• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë dhe Çështja çame

November 12, 2015 by dgreca

Nga Gëzim Zilja/
Pak kohë më parë nëpërmjet shtypit u bëmë me dije se në Hollandë në fillim të tetorit u formua Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë me qendër në Hagë, Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh z. Lisien Bashkurti, kryetar biri i Çamërisë Festim Lato. KNÇ ka 50 anëtarë nga SHBA-ja dhe BE-ja, është organizëm ndërkombëtar, bazuar në eksperiencat juridike e diplomatike ndërkombëtare.
Më 7 nëntor nëpëmjet shtypit njoftohet se u themelua në Prishtinë, Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë për Kosovën dhe Luginën e Preshevës i përbërë nga 74 personalitete polititikë, akademikë, klerikë e mediatikë. Le të shpresojmë që gjithë këto të jenë të vërteta frytdhënësë dhe të ndihmojnë çamët të marrin pronat e tyre edhe pa u vënë në dijeni.
Në këto njoftime të bëjnë përshtypje dy teza që kundërshtojnë njera tjetrën:
E para KNSH-ja mer përsipër të zgjidhë problemin madhor çam me anë të ndërkombëtarizimit tw çështjes por pa pjesëmarrjen e faktorit të brendshëm dmth çamët e Shqipërisë dhe dy organizata që përfaqësojnë atë: PDIU-ja me deputetët e saj dhe Shoqata Atdhetare Çamëria, por thuhet në njoftim : ‘’… Faktorët politikë të brendshëm nuk janë pjesë e këtij organizimi, por janë të mirëpritur për bashkëpunim’’!?
Kjo organizatë me seli në Hagë me 50(pesëdhjetë) anëtarë nga SHBA-ja dhe BE-ja merr përsipër të ndërkombëtarizojë problemin por pa faktorin bazë, atë çam. Shumë e çuditshme kjo dhe e padëgjuar kurrë më parë. Po cilët qenkan këta europianë dhe amerikanë diplomatë, juristë, shkencëtarë, që nuk shkruajnë emrat, kur kjo organizatë është legale dhe aq më tepër do të punojnë falas?
E dyta: Me pjesëmarrjen e Sekretarit Organizativ themelohet në Prishtinë Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë për Kosovën dhe Luginën e Preshevës. Edhe si frazë kjo nuk ka kuptim në vetvete, por po përpiqem ta kuptojë. Pyetja është: Kur përjashtohet faktori çam në Shqipëri (ose të vijë po të dojë) si mund të ndihmojë Kosova me ballistët e vet dhe aktivistët e Preshevës çështjen çame, kur Kosova dhe Presheva kanë shumë probleme ende për të zgjidhur, e para për konsolidimin e shtetit të ri dhe e dyta për të drejtat si pakicë etnike në shtetin sërb? Pse kërkohet ndihmë në Prishtinë (nuk ka gjë të keqe) dhe nuk kërkohet edhe në Tiranë?
Kësaj i thonë miun se nxe vrima e do të marrë edhe fshesën me vete.
Do të ishte me vlerë të bëheshin të ditur ato 70 (shtatëdhjetë) personalitete të Kosovës dhe të Luginës së Preshevës, që janë angazhuar në këtë problem madhor të paktën për t’i falënderuar. Në të dhënat e pasqyruara në Internet përmenden vetëm tre emra duke përfshirë edhe Kryetarin e Ballit Kombëtar të Kosovës Selman Berisha.
Këshilli Ndërkombëtar i Çamërisë si fillim po përgatit katër dosje për t’i paraqitur në Hagë dhe në DPA. Dosja e katërt ka të bëjë me kthimin e pronave çamëve të Çamërisë. Mund t’i japë pak ndihmë KNÇ-së.
Në vitin 2006 PDI(U) ka dorëzuar në Strasburg dosjen e mohimit të të drejtave të çamëve në shtetin grek. Në dhjetor 2008 në Komisionin e Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut PDI(U) dorëzoi një dosje tjetër të çështjes çame. Në vitin 2009 PDI(U) u përfaqësua institucionalisht në DASH në ditën e genocidit dhe mohimit të të drejtave të njeriut në botë ku dorëzoi dhe një dosje për genocidin grek.
Në nëntor 2010 në SHBA shkojnë dy deputetë çamë Dashamir Tahiri dhe Shpëtim Idrizi me ftesë të DASH-it. Me këtë rast deputetët çam dorëzuan në Departamentin Amerikan të Shtetit një dosje dhe u siguruan, sipas atyre vetë, që kjo dosje do të shqyrtohet. Pra nëse KNÇ-ja po përpiqet për të hartuar dosje ato janë, ekzistojnë dhe janë dorëzuar në institucionet ndërkombëtare. Ndoshta dosjet e reja do të jenë më interesante dhe më të plota, por KNÇ-ja nuk ka pse e kap veshin e djathtë me dorën e majtë duke e kaluar pas kurrizit.
Vlen të theksohet se deputeti Dashamir Tahiri, ka kërkuar nga parlamenti shqiptar dy javë më parë zbatimin e detyrimve që rrjedhin nga Rezoluta për Çamërinë të aprovuar nga parlamenti shqiptar dhe futjen e Çështjes çame në Strategjinë e Sigurimit Kombëtar. Të dy problemet e mësipërme kanë të bëjnë edhe me ndërkombëtarizimin e problemit. Sygjerimi im është që KNÇ-ja nëse vërtet është aq serioze me aq shumë dijetarë, shkencëtarë, juristë, shqiptarë e të huaj e me zyra në Hagë (kush e paguan qiranë?) duhet të bashkërendisë punën me faktorin e brendshëm sidomos me elementin çam në Shqipëri. Sepse siç po shikohet, punët do të kryhen nga dy e tre herë dhe sërish thesi (problemi çam) do të jetë bosh si deri më sot.

10.11.2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, I CAMËRISË, Keshilli Kombetar

TË TRETESH NË TRETËSIRË TË HUAJ

November 12, 2015 by dgreca

Skicë/
Konferencierja, një vajzë e re, me një fletë në dorë tha:“Ai është një djalë i ri që e do poezinë. E flet mirë shqipen por poezitë i shkruan greqisht…”
…Dhe, duke mbajtur në një dorë mikrofonin e në dorën tjetër letrën, nisi të recitojë…
Recitoi një vjershë…
Më pas një dytë,
Më tej një tretë…
I dëgjova mes zhurmës që mbushi sallën.
Nuk i ndjeva.
Nuk më bëri “tëk” në shpirt.
Të njëjtën gjë bëri edhe salla.
Ai ishte një djalë i ri që siç u tha, fliste “mirë shqip”…
Më erdhi keq…
Nuk akuzova djalin. Nuk kishte faj. Vetëm dy vjeç ishte kur shkeli në tokën greke…
Akuzova “zotin”.
Jo atë që rri e na sheh nga qielli…
Akuzova “zotat” që rrinë e shohin nga karrigia e presidentit, kryeministrit, kryetarit të kuvendit, karriget e të gjitha partive…
Migjeni, dikur thërriste:
“Ah sikur të kisha një grusht e t’i bija malit që s’bëzan”.
Unë, duke perifrazuar poetin e madh, do të doja të thosha:
“Ah sikur të kisha një grusht dhe tu bija “zotave” që na lanë të asimilohemi, na e vdiqën gjuhën e bukur shqipe në mërgim, t’i rrëzoja nga “Olimpi” dhe t’i shkelja me këmbë…”
Fort, fort…
Mjerisht nuk kam as grusht, as gjymtyrë…
M’i kanë prerë…
Cung…
Dhe jam i detyruar të tretem në tretësirën e një vendi tjetër…

Abdurahim Ashiku

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Abdurrahim Ashiku, ne tretesire, të huaj, te tretesh

Kosova drejt Fondit të Ballkanit Perëndimor

November 12, 2015 by dgreca

-Fondi do të ketë organet e veta drejtuese dhe selia e tij do të jetë në Tiranë-/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 12 Nëntor 2015/ Qeveria e Kosovës miratoi sot nismën për nënshkrimin e Marrëveshjes për Themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor.
“Nënshkrues të kësaj marrëveshjeje do të jenë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia Mali i Zi dhe Serbia. Fondi do të ketë organet e veta drejtuese dhe selia e tij do të jetë në Tiranë”, u theksua në mbledhjen e qeverisë kosovare.
U bë e ditur se, Fondi synon të forcojë bashkëpunimin e vendeve nënshkruese dhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 58-të të rregullt, në të cilën ka miratuar amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Koncept Dokumentin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Mustafa, njoftoi kabinetin qeveritar për pranimin e Raportit të Progresit nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian.
“Është një raport i rëndësishëm, i cili në mënyrë mjaft reale prezanton situatën në Kosovë, në rend të parë progresin të cilin e kemi bërë në shumë fusha, sidomos me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim”, tha ai.
Natyrisht, vijoi kryeministri Mustafa, na mbetet që të punojmë në çështje të tjera që janë adresuar në Raportin e Progresit. “Janë çështje të cilat janë adresuar se jemi në fazën fillestare të marrjes me to”, shtoi ai.
Ne, tha Mustafa, do të lexojmë çdo pikë dhe çdo kapitull të këtij raporti, dhe do të marrim masa në sendërtimin e tyre, në mënyrë që progresi ynë në vitin e ardhshëm të jetë më i mirë.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Kosova drejt Fondit, të Ballkanit Perëndimor

Nje portret i i pautorizuar

November 12, 2015 by dgreca

JETË TË GJATË MOIKOMIT/
Nga Gëzim Llojdia/
1.Moikomi është një zë i bukur i pendës shqipe.Ashtu si ato monumentet e kulturorore që kanë status dmth mbrohen nga shteti,ky rrap madhështor që e ka emrin Moikom Zeqo është një ndër të pakët dhe ndër të rrallët e kësaj kategorie .Nga kjo rrjedh edhe detyrimi, që shteti ynë ka karshi figurave të tilla si Mokomi,Kadare,Agolli,Arapi,Xhufi,etj .
Befasisht dje me arkitektin dhe karikaturistin e mirënjohur nga qyteti i Flamuri,t Arben Meksi diskuton rreth një lajmi që ishte dhënë nga disa mediume, por që çuditërisht ishte shpërndarë me shpejtësinë e erës rreth gjendjes shëndetësore të Moikomit.
Është i kuptueshëm shqetësimi i adhuruesve e lexuesve të tij të kësaj figureve erudite që të shqetësohen për shëndetin e Moikomit .
Arkitekti A.Meksi ngre telefonin duke kontaktuar numrin e Moikomit.
-Alo Moikom c’qe ky lajm apo ndonjë lajm gazete?
-Lajm gazete dëgjohet nga përtej telit zëri i kolosit sic e quan n arkitekti i njohur A.Meksi.
E kisha takuar para disa ditësh shpjegon A.Meksi te marrja e çmimeve të :”Kultit”.Ishte vizituar në Angli dhe gjendja e tij nuk mund të thuash se ishte në parametra optimal.
A.Meksi i thotë se do ta kalosh shpejt dhe i uron edhe në emrin tim shërim të mbarë.
Moikomi është një një perosnalietet shumëdimesional i kulturës shqiptare.Rreth 15 vjet më parë te kryegjyshata ,Moikomi dhuroi librin e tij të famshëm gati mistik:” Syri i tretë dhe Naim Frashëri në syrin bektashian që ishin shqyrtime të hollësishme të studiuesit rreth mistikës së shitëve në botë dhe bektashinjve.
Ca vite të shkuara Moikomi bëhet llaf për post-kohën e 90 ai me një bllok në dorë shkonte dhe mblidhte cdo fjalë të poetit Dritëro për të cilin shkroi edhe nj libër. Mirëpo c’më thanë në një takim krijuesish.,kur biseda e solli këtë rast. Është i cuditshëm fakti që Mokomi qëndron më lartë se për vlerat krijuese dhe duhej të ishte në fakt ky i fundit të shkruante për Moikomin. Mirëpo ku pranon Moikomi ky njeri i thjeshtë, sa s’duhet tju kujtojë një fakt.Kur ishte drejtor i muzeut ai shkonte nga qyteti i tij Durrësi dhe kthehej me tren,ndërsa automobilat i kishin pushtetarët ata të pashpirtët,të korruptuar gjeri në palcë ata siç thoshte poeti Ali Asllani ngrysesh fukara ,gdhiheshin milionerë.Dhe në këtë kulm pune e hoqën nga drejtor i muezeut.
Fryma e Moikomit. Zbritur tek dielli. Përndryshe, një ditë vjeshte e vdekur, mundej që pasqyra e saj të na rrëfej:lëndën e Zotit. E ndritçme,fytyra. Shëmbëllim i arit. Ndrit pasqyra. Tek shpirti i diellit. Mokimi është poet,shkrimtar,studiues,arkeolog,kërkues stalaktitesh është punëtor I pashembullt i penës .Moikomi është një xhevahir i rrallë që edhe sëmundja dot nuk e vë poshtë. Ai është modest dhe prandaj i dërgoi mediumit një letër për shqetësimet që u soli adhuruesve të tij në fakt janë këta të fundit të shqetësuar duke e ndjerë fatin e tij si të tyre.
Moikomi është arkeolog ,studiues,historian. Duke bërë një përshkrim të Radhimës dhe Jonufrës i vetmi që ka zbardhuar ardhjen e piktorit,Onufër ishte Moikomi te botimi “Onufri”,një libër i rrallë për nga mënyra e të shkruarit dhe thellësia e mendimit.Ja cfarë thotë aty:Dr Moikom Zeqo , arkeolog,historian i mirëfilltë i kësaj sfere për këtë rast duke analizuar vend-ardhjen e piktorit Onufër shkruan dhe për gjirin e Vlorës:”Në masivin kodrinor të bregdetit në jug të Vlorës si dhe emër i një monumenti kulti në Kaninë. Në Gjirin e Vlorës shkruan ai, është qyteti arkeologjik i Orikumit themeluar sipas mitit nga princër eubeas pas rënies së Trojës..më e pabesueshme është se në kohën mesjetare të kryqëzatave,Orikumi quhet me emrin e qytetit biblik Jerikos( muret e këtij qyteti i rrëzuan me tingujt e burive).Ky vendbanim mund të ketë qenë edhe ndonjë skelë detare,ngase të dhënat flasin se në këtë gji detar prej kohëve të lashta deri më sot gjenden mbi 13 anije të mbytura .Dhe një numër prej tyre mund të kenë qenë të vendasve, që kanë jetuar në këtë territor…”
2.
Cfarë është jeta. Ku heliotropizmi. Soditja diellore e pa kyçur në përfundim të perëndimit.
Moikoim ka qenë ministër u kulturës në kohën e post-viteve’90.Si autor ai ka mbi 100 libra dhe shumë të tjera më thotë miku i tij A.Meksi që presin radhën e botimit. Mirëpo do të fokusohem në një pikë që këtë jetë e ka sfilitur edhe shteti më shumë .Si nuk u gjet një punë për këtë njeri punë shumë. A nuk kishte nevojë Ministria e Kulturës për një këshilltar kulture si Moikomi, vetëm bisedat më të janë ujëvara të pashtershme. Si nuk u gjet një vend pune nëpër muzeumet tona ,institute albanologjike, Akademia e shkencave, drejtorit e kulturës.
Si mund të mbetej vallë ky shtet, të lërë pa punë Moikomin e madh,këtë kolos të gjithanshëm eruditin siç e quan B.I,mirëpo ai është poet, shkrimtar, studiues,historian,arkeolog, dhe me gradë shkencore. Kaq shumë Moikoma, paska patur ky vend që degradoi rrejshëm deri në këtë farë feje?Është kjo pyetja jonë dhe e adhuruesve të tij, që në këto ditë luten edhe për shërimin e tij.
Moikom jetë të gjatë!

Filed Under: Featured Tagged With: Gezim Llojdia, Jete et gjate, Moikom Zeqo

Nëpunës për Zyrën e Vulës

November 11, 2015 by dgreca

Tregim nga Faruk Myrtaj/
Shefat e mëdhenj thuajse s’e dinin. I njihnin vetëm duart, parakrahët, shputën dhe gishtrinjtë e dorës, kur ai zgjaste dosjet e arkivës nëpërmjet sportelit. Përpikmëria e lëvizjeve, korrektesa dhe saktësia e dokumentave që përcillte, ishin arësyet që miratuan menjëherë sugjerimin për kalimin e tij në një zyrë të posaçme që do të merrej me vënien e vulës në shkresat e Shtetit.Shumë njerëz humbasin orë e ditë të tëra për të provuar vërtetësinë e dokumentave, u kishte thënë një ditë shefave të vjetër.
Ata e dëgjuan, ishte e para herë që ai fliste në sy të tyre. Tavolina e punës së tij, thuajse nuk binte në sy, e vendosur në aneksin jo aq të ndriçuar dhe pa dritare.
Tjetërkund vendoset por, me një vulë të miratuar dhe të hedhur nga kjo zyrë, shkresat do të bëhen të paraqitshme dhe serioze. Dhënia e vulës është formalitet, por ajo çfarë do të garantoj kjo zyrë është vërtetesia e dokumentit nëpërmjet vulës. E vetmja shtesë që lipset është hapja e një sporteli në murin e jashtëm të aneksit.
Zyra, megjithatë, për ditë të tëra pas hapjes së sportelit, vazhdoi të ish po ai aneks i zakonshëm. Kur s’kishte njerëz që vinin për të vulosur shkresat e tyre, sporteli shërbente thjesht si dritare. Natyrisht që u bë më tërheqës, kur e veshën me dru arre të lëmuar dhe më serioz, kur nga jashtë, përmbi sportel, u vendos një tabelinë ku ishte shkruar me gërma kapitale: ZYRA E VULËS.
***
Vinin tërë qytetarët që kishin nevojë për Vulën. Ishte vulë që lëshohej vetëm aty.
“Të vësh vulën, kjo është puna jote.”, i tha vetes njeriu i zyrës, kur u ndodh i vetëm.
“Për kaq gjë do marr lekun e shtetit unë?!”, mërmëriti nëpunësi që po merrte formë tjetër dhe përmasë të papritur brenda tij.
“Pse, të duket pak…?!”, nënqeshi njeriu nëpunësin.
Tërë jetën, Evret Dimri do t’i ndjehej borxh asaj pjese të vetes që kishte thënë: “…pse, te duket pak ty?!” Pas kësaj kishte nisur tërë lëvizja. Si rrëshqitja e pabujshme e një ane mali që nuk do të reshtëte më. Kollajshmërinë e fillimit, ngutjen për një sportel fare të zakonshëm në pjesën e pasme të ndërtesës, pak më vonë ndarjen e aneksit prej pjesës ku punonin edhe të tjerët, dalja si zyrë më vehte, e tëra kjo kishte lindur si një sipërmarrje thuajse naive.
I mbante mend të gjitha, por më kthjellët se çdo gjë kujtonte njeriun e parë që erdhi për tek sporteli. Evret Dimri e kishte vënë re që atje tej. I bëri një shenjë për ta siguruar se pikërisht kjo ishte zyra që i duhej atij dhe ku ai ishte i mirëseardhur.
“Ju i hidhni vulat?”, kërkoi të sigurohej tjetri.
“Mua ma besuan këtë punë, ju zgjidhni hallin tuaj, por edhe shteti ka leverdi.
I mëshoi vulës mbi formularët dhe ia ktheu tjetrit, duke përcjellë edhe kënaqësinë e tij për punën e kryer. “Eja përsëri, sa herë të duhet vula!”
Tjetri e vështroi i befasuar. Dhe, për pak, mbeti aty, tek kuadrati i sportelit.
Kush e di nga cili cep i shtetit kishte ardhur, i gjori, ç’sorollatje i kishin ndodhur, që hezitoi të largohej. Mbase gruaja e pati kujtuar të merrte diçka më shumë në kuletë. Për vulat, kush e di, duhej dhënë diçka.
Nëpunësi brenda këtij sporteli nuk i dha asnjë shenjë se priste diçka prej punëmbaruarit, që mbase e shtyri ta falenderonte nëpunësin përtej kuadratit edhe për këtë.
“Mos e thuaj atë fjalë…Faleminderit duhe të themi ne, kur e shohim njeriun që vjen e kërkon vulën e shtetit për të rregulluar punët e tij…”
“Megjithatë faleminderit… S’jemi mësuar kështu ne…”
Nëpunësit të Zyrës së Vulës i kujtohej mirë, i pari i të ardhurve për vulë ishte larguar fillimisht duke ecur mbrapsht, përkulur pak në supet, pastaj disa hapa brinjazi, duke vazhduar të pëshpëriste falenderjen, gjersa atje tej, ku ishte i sigurt se kishte humbur madhësinë për t’u perceptuar ende prej syrit të nëpunësit në sportel.
Kush e di ç’kish shtuar e zbukuruar në përshkrimin e tij prej njeriu të ngazëllyer vulëmarrësi i parë, përderisa vetem pak çaste apo pak orë më pas, dhe më shumë ditën e javën tjetër, radha përpara sportelit nisi të zgjatej gjer përtej sheshit.
Nëpunësi thjesht vinte vulën në shkresat që i zgjateshin, duke vënë re ngutin, ndjesinë e pritjes dhe pastaj lehtësimin, tek fytyrat e atyre që shfaqeshin për pak minuta në kuadratin e sportelit, por ndërkaq provonte edhe ëndjen e fjalosjes me veten. Shkresat që i viheshin përpara ngjanin si copa letrash pa vlerë, deri në momentin kur arrinin sportelin. Sapo ai ngrinte dorën për të vënë Vulën, ato nisnin e tjetërsoheshin, merrnin vlerë, sikur u binte një nur tjetër apo u ngrihej vlera në bursën e ditës. A thua prej kur bukuroheshin me vulën në krye të tyre, mbarësia e ligjit u bëhej dritë dhe u hapte rrugë. Njerëzit e shkretë, i dërgonin shkresat me Vulë atje ku duhej dhe hallet zinin e ç’kokolepseshin.
Evret Dimri bënte shaka kur paralajmëronte mbarësi e fat në vënien e vulës, por pas një farë kohe ndjente se vërtetë po bindej për këtë.
***
Ditët kur ai e hidhte vulën lehtë e lehtë, sikur fluturonin. Vula në duart e tij sikur po bëhej më e rëndë. Filloi t’i shqyrtonte të shkruarat, në fund të të cilave kërkohej të vihej vula. Ishte më mirë kështu. Njerëzit vinin për të ikur, kjo dihej, por nëse nuk do të harxhonin pak kohë për të marrë Vulën, për ç’dreq tjetër ia vlente koha e tyre. Në të vërtetë ishte vetë ai që e mendoi vonesën. Ata që shfaqeshin tek sporteli ndjeheshin të kënaqur që aty do të mbaronin punë.
Thyerja, vramendja se në procesin e vulëhedhjes mund të ndryshonte diçka, ndodhi një ditë kur dikush prej vulëmarrësve, jo vetëm nuk po shqitej nga sporteli por e tronditi me këmbënguljen e tij për t’i lënë doemos një dhuratë.
“Këtë vulë, që ti e lëshon aq lehtë…nuk ka çmim ta paguaj. Ndokush tjetër, do dinte ta përdorte ndryshe, këtë fat…!”
Jo se nuk e kishte menduar edhe vetë këtë gjë, o diçka të përafërt me të, por fjala e tjetrit e ndezi së brendshmi. E mbylli me vërtik sportelin prej brenda dhe pështeti kryet mes pëllëmbëve të duarve. Le të prisnin ca, ata atje jashtë…
Ata jashtë pritën, pa u ndjerë, pa dhënë asnjë shenjë se ishin atje. ai ndenji një copë herë, mbase disa orë, por edhe sikur të kishte heshtur për disa ditë rresht, aty do t’i gjente, kur ta rihapte kanatin e sportelit…
Evret Dimri nisi t’i bënte gjërat më ngadalë e më shtruar. Shkresat mes gishtave te tij sikur po merrnin vërtetë peshë dhe njerëzve po u duhej të prisnin më gjatë në sportel. Erdhi një ditë kur për të mbaruar punë në sportelin e tij duhej të dilje nga shtëpia qysh në pikë të mëngjezit dhe, pak javë më vonë, duhet të gdhiheshe në radhën e gjatë. Ndodhte të duhej të mbaje rradhën për ditë të tëra. Në fund të fundit ishte Vulë…
“Për atë shkresë” duhet thënë, jo “për atë besë”, ngriti një ditë zërin.
E folura e Evret Dimrit u dëgjua në tërë ndërtesën. Më tej akoma, rreth e qark atsaj ngrehine që sikur u shndërrua në moment në një Pallat të Madh ku fillonte rregulli dhe Ligji që u kishte munguar njerëzve.
Nuk e kishte menduar më parë se ta nxirrte prej dhëmbëve. Thënia i erdhi natyrshëm, si tërë rëndomtësitë që shoqërojnë punët e njeriut dhe ata që e dëgjuan nisën të qeshnin mendueshëm. I dhanë të drejtë.
E the bukur, i thanë.
E tha vërtetë bukur, u thanë të tjerëve që takuan në rrugët e jetët e tyre. Nisën ta përdornin e ta përsërisnin gjithnjë e më shumë njerëz.
Ishte lajm që, të tjerë, si mirënjohje dhe intimitet, ia sollën edhe atij.
Në fillim u gëzua, pastaj u bind se thënia që lidhte besën me shkresën po merrte gjithnjë e më shumë vlerë reale. Përdorimi i saj u rrit, gjersa dikush e shkroi me të kuqe në një rrip të gjatë të bardhë bezeje. E vunë si parrullë, në murin e jashtëm të ndërtesës, mbi sportelin e zyrës së vulës, ku tashmë shërbenin edhe të tjerë, si ndihmës të tij.
Të arrije në sportel tashmë s’ishte kollaj, ishte mundim i madh duhet thënë, por nuk se mbyllej me aq. Në çastin kur arrije ta shfaqje fytyrën në kuadratin e sportelit, përballë asaj të nëpunësit të Zyrës së Vulës, duhej të paraqisje prova të tjera. A ishte i rregullt dokumenti? Nga cila zyrë dhe pse ishte lëshuar shkresa? Sa më shpejt duhej shërbyer, Evret Dimri nuk mënonte dhe ndihmësit i rrinin më këmbë, por që dora e tij të hidhte vulën, duhej mbushur më parë mendja e tij. U përgatit një pyetsor i hollësishëm të cilin duhet ta plotësoje aty, në vend. Le të ishe i lodhur nga radha e gjatë, le të bezdiseshin ata pas teje në radhë dhe të kandiseshin gjer në të shtyra e grindje me njeri tjetrin, për të arritur sportelin. Të merrje Vulën s’ishte një fjalë goje.
***
Evret Dimrit i kujtohet, aq më furishëm, njeriu i parë të cilit i vonoi dhënien e vulës.
Diku, kishte thënë për të se në fund të fundit “një copë vulaxhiu” ishte. Por tashmë ishte kapërcyer. Me qetësi, si edhe më parë i sjellshëm, pasi e pyeti përfolësin për shëndetin e fëmijëve dhe punët e stinës, ia ktheu shkresat, për rishikim.
Ka nevojë të plotësohen, i tha atij.
Nuk u kujtua t’i jepte asnjë hollësi më shumë. Tjetri mbase e mendoi shkakun e vonesës, por s’guxoi të pyeste se çfarë duhej të plotësonte në formularët e tij.
“Një copë vulë është kjo që hedh unë, por ajo letra që sjellë ti, për të merituar vulën e shtetit, duhet të bëhet shkresë më parë, apo jo…”
Tjetri e la radhën i djersitur, i lodhur, i tronditur. Pse vallë…e ktheu? Pse duhet të llapte? Ia kishin sjellë përfoljen…Kush?
Nëpunësi i Vulës e përcolli me sy, gjersa i refuzuari përshkoi sheshin. Vetëm pastaj vazhdoi me shkresat e tjetrit në radhë.
Sy e gojë të tjera, treguan më pas se prej atij momenti vulëvonuari ishte parë me dyshim. Në lokalin afër shtëpisë nuk i kish bërë kush shoqëri. Disa gota alkohooli i kishte kthyer vetëm fare. Të nesërmen nuk e panë të dilte në rrugë. Të pasnesërmen e njoftuan se vulëhumburit i ishte shkurtuar vendi i punës. Thjesht se nuk kishte mundur të mirrte Vulën e Shtetit të Tij.
“Paskam diçka në dorë!” mendoi i gëzuar Evret Dimri. “Kësaj bote nuk iu dalka vetëm me të mirë…”
Në ditët më pas ndodhi të kthente, për plotësim dokumentash, edhe njerëz të tjerë. Nuk shtoi, as zbukuroi, kur i pohoi vetes se kishte filluar të ndjente një lloj kënaqësie teksa në fytyrat e vulëvonuarve shfaqej një lloj trishtimi i thellë, një si lodhje bërtitëse por deri në fund e heshtur. Për shkak të shtyrjes së datës së lëshimit të vulës, kish njerëz që humbën jo vetëm shanse të mira pune e trashëgimi pasurie, por fëmijëve të dikujt nuk u dhanë as të drejtën për të vazhduar shkollat e larta. Një tjetri i ishte shtyrë dita e dasmës, gjë që u interpretua si paralajmërim për fatkeqësi që do ta shoqëronin çiftin tërë jetën e jetës, edhe nëse do arrinin ta bënin dasmën.
Njëherësh me kënaqësinë që buroi e hovi prej brenda tij, dëgjoi se nisën të flisnin gjithnjë e më shumë për të. Sidomos kur bëheshin shumë vetë bashkë, ishte e sigurt që lëvdonin dhe betoheshin për të.
Kështu po, kështu ka lezet, ngazëllehej Evret Dimri. Nuk është pak të të mburrin shumë njerëz njëkohësisht. Vazhdoi të ruante humor të mirë, madje bëhej edhe më i këndshëm, kur i tregonin se sapo njerëzit ndaheshin nga njeri tjetri, disa prej tyre bëheshin dy e nga dy apo mbeteshin fare vetëm, dhe nisin e shanin. Ndokush edhe të mallkon, i thanë. Kjo është mrekullia vetë, shtonte aty për aty Evret Dimri. Mallkimi i njerëzve, është shenjë e dobësisë së tyre…
Nuk do ta harronte kurrë njeriun e parë të cilit ia refuzoi dhënien e Vulës së Shtetit.
“Nuk ke për ta marrë…”, i tha.
Tjetri, matanë sportelit, kishte mbetur i ngrirë: “Ka ndonjë gjë që nuk shkon aty? Duhet të plotësoj…apo të shtoj diçka?”
“Nuk do të mundësh dot t’i plotësosh, kurrë…”
Tjetri përballë sportelit sikur humbi edhe gojën. Buzët provuan përsëri e përsëri, pa mundur as të belbëzonin. Vetëm dora arriti të ngrihej paksa, aty te syprina e dërrasës së lëmuar të sportelit ku ishte mbështetur, por ra në çastin tjetër si lëvizje e fundit e të gjallit.
“Po ky është hall i madh. Pa vulën e shtetit, tani nuk shkohet gjëkund. Jemi njerëz, o njeri… Nuk më thua dot, ç’të bëj, a ku ta kërkoj tjetër vulën?”
“Sa të jem unë në këtë sportel, s’ke për të marrë vulë të këtij shteti!”
Tjetri mund të shndërrohej në tym në momentin tjetër, por edhe vetë nëpunësi ndjehej tjetërgjë teksa i bëhej se dëgjonte jehonën e asaj që sapo kishte artikuluar. Kishte folur në emër të Shtetit…për herë të parë. Dhe, për më tepër, pas kësaj nuk ishte kundërshtuar…
Njeriu të cilit sapo i ishte hequr e drejta për të marrë vulën e shtetit, u largua i përkulur më dysh, për shkak të barrës së rëndë që sapo i kishin hedhur në shpinë. Dukej që atje tej, i pashpresë, i përfolur, i përtallur, kot sa do rronte nëse do ia dilte pa Vulë, kot sa kthehej në shtëpinë e tij nëse do arrinte atje perpara se të mbrrinte lajmi se s’do ta kishte kurrë vulën, lajm që mund të mos ja hapte më as derën e shtëpisë së tij. Por edhe më të mjerë akoma do fillonin të ndjeheshin ata që e prisnin, që megjithatë mund t’ja hapnin derën se e kishin baba, burrë, apo e dinin zot shtëpie. Refuzimi i Vulës prej nëpunësit të Zyrës së Vulës tingëllonte si pamundësi për të ëndërruar, kurse mënyra e refuzimit ishte thuajse ç’mendëse…
Vet-me-vete, vjedhurazi edhe prej vetes, vulëhumburi guxoi të mendonte disi më ndryshe. Thjesht hamendësoi duke ripërtypur një-pas-një fjalët e betimit rrënqethës të nëpunësit. “Sa të jem unë në këtë sportel…” Sipas kësaj logjike, i mbetej të priste heqjen e këtij nëpunësi, zëvendësimin prej një vulëdhënësi tjetër, ose vdekjen e atij…ose…ose vetë shteti i kësaj vule, shteti që po i shfaqej si i njeriut të kësaj vule të refuzuar përgjithnjë…s’duhej të ishte ky shtet që ishte…
O gjëmë e madhe! Ishte i tmerruar nga idea se kishte shkuar ndërmend ndryshimin e shtetit, vetëm e vetëm për të përfituar të drejtën e vulës…Po sikur edhe mendimet të vileshin në një farëlloj mënyre, dhe të shkonin brenda sportelit të Zyrës së Vulës?
“Mirë është të dihet edhe për njerëzit që provojnë të bëjnë pa vulën e shtetit…”, tha një ditë më vonë nëpunësi i Vulës.
Ia tha këto fjalë rojes së zyrës vulës, kryerojës, në të vërtetë. Se ishte një trumbë e tërë njerëzish që punonin për të tashmë. Zyra e Vulës jo veç kishte përfshirë zyrat e atij kati, aneks i të cilit kishte qenë dikur, por aty vuloseshin edhe tërë shkresat e vendimet e zyrave të tjera të asaj ndërtese.
“E kemi menduar edhe këtë, shef…”, e qetësoi në çast kryeroja. “Kemi hapur dosje të posaçme për secilin. Edhe për ata që vetëm sa u vonohet vula, kemi mbledhur informacione…”
***
Evret Dimri i harronte fytyrat e njerëzve, sapo largoheshin prej sportelit. Me kalimin e viteve, i harronte në të njëjtën mënyrë ata që iknin pa marrë vulën, njëlloj si ata që e merrnin atë. Nuk kam kohë, as fuqi e as nerva, të gëzohem a të trishtohem me gëzimet dhe hallet e tyre, thoshte. Nuk është detyra ime, në fund të fundit. Unë vë vula. Nuk jam dezhurni i Maternitetit, as defteri i Zyrës së Funeraleve apo regjistri i Gjendjes Civile…
Jam si vula, i njëllojtë për të gjithë. Si shkresa jam, kur ka vulën në fund!
Dikur ndjeu se nuk shqetësohej më kur nuk shprehej në formën “nuk ta hedh dot Vulën e Shtetit”. I vinte më për mbarë kur përdorte trajtën “nuk e merr dot vulën time ti…”
Natyrshëm nisi të besonte se ishte pjesa e gjallë, dominuesja, e pashmangshmja në procesin e vulëdhënies. Nuk iu duk tepër, teksa ndjeu se besonte: pa të s’kishte as kuptim, jo vetëm që s’ishte e mundur, dhënia e Vulës. Prej sportelit të tij tashmë nuk pritej thjesht vënia e vulës, si kohëve të para. Tërë zyrat e tjera, edhe pse ishin më sipër, ishin vënë në punë në funksion të Zyrës së Vulës. Madje askush nuk u befasua kur ishte ndryshuar edhe emërtimi i saj. Në tabelën sipër sportelit lexohej ZYRA E VULËS SË SHTETIT.
***
Një mëngjez nuk u ndje mirë. Vendosi të mos shkonte në zurë. Le të bënin një ditë pa vula. U ngrit nga shtrati i telekosur, por arriti të dilte në ballkon. Hodhi vështrimin për nga ndërtesa ku ishte zyra e vulës, dhe sesi u ndje kur pa se njerëzit si në radhë për të marrë vulën, kishin ardhur deri pranë shtëpisë së tij. pyeti dhe i bën të ditur se nuk kërkonin vulën.
“Duam të dijmë shëndetin e tij. Të jetë mirë Evret Dimri…Vula është…”
Paskësaj, fare natyrshëm ai mendoi se sikur të mos ishte ai, edhe vula edhe vetë shteti nuk do të ishin ata që ishin. Caktoi një nëpunës tjetër për pritjen e njerëzve që kërkonin vulë. Ky nëpunës, nga ana e tij, kishte një ndihmës të parë për të seleksionuar e ndarë kërkesat për vula afatshkurtëra dhe afatgjata, dhe një ndihmës të dytë, që merrej me plotësimin e fletëanketës, pyetjet për të cilën ishin shtuar e nënshkruar prej dora vetë Evret Dimrit dhe po përfshinin gjithnjë e më shumë hollësi të lloj-llojshme.
Në ditët më pas, ashtu siç priste, numri i njerëzve në radhën për vulë u shtua edhe më shpejt. Ai po bindej se njerëzit nuk mund të bënin pa të, njerëzit prisnin për të. Për vulën e tij. Ai mund t’i gëzonte, po ai kishte në dorë t’i mërziste. Ai mund t’u nxinte jetën.
Rrinte orë të tëra, i mrekulluar, duke dëgjuar bisedat e tyre, të rregjistruara pa dijeninë e tyre, në orët e gjata të pritjes për vulën e tij. Njerëzit që kishin rezerva për të i adresonte për tek nëpunësi tjetër dhe ndihmësit e tij. Le të vendosnin ata për fatin e përfolësve të tij. Kjo lojë maca-minjsh i shkaktonte humor të mirë. Dikur kishte ardhur një kohë kur ai e dinte që ata e dinin se ai i mirrte vesh të gjitha ç’thoshin për të. Evret Dimri i turbullonte edhe më, kur ia kthente dokumentat ndokujt që e kishte mburrur e lëvduar me të madhe dhe ia ofronte shpejt e shpejt vulën dikujt që e kishte marrë nëpërgojë! Merrte dhènë fjala se për Evret Dimrin ishin njëlloj të gjithë. Ata që e donin dhe ata që s’e donin. Ai i ndëshkonte të gjithë. Ishte e kotë t’i fshiheshe, ishte e pamundur të shtireshe ndaj tij. Më e mira ishte të mos flisje fare për të. T’i bindeshe në heshtje vulës së tij. Kaq. Më e mira e të mirave ishte të mos kishe të bëje fare me të, por ishte e pamundur të bëje pa vulën e shtetit. Dhe vulën e këtij shteti e jepte ose nuk e jepte ai…
Pohimit se publikisht e donin njëlloj të gjithë, për të ishte njëlloj sikur e urrenin njëlloj të gjithë. Pikërisht kur arriti pa asnjë shqetësim në këtë përfundim, u bind se Zyra ku hidhte Vulën ishte vetë Shteti.
Ngaqë pa vulë nuk bëhej asgjë, të gjithë e mendonin ditën kur u duhej të shfaqeshin përpara sportelit të tij. Prej tij do t’u vinte e mira dhe e keqja, kjo nuk vihej në dyshim. Ata që gëzoheshin duhet t’i ishin mirënjohës, teksa të tjerët, që u binte rasti të vuanin vonesën, shtyrjen, refuzimin, do të bindeshin se vetëm prej Vulës së Tij mund t’i shpëtonin së keqes që i kishte zënë. Nuk merrej vesh ku mbaronte respekti dhe ku fillonte urrejtja për Evret Dimrin.
Ngaqë ndodh kështu, jam vula vetë, mendonte.
I bindur tashmë se ishte fati i të gjithëve. Vulës i binden, edhe kur nuk e duan.
Netëve, kur trupi prehej, truri sikur rrekej ta provokonte. Vetëtinte nga ide të çuditëshme. I ofronte trupit mundësinë të merrte formën e cilindrit që rrihte e godiste papushim, vertikalisht. Në bazën e poshtme të tij, tek këmbët të bashkuara në një, ishte fiksuar vula që stampohej mbi shkresa, çeqe, trupa e gjymtyrë njerëzish të tjerë, madje edhe mbi trurin dhe zemrat e tyre. Turma e njerëzve atje poshtë duartrokiste dhe qeshte. Qeshte dhe lotonte. Pastaj binin të gjithë përmbys dhe trupi i tij cilindrik rrihte si tokmak mbi ta. Dhe i vuloste. Vetëm pas shenjoheshin me vulën e tij, nisnin të punonin zemrat, truri, trupat e tyre.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Faruk Myrtaj, nepunes, për Zyrën e Vulës, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3365
  • 3366
  • 3367
  • 3368
  • 3369
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT