• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nje Leter nga Amerika per Kryeministrin e Shqiperise per pronen e trasheguar

December 14, 2014 by dgreca

Shkruan:LORO STAJKA/ Virxhinia /SHBA/

Kryeministrit te Republikes se Shqiperise z. Edi Rama,/
Unë , quhem Loro Stajka, jam një nga ata shqiptarë që diktatura sllavokomuniste më detyroi në vitin 1948 të largohem nga atdheu im. Mbas sa kohe, kam emigruar në SHBA dhe jetoj në Virxhinia të SHBA, por zemër e mendje I kam në Shqipëri dhe më saktë në Shirokë, në vendin tim, në shtëpinë time, aty ku u linda dhe u rrita. Pas vitit 1991 si të gjithë shqiptarët, u gëzova për përmbysjen e bustit të diktatorit, por jam i pezmatuar pasi në fakt demokracia akoma nuk është vendosur, komunistat ia kaluen stafeten njeni tjetrit keshtu qe komunizmi ende nuk asht crrenjosun se ne emnin e demokracise ata po zhvillojne interest e tyre edhe ma shume se sa ne kohen e dsiktatures se mallkuar
Sot jam në moshë të thyer por lavdi Zotit, gëzoj shëndet të plotë. Jetoj mirë e bukur me familjen time në SHBA, por më shqetësojnë problemet e mija që mi kanë shkaktuar qeveritë e Tiranës të pas vitit 1991 e deri më sot nga mos respektimi i të drejtës për të gëzuar pronën e time të trashëguar.
Problemi im me pronat e trashëguara është i ngjashëm me ato të bashkëfshatarëve të mij dhe të gjithë popullit. Anarkia e pronës është një shkelje sistematike që zgjidhet me një qendrim shtrëngues të ndërkombëtarëve, që të detyrojë qeverinë të zbatojë kushtetutën ose me një ligj që të kthejë pronat e grabitura në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe vendimin pilot të Strasburgut. Me sa pasqyronë shtypi Qeveria e Kryeministrit Edi Rama, praktikisht po përdor termat kompensim, njëlloj siç bëri Sali Berisha. Më shqetëson mendimi:- a e ka dëshirën Kryeministri Edi Rama për ta shpëtuar Shqipërinë nga kjo situatë e anarkisë institucionale sepse nuk janë deklaratat ato që bëjnë shtetin ligjor dhe shtetin e të drejtës.
Këtë radhë për këtë shkrim marr shkas nga një shkrim i zotit Flamur Sulejman Harri,botuar në gazetën Dielli të datës 29 Tetor 2014. Zoti Flamur tregon një realitet të hidhur për të cilin duhet të shqetësohet ministri I Drejtësisë qeveria dhe I gjithë Kuvendi I Shqipërisë. E tillë është situate për shumë pronarë të tjerë dhe askush që I thotë vetes shqiptar, nuk duhet të pajtohet me këtë situatë.

Këshilli I Lartë I Drejtësisë, Ministri I Drejtësisë dhe cilido që është i interesuar të ndihmojë për vendosjen e drejtësisë në drejtësi, e ftoj të analizojë vendimin nr.2723 date 22.11.2007 e Gjykatës së Rrethit Gjyqsore Shkodër E Perbere nga Anita Mici –Gjyqtare, avokati gjoja per te mbrojtur te drejten time Gjovalin Ulndrejaj
Hisrorija;
Ne vitin 1954 shteti komunist me shtetizoi pronen dhe shtepin time ku linda dhe jam rrit, pasi une isha I arratisur dhe konsideroihesha armik.
Prej nvitit 1993 jam perpjekur qe ne perputhje me ligjet te me kthehej prona qe me ishte konfiskuar ne vitin 1954 dhe paraqita dokumentat ne Komisjonin e kethimit dhe Kompesimit te Pronave(KKKP)-Shkoder.Ne ate document sqarohet qarte se sekuestrohet shtepija dhe kufijt e oborrit dhe te kopeshtit.Po ato kufij ka shenuar edhe KKKP e Shkoders ne vendimin e kethimit te prones me 1993,
Ne ate vendim shifen qart pengesat e ndyta ashtu si për shumë pronarë të tjerë, që është një shembull i qartë I gangsterizmit në gjykata dhe në administratë.
Ne vitin 2013 gjykata me vendim ka kethyer kater qosht e nshtepise pa oborrin dhe kopshtin.Une dhe femijt e mij, mund te hyjme ne shtepin tone vetem duke zbrit me litar nga nalt ose helicopter.
I drejtohem publikisht çdo politikani apo analisti me gjak e zemër shqiptar që të analizojë ta mbështesi apo ta rrëzojë shqetësimin tim se sistemi shtetëror në Shqipëri nuk është demokratik dhe se demkracia nuk funksionon. Për sa kohë deputetët e maxhorancës nuk votojnë një ligj, që të përmbledhi pjesën positive të dhjetra ligjeve dhe vendimeve dhe të realizojë kthimin fizik të pronave tek i zoti konform nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës, ata i zgjasin jetën mafies dhe anarkisë së pronës, i shtynë shqiptarët të vriten me njëri tjetrin për shkak pronësie, praktikisht i zgjasin jetën sllavokomunizmit, bëjnë një veprimtari antikombëtare duke marrë rrogën e shtetit !
Nga 1991 e deri sot, deputetë të papërgjegjshëm me mentalitetin e tyre kleptokratik ata e kanë konsideruar pronën e konfiskuar nga komunizmi , si pronë në dispozicion të shtetit dhe sulmojnë për poste qeveritare që të pasurohen. Për tu justifikuar para opinionit perendimor dhe vendas kanë miratuar ligje dhe vendime për kompensimin apo për legalizimin. Kompensim dhe legalizime pa tjetër që duhet të ketë, por ato duhet të jenë në përputhje me kushtetutën, ndërsa ligjet aktuale për kompensim janë flluckë sapuni. Kompensim për 200 metro katrore për të lejuar që pronën ta përvetësojë oligarkia politike është mashtrim dhe vjedhje dhe një situatë me e keqe se ajo e diktaturës. Ndërkombëtarët duhet të reagojnë efektivisht ashtu siç reaguan për të ndaluar vjedhjen e energjisë elektrike. Po ashtu dhe legalizimin I personave të tretë që kanë pushtuar toka që Shteti duhet ti kthejë tek subjekti I
shpronësuar është në vendim në shkelje flagrante të kushtetutës dhe të kërkesave të Vendimit pilot të Gjykatës së Strasburgut.
Kjo dekadencë morale e politikanëve, e ka zhytur popullin në një skllavëri të maskuar me emrin demokraci dhe kjo situatë e anarkisë së pronës është tregues i mbijetesës së sllavokomunizmit që është përshtatur në kushtet e pluralizmit. Perëndimi ndonse ka investuar shumë në Shqipëri, terthorazi I ka ndihmue korrupsionit per shkak te qendrimit nenvleftesues ndaj detyrimit kushtetues te Shtetit per te kthyer fizikisht pronen tek I zoti.
Shpresoj se Ambasadori i SHBA në Tiranë dhe ambassadorët e tjerë nuk do të vazhdojnë ta anashkalojnë këtë situatë të nderë që bie ndesh me parimet e shtetit demokratik.
Me nderime
Loro Stajka
Dhjetor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: e Shqiperise per, Loro Stajka, nga Amerika, Nje Leter, per Kryeministrin, pronen e trasheguar

Aktualiteti dhe ndërgjegjia krijuese “grua “ në Letërsinë shqiptare.

December 14, 2014 by dgreca

(Aspektet psikologjike dhe filozofike të romanit “Djalli që pagova për këshillë” të autores Jeta Vojkollari)/
Nga Agron Shele/
Romani, për nga vetë natyra si zhanër letrar dhe strukturë ndërtimi jep mundësinë dhe krijon hapësirën e duhur për një shprehishmërie shumë më të gjerë, shumë më të thellë, shumë më ngjyrues, shumë më editiv dhe si i tillë ai përcjell mesazhe, parashtron ide dhe sjell modelet e vetë natyrës njerëzore. Në këtë kontekst dhe i nisur nga pikëvështrime të kompleksitetit dhe tematikës që përcjell, ndeshemi me forma dhe konstrukte rrëfimesh nga më të larmishmet, me ngjarje dhe botë karakteriale të pasur, me teatrin e hapur të zhvillimeve në kohë dhe hapësirë gjeografike, me inkluidivitetin psikologjik dhe filozofik, si dhe me percepitimin e mjedisit zhvillues si ndërgjegjie dhe përsosje. Në vija paralele dhe përbrenda gjithë këtyre nocioneve vjen edhe romani “ Djalli që pagova për këshillë” i autores Jeta Vojkollari, i cili që në fillim të beftëson dhe impresionon, të tërehq dhe imponon lexim me një frymë, të bën të kuptosh stilistikën e një proze krejt tjetër , shumë më sugjestionuse, shumë më metafizike, por dhe po kaq shtjelluese për problematikën, reminishencat, ringritjen dhe funksionimin e një shoqërie të tërë. Këndvështrimi dhe përplasja e realiteteve të ndryshme, përgjegjësia dhe ndërgjegjia krijuese ”grua”, mentaliteti dhe idetë e guximshmshe për të nesërmen, përballia e koherencave të krijuara dhe rrëzimi i tabuve gati të përjetësuara, dritëhijet dhe sindroma dhimbje në qelizën bazë familje, larmia dhe referimi i gjithë kësaj shtjelle narrative rreth psiko-analitikës, janë gjetje por dhe sfida që parashtron autorja për zgjidhje. Tematika e librit përafron por dhe baraslargon gjithë kategoritë shoqërore, i konvergjon mjeshtërisht në në pikë të përbashkët tek kryepersonazhja dhe i baraslargon rrugëve të fatit përzgjedhur, rrugëve që më së shumti përmbyten nga dhuna, egërsia, brutaliteti ,vesi, amoraliteti, lakmia, etja e shfrenuar për shkëlqim dhe pasuri, e cila për rrjedhojë ngre dhe pikëpyetje që anatemojnë kaotizmin, fenomenin si produkt të çorinetimit dhe nxitjes së debatit më të nxehtë, për atë ç’ farë po ndodh dhe për atë se ç’ farë duhet bërë. Në paratezë të gjithë trajtimit të kësaj vepre letrare duhet theksuar grafika e ndërtimit strukturor, kompozimi dhe ndërlidhja e hallkave, unisoni plotë dhe harmonia e personazheve, metafizika e tyre si konceptim dhe botëkuptim dhe për më tepër finesa e bisturisë që operon shpirtin e sëmurë të mjedisit jetësor të tërë. Zbërthimi ideo-artistik i romanit “Djalli që pagova për këshillë” nuk mund të konceptohet pa detajimet e elementëve përbërës, idesë bazë fillestare dhe problematikës “plagë shoqërore”, sendërtimit psikologjik dhe konceptualitetit shumëdimesional, përqasje kjo që përkon me suazën dhe iluzionin e intelektuales idealiste, kreative dhe pjesë e patjetërsueshme e lobit inteligjent jashtë atdheut, për një komb sa më të përparuar dhe konsoliduar. Autorja Vojkollari është e shqetësuar, shpesh herë dhe e rrebeluar për atë mënyrë jetese që posedohet nga agravimi patriakal (forma primitive dhe forca e errët e memories dhunë), denancon monstruizitetin e tyre ( tablot e gjalla jetësore të krimeve të ndodhura), intrigon nëpërmjet persoanzheve si qënësi dhe frymim i mbrapshtë i disekuilibrit shoqëror dhe ajo ç’ ka është më e rëndësishme nëpërmjet ideve të saj jep alternativa zgjidhjeje ( modele të shoqërive më të përparuara).
Disa nga aspektet psikologjike dhe filozofike të kësaj vepre që për nga përmasat, shtrishmëria në hapësirë dhe kohë, mesazhi që përcjell dhe tematika që trajton, tematikë e cila përbën dhe radiogramën e plotë të një shoqërie të tërë, të ringirtur dhe ndërthurrur dritëhijeve dhe paskohëve të ndërgjegjies përjetuese por dhe konceptuese :

Aspekti psikologjik i veprës letrare .

Vepra letrare “Djalli që pagova për këshillë”, është një vepër e mirëfilltë social-psikologjike, pasi trajtimi dhe komponentët përbërës deshifrojnë pa reshtur nocionin psiko-analitik të shtresëzimeve dhe kategorive shoqërore, të cilat ashtu të sjellura nga mjedise të ndryshme jetësore konvergjojnë tek kryepersonazhi kompleks, Sabrina. Pështjellimi dhe ndikimet e përditësisë mentalitet e zhveshin Sabrinën nga profesionalizmi dhe e zhysin në një botë të errët, plot intriga, të djallëzuar dhe gati hakmarrëse. Në ç’ do konsultë ajo tjetërsohet dhe barazvlerëson ejmotivet individuale me ato të klientëve, sulmon nga përtej vetëdija cilësitë e tyre më të mira, bie në qerthullin e xhelozive të rëndomta duke u shndërruar në demon. Depërtimi më i thellë përtej minatuturave të ngritura të çon edhe më tej, bëhet më substile dhe thellë në vetëndërgjegjie shtron paratezat e funksionimit të gjithë strukturës së re të rilindur mbi gërmadhat konservatore të së shkuarës. Gjithçka duket se po lulëzon dhimbshëm, fasadash të shnditshme sipërfaqësisht por brendësi muresh të trishtueshme, vrastarë dhe gati apoliptike për modalitetin e ri ku synohet të arrihet. Psikologia përbën gjetjen dhe boshtin përshkues të gjithë psikikës shoqërore shqiptare dhe e parë asnjanësisht dhe nga një model tjetër qytetërus, model nga i cili vjen autorja Vojkollari, kurbëzon dhe pasqyron fatalitetin e familjes shqiptare, shkallë pas shkalle si vetë ndarja e strukturave klasore .

Aspektet karakteriale.

Tomi, pinjoll i ardhur nga familje artistësh, lakmimtar, amoral, arrogant, i pa aftë dhe i etur për lavdi, simbolizues dhe tipizues i karakterit të dobët dhe egoist të individit që kërkon të ngjitë shkallët e piramidës jashtë ç’ do etike shoqërore.
Rakela, aktore e suksesëshme dhe përfaqësuese e një familjeje të klasit lartë, yll që është gjithmonë në ngritje, humane dhe protagoniste, e cila së bashku me Markun, njeriun e shkolluar në universitetin më të mirë amerikan, edhe pse ky i fundit hallakatet në xhelozitë e pakuptimta e rigjen vetveten dhe konsolidojnë një familje të shëndoshë dhe të qëndrueshme.
Fabiana, vajza e ardhur nga një familje ku sindroma e burrit patriakal , shtyllës së shtëpisë në konceptin më konservator, vendos dhe paracakton jetën dhe fatin e të tjerëve pa asnjë të drejtë, dyfytyrëson karakterin e deformuar të burrit lakmimtar dhe të etur pas parasë, aq sa përfundimisht penalizohet për krimet ekonomike të kryera. Ky lloj karakteri ka helmuar jetën e të shoqes vet, e cila vdes në moshë të re, por nuk di të ndalet dhe kërkon të denatyrojë edhe karakterin e së bijës me parime të pakuptimta, parime që e çorientojnë jetën e saj, dhe e futin në qerthullin e problematikës më të madhe të rinisë shqiptare sot.
Luli, një personazh tjetër i romanit, një karakter që përndiqet nga familja e vet për vetë tabunë që ka shkelur, dhe si homoseksual ai duhet të veçohet dhe të vuajë pasojën e mentalitetit ku jeton. Bashkëjetesa me Monen, është thjesht një trill i gënjeshtërt, hedh dritë mbi spekullimin që bëhet për përfitim material dhe për më tepër zbardh detaje nga bota kriminale në Tiranë.
Robina, grua tipizuese e mentalitetit të vërtetë shqiptar, e ardhur nga krahina veriore e Shqipërisë për një jetë më të mirë, por që fataliteti primitiv i Remziut e kryqëzon jetën e saj, e zhyt në mjerim dhe dëshpërim, në dhunë familjare dhe keqtrajtim dhe për më tepër në rrezikun e madh, atë të pasimit të kësaj tradite makabër edhe tek fëmijët e saj. Është qendra sociale ajo që e rikuperon mbrapshtësinë e jetës së saj ose është zgjidhja e saktë e autores për të sugjeruar këtë lloj ndihme në parandalimin dhe keqtrajtimin e gruas në familje.
Moza vjen nga shtresëzimi i klasës së vajzave të dhunuara dhe detyruara për prostuticin, të cilat ashtu të manipuluara dhe mashtruara nga tutorët e tyre shkatërrohen fizikisht dhe psikoligjikisht duke përfunduar jetën e tyre shpesh herë edhe tragjikisht.
Amanda është një tjetër viktimë e përditësisë jetë që afron Tirana, e cila përballet jo vetëm me traumat psikologjike të keqtrajtimit të nënës nga njerku, por provon dhe vetë dhunimin fizik dhe mental. Fundi është i tmerrshëm, si shumë raste të tilla që mbushin kronikat e zeza televizive, pasi e ëma, Sadija, e vret të shoqin dhunues dhe vrasës të njohur me sëpatë dhe përfundon në burg.
Të gjithë këta personazhë përfaqësojnë një botë karakteriale, tipizojnë një familje, shprehin një imazh të jetës shqiptare, e cila e zhveshur nga dogmat dhe perdet e rreme , shpreh natyrshëm krizën e shoqërisë, kriminalizimin e saj, pafuqinë për të parandaluar ekstremitetin dhunë, dhe për më tepër apelon për mbrojtje, dinjitet, respekt dhe të drejta legjitime njerëzore.

Aspekti filozofik.

Këndvështrimi metafizik i romanit është një tjetër objeksion që përshkon por dhe frymon mbarë veprën letrare të autores Vojkollari. Aty ndeshemi me narrativitetin përshkues si frymë bashkohore, ndeshemi me stilistikën e veçantë që e portretizon por dhe e përfaqëson si autore, me ndërthurjen e rrymave psiko-filozofike dhe posedimin e teknikave gati eksperimentale, me harmonizimin e mbarë personazheve dhe numrin e madh karakterial, me tematikën aktuale dhe ideimin e një vepre si pjesë e përhershme e problematikës jetë sociale. Jo pa qëllim në krye të ç’ do pjese, ( romani përbëhet nga 3-pjesë dhe 65 kapituj) autorja ka përzgjedhur postulatet e autorëve të mëdhenj Aldous Huxley ( 1894-1963), Jack Kerouac ( 1922-1969) dhe Ernest Hemingway ( 1899-1961), postulate që shprehin më së miri konceptin filozofik, por dhe unisonin e vetë autores në këto përkufizime ikadeshente, si pjesë e proçesit të natyrës njerëzore, por dhe efekteve apriori të ndërgjegjies shoqërore. Kjo botë është dhimbje dhe dramë jetësore, është pështjellim dhe refleksion i nëndijes më të errët të shpirtit, është çast që fluidizon instiktet e pa arsyeshme dhe për më tepër është sakrifikim i rregullave të pakuptimësisë së po vetë njeriut. Shpërfaqja e një tematike të tillë të trondit, të zhyt ndoshta në skenat e dikurshme mesjetare, ku heretiku në emër të së drejtës apo kauzës së funksionimit të shoqërisë i rrëmbente jetën gijotinash heretikut dhe në mënyrë parabolike dhe kapërcim kohor, sot, i pa morali kërkon të bëjë moralin. Thelbi i mesazhit është më se i qartë, i kuptueshëm dhe asimilueshëm për të gjithë, frenetik për konceptin ves dhe përdhunë dhe moralizues për konceptet humane dhe njerëzore. Nuk mund të mos lësh pa lançuar edhe parashtrimin e ideve të shumta që laburohen, si prognozë e një mendësie tejet produktive, por dhe si pjesë zgjidhjeje e korigjimi të gabimit të shkuar, vetëm e vetëm që kjo e shkuar e hidhur të mos përsëritet dhe që e nesërmja të trokasë ndryshe. Absurditeti, kaotizmi dhe instiktet e pakontrolluara janë simultantet e shoqërive të varfra, të pakonsoliduara, ndërsa idoktrinimi i ri, i frymave asertive, impulseve filozofike pozitive përbëjnë jo vetëm mision por dhe përgjegjësi intelektuale, përgjegjësi që autorja e ka bërë lajmotiv dhe dritëthënie nëpërmjet veprës letrare të vet.
Romani “Djalli që pagova për këshillë” i autores Jeta Vojkollari vjen si shqetësim për tematikën më të nxehtë shqiptare, sikurse është krimi në familje, varfëria ekstreme dhe politikat tejet tw gabuara, vjen si vepër që i bën apel gjithë akseseve shoqërorore për sensibilizim dhe parandalim të fenomeneve më negative, vjen si zë i intelektit grua për mbrojtjen dhe vendosjen e dinjitetit të femrës, vjen si koncept psiko-analitik dhe filozofik për shërimin e kësaj plage me programe dhe ide konkrete sociale, vjen si trajtesë dhe model i ri shtjellimi të ndodhive dhe ngjarjeve reale dhe për më tepër vjen si vepër artistike që i duhet letërsisë shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: “grua “ në, Aktualiteti dhe ndërgjegjia, krijuese, Letërsinë shqiptare.

MOS E BRAKTISNI ATDHEUN…!

December 14, 2014 by dgreca

Neki Lula ne Sofren poetike te Diellit/
MOSNI!/
(Mos e braktisni Atdheun o vellëzerit e mi të bekuar)/

Me tëmthat e gishtërinjve preka plot ëndrra diellin/
Jam duke ecur me qefin ranishtës së blinduar/
edhe në Groenlandën e acareve ku mungon kaltërsia e qiellit/
po gjej gjurmë fisi nga fara pjellore e Arbërit të bekuar/

Edhe po të shkoni përtej oqeaneve e detrave të tërbuar
Do shihni farën e Arbërit që gjithëkah është shpërndarë
zemërimi m’i pëlcet ndjenjat fytyra ime si një hënë e pikëlluar
jam i venitur kur pipthat çelin e shartohen në tokën pa dashuri e varr

A thua farën e shpërndakan shtrëngatat plot me mundim
që në dhënat e huaja të mbjellin rrënjë në shkretëtirë?
Jeta na përplasi historikisht nëpër udhëkryqe e krajata
Por si atdheu i shqipeve s’ka as në brigjet më të largëta

Po këndojnë nuset këngë shqipe edhe në Alaskë
Por zemra ju shtrydh mall e thesar vendlindjeje
Një ditë do të kthehn në atdheun e lashtë
Me shpirtin e gaztë do këndojnë ninulla te djepi fëmijëve.

Mos braktisni atdheun se ju mallkon në liri vetmia
kur ne dhe të huaj mbeteni të vuajtur e të përbuzur kudo
Besoni se do ju marrë malli për rrugët me baltë për varre e vërria
Mosi i lini përindërit, vëllezërit e miqtë pa fjalën e ngrohtë

KËRKOI RRUGËN

Hap pas hapi po eci mbi do rrasa guri kalldrëmeve të vjetra
po i kërkoj gjurmët e mia mbi bërrylin e Lumit të Gjakut
Me mallin e pashuar sa gurët në bedena te kështjella
Dikur ika si fëmijë u ktheva një ditë i thinjur në oborr te lesa
Me syze të trasha e me një shkop prej druri u ula te pragu

Fytyra ime e zbehtë me rrudha ish si horizonti para muzgu
nga thellësia e shpirtit më buron një dashuri që me mban gjallë
Po çmallem me varret e gurët e sokakute e s’dua të jem si murgu
me ata që një ditë u ndava e me kurrë s’kam për t’i parë

Se malli këputka shinat e trenit e malli është plazëm është zjarr
Më lini të çmallem me gurrën e lumit e në oborrin plot bar
Me Koshin në ahur me misrin në hambarë, me tagji që ushqen një kalë
Me lamën plotësuar me mollët në bashqe me livadhë e me arë

Me orën e Pllugun e babës e furkën e sanxhakun e nanës varur në tra
me vekun e motrës kur shkoi nuse me qerre te kuq e më të kuqin bajrak

Pa me lerni të çmallëm unë një herë me ju, o miq, që kurrë s’ju kam harruar
Se kurbeti i mallkuar me ka ndryshkë, më ka vyshkë si limanin m’ka tharë
Nuk e di kur ngopem me ju të dashurit vëllezër e nipa me lerni të çmallem
Mos më merrni lakmi, se ndryshe ja, këtu do të kallem nga ky mall.

BABAIT
(Babait tim me rastin e 13- vjetorit të vdekjes)

Akoma po të shoh sot në Pllugishtë
Duke lëvruar arën me kalë të bardhë
Zëri yt prej bariut të kohërave mes stuhisë
Mbi retë e qiellit je ylber, je oaz

Ishe ballë i rrudhur nga fshikulla me murlane
Duart me plot të çara si një hartë e vjetër
Këmishë e shqyer padrejtësisht nga hordhitë barbare
Shikimi yt ishte lumë i bardhë që kurrë nuk diti të shtjerret.

Ishe gojëëmbli i sinorëve e stinëve në ikje
Se çizmja e huaj rëndë na pat rënduar
Mirë i latoje me aq mençuri fjalët nëpër vite
Kalon edhe kjo” flamë” e shumë si kjo thyen qafën pa kujtuar

U përplase me regjime të egra nëpër mote
Mbi pellgun e vullkanit plot zjarr, plot llavë
Mes kënetave të mykura plot shavar
Ece mbi kepat e malit plot bar, por mbete ngadhnjimtar

Gjithmonë qeshej fytyra jote burrërore dhe engjellore
Se ishe drithnor e mbete pjesë e sofrës së bujarisë
Mes rrudhave të ballit lexoj kapitullin e jetës që rrjedh si kroje
Për mikun mbete mik, ndaj pusho i qetë në parajsën e pavdekësisë.

E sot ngrihu, o balli im, me plot rrudha e bjezga
Ujit lisat me ujin bekoje mbi lëndinë
Kjo lutje ime le të shkojë në vesh të hyjnesha
Le të përkundet i qetë djepi ynë i ardhmërisë

EH, MALLI

Shpesh më sjell malli në oborrin e shtëpisë të mbetur larg
Ma lidh shpirtin me rrënjët e themelit në kullës pragbardhë
Më rëndon si vllakë lanesh që zbresin prej pylli, tek druri
Me gurë malli i mbaj koshin mbi supe si shajak unuri

Këtu nuk më njeh as fqinji, lagjja, as rruga me gjemba drizash
Nuk më përshëndet askush me fjalë marrë nga pellazgjishtja
Një murla cegemin e ngricës po e shkund nga palltoja e vjetër
E degët janë zhveshur nga gjethet e ngrohtësisë së vjeshtës

Atje më pret gurra e stanit e veshur me myshk vetmie
Currilin cërr cërr natë e ditë nuk e ndala, për besë, asnjë çast
Në ahishten e vendlindjes këndon gushëbardha kumurie
Pranverën e thërret bashkë me burrat e menduar mërgimtarë

Ca rreze dielli hapin sytë pas tufanit dhe ciklonit të egër
Edhe toka e thërret të zotin me ardhë në kopshtije e në ugar
Mbi këtë bukuri që ta ndez fort pishën e kuqe të zemrës
Kur zëri përplaset lugjeve të vendit tim plot me flori e arë

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Mos e brraktisni Atdheun, ne sofren e Diellit, neki Lulaj

MUNGESA E GRUPIT TË PDsë NË KUVEND NUK ËSHTË NDIER – AS PRANIA E TIJ NUK DO TË NDIHET

December 14, 2014 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Le të më lejojë lexuesi që, para se të kem cekur temën e përmendur në titull, të bëj këto paranteza:
1. Në Shqipëri nuk është konsoliduar kultura e opozitarizmit, nuk e ka lejuar kultura e antiopozitarizmit
Kultura e opozitarizmit është një faktor përparimtar që ndikon vendosmërisht në zhvillimin cilësor të demokracisë së një vendi dhe në edukatën demokratike të shoqërisë përkatëse. Kësisoj ajo mbarështrohet (kultivohet) njëherësh nga krejt spektri partiak, nga krejt institucionet dhe nga e gjithë shoqëria.
Në Shqipëri këto 24 vite kemi parë se si një kulturë antiopozitare dhe një frymë antiopozitarizmi e ka karakterizuar përherë e më shumë jetën e partive, jetën e politikës dhe atë të shoqërisë. Partitë pak ose aspak i kanë lejuar zërat e brendshëm të ndryshëm nga ai i udhëheqjes apo i udhëheqësit. Faktorët shoqërorë, mediat e tjerë rrallë i kanë përkrahur ata. Rrallë, pothuaj hiç, kemi parë që projektligje, në fazën e konsultimeve apo miratimeve, të shtyhen për rishqyrtime. Po ashtu, rrallë a hiç, kemi parë që të shtohen nene, të ndryshohen nene, të redaktohen ato gjatë seancave plenare të miratimit të paketave ligjore.

2. Në Shqipëri pozitën dhe opozitën, kryesisht PD-në dhe PS-në i karakterizojnë marrëdhëniet klienteliste
Disa herë që forcat politike kanë kaluar nga pozita në opozitë e anasjelltas, nuk kemi parë që të bëhet opozitë për hir të interesave të elektoratit apo për hir të interesave të gjera të shoqërisë, qoftë edhe me qëllim që opozitat ta zgjerojnë elektoratin e tyre apo ta rimarrin elektoratin e tyre.

Opozitë, në Kuvend apo në rrugë, është bërë në mbrojtje të tenderave, në mbrojtje të figurave kryesore të opozitës përballë kërcënimeve për vënie të tyre përballë drejtësisë, për të mos lejuar që reformat e mundshme të cënojnë interesa biznesi të grupeve të ngushta pranë kreut të partive.
Lëshimet e bëra nga pozita ndaj opozitës kanë ndikuar në përmirësimin e klimës brenda politikës, por nuk kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së përgjithshme të vendit as të sektorëve të ndryshëm të jetës.

3. Opozita në Kuvendin e Shqipërisë është thjesht dekor
Pavarësisht se e zhurmshëm apo e heshtur, statike apo e lëvizshme, opozita në këto 24 vite ka pasur rolin e dekorit. Edhe faktorët perëndimorë kur kanë kërkuar rol të opozitës, e kanë reduktuar kërkesën e tyre vetëm në praninë fizike të opozitës në Kuvend. Bojkotet, si rrjedhim, kanë ndikuar në imazhin e demokracisë, por nuk kanë sjellë ndonjë dëm apo dobi tjetër.
Prej këtu, të cekim tash shkurtimisht shqetësimin e ngritur në titull:
Opozita aktuale, me në krye PD-në, është ndër më të pamotivuarat për të bërë opozitarizëm. Deputetët, kur janë listuar për në Kuvend, nuk janë parashikuar për të pasur një rol të tillë, për të qenë debatues të fortë, për të qenë krijues në idetë dhe vizionet e tyre brenda grupit kuvendor, në komisione apo në sallën e Kuvendit. Ata janë parashikuar si votëmarrës, si të besuar të udhëheqësit, si të shpërblyer për shërbimet e tyre, por jo si opozitarë.
Pjesa dërmuese e deputetëve të PD-së nuk kanë përvojë opozitare, kanë ardhur drejtpërdrejt në karrike ministrash apo zëvendësministrash. Dhe kanë kaluar në opozitë drejtpërdrejt nga këto karrike.
Pothuaj asnjëri prej tyre nuk shikon ndonjë të ardhme në politikë. Interesat e tyre më të ngutshme dhe më të mëdha janë të natyrës së binznesit, të përfitimeve të ngushta.
Gjatë pranisë së grupit të PD-së në Kuvend kemi parë aktivizimin e jashtëzakonshëm të ish kryetarit të partisë, por kjo e ka vënë atë më se në pozitë të vështirë. Kjo vetëm sa e ka nxjerrë më tepër në pah mungesën e figurave të PD-së në Kuvend, sidomos e ka nxjerrë në pah paaftësinë e tyre, mosmotivimin e tyre, mosdëshirën e tyre për të marrë pjesë në debatet. Kjo nuk e ka ndihmuar klimën e Kuvendit, nuk e ka ndihmuar klimën e politikës në përgjithësi as klimën e jetës së vendit në përgjithësi.
Kjo çon natyrshëm, edhe pa pretekste, në daljet nga Kuvendi për të kërkuar hapësirë drejtpërdrejt në publik apo nëpërmjet mediave, sidomos atyre sociale.
Roli i opozitës është për ta vënë në punë me kapacitet sa më të plotë dhe me transparencë sa më të thellë qeverinë. Nëpërmjet pjesëmarrjes së saj, opozita nxit ide në vetë qeverinë dhe në faktorët e shoqërisë. Ajo është dimension kryesor i kreativitetit në politikën dhe në jetën e një vendi apo shoqërie.
Mungesa e opozitës reale, e rolit të saj konstruktiv është burimi më i shpeshtë i krizave politike në shoqëritë demokratike, si rezultat i shterrimit të shpejtë, shterpësimit të parakohshëm të pushtetit. Më shpesh se dobësitë e qeverisë, në zgjedhje të parakohshme apo në situata të pazakonshme kanë çuar dobësitë e opozitës. Këtë e kemi parë edhe pranë nesh, në Evropë.
Ekipet që e bazojnë suksesin e tyre thjesht në prishjen e aksioneve të kundërshtarit, e lënë pa rezultat veten dhe kundërshtarin, ndërkohë e bëjnë edhe publikun të tepërt.
Edhe pse Kuvendi, gjatë sesioneve, mblidhet vetëm të enjteve, ai duket se e mbingarkon shoqërinë psikologjikisht. Edhe sikur mbledhjet do të ishin më të rralla kjo nuk do të ndihej për keq.
Prandaj mendoj se kërkohet një reformim rrënjësor i marrëdhënieve të politikës në Shqipëri.
Unë kam shpresuar se PS-ja e Edi Ramës do të jetë e para që do të heqë dorë nga marrëdhëniet klienteliste me PD-në, duke krijuar ashtu bazat për një politikë vërtet të re në Shqipëri.
Ndoshta është ende herët me heqë dorë nga kjo shpresë, por viti i parë i qeverisjes socialiste nuk ka dhënë shenja domethënëse ndryshimesh cilësore.

Filed Under: Opinion Tagged With: MUNGESA E GRUPIT, NUK DO TË NDIHET, Skender Bucpapaj, TË PDsë NË KUVEND

KËSHILLI MINISTROR XXI I OSBE-SË – BAZELI – TRE GAZETARË SHQIPTARË

December 14, 2014 by dgreca

nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Prej dates 4-5 Dhjetor në Qendrën e Kongresit të Bazelit u mbajt Këshilli i 21 Ministror i OSBE-së. Zvicra ishte mikpritësja dhe drejtimin e rradhës për vitin 2014 e kishte Ministri i Jashtem dhe njëkohësisht Presidenti i Konfederates Helvetike zoti Didier Burhalter.
OSBE, Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, ku janë të anëtarësuara 57 vende nga Europa, Amerika e Veriut dhe Azia është organizata më e madhe e sigurisë rajonale në botë që vepron për garantimin e paqes, demokracisë dhe stabilitetin për gati 1 miliardë banorë.
Këshilli Ministror është trupi vendimmarres dhe qeverisës i OSBE-së. Ky Këshill mblidhet një herë në vit, me pjesmarrjen e ministrave të jashtem dhe rreth 70 delegacioneve, që vijnë nga vendet anëtare dhe organizma të ndryshme interesi i të cilave lidhen me problemet e sigurisë.
Është e dyta herë qe Zvicra ka udhëheqjen e rradhës të OSBE-së.Për herë të parë e ka patur në vitin 1996. Atë kohë drejtohej nga Këshilltari i Departamentit të Punëve të Jashtëme Flavio Cotti dhe atë vit OSBE ishte shumë kritike ndaj Shqipërisë pas zgjedhjeve të 1996. Zvicra është anëtare e OSBE që prej 1975 kur është krijuar ky organizëm. Shqipëria është anëtarësuar në OSBE-së në qershorin e 1991.
Presidenca e Zvicrës për vitin 2014 është udhëhequr nga motoja “Krijo sigurinë e komunitetit për të mirën e te gjithëve” duke u fokusuar “në tre objektiva supreme që përqendrohen në vlerat themelore të sigurisë, lirisë dhe përgjegjshmërisë”.
Gjatë gjithë 2014 në qendër të vemendjes të OSBE-së ka qenë kriza në Ukrainë e tani në bilancet e fundvitit mund të themi se pak ose aspak është bërë në zgjidhjen e kësaj krize. Po përmend këtu Ministrin e Jashtem ukrainas Pavlo Klimkin, i cili në fjalën e tij gjatë takimit të 21-të të Këshillit Ministror deklaroi se vendi i tij ka nevojë për një armëpushim të vërtetë e jo për deklarata boshe.
Po aq e fuqishme është edhe deklarata e kryesuesit të rradhës i OSBE-së, Didier Burhalter i cili që në fjalën e hapjes të punimeve të KM të OSBE-së e përshkroi në mënyrë alarmante situatën në Ukrainë. Z.Burkhalter permendi Donjeckun, qytetin me një skuader të famshme futbolli që në vitin 2012 mikpriti pesë ndeshje të finaleve të kampionatit evropian, prej të cilit tani kanë mbetur vetëm gërmadhat që mbahen nën kontrollin e paramilitareve. Këto ngjarje përfshirë aneksimin e Krimesë nga Rusia, i kanë vënë në dyshim parimet që në kontinentin tonë dukej se kishin triumfuar në mbarim të Luftës së Ftohtë, nënvizoi Burkhalter, duke “vendosur pikpyetjen nëse objektivi për të krijuar një bashkësi të sigurtë nga Vankuveri në Vladivostok a do të jetë më aktual”.
Qendrimi skeptik i kryesuesit të rradhës të OSBE-së zotit Didier Burhalter, do t’i bashkohej skepticizmit të përgjithshëm, duke mos harruar të vinim re edhe kryesuesen e rradhës të OSBE-së që për vitin 2015 do të jetë Serbia, e njohur për marrëdhëniet speciale që ka me Rusinë.
“B” SI BAZEL – QYTETI KU U MBAJT KËSHILLI MINISTROR I 21-TË I OSBE-SË
Bazeli shtrihet buzë lumit Rhin, burimi kryesor i të cilit gjendet në akullnajat paradiziake të Graubündenit, kantonit më lindor i Zvicrës, por degë të tij vijnë edhe nga Liqeni i Konstancës duke përshkuar Zvicrën, Francën, Belgjikën, Hollandën, Gjermaninë, Austrinë, Liechtensteinin, Italinë.
Rhini vëzhgohet mrekullisht nga Urat e që e kalërojnë duke i dhënë magjinë qytetit dhe Konfederatës Helvetike lidhjen me Detin e Veriut, aty ku derdhet në Rotterdam.
Toponimia e “Dreiländereck” – “Trekëndëshi ku bashkohen tre shtetet – Zvicra-Gjermania-Franca, si një gadishull në miniaturë i rrethuar nga Lumi Rhin i takon Bazelit. Edhe Universiteti më i lashtë i Konfederatës, që daton vitin 1460 dhe që lidhet me emrin e humanistit të madh Erasmus von Rotterdam duke kujtuar thëniet e tij se “njeriu për njeriun është ose Zot ose ujk” apo “Ndriço dhe errësira do të zhduket vetëvetiu”. A nuk përkon deduksioni i tij filozofal me binomin fjalësor “Mehr Licht!”, dy fjalët e fundit shqiptuar në frymën e fundit nga Johann Wolfgang von Goethe! Në Bazel ka jetuar po ashtu Friedrich Nietzsche, krijuesi i Übermensch-it, Supernjeriut – në veprën e tij fondalendale Kështu foli Zarathustra – Also Sprach Zarathustra.
Zvicra i jep rëndësi të madhe imazhit të shtetit. Këshilli Federal i Konfederatë Helvetike e zgjodhi Bazelin, ai qytetin mikritpritës të Këshillit Ministror të 21-të të OSBE-së që në shtatorin e 2012.
Duke qenë si pike takimi midis tre shteteve Zvicër-Gjermani-Francë pranë një aeroporti ndërkombëtar, si të thuash qyteti ndodhet në zemër të Europës. Me TGV Parisi është vetëm tre orë larg. Amstardami vetëm rreth 600 km, Brukseli rreth 500 e sa, Frankfurti rreth 250 km, pastaj me tren aeroporti i Zürichut- Kloten nga Bazeli mban vetëm një orë. E kështu me rradhë.
Congress Center me kapacitet deri 4000 mijë vetë ka infrastrukturën ideale për një event të tillë, për të treguar se Zvicra është një vend ideal për organizimin e Konferencave Ndërkombëtare.
Bazeli ka një traditë të gjatë si Qytet i Paqes. Përmendim këtu Asamblenë Ekumenike me temën “Paqja në Drejtësi” mbajtur më 1989 («Frieden und Gerechtigkeit in der Bewahrung der Schöpfung») apo njëqindvjetorin e Kongresit Sionist mbajtur më 1997 etj.etj.
Të mos flasim pastaj për Art Basel, Baselworld, Messe Basel,Karnavalet e Bazelit, Fasnacht Basel, që festohet pas të Mërkurës të Hirit, si e ka titullin Ash Wednesday poema e T.S.Eliot. Të mos përmendim pastaj panairet e përvitshme ndërkombëtare, ku Bazeli krenohet se ka traditë fantastike në organizimin e eventeve botërore. Të mos harrojmë edhe Kampionatin Europian të Futbollit, ku Bazeli demonstroi se ishte qyteti ideal për të mikpritur miq nga e gjithë bota.
Këshilli Ministror i 21-të i OSBE-së do të ndikojë për t’i dhënë Bazelit një qendërvemendje të re, si qytet që organizon ngjarje të kalibrit botëror. Bazeli po ashtu jep një kontribut aktiv në promovimin ndërkombëtar të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, të shtetit të së drejtës, sigurisë dhe paqes. Qendra e Kongresit e Bazelit është e veçantë sepse duke mbizotëruar qelqi, të kujton “pallatin e xhamtë” të OKB-së në New York.
Bazeli gjithmonë është i interesuar për “Return on Investment”, për investime. Prandaj mikpritja e Bazelit ndaj rreth 2000 miqve pjesmarrës në Këshillin Ministror të 21-të të OSBE-së ku përfshiheshin edhe gazetarët padyshim që do të ishte e shkëlqyer.
TRE GAZETARË SHQIPTARË NË KËSHILLIN MINISTROR TË 21-TË OSBE-SË
Në mesin e 2000 të ftuarve, midis të cilëve Sekretari i Shtetit të SHBA John Kerry, ministri i jashtëm i Gjermanisë Frank Walter Steinmeier dhe Ministrat e jashtëm nga 50 vende të OSBE-së përfshi Ministrin e jashtëm të Shqipërisë, ishim edhe rreth 230 gazetarë të akredituar nga e gjithë bota.
Akreditimi i gazetarëve kishte nisur të paktën një muaj më parë dhe gazetarët e akredituar mbaheshin të përditësuar permes internetit vazhdimisht në lidhje me aktivitetin që do të vinte. Me mbërritjen në Bazel, bashkë me çantën e gazetarëve si dhuratë në pikën e akreditimit, aty do të ndaheshin distinktivat që gazetarët duhet t’i mbajnë në raste të tilla në mënyrë dalluese, ku nuk mungonte as një Tobleronte zvicerane dhe sidoms Media Handbook, një lloj libërxhepi – ku faqja e parë hapej me urimin e mirëseardhjes nga mikpritësi, Ministri i jashtëm zviceran dhe kryesuesi i rradhës i OSBE, Didier Burhalter dhe pastaj aty jepej i gjithë programi i hollësishëm nga mbërritja e deri tek largimi i tyre nga Bazeli.
Në raste të tilla ndihesh krenar për profesionin që ke, por kjo e rrit dozën e përgjshmërisë. Qendrimi i gazetarëve në Bazel niste nga 1 deri më 5 dhjetor. Qendra e mediave ku ishim të vendosur zinte një hapësirë shumë të madhe. Në tavolinat e gjata ishin të vendosur laptope, telefona fix dhe pjesa më e madhe e aktiviteve ndiqej live përmes ekranëve gjigandë që ishin të instaluar në sallën gjigande.
Gazetarët nëpër qytet udhëtonin gratis, mjafton që të tregonin distinktivin. Po ashtu në sallën e mediave ishin snackbaret për të konsumuar ushqimin e njohur të gazetarëve, siç janë sandwiches, snacks-et, kafetë, çaji, coca-cola dhe fruta. Dreka po ashtu konsumohej brënda qendrës të Kongresit ku gazetarët i priste menyja e një restauranti japonez.
Të gjithë qytetarët e Bazelit dhe Basel-Landit mirëinformoheshin që në autobuzë dhe trama, se gjatë ditëve që do të mbahej Këshilli Ministror i 21-të i OSBE-së, prej 3-5 dhjetor, në Qendrën e Kongresit do të ishte i bllokuar qarkullimi. Kush e njeh Bazelin e di se në Qendrën e Kongresit gërshetohen shumë trama. Nga ajo anë e qytetit që vinim ne, linjat e tramave e përfundonin rrugën tek stacioni i Klarastrasse dhe aty ishin të detyruar të zbrisnin të gjithë. Pikërisht aty prisnin forcat e sigurisë dhe lejohej kalimi i vetëm ne gazetarëve duke treguar distinktivat tona.
Që ditën e parë, posa mbërritëm në mëngjes herët në sallën e madiave, të parën gjë që bëmë, u interesuam nëse kishte gazetarë shqiptarë. Përveç ne të dyve që ndihemi shumë mirë si shtetas të Zvicrës, por që nuk i harrojmë kurrë rrënjët nga vimë, mësuam se aktivitetin nga Shqipëria do ta mbulonte edhe Rezar Balla nga RTSH bashkë me operatorin.
U takuam me Rezarin dhe i kujtuam se me vëllain e tij Sokol Ballën, që nga samiti i Strasbourgut kur Shqipëria u anëtarësua në NATO, e kemi lënë të takohemi përsëri në Strasbourg, kur Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së!
Pyetja është se kur do të bëhet Shqipëria anëtare e BE-së?
E veçanta e takimit të 21-të të Këshillit Ministror të OSBE-së ishte kur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati në fjalën e tij u ndal në rolin që duhet te luajë OSBE-ja në respektimin dhe nxitjen e të drejtave të bashkëkombësve tanë në rajon si dhe në afrimin e Kosovës me organizatën.
“Ne besojmë fuqimisht se Kosova duhet të ketë vendin e saj në OSBE, si pjesë e rëndësishme e përfaqësimit të saj në organizmat rajonal dhe ndërkombëtar, pasi kjo do të rriste efikasitetin e vet Misionit të OSBE-së në Kosovë”. tha Bushati.
Kosova është pjesë e përhershme e axhendës diplomatike të Shqipërisë, por pa arritje të prekëshme. Kosova nuk është e anëtarësuar ende as në Këshillin e Europës dhe rezulton që të jetë ishull i izoluar, si i vetmi vend që nuk gëzon as të drejtën nga liberalizimi i vizave. Viti 2014 ka qenë një vit dështimi për diplomacinë shqiptare në përgjithësi edhe Prishtinën, pasi gjatë 2014 kanë qenë vetëm katër shtete të reja e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Pra faktet flasin vetë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Elida Buçpapaj, GAZETARË SHQIPTARË, I OSBE-SË – BAZELI - TRE, KËSHILLI MINISTROR XXI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4224
  • 4225
  • 4226
  • 4227
  • 4228
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT