• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Takim mbreslënës në degën e Vatrës në Jacksonville

May 5, 2016 by dgreca

Dega e VATRES në Jacksonville,  Organizon me 13, 14 dhe 15 Maj, 2016, Festivalin Tradicional Shqiptar në Surfin Somboeros, buzë oqeanit. Janë ftuar Degët simotra të Vatrës në Tampa, Fort Lauderdale dhe Orlando,si dhe personalitete të jetës social kulturore, politikës dhe religjioneve fetare, si z. Edmond Brahimaj alias “Baba Mondi”, me cilësinë e Kryetarit të Kryegjyshatës Botërore, dhe prof. Nusret Pllana nga Kosova, këngëtarë nga mëmëdheu, grupe valltarësh në Diaporë, etj…/

****

Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, shkrimtarja dhe publicistja Raimonda Moisiu ishte në fund të prillit mysafire në degën e Vatrës në Jacksonville. Znj. Moisiu, e cila ndodhet prej disa javësh  në Jacksonville, Florida,  u prit në një takim mbresëlënës nga Bordi drejtues i degës së Vatrës, në qytetin e bukur dhe historik të Jacksonville.

Ky takim u organizua nga Kryetari i Degës së Vatrës, Jacksonville, Adriatik Spahiu. Ishin të pranishëm në takim  Bordi Drejtues i kësaj dege: Nën/Kryetari  Rexhep Gabrica, Sekretarja, Diana Male dhe anëtarët e bordit; Lavdie Mato, e cila është edhe Drejtoresha e Shkollës së Parë Shqipe në Jacksonville, Florida, bisnesmeni Sandër Martini, Hasan Hakrama, bisnesmeni, Gjon Lleshi, dhe kandidatët për anëtarë bordi, bisnesmeni Indrit Këllezi dhe pinjolli i familjes legjendare, kombëtare, heroike dhe historike Jashari, Bastri  Jashari.

Kryetari i Dega Vatra, Jacksonville, Florida, z.Adriatik Spahiu, duke i uruar mirëseardhjen, znj. Moisiu, dhe pasi bëri prezantimin e saj me bordin, – u shpreh se ndjente kënaqësi të vecantë të prisnin një personalitet të letrave shqipe, artit dhe kulturës shqiptare në Diasporë dhe më gjerë, por edhe me cilësinë e Kryetares se SHSHSHA-së. Në një atmosferë të përzëmërt dhe mbresëlënëse  enthusiazmi dhe optimizmi, Kryetari i Degës, z. Spahiu bëri një paraqitje të veprimtarive dhe aktivitetin e kësaj dege që prej themelimit e deri më sot. Z. Spahiu u shpreh se ka qenë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me anëtarët e bordit, vatranët e thjeshtë dhe komunitetin e biznesit shqiptaro-amerikan në Jacksonville  Florida, që me punën e tyre të palodhëshme mbështetin fuqishëm shpirtërisht e materialisht, si burimin e cdo idealizmi dhe  kanë mundësuar realizimin me sukses dhe përfaqësimin më mbresëlënës, interesant dhe historik, në shtetin e Floridës,  por edhe më gjerë në Diasporën shqiptare, jo vetëm për ndjenjat atdhetare,  patriotike e  kombëtare,  por edhe për  unifikimin dhe promovimin e  vlerave tona kombëtare dhe identitetit shqiptar,  zhvillimin ekonomik e kulturor, ruajtjen e gjuhës amëtare,kulturës e traditave shqiptare e patriotike, integrimin e identitetit shqiptar krahas kulturave të tjera në tokën amerikane.  Në fjlaën e tij, z.Spahiu mes të tjerave u shpreh se; Për një mision të vecantë kombëtar e historik jemi në Organizimin e Festivalit Tradicional Shqiptar, -i cili do të zhvillohet për herë të parë në Jacksonville, Florida, nga Dega e Vatra ,-për tre ditë me rradhë, në dt 13, 14 dhe 15 Maj, 2016, në Surfin Somboeros, buzë oqeanit. Aktiviteti do të jetë shumëdimensional ku janë ftuar Degët simotra, të Tampa, Fort Lauderdale dhe Orlando,personalitete të jetës social kulturore, politikës dhe religjioneve fetare, vecmas me praninë e  z. Edmond Brahimaj alias “Baba Mondi”, me cilësinë e Kryetarit të Kryegjyshatës Botërore, dhe prof. Nusret Pllana nga Kosova, këngëtarë nga mëmëdheu, grupe valltarësh në Diaporë, etj. Aktiviteti do të promovojë bisnese të kategorive të ndryshme nga kompani bisnesi shqiptaro-amerikane  që operojnë në shtetin e Floridës, rrethinat e tij dhe në tërë Amerikën. Secili anëtar i bordit shprehu mendimi dhe ofruan ndihmën e tyre morale dhe financiare për mbarëvajtjen dhe realizimin e këtij Festivali thënë ndryshe Manifestimi Madhështor të Identitetit Shqiptar në Floridën e bukur amerikane.

Në fund  znj. Moisiu falenderoi Degën Vatra, Jacksonville, Florida, për pritjen e ngrohtë. Ajo tha se ndjehej e nderuar dhe shprehu kënaqësinë që ndodhej mes vatranëve të Jacksonville, me cilësinë e Kryetares së SHSHSHA-së, por edhe si një zë femëror krijues, intelektual e qytetar, si bashkëkombase e juaj, duke vlerësuar ndihmesën, bashkëpunimin dhe bashkëveprimin mes kyesisë dhe Bordit drejtues të Degës Vatra, Jacksonville, Florida.

Në fund u shtrua një darkë tradicionle shqiptare  në restorant “Roma”, me pronar shqiptarin, z. Gasper Lukaj. U trokitën gotat e verës dhe u ngritën dolli, ku nuk munguan edhe fotot.

Filed Under: Vatra Tagged With: Jacksonville, Mysafire, Raimonda Moisiu, tek dega e Vatres

NOBELISTET-PIRANDELLO, NOBELISTI I IX

May 5, 2016 by dgreca

NOBELISTI  IX  1931/         

NE FOTO:LUIGI PIRANDELLO, NOBEL 1934/

Luigi Pirandello (Girgenti, 28 qershor, 1867 – Romë, 10 dhjetor 1936) ishte një dramaturg, shkrimtar dhe poet italian, i nderua me Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1934. Për prodhimin e tij, çështjet që shqyrtohen dhe inovacionit të rrëfimit teatror  konsiderohet ndër dramaturgët më të mëdhenj të shekullit të njëzetë. Ndër veprat e tij spikasin  disa romane dhe tregime të shkurtra  dhe rreth dyzet drama , e fundit prej të cilave jo e plotë.

MOTIVACIONI:

«për guximin e tij dhe përfaqësimin e zgjuar  të artit dramatik dhe teatral»/

GLOBI

Ja globi: një top kartoni,

që  rrotullohet rreth një boshti të brendshëm.

Rrotullohet…pista me ngjyra të ndryshme

synon kufirin e vet, të çdo kombi.

 

 Ky, është Oqeani Atlantik; dhe është det

sa i kaltër duket. Kjo masë dallgësh

këtu janë malet: Alpet. Roma

është kjo pikë që duket e s’duket.

 

Kush do ta dallonte në shikim të parë? Megjithatë

ka njerëz të mëdhenj, madje të pavdekshëm,

në këtë lodërzë ; të këqija të mëdha

dhe të mira të mëdha dhe dashuri të mëdha dhe përkujdesje…

 

Prandaj unë e mbaj atë në duar,

e rrotulloj me një gisht.

Lojë e marrë! I japim fund?

Përgatit katastrofën e botës për nesër.

Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Faslli Haliti, NOBEISTET-PIRANDELLO, NOBELISTI I IX

KISHA E SHËN MËHILLIT – SHENJTORI I KATËRT

May 5, 2016 by dgreca

BERATI DHE TRIDHJETË E NJË APOSTUJT E TIJ/
Tridhjetë e një ese nga Xh.Ll./
 Ese nga Xhevair Lleshi/
 Basti ynë u vendos në çastin e fundit. Ai që do të mundej do ta pësonte duke pirë një shishe verë plus! Po, nga vera e kantinës Riko në Goricë, pasi Landi ka edhe verën më të vjetër, sido që Zoi Kumati, që tani rri i degdisur andej nga Lioni e Parisi, e sjell ndërmend (vetëm kaq) por jo se merret me verërat. Me mikun tim piktor u takuan në Rogner, pimë një kafe dhe unë ia kujtova që për të parë një qytet të rrallë nuk mjaftojnë edhe javë të tëra. E pranoi sfidën dhe ne do të niseshim një mëngjes me shumë diell e dritë të vesuar prilli. Makina dhe shoferi ishin gati. Ne do të rrinim të dy pas, me shpresën se nuk do të ngopeshim duke folur rreth asaj që na priste. Por, miku im piktor, s’ma vari, vuri kufjet dhe më tha se kishte përgatitur sipas mënyrës së tij njëqind fraza në anglisht, të deklamuara nga aktorë të vërtetë anglezë me një diksion dhe ritmikë të përsosur, kështu, me të mbërritur në Berat, do t’m’i thoshte tëk e tëk e tëk pa bërë asnjë gabim. Ai u krodh në anglishten e përcaktuar si detyrim personal, ndërkaq mua më duhej të vizatoja mirë me mend planin e vizitës. Ku do të ngecte si miza në mjaltë, që sigurisht s’e kishte të parën herë që vinte në Berat? Eh, në të vërtet do doja që këtë vizitë me bast ta bëja me Roland Gjozën dhe t’i hipja me të kalit të përrallës, e t’i tregoja ato që as mëma e tij s’ia ka treguar ndonjëherë. Për mua ka qenë gjithnjë mundësi dhe një marifet i vogël të mësoja pikat më të nxehta e të padukshme të këtij qyteti që u bë imi falë këmbënguljes, dëshirës dhe dashurisë. I pari që m’i futi fitat ka qenë Todi, mjeshtri i muzeut, ciceroni i famshëm që në rininë time të parë. Dhe, nuk kishte si Todi ynë. Dinte të mbërthente zjarrin me dorë dhe ta mbante shpuzën e rrëfimit ndezur gjithë kohën. Është e tepërt të them se xha Todi vdiq ndanë një sokaku në Mangalemin lindor dhe nuk e kapte njeri me dorë nga frika e ndonjë sëmundjeje ngjitëse. Prej tij i mësova misteret e Beratit, që të dalin përpara dhe të zënë pritë papritur, aq sa befasia të mban frymën dhe ti mbetesh si një budalla i vogël para tij. Hesht. Bukuri, edhe heshtja duhet, se dihet, me heshtje janë mundur ushtri të mëdha, janë pushtuar Kala dhe… unë tek thirrja e osmanit të famshëm spiun që u ngjit me litarë drejt Tabies… do ta filloja me mikun tim…
Ja dhe rruga prej 120 kilometra nga Rogneri në sheshin «Teodor Muzaka II» në Berat mbaroi. Një orë e treçerek. Shoferi e quante veten kampion. Ndoshta. Im bir, kur sillte Redon Makashin me një Benz tjetërsoj e kishte bërë për një orë, nga teatri popullor në teatrin e qytetit. Por ky do të ishte rekord tjetër. Ndërsa miku im piktor e mbajti fjalën, duke m’i thënë përmendësh të njëqind shprehjet anglisht, deklamuar si aktorët anglezë të regjistruar në një CD origjinale, unë i bëra pyetjen e parë sa për të thyer kureshtjen: A e dinte ai se cili ishte kampioni i botës në njohjen e aromave? A e dinte piktori ynë se rekordi Guinness për aromat (1001 të tilla, sa edhe përrallat e Persisë së famshme) dhe rekordmen ishte Kela Mbuhuri që nuk ia përmend njeri emrin. Është emër i harruar si edhe emri i Nasi Papapavlit që mbrojti kodikët e famshëm dhe ua solli njerëzve sot në duar, edhe pse s’jeton. Ehu, shpirti është mes nesh. Tjetër gjë shpirti, apo jo?! Dhe Kela Mbuhurin e gjeje gjithnjë mbi lule, nëpër bezgat e kalasë, në Tomor e në Shpirag, në damarët e Myzeqesë dhe mbi pllajën e Dumresë. Kudo. Thonë se edhe Alpet i kishte prekur dhe aromat ia njihte. Çudi. Ne të zakonshmëve edhe kishat e një qyteti na duken krejt të njëjta jo më aromat. Ja, e dinte ky se… Do ta fillojmë me muzeun etnografik, i thashë. Të duhet pak tranazh. E di atë tranazhin e ushtrisë «vishu-zhvishu» para krevatit në mënyrë që t’i zërë gjumi shpejt, apo jo? Edhe unë do ta tregoj një nga misteret. Se Berati ka 999 mistere, ta dish. Duhen 999 net dimri që t’i tregoj. Lum ai që ka durim. Por një mjafton në pak sekonda. Një nga këngët popullore qytetare të Beratit (ia këndova, duke theksuar vargjet «ky jeleku i ngushtë në sqetull, iu thefshin duart kush ta ka qepur!» Perlë, apo jo? T’u thyeje duart rrobaqepësve se vajza rritej brenda natës dhe jeleku i djeshëm s’bënte më sot, se gjoksi i saj ishte bymyer nga prilli – me siguri prill ka qenë edhe atëherë kur u qanë me lot këta vargje, ndoshta si ky prill me diell të vesuar sot, teksa u nisëm nga Rogneri i famshëm…) Si do ta bënte piktori ynë portretin e asaj vajze? E kuptoj, më tha, çdo gjë e bukur, nis me vargjet e një kënge të famshme. Deri tani basti anon nga ti. Të shohim. Ecim, se u bëmë vonë. Do t’i biem nga rruga e Telelkave. Dhe dalim atje ku duam. E ku duam ne sot? – pyeti.  Kisha e Shën Mëhillit. Ku? Atë kishë e njoh me centimetra. Si? E njeh? Po basti, si? Njëri nga ne të dy do ta pijë atë verë! Mirë, le të bëhet si thua ti. Vajtëm. Porta. Kambanorja që ngrihej në shkëmb. E gjithë kisha zgjatet në gji të shkëmbit dhe humbet brenda vetes. E sheh dot si u fsheh? – e pyeta. Nuk e shoh. Po çfarë shikon ti!? Mbaje mendjen këtu. Kemi hyrë në kishë. Qetësohu. Merr frymë thellë. Se, para se të vizitohet kjo kishë duhet bërë ushtrim joge. Kuptohet, kërkon të më sugjestionosh. Marifetçi bastesh qenke! Jo, mor vëlla, këtu jemi në Shën Mëhill. Kujdes shikoji ikonat, mundohu t’i prekësh me dorë. Ta them vërtet. Dhe piktori, miku im, zgjaste duart të prekte ikonat dhe duart nuk arrinin dot tek ato. E pse? Ç’po ngjet? More rrufjan, se mos më bën magji. E si mund t’i ndalosh duart e mia për të prekur ikonat e famshme? Ç’thua, s’ka bërë vaki ndonjëherë. E di pse ndodh kjo? Ndodh që atij që ka dashur t’i prekë për herë të parë ia kanë prerë duart. Të dyja. Dhe tani, për të mos u prerë gjithë duart e njerëzimit, se njerëzit rrojnë, hanë e pinë me ato të uruara duar, (sindozot ti bën edhe piktura me mollëzat e gishtave, apo jo? Të themi edhe ndonjë ikonë të re!…) dhe si i bëhej hallit? Ja përse ndodh kjo. I nxit ikona, i tërheq. Po të duash puthi, të lejojnë, të pranojnë me nderim të thellë. E pra, puthe njërën! Piktori u afrua dhe e puthi cepin e ikonës. Mos ki frikë, nuk të ha! Tani afroji duart. I afroi. Sa ta prekte dhe dora mbeti në afërsi, punë milimetri. Shtjellë ajri? Magji? Ç’të të them! Ngeci para ikonave miku im piktor dhe merrte e jepte për të prekur misterin e Shën Mëhillit. Është shpirti i shenjtë, Shën Mëhilli i famshëm, që nuk të lejon. E puthura është shpirtërore dhe lejohet të arrihet si mundësi. Puthja mbahet mend, prekja jo. Ti mund të përdorësh duart në mënyrë fantastike dhe nuk ke mundur dot ta arrish atë ndjeshmëri të lartë që të dhurohet nga Perëndia prej të puthurës. Kështu që ikonat e Shën Mëhillit i mbron një tjetër shpirt, sepse dora që i ndërton, ajo dhe i shkatërron. Jetojnë bashkë vesi me virtytin! Si thua? E dhe provimin hyrës në ikonografi? Qeshi. M’u duk se s’përmbahej nga inati dhe i dukej se një botë e tërë fantazmash ishte e pranishme aty. Do detyrohej ai edhe unë të kalonim në labirintin e tyre të përfytyruar. Iu afruam një dritareje të ngushtë. Vështro, i thashë. Dhe pa. Tomori larg. Më afër Osumi. Pjesa poshtë e qytetit. Ndihej një puhizë e këndshme. Tani vëri re muret. I sheh? Jo. Bukur. Dalim përjashta atëherë. Vijmë te dritarja. Kujdes se është shkëmb dhe mund të biesh. Kujdes se ka nepërka, po lutju Zotit që jemi në prill dhe ende s’kanë dalë, por në zgjim janë, po u mbaron gjumi letargjik. Helmi i këtyre nepërkave të Shën Mëhillit është ilaç, more vesh. E pinë ata, shenjtorët, se duhet të ketë fuqi që të prodhojnë rrymën e pandjeshme të ajrit që ndalon duart e tua. Të njeh Perëndia ty, duket! Dhe t’i ndal duart. Po, e lëmë më mirë. Tani shih nga jashtë brenda kishën. Sheh gjë? Jo! Si qenka e mundur? Ti po më luan mendsh mua! Pse e ke kapur kaq keq, zotëri? Kam ardhur qindra herë këtu, po me këtë gjuhë s’ka folur njeri me mua. Duket se po vë në përdorim imagjinatën e shfrenuar, që ma paske naaa! Hapi krahët dhe sytë nuk i ndante nga dritarja frëngji. Shih e bot. Nuk ngopej, por ama inati që pse i turbullohej gjithçka nuk i shqitej. Si të ishte e mundur? E, pra, mister. Një nga misteret e Shën Mëhillit. Por besimtarëve nuk u ndodh kështu. Ata shohin. Provoje ta gjejmë një besimtar. I tregova se kisha ardhur në kohën kur stërvitesha në njohjen e guximshme të imtësive të panumërta të tregimeve e gojëdhënave të njerëzve. Me Mim Kumatin. Ai shihte dhe prekte gjithçka. E kishim dhe sekretar partie të teatrit. Mimi bënte numra të rrezikshëm, ndonëse i sëmurë nga zemra, por bari i helmët i nepërkës e kishte shpëtuar nga plasja e saj. Mimit ia afronte duart ikona. Mimi shikonte punë e madhe edhe nga dritarja frëngji, nga jashtë brenda, merr vesh? E pra, punë besimi. Dhe kjo nuk është pak. Mendo çfarë shqise të tepërt duhet të kesh. Ke më nga këto në Shën Mëhill? Me kaq s’fiton dot…
I thashë papritur që të gjente Tabien e Kalasë. I hodhi sytë lart dhe e vuri dorën strehë.  Dielli i prillit, ndonëse ishte pak freskët, e digjte shkëmbin dhe mjegulla e çuditshme e tij krijonte një vello të mrekullueshme e të paparë, saqë askush nuk e besonte dot. Ke pikturuar ndonjëherë pas një nape të tillë të lehtë e flurore? E ke shikuar ndonjë vajzë që rri pas një kremi të magjishëm që të zbulon shtatëdhjetë për qind të dritës, brenda një misteri kaq xiglues? Mos thuaj jo. Ja, hidhi sytë sërish. Një zë i thellë, sikur shkapetej nga toka u dëgjua si pëshpërimë e thellë burri që merr frymë me zor, me shpatulla, thellë. «Çekbení!» Ç’është kjo? Duhet ta dish. Këtë e shkruan edhe Evlia Çelebiu i famshëm turk, udhëtari që ua zbuloi këto thesare njerëzimit, duke i parë si një besimtar tjetër lloj. «Çekbenííííí!» Miku im zuri veshët me duar. Shaka e rëndë kjo. Por asgjë nuk bëhej për shaka. Të më besonte. Ato s’ishin zërat e regjistruar të aktorëve më të mirë anglezë për anglishten e tij! Jo. Ato ishin shpirt i dëshirës dhe shpirt i vrarë. Sikur të thoshin se ishte shpirti i Mona Liza Xhokondës të Leonardo Da Vincit, që rënkonte, të gjithë do ta besonin. Sepse Xhokonda tashmë është një figurë botërore. Njëlloj sikur t’i ngjitnin një gjë të pamundshme Mesit dhe njerëzit me siguri do të tundnin kokën, edhe pse s’e dinin atë që mund të kishte ndodhur apo jo! Ç’të thuash! Por ama gdhend fjalët në shkëmb po deshe që në një masiv në Valamarë pikon qumësht, këtë s’ta beson kush! Por atje, ndarë nga Guri i Kamjes barinjtë freskohen nga pika e qumështit. Se qumështi nga bari bëhet dhe rrënjët e qumështoreve fryjnë gjinjtë e malit dhe ky kullon qumësht në guvat e Gurit të Topit, në shpellat e Kamjes dhe në gjinjtë e plotë të Valamarës. Kur fjeta një natë në Valamarën e Istrias m’u kujtuan pikat e qumështit të Valamarës sonë… Ej, mos më thuaj se ka edhe qumësht ky shkëmb që mban në gji këtë kishë? Po, i thashë, por vetëm tani në prill. Veçse duhet të jesh i guximshëm, të ngjitesh në gurë të thepisur për të pikasur qumështore. Dikur, ama dikur, gjeje edhe dhi që flinin aty, bashkë me nepërkat e dhisë, se nuk bënin dot pa njëra tjetrën. I dashur ciceron (unë ciceron?!) pse më the të vështroja Tabien? S’ka nevojë ta them unë. A nuk e sheh që ka një kënd të thyer midis Tabies dhe Shën Mëhillit? Po. Atëherë, mendo sa e bukur do të ishte një ngjitje me ashensor këtu! Perlë. Ti as me mend nuk e merr se çfarë humbasim. Kemi 25 vjet apo 26 nuk e di mirë, që bërtasim e themi se duhen projekte. Po projektet i ha lubia atje në kryeministri, apo në ministri, se nuk mendon për një ashensor, por më së pari për një PPP me ishullin e Piratëve, që do ta ndërtokan kinezët. Na ndërtuan njëherë e një kohë kombinatin tonë për të veshur të paveshurit e botës, madje edhe marksistë-leninistët e zgjuar tek Zoti, kurse tani do ta bëjnë me Ishull! Perëndi e madhe, më gjej vend të futem. E more vesh edhe këtë? Tani do futemi sërish në kishë. Do të dëgjojmë fjalë të vjetra dhe organo. Si? Edhe këto do t’i kemi? Bukur. S’paska më bukur. Qenka si Notrë Damë e Parisit me Kurrizon dhe Esmeraldën. Më keq, i thashë. Por kjo ndodh në pak ditë. Duhet të jesh këtu një javë para Pashkës. Ku e di kisha se kur vjen Pashka? Gjëra të mësuara, Zot. S’ka si shpjegohen ndryshe. Pse, e gjithë toka e Shën Mëhillit kështu qenka? Po a ka mundësi që kjo të mbahet në këmbë nga kureshtja e njerëzve? Po tallesh më duket. Jo, vetë ishe i pranishëm, nuk të dolën ato që të thashë? Po, vërtet. E pra. E fshehta është te besimi. Këtu, i dashur njeri i zakonshëm, bëhet diferencimi i madh: si asnjë dëshmi tjetër që ndodhet në Shën Mëhill, duhet edhe kjo pamundësi: as zërat, as ikonat, as muret, dhe… as besimi nuk mbrohen me xham. Me xham të thjeshtë, nga ai i thyeshmi, ku depërton drita e fshehtë. Se tani njeriu është zhvilluar shumë, bën edhe lojë me drita, apo jo?… 
Mijëra drita e godasin natën Shën Mëhillin dhe ai duket i ngjyruar si i fshehur në ylber. Sa dashuri dinë të falin ata që i besojnë dritës. Por… e dini se Shën Mëhilli u fshihet dritave vetvetiu. Është një nga magjitë e tij të mrekullueshme. Nuk i fik kush dritat, jo. Kjo është lojë kalamajsh dhe as që ngjan me fantazinë e njeriut. Është thjesht dritë dhe kjo po aq thjesht humbet. E bën të mundur ndoshta Shën Mëhilli. Më thoshte dikur kryetari i bashkisë së këtij qyteti se nuk mjafton buxheti i bashkisë për të ndriçuar Beratin, lagjet muze të mbrojtura nga UNESCO. Mirëpo nuk ma zuri ngoje që Shën Mëhilli ia kursente lekët Bashkisë. Edhe kjo çudi ngjante. Por kjo s’kishte të bënte me misteret e tij. Të tjera ishin ato. E merr me mend, i thashë piktorit, mikut tim, se si mund të ngjiteshim pa ashensor në Tabie. Do të dilte shkumë, edhe pse e merr me mend se kjo do të ishte më e bukura. Këtu, në këta shkëmbinj deri vonë nga fundi i viteve gjashtëdhjetë ka rrojtur, në sheshet e braktisura të Shën Mëhillit, Memeci i Dines, ai që i fuste tmerrin Beratit, kur i shkrepte të dilte rrugëve (qejfi i tij ditët e Pazarit!) teksa ndërsente dyzet langonjtë e tij, me hejbet varur në krahë dhe rrobat copë e trokë, leshra lëshuar, zgjyrë e gjallë, që ulërinte me «aaaaa!» dhe «iiiii!»-të e tij të llahtarshme. Ndoshta, për t’u mbrojtur ndryshe, Shën Mëhilli i madhërishëm mori masa urgjente dhe u dha dritë ca gjërave që ne na duken mistike. Duheshin mbrojtur ikonat, muret, drita. Provo të ecësh mbi pllakat e gurta të Shën Mëhillit dhe të ndihesh ngushtë, sepse trupi yt nuk peshon fare, edhe pse je i mbështetur mirë mbi tokë. Mund të jesh, madje edhe peshë e rëndë si puna ime, dhe prapë nuk peshon. Para këtij ligji kozmik, s’qenka gjë edhe obeziteti. Ku m’i gjen më operacionet për të hequr dhjamin. Ta heq fët Shën Mëhilli…
Kështu, miku im, ne mund të ngjiteshim edhe me shkallë të rregulluara bukur, rrethuar me drita anash, drejt Tabies, prej kësaj foleje të Zotit të plotfuqishëm. Dhe do ta meritonim. Turistët, sigurisht, këtë do ta pëlqenin shumë. Dhe kjo do të donte më tepër besim dhe jo aq pará sa do të donte ashensori me kënd të thyer deri në Tabie. E ç’duhet Ishulli i Piratëve para kësaj vepre të madhe? Sepse koha është e vyer. Kush ka nge le t’u bjerë shkallëve, kurse të tjerët do ta mbajnë frymën në Tabie, si për ta përshëndetur edhe njëherë Shën Mëhillin tonë të madh. Ti si thua? E bëjmë ne ashensorin? Pse jo. Do të fitonim shumë. Rrethuar me xham me dritë diellore dhe pse jo edhe fotografike. Do të jetë më e shikuara,  nuk e fsheh. Sigurisht aty do të thuret një enigmë tjetër, ashtu si më thoshte Mim Kumati i ndjerë se Shën Mëhillin nuk e lag as shiu. E provova në kurrizin tim dhe u bëra qull. Ama Mimi nuk ishte lagur. Me mua ndenji. Çudi për të luajtur mendsh. Mirë që ditën e atij fundprilli nuk ra shi se të dy me mikun tim piktor do të ishim bërë si rosat në pellg dhe ndoshta do ta paguanim shtrenjtë këtë bukuri të allasojtë në Shën Mëhillin e ajgëtuar nga të fshehtat. Por, sidoqoftë, moslagien e Mim Kumatit s’mund ta harroj kurrë. Të dy nën shi, të dy ndryshe: ai me teserën e PPSH në gji dhe unë pa të? Mos vallë e kishte fajin tesera? E di që s’do ta zbërthente dot njeri këtë mister. Se askush s’mund ta kishte vullnetin e këtij Shenjti të tjetërfartë nga bota! 
Ndoshta dikur, në dritën e fuqishme të yjeve të shuar (se drita e tyre udhëton, paçka se ata janë shuar me kohë, pse jo edhe mijëra vjet më parë) do të zbërthehet enigma e vërtetë e Shën Mëhillit, që këdo e tërheq me pamjen nga jashtë aq fine dhe me një elegancë të paparë, saqë të fshihet pas një nuri të pathënë ndonjëherë për t’u përmbytur nga blicet dhe dashuria e pafund e njerëzve. Po unë sidoqoftë, mikut tim Roland Gjozës, shkrimtarit që shkruan nën dritën e një tjetër magjie, pafundësisht i dashuruar me zemrën njerëzore, në Nju Jorkun e largët, do t’i thosha që një ditë të bekuar ne do ta ruanim për të qenë bashkë e për të përjetuar magjitë e Shën Mëhillit. Por ai është besimtar dhe unë sërish do ta pësoj. Do të jetë përsëri e bukur. E pashë në sy piktorin. U ngrysëm këtu, i thashë. Do ta pimë verën? Ndërkaq ai u përpoq të rimonte diçka që ngjante me jelekun e vajzës së vogël e të rritur brenda natës së prillit: Shën Mëhill o i uruar, iu thefshin duart kush të ka ndërtuar… Qesha. Po të ishte këtu Faslli Haliti do të jepte një flakërimë që ta mbaje mend e do të thoshte: Pse kështu vargëzohet o trupeshk?! Sidoqoftë ne drekën e hëngrëm në darkë, por ama, basti bast, verën plus e piva vetëm unë!…
 
Tiranë, më 03.05.2016
*

Filed Under: ESSE Tagged With: – SHENJTORI I KATËRT, KISHA E SHËN MËHILLIT, Xhevair Lleshi

Arqile Gjata në Sofrën e Diellit: E kyça detin në gjoksin tim

May 5, 2016 by dgreca

Kush është Arqile VASIL Gjata/
Arqile V Gjata ka lindur më 24-6-1942 në qytetin e Vlorës-Shqipëri.
Aty mbaroj shkollën 7 vjeçare dhe shkollën e mesme(Gjimnazin ‘’Ali Demi’’)
Në vitet 1972-75 vazhdoj Institutin e lartë tre vjeçar në Shkodër për Gjuhë-Letërsi Shqipe. Ndër vitet 1966 dhe derin në vitet 1975 ka shkruar në organe te ndryshme, si ne gazetën “Zëri i Rinisë”, “Puna” dhe në gazetën lokale “Zëri i Vlorës” .
Nga viti 1995 jeton dhe punon në Athinë familjarisht. Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon ngushtë me shtypin Shqiptarë në Athinë ku ka botuar shumë artikuj problemor për emigracionin, reportazhe, skica, poezi, tregime dhe mendime estetike.
Ai ka botuar këto libra:
-‘’Arvanitas me shumë emër’’ Monografi për Aristidh Kolia në vitin 2000.
-‘’Kur trazohet jeta’’, vëllim poetik viti 2005.
-‘’Kurorë me ngjyra’’, vëllim poetik 2006
-‘Qyteti që kërkon muzikë’’ , vëllim me tregime më 2007
-‘’Gratë e poetëve’’ vëllim me poezi  2009
-‘’Një ESSE për Jetën’’ vëllim me esse dhe mendime kritike më 2010 botuar nga Shtëpia Botuese ‘’LULU’’ në SH.B.A
-‘’ Jeta më vjen si poezi’’ vëllim me poezi botuar nga Shtëpia Botuese ‘’LULU’’ në SH.B. të Amerikës Tetor 2010.
-Vëllimi  me poezi të zgjedhura ‘’Kur Thinjet Deti’’ Maj 2012
-Vëllimi poetik, “Lumenjtë janë të vjetër”-Korrik 2014.
A.Gjata është bashkautor në disa Antologji dhe Revista Letrare si: Revista Letrare numër 38-të ‘’Mehr Lict’’, Në Antologjinë e studiuesit dhe kritikut F.Terziu ‘’Vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë Shqiptare’’1 dhe 2. 
Në disa numra tek Revistën letrare ‘’Haemus’’si tregime, esse dhe poezi që botohet nga Akademikët Ardian e Kopi Kyçyku në Bukuresht, ‘’Pelegrini’’, ‘’Pegasi’’, ‘’Çelësi i shpirtit’’ (në Rumanisht).  ‘’Qiejt e shpirtit’’ si dhe bashkautor në Antologjinë’’EAGLE’S VOICES’’ në Anglisht, që sot është pronë e Biblotekës  Mbretërore të Anglisë. Në Revistën ‘’Obelisk’’.
Ai është pasqyruar në Antologjinë me autorë vlonjat ‘’Mendime estetike mbi letërsinë bashkëkohore’’ nga Eqerem Canaj
Bashkautor në Antologjinë e krijuesve emigrant ‘’As i gjallë dhe as i vdekur’’ botuar në Suedi nga Shkrimtari dhe poeti Bahtir Latifi.
Bashkëautor në vëllimin me kujtime të Lavdie Bisha ‘’Ti je Lulja më e Bukur e Jetës’’ Nëntor 2011.
Ai është bashkautor në Antologjinë poetike ‘’LOTËT E VIRGJËR’’ Mars 2012 përgatitur nga Agim Mato dhe Dr. Fatmir Terziu botuar nga Shtëpia Botuese LULU në SH.B.Amerikës.
Në shkurt te vitit 2014 është pjesëmarrës në antologjinë poetike botuar nga Mark Simoni me poezi për Muzgun!
Arqile Gjata ka disa cikle poetike të përkëthyera e të botuara në anglisht, greqisht, rumanisht dhe rusisht.
Ai është prezantuar me cikle poetike dhe në shumë gazeta të ndryshme elektronike dhe jo elektronike në mbar botën Shqiptare. etje.
Ai  është redaktor në tre vëllime poetike; të vëllimit “ËNDRRA PA QIELL” të poetit  Gëzim Strora dhe në vëllimin poetik “SYRI I SË DIELËS” i poetes Lida Lazaj dhe në vëllimin poetik “Kur shkrova dhimbjen” të autores Irena Gjançi.
Arqile V Gjata ka marrë pjesë në krijimine e KUVENDIT mbarëkombëtar të krijuesëve në diasporë më 23 Nëntor 2013 në Koblenz të Gjermanisë, ku dhe është zgjedhur si një nga N/Kryetarët.
Krijuesi A.Gjata njihet dhe si një publicist sidomos gjatë viteve 1995 e deri më sot në emigracion-Greqi dhe në faqe të ndryshme elektronike.
Ka në proces një vëllim me përsiatje letrare dhe skica poetike.
Së fundmi është vlerësuar me Çmim të tret në Konkursin letrarë “Frang Bardhi” me poezinë  “Ngjyra e verdhë e jetës”.
Në numrin 4-r të Revistës Letrare “METAFORA” , Organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës  është paraqitur me një cikël poetik.
Arqile Gjata është dhe fitues i Çmimit të tretë ne konkursin ndërkombëtarë “Frank Brdhi”  2014 organizuar nga ATUNIS.
Është pasqyruar me poezi në Revistën Letrare “Pelegrini” Numri 21
Në Mars 2015 botoj vëllimin poetik Italisht-Shqip  “Nella note di primavera”.
Ka marr pjesë në Koferencën e 9-të Ndërkombëtar organizuar nga Universiteti  i Evropës juglindore, Fakkulteti i Gjuhësisë, Kulturave dhe Komunikimit, Katedra e Gjuhës dhe Letësisë Shqipe me një temë studimore për poezin e Poetit  Murat Isaku.
 
Në Korrik 2015 botoj librin historik “ NJË JETË ME SHOQATËN ATDHETARE “VËLLAZËRIMI”
Ai është Anëtarë i Klubit të Shkrimtarëve “DRITA”.
Jeton me familjen si emigrant në shtetin Grek-Athinë prej vitit 1995. 
Së shpejti do botoj një vëllim me poezi të zgjedhura në Anglisht dhe Italisht Si dhe një vëllim me poezi dhe një vëllim me studime letrare. 
****
“Kur ika nga Vlora
 e kyça detin në gjoksin tim, 
të mos i dëgjoheshin jashtë meje rënkimet.
Kur më merr malli për të
shtrydh gjoksin
 t’ia dëgjoj këngët e fëmijërisë.”
                                                                      Nga vëllimi poetik “Gratë e poetëve” 2009
Eshtrat  m’i mbillni  buzë detit,
…i bukur do ishte varri im!!
Të  gjithë kemi harruar të qajmë,
m’i vodhën lotët
                                       njerëzit e tokës time.
 
 
 
                        ***
 
Nëpër duar
më  ka filluar t’më vdes koha.
Me krahë  të hedhur mbi dritën e njohjes
pashë  veten time aq të vogël,
                                          sa një  fije kashte.
 
 
 
              ***
 
M’u kujtua ikja e yjeve
nga frika e mureve të  ftohtë,
për vajzën e bukur, që  iku…
          pa kthyer kokën pas
 
 
 
DUA TË FLAS ME TY VLORË
 
 
Dua të flas me ty Vlorë,
po mendoj…
të ngjisë shkallët e rivjerës
të t’vi pranë përsëri me puthjen e memories
të pështillem me erën e detit,
syri i diellit të më shuaj mallin
për fëmijët e lagjeve ku kam fjetur
të mbytem në aromën e luleve të limonit.
 
 
***
 
Shfletoheni Vlorën…
do gjeni madhështi, emra stërgjyshësh
e shumë varre të dashuruarish  që nuk vdesin. 
Shekujve t’u përkulemi,
t’i pikturojmë!
 Ato shpesh marrinë flakë
e sytë kureshtarë të kohës
pëshpërijnë nëpër ullishte
dhe rrugët këndojnë këngët e agrumeve.
 
Për ty Vlorë, më vjen keq 
të kanë sëmurur shumë  e drurët e pyjeve
me vetmin e tyre grinden. 
Të shoh të ngrysur, me fytyrë të lodhur 
dikur, vajzat e djemtë e tu mbanin bukurinë 
tënde nëpër duar.
Nga pikëllimi poetët,  harruar ullishteve të moçme
po  mbiellin pisha,
të mposhtin druvarët dhe unë
po shkruaj letrën e dashurisë
 qytetit tim…!
 
 
 
KUR DASHUROVA KUKUVAJKËN
 
Shumë pak e dinë,
duhet jetuar dhe me Kukuvajkën.
Qava
kur këndoi për festën tonë!
 
Në pyllin e melodive
kënga e saj ka dhimbje
edhe në kohë mjegulle
mbi flokët e pemëve
këndon këngë të çuditshme!
 
M’u dhimbs,
sa shumë lëndohesha
kur ajo vajtonte për jetën.
 
Lodhej kukuvajka ditënetëve të syrit,
se si mund të puthësh ngadalë këngët e harruara
që erdh’ e u bënë tek unë
poezi!
 
Dhe kukuvajka dashuron
dremit në fytyrën time!
Në çdo stinë
në qiellin e kohës
këndon kukuvajka!
 
Një ditë prilli,
tek kukuvajka m’u tret shpirti,
nuk guxoja ta shikoja se si fliste
e nëpër muret e kohës
puthja jonë u tret, nuk na ngroh më!
 
Ajo
këngën e ikjeve ka si kujtim!
Përqafojmë njëri-tjetrin 
si dy fëmijë jetim.
 
Dashuria për kukuvajkën
mbeti për mua,  legjendë!
 
 
 
MË PRIT TEK KODRA E KUKULLAVE 
 
 
E dashur, eja!
Eja të shlodhemi  livadheve të kujtimeve tona!
Më prit tek Kodra e Kukullave
të ngremë balona si atëherë kur u dashuruam,
ose, 
të pres në Anfiteatrin e çudirave
atje ku vallëzojnë vetëm erërat,
sa shumë u ngjaje bukurosheve të antikitetit!
 
E bukur ishte ajo ditë
emri yt sup më sup me buzëqeshjen e syve, 
të kujtohen trëndafilat!?
Dhe mbi shkëmbinjtë e thinjur
e çuditshme është jeta!
 
Po, ja!
Filluan të bien gjethet e fundit
në përshpirtjen e udhëtimit rrugëve të lotit
kujdes të kesh nga retë!
Eja në funeralin tim, thjesht me fustan veror
dhe pse do jetë e dhimbshme
ti, me buzët e kuqe do puthësh heshtjen.
Të pres, eja!
 
 
 
MBRËMË ME TY NË DASHURI!
 
Në këtë mëngjes
po t’i kreh flokët duke këndur këngën
e psherëtimave.
 
Mbrëmë me ty në dashuri
vallzonimë bashkë, si dy kukulla  
mateshim me rënkimet e zemrës,
gjithëkund ishje e paprekur nga puthjet.
Brenda  këmishës së natës  
jetuam kohën e pambaruar,
mbetëm në fjetje për t’u ringjallur
një natë tjetër.
Në këto çaste jam vetëm
këndvështroj enën e zbarazur të ëndërrës
dhe pesha jonë herë rritet, herë dobësohet
nga të fshehtat e tua femërore
që as mplaken dhe as thinjen
për pak muzikë dhome.
 
 
 
MIK ME AJRIN
 
Kur linda më dhuruan lotin e dashurisë…
i përlotur u bëra mik me ajrin,
çdo mëngjes zgjas duart  për ta puthur 
është drithërues, rreth tij treten vështrimet e thellësive.
 
Tek ajri janë gjithë gërmat e shpirtit
ato, si  gjethet e pemëve në kohë pranvere luajnë me vesën.
Me mendje zhveshur
a me xhaketë pranvere
shkojë pas frymës së ajrit
dhe retë e murme i gjej të shpërndara
mes ajrit.
Është fjala që vuan për pak ajër,
mes nesh zvogëlohet koha
kur ajri nuk ka emër!
 
 
HIJA IME
 
…Hija ime nuk ka ngjyra
ndoshta, nga që është e lumtur.
Çdo ditë ngjitur pas shpine,
më duket e papërcaktuar
si mjerim i moshës!!
Më ngatërrohet nëpër këmbë
gjithmonë veshur hollë,
nuk jeton dot pa mua
ka shtatin tim.
Dhe kur ditët shkurtohen
me mua kërkon të ngjaj
të më bëjë si vetja
“krahë kënge”
të jetoj dhimbjen
në kotësinë e kësaj jete.
 
 
 
MEDITIM
 
Në këtë moshë
kur agon dita, as deti nuk këndon.
Tani jetoj mes trupave gjeometrik
me shpresë
të gjejë kohën kur çdo mëngjes pinim vesë.
 
Vështroj enigmën e trupave qiellor
mendueshëm, mes përfytyrimesh
po mbledh fytyrat e miqve të gjallë
a të ikur
dhe zemrën ma merr flladi i mbrëmjes
si një pupël më afrohet një Emër,
nga djepi i saj më dhuron
një buqetë me këngë të haruara!
 
 
 
 
             Përfytyrime nëpër vargje…
 
Të shikosh dëborën dhe erën
kaq afër nëpër fshat e t‘i ledhatosh me duar cung
në këto vise të veriut,
rrezikon të trembesh nga ulërima e egërsirave,
që si muzikë-Pop- bredhërijnë 
nëpër shtëpitë e fshatit.
 
Në ish sheshin e Katundit 
grinden të humburat melodi
në skamje për kufoma këngësh,
dhe shëmtitë e tyre shëtisin asfalteve
për të qenë të lumtur një çast.
 
 *  *  *
 
Kishte sëmundje të keqe…
Sytë i dridheshin nën mbulesën e qerpikëve të gjatë
me bojë dyshimesh shkruar.
Dikush e ngriti në krah deri te frymëmarrja,
që i përgjigjej peshës së tij të lodhur.
Kështu, përsëri zbriti të ndiqte shtëpinë e vet që lundronte mbi lumë.
 
 *  *  *
 
Duke ardhur rreth e qark vetes për të parë,
çfarë kam për të lënë peng,
si një mendim i prishur 
rrjedhojë e fërkimit me jetën
m‘u tha qëllimi i vetes, 
të shkoj te pragu i një kasolleje,
ku jeta ecën shaluar mbi një mëz 
për të gjuajtur lepuj.
 
 
 
BASHKË ME PRANVERËN BËHEMI TRE
 
Poet,
ma mbushni gotën plot me verë
të ndjej frymëmarrjen e pranverës
të kap mirëseardhjen e lulëkuqeve!
Ne…
bashkë me poetët jemi natyra
jetojmë me muzikën e luleve, 
në moshën e pa përfunduar.
Eja vashëzë…
vishu me ngjyrat e festës
ti bashkohemi rrëfenjës intime,
për sot
syri i stinës së ngjyrave
ka zgjedhur dashurinë të recitoj!
Dritë gëzimi Pranvera,
si bijë e jetës
dhe e dashura ime në këtë stinë ka lindur!
Nëpër ajrin e kohës
unë dhe poeti,
bashkë me pranverën bëhemi tre.
 
 
 
NË FUSHËN E SHAHUT
 
Kur luaj shah
kujtesa ime ngjizet në sytë e të gjallëve.
Nga fusha e shahut
shkëpus pemë,
i mbjell nëpër male.
 
Tek ajo lëndinë me kuadrate përgatis lodra për fëmijë,
dhuratë për të verbër.
Fusha e shahut varrezë e lavdishme
me ushtarë e kuaj të bardhë
si një muze i vjetër në zemër të kohës.
 
Nëpër kuadratet e shahut ka dhe  trima
fillojnë e vdesin në moshë të rinisë,
lënë pas stinën me figura të përgjakura.
 
Gjatë betejës së shahut
Mbretëresha,
si soprano e muzikës klasike
qanë mrekullisht humbjen, pas pak
Mbreti i verbër
do të kapet MAT
në një oazë pikëllimi!
 
 
LOTËT E MJERIMIT!
 
 
 
E shikoni si vajton mjerimi?
Me lot fëmije u mbyt ky shekulli
nga lufta në luftra bashkë me vdekjen
të frymëzuar nga skamja kërkojnë fitore!
 
Ngjyra e mjerimit vesë e freskët ngashëruese,
si psherëtimë fryma e vdekjes
mbledhur në turma pafund
rrugëton pakthim drejt mëshirës “biri i urisë”.
 
Fytyra të verdha, ngjajshëm me gjethet e rëna
mbushur kufijtë nga trajtat e luftrave 
zemra të ngrira të plakur nga dimri 
nëpër barka të uritur zbukurojnë vdekjen.
 
Diku pak humanizëm, 
përhapet dhe ca dritë e mekur
të lodhur nga rruga
në netët e gjata u dridhet buza
e vjeshta shpreh zemërimin,
sërish hedh mbi supe lodhjen
se si digjet si mallkim mjerimi
 
Nuk ka vepër më të lodhshme vjeshte
se sa mjerimi kërrusur mbi shpinën e njeriut.
Buzëqeshja kërkon një këngë të humbur…
Fëmijë  me plagë të padukëshme, 
buzë detit-kufoma, të ngrira
këndojnë këngët e ujrave!
 
 
 
BISHTI I CIGARES
 
 
E çuditshme,
shikojeni atë bishtin e cigares
sa i zverdhur është, sa tragjik!
 
Tek ai bisht cigare
tretur një ëndërr, gati të lind një vrasje.
Po, po një vrasje sipas zakonit
ngelur brenda hirit!
 
Ai bisht cigare ishte një skelet,
nuk e di, në se ende jeton!?
 
Ndoshta është ai humbësi
që nuk bërtet dot,
ose një hije e ligësuar
me vetvete
Para pak minutash vari veten
mbi tavllën e cigares!
 
 
 
NË FESTËN E GRAVE
 
Sot  qyteti
mblodhi  gjithë rrezet e diellit,
ngjyrosi  sytë dhe buzët e grave!
 
Gratë,
u krehën bukur
për të krijuar tinguj
për çdo dëshirë.
Ato  ecin kudo,
çdo çast në bregun e ditës
kërkojnë diejt e jetës.
 
Të thinjura nga mjegulla në të njëtët yje
 mbrëmjeve shkëlqimin ua kthejnë të dashurve 
me përkëdhelje e lirizëm si tek poezit erotike!
 
 
 
 
MISTERJOZËT… 
 
Në atë lagje, shtëpitë janë të trembura
nuk marrin frymë 
u ngjajnë gjetheve të pemëve rrëzuar nga shiu.
 
Kopshtet i kanë me shumë porta
 rrethuar me gjelbërim, ato hapen vetëm nga era! 
Banorët e lagjes  kacavirren mundimshëm 
në dhoma të drunjta 
deri sa të zhvishet hëna nga drita. 
 
Misterjozët flenë si jetim  
me zërin bosh, të akullt
 maten me veten, me sytë e skuqur nga avulli i alkoolit
duar-dridhur  në brendësi të mureve  
derdhin vetveten
me britma të qarash numërojnë monedha
më pas, 
vdesin në një pikë të tokës…
 
Të tjerë misteriozë 
me qiri ndër duar i luten vetmisë,
një ditë me diell të hyj në shtëpitë e tyre.
 
 
 
STINA E LULEVE JEMI NE
 
Sivjet
stina e luleve jemi ne,
eja në shtëpinë e harabelave,
këtë verë do mbash veshur
ngjyrën e shpirtit tënd.
Fustani i ri  është i purpurt
si mëngjesi.
 
Eja ta pimë kafen buzagaz
mbi një rreze dielli!
“Koha e luleve më bëri dhuratë Ty,
Ti më mjafton”,
buzëqeshja ime e kaltër!
 
Dil në ballkon, do ta thotë borziloku
një fjalë për mua.
zemra ime e çmendur!…
 
 
 
PËR POETIN ALI PODRIMJA
 
 
Po shkoj në koncertin e kujtesës!…
Lajmi  u shpërnda nëpër ajër
dhe pesha e dritës
ndriti  fytyrën e Poetit.
 
Portreti i tij më pikëllon dhe në ëndërr,
buzëmbrëmjeve, diku aty, në pyllin e qytetit
prej lodhjes së frymës  ndihet një mall i largët.
 
Një minutë heshtje i kërkoj kohës,
të hapen  dritaret, të dëgjojmë koncertin e madh
për poetin Podrimja!
Për Njeriun që e patëm aq pranë,
t’ia masim shtatin poetik
e skaj më skaj, 
brenda nesh perëndon e gëdhihet krenar
“një krahë kënge”.
 
Si  histori e një pylli shpirti I tij mërgon,
me flokët e tija shpupurishur nga stuhija
flet dhe na shoqëron me hap
atje ku ende dëgjohet rënkimi i barit
“nën dritare digjet Parisi”,
 “Nëpër fjalë seç’ dridhet” koha!
Nën qiell
zogj që cicërojnë po japin koncert
me tinguj, prelud për Poetin!
 
 
 
LETRA E ËNDRRËS
 
…Ndjej fëshfërimën e pranverës!
Po vjen e dashura ime,
më tund dorën me letrën
që i dërgova mbrëmë në ëndërr.
 
Rrobat i ka të bardha,
feksin në ngjyrën e luleve
me gjinjtë si dy pëllumba t’ porsa fluturuar.
 
Është e bukur, lindur brenda meje,
si pemë stine ngarkuar…
 
E lehtë si zogu,
fluturon, vjen e malluar
dora i dridhet
kur lexon letrën e ëndrrës time!
 
NE, NUK IKËM…
 
Ne nuk ikëm…
ishte mjegull, dremiste moti
unë qeshja me thashethemet e mjegullës,
ndërsa ti meditoje kohën duke vështruar retë,
si treteshin mbi kokat tona.
 
Ne përsëri nuk ikëm
dhe kur qielli u bë mermer.
Si dy banorë të pa strehë
ngroheshim nga fryma jonë,
bëheshim këngë…
 
 
 
PËR SHËN VALENTIN
 
E dashur,
në studion tonë kemi shumë letra dhe fjalë të rrezikëshme!
Është koha, së bashku të vizatojmë udhën e mbrëmjes 
me to të ndërtojmë Shtëpinë e Fjetjes.
Mëngjeseve të përtypim mesazhet plot hire
shkruar për buzët dhe flokët e bardha,
gjithçka nga letërkëmbimet do i shtrojmë në tapetin e kuq
e ne të dy, pështjell brenda njeri-tjetrit
do vallëzojmë sonte në natën e Shën Valentinit, 
të recitojmë kujtimet si dy të mitur
ruajtur me merak në dy gjysma zemre, 
me gurët e kujtesës do pikturojmë të sotmen
që i ngjanë ftohtësisë së brymës… mbi një trëndafil të kuq!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Aqile Gjata, kyça detin, në gjoksin tim, në Sofrën e Diellit: E

Ndaloni lojërat politike !

May 4, 2016 by dgreca

Nga Donald Lu/*

Kam një mesazh shumë të thjeshtë: Nëse kjo reformë dështon, ju, anëtarët e këtij komisioni do të turpëroni njerëzit që ju kanë zgjedhur. Dhe, do të turpëroni marrëdhënien tuaj me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

Por fatmirësisht, ne nuk do ta lejojmë të dështojë. Vendi po shpreson që ju ta realizoni këtë reformë me sukses. Ne do t’ju ndihmojmë ta bëni këtë.

Dr. Smibert dhe Dr. DeVille janë ndër njerëzit më të mençur në profesionin e tyre në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Ata, së bashku me kontributin tuaj dhe nën drejtimin e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, kanë përgatitur këtë draft përfundimtar të projektit të reformës në drejtësi.

Jam krenar të them se e mbështes atë, edhe pse nuk e kam manipuluar përmbajtjen e tij dhe as nuk më kanë dhënë ndonjë kopje përpara. Di gjithashtu që askush nga ju nuk ka pasur mundësinë ta lexojë atë. E mbështes atë sepse besoj në integritetin, njohurinë dhe paanshmërinë politike të këtyre dy ekspertëve ndërkombëtarë. Unë besoj në aftësitë e tyre dhe në dëshirën e tyre të sinqertë që Shqipëria të ketë sistemin gjyqësor më të mirë të mundshëm.

Ju bëj thirrje ta studioni këtë dokument. Ngrini pyetje dhe diskutoni mbi atë që do të gjeni këtu për t’u siguruar që t’i shërbejë më mirë popullit shqiptar. Në fund të ditës, ju kërkoj të gjithëve të votoni pro reformës në drejtësi.

Gjatë vitit të shkuar, kam parë znj. Merkel, znj. Mogherini, z. Hahn, z. Kerry dhe z. Obama t’i kërkojnë Shqipërisë ta miratojë këtë reformë. Nuk kam parë kurrë mbështetje të tillë nga aleatët tuaj më të afërt për asnjë temë tjetër. Të gjithë e pranojmë sa e rëndësishme është kjo për të ardhmen e Shqipërisë.

Por më shumë se kaq, ju dhe unë e dimë se populli shqiptar, të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar, qytetarë të fshatit e qytetit, burra e gra, e kërkojnë këtë reformë. Nëntëdhjetë e një për qind e mbështesin këtë reformë. Mendojeni pak. Shqiptarët nuk bien dakord për shumë gjëra e megjithatë 91 për qind mund të bien dakord se vendi ka nevojë për këtë reformë.

E mëshiroj partinë e verbër politike apo udhëheqësin e shurdhët politik që e bllokon këtë reformë. E para, do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë reformë. E dyta, do të përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar duke e bllokuar këtë reformë.

Së fundmi, i kërkoj komisionit sot të mbështesë një kalendar, një kalendar të vërtetë për miratimin e kësaj reforme në këtë komision deri në fund të majit dhe në parlament deri në fund të qershorit.

Ndaloni lojërat politike dhe filloni ta përfundoni këtë reformë. E keni për detyrë.

*Fjala e Ambasadorit të SHBA Donald Lu në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi, sot, 4 Maj 2016

Filed Under: Editorial Tagged With: Donald Lu, Ndaloni lojërat politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2846
  • 2847
  • 2848
  • 2849
  • 2850
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT