• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bisedë me Nënë Terezen në Vendlindjen e saj

September 2, 2016 by dgreca

Që nga takimi im i parë me Nënën Tereze, në Romë (1969), gjithmonë jam përpjekur ta ndjek atë besnikërisht nëpër rrugët e botës, për t’u begatuar me përvojat e jetës së saj. Madje, edhe pas gjithë këtyre vjetësh, unë nuk jam i sigurt se e njoh mirë, se e kuptoj, dhe mbi të gjitha, se mund të jem në gjendje ta përcjell. Çdo takim me të është diçka e re, një përvojë e thellë, një sfidë, një dëshirë për të qenë ndryshe… si ajo…

Në këto vitet e kaluara, isha me të ditë të tëra, duke e shikuar, duke e admiruar, duke folur dhe duke u lutur së bashku. E kam shoqëruar në vizitën në vendlindjen e saj dhe në Ipeshkvinë tonë (1970, 1978, 1980, 1982, 1986), pastaj në themelimin e shtëpisë së “Misionareve të Dashurisë” në Zagreb (1979), Shkup (1980).  Kam qenë më shumë se një herë me të në Romë, por mbi të gjitha unë kam kaluar ditë të mrekullueshme, për mua të paharrueshme, njëherë në Norvegji (Osllo 8-13 dhjetor 1979), bashkë me të vëllain e saj, Lazrin, me të mbesën Age Bojaxhiu, me ipeshkvin tonë shqiptar, Imzot Nikë Prela e të tjerë.

Në të gjitha këto takime unë kisha biseda të këndshme dhe të dobishme miqësore më Nënë Terezen, disa prej të cilave do t’ua sugjeroja këtu lexueseve, që të mund ta kuptojnë më mirë, ta ndjekin atë në ecjen e saj shpirtërore, të përpiqen ta imitojnë atë, të paktën deri diku, në jetën tonë të përditshme, nga që vetëm në këtë mënyrë ajo do të mund të jetë cytëse vendimtare për besimin tonë, për dashurinë tonë ndaj Zotit dhe ndaj afërmit tonë.

Nëna Tereze, Ti je e pranishme në pjesë të ndryshme të botës. Si ndiheni kur udhëtoni nëpër botë, duke parë dhe duke jetuar me vuajtjen njerëzore? A mund të na thuash diçka rreth punës suaj në mesin e të varfërve?

Nëna Tereze: “Po, kam përjetuar përvoja të ndryshme. Më kujtohet kur i tubova njerëzit që po vdisnin nga rrugët, pastaj puna me fëmijët e braktisur, me të gërbulur. Deri më tani ne jemi përkujdesur për 36 mijë njerëz para vdekjes, 16 mijë prej të cilëve kanë vdekur, por të paktën kanë vdekur në paqe. Njerëz nga mbarë bota vuajnë të shumtën nga vetmia, harresa, uria, sëmundjet…”.

Sa shtëpi rregulltare i keni nëpër tërë botën?

Nëna Tereze: Kemi 112 shtëpi të “Misionareve të Dashurisë” nëpër tërë botën… Ia kemi përkushtuar jetën Zotit dhe të varfërve. Në këto 27 vjet, kurrë nuk e kam refuzuar kë. Kemi mbi 46.000 të gërbulur, shumë shtëpi për ata që vdesin, shumë shkolla, spitale. Provania hyjnore na ndihmon vazhdimisht”.

 Kush janë ata që i gjejnë njerëzit rrugëve dhe që i sjellin tek ju?

Nëna Tereze: “Ne i kërkojmë kudo ngapak. Në disa raste, njerëzit të të njëjtit rajon na i sjellin, apo edhe policia, nga që tashmë të gjithë e dinë kush jemi, se ne punojmë për këta njerëz dhe se ne i presim me gjithë zemër. Nga dashuria, ne i quajmë këta njerëz tanët, madje edhe të tjerët i quajnë: njerëzit e Nënës Tereze”.

Numri i motrave, që punojnë me aq shumë njerëz duhet të jetë i madh? Sa motra i janë përkushtuar kësaj pune?

Nëna Tereze: “Tani kemi 1.450 “Motra Misionare të Dashurisë”, të cilat punojnë me më të varfërit e të varfërve. Ne nuk bëjmë dallim sa i përket racës, kombit, kastës, fesë, etj.

Ne shikojmë vetëm një gjë: se këta njerëz nuk kanë asgjë, se janë të sëmurë, të uritur, të etur; nga që Jezusi ka thënë: “Gjithmonë kam qenë i uritur, i sëmurë, i pashtëpi… dhe ju më ndihmuat”.

 A keni edhe ndonjë thirrje nga Jugosllavia?

Nëna Tereze: “Deri më tani kemi vetëm 5 motra dhe 2 vajza që po përgatitën për jetën rregulltare. Shpresoj se do të ketë edhe thirrje të reja, sepse në Kongregatën tonë ne kemi motra nga 35 vende të ndryshme…”.

Sipas mendimit Tuaj, cila është sëmundja më e rëndë e botës?

Nëna Tereze: “Sëmundja më e rëndë nuk është as gërbula, as kanceri, por vetmia, të jesh i injoruar dhe i harruar nga të gjithë. Ata njerëz, që nuk kanë dashuri, gëzim, kontakt njerëzor, vuajnë shumë. Mirëpo, numri i këtyre njerëzve është gjithnjë në rritje”.

Dëshira për t’iu pasur prapë në mesin tonë në Shkup përmes motrave tuaja po ndihet nga shumë njerëz. Çfarë mund të thoni për këtë?

 Nëna Tereze: “Kjo ka qenë dëshira ime e kahmotshme, për t’u kthyer tek populli im shqiptar, në qytetin tim të lindjes, në Ipeshkvinë tonë Shkup-Prizren, në mesin e popullit tim dhe motrave të mia. Po të ketë thirrje unë vullnetarisht do t’ua jepja motrat e mia”.

Kam dëgjuar se të gjithë Ju çmojnë shumë në Indi dhe kudo në botë. A është e vërtetë se Ju, si dhe motrat Tuaja, udhëtoni falas në Indi?

Nëna Tereze: “Në fillim të jetës sime “të re”, më duhej të udhëtoja shumë dhe kjo kushtonte tepër, prandaj kam shprehur dëshirën të jem e dobishme gjatë udhëtimit, të bëj ndonjë shërbim, për shembull si nikoqire në aeroplan, por ata refuzuan propozimin tim. Vendi ynë më ka dhënë mua dhe motrave të mia leje për të udhëtuar falas nëpër Indi. Unë jam i vetmi person në Indi që ka këtë leje, të them këtë privilegj”.

Është thënë dhe është shkruar se ju jeni kandidate për Çmimin Nobel për Paqe. Si do ta pranonit këtë mirënjohje?

Nëna Tereze: “Kjo do të ishte një gëzim i madh për mua, sepse ne kemi planifikuar të ndërtojmë 200 shtëpi për të varfëritë, për familjet e tyre. Nëse e marr, kjo do të ishte shumë mirë, por nëse jo prapë do të ishte njësoj”.

Si e ndieni veten në mesin e popullit tuaj, këtu në qytetin tuaj të lindjes, Shkup, pas kaq vitesh?

Nëna Tereze: “Jam shumë e lumtur që jam këtu për herë të dytë që nga largimi im për në misione. Kthimi im i parë ka qenë në vitin 1970. E kam shumë vështirë të kujtoj aq shumë njerëz. Punoj me mijëra njerëz, prandaj edhe nuk i mbaj dot në mend të gjithë. Ende më kujtohet qyteti im i lindjes, Shkupi, ndonëse ka ndryshuar shumë, famullia e Zemrës së Shenjtë, veprimtaria jonë në famulli. Më kujtohen sidomos aq shumë priftërinj të mirë, të cilët më kanë dhënë një edukim të mirë.

Mendoj në veçanti për familjen time, për babain tim të ndjerë, Kolën, dhe nënën time, Drane, që tani jeton me motrën time Age, në Tiranë, si dhe për vëllain tim, Lazrin, i cili jeton në Palermo.

Jam takuar shpesh me vëllain tim, ose në Romë, ose në Palermo, nga që atje, që nga vitit 1974, kemi një shtëpi për të moshuarit dhe të varfëritë”.

Nuk e kam parë nënën dhe motrën time që nga vitit 1928, që nga nisja ime për në misione në Zagreb…”.

Këtu fytyra e saj u  bë hijerëndë, madje edhe paksa e pikëlluar, nga që, siç më tha, ajo ishte përpjekur sa e sa herë përmes autoriteteve politike të merrte leje për të hyrë në Shqipëri dhe për ta marrë nënën dhe motrën, por kot. Autoritetet shqiptare nuk i dhanë kurrë leje për ta takuar të ëmën dhe motrën… Pas një pauze të shkurtër, ajo vazhdoi:

“Deri më tani, kemi arritur të kemi çdo gjë me dashuri dhe lutje, por jo edhe këtë. Ende ka kufij dhe pengesa, të cilat madje as dashuria nuk i arrin t’i tejkalojë. Vetëm Zoti e di arsyen pse nëna dhe motra ime duhet të vuajnë kështu. Pa dyshim, lutjet dhe sakrifica e tyre më ndihmojnë shumë në misionin tim. Çdo gjë për lavdin e madh të Zotit!”.

 Kur mendoni se mund të ktheheni në Shkup?

Nëna Tereze: “Vetëm Zoti e di, mbase me rastin e bekimit të katedrales së re, po të jem e ftuar, apo me rastin e hapjes së shtëpisë sonë…”.

Ju jeni murgeshë misionare. Ju keni shkuar në misione për të punuar për shpëtimin e shpirtrave. Tani Ju keni një lloj tjetër pune, një tjetër mision. Si e plotësoni thirrjen tuaj rregulltare?

Nëna Tereze: “Po, më pëlqen pyetja juaj. Ne jetojmë e punojmë për Zotin, përmes kushtimit tonë, kushteve tona rregulltare. Zoti është dashuri për të gjithë, Ati i të gjithëve, madje edhe vetë në bëjmë çmos për të qenë dëshmitare të kësaj dashurie për të gjithë, sidomos për njerëzit që vuajnë. Puna e tyre misionare është ajo e afrimit të njerëzve pranë Zotit, dashurisë, për të cilën ne bartim dëshminë në të gjitha veprimet tona. Thirrja jonë është shenjtëria, do të thotë të jemi dëshmitare të Zotit tek populli, tek të gjithë.

 (Intervistoi Don Lush GJERGJI, Shkup, 28.03.1978)-Revista DRITA

 

Filed Under: Featured, Interviste Tagged With: don Lush Gjergji, Drita, Nene Interviste, Shkup

Të pathënat e takimit të Nënë Terezës me Ramiz Alinë

September 2, 2016 by dgreca

… dhe Nexhmije Hoxhën/

 -Bujar Kore: Ju rrëfej takimet e mia me Nënë Terezën. Të pathënat e takimit të Nënë Terezës me Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën/

-Mu dukën të çuditshme përgjigjet e Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës për fenë dhe misionin e saj/

-Ramiz Alia nuk lejoi që motrat e saj të çelnin misionin në Shqipëri në vitin 1989/

-Nexhmije Hoxha iu shmang kërkesës së Nënë Terezës, duke thënë, nuk vendos unë/

-Jam i pari operator shqiptar që kam filmuar vizitën e saj të parë historike më 1989/

-Kam mbi 10 orë xhirime me Nënë Terezën, por në arkiv është vetëm një orë, ish-drejtuesit i kanë shitur/

-19 tetor 2003 në Sheshin e Shën Pjetrit për lumturimin e Nënë Terezës, u njoh botërisht kush ishte Shqipëria/

1ok nene-tereza-1

Nga Albert Z. ZHOLi/

Ai mbetet në historinë e operatorëve shqiptarë, operatori i parë, i cili xhiroi vizitën e parë dhe të dytë të Nënë Terezës në Shqipëri. Emocionet e tij për këtë figurë gjigande shqiptare janë të jashtëzakonshme. Ai përshkruan me detaje të gjitha mbresat, takimet, lëvizjet, urimet, bekimet, komunikimin, dëshirat. Por e veçanta e tregimit të tij është se ai loton kur flet për këtë figurë të shquar, aq impresionuese kanë qenë ato xhirime. Për të, momentit magjik kur Nënë Tereza doli nga dera e avionit, bëri që Bujari për disa momente shtangu nga rrezatimi i figurës së saj, për disa momente nuk e vuri në lëvizje aparatin. Një nga momentet më magjike të saj është pritja që i bëri Papës në Rinas. Aty pa se si Nënë Terezën, Papa e puthi në ballë dhe nuk e lejoi t’i puthë dorën, pasi shenjtëria e saj ishte më e madhe, ndaj theksoi se “Nënë Tereza është Nëna e të gjithë Botës”.

 –Kur e keni takuar për herë të parë Nënën Terezë?

-Për herë të parë Nënën e Madhe të gjithë njerëzimit, e kam takuar në vitin 1989, kur ajo zbriti për herë të parë në aeroportin e Rinasit, në tokën shqiptare. ishte një vizitë historike, ku shtypi i huaj i dha rëndësi të madhe ndërsa media jonë e kaloi përciptazi. Ajo ishte e shoqëruar nga disa motra të saj. Ajo që më ra në sy ishte se atë nuk e priti asnjë zyrtar i lartë i kohës. Pra asnjë anëtar i Byrosë Politike apo Kryeministër, ndërkohë që në çdo vend të botës ku ajo shkonte pritej si Perëndi. Ishte një pritje e thjeshtë, tepër modeste për një grua të madhe. Ajo zbriti në Rinas ashtu shtatvogël por që linte pas një ndriçim prarues që të dukej se diçka ndriste në çdo hap që hidhte. Ecja e saj, veshja e saj, shikimi i saj ishte magjeps. Me të vërtetë ajo të shtangte. Bëja çudi kur një botë e tërë çohej në këmbë para saj në Shqipëri kjo lavdi ishte thuajse inegzistente. ishte koha kur ende feja në Shqipëri ishte e ndaluar dhe kultet fetare nuk ishin hapur dhe besimtarët luteshin fshehurazi nëpër shtëpi.

Kush e priti Nënë Terezën në Rinas?

-Ishte zv.minsitri i Shëndetësisë së asaj koha dhe kryetari Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe nja dy tre të tjerë. Ishte një pritje e thjeshtë, pa shumë zhurmë dhe pa shumë ceremoni. Ajo ishte shoqëruar nga disa motra të Misionit te saj.

Ju atë kohë ishit i vetmi televizion në Shqipëri, si u ndjetë që ishit i pari operator, që keni xhiruar Nënë Terezën në Shqipëri?

-Sot kur e mendoj dhe e shikoj në retrospektivë them se kam lindur me fat së bashku me gazetarin Ferdinand Samarxhi. Ndoshta atë kohë atë moment duke pasur parasysh sistemin nuk pata ndonjë emocion, por sot kur shikoj famën, respektin, mirësitë, lavdinë e saj them se ndihem tepër i përkëdhelur. Por edhe ato moment i bëra shumë pyetje vetes. P.sh si ka mundësi që e presin një grua me emër dhe nuk i japin rëndësinë e duhur? Pse nuk pritet si priten shumë kryetarë partish komuniste apo anëtarë të Byrove Politike të vendeve ish-komuniste? E dija që feja ishte ndaluar tek ne dhe ajo ishte një shenjtore, por përderisa e linin të vizitonte Shqipërinë pse të mos bëheshin nderet e duhura?

-Si u ndjetë kur ajo zbriste shkallët e avionit?

-Kisha shumë kureshtje, kisha shumë mendime në kokë. Pritej një shenjtore. E mbaja kamerën në duar dhe prisja momentin të filmoja. Kur ajo zbriti shkallët e avionit për një moment u stepa. Nuk e shkela këmbëzën e filmimit. Kisha shumë kureshtje pasi hera e parë që isha në një pritje të tillë. Sa bëri hapat e para i thirra mendjes. Duhej të lija kureshtjen dhe të bëja detyrën. Unë nuk isha si ët gjithë pro me një detyrë specifike. E çoja kamerën me kujdes ku ajo shkelte. Prisja një gjigante, por ajo ishte e shkurtër e dobët, por kishte forcën e shpirt të madhe. Të impononte dëshirë për ta ndjekur, me atë fytyrë engjëllore dhe veshje specifike më bëri të tërin për vete.

Cili ishte qëllimi i vërtetë i Nënë Terezës në Shqipëri?

-Me sa mora vesh ajo kishte qëllim që misionin e Motrave të saj ta hapte dhe në Shqipëri. Donte patjetër që vendi ynë të ishte pjesë e këtij misioni fisnik. Por atë kohë ishte tjetër ideologji, jo çdo gjë mund të bëhej me një firmë. Feja ende ishte opium, ishte tejet e ndaluar. Ne në këtë drejtim ishim vendi më i pa fe në botë. Feja ishte tabu absolute.

Me cilët pati takime në atë kohë Nënë Tereza?

-Pati shumë takime, por unë do të veçoj dy. Takimi i parë ishte me Ramiz Alinë, vazhduesin e veprës dhe rrugës së Enverit (pra Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH) dhe së dyti me Nexhmije Hoxhën. Takimi i parë u bë në zyrën e Ramiz Alisë dhe takimi i dytë në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës. Në takimin me Ramiz Alinë Nënë Tereza i kërkoi shefit të PPSH për një vend apo ndërtesë për të hapur përfaqësinë e misionareve të saj në Tiranë. Të njëjtën kërkesë ja parashtroi dhe Nexhmijë Hoxhës.

Çfarë përgjigje i dha Ramizi dhe Nexhmija?

-Ata i dhanë afërsisht të njëjtën përgjigje. Ramizi i tha se nuk janë pjekur kushtet ën Shqipëri për ligjërimin e fesë dhe të misioneve të tilla fetare në Shqipëri, pasi është e ndaluar me Kushtetutë propaganda fetare. Ndërsa Nexhimja “më me diplomaci” ju përgjigj se nuk kishte ajo autoritetin dhe firmën për një diçka të tillë. Pra si duket ato ishin marrë vesh për të mos e lejuar hapjen e një misioni të tillë të Motrave në Nënë Terezës në Shqipëri. Por me sa shihja Nënë Tereza u habit dhe u mërzit shumë me këtë përgjigje, i dukej absurd. Kjo më tepër se misioni i Motrave të saj ishte përhapur në gjithë botën ku ajo respektohej si një Presidente. Më vinte keq shumë kur shihja fytyrën e saj që shprehte habi. Kishte besim se diçka pozitive do të ndodhte. Por…

A u dha lajm-kronikë në TVSH kjo vizitë?

-Eh…S’di ç’të them, por e vërteta ishte se u dha një kronikë vetëm 40 sekonda. Kronika përcillte se “ Sot në Tiranë erdhi për një vizitë Nënë Tereza….”. Pra shkurt, shkurt fare sikur bëhej fjalë për mbjelljen e domateve në një ndërmarrje bujqësore. Lajmin e përgatiti gazetari Ferdinand Samarxhi.

Ju, sa orë filmuat kur e shoqëruat (total)?

-Ju thashë që pata fatin dhe nderin e madh që të filmoj këtë vizitë. Ajo ishte një Hyjneshë e zotit. E filmova në të gjitha vendet ku shkoi dhe takimet që bëri. E filmova kur zbriti në Rinas, kur Takoi Ramiz Alinë, kur takoi Nexhmije Hoxhën dhe në disa vizita që bëri në veri të vendit. Kam shumë kujtime të bukura dhe foto me të. Kur më prekte dorën apo më afrohej më dukej sikur zoti vetë më merrte në mbrojtje. Kishte një frymë të shenjtë. Shumë takime nuk u dhanë por unë i kam në arkivin tim. Shumë të tjera i kanë marrë televizionet e tjera dhe i përcjellin tek shikuesi si të tyre, pa emër autori. Kam bërë mbi 10 orë xhirime, njëra më e mirë se tjetra. Xhirime që më kanë lënë mbresa të mëdha. Por sot në arkivin e RTSH nuk gjen as një orë xhirime. Ish-drejtorët e asaj kohe me radhë i përvetësuan dhe nuk e di ku i kanë çuar këto xhirime për përfitime personale.

 Kur ka ardhur për herë të dytë Nënë Tereza?

-Për herë të dytë ka ardhur kur proceset demokratike kishin sjellë demokracinë në Shqipëri. Ishte 18 gushti i vitit 1992, kur President ishte Sali Berisha dhe Kryeministër Aleksandër Meksi. Tashmë shumë gjëra kishin ndryshuar. Në këtë vizitë Nënë Tereza u shpreh hapur se “Shqipëria është toka e gjakut tim” dhe “Në vend të urrejtjes dashuri”. Asaj prej shumë vitesh i ishte mohuar e drejta të vizitonte Shqipërinë dhe varrezat e të afërmve në Sharrë që nga viti 1928 kur ishte larguar. Ajo nuk kishte vendosur një tufë me lule në varet e të afërmve të saj në Sharrë. Ajo zhvilloi takime me Sali Berishën dhe me Aleksandër Meksin, të cilët i dhanë mbështetjen për hapjen e misionit të saj të bamirësisë së Tiranë.

Po takimi i tretë?

-Vitit 1993! Nënë Tereza priti Papa Vojtilan në Rinas. Më bëri çudi për rëndësinë dhe dashurinë e madhe që tregoi Papa ndaj Nënë Terezës, Ajo donte ti puthte dorën ndërsa ai u ul paksa dhe i puthi kokën (ballin). Një gjest shumë human dhe vlerësues. Papa theksoi se Nënë Tereza është simboli i gjithë shqiptarëve por edhe të gjithë njerëzve të vuajtur. Ajo i ka bërë shqiptarët të njohur kudo në botë me veprën dhe punën e saj. Shërbimet e saj për të varfrit kudo në botë janë shumë të mëdha tha Papa. Ai e quajti Nënë Terezën Nënë të të gjithë Botës.

Kush ishte e veçanta e Nënë Terezës?

E veçanta ishte se ajo nuk bënte dallime në besimet fetare. Ajo të gjithë i quante njerëz dhe takoi krerët dhe besimtarët e të gjitha besimeve fetare, mysliman, bektashinj, ortodoks apo katolik.

Nga xhirimet për të dhe gjatë vizitave të saj, çfarë të veçante do të kujtosh?

-Janë shumë, shumë. Mbaj mend se në takimet që mbajti në Pukë me popullin, një njeri e kishin sjellë me barela pranë saj pasi nuk ecte. Për çudi, sa e vendosën barelën pranë saj, ai i habiti njerëzit përreth kur u çua për disa moment në këmbë. ishte një mrekulli. Ajo vetë nuk e besonte. Por dua të veçoj thjeshtësinë dhe bujarinë e madhe të saj. Sa herë shkonte në Vatikan, afër tij Nënë Tereza kishte dhomën e saj të gjumit. ishte dhoma më modeste që kam parë në jetën time. Unë kam filmuar shumë detaje të jetës së saj pasi ne bëmë një dokumentar me gazetarin Engjëll Ndocaj. Në atë dhomë kishte një krevat të thjeshtë, një tavolinë një frigorifer, perde të zakonshme dhe mbulesë të zakonshme që mund ti ketë dhe njeriu më i varfër në botë. Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë dhomë ishte një zemër e improvizuar plastike ku brenda kishte formën reale të zemrës së saj, ku nëpërmjet gypave plastik dukej ose përcillej ngjyra e gjakut të saj. Pra një simbol i dashurisë njerëzore.

19 tetor 2003 në Sheshin e Shën Pjetrit për lumturimin e Nënë Terezës, cilat ishin të veçantat?

Kjo ditë ishte historike. Gjithë bota në këtë ditë njohu më shumë Shqipërinë. Në këtë ditë flamuri shqiptar zaptoi Vatikanin. Vetëm flamuri kuq e zi mbizotëronte. Në Sheshin e Shën Pjetrit ishin mbi 10 mijë vetë ku pjesa dërmuese ishin shqiptarë. Një moment historik. Gjithë bota njohu se kush ishte Shqipëria. Kishte shumë njerëz që se njihnin dhe morën vesh se çfarë figure të madhe nxori një vend i vogël.

E veçanta e bekimit të Kishës së Shkodrës?

Kur në Shqipëri u zyrtarizua feja dhe besimtarët u çliruan nga izolimi shpirtëror 50-vjeçar, Nënë Tereza nëpërmjet ish-zv.ministrit të Jashtëm shqiptar të vitit 1991 dërgoi ujë të bekuar, për të bekuar muret e kishës së Madhe në Shkodër. Ky gjest u diskutua shumë në botë.

Në Ditën e Lumturimit

Më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, të mbushur përplot me shqiptarë të ardhur nga të gjitha viset, së bashku me qindra mijëra shtegtarë të ardhur nga mbarë bota, Papa Gjon Pali II e shqiptoi formulën kanonike të Kishës që e lartonte Ganxhe Bojaxhiun – Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës, në nderimet e altarit. Ja fjalët e çastit kulmor, shqiptimi i Formulës së Lumturimit nga Papa Gjon Pali II atë ditë të paharrueshme të 19 tetorit 2003:

“Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllait tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet “E Lume” e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator”.

 

Filed Under: Featured, Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, Nene Tereza, takimi me Ramiz Aline

Një Letër Publike që nuk imponon censurë

September 2, 2016 by dgreca

  • Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë Millovan Drecun-i është kriminel lufte që duhet të jep përgjegjësi për pjesëmarrjen tij në këto krime…/

Letër Publike drejtuar:/

Asociacionit të Medieve të Pavarura Elektronike të Kosovës/

Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës/

Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës/

Unioni i Gazetarëve të Kosovës/

Drejtorëve dhe Kryeredaktorëve të medieve të Kosovës,/

 Të nderuar përgjegjës të institucioneve të lartpërmendura,/

Të nderuar Kryeredaktorë të medieve në Kosovë,/

Më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të «Radio Televizionit të Beogradit», të «Radio Televizionit të Novi Sadit» si dhe kundër gazetarëve të gazetave «Politika», «Večernje Novosti» dhe të gjithë atyre që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse të Serbisë.
Me këtë padi penale, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi gazetarët, që i shërbyen kësaj propagande, se duke manipuluar me mediet, ndikuan në përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, në nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive, me çka kanë krijuar parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale.

Për këtë arsye, ky asociacion kërkoi nga Gjykata për Krime Lufte në Serbi që në përputhje me nenin 145 të Kodit Penal të Republikës Federative të Jugosllavisë të dënoheshin këta gazetarë për vepër penale të organizimit dhe të nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe të krimeve të luftës.
Në mesin e gazetarëve, që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracun-in, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë.

Për të gjitha nxitjet dhe gënjeshtrat që kishte bërë kundër shqiptarëve gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi e dekoroi Millovan Drecun-in me dekoratën më të lartë që ndonjëherë kishte marrë ndonjë gazetar.
Për përgjegjësitë në krimet e kryera në Kosovë, gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi u dënua nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës me 22 vjet burg. Ndërsa, njëri nga të dekoruarit e tij, Milovan Drecun-i, i cili kishte marrë pjesë në nxitjen e akteve të dhunës, në montimin e proceseve kundër vëllezërve Mazreku dhe në fshehjen e gjurmëve të gjenocidit, nuk u dënua.
Akuza e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve, për përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, si dhe për nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive nuk pati asnjë pasojë negative për Milovan Drecun-in. Përkundrazi, ai pati vetëm privilegje!
Pas veprimtarisë së gjatë aktive në kuadër të partisë së Milošević-it, në qershor të vitit 2011 u anëtarësua, në Partinë Përparimtare Serbe të kryesuar nga Kryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vuçiqi. Po i sjell për lexuesin që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, që ka qenë nënkryetarë i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit.
Në vend që të përgjigjet për pjesëmarrje në krimet e kryera në Kosovë, ai në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë vazhdon logjikën e përhapjes së urrejtjes dhe nxitjes së armiqësive kundër shqiptarë. Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë insiston që ky kriminel të merr dënimin e merituar. Fatkeqësisht mediet tona i japin hapësirë qëndrimeve të këtij krimineli pa ia rikujtuar lexuesit shqiptar që nuk është në dijeni se prapa funksionit të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë qëndron një kriminel lufte me emrin Millovan Drecun.

Ndaj kësaj dukurie kam reaguar me një shkrim autorial të titulluar “Kush është Milovan Drecun-i?I falënderoj të gjitha mediet dhe portalet që e publikuan. Fatkeqësisht ndikimi i shkrimit tim nuk ka pasur as efektin më të vogël. Mjafton të shihet hapësira që ju dha qëndrimeve të këtij krimineli lidhur me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës për Marrëveshjen e demarkacionin me Malin e Zi.

Letra ime publike nuk kërkon të imponohet censurë ndaj kujtdo qoftë. Por, ka për qëllim që të sensibilizojë gazetarët dhe përgjegjësit e medieve që gjërat të thuhen me objektivitetin e duhur: kur një kriminel lufte del me qëndrim të caktuar, pa marrë parasysh se nga cili funksion politik aktual flet, duhet t’i përmendet fakti se ai është i akuzuar për krime lufte. Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë Millovan Drecun-i është kriminel lufte që duhet të jep përgjegjësi për pjesëmarrjen tij në këto krime.

Me respekt

Bardhyl Mahmuti

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, medias, Një Letër Publike

Kosovë-Tre krerë të rinj të pranisë ndërkombëtare

September 2, 2016 by dgreca

-Komandant i ri të KFOR-it, Gjeneral Majori Giovanni Fungo/

-Shefe e re e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesen e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova/

– Shefje e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou/

PRISHTINË, 2 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takime të ndara Shefen e re e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesen e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, si dhe Shefjen e re të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou,  të cilat kanë marrë dje detyrat. Apostolova wshtw me kombësi bullgare, ndwrsa Papadopoulou greke.

Kështu niswn takimet njohëse me autoritetet e vendit krerët e rinj të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, që kanë marrë pozitat  në të njëjtën ditë, dje, dhe janë tre përfshirë komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Majorin Giovanni Fungo.

Presidenti Thaçi mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë në mes të Gjeneral Majorit italian në largim Guglielmo Luigi Miglietta dhe bashkwkombasit tw tij Gjeneral Majorit në ardhje Giovanni Fungo, të zhvilluar dje në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, në Kampin “Film City” në Prishtinë.

Për punën e tij në Kosovë, për thellimin e besimit dhe të përkrahjes për të gjithë banorët, Presidenti Thaçi e dekoroi Gjeneral Majorin Miglietta me Medaljen Ushtarake të Presidentit të Kosovës.

Presidenti Thaçi priti shefen e re të zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova

1 Thaci me ciken me lulePresidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim përfaqësuesen e Posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova, të cilës i ka uruar punë të mbarë në detyrën e re.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova në vitet e shkuara ka bërë përparime të prekshme në jetësimin e aspiratave të qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Me mbështetjen tuaj do t’i tejkalojmë edhe sfidat e mbetura”, ka shtuar Thaçi.

Nga ana tjetër, shefja e re e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka rikonfirmuar mbështetjen e BE-së për perspektivën evropiane të Kosovës.

“Pres me padurim të punojë me juve në avansimin e axhendës së BE-së për Kosovën, në çështjet si zbatimi i MSA-së, viza liberalizimi, të drejtat e njeriut dhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, ku BE-ja është e angazhuar në mënyrë të barabartë me të dyja palët. Jam në mënyrë të veçantë e inkurajuar me dakordimin që të kemi takime të rregullta për të kumtuar se çfarë nënkupton BE-ja për qytetarët e Kosovës.””, u shpreh Apostolova.

Në këtë takim, presidenti Thaçi ka theksuar se sa më parë duhet të ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që edhe ata të bëhet pjesë e lëvizjes së lirë në Evropë.

Presidenti Thaçi me shefen e re të EULEX-it flasin për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë

1 Thaci Kryes EulexPresidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim edhe shefen e re të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

Me shefen e EULEX-it, kreu i shtetit ka diskutuar për bashkëpunimin e mirë të institucioneve të Kosovës me EULEX-in, për shtimin e kapaciteteve të reja dhe për sfidat e institucioneve të drejtësisë.

“Bashkëpunimi me institucionet dhe puna e mirë e EULEX-it kanë bërë që deri më tani ky mision të ketë shumë suksese në Kosovë. Falë mbështetjes së EULEX-it edhe institucionet tona të drejtësisë janë fuqizuar dhe kanë rritur kapacitetet e tyre të punës”, është shprehur presidenti Thaçi.Ndërsa, shefja e re e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, tha se EULEX do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës dhe brenda përgjegjësive që ka gjithnjë do t’i mbështes ato.

“Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar në konsolidimin e sundimit të së drejtës”, theksoi presidenti Thaçi.

Shefen e re të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, presidenti Thaçi e uroi edhe për detyrën e saj të re në Kosovë.

Ministri Çollaku pret në takim njoftues shefen e re të Zyrës së BE-së, përfaqësuesen e posaçme të BE-së, Apostolova

2 Cika

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, priti në takim njoftues shefen e re të Zyrës së Bashkimit Evropian njëherësh përfaqësuese e posaçme e BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, së cilës i dëshiroj mirëseardhje në Kosovë.

Ministri Çollaku shprehu përkushtimin e institucioneve për të vazhduar bashkëpunimin me Zyrën e BE-së në drejtim të avancimit të agjendës evropiane për Kosovën.

Gjatë takimit ministri e ka njoftuar Apostolova për angazhimet lidhur me zbatimin e

MSA-së rezultatet e para të së cilës kanë filluar të formësohen duke shtuar se kjo është agjendë e reformave e cila pritet të dinamizohet gjatë muajve në vazhdim.

Kurse sa i përket procesit të liberalizimit të vizave përkundër zhvillimeve të djeshme në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht tërheqjes nga rendi i ditës të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ministri Çollaku theksoi se BE-ja duhet të vazhdojë me procedurat e vendimmarrjes dhe të marr vendim pozitiv për Kosovën.

“Kosova ka bërë më shumë reforma dhe ka përmbushur shumë më tepër kritere se çdo shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor që ka përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave.  Prandaj pres vlerësime pozitive në këtë drejtim dhe sigurojmë institucionet e BE-së se Kosova do të vazhdojë me agjendën e reformave duke respektuar dhe zbatuar obligimet që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave dhe procesi i integrimit evropian në përgjithësi”, ka thënë ministri Çollaku.Shefja e re e Zyrës së BE-së në Kosovë njëherësh përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova e falënderoi Ministrin Çollaku për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë.” Jam e lumtur që Kosova është plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj evropiane dhe pres të punojmë bashkërisht në avancimin e saj, në mënyrë të posaçme në zbatimin e MSA-së dhe komunikimin e axhendës së BE-së te qytetarët e Kosovës”, ka thënë Apostolova.

Filed Under: Kronike Tagged With: kosova, nderkombetare, te pranise, tre krere te rinj

MoU on Ionian-Adriatic Pipeline signed with SOCAR

September 2, 2016 by dgreca

Baku, Azerbaijan/By Aygun Badalova – Trend:Croatia, Albania, Bosnia-Herzegovina and Montenegro signed a Memorandum of Understanding (MoU) on the construction of the Ionian Adriatic Pipeline (IAP) with Azerbaijani state oil company SOCAR, Croatian media reported. The signing took place within the Dubrovnik Forum on August 26. IAP pipeline with a length of around 516 kilometers will be connected to the Trans Adriatic Pipeline (TAP), which is designed to transport Azerbaijani gas to Europe, in the city of Fier in Albania. The IAP will pass through Albania, Montenegro, Bosnia and Herzegovina, and end in the city of Split in Croatia, where it will be connected to the existing gas distribution system of the country. From Croatia, the gas can go to Hungary and other countries of Central and Western Europe. The capacity of the IAP will be five billion cubic meters per year. The pipeline will be capable of carrying out reverse supply. TAP has already signed memoranda of understanding and cooperation with the developers of this project, in particular, with Plinacro natural gas transmission system operator of Croatia, BH-Gas company of Bosnia-Herzegovina and GeoplinPlinovodicompany of Slovenia. Moreover, there has been created a ТАР and IAP working group which regularly holds meetings in order to synchronize the time of implementation of both projects and agree on the technical issues of connection.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ionian-Adriatic Pipeline, signed with SOCAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2519
  • 2520
  • 2521
  • 2522
  • 2523
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT