Fondi Humanitar “Malësia” përfundon aktivitetin e vet, bashkë me Shoqatën “Dedë Gjon Luli” formojnë Shoqatën “Malësia e Madhe”/
Nga Beqir SINA/
Duke shpresuar gjithnje per nje aktivitet me te intensifikuar dhe per unifikim të veprimtarisë sonë, komuniteti malesor i Nju Jork-ut vendos per bashkimin e Fondit Humanitar “Malësia”, shoqatës “Dedë Gjo’ Luli” dhe pjesen tjeter te komunitetit malesor, thuhet në fillim të dekleratës duke shtuar se :”Ne kete menyre Fondi Humanitar “Malesia” perfundon aktivitetin e vet te veprimtarise me se 20 vjecare. Anëtarët e Fondit tash e tutje do te vazhdojnë aktivitetin dhe veprimtarin e tyre dhe do te jene pjese e shoqates se posa formuar qe mban emrin: shoqata “Malesia e Madhe” ne Nju Jork”.
Puna e Fondit Humanitar “Malësia” ishte komplekse dhe preku shume sfera te shoqerise malesore e me gjere. Fondi Humanitar “Malesia” kryesisht u perpoq qe të zbuse hallet e motrave dhe vellezerve tonë ne Malesi. Prioritet per Fondin ishte arsimi i te rinjeve ku për 20 viete, Fondi shperndau më se 450 bursa studentore. Perpos kesaj, Fondi u angazhua edhe ne veprimtari të tjera qe i imponoi koha. Krahas arsimit, objektiv ky kryesor, Fondi mirrej edhe me asistimin e familjeve ne nevoje, sherimin e te rinjeve qe na u drejtun per ndihme, ndihmoi luften per clirimin e Kosoves, organizoi protesta në mbrojtje të të drejtave njerëzore për bashkëkombasit tonë, percolli jeten shoqeroro-politike ne Malesi, sponsoroi manifestime kulturore, promovoi vepra arti, organizoi darka perkujtimore e të tjera. Gjate 20 viteve pune intenzive te dalurat nga Fondi llogariten te kalojne 1 milion dollar amerikan.
Aktivitetet nuk ishin te kufizuara vetem ne Malesi, por sipas rastit e nevojave te paraqitura, jane shtrire edhe ne trojet tjera etnike. Puna jone asnjëherë nuk devijoi nga kauza kombetare per te cilen ishim percaktuar qe nga fillimi. Veprimtaria kishte impakt direkt ne familjet malesore dhe jeten e tyre, duke perjashtuar veprimet tjera te sherbimeve publike apo infrastrukturen qe ishte detyre e Qeverise. Fondi ka qene i hapur per cdo bashkpunim dhe ishte transparent ndaj cdo kontribuesi. Ne Fondin Humanitar “Malesia” u angazhuan nje numer i konsideruashem bashkatedhetaresh qe nuk kurrsyen as kohen as “xhepin” per t’i ndale ne ndihme vendlindjes.
Mesiguri gjatë veprimtarisë sonë kemi bere edhe gabime. Puna jone ka qene ne baza te vullnetit dhe deshires se flakte per te ndihmuar vendlindjen. Me mundesitë dhe aftesit tona dhe informacionin qe kemi marrë nga vendlindja jemi munduar qe sa me drejte t’i kanalizojme mjetet qe kemi pas ne dispozicion.
Krejt ky aktivitet nuk kishte qene i mundshem pa perkrahjen morale dhe materiale te strukturave te ndryshme te shoqerisë ku veproi ky Fond. Prandaj, jemi mirenjohes dhe falenderojme cdo individ qe ne menyre te ndryshme ndihmoi misionin e Fondit. Falenderojme qendrat fetare qe cdo here paraqiten, shpallen dhe muaren pjese neper aktivitetet tona. Po ashtu, falenderojmë te gjitha shoqatat ne diaspore qe kordinuan punët me Fondin, e posacerisht shoqaten “Malesia e Madhe” nga Detroiti dhe Fondacionin “Ded Gjo’ Luli” nga Nju Jorku. Falenderojme mas medien, TV Boin dhe portalin Malesia.org, ne vendlindje dhe ato ne diaspore, qe publikuan, shpallen vendimet dhe pasqyruan aktivitetet e ndryshme te Fondit. Falenderojme institucionet dhe individet amerikan qe materialisht perkrahen misionin e Fondit Humanitar “Malësia”. Jemi mirenjohes edhe per ata qe na dhane kurajo per keto dy dekada, duke dekoruar punen tone, ose shkruan letra perkrahese dhe pershendeten aktivitetin tone. Falenderohen edhe te gjite antaret e Kshillit drejtues e posacerisht ata qe i mbeten besnik Fondit prej themelimit deri ne fund duke bere te realizuar programin e tij.
Ne fund deklerata thekson se edhe nje here, pershendesim dhe falenderojmë te gjithe donatoret, dashamiret dhe simpatizuesit e Fondit Humanitar “Malesia” qe ne nje menyre apo tjeter ndihmuan dhe e bene te realizueshem kete aktivitet me se dy dekada.
Bujqësia, përtej thirrjeve e sloganeve
Rama duhet t’u drejtohet bankave në mënyrë që këto të ndihmojnë me dhënie kredishë të favorshme prodhuesit bujqësorë apo fermerët, sic kanë filluar të quhen gjatë viteve 90. Ndoshta për të nxitur rritjen e prodhimit bujqësor është e nevojshme të bëhet dhe një rishikim I taksave dhe gjithë detyrimeve të tjera që paguajnë fermerët, si dhe të gjenden mënyra për të inkurajuar bashkimin e tyre në ekonomi sa më të mëdha apo duke gjetur forma nga më të ndryshmet për ta bërë sa më të ulët koston e prodhimeve të tyre./
Shkruan:Gavrosh LEVONJA-New York/
Tek slogani i njohur i kohës së diktaturës “Bujqësia, cështje e gjithë popullit”, më ktheu një thirrje e kryeministrit, Edi Rama, drejtuar të rinjve ndërsa vizitonte zonat e përmbytura gjatë javëve të fundit në jugun e Shqipërisë. “Mos kaloni kohën nëpër bingo, por kthejuni punës në fshat…”- ishte pak a shumë kërkesa e formuluar nga Rama në adresë të të rinjve të fshatrave. Të njejtën gjë kreu i qeverisë shqiptare e bëri dhe nja dy muaj më parë ndaj biznesmenëve të ndërtimit duke u kërkuar që kapitalet e tyre “mos t’i bëjnë llac e tulla” por t’i orientojnë në drejtim të bujqësisë dhe fshatit. Që bujqësia është një sektor jetik për një vend si Shqipëria është fakt i njohur ashtu sic është po aq i vërtetë fakti se pas viteve 90-të bujqësisë nuk i është kushtuar as interesi më minimal nga ana e qeverive duke e lënë zhvillimin e saj në dorë të spontaneitetit. Gjendjen shqetësuese në të cilën ndodhet bujqësia shqiptare e ilustron fakti që tregu shqiptar i prodhimeve bujqësore e blegtorale gjatë gjithë këtyre viteve është dominuar e vazhdon të dominohet nga ato të importit, ndonëse flitet dhe per eksport, volumi i të cilit është i papërfillshëm krahasuar me importet . Në këtë kontekst edhe ideja e Ramës dhe qeverisë së tij për t’u orientuar nga bujqësia i a vlen të mbështetet. Mirëpo kjo nuk mund të arrihet vetëm duke u bërë thirrje qoftë dhe në formë lutëse biznesmenëve të ndërtimit për të hedhur kapitalet e tyre në bujqësi e apo rinisë e cila duhet t’u kthehet punëve të fshatit. Kryeministri Rama duhet të jetë i ndërgjegjshëm se bujqësia është një sektor i vështirë në varësi të faktorëve të shumtë pjesa më e madhë e të cilëve janë dhe jashtë vullnetit të njeriut, ndërkohë që dhe efektet e investimeve kërkojnë një kohë relativishte të gjatë që të ndjehen. Aq më pak synimi për “të kthyer sytë “ nga bujqësia nuk mund të arrihet me urdhëra, “orientime nga lart” parulla e aksione me të cilat ishim tejet të familjarizuar dikur. Para se t’u drejtohet biznesmenëve duke u kërkuar të investojnë në bujqësi, Rama, Panariti e Co. duhet të bëjnë llogaritë mire duke pasur në konsideratë para së gjithash cmimet e produkteve bujqësore e blegtorale në treg dhe koston e prodhimit të tyre. Nisur nga ato c’ka thotë kreu i qeverisë lidhur me bujqësinë, ndër të tjera dhe që “bujqësia vuan nga mungesa e dijes” si dhe kushtrimi lëshuar në drejtim të biznesmenëve për të derdhur kapitalet në bujqësi tregon se biznesi bujqësor në Shqipëri nuk është dhe aq atraktiv për të mos thënë se mund të rezultojë dhe me humbje. Të ishte ndryshe, biznesmenët, dhe jo vetëm ata të ndërtimit që “i kanë bërë paratë llac e tulla” nuk do të kishin nevojë për rekomandimet e Ramës, por do të rendnin nëpër zyra në kërkim të ndonjë license për të zhvilluar aktivitet në bujqësi. Fakt është se dhe ata pak ndërtues të cilët shprehën gatishmëri për të hedhur para në bujqësi e kishin kuptuar këtë brenda hapësirës që ka të bëjë me ndërtimin si fjala vjen me “ndërtime stallash”, godinat e punishteve të përpunimit, ndonjë kanal apo rrugë fshati. Pra edhe në këtë rast, paratë e biznesmenëve të ndërtimit do të shkojnë përsëri në drejtim të “llacit dhe tullave”. Ndoshta mund të jem dhe i gabuar, por thirrjen e kryeministrit drejtuar biznesmenëve të ndërtimit e kuptoj që këta të mos kufizohen vetëm në sferën e ndërtimeve të objekteve bujqësore por të investojnë në të gjitha sferat e saj për modernizimin e saj, në mënyrë që kjo të bëhet gjithnjë e më intensive, më moderne, në fund të fundit më rentabël, ashtu sic deshiron Rama. Ky ka plotësisht të drejtë kur thotë se“ bujqësia duhet të shndërrohet nga një aktivitet për të mbajtur familjen me bukë, në një biznes të fuqishëm” duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e zhvillimin e ekonomisë kombëtare. Mirëpo, në stadin aktual në të cilin ndodhet bujqësia shqiptare Rama dhe njerzit e ekipit të tij nuk mund t’i kërkojnë askujt të hedhë paratë në një fushë problematike pa gjetur diagnozën e saktë, nga se vuan ajo. Vetëm pas kësaj kjo qeveri dhe kushdo tjetër që të vijë pas saj, bashkë me institucionet përkatëse mund të hedhin hapat e nevojshëm në drejtim të krijimit të një terreni të përshtatshëm i cili të bëhet tërheqës jo vetëm për biznesmenët shqiptarë por edhe për ata të huaj. Por, para se të shkohet tek “thirrjet” për të punuar e investuar në bujqësi janë për tu ndihmuar pronarët ekzistues të tokave bujqësore ata që furnizojnë tregun me prodhimet e tyre. Lidhur me këtë, p.sh. në vend të biznesmeneve duke u kërkuar të invvestojnë në bujqësi, Rama duhet t’u drejtohet bankave në mënyrë që këto të ndihmojnë me dhënie kredishë të favorshme prodhuesit bujqësorë apo fermerët, sic kanë filluar të quhen gjatë viteve 90. Ndoshta për të nxitur rritjen e prodhimit bujqësor është e nevojshme të bëhet dhe një rishikim I taksave dhe gjithë detyrimeve të tjera që paguajnë fermerët, si dhe të gjenden mënyra për të inkurajuar bashkimin e tyre në ekonomi sa më të mëdha apo duke gjetur forma nga më të ndryshmet për ta bërë sa më të ulët koston e prodhimeve të tyre. Gjitashtu, mendoj se pa masa protektive për mbrojtjen e prodhimit bujqësor vendas, të paktën në një periudhë fillestare, bujqësia do të mbetet një sektor i palakmuar për cdo lloj biznesmeni e për vetë fermerët për shumë kohë. Me thirrje si ato që na sjellin nëpër mend sloganet e famshme si “Bujqësia ceshtje e gjithe popullit”, “Tu qepemi maleve e kodrave ‘ti bëjmë pjellore si fushat” … nuk arrihet kërkund. Për më tepër kur Edi Rama është i privuar nga luksi që kishte Enver Hoxha për të dërguar qytetarët forcërisht në ndihmë të fshatit në formë aksionesh e pune vullnetare, për të hapur toka të reja, kanale kulluese, për të ujitur, për të mbjellë domaten me kubikë për të mbledhur kallëzat e grurit etj.
Franko Kroqi inxhinieri që mposhti Ramiz Alinë në zgjedhjet e vitit 1991
-Në 31 Mars 1991, në zgjedhjet parlamentare, ka fituar përballë Presidentit të Republikës së asaj kohe Ramiz Alisë me rezultatin e bindshëm 62% kundrejt 34%./
-Në këtë zonë historikisht votonte vetëm Enver Hoxha dhe më pas Ramiz Alia/
– Në prill të 1967 u xhirua dokumentari “Reportazh nga Kurbneshi”, ku ishte prezent si moderator/
– Në shtator 1967, u xhirua filmit artistik “Plagë të vjetra”, me shumë sekuenca nga miniera e Kurbneshit të cilën ai drejtonte/
– Nuk pranoi që të huajt të vlerësonin asetet tona minerare, ku tërë industrinë minerare të kromit ta vlerësonin 14 milion USD/
– Nuk e pranoi këtë vlerësim as kur e thirrën në Këshill të Ministrave në vitin 1994
– Projektin e minierës Bulqizë e bëri me përpikmëri, zbatimi i të cilit u nderpre abuzivisht nga firma koncesionare “Darfo”/
Nga Albert Z. ZHOLI /
Ai është lënë fare në harresë duke lenë në hije dhe një fakt shumë të rëndësishëm që në 31 Mars 1991, në zgjedhjet parlamentare, ka fituar përballë Presidneit të Republikës së asaj kohe Ramiz Alisë me rezultatin e bindshëm 62% kundrejt 34%. Kjo fitore e bujshme sot as që diskutohet nga shumë drejtues të PD-së, dhe pse ishte ajo fitore që përmbysi tabutë e kohës dhe hapi rrugën e demokracisë së vërtetë në Shqipëri, ku vota popullore, u mendua në mënyrën më perfekte. Ishte një votim që tregoi pjekurinë e popullit shqiptar, që tashmë kishte ikur koha e votimit si turmë, por si qytetar të lirë në një vend demokratik. Nqs ato ditë PD, këtë fitore e përdori si armë të fortë ndaj ish krerëve komunsit, ndërsa sot, këtë intelektual, e ka lënë në skutat e harresës pa ja përmendur emrin në asnjë rast takimesh, festash, zgjedhjesh, apo vlerësimesh.
Ka lerë më 31.10.1940, në Shkodër. U diplomoua ing. miniere më 28.12.1960, filloi punë dt. 31.01.1961 në minierën e bakrit Kurbnesh, sektor i ndermarrjes Rubik. Dy vitet e para punoi ing. sektori, dy vitet e dyta punoi në Kurbnesh, duke qenë zv/kryeinxhinier i ndërmarrjes, ku mbulonte dhe minierat Rubik e Kabash, si dhe më vonë, filloi punimet ne minieren e bakrit, Spaç.
Me 1 tetor 1964 miniera Kurbnesh u bë ndermarje në vehte, ku ai u emërua kryeinxhinier.
Gjatë vitit 1964, eksperimentoi për kushtet e Kurbneshit nje metodë të re shfrytëzimi, atë me shëmbje nënkati, që rriste rendimentin, ulte koston etj. Këtë metode e zbatoi me sukses në vitin 1965. Pas Kurbneshit kjo metodë shfrytëzimi u aplikua në shumë miniera të tjera bakri, në përputhje me kushtet teknike të sejcilës minierë.
Në prill të 1967 u xhirua dokumentari “Reportazh nga Kurbneshi”, ku ishte prezent. Në shtator 1967, u xhirua filmit artistik “Plagë të vjetra”, me shumë sekuenca nga miniera e Kurbneshit të cilën ai drejtonte.
Në shtator 1967, është transferuar në detyrën e kryeinxhinierit të ndërmarrjes në minierën e bakrit në Gjegjan të Kukësit, që ishte miniera më e madhe e bakrit në Shqipëri.
Në shkurt të vitit 1970 është transferuar në Ministri, ku punoi deri në vitin 1988, në detyrat e specialistit, kryespecialistit e të drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Minierave.
Në vitin 1988 është transferuar në Institutin e Minierave për të bërë projektin e modernizimit të minjeres së Bulqizës, të cilin e përfundoi në mars të vitit 1989. E ka ripunuar këtë projekt bashkë me specialistat Gjerman të firmës “Shahtleben” në kuadër të bashkëpunimit tekniko shkencor me Gjermanine, dhe e ka përditësuar edhe në vitin 2006 në kushtet e mos zbatimit të këtij projekti dhe të ndërprerjes së punimeve abuzivisht nga firma koncesionare “Darfo”.
Në maj 1992 është emëruar zv/ministër në ministrinë ku kishte punuar rreth 18 vjet. Nuk pranoi që te huajt të vleresonin asetet tona minerare (tërë industrinë minerare të kromit e vlerësonin 14 milion USD) si dhe që ata të vendosnin se cilës firmë të huaj i duheshin dhënë minierat tona. Nuk pranoi as kur e thirrën në Këshill të Ministrave dhe si rezultat e emëruan Ambasador në Zagreb (Kroaci) ku punoi 3 vjet (janar 1994 deri 29 dhjetor 1996).
Me 1 janar 1997 filloi punë në institutin e minierave dhe pas 9 muajsh u emërua krye/ing. në Korporaten Albbaker, ku punoi deri në vitin 2001. Më pas, punoi me firma private.
Për punën teknike e shkencore të bërë në miniera në nëntor 1978, i është dhënë për herë të parë çmim Republike i shkallë II për metodën e shfrytëzimit në minierën Kurbnesh e ate të Gjegjanit të Kukësit. Në vitin 1985 i është dhënë urdhër pune nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Në nëntor 1998, i është dhënë perseri çmim Republike i shkallës II për studimin dhe projektin e minierës Bulqizë, zbatimi i të cilit u nderpre abuzivisht nga firma koncesionare “Darfo”. Më 31 Mars 1991, në zgjedhjet parlamentare, ka fituar përballë Presidneit të Republikës së asaj kohe ramiz Alisë me rezultatin e bindshëm 62% kundrejt 32%. Kjo fitore u diskutua edhe në mediat botërore si një rezultat surprizë I një intelektuali të thjeshtë ndaj ish ushëheqësit komunist. Askush nuk e besonte që ën zonën ku ishte themeluar PKSH, pikërisht në kohën kur Alia ishte në psoitet më të larta drejtuese të shtetit shqiptar, një inxhinjer i thjeshtë i panjohur në Tiranë të fitointe bindsgëm. Më shumë se kushdo u habitën drejtuesit e PD dhe vetë Sali Berisha i cili i ishte shmangur përballjes me Ramiz Alinë. Të gjithë politikanët e asaj kohe fitoren e Ramiz Alisë në atë zonë dhe me atë intelektual të thjeshtë e quanin të padiskutueshme. Në këtë zonë historikisht votonte vetëm Enver Hoxha dhe më pas Ramiz Alia. Franko ndrroi jetë më 12 nentor 2013 dhe deri më tani asnjë nga liderët apo drejtuesit e PD në bazë nuk është kujtuar për këtë “Hero të heshtur” që tronditi politikën botërore duke fituar bindshëm ndaj ish udhëheqësit komunist që zëvëndësoi Enver Hoxhën.
XHEVAHIR SPAHIUT NE 70 VJETORIN E LINDJES
Nga Përparim Hysi*/
XHevahir Spahiut*/
Xhevahir Spahiu! Xhevahir SKRAPARI!/
Tek ti është Poeti; është dhe luftëtari./
Në një anë Poeti, në tjetrën Njeriu/
Me gërmë të madhe: Xhevahir Spahiu!/
I përbuze dredhat, mbroje veç të drejtën/
Në rrugën e sheshtë kërkoje “përpjetën”/
Ndaj u “rebelove” dhe shkove në Vlorë/
Nuk të trembi ndjekja: s’pyete për terror./
Kupolë e Mesjetës dërgoi “kapuçinjtë”
Mbi kurrizin tënd varda ranë shkopinjtë.
Të goditën, Xhevo, me grusht harbutërisht
Ty që ishe ëngjëll; je Budë e je Krisht!
Krisht për fjalë të lirë ( pa shtypje e dhunë)
Që të ndihemi mirë( si ti,edhe unë)
Farën e urrejtjes mbolle për pushtetin
Seç e le rehatin, se zgjodhe Poetin!
Dhe gatove vargje në magje revolte
Helm për diktatorët, pjellë të çdo epoke.
* e botuar në librin tim “Regëtimat e dashurisë” f.185
Fier, 3 prill 1997
Lutje ZOTIT! *
( Miqësisht, Xhevahir Spahiut)
O ZOT! Të lutem, ktheja “Fjalën” Poetit!
Se Poetit i duhet fjala.
Fjalën hiqua atyre që Parlamentit
Na mbushën me përralla.
Përralla me mbret mu në mes të ditës
Kurse Poeti fjalën e ka me kursim
Atyre ua hiq,se janë pa kokrrën e kripës
Kurse Fjala e Poetit është krejt si rubin.
I duhet Fjala Poetit, o Perëndi
Se Poeti është tribun pa bërë fushatë
Në vargje Poeti mëkon dashuri
Dhe vret ne fjalën e tij njerëzit me shpirtin natë.
Emrin e ka Xhevahir… dhe është xhevahir
Në vargje i tillë: i tillë dhe me zemër
E presim të kthehet si djalë i përtërirë
Dhe ç’shkruaj, e ëdshiroj me zemër.
Nuk e dua vetëm unë, po janë me mijëra
Se të të duan me mijëra, nuk është pak
Mu në veshin tënd, Perëndi, kjo fjalë, imja
Që të vijë e të na flasë , Xhevua Fjalëmjaltë.
* me rastin e paralizës
Botuar tek libri im”Njerëz që dua” f.51
Florida, 27 prill 2009
Xhevos për 70-vjetorin e Ditëlindjes*
70-vjet për ty? A s’janë fare pak?
Ku të gjejmë një tjetër me vargun e mjaltë.
Kur të shoh të qeshur tek kafe “Evropa”
Më hipën një gaz, sa dua të marr “hopa”
Hopa si çunak, aq më hipën shendi
E, i bardhi fat! Sakaq më ik helmi
Helmi që dikur buzën seç na qepi
Por Zoti të pa, dhe t’u kthye shendi.
Rreziku i zi, iku pak nga pak
Kur të shohim Xhevo, sikur marrim flakë
Jo vetëm unë ( të gjithë sa të njohin)
Zënë e të qafojnë sikur zemrat ngrohin.
Ti vetëm buzëqesh… e ku ka më bukur?
Të shohim të qeshur dhe ndihemi të lumtur
Mbushe 70-vjet! Të mbushësh një shekull
Me Fjalë e me varg, gjuha pret hekur.
E, mor Xhevahir! Si emri dhe vargu
Kur të lexojmë, valë na bëhet gjaku
O Poet i bukur që sot ke DITËLINDJEN
100-vjet gëzim ( bashkë dhe me familjen)
* enkas për 70-vjetorin e lindjes
Tiranë, 1 mars 2015
* Poezitë e mia kushtuar Xhevahir Spahiut
FËMIJA DHE “VIGANI LIBERATOR”
“Nëno moj m’a qaj në Vlorë/
Ku të dha liri, kurorë/
Shpirt’i bardhë si dëborë/
Ti s’i dhe as varr për hor”/
FAN S. NOLI/
Shkruan:EUGJEN MERLIKA/
Isha shumë i ri kur u njoha me emrin e Luigj Gurakuqit, nëpërmjet bisedave të nënës e të gjyshes sime. E para ruante një kujtim të mjegulltë të figurës së një burri të pashëm e shumë të dashur, që vinte në shtëpinë e saj si mik i babait. N’atë shtëpi me qira të Barit të vjetër, ku banonte Sotir Gjika me gruan dhe të dy fëmijët, Aleksandrin dhe Elenën, vinin mjaft miq e shokë të babait, por kujtesa fëminore e një pesëvjeçareje kishte regjistruar Luigjin, Mustafain dhe Lin Kamsin. Fëmija ishte afruar më shumë me zio Luigin, sepse ai bisedonte më shumë me të, futej në botën e saj të lodrave, e përkëdhelte më shumë.
Atë mbrëmje kobzezë të 2 marsit 1925 ajo nuk donte të flinte, priste zio Luigin, mbasi ai i kishte premtuar një kukull. Fjalët e fundit që Luigji i tha atyre , me të cilët ishte në tryezën e restorantit “Cavour”, ishin këto : “Do të ngrihem sepse do të shkoj t’i çoj kukullën që i kam premtuar vajzës së Sotirit.” Një njeri i keq nuk e lejoi xhaxhin e dhëmshur t’i dhuronte kukullën Elenës, mbasi ndërpreu jetën e tij me tre të shtëna të mallkuara revolveri. Elena fjeti vonë atë natë, por të nesërmen, kur mori vesh gjëmën e madhe të Shqipërisë qau shumë.
Në funeralin, që u zhvillua mbas një jave, babai i saj i sëmurë ishte i pamundur të shkonte dhe në vend të tij foli nëna e saj, mësuesja Angela Quarta. Kjo histori, që kishte në vetvete të gjithë elementët e një përralle me njeriun e mirë, me përbindëshin dhe fëmijën e pafajshme, m’u ngul në tru shpejt duke fiksuar në të përfytyresën e një zotnie, që kishte qënë një nga themeluesit e Shtetit shqiptar, të cilën e plotësova më vonë, jo vetëm me tregimet e njerëzve të dashur, por edhe me librat e ndryshme të shkollës apo jo të saj.
Sot, në nëntëdhjetë vjetorin e largimit të Tij nga jeta tokësore, figura e tij merr shëmbëllimin e një njeriu të afërt, që është mes nesh e na kujton se ky Atdheu i ynë, për të cilin ai flijoi jetën e Tij, kjo Shqipëri që qe për Të nusja imagjinare, nuk sendërtoi idetë e tij, por mbeti gjithmonë në mes të rrugës, mes dy botëve, “të asaj që nuk don të vdesë e të tjetrës, e pafuqishme të lindë”. Shqipëria që ëndërruan Gurakuqi dhe shokët e tij, për shumë arsye të të metave tona e të fatalitetit historik, që na dhuroi “shekulli i shkurtër”, nuk arriti të gjejë rrugën e saj normale drejt një zhvillimi që do të mbante për udhërrëfyese demokracitë e Perëndimit. Ajo rrugë qe shumë e gjatë dhe tepër e ashpër sepse, kryesisht, pagoi pasojat e një patologjie mijëvjeçare të rracës sonë : paaftësi ose mungesë dëshire për të kuptuar njëri tjetrin, pazotësi për t’u bashkuar përparë rreziqeve, miopi politike, poshtërimin e nxjerrjen jashtë loje të njerëzve më të ndershëm e më të zotë, për të vënë në krye të paaftët e të pandershmit.
Ministri i parë i arsimit i Shqipërisë së pavarur u mundua të ravijëzojë një Vend ku të zotëronte “Mbretnimi i ligjës dhe i drejtësisë”, ku “Administrata të jetë si një maqinë e lehtë, të ketë pak nëpunës, por të zotët, nëpunës të paguar mirë por të marrun me konkurs”, ku ekonomia të bazohet mbi “konkurencën e lirë” duke shmangur monopolet, ku harmonia shoqërore të mbështetet mbi parimin “Besime të lira në Shtet të lirë, mostrazim i Shtetit në çâshtjet besimtare, nderim i njeni tjetrit për besimin e shoqi shoqit.”.
Shkodrani i madh ishte i vetëdijshëm për vështirësitë që hasnin bashkatdhetarët e tij në sendërtimin e këtyre synimeve. Ishte vetëm 26 vjeç djalë kur shprehte në “Albania” të Faik Konicës këto bindje : “Na, deri sot, kena kenë kot për nji gjuhë shqipe, pse kjo nuk na ka rrnue njeti veç në mênde të disa entuziastëve ; kena folë kot për nji komb shqiptar, pse ky nuk e ka diftue kurrë sheshit vetvedin me gjithë ato cilësí të nevojshme, qi i napin gjallnì e fuqì ndjenjës kombtare. Deri më sot nuk jena kenë tjetër veç Toskë e Gegë të damë politikisht e të damë edhe me gjuhë, me idhnime e përçarje ndër vedi, të cilat shumë herë jena mundue me i ba edhe mâ të mdhaja e të thershme tuj u këqyrë me sŷ të keq e tuj i u kundërshtue njeni tjetrit.”
Është diagnoza e një të riu që nuk strehohet në fantazitë joshëse të së “mirës virtuale”, por që sheh të vërtetën në sy e ka kurajën t’a përballojë atë me të gjithë mjetet që i jep mprehtësia e mëndjes, vullneti për ndryshim, qartësia e objektivave, largpamësia në trajtimin e dukurive. Mbas pak vitesh djaloshi Gurakuqi u bë poet e politikan, mësues e shkrimtar, diplomat e luftëtar, prijës e flamurtar, duke i vënë të gjitha këto cilësi në shërbim të një synimi të vetëm : Shteti shqiptar i lirë, i pavarur dhe në një hap me të tjerët. Ndihmesa e Tij u bë vendimtare në fatet e kësaj Shqipërie, së cilës i qëndroi mbi krye në ditën e lindjes së saj, e të cilën e mori për dore në peripecitë e panumurta të ecjes e të rritjes, ndërmjet intrigave e lakmive të të huajve e prirjes së shqiptarëve për t’a kthyer në një çiflik të secilit prej tyre. Në këtë kontekst Ai mbeti simbol i pastërsisë morale të politikës dhe pika e riferimit më e besueshme e klasës drejtuese.
Në vitet përcaktuese të rrjedhës historike të Vendit 1921 – 24, qëndrimi i Tij është shumë i përmbajtur. Nuk miraton atentatin e Beqir Valterit në Parlament kundër kryeministrit Zogu, madje i shkon këtij në shtëpi për një vizitë solidarizimi, nuk miraton t’ashtuquajturin “revolucion demokratiko – borgjez” të qershorit 1924, kundërshton zgjedhjen e Nolit Kryeministër. Por natyra e Tij e butë, e hapur e bujare i jep përparësi marredhënieve me kolegët, shmangies së kundërshtive me ta, pranimin e vendimeve edhe kundër bindjeve, cilësi që zbulojnë një politikan të rracës, por që për kohën u quajtën si të meta për t’u kritikuar. Në jetën e Tij politike pati shumë miq e ndjekës, pati edhe kundërshtarë, por ajo që e dallonte në veçanti ishte respekti që gëzonte edhe tek kundërshtarët, tregues i një shtati moral e intelektual të rrallë.
Luigj Gurakuqi ishte një njeri me kulturë të thellë e horizont shumë të gjërë. Ndihmesa e Tij në çështjet e gjuhës, si Kryetar i Komisisë letrare të Shkodrës më 1916, i vuri bazat studimeve shqiptare, sidomos në drejtim të krijimit të gjuhës letrare kombëtare që, simbas mendimi të Tij “do të rrjedhë prej dialekteve ma të mëdhaj të Shqipnisë e nuk do të jetë tjetër veç t’afritunit bashkë e të derdhunit e tyne në nji”. Komisia letrare vendosi që “Dialekti i Elbasanit të merret si gjuhë shkrimi”, madje edhe përsa i përket ortografisë. Fatkeqësisht kjo pikëpamje, e përkrahur shkencorisht nga gjithë albanologët e huaj dhe autoritetet gjuhësore shqiptare, u rrëzua nga një “kongres drejtshklrimi”, në të cilin partia komuniste imponoi zgjedhjen e saj tepër të diskutueshme.
Gurakuqi katolik, liberal e demokrat, në çdo qelizë të tij, ishte një idhtar i shtetit laik, në të cilin të gjithë qytetarët duhet t’ishin të barabartë para ligjit. Në panoramën politike të kohës së tyre, së bashku me Fishtën kundërshtuan krijimin e një partie politike katolike në një Vend me tre besime, duke vërtetuar largpamësi e kah përgjegjësie shtetërore e kombëtare. Mbas 70 vitesh, të tjerë njerëz, vite dritë larg tyre, përsa i përket koncepteve e horizontit, i krijuan ato në Shqipërinë e kalesës…..
Humbja e parakohëshme e Luigj Gurakuqit dëmtoi shumë jetën politike të Vendit tonë. Armiqësia mes Zogut dhe Opozitës në emigracion erdhi duke u shtuar. Kjo qe e keqja më e madhe për Vendin. Një Gurakuq i gjallë mund të kishte qënë një faktor pozitiv në krijimin e një atmosfere bashkëpunimi në dobi të Shqipërisë. Nëse ka patur ndonjë llogari në synimin e vrasjes së Tij, ajo ka qenë thellësisht e gabuar, mbasi humbja e Tij ishte një humbje për Shqipërinë, madje edhe për kundërshtarët e Tij.
Figura e Luigj Gurakuqit, me kalimin e kohës, lartësohet më shumë. Komunizmi e trajtoi me një farë realizmi, i njohu atësinë e shtetit shqiptar, si bir i zgjedhur e besnik i Plakut të Vlorës, edhe se i vuri në dukje “kufizimin klasor” në veprimtarinë politike. E veçoi nga rrethi i miqve e bashkëpuntorëve, që patën fatin të jetojnë, duke i injoruar këta në rrëfimin e ngjarjeve historike e duke mos kursyer poshtërimin dhe asgjësimin e të gjitha formave, për qëndrimet e tyre antikomuniste. Historiografia komuniste i njohu Gurakuqit meritën e pjesëmarrjes në Qeverinë e Nolit, të cilën ajo pëlqen t’a quajë si paradhomën e komunizmit enverian. E vërteta është se në të ka patur disa elementë të asaj sfere politike, por trashëgimia më e denjë nga ka marrë ushqimin socializmi shqiptar është rebelimi filoturk i Haxhi Qamilit, kundër të cilit Luigj Gurakuqi dhe atdhetarët e vërtetë shqiptarë të kohës luftuan me armë në dorë, edhe duke humbur.
Gurakuqi ka qenë ati shpirtëror i demokracisë embrionale shqiptare, një personalitet me përmasa kontinentale, një idealist nga më të kulluarit e kombit tonë. Vlerësimin më të mirë të Tij, ndoshta, e ka bërë kolegu Fan Noli, jo vetëm me elegjinë monumentale “Syrgjyn vdekur”, por edhe me përgjigjen që i jep mik armikut të tij, Faik Konicës : “Z. Faik Konica është i mëndjes që kam qenë vegla e Gurakuqit. Nuk e besoj. Por edhe sikur të jetë e vërtetë, e kam dhe do t’a kem për nder. Ishte mjaft i madh sa të kishte vegla si mua.” Fjalë fisnike që nderojnë atë që i shpreh dhe atë të cilit i drejtohen, një shëmbull i shkëlqyer i njohjes dhe respektit të vlerave, gjë e rrallë në jetën politike shqiptare.
Duke u kthyer tek imazhi i Gurakuqit, i krijuar në rininë time të parë, më del para sysh një burrë fisnik e i pashëm, që pëlqehej nga gratë, por që në larpamësinë e Tij, e quante martesën si një gabim që përcaktonte fatkeqësinë e familjeve të pjesëmarrësve të politikës. Pyetjeve që i bëheshin në këtë drejtim Ai u jepte vetëm një përgjigje : “Jam martuar me Shqipërinë”. Gjyshes time i thonte shpesh : “Caje, të ka marrë më qafë Mustafa. I kam thanë qysh kur : mos u marto, se nuk bâhet politikë në Shqipni, tue pasë familje!” Sa thellë e kishte njohur mjedisin e politikës së Vendit të Tij, sa të sakta qenë porositë e Tij. “I pëlqente djathi me krimba” më thoshte gjyshja, ndërsa nëna ime tregonte një episod të rrëfyer nga nëna e saj. Luigji kishte miqësi me një grua jo të bukur, e cila shkonte në qiellin e shtatë, kur ai e lëvdonte. Gjyshes sime italiane, që e ngacmonte për komplimetat që i bënte asaj Ai i përgjigjej : “Grave të bukura i bâjnë komplimenta të gjithë. Por edhe ato që nuk janë të tilla kanë nevojë për to.”
Altruizmi i Tij nuk njihte kufij, bënte pjesë në ADN-në e Tij si njeri, si intelektual, si Burrë Shteti, një shembull për t’u ndjekur, një Shqiptar me Sh të madhe, një Njeri, vepra e të cilit është një nga stolitë e rralla të kujtesës historike të Kombit tonë.
Është për t’ardhur keq që “demokracia” e re shqiptare e ka lënë pak në hije, madje është e papranueshme që shteti shqiptar e organet e tij të kulturës, përcjellin me indiferentizëm shkatërrimin nga koha të shtëpisë së Tij, një objekt që duhej të hynte me të drejtë të plotë, në pasurinë muzeale të trashëgimisë sonë kulturore e historike.
Mars 2015