• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NËNA TEREZE, LUTU PËR KOMBIN SHQIPTAR !

August 30, 2016 by dgreca

1 Frank Shkreli okNga Frank Shkreli/

  Më 4 shtator në Vatikan zhvillohet ceremonia për shenjtërimin e Nënë Terezës.  Një Shënjëtëreshë shqiptare, por njëkohsisht Shënjëtëreshë edhe e botës, shënjtërimi i të cilës, pothuaj pa precedencë, po celebrohet jo vetëm në trojet shqiptare dhe nga Kisha Katolike, por edhe anë e mbanë botës.  Natyrisht se shënjtërimi i nobelistes për paqë Nënë Terezës konsiderohet si një ngjarje me rëndësi në historinë e Kishës Katolike, por është veçantë edhe në historinë e kombit shqiptar dhe mund të thuhet se është një ngjarje me rëndësi botërore, pasi veprimtaria e Nënë Tereza shtrihej në të gjitha kontinentet dhe si e tillë ajo i përkiste mbarë botës pa dallim feje ose ideologjie.  “Nënë Tereza është Kombet e Bashkuara”, ishin fjalët që kishte përdorur Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Perez de Quellar për të paraqitur murgeshën shqiptare para Asamblesë së përgjithshme të OKB-ës më 1985, për të pasqyruar faktin se, sipas tij, Nënë Tereza është modeli i punës dhe i veprimtarisë që në të vërtetë duhej të bënte Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Në këtë tokë, sa ishte gjallë Nënë Tereza — me lutjet, me veprimtarinë dhe me dashurinë e saj pa kusht dhe pa kufi për të gjithë, e sidomos për më të varfërit e kësaj bote — Nënë Tereza e Shqiptarëve dhe e mbarë botës frymëzoi të gjithë pa dallim, duke përhapur rreze drite e shprese në skutat më të errëta dhe më të harruara të botës, përfshirë edhe trojet shqiptare.  Anë e mbanë botës, përfshirë edhe trojet shqiptare – në Shkup, në Tiranë, në Prishtinë, Prizren e Gjakovë ,për disa ditë me radhë tashti po zhvillohen aktivitete fetare e kulturore me rastin e shënjtërimit të bijës së kombit shqiptar, Nënë Terezës, kësaj “Ikone të misionit në shekullin e XX”, siç e ka cilësuar Papa Gjon Pali i dytë.  

Shkrimtari britanik, Çarlës Dikëns ka thënë se, “ishte koha më mirë dhe ishte koha më e keqe”, duke iu referuar Revolucionit francez të vitit 1775.  Kjo thënje ndoshta i përshtatet edhe botës së sotëme shqiptare.  Nga një anë, mund të thuhet se koha e sotme mund të konsiderohet, historikisht, si më e mira për shqiptarët ndërkohë që në të gjitha trojet e veta ata gëzojnë si kurrë më parë kaq liri e pavarsi për veten e tyre.  Por nga ana tjetër, mund të thuhet  gjithashtu se për shqiptarët mund të jetë edhe një kohë e keqe, sepse mundësitë pozitive që paraqet kjo periudhë për të ardhmen e kombit shqiptar, nuk po përfillen me një kuptim më të plotë të realizimit të objektivava kombëtare, kryesisht për arsye të mosmarrveshjeve dhe përçarjeve politike në radhët e vetë shqiptarëve si edhe të mungesës së bashkpunimit midis tyre për një të ardhme më të ndritur për brezat e ardhëshëm, ashtu siç do ta kërkonte e mbara e kombit dhe e drejta e të Madhit Zot. 

Kam drojë se, falë situatës aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare, “kohët më të mira” për kombin shqiptar po na rrëshqasin nga dora për gjithmonë dhe se “burimi i shpresës” po thahet dhe se një “periudhë terri” e një dimëri të gjatë dëshpërimi të pa shpresë, do të karakterizojë fatin e kombit shqiptar në të ardhmen e afërt.

Por shpresa nuk vdesë kurrë.  Në këtë ditë përkujtimi të shënjtërimit të Nënë Terezës, kombi shqiptar duhet të reflektojë mbi të kaluarën, të tashmen si dhe mbi mundësitë që ofron e ardhmja.  Me shënjtërimin e saj të dielën që vjen, sidomos Shqiptarët do të kenë pajtoren dhe ndërmjetsuesen e vet para të Madhit Zot.  Si e tillë, të gjithë ne — në mënyrën e vet dhe sipas traditës — të kërkojmë prej sajë lutjet dhe ndërmjetsimin e saj që kjo periudhë në historinë e kombit shqiptar sot, të jetë një ndër etapat më të ndritura për një të ardhme më të mirë për shqiptarët, të grumbulluar rreth një sofre të përbashkët. 

T’i lutemi Shënjtëreshës Nënë Tereze që ajo, nga ana e saj, t’i lutet të Madhit Zot që kombi shqiptar të mënjanojë “kohërat e  këqia” dhe që udhëheqsit e tij, mbi të gjitha, të punojnë për fatet e Atdheut dhe të bashkombasve të vet në një frymë vëllazërimi dhe të mos bëhen vegëla të vërbëta të interesave të huaja që kurrë nuk i kanë shërbyer mirëqenjes së shqiptarëve.  Lutemi që shqiptari të mund të dallojë njëherë e mirë mikun prej armikut, por edhe mbështetsit e kombit shqiptar, nga ata që duan t’a shkatërrojnë atë dhe historinë e tij.  Të dallohen dashamirësit nga shkatrruesit.  Vëllazërimi me të huajt, në mungesë të vëllazërimit shqiptar, nuk ka asnjë vlerë. Ai që mohon veten dhe identitetin e vet, nuk u duhet gjë as të tjerëve.

Lutemi që udhëheqsit e sotëm të kenë guximin dhe bindjen që të rivendosin dhe të çmojnë vlerat e vërteta historike të atdhedashurisë, si dhe vlerat morale, intelektuale, shpirtërore dhe kulturore historike të kombit shqiptar.  Lutemi  gjithashtu që  me rastin e shënjtërimit, në frymën e jetës dhe të veprimtarisë së Nënë Terezës për dashuri  dhe mirëkuptim për të gjithë njerëzit pa dallim feje ose krahine — edhe shqiptarët së bashku, të mund  të bien dakort që të ndërtojnë një të ardhme politike dhe ekonomike në baza të shëndosha respekti e bashkpunimi, pikëspari me njëri tjetrin e pastaj me të tjerët.  Lutemi që çdo shqiptar ta ndjejë veten të lirë dhe të barabart, në një shoqëri të lirë e demokratike,  në një atdhe ku i gëzon të gjitha të drejtat që i përkasin, bazuar në ligjet kombëtare dhe ndërkombtare.  Për të ndërtuar një të ardhme të tillë, është e nevojshme që shqiptari të trajtojë më mirë shqiptarin i cili ndoshta mendon ndryshe nga ai dhe që në procesin e jetës politike ta trajtojë atë si kundërshtar politik dhe jo si armik të përbetuar.   Ndryshe, Shqipëria e lirë, demokratike dhe anëtare e denjë e kombeve të përparuara, nuk bëhet. 

     Është krijuar një situatë fatzezë kur Shqipëria dhe Kosova, nga një anë, po pajtohen dhe bashkpunojnë me armiqtë dhe okupatorët shekullorë, madje duke i quajtur të huajt “vëllëzër” dhe “aleatë strategjikë” të shqiptarëve, ndërkohë që në trojet shqiptare nuk pajtohet vëllai me vëlla, kryesisht për arsye politike të kaluara dhe aktuale.  Nëna Tereze do të na këshillonte, se po të dëshirojmë paqën, së pari duhet të pajtohemi me më të afërmin tonë.  Nuk kemi askënd më të afërm se vëllain.  Duhet pranuar se historia tregon se shqiptari nuk është sjellur mirë me shqiptarin.  Fatkeqsisht, kjo situatë vazhdon edhe sot.  Historia na mëson gjithashtu se asnjë grup i vetëm, asnjë ideologji e vetme e çfarëdo ngjyre qoftë dhe asnjë individ sado diktator i egër të jetë, nuk mund të ndërtojë një shoqëri stabile dhe dhe një shtet me të vërtetë të lirë dhe të pavarur, ku të gjithë shqiptarët do ta ndjenin veten pjesë të pandarë të tij.  Ky është një mision i përbashkët, në të cilin duhet të marrin pjesë të gjithë, përndryshe  bërja e Shqipërisë (kam parasyshë mbarë trojet shqiptare) do të mbetet një projekt i pa realizuar.  

     Prandaj, të shpresojmë se shënjtërimi i Nënë Terezës do të shërbejë si një rast për secilin prej nesh që të këthjellojmë mendjen, të shqyrtojmë ndërgjegjen dhe të heqim dorë nga paragjykimet, inatet, egoizmat dhe urrejtjet ndaj njëri tjetrit – duke filluar nga nivelet më të larta politike e deri tek bashkombasit më të thjeshtë – vese këto të këqia të cilat pengojnë rëndë ndjenjat vëllazërore që duhej të mbizotëronin në radhët e shqiptarëve pa dallim dhe përgjithmonë me qëllim për të krijuar kështu një atdhe ku të gjithë të ndihen të barabartë, me detyra dhe përgjegjësi për të kontribuar drejtë fateve më të mira të kombit.  Shënjtëresha jonë Nëna Tereze lutu për Shqiptarët – bashkombasit tuaj!   Lutu që ata “të ndezin dritën e dashurisë dhe të paqës” midis tyre si komunitet dhe me njëri tjetrin të “hapin zemërat” dhe “të shtrijnë dorën e shërbimit” vëllazëror, duke filluar me ata që janë më të afërmit e tyre.  Lutu Nënë Tereza që një vëllazërim aq i dëshirueshëm dhe aq i nevojshëm në këto kohëra të pasigurta në trojet shqiptare dhe në botë në përgjithësi — të sjellë më në fund midis të gjithë shqiptarëve pa dallim — një harmonizim pipkamjesh dhe veprimtarishë, në dobi të kombit dhe bashkjetesës shqiptare të brezave të ardhëshëm të shqiptarëve. Me shpresën se siç ka thënë Papa Françesku në parathënien për librin, “Të duam të padashurin”, përmbledhje e fjalimeve të Nënë Terezës, duke iu drejtuar të rinjve shqiptarë ka shkruar se Shqipëria është vendi më i ri në moshë në Europë dhe si e tillë u bën thirrje të rinjve shqiptarë: “Fluturoni lartë si shqiponja, simbol i vendit të Nënë Terezës.”  Brezi i ardhëshëm i shqiptarëve nuk meriton asgjë më pak as më shumë se të fluturojnë lartë si shqiponja në çdo pikpamje të jetës dhe aktivitetit të tij.

 

Filed Under: Editorial, Featured Tagged With: Frank shkreli, Lutu per Kombin Shqiptar

Fezollari: Në Amerikë do të vija me”Trojanët”

August 30, 2016 by dgreca

 Artistët Shqiptarë në Botë/

Enke Fezollari: Për Komunitetin Shqiptar do të doja të vija me”Trojanët”/

2 Enke Fejzullau amarildo

Tragjedia shekspiriane “Hamleti” është vepra që kam më shumë për zemër. E shfaqa Tetorin e kaluar në Tiranë…./

1 Frida bedaNga Frida Bedaj, New York/

Enke Fezollari është një artist shqiptar i cili në moshë të vogël ka emigruar në Greqi së bashku me nënën edhe motrën e tij. Shpeshherë në intervistat e tij në Greqi ka përshkruar vështirësitë që kaluan vitet e parë. Jo vetëm kaq, por ai ka shprehë edhe revoltën për mënyrën ligjore, në shtetin Helen. Pasi mbaroi shkollën shtetërore për dramaturgji në Veri të Greqisë, mori pjesë në shfaqjen teatrale të regjizorit shqiptaro-grek Laert Vasili “ Një në dhjetë”. Një shfaqje teatrale e suksesshme, që i dha një grusht goditës situatës në Greqi për keqtrajtimin e brezit të dytë të emigracionit.Sipas ligjit,brezi i dytë dilte i paligjshëm në bazë të mënyrës së legalizimit që aplikonte Greqia.

Enke Fezollari ishte aktor në këtë shfaqje dhe në skenë tregoi talentin e tij. E kam ndjekur atë shfaqje dhe akoma e mbaj mend këtë skenë kur e kam parë për herë të parë, sa i përqëndruar edhe emocionus ishte.     Me shumë këmbëngulje, por edhe me këmbë në tokë, në një Greqi, në të cilën, kriza ishte në fillimet e saj, ai vendos në skenë në shqip me shumë sukses jo vetëm për publikun shqiptar por edhe atë grek “Dritarja” e shkrimtarit me famë botërore Jani Rico. Ky ishte edhe aktor, edhe regjizor.

Ky fillim i mbarë ka ndjekur me shumë shfaqje teatrale klasike. Një nga ato është edhe Çehov me “Plandonof”, që shënoi një sukses të jashtëzakonshëm. Ai kishte gërshetuar në mënyrë të jashtëzakonshme aktorët, skenën, gjithçka. Në shtypin grek u prit me kritika shumë pozitive. Ai nuk ndaloi këtu, më vonë vendosi në skenë, shfaqjen teatrale “Pjesë nga një martesë”(të cilën do të dëshiroja shumë ta ftoja në Amerikë dhe të jepej si shfaqje për shqiptarët këtu). Ishte një shfaqje në të cilën frymëzon shpirtin e gjithësecilit që e sheh. Një temë shumë reale për martesën, sidomos për ne shqiptarët, tashmë, ku marrdhëniet martesore kanë filluar të plasariten shumë vitet e fundit. Me këtë shfaqje ai më aprovoi se dinte ti imanagjonte shumë mirë të dyja anët e medaljes, si errësirrën,ashtu edhe dritën.Unë e kisha “kritikuar” se vepra, vërtetë ishte thelbësore, po edhe pak depresive . Isha e ftuar edhe në dy shfaqje teatrale, të cilat vendosi në skenë, ku në thelb kishin tronditjen shpirtërore të brendshme për shkiuesin.

Ky është Enke; artist, ku çdo hap i tij është shumë i matur, secila vepër që zgjedh është shumë e studjuar. Veprat që vendos në skenë janë edukuese. Kjo është mënyra se si gjenë ai komunikimin me publikun, por jo vetëm kaq, me këtë lloj arme, Enke shprehet për padrejtësitë që shikon rreth tij, shoqërinë e cila hesht në mënyrë tragjike. Me këtë mënyrë bën revolucionin, ndaj një shoqërie të kalbur e cila e ka më të lehtë ti hedh dikujt fajin, se të mbaj përgjegjësinë vetë. Ështe një artist me vlerë.

Këto ditë, ne përsëri patëm një bisedë rreth punës së tij si regjisor dhe si aktor. I kërkova një bisedë për Gazetën “Dielli”, më e vjetra e Botës shqiptar, që botohet në SHBA nga Vatra, prej 107 vitesh. U tregua i gatshëm. Desha t’i përcjell lexuesëve se Enke, është artist i suksesshëm. Në moshën kaq të re të tij ka arritur të regjizojë shumë vepra klasike, në një periudhë krize në Greqi, ku arti është nga të parët që u prek. Me një sukses të jashtëzakonshëm, edhe me kritika shumë të vlerësuara, ai vuri në skenë “Shtëpia e Bernanda Albës” të Lorkës, që jo pa arsye u quajt një nga shfaqjet e vitit. Ka shumë për të thënë, por nuk arrinë koha që kemi në dispozicion. Shpresoj në një të ardhme të kemi mundësi, të shikojmë edhe një teatër për komunitetin këtu në SHBA, jo vetëm këngëtarë e folk.

–  ‘Teatri është shtëpia e shpirtit”, nuk mbaj mend se ku e kam lexuar këtë kripë-mjaltëz, s’më kujtohet as autori, por më ka mbetë në mendje. Me të vërtetë është kështu. Më të shumtit e artistëve morën valixhen edhe ikën jashtë Greqisë, me ty ndodh diçka magjike. Në krizën mendoj se një nga regjizorët e rinj me katër shfaqje teatrale, ku në epiqendër kanë tema thelbësore, edukuese, reale për situatën që përjeton Greqia por jo vetëm. Si shfaqjen teatrale “Profesioni i një prostitute”, si Shtëpia e Bernandës, si edhe Hamletin në Shqipëri, të tjera që më duhen shumë të tjera. Si ndodhi kjo? Cili është sektreti Enke?

Përgjigjet ai:-Nuk ka sekret. Kriza krijon nevojë të kërkojmë zgjidhje dhe të kapërcejmë pengesa, si në nivel personal edhe në art. Brezin tim e quaj të sakatpësur nga njera anë, dhe nga ana tjetër, ka arritur të mbijetojë dhe të mbështetet me këmbët e tij. Normalisht shteti duhet të investonte në fushën e edukimit, të shëndetit, edhe të artit por një ngërç ; memorandumet edhe metodat e tyre kanë bërë gjërat të paralizohen. Nuk e di për sa kohë do duroj edhe unë para se të përgatis valixhet. E gjithë kjo gjendje sjell edhe një fërkim. Plakesh para kohe sepse mban mbi supe shumë ngarkesë. Të vetmen kurajo që ke është se disa nga ne këmbëngulim të bëjmë shfaqje me shumë pak buxhet, me shumë punë por me një dashuri të thellë. Publiku e kupton këtë e ndien e vlerëson me mbështetjen edhe me praninë e tij.

E pyes: -Më përshkruaj, cilat nga të katërt shfaqjet që ke shfaqur nga viti i kaluar e deri tani, është më e dashura dhe më e veçanta?.

Përgjigja e Enke: -Shfaqja teatrale “Profesioni i një prostitute” i Lili Zografu ishte një stacion për mua, ashtu si edhe Lorka.Por edhe Petrula Dhimitra me dokumentarin therës për luftën civile, një periudhë që ngelet një faqe e zezë për Greqinë.Por zemra sivjet i përket me të drejtë Hamletin, që regjizova në Shqipëri. Një veper e madhe dhe e mrekullueshme shekspiriane.

-Si ishte për ju kjo përvojë?

Enke:- Është hera e parë që vendos shfaqje teatrale në Shqipëri me një vepër shumë të madhe me një aktor histori për vendin tonë, ku në rolin e Hamletit luante një grua.

– Më përshkruaj si u ndieve, çfarë mësove, çfarë të bëri më shumë përshtypje?

Enke: -E quaj dhuratë kthimin në atdhe… në të vërtetë, ti mund të pyesësh: për kë atdhe? Ke të drejtë po ta mendosh se ne u shpërndamë, ikëm nga atdheu, por ai mbetet aty. Ishte një udhëtim pjekurie,pas traumave, të lotëve,ishte edhe një Oskar personal… të kthehem edhe të vendos në skenë këtë vepër edhe të regjizoj me aktoren, Luiza Xhuvani, që në fëmijërië e admiroja, në vendin që pashë për herë të parë teatër. Në kujtesën edhe në fëmijërinë time të mrekullueshme,Tirana nuk ishte ajo që kisha lënë. Teatri aty ka nevojë për brez të ri për njerëz që do ti japin jetë të re. Aktorët ishin vërtetë punëtor të artit. Eshtë nga gjërat që mbaj mend, si edhe vështirësi por edhe dashuri të vërtetë.

E pyes unë:- Si është situata në Greqi?

Enke: -Shpresa është ajo që të jep besim se gjërat do ndryshojnë. Uroj të ndryshojnë gjërat por e shikoj shumë të vështirë, kjo që po ndodh është në të gjithë rruzullin… është shumë tronditëse, do vetëm durim si edhe kontribut nga secili, do veprim me gjërat që secili disponon. Ka akoma njerëzillëk në Greqi.

– Cili është hapi tjetër që do të hidhni për të ardhmen?

Enke: – “Gënjeshtra e fundit” nga Mixali Kakojianni, e cila do paraqitet në teatrin e Pireut, është një dhuratë e madhe për mua të transformoj një film kaq të madh. Njëkohësisht do përsëritet shfaqja “Ky është nëna moj” me Dhimitra Petrula dhe Sofia Adamidou si dhe Vera Krusko të cilën e shfaqëm vitin e kaluar. Njëkohësisht rikthehem edhe si aktor tek shfaqja “Filoktiti” për pak shfaqje tek Vrisaki.

– Me Shqipërinë kur do ketë ndonjë shfaqje te re?

-Shpresoj…

– Çfarë shfaqje do të dëshironte Enke të sillte në skenë në një turne në Amerikë për komunitetin shqiptar?

– Trojanët..

-Faleminderit që biseduam për Diellin.

Enke:- Ishte kënaqësi….

Filed Under: Kulture Tagged With: Enke Fezollari, Frida Bedaj, me"Trojanët", ne Amerike

SARAJET E KELCYRAJVE

August 30, 2016 by dgreca

2 Sarajet e KelcyrajveNGA GEZIM LLOJDIA/
 Në te majtë të rrugës, që shkon në Përmet ose në të kundërt .Nga dalje të këtij  qyteti të  vogël Këlcyrë,syri të sheh në shpatin e malit sarajet e Këlcyrajve, mbuluar me velin e misterit. Mbetur  në shpat mes ardhjes dhe ikjes,shtyré dhe tërhequr njëkohësisht,motivet  krye ngrejné. Historia e këtyre ndërtesave sipas E.bej Vlorës është njohur, riformésohet çdo fillim dhe fund,çdo rrugé té çon drejtimit té ri. Më 1914 u dogjën. Flakët dhe zjarri i përpiu sikurse shumë ngrehina shqiptare në jug. C’praj asaj kohe pjesë muresh të rrezuara mbeten aty dhe gjenden në shpatullën e malit .Ndërsa godinat u përvëluan nga flaka në vitin 1914, në 29 shtator 1963 në varrezat Acatolico di Testaccio,mbulohej në dhe të huaj trupi i Ali Këlcyrës.
2.
 Një vit pas djegies diku mes vitit 1915 ushtria italiane ka filmuar edhe ngrehinat ne grykën e Këlcyrës.3 foto të sarajeve ,ndërtesa të mëdha të Këlcyrajve, Data:1915-1918.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, Sarajet e Kelcyrajve

NGA QIELLI VEPRON AKOMA

August 30, 2016 by dgreca

Nënë Tereza ka kryer një mrekulli të dyfishtë : me ndërmjetësimin e saj një hindiane dhe një brazilian,të sëmurë në shkallën e fundit, janë shëruar. Provat e shenjtërisë së Saj./

Shkruar nga RANUCCIO  BASTONI/ GENTE/

E përktheu për DIELLIN nga italishtja Eugjen Merlika/

1 eugjeni perkth

Quhet Marcilio Haddad Andrino ingjinjeri brazilian që në 2008, i rënë në komënë sallën e operacionit për një ndërhyrje të dëshpëruar në tru, papritmas – e në mënyrë të pashpjegueshme – u shërua me ndërhyrjen e Nënë Terezës së Kalkutës, duke shtyrë kirurgët të anullonin operacionin. E njohur nga Kongregacioni i Ҫështjeve të Shenjtëve, është kjo mrekullia për të cilën Papa Françesku ka shpallur për 4 shtatorin 2016 ngjitjen në altaret të themelueses së “Misionareve të Mëshirës, e Lumturuar në 2003 nga Gjon Pali II, për një tjetër shërim të pashpjegueshëm shkencorisht.

Dy mrekullitë, të nevojshme për Kishën me qëllim njohjen e shenjtërisë së Nënë Terezës, kanë histori shumë të ndryshme. Por të dyja i përgjigjen në mënyrë të saktë përcaktimit të profesor Karlo Jovine, ekspertit zyrtar të Kongregacionit të Ҫështjes së Shenjtëve, “asaj që për Kishën vlen si një mrekulli, ose një ndodhi shkencorisht e pashpjegueshme e kryer në mënyrëvendimtare, t’atypëratyshme, të qëndrueshme e të plotë”.

Shërimi i parë mrekullibërës, ai që solli Lumturimin e Nënë Terezës, është ai i Monika Besra-s. Tridhjetë vjeçe, e martuar e me pesë fëmijë, gruaja e re jetonte në një fshat të vogël në veri të Kalkutës. Në fillim të 1998-s ndjeu një dhimbje koke shumë të fortë. Vështrimi i u mjegullua, frymëmarrja u bë e vështirë, temperatura u rrit. Simbas diagnozës së mjekut të vendit, Monika ishte goditur nga një formë e rëndë meningjiti tuberkular, një sëmundje e përhapur në krahinën ku banonte. U shtrua në spitalin e Santa Croce, në qytetin e afërt të Rajibpur, por mbas një muaji i shoqi nuk kishte më para për t’a kuruar dhe e çon në qendrën e pritjes së misionareve të Mëshirës në Patiram. Për një muaj Monika kurohet pa asnjë përmirësim. Pastaj një natë zgjohet me një dhimbje të fortë të shkaktuar nga një fryrje e madhe e barkut që, në ditët e ardhëshme, diagnostikohet “si një tumor shumë i rëndë dhe i përparuar i vezores”

Ndërhyrja kirurgjikale ishte e pamundur : në kushtet e dobësimit skajor organik në të cilin ndodhej, Monika nuk do t’a kalonte. Nuk ishte as në gjendje të përballonte anestezinë. E dërgojnë përsëri në Patiram tek Murgeshat. Është 5 shtatori 1998, përvjetori i parë i vdekjes së Nënë Terezës, dhe motër Bartolomea, eprorja e kuvendit, ulet afër shtratit të saj për t’a ngushulluar. Thërret murgeshat e tjera dhe i fton  t’i luten Nënë Terezës që tëndihmojë vdekësen.

Ja se si, simbas dëshmisë së murgeshës Bartolomea dhe disa zbulesave të padëgjuara, u krye mrekullia. Nëntë herë murgeshat recituan Memorare-n, një lutje e lashtë që i vishej Shën Bernardit të Kiaravalle, që Nënë Tereza e përsëriste nëntë herë kur kishte nevojë për një ndihmë nga lart. “Kujtohu o mëshirëmadhja Virgjën Mari”, thotë lutja “nuk është dëgjiuar kurrë në botë që dikush t’i jetë drejtuar përkrahjes tënde, të jetë lutur për ndihmën tënde, të ketë kërkuar mbrojtjen tënde e të jetë braktisur. I mbushur me këtëbesim po të drejtohem ty, o Nënë, o Virgjër, o Virgjëresha e virgjëreshave, tek ti vij e ulem në gjunjë, mëkatar i penduar. Mos i përbuz o Nëna e Fjalës lutjet e mija, por dëgjomë dashamirëse e më plotëso dëshirën. Amen”.

Mbasi mbaroi këndimi i lutjeve murgesha Bartolomea i bëri thirrje ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Nënës Terezë dhe mbështeti mbi barkun e Monikës një medalje që e ruante me kujdes të madh : ishte ajo që kishte takuar trupin e Nënë Terezësfill mbas vdekjes. Për çfarë medalje bëhej fjalë ? Papa Ratzinger, i kushtuar Nënës Terezë të Kalkutës, e din mirë. Mban gjithmonë me vete një riprodhim, duke i dhënë një kopje besimtarëve më të kushtuar që i bëjnë vizitë. Medalja e ka origjinën tek çfaqja e Zojës së Bekueme para Shën Katerinës Labouré, e ndodhur më 27 nëndor 1830. N’atë rast Virgjëresha kërkoi që të bëhej një medalje në këtë formë : Ajo në këmbë mbi globin tokësor, me rreze drite që zbresin nga duartë e saj poshtë. Për rreth e shkruara : “O Mari, e ngjizur pa mëkat, lutuni për ne që ju drejtohemi Juve”. N’anën tjetër të medaljes duket një M që ka sipër një kryq e rrethohet nga 12 yje. Nënë M duken dy zemra, njëra prej të cilave e therur. Medalje si kjosot janë të përhapura në gjithë botën dhe janë shumë të kërkuara, për shkak të mrekullive që u njihen atyre.

Fill mbas recitimit të nëntëMemorare-ve e prekjes së medaljes në bark, Monika Bersa ra në gjumë. Nuk ndiente më asnjë dhimbje e në orën një të natës, duke u zgjuar, preku barkun e kuptoi që masa tumorale ishte zhdukur. Kontrollet mjekësore vërtetuan se vezoret, mitra, fshika dhe veshkat ishin përsosmërisht normalë. Simbas mjekëve ishte i dukshëm “një shërim i plotë nga një gjëndje sëmundjeje në shkallë të fundit”. Mrekullia më e shtrenjtë për Gjon Palin II, prej së cilës Nënë Tereza do të shpallej e Lumnueme më 2003, u krye.

Miratimi i Papës Françesku për shenjtërimin e Nënë Terezës ka përkuar me ditëlindjen e tij të 79. Në fakt ka qenë 17 dhjetori i vitit 2015, dita kur Papa ka lajmëruar njohjen e shërimit të dytë, të pashpjegueshëm për shkencën, atë të ingjinjerit brazilian Marcilio Haddad Andrino, të njohur themelueses së Murgeshave Misionare të Kallkutës. Historia e kësaj mrekullie, hollësitë e së cilës janë mbledhur nga shkrimtari e gazetari Antonio Gaspari, ka filluar në dhjetor 2008, kur ingjinjerit  Andrino, n’atë kohë 35 vjeç i sapo martuar, i diagnostikohen shqetësime të rënda neurologjike. Më saktë, analizat klinike zbulojnë praninë e tetë abseseve trunore, pra të tetë zonave të infeksioneve të rënda në tru.

“Mbas shtrimit të menjëhershëm”, shpjegon eksperti zyrtar i Kongregacionit të Ҫështjeve të Shenjtëve, profesori Karlo Jovine,“ skaneri vërtetoi rëndimin e gjëndjes dhe pazienti hyri në komë. Mbas pak ditësh, kuadritklinik mjaft dramatik i u shtua çfaqja e një hidroqefali bllokues, pra mbyllja e rrugëve rrjedhëse të lëngjeve në tru. U bë e detyrueshme një ndërhyrje e menjëherëshme kirurgjikale, por atëherë filluan të ndodhin gjëra të pashpjegueshme. Profesori Kabral, kirurgu që pregatitej të kryente operacionin, me habi sheh se ingjinjer Andrino ishte i zgjuar, i vetëdijshëm dhe pyeste “Ҫfarë po bëj un këtu?”. U krye një skaner i trurit për të kuptuar se çfarë po ndodhte me pacientin dhe, në shtangien e përgjithëshme, zbulohet se jo vetëm është zhdukur hidroqefali, por dhe abseset janë zvogëluar në masën 70%. Në pak ditë kuadri i pabesueshëm u plotësua : truri i Andrinos nuk paraqet më asnjë gjurmë parregullsie apo ndryshimi. Më 23 dhjetor, vetëm dhjetë ditë mbas operacionit të munguar, pacienti kthehet në shtëpi i shëruar plotësisht.

“Një rast si ky”, deklaroi profesor Jovine “nuk ka të ngjajshëm më parë, sepse përqindja e përfundimeve fatale në praktikëështë 100%. Duhet të konkludojmë pra, se ngjarja është shkencorisht e pashpjegueshme.” Një mrekulli dhe njohja e saj si ndërhyrje e Nënë Terezës, i detyrohet një sërë elementësh të pakundërshtueshëm. Në fakt ishte gruaja e ingjinjer Andrino-s që kishte kërkuar ndërhyrjen e së Lumes Nënë Terezë të Kalkutës, kur burri po pregatitej të  operohej. Mbrëmjen para operacionit  gruaja, e shoqëruar nga një prift, të cilit i ishte drejtuar, kishte shkuar në spital. Aty prifti, atë Elmiran Ferreira, famullitar i kishës Sao Vicente, i kishte dhënë të sëmurit mirosjen e fundit. Mbasi ishte lutur, prifti vuri mbi pazientin një foto dhe një relike të Nënë Terezës pranë kokës. N’atë çast shërimi mrekullues i Andrino-s filloi.

Marrë nga revista GENTE speciali  Numuri 1, shtator 2016

E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, Nene Tereza, NGA QIELLI, VEPRON AKOMA

“VALIXHJA E SHQYER”, ATË E BIR NË NJË LIBËR

August 30, 2016 by dgreca

 – tregime nga Visar  Zhiti me vizatime nga Atjon Zhiti -/….LIBRI SHPERNDAHET SOT, NE DITELINDJEN E ATJONIT, QE SOT DO TE ISHTE 21 VJEC….

Ballina e Valixhes se shqyer“Valixhja e shqyer” është libri më i fundit i shkrimtarit Visar Zhiti, tregime të shoqëruara me vizatime nga Atjon Zhiti, atë e bir së bashku, botim i porsa dalë nga shtëpa botuese “OMSCA-1”.                                                                                                     I veçantë dhe tërheqës për përmbajtjen dhe “historinë” e vet, album bardhë-e-zi ndërkohë, një mpleksje moderne, që përçon ndër të tjera kumtet dhe emocionet e bashkëpunimit dhe të dashurisë mes brezave.                             Gjuha metaforike e Zhiti që shkruan, me gjuhën metaforike të Zhitit junior që vizaton, harmonia e fjalës me linjën, e ritmit me hijen, një risi, një puzzle artistik jete senërtohen begatshëm nën një kopertinë domethënëse dhe të bukur si me shi yjesh.

NË KOPERTINË E PASME lexojmë:

“Valixhja e shqyer” është një libër për të gjithë, i lexuesit pa moshë ose i çdo moshe, pra ka arritur më të vështirën, ndërkaq personazhet e tij më së shumti janë fëmijë e të rinj dhe lexuesi i parë sigurisht janë “ata që rriten”, teksa diçka mbetet e njëjtë e misterioze.

Pikërisht këtë sjell dhe ky libër, ku, ndër të tjera, përziehen fantastikja e reales me lojën, ringjallje statujash e rrëfime gjallesash që nuk flasin, amfiteatro qiellorë me kërshërinë e së përditshmes, modernizime të legjendës shqiptare e origjinalitet i spikatur.

Sinqeriteti dhe humori, poezia dhe trishtimi janë ‘princërore’, aq sa duket se kemi të bëjmë me një libër ‘princ’ si te Oscar Wilde e Antoine de Saint-Exupéry, por të mjediseve tona.

“Valixhja e shqyer” nis me një ese, që ndërpritet, për të vazhduar si mbyllje tronditëse e librit, i cili mbart copëza kohe të një jete, që nga fillesat e saj shkrimore e deri më tani, i shoqëruar me vizatime të djalit të autorit, Atjoni, që është dhe personazh në 19 rrëfimet që përfshihen këtu, aq sa dhe mosha e tij.

Prandaj dhe u rishkrua ky libër për të qenë i tillë, fëminor deri në trill, me urtësinë e të mëdhenjve, magjepsës gjithsesi.

FATI I LIBRIT:

      “Valixhja e shqyer” ka brenda dhe “historinë” e pazakontë të këtij libri, ku gjejmë dhe parathënien-dëshmi të shkrimtarit të njohur, Bashkim Shehu, i cili ndër të tjera rrëfen:“Një ditë, vite e vite më parë, po ky libër, i saposhkruar nga Visari, m’u dha nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” për t’u recensuar, siç ishte rregulli asokohe… Por libri nuk u botua, ngaqë Visarin ndërkaq e futën në burg…

Sidoqoftë, një nga kopjet e dorëshkrimit të këtij libri mbeti tek unë. Vazhdova ta ruaja, duke e mbajtur të fshehur diku. E ruajta deri në ditën kur babai im, ndonëse me pozitë të lartë në pushtetin e asaj kohe, u shpall… armik. Meqenëse prisja kontroll nga sigurimi, dorëshkrimin e Visarit e dogja, duke menduar se ruajtja e tij tash e mbrapa do të kishte qenë e rrezikshme për të dy.

Por, ashtu si çdo përrallë, edhe kjo mbaron mirë, për Visarin e për mua, që jetojmë të lirë dhe, gjithashtu për këtë libër, i cili, sidoqoftë, nuk humbi.”  

Vërtet është një libër “që nuk humb”, që e përtërin dhe pasuron arkitekturën e vetvetes, rrëfime të reja dhe imazhe të reja, që krahas aventurës së krijimit, ka dhe aventurën e mbijetesës, tipike kjo për shkrimtarin Visar Zhiti.                                                                                                        Ai në fund të esesë së tij për “Valixhen e shqyer” si fati shpjegon:

“E nisa në Shkodër, student, e vazhdova në Lushnjë, ku banoja, pastaj në fshatrat e Kukësit, ku më çuan mësues, më priti nën tokë, derisa dola nga burgu, e rishkrova në Tiranë, u botua dhe e rishkrova të gjithin edhe një herë në Romë. Është po ai dhe i ri njëkohësisht…. Libër që më ka ndjekur gjithë jetën…”

Vizatimet e freskëta, që mbartin dhe ato “rrëfimin” e tyre të pavarur, duke iu bashkuar tregimeve që “vizatojnë” pjesë jete e kanë fill lidhës mes tyre si krerët e një romani, zbulojmë se dy fëmini e dy adoleshenca japin dhe marrin në mënyrë të ndërsjelltë në dy kohë, në dy gjini arti, ndërkaq duket sikur të shkuarës i është hijezuar e ardhmja, përvojës i është shtuar ngazëllimi, lojës mënçuria, me një horizont fantastik pritjeje dhe dy autorët shkrihen në një, si në përqafimin e tyre babai me djalin.

Një vlerë të re, një ngjarje mes ngjarjeve kulturore do ta quanim librin “Valixhja e shqyer”, të cilin Shtëpia Botuese “OMSCA-1” e shpërndan sot, në ditën kur Atjon Zhiti do të mbushte 21 vjeç, dhuratë që besojmë se do ta gëzojë dhe në Qiell. Ndërkaq kjo është dhe dhurata që i japet lexuesit dhe artdashësve, një trini moderne e atit dhe e birit dhe e shpirtit të tyre në një vepër.

KANË THËNË

për Visarin shkrimtar:

Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase pasqyron më mirë historinë e kombit të tij…                                                                                                                                      Robert Elsie

…ai është Shkrimtar nga ata që ka fare pak, nga ata që fjalën e kanë krah, fluturojnë me të në ferr e parajsë, pa u tretur nga flakët, pa u verbuar nga drita.

Marisa Kërbizi

…ka forcën t’ia ndryshojë lexuesit vizionin për botën…

Kevin Higgins

për Atjonin piktor:

Atjoni i vogël e ka kuptuar dhe vizatimi i tij është një “strategji politike” e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.

Giampaolo Mattei

Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar.

Gëzim Qendro

Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…

Gëzim Tafa

_________________

         Përgatiti “Botuesi”

Filed Under: Featured, LETERSI Tagged With: “VALIXHJA E SHQYER”, ATË E BIR, NË NJË LIBËR, Visar & Atjon Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2528
  • 2529
  • 2530
  • 2531
  • 2532
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT