THEMBRA E AKILIT E Prof. PËLLUMB XHUFIT
Profesor Pëllumb Xhufi është një historian i mirëformuar, autor i disa veprave dhe i shumë artikujve dinjitozë për historinë e Shqipërisë Mesjetare dhe të para Rilindjes. Ai është një nga kuadrot e pakta të formuar brenda dhe jashtë shtetit gjatë kohës së diktaturës. Në vitin 1973 përfundoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin Histori Filologji dega Histori dhe gjuhët klasike latinisht e greqisht. Për shkak të rezultateve të larta në mësime u emërua si punonjës shkencor në Institutin e Historisë së Akademisë së Shencave të Shqipërisë. Më tej për shkak të aftësive dhe të lidhjes martesore me vajzën e Profesor Luan Omarit, nip i Enver Hoxhës dhe sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, u dërgua për plotësimin e studimeve në Universitetin e Romës ku kreu studime për histori dhe gjuhët klasike latinisht e greqisht. Në vitin 1991 iu dha bursa Humbold dhe u dërgua dy vjet në Gjermani për studime të thelluara në Universitetin e Këlnit. Ka punuar shumë vjet në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave dhe disa vjet në Ministrinë e Jashtme si funksionar ose ambasador i Shqipërisë në Romë. Me kontributin shkencor që ka sjellë në fushën e historisë, Pëllumb Xhufi meriton prej kohësh të jetë akademik, por nuk e ka këtë titull, sepse mesa duket ai nuk e synon.
Si shumë intelektualë të formuar gjatë kohës së partisë shtet, kohë kur ata shijuan shumë të mira, si studimet jashtë shtetit, zgjidhja e strehimit parakohe dhe me apartamente më të mira se kolegët e tjerë, etj; Pëllumb Xhufi e ka një dobësi, e ka Thembrën e Akilit në mendësinë e tij. Ashtu si profesori Arben Puto, poeti Dritëro Agolli dhe shumë artistë e shkencëtarë të tjerë edhe ky historian, ndonëse i aftë dhe i mirëformuar, e ndjen veten borxhli ndaj diktaturës e diktatorit dhe ruan për ta respekt të veçantë dhe nuk përpiqet të evoluojë mendimet e veta ndaj atij sistemi dhe atij diktatori. Në shkrimin e tij kushtuar Enver Hoxhës si komunist dhe nacionalist, botuar në Gazeta Express 3 janar 2016, Xhufi vlerëson zhvillimin e arsimit, të industrisë, bujqësisë, shëndetësisë, etj që arriti Shqipëria në kohën e tij, por nuk përmend dobësitë, gabimet dhe krimet e atij sistemi shoqëror e të diktatorit Hoxha. Në vend që t’i vlerësojë, i quan me përbuzje “lukuni” ata që kanë përmendur gjatë këtyre 26 vjetëve këto krime.
Unë e lexova këto ditë artikullin e Prof. Xhufit mbasi lexova replikën e Prof. Shinasi Ramës për të, e cila mu duk e paplotë. Politologu Rama ndalej në faktin se Enver Hoxha ishte një burrë shteti që punoi kundër kombëtarizmit dhe si i tillë i solli dëme të mëdha çështjes kombëtare dhe nacionalizmit shqiptar, por nuk ndalej në shpalosjen e krimeve të këtij pushtetari komunist.
Që nga viti 1992 e deri sot kam lexuar shkrime e studime të shumta prej Tomor Alikos, Pjetër Pepës, Uran Butkës, Lek Pervizit, Eugjen Merlikës, Mërgim Korçës, Sami Repishtit, Pëllumb Kullës, Visar Zhitit, Kastriot Dervishit, Agron Tufës, Muharrem Dezhgiut, Lazër dhe Jozef Radit e shumë të tjerëve për bëmat e partisë shtet dhe të diktatorit tonë. Kjo literaturë më ka ndihmuar t’i afrohem së vërtetës, pra të evoluoj mendësinë time të formuar gjatë viteve të diktaturës, kur politizimi i skajshëm më kishte penguar për t’u bërë një punonjës shkencorë i aftë. Kjo dobësi shfaqej në përpjekjen që arritjet e mia t’i përputhja me mësimet e partisë e të shokut Enver ashtu si bënin gjithë kolegët. Politizimi kishte krijuar tek unë dhe kolegët e mij, si dhe te shumica e studiuesve, shkrimtarëve dhe artistëve autocensurën që na topiste forcat krijuese. Politizimi ishte Thembra e Akilit në formimin tonë mendor.
Fitorja e pluralizmit në Shqipëri më 1991, botimi i një literature të re mbi konceptet demokraci, shoqëri e hapur, të drejtat e njeriut, etj ishin si shiringa shëruese për botëkuptimin tim dhe të shumë kolegëve. Politizimin, që ishte një dukuri e moralshme gjatë jetës nën diktaturë e konsideruam një dukuri të pamoralshme, një kornizë penguese. Fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 1992 e përforcoi optimizmin dhe ecujen drejt çlirimit prej mendësisë vrastare. Këtë e dëshmon fakti se gjatë 22 vjetëve (1970-1992) kur punoja si studiues i punësuar prej shtetit në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë munda të hartoja e botoja vetëm disa dhjetra artikuj shkencorë e kumtesa dhe një studim monografik, kurse gjatë 16 vjetëve (2000-2016) në ShBA, krahas punës për të mbijetuar e përpjekjeve për të mësuar anglishten, arrita të shkruaj e botoj si studiues i lirë në gazetat Dielli, Illyria, etj shumë më tepër artikuj, tre studime monografike dhe dy përmbledhje me artikuj, ese, potrete, etj, të vlerësuar prej studiuesve seriozë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
U ula për ta shkruar këtë artikull, si vijim e plotësim të replikës së Prof. Sh. Ramës, duke shpresuar se mund ta ndihmoj kolegun tim të vjetër, Prof. P. Xhufin, që dhe ai të luftojë për ta shëruar Thembrën e Akilit (politizimin) në mendësinë e tij dhe të japë ndihmesën e vet të vyer për vlerësimin sa më objektiv për kohën e diktaturës dhe për figurën e Enver Hoxhës, natyrisht larg sharjeve pa fakte, por edhe larg himnizimit dhe heroizimit.
* * *
E pranoj shprehjen e Prof. Xhufit me të cilën ai hap shkrimin e vet: “Të bësh një analizë pak a shumë të saktë e gjithëpërfshirëse të Enver Hoxhës është një mision i vështirë”, por nuk pranoj që ky mision është “i parakohshëm”, si e quan ai. Për rëndësinë që ka për botën shqiptare studimi dhe sqarimi i vlerave dhe kundërvlerave të pushtetarit Enver Hoxha dhe i sistemit të diktaturës komuniste që ai instaloi tek ne, ky mision duhet kryer sa më parë. Duhet kryer sa më parë sepse jemi shumë mbrapa vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore të cilat i kanë dënuar me kohë diktatorët e tyre dhe krimet e kohës së komunizmit. Për turpin tonë tek ne ka ende nostalgji për diktatorin si e ka treguar raporti i OSCE-së (OSBE-së) i vitit 2016.
Që edhe ne shqiptarët të ecim përpara si popuj të qytetëruar dhe të hyjmë me dinjitet në Bashkimin Europian na duhet të arrijmë pjekurinë politiko-shoqërore sipas së cilës t’i dënojmë gabimet dhe krimet që na janë bërë këto shekujt e fundit. Si ka theksuar Prof. Sami Repishti në një intervistë në Gazeta Shqiptare, duhen dënuar si dukuri “imorale dhe antinjerëzore” pushtimi osman, sundimi i të ashtuquarturve “pashallarë” shqiptarë që i shërbyen atij pushtimi, sundimi i latifondistëve (bejlerëve) shqiptarë që varfëroi fshatarin shqiptar, dhe i klikave sunduese para e pas Pavarësisë sonë të 28 Nëndorit 1912, që përpiqeshin të përjetësonin privilegjet që u favorizonin të huajt për shërbimet që u bënin. E mbi të gjitha këto dukuri, Profesor Repishti vendos Diktaturën e Proletariatit si dukurinë “më imorale dhe antinjerëzore”, si skllavërimin total të popullit shqiptar për 47 vjet.
Në mbështetje të mendimit të Prof. Repishtit kisha hasur vite më parë dhe disa mendime të ashpra kritike ndaj diktaturës së proletariatit në Shqipëri prej ish partizanësh e ish komunistësh të ndershëm si Zef Mala, Selfixhe Broja (Ciu), Viktor Stratobërda, etj të cilët ishin penduar thellë mbasi vuajtën vite burgu e internimi prej asaj diktature që ata kishin ndihmuar të instalohej në Shqipëri.
Unë, duke qenë studiues i krijuar në inkubatorin e diktaturës së proletariatit, i njoh atij regjimi si dhe Prof. Xhufi disa merita për arritje në fushat e arsimit, mjekësisë, bujqësisë, industrisë, mineralogjisë, metalurgjisë, organizimit dhe përgatitjes së ushtrisë dhe policisë, si dhe në fushën e grumbullimit dhe studimit të gjuhës shqipe, stabilizimit të gjuhës letrare të përbashkët, zhvillimit të letërsisë dhe arteve, etj. Por në këto vlerësime unë nuk mund të le pa përmendur faktin se ka pasur shumë dhunë, shpenzime të tepërta, politizim të skajshëm shumë të dëmshëm, varfërim të fshatarëve e punëtorëve të cilët punonin në kushte të rënda dhe paguheshin me rroga minimale. Po ashtu nuk i anashkaloj dhe e dënoj dhunën e tepruar ndaj popullit për ta mbajtur gojën kyçur, mungesën e lirisë së lëvizjes brenda atdheut, izolimin e tmerrshëm të banorëve të Shqipërisë nga bota, etj, etj. Gjithashtu pas vitit 1992 e këtej unë përulem me respekt ndaj gjithë atyre që kanë shkruar e shkruajnë për vuajtjet e tyre nën diktaturë duke sjellë sejcili ndihmesën personale për sqarimin e së vërtetës së hidhur e vrastare që na ishte fshehur djallëzisht.
Midis studimeve të fundit për krimet e kryera prej Enver Hoxhës gjatë Luftës së Dytë Botërore, vlen të përmend këtu studimin e thukët të zotërinjve Agron Tufa dhe Çelo Hoxha, respektivisht drejtori dhe nëndrejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Në këtë studim Enver Hoxha është cilësuar kriminel lufte mbështetur në vetë ligjislacionin e Qeverisë Shqiptare aprovuar në janar 1945, mbi të cilin vepruan gjithë gjykatat ushtarake komuniste, ku neni 14 e përkufizon kështu krimin e luftës: “Si kriminela lufte, qofshin shqiptarë ose të huaj, konsiderohen: Ata që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, eksekutuar ose ndihmuar në vepra kriminale, si vrasje, tortura, turpërim femrash, shpërngulje të detyrueshme popullsish, dërgim në fusha përqendrimi, dërgim popullsish në punë të detyrueshme, grabitje, djegie, vjedhje, shkatërrim, plaçkitje të pasunis shtetnore e private; ata që kanë qenë bashkëpunëtorë ose ndihmësa të aparatit terrorist dhe formacioneve terroriste t’okupatorit; ata që kanë urdhëruar dhe ndihmuar mobilizimin e popullit shqiptar për ushtrinë e armikut”. Këta autorë mbështetur në ky ligj kanë nxjerrë në dukje më shumë se 15 fakte kur Enver Hoxha ka urdhëruar, ose është vënë në dijeni për vrasje masive, plaçkitje pasurish pa shkak të fshatarëve e qytetarëve të ndryshëm dhe nuk i ka dënuar këto krime të kryera prej vartësve të tij. Të dhënat e nxjerra prej tyre në arkiva, dëshmojnë se Enver Hoxha “nuk ka qenë aspak një hero i Luftës Antifashiste” si vlerësohet nga disa avokatë të së Keqes dhe se gjatë Luftës Antifashiste “roli i tij nuk ka qenë aspak vendimtar”, prandaj nxjerrja në festimet e 29 Nëntorit 2013 tek Vorrezt e Dëshmorëve e potretit të tij dhe organizimi i sesioneve shkencore në Akademinë e Shkencave në përvjetorin e tij, konsiderohen me të drejtë akte të dënueshme në një kohë kur Shqipëria kërkon të hyjë në Bashkimin Europian.
Për ta ndihmuar kolegun timXhufi, listës së krimeve që kanë përmendur studiuesit Agron Tufa dhe Çelo Hoxha, të kryera prej Enver Hoxhës gjatë Luftës Antifashiste, unë po i shtoj dhe disa krime të tjera të kryera gjatë dhe mbas asaj lufte:
- Hedhja poshtë e Marrëveshjes së Mukjes, me shtytjen e Miladin Popoviçit, e cila ishte arritja më e rëndësishme pas Lidhjes së Prizrenit (1878) dhe Konferencës së Pezës (1942).
- Shpallja e Ballit Kombëtar më 10 shtator 1943 me shkresën sekrete të firmosur prej Shpatit (pseudonim i Enver Hoxhës) si organizatë tradhëtare dhe urdhëri për ta luftuar këtë organizatë e pjesëtarët e saj si armik, kur dihet se kjo organizatë ishte krijuar e kishte luftuar krahas forcave partizane kundër pushtuesve italianë dhe nuk kishte shpallur ndonjë vijë të re politike për bashkëpunim me pushtuesit e rinj gjermanë.
- Atentatet ndaj atdhetarëve e intelektualëve gjatë Luftës duke i shpallur armiq, pa asnjë akt gjyqësor.
- Vrasjet pas shpine të shumë partizanëve si Memo Meto, Mynyr Xhindi, Raqi Qirinxhi, etj që guxuan të shprehnin ndonjë mendim jo në përputhje me mendimet e komandantit ose komisarit të brigadës a të batalionit partizan.
- Sekuestrimi (grabitja) me dhunë në vitet 1945-1947 e më vonë i pasurive të pronarëve pa pasur ndonjë ligj të veçantë për këtë veprim.
- Vjedhja e thesarit të shtetit në shumën prej 320 ton e përbërë nga 43.816.682 copë monedha floriri, të cilat në tregun e numizmatikës kushtonin shumë miliarda dollarë më tepër sesa vlera e tyre si peshë floriri. Këtë grabitje të thesarit të shtetit e ka përmendur qytetari Nuri Mehmeti, një punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në artikullin “Kur hidheshin themelet ekonomike të pushtetit popullor”, botuar në revisën “Në Shërbim të Popullit”, organ i Ministrisë së P.B. në rubrikën “40 vjet çlirim, rrugë lufte e fitoresh në Gusht 1984, f. 14-15. Këtë të dhënë e verifikoi komisioni i posaçëm i krijuar në vitet 1992-1993 prej deputetësh të Partisë Demokratike e Partisë Socialiste me kryetar Blerim Çelën. Po ky komision verifikoi dhe grabitjen e një shume tjetër prej 200 miljon dollarësh të përbërë prej 17.265 kilogram argjend të nxjerra nga thesari i shtetit për të mbuluar gjoja humbjet në kambizëm ndërkombëtar prej agjentit Dhimitër Gazhda në Greqi gjatë viteve 1988-1989.
- Politizimi i skajshëm i letërsisë, arteve dhe shkencave shoqërore, proces që futi në rrugë të gabuar studiuesit dhe krijuesit e viteve 1946-1991, të cilët me veprat e tyre të politizuara shtrembëruan të vërtetën historike, hymnizuan diktaturën dhe diktatorin dhe ndërdorën (manipuluan) popullin, pra e verbuan atë.
- Lufta e tepruar e klasave, dënimi pa gjyq, ose me gjyq të sajuar i gjithë atyre intelektualëve dhe klerikëve, që ishin formuar në Europë dhe shpalleshin armiq të pushtetit, pa bërë asnjë veprim kundërligjor.
- Internimi dhe mbajtja në internim me breza të familjeve të shpallura armiq pa bërë vepra armiqësore, etj.
- Keqtrajtimi, burgosja, internimi pa shkak i shqiptarëve që arratiseshin nga ish Jugosllavia për të shpëtuar nga përndjekja sërbe dhe vinin tek nëna Shqipëri, ku gjenin njerkën e pashpirt, e cila me anën e organeve të Sigurimit i torturonte si agjentë e spiunë të qeverisë jugosllave, etj.
- Shtytja për vetvrasje e Nako Spirut për t’i bërë qejfin Marshallit Tito. Shpallja armik dhe arrestimi, gjykimi e vrasja e Koçi Xoxes për t’i bërë qejfin baba Stalinit. Arrestimi, torturimi dhe vdekja në torturë e gjaneral Teme Sejkos për t’i treguar Nikita Hrushovit se kuadrot e formuar në Bashkimin Sovjetik tek të cilët Hrushovi mund të shpresonte ndonjë lëvizje për ta përmbysur Enver Hoxhën, ky do t’i mbyste si miza, etj.
- Vrasja natën, që u shpall vetvrasje, e Mehmet Shehut kryeministrit dhe arrestimi, torturimi dhe vrasja e Kadri Hazbiut, ministrit të P. B., bashkëpunëtorëve më të afërt në krimet e tij, me qëllim që t’ia linte të qetë pushtetin Ramiz Alisë dhe Nexhmie Hoxhës (që kjo ta sundonte Byronë Politike pa qenë anëtare e saj), etj.
Lidhur me interesimin e Enver Hoxhës për shqiptarët e Kosovës dhe për Kosovën, të cilin Pëllumb Xhufi e quan “thelb i çështjes kombëtare shqiptare në shek. XX”, dhe që e konsideron si punë e kryer me mençuri e nacionalizëm, duhet thënë troç se ky pushtetdashës i lindur e diktator i ardhshëm, duke qenë i shitur tek të dërguarit e Titos, luajti me fatin e Kosovës që gjatë Luftës Antifashiste. Këtë dukuri e ka vënë në dukje z. Sadik Elshani në një polemikë me Pëllumb Xhufin te gazeta Illyria NY 10 Janar 2016.
Ing. Mërgim Korça pas kërkimesh në Arkivin Qendror të Shtetit të R. Sh. ka sqaruar se Enver Hoxha pati tradhëtuar në vitet e para të pas luftë jo vetëm Kosovën, por dhe Shqipërinë. Në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSh më 15 dhjetor 1947, në praninë e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç, Enver Hoxha deklaroi: “… tani që e likuiduam këtë pengesë (Nako Spirun – shënim sqarues i Mërgim Korçës), duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.) se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË…” Deklaratë më antikombëtare e më antinacionaliste se kjo nuk mund të gjendet. Edhe heshtja 70-vjeçare ndaj kësaj deklarate përbën krim në vetvete.
Kurse mbas vitit 1966, kur vetë populli shqiptar i Jugosllavisë, sidomos ai i Kosovës u hodh hapur në luftë për të fituar të drejtat e tij, Enver Hoxha, për të mos u turpëruar nisi të tregojë interesim dhe të lozë kartën e një nacionalisti. Ai shkroi, ose nxiti disa punonjës për të shkruar e botuar disa artikuj në përkrahje të asaj levizjeje…
Studimi dhe sqarimi i arritjeve, dështimeve dhe krimeve të shtetarit Enver Hoxha dhe shtetit diktatorial që ai instaloi me bashkëpunëtorët e vet duhet kryer sa më parë përmes sesionesh shkencore me pjesëmarrje ndërkombëtar. Vlerësimi objektiv i këtij problemi do të ndihmojë në kthjellimin e shumë shqiptarëve që ende e admirojnë pa të drejtë diktatorin dhe diktaturën komuniste.
Mungesa e vlerësimeve shkencore objektive për figurën e Enver Hoxhës, mosdënimi i krimeve të komuniszmit, si dhe qeverisja e keqe e qeverive të tranzicionit derisot, kanë ndikuar dukshëm në krijimin e një nostalgjie për kohën e diktaturës dhe për vetë diktatorin. Kjo atmosferë social-psikilogjike, në mos dhe pare të marra nëndorë prej qarqeve antishqiptare, kanë shtyrë disa historianë, si dhe vetë kryeministrin tonë, Z. Edi Rama, që për të justifikuar bëmat e këtij diktatori, lëvdojnë Ali Pashë Tepelenën, një diktator më primitiv, të cilin guxojnë dhe e quajnë “shqiptar atdhetar” e “me gjenialitet”. Mirëpo Ali Pasha nuk e kishte idene e shtetit kombëtar shqiptar dhe nuk punoi për këtë ide. Në gati 40 vjet sundim ai punoi me psikologjinë e një pashai osman për interesat e tij si një besnik i sulltanit duke vrarë jo turq po shqiptarë, duke i shkatërruar fshatrat dhe krahinat e qëndresës antiosmane. Po të ushqente ide kombëtare ky pasha, pra po të synonte krijimin e një Shqipërie të lirë, ai do të kishte nxitur shkrimin e gjuhës shqipe, do të kishte hapur të paktën një shkollë fillore në shqip, do të kishte treguar sadopak interes për Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe flamurin e tij, do të kishte krijuar lidhje me Bushatllinjtë e Shkodrës për realizimin e asaj ideje. Nëse Ali Pasha do të kishte ushqyer ndonjë ide për krijimin e një Shqipërie të pavarur, atëhere Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare do të kishte filluar në kohën e sundimit të tij dhe nuk kishte pse të vonohej dhe 50-60 vjet mbas vrasjes së tij.
Ali Pashë Tepelena dhe Enver Hoxha, pavarësisht se jetuan në kohë të ndryshme, kanë pasur karaktere të ngjashëm. Ishin të dy gjakatarë, mashtrues dhe adhurues të floririt. Ata sakrifikuan gjithçka për të arritur marrjen dhe mbajtjen e pushtetit, të cilin e shfrytëzuan kryesisht për interesat e tyre. Pushtetin e morrën me gjak dhe e mbajtën me gjak duke vrarë vetëm shqiptarë dhe asnjë pushtues të huaj. Kur iu dukej se dikush i pengonte ose i konkuronte në realizimin e synimeve të tyre, e zhduknin edhe po të ishte i afërm i familes, mik e bashkëpunëtor i tyre i vjetër. Dalloheshin për servilizëm ndaj eprorëve, Aliu me Sulltanin, Enveri me Miladin Popoviçin, Dushan Mugoshën, Titon, Stalinin e Mao Ce Dunin. Mbaheshin për njerëz me kulturë dhe silleshin mirë me të huajt që u vinin për vizita, por në fakt ishin pa shkollimin e duhur për postin që uzurpuan. Në fakt që të dy kishin aftësi aktoreske dhe të bënin për vete me aftësinë e të folurit dhe me pamjen e tyre të bukur fizike.
Me të drejtë analisti Mërgim Korça e ka quajtur Enver Hoxhën për periudhën 1944-1976 në marrëdheniet e tij me Jugosllavinë e Titos, me Bashkimin Sovjetik të Josif Visarionoviç Stalinit dhe me Kinën e Mao Ce dunit, kolaboracionist për interesa personale. Kolaboracionizmi i tij për periudhën dhjetravjeçare në kushte kur Shqipëria nuk ishte e pushtuar nga këmba e pushtuesit të huaj ishte shumë më i ulët se kolaboracionizmi 1 ose 2-vjeçar i atdhetarëve si Mustafa Merlika, Lef Nosi, Pater Anton Arapi me shokë, të cilët në kohën e pushtimit të huaj pranuan të bashkëpunonin me pushtuesit për të shpëtuar ato që mund të shpëtoheshin për të mirën e atdheut.
Vlerësimi i bëmave të Enver Hoxhës duhet bërë edhe duke pasur parasysh pasojat e sundimit të tij, si shkatërrimin e moralit tradicional shqiptar, shkatërrimin e besimit fetar me dhunë, krjimim e njeriut gënjeshtar që ndryshe mendonte e ndryshe shprehej / shkruante nga frika. Enver Hoxha ashtu si mësuesit e tij të Kremlinit, punoi fshehurazi dhe për ta përjetësuar sundimin e tij. Këtë e dëshmojnë jo vetëm vrasjet e ndryshme, vjedhjet e shumave marramendëse, por edhe puna e Ramiz Alisë për të realizuar trashëgimin e pushtetit dhe të pasurive të popullit prej kupolës komuniste dhe shërbëtorëve të saj besnikë. Për këtë arsye ky pasardhës i Enver Hoxhës zbatoi një variant të planit Katovica për vendin tonë mbas shkërmoqjes së diktaturës së proletariatit. Jo rastësisht mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste erdhën në pushtet ish komunistë dhe ish sigurimsa, shërbëtorë besnikë të ish kupolës komuniste dhe jo nacionalistë, kombëtaristë të përndjekur e të shpronësuar, që përbënin pjesën më të ndershme dhe më atdhetare të shoqërisë sonë.
Studiuesi Pëllumb Xhufi formimin e tij shkencor e ka fituar në saje të aftësive të veta individuale, kurse mundësitë që i dha partia shtet ishin të një rëndësie dorëdytë, prandaj nuk ka pse të ndjehet borxhli ndaj diktaturës e diktatorit. Kam bindjen se, pasi të njihet më nga afër me krimet e kryera gjatë Luftës Antifashiste dhe kohës së diktaturës, do të çlirohet prej politizimit, pra do ta shërojë dhe ai “Thembrën e Akilit”, për nderin e vet dhe të pasardhësve…
1- Gjatë 26 vjetëve të punës në Institut botova studimin monografik Mihal Gramenoja publicist demokrat AKADEMIA E SHKENCAVE E RPSSh Tiranë 1980 277 f. Kurse gjatë viteve 2000-2016 kam botuar studimet Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re MEDAUR 2007, 504 f., Mihal Grameno jeta dhe vepra DDS Durrës, 2012, 505 f., Shën Pali punoi edhe në brigjet e Adriatikut OMSCA-1 Tiranë 2014, 505 f. dhe përmbledhjet Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit DDS Durrës 2011, 308 f. dhe Mosdënimi i krimit është krim i ri OMSCA Tiranë 2016, 450 f.
2- Intervistë e Profesor Sami Repishtit për nostalgjinë e popullit shqiptar ndaj figurës së Enver Hoxhës, Gazeta Shqiptare, Tiranë 29 Dhjetor 2016.
3- Gazeta Zyrtare, Tiranë 23 janar 1945, nr 3-bis.
4- Agron Tufa, Çelo Hoxha 15 fakte pse Enver Hoxha është një kriminel lufte në faqja Postbllok
5- Ilir Bushi Enver Hoxha, komunisti tinzar që çoi floririn e Shqipërisë në bankat e Zvicrës, Agjensia e Lajmeve SOT, 14 prill 2012.
6- Mërgim Korça. Çështja Kolaboracionizëm e të tjera T’i Gjykojmë, Detroit MI. 2014, f. 16-61.
PJESË NGA DITARI I KONVALESHENCËS SIME IDEOLOGJIKE
I them sekretarit:-Ç’punë ka Dega e Punëve të Brendshme me poemën time. Pse Dega merret me krijimtarinë letrare?/
NGA FASLLI HALITI/
Viz. S.kamberi «Artist i Popullit»/
( PRILL 1973 – PRILL 1977)/
Janar 1973/
Gjatë muajit dhjetor 1972 u pëshpërit diçka për poemën time të botuar në tetor të vitit 1972 në gazetën “Zëri i Rinisë”. Flitej se do ta kritikonin. Thoshin se do të bëhej një mbledhje e rrethit letrar të Shtëpisë së Kulturës. Gori P., ishte i ipari që më tha se poema ime po analizohej në Komitet të Prtisë së Punës së rrethit për gabime ideopolitike. Gorit i kishte folur Fatmir Galanxhi, lulishtari i qytetit të cili e kishin thirr në Komitet të Partisë. I kishin kërkuar mendim për poemën “Dielli dhe rrëkerat”. Më saktë e përpunuan Fatmirin që ta kritikonte poemën në një mbledhje eventuale. Në fillim kjo s’më bëri përshtypje. Por më vonë thashethemet u shtuan, u bënë më serioze, më alarmante, më të rrezikshme. Tre skicat e mia «Thërmijëza jete», të botuara në «Zërin e popullit» në fillim të janarit të vitit 1973, ngjallën një reagim shumë të madh në Lushnjë. Instruktori që mbulonte sektorin e sigurimin në Komitetin e Partisë i kishte treguar gazetën sekretarit të parë.
-E sheh shoku Rrapi ç’ka shkruar Faslli Haliti. S’le njeri pa sharë. Edhe djalin tënd e ka sharë. Në një nga artikujt, (ato ishin tri skica, kurse instruktori i quante artikuj), shoku Rrapi, Faslli Haliti, pa iu dridhur qerpiku, sulmon, diskrediton deri edhe kunatin e zëvendës ministrit të punëve të brendshme…
Më thanë se Rrap Gjermeni i ishte përgjigjur me diplomaci:
-Është e drejtë e tij që të shkruajë.
Të shkruaj, por jo të shajë, shoku sekretar i parë.
Atë do ta shohim…
Instruktori i Komitetit të Partisë që mbulonte sigurimin Ilia K., me hundë të madhe dhe me kasketë proletare, ishte habitur me gjakftohtësinë e sekretarit. Ai priste që sekretari ta përgëzonte për atë për informacionin që i dha, kurse a… Instuktori priste që sekretari të tërbohej. Priste që sekretari të më thërriste menjëherë në zyrë, për ndonjë informacio shtesë që ta sitnin së bashku në zyrën e tij. Por nuk ndodhi ashtu. Sekretari dinte ta mbante veten. Si fshatar ai dinte, jo vetëm ta ruante dhe ta mbate brenda vstes tërbimin dhe hakmarrjen. Pastaj ai kishte qenë kaq vjet ambasador në Rumani. Si ish ambasador dinte të sillej me diplomaci.
-Ky nuk u nxeh fare – kishte thënë instruktori që mbulonte sigurimin në Komitet të Partisë.
-Kot s’është diplomat ai – kishte folur instruktori më Jago dhe më servil i Komitetit të Partisë DH.G., Për të cilim flitej se e kishte lënë të iatin të vdiste në korronecin e misrit, në qoshe të oborrit, pranë një grumbulli plehu.
***
Skicat e botuara në gazetën “Zëri i popullit” krijuan shqetësime edhe tek mjekët edhe në gjimnaz edhe tek një shofer taksie, i cili ishte betuar se do të më shtypte rrugës me rrotat e prapme. Mjekët kishin thënë se po të vente gruaja e tij në Maternitet për të lindur, do t’ia nxirrnin fëmijën çika-çika. Kunati i zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte tërbuar. Kishte thënë se më kishtë futur në shenjestër që kuri, që me poezitë “Njeriu me kobure”, “Djali i Sekretarit”, të botuara në revistën “Nëntori” dhe se tani që e kisha mbushur kupën me botimin e poemës “Dielli dhe rrëkerat dhe sidomos me botimin e skicave në gazetën “Zëri i popullit” ai do të ma mbante në lule të ballit sapo t’i krijohej rasti më eventual.
Shokët më thoshin gjithçka që dëgjonin. Më vinin në dijeni të gjithçkaje. Në fillim e mora si me shaka. Qeshja. Më bëhej qejfi që skicat kishin ngjallur reagime. Por shpejt filloi shqetësimi, alarmi tek unë.
Njëra nga skicat që fliste për një mjek spekulativ, kishte tërbuar mjekët. Megjithëse skica ishte një krijim letrar, atë ia adresonin dikujt që nuk e donin. Dikush thoshte se mjeku i skicës ishte , ) H.Ç, profesori i tre pave, (itre minuseve), domethënë: profesor gjimnazi pa diplomë, gjeneral pa ushtarë (ai kishte bërë korrupsion me eshtrat e ushtarëve italianë të Luftës së dytë Btërore, kur kishte qenë drejtor në Komunale dhe shkrimtar, pa asnjë libër.
Skica e dytë fliste për kunatin e zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Personazhin e kësaj skice e identifikonin me H… kunatin e zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Por dikush tjetër thoshte se ai përafronte më sumë me shoferin e taksisë i cili ishte kushuri me sekretarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Për skicën e tretë nuk flitej. Personazhin e saj nuk e përafronin me ndonjë person konkret të qytetit. Personazhi i saj ishte një vanitoz. Po vanitozë ka shumë. Kështu që ai u la në heshthje.
***
Dëgjoja gjithçka dhe shqetësohesha. Flitej se do të bëhej mbledhja e letrarëve. Pse?
Që të kritikohej poema dhe poezitë e mia që kishin qenë polemike, kritikuese të cilat demaskonin burokracinë.
Çfarë nuk thuhej. Ç’nuk më vinte në vesh. Lemerira.
Pyes Gaz Kolin që ishte përgjegjës i rrethit të Aktivistëve të Letërsisë dhe Arteve pranë Shtëpisë së Kulturës. Më thotë:Ne si rreth aktivistësh letrar nuk kemi në plan të bëjmë ndonjë mbledhje. Për këtë të garantoj unë.
Ai thoshte gjysmën e së vërtetës. Këte unë do ta kuptoja më vonë. Mbledhja me të vërtetë s’do bëhej në shtëpinë e kulturës me aktivistët e letërsisë dhe të arteve. Ajo do të bëhej në Gjimnaz me rrethin e letrarëve të gjimnazit.
Pra Gaz Koli më kish thënë gjysmë të vërtetën.
Dinaku…, thashë me vete.
***
Vjen më takon, tregimtari Halili J., U çudita. Ne gati nuk flisnim dhe ai vinte e më takonte, madje më futi dhe krahun.
-E di, – më thotë – ti mbase edhe habitesh që të takova, por si shok që të kam patur, pavarësisht nga një farë ftohje apo qejfmbetje që kemi për fajin tim, unë si shok, e kam për detyrë që të të ve në dijeni për diçka që për ty është shumë serioze. Madje , më tepër se serioze, arrosëse do të thosha.
U preva në fytyrë. Më vajti mendja tek mbledhja, tek autodafeja që po më përgatitej.
-Dëgjo – më thotë. – Në Gjimnaz – kanë bërë një mbledhje me rrethin letrar. Aty është analizuar poema jote “Dielli dhe rrëkerat” si dhe poezitë e tua sidomos “Njeriu me kobure”, “Djali i sekretarit”, “Çifligu”, “Unë dhe burrokracia” e disa të tjera. Në të vërtetë aty nuk është analizuar gjë, por H.Ç, iu ka lexuar anëtarëve të rrethit letrar një kritikë për poemën dhe krijimtarinë tënde në përgjithësi.
Halil J. vazhdoi: Poeti i ri, gjimnazisti, Bujar Xh., më tha se poemën e kanë quajtur reaksionare, dekadente, formaliste e ku di unë. Mësuesi H.Ç. u kish thënë letrarëve të shkollës që të solidarizoheshin me kritikën dhe të vinin firmat. Ai i kishte siguruar se për këtë kishin edhe përkrahjen e Komitetit të Partisë, veçanërisht të Sekretarit të Parë.
E falënderova shokun tim dhe u ndava me të menjëherë, shumë i shqetësuar. Ç’të ishte kjo kështu. Ç’ishte ky sulm me përforcime maxhiore. Takoj drejtorin e gjimnazit. I them:
-More K, ç’bëhet kështu?
Partia nxit debatin dhe ballafaqimin. Ju analizoni poemën dhe krijimtarinë time dhe s’më ftoni në mbledhje.
Drejtori më tha prerë:
-S’të marrim leje ty ne, për të kritikuar.
-Ashtu?
-Po.
Drejtori iku. Pashë se ai i kishte shpatullat e ngrohta. Pas tij qëndronte sekretari i parë i Komitetit me të cilin ai ishte fis.
Pësova disiluzion.
Pas dy-tre ditësh më vjen përsëri Halili në klasë në orën e mësimit. Më thotë se kritika është nisur për në gazetën “Zëri i Rinisë”. Kritika u çua doras në gazetë. Për ta çuar nisën mësuesin e fizkulturës.
Por kritika nuk u botua në gazetën “Zëri i Rinisë”. Ajo u botua në gazetën lokale “Shkëndija”.
Kur e pashë të botuar u shqetësova. Kur e lexova u habita se si mund të botohej në shtypin tonë një shkrim i tillë me prirje denigruese.
Artikulli ishte gjithë insinuata në planin politik e personal.
Pasi e lexoi Ismail Kadareja më tha:
-Ky shkrim është i gabuar. Ta them unë. do të kritikohet.
Ma dha gazetën dhe më tha:
-Fute shkrimin në një zarf. Dërgoja Mehmet Shehut. I thuaj: “Kjo është demokracia juaj”?
Takova Dritero Agollin. Pasi e lexoi shkrimin u shpreh:
-Ky shkrim është një aktakuzë. Me këtë ti futesh në burg.
Lexoi emrat e autorëve të kritikës:
-Këta janë një tufë rrugaçësh – më tha dhe e palosi gazetën.
Kërkova takim me sekretarin e Komitetit të Partisë së Rrethit. Më priti. Më futi krahun që nga shkallët e sheshit gjer lart në zyrë.
U ulëm.
Më dha një cigare.
-S’e pi i thashë.
-Do ta pish – më tha si me të qeshur.
-Po s’e pi fare – i thashë.
Ai e pa që unë dridhesha nga emocioni.
-Pije, – më tha – po ta jap unë.
E mora cigaren. Ma ndezi me çakmakun e tij. E thitha dy herë dhe e lashë mbi tavëll. S’e futa më në gojë.
-Hë – më tha – Ç’kemi.
-Erdha për atë shkrimin kritik – i thashë – që kanë bërë letrarët e gjimnazit.
-Ashtu?
-Po – i them.
-S’e kam lexuar – më thotë
Alamet sekretari, gënjeu.
Kjo më tronditi. E reduktova në maksimum bisedën. Ai nuk ishte i sinqertë me mua. unë isha në dijeni të gjithçkaje. Kurse ai po më thoshte s’e di, s’e kam lexuar.
U lemerisa.
I them se më janë bërë insinuata politike dhe personale. Më thotë.
-Do ta lexoj.
I them:
-Ç’punë ka Dega e Punëve të Brendshme me poemën time. Pse Dega merret me krijimtarinë letrare?
-Më konkretisht – më thotë sekretari.
-Po ja H.Ç. e ka çuar në Degën e brendshme poemën.
-Kush ta tha ty këtë?
-Murat Nexha – i them.
-Gabim ka bërë edhe Murati që ta ka thënë!
Kuptova se s’duhej zgjatur biseda.
-Kaq kisha – i thashë. – Nuk më vjen keq për kritikën që i bëhet poemës. Ajo është e botuar. Erdha vetëm t’ju them se nuk i pranoj kritikat që më bëhen në planin politik e personal.
Më thotë si me të qeshur:
-Më vjen mirë që krijimet e tua nuk i quan të përsosura.
-Përsosmëria nuk ka fund – i them.
-Shumë mirë që e pranon – më thotë.
-Përsosmërinë s’e kanë arritur as poetët më të mëdhenj – i them.
-Sigurisht, sigurisht. Furra nuk i pjek të gjitha bukët – më thotë – ca i pjek, ca i lë të pa pjekur, ca i djeg.
U largova nga zyra duke thënë me vete:
-Poemën time ku e fut ky tek bukët e papjekura apo tek bukët e djegura?
Qeveria: Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror territor
-Qeveria e Kosovës miratoi Raportin Faktografik të Komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës/
-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vlerësoi faktin se qëndrimet e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, vlerësimet e Komisionit Ndërkombëtarë i cili është përcaktuar nga presidentja Jahjaga, por edhe konkludimet e Komisionit Shtetëror të mëparshëm për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, përputhen në mënyrë të plotë me rezultatet faktografike të këtij Raporti/
-“Padrejtësitë historike nuk mund t’i korrigjojmë”, tha Akademik Hivzi Islami. Në mbledhje ishin të pranishëm edhe kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu dhe drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari/
PRISHTINË, 3 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, ka mbajtur sot pasdite mbledhjen e 135-të me radhë, në të cilën ka miratuar Raportin Faktografik të Komisionit të ekspertëve për matjen e Territorit të Republikës së Kosovës.Kryetari i Komisionit, Akademik Hivzi Islami, njoftoi kabinetin qeveritar lidhur me punën e bërë nga ekspertët dhe bëri të ditur se para se të mbyllet raporti përfundimtar me konstatimet përmbledhëse, ekspertët morën edhe rezultatet e debatit publik dhe më pas, në konkluzat e dërguara në Qeveri, ata kumtuan rezultatin që madhësia territoriale është 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë.“Kur u matën të gjitha sipërfaqet e komunave administrative, u matën 38 komuna, u matën sipërfaqet e 1 mijë e 305 zonave kadastrale, që pajtoheshin zonat me kumulativin e sipërfaqes së komunave administrative. Kjo u bë një kohë të gjatë dhe u bë disa herë, minus ndryshimi që ndodhi me Planin e Ahtisaarit me Maqedoninë, doli kjo shifër që e kemi, dhe ne mendojmë që kjo shifër, sipas ekspertëve, është absolutisht e saktë, e tolerueshme me këto gabimet minimale. Prandaj, ta kemi ndërgjegjen e pastër dhe të fashiten emocionet. Kosova nuk humb asnjë metër katror. Atë që e kemi pas, e kemi. Padrejtësitë historike nuk mund t’i korrigjojmë”, tha ndër të tjera Akademik Hivzi Islami.Në mbledhje ishin të pranishëm edhe kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu dhe drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari.Ahmet Zejnullahu foli për çështjen e 614 hektarëve të pyjeve që më herët janë menaxhuar nga Agjencia Pyjore, ndërkaq nuk janë të regjistruar në regjistrat kadastral të Pejës.
Ekrem Hajdari siguroi se bazuar në shënimet kadastrale që i ka Agjencia e Privatizimit në dispozicion, shënime këto të dhëna të bazuara në shënimet kadastrale të Republikës së Kosovës, AKP mund të konfirmoj lirisht që pronat e ish ndërmarrjeve shoqërore përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi, nuk preken fare nga procesi i shënimit të vijës kufitare.Qëndrimet e tyre në mbledhjen e Qeverisë i kanë shfaqur edhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramiz Kelmendi, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vlerësoi faktin se qëndrimet e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, vlerësimet e Komisionit Ndërkombëtarë i cili është përcaktuar nga presidentja Jahjaga, por edhe konkludimet e Komisionit Shtetëror të mëparshëm për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, përputhen në mënyrë të plotë me rezultatet faktografike të këtij Raporti.“Kjo na jep të drejtë të jemi të sigurt se Kosova edhe për këtë gjeneratë edhe për gjeneratat e ardhshme mund të konfirmoj se nuk e ka humbur asnjë metër katror në Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi. Është fakt notor, që Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë gjithmonë e gatshme që përmes ekspertizës dhe nuk ka hezituar në asnjë moment që të punojë dhe të konstatoj gjendjen reale të kufirit tonë me Malin e Zi ashtu siç nuk do të hezitojmë në asnjë rast që këtë ta bëjmë edhe me Serbinë më vonë, në mënyrë që Kosovës të mos i cenohet asnjë metër katrorë të territorit në përcaktimin e vijave kufitare përkatësisht në shndërrimin e vijave administrative që i kemi pasur ne përpara me shtetet fqinje ose me Republikat fqinje tani në kufij ndërkombëtarë dhe të arrijmë atë që ministri i Punëve të Jashtme e tha këtu që këto konstatime dhe këto rezultate t’i depozitojmë edhe në Kombet e Bashkuara.
Ne kemi një përkushtim të madh edhe sot, dhe kemi argumente të plota dhe të pakontestueshme që Republika e Kosovës nuk ka humbur asnjë metër katror gjatë shënjimit të vijës kufitare dhe shpresoj se me këtë hapet një proces i ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi.
Unë jam shumë i bindur se qytetarët e Republikës së Kosovës por edhe ekspertët, njerëzit edhe të pozitës edhe të opozitës do të kenë arsyen që të konkludojnë mbi bazën e fakteve sepse ne nuk mund të ndryshojmë faktet dhe që vendimi i mëvonshëm do të merret mbi këtë bazë.
Ne, këtë raport pasi që Qeveria të deklarohet për këtë, do ta publikojmë në faqen zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do t’ia përcjellim Presidentit të Republikës së Kosovës për informim dhe njoftim, do t’ia përcjellim deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në mënyrë që çdonjëri të ketë qasje të informohet dhe të njoftohet lidhur me këto rezultate. Po ashtu, do të bëjmë përpjekje që ta prezantojmë në forma të ndryshme, përmes mjeteve të informimit, dhe kanaleve tjera edhe para qytetarëve të Republikës së Kosovës në mënyrë që çdo qytetar i Republikës së Kosovës ta ketë këtë dokument dhe të ketë rezultatet e një Komisioni shumë kredibil, profesional e shkencor i cili ka punuar.
Unë jam i bindur se edhe ky raport do të jap rezultate pozitive në unifikimin e spektrit politik dhe apeloj që ky spektër politik të unifikohet rreth një çështje madhore dhe në interes të vendit siç është shënjimi i vijës kufitare, do të ndikoj në përparimin e perspektivës euroatlantike të vendit tonë, në fuqizimin e marrëdhënieve me SHBA-të, BE-në dhe vendet e tjera mike”, tha kryeministri.
Në fund, kryeministri Mustafa ka falënderuar Komisionin Qeveritar të Ekspertëve, akademik Hivzi Islamin dhe dy kryeshefat që prezantuan gjendjen reale që ata kanë në Agjencionet e tyre para Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Kjo gjendje është marrë në mënyrë faktografike dhe kështu është shënuar edhe në Raport dhe unë e konsideroj këtë si një kontribut të veçantë edhe të kësaj seance por edhe të Raportit Faktografik të Komisionit”, tha kryeministri Mustafa./b.j/
Dosja e emigrantëve- MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË
ARANIT TARTARI, MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË/
Mjeku gojë ëmbël, që të shëronte me fjalë, u mbulua në dheun e Filadelfias, të Shteteva të Bekuara të Amërikës. Ne mbuluam dhimbjen në zemrat tona.

Nga Enver Memishaj/Në Vlorë e quanin: Miku i Popullit. I qeshur gjithnjë, i pa përtuar, i duruar, i arsyeshëm , i matur në fjalë e në veprime, por i pa tundur në qëllimin human që i kishte vënë vetes: tu shërbente njerëzve si asnjë tjetër. Ai ishte një magjistar i shpirtit njerëzor. Ishte alturist, i gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi jetës së tij ishte: t’u bënte mirë qytetarëve të tij.
* * *
Babai i Aranitit Azbi Tartari ka punuar si nëpunës në Korçë,Tepelenë dhe në disa fshatra të Vlorës. Me ardhjen në fuqi të komunistëve të cilët nuk i shikonin me sy të mirë nëpunësit e djeshëm, familja me katër fëmi të vegjël u detyrua të shiste shtëpinë në lagjen Karabash të Vlorës dhe u kthyen në fshatin e origjinës, në Vranisht, por në vitin 1950, u kthyen përsëri në qytet. Në vitin 1957, babai i Aranitit, në një moshë ende të re ndërroi jetë, kështu që Araniti u detyrua të futet në punë.
Pa mbaruar vitin e tretë të gjimnazit e morën ushtar. Eprorët e tij vunë re inteligjencën dhe aftësitë fizike dhe e regjistruan në një kurs për aviator. Kjo ka qenë një nga ditët e lumutra të jetës tij. Tashmë ai do të fluturonte lart në qiell, si shqiponjat e maleve të Vranishtit. Në vitet 1956 -1958 mbaroi kursin dhe falë aftësive të tij, arriti te fluturonte edhe vetem ne qiellin shqiptar. Ky ishte pasioni më i madh i tij, dhe që do ta kujtonte përherë me nostalgji. Por ëndërrën për të fluturuar me avion ja prenë në mes.
Sigurimi i Shtetit vigjëlonte. Ndërsa ishte nisur të vazhdonte studimet e larta në Bashkimin Sovjetik, e kthyen mbrapsht nga Rinasi për disa verifikime! Kjo, tregonte më vonë Araniti, ka qenë një nga ditët më të zeza të jetës sime. Kështu ai e humbi dashurinë e parë, fluturimin në qiellin e kaltër, humbi shpresën, zogut i kishin prerë krahët…
Enderrën e prerë në mes për pilot nuk e harroi gjith jetën. Ai më von, ndërsa ndiqte Fakultetin e Mjekësisë në çdo faqe të leksioneve do të vizatonte aeroplanë dhe posht tyre shkruante: Guxova dhe fluturova ne qiellin e kalter shqipetar.
Pas kesaj ngjarje ai nuk u dekurajua. Nuk donte që të ishte nën shokët e tij. U kthye në Vlorë, punoi dy vjet si punëtor dhe kreu natën gjimnazin dhe në vitin 1961, fitoi të drejtën për të ndjekur Fakultetin e Mjekësisë, në Tiranë. Studimet i kreu me sukses dhe në vitin 1966 u diplomua mjek. Në vitin 1967 u specializuar si mjek laborant dhe u emërua në spitalin e Vlorës. Që nga ai vit ai u shërbeu me përkushtim qytetarve të tij për gati 30 vjet. Ngritjen profesionale e arriti nëpërmjet studimeve individuale dhe fitoi vetitë e një shkencëtari. Ai diti të mësonte nga përvoja e mjekëve të vjetër të Vlorës që ishin diplomuar në perëndim: dr. Tepelenës, dr. Hysenbegasit, dr. Myzabegut, dr. Berberjanit etj.
E mbaj mënt, kur çdo ditë e gjeja në laboratorin e tij me dr. Tepelenën duke përkthyer nga revistat e huaja frëngjisht dhe italisht. Botoi shumë shkrime për mjeksinë në gazetat dhe revistat shkencore.
Te qenurit mjek per te ishte nje mision dhe pergjegjesi e madhe, prandaj çdo pacienti i shërbente me devotshmëri, jo vetem si specialist, por edhe si njeri që dinte të hynte në botën shpirtërore të pacientit dhe gjente gjithmonë zgjidhje.
* * *
Dr. Aranit Tartari kishte lindur në qytetin e Vlorës më 16 shkurt 1938, në një familje me tradita atdhetare e qytetare. Ai ishte demokrat në shpirt dhe mendje dhe i priti me entuziazem ndryshimet demokratike duke marre pjese familjarisht në çdo manifestim të Partisë Demokratike në Sheshin e Flamurit.
Doli ne pension ne vitin 1993 dhe ne vitin 1996 emigroi familjarisht në Shtetet e Bekuara të Amerikës siç e quante ai këtë vend të bekuar.
Aranitit nuk i mungonte asgjë për të jetuar në Vlorë. Ai ishte një mjek i talentuar me të dhënat e një shkencëtari, Lutfija, e shoqja ishte mësuese e nderuar dhe e respektuar, Helidoni, djali, një inxhinjer i talentuar dhe Anila, vajza, një mjeke me perspektivë. Atëhere përse Aranit Tartari emigroi në Amerikë?
Ai njeri adhuronte lirinë dhe ëndërronte të jetonte në vendin e lirisë por edhe pse donte të shëronte atë plagë të rinisë: fluturimin në qiellin e lirsë, që ja vranë në moshën më të bukur.
Në vitin 2001, pasi kishte punuar e dhënë shembuj qytetarie ai mori nënshtetësinë amerikane. Kjo ishte një nga ditët më të gëzuara të jetës tij. Tani ai mund të fluturonte jo vetëm në qiellin shqiptar por edhe nëpër qiejt e botës.
* * *
Kur mora lajmin e hidhur të humbjes së Dr. Aranitit nuk më besohej. Ai njeri që kishte dalë fitimtar në të gjitha bejejat e jetës së tij, qysh ishte mposhtur. E ktheva kokën pas dhe pash si në një film udhën e jetës që kisha përshkuar me një mik të mirë, si Aranit Tartari…
Ai ishte qytetar dhe mjek me virtyte të rralla. Ishte njeri me shpirt të gëzueshëm, gjithnjë optimist, shakaxhi, bisedat e tij të bëra me hiperbola që veç ai mund t’i sajonte, i përsërisnin të gjithë gojë më gojë dhe provonin ta imitonin, por pa sukses.
Ishte një nga njerëzit e rrallë të qytëtit tonë, që kishte shokë dhe miq të shumtë, për të mos thënë se qytetarët e Vlorës, por edhe fshatarët, ishin të gjithë miqtë e tij. Ai nuk lodhej duke i ndihmuar të gjithë, prandaj e quanin miku i popullit. Ishte gjithnjë i pranishëm, pranë mikut dhe shokut, në festë, në dasëm, qoftë edhe në mort, dhe takimet me atë burrë mbaheshin mënt gjatë.
Edhe Lutfijen, bashkëshorten, e kishte gjetur si vetja. Ishin një çift i përsosur. Fati e kishte bashkuar me atë gruan që nga karakteri dukej më tepër si motra e tij. Edhe ajo, gjithnjë qeshur, e gëzuar dhe që të bënte për vete që në takimin e parë . Rrallë çifte ngjajnë dhe shkojnë me njeri tjetrin si Lutfia me Aranitin.
Ajo me fisnikërinë dhe bujarinë e saji i siguroi atij një jetë të bardhë dhe i dhuroi dy fëmijë, si vetja Helidonin, që ishte edhe ai Diell si i ati dhe Anilën, të bukur dhe të qeshur si i ati dhe e jëma.
Nga prindërit, si të gjithë ne, nuk trashëgoi pasuri, por ai kishte një shpirt të pasur si asnjë tjetër.Ishte alturist, i gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi për t’i bërë mirë tjetrit.Araniti, motra Teferia dhe i vëllai, profesori i njohur Teki Tartari, e shkundën blozën e shtëpisë së Vranishtit dhe hodhën themelet e shtëpisë qytetarëe në Tiranë dhe në Vlorë, duke e ngritur emërin e familjes dhe fisit më lart.Nga bindja Araniti ishte thjesht një shpirt i pastër demokrati. Ishte kundër dhunës. Miqëve dhe shokëve që kishin mbetur më atë anë të barikadës komuniste nuk ua ktheu shpinën. Jetoi me kokën lart, kishte një dinjitet të pa shembullt dhe askujt nuk pranoi t’i përulej.
Me Aranit Tartarin humba një shok të jetës sime, një bashkëqytetar nga më të vlefshmit, një burrë të qëndrueshëm, i cili gjatë gjith jetës tij kreu detyrën qytetare, duke u bërë shërbëtor i vlonjatëve, ditën dhe natën, nuk mungoi në asnjë çast t’u vinte në ndihmë njerëzve, pa asnjë kusht dhe pa pyetur, si dhe cili ishte ai që vuante, ç’ ngjyrë kishte dhe ç’punë bënte.
Bashkë përshkruam udhën e jetës në të keqe dhe në të mirë, në gëzime dhe në hidhërime. Të kishe shok Aranitin ai ta bëntë diell e dritë, çdo çast të jetës, ta hiqte mërzinë, vujtjen dhe dyshimin, me buzëqeshjen, me pak fjalë dhe me magjinë që të pushtonte. Ai ishte një magjistar i shpirtit njerëzor.
Doktor Isuf Hysenbegasi që e kishja mësues në gjimnaz, thoshte se ç’farë të shkruaj unë në recetë ti nuk e kuptom, por ç’farë të them me gojë ti e kuptom shumë mirë. I tillë ishte Aranit Tartari, ishte nga ata mjek që të shëronte me fjalë. Të bënin më shumë efekt fjalët dhe këshillat e tij se sa barnat.
Më tha prof. Ëngjëll Saliu që Aniti ishte sëmurë. Shpresoja që të triumfonte mbi sëmundjen, sikundër kishte triumfuar në dallgët e jetës, por besoj se me të njëjtin durim, me të njëjtën burrëri që kishte treguar gjatë jetës për kapërximin e vështirësive do ta ketë përballuar edhe sëmundjen që nuk besoja t’i këpuste fillin e jetës.
Nuk e di, se nuk isha pranë tij, siç dëshëroja, por jam i bindur se ai burrë i rrallë nuk do t’i ketë dalë kurrë prej gojës ndonjë fjalë ankimi dhe nuk do të ketë trguar shenja tronditje sepse ishte trim dhe dinte ta përballonte vuajtjen. E di se e ka duruar dhimbjen.
E di se në çastet e fundit të jetës tij do të ketë përfytyruar malet, burimet dhe bukuritë e Vranishtit dhe bregdetin e Vlorës tij, me ngjyra ylberi, e drita shumë, do ta ketë ndier mallin e pa shuar që brente zemrën e tij në tokën e ëmbël të Amerikës.
Pusho i qetë në tokën e Shteteve të Bekuara të Amerikës, miku im Aranit Tartari.Ti dhe Lutfia e kryet misionin tuaj në jetë, punuat jo vetëm për vete por më shumë për vlonjatët, na latë dy fëmi që do ta ngrenë më lartë emërin tuaj.
Aranitin do ta kujtojnë të gjith ata që e njohën si njeri e qytetar model, mjek i talentuar, baba, vëlla, mik e shok nga më të mirët. Për Aranitin jeta ishte shumë e shtrenjtë sepse ai dinte ta shijonte, dinte të gëzonte dhe këtë u la trashëgim dy fëmijëve të tij Helidonit dhe Anilës dhe dy nipërve: Rafaelit dhe Brentonit. U la trashëgim dashurinë për njeri tjetrin për lirinë e kuptohet për Shqipërinë.
I tillë qe Aranit Tartari ky mjek, njeri dhe shërbëtor i popullit të tij, të cilin e mbuluan në dheun e Amerikës më 7 dhjetor të vitit 2016 dhe unë shkrova këto radhë si shenjë e nderim të shërbimeve të shquara që i ka sjellë Vlorës, për miqësinë tonë të gjatë dhe të pa njollë, i hidhëruar që nuk iu gjenda pranë atij miku aq të vlefshëm, atij mjeku që shëronte si me magji plagët e qytetarëve vlonjat, atij qytetari të denj e të nderuar të Vlorës.
Prehu në paqe miku im i pa harruar.
Ai u largua në amëshim, por emërin, jetën, punën, mirësinë, dashurinë dhe ëmbëlsinë e tij do t’i kenë si model në udhën e jetës, të gjith ata që e kanë njohur.
Ai iku po na la gjurmët, shembullin e një mjeku human, shërbëtor i popullit të tij, të një qytetari të denj, të një shoku të një miku.
