• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROF. GJON SINISHTA (8 Prill 1929 – 9 Maji 1995)

May 9, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
“Mos të lejohet ma që Shqipnia të lahet me lot gjaku!/
Përsëritja e lotëve për Shqipninë, së pari do të jetë faj i intelektualëve!..”/
Prof. Gjon SINISHTA/
Fisnik i nderuem!/
Ndër ata male të nalta, maje degëve të një lisi shekullor asht edhe një çerdhe e bame me krande e baltë, ku Nana, vështron e rritë zogjtë e sajë tue i mëkue…
Njëditë ata fluturojnë, … ikin…
Në muzg, pa ra dielli, Ajo me sy vështron se, mos po këthejnë të vegjlit prej detit a rrugëve të pafund të pyllit… Dikur, kotët, e kështu, fillon vetmia…
Herët në mëngjez, një pupul që sjell era ia këputë shpirtin, një copë skjep i thyem e disa njolla të kuqe, që tokën tonë vaditën për kaq shumë vite, janë aty…
Tue fluturue mbi një gêm, mendon me vete: “Po tjerët, a thue, kanë shpëtue?”….
Dhimbje, dashni, ankth e trishtim, tue pritë njëditë me i pa…
Vajza e zbathun me velin e bardhë si bora me vija të holla bojë qielli që valvitë era, morrlani i vorfnisë pashoqe, mjedis jetëshkurtëve, ringjallë jetën, besimin e shpnesën, vetëm, tue i prekë me duert e Saja të bekueme, e ata, në dhimbje të pakundshoqe thërrasin:
“Ooo… Nanë!…”
Djali me dru Krygjet në dorë, i zgaçun, me post të ngjeshun krah e qafë… nisët drejt rrugëve të largëta ku, dielli atje përëndon herët prej shtëpijave të nalta. Nëpër shkëlqimet e vezullimet e vetrinave që të marrin sytë, sheh edhe shamia kuq e zi, ashtusi i “pëlqenin” Nanës…
Asaj çdo natë, kur kapaktë e territ i bashkojnë çerpiktë, mendja tek ti i fluturonte edhe pse ti kishe humbë.
I dukej e zhdukej hija yte por, gjumi e kotollonte e aty kah e vona e merrte me të mirë me andrra të gjata. As dy gisht letër nuk gjejnë plasë me hi tek perdja që lak ka ba. Nuk asht thanë me u gëzue zemra e Saj e djegun në mall. Vetëm rrin në vetmi…tue të pritë ty!
Fe e Atdhé, për ty Fatos i dijës, ishin arma e yte vërbuese për t’ patënzonë…
E… njëditë Fitove!
Atëditë, të pashë dhe unë së parit më 25 prill 1993. Papa Gjon Pali II-të, na njohu: “Jemi vëllazën” na tha, na i shtërnguem dorën fort njeni tjetrit si burrat, e kryet për krye zatetëm si dikur motit ndeshte Shqiptari. Mbi kokat tona valvitëshin flamujt nga flladi i Lirisë së dishrueme…
Kur ike s’parit, Fëtyra e yte ishte si maza e tamlit që milte Lokja. Kur erdhe në krahët e Sajë, Ajo nuk të njohu atëditë edhe pse shtëpia mori dritë. Çerdhja ishte çartë e krandët shkapërda. Ajo ndjeu erën tande, e era Yte i mbushi gjoksin me gëzim e hare, ku i rrahte e bardha zemër edhe pse ka 50 vjetë që asht qorre biro! Ajo nuk i sheh thinjat e mjekrrën tande të zbardhun si biluri, veç buzët e shkrumueme të Sajat për ballin tand të vizatun ngjëshi sidikur, kur të kishte në prehën e frigohëj nga zjermia. Ajo ngrohtësi e ytja ishte prap ndër buzët e Saja të plasarituna e të bame shkrum…
Rozafa sot për parzëm të ka shtërngue, për atë gji, në të cilin, ti thithe mjaltën që nxjerr pa da goja yte.
Ndër ata mure të asaj Kështjellë, tash sa vjet veç kullonte tamth ‘e Sh’Njon në Sh’Njon… për të gjatë Bunës rrëkajë derdhëj në det, me lot përzi… e porsi tallaz përplasej për brigjët e asaj toke të bekueme, ku ishe Ti, o Gjon Shqiptari!
Ti sot, jé këtu, tek Nana! Fé e Atdhé, ishin dashtnia e vepra yte, e qé, ku janë!..
Ashtu si i mblodhe me Dritë, Dije e Përparim, Ti Rinisë Shqiptare ia solle pasuninë ma të madhe të Tandën; Virtytin, mundin e djersën, veprën e përjetëshme…
Të pastë Nana Yte…Shqipni, me shumë djelm’ e Fatosa si Ti!

Në Muzeun Historik të Shkodrës, më 16 tetor 1994.
Botohet me rasen e 20 vjetorit vdekjes Prof. Gj. Sinishtes.
Melbourne, 9 Maji 2015.

Filed Under: ESSE Tagged With: ditevdekja 9 Maj, Fritz radovani, Gjon Sinishta

Letêr Mirënjohje nga Izraeli familjes Veseli, për Nanen Duke dhe Baba Veselin

May 9, 2015 by dgreca

Nga Pertefe Leka/
Përmbajtjen e letrës në fjalë e dokumenton një foto monumentale, në mes Nana Duke dhe Baba Veseli të rrethuar nga dy familjet izraelite Mandili dhe Josef Ben Josefit.
Gavra Mandili nga Izraeli,(në foto, djali në të djathtë të Nanës Duke ,viti 1944) fton mikun e zemrës, Refik Veselin në Jeruzalem, për të marre pjesë në ceremoninë e dhenies se titullit “Njeriu Fisnik” .
Kjo letër e gjatë prej 10 faqesh e vitit 1987, analizon periudhën e Holocaust-it në Shqipëri, periudhë tragjike për izraelitet në të gjitha vendet e botës, ku ata kaluan të kërcënuar nga vdekja.Por tek shqiptarët, ishte ndryshe: Fisnikëria e shpirtit të tyre i nxori faqebardhë në këtë mbrojtje.Nuk është vetëm ajo që shqiptari e ka mbrojtur mikun jabanxhi,por më e madhja është se çdo sakrificë e tyre bëhej në emër të dashurisë njerëzore dhe kodit të veçantë të Shqiptarëve ,BESA.
Kjo letër ruan sot vlerat e saj njohëse e historike.Ajo është një kujtesë dhjetravjeçare nga familja Mandili .
Mosha Mandili me të shoqen dhe dy fëmijët e tyre, erdhën në Shqipëri nga Novi-Sadi i Vojvodinës për të shpëtuar nga ndjekja naziste.
Në fillim kjo familje u strehua ne Tiranë në shtëpinë e Refik Veselit, i cili jetonte atje me Neshat Dizdarin, një fotograf i njohur nga Kosova.Më vonë erdhi tek i vëllai Refikut, Hamidi, edhe një familje tjetër izraelite, Josef Ben Josefit, vete i tretë ,me gruan dhe motren.Ishte koha kur nazistët paguanin shuma të mëdha për ata që dorëzonin izraelitët Rreziku po afrohej për të dy familjet që jetonin në Tiranë, prandaj vëllezërit Veseli, Refik e Hamid vendosen t’i dërgonin në Krujë, ku ishin prindërit e tyre dhe e gjithë familja.Rrugën e kaluan pa asnjë dëmtim, sepse miqtë i veshen me rroba krutane, gjë që nuk ra në sy të armikut që i gjurmonte. Në familjen e madhe krutane ata gjetën mbështetjen,ndihmën,sigurinë,dashurinë.Sa herë afrohej ndonjë kërcënim,i zoti i shtëpisë u thoshte të rrinin të qetë.Ata i siguronin miqtë se mund të rrezikoheshin vetëm po të kalonin ndjekësit mbi trupat e tyre .
Nana Duke, u thoshte fëmijëve të ardhur ‘Lulet e shtëpisë “.Gavra dhe Irena e mësuan gjuhën shqipe shumë shpejt dhe nuk dalloheshin nga fëmijët e tjerë të familjes Veseli.Në letren e gjatë, shkruar nga Gavra Mandili me shumë vlera njerëzore,(pas 43 vjet ndarje 1944-1987 )e shkruan me nderim emrin e nanës duke e quajtur Zonja Duke..
Të huajt në këte shtëpi nuk ishin një e dy por shtatë dhe ky numër nuk mund të mbahej sekret përpara fqinjëve,të cilët hynin e dilnin më shpesh si në kohë të vështira,ku njerëzit lidhen me shumë me njeri tjetrin .
Zoti Veseli e pohonte “Keto s’i kemi mbrojtur vetem ne si familje, por e gjithë lagjja Mezini.Kështu paratë e nazistëve për të paguar ata që zbulojnë një izraelit nuk gjeten përdorim në vendin tonë,sepse shqiptarët vlerësonin më shumë jetën e mikut, se sa paratë e nazistëve.”
Momenti i ndarjes erdhi fill pas çlirimit.Mysafirët e strehuar nuk u larguan me nxitim.Ata pritën që të kthehesh nga ushtria partizani 17–vjeçar, Refiku, i cili me guxim deri në vetëmohim i kishte shoqëruar në shtëpinë e prindërve.Pasi u bashkua e gjithë familja, mysafirët,kërkuan që të bënin një shetitje në Bulevardin e Tiranës për të kurorëzuar triumfin e fitorës së përbashkët kundër nazizmit. Ndarja ishte shumë emocionuese dhe shume e vështirë për t’u kapërcyer,sepse mysafirët donin të likuidonin të zotin e shtëpisë për shpenzimet që kjo familje bujare bëri per ta. I zoti i shtëpisë nuk pranoi ta vlerësonte me para mikëpritjen,duke u thënë atyre :”Kruja s’ka hotel,shtëpitë tona janë për miq,pagesa e juaj është miqësia” Moment shumë prekës ishte kur femijët Gavra dhe Irena nuk ndaheshin nga Zonja Duke,ajo s’i mbante dot lotët kur dy femijët e përqafonin me shumë dashuri për ta falenderuar zemërgjërësinë e saj.Ajo i përcolli duke u thënë :” Ju na dhatë shumë gëzim” .
Pas luftës,familja Mandili u kthye përsëri në Novi –Sad dhe nuk shkoj shumë, ata i bënë një ftesë Refikut 19 –vjecar,në shenj mirënjohje,të jetonte së bashku me ata për të perfeksionuar profesionin e fotografit.
Ardhja e Refikut në këte familje u prit ngrohtësisht,Zonja Mandili e përqafoi me fjalët në shqip”erdhi djali i nënës”
Ngjarjet rrodhën shpejt dhe për izraelitet erdhi çasti i shumëpritur.Ata do të bashkoheshin në shtetin e tyre duke lënë vuajtjet dhe mbresat në të gjitha vendet ku ata jetuan të shpërndarë.Kur familja Mandili vendosi që të largoheshin nga Novi- Sadi, donin ta merrnin me vete edhe Refikun, por ai vendosi të kthehej në Atdhe,pas qëndrimit prej dy vjetësh me familjen Mandili,Ata u ndanë miqësisht me njeri tjetrin me një mirënjohje të thellë.
Pas shumë dekadash ndarjeje por jo harrese,vjen letra nga Izraeli për Z.R.Veseli e cila ishte një gjë jo e zakonshme për qytetaret shqiptarë që jetonin në izolimin komunist.Ishin vitet 1987 kur sionistet vazhdonin të konsideroheshin armiq nga qeveria komuniste, ndërsa të ftuarit në ate leter do t’i vihej një pikëpyetje e madhe nga sigurimi i shtetit .
I ndodhur përpara kësaj dileme,ai nuk mund të jepte asnjë përgjigje .
Ftesa që i bëhej Z. R.Veseli ishte për një ceremoni të jashtëzakonshme në Jad-Vashen ,vend ku nderohen viktimat e pafajshme të Luftës se Dytë Botërore.Atje do të shkonte për të marre titullin” Njeriu Fisnik”,titull i akorduar për Z.Refik Veseli dhe për prindërit e tij,për sakrificat e bëra gjatë Lufës së Dytë Botërore duke strehuar familje izraelite.Sipas traditës izraelite Ai do të mbillte pemën në emër të njerëzve fisnikë, në kopshtin e Jad-Vashen-it. Por, Z.Veseli e kishte të pamundur të çante në atë kohë kur qeveria propagandonte kundër sionistëve një urrejtje të pajustifikuar.
Kërkesa për zotin Veseli u përsërit disa here,nga Komisioni Special e firmosur nga drejtori Dr. Modecai Paldiel (Director Dep,for Righteous) 23.12.1987.
Udhëtimi i zotit R.Veseli për në Izrael u realizua vetëm në vitin 1990,kur demokracia po trokiste në portën shqiptare .Udhëtimin e bëri me të shoqen, Drita, në përgjigje të ftesës së mikut,duke marrë me vete edhe mesazhe të ngrohta nga Shqipëria që ajo po ndryshonte.Ky njeri i thjeshtë, i ftuar jo si qeveritar,por si perfaqësues i denjë i popullit të vet, pritet në Izrael me të gjitha nderimet e duhura .
Aeroporti Ben-Gurion ne Tel-Aviv me 16 Korrik 1990 priti me madhështi Shqiptarin e Parë që vinte për të marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të” Njeriut fisnik”.
Telekronistët,fotoreporterët,nxitonin duke xhiruar ketë takim interesant dhe tepër emocionues,ndërsa intervistat ishin pambarim.Qendra Televizive e Tel-Avivit dhe rrjeti televiziv kombëtar transmetuan disa herë intervistën e Z.Veseli.
Me bujë të madhe,shkruan edhe organet e shtypit për këtë takim të parë nga Shqipëria.
Jehonë iu bë kësaj vizite edhe në Amerike .Jay Bushinsky shkruan për Middle East në Chicago në “Sun-Times” ku ndër të tjera thekson: “Refik Veseli is a member of this international Legion”.
Ceremonia e dekorimit u bë në Jeruzalem .Drejtori i institucionit dr.M.Paldiel,theksoi sakrificat e popullit shqiptar për shpëtimin e Izraelitëve nga murtaja naziste,njëkohësisht çmoi rëndësinë e këtij titulli të lartë, duke vlerësuar vepren humane të familjes Veseli dhe të familjeve shqiptare në përgjithësi .Ai vazhdoi duke thënë se familja Veseli vendosi në Harten e Jad-Vashen-it emrin e Shqipërise (Jad-Vashen, vend ku nderohen 6 milion viktimat izraelite të Luftës së Dytë Botërore).
Nje zonje izraelite, pasi i takoi miqtë nga Shqipëria,ju dha atyre një dhurate simbolike,duke ju thënë:Aty ku ju vendoset kurorën,gjendet hiri i njëzet pjesëtarëve të familjes sime.Sikur ata të kishin qenë në Shqipëri edhe unë sot do të isha me prindër, vëllezër e motra,sepse në vendin tuaj asnjë izraelit nuk iu dorëzua nazistëve.Mbrojtja e izraelitëve në Shqipëri vertetohet nga vetë ata, të cilët kanë zbuluar te shpëtimtarët e tyre norma morale qe s’i kanë popujt e tjerë.(The Albanians are very concerned about honor.When an Albanian give his “Besa”or word of honor,he is bound by it.the jews of Albania).
Mysafiri i parë nga Shqipëria gjatë vizitave të bëra në Izrael dha opinionin e tij:Njohëm një popull punëtor dhe liridashës, që mbi të gjitha vlerësonte kohën.Transformimet e mëdha të shkretëtirave dhe të ranishteve shekullore në toka prodhuese e me rendimente të larta ishte dëshmia më e qartë”.
Kënaqësinë më të madhe, çiftit Veseli, ia dha miku i tij që planifikoi brenda periudhës që ai do të qëndronte në Izrael martesen e djalit dhe shpejtoi edhe martesen e vajzës, njerën pas tjetrës, edhe këto në shërbim të mirënjohjes .Gëzimi dhe hareja e atyre dy dasmave e gërshetoi miqësinë e tyre në emër të dashurisë njerëzore.
Krijimi i dy familjeve të reja u bë simbol për përtëritjen dhe vazhdimësinë e kësaj lidhje shpirtërore duke e shtrirë hapësiren ndërmjet dy popujve.Ata evidentuan virtytet që i bashkojnë njerëzit:Fjala e dhënë e shqiptarit me mirënjohjen e Izraelitit,prodhoj vetem dashuri, një shembull që i kontribuon Paqës dhe të Drejtave njerëzore.Kur ky gërshetim virtytesh bëhet institucional vlerat e tij janë universale.
Materialet i kam marrë nga korrespondenca me Zotin Refik Veseli,në vitet 1993-94-95” në atë kohë Kryetar i Shoqatës “Shqiperi –Izrael dhe nga Z. Gavra Mandili në vitet 1994-95nga Izraeli “S, HAYARDEN str.RAMAT-HASHARON” në atë kohë Kryetar i Shoqatës Izrael- Shqipëri.Te dy miqtë nuk jetojnë më, por jeton shembulli i përkryer i miqësisë së tyre i përjetësuar në Lapidarin e Njeriut Fisnik.

Filed Under: ESSE Tagged With: familaj Veseli, Leter mirenjohje, nga Izraeli, Pertefe Leka

Presidenti Nishani, vizitoi në Nju Jork, kompaninë Google

May 9, 2015 by dgreca

Beqir SINA, New York City/
CHELSEA NEW YORK CITY : Nё vijim tё vizitës tё tij në Nju-Jork, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bujar Nishani, vizitojë dje një prej gjigandëve të teknologjisë kompjuterike në botë, kompaninë Google, zyrat dhe disa mjedise pune të kësaj kompanie në Manhattan – Nju Jork. Presidenti Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani, Ambasdori Ferit Hoxha, i Misoinit të Përhershëm të R.SH. në OKB, dhe anëtarët e delegacionit, që e shoqërojnë atë, në këtë vizitë mjaft të suksesshme, u pritë edhe nga drejtuesit e Google, punonjësit e saj, të cilët shprehen kënaqësin e tyre, që këtë kompani, mbas vizitave të shumta të personaliteteve të ndryshme nga mbarë bota – po e viziton edhe Presidenti i Shqipërisë, zoti Bujar Nishani.
Në Google NYC, kreu i shtetit takojë edhe disa disa studentë shqiptarë, nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët punojnë për Google, dhe sapo mësuan se për vizitë kishte ardhur presidenti i Shqipërisë, erdhën plot gëzim për t’u takuar me Presidentin Nishani.
Kreu i shtetit shqiptar me këtë rast vlerësoi shumë Googlers në lidhje me aftësinë e saj për të ndryshuar jetën e njerëzve për të mirë dhe për të kënaqur përdoruesit tyre anembanë rruzullit. “Ka një ndjenjë se çdo gjë është e mundur dhe për këtë janë sot edhe me qindramijëra shqiptarë, si në Shqipëri, Kosovë, dhe viset shqiptare, që çdo ditë e natë, “lundrojnë” në botën magjike të kompjuterit, duke kërkuar nëpër faqet e internetit në Google”,Gmail, Yahoo, e të tjera, tha Presidenti Nishani, në fillim të vizitës në takim me stafin e Googles në qytetin e Nju Jorkut.
Presidenti Nishani, kërkojë që Google, në se ka mundësi të ndihmojë edhe shkollat në Shqipëri, insitucionet e saj, dhe kompanitë e bizneset shqiptare, sidomos me programe që theksojnë arsimimin në shkencat kompjuterike, matematikë, inxhinieri dhe teknologji, dhe të shihet mundësia e krijimit të Googlers Rrjetit Shqiptarë, ashtu si dhe për rrjetin anglez, hispanik, francez, arab, rusisht , gjermanisht e tjer. Ai ftojë me këtë rast drejtuesit e Google, të vizitojnë dhe të hapin ndonjë zyrë edhe në Shqipëri, brenda mundësisve të tyre.
Njëri prej drejtuesve kryesorë, të kësaj kompanie, i cili shoqëroi gjatë gjithë kësaj vizite, në rolin e ciceronit kreun e shtetit shqiptar, zotin Nishani,, tregojë se si u ngritë kjo kompani nga një kompani e vogël në një gjigand të botës kompjuterike dhe të biznesit.
“Në vitin 2000, tha ai ne ishim ende mjaft i ri si një kompani në këtë fushë. Aq e re, në fakt, theksojë zoti Jefferson, sa që në New York, “zyra jonë” në fakt ishte e drejtuar nga një kafene Starbucks në cep të rrugës 86 Street dhe Columbus. Kurse, sot, shtoi ai 14 vjet më vonë me punën apasionate dhe të përkushtuar – të Google NYC, kjo është bër një nga zyrat më të mëdha të Googles në botë, Google Nju Jork, sot është “shtëpi” për numrin më të madh të vendeve të punës kompjuterike dhe inxhinierike, me 5000 vende pune vetëm në këtë ndërtes, duke e bërë Googlen, një nga më të mëdhat kudo në botë, për numërin e punonjësve të saj”.
Google NYC, shpjegojë ciceroni është një qendër e operacioneve për Inxhinieri të Korporatave, ekipi më i madh në botë që ndërton dhe mirëmban sistemet e brendshme kompjuterike, punë të ngjashme me ato në planifikimin strategjik, të ardhmen e zhvillimit të biznesit dhe llogari të menaxhimit- Guide Google biznesit.
“Kur ne kemi projektuar këtë zyrë, kemi dashur atë për të reflektuar shpirtin e qytetit, metropolit botëror Nju Jorkut, në atë që ne e quajmë shtëpia e kompjuterit Nju Jork. Kudo, që ju shikoni, në çdo katë – të ndërtesës Google, ju do të gjeni nyje të platformave të metropolit New York-, prej kapanxhave, gradacieleve, muzetë, subway , kinemat, teatrot, hotelet, restorantet dhe kafentë, dyqanet e tregëtisë, mini -marketet dhe super-market, qendrat stërvitore – gym – ping-pong, bilardo,fusha mini futbolli, bejsbolli, basketbolli, kopshte për fëmijë, shkolla, dhe zyra nga më të ndryshmet kopjuterike të pa fund, madje edhe copëza muri me photo të muraleve të cilat e përshkruajnë në horizont qytetin” tha ai.
Në fund simbas traditës Google, ciceroni i dhurojë për këtë vizitë Presidentit të Shqipërisë, një kapele me ngjyrat që simbolizojnë gjigandin kompjuterik Google – një pjes blu, jeshile, të verdhë dhe të kuqe, kapelë helikë, që siç tha ai “do të thotë në japonisht “Noogle”, nga e ka marrë edhe emrin që ka sot super kompania kompjuterike Google”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Google, Nishani, vizitoi

NJË MIRËNJOHJE E MERITUAR E PRESIDENTIT TË SHQIPËRISË Z. NISHANI PËR GAZETARIN BEQIR SINA

May 9, 2015 by dgreca

Nga Harry Bajraktari/
Kam nderin dhe kënaqesinë t’ ju uroj mirënjohjen, përkatësisht dekoratën” Naim Frashëri” që ua ndau Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani për punën e palodhshme si gazetar dhe kontributin që keni dhënë e po jepni në afirmimin e vlerave të popullit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe afirmimin e vlerave të popullit amerikan si dhe ndihmën dhe kontributin që kanë dhënë SHBA për popullin shqiptar, sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Vlerësoj punën tuaj të jashtëzakonshme në afirmimin e komunitetit tonë shqiptaro-amerikan si dhe prezentimin e vlerave të tij në të gjitha mediat shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në gazetat tjera që botohen në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës, si dhe në gazetat e Komunitetit tonë “Illyria”, “Dielli” të Vatrës dhe në mediat elektronike në gjuhën shqipe në New York, e në disa gazeta amerikane. Kjo mirënjohje do të jetë edhe një motiv i fuqishëm për theksimin e vlerave të komunitetit tonë dhe vështrimin perspektiv e kritik të tij.
Me këtë rast dëshiroj të theksoj se Z. Beqir Sina vjen nga një familje e njohur patriotike të cilën pushtetit i Enver Hoxhës e kishte persekutaur, ndjekur dhe ndarë përgjysmë: një pjesë e saj kishte arritur të ikte nga xhelati, ndërsa vetë Beqir Sina me një pjesë tjetër të familjes kishte mbetur në Shqipëri. Ai ka kluar 30 vjet në kampin famëkeq, në Saver të Lushnjës. Pas rënies së sistemit të Enver Hoxhës, u largua nga Shqipëria dhe nga viti 1992 i bashkangjitet babait dhe nënës dhe pjesës tjetër të familjes në New York, të cilët kishin emigruar si shumë shqiptarë të tjerë në SHBA.
I ati i tij Rasim Sina për një kohë të gjatë ka udhëhequr radion Lëvizja e Legalitetit në gjuhën shqipenë New York dhe për shumë vite ka informuar komunitetin tonë për dhunën dhe persekutimet që u bënte regjimi diktatorial i Shqipërisë kundërshtarëve politikë të Enver Hoxhës dhe ka denoncuar me tone të ashpra politikën shoveniste të Jugosllavisë ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe shqiptarëve në viset tjera nën Jugosllavi. Këta njerëz me idealet e tyre të larta atdhetare kanë mbajtur të pashuar ndjenjën për një Shqipëri të lirë, demokratike, për një Shqipëri proamerikane dhe proevropiane.
Beqir Sina, i cili vetë kishte përjetuar të gjitha format e poshtërimit gjatë 30 viteve në kampin e Lushnjës- në shkrimet e tij të shumta ka dhënë skena rrënqethëse nga aty që mund të krahasohen me kampet më famëkqija që ishin ngritur gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore në vendet komuniste.
Beqir Sina pasi arriti në New York punoi një kohë në radion Lëvizja e Legalitetit ” Zëri i Kombit”, të themeluar nga i ati i tij, Rasim Sina, aktivist i çështjes kombëtare. Sot ai bashkëpunon me shumë gazeta dhe është gazetari më aktiv i komunitetit tonë shqiptaro- amerikan.

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, Mirenjohje e emrituar, Sina Beqir

ME GAZETARIN E ZËRIT TË AMERIKËS ILIR IKONOMI NË ARKIVIN E VATRËS

May 9, 2015 by dgreca

Të Premten, 8 Maj 2015, gazetari i Zërit të Amerikës dhe studiuesi Ilir Ikonomi vizitoi arkivin dhe bibliotekën e Vatrës.
Gazetari Ikonomi u prit nga zv/kryetari i Vatrës Asllan Bushati dhe Editori i Diellit Dalip Greca, si dhe producenti i TV Kultura Shqiptare Adem Belliu.
Z. Ikonomi u njoh nga Editori me dokumente autentike të Vatrës që nga vitii 1910 me rekordet e Shoqërisë Besa-Besën, me rekordet dhe fushatat e Vatrës, me dokumentet origjinale të Huasë Kombëtare 1920-1922 dhe Fushatës së 3 Qershorit 1917,si dhe me koleksionet e Diellit. Për më shumë do t’ju informojmë përmes Gazetës Dielli në print.

Filed Under: Vatra Tagged With: dalip greca, gazetari, Ilir Ikonomi, ne Vater

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3894
  • 3895
  • 3896
  • 3897
  • 3898
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT