.B.A.Te  avancojme agjenden e cila na bashkone dhe fuqishem te luftojme ndarjet Krahinore apo fetare.”Ky do ishte falenderimi me I madhe qe I kishim bere  Ismail Qemalit,Isa Boletinit ,Luigj Gurakuqit dhe Heronjve te tjere” Zoti I bekofte Shqipetaret  kudo qe jane, zoti I bekofte Shtetet e Bashkuara te Amerikes  ishin fjalet e fundit te kryetarit te AACI I cili e mbylli manifestimin e ngritjes se Flamurit Kombetar ne Chicago.

 

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Cikago, Diten e Flamurit, komuniteti shqiptar, Shaban Zenuni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1658
  • 1659
  • 1660
  • 1661
  • 1662
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT