• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË JETË SI NJË LIBËR

March 10, 2016 by dgreca

  Një “dhuratë mirënjohje” për mësues Hajdar Mëhallën/

  NGA PËLLUMB GORICA/

Në një kujtesë të thjeshtë është e vështirë të gdhendësh jetën e një njeriu të njohur, e sidomos një mësuesi me vlera e kontribute si Hajdar Mëhalla. Ajo është si një libër, që në çdo fletë njihesh me sakrificat për t’u shkolluar, e gjer tek puna e përkushtimi i pashembullt në profesionin e nderuar të mësimdhënësit, pa harruar këtu cilësi të tjera të tij në shoqëri, familje e miqësi. Njerëz të tillë nuk kanë munguar asnjëherë me pozivitetin e tyre, në vendin tonë, por mua më la një ndenjë të thellë në brendinë time.

UDHË DIJE

Hajdar Mëhalla u lind, u rrit dhe u edukua në një familje me tradita të hershme patriotike në Topojanin malor të Elbasanit. Fshati i tij i lindjes shtrihet në anën lindore të kodrave shkëmbore të krahinës Sulovë, në një lartësi 500 – 600 m mbi nivelin e detit. Toka është e varfër dhe mezi prodhon, por hapsirat e mbuluara me pyje dhe kullota janë të mira për të mbarshtruar tufa të shumta delesh e dhish. Në këto kushte niveli i jetësës në Topojan gjithmon ka qënë i tillë, që çdo familje mezi siguronte prodhime për mbijetesë. Të parët e Hajdar Mëhallës janë të njohur në Topojan për traditat atdhetare, fjalën e mençur dhe gjithmonë sofër shtruar për miqtë e dashamirësit. Hajdari fëmijërinë e kaloi mes vuajtjesh e peripecish të shumta, të cilat ndiqnin njëra – tjetrën si rrjedhojë e gjëndjes së vështirë ekonomike që kalonte Shqipëria në vitet ‘40 të shekullit të kaluar. Oshëtimat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, luftëtarët e lirisë dhe pushtuesit italo – gjermanë kaluan edhe pranë shtëpisë së tij. Lufta çlirimtare rrëmbeu në dallgët e saj edhe babanë e tij, Sulejmanin, që ishte sekretar i këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të fshatit në atë kohë. Ndërsa vëllai i madh, Isufi u rreshtua në Brigadën e Parë Partizane. Vendlindja e tij gëlonte nga ngjarje të shumta historike. Hajdari i dëgjonte gojëhapur me dëshirën e madhe për dije. Shkollën fillore e mbaroi në Dragot. Ishte një nga 18 nxënësit e parë të shkollës fillore të këtij fshati, e cila i hapi dyert në vitin 1945 me mësuese Ollga Sharrën, gruaja e inxhinierit Abdi Sharra, të ekzekutuar si sabotator në tharjen e kënetës së Maliqit, e cila duke parë aftësitë dhe dëshirën për arsimim e rekomandon babanë e tij, Sulejmanin, që Hajdari të vazhdonte më tej shkollën. Mes vështirësive të kohës ai e vazhdoi dhe mbaroi shkëlqyeshëm shkollën 7-vjeçare në Pogradec. Kushtet familjare nuk ishin të tilla të arsimohej më tej aty, prandaj dukej e tepërt dhe në pamje të parë e vështirë fjala shkollim të mëtejshëm, por Hajdari me një vullnet të madh mbaroi edhe shkollën e mesme pedagogjike ‘‘Luigj Gurakuqi’’ në Elbasan. Ai kish si bashkëudhëtare vështirësitë në rrugën e tij të jetës, në moshën kur çdokush projekton të ardhmen për më të mirën e mundshme. Natyrisht, qytetërimi i Elbasanit, jeta konviktore mes qindra të tjerë pedagogjikas nga gjithë Shqipëria, motivimi për të spikatur mbi të tjerë ndikuan në dëshirën që i kish vënë vetes për dije. Hajdari gjithmon i kujton me adhurim profesorët që jepnin mësim në shkollën e mesme pedagogjike të Elbasanit, një pjesë e të cilëve kishin ndjekur studimet në universitete prestigjoze të Europës, si: Shyqyri Demiri, Sotir Paparisto, Vasil Kamami, Mentar Belegu, Besim Qorri, Teki Tela, Marie Papajani, Mehmet Bebeti, Bukurosh Sejdini, Meri Andoni, Grigor Kallajxhiu, Hajdar Biçaku e të tjerë, të prerë për të përhapur dije, ndër mijëra pedagogjikas nga gjithë Shqipëria.

Mbas mbarimit të shkollës së mesme pedagogjike ‘‘Luigj Gurakuqi’’ në Elbasan ai u emërua mësues në fshatin Mollas. Dhe nisi kështu rrugën e gjatë e të nderuar të mësuesit. Në një kohë kur mësuesit nga Sulova numëroheshin me gishtat e dorës si: Riza Cërriku, Sali Çala, Isa Senja, Dan Çela, Abas Hysa, Rustem Metushi, që punuan me mish e me shpirt, kur ajo kishte nevojë, jo vetëm për bukën e përditshme, por edhe për dije e përparimin e saj. Shkollat po hapeshin në të katër anët e vendit, duke u bërë si një jetë e dytë për banorët. Ai e dashuronte aq shumë profesionin, dhe bashkë me të tjerë mësues elbasanas si: Dilaver Shkodrën, Zeliha Shkodrën, Sami Domnin, Ethem Mullajonuzin, Rruzhdi Belegun, Mustafa Pajengën, Albert Stojën, Liri Arapin, Astrit Bishqemin, Ismail Kafexhiun, Sami Paralloin, Bexhet Belegun, Nafie Çaushin, Esat Gjevorin, Hysen Saraçin, etjer, të cilët grisën këpucët e rinisë së tyre nëpër baltërat e Sulovës, e u bënë një përvojë e pasur për të. Ata kanë meritën e madhe që, duke punuar në kushte të vështira në këtë krahinë të mrekullueshme, dhe me mëndjen e tyre mësuan qindra djem e vajza, ndër të cilët edhe im atë, Rexhepin. Ky ishte një përparim i madh për kohën kur çdokush ishte i bindur se pa dije nuk mund të ecej drejt zhvillimit të vendit, sepse nuk mësohej vetëm për shkrim, lexim e njehësim, por dhe për civilizim, edukatë e qytetari. Ndërkohë u bënë ndryshime në arsim, si pjesë e reformave të shtetit të asaj kohe, për të kaluar në një fazë të re në hapjen e shkollave 7-vjeçare e më vonë 8-vjeçare kudo. Përveç shërbimit ushtarak, Hajdari nuk e ndërpreu profesionin e tij, deri kur doli në pension, i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë. Ai u shqua për mësimdhënie me cilësi të lartë, përpikmëri, këmbëngulje, por edhe paanshmëri e njerzillëk. Kështu ai radhitet ndër mësuesit më me reputacion të kësaj krahine, sepse edukoi brezin e ri në kushte mbijetese mbase në nivel heroizmi. Por, me sedrën profesionale, prokupimin, dhe kërkesat ndaj vetes, ai i kryente me përpikmëri detyrat e mësuesit. Shpesh lodhej për t’i përcjellë njohuritë me metodën e kohës, që në thelb ishte përsëritja dhe ripërsëritja me ton si mënyrat e ngulitjes së mësuarit. Mbi këtë bazë ai krijoi personalitetin e tij, dhe u vendos nga drejtuesit e arsimit në Elbasan, të jetë drejtor i shkollës 8-vjeçare të Dragotit. Si njohës i mirë i mentalitetit të vendbanimit, dhe i kushteve ekonomike e të nivelit të ulët arsimor aty, detyrën e drejtuesit ai e filloi me gjërat elementare si frekuentimin e shkollës, mirëmbajtjen e ambienteve, sigurimin e bazës materiale, rritjen e cilësisë së mësimdhënies etj.  Ndërkohë, Ministria e Arsimit në këto vite i mëshoi përparësive për krijimin e laboratorëve dhe bazës materiale didaktike, që deri atëherë në shumicën e rasteve ishte të thjeshta e me mjete rrethanore, dhe Hajdari dha kontributin e tij në sigurimin e plotësimin e tyre. Insistimi i  Hajdarit bëri të mundur, që të ndërtohej një shkollë e re, sepse e vjetra po amortizohej, por edhe nuk i përgjigjej numrin në rritje të nxënësve. Energjitë e Hajdarit dhe gjithë të tjerëve si ai, që punuan mësues në Dragot, duke bashkuar kontributin e atyre nga Elbasani, Peqini me vendasit ishin maksimalisht të larta. Pra, ishte një impenjim i jashtëzakonshëm, një dhënie i tëri pas punës dhe problemeve që kishte arsimi, dhe jeta shoqërore në Dragot – Topojan. Ai ishte vlersues për të gjithë ata mësues që punuan me devotshmëri në shkollën e Dragotit si Stavri e Behije Ndrion nga Peqini. Xhevit Memën, Alush Xherien, Nezir Dushën nga Klosi. Kadri Nasufin nga Beliku. Neim Meminin nga Topojani, Dilaver Shabanin nga Dragoti. Lirie e Petrit Kumrinë nga Floqi. Qatip Cërrikun nga Kamunau. Nazmi dhe Bukuri Senjën nga Lumasi. Petrit Çakallin, Albert Palloshin, Ahmet Sulminën, Smail Shytin, Nazmie Mëlçinën, Rajmonda Pashën, Shefki Rudon, Sokrat Kotheren, Vjollca Toskën, Afërdita dhe Jakup Bishqemin, motër e vëlla nga Elbasani. Myqereme Xhikën, Nazmi Hoxhën nga Shtëpanja.  Vangjeli Shanin nga Bujarasi. Engjëllushe Toskën nga Shtërrmeni. Rrahman Taushanin, Skënder Asllanin dhe Qemal Çalën nga Mollasi etj. Natyrisht për këtë flet edhe respekti i brezave të nxënësve që mësuan, dhe u edukuan prej tyre. Mbase u zgjata në këto fakte, por për një njeri të tillë, që i kushtoi jetën e tij arsimit këto janë pak. Ndaj, puna përkushtuese e drejtuese e Hajdar Mëhallës për 35 vite me radhë kujtohet me respekt, edhe për kërkesën e llogarisë, dhe të këmbënguljes për shkollimin e mëtejshëm të nxënësve. Fatos Shkëmbi një nga nxënësit e tij kujton: “Me shikimin e parë, për sytë tanë si nxënës ai rrezatonte në kuptimin e plotë të fjalës njeri. Natyrisht mënyra se si demostronte vlerat, për të na pregatitur, e për të qënë të denjë në jetë është e veçantë. Kujtimet dhe mbresat e mia për të, janë të shumta, dhe nuk mund të rresht së treguari jo pak prej tyre. Pikërisht për këto dua të tregoj një episod të jashtëzakonshëm në provimet e lirimit të shkollës 8- vjeçare. Në komision ishin Hajdar Mëhalla, që ishte dhe drejtori i shkollës, mësuesi i matematikës, Kadri Nasufi, dhe Mersin Lamçe i biokimisë. Mësues Hajdari meqë isha nxënësi më i mirë i shkollës interesohej për mua, që të arrija nota të larta. Pasi mbarova tezën, të cilën komisioni e korrigjoi, më tha: Shkëlqyeshëm dhe një 10-të të padiskutuar, si gjithë provimet që ke dhënë, por a mund të na tregosh për “Teoremën e Pitagorës”. Ajo është një nga më të vështirat teori, të cilën unë e njihja mirë. Po i thashë teorikisht, dhe në dërrasën e zezë, shpejt e shpejt bëra zbërthimin e saj. Pasi e mbarova ai më vjen afër e më thotë me gëzim: Të lumtë Fatos se më bëre krenar mua personalisht si drejtor, por edhe shkollën tonë. Atë çast në sytë e tij lexova një kënaqësi të thellë, që rrallë e ndesh në jetë.”

MERITËHESHTURI,  HAJDAR MËHALLA

Meritëheshturi, Hajdar Mëhalla, paqësor e shpirtbardhë është lavdia e njeriut të zotë në vendlindjen e tij. Në këndvështrimin tej profesionit që ushtronte, të shkruash me pak fjalë rreth pasionit të tij për të drejtuar jetën organizative në Dragot, dhe duke e vendosur atë para përgjegjësive për shtimin e mirqënies aty është një detyrim moral. Ai ka folur dhe është dëgjuar. Ka pranuar detyra që i ka dhënë koha e shumica e banorëve, të cilët krijuan besim dhe respekt, duke i  shtuar jo pak cilësi, ku ai u shpërfaq i drejtë, serioz dhe me kulturë, sepse interesohej për hallet dhe problemet, të cilat kërkonin përkushtim, por edhe aftësi në zgjidhjen e tyre. Ashtu siç thuhet në atë kohë për Hajdarin me të mund të flisje e të qaje çdo hall. Ishte njeriu që fjala i zinte vend, e për më tepër përvoja jetësore, i jepte kuptim asaj. Emri i tij, në gjithë opinionin, në çdo mjedis, në biseda të lira u bë sinonim për kohën dhe rrethin shoqëror në Dragot e Topojanin e Elbasanit. Disa gjëra nuk shkonin ashtu siç duhej prej sistemit komunist, i cili kërkonte të krijonte njeriun e ri, por ai kurrë nuk shfaqi e nuk perceptoi të keqen. Ai gjithmon ruajti ekuilibrat me shpirtin e drejtë e mirkuptues, që, duke u kapur pas kësaj të vërtete të pamohueshme, të cilin një pjesë e harrojnë, por që shumica idealiste ndërmjet mirënjohjes së thellë e kujton me mall. Ajo që të bënte përshtypje në këto fjalë ishte respekti që gëzonte aty, si njeri i organizimit të punëve të mira, por edhe veprimtarive kulturore e sportive. Në bisedat ai trajtonte tema me interes nga historia, kultura, por shfaqej si një sportdashës i apasionuar i futbollit, të cilin e luante edhe vetë me nxënës, kolegë e bashkëfshatarë. Dragotasit e Topojanasit, të rrethuar nga malet, falë tij, të etur për dije e kulturë, i jepnin kuptim jetës, gëzimeve e lumturisë me shpirtin e tye të ndjeshëm çdo mbrëmje në shtëpinë e kulturës. Sot jetojnë heshtjen e demokracisë, dhe ka zënë vend braktisja e njerëzve. Të tilla erdhën kushtet, dhe u detyruan të ikin drejt qyteteve. Hajdar Mëhallën e frymëzonte jeta në mes banorëve dhe njohu të mirat, gëzimet, ashtu siç njohu hidhërimet, kundërshtitë. Koha lindi edhe dështakë, të cilët fryenin vetveten me bëmat e fisit, pa gjë në trastë. Ata me llogjikën e shpirtit të zi çirreshin si zhurma e bezdisur e këndezit majë plehu, orar pa orarë, por koha i zhvlersoi në sytë e njerëzve.

Një nga kolegët e tij, Qemal Çala të flet me simpati për Hajdarin, si njeri jo vetëm korrekt në mësimdhënie, por sidomos në artin e veçantë të drejtimit të shkollës së Dragotit, për zellin, ndërgjegjjen, këmbënguljen për të vërtetën, ndershmërinë dhe dinjitetin moral. “Të punoje me Hajdarin, ishte vërtetë kënaqësi. Hajdari shquhej gjithnjë për durim dhe vendosmëri për të kryer deri në fund punën që merrte përsipër. Edhe nga shprehja e fytyrës së tij kuptoje kur një gjë shkonte mirë apo keq dhe kështu ka mbetur akoma. Sa herë që takohem me të, ne kujtojmë copëza ngjarjesh, vitet e punës, duke përjetuar emocione të shumta. Ato vijnë edhe me ngjyrat e jetës, për gjendjen ekonomike të atyre viteve, vështirësitë, mungesat dhe mangësitë profesionale. Unë isha mësues i ri dhe punova disa vite në shkollën që ai drejtonte. Arsimi i sotëm është pajisur me kulturën e duhur, me kondita të mira dhe objektiva e arritje akoma më të mëdha, por nuk duhen harruar vitet e vështira, të cilat ai i kujton me nostalgji”.

I lidhur ngushtë me farefisin, shokët, miqtë, në dasma e festa, emri i tij përherë i nderuar.

“ – Kjo na bën – thotë nipi i tij,  Iliri – të ndjehemi krenar për të.” Duke përshkruar karakterin e tij, dhe duke vënë në dukje meritat e xhaxhait, ai thekson se është model jo vetëm për fisin, por edhe për Dragotin e Topojanin e në gjithë Sulovën. “Drejtor kështu ishim mësuar ta thërrisnim të gjithë në fshat, edhe kur u rritëm dhe dolëm në jete, e sa herë që e takojmë. Shpesh mendoj se ku e gjente ai kohën për përballimin e detyrave që kryente. Dhe kur e kërkonte arsyeja gjithmonë gjendej pranë miqve dhe familjes. Shtëpia e tij ishte streha e të ardhurve që vinin në fshat me punë a për hall.”

Hajdar Mëhalla është prind i nderuar dhe i respektuar nga fëmijët e tij, për të cilët ai u kujdes aq shumë në shkollimin e tyre, sepse edhe i mbrujti ata me fisnikërinë e të parëve, me traditat më të mira të tyre, si punëtorë, korrekt, të ndershëm në punë, shoqëri e familje. Kot nuk thonë atë fjalën e urtë: Bëmë baba të të ngjaj. Fëmijët e tij sot janë bërë prindër shembullorë, dhe punojnë në institucione të ndryshme, e janë korrekt dhe serioz kudo. Ai dhe e shoqja krenohen me fëmijët e tyre si dhe ata ndjehen mirë, që kanë një baba me emër të mirë.

Erdhi koha dhe një ditë ai doli në pension. Që nga 1995, për një jetë më të mirë ai u largua familjarisht nga vendlindja, dhe u vendos në qytetin e Elbasanit, por ende me shpirt është në Topojanin e Sulovës së tij, por edhe këto vite në Elbasan bën një jetë normale e të respektuar në shoqëri e miqësi. Arsimi është kryemotivi i jetës së tij. Hajdar Mëhalla tashmë ka shkelur të 80 e jetës së tij. Thinjat i kanë zbardhur flokët, por ai përsëri ndihet i ri.

Për të gjitha këto vlera, përkushtimin, drejtësinë, ndershmërinë e virtyte të tjera që ka shpirti i tij, mendojmë se kemi të bëjmë me një njeri me vlerë, që duhet nderuar e respektuar. Shumë vlersime janë bërë dhe bëhen nga Administrata shtetërore dhe institucionet përkatëse arsimore, por fatkeqësisht ai nuk ka marrë ende meritat që i takojnë, e sidomos nga ata individë që merren me ndarje mirnjohjesh e vlersimesh, të cilët do të duhet të bëjnë diçka për të. Sepse: A nuk do do të ishte mirë që të nderojnë këta njerëz sa janë midis nesh, por të mos presin sa ata të largohen nga jeta. Kjo është absurditet.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Hajdar Mëhalla, nje jete, Pellumb Guri, SI NJË LIBËR

Kosovë-Shqipëri, thellim i bashkëpunimit mes dy prokurorive

March 10, 2016 by dgreca

-Delegacioni i Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, i kryesuar nga Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, takoi Kryeprokurorin e Shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi. Zhvillon takime edhe me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi/

 PRISHTINË, 10 Mars 2016-B.Jashari/Në Kosovë po qëndron një delegacion i Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, i kryesuar nga Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, me ftesë të Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi.Në takimin e zhvilluar në mes të dy kryeprokurorëve është biseduar për bashkëpunimin në mes të dy institucioneve që ata udhëheqin. Prokurori  Llalla tha se dy prokuroritë kanë  bashkëpunim të mirë dhe do ta vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen duke forcuar sistemin ligjor në dy vendet, me qëllim të integrimit sa më të shpejt në Bashkimin Evropian.

Delegacioni i Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë gjatë qëndrimit të Kosovë, do të zhvillojë takime me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Njoftimi i dërguar thekson se, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka njoftuar delegacionin e prokurorëve nga Shqipëria me funksionimin e sistemit prokurorial të Kosovës.

Gjatë këtij takimi, Lumezi dhe Llalla kanë biseduar lidhur me sfidat kryesore të dy sistemeve prokuroriale.

Lumezi, ka thënë se sfidë kryesore për Prokurorin e Shtetit të Kosovës është trajtimi i lëndëve të krimeve të luftës, korrupsionit, krimeve ekonomike. Po ashtu, ai njoftoi delegacionin e prokurorëve nga Shqipëria se në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është themeluar Departamenti për Krime Lufte.

Po ashtu, Lumezi bëri me dije se Prokurori i Shtetit ka bërë planin strategjik për luftimin  e korrupsionit dhe se në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës është themeluar Njësiti për luftimin e këtyre lëndëve. Në takimin e zhvilluar në mes të dy delegacioneve të dy prokurorive i pranishëm ishte edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, i cili ka prezantuar funksionimin e Këshillit, si dhe ka thekuar se vizitat si kjo do të ndikojnë në thellimin e bashkëpunimit mes dy sistemeve. Kryesuesi Isufaj, po ashtu ka folur edhe për ndryshimet tjera që ka pësuar Këshilli Prokurorial me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe Prokurorin e Shtetit.

Filed Under: Rajon Tagged With: Kosovë-Shqipëri, mes dy prokurorive, thellim i bashkepunimit

“The Economist” paralajmëron skenarin sirian të ngjashëm me atë Shqiptar

March 10, 2016 by dgreca

Eksodi sirian, skenar i ngjashëm me atë të 25 viteve më parë në Shqipëri/

Një artikull i “The Economist” paralajmëron se një skenar i ngjashëm me atë të 25 viteve më parë, ku  mijëra shqiptarë  u larguan nga vendi drejt portit jugor Italian të Brindizit, mund të ripërsëritet, por këtë herë me refugjatë sirianë. “The Economist” shkruan se kriza e refugjatëve i shkakton Shqipërisë një ndjesi konfuze, pasi vendi ynë shquhet  si shtet emigrantesh dhe si i tillë është i predispozuar për të ndihmuar ata që i ikin luftës në kërkim të një jetese më të mirë. Kështu, gazeta i referohet faktit se edhe pse jemi një popullsi e vogël prej 3 milionë banorësh, të paktën 1 milionë shqiptarë jetojnë në Itali dhe Greqi, e ndërsa 55 mijë të tjerë kanë tentuar azil politik në Gjermani vitin e fundit. Sipas “The Economist” qarkullojnë fjalë se, mafiozët shqiptarë po kërkojnë të bëjnë vetë trafikimin e refugjatëve në detin Adriatik nëpërmjet gomoneve. Ndërkaq, në kampet e sirianëve ekziston frika se Shqipëria është e rrezikshme për ta dhe nëse arrijnë t’i shpëtojnë vrasjes nga mafiozët apo grabitjes, thotë gazeta, ata rrezikojnë të paktën një vit pas hekurave. Megjithatë, Shqipëria tani ka vendosur forca sigurie shtesë për të ruajtur kufijtë e saj. E ndërsa edhe Italia u zotua që të mbrojë itinerarin lidhës mes vendeve. Por, për “The Economist”, edhe pse kryeministri Edi Rama është treguar kategorik se vendi nuk është i hapur për emigrantët, fakti  që shumë shqiptarë janë mirëpritur jashtë, mund të merret pak në konsideratë, duke i mbajtur “me hatër” ata.

Filed Under: Komente Tagged With: Eksodi sirian, me pare, ne Shqiperi, skenar i ngjashëm me atë të 25 viteve

Ndërpritet Kuvendi nga gazi lotsjellës, dorëhiqet Hashim Thaci, Iken Haradinaj, Braktis Opozita

March 10, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Prishtina ne pragpranvere, 9 mars 2016/

– Iken Ramush Haardinaj, vjen Ali Berisha/

-Deputetët e opozitës kanë braktisur seancën dhe pritet vendimi i tyre për veprimet e mëtejme/

-Lideri i PDK-së që nga fillimi, Hashim Thaçi,  ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në qeveri dhe në parti/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 10 Mars 2016/ Kuvendi i Kosovës sapo nisi sot me 40 minuta vonesë një seancë plenare me 18 pika në axhendë, një prej të cilave është shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Integrime Evropiane lidhur me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.Fillimisht, në Kuvend dha betimin deputeti i ri Ali Berisha i AAK, i cili zëvendëson deputetin e dorëhequr Ramush Haradinaj – liderin e partisë, por më pas seanca u ndërpre nga gazi lotsjellës i opozitës dhe kryeparlamentari Kadri Veseli dha “10 minuta pushim”.

Pas pushimit që zgjati më shumë derisa nga salla ishin larguar deputetët, ndërsa ishte shtuar sigurimi, seanca vazhdoi me deklarime jashtë rendit të ditës. Seanca vazhdoi edhe pasi sërish, për herë të dytë sot, u hodh gaz lotsjellës nga opozita, derisa sigurimi që qëndronte para foltorës u largua me kërkesë të kryesuesit të seancës, nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti. Seanca po vazhdon me deklarime jashtë rendit të ditës edhe pse ende kishte tym gazi lotsjellës në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.Derisa vazhdonte seanca deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe në këtë situatë nga kryesuesi fjala iu dha deputetit Ismail Kurteshi të VV, i cili tha se “në Kosovë nuk ka situatë normle që nga shtatori, e fajtorë janë ata që kanë nënshkruar marrëveshje kundërkushtetuese”. Nga foltorja e Kuvendit u bëri thirrje qytetarëve për protesta dhe tha se opozita tash po largohet nga Kuvendi.

Në vazhdim fjalën e mori kryeminsitrit Isa Mustafa, i cili tha se “nuk shoh asnjë arsye që opozita të siellet kështu e të na sulmojë brenda e jashtë Kuvendit”.

 Ai ftoi opozitën të marrë pjesë në debat e të thotë vërejtet për asociacionin, demarkacionin dhe dialogun. “Deputetët e opozitës përfaqësojnë një pjesë të qytetarëve, të cilët i kanë votuar të marrin pjesë në seanca e jo të gjuajnë gaz lotsjellës”, tha kryeministri.

 “Kuvendi duhet të funksionojë dhe do të funksionojë. Qeveria ju garantojë se do të funksionojë”, theksoi ai.Para se të marrë fjalën Mustafa, kryesuesi i seancës Kuvendit, Haliti njoftoi se nga opozita kryeministrit të Kosovës i ishte hedhur ujë dhe për këtë i kërkoi  falje.

 Kryesuesi i seancëns plenare tha se opozita tashmë ka shkuar nga seanca e Kuvendit të Kosovës. Deputetët e opozitës pas fjalës së përfaqësuesit të tyre, deputetit Kurteshi, kanë braktisur seancën dhe pritet vendimi i tyre për veprime të mëtejme.Opozita e bashkuar në kërkesat për largimin e qeverisë e zgjedhje të jashtëzakonshme kundërshton dhe bllokon edhe me hedhje gazi lotjsellës e protesta seancat plenare të Kuvendit që nga funvera 2015, gjatë gjithë sesionit vjeshtor dhe në sesionin pranveror, përfshirë edhe seancën e kaluar të jashtëzakonshme të 26 shkurtit, kur me 71 vota të gjithësej 120 deputetëve u zgjodh Presidenti i ri i Republikës, i cili merr detyrën pas më pak se një muaji, në 7 prill, me dhënien e betimit në Kuvend.  Në kundërshtimet në vazhdim, në 4 mars opozita kosovare ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që konteston zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

 President i ri i Kosovës u zgjodh kryetari që nga fillimi e deri tash i PDK-së, Hashim Thaçi, sipas marrëveshjes së koalicionit të dy partive më të mëdha kosovare, që në 8 e 9 dhjetor 2014 i dha fund situatës së “ngrirë” dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë gjashtë muaj me humbje kohe pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, e që si rezultat i saj lideri i LDK-së, Isa Mustafa, u bë kryeministër.

Lideri i PDK-së që nga fillimi, zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm, në dy mandatet e kaluara kryeministër,  Hashim Thaçi,  ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në qeveri dhe në parti.  Zëvendëskryetari i PDK-së Kadri Veseli, dje, mori besimin e Këshillit Drejtues që të ushtrojë detyrën e kryetarit deri në konventën e jashtëzakonshme në 7 maj, në të cilën pritet të zgjedhet kryetar i partisë aktualisht më të madhe në Kosovë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, iken Rmush Hajradina, Nderpritet Kuvendi, Thci dorehiqet

John McCain: Rusia po militarizon krizën e refugjatëve

March 10, 2016 by dgreca

Ndikimi rus në Ballkan/

Senatori John McCain, ish-kandidat republikan në zgjedhjet presidenciale të 2012, thotë se konflikti në Siri dhe Irak ka dëshmuar se Rusia po përpiqet të militarizojë krizën e refugjatëve dhe të përçajë Bashkimin Evropian. Ky qëndrim i Moskës ka krijuar përplasje mes Rusisë dhe Perëndimit. Në një intervistë për korrespondenten Milena Gjurgjiç të shërbimit të Zërit të Amerikës në gjuhën serbe, ai flet edhe mbi përpjekjet e Moskës për të ushtruar ndikim në Ballkan. Senatori John McCain foli për ndikimin rus në Serbi, ku qeveria ka deklaruar synimin për të qëndruar neutrale në përplasjet mes Rusisë dhe Perëndimit, duke thënë se mund të ndërtojë marrëdhënie konstruktive me të dyja palët. “Mendoj se kryeministri Vuçiç ka mbajtur qëndrim shumë të fortë, duke i rezistuar presionit rus. Presioni rus është shumë i ndryshëm nga presioni amerikan. Ne nuk duam gjë nga Serbia, thjesht duam që të bëhet një demokraci më funksionale. Ndërsa Rusia do të ketë një ndikim dominues, gjë që krijon një sfidë shumë të vështirë. Mund të them se përgëzoj faktin që kryeministri Vuçiç i ka rezistuar presidentit Putin, por e kuptoj se ndodhet përballë një presioni të konsiderueshëm dhe duhet të tregohet shumë i kujdesshëm”. Në këto kushte, thotë senatori, kanë rëndësi përpjekjet amerikane për t’iu kundërvënë mesazhit rus, pasi një pjesë e madhe e ndikimit të Moskës vërehet në media: “Mendoj se nëse Serbia mund të qëndrojë apo jo neutrale varet në një masë të madhe nga veprimet e Vladimir Putinit. Shumë nga aktet e presionit që po ushtron Rusia mbi Serbinë lidhen me median, me informacionin dhe propagandën. Prandaj duhet t’u kundërvihemi veprimeve të tilla me punën e agjencive si Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë që mund të shërbejnë për t’iu kundërvënë mesazhit rus”. Lidhur me Malin e Zi, senatori John McCain thotë se ndikimi rus është i kufizuar më së shumti tek investimet ekonomike, dhe se malazezët e kanë bërë të qartë prirjen e tyre perëndimore: “Nuk besoj se ka ndonjë dyshim se Mali i Zi siguroi antarësim në NATO, pasi pjesa më e madhe e malazezëve mbështesnin me forcë aderimin në NATO. Prandaj nuk shoh ndonjë influencë ruse që të ndikojë tek zhvillimet politike në vend. Ajo që shoh është pronësi ruse, rusë që kanë prona në Mal të Zi. Këtë e di, pasi shoh shumë rusë të shëndoshë, që pijnë duhan, të veshur me kostume të ngushta banjoje në Mal të Zi. Pra e di që ka ndikim të ndjeshëm ekonomik nga rusët. Por nga ato që di për këtë vend sharmant është se Mali i Zi do integrim evropian dhe se antarësimi në NATO u mbështet nga shumica dërrmuese e popullatës”.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: John McCain:, krizën e refugjatëve, Rusia po militarizon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3011
  • 3012
  • 3013
  • 3014
  • 3015
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT