• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Konferenca e Konispolit për Çamërinë

May 12, 2016 by dgreca

Nga Albert Habazaj/

Për njohjen dhe zgjidhjen e Çështjes çame, po punohet paralelisht në dy rrafshe: në rrafshin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar. Edhe brenda vendit, po ravijëzohet shqueshëm ndjeshmëria dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik për gjenocidin e shovinistëve grekë ndaj popullatës së pafajshme çame në trojet e veta. Janë katër prioritete themelore në planin e veprimit ndërkombëtar për arritjen e synimit final, të idealit të lartë të lirisë, që u tkurr, u ndrydh, u ngrys, u tut, u plagos, u gjakos, u shqye, u mpak, por s’u mplak e nuk thinjet deri në realizimin e jetës qytetare, sikurse të tjerët, të çamëve në tokat e tyre, matanë kufijve të Shqipërisë së Sotme Zyrtare, e shqiptarëve rrethuar me shqiptarë. Katër janë shinat e Marathonomakëve të së drejtës universale njerëzore: 1. Njohja e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, të bëra nga qeveria greke nga 1913 (guxhitur nga Konferenca e Londrës, me ambasadorët e 6 Fuqive të Mëdha të kohës: Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Austro-Hungari, Rusi e Itali, më 22 mars 193) deri 1944 kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë; 2. Njohja e së drejtës së ripatriotizimit të popullsisë Çame në vendin e vet; 3. Njohja e të drejtave të pakicës etnike Çame në Greqi, si dhe të drejtat e njeriut për secilin qytetar; 4. Njohja e rikthimit të pronave civile të çdo njërit, si pronat publike e fetare të besimit të shqiptarëve të Çamërisë. Janë zhvilluar veprimtari atdhetare, kulturore, protesta, tubime e konferenca paqësore, që kanë gjetur pasqyrim edhe në mediat pamore e të shkruara, elektronike dhe manuale, të cilat kanë realizuar faktorizimin e Çështjes çame. Janë angazhuar dhe mjaft intelektualë dhe figura të njohura publike, si profesorët me origjinë çame Selman Sheme e Rasim Bebo, akademik Beqir Meta, profesorët e nderuar Eshref Ymeri, Rami Memushaj, Lisen Bashkurti, Bardhosh Gaçe, Koço Danaj, Fatmir Terziu, studiuesi dhe shkrimtari himariot Andrea Petromilo studiuesi dhe shkrimtari çam Enver Kushi, veprimtarë të tjerë çamë si Valentin Brahimi, Jasin Abazi, klerikë të devotshëm kombëtarisht si At Nikollë Marku, myfiu i Vlorës, imami Haxhi Hito Shahaj, myftiu i Prishtinës, drejtori i Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, z. Parim Kosova, gra të shquara çame, si Selfiana Zeqiri, Violeta Brahimaj, Aishe Sulejmani, Gjyslime Hasani, vajza e intelektuale të reja çame si Rudina Zeqiri, Lorena Abazi, atdhetarë të përvëluar si Skënder Beqiri, poetë të talentuar si Xhemil Lato, intelektualë nga Kosova, si prof. Rexhep Abazi e shkrimtari Bilall Maliqi me atdhetarë të tjerë nga Presheva, Bujanoci e Metvegja, nga Dibra e shqiptarë të të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe nga diaspora të përkushtuar për Çështjen e Lartë, deri tek personaliteti i njohur çam në Amerikë, zotni Sali Bollati etj. Të shtunën e datës 30 prill 2016, u zhvillua në Konispol konferenca paqësore e radhës për sensibilizimin e Çështjes së pazgjidhur të popullit shqiptar të Çamërisë. Ishte një konferencë tematike “ÇAMËRIA – O SOT, O KURRË!”, si vazhdim i duhur në kohë dhe në hapësirë, sipas platformës kombëtare dhe qytetare të programuar. Ashtu si deri më sot, promotor i kësaj veprimtarie është Shoqata Demokratike Shqiptare “Çamëria”, (quajtur ndërkombëtarisht edhe Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë), me qendër në Holandë, që ka ideator, themelues dhe kryetar z. Festim Lato. Në konferencë morën pjesë veprimtarë të çështjes kombëtare, historianë, poetë e shkrimtarë, intelektualë të respektuar, etj. Konferenca e Konispolit për Çamërinë u zhvillua sipas një programi të orientuar me prezantuese (folëse): zj. Elisa Toshkallari, e cila, me fjalën e zgjedhur dhe të ngrohtë, u fali të pranishmëve ndjenja dashurie për dheun e të parëve dhe të drejtën e tyre. Diskutuan veprimtari i dalluar çam, mësuesi veteran, profesor Sami Sulejmani. Më tej, fjalën e poetit dhe studiuesit Idajet Jahaj, (në pamundësi pjesëmarrjeje), e lexon zonjushë Miledi Abazi. Në vijim foli, veprimtari dhe poeti Hiqmet Mehmetaj. Fjala përshëndetëse e z. Festim Lato (edhe sponsor i kësaj konference) lexohet nga zonjushë Miledi Abazi. Veprimtari dhe poeti çam Xhemal Xhemali reciton me shumë emocion poezinë e tij rapsodike “Kthim në Çamëri”. Patrioti dhe fotografi çam 87 vjeçari Skënder Beqiri, duke iu dridhur buza e fjala, rrëfen masakrat shovene gjatë përzënies me dhunë të prindërve të tij e të çamëve të tjerë, kur vetë ai e moshatarët e tij ishin foshnja e të mitur. Shkrimtari, studiuesi dhe veprimtari Albert Habazaj foli për ndërkombëtarizimin e çështjes çame deri në zgjidhjen e drejtë të saj. Poeti, shkrimtari dhe atdhetari çam Xhemil Lato bëri të qartë prioritetet themelore për realizimin e këtij misioni patriotik të Këshillit Ndërkombëtar të Çamërisë dhe veprimtarëve mbështetës idealist të Çështjes çame.

Siç dhe jemi informuar, siç kemi parë, dëgjuar dhe lexuar, E drejta e Çamërisë e nisi ndërkombëtarisht zgjidhjen; në mënyrë të organizuar, juridike dhe qytetare, sipas akteve ligjore ndërkombëtare, marrëveshjeve dhe traktateve ndërkombëtare. Me një grup veprimtarësh dhe intelektualësh nga Shqipëria, (me banim brenda kufijve shtetërorë, në Kosovë, në Çamëri, në Shkup e Tetovë, Tuz e Ulqin) më datën 29. 09. 2015, ora 11. 30’ në Malieveld Den – haag Holland (Malifed HAGË) u zhvillua një tubim paqësor për të përkujtuar viktimat e genocidit grek ndaj popullsisë të masakruar çame, si dhe për ta bërë më të njohur botërisht padrejtësinë që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet kësaj popullate të shpërngulur nga trojet e veta nga ana e shtetit të sotëm grek, vijim i të djeshëm shovenogrekokaragjoz. Morën pjesë dhe mjaft shqiptarë me banim në vendet europiane, sikurse dhe shumë miq e dashamirës nga Holanda, nga Belgjika, nga Italia etj., që shprehën solidaritetin ndaj të drejtës qytetare të popullatës së persekutuar, të masakruar e të përndjekur nga shovenët grekë. Mbas Hagës, filluan veprimtaritë konkrete në SHBA dhe në Europë; në Bruksel, Gjenevë, Vjenë, Luksenburg, Strasburg, në Dortmund të Gjermanisë, në Tiranë, në Prishtinë, në Vlorë e në Prizren. Vetëm dy fjalë nga jehona e madhe në shtyp për veprimtarinë e Prizrenit, që u zhvillua më 17 janar 2016: “Mbahet konferencë për Çamërinë. Të dielën (më 17 janar) Shoqata “Çamëria”, me qendër në Holandë, e themeluar nga z. Festim Lato, si dhe Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë, organizuan në Prizren konferencë për çështjen e Çamërisë. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Presheva, Maqedonia. Pjesëmarrësit ishin akademikë, klerikë të lartë, shkrimtarë, gazetarë, diplomatë dhe patriotë të shquar. Konferencën e ka hapur At. Nikollë Marku. Pas shumë referimesh e diskutimesh, konkluzionet i bëri sekretari i përgjithshëm i Këshillit Ndërkombëtar të Çamërisë me qendër në Hagë, prof. dr. Lisen Bashkurti”. Ndërsa, historike do të mbelet për mbarë shqiptarinë e enjtja e datës 11 Shkurt 2016. Më në fund, mbas shumë përpjekjesh, u hodh hapi i parë dhe, ndërkohë, më i rëndësishmi: Çështja çame dhe kërkesa për njohjen e gjenocidit grek mbërriti në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Tashmë është bërë fakt i njohur botërisht veprimi në kohën e duhur dhe në vendin e duhur i delegacionit të Shoqatës Demokratike “Çamëria”, Holandë, i përbërë nga Festim Lato dhe Koço Danaj, që pasi realizoi me sukses më 10 shkurt nw Veenendaal (Holandë) një konferencë paqësore me delegatë nga Presheva, Bujanoci e Metvegja, nga Gjakova, Prishtina e Dibra, nga Prizreni, Tuzi e Lushnja, nga Vlora, Labëria e Himara, nga Tirana, Shkodra e Çamëria, nga tërë viset ku flitet shqip e jetojnë shqiptarë, edhe me emigrantë shqiptarë nga SHBA, Belgjika, Holanda, Italia, Gjermania, Franca, Zvicra, Austria  e Anglia, për sensibilizimin e çështjes së pazgjidhur të popullit shqiptar të Çamërisë, dorëzoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Den Haag DOSJEN E ÇAMËRISË. Shoqata Demokratike “Çamëria” dorëzoi një dosje të madhe, të plotë me katër nëndosje konkrete, me argumente ligjorë dhe shkencorë, ku u kërkohet prokurorëve të trajtojnë problemin çam duke këmbëngulur për të drejtat e mohuara.“Ne presim që popullit çam t’i jepet e drejta dhe t’i njihet gjenocidi që i është ushtruar mbi këtë popullsi”- kërkuam njëzëri të gjithë sa qemë mbledhur atje”. Dosjet e dorëzuara në Prokurorinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kanë brenda të gjitha të dhënat e dokumentuara për gjenocidin grek kundër shqiptarëve vendas të Çamërisë dhe janë të shkruara në tri gjuhë: anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Dosja e parë përmban të dhëna e dokumente për njohjen e gjenocidit të ushtruar mbi popullsinë çame dhe dëshmitë e të mbijetuarve. Dosja e dyë ka të bëjë me provën ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit të bëra nga qeveria greke nga 1913 deri 1945. Dosja e tretë ka të bëje me të drejtën e riatdhesimit të popullit të shpërngulur me forcë. Dosja e katërt  ka të bëjë me rikthimin e pronave të zotërve. Këto trajtesa u kumtuan në konferencën e radhës në Konispol. Në fund të kësaj konference, të pranishmit vizituan ekspozitën e fotografit Skënder Beqiri me 12 stenda dhe 63 fotografi, në të cilat janë fiksuar kronologjikisht: pamje të shovinistëve grekë kundër Çamërisë; pamje nga masakrat e gjenocidit grek ndaj popullatës së pafajshme shqiptare të Çamërisë; grup ushtarësh Çamë të mobilizuar nga qeveria greke në vitet 1939-’40 në frontin çlirimtar kundër Italisë fashiste, ku na bën përshtypje një fotografi e patriotit Nuri Emin Zane, internuar në Kampin e Përqëndrimit Dakao – Mynih, Gjermani prej 10 prill 1944, ku ka qëndruar e mbijetuar si ai, dhe pas 18 muajsh “çuditet si ka shpëtuar/ m’u si nga thojt’ e lugatit”, nga të  paktët kthyer gjallë e të gjymtuar, por që, për fatmirësi morale, dekoruar (pas vdekjes) me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, Tiranë, 08.02.2005, nr. Dekret 4478, nga presidenti i kohës Alfred Mojsiu. Medalja e artë i është dhënë atij atdhetari në shënjë vlerësimi të lartë e respekti të përhershëm për kontributin e dhënë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, në krahinën e Çamërisë dhe për rezistencën e vuajtjet, si i internuar në Kampin e Përqëndrimit të Dakaos. Më tej, ekspozita ka pamje nga Kongresi Çam në Vlorë, 1945 me pjesëmarrje të aleatëve antifashistë; solidariteti i aleatëve për Çamërinë, 1945 -; si dhe fotografi nga dita historike 11 Shkurtit 2016, kur dosja e Çamërisë u dorëzua në Hagë, si dhe fotografi të tjera të realizuara në Tiranë, në Prizren, në Vlorë e Prishtinë nga veprimtaritë për sensibilizimin dhe ndërkombëtarizimin deri në zgjidhje të Çështjes së drejtë çame.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Albert Habazaj, Konferenca e Konispolit, per Camerine

Kosovë-Nis festivali i folklorit shqiptar “Anadrinia Jehon”

May 12, 2016 by dgreca

DEJN-RAHOVEC, 12 Maj 2016/Në fshatin Dejn të Rahovecit, ka nisur festivali tradicional treditor folklorik “Anadrinia Jehon 2016”, edicioni i 15-të me radhë, ku marrin pjesë ansamblet folklorike nga të gjitha trevat shqiptare.Festivali mbahet nën patronatin e kryetarit të komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, i cili edhe e shpalli të hapur.“Jam i nderuar që sonte gjendem në mesin tuaj për të hapur një ngjarje kaq të rëndësishme,  me të cilën tashmë identifikohet komuna jonë – festivalin ‘Anadrinia Jehon 2016’. Ky festival, i cili tashmë i përmbush 15 vjet jete, na sjell një trashëgimi të lashtë të kombit shqiptar, gjithë ato të bëmat, doket, zakonet dhe traditën kulturore përmes folklorit burimor dhe autokton dhe na sjell frymën e të parëve tanë. Përmes festivalit, i cili mbahet në kuadër të Javës së Dëshmorëve, ne i kujtojmë edhe dëshmorët të cilit kanë rënë për liri, dhe përkujtimet janë traditë e jona”, tha kryetari i Rahovecit.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Rahovecit, Gardalin Shtavica, tha se festivali “Anadrinia Jehon”, tash e 15 vite, ruan traditën e trashëgimisë së muzikës folklorike të mbarë trojeve shqiptare.

Vajdin Berisha, kryetar i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK në Rahovec, fillimisht  përshëndeti familjarët e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës duke theksuar se ky festival madhështor mbahet në kuadër të Javës së Dëshmorëve.

 Festivalin e ka nisur Shoqëria Kulturore Artistike “Anadrinia” nga Dejni, e cila është pikpritëse. Mbrëmë, në natën e parë, në konkurrencën garuese janë paraqitur me programet e tyre shoqëritë kulturore artistike “Shqiponja” nga Saraji i Shkupit,  “Ardhmëria” nga Gjakova dhe “Isa Boletini” nga Rogova e Hasit.

Të gjitha paraqitje i vlerëson juria në përbërje: Dilaver Kryeziu – koreograf, Sami Piraj – kompozitor, dhe Zymer Neziri – folklorist./b.j/

Filed Under: Kulture Tagged With: -Nis festivali i folklorit shqiptar, “Anadrinia Jehon”, Kosove

POETI QË S’KA KOHË PËR TË VDEKUR

May 12, 2016 by dgreca

NGA  PËLLUMB  GORICA/

Nexhip Bashllari në vëllimin poetik “S’kam kohë të vdes”/

Në vëllimin poetik me një titull, të cilin do e fut në kurth,“S’kam kohë të vdes” poeti i vargut plot mall e jetë, Nexhip Bashllari, i ledhaton krahët një lajtmotivi shumë domethënës, jo vetëm për krijuesit, por për të gjithë ata që janë rreshtuar në llogoret e jetës:  Poeti s’ka vdekje. Sepse edhe kur ajo e gjen fizikisht nuk e gjen kurrë shpirtërisht e moralisht. Poeti i fshihet vdekjes herë te një lot i sinqertë shoku dhe herë te një zukatje blete, herë te një fëshfërimë gjetheje, e herë te një iso kënge. Në tërë vëllimin rreh pulsi i jetës dhe për poetin s’ka as moshë, as lodhje e as vdekje. “Kur hapa sytë ishte bërë mëngjes/ I thashë vdekjes : S’kam kohë të vdes”.

Poeti nuk përpiqet të maskohet me sforcime, por ai merr një arrati të pranueshme, për t’u mbushur me më shumë nerv jete, e për të qenë sa më i denjë për një shoqëri, që ta meritojë ai, e ta meritojnë atë. Atë e ka thithur jeta deri në intimitetet më të padukshme, sepse ai është njerëzor, është i zoti të veshë këngën si “bërruc çobani”, por edhe të fluturojë në lartësi e të “përflakë shpirtin” me rreze diellore, ai di t’i bëjë thirrje erës “ta rrëmbejë me vete”, por di të derdhë edhe lot malli për strehëzën e tij, por edhe kur ai kthehet në fluid, kur e “fut vjeshta në brendësi“ të saj, ai nuk lejon askënd t’i prekë palcën, që e specifikon si qenie të gjallë: dashurinë për jetën. Edhe kur ndonjëherë atë e mbulon plogështia apo pesimizmi, ai shpejt ngrihet mbi ndjenjat dhe nostalgjitë, mbledh forcat për ta shijuar jetën gjer në fund në çdo grimcë të saj.

Nexhip Bashllari edhe pse e ka dashur dhe e do shumë jetën, nuk e ka lejuar kurrë atë ta marrë zvarrë e të tallet me të. Ai ka kënduar këngë me pleqtë, ka zbutur rakinë që e pinë ata në sofra, e ka pirë me ta gota të mbushur rrafsh, dhe na ngjan nga pak me Dritëro Agollin e me Omer Khajamin, gjithmonë brenda origjinalitetit të tij. Ai ka thithur ajër mali, e ka pirë ujë burimi, por asnjëherë s’ka lejuar të luajnë me dinjitetin e tij. Ai është kockë e fortë, i pangopur me gjithçka që i shërben njerëzimit e të ardhmes, ndaj ai rrallë edhe zemërohet, e vihet roje në shërbim të një jete të ndershme e nuk bën asnjë kompromis: “Vras e pres veç terr të zi/ I çoj djajtë në skëterrë”. Por kjo kockë e fortë, dorëzohet shpejt para mallit që ndjen për strehëzën e tij dhe ngre duart e kërkon falje: “Me përkundje nanuriste/ Më ke dhënë flatrim krahësh/ Që të ika të lashë vetëm/ Oh të lutem të më falësh”. Dhe ky mall që fryn në tërë librin si fllad mbi plagë, e bën nganjëherë dhe si antipod të gjithçkaje, e të duket sikur ecën kundra rrjedhës dhe kërkesave të natyrshme të jetës: “Më vriten brinjët/ në dyshek sfungjeri”. Por, prapë poeti Nexhip Bashllari nuk e fsheh krenarinë, që edhe ai me vargun e tij modest la gjurmë, e u shërbeu njerëzve. Vargu i tij gërryen zemra të sinqerta e i bën “lisat të ulin kryet”, e i bëhet shok një emigranti dhe provon ndenjat e tij të shkrirë me fatin e mijëra të tjerëve, dënon mëkatarët dhe e bën nënën që të derdhë lot, ndaj ai si poet ka një merak të madh:  Fjala të jetë e lirë si ajri i pastër i maleve: “Trupin le të ma digjni/  Mos ma digjni fjalën”.

Në shumicën e poezive të këtij vëllimi, poeti përgjithëson vlerat e së mirës, dhe gëzimit, duke shprehur ndenjat më të thella të shpirtit, dhe nuk është nga ata poetë, ku mendimi poetik i të cilëve rend fantazive, por i buron natyrshëm kënga, e që lexuesin e bën të meditoj bashkë me të. Poezia e Nexhip Bashllarit është e veçantë edhe përsa i përket metrikës, muzikalitetit, por edhe tempit e rimës, që të rrëmbejnë si pa u ndjerë e të fusin në larminë plot frymëmarrje të këngës popullore: “Bie të flesh e s’të zë gjumi/ Sa të zë të del dhe prapë/ Buçet mendja porsi lumi/ Dallgë fryrë trap më trap”.

Edhe në ciklin e poezive nga Kanadaja, poeti thekson me forcë atë që e bren, jeta bëhet më e bukur në vendin tënd, por çdo njeri, i çdo ngjyre e vendi qoftë, ka jetën e tij dhe e meriton ta jetojë atë  kudo, dhe sipas koncepteve të veta.

Në zemrën e tij ka vend për të gjitha edhe për “retë e ndezura nga dashuria rinore”, edhe për manushaqet, që mezi dalin nga fund-dimri, edhe për guguçen faqehënë, edhe për puthje gjethesh fëshfërimë vjeshte. Duke qenë i shkrirë natyrshëm pa qibër, me natyrën, me shoqërinë, me brengat dhe gëzimet, me cinizmin dhe sinqeritetin, poetin është vështirë ta kapësh, është vështirë ta gjejë edhe vdekja pa lëre më ata që nuk i duan të mirën. Ndaj ai deklaron pa mburrje : “Të më gjeni s’është e mundur/ S’ju mjafton e gjithë jeta”.

Në këtë vëllim në çdo varg jeta sfidon vdekjen. Ndaj, poeti duke bërë thirrje ta duam jetën, nuk harron të kujtojë se ka dhe vdekje. Edhe loti bleron-thotë poeti. Edhe te malli që përlot, jeta gjen vitalitetin e saj. Por, specifika e poetit qëndron në atë se ai jep një këshillë shumë të vlefshme për vdekjen: të mos kujtohemi vetëm kur vdes ndonjë i afërm. Njeriu jeton me vdekjen çdo ditë, por merita është se di ta sfidojë atë. Ndaj poeti di të bëjë shumë mirë edhe balancë jete: “Si jam ndjerë tek kjo botë/ Nga u nisa e rrugë mora/Nga ç’kam bërë çfarë ka mbetur/ Ç’farë kam mbjellë dhe ç’farë korra”.

Dhe njeriu që di të bëjë bilanc nuk humbet kurrë. Vitet që vijnë i zbulojnë veç shkëlqim të ri.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Nexhip Bashllari, Pellumb Gorica, POETI QË S’KA KOHË PËR TË VDEKUR

Kosovë-Shqipëri, fuqizim i sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror

May 12, 2016 by dgreca

– Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë vizitë zyrtare në Kosovë/

PRISHTINË, 11 Maj 2016-B.Jashari/ Fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë dhe Shqipëri, fuqizon bashkëpunimin ndërshtetëror. Ministri kosovar i Drejtësisë, Hajredin Kuçi sot ka pritur në takim kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Bashkim Dedja, i shoqëruar nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese së Kosovës, Arta Rama Hajrizi.Gjatë këtij takimi Ministri Kuçi e ka njoftuar Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Dedja, me punën dhe aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë, përfshirë zhvillimet e fundit në fushën e drejtësisë në Kosovë, konkretisht në reformat e realizuara në frymën e perspektivës evropiane, përfshirë legjislacionin, ngritjen e kapaciteteve si dhe garantimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Dedja njoftoi ministrin Kuçi për reformat themelore që po ndërmerren në fushën e drejtësisë në Shqipëri, për sa i përket legjislacionit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë.

Ministri Kuçi dhe kryetari Dedja me theks të veçantë diskutuan për rëndësinë e Gjykatës Kushtetuese, rolin dhe rëndësinë e punës dhe pavarësisë së këtij institucioni në të dyja vendet.

Ministri Kuçi theksoi edhe bashkëpunimin e ngushtë që ka Ministria e Drejtësisë me institucionet e Drejtësisë në Shqipëri, duke vlerësuar lartë shkëmbimin e përvojave nga të dyja vendet në fushën e drejtësisë.

Po ashtu, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, priti sot në takim kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë,  Bashkim Dedja, i shoqëruar nga gjyqtarët e kësaj gjykate: Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha.

Pasi i falënderoi për vizitën, kryetarja Rama-Hajrizi fillimisht informoi me zhvillimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, duke veçuar njëherësh disa nga sfidat me të cilat vazhdon të ballafaqohet kjo gjykatë në çështjet e funksionimit.

Ajo shprehu mirënjohjen e saj për përkrahjen që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i ka ofruar në vazhdimësi Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si nëpërmjet shkëmbimit të përvojave e po ashtu edhe nëpërmjet iniciativave të përbashkëta, që çdoherë për synim kanë avancimin profesional të këshilltarëve dhe të gjyqtarëve të saj.

Në vazhdim të bisedës, kryetarja Rama-Hajrizi dhe kryetari Dedja trajtuan çështje të tjera me interes të përgjithshëm për funksionimin e gjyqësorit dhe për reformat në gjyqësinë e të dyja vendeve, me ç’rast të dyja palët shkëmbyen pikëpamjet e tyre përkitazi me thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy gjykatave kushtetuese.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me ç’rast do të takohet edhe me udhëheqës të institucioneve të tjera shtetërore.

Filed Under: Rajon Tagged With: dhe bashkëpunimit ndërshtetëror, fuqizim i sundimit të ligjit, Kosovë-Shqipëri

NASA zbulon rreth 1300 planetë të rinj jashtë sistemit diellor

May 12, 2016 by dgreca

Numri i planetëve jashtë sistemit diellor që janë zbuluar deri tani është dyfishuar, pasi NASA ka konfirmuar ekzistencën e rreth 1.300 planetëve të rinj, të cilët i ka zbuluar nëpërmjet anijes kozmike “Kepler”. Nëntë prej tyre mendohet se janë planetë shkëmborë, të cilët mund të kenë të zhvilluar edhe atë që bota e njeh me termin ekzistenca e alienëve. “Kepler”, i cili është një observator në hapësirë i nisur nga NASA, ka qëllim zbulimin e planetëve që janë të ngjashëm me Tokën, mision ky që ka nisur prej vitit 2009. Ky investigim madje ka zbuluar 12 planetë të cilët nuk kanë temperatura në ekstreme, duke bërë të mundur kështu hedhjen e një hije dyshimi për ekzistencën e jetës në një tjetër dimension. Nëntë planetë shkëmborë janë edhe më intriguesit për shkencëtarët, ku më premtuesi është Kepler 1638b, i cili është rreth 60 për qind më i madh se Toka dhe pak më afër yllit të tij, me një orbitë prej 259 ditësh. Misioni “Kepler” përfundon vitin e ardhshëm dhe në vijim do të zëvendësohet me teleskopë të tjerë të Agjencisë Hapësinore Amerikane të NASA-s.

Filed Under: Komente Tagged With: diellor, jashtë sistemit, NASA zbulon rreth 1300 planetë të rinj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2823
  • 2824
  • 2825
  • 2826
  • 2827
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT