NAAC mbyll zyrat në Washington/
Drejtori Ekzekutiv, Avni Mustafaj tha se ndonse burimet financiare të NAAC-ut kanë mbaruar, shoqata do të vazhdojë të mbajë kontaktet me strukturat e zhvilluara gjatë këtyre 18 vjetëve/
Nga Laura Konda/
28.10.2014 – Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë jo-qeveritare, prej vitesh e ka zhvilluar aktivitetin në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur çështjet shqiptare në Kongres dhe pranë qeverisë amerikane. Që nga krijimi në vitin 1996, ky grup është përpjekur për të nxitur paqen dhe proceset demokratike në Ballkan, përmes mbështetjes së politikave demokratike, respektit për të drejtat e njeriut, si dhe përmes programeve të zhvillimit dhe edukimit. Por Këshilli, apo NAKU, siç quhet ai shpesh, mbylli kohët e fundit zyrën e vetme që kishte në Washington.
Në emisionin televiziv “Ditari”, ishte i ftuar për një intervistë Drejtori Ekzekutiv i Grupit, Avni Mustafaj, i cili mbi këtë zhvillim dhe mbi rolin e organizatës në vite.
Zoti Mustafaj, tha se edhe pse fizikisht zyra e NAAC-ut është mbyllur, do të vazhdojë puna me rrjetin e krijuar në Washington, që janë 25 anëtarët e Këshillit “The Albanian Issues Caucus”, me Departamentin e Shtetit, si dhe me disa ish-ambasadorë dhe njerëz që përfaqësojnë shoqata dhe institute studimore.
Ai tha se pavarësisht që burimet financiare të NAAC-ut kanë mbaruar, shoqata do të vazhdojë të mbajë kontaktet me strukturat e zhvilluara gjatë këtyre 18 vjetëve dhe do të gjenden mënyra për ta vazhduar punën e saj në të ardhmen, edhe pa qenë e pranishme në Washington.
Zoti Mustafa foli edhe për kontributin që ka dhënë Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan për çështjet shqiptare, si pjësëmarrja në Konferencën e Rambujesë, roli i saj në Marrëveshjen e Ohrit, përpjekjet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ndihma për lehtësimin e dialogut me Kosovës dhe Serbisë.
Ai pranoi se NAAC ka punuar më shumë me Kosovën, se sa me Shqipërinë, si një shtet i ri, që ka patur nevojë për më shumë mbështetje dhe që fillimisht nuk kishte ambasadë në Washington. (Ndiqeni Vidion tek Zëri i Amerikës)
“Barbat”- Legjendë apo një e vërtetë historike?
Nga Niko Ferro & Muarrem Sharka/
Banorët e vjetër të fshatit Gjuzaj dhe Matjan, tregojnë se dikur në vendin me toponimin “Rrakzina”, ka ekzistuar një fshat me emrin “Barbat ose Barbas”. Sakaq ata tregojnë se gjatë punimit të tokës, aty- këtu ndeshen copa të ndryshme qeramike, (gjurmë të kulturës materiale).
Në lidhje me këtë fshat ruhet edhe një gojëdhënë: “Thuhet se pak më tutje fshatrave Gjuzaj dhe Matjan, dikur ka qenë një fshat i madh, i quajtur Barbas, se ku shkuan me saktësi banorët është vështirë të thuhet. Sakaq ata tregojnë se Barbasi u zhduk i tëri pa lënë gjurmë brenda pak ditësh.”
Sipas studiuesit Harun Greca, (i cili ka bërë edhe vetë kërkime historike dhe gjuhësore të botuara në librin me titull “Darsia” 2010 f,106 ) në lidhje me “Barbasin”, tregon: “Në fshatin Gjuzaj, në një parcelë dy dynymësh, te vendi me emrin “Rrakzina”, [ku në të cilën sot ruhen] disa varre të vjetra, njihen nga vendasit si “Varret e Barbasit”. Ai tregon gjithashtu se popullsia e këtij vendbanimi mund të ketë ardhur nga katundi Barbas që ndodhet sot në juglindje të Tiranës, pranë Petrelës”. Njëkohësisht autori, emrin e fshatit dhe të fisit barbasi e lidh me ritin e të shenjtit Shën Barbara, që sipas tij, e patën marrë dhe trashëguar nga fshati amë shumë i hershëm nga i cili qenë shkëputur, argumentuar kjo me ekzistencën e një kishë deri vonë me emrin e këtij shenjtori.
Por për ta thelluar më tej kërkimin tonë, natyrshëm lind dhe një pyetje. A mund të ketë ndonjë fakt historik për fshatin Barbas?
Burimet historike, tregojnë se në shek. XV, ka ekzistuar një fshat me emrin “Barbate”. Dokumenti në fjalë daton në vitin 1431-1432, vit në të cilin u bë regjistrimi i popullsisë së Myzeqesë nga osmanët. Ndër të tjera në dokument thuhet: “Fshati Barbate në defterin themeltar nuk figuron;[ka] shtëpi me kryefamiljarë 14. gjithsej të ardhura 1.316” Pra burimet historike vërtetojnë ekzistencën e një fshati me emrin Barbate, me 14 shtëpi dhe me të ardhura të konsiderueshme.
Por në kronikat historike, të mëvonshme ai nuk citohet më. Atëherë ? Çfarë mund të ketë ndodhur me këtë fshat? Mos vallë popullsia e tij, që atë kohë mund të numëronte 100 banorë mund të jetë shpërngulur ? Apo mos ndoshta për shkak të një epidemie mund të jetë shuar ?
Sipas dokumenteve që ruhen në Muzeun Historik në Lushnjë, thuhet se fshati Gjuzaj mendohet të jetë formuar aty nga shek XV – XVI. Banorët e vjetër tregojnë se “të dhjetën” për tokën dhe për pemët frutore ku pjesa më e madhe përbëhej nga pemë të dardhës. Fshati taksat ia paguante një pronari të madh tokash të fisit “Barbas”. Sakaq thuhet se në fshat u përhap sëmundja e kolerës, fisi barbasi, u shpërngul dhe iku. Edhe sot ikja e këtij fisi, mbetet një mister.
Nga hulumtimet e bëra zbulojmë se një kapedan i famshëm arvanitas, kishte mbiemrin Barbati, i cili citohet në shek XVI në ishullin e Korfuzit. Po në Korfuz, edhe sot e kësaj dite ekziston një fshat me emrin Barbasi. Bile mund të shkojmë dhe më tej, po të sjellim këtu një frazë të marrë nga një shkrim i Xhezo Canës në gazetën “TIRANA OBSERVER” ku ky autor i referohet një letre shkruar nga Thanas Kristo,botuar në gazetën “Përparimi”nr.5(Fitchburg,Mass.22 vjeshtë 1917,Kristo Thanasi ku thuhet: “…në atë kohë vjen një kryepolic i xhandarmërisë greke i cili dinte shqipen se, ishte nga Barbacet”.
Në shek XVIII në Arkadi (Greqi) citohet një fshat me emërtimin Barbicë. Po ashtu dhe toponime të tjera si Barbasi-Rema afër Farsalas në zonën e Thesalisë.
Siç shënon Çabej në “Studime gjuhësore”,vëll. IV,shpërnguljet e arbëreshëve vazhduan deri në shekullin e 18-të :”Në katundthin tani krejt italian Pianiano afër Caninos në provincen e Romës u vendosën prej Papës në shekullin e 18 familje shqiptare,të cilat nënë kryesinë e rektorit trim Don Simone erdhën e kërkuan këtu strehë prej tiranisë osmane. “ Këto lëvizje vazhduan nga shek.XV-XVIII,dhe natyrisht që janë kryer me disa valë midis këtyre tre shekujve.
Sipas Lambertzit(në vendin e cituar f.6 v.),tradita që jeton në kolonitë e Molizes,së bashku me emra të vjetër familjesh si Muricchio,Muzacchie,Toskves,Likursi,çojnë në krahina të ndryshme të Shqipërisë së Mesme e Jugore si vatra shpërnguljesh…
Me të drejtë Çabej shprehet se në lidhje me çështjen e prejardhjes është me rëndësi kryesore fakti që emrat më të njohur si Bafa,Barbati,Barçi,Becci,Bera,Dorsa,Bellusci…,në pjesën e tyre më të madhe na paraqiten në ngulime të ndryshme. Me këtë gjen vërtetim nga ana e onomastikës mendimi që udha më lartë që grupe shtegtarësh të njësishme,në atdheun e tyre të riun,u shpërndanë e u shkoqën dhe m,anë tjetër aty pati dhe shtegtime të brendshme.. .
Duke e parë në një këndvështrim të përgjithshëm meqenëse nuk kemi fakte konkrete për të dhënë një mendim të plotë, në lidhje me fatin e këtij fshati apo dhe fisi, ajo që është më e sigurt është duke e parë këtë fjalë nga pikëpamja gjuhësore dhe semantike. Duke parë me kujdes hartën e regjistrimeve osmane të Myzeqesë të vitit 1431-1432 vëmë re se emrat e fshatrave janë shënuar ashtu siç shqiptohen, pa ndryshuar strukturën fonetike të fjalës. Në rastin tonë origjinën e fjalës barbas , mund ta shohim në raport dhe me fjalët e tjera që përafrojnë me të. Konkretisht barbas nuk mund të njësohet me fjalën barabar , huazuar prej turqishtes, fjalë e cila është produktive në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera të Ballkanit, sepse përveç se përdoret rrallë në funksionin e emrit (barabarësi) , ky toponim ka jetuar para se ndikimi i osmanishtes të ushtronte pasojat e tij dhe në këtë sferë. Nuk duhet të lëmë pa përmendur këtu dhe theksin nistor i fjalës si toponim “Bàrbasi”, por dhe një formë si “varret e bàrbës” artikuluar kështu nga banorë të vjetër të zonës.
Këto përkime fonetike, në pamje të parë duket se më shumë na orientojnë drejtë fjalëve, barbaç apo barbë.
E para, sipas Çabejt, përdorej si emër për të thirrur shqiptarët e krishterë të krahinës së Frarit dhe Prevezës apo arbëreshëve në përgjithësi në Greqi. Barbaçi emër familje tek arbëreshët e Siqelisë “tek K. Serembe prej Kalabrie, fitirë fort e bukur e barbaçe, me kuptim të pa ditur. Por në formën barba prej italishtes apo më fort prej venecianishtes, barba (zio). Midis të tjerave Çabej shton se kjo fjalë, sipas tij dhe Meyerit bëhet fjalë për një barba (dajë axhë) prej greqishtes së re.
Pa pretenduar që jemi të pagabueshëm në këtë pikë, ajo që mund të themi me siguri është fakti që kjo fjalë qoftë nga greqishtja, qoftë nga venecianishtja, apo qoftë nga Shën Barbara etj, është e lidhur ngushtë me një histori shpërnguljesh, peripecish e përpjekjesh për mbijetesë të një populli vital, ata që quhen arbëreshë.
Si përfundim nuk mund të flasim me siguri kur u shpërngulën barbasët nga vendbanimi i tyre në zonën e Darsisë. Ajo që ka mbetur si dëshmi e pranisë së këtij fisi,është vendi me emërtimin “Varret e Barbasit”,dhe copëza tjegullash apo qeramike të shpërndara,të cilat bjerren vazhdimisht. Në pamje të parë ndoshta për shumë njerëz duket i parëndësishëm ky fakt, por duke u fshirë kështu copëza të historisë së ekzistencës dhe pranisë së paraardhësve tanë, mendoj se na lind e drejta të predikojmë një moral të tillë që asgjë nuk mund të mënjanohet,asgjë nuk mund të përcaktohet apriori e parëndësishme,dhe të gjykohet me mentalitetin që kjo apo ajo çështje e kësaj natyre përbën objekt pa rëndësi.
Vjeshta bujqesore 2014 ne Shqiperi dhe ne Kosove
Mbresa dhe shenime pas nje udhetimi ne Atdhe, Shqiperi e Kosove/
Nga Illo FOTO/ New York/
Vjeshta nuk eshte vetem stina e shirave , as e shkollave , vjeshta e dasmave,vjeshta e panaireve madje as stina e renies se gjetheve . Vjeshta eshte stina me e ngjeshur e puneve bujqesore . Mbillet dhe korret ne vjeshte . Ne kete shkrim do te paraqes faktikisht , si po e pershkon token bujqesore – mjedisore te Shqiperise dhe Kosoves vjeshta e ketij viti .
Ne vjeshte, zakonisht kryej vizita ne Atdhe . Kete vit isha per vizite 29 dite ( 15 Shtator – 14 Tetor ). Pershkrova shume kilometra ne autostradat e Kombit tim . Sodita dhe analizova vjeshten bujqesore .
Perpara se te zbrisja nga avioni , dita me diell , me dha mundesine , qe te soditja nga ajri, tokat e Shkodres, Lezhes dhe Krujes , sic munda te vrojtoj ne ngjitje , tokat bujqesore rreth Vjenes dhe me gjere , sa te hante syri, prej dritares se avionit. ky vleresim eshte metode , qe zbatohet ne praktiken e shteteve me bujqesi te madhe .Kete praktike mua ma mundesoi, si me porosi avioni “Vjenaair line” , qe me solli ne Tirane , ku kisha 4 vite , qe nuk kisha shkelur .Pamja nga lart e fushes se Shkodres , deri ne Durres , nuk ngjante me fushe , por me nje qytet gjigant kaotik , qe pret nga dita ne dite , te permbytet . Siperfaqet pyjore i ngjanin fytyres se nje njeriu te vrare nga lija .
Ne kete shkrim do te rrefej kryesisht per tokat bujqesore ne vjeshten e ketij viti ; impresionet e tjera do t’i pershkruaj rrast pas rrasti , ndoshta mund te me duhet shume kohe . Nervi i gazetarit dhe studjusit eshte shume i njeshem ndaj mjedisit rrethus .Plotesohet , kur kete ndjeshmeri e percjell tek te tjeret.
Per punet bujqesore te vjeshtes kane folur shume dietare dhe shkencetare te natyres , qe te permbledhura mund te shprehen keshtu : “Per bujqesine dhe bujkun , mos prit fundin e vitit . Viti mbyllet ne vjeshte “ . Nga fotografimi , qe i behet tokes ne vjeshte , bujku gjykon se si do te jete viti bujqesor, qe mbyllet dhe ai qe vjen .
Po e nis me token bujqesore vjeneze , qe e vezhgova nga dritaria e aroplanit . Eshte nje pikture e vertete ! Peisazh , qe te clodh syte . Kryesisht bie ne sy ugari i vjeshtes . Rreth 70 % e siperfaqes eshte e punuar rishtas ; eshte mbjelle ose pret faren e bimve te vjeshtes , qe perbejne boshtin e bujqesise , ne sejcilen bujqesi , e perparuar ose e prapambetur qofte . Duken gjurme te gjelbra te ndezura , qe jane parcellat e jonxhes dhe foregjereve . Vjeshta ne tokat vjeneze ka ardhur e begate dhe premtuse . Si jane ruajtur konturet e parcelles ? Rendesi ka fakti, qe nuk duket as nje ndertim ne fushe . Ndertesat e banimit dhe ekonomike ndodhen vetem ne vendbanimet e grumbulluara, ne forme qyteze. Konturet ndarese te blloqeve fushore , dallohen qarte , ndersa konturet e parcellave ngajne si vija me laps te holle . Mbizoteron figura katerkendshe , me vija rigorozisht te drejta , qe jane rrjeti kullus dhe ujites , ne gjendje perfekte .
Javen jeter, shetita dhe shumicen e fushave te komunes se Prizrendit . Tokat nuk kishin ndonje ndryshim rrenjesor nga ato vjeneze . Bujku i talentuar prizentas , kishte ne proces shumicen e parcellave te misrit . Ishte pluguar pjesa me e madhe e siperfaqes te vjeshtes. Ishte siguruar nje ugar si buk e ardhur, me ngjyre marmalate . Parcella te mbjella me laker foragjere dhe ato te jonxhes , perbenin nje peisazh te gjelber , qe i ka hije stines . Ishte vjele kungulli karakteristik prizenes, qe eshte perberesi i shumices se gatimeve tradicionale . Vjeshta konsiderohet gjysem pranvere . Pashe disa parcella me miser te pa korrur , qe nuk dallonin nga parcellat me miser te zones fushore te NY. Ne keto pika vjeshta e Prizendit krahasohet me vjeshten bujqesore vjeneze . Ajo qe nuk eshte e ngjashme , jene ndertimet e pa ligjshme , qe jane ndertuar buze autostrades , larg venbanimeve te fshatrave te grumbulluara . Ndertimet e pa ligjshme, krahasuar me Shqiperine m nuk jane shume , por gjithsesi ka . Ne zhargonin e perditshem , ndertimet ne fushen bujqesore , quhen ndertime pa leje , ne ngjashmeri me ndertimet ne qytete . Ndertimet ne fushe , me ose pa leje konsiderohen jo vetem te pa ligjshme , por figure krimi , sepse na heqin token nga kadastra , kur jemi vendi me me pak toke bujqesore , per fryme . Kush mund ta ligjeroi kete veprim , me nje firme dhe vule ? Toka eshte pasuri private , po nuk mund ta tjetersosh statsin e saj .
Toka bujqesore shqiptare e kodres dhe e malit , zhvillohet normalisht , si dhe toka ne Kosove , ndoshta dhe si ne Europe .
Situata ne token bujqesore fushore shqiptare edhe kete vjeshte , nuk ka as nje zgjidhje . Nuk pashe as nje traktor, pashe ndoshta 2 eskavatore ne pune, ne fushen e madhe , qe ka emrin gjografik “Ultesira bregdetare shqiptare “ . Ka kaq pak toka te pluguara , sa mund te mos i marresh ne konsiderate.Bujku i ketyre zonave eshte i traumatizuar , perballe stines se permbytjeve , qe do te jete rrastesi ne se nuk ndodhin. Te tera keto tregojne se vjeshta shqiptare , vjen apatike dhe e varfer . Ta themi troc , bujqesia ne vitin e 24 te tranzicionit , do te perseriti vitet e trishtushme para ardhese . Shenova me lart se ne fushen e Prizrenit ka ndertime te pa ligjshme , por jane lehtesisht te manipulshme , sepse jane me pak dhe toka eshte rafshnalte , nuk eshte baraz me nivelin e detit , sic eshte fusha shqiptare .
Pylltaria ne Kosove eshte e demtuar , por jo si ne Shqiperi , qe jane rrafshuar dhe parqet e mbrojtura .
Ultesira bregdetare shqiptare , bashkengjitur Fushat e Maliqit dhe te Vurgut , eshte pasuria me e madhe e vendit. Po qe se kjo toke do te rivihet nen kulture , jeta dhe punesimi ne Shqiperi do te permiresohen rrenjesisht . Ne kete vjeshte ajo eshte aq e trishtuar , sa dhe 23 vitet paraardhes . Nuk ka dyshim se shumica dermuse e vilave , bizneseve dhe pikave te karburantit jane ilegale . Prishja e tyre eshte domosdoshmeri , por perben nje dhimbje te madhe ekonomike. E pa perballushme nga shteti yne eshte krijimi i infrastruktures bujqesore , qe lidhet me kullim- ujitjen . Kjo gjendje erdhi e trasheguar ng tranzicioni yne i deshtuar dhe qe 75 % e shqiptarve besuan se filloi nje ere e re , ne 23 Qershor 2013 .
Menoj se nje vit ishte i mjaftushem , per te njohur gjendjen tragjike te bujqeise fushore te Shqiperise . Kam besim se Profesor Panariti do te vihet ne krye te nje pune gjigante , per t’i rikthyer identitetin Zones fushore te vendit , qe aktualisht eshte ne gjendjen e vitit 1939. Nje komisjon ekspertesh , duhet te kryej nje studim gjithperfshires , ku te pasqyrohet dhe fatura e fondeve . Kam mendimin , se ky studim duhet t’i paraqitet Komunitetit europjan , nga vete Profesori ndoshta dhe ne OKB, per te perfituar nga programet, qe jane te shumta , per bujqesine , si alternativa antikrize .Nuk shof ndonje mundesi tjeter , per t’ i kther popullit shqiptar Ultesiren bregdetare , qe ka 24 vite qe nuk ka as ngjyre as forme dhe dergjet nen ujrat siperfaqesore te maleve , qe i rrine si kurore. Konstatimi im , qe publikoj dhe rruga e zgjidhjes , ma dikton ndergjegja dhe pasioni , per bujqesine . Une nuk jam specjalist i fushes se bonifikimit , jam pensionist . Gjithe karieren time profesionale , prej me shume se 40 vite e kam kaluar ne ish Fermat socialiste te Ultesires bregdetare . E dua kete fushe si shqiptar , si profesionist dhe si autor i librave bujqesore . Dikush duht t’i dali per zot kesaj pasurie te jashtzakonshme , qe na i ka falur natyra dhe historia .
Illo Foto / studjus – Tirane 13 Tetor 2014
“ISH-POLITIKANI“ ME ÇELËSAT E KASHTËS
Nga Fadil LUSHI/
Para disa vitesh një miku im që hiqet si “puro shehërli ” dhe paksa si “amerikano-shqiptar” (përndryshe biznesmen), në vigjilje të organizimit të manifestimit të Akademisë solemne kushtuar “Kongresit të Manastirit”, erdhi në zyrën time për të më vizituar. Me vete kishte një strajcë me disa sende të pëlqyeshme që i duheshin dhe që i shkonin manifestimit në fjalë. Këto materiale (në mungesë të mjeteve tona) ishin “më shumë se të mjaftueshme” dhe të mirëseardhura për Shoqatën e pedagogëve shqiptarë të Tetovës. Pos të tjerash më “dhuroi” edhe ca monedha “bojëjeshile” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një doracak ku ishin përfshirë imazhe të disa shqiptarëve mendjefemër që kishin vepruar në “tokën e premtuar”, një pikturë (kopje) e Abraham Linkollnit, një abetare me kapakë të zhubrosur, një stilolaps si atë të Mit’hatit, një hartë të Shqipërisë “etnike” dhe një fotografi të mbretit Ahmet Zogolli. Pasi m’i dorëzoi, më tha: “…, ki parasysh dhe ki në dijeni se ne të mërgatës Kongresin e organizojmë më mirë se ju !?”. Nuk e nguca. Jashtë asaj strajce kishte edhe një “fener dore”. Kjo ndihmë e tij sa më emocionoi, po aq edhe “ma trazoi gjakun dhe mendjen”, për arsye se paraprakisht kur një “kryebashkiaku katundi” iu drejtuam për ndihmë, ai në vend që të na jepte ndonjë lek, na tha troç: “Sa manifestime mëhallësh organizohen këtejpari, ju nuk jeni në prioritet…, unë nuk i kam ato mjete…”, kurse ne më vonë kuptuam dhe dëgjuam me veshët tonë se “lekët” i kishte destinuar për restaurimin e një kishe fshati. Se pse ky mik ma solli “fenerin” nuk e kuptova, por as që i parashtrova pyetje, duke menduar se ndoshta gjithë këtë e kishte me dhe për shaka…, prandaj dhe pyetja më mbeti majë gjuhës. Po edhe sikur ta pyesja, mendova, do ta trash batutën e radhës. Se ishte ”fener”, ishte, këtë e konceptova me “tamam”, por ama “fener” minierash nuk ishte, nuk ishte as “feneri i arabaxhiut” të atij mendjendriturit vlonjat, nuk ishte as “fener” makine, biçiklete, motoçiklete, “fener” gjuetari, as i atij hekurudhori, as “fener” i hajdutit e aq më pak i Diogjenit!? Ai ishte thjesht një “fener me karbit”.
Në ikje e sipër, miku im më tha: “Këto materiale do t’i përdorësh për alfabetin e Manastirit, ndërkaq fenerin do ta mbash për ditët kur nuk do të të shohin sytë…, kur do të të lërë takati i prapanicës si dhe kur do të të tradhtojë arsyeja jote, të cilën e shfrytëzon vend e pavend, sa për ta ushqyer atë “nacional-shovinizmin tënd të shfrenuar” dhe të të tjerëve si ti!?” Dhe shih ky “qerrata”, duke e përfunduar muhabetin, pos të tjerash i “dërdëlliti!?” edhe këto llafe: ”Nëse nuk arrin ta nxjerrësh mllefin me gojë e me shkrime, atëherë me këtë fener dore me karbit, do t’ua prishësh rehatinë gjumashëve!?”… Ia ktheva – ta bëj këtë budallaki në këtë moshë, nuk më shkon. Në të ikur ia përcolla një falënderim, mandej ia “futa a ia hoqa” një “sharje të ulët anadollake” dhe një “gjysmëshqiptare” (kjo sharje nuk ishte “seksuale”, përkundrazi ishte një “fyerje animale”, pavarësisht se ky gjest i ulët imi ishte paksa jashtë standardeve të moralit personal, po edhe atij kolektiv… (Që të dy “selamet” amerikano-shqiptari i kuptoi fare mirë dhe për këtë nuk u sikletos dhe nuk u hidhërua). Sharja “anadollake i dedikohej fenerit”, ndërkaq mirënjohja i shkonte kontributit të tij material si dhe mbështetjes morale. Mbaj mend, nuk u duk atypari në manifestimin në fjalë, jo se nuk e ftuam, por pse kishte pasur ca obligime të tjera më të rëndësishme. Pasi “ngela” vet ne zyrën time, ashtu ndër dhëmbë, i parashtrova pyetje “fiqirit tim”se pse pikërisht mua ma solli këtë “fener dore me karbit” (po ç’më duhet karbiti në këtë moshë, sidomos tash, pas gjashtë dekadash!?…, ndonëse intimisht ma ka “ëndja” që atë kanoçen e madhe të birrës së Korçës ta mbush me karbit, mandej t’ia “fus fitilin” dhe ta hedh në atë “oborrin e inatit dhe harresës sonë kolektive”, si dhe pranë derës së asaj mejhanes së bllokut tonë, ku qarkullojnë gjithfarë thashethemesh nga ana e atyre që bëhen “tapë” dhe që ia kthejnë shpinën shtëpisë së tyre. (Meqenëse më “mungonte informacioni i plotë” rreth karbitit, e pyeta një kolegun tim kimist se ç’kuptim kishte ky nocion, kurse ai ma ktheu: “Është një substancë kimike që ndryshe quhet karbur kalciumi (CaC2) dhe kur vjen në kontakt me ujin prodhon acetilen dhe nëse këtij të fundit ia fut zjarrin “bën potere të padurueshme”, andaj ki kujdes me karbitin!”. Pikërisht, ky shpjegim profesional i mikut tim, më ktheu në vaktin kur iu nënshtrova (ri)provimit nga lënda e kimisë. Meqë nuk dija ta lakoja këtë formulë, përsërita vitin. Lëre që ma ngjitën nofkën “ngelaq”, por edhe më përjashtuan a më shporrën nga gjimnazi i atëhershëm prestigjioz i Tetovës).
Lexuesit e nderuar (që humbasin kohën e tyre të çmuar duke lexuar shkrimet e mia) besoj se do të pajtohen nëse pjesën e dytë të këtij vështrimi do ta nisi dhe do ta përfundoj me “fenerin me karbit”, të cilin miku im “amerikano-shqiptar”, realisht duhej t’ia “dhuronte” një ikanaku politik të mëhallës së tij…, e “jo mua dhe bashkëpunëtorëve të mi”. Do t’ia kushtoj një ish-funksionari politik që dikur braktisi partinë politike dhe kryeparin e saj, një kryepar i cili e solli në “shehër” me opinga. Unë në këtë shkrim nuk do t’ia përmend emrin e as “partinë politike”, nuk do t’ia përmend as nofkën, për faktin se njerëzit të mos mendojnë se jam këmbë e krye “tarafxhi”…, nuk do të llafos as të shkuarën e tij të trazuar politike, e as qëllimet e tij, por thjesht do “të prek” vetëm një pjesë të historisë së vijimësisë së tij, në kërkim të një strehe të re politike. Një gjë e di, ai ndërroi të gjitha partitë politike shqiptare (ekzistuese) këtejpari në Maqedoni…, dhe ku shkonte a ku strehohej, lëre që bënte a hiqej si “i gjithëditur dhe i gjithëfuqishëm”, por edhe nxiste urrejtjen dhe përçarjen brenda në partinë politike “sezonale”…, dhe kur e zbulonin se kërkonte vendin e kryeparit si dhe çelësat e partisë, aq herë ia ngjitnin bishtin e lugatit, i jepnin një “fener dore” dhe “çelësat e kashtës” dhe, në fund, ashtu pamëshirshëm e dëbonin nga radhët e veta.
Dhe shih, për çudi, disa ditë më parë u duk në një medium nacional me ca kritika të zbehta drejtuar ca partive politike shqiptare dhe liderëve të tyre. Nuk “harroi” të kritikojë edhe ca mediume për arsye se në kohë të fundit kinse nuk ia kishin rikujtuar bëmat e tij. Nëse ky ish-ikanak, mëton ta “ringjallë të kaluarën e tij politike”, po edhe nëse me të vërtetë parapëlqen të jetë në “shënjestër” të vëmendjes së opinionit publik, atëherë fillimisht do të duhet të “marrë avdes” dhe mandej detyrimisht duhet të ndërtojë “një sjellje krejtësisht të ndryshme”, një qasje të re bashkëpunuese dhe një komunikim të mirëfilltë, sidomos me ato mediume (qofshin ato pamore, dëgjimore a të shkruara), për të cilat mendon se “…, nuk ia fusin me tamam”. Nëse paraqitjet e tij edhe në të ardhmen do të kenë atë ngjyrën nostalgjike, atëherë përgjithmonë do të përjashtohet nga vëzhgimi dhe vëmendja mediatike. Në instancë të fundit, mediumet nuk janë e as që mund të jenë zona të ndaluara…, aq më tepër kur dihet se ato veprojnë sipas rregullave, standardeve, kritereve dhe kodit të gazetarisë…, dhe kjo s’ka si bëhet ndryshe. Ky, me “fenerin në dorë”, vazhdon t’u “vardiset” partive politike. Duke e përfunduar këtë shkrim, miku im i “formulave”, përsëri më sugjeroi: “Ki kujdes me fenerin me karbit!?”
Respekt dhe nderim për Flamurin tonë kombëtar
Shkruan: Astrit Aliaj*/
Cdo popull njeh në flamurin kombëtar simbolin e bashkimit dhe pavarësisë të atdheut. Nga studimi i flamutit të një populli mund të arrihet në një përcaktim ose të konfirmohen disa detaje karakterizuese të kulturës, organizimit politik, kohës së krijimit dhe kushtet ekonomike të shoqërisë që shprehen me anë të simbolit që ka krijuar. “Nuk janë kombet që krijojnë shtetet, por është e kundërta”,-ka shkruar Eduard Hobsbaun, duke theksuar se bashkë me rrugët lidhëse e hekurudhat, forcat e armatosura dhe shkollat, flamuri ka pasur një rol jo të vogël në procesin e bashkimit dhe identifikimit të popujve. Në shekuj për simbolin tone kombëtar janë thurur me mijëra vargje, tregime, novella, romane, janë kënduar qindra këngë, janë punuar e qëndisur qindra m2 copë e mëndafsh, janë kompozuar plot piktura, ndërsa mijëra shqiptarë e miq të popullit tonët kanë dhënë dhe jetën për të. Ndërkohë që vendi ynë po bëhet gati të hedhë një hap historik për anëtarësimin në BE, këtu ne, pikësëpari do përfaqësohemi me simbolin tone kombëtar, flamurin kuq e zi. Po sa e respektojmë ne simbolin tonë kombëtar?-Sa kujdesemi për të zbatuar rregullat e nderimit e ceremonialit për të? Nuk mar përsipër të bëj një analizë të këtij problemi, por si qytetar i thjeshtë më shqetësojnë disa veprime e fenomene që ja zbehin vlerat simbolit tonë të përbashkët si komb. Vërtet në BE do zbatojmë normat dhe rregullat e vendosura nga komuniteti dhe qytetaria evropiane, por ne do shkojmë atje me dinjitet, me traditën e zakonet tona, me simbolet tona, që janë të ndryshme nga vendet e tjera, pjesë e kësaj bashkësie. Dhe kur flasim për identitet, duhet të kemi parasysh gjuhën, traditat, zakonet, flamurin tonë kombëtar. Duke përmendur këto ndryshime dhe qasje të vendeve të ndryshme, do të doja të evidentoja atë që është më e prekëshme për ekzistencën e një kombi,-simbolet, konkretisht flamurin tonë kombëtar. Por si po sillemi me flamurin tonë ne si qytetarë dhe institucionet tona shtetërore?! Është bërë traditë që sapo fillon një ndërtim i ri, shtëpi, apo skelet betoni i një pallati, mbi të, në majë të një shkopi apo hekuri vendoset flamuri ynë kombëtar me përmasa të ndryshme, derisa atij ti dalë ngjyra dhe të griset me kalimin e kohës. Në mjaft raste, simboli ynë ka përfunduar deri tek shkopinjtë e fshesave i ngulur me gozhdë?! Thua se është i kryqëzuar?! Dhe askush prej nesh nuk shqetësohet se si po përdhoset ky simbol, aq më shumë zyrtarët tanë, që kur shkojnë jashtë vendit e kanë parë si e respektojnë këtë simbol të huajt, jo vetëm në institucione por dhe në shtëpi, psh. qytetarët e SHBA, etj. Në kënaqësinë e relaksin që i japin këto vizita, ata thjesht murmërisin me vete:-këtu ka shtet! E pra, zotërinj, Rilindja fillon nga flamuri ynë i larë me gjak në thellësinë e viteve! Ky simbol duhet të respektohet nga të gjithë, qytetarë, shtetarë, zullumqarë, zyrtarë, se rreth tij bashkohemi të gjithë. Së pari mendoj se duhet bërë rishikimi i programeve mësimore të shkollave 9-vjeçare dhe të futen tema e çeshtje për njohjen dhe respektimin e simboleve tona kombëtare nga kjo moshë. Se rëndom i mëshohet më tepër flamujve të partive gjatë fushatave zgjedhore, që sipas ligjit të zgjedhjeve, 24 orë para votimit ndërpresin të gjitha aktivitet politike dhe propagandistike. Por këto flamurë e dekoracione jo vetëm nuk hiqen në këtë kohë, por qëndrojnë të varur deri sa shiu, era dhe dielli bëjnë punën e tyre. Këtë shqetësim e kam në radhë të parë për institucionet tona shtetërore, të cilat nuk kujdesen sa e si duhet lidhur me këtë simbol, Flamurin Kombëtar. Në se e ballafaqojmë zbatimin e rregullave të një institucioni me rregullat e Ceremonialit Zyrtar të Republikës së Shqipërisë, bazuar në Ligjin Nr. 9095, Dt.3.07.2003, duket qartë se nuk zbatohet asnjë standart si në vendosjen e flamurit kombëtar në mjedise të jashtme, ashtu edhe në ato të brendshme. Flamujt janë jashtë standarteve si në përmasa, lartësinë nga toka, këndin e përkuljes, pozicionin e vendosjes në hyrje të institucionit dhe deri tek ngjyrat që përdoren në flamur. Madje si për të treguar unin e tij, çdo institucion kërkon ta vendosë sa më lart të jetë e mundur, duke mos respektuar raportin e përmasave të flamurit me lartësinë nga toka. Këto mangësi lejohen dhe tek vendosja e flamurit kombëtar në zyra të titullarit të institucionit. Sa për kujtesë, në rregulloren e Ceremonialit Shtetëror përcaktohet gjithashtu se flamurit kombëtar duhet ti vendoset dhe një ndriçues për natën. Përgjegjësi të kujt janë këto? Po të pyesësh, të gjithë thonë se është përgjegjësi e shtetit. Unë do të thoja se ka ardhur koha dhe momenti që përgjegjësia duhet ti faturohet atij që drejton “x” institucion që ka në vartësi ceremonialin shtetëror, pra funksionarit që paguhet nga shteti për këtë punë. Dhe këta persona janë me bollëk në institucionet tona, nga lart deri poshtë. Janë këta që duhet të kujdesen dhe të kërkojnë nga pushteti vendor, bashkitë, komunat dhe pushteti qëndror zbatimin e Rregullores së Ceremonialit Zyrtar të Republikës së Shqipërisë, në përputhje të plotë me normat dhe standartet ndërkombëtare. Të gjithë e pamë dhe ndoshta u revoltuam, kur në kuadër të 100-vjetorit të kremtimit të festës së Shpalljes së Pamvarësisë, flamujt kombëtarë të prodhuar në Kinë ishin jashtë standartit. Binte në sy forma dhe madhësia e shqiponjës si dhe ngjyrat e përdorura në flamur. Pse u lejua qënë këtë jubile të rallë, ky simbol të vendosej jashtë standartit dhe nuk u parandalua? Gjatë atyre ditëve të shënuara për çdo shqiptar, më erdhi një mik nga Gjermania, i cili shprehu dëshirën të blinte flamurin tonë kombëtar. E kishte zakon Hansi që kur vizitonte çdo vend, si kujtim merte një flamur dhe e vendoste mbi një shtizë në oborrin e shtëpisë së tij. Kërkuam në shumë dyqane, por nuk gjetëm një të tillë sipas standartit që ai ishte mësuar të blinte. U shqetësova pse ai nuk po blinte flamurin tonë kombëtar? Miku im më tha se nuk e besonte që ky simbol kaq i rëndësishëm për një vend, të mos jetë sipas standarteve dhe si mund të shitej pa aksesorët e tij, si psh. cima, që shërben për tu vendosur në shtizë, se kjo lë vend për abuzim. Me sa duket kudo në vendin tuaj, flamujt janë të vendosur nëpër shtylla me gozhdë si një copë leckë,-vazhdoi Hansi. Dhe në atë situatë festive, kur secili nga ne festonte me krenari 100-vjetorin e ngritjes së flamurit tonë kombëtar në Vlorë dhe shpalljen e pamvarësisë, flamurin të larë me gjakun e mijra shqiptarëve që luftuan për liri, simbolin e bashkimin kombëtar, po shihja e dëgjoja që nuk respektohej?! Ndjeva keqardhje bashkë me disa miq, kolegë e shokë për situatën e shpalosjes së flamurit për ditë të tëra. Diskutonim me njëri-tjetrin, (pamvarësisht se nuk na i vë veshin kush), dhe gjykonim se, për të parandaluar këto fenomene dhe për ti prerë njëherë e përgjithmonë rrugën abuzimeve duhet që:-prodhimi e tregëtimi i këtij simboli ti jepet një firme të licensuar e serioze, jo të prodhojë çdo kush që mundet simbolin tonë kombëtar; sepse vërtet ky simbol prodhohet jashtë me kosto të ulët, por theksojmë se është totalisht larg çdo normative të përcaktuar në Rregulloren e Ceremonialit Shtetëror. Një flamur i prodhuar sipas përmasave të caktuara, me materialin dhe ngjyrat e duhura, së bashku me zbatimin e ceremonialit dhe rregullave për vendosjen e tij në ambiente, zyra dhe institucione, na bën ne më krenarë e dinjitozë si komb, shtet e individë. I dashur lexues! Rilindja apo anëtarësimi në BE e cdo institucion brenda e jashtë vendit, i dashur lexues, fillon që nga respektimi i simbolit tonë kombëtar!
* Autori eshte Kap.i Rang. të Parë ( R ) ne Forcat e Armatosura te Republikes se Shqiperise. Shkrimi u dergua per Diellin nga abshkepunetori yne en Tirane, Shefqet kercelli