Një letër Bujar Nishanit për çamët
Nga Arben LLALLA*/
I nderuar z.Kryetar i Shtetit Shqiptar!/
Ju falënderoj nga zemra për vlerësimet që i keni bërë për të dytën herë figurave kombëtare nga Çamëria. Ndoshta jeni i vetmi kryetar i shtetit shqiptar që brenda një kohe të shkurtër keni nderuar zyrtarisht kontributin e çamëve për çështjen tonë kombëtare.
Në 23 qershor 2014, ju vlerësuat me Dekoratën “Nderi i Kombit” atdhetarin Abedin Dinon (pas vdekjes), dhe me titullin “Naim Frashëri” historianin e njohur Ibrahim Hoxhën. Dy figura të njohura që vijnë nga Çamëria, pjesë e trojeve shqiptare të tjetërsuara me luftë nga Greqia. Pas dy vitesh, më 8 Maj 2016, ju organizuar një pritje institucionale me temë: “Kontributit të popullsisë çame në Luftën e Dytë Botërore me rastin e 71 vjetorit të fitores historike të koalicionit ndërkombëtar kundër nazifashizmit. E pra, i nderuar z.Nishani për mua si historian dhe si shqiptar e vlerësoj lartë gjestin tuaj për të nderuar lartë figurat tona kombëtare nga Çamëria. Pa harruar edhe një falënderim për ish-kryetarit e Shqipërisë z.Alfred Moisu i cili më 8 shkurt 2005 nderoi me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, dy pjesëtarë të komunitetit çam, Nuri Emin Zane (pas vdekjes) dhe Hajri Hasan Fetahu (pas vdekjes), me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të përhershëm për kontributin e dhënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, në Krahinën e Çamërisë, dhe për rezistencën e vuajtjet, si i internuar në kampin e përqendrimit të Dakaos në Gjermani”.
Çamët janë pjesë e kombit shqiptar, ata s’janë minoritet brenda trungut tonë familjar edhe pse janë trajtuar nga shteti shqiptar që nga viti 1945 e deri më sot si njerëz të dorës së dytë. Për fatin e keq ende qeveritë tona nuk kanë një strategji kombëtare për zgjidhjen e çështjes çame. Qeveritë të drejtuara ndër vite nga PD dhe PS nuk kanë guxuar që në krye të ministrive të vendosin një shqiptar me origjinë nga Çamëria. Përse ky racizëm brenda familjes sonë kombëtare? Çamët janë njerëzit e punës, të urtë, paqësor, nuk njihen historikisht si shqiptar grindaveca. Prandaj askush të mos trembet nga emri çam dhe Çamëri, sepse s’ka çam të pabesë, por ka shqiptar të pabesë ashtu siç ka shqiptar me besë.
Ne nuk duhet të harrojmë çështjen çame, nuk duhet të lejojmë që ajo të varroset, të mbulohet me pluhur sepse nëse e lejojmë një gjë të tillë ne kemi mohuar dhe harruar trashëgimin tonë kombëtare, ndoshta më të lashtën dhe thelbësore, atë që shqiptarët kanë lidhje trashëgimie më shumë se të tjerët me Trojën, Pirron dhe Aleksandrin e Madh.
Në përfundim z.Kryetar Nishani ju them se është shteti ai që bënë kombin dhe jo kombi që bënë shtetin. Greqia në fillim të shek.19, (1821), u themelua si shtet nga shqiptarët, më tej në vitet 1832 u forcua nga vllehët, sllavët, hebrenjtë, gjermanët, italianët, etj., dhe si përfundim u themelua kombi grek. Ndërsa shqiptarët kanë patur gjithnjë kombësinë por nuk po forcojnë prej kaq dekadash institucionet shtetërore. Kjo është tragjike për ne si një komb kur shikon pas historinë se kemi kontribuar në rreshtin e parë për themelimin e shteteve të tjera si Turqia, Italia, Rumani, Mali i Zi, Greqia, Maqedonia, Egjipti, etj. Prandaj të gjithë bashkë duhet të bashkëpunojmë për një qëllim, për forcimin e institucioneve shtetërore sepse ashtu ne forcojmë kombësinë dhe ndihemi të fuqishëm dhe të barabartë në tavolinën ndërkombëtare.
*Historian dhe publicistë i pavarur
VLERAT AMERIKANO-EVROPIANE
Nga Frank Shkreli/
9 Maji shënon çdo vit Ditën e Europës, një ditë kur festohet paqa dhe bashkimi në Evropë. Kjo datë shënon gjithashtu përvjetorin e deklaratës historike të të ashtuquajturës “Deklarata Schuman” të vitit 1950, në të cilën Ministri i atëhershëm francez i Punëve të Jashtme, Robert Schuman për herë të parë hodhi idenë për një formë të re bashkëpunimi politik në Evropë. Qëllimi i idesë së tij për një Evropë të bashkuar ishte që të bënte të pamundur luftën midis kombeve europiane. Fillimisht, vizioni i tij kishte për qëllim krijimin e një institucioni të ri që do të menaxhonte dhe do të drejtonte prodhimin e çelikut dhe të qymyrit, por që historikisht është konsideruar si fillimi i institucionit mbarë-europian, që sot njihet si Bashkimi Evropian (BE).
Kjo ditë u shënua anë e mbanë Evropës ndërkohë që institucionet evropiane hapën dyertë për publikun jo vetëm në Bruksel dhe Strasbourg por edhe zyrat e BE-së anë e mbanë botës, në shënim të kësaj dite, organizuan aktivitete të ndryshme në shtetet ku kanë përfaqësi.
Ndërkaq, para se të nisej për një vizitë diplomatike prej katër ditësh në disa shtete europiane për takime me udhëheqsit e tyre dhe njëkohsisht për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë kundër korrupsionit, me rastin e Ditës së Evropës, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry përshëndeti Bashkimin Evropian në emër të Presidentit Obama dhe të popullit amerikan duke thënë se më shumë se 65 vjetë më parë ndonëse Europa ende ishte e shkatërruar nga Lufta e dytë Botërore, “Deklarata Schuman”, krijoi vizionin e një Evrope të bashkuar dhe në paqe. “Shtetet e Bashkuara”, shtoi kryediplomati amerikan, “janë themeluar në bazë të vlerave demokratike, vlera të cilat sot e kësaj dite i ndajmë me partnerët tanë europianë.” Këto vlera, nënvijoi Z. Kerry, na bashkojnë përballë një numri sfidash politike dhe humanitare anë e mbanë botës.” Në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Evropës, Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi se, “Bashkimi Evropian shërben si shembull i vazhdueshëm i demokracisë, i lirisë dhe i begatisë, vlera këto të arritura nëpërmjet një qëllimi dhe parimesh të përbashkta të qeverive dhe popujve të ndryshëm të rajonit.” Si të tillë, përfundoi kryediplomati amerikan mesazhin drejtuar BE-së, “Shtetet e Bashkuara me krenari qëndrojnë pranë jush dhe me ju — si miqë dhe partnerë.”
Për këtë bashkim bashkëpunim dhe vlerash të përbashkta amerikano-evropiane foli gjithashtu javën e kaluar edhe Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë një vizite në Varshavë të Polonisë, ku manifestoi vlerat e përbashkëta të Amerikës me kombin polak dhe me Evropën në përgjithësi, ndërsa theksoi se për dy kombet tona, “trashëgimia që ne ndajmë i ka rrënjët thellë në historinë tonë, është e gjallë në komunitetet tona sot dhe u jep energji të reja parimeve që na bashkojnë.” Numri dy i diplomacisë amerikane vizitoi Varshavën për të festuar 225-vjetorin e kushtetutës polake që është më e vjetra në Evropë, dhe e dyta në botë pas kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, “Një dokument”, që sipas tij, “përgatiti rrugën për themelimin e lëvizjeve demokratike anë e mbanë botës, në mbështetje të realizimit të aspiratave universale njerëzore.” Gjatë historisë, u shpreh diplomati amerikan, “dy kombet tona kanë njohur momente triumfi dhe periudha tragjedishë të mëdha”. Por ajo që është me rëndësi është fakti se si ne, si qytetarë dhe si qeveri, përballemi me momente të tilla historike dhe “Nëse ne bashkohemi dhe qëndrojmë pranë dhe me njëri tjetrin në mbrojtje të lirisë, të demokracisë dhe zbatimit të ligjit, përballë rreziqeve, trazirave dhe përçarjeve që na kanosen”, tha zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Numri dy i diplomacisë amerikane u kujtoi polakëve vizitën e Papa Gjon Palit të dytë (me origjinë polake) në Amerikë dy dekada më parë, duke cituar Papën Vojtila i cili ka thënë me atë rast se, “Çdo gjeneratë duhet të dijë se liria nuk qëndron vetëm në faktin se duhet të jemi të lirë të bëjmë çdo gjë që dëshirojmë – liria e vërtetë duhet të bazohet dhe të garantojë të drejtën për të bërë atë që duhet bërë, e që është e nevojshme”, në momente të caktuara historike.
Antony Blinken foli për meritat e Bashkimit Evropian dhe të aleancës së NATO-s dhe vuri në dukje edhe debatin në lidhje me rëndësinë dhe meritat e këtyre dy organizatave sot, ndërkohë që shtoi ai, disa madje kanë venë në pikëpyetje vetë parimet e demokracisë liberale dhe nëse modeli i qeverive tona mund të mbijetojë në këto kohë krizash. Përballë një situate të tillë, shtoi ai, ia vlen të kujtojmë se pse NATO dhe BE-ja janë aq të rëndësishme jo vetëm për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare, por edhe për sigurinë, zhvillimin dhe paqën në secilin prej vendeve anëtare. Ndërsa popujt e Evropës Lindore shëmben komunizmin duke ndryshuar kështu hartën e Evropës, NATO dhe BE-ja, tha ai, këto dy institucione të mëdha transatlantike — të themeluara mbi parimet e demokracisë, të lirisë së individit dhe të zbatimit të ligjit — mbështetën dhe përkrahën tranzicionin paqësor të vendeve evropiano-lindore, nga komunizmi në demokraci. Këto dy organizata, tha diplomati amerikan, do të vazhdojnë të mbrojnë primet dhe vlerat tona të përbashkëta si edhe ato vende që këto vlera e parime i ndajnë me ne.
Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi në fjalmin e tij se, “Në radhët e NATO-s nuk ka qytetarë të klasës së dytë”, ndërsa citoi Presidentin Obama, i cili dy vjetë më parë, në një fjalim në Varshavë ka pohuar se, “Ne qendrojmë së bashku, tani dhe për gjithmonë, sepse liria juaj është edhe liria e jonë.”
- Blinken, pohoi se çdo demokraci, përfshirë edhe atë në Shtetet e Bashkuara, i ka të metat e veta. Por debati dhe dialogu i sinqert janë të doesmodoshëm në një demokraci të mirëfilltë, ashtu siç është e rëndësishme edhe ndarja dhe pavarësia e pushteteve qeveritare, si dhe respekti për pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe të drejtësisë.
Edhe në Shqipëri dhe në Kosovë u shënua “Dita e Evropës”. Pas pranimit në parim të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi të draftit përfundimtar të reformës në drejtësi, Përfaqsuesja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin u shpreh nga Shkodra se — megjithëse Shqipëria ka shumë punë për të bërë në rugën e antarsimit në BE — ka ardhur koha, shtoi ajo, që Këshilli i Evropës të rekomandojë hapjen e negociatave për antarësimin e Shqipërisë në BE. Ndërsa në Kosovë, ku dita e Evropës është ditë feste, u mirëprit propozimi për liberalizimin e vizave, por u theksua njëkohsisht edhe rruga e gjatë dhe e vështirë me të cilën përballet vendi drejtë integrimit të Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ministri i Integrimeve i Kosovës, Z. Bekim Çollaku pasqyroi ndjenjat e shumë vetave në lidhje me integrimin e Kosovës në organizmat evro-atlantike, ndërsa u shpreh se, “Nuk ka rrugë të shkurtër, në udhën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”. Fatkeqsisht, kjo vlenë edhe për Shqipërinë. Për një kohë të gjatë tani, zyrtarët evropianë i kanë bërë të qarta qëndrimet dhe kushtet e tyre për antarësimin e shqiptarëve në organizmat evro-atlantike.
Demokracia nevojitë mençuri dhe virtyte, por edhe debat dhe dialog të mirëfilltë me respekt ndaj njëri tjetrit dhe kushtëzon ndërtimin e institucioneve bazë për një demokraci të mirëfilltë, përfshirë një parlament përfaqsues të popullit, parti politike të mirëfillta, shtyp të lirë, shoqëri civile me liri veprimi, polici të përgjegjëshme dhe profesionale dhe natyrisht një sistem të pavarur juridik dhe gjyqësor. Janë këto vlera amerikano-evropiane që kanë karakterizuar NATO-n dhe BE-në gjatë dekadave – “të bashkuar në qëllime dhe parime”. Ndonëse siç pohoi edhe Ministri i Integrimeve i Kosovës, Z. Çollaku, i cili tha se nuk ka rrugë të shkurtër drejtë integrimit në BE, është e qartë se sado e gjatë të jetë kjo rrugë, për kombin shqiptar nuk ka rrugë as alternativë tjetër përveç integrimit të tij të plotë politik dhe ushtarak në organizmat evro-atlantike! Në “Ditën e Evropës”, kjo është dëshira jo vetëm e shumicës së shqiptarëve, por njëkohsisht është edhe vullneti dhe dëshira e miqëve perëndimorë që kombi shqiptar të zejë karrigën e vet në radhët e kombeve evropiane, aty ku gjithmonë e ka pasur vendin. Por ky objektiv mund të arrihet vetëm nëqoftse realizimi i këtij qëllimi do të bëhet prioriteti numër një i politikës shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
ISTITUCIONET KOMUNALE TË PLAVËS MIRËPRESIN FERRAJT
Të shtunën në Plavë kryetari i Kuvendit Komunal të Plavës zt Orhan Shamanoviqi priti në një takim pjesëtaret e familjes Ferri që jetojnë në Prishtinë : Akademik Rexhep Ferri, Dr. Naser Ferri, ekonomist Arben Ferri, dhe Bind Ferri student i shkencave kompjuterike (djali i dr Naserit). Takimi kaloj në një atmosferë të ngrohtë dhe u vendosen kontakte direkte dhe të ndërsjella në mes familjes Ferri dhe organeve komunale të Plavës dhe njëkohësisht u bashkëbisedua lidhur me rolin dhe peshën historike që ka familja Ferri për Plavë Gucinë si tërësi. Pastaj së bashku dhe me shoqërimin e kryetarit te Kuvendit Komunal të Plavës zt Orhan Shamanoviq shkuan për të bërë homazhe tek varri i heroit Kombëtar Jakup Ferrit.
Më këtë rast u konkludua se, fatkeqësisht, gjer më tani varri i kryetrimit te Plave Gucisë është neglizhuar por u dakorduan që për momentin do të bëhët vendosja e gurëve identifikues tek varri i Jakup Ferrit, pastaj në një të ardhme të afërt shpresojmë të bëhët një zgjedhje adekuate për rregullimin e varrit dhe të ngritjës së një monumenti të merituar.
Pjesëtaret e familjës Ferri u ndan ta kënaqur nga takimi me zt Shahmanoviqin dhe me mikpritjen dhe premtimet që i bëri ai.(E dergoi per Diellin:Esad Gjonbalaj)
Indinjatë
…. U thoni këtyre të indinjuarve, përfshi edhe emrat e shtypit se, na i futët kokën në hale mirë e mirë. Na ngjyet për ibretin tonë dhe qejfin tuaj. Tani na hiqeni edhe të indinjuar.
Duhet gjak i ri vëllezër, gjak i ri./
Nga Ilir Levonja/
Shoh në shtypin shqiptar një indinjatë gjysmake. Ose herë me zë dhe herë zë ulët. Një indinjatë me gjysmë krenarie. I pari kryetari i një partie politike. Tek-tuk ca ish qeveritarë parlamentarë. Dhe sot shtypi me të zakonshmit e tij. E gjitha kjo në lidhje me pjesmarrjen e dy ambasadorëve në mbledhjet e grupeve parlamentare të politikës sonë.
Nga t’ia fillosh? Eshtë ca e koklavitur kjo puna jonë për kaq e aq vite tashmë. Për faktin e thjesht, deri sa nuk arrijmë të krijojmë vet marrëveshje e ligje. Nuk ka asnjë dyshim që do humbasim plotësisht seriozitetin tonë. Nuk ka asnjë dyshim që do na marrin prej dore. Do na ulin në bangot e shkollës. Dhe do na çokin kokën sa herë të interpretojmë fjalët e njërit apo tjetrit. Me të njëjtin avaz…, sipas oreksit partiak dhe jo atij që i shërbën një kombi të tërë. Por edhe nga mendësia e bërjes së reformave me paraqëllim dashakeq. Që tashmë është kthyer në një luftë të dukshme ku shqiptarët po hanë njëri-tjetrin.
Duhet ta kuptojmë përfundimisht se, po nuk u prirëm nga strategjia kombëtare. Kurrë nuk ka për të pasur reforma të mirëfillta në vendin tonë. Nuk mund të bëhen ato me mendimin se do të fus unë ty më parë apo ti mua aty në burg. Reforma që i kushtëzojnë inatet dhe hakmarrjet personale etj. Ndaj kjo quhet zvarritje. Ndaj të huajt asistojnë. Sepse me sa po kuptohet. Dhe duhet ta marrin vesh mirë shqiptarët. Këta të huaj për një apo dy arsye, e kanë ndarë mëndjen tashmë të na fusin në Europë.
Dhe përse jo, kur shqiptarët janë tashmë faktor në Perëndim. Ku nuk i gjen ata.
Por me që jemi tek marrëveshjet. Për paaftësinë tonë për të bërë të tilla. Po shikoja para pak ditësh. Pikërisht prillin e largët të demokracisë shqiptare. Konstituimin e parlamentit të parë pluralist shqiptar. Një lloj veprimtarie si të thuash me kafshim buze. Pasi ishin bashkë mëkatarë, mëkatues dhe pretendues të pluralizmit politik. Seanca e parë e kohës nisi me një nocion kushtëzues. Të zbardhet ngjarja e 2 prillit në Shkodër. Pra vrasjet e atyre studentëve që në fund të fundit ishin vërtetë pionerë të shprehjes së mendimit. Biles në sallë ishte edhe ministri i kohës. Ai që akuzohej drejt për drejtë. Ai që sot quhet babai i çeliktë i vijës së Ps-ës, Gramoz Ruçi. Ngjarja nuk u zbardh asnjëherë dhe për rrjedhojë as autorët. Në të njëjtën situatë edhe sot. Ndërsa demokratët bëjnë fajtorë socialistët për ngjarjen e 2 prillit. Fajtorët nuk gjetën, nuk u dënuan. Po kështu edhe sociliastët për 21 janarin. Këmbëngulin me babain e çeliktë të tyre. Që edhe pse e kanë në mesin e tyre xhevahirin e 21-shit, prapë vetëm sa akuzojnë, pretendojnë dhe asgjë më shumë.
Megjithatë në demokracinë e ”re” tonën, si pretenduesit, akuzuesit dhe të akuzuarit rrinë ulur bashkë. Kanë qeverisur dhe po vazhdojnë të qeverisin pa konkluduar asnjëherë në një reformë të mirëfilltë. Shikojeni për kuriozitet këtë konstituim. Dhe më thoni me këta emra do bëhen reformat në Shqipëri. Shikojeni dhe të kuptoni revanshin politik të teknicienëve. Dhe stanjacionin kombëtar. I cili përbëhet me dyndje ambasadash, dyndje llotarish, fondacione huadhënëse, rrugë malesh për në Greqi. Viktima Otrantosh dhe fermerë të protustitucionit, kanabist, tarafit dhe mikut.
Dhe a e dini përsenë.? Sepse u kanë pushtuar teknicienët. Se vendi është i mbushur me teknicenë, marifetçinjë, jo reformatorë.
U thoni këtyre të indinjuarve, përfshi edhe emrat e shtypit se, na i futët kokën në hale mirë e mirë. Na ngjyet për ibretin tonë dhe qejfin tuaj. Tani na hiqeni edhe të indinjuar.
Duhet gjak i ri vëllezër, gjak i ri.