• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fluturimi është “atdheu“i çudirave…!

April 23, 2016 by dgreca

Fluturimi-nëse  fjala guxim do ta kishte një kulm, ky është kulmi i guximit!/

 Nga Zaim Kuçi/

 Thuhet shpesh se hapësira ajrore është e pafund dhe nuk ka pengesa. Në ajër nuk ka njerëz që të ngatërrojnë rrugën edhe pa trotuare, as semaforë e kufizues të tjerë, e, për rrjedhojë mund të lëvizësh si e nga të duash. Por realisht nuk është kështu, ajri ka barriera më të forta për t’u zbatuar, aty aplikohen ligjet më të ashpra, më moderne, më të rrezikshme; aty vlerësohet sekondi dhe minuti nuk ka vlerë. Aty rreziku është pasagjeri më i frekuentuar, i ulur fare pranë sediljes të fluturimit, të pranuar dhe miratuar nga vet ti, për më tepër t’i e bën rrezikun me shumë pasion – profesion të jetës.Të fluturuarit nuk është një fushë e gjërë e aplikueshme nga të gjithë. Ai kërkon të tjera sjellje, ndryshe kthehet në një rrezik për atë që e bën dhe për të tjerët që ndodhen në rrezen e veprimit të tij. Fluturimi është një mori sjelljesh të kujdesshme ku përqëndrimi dhe shpërndarja e vëmendjes janë së bashku. Ai është një enigmë dhe kapriçioz si i tillë ai nuk mund të jetë objekt njohje i të gjithëve, aq më keq të trajtohet dhe të sillet i zgjidhur nga të gjithë. Ai i përket specialistëve dhe vetëm atyre. Mbi këto të fshehta që të afron fluturimi, me/pa dashje ne gabojme duke nxituar. Aq më e papranueshme eshte kur kërkohen situata për përftime interesi apo politike. Ndaj shpesh në raste aksidenti kur nuk njihet “Fenomeni” shpesh sillet për të vlerësuar “Misteri”, kjo është e dëmshme për të shkuar tek ndodhia.

Specialistët e ajrit vlerësojnë se, çdo ngritje per Fluturim është fillimi i një beteje, që konsiderohet “Luftë” …ndaj kërkesat për një fluturues janë përtej çdo profesioni, qoftë ai në fushën ushtarake apo shkencore. Për pilotin dhe teknikun aftësia për të fluturuar dhe përballuar problemet që vijnë nga teknologjia moderne janë evidente. Asnjeherë nuk mund të themi se teknologjia e mjeteve për fluturim,  edhe pse është zhvilluar me ritme të mëdha,  mund të sigurojë garanci absolute të mjetit fluturues. Duhet të pranojmë se, së bashku me perfeksionin teknologjik  lindin dhe fenomene që çballancojnë punën normale të pilotit në ajër duke sjell të papritura në mjetin ajror. Zotësia për të përballuar këtë teknologji varet nga një mori faktorësh, kështu nuk mendohet se rrisku në fluturim është “O” sidomos ne avionet luftarake. Teknologjia moderne kerkon sherbime speciale në tokë dhe perdorim në ajër perfekt, në të kundert ajo kthehet  prag aksidenti.

Fluturimi kryhet në trusni gjithformash, ndaj është vlerësuar, “fluturim = ndreqje gabimesh”. Misioni për forcat ajrore është kryerja e fluturimeve në terrene të vështira dhe në lartësi të vogla, kjo është detyrë e kohës, piloti përgatitet për luftë. Ngritja nga toka dhe kthimi drejt saj, sado rutinë qoftë, mbetet një detyrë për ta konsideruar të vështirë. Avionin në fluturim konsiderojeni si një fëmijë i sapo lindur, thuhej shpesh nga instruktori P. Naze; kohë kur ne filluam të merrnim rrugët e qiellit. në të kundërt ai është aksident. Duke anashkaluar përgatitjen e fluturuesit, të cilat janë procedura strike, rrisku vleresohet dhe parashikohet në çdo element të fluturimit. Piloti përgatitet për ta parandaluar atë por avioni ndodhet i ekspozuar në ajër dhe nga fenomene të krijuara të natyrës si, turbullenca, pështjellime dhe ndryshime të vrullshme të rrymave ajrore. Të pranueshme dhe rrezik janë në fluturim dhe rënia në iluzion e pilotit, fobia dhe vetmia që të krijon hapësira ajrore. Kështu, fluturimi është një lojë ku përzihen të gjitha këto, një fushëbeteje në hapësirën e pafund qiellore; një dyel me lojtarë: rreziku dhe jeta! Në botën e fluturimit luftarak, në fluturime akrobatike, natën, në re, në lartësi të vogla dhe terrene të vështira ka patur shume aksidente të shkaktuar nga gjendja e pilotit, teknologjia dhe faktorë të tjerë, ai nuk u beson instrumentave të pilotimit, fenomen i pranuar si “pjesë “ e profesionit.

Vendimtare për të siguruar fluturimin është përgatitja  e teknikës per fluturim. Mjeti fluturues, sa më i sofistikuar qoftë ai, po aq kapriçios bëhet për mirëmbajtje dhe shërbime. Mjeti fluturues kërkon një respektim  dhe regjim të fort në furnizimin me karburant, vajra etj. Neglizhimi dhe abuzimi mbi to për afatet dhe parametrat limit të tyre, përbën aksident ajror. Avioni (reaktive/supersonik) aq sa i zhurmëshëm dhe përbindësh  duket po dhe aq delikat është. Piloti sillet me kulturë dhe delikatesë me të; do të thoja si një pianist në kërkim të melodisë së tij, ai luan po aq lehtësisht me gishtat e tij në tastierën e kabinës së instrumentave, të zbukuruar me butona të kuq me nënshkrimin “rrezik”.

Rrisku i kryerjes së fluturimeve konsiderohet maksimal, ndaj normat ndërkombëtare të fluturimit kërkojnë trajtimin e fluturuesve duke u bazuar në standardin “ Dëmshmëri të Shëndetit”, « Risk i Menjehershem », Rrezik maksimal i pranuar. Ky standard aplikohet në vendet anëtare të Nato-s. Aksidentet ajrore në avionët e forcave të armatosura janë prezente gjatë stërvitjeve, qofshin dhe ata më moderne të kohës, të pilotuar nga pilotat « as » të botës.  Informacioni si më lartë është shkolloresk (fluturimi në avionët luftarak) dhe nuk sjell diçka të re për ata që i sherbejnë mjetit fluturues por nisur nga interprentimet mediatike të gabuara e solla si një kujtesë për fluturuesit, por dhe për të treguar se sa gabojmë kur marrrim rolin e specialistit.

Fluturimi ka të papriturat e tij, aq sa shkenca moderne duket si e pafuqishme.  Në gjadër, mars 1982 u vra në ngritje nga një pulë bardhë, me mig 21 piloti më i talentuar i regjimentit. Shume fikje motorrash ka ndodhur në botë nga ky fenomen. Në një aerodrom në Angli u rrëzuan disa avionë që detyruan anglezët që të mbyllnin aerodromin. Nuk mund të besohet që hunda e këtij avioni të kompanisë Turkish Airlines është deformuar nga një grup zogjësh, pa le si do të shkruante media jonë…

Atij i shtohet si fenomen dhe disiplina e pilotit në ajër. Adrenalina që të afron fluturimi shpesh ka sjellë aksident ajror, rastet nuk kanë munguar. Edhe njeriu “gjigand” i viteve 60-te i botes, Y. Gagarin, ka qene pilot ne avionin Mig-15.  Edhe pse ai çuditi boten me fluturimin e tij jashte planetit toke, ai u kthye pas ketij misioni per te fluturuar me avionin reaktiv Mig 15. Do te ishte ky avion që i mori jetën atij qe kaloi tro/stratosferen mars 1968 në një fluturim rutine per forcat ajrore Ruse. Gjatë pilotimit avioni ra ne tyrjele vertikale dhe mori flake. Avioni u doq dhe piloti nuk mundi te shpetonte edhe pse pilotohej nga ai, kozmanauti qe perloti boten me suksesin e tij. Sjell si kuriozitet se për t’u diplomuar pilotë, studentët shqiptarë kanë bërë më shumë se 500 fluturime po në këtë tip avioni Mig 15 duke bërë akrobaci ajrore nga më të vështira por aksidente ajrore me marrje jete nuk kemi patur….

Historisë së aviacionit nuk i kanë munguar dhe raste krenarie të bujshme si kalimi ne harkun e monumentit «Arc de Triomphe» qe ndodhet ne Champs Elysées të Parisit me date 7 Gusht 1919. Ishte ora 7-30 kur piloti francez Charles Godefroy do të bënte aventurën më të papritur të kohës duke pilotuar avionin «Nieuport» në brendësi të monumentit. Kalimi i avionit ishte një shënjë pakënaqësie duke protestuar për mos marrjen pjesë te aviacionit në paradën e festës Kombëtare të Francës që u zhvillua më 14 Korrik 1919. Ky fluturim spektakolare i këtij piloti u fotografua dhe u filmua nga ata që e organizuan këtë fluturim, ose dhe nga ata që u ndodhen në këtë shesh, por fotot dhe vidio u ndaluan të shikohen për shumë vite. Ndodh dhe kështu, si ulja ne “sheshin e kuq” Moske, e shumë të tjera si kjo aventurë të sajuar a të stiruar. Ato bëhen pjesë të profesionit për një situate të sjelle…..enigmë!

Edhe terroristët kanë gjetur mjetin më efikas “fluturimin” si target sulmi për të terrorizuar botën, si show për të treguar forcën dhe për të mbjellë panik. Ata detyruan njerëzimin që para se te ngrihen në ajër të “falen” para portave të kontrollit si kujtesë, ne jemi pranë jush në fluturim. “Zoqtë e ajrit” goditën fortesën e sigurisë, Pentagonin dhe bënë të shkërmoqen kullat Binjake të mbrojtura nga flota ajrore më e fuqishme e botës. Ngjarje shkaktoi jo aq në ushtri, sesa në politikën e sigurisë të vendit dhe rajonale një «avion Piper» në Divjakë apo një «drone» në Beograd. Moria e problemeve që lindin nga “fluturimi” tregojnë se sa shumë liberal dhe i ndërlikuar është sistemi i rregullave të fluturimeve. Ndaj sjell informacionin tashmë i përforcuar në të gjitha rrethet e instituteve “think tank” se e ardhmja e zhvillimeve, qofshin këto krize (emergjence) apo luftarake, parashikon angazhimin rreth 80% me mjete fluturuese dhe vetëm 20 % me mjete tokësore e  detare.

Përtej çfarë analizuam si të mundshme dhe ndodhi, të bujshme në fluturim, nevoja për mjetin fluturues për njerëzimin është madhore. Ashtu siç pranojmë që fluturimi është “atdheu“i çudirave, statistikisht fluturimi është “atdheu” i sigurisë. Propabiliteti i sigurisë në ajër (avionët pasagjerë) është disa herë më i madh se ai tokësore. Aksidentet ajrore kanë gjerësi të bujshme mediatike, ndaj, në dukje ato sjellin panik për fluturimin.

* Përsa i përket Helikopterit EC 145 është një nga më modern helikopter të kohës. Kompania eurocopter me kooperim shumë shtetesh si Franca, Gjermania, Anglia etj. ka prodhuar mjete fluturuese konkuruese, luftarak dhe civil të besueshme për pilotim. Testet në ajër kryhen nga instruktorët pilotë kolauditor të uzinës. Në rastin tone ka vijuar përgatitja e pilotave në territorin tonë po me instruktore francezë. Ajo qe duhet patur ne vemendje eshte fakti se ky helikopter modern kerkon mirembajtje dhe teknike pilotimi –perfekt, preçis.  Ne i kemi kapacitetet për ta pilotuar dhe mirëmbajtur atë.

Duke mos marrë përsipër të analizojë se çfarë është thënë në lidhje me aksidentin, pasi asgjë nuk mund të thuhet kur nuk ka prova dhe fakte për të, do doja thjesht të komentoja debatin mbi aftësinë e pilotave, trajnimin e tyre për t’u përshtatur me teknikën e re dhe fluturimi në hapësirën ujore (liqen). Sipas meje, çdo pilot që çertifikohet si i tillë, lehtësisht ambientohet me tabelën e instrumentave. Piloti është një nxënës i përhershëm. Të ambjentohesh me kabinën e avionit dhe të fluturosh mbi liqen, këto janë elementë fillestare, pa vlerë diskutimi. Zbatimi rigoroz i instruksionit te fluturimit mbetet madhor. Pilotët nuk veçohen i mirë apo jo i mirë siç ndodh me profesionet e tjera, të gjithë ata që janë lidhur në sediljen e avionit me rrypat e parashutës ata janë të barabartë dhe të gjithë janë heronj në raste aksidentesh. Pilotët shqiptare kane fluturuar ne avione supersonik te pergatitur nga pilotët shqiptare me 10-20 ore fluturimi ne vit duke kryer detyra shume here me te veshtira se sa misione ne avionët civile dhe  helikoptere. Nuk kemi patur fatin te trajnohemi as me instruktore amerikane, franceze dhe gjermane por me ata shqiptarë. Ne kemi instruktorë të mirë pilot, ata janë konkurues edhe me homologët e tyre.

Zgjidhje deri diku e sukseshme për botën aeronautike, në konfuzitetin që të sjell fluturimi,  është kutia e zeze si një “spiune” për punën e motorrit, pozicionin e mjetit ajror ne ajer (komandat drejtuese per pilotim) dhe komunikiminn pilot-pilot dhe pilot- toke. Kamera vezhguese ne kabinen e helikopterit nuk mund të zëvendësojë kutine e zezë.

Për aksidentin në proçes vlerësimi, le të presim fjalën e ekspertizës,  media dhe politika u nxituan. Në se do të ishin në bordin e helikopterit oficerë: nga  nentoger deri në general këmbësor/marinar si dhe fizikantë, matematicienë apo inxhinierë, as njeri prej tyre nuk mund të jap informacionin e duhur se çfarë ka ndodhur realisht por një informacion rutinë. Ndaj shpesh thuhet : në aksidentet ajrore, edhe në shtetet me aviacion  elitare ku pilotët kanë humbur jetën, ka vlerësime apo konkluzione edhe relative, “gabim njerëzor”. Shpresoj që ekspertiza të nxjerrë të vërtetën.

Në këtë përvjetor të aviacionit, përshëndes shokët e mi, ata të cilët morën rrugën drejt qiellit, të detyruar nga varfëria e asaj kohe, të kryenin  detyrat po në atë standard me homologët e botës së “F-ve, dhe Mirage-ve”  me 10-20 orë fluturimi në vit. Të huajt janë befasuar me përkushtimin e pilotave tanë duke i vlerësuar këto fluturime “fluturim- arkivol”.  Ky është fluturimi… mall dhe respekt për ju të ajrit, për thinjat tuaja të arta.      

 Zaim Kuçi,   Ish pilot /

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: “atdheu“i çudirave, është, fluturimi, Zaim Kuci

SHBA-Kosovë, ministri dhe komandanti i FSK në Pentagon

April 23, 2016 by dgreca

-Ministri Haki Demolli dhe komandanti i FSK -së gjeneral Rrahman Rama në SHBA u pritën në Pentagon. U diskutuan sfidat e sigurisë, me theks të veçantë në Ballkanin Përendimor si dhe sfidat e Rublikës së Kosovës në aspektin e sigurisë gjithashtu/

 23 prill 2016/ Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe komandanti gjeneral lejtënant Rrahman Rama në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u pritën në vizitë zyrtare në Pentagon.

Njoftimi i dërguar thekson se, ministri Demolli dhe gjeneral Rama zhvilluan takim në Zyrën e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes ku u pritën nga kolonel James Lampton,  Shef i Shtabit për Rusi, Ukrainë dhe Euroazi.

Në takimimin e ministrit Demolli dhe gjeneral Ramës me kolonelin Lampton e ku ishin të pranishëm edhe Komandanti i Gardës Kombëtare të Aiovës, gjeneral Timothy Orr dhe Atasheu Amerikan i Mbrojtjes i akrediar në Kosovë, kolonel Chad Butts, u diskutuan sfidat e sigurisë, me theks të veçantë në Ballkanin Përendimor si dhe sfidat e Rublikës së Kosovës në aspektin e sigurisë gjithashtu.

Ministri i Ministrisë për FSK e njoftoj kolonelin Lampton mbi hapat që ka ndërmarrë shteti i Kosovës duke aprovuar ligjin i cili ndalon pjesmarrjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës në luftërat e huaja, duke theksuar edhe rezultatet e arritura të gjithë fakrorëve dhe instutucioneve të shtetit në parandalimin e këtij fenomeni i cili ka qenë i shprehur jo vetëm në Kosovë, por në përgjithsi në rajonin e Ballkanit. Si rezultat i këtij angazhimi numri i shtetasëve të Kosovës i angazhuar në luftëra të huaja është zvogëluar dukshëm.

Në takim me palën amerikane, ministri Demolli dhe komandanti i FSK -së gjeneral Rama  i njoftuan zyrtarët amërikanë edhe mbi procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura  si dhe mbi përgatitjet që janë bërë për një transformim sa më të suksesshëm dhe mbi hapat e ndërmarrur politikë për arritjen dhe përfundimin e procesit të tranformimit të Forcës së Kosovës.

Nga ana e tij, gjeneral Rama foli për zhvillimin dhe profesionalizmin e FSK-së, aktivitetet e Forcës brenda vendit si dhe për bashkëpunimin e saj me ushtritë e shteteve të rajonit e më gjerë.

Në takimin me ministrin Demolli dhe gjeneralin Rama, Shefi i Shtabit për Rusi, Ukrainë dhe Euroazi i Zyrës së Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, koloneli James Limpton shprehu gatishmeri dhe mbështetje për procesin si dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për Kosovën në fushën e sigurisë.

Gjatë takimit kolonel Ilir Qeriqi, shef i Departamentit për Bashkëpunim dhe Siguri në MFSK bëri një prezantim me tëmë ”FSK dhe Partnerët”, ndërsa major Berat Shala bëri prezantim për ushtrimin fushor të FSK-së ”Eagle 5”.

Ministri Demolli dhe gjeneral Rama gjatë kësaj vizite zyrtare në ShBA patën një varg takimesh të rëndësishme dhe u pritën nga shumë personalitete, dhe gjithashtu deri në përfundim të qëndrimit do të kenë axhend të rendësishme./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: ministri dhe komandanti i FSK, në Pentagon, SHBA- KOSOVE:

Gabriel Garsia Markez-DO T’U JEPJA VLERË GJËRAVE…

April 23, 2016 by dgreca

Gabriel García Márquez – 1927- 2014./

 Gabriel García Márquez (Gabriel Garsia Markez, i njohur Edhe ju Gabo), shkrimtar i njohur kolumbian. Lindi më 6 mars 1927 ne Arakataka, një fshat i Vogel pranë maleve të Karaibeve kolumbiane. Vdiq, më 17 prill 2014./

DO  T’U JEPJA  VLERË GJËRAVE…/

 Do t’iu jepja vlerë gjërave jo për aq sa vlejnë/

por për domethënien e tyre./

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë./

Di se për çdo minutë që mbyllim sytë

humbim 60 sekonda dritë çokollate.

 

Po të më jepte një copëz jete, Perëndia,

i veshur me rroba të thjeshta, do të shtrihesha në diell

dhe do të lija lakuriq në diell, jo vetëm trupin tim

por edhe shpirti im.

Perëndia ime, po të kisha zemër, do të shkruaja urrejtjen time mbi akull

dhe do të prisja që të ngrihej dielli.

Do të pikturoja yjet me një ëndërr të Van Gogut.

me një poemë të Benedetit, një këngë të Serrait

kjo do të ishte serenata ime hënës.

 

Do të njomja me lotët e mi trëndafilat

Për të ndjerë dhimbjen e gjembave

dhe puthjen portokalli të petaleve.

 

Perëndia ime, po të kisha ende një copë jetë

nuk do të lija të kalonte as edhe vetëm një ditë

pa u thënë njerëzve se unë i dua, i dua njerëzit.

 

Do të bindja çdo burrë dhe çdo grua

të cilët janë favorite e mi

dhe do të jetoja i dashuruar me  dashurinë.

 

Dhe do t’iu dërgoja njerëzve se sa shumë gabojnë

kur mendojnë të ndalen së dashuruari mes tyre

kur plaken  pa e ditur se ata po plaken

kur ndalen së dashuruari mes tyre.

 

Do t’i japja krahët çdo fëmije

por do ta lija që të mësonte, të fluturonte vetë.

 

Pleqve do t’u mësoja se vdekja

nuk vjen me moshën, por me harresën.

 

Kam mësuar shumë gjëra nga ju, nga njerëzit …

Kam mësuar se të gjithë, në botë,

duan të jetojnë në majë të malit

pa e ditur se lumturia e vërtetë

qendron në atë se si ngjitet shpati.

 

Kam mësuar se kur një i porsalindur kap,

për herë të parë, me dorën e tij të vogël,

gishtin e babait, do ta mbajë të burgosur përgjithmonë.

 

Kam mësuar se një njeri

ka të drejtë të shohë një tjetër njeri

nga lart poshtë, vetëm kur e ndihmon të ngrihet.

 

Janë të shumta gjërat që kam mundur të mësoj nga ju

por s’do të më duhen me të vërtetë shumë më shumë

sepse kur ata do të shohin në këtë valixhen time,

fatkeqësisht unë do të jem duke vdekur.

 Përktheu: Faslli Haliti

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, Gabriel García Márquez, perktheu

ANTON CEFA- Në kërkim të Fjalës së Urtë

April 23, 2016 by dgreca

ANTON CEFA/

Në kërkim të  Fjalës së  Urtë/

Me nji shkallë qi m’çon jashtë kohe

Ngjitem shtat fill mbi qiell

Në kërkim të Fjalës së Urtë,

U ngjall apo s’u ngjall

U mbrue apo s’u mbrue ai brumë i urtë i fjalës

E zbres shtat pash nën dhe, e zbres e ngjitem

Në kërkim të fjalës së urtë

E zbres e ngjitem në nji shkallë qi m’çon jashtë kohe,

Po fjalën e urtë nuk e shqipton askush,

Fjalën e urtë qi dhemb në gjoks

E ther mendimin, atë ma të fismin

E ther mendimin e plagës qi lëngon mu n’zemër të tokës sonë.

 A thue nga alkimi e kohës së pakohhë,

E asaj kohe të çmendun

I ka humbë pesha urtisë së gurtë të fjalës,

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit ?

***

Ju orakuj qi më rrini

Te kambët e kohës sonë të çoroditun

E më flisni me za Kasandre pa pushim

E shpallni me zhurmë e bujë

Se frut i urtë i fjalës ka ra

Siç bie nji frut i kalbun nga degë e pemës

Se guri nuk qenka ma i randë n’ vend të vet

E ai nuk qenka i randë as në dhe të huej

Shporrnju u tham, si Edgard Poe  dikur korbit të zi

Mbi bustin borë të bardhë të Palladë Atenës,

Shporrnju nga busti i bardhë i  fjalës e i kohës.

Po rishtas zani i tyne, ai za Kasandre

Gjimon kërcnues e ndjell kumbonët e vdekjes

E kumbonët bien në nji anë përzishëm

Përzishëm bien për vdekje të fjalës së urtë

Qi ra e bie nga pema si frut i kalbun

Kur unë në zgrip të fjalës sime, mu në zgrip

Pres se po bie nga pema frut i pjekun

I fjalës së urtë, i fjalës së ringjalljes

Për ty, o toka ime e djegun.

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit të urtisë së fjalës

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit?

Ju orakuj qi shpallni me zhurmë e bujë

Se s’ka ma peshë urtia e gurtë e fjalës,

Nuk mbin ma bar mendimi t’pjekun

E thahet bima e fisme e fjalës

E urta bimë e fjalës.

Shporrnju prej vargut tim, shporrnju që  këtej

E qafën thefshi në kapërcyell të shtegut të lig të kohës,

Se mue urtinë e fjalës ma mësoi nji plak i bardhë

Me dy kokrra gruni në çdo qelizë të fjalës.

“Ç’do komb, – tha  ai, – shkon udhës së kalvarit

E zbret e ngjitet prap, Sizif mundimesh të pathana,

çohet e rrxohet golgotave të kohëve

E atje pret kryqzimin e mbas çdo kryqzimi

Vjen fjala e urtë e ngjalljes, bekimi urtë  i saj.

Kështu edhe për ty, o Tokai me e djegun

O toka ime e idhtë, o toka ime e ambel,

Do të rritet nji ditë bima e urtë e ngjalljes,

Bima e urtë e jetës.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: ANTON CEFA- Në kërkim, të Fjalës së Urtë

TË SHKRUAJ TY EVA

April 23, 2016 by dgreca

TË TJERËT PËR NE/
NGA  JAN KWESTARZ/
ESE/  TË SHKRUAJ TY EVA/
Mazllum Saneja: ‘Letra Evës’, Edicioni ‘Komograf’- Varshavë 2015./
Mazllum Sanejën, poetin dhe përkthyesin e njohur emigrant mund ta krahasojmë me shkëmbin e vetmuar në oqeanin njerëzor. Dallgët e shqetësuara
përplasen pareshtur duke përshkuar brigjet. Po ato vazhdojnë të jenë të pamposhtura, dhe asgjë nuk mund t’i mposht. Duken se ato janë larg, shumë larg
nga njerëzia, të vetmuara. Megjithatë, kjo nuk është kështu. Sepse nuk ka  shkëputur krejtësisht kontaktin me botën. Brenda botës ekziston një femër  si një engjëll-mbrojtës , ku i drejtohet poeti dhe, i shkruan letra, ndonëse nuk dimë se a thua i dërgon këto letra?  Po, si do t’i dërgoj nga shkëmbi i vetmuar?
Në çdo rast, dikush që mund t’i besoj krejtësisht, të ia thotë sekretin e fjalëve, të cilat nuk mund t’i thotë në kontakt me të tjerë, fjalët e dashurisë. Kjo femër quhet
Eva. Emri i Evës gjendet në Bibël, fuqimisht e pranishme në letërsi, në art, në kulturë.Vlen të kujtojmë, kur lexojmë vëllimin poetik  të Mazllum Sanejës ‘Letra Evës’.
Çdo letër fillon me fjalët  “Të shkruaj Ty” , ky refren i veçantë dhe i rëndësishëm  për poetin, të cilën aq shumë herë e përsërit me ngulm.
Të shkruaj Ty : i kredhur  në pikëllim; nga larg / nga viset e mia; për lutjen; për mëngjesin; që çdo ditë le të përshëndetet me ty… Nuk do t’i citoj të gjitha.
Lexuesi i vëmendshëm ka para vetvetes lirika subtile të një cilësie të lartë. Zatën, lirikat e Mazllum Sanejës na përkujtojnë sonetët e Petrarkes, ‘Letrat e Elzës’
të Aragonit deri te rrëfimet  e Paul Eluard-it, deri te frazat subtile të Federico Garcia  Lorces. Lirikat e Mazllum Sanejës  janë krijime më sublime të një sprove më të lartë. Është kjo një poezi, ku nderi është nder, dinjiteti – dinjitet dhe guximi – guxim, ai guximi  krijues i poetit të paepur. Këto vlera , Mazllumi me siguri i mësoi qysh në fëmijëri, dhe   këto vlera askurrë nuk i harroi deri më sot dhe, gjithnjë provon dhe përpiqet që botës të ia përkujtoj, ndonëse kjo botë marramendëse nuk e dëgjon zërin e tij, klithmën e tij të mbytur diku në një skaj të botës, sepse kjo botë, bota e sotme ka kohë që është  duke e ndërtuar të ardhmen në gënjeshtër dhe tradhti, urrejtje dhe përbuzje, duke u kredhur gjithnjë në luftra, vrasje, përsekutime, indiferencë. Sikur të kërkoja ndonjë krahasim poetin do ta shihja si pasardhës  të poeteshës sonë  Anna Swiersycyznska të cilën lart e vlerësoi nobelisti ynë Czeslaw Milosz.
Poezitë më të dhembshme dhe më të çiltërta  dhe të privuara nga sentimentalizmi mbase janë ato ku poeti Saneja kthehet në vitet e fëmijërisë ‘në kohë zie të bukës/nga skamja’, atëbotë    kur ‘fotografinë e Jeseninit/e mbante në gji’/, e jo më pak janë poezitë prekëse dhe emociononjëse që i referohën prejardhjes së poetit, bredhëritjet e tij nëpër botë udhëve të mërgimit përplot vuajtje dhe vetmi, shtegtimet e tij në mes të Kosovës dhe Polonisë, dhe ato përejtimet e tij në netët  pagjumë, ato letrat e poetit qe ia adreson mikes së tij, letra që të therin në zemër.
Shumë tema të rëndësishme që i referohën gjendjes fizike dhe shpirtërore të njeriut bashkëkohës, fateve të tij në botë, gjejmë në këtë poezi, shumë fjalë të tilla për t’ i mbajtur mend dhe dendur përsëritur.Veçanërisht sot, kur shtegtimi kah Evropa Perëndimore i qindra e mijëra refugjatëve të përsekutuar  dhe të dëbuar nga vendlindja, që braktisin vatrat e tyre nga luftrat dhe uria.
Së këtejmi, ia vlen t’i lexojme poezitë tronditëse të Mazllum Sanejës, i cili vetveten e quajti ‘poet pa atdhe’.
Sikur të kthehesha një çikë prapa atje thellë në antikitet do ta shihja poetin në rolin e Odiseut, atëherë Eva – mikja e poetit Penelopa, ndonëse nuk di  se a thua Odiseu ishte në gjendje për të shkruar.
Në çdo rast, lirika e poetit Saneja vete ndonjëherë rangut  të Ankesave të Jeremeut, e kjo nuk është një lavdërim  i vogël.
Në këtë vëllim poetik fjalë kyqe çfarë janë : dhembja, trishtimi, dëshpërimi, ethet, vuajtja, uria,mërgimi, bredhëritjet, frika, vetmia, shqetësimi, brenga diktojnë imazhe të vijëzuara,  të cilat nuk mund t’i
fshehish për një ditë pune, të cilat i gjejmë nëpër gazetat dhe mediat e përditshme brenda të ashtuquajturës politikë e madhe. Sot  kur fjala dhe zëri i poetit po humbet në një skaj të botës  si një klithmë e mbytur, kur vendin e tij  e ka zëvendësuar bota virtuale dhe e pandjeshme e internetit , që gjithnje e më teper po e fundos dhe gremis vlerat më humane dhe më sublime njerëzore. Gjithnjë para nesh shtrohet pyetja: a thua në botën apokaliptik jo të krijuar përmes poetit, që ndodh realisht pa pjesëmarrjen e tij, vallë a ka ndonjë shpresë për ne, atëherë ku mund ta kërkojmë? Në vëllimin poetik të Mazllum Sanejës  – shpresa është vetë dashuria, sepse kjo të trimëron dhe të mban gjallë megjithë sëkëllditë dhe vuajtjet e përditshme, gjejmë edhe elementin poetik të të kërkuarit – të kërkuarit e shpresës, ringjalljes së jetës, besimit dhe ngritjes të sistemit  të vlerave njerëzore.
Poeti Saneja me gjakim i kthehet botës së fëmijërisëm, sepse aty gjen prehjen e ëndërrimeve të veta, te ai djep i parajsës. Le të dëgjojmë poetin:
2.
Të shkruaj Ty
që të përshkruaj
një fotografi
nga fëmijëria

vendlndja
para luftërave

pylli me pisha
dhe vendverimi

babai fle
në bankën e lulishtes
nën drurin e blertë

nëna
shikon nga fshehtësira

unë
në verandë
shikoj botën përreth

im vëlla
sjell me vete
shportën me dredhëza

dhe kjo është
e gjitha

JAN  KWESTARZ

( Ese i botuar ne revisten letrare LITERATURA  nr.2 Varshavë 2016)

Filed Under: ESSE Tagged With: JAN KWESTARZ, Mazllum Saneja, TË SHKRUAJ TY EVA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2874
  • 2875
  • 2876
  • 2877
  • 2878
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT