• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Patozi: Ne i humbëm zgjedhjet, por edhe qeveria nuk i fitoi

July 2, 2015 by dgreca

Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka pranuar humbjen e zgjedhjeve nga PD-ja. Në fjalën e mbajtur në Kuvend ai tha se matematika nuk lë vend për interpretime dhe rezultati është në disfavor të PD. Por nga ana tjetër, ai u shpreh se zgjedhjet nuk i fitoi as e majta.Ja fjala e tij e plote ne Kuvend:
Nga Astrit PATOZI*/
Ne i humbëm qartësisht, por edhe qeveria nuk i fitoi dot zgjedhjet e 21 qershorit. Nuk ka asnjë nonsens logjik në këtë përfundim, sepse ka ndodhur edhe here të tjera, që betejat të mbyllen pa fitues. Natyrisht, që në letër qeveria ka arritur një rezultat të mirë, por edhe ajo vetë nuk po i gëzohet dot numrave. Dhe kjo, jo thjesht se Ilir Meta bën sikur i ka ngelur qejfi me Edi Ramën, sepse gjoja paska kapur në flagrancë udhëheqës socialistë, që nuk kanë rënë ende në dashuri me LSI-në, dhe kjo në ditët e sotme qenka e barazvlefshme me “krim kundër njerëzimit”.
Këto ishin zgjedhje të këqija, dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet për to. Natyrisht, kjo nuk e përligj humbjen tonë, e cila sa më shumë të fshihet, aq më tepër do të rendonte mbi shpinën e kërrusur të opozitës. Besoj se nuk duhet shumë kurajo per të pranuar një të vërtetë, apo atë që e shohin dhe e prekin të gjithë, sepse është vetë aritmetika, si shkencë ekzakte, që nuk të lë shumë mundësi interpretimi. Por jo të gjithë e kanë këtë ndjenjë realizmi.
Kam degjuar këto ditë, jo pa neveri, edhe tipa, që megjithëse vinin nga nje humbje e drejtpërdrejte ne terren, flisnin me entuziazem per rritje te ndjeshme te opozites dhe Partise Demokratike ne gjithe vendin. Dhe kam menduar per nje cast se cfare duhet te bente, fjala vjen, Frani, qe ka fituar ne Lezhe, ne rast se do te ishte i pacipe. Duhet te merrte nje mitraloz 12.7 mm dhe te qellonte ne sheshin “Skenderbej”, ndoshta. Por Frani, mendoj unë, nuk ndihet, sepse e di qe, ai PO, por partia e tij nuk ka fituar, dhe te ngresh sot dy gishtat e fitores eshte njesoj si te besh dasem me orkester, ne te njejten dite qe te kane vdekur njerezit e shtepise.
Une nuk e kam per turp te them se ne nuk arritem ate qe vete prisnim apo qe te tjeret prisnin prej nesh, madje edhe që shifrat jane perveluese. Por po ashtu nuk ngutem te them fjalen e fundit te paren per te treguar menjehere me gisht dhe per te kryqezuar fajtoret brenda nesh. Sepse e ndjej edhe veten pjese te kesaj humbjeje, ndoshta si Frani, Voltana, Bashkimi, Fiqiriu, e shume te tjere ne cdo cep te vendit. Sigurisht, per aq sa me takon, as nje centimeter me shume.
Do te duhet pak kohe qe te shpjegohen te gjitha arsyet qe cuan ne kete mosarritje, por nje gje eshte e sigurt dhe shkelqen se largu. Ne nuk ia dolëm te bejme diferencen me qeverine, qe shqiptaret te na shihnin si shprese per te dale nga mocali i politikes, qe zhvat pa meshire pushtet dhe para, e cila nuk ka asnje molekule ndjeshmerie qytetare brenda vetes. Dhe dihet qe mazhoranca fiton gjithmone, sa here qe krijohet perceptimi se ketu jane te gjithe njesoj, sepse njerezit priren nga pragmatizmi ekstrem, i cili perfshin edhe shitjen e votes, edhe oportunizmin, edhe dorezimin e kartes tek sekseret e kundershtarit, edhe friken per te ruajtur vendin e punes, e sidomos stepjen perpara kercenimeve te bandave, qe eshte instikt njerëzor mbijetese.
Ndaj edhe LSI ishte thithlopa e ketyre zgjedhjeve, pavaresisht se kryetari i saj ben sikur eshte merzitur me aleatin e tij te madh, te cilin pak nga pak po e barazon ne permasa. Sepse ajo eshte e specializuara ne kete fushe, ajo ka ekskluzivitetin ne shitblerjen e votes, se ajo ta kthen me shpejt se te gjithe nderin, se pazarit te saj nuk i shpeton asnje nga nivelet e pushtetit, qe nga legjislativi, e deri tek gjyqesori, qe nga isnsitucionet e pavarura, e deri tek pushteti lokal. Shqiperia e sotme po merr trajtat dhe po i pershtatet filozofise se kesaj ndermarrjeje biznesi, qe vetem emrin ka parti politike. Natyrisht, qe per dike kjo eshte merite, te cilen edhe une vete do t’ia njihja, po te kisha parasysh vetem rritjen e numrave te saj.
Por qe prej te henes ne mesuam se jemi me te pagarantuar dhe me te pambrojtur ne lirite dhe te drejtat tona, jo vetem ne te drejten per te zgjedhur, por edhe ne ato me elementaret. Qe prej te henes ne mesuam se Republika jone ka rene, dhe kjo nuk ka te beje thjesht me humbjen e Partise Demokratike dhe te opozites ne teresi. Sigurisht, qe asgje nuk ka ndodhur ne nje dite dhe nuk kemi pse mallkojme thjesht dhe vetem 21 qershorin, por eshte jashte cdo dyshimi se kushtetuta jone, bashke me ndryshimet e 2008-ës, tashme ka mbetur nje leter pa vlere. Është tashmë e konfirmuar se sistemi yne eshte kalbëzuar, dhe 21 qershori ishte ilustrimi me i mire i kesaj drame kombetare.
Megjithese ishim udhezuar te trajtonim problematikat e zonave, qe mbuluam, une nuk kisha ndermend te flisja sot per Voren. Jo se nuk kisha gje per te thene. Perkundrazi, mund te kalonim bashke shume net dimri, duke iu rrefyer thagmat e zgjedhjeve ne kete bashki te vogel, vetem 13 km larg qendrës se kryeqytetit. Por sepse kam qene i detyruar te flas ne menyre te perseritur dhe shpesh gjate fushates, i shtyre nga brutaliteti dhe egersia e mazhorances atje, dhe nuk desha ta teproj më shumë. Nga ana tjeter, kandidati i Partise Demokratike atje rezultoi fitues, megjithe represionin e papare te qeverise, dhe nuk me dukej etike qe te flisja sot per nje fitore te vogel, perballe një humbjeje të madhe.
Por Ilir Meta nuk ta jep as këtë shans. Ai do ta rrembje ne tavoline edhe fitoren e opozites ne Vore. Ankimimi i tij per rezultatin atje eshte i ngjashem me spotin cinik, ku LSI i drejtohej shqiptareve qe te mos e shisnin voten. Sepse Partia Demokratike po akuzohet se i ka vjedhur votat Ilir Metes atje. Por ndryshe nga spoti, qe mund ta refuzosh dhe injorosh duke nderruar kanalin, KQZ-se dhe Kolegjit Zgjedhor, tërësisht nen ndikimin e Ilir Metes, nuk ke cfare t’i besh. Po ju tregoj vetem nje detaj nga dita e zgjedhjeve ne Vore. Rastisa te takohem me ambasadoren e BE, kur kjo e fundit po dilte nga nje qender problematike votimi, e cila ishte e rrethuar nga paramilitaret LSI, te cilet u kontrollonin dokumentet qytetareve, dhe percaktonin ata, se kush do te votonte apo jo. Po i shpjegoja asaj qetesisht shqetesimin tone, nderkohe qe ne krahun tim nje personazh i famshem i bandave te zones me bejxh KQZ si vezhgues ne gjoks, u perpoq disa here te nderhynte dhe ta bindte zonjen Vlahutin per te kunderten. Kam pershtypjen se ajo ishte po aq e qarte sa une per ate qe po ndodhte. Kjo ishte atmosfera e zgjedhjeve ne Vore, per te cilat LSI dhe qeveria po thone se i ka manipuluar opozita, madje ka organizuar edhe protesta, nje rast ky unikal ne bote.
Ka pasur shumë zëra publikë që këto ditë i janë drejtuar Ilir Metës dhe Edi Ramës që të mos e teprojnë me Vorën, sepse do të kompromentonin procesin në tërësi, edhe sikur ata të kishin të drejtë për atë që pretendojnë. Kurse unë po deklaroj këtu, se ne nuk kemi nevojë për mëshirën e Ramës dhe të Metës, nëse aty do të kishte vërtet një problem me zgjedhjet dhe do t’i ftonim ata ta conin deri në fund aksionin e tyre. Sepse natyrisht që nuk ka asnjë gjë që na shqetëson, sepse nuk mund t’i ketë krijuar problem viktima dhunuesit të saj.
Nuk ka njeri të përgjegjshëm dhe jurist në botë që mund të guxojë ta konsiderojë dhe ta zerë me dorë ankimimin e LSI për Vorën, por këtu gjithcka mund të ndodhë, se jetojmë në Tiranë. Tashmë, jo në atë të Edi Ramës, por më shumë të Ilir Metës. Ndaj edhe po i drejtohem sot atyre, ju befte pushka top per Voren! Bashke me ju edhe atyre gjyqtareve te kolegjit, qe jane vene ne radhe per t’i demonstruar devotshmeri Metes, sepse ai u ka premtuar se do t’i coje ne Gjykate te Larte. Dhe pasi ta keni grabitur ne sy te te gjitheve, mos u ndalni me kaq. Merrini edhe ato bashki qe kane ngelur. Ca me metoden e Hasanit te Kukesit, ca me banda, dhe po nuk ia dolet keshtu, rrethojini me polici, mjafton qe te arrini qellimin. Mbase keshtu i zbutet edhe inati i Ilir Metes per Edi Rames, qe eshte shnderruar sot ne tragjedi shqiptare.
Zonja dhe zotërinj,
Keto ishin zgjedhje te pista, ndonese duhet pranuar qe tani se nuk do te jete e lehte qe te provohen si te tilla, megjithe perpjekjet tona te mëdha. Sepse goditjet e rënda ishin gati te nenujshme, pa kercitje te forta dhe pa shume krisma, ndonese edhe te tilla nuk munguan. Keto zgjedhje ishin nje lloj pushtimi i bute, ku qeveria, PS dhe LSI-ja nderhyne egersisht dhe nganjehere edhe me brutalitet dhe arrogance aty ku ndjeheshin te kercenuara, por duke lene edhe ishuj te qete zgjedhore, aty ku fitorja e tyre eshte vendosur qe ne kohen e Shefqet Tërmet Pecit. Kjo padyshim qe e veshtireson misionin tone per te provuar manipulimin e ketyre zgjedhjeve, por kjo nuk do te thote aspak se deformimi i vullnetit te zgjedhësve nuk ka ndodhur. Shqiptaret votuan pergjithesisht te trembur dhe te blere nga qeveria, ndonese keto femomene nuk kishin te njejtën dendesi ne pjese te ndryhme te territorit. Ne keto zgjedhje u rikthyen qarte metodat me te shëmtuara të historisë elektorale të Shqipërisë në këto 25 vjet dhe kam frikë se “prisni, prisni, nuk kemi parë gjë akoma”.
Edi Rama e konsideroi budalla cdo shqiptar qe do te votonte opoziten, dhe kercenoi me internim politik dhe financiar cdo perfaqesues te PD qe do te arrinte te fitonte me 21 qershor, si askush tjetër më parë në këtë vend, se për Europën as që bëhet fjalë që është jashtë cdo përfytyrimi. Sipas kësaj logjike i bie qe mjafton te fitosh nje here zgjedhjet poltike dhe nuk bie më kurre nga pushteti, sepse qytetaret jane te detyruar te votojne qeverine edhe per zgjedhjet lokale, pastaj ato politike… e keshtu me radhe. Me kujtohet ai miliarderi qe tha se kishte problem te justifikonte vetëm milionin e pare, se per te tjerët nuk kishte më asnjë veshtiresi.
Une nuk e di me siguri sa ka ndikuar kjo ne rezultat, por e verteta eshte se ne keto zgjedhje, edhe per shkak te kesaj perqasjeje, u rikthye frikshem perfshirja e policise, qe ishte harruar qe nga viti 2001, perdorimi i adminstrates, thirrja nen arme e bandave (si asnjehere tjeter), shitblerja e votes, gati publike, dhe c’eshte me e renda, ne kete fushate ishin me qindra mijera shqiptaret qe paten frike edhe te deklaronin hapur bindjet e tyre politike.
Dhe droja eshte se zgjedhjet e tjera do te jene edhe me te keqija. Me 21 qershor ne kaluam në nje stad te ri shitblerjen e votes, saqe kam frike te mendoj se cdo ndodhe ne zgjedhjet politike, kur protagonistet e kesaj merkatoje te peshtire do te jene vete ne fushen e betejes. Dua te nenvizoj fort faktin, qe keto zgjedhje nuk perbenin asnje kercenim politik per mazhorancen, e cila lundron prej kohesh ne ujera te qeta, madje eshte duke arritur nje shumice kushtetuese, ndonese nuk ka pasur zgjedhje të tjera politike pas 23 qershorit. Dhe gjithe ky ekstitim nuk mund te justifikohej ne asnje rrethane. Sepse pyetja eshte cfare mund te benin më shumë Edi Rama dhe Ilir Meta ne kushtet e nje qeverisje që mund të mbahej në numra te brishtë?
Dje degjova kryetarin e partise sime qe tha, pak a shumë, se ata, qe kane fituar, nuk i gezohen dot, per shkak se e dine si e kane arritur fitoren. Une nuk jam dakord me te. Po të ishte kështu, do të ishte gjysma e së keqes. Sepse do të ishte nje lloj ndjeshmerie e atij qe e di se e ka bere krimin, por ia njeh vetes kete problem. Do te ishte, gjithesesi, nje gjysëm reflektimi moral.
Ne fakt, nuk eshte keshtu. Edi Rama dhe Ilir Meta nuk i gezohen dot fitores, per arsye qe vetem me ndergjegjen e tyre nuk kane lidhje.
Zoti Meta eshte merzitur se nuk ka arritur 100 perqind te objektivave, kur e mendon veten se eshte ne apogjeun e pushtetit të tij. Dhe cuditet shume se si ka mundesi qe atij mund t’i dalë kush perpara dhe ta ndaloje ne Lezhe, Kukes, Pogradec, Mallakastër apo Vore? Dhe s’ka faj, ashtu sic kane mberritur punet, eshte vertet cudi se si dikush guxon e prish atij llogarite dhe humorin.
Ndërsa, Edi Rama eshte me shume i shqetësuar, se i eshte merzitur Iliri, se sa i gezuar qe ka mundur Partine Demokratike, rivalen e përjetshme. Ndaj edhe përvjetori i fundit i Partisë Socialiste ngjante, jo si festë, po si vaki. Dhe kjo eshte shume e rendë. Si kundershtarë poltikë, ne duhet te lumturoheshim, qe kemi nje kryeminister te dobet, por ky nuk eshte rasti. Sepse nga dobesia e tij perfiton dikush tjeter po nga brenda oborrit të pushtetit, dhe ky eshte Ilir Meta, edhe me i eger apo abuziv se kryeministri.
Të nderuar kolegë,
Nese do te flasim vetem per numra, edhe këto zgjedhje e kanë nje fitues, LSI-ne. Por edhe ajo vete nuk kenaqet prej saj, sepse është e lashtë sa bota thënia që stomaku i të babeziturit nuk ngopet kurrë.
Ka shume njerez sot qe thone se LSI eshte kanceri i Shqiperise, se Ilir Meta eshte e keqja e madhe e ketij vendi, dhe se vetem largimi i tyre do ta sjelle shpetimin e shumëpritur. Madje na akuzojnë ne kryesisht për mbijetesën e tij politike, pas publikimit të videos së famshme. Une nuk mendoj keshtu, sepse tek e fundit edhe LSI edhe Ilir Meta jane produkte “made in Albania”, natyrisht jo bio, por kjo nuk ka shume rendesi. Une mendoj se LSI, nuk eshte semundje, por krijese. Sepse askush nga faktoret e tjere politike nuk eshte i privuar nga semundjet, qe ajo bart, secili ne nje mase te caktuar. Ndaj askush nuk mund te mbetet dorëjashtë per derexhenë e sotme te sistemit. Natyrisht, jo te gjithe me te njejten peshe.
Suksesi i LSI-së, sipas meje, qëndron në faktin se si krijese ajo rritet shume me teper se cdo gjallese tjetër ne nje mikroklime te caktuar. Njesoj si perbindeshat e filmave fantastike, qe shnderrohen ne gjigande nga ambjentet pa drite dhe me lageshtire. Ndaj nuk ka kuptim, dhe as është e ndershme, qe t’i shpallet luftë LSI-së, vetëm pse ne kushtet e kenetës poltike ajo rritet më shumë se të tjerët, sepse tek e fundit ajo eshte një parti politike shqiptare.
Por a ka një zgjidhje për këtë? Unë mendoj se po. Ne duhet te ndryshojme me urgjence dhe vendosmeri ambientin mocalor, qe te shpetojme nga semundja dhe vetem kjo do te coje, jo vetem LSI-në, por secilen nga partite politike shqiptare, ne dimensionin e vet natyral.
Ka shume njerez, madje edhe politikane te se djathtes, qe nuk e respektojne Ilir Meten si kryetar Kuvendi. Ata mund te kene arsyet e tyre, te cilat ne te gjitha rastet hajne debat. Une per vete, jam legjitimist, ndaj e njoh si të tillë, megjithe rezervat e tmerrshme qe kam per te. Por une nuk mund te pranoj kurresesi qe ai, i cili eshte votuar dhe paguhet si kryetar i Kuvendit te jete njekohesisht edhe kryeminstër, edhe ministër Bujqësie, edhe ministër Drejtësie, edhe kryetar gjykate, edhe kryetar KQZ-je, edhe drejtor i pergjithshem i Gjendjes Civile, edhe drejtor policie, edhe prokuror, madje edhe pronar i të gjitha mediave, edhe… gjithcka ne kete vend. Sepse i tille eshte shnderruar ai edhe me kontributin tone. Për shkak të heshtjes sonë, oportunizmit, llogarive meskine dhe përshtatjes me të keqen ndër vite. Por kur them për Ilir Metën, e njëjta gjë vlen për Edi Ramën, apo për kryetarin e partisë sime, kur të vijmë në pushtet.
Megjithese e di qe ky eshte parlament difektoz, per te njejtat arsye, që na kanë cuar në këtë situatë, une prape jam i bindur se edhe ketu ka burra dhe gra dinjitoze qe mund t’i ndryshojne gjerat. Une e di se shume prej jush nuk e pranoni qe ky vend te shnderrohet ne prone private te nje, dy apo qofte edhe tre personave, të cilët me pushtetin absolut, jane shnderruar ne monstra, qe rrezikojne dhe kercenojne lirine e gjithësecilit ne Shqiperi. Ndaj edhe ende ka shpresë se edhe ketu mund te vijë nje reagim. Por edhe nese kjo nuk ndodh, per shkak te topitjes se cdo krenarie apo vlere qytetare brenda kesaj salle, jam shumë i sigurt se do te linde diku tjeter.
Nese ne nuk e bejme, nuk do te jete e larget dita qe do te na udheheqin te tjeret.
Unë e di se sot nuk është dita më e mirë që një përfaqësues i Partisë Demokratike të japë leksione demokracie. Por pavarësisht rezultatit të opozitës, këto që unë po them nuk kanë të bëjnë thjesht me 21 qershorin. Sepse, edhe po të kishte fituar, Partia Demokratike nuk mund ta përfaqësojë në asnjë rast të gjithë atë shumicë dërrmuese, që kërkon ndryshime të shpejta të gjendjes në këtë vend. Ata që e duan këtë janë shumë më tepër se PD dhe nuk janë vetëm të djathtë.
Une nuk besoj kurrë se shumicës këtu, djathtas apo majtas qofshin, do t’u pelqente te trajtoheshin si dhen, kur vjen fjala tek vendimmarrja, e cila cdo dite e me shume po perqendrohet e gjitha ne duar te dy apo tre kryetareve. Nuk shoh ndonje ndryshim te madh mes deleve ne kete salle, dhe te atyre qe pranojne ta shesin voten per 50 mije leke, kudo ne Shqiperi, pervec faktit qe cmimi yne eshte pak me i shtrenjte, rreth 1 mije euro ne muaj. Por thelbi eshte po ai. Ne nuk mund te pranojme me dëshirë dhe duatrokitje renien e Republikes, hedhjen ne kosh te kushtetutes dhe kalbezimin e sistemit.
Ky vend ka nevoje per shkundje, e cila ne rruge normale duhet te vije prej opozites, si perfaqesuesja zyrtare e atyre qe duan ndryshimin. I takon asaj te marre te gjitha pergjegjesite dhe eshte teresisht ne detyrimin e saj t’i prije kesaj levizjeje.
Une nuk kam tagrin te flas ne emer te saj, por si ish-nenkryetar i PD dhe deputet i saj e ndjej si detyrim qe te pranoj se edhe ne kemi pergjegjësitë tona tona ne kete katandisje, per shumicen e te cilave nuk kemi kerkuar ndjese. Por nuk eshte falja ajo qe ka vlere më shumë në këtë histori. Ne duhet te japim shembullin, me gjeste dhe me akte, jo vetëm me fjale, se do t’i largohemi me vendosmëri te gjitha praktikave, qe na cuan ne kete pike, duke marrë mbi vete cdo kosto. Se do te jemi te papajtueshem me trafikun e votave, qe nis ne parlament, e perfundon ne ndonje fshat te larget, ku vota shitet per nje grusht miell. Por edhe me klientelizmin, nepotizmin, babëzinë, arrogancën dhe sëmundje të tjera të pushtetit.
Gjate ketyre viteve jane shitur dhe blere deputete, gjykates, kryetare bashkish, kryetare komunash, prokurore, e nepunes te larte gjithefaresh, jo gjithmone per llogari te mazhorances se sotme. Natyrisht, dihet nga të gjithë, se pjesa më e madhe e atyre, qe futen ne merkato, jo rastësisht perfundojne tek cadra e LSI, e cila ka marre ekskluzivitetin e tregut, por kjo nuk e shfajeson kurresesi edhe Edi Ramen si bashkefajtor dhe bashkeautor.
Mbetem me shpresë që kjo shkundje do të ndodhë, sepse populli asnjëherë nuk gabon. Fitoret e mafias janë të përkohshme dhe se pasuritë e vjedhura nuk gëzohen kurrë gjithë jetën. Shqiptarët janë thjesht duke pritur një ofertë të re, që i nxjerr nga kjo shpifësirë, ku jemi zhytur të gjithë, dhe për momentin po bëjnë qejf Ilir Meta me Edi Ramën.
Ndaj, per te gjitha keto arsye, dhe te tjera si keto, jam i bindur se ne i humbem keto zgjedhje, por ju nuk i fituat dot.
*Fjalimi në Kuvend

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Patozi, ne humbem, nuk i fitoi zgjedhjet, por qeveria

KUVENDI I KOSOVES, SEANCE PER DEKLARATEN KUSHTETUESE TE 2 KORRIKUT

July 2, 2015 by dgreca

Kongresmeni Engel duke folur për proceset në Kosovë përgjatë 20 viteve të kaluara tha se ishte koha që Kosova të lëvizte para, të bëhej shtet i pavarur e sovran./
Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti një seancë solemne për shënimin e 25-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, në të cilën u tha se kjo Deklaratë përbën një moment të rëndësishëm të historisë së Kosovës.
Në këtë seancë ishin të pranishëm edhe deputetët e asaj kohe si dhe miku i Kosovës, Eliot Engel.
Kongresmeni, Eliot Engel në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës tha se kur vjen në Kosovë ndihet si në shtëpinë e tij dhe kosovarët janë shumë mikpritës.
“Sa më shumë që kam dëgjuar për padrejtësitë që po i bëhen Kosovës, aq më shumë kam dashur ta luftojë këtë padrejtësi”, tha ai.
Engel përmendi një ngjarje të viteve 90-ta kur kishte dashur të vinte si vëzhgues zgjedhjesh, por që regjimi i Millosheviqit nuk e kishte lënë të hynte në Kosovë, duke e quajtur njeri problematik. Ai me këtë rast tha se pati mbajtur konferencë për media në kufi me Maqedoninë.
Kongresmeni Engel duke folur për proceset në Kosovë përgjatë 20 viteve të kaluara tha se ishte koha që Kosova të lëvizte para, të bëhej shtet i pavarur e sovran.
Ka shumë gjëra për të cilat tha se duhet të bëhen në Kosovë, si sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi i ekonomisë. “Dua të shoh demokraci, sundim ligji”, u shpreh Engel. “Prej zemre e dua Kosovën dhe do ta keni mbështetjen time gjithmonë”, tha Engel.
Kongresmeni foli edhe për Gjykatën Speciale, për të cilën tha se duhet të formohet nga institucionet e Kosovës. Ai tha se nëse nuk do të formohet nga institucionet e Kosovës, ka frikën se do të formohet nga Kombet e Bashkuara, e kjo tha se do të ishte problematike për Kosovën pasi ka vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës.
“Kjo do të ishte problem shumë i madh për Kosovën”, tha Engel. Ai tha se dëshiron të shoh Kosovën në BE dhe të bëhet liberalizimi i vizave.Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Deklarata kushtetuese e 2 Korrikut përbën një moment të rëndësishëm të historisë së Kosovës.
“Ishte një përballje e madhe me nacionalizimin e egër serb”, tha Veseli.
Kryeparlamentari tha se delegatët e Kuvendit të Kosovës bën atë që ishte vullnet i qytetarëve të Kosovës të asaj kohe.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës u shfaqën sekuenca të asaj kohe, ku bëheshin përgatitjet për miratimin e Deklaratës kushtetuese, 1990.
Ndryshe, Më 2 korrik të vitit 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, miratuan publikisht, para Kuvendit të Kosovës, Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.
Ky ishte një akt historik që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.
Miratimi i kësaj deklarate paraqet padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar.

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: Eliot Engel, Kuvendi i kosoves, per 2 korrikun, Seance

Kosovë – Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 po fiton peshën historike që i takon

July 2, 2015 by dgreca

Nga Prishtina: Behlul Jashari/
Ne Foto:Gazetari Zenun Celaj/
– Kosova para 25 vitesh me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. Gazetari Zenun Çelaj tregon: Unë e daktilografova Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, dorëshkrimin e Gazmend Zajmiit e dogjëm.
Zenun Çelaj:/
Tani çdo gjë duket si një tregim nga ndonjë autor me imagjinatë të pasur, ndërsa një çerek shekulli nga koha kur ndodhi Deklarata Kushtetuese, për gjeneratat e reja jo aq të informuara, ose jo aq të interesuara për ngjarjet historike, tani është vetëm një datë.
Megjithëkëtë Deklarata e 2 Korrikut të vitit 1990 po fiton peshën historike që i takon realisht.
Asaj i paraprinë shumë zhvillime në radhët e Alternativës Shqiptare, siç nisën ta quanin atëherë lëvizjen e rezistencës së shqiptarëve. Kështu e quanin jo vetëm ithtarët e rezistencës paqësore ndaj synimeve serbe për t’i kthyer shqiptarët në qytetarë të rendit të dytë, por edhe vetë shqiptarët. Ishin protestat gjithëpopullore të vitit 1988 e 1989, Greva e Urisë e minatorëve të Trepçës (20-28 shkurt ’89), “Apeli 215” i intelektualëve, që u quajt kështu sipas numrit të nënshkruesve (mars 1989), dorëzimi i librezave partiake të gazetarëve të “Rilindjes” (më 30 janar 1990), që i priu zhbërjes së Organizatës së lidhjes Komuniste në Kosovë, helmimet masive të nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, Deklarata mbi Çështjet Kushtetuese të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (14 qershor 1990), pastaj Deklarata e Forumit Demokratik (përbëhej nga përfaqësuesit e të gjitha partive dhe shoqatave të shqiptarëve) me të cilën u kërkohej deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mbronin pozitën kushtetuese, autonominë e Kosovës sipas Kushtetutës së RSFJ nga viti 1974, vrasjet e shqiptarëve, arrestimet e dënimet.
Por Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 ka një parahistori para se ajo të arrinte në duart e delegatëve të Kuvendit të Kosovës (delegatë quheshin deputetët). Rastësisht jam protagonist i kësaj historie, kjo falë miqësisë që kisha me akademikun Gazmend Zajmi, një personalitet jo vetëm me njohuri të thella juridike dhe të të drejtës kushtetuese, por edhe me sensin për të vlerësuar momentin. Ishte koha kur në fakt ishte suprimuar autonomia e Kosovës dhe rrezikohej e gjithë ekzistenca kombëtare. Derisa po shëtisnim në korzonë e Prishtinës më thotë se do të ishte mirë që delegatët të miratonin një deklaratë kushtetuese, me të cilën do të anulonin ndryshimet e bëra arbitrarisht nga Serbia. “Si gazetar që je, mund të kesh ndonjë delegat që mund t’i besosh”, më tha, “i cili do të mund ta fuste në procedurë kuvendare (pra parlamentare) një deklaratë kushtetuese”. Kur ia pohova mundësinë, e lamë që të nesërmen të ma dorëzonte tekstin e saj dhe u takuam në shtëpinë time. Ai e kishte hartuar me dorë tekstin, ndërsa unë e daktilografova. Kishte përfshirë gjashtë pikë. Pas diktimit dorëshkrimin e tij e dogjëm. Nuk deshëm të lëmë gjurmë që do ta penalizonin Gazmendin, i cili më herët kishte pasur disa probleme shëndetësore. Ndërkohë Deklaratën ia dhashë delegates Leonora Binishit – Zajmi, që ishte bija e kunatës sime. Ajo e kishte kryer punën si është mirë. Delegatët, që tashmë vepronin në baza nacionale, e kishin trajtuar tekstin e Deklaratës, por jo në ambientet e Kuvendit, që tashmë thuaja mbahej e kontrolluar nga milicia (policia) serbe. Pas disa ditësh më konsultuan nëse autori, pra Gazmendi, do të pajtohej të hiqej pika e fundit. Gazmendi u pajtua plotësisht me kërkesën, madje tha se ajo pikë ishte krejtësisht e panevojshme.
Ndërkohë, pasi u caktua data kur do të miratohej teksti i Deklaratës, brenda ose jashtë objektit të Kuvendit, në cilësinë e veprimtarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë sigurova praninë e një delegacioni vëzhguesish nga Federata e të Drejtave të Njeriut në Francë, pastaj të një veprimtareje të shquar të të drejtave të njeriut nga SHBA (Eva Brendli) që kështu shpallja e Deklaratës të kishte edhe njëfarë legjitimiteti ndërkombëtar.
Më 2 Korrik 1990 delegatët shqiptarë, të cilëve u ishin mbyllur dyert e objektit të Kuvendit, pas disa seancave dramatike, u mblodhën para dyerve të tempullit të demokracisë, ku u lexua teksti i Deklaratës. Atë paraprakisht e kishin nënshkruar 114 delegatë. Ndërsa delegatët ishin mbledhur për të miratuar këtë dokument, që ndërkohë do të trajtohet si një prej gurëve themeltarë të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës, Kuvendi ishte i rrethuara nga tanke e forca të mëdha të milicisë. Leximi dhe shpalla e Deklaratës u shoqërua nga duartrokitje të gjata të delegatëve, por edhe të qytetarëve që po e ndiqnin në mënyrën më të pazakonshme punën e një parlamenti në rrugë.
Kamerat televizive do të përjetësojnë skenën kur Milicia do ta shoqërojë veprimtaren nga SHBA, Eva Brendli me gjithë qenin e saj, dhe Luljeta Pulen.
Ata që e ndoqën shpalljen e Deklaratës u shpërndanë të lumtur dhe me shpresën se po niste koha e zgjidhjes së nyjës së Kosovës. Ajo do t’i printe shpalljes së Kushtetutës në Kaçanik dy muaj më pas, më 7 shtator, që Kosovën e deklaronte Republikë. Pas shpalljes së deklaratës kushtetuese do të mbylleshin mediet në gjuhën shqipe – “Rilindja” e RTP, do të suprimohen thuaja të gjitha institucionet autonome të Kosovës dhe do të fillonte një dekadë e rëndë e mbylljes së shkollave e fakulteteve, e largimeve nga puna, e persekutimeve, arrestimeve e dënimeve, që do të kulmonin me luftën e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s, për të përfunduar me çlirimin e Kosovës.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, para dyerve të tij, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake dhe tanke. Teksti i plotë i Deklaratës ishte ky:
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990/
” Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:
DEKLARATEN KUSHTETUESE MBI KOSOVEN SI NJESI Të PAVARUR DHE TE BARABARTE NE KUADER TE FEDERATES (KONFEDERATES) TE JUGOSLLAVISE SI SUBJEKT I BARABARTE ME NJESITE E TJERA NE FEDERATE (KONFEDERATE)/
1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim,duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, myslimanë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).
Teksti burimor, i hartuar nga akademiku Gazmend Zajmi, ka pasur edhe pikën 6, me këtë përmbajtje: “Me këtë Deklaratë abrogohet Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e 10 korrikut të vitit 1945 nga Kuvendi i Prizrenit, e cila u nxor në emër të vullnetit të popullsisë së Kosovës, e pa vullnetin e saj”, mirëpo komisionet përkatëse të Kuvendit konsideronin se me vetë miratimin e kësaj Deklarate abrogohej automatikisht edhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit. Me këtë ndryshim qe pajtuar edhe autori, tash i ndjeri Gazmend Zajmi.
Do ditur teksti i Deklaratës ka qenë në duar të delegatëve dy javë para se të miratohej para dyerve të mbyllura të Parlamentit të Kosovës, por nuk arriti të hynte në rend të ditës për shkak të obstruksioneve të kryetarit të atëhershëm të Kuvendit dhe të delegatëve serbë e malazez.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Deklarata e 2 korrikut, kosova, Zenun Celaj

Pirro Dhima, misionari i Mitropolit Sebastianos për aneksimin e Jugut të Shqipërisë

July 2, 2015 by dgreca

Nga Arben LLALLA/
Pirro Dhima, ish sportist i Republikës së Shqipërisë dhe pas 1991 sportist me ngjyrat e Greqisë dhe ish-deputet i partisë PASOK 2012-2015, në këtë krizë ekonomike që po kalon Greqia ka bërë disa deklarata për krahasimin ekonomik të Shqipërisë gjatë viteve të komunizmit. Por kush është Pirro Dhima që pëlotet këto ditë për të ardhmen e fëmijëve të tij?
Sipas poetit, shkrimtarit dhe publicistit Albert Zholi, Pirro Dhima me rrënjë është nga Progonati, një fshat i banuar vetëm nga shqiptarë. Por familja Dhima ashtu si Bollano në fillim të viteve 1920 emigruan në Himarë. Pas viteve 1990 Pirro Dhima emigroj në Konicë të Greqisë ku ra në kontakte me Mitropolitin grek Sebastianon, një antishqiptar i tërbuar. Aktiviteti i klerikut ortodoks Sebastiano kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve ka filluar që në vitet 1960. Gjatë një fjalimi në Qershor 1967 Mitropolit Sebastiano e shpalli veten Mitropolit i Jugut të Shqipërisë dhe deklaroj se do të luftonte për që Jugu i Shqipërisë ti bashkëngjitet Greqisë. Mitropoliti Sebastiano hapi një radio me përforcues të fuqishëm me qëllim që valët e saj dëgjoheshin në Dropull, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë etj. Kjo radio bënte propagandë antishqiptare, për nxitjen e një lufte greko-shqiptare. Më 1982 Sebastiano themeloj SFEVA, Bashkimi i Studentëve për Luftën e Vorio Epirit, ndërsa më 1987 organizatën e fshehtë Panelene PASYVA për të njëjtën çështje. E pra, në fillim të vitit 1992, Pirro Dhima pa ditur asnjë fjalë greke ra në kontakte me Mitropolit Sebastianon i cili e përpunojë ish-sportistin shqiptar të propagandojë për greqizmin e Jugut të Shqipërisë. Me porosi të Sebastianos Pirro Dhima lidhi shoqëri të ngushtë me një antishqiptar tjetër të tërbuar Babis Karathanos cili nga viti 1982-1989 ka qenë kryetari i SFEVA, (Bashkimi i Studentëve për Luftën e Vorio Epirit).
Ish-deputeti i PASOK-ut Pirro Dhima i cili u diplomua më 2011 për mësues i klasave fillore gjithnjë në intervistat që jepte shante kombin shqiptar të cilët sipas tij nuk i kishin lejuar të mësonte gjuhën e nënës greqishten, këtyre britmave antishqiptare i bashkoheshin shpeshherë babai dhe vëllai i tij. Enigmë është fakti se Pirro Dhima asnjëherë nuk e zë në gojë nënën apo ta nxirrte në TV. (Thonë se ka patur probleme me nënën që kur u martua me Anastasia Sdoygkoy e cila është shumë vite më e madhe se ai dhe ka punuar gazetare në televizionin shtetëror grek ERT, kur u njohën).
Pjesmarrës në çdo aktivitet për aneksimin e Jugut të Shqipërisë
Në Dhjetor 2011, Shoqata e Vorio Epiriti me seli në Thesali të Greqisë i ndau Mirënjohje Pirro Dhimës për kontributin që jep për autonominë e e vorio-epirit.
Pirro Dhima në Mars-Prill të 2012, u nis për në SHBA me qëllim për të mbledhur fonde për financimin e shkollës greke “OMIROS”, të Himarës e cila gjendej në vështirësi ekonomike. Atje ai zhvilloj shumë takime me figura të larta të Lobit greke, pas kthimit Pirro Dhima u propozua kandidat për deputet me partinë PASOK.
Më 17 Shkurt 2013, ora 11 u tubuan në sheshin Karitsi, Athinë për të përkujtuar 99 vjetorin e shpalljes së Autonomisë së Vorio Epirit. Përçdo përvjetor të këtij aktiviteti marrin pjesë figura të njohura të minoritetit grek dhe të politikës së Greqisë. Pirro Dhima është njeri nga këta që nuk mungon për të qenë i pranishëm në përvjetorët e Autonomisë së Vorio Epirit. Me krenarin që feston çdo vit Autonominë e Vorio Epirit Pirro Dhima e ka shprehur edhe në Forumet Sociale si facebbok.
Për shërbimet ndaj kombit grek Pirro Dhima gëzon edhe një titull të lartë ushtarak.
Pirro Dhima në mars-prill do të qëndrojë në SHBA për të mbledhur fonde për financimin e shkollës greke “OMIROS”, të Himarës u vërtetua edhe zyrtarisht. Federata Mbarë Epiriotase e SHBA bashkë me Shoqëritë Epirotike të Masacuzets “Enosis Pindos” dhe Shoqëria Vorio Epirit “Epiri Verior i Bostonit të Madh” prezantojne aktivitet me 4 here kanë shpërndarë pankarta ku lajmërojnë takime me kampionin Olimbik të peshëngritjes shqiptarin e greqizuar Pirro Dhima.

Filed Under: Analiza Tagged With: aneksimi i shqiperise, Metropolitit Sebastianos, misionar, Pirro Dhima

SPIRO ÇOMORA, KOMEDIOGRAF DHE PËRKTHYES I KALIBRIT TË LARTË

July 2, 2015 by dgreca

Nga MSC. Albert HABAZAJ/studiues/
Spiro Çomora, me prindër nga Vunoi i Himarës, u lind në Korfuz më 31 janar 1918 dhe mbylli sytë në Tiranë, më 16 prill 1973. Në profilin e tij letrar shfaqet si mbledhës folklori, satirist, përkthyes, poet dhe komediograf shqiptar. Shqiptarët, kur përmendin emrin e Spiro Çomorës, kujtojnë “Karnavalet e Korçës” dhe, kur shohin, lexojnë apo dëgjojnë për komedinë e famshme, u vjen ndërmend emri i paharruar dhe i papërsëritshëm atij vigani, që krijoi e la gjurmë në atë lloj të gjinisë dramatike, me subjekt gazmor, me vepra të cilat godasin veset e sjelljet e këqija të njerëzve, duke i vënë ato në lojë e duke i bërë qesharake. Letërsia e Çomorës u krijua, qarkulloi, u afirmua dhe u pëlqye në periudhën e Pasçlirimit. Veçse, edhe pse shkrimtari bregas iku shumë i ri, vetëm 55 vjeç, vepra e tij artistike satirike (rast unikal?) rrojti e freskët, rron e këndshme dhe mund të rrojë dhe 550 vjet, apo ndoshta mund të ketë fatin e përjetësisë, siç kanë përkthimet e tij të mëdha nga Homeri e Aristofani… Elsie, kur shqyrton dramaturgjinë në Shqipëri nga vitet 1944 deri më sot, përmend Kolë Jakovën që bëri hapin e parë në dramaturgjinë e realizmit socialist. Mbas tij përmend Spiro Çomorën e në vijim Sulejman Pitarkën, Ndrec Lukën, Andre Skanjetin, Jonuz Dinin, Loni Papën, Fadil Paçramin, Minush Jeron, Kujtim Spahivoglin, Ruzhdi Pulahën, Xhemal Brojën, Ibrahim Uruçin, Selman Vaqarin, Fadil Krajën, Hamza Minarollin, Dritëro Agollin, Naum Priftin, Dhimitër Xhuvanin, Teodor Laçon, Maku Ponen, Pëllumb Kullën, Fahri Balliun dhe Artur Zhejin. Nga bibliografia e S. Çomorës ka shënuar: “Karnavalet e Korçës”, Tiranë 1961, ribotim në Prishtinë 1986; “Dy me zero” Tiranë, “Naim Frashëri” 1969 dhe “Vepra letrare”, 4 vëll., Tiranë, “Naim Frashëri”, 1979 -1980. Për autorin tonë shkruan: “Një dramaturg i njohur, poet satirik dhe humorist në vitet gjashtëdhjetë ka qenë Spiro Çomora (1918-1973) nga Vunoi në bregdetin himariot, i përmendur për komedinë me tri akte “Karnavalet e Korçës”, Tiranë 1961 përkthyer në greqisht (Athinë 1980) dhe “Dy me zero” Tiranë 1969. Në të parën veprimi shtjellohet në Korçë në vitin 1936 rreth përpjekjeve të pareshtura të një tregtari të pasur, por koprac, Nikollaq Jorganxhiut, për të martuar të bijën Afroviti me sa më pak pajë e shpenzime. Komedia zhvillohet në sfondin e kontradiktave të thella sociale dhe të varësisë gjithnjë e më të madhe të Mbretërisë së Shqipërisë nga Italia fashiste” (shih: Elsie, Robert: “Historia e Letërsisë Shqiptare” Tiranë – Pejë, Dukagjini, 1997, f. 431. Dhe kaq! Nga botimi më i ri i nivelit akademik “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” (FESH, 2008) marrim këtë informacion: “Çomora, Spiro (1918 -1973. Poet dhe komediograf. Lindi në Korfuz në një familje nga Vunoi i Himarës. Ndoqi studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Romës. Nisi të shkruaj që para Çlirimit, por talenti i tij si letrar u zhvillua plotësisht më pas. Për një kohë të gjatë punoi si redaktor në revistën “Hosteni”. Në vjershat me temë politike e shoqërore të përmbledhura në librat “Për njoftim e për veprim” (1955), “Maska e fytyra” (1960), “Skena dhe prapaskena” (1962) satirizoi buroktatizmin, formalizmin, zakonet dhe shprehitë prapanike. S. Ç. Shkroi një varg skeçesh dhe komedish, ndër të cilat zë vend të shquar komedia “Karnavalet e Korçës” (1961; në përkthim greqisht: Athinë, 1980), ku fshikulloi mendësinë e borgjezisë tregtare, kotësinë e jetës, konformizmin dhe moralin hipokrit të saj. Ai dha ndihmesë edhe në letërsinë për fëmijë me një varg librash si, “Një tufë vjershash” (1952), “Shkolla jonë” (1954), “Çil, çil trëndafil” (1963) etj. S.Ç. punoi edhe në lëmin e përkthimeve; shqipëroi me mjeshtëri disa kryevepra nga letërsia antike greke, si “Odisea” e Homerit, “Lisistrata” e Aristofanit etj.” (Shih: FESH,1, ASHSH, Tiranë, 2008, f. 401, zëri përgatitur nga Drita Siliqi). Në botimin enciklopedik të 1985-ës nuk trajtohet profili i tij si zë i përgatitur, por i përmendet telegrafisht emri për kontributin në letërsinë satirike: “…Ndër autorët që dhanë ndihmën e tyre në zhvillimin e këtyre llojeve [të letërsisë satirike, sidomos të krijimeve satirike në vargje si fejtoni, vjersha e shkurtër, epitafi, poema etj. – shën. im: A. H] janë N. Bulka, S. Çomora, D. Bubani etj., të cilët trajtuan tema të mprehta politike e shoqërore, fshikulluan burokratizmin, konformizmin, indiferentizmin, zakonet prapanike…”. (Shih: FESH, ASH RPSSH, Tiranë, 1985, f. 605). “Ndonëse me pak tradita, hapa përpara bëri edhe dramaturgjia me veprat e K. Jakovës (“Toka jonë” etj.), të S. Çomorës (“Karnavalet e Korçës”) etj.” (FESH, vep. e cit., f. 607). Dhe, së fundmi: “Dramaturgjia në letërsinë shqiptare pati një trashëgimi të vogël nga e kaluara. Ajo eci shpejt pas Çlirimit, duke pasqyruar luftën për lindjen e jetës së re kundër jetës së vjetër, konfliktet shoqërore që e përcjellin këtë luftë. Drama lulëzoi, duke ushqyer teatrin kombëtar. Në repertorin e tij qëndrojnë vazhdimisht drama “Toka jonë” e K. Jakovës, “Cuca e maleve” e L. Papës, “Familja e peshkatarit” e S. Pitarkës, komeditë “Prefekti” e B. Levonjës, “Karnavalet e Korçës” e S. Çomorës, “Zonja nga qyteti” e R. Pulahës etj. (Po aty, f. 1055). Kuptohet që kjo do të ishte gjuha e shkrimit në ato botime, edhe pse të nivelit më të lartë, atij akademik – gjuha në funksion të kohës dhe në shërbim të sistemit në Shqipëri. Si e lexoj sot këtë tekst? Spiro Çomora ishte me shkollë të lartë dhe i arsimuar në Perëndim, në Universitetin e Romës, kur popullata shqiptare pothuaj qe analfabete dhe intelektualët e vërtetë numëroheshin me gishta, nuk ishin qindra… Përmendet fakti që Çomora është autor i komedisë “Karnavalet e Korçës”. Bukur. Shumë bukur. Ajo është kryevepra e tij në fushën e dramaturgjisë shqiptare dhe, ndoshta për tematikën sa lokale, aq universale, e, patjetër për mjeshtërinë e lartë artistike të ndërtimit të veprës kujtohet edhe sot me simpati ndër ne; si duket, do të jetë dhe nesër e bukur, e këndshme, argëtuese, zbavitëse, tërheqëse, thumbuese, fshikulluese dhe me mesazhe përmirësimi të shoqërisë, të grupeve përbërëse, të bashkësive më të vogla që realizojnë të tërën. Përmendet emri i tij si redaktor në revistën “Hosteni”. Mirë. Po shkenca e Bibliotekës, Bibliotekonomia na mëson se Klasifikimi Dhjetor Universal (KDU) mbi bazën e standarteve ndërkombëtare është klasifikim hierarkik. Rrjedhimisht, KDU është gjuhë informacioni dhe universi i informacionit, dituria (dijet e regjistruara) në KDU është e ndarë në dhjetë klasa, që zbërthehen e zbërthehen e zbërthehen…Kemi kuptuar që me hierarki numerike reflektohet hierarkia e koncepteve. Në këtë klasifikim hierarkik, përkthyesi është shumë i rëndësishëm, sepse e trajton letërsinë tjetër për vete, si letërsi shkencore në rezonacë të plotë me letërsinë artistike, me logjikë, me koherencë, mbushur me emocion e me ndjenjë. Përkthyesi vjen i dyti, për nga rëndësia e vlerave, mbas autorit dhe qëndron përpara redaktorit, kryeredaktorit apo redaktorit përgjegjës. Në Bibliotekën tonë Kombëtare janë 40 regjistrime të Çomorës…
Faqja online e tij ka këtë informacion: Leu në ishullin e Korfuzit prej një familjeje vunjote, e cila kishte emigruar për arsye mirëqenieje në Greqi. Në vendlindje kreu mësimet fillore dhe të mesme, ndërsa shkollimin e lartë e filloi në Itali për drejtësi…Nis punë si mësues dhe mbledhës folklori, puna e të cilit përfshihet në radhojën e botimeve “Visaret e Kombit” IV gjatë kohës kur Ministri i Arsimit Koliqi dha urdhëresën për t’u mbledhur dhe botuar fruti i folkut. Pas luftës u vendos në Tiranë dhe pothuajse gjatë gjithë jetës punoi në revistën “Hosteni”. Në fillimet e veta nisi të shkruajë vjersha humoristike, të cilat i botoi tek “Hosteni”. Bën pjesë në komisionin e përbërë prej gjashtë vetëve që mbikëqyri e redaktoi përkthimin e “Iliadës” nga Shllaku, duke e shoqëruar botimin me studimin “Iliada dhe bota homerike”. Fryt i punës disavjeçare janë përmbledhjet poetike “Syfete”, “Për njoftim e për veprim”, “Maska dhe fytyra” dhe “Skena e prapaskena”. Skena e tërhoqi Spiro Çomorën qysh herët dhe shkroi dialogje, intermexo, skeçe, pjesë me një akt etj., të cilat u botuan e u vunë edhe në skenë. Krijimet më të mira në këtë gjini i botoi në përmbledhjet “Nga fshati i gruas” dhe “Injeksione që duhën bërë”. Më vonë shkroi edhe disa komedi me një e tre akte, si “Syleshi”, “Iu hoqën petët lakrorit”, “Dy me zero” (më vonë e titulloi “Prindër edukatorë”), “Dema dhe toreadorë”, dhe mbi të gjitha “Karnavalet e Korçës” më 1961 dhe “Dy me zero” më 1969. Spiro Çomora u muar edhe me përkthime, si poema “Skënderbeu” e shkruar nga Grigor Pŭrlichev më 1968. E sidomos i letërsisë antike greke për të cilën çmohej nga Gjon Shllaku. Më 1957 pruri fabulat e Ezopit “Sorra e pëllumbi”; “Paqen” 1958, “Lisistratat” 1960 dhe “Kalorësit” 1969 e Aristofanit; pjesë të zgjedhura nga Satirat e Junius Juvenalis dhe 12 këngët e para të “Odisesë” së Homerit të botuara vitin që vdiq”.
Nuk do të ndaloj gjatë në veprën letrare të Çomorës, që lexuesi shqiptar e ka të plotë në katër vëllime me kopertinë të trashë, botuar në Tiranë, nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, në vitin 1980. Vëllimi i parë përmban krijimtarinë poetike të autorit; vëllimi i dytë komeditë; i treti skeçet dhe vëllimi katërt shkrimet satirike në prozë, si dhe disa artikuj e studime letrare. Me përjashtim të disa skeçeve të shfaqura nga estradat shqiptare, i gjithë materiali tjetër është marrë nga veprat e botuara të autorit dhe nga organet e shtypit periodik, kryesisht nga revista ‘Hosteni”, ku kontributi i Spiro Çomorës ka qenë i madh. Brenda vëllimeve, duke ruajtur kriterin gjinor botuesit i janë përmbajtur dhe kriterit kronologjik. Në këtë botim lexuesi gjen gjithë krijimtarinë letrare të Spiro Çomorës që ruan vlera edukative, estetike, morale dhe artistike edhe për lexuesin e sotëm. Redaktore e botimit është Rozeta Uçi. Emrin e Spiro Çomorës e gjejmë redaktor në librin “Antologji e poezisë antike greke” përkthyer nga Henrik Lacaj, botuar nga NSHB “Naim Frashëri” Tiranë, 1962. Nuk do të qëndrojmë as në këtë fushë, se, megjithë kontributet e tij të vlerta, del nga synimi i këndvështrimit, ngaqë është shumë e gjerë dhe e begatë veprimtaria e këtij njeriu të heshtur e punëmadh. Më vjen çudi, që përmendet për krijimet poetike, të cilat nuk kanë dhe aq vlera të qëndrueshme artistike, nuk i rezistuan kohës. Dhe në atë kohë nuk peshonin kushedi se çë. Dhe botohet një vëllim 391 faqësh me ato vjershurina! Përse bëhet kjo? Për të thënë: – Ja, kaq vlerë ka. Dihet që ai është poet i vogël apo mesatar (sikurse dhe Varfi, Luzaj, Kokoshi, Çaçi, të paktën flas për këta që kam nga Vlora) por , po ashtu dihet që Çomora ka qenë përkthyes i madh, sikurse Kokoshi, Luzaj, Çaçi, Varfi). SPIRO ÇOMORA KA PËRKTHYER NË SHQIP, KA RIKRIJUAR KRYEVEPRËN HOMERIKE “ODISENË”, një nga dy modelet e paarritshëm të botës së letrave! Pse nuk e evidentojnë këtë fakt të madh kritikucët tanë? Pse po e kalojnë ashtu, si diçka të thjeshtë? Përkthimi çomorian është ngjarje letrare. E theksoj këtë shqetësim, sepse nuk përmendet kurrkund, as në të tjera botime që kemi kërkuar, kontributi i tij i shkëlqyer si përkthyes, vetëm në fund e shkarazi. Në fakt, jo vetëm për Çomorën ndodh kështu. Të paktën, ndër profilet letrarë të autorëve vlonjatë, nga të cilët disa i kemi botuar edhe në gazetën ndërshqiptare “Dielli”, si K. Kokoshi, I. Luzaj, N. Hakiu e S. Çomora përmenden, ashtu shpërfillshëm, që, ja, edhe këta e bënë këtë gjë, sikur ata të kishin bërë diçka të rëndomtë, që i zuri hera…por përkthimet e tyre janë vlera, janë shqipërime, janë rikrijime. Pa u futur në bulëzimet e Rilindasve tanë, kujtojmë Fan Nolin e madh që bëri të flas shqip Shekspirin, Servantesin etj., sepse qe njeri i ditur, me kulturë të madhe, poliglot, stilist i artë. Afria që kishte me gjuhët e huaja greqishten, anglishten, frëngjishten e aftësoi ta bënte shqipen një gjuhë të stërholluar dhe elegante, duke na pasqyruar stilin e veprave të huaja me ngjyrat e ritmin e origjinalit. Po kështu, në vijim ata që hodhën themelet e ndërtesës së përkthimit, që krijuan shkollën e përkthimit shqip, pas farës diturore që mbollën Noli e Konica, si Sotir Papahristo, Lasgushi, Skënder Luarasi, Henrik Lacaj, Vedat Kokona, Jusuf Vrioni, Sotir Caci, Pashkë Gjeçi, Halit Selfo, Spiro Çomora, Vexhi Buharaja, Gjon Shllaku, Petro Zheji, Alqi Kristo e Robert Shvarc (vendosja e emrave, sipas ditëlindjes) janë Heronjtë Emblematikë të Përkthimit. Kur cilësojmë të Përkthimit nuk e kemi fjalën për ata njerëz të përkthimit, që bëjnë thjesht kthimin mekanik të letërsisë së huaj në shqip, se sot është dhe një mjet operativ digjital “Google translate”… Kemi parasysh pikërisht këta shqipërues, dijetarë e figura të shquara në shumë fusha, këta mjeshtra të përkthimit, që kanë dhënë një kontribut të shquar në krijimin e shkollës së përkthimit shqip, si përkthyes të talentuar të letërsisë botërore. Nga që përkthyes ka shumë, por ata që na lënë mbresa me artin e përkthimit janë pak, nuk do të ndalem tek emrat e tjerë të mëdhenj të përkthimit si Kuteli, Eqerem Vlora, Branko Merxhani, Lame Kodra, Martin Camaj, Koliqi etj., por po kujtoj e përmend me respekt ata që e vijuan dhe po e mbanë kaq lartësisht stafetën sa të bukur, aq të vështirë të përkthimit si Jorgo Bllaci, Aurel Pasari, Afrim Koçi, Nonda Varfi, Nasi Lera, Ardian Marashi, Pavli Qesku, Lili Bare, Shpëtim Çuçka, Mirela Kumbaro, Mira Meksi, Klodeta Dibra, Edmond Tupja, Ardian Klosi, Virgjil Muçi, Uk Zenel Buçpapaj, Jorgji Doksani, Bujar Doko, Zhak Pilika, Aleksandër Zoto, Aristidh Ristani, Klio Evangjeli e deri tek Mimoza Hysa e brezi i kohës që jetojmë. Emrat e rëndë të letrave si Fatos Arapi, Kadareja e Dritëroi janë gurë të çmuar në përkthimet tona, si diamanti, si ajo “Era pranverore” e Vaçe Zelës për muzikën shqiptare. Një fakt më çudit keq. Nga emrat e traditës, po thuaj të gjithë e kanë nga një “cen”. Po pse janë përndjekur, xhanëm!? Ca u vranë. Ca u burgosën. Ca u degdisën humbëtirave. Larg. Ku s’ka dy lek’ diell. Apo ku dielli të përvëlon. Ca u lanë në heshtje. U harruan. T’u humbte emri… Po ka një proverb latini: “Verba volant, skripta manent” (Fjalët fluturojnë, shkrimet mbesin, i merr era fjalët, e shkruara qëndron, ajo mbetet gjurmë, dokument përgjatë kohërave).
Përkthyes i kryeveprave të letërsisë antike: Duke kërkuar në Biblotekën Personale në shtëpinë time në Ujë të Ftohtë, dhe, patjetër, mbasditeve në Bibliotekën “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemail”, Vlorë, ku punoj, përzgjodha botimet e Spiro Çomorës. Por, nuk do të trajtoj “Karnavalet e Korçës” se ajo dihet, njihet dhe është mbarëpopullore e më tutje. Shfletoj Aristofanin (Aristophanes): “Paqja” komedi, e përktheu nga origjinali Spiro Çomora, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve [me shkurtime: NSHB – shën. im: A. H], Tiranë, 1958, me 129 faqe. Libri çelet me tetë faqe e gjysmë shënime të Spiro Çomorës shkruar në Tiranë, korrik 1957. Komedia e botuar në shqip është e pajisur edhe me sqarimet e duhura e të plota gjatë tekstit, në fund të faqeve përkatëse. Gjykoj se ky libër dhe të tjerë të përkthyer nga Çomora apo “koka” si ai mund të shërbejnë si modele metodologjikë për përkthyesit dhe shkollat e përkthimit. Kam mendimin se shkrimtaria e Çomorës dhe e ekipit të ngushtë të këtij klasi shqipëruesish, e njeh mirë psikologjinë shqiptare, sa dhe atë greke etj., e njeh mirë pedagogjinë sa dhe artin e përkthimit, përndryshe s’ka se si të shpjegohet që na e bëjnë përkthimin (aq më tepër nga gjuhë të vështira si greqishtja) të lehtë e të bukur si muzikë. Çomora na bën këtë prezantim: “Për jetën e Aristofanit, i cili foli kaq shumë për jetën e njerëzve të kohës së tij, dimë fare pak gjëra. Ay lindi midis viteve 445 e 450 dhe vdiq pas viti 387 përpara E.R. Ishte prej fisit Pandhionis, prindërit e tij Filipi e Zinaida, ishin qytetarë të lirë dhe kishte tre djem: Filipin, Aràrin dhe Nikostràtin. Shkrojti 44 komedi, po vetëm 11 prej tyre shpëtuan në gjendje shumë të mirë gjer në ditët tona: “Akarnienët” v. 425 [p.e.r. – shën. im: A. H], “Retë” v. 423, “Kalorësit” v. 422, “Grerëzat” v. 422, “Paqja” v. 421, “Zogjtë” v. 414, “Lisistrata” v. 411, “Tesmoforet” v. 411, “Bretkosat” v. 405, “Parlamenti i grave” v. 392, “Pluti” v. 388. Pra shumicën e komedive të tij ay e shkrojti gjat kohës së luftës peloponeziane (431-404), e cila shënoi fillimin e mbarimit të botës greke… Aristofani është një kolos i fantazisë krijonjëse: krijon fjalë, krijon ngjarje, krijon legjenda dhe histori, zbret perënditë në tokë dhe shpie njerëzit në qiell (Paqja)…Të gjitha veprat e Aristofanit shprehin dashurinë e tij të thellë për jetën dhe për njeriun. Dhe kjo dashuri e Aristofanit nuk ka si prototip, si model nonjë ideal, jashtë realitetit, jashtë vendit dhe kohës. Aristofani është i huaj për çdo metafizikë. Ay e dashuron njerinë ashtu siç është, prej mishi e kockash, në jetën e përditshme…Ay qëndron me kamxhik në dorë gjithmonë. Po njerëzit s’i godit. Ay fshikullon “udhëheqësit” e këqij, godit mendimtarët e liq që trubullojnë mëndjen e popullit, godit zakonet e këqia që çkatërrojnë shoqërinë dhe i bëjnë qytetarët fatkeqë, ay godit çdo gjë që i pengon njerëzit- si individë e si unitet shoqëror- të shijojnë gëzimin e jetës dhe lumturinë. Satira e Aristofanit nuk drejtohet kundër njeriu “në vetvete”. Ay denoncon dobësitë dhe të metat e tij, shpesh e qorton me ashpërsi, po këtë e bën se ka besim tek ay. Ay nuk shpreh kurrë përbuzje ndaj popullit, ndaj njerëzve të thjeshtë. Ky humanizëm i thellë del mirë në shesh po të vihet re vëndi që kanë shërbëtorët në komeditë e tij. Ndërsa përpara- si na thotë vetë në Parabazën e “Paqes”- shërbëtorët hynin nëpër komeditë e ndryshme vetëm për të ngrënë dru e për t’u tallur, Aristofani hypi në skenë shërbëtorë si personazhe që luanin rolet kryesore në konfliktin dhe zgjidhjen e veprës. Ky humanizëm i tij shprehet gjithashtu dhe në qëndrimin që merr ay kundrejt gruas. Dhe është nder i madh për të, që, në këtë çështje të madhe shoqërore për çdo kohë, eci shumë përpara se koha dhe shoqëria e tij. Gratë janë të barabarta me burrat kur, në “Parlamentin e grave”, ato shtien në dorë qeverisjen e shtetit që ta shpëtojnë nga katastrofa. Po më shumë të barabarta me burrat janë ato kur, në “Lisistratën”, vendosin të marrin armët e të luftojnë që t’i japin fund luftës, derisa burrat i ka qorruar urrejtja ndaj shoku shokut dhe pasioni i katastrofës. Përkthimi i kësaj vepre në gjuhën tonë nuk u krye pa vështirësi. Satira ka specifikën e saj, si p.sh. stilin konciz, mendimet me dy presa, lojët e ndryshme të fjalëve, cilësi këto që spikatin në një masë të madhe edhe në këtë vepër të Aristofanit. Shprehja e tyre në një gjuhë tjetër- në besnikëri me origjinalin, po pa qënë i errët- është një punë delikate. Sigurisht, jo e pamundur. I theksova këto karakteristika të specifikës së Satirës, sepse ato janë shtyllat dhe ornamentet që pështetin dhe zbukurojnë çdo vepër të kësaj gjinie. U mundova të mos bëj një përkthim të lirë. Dhe besoj t’ja kem dalë mb’anë. Po kjo nuk do të thotë se kam nguruar të përdor “të drejtën e rikrijimit” që ka çdo përkthenjës i një vepre aristike” (Shih: Aristofani, “Paqja”, Tiranë, NSHB, 1958, f. 10,11). Këta paragrafë vola për të bërë një buqetë me lule për lexuesin e gazetës tonë të dashur “Dielli”, zgjedhur nga kopështi i mendimit të artë, që Mjeshtri Spiro Çomora pat’ mbjellë në Tiranë atë korrik të vitit 1957. Jo rastësisht i citova këto mendime të Ustait të Fjalës së Zgjedhur. Bota ndërtohet, ecë dhe zhvillohet me modele. Dhe krijuesi. Rikrijuesi (përkthyesi). Brezash. Krijuesi, në laboratorin e gjallë të krijimit merr e jep me personazhin që krijon. Apo me autorin që rikrijon. Dhe ÇOMORA. Më duket se ka ndikim të dukshëm pozitiv nga autori i tij i dashur, nga ARISTOFANI. Nga bota e tij, nga mendimet, nga idetë, nga shijet etike, estetike, morale e artistike, nga mesazhet që jep, pa dyshim, në përshtatje me rrethanat specifike të të qënit shqiptar, qytetar dhe banor i Shqipërisë, si krijues original e me botë të madhe humane. Pse, a nuk u ngjan Çomora si një Aristofan Shqiptar, pas afro 24 shekujsh, jo vetëm me profilin e kohës së jetoi?! Nga botimet enciklopedike, dimë që dramaturgu grek Aristofan, në të 11 komeditë e tij që kanë shpëtuar, karakterizohet nga situata të gjetura dhe nga një gjuhë e gjallë, që trajtojnë gjerësisht tema të aktualitetit. Komediografi antik satirizon politikanët dhe intelektualët (si Sokratin) dhe parodizon shkrimtarët bashkëkohës si Eskilni dhe Euripidin. Ka shfrytëzuar shumë fantazinë politike e shoqërore siç e tregon qyteti i zogjve (“Toka e qyqeve të reve”) te “Zogjtë”, si dhe ndërprerja e marrëdhënieve seksuale me burrat nga ana e grave që këndonin paqen te “Lisistrata”. Më duket se kanë kumbim edhe për sot ndër këto viset tona krijimet e Babait të komedisë klasike!… Vetëm për këto visare të shqipërimit, meriton përfillje të merituar Spiro Çomora dhe jo shpërfillje, mosvlerësim, mungesë vëmendjeje. Përse nuk ribotohen rikrijmet (përkthimet) e kryeveprave që na ka lënë trashëgim Spiro Çomora?! Patjetër, duke respektuar normat standarte të gjuhës së sotme shqipe. Përse?! S’ka profesionalizëm?! Kërkohen Para?! S’kanë interes botuesit?! Se gati gjithçka është kthyer tregti?!… Të njëjtën metodologji shkencore ndjek rikrijuesi Çomora me komedinë tjetër të përkthyer nga Aristofani “Lisistrata”, botuar në Tiranë nga NSHB “N. Frashëri” 1960, me 100 faqe, që nis me dy fjalë fillimtare prezantuese për lexuesin “Prolegomena”, me të cilat Çomora na njeh me gjendjen e vështirë të Athinës pas shkatërrimit që pësoi flota e saj në Siçili, në verën e vitit 413 p. E.R, me thesar të shkundur. Qyteti qante. Gjëma po pllakoste e… deri pa shpresë shpëtimi për athinasit. Për t’i bërë ballë gjendjes u formuan një farë komiteti i shpëtimit publik, me dhejtë komisarë në krye, tek të cilët u varën shpresat e fundit të shpëtimit të atdheut. Në këto rrethana e shkrojti Aristofani “Lisistratën”, e cila u shfaq në vitin 411 para E.R. Ja ç’ informacion na sjell Çomora: “Poeti u vërsul edhe një herë kundër luftës, me armët e fuqishme të artit të tij të madh e të ndërgjegjes së pastër qytetare, që të zbutë pasionet e të kthjellojë mendimet. Poeti – qytetar çvishet nga konsiderata të ngurta partie, universalizon ndjenjën e patriotizmit të vërtetë, dhe ngrihet shpirtërisht shumë lart, atje nga duket pastër në orizontin e gjerë tabloja tragjike e Greqisë së shkretuar nga lufta. Ay s’u drejtohet vetëm Athinasve, po edhe Spartanëve, të gjithë Grekëve, e i këshillon të heqin dorë nga një luftë çkatërrimtare, e cila vë në rrezik vetë ekzistencën e Helladës dhe pregatiste skllavërimin e saj nga Barbarët. Poeti mendon se tani nuk është koha e përshtatshme që t’i gjëndet filli përgjegjësisë së njërës ose tjetrës palë; një alternativë ka: o paqe, o çdukje e plotë. Kjo ndjenjë e lartë shpirtmadhësie e humanizmi e frymëzoi këtë komedi. Dhe poezia, në çdo kohë, s’ka si të mos krenohet për një fisnikëri të tillë shpirti e mendimi. Aristofani nuk u drejtohet luftëtarëveë, po grave të dy vendeve armiq, nënave, motrave dhe bashkëshorteve. Ato nuk merren me politikë, po u qan zemra për zinë që u solli lufta dhe për braktisjen e tyre kaqë vjet me radhë pa njerës të dashur pranë. Dhe që t’i përshtatet groteskut të Komedisë attike një situatë kaqë serjoze e dramatike, poeti imagjinon këtë fabul. Një femër Athinase, Lisistrata, fton në një mbledhje përfaqësonjëset e gjithë grave të Greqisë, pikërisht të Spartës, Beocisë e Peloponezit, dhe u parashtron planin e saj: të ndërpritet çdo marrëdhënie bashkëshortore me burrat, që kështu, nga halli, të detyrohen t’i japin luftës fund. Pas shumë ngurimesh, merret një vendim i përbashkët, gratë betohen dhe shkojnë e pushtojnë Akropolin, ku ndodhet thesari i Shtetit…”. Nuk po vazhdojmë më tej me subjektin, sepse është i njohur, por vlen të theksohet se nuk bën të lihet në heshtje sinqeriteti i plotë me të cilën u flet Aristofani, nëpërmjet Lisistratës, ambasadorëve të Spartës. Kjo nuk është e para herë që ai u jep të drejtat që u takojnë armiqve të Athinës; edhe më parë, në komedinë “Akarnienët”, Diceopóli kishte provuar me litar në grykë, se spartanët qenë detyruar nga të tjerët të hynin në luftë dhe Athina ishte vetë fajtore për zullumet që pësoi. Satira e poetit demaskon politikanët aventurierë, gjeneralët karrieristë dhe dallaveraxhinjtë e çdo marke e kallëpi, që ushqejnë zjarrin e luftës me lloj – lloj veprimesh të ulta, për interesin personal dhe ambicjen e tyre. “Lufta bëhet me para e për para”. Kjo e vërtetë është kaq e vjetër, sa vetë bota, kur u shtresëzua e u nda me klasa. Po pranë idesë qëndrore të pjesës, që është lufta për paqen, Aristofani ngre me forcë të madhe dhe problemin e të drejtave të gruas në shoqëri, duke shfaqur një virtyt emancipues të përparuar dhe patjetër të guximshëm për kohën e tij. Është interesant, se jehona e tonit polemist të Lisistratës, në debatin e saj me Komisarin, arrin deri në ditët tona, jo vetëm në komunitetet rurale e periferive. Përkthyesi Çomora sqaron: “Në tekst, Labitója, Kasneci dhe Ambasadori spartan flasin në dialektin lakón, si dhe koret finale të Spartanëve. Unë përktheva në dialektin geg pjesët e Kasnecit e të Ambasadorit Spartan, sepse mu duk që në këtë mënyrë stili i autorit respektohet sadopak më mirë dhe dialogu fiton më shumë gjallëri”. (Shih Aristofani, “Lisistrata”, Tiranë, NSHB “N. Frashëri”, 1960, f. 5). Kështu shkruan rikrijuesi në Tiranë, atë shtator të vitit 1958, kur po çonte për botim “Lisistratën”, të cilën e ka pajisur me shënime sqaruese në fund të librit. “Kalorësit” është një tjetër komedi e Aristofanit, shqipëruar nga origjinali prej S. Çomorës dhe botuar me 128 faqe në Tiranë nga NSHB “N. Frashëri”, 1962, e cila ka pak fjalë hyrëse për lexuesin dhe 15 faqe shënime mbyllëse nga përkthyesi. Futemi në situatë. Dihet që Aristofani për një vit zinte vend në Këshillin e Athinës. Nga kjo kohë, janë të njohura sulmet ndaj politikanit ushtarak me ndikim Kleonit (vdekur më 422) sulme, të cilat i paraqet edhe në veprat e tij, ndër të tjera në “Kalorësit” (424). Çomora na tregon, se Aristofani e shfaqi “Kalorësit” së pari gjatë festave të vitit 424, se lomediografi antik konkuronte për herë të parë me emrin e tij, fitoi dhe çmimin e parë me “Kalorësit”, duke lënë pas “Satirëve” të Kratinit plak (me çmim të dytë) dhe me çmim të tretë “Drumbartësve” (Ilofori) të Aristomenit. Përse poeti e quajti komedinë Kalorësit? Këtë na e spjegon qartësisht përkthyesi: “Kalorësit ishin e vetmja milici e përhershme e Athinës, e formuar nga 1000 të rinj, të zgjedhur nga familjet më të pasura; pra, përgjithësisht, aristokratë dhe armiq të Kleonit. Këta, menjëherë pas ngjarjes së Pilos [toponim – shën. im: A. H], nga fundi i verës së vitit 425, ishin dalluar në një ekspeditë kundër Korinthit, të komanduara nga Nikiasi. Me ndërhyrjen e tyre u sigurua fitorja. Prandaj Aristofani i zgjodhi si aleatë, e, ndofta, duke ditur se Kleoni nuk falte lehtë, mendoi të sigurojë dhe përkrahjen e tyre. Fabula e komedisë trajton një dramë familjare. Po alegoria e saj kapërxen të katër muret e asaj shtëpie dhe shtrihet në horizontin e gjerë të shtetit të Athinës, të mbarë botës greke. Thelbi i komedisë është demaskimi i demagogjisë. Këtu pikërisht qëndron vlera e saj politike e shoqërore dhe sot e kësaj dite. Aristofani e di se këtë luftë e shpërtheu dhe e vazhdon me një furi të pashembullt etja për hegjemoni mbi botën greke e Athinës dhe e Spartës. Interesat e mëdha ekonomike të klasave sundonjëse të atyre dy qyteteve, të atyre dy shteteve rivale, një ditë do të ndesheshin. Populli i Athinës po e paguan shumë shtrenjt këtë luftë. Ay do paqen me çdo kusht. Po Kleoni është për vazhdimin e saj, për mobilizimin total të popullit dhe të ekonomisë së vendit në shërbim të fitores. Atë, që nuk arritën ta shohin politikanët, e pa mendimi gjenial i poetit: lufta e peloponeziane shënoi fillimin e mbarimit të botës së vjetër greke! Dhe në mes të gjithë atij mjerimi, ngrihet titani dhe i tregon me gisht popullit, gjithë atyre që ushqehen akoma me ëndrra, se kush janë ata që e sundojnë, e vrasin dhe e varrosin në emër të atdheut!…I ra shorti Kleonit t’i presë shigjetat e Aristofanit. Po kushdo që të qe në vendin e tij e të sillej ashtu si ay në ato rrethana, këtë fat do të pësonte. Kanë kaluar 2400 vjet që atëherë. Politikanë, aventurierë, si Paflagoni dhe Agorakriti, bota ka patur e vazhdon të ketë. Kundër gjithë këtyre ngrihet si një shpatë e pamëshirshme satira e poetit dhe e mendimit të madh. Paralajmërimi që i bën ay popullit të Athinës, është një mësim i pavdekshëm edhe sot për popujt e sunduar nga kapitali, i cili nxit shovinizmin dhe ushqen e popullarizon luftën, që t’ja zgjatë vetes ditët” (shih “Kalorësit”, vep. e cit. f. 7). Ecim në kohë. Emri i Spiro Çomorës është si përkthyes edhe në vëllimin “Antologji e poezisë greke”, që është përmbledhja më e plotë poetike e botuar ndonjëherë në Shqipëri nga letërsia greke (Tiranë,”N. Frashëri”, 1986). Ky libër ka përkthime të poezisë re greke nga Aleks Çaçi, nga Kadareja, Dritëroi, Xhevahir Spahiu, Llambro Ruci etj. Spiro Çomora ka përkthyer “Dodekalogu i Evgjitit (Fjala e katërt- vdekja e Perëndive)”dhe “Fjala e pestë – Vdekja e të vjetërve” nga Kostas Pallamas (1859-1943), udhëheqësi shpirtëror e intelektual i Greqisë moderne, gjithashtu edhe shkrimtari i saj më i rëndësishëm. Maja merret me maja! “Dodekalogu i Evgjitit”, kjo poemë epiko – lirike, por me një domethënie të qartë alegorike, u shkrua në vitin 1906, dhe përbën një ndër kryeveprat e poetit. Për t’ia bërë të qartë domethënien e saj edhe lexuesit shqiptar Spiro Çomora botoi fragmentet e cituara nga dymbëdhjetë këngët e poemës, patjetër, shoqëruar me komentet përkatëse të domosdoshme. (Shih: “Antologji e poezisë greke”, vep. e cit. f. 64 -71, 289 – 293). Po në këtë antologji kemi një tjetër përkthim virtuoz të Çomorës nga një prej poetëve më të mëdhenj grekë dhe një figurë e shquar e poezisë europiane, Janis Ricos (1909-1990), nga poema e famshme “Mëhallat e botës”. E pra, a s’kam të drejtë kur them se me maja merren majat!…Padyshim, vulën si një nga kryepërkthyesit shqiptarë, si një ndër 7 yjet e përkthimit shqip të shekullit XX, ia vendosi Homeri i perëndishëm me poemën “Odisea”, një nga të parat poema të mrekullueshme të nivelit botëror, që krijoi poeti epik legjendar i botës antike greke. Te “Odisea”, të dhjetë vjetët vojtje e aventura të Odiseut, Homeri na i pasqyron me anë të kthimit në atdhe të heroit dhe një aksioni që zgjat 40 ditë. Në epiqendër ai vë Odiseun dhe pas tij vijnë i biri, Telemaku dhe e shoqja, Penelopa…Spiro Çomora ka përkthyer nga origjinali këngët I – XII të kësaj kryevepre homerike. Kjo ndërmarrje kaq e vështirë e delikate është realizuar në mënyrë të përsosur nga ky djalë i madh i Vunoit dhe i Shqipërsë, sepse “Odisenë” e Homerit na e ka dhënë në gjuhën tonë, duke ruajtur thjeshtësinë dhe madhështinë, besnikërinë ndaj origjinalit dhe shijes së shqiptarëve. Përkthyesi bën këtë bisedë të shkurtër me lexuesin në prill 1972, kur bëri “Odisenë” shqiptar…: “Ky libër i “Odisesë” përmbledh 12 këngët e para të mbarë poemës, e cila ka 24 këngë. Pa qenë pedant gjer në atë pikë sa ta përktheja këtë krijim artistik të pavdekshkëm fjalë për fjalë, u mundova ta vesh me rrobat poetike të shqipes, pa ju larguar as fjalës, as mendimit homerik. Dhe pse sepse, përveç masës së gjerë të lexuesve, që duhet ta kuptojnë sa më lehtë, studenti ynë i mesëm ose universitar duhet doemos ta shijojë Homerin jo nëpërmjet liçencave të një përkthimi të lirë. Vetëm kështu ai mund të çmojë vlerën universale artistike, filozofike, humanitare, patriotike të kësaj epopeje klasike…Kam përdorur me guxim hekzametrin, vargun e origjinalit, i cili, kur dimë ta lexojmë mirë, jo vetëm që s’bëhet monoton, por tingëlon si një muzikë e madhërishme. Dhe shqipes i shkon për bukuri! Dashuria e pakufishme për atdheun dhe për njerëzit më të dashur, përballimi i çdo sakrifice morale a fizike në shërbim të këtij ideali, përshkojnë tejembanë këtë poemë afro tridhejtë shekullore. Një falënderim mirënjohës meriton shoku Andrea Varfi për redaktimin letrar të këngëve, si dhe për shënimet e parathënien, të cilat e pasurojnë aq shumë përkthimin!” Emra si Spiro Çomora i përkasin dritërimit të mendimit, të kulturës dhe të qytetërimit shqiptar. Ata vezullojnë…
*Albert Habazaj
, Biblioteka “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, komediograf, perkthyes, Spiro Comora

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3762
  • 3763
  • 3764
  • 3765
  • 3766
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT