• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pa reformën në drejtësi nuk ka BE për Shqipërinë

July 23, 2015 by dgreca

Takim për reformën në drejtësi/
Më 22 korrik, Ambasadorja e BE-së, zonja Romana Vlahutin dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Donald Lu organizuan së bashku një pritje për të falenderuar ekspertët ndërkombëtarë dhe vendas për kontributet e tyre të palodhura në procesin e reformës në drejtësi. Ambasadorja Vlahutin vuri në dukje se “pa këtë reformë Shqipëria nuk mund të ecë përpara në negociatat me BE-në” dhe iu kërkoi anëtarëve të komisionit të posaçëm që ta “mbrojnë këtë reformë nga përdorimi i saj si një vegël për ujdi politike.” Ajo theksoi se është thelbësore që një proces reforme i tillë të drejtohet nga ekspertë, për ta mbajtur atë mbi politikat partiake. Me shpresën se ky do të jetë një “moment historik për një proces reforme historike,” Ambasadori Lu përgëzoi z. Fatmir Xhafaj dhe z. Eduard Halimi për arritjen e marrëveshjes për përfshirjen e anëtarëve të opozitës në komisionin e posaçëm. Ai i nxiti palët të vazhdojnë të tregojnë mirëbesim politik në punën e tyre të përbashkët. Ambasadori nënvizoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për procesin e reformës gjyqësore, duke thënë se “ne vazhdojmë të shpresojmë se reforma do të jetë e thellë, kuptimplotë dhe afatgjatë. Nga ana jonë, premtojmë se do të mbetemi të angazhuar dhe gjithnjë vigjilentë. Për sa kohë do të punoni me mirëbesim, ne gjithashtu do t’ju ndihmojmë deri në fund.” Si Ambasadori Lu, ashtu dhe Ambasadorja Vlahutin, i shprehën mirënjohjen e tyre ekipit të ekspertëve që kanë dhënë kohën, energjitë dhe njohuritë e tyre profesionale në këtë proces dhe e nxitën parlamentin ta përfundojë reformën në drejtësi këtë vit.

***
On July 22, EU Ambassador Romana Vlahutin and U.S. Ambassador Donald Lu jointly hosted a reception to recognize the international and domestic judicial experts for their tireless contributions to the reform process. Ambassador Vlahutin noted that “without this reform Albania cannot move toward negotiations with the EU” and implored the members of the ad hoc committee to “protect this reform from becoming a tool of political bargaining.” She noted that an expert-driven reform process like this one is the key to keeping the process above partisan politics. Expressing his hope that this will be a “historic moment for a historic reform process,” Ambassador Lu congratulated Mr. Fatmir Xhafaj and Mr. Eduard Halimi for working out an agreement to include members of the opposition into the ad hoc committee. He urged the parties to continue to show political good faith in working together. The Ambassador underscored U.S. support for the judicial reform process, saying that “we continue to expect the reform to be deep, meaningful and long-lasting. From our side, we pledge that we will remain engaged and ever watchful. As long as you both work in good faith, we will also support you to the end.” Both Ambassador Lu and Ambassador Vlahutin expressed their gratitude to the team of experts who are investing their time, energy, and professional knowledge to this process and they urged parliament to complete judicial reform this year.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasadori Lu, ne Drejtesi, per Reformen, takim

Ik o vëlla ik, që të shpëtosh!

July 23, 2015 by dgreca

Opinion- Aleksandër Rrema/*
Ik o vëlla, o bir, o shqiptar nga kjo farë e keqe që ka mbërthyer vendin tënd të lindjes. Ik o djal, o burrë, o njeri i kësaj toke, që të shpëtosh nga këta puçiste të këqinjë. Ik dhe bjer rehat me veten tënde, se këta të lënë pa bukë, pa të ardhme. Të bëjnë atë që s’ta pret mendja ty, si e si për të mbajtur një cop kolltuk, një cop karrige, një cop tender, një cop allishverish. Ti nuk je për këto punë, ti nuk ju duhesh këtyre se ju hap telashe, se ti nuk je si këta, ti je i drejtë dhe e do këtë vend. Ti nuk ke ardhur në këtë jetë për të vjedhur, për t’u pasuruar me djersën e njerëzve të tu. Ti nuk ke ardhur të bëhesh kriminel dhe as trafikant. Politika o vëlla është kurvë dhe ti nuk je kurvë që të shkelësh fjalën tënde, bukën që ke ngrënë ndër miq e ndër shokë. Ti je i drejtë dhe i ndershëm, mbase ndershmëria jote do t’i hyjë në punë dikujt atje jashtë, por kurrsesi këtyre që janë futur në kazanin e llumit dhe që po gatuajnë çdo ditë gjellë të prishur për të të helmuar ty. Ik që të shpëtosh veten tënde, ik dhe mendo për fëmijët e tu, ik që mos të të nëpërkëmbin, ik që të mos përdoresh, ik që të mos bëhesh kartë e djegur, ik dhe bjer rehat me veten tënde. Dhe nëse kthehesh një ditë (nëse do kthehesh) do kuptosh se krenaria për vendin tënd fillon dhe mbaron tek shalët e sekretares, tek portofoli i ministrit, tek sekseri i Kryeministrit, tek vota e blerë e kandidatit, tek krimineli me kapuç të zi i liçensuar nga qeveria, tek tenderi korruptiv i ilaçeve apo i librave arsimorë. Ik që të mos kuptosh më shumë se ç’bëhet me fatin tënd mjeran. Ik dhe vetëm ik. Dhe kurrë mos e kthe kokën pas, për të parë se ç’bëhet këtej. Vriti lotët e nënës, hidhi mënjanë rrudhat e babës dhe ju thuaj lamtumirë se do flasim me teknologjine e famshme 4G “sëshpejti”. Mos u dëshpëro, mos u ligështo, mos u dorzo, vriti ndjenjat e tua për këtë vend, që mbolli veç farën e zezë dhe asgjë më shumë. Që s’diti kurrë të të jepte bukën që meritove, që s’diti kurrë të të thante etjen me tubat pa ujë, që s’diti kurrë të të ndriçonte me energjinë e munguar, që s’diti kurrë të të fshinte djersët dhe të të thonte punë të mbarë. Ik o vëlla ik që të shpëtosh, nga kjo fole krimbash e zvarranikësh dhe botës t’i tregosh se ti ende je shqiptar dhe krenar për vendin tënd, por jo për ata që kalit i kanë kërcyer keqazi duke shkelur çdokënd që ka vlerë dhe virtyt. Ik o vëlla që të shpetosh. Ik dhe vetëm ik!
Tiranë me 22.07.2015
(E dergoi per Diellin: Faik Krasniqi)

Filed Under: Opinion Tagged With: Ik o vëlla ik, që të shpëtosh!

Ligji i Arsimit të Lartë,pozitë–opozitë takohen në Gjykatën Kushtetuese

July 23, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Në Shqipëri vazhdojnë debatet për ligjin e ri për Arsimin e Lartë i cili miratua pas mesnatës së datës 21 korrik me votat e shumicës së majtë. Kryetari i opozitës Lulzim Basha paralajmëroi dje një aksion për të penguar hyrjn e tij në fuqi, që nga ndërhyrja pranë presidentit deri të ankimimi në Gjykatën kushtetuese. Por nga ana e tij kryeministri Edi Rama tha se ligji përfaqëson një reformë revolucionarizuese të sistemit të lartë arsimor në vend. Seanca maratonë e datës 21 korrik në parlament dhe debatet e zjarrta mes shumicës dhe opozitës, nuk kanë mjaftuar për të zbutur zhurmën e madhe që ka shkaktuar ligji për arsimin e lartë. Përkundrazi. Edhe në ditët në vijim po vazhdojnë replikat në distancë mes palëve. Ja si u shprehën liderët e dy forcave kryesore politke në vend për këtë ligj të rëndësishëm.
Rama: Ligji garanton konkurrencën dhe nuk përjashton askënd.
Kryeministri Edi Rama mbrojti ligjin e arsimit të lartë, të kaluar ditën e martë në seancën e posaçme të Kuvendit, duke deklaruar se ligji garanton konkurrencën dhe nuk përjashton asnjë nga e drejta e arsimimit. “Produkti është shumë i mirë dhe është për të ardhur keq kundërshtia që bëhet në emër të të varfërve, duke spekuluar në mënyrën më të padenjë dhe duke gënjyer në mëyrën më të papranueshme. Ligji garanton konkurrencë dhe që asnjë i ri apo e re, që ka dëshirë të ndjekë universitetin dhe që e meriton, të mos pengohet nga varfëria në familje, sepse është shteti që do të mbështesë të gjithë fëmijët e shtresës së varfër për të kryer me sukses përfundimet ku ata dëshirojnë”, tha Rama. Ligji mbështete financiarisht jo vetëm këtë shtresë, por edhe studentët e shkëlqyer dhe ata që zgjedhin programet e përcaktuara si prioritet kombëtar.
“Ky është një ligj që hap rrugën për të sjellë Shqipërinë në kohën e re europiane pas 20 e ca vitesh korrupsion dhe privilegjesh për një kastë që është financuar nga buxheti i shtetit dhe nuk ka kthyer mbrapsht investimin e marrë”, deklaroi kryeministri. Rama ripërsëriti se financimi shtetëror shkon i gjithë për të mirën publike, për rritjen e konkurrencës dhe cilësisë. Basha: Në Kushtetuese ligjin e arsimit të lartë. Rama-Meta, shkatërruan autonominë
Partia Demokratike paralajmëoi kundërshtimin deri në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për arsimin e lartë, të miratuar ditën e martë nga mazhoranca.
“Ne do të marrim një aksion të gjerë informimi dhe ndërgjegjësimi të çdokujt, sesi hidhen në kosh të plehrave përpjekjet e mijëra gjimnazistëve? Si goditen të zotët, të aftët? Si stimulohen të paaftët? Çfarë do të thotë kjo për studentët? Një fushatë ndërgjegjësuese që nis sot e do të vazhdojë. Së dyti Partia Demokratike do të ndërmarrë një aksion masiv institucional, që nga Presidenti e deri tek Gjykata Kushtetuese, ku opozita do të jetë në krah të studentëve dhe pedagogëve që kanë të drejtë”, tha Basha. Për opozitën është akoma më e qartë se ligji u shërben interesave të një pakice njerëzish. “Me vendimin e djeshëm është hapur një betejë e madhe me njërën anë qeverinë dhe pakicën klienteliste korruptive, interesat e të cilës u shpërblyen dje, dhe nga ana tjetër të gjithë shqiptarët, që nga fëmijët e deri tek prindërit e gjyshërit”, u shpreh kreu i opozitës. Basha ironizoi duke thënë se ligji i arsimit të lartë është votuar nga deputetë pa diplomë, me diploma të rreme dhe me rekorde kriminale. Basha përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në seancë plenare nga deputetët e opozitës, kur thanë se ligji do të rrisë kostot dhe tarifat duke u hequr të drejtën e arsimimit shtresave të varfra. Por jo vetëm kaq. Sipas Bashës, ligji shkatërron cilësinë përmes shkatërrimit të autonomisë me një qëllim të vetëm; vënien nën kontroll të pedagogëve. “Me këtë vendim, Rama-Meta kërkojnë të përdorin si marioneta pedagogët, në shtesa të pushtetit në vend të zërit të pavarur dhe të përvojës akademike shkencore që janë dhe duhet të jenë”, deklaroi Basha.
Ligji i ri, i cili është kundërshtuar dhe nga një pjesë e pedagogëve dhe studentëve, do të nisë nga zbatimi vitin e ardhshëm akademik, në mënyrë që gjatë këtij harku kohor të përgatiten dhe të gjitha aktet e tjera nënligjore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjykata Kushtetuse, Ligi per Arsimin e Larte, pozite opozite, Shefqet Kercelli

Njoftim për arësimim ushtarak në SHBA

July 23, 2015 by dgreca

Jane 6 (gjashtë) të drejta studimipër oficerë në “Shkollën e Kandidatëve për Oficerë (OCS)”, në Fort Benning, Georgia, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
Qendra e Personel Rekrutimit në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë kërkon të rekrutojë kandidatë për oficerë në “Shkollën e Kandidatëve për Oficerë (OCS)”, në Fort Benning, Georgia, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për 6 (gjashtë) të drejta studimi. Afati kohor për dorëzimin e dokumentacionit pranë QPR-së për kandidatët brenda radhëve të Forcave të Armatosura është deri në 01 shtator 2015.
1. Kriteret e pranimit të kandidatëve:
 Të jenë shtetas shqiptarë.
 Të jenë në zotërim të diplomës së arsimit të lartë, (minimumi bechelor) brenda ose jashtë vendit, të njohur dhe ekuivalentuar nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë.
 Të mos jetë i dënuar apo i ndjekur penalisht nga organet e drejtësisë.
 Në momentin e aplikimit të mos jenë më shumë se 25 vjeç e 6 muaj. Përjashtim bëjnë kandidatët për oficerë, të cilët do të jenë personel mjekësor i Forcave të Armatosura, të cilët në momentin e aplikimit duhet të mos jenë më shumë se 30 vjeç e 6 muaj.
 Të ketë notën mesatare të lëndëve të të gjitha viteve të arsimit të lartë, jo më pak se 7 (shtatë).
 Të zotërojë gjuhën angleze të lexuar, të shkruar dhe të folur dhe të sigurojë mbi 75 pikë në testimin ALCPT, të zhvilluar nga QGJH në KDS.
 Të jetë vlerësuar i aftë për të shërbyer në FA gjatë ekzaminimit mjekësor.
 Të ketë gjatësinë trupore jo më pak se 165 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 për femrat.
 Të mos jetë bartës i virusit HIV, Hepatit B dhe SST (Sëmundje Seksualisht të Transmetueshme) të tjera; të mos ketë kaluar apo të vuajë ndërkohë nga sëmundje të tjera të zemrës, veshkave, hepatike, pulmonare, neuropsikiatrike, sistemit lokomotor (sistemit kockor dhe lëvizjes) apo të ketë qenë ose jetë përdorues i lëndëve narkotike, për kandidatët për oficerë që nuk janë pjesë e Forcave të Armatosura.
 Të mos jetë larguar nga puna në administratën qendrore ose lokale (nëse ka qenë i punësuar para aplikimit), për shkelje të dispozitave të kodit të punës ose legjislacionit në fuqi. Kjo kërkesë aplikohet për kandidatët që nuk janë pjesë e FA.
 Kandidati që nuk plotëson qoftë edhe një nga kriteret e përmendura më sipër, skualifikohet.
2. Dokumentet për regjistrim:
Kandidatët për regjistrim duhet të paraqesin pranë Zyrës së Rekrutimit dhe Pranimit Tiranë dokumentacionin e mëposhtëm:
 Kërkesë me shkrim e nënshkruar nga kandidati për ndjekjen e studimeve ushtarake në SHBA, ku të specifikohet institucioni arsimor dhe preferenca e degës për të cilën aplikohet.
 Formular me të dhënat personale sipas formatit të përcaktuar, ANEX A.
 Fotokopje e noterizuar e dokumentit zyrtar (diplomës) që vërteton përfundimin e arsimit të lartë së bashku me listën e notave të lëndëve.
 Fotokopje e kartës së identitetit.
 Certifikatë familjare 1 (një) copë.
 Fotografi për dokument (4×6), 2 (dy) copë.
 Fotokopje të pasaportës e vlefshme për jashtë shtetit.
 Dëshmi penaliteti.
 Vërtetim nga gjykata që nuk është në proces gjyqësor.
 Vërtetim nga prokuroria që nuk është në proces hetimi.
 Vërtetim nga përmbarimi.
 Raport mjekësor nga Spitali Ushtarak i Komandës Mbështetëse ku shprehet që kandidati është i aftë nga ana shëndetësore për të ndjekur studimet ushtarake jashtë vendit.
 Vendimin e Komisionit Mjekësor mjekësore të SUKM, ku shprehet për aftësinë apo paaftësinë e kandidatit për oficer, shoqëruar me ekzaminimet mjekësore nëse kandidati nuk është bartës i virusit HIV, Hepatitit B dhe SST (Sëmundje Seksualisht të Tran smetueshme) të tjera; të mos ketë kaluar apo të vuajë ndërkohë nga sëmundje të tjera të zemrës, veshkave, hepatike, pulmonare, neuropsikiatrike, sistemit lokomotor (sistemit kockor dhe lëvizjes) apo të ketë qenë ose jetë përdorues i lëndëve narkotike, për kandidatët për oficerë që nuk janë pjesë e Forcave të Armatosura.
 Formularët mjekësorë “Form DD 2807-1 dhe Form DD 2808” të cilët do të përdoren nga aplikanti për t’iu nënshtruar vlerësimit të gjendjes së tij shëndetësore në Komisionin Mjeko-Ligjor.
 Rekomandimi nga komandat përkatëse, sipas kërkesës së kandidatit, për të aplikuar si kandidat për oficer, për kandidatët që shërbejnë në FA.
3. Datat e testimit:
Testi Fizik: 07.09.2015
Testi Intelektual: 08.09.2015
Testi i Gjuhës së Huaj: 09.09.2015
Testi Psikologjik: 10.09.2015
(E dergoi: SHK)

Filed Under: Komunitet Tagged With: ne SHBA, Njoftim, për arësimim ushtarak

TRE VJET PA ALI PODRIMJEN, ME POEZINE E TIJ PERJETESISHT

July 23, 2015 by dgreca

NGA SADIK ELSHANI-FILADELFIA/*
Me 21 korrik, tri vite me pare, Ali Podrimja u nda nga kjo bote kur po merrte pjese ne nje festival te poezise qe po zhvillohej ne France. Edhe ketu, sikurse edhe herave te tjera ne vende te ndryshme te botes, kishte shkuar per t’ia paraqitur botes vlerat tona shpirterore e kulturore. Ishte ne mesin e poeteve, ne gjirin e poezise – aty ku ishte gjithmone, aty ku gjithmone ndihej mire. Zemra e tij qe gjithmone rrahu per Kosoven, pushoi se rrahuri larg Kosoves se tij te dashur. E ndiejme mungesen e tij, vdekja e tij eshte nje humbje e madhe per letrersine, kulturen dhe kombin tone ne pergjithesi. Por poetet, njerezit e medhenj nuk vdesin kurre, jeta e tyre eshte vepra e tyre dhe ato vepra do te jetojne ne shekuj, sa te rroje njerezimi. Ali Podrimja u nda nga kjo bote, por me vargjet e tij, me vepren e tij, ne krahet e poezise u ngrit lart ne qiellin e perjetesise prej nga do te ndricoje si nje yll qe nuk do te shuhet kurre. Ali Podrimja eshte diamanti i kurores se poezise moderne shqiptare.
Ali Podrimja, si shume bashkemoshatare te brezit te tij, e arriten moshen e pjekurise, u burreruan para kohe. E tille ishte koha. vitet e pesedhjeta te shekullit te kaluar ishin vitet vendimtare per formimin shpirteror e intelektual te poetit. Me 1957 botoi poezine e tij te pare ne revisten letrare “Jeta e re” qe botohej ne Prishtine, me kryeredaktor, Esad Mekulin – babain e poezise shqiptare te Kosoves. Ishin vitet kur shqiptaret e Kosoves po perjetonin njerin nga terroret me te egra shteterore jugosllave, kohen e aksioniot per mbledhjen e armeve dhe trysnine, dhunen qe po ushtrohej ndaj tyre per t’i lene trojet e tyre dhe per t’u shperngulur ne Turqi. Poeti i ri i perjetonte vete keto ngjarje te hidhura dhe e ndjeu nevojen qe te qendroje i paperkulur, duke mos u dorezuar kurre perpara te ligave dhe te zezave qe regjimi serb ushtronte panderprere ndaj popullsise shqiptare te Kosoves dhe trojeve tjera shqiptare ne ish Jugosllavi. Ky ishte misioni i tij fisnik qe manifestohet dhe e pershkon tere krijimtarine e tij letrare e publicistike, angazhimet e tij shoqerore e atdhetare. Ai e ndjeu thelle nevojen per te shprehur krenarine kombetare, revolten dhe shqetesimet e tij per fatin e popullit shqiptar. Kjo me se miri shprehet ne poezine e tij “Metafora e jetes sime” dhe ne shume poezi te tjera:
“Nese s flas
jeta ime s’ka qetesi
fjala ime behu Une
heshtja te te mos shtype
ne gure mulliri
nese s’flas
jeta ime s’ka qetesi
fjala ime behu Une
plaga ime
le te marre
fryme thelle.”
Ali Podrimja eshte autor i me shume se dhjete vellimesh me poezi te fuqishme dhe mbahet sot nga kritika si perfaqesuesi me tipik i poezise shqiptare, si dhe poet me me emer te madh edhe ne shkalle nderkombetare. Eshte poeti me i perkthyer shqiptar dhe shkrimtari i dyte me i perkthyer, pas Ismail Kadarese. Ali podrimja eshte nder poetet me te shquar shqiptare te lirikes atdhetare (patriotike). Kjo poezi pershkohet nga ndjenja te thella e te pastra atdhedashurie dhe nuk shprehet me parulla, thirrma e brohoritje bombastike, por me fjale e shprehje te zgjedhura, te shpalosura me nje mjeshteri te rralle artistike, me nje figuracion shume te pasur qe perforcon thellesine e mendimit te tij. Vargu i tij tashme shume i njohur, “Kosova eshte gjaku im qe nuk falet”, eshte kredoja, uni i poetit. Ky varg u be burim frymezimi, u be thirrje per te gjithe shqiptaret e ndershem e atdhetare qe u perpoqen dhe luftuan me pushke e me pene per lirine dhe pavaresine e Kosoves
Ne vitin 1982 ai botoi permbledhjen mjeshterore, “Lum Lumi”, e cila eshte e vetmja e llojit te vet ne letersine shqipe dhe shenon nje kthese ne poezine e sotme kosovare e gjithshqiptare. Jane keto vargje intime familjare te poetit qe shpreh dhimbjen dhe pikellimin per djalin qe i vdiq. Eshte dhimbja e prindit poet, eshte dhimbja e poetit prind. Prandaj, jane keto vargje shume te ndjeshme,shume te dhimbshme qe burojne nga thellesia e zemres dhe artistikisht jane shume te persosura, shume origjinale.
Ali Podrimja eshte poet i kursyer qe me mjeshteri e perdor cdo fjale. Ne vargjet e tij nuk ka fjale e shprehje te teperta e ta pavenda, prandaj edhe poezia e tij tingellion bukur. Cdo fjale pozicionohet ne vendin e duhur dhe eshte e sakte, si notat ne kompozimet e Mocartit. Vargu i tij eshte mjaft shprehes me figuracion te pasur ku domonojne metafora, miti e simboli. Ai e ka cliruar poezine shqipe nga disa rregulla te ngurta metrike, sic eshte vargu i thurur, apo nga permbajtja si, fryma apologjike, brohoritese e letersise se realizmit socialist. Por ai sjell disa risi dhe vendos parime te reja krijuese, sic eshte vargu i lire, shqiptimi metaforik, gjuha e alegorise dhe ironuise – mjete keto efikase per te depertuar dhe per te shprehur edhe zonat me te ndjeshme, me te fshehta te natyres njerezore.
Pervec poezise ai ka botuar edhe dy libra ne proze dhe ka botuar mjaft shkrime eseistike e publicistike. Me shkrimet e tij publicistike dhe me veprimtarite tjera artistike, kulturore e shoqerore, ai ka qene mjaft i angazhuar per te afirmuar ceshtjen e Kosoves dhe arritjen e pavaresise se saj. Ne keto shkrime ai trajtonte, shqyrtonte ceshtjet dhe problemet madhore te kombit, duke i paraqitur nga nje nivel i larte intelektual e njerezor, e jo duke u bere pre, apo peng i politikes se dites. Ne shkrimet e tij nuk ka anime, tone ideologjike e politike – ai nuk ishte me kete, apo ate dhe kunder ketij, apo atij. Ai gjithmone ishte me kombin dhe tere jeten punoi per te miren e kombit – tere krijimtarine e tij e vuri ne sherbim te ceshtjeve madhore te kombit tone. Ai gjithmone ka qene kunder atyre qe popullit tone i shkaktuan dhimbje te thella, madje u munduan edhe ta zhduknin nga faqja e dheut.
Kam patur fatin e mire qe ta takoja poetin. Kur studioja ne Universitetin e Beogradit (me vone kam kaluar ne Universitetin e Zagrebit), Shoqata Letraro – Muzikore, “Perpjekja”, e studenteve shqiptare qe studionin ne Universitetin e Beogradit, ne pranvere te vitit 1977 organizoi nje mbremje letrare me shkrimtaret nga Kosova dhe ne ate grup ishte edhe Ali Podrimja. Ne ate takim shkrimtaret nga Kosova lexuan krijimet e tyre dhe disa nga ne studentet qe merreshim me krijimtari letrare, po ashtu lexuam krijimet tona. Pastaj u organizua nje koktej i bukur per nder te mysafireve tane dhe patem rastin qe te bisedonim nga afer me njeri – tjetrin. Ali Podrimja me pyeti se prej nga isha dhe me tha se i kishin pelqyer poezite e mia. Pastaj biseduam edhe per shume gjera te tjera aktuale, per hallet e Kosoves, per rolin tone per zhvillimin e gjithmbarshem te Kosoves, etj. Bisedonim hapur. pa kurrefare rezervash, sikur te njiheshim me vite te tera. Aty e pashe nga afer guximin atdhetar e intelektual te Ali Podrimjes, njeriun e vendosur te cedshtjes sone kombetare, urrejtjen e tij per regjimin e atehershem jugosllasv. Te tilla ishin vargjet e tij, sepse buronin nga zemra e nje krijuesi, nje njeriu me shpirt te paster, nje intelektuali shume te guximshem. Njeriu dhe poeti Ali Podrimja ishin nje.
Poetin tani nuk e kemi me ne mesin tone, ai tani eshte ne boten e lavdise se perjetshme, prehet i qete ne krahet e poezise, prane Lumit te tij te dashur, ne dheun e shtrenjte te Kosoves se lire.
Ali podrimja dhe vepra e tij nuk do te harrohen kurre! I perjetshem qofte kujtimi i tij!
Filadelfia, 21 korrik, 2015
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: pa Podrimjen, Sadik Elshani, tre vjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3691
  • 3692
  • 3693
  • 3694
  • 3695
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT