• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vështrim rreth tre vëllimeve të librit “Antologji e Detarisë Shqiptare”

October 22, 2014 by dgreca

Nga Kapiten Selim Allajbeu/ ish komandant i Bazës Detare Shëngjin/
Pa pretenduar për ato cka do të them më poshtë rreth 3 vëllimeve të “Antologjisë së Detarisë Shqiptare”, duke mos e konsideruar veten kompetent në këtë drejtim, le ta quaj dicka dashamirëse dhe në formën e një promovimi shoqëror. “Antologjia e Detarisë Shqiptare” është një libër me vlera që i kushtohet jo vetëm atyre që shërbyen në det gjatë gjithë kohërave të dashuruar me detin, por gjeografia e kësaj dashurie përfshin gjithë trevat shqiptare, nga Ulqini në Himarë e Prevezë, nga Gjakova në Tepelenë, nga Shkodra në Ohër, nga Skrapari në Kukës, nga Vlora në Shijak, Kavajë e Tiranë, nga Fieri në Mirditë, nga Shëngjini në Sarandë, të gjithë trevat shqiptare që kanë lindur bij të detit, ku pa dyshim kryqendra mbetet Durrësi. Mendoj se për herë të parë kemi një përpjekje serioze për ta trajtuar këtë çështje në format të plotë, me kuadër historik të qartë e vijimësi, në çdo vit, shekull, periudhë historike dhe epokë. Është fakt që në historinë e popullit tonë trajtimi i kësaj teme ka qenë i cunguar, është shkruar pak, me përjashtim të ndonjë dokumenti ose përshtypje të udhëtarëve të huaj, pra, ka pasur një boshllëk të pajustifikuar përballë realitetit që afron populli ynë me tradita të lashta detarie, të evidentuar dhe nga studjues, historianë, etnografë e detarë të huaj. Këtë boshllëk e ka plotësuar zoti Shefqet, nëpërmjet një punë të thellë studimore e shkencore, bazuar në dokumente, arkiva, tregime, ngjarje, gojëdhëna, biseda, intervista, prozë, vepra artistike, enciklopedi dhe botime të huaja. Ai ka lundruar me mijëra milje në cdo cep e port të globit ku kanë kaluar detarët tanë, ka dëgjuar me mijëra histori, gëzime, kënaqësira, dhimbje, halle e hidhërime, një botë e pafund, shpirtëra të trazuar që i përjetuan vetëm këta njerëz trima e të guximshëm. Ka lexuar, dokumentuar e dëgjuar shumë ngjarje e ndodhira nëpërmjet bisedave, studimeve e hulumtimeve, duke i qëndruar afër, duke regjistruar me qindra orë biseda të lira, dëshmi personale, tregime e foto për shokët e ekuipazhin e anijes, emocione e episode të veçanta autentike. Libri është mbështetur mbi bazë dokumentare autentike, në sajë të vullnetit e këmbënguljes për të vjelur e qëmtuar çdo dokument brenda e jashtë vendit. Dokumentacioni i pasur e bën shumë bindës e realist. Ai e fut lexuesin në rrjedhën e ngjarjeve në Detin Adriatik e Jon, për më shumë se 3 mijë vjet, sjell argumenta, shtron teza e analiza që dëshmojnë se populli shqiptar ka një traditë të spikatur detarie që nga lashtësia. Libri ka vlera të veçanta në rrëfimin e hapur të mjaft dokumentave, dëshmive, fotove, të vërtetave historike, me të cilat opinioni ynë në masën 80% njihet për herë të parë. Ai sjell ndryshimet e thella, zhvillimin që kanë pësuar mjetet detare, teknika dhe teknologjia e tyre në varësi të zhvillimit ekonomik, tradita, profesioni i detarit, mënyrat e orientimit, përfitimit nga përvoja e vendeve të tjera, bashkëpunimi, transporti detar dhe tregëtia brenda e jashtë vendit, mbështetur në statistika të institucioneve detare vëndase dhe të huaja. “Antologjia e Detarisë Shqiptare” është trajtuar nën frymën e ideve të rilindasve tanë, pa dallim feje, krahine dhe ideje, jashtë partive, ideologjive, politikave, hatëreve, interesave vetiake, pra, vetëm kuq e zi, duke ndjekur parimet e studimit shkencor të historisë, me sens racional e pranë së vërtetës, shkuarjes deri në fund të problemeve, pa e shkëputur lexuesin nga përshkrimi i domosdoshëm i ngjarjeve me rëndësi në Historinë e Popullit Shqiptar, të gërshetuar me interesat e fqinjëve, aktorëve kryesorë e rivaliteteve në Jon e Adriatik, pikat strategjike dhe interesat e fuqive të ndryshme, që janë shfaqur dukshëm sipas situatave. Autori është përpjekur të bëjë një sintezë të traditës sonë detare, ta paraqesë atë në mënyre sa më objektive e të paanshme, me të mirat e të këqijat e veta, të pashkëputur nga Historia e Popullit Shqiptar, për ta bërë atë të marrë tiparet e një botimi origjinal. Sigurisht në këtë ndërmarrje të vështirë, në këtë punë për detarët, brezat, popullin tonë, zoti Shefqet ka pasur plot miq, intelektualë, detarë, kolegë, qytetarë e dashamirës, të gatshëm për të bashkëpunuar. Natyrisht, nuk ka gjë më të bukur se sa të lundrosh ne shtigjet e kujtesës së detarëve, nuk ka gjë më argëtuese e shlodhëse sesa të jetosh mes shokëve dhe kujtimeve për detin. Detarët tanë janë pjesë e një familje të madhe të lidhur përjetësisht me detin, pjesë e të së cilës është dhe zoti Shefqet Kërcelli. Ai u është gjendur pranë për dekada të tëra detarëve, tashmë në lundrimin e tij në detin e kujtimeve, duke ndjekur me kujdes proklladkën e kujtesës së tyre. Doza e sinqeritetit, pastërtia e rreshtave dhe stili konciz e bëjnë autorin të vecantë në mënyrën se si shkruan. E bëjnë të besueshëm dhe komunikues për ato që pasqyron në tregime të jetuara, shoqëruar me album fotografish, me humorin dhe shijen e kripës, që karakterizon detarët, por duke i dhënë dicka nga vetja, duke i përsosur artistikisht mendimet e shprehura. Këta burra të moshuar dhe të rinj, që e lidhën jetën me detin, me një pasion të admirueshëm e të pashkëputur në aktivitetin e tyre shumëvjecar e kthyen anijen në shtëpinë e tyre të dytë. Pra, detarët janë ata që përjetojnë dy dashuri, njëra është për detin dhe tjetra për familjen, të ndryshme nga njëra-tjetra. S’është e lehtë të jetosh në detin me dallgë të trazuara e furtune ku jeta dylufton me vdekjen, ku malli dhe dashuria për familjen është e madhe dhe ti je në distancë prej dhjetra, qindra e mijëra miljesh, larg saj. Për ta anija është shtëpia e dytë. Të punosh e jetosh në det është tepër e vështirë. I parë nga bregu, vecanërisht në verë, në kohë plazhi, deti është mjaft tërheqës e romantik, por është krejt ndryshe deti i trazuar e me dallgë të fuqishme në kohë fortunali sic e quajnë detarët, aq më tepër të luftosh me dallgët në thellësi të oqeanit. Pikërisht këtu qëndron krenaria e detarëve në përballimin e lundrimeve të gjata dhe me det të trazuar. Puna e detarit nuk ka orar zyrtar, ajo nuk fillon në orën 08.00 dhe nuk mbaron në orën 16.00, ajo zgjat me orë, me ditë, javë e muaj të tërë. Kujtojmë lundrimet e gjata për në portet e Polonisë, Gjermanisë, Suedisë, Hollandës, Kubës e Kinës, me një mesatare kohëzgjatje deri në 2.5 muaj. S’është e lehtë të kalosh varrin e anijeve, Gjirin e Biskajës, apo të lundrosh në oqeanin Atlantik, Indian e Paqësorin e Largët. Kujtojmë këtu lundrimin më të gjatë deri më sot nga anijet shqiptare, viti ‘93-‘94, atë të vaporit “Tirana”, me kapiten Alfred Semini, lundrim që zgjati 1 vit e katër muaj, ku u kalua për herë të parë kanali i Panamasë nga një anije me flamur shqiptar. Kujtojmë rrugët e shumta të Kinës e Kubës shoqëruar me vështirësitë e lundrimit, shpesh herë me stuhi e tajfune, por përgatitja dhe guximi i kapitenëve të talentuar si Haxhi Shehu, Teodor Muka, Rrok Nikaj, Qemal Hate, Resmi Shametaj, Viron Sadiraj, Pandeli Golemi, e shumë e shumë breza kapitenësh,{të cilët jepen gjerësisht në libër}, triumfuan mbi vështirësitë. Për detarin nisja dihet, kurse kthimi varet nga shumë faktorë si, gatishmëria teknike e anijes, aftësitë e ekuipazhit, kushtet e motit, gjendja e detit dhe oqeanit në zona të caktuara, në kohë e stinë të ndryshme, etj. Do përmend vetëm dy episode tragjike të përshkuara në libër, mekaniku i anijes “Vlora” Hysen Xhixho, i bleu pajën e dasmës vajzës së vet dhe kthehet pranë familjes pas tre muajsh, por ndërkohë vajza e tij kishte ndruar jetë. A ka gjë më të dhimshme e tragjike se kjo!? Apo ngjarja me anijen “Vlora” ku kapiteni i saj Qemal Sharkiqi, që vuante nga pankreasi vdiq në moshën 40 vjecare. Trupin e të ndjerit e sollën me avion nga Spanja, ndërsa ekuipazhi me anijen kthehet i trishtuar në atdhe. Ka me dhjetra raste në libër ku detarët mbasi ktheheshin në atdhe krahas gëzimeve mësonin lajme të hidhura për vdekjen e prindërve, familjarëve ose të afërmëve të tyre. …Sipas zakonit të ulqinakëve detarët përcilleshin me buqeta me lule dhe priteshin po me buqeta me lule…Detari s’duhet të bëjë kompromis më detyrën e tij, se nga një nënvletësim ose lëshim i vogël varet jeta e gjithë ekuipazhit dhe fati i mjetit lundrues. Në libër përshkruhet me nota trishtuese mbytja e vaporit “Mati” në një kohë të keqe e fortunal në portin e Konstancës, Rumani. Fatmirësisht detarët shpëtuan falë përgatitjes së tyre detare e fizike, sakrificave të mëdha që ata bënë, por vdekjen e panë me sy. Në pjesën e tretë të librit “Antologji e detarisë Shqiptare më bëri përshtypje një fakt:-mjaft detarë shqiptarë kanë dashur të emigrojnë në SHBA. Ka pasur një dëshirë të kahershme të tyre për të emigruar në SHBA. Kjo fillon me ”Titanikun”, ku në ekuipazhin e tij kishte dhe shqiptarë. Kjo dëshirë është përcjellë përgjatë një shekulli dhe aktualisht. Mjaft prej tyre kanë provuar dhe arratisjet në regjimin monist. Pra, detarët tanë kanë qenë sqimëtarë në përzgjedhjen e vendit të duhur për emigrim, për arësye të ndryshme, ku më kryesorja është se ata kanë parë vendet e tjera…ka shumë ngjarje të përshkruara në libër në lidhje me këtë fenomen. P.sh. Ish oficeri i Flotës Detare Tregëtare, Neki Seferi, që ka lundruar për shumë vite në anijen “Vlora”, vitet e fundit të jetës dëshëron ti mbyllë si qytetar i SHBA. Në prill të vitit 2012, kapiteni 79 vjecar bëri ndërhyrje kirurgjikale në zemër në spitalin e Jackonvillit, ku mundësitë për të jetuar ishin 50% me 50%. Nekiu dhe familja e tij ishin transferuar në SHBA disa vite më parë. Ai kishtë një dëshirë të madhe për tu bërë qytetar i SHBA, dhe kjo ëndër ju realizua pak ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale në spital, ku zyrtarët e emigracionit shkuan në dhomën e tij dhe i dhanë dokumentet përkatëse…Por ka dhe një fakt domethënës në pjesën e trëtë të librit:-më 15 mars 1991, u nënshkrua dokumenti për rivendosjen e mardhënieve diplomatike amerikano-shqiptare, pas një ndërprerje gjysëm shekullore. Në këtë ngjarje historike për popullin shqiptar, dokumentin e firmosën IshMinistri i Punëve të Jashtëme z.Muhamed Kapllani dhe ndihmës sekretari i shtetit i SHBA, zoti Raymond G.H. Seitz. Por, pak njerëz në Shqipëri e dinë se zoti Muhamed Kapllani në rininë e tij është arsimuar si oficer lundrues në Odesë? Më pas ai vazhdoi studimet dhe karrierën e tij si diplomat i shquar i vendit tonë. Ndoshta z.Muhamed Kapllani, mund të ishte bërë një lundërtar i mirë. Gjithsesi ai lundroi në rrugën e diplomacisë, duke i kthyer shqiptarëve ëndrën e këputur në mes. Kështu në “Antologji” lexuesi nga faqja në faqe, nga kapitulli në kapitull, nga pjesa në pjesë njihet me ngjarje, fakte, episode e tregime të panjohura më parë…Natyrisht nuk është e lehtë të përfshish në tre vëllime jetën e stuhishme e plot sakrifica të detarëve në vite, aq më tepër kur duhet ta japësh atë në mjedisin dhe kohën e vet. Dhe nuk është rastësi që këtë gjë arriti ta bëjë me shumë kujdes, përkushtim, vullnet e dashuri, autori i tre përmbledhjeve të titulluara “Antologji e Detarisë Shqiptare”, zoti Shefqet Kërcelli, i cili tashmë është bërë miku më i afërt dhe më i dashur i detarëve. Si i tillë meriton respektin dhe mirënjohjen më të thellë. Miku i detarëve dhe prozatori Devolli në bashkëjetësën e tyre të gjatë këndojnë këngët e detit, të bindur se udhëtimi i Shefqetit nëpër kanalet e kujtesës së detarëve nuk do të ndalet në të ardhmen. Tashmë ai është në moshën dhe pjekurinë e duhur, me energji të pashtershme dhe i kompletuar për të na dhënë studime të tilla me vlera historiko-shkencore për kombin shqiptar.
LETER PER AUTORIN E LIBRIT
I nderuar zoti Shefqet!
Jeta e detarit është sa e thjeshtë po dhe aq komplekse në të njëjtën kohë. Ajo ka një rezultante progresiste me prirje nga e vërteta, nga sinqeriteti, nga dashuria vëllazërore, me një bazë të shëndoshë të humanizmit aktiv. Vetëm në mjedisin detar mishërohet parimi,-“Një për të gjithë, të gjithë për një”, që në gjuhën e matematikës quhet Lemë,{ska nevojë për vërtetim}. Kujtojmë këtu se cmund të ndodhte nga gabimi i një pjesëtari të ekuipazhit në nëndetëse, nga gabimi i pjestarëve të zhytësave{polumbarëve}, po ashtu dhe në anijet e transportit, prandaj kërkohet përgatitje e lartë, përgjegjësi e përkushtim, humanizëm nga secili në detyrën e vet. Dhe detarët mbeten detarë, nuk janë qaramanë, por nuk janë as mburravecë nga ata që rrahin gjoksin. Ballin dhe gjoksin e detarit e rrahin erërat dhe stuhitë që lënë rrudha në ballin e detarit, në ndërgjegjen dhe kujtesën e tyre. Tek ata spikat kurajua dhe burrëria, guximi dhe qëndrueshmëria, ata dinë ta shohin vdekjen në sy pa u ankuar. Detarët janë njerëz me dinjitet, ata kanë shpirt fisnik, janë njerëz me zemër të madhe, të ciltër e bujarë. Fisnikëria e detarëve nuk njeh kufij!…Lum kush bëhet mik i detarëve! Për këto cilësi dhe vlera të detarëve nuk do mjaftonin vëllime të tëra, ndaj është nder dhe detyrë fisnike për cdo njeri të ndershëm të shkruajë e plotësojë biografinë e detarëve, prandaj bashkohem me thirjen tuaj drejtuar cilitdo, që dëshëron të bashkëpunojë në këtë drejtim. Si detar e poet, tashmë mund t’ju drejtohem,- I dashur miku im! Të shkruash është gjëja më e vështirë në jetë, sepse lypset vullnet, durim, përkushtim, karakter i fortë dhe i qëndrueshëm. Ti këto cilësi i ke. Karakteri nuk është produkt bankar, por produkt i zemrës dhe shpirtit të njeriut që merr përgjegjësi të mëdha mbi veten. Unë të përgëzoj sepse ke krijuar profilin tënd, ke gjetur rrugën e integritetit tënd, ke gjetur dashamirësit dhe bashkëpunëtorët e tu, që do i kesh pranë kurdoherë. Ah! se harrova. Nuk më harrohet 25 gushti i 2012, kur Profesori i Historisë të Universitetit të Prishtinës, i cili ishte me pushime në Shëngjin, rastësisht mbasi u njoh me vëllimin e parë të Antologjisë më tha:-kush është ky person? Ky e meriton titullin hero, për këtë punë që ka bërë! Natyrisht unë i sqarova kush jeni. S’ta them këtë që të rritet mëndja. Ne detarët presim përsëri vepra të reja nga ju. Ndaj nga unë dhe detarët e Shëngjinit ke urimet më të sinqerta në lundrimin tënd historik bashkë me detarët shqiptarë!
Kapiten Selim Allajbeu,
Ishkomandant i Bazës Ushtarako-Detare Shëngjin.
Shkrimëtar dhe poet.
Shëngjin 17 tetor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: “Antologji e Detarisë Shqiptare”, Selim Allajbeu, Shefqet Kercelli

Çetnikët tentojnë të destabilizojnë Sanxhakun

October 22, 2014 by dgreca

*Çetnikët, jo rastësisht e kanë zgjedhë 23 tetorin si ditë të marshimit nëpër qytetin e Pazarit të Ri. Më 23 tetor të viti 1912 ka filluar beteja e Kumanovës në Luftën e I-rë Ballkanike, ku ushtria serbe u shkaktoi humbje trupave osmane dhe atyre shqiptare të cilat nuk iu bashkuan Aleancës Ballkanike por vendosen të mbrohen nga depërtimi i ushtrisë serbe në trojet shqiptare.
*Para disa ditësh Lëvizja Çetnike ka ftuar “ të gjithë admiruesit e traditës patriotike të luftërave çlirimtare serbe” që me praninë e tyre në kishën e Pjetrit më 23 tetor 2014 në Pazarin e Ri, t’i përkujtojnë heronjtë e vrarë për çlirimin e Serbisë, siç thonë ata, nga skllavëria turke.
Nga Ismet Azizi/
“Novi Pazari u çlirua më 23 tetor 1912 dhe në këtë ditë do të organizojmë një manifestim përkujtimor në kishën e Pjetrit në një shëtitje të qetë dhe dinjitoze në kishën e Shën Nikollës, ku do t’i ndezim qirinj gjeneralit të famshëm dhe çlirimtarit të Novi Pazarit, Mihail Zhivkoviqit. Pastaj, në ora 12.00 do të vazhdojmë “Shëtitjen e çlirimit” deri te komuna e Novi Pazarit, ku do të dorëzojmë iniciativën tonë për ngritjen e monumentit të gjeneralit Mihailo Zhivkoviq në parkun e qytetit. Me këtë rast ky manifestim i vogël gjithëkombëtare i kësaj date të rëndësishme do të përfundon”, thuhet në deklaratën për shtyp të komandantit të njësisë çetnike Bratislav Zhivkoviq.
“Shëtitjes” do t’i prijnë pasardhësit e “çlirimtarëve” të Novi Pazarit dhe me rastin e ecjes pjesëmarrësit do të marrin nga një bluzë me mbishkrimin “Përkujto kush ishin paraardhësit tanë”. Me këto bluza simbolikisht tentohet që të tregohet se serbët nuk i kanë harruar “heronjtë” që dhanë jetën për “kryqin e nderuar dhe lirinë e artë”, thotë Bratislav Zhivkoviq, komandat i Lëvizjes Çetnike.
Në anën tjetër, Dr. Prof. Admir Muratoviq, (kryetar i Bashkësisë Kulturore Boshnjake dhe prodekan në FSI) thotë se nuk është aspak vështirë që paqja dhe stabiliteti në Ballkan të vihen në pikëpyetje Në të kundërtën, sipas tij, duhet shumë përpjekje dhe mund që të ruhet ajo që është vlerë e të gjithë njerëzve që jetojnë në këtë hapësirë. “Nuk ka nevojë të përkujtojmë se Ballkani është hapësirë ku jeton popullsia me përbërje heterogjene si në aspektin nacional dhe fetar”, tha Muratoviq.
Dihet shumë mirë se popullsinë e besimit mysliman, Serbia e trajtonte si popullsi turke. Muratoviq, duke aluduar në betejën e Kumanovës, përkujton se dikur “Serbia boshnjakët dhe shqiptarët i ka fajësuar për gjithçka, duke i trajtuar si turq. Sigurisht se 23 tetori është zgjedhë që përsëri të ripërtërihet tregimi për rrezikun nga Turqia. Edhe Ratko Mlladiq kur ka hyrë me ushtrinë e tij në Srebrenicë, në prag të kryerjes së gjenocidit, ka thënë se më në fund erdhi momenti që t’u hakmerremi turqve”.
Nuk është kjo hera e parë që çetnikët i kërcënohen Pazarit të Ri. Në muajin nëntor të vitit 1941 ata kanë provuar disa herë, por nuk kanë pasur sukses. Në fillim të viteve të 90-ta në Pazar, diçka të tillë pat tentuar edhe Vuk Drashkoviqi kurse pak më vonë edhe Zhelko Raznatoviq –Arkani. Çetnikët me ikonografinë e tyre nuk kanë vend në këtë qytet, porositë profesor Muratoviqi.
Atë që duhet dijtur, e që është një të vërtetë e madhe, çetnikët kurrë nuk kanë marshuar nëpër qytetin e Pazarit. Sipas të gjitha gjasave nuk do të kenë mundësi që këtë ta bëjnë as më 23 tetor të këtij viti. Ata duhet të gjejnë forma tjera që të përkujtojnë betejën e Kumanovës.
Aleatët e Luftës së Parë Ballkanike deklaronin se lufta drejtohej kundër Turqisë dhe kishte për qëllim bashkimin kombëtar të popujve ballkanikë. Por ajo u drejtua nga qarqet shoviniste të vendeve të Ballkanit dhe u kthye në një luftë grabitqare, pushtuese, sidomos ndaj trojeve Shqiptare dhe Maqedonisë.
Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Me organizimin e forcave vullnetare shqiptare në zonën e Gjilanit, të Moravës e të Karadakut u mor Idriz Seferi, që arriti të grumbullojë 6 000 luftëtarë, të cilët u hodhën në kufi me Serbinë. Natën e 23-24 korrikut Armata e tretë serbe filloi një marshim drejt Shkupit e Kumanovës.
Në Shkup e pashë se deri në ç’nivel njeriu varet nga rrethanat e krijuara nga lufta barbare. (Leon Trocki)
Beteja më e madhe në trevën e Kosovës ishte ajo e Kumanovës (22-24 tetor), ku serbët hodhën ushtrinë e Armatës së Parë të përbërë nga 126 000 veta. Armata otomane e Vardarit kishte vendosur në këtë front 50 000 luftëtarë. Midis tyre kishte edhe disa mijëra ushtarë shqiptarë, përveç forcave vullnetare të ardhura nga treva e Kumanovës e rrethet e tjera.
Gjatë rrugëtimit për në Shkup ushtria serbe vrau dhe masakroi rreth 2 mijë shqiptarë të pafajshëm. Atë ditë, pas rënies së Shkupit, ushtria serbe i kapi të gjallë 13 krerë të kryengritjes Kombëtare Shqiptare
Sanxhaklinjtë tetorin e vitit 1941 nuk e harrojnë kurrë. Çetnikët kanë provuar tri herë të hyjnë në Pazar. Falë solidarizimit dhe ndihmës që iu erdhi nga vëllezërit shqiptarë nga Kosova, në krye me Shaban Polluzhën, çetnikët nuk ia kanë arrit të okupojnë Pazarin e Ri.
“Porosia ime e fundit për bashkëkombësit e mi”- thotë Prof. Muratoviq, “por edhe për serbet të cilët jetojnë në Pazar, është që të ruajnë stabilitetin ashtu siç e kemi ruajtur në momentet më të vështira dhe për të cilën gjë ne kemi kapacitete ta bëjmë këtë edhe sot. Ne këtu duhet të vazhdojmë të jetojmë së bashku. T’ua bëjmë me dije atyre të cilët nuk ia dëshirojnë të mirën qytetit tonë, se me ikonografinë e tyre nuk kanë çka të kërkojnë në Pazarin e Ri. Vetëm në këtë mënyrë mund t’iu sigurojmë një të ardhme të ndritshme fëmijëve tanë të cilët do të jetojnë në Pazarin e Ri” – përfundon prof. Muratoviq.
Për deri sa çetnikët, dhe serbët në përgjithësi, 23 tetorin e viti 1912 e kremtojnë si ditë të çlirimit nga Perandoria Osmane, sanxhaklinjtë këtë ditë e përkujtojnë si moment kur Sanxhaku u okupua nga ushtria serbe. Duke patur parasysh këto tendenca të rrezikshme të çetnikëve nuk mundë të shpresohet në ndonjë stabilitet afatgjatë në Sanxhak.

Filed Under: Analiza Tagged With: Çetnikët tentojnë, Ismet Azizi, të destabilizojnë Sanxhakun

VIZITA PLOT MISTERE E EDI RAMES NE NEW YORK

October 22, 2014 by dgreca

“Përse Rama e “fshehu përsëri takimin privat në shtëpin e bashkëatdhetarit tonë Sal Rusi në Staten Island – Nju Jork?./
Opinion Nga Beqir SINA – New York/
Sqarim : Fotoja është e viti të kaluar në shtëpinë e Sal Rusit Staten Island NYC, dhe e ka botuar për herë të parë gazeta shqiptaro amerikane Illyria (në shtëpinë e Sal Rusit në Staten Island – New York, më 28 shtator 2013, në darkën private, ku kan qenë present edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaqi, zv/Kryeministri i Maqedonisë Musa Xhaferri dhe disa biznesmen dibran dhe maqedonas.)
STATEN ISLAND NY : Edi Rama, të enjten e javës së kaluar mbajti një ligjëratë në universitetin e Harvardit, gjatë vizitës së dytë si Kryministër i Shqipërisë, në SHBA. Ku sipas njoftimeve zyrtare të kryeministrisë, u publikuar edhe në axhendën e viizitës së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ai mbajti një ligjëratë në sallën e Shkollës së Qeverisjes Kenedi të Universitetit të Harvardit, ditën e enjte, më 16 tetor 2014, dhe dha një intervistë me CNN. Ndërsa, edhe takoi një grup studentësh dhe njerëzve të zgjedhur prej tij po në Boston .
Vizita disaditore e Kryeministrit shqiptar në universitetin me famë botërore dhe në qytetin e Bostonit, djepin e lëvizjes patriotike shqiptare për pavarësimin dhe ruajtjen e tërësisë tokësore të trojeve shqiptare, të nisur mëse 100 vjet më parë, është bër pjesë e shumë pytjeve pa përgjigje deri tani në mesin e shqiptarëve të Bostonit – nolian.
Sepse, pa filluar ju bëshumë “bujë” kësaj vizite, në axhendën zyrtare ku përmendej se” përveç kohës së nevojshme “akademike”, z. Rama – mund të kryente edhe disa vizita të tjera në Boston dhe Kembrixh” kjo përsa i përkiste anës patriottike të kësaj vizite – propogandistike.
Sidomos ishte paraparë, që Edi Rama si Kryeministër do të mbante një vizitë në sallat dhe parqet e atij universiti prestigjioz, pikërisht ku 102 vjet më parë – dhe më pas- studionin dhe shkelnin gjigandë të tillë si Fan Noli, Faik Konica, Kostë Çekrezi e Koço Tashko, Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, varret e Nolit dhe Konicës .
Mirëpo, deri tani të paktën nga ajo çfarë është thënë zyrtarisht, Kryeministri i Shqipërisë , nuk dënoi të vizitojë, më e të pakta as vendin e shenjtë, ku kolonitë e para shqiptare,116 vjet më parë pikërisht në Boston Fan Noli dhe patriotë të tjerë shqiptarë hodhën themelet e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, ku të gjitha shërbimet më në fund kryheshin në gjuhën shqipe.
Aty ku më 13 qershor 1912 në Boston u regjistrua zyrtarisht Federata pan-shqiptare VATRA, me nënshkrimet e Faik Konicës, Llambi Çikozit, Fan S. Nolit, Kristo Floqit, Elia Tromarës, Naum Ceres dhe Kosta Kottës. Vendin ku, sipas dokumenteve rishtaz të zbuluara në vitet 1914-1920 VATRA e kryesuar nga Fan Noli ishte kthyer në qeveri de facto në mërgim e shtetit të copëtuar shqiptar të Luftës I Botërore.
Ai nuk vizitoi as lagjen e njohur Back Bay të Bostonit, ku në atë kohë Fan Noli drejtonte organizimin e një veprimtarie të dendur diplomatike, mbrojtëse, buxhetore e vetëfinancuese të pashembullt, që i kishte të gjitha atributet e një qeverie në ekzil, sikurse mëtonin me të drejtë aso kohe pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në të, si dhe pasardhësit e tyre edhe sot e gjithë ditën.
Aqsa Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u mjaftua në Bostonin – Nolian me një takim me disa bashkëatdhetar – të “situr” mirë – për të ardhur dhe u t’u takuar me kryeministrin Rama, kryesishtë nga ata që janë anëtarë të familjeve të ish nomenklaturës, një pjesë e të cilëve kan marrë edhe statusin e azilantit politik ose kan fituar edhe një llotari Kartë Jeshile.
Eshtë për të ardhur keq sepse kështu, po ndodh edhe me vizitën e Kryeministrit , Edi Rama, për të dytën herë, në kohën e 1 viti, që ai po “lodhet” dhe “rreket” nëpër SHBA, duke shpenzuar kohë dhe energji duke promovuar vetveten dhe jo Shqipërinë, për të bërë të njëjtën gjë, që ai bëri një vitë më parë, kur u rrek me refuzimin që i bëri SHBA me asgjesimin e”Armëve Kimike të Sirisë”, dhe ai duket se nuk ka nxjerrë asnjë mësim.
Ai si Kryeministri i një vendi, nuk po merr ende guximin – dhe ka “frikë” të takohet me shqiptarët e Amerikës, në takime të hapura për të gjithë, si u takua Presidenti i Shqipërisë zoti Bujar Nishani i cili u pritë në mënyrë madhështore dhe jo vizitë “skutash” me shqiptarët e diasporës. Rama nuk po sqaronë një orë e më parë, dhe t’a bëjë publike, dhe menjëherë se përse qendroi në Nju Jork , dhe kush e shoqëroi atë dhe ja “rregulloi” një intervistë në CNN ?( a u pagua gazetari Richard Quest dhe kush ia rekomandoi?) .
Dhe, një pyetje, që lë shumë dyshime, ashtu si edhe herën e parë është se : “Përse Rama e “fshehu përsëri takimin privat në shtëpin e bashkëatdhetarit tonë Sal Rusi në Staten Island – Nju Jork?.
Përse, për herë të dytë në këtë shtëpi? Përse, Kryeministri Rama e ka shpallur publikisht në Nju Jork – biznesmenin Sal Rusin si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në SHBA? – Çfarë shkolle dhe çfarë meritash intelektuale dhe kontribute kombëtare ka zoti Sal Rusi?, për të arritur deri aty sa është për tu shpallur nga kryeministri i Shqipërisë Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Amerikë?. Çfarë është biseduar në shtëpinë e Sal Rusit në Staten Island – New York, më 18 tetor 2014, në darkën private, ku kan qenë present edhe ish deputeti Andi Harasani dhe disa biznesmen të tjerë.
Ky, takim, i cili nuk është bërë asapak i ditur, nga axhenda e vizitës së Kryeministrit , është i rrethuar nga plot mistere në komunitetin shqiptarë , në Nju Jork, ku përflitet shumë se Kryeministri Rama po bën biznes me familjen Rusi?

Mbasi deri tani ka vetëm spekullime mbasi asgjë nuk dihet mbi të gjitha bisedat, që ishin bërë të shtunën në mbrëmje(18 tetor 2014) në një darkë private organizuar në shtëpin e “famëshme” të Sal Rusit, i cili njihet se një nga biznesmenët më të njohur shqiptarë në Amerikë.
Zyrtarisht, ato nuk u mësuan kurrë, edhe një vitë më parë,që megjithse, u përfolën shumë në komunitet.

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina, misteret e Edi rames, ne New York, vizita

POLITIKA…SI AKSIDENT!

October 22, 2014 by dgreca

Nga Marjana Bulku/New York/
Edhe pse nuk dua të shkruaj për politikën duket se nuk e shmang dot .Jo pak herë në jetën time ”ma ka zënë rrugën”edhe pse jam përpjekur ti jap jetë nga nderi,dinjiteti, pervoja e marrë nga shkollat dhe raportet me njerëzit që jeta më ka dhuruar.Ajo tashmë është shndërruar në një mjet pa zot hedhur për konsum.Jo pak herë kam preferuar ti ”afrohem” asaj përmes disa formateve që shkollat perëndimore ofrojnë,i qasem përmes letërsisë së angazhuar, pikturës ,,,edhe pse ajo është karrikaturë ,por papritur kuptoj se ajo qenka shndërruar në sport, në një lloj sporti që akoma nuk ka as rregulla e as platformë,as strategji ku cdo aksident i mundshëm mund të jetë një lloj kërcënimi jete.Në fakt politika ajo që duhet të shtrojë ”rrugët ” nga ku kalon jeta jonë është shndërruar në tokë të minuar, në bunker, në mister , në aksident nga ku priten vetëm pasoja ndërkohë kur Bismark e konsideronte atë art i zgjidhjes. Po e quaj aksident më mirë (jo rastësisht),,,sepse të gjithë tashmë e kemi parasysh momentin kur ai ndodh ,,,por pasojat i shohim më vonë edhe pse ndodh që mund edhe të mos i shohim kurrë kur ky aksident ka gjymtuar mendjen.Cfarë e udhëheq ekonominë??? Po arsimin, drejtësinë? Ne po shohim shpërthimet si prej eksplozivi në cdo aspekt dhe jo vetëm në ndërtimet me leje/pa leje,pastaj zhurmën që krijohet për ta , debatet pro dhe kundër , shfaqjet se po ndërtojmë gjithpjesmarrjen ku fjalët nuk kanë as forcë dhe as mundësi të shërojnë pasojat që aksidenti politik ka shkaktuar. Biznese të rrënuara, djersë e cuar dëm, ëndrra e projekte gjithashtu , nuk po them para,por vepra të lena peng i aksidenteve politike dhe politikanëve aksidentalë.Trashëgimnija jonë politike është sa e varfër aq dhe e pasur, sa e njohur aq dhe e panjohur ,por ajo ekziston dhe nuk mund tia leme aksidentit politik dhe atë ta shkulë nga themelet në aksidentin-pritë e rradhës.Trashëgimnija jonë ekonomike e ndërtuar me mund dhe djersë është në duar politikash sezonale. Modelet e krijuara po përmbysen para syve tanë si ikonat e shenjta në vitin 67 duke mallkuar të ardhmen pa të ardhme. Duket si luftë për të ndërtuar cfarë? -Ndonjë perandori ?! Duket si një rrugë që nuk të con askund. Si një fat i paracaktuar që të përmbys në mënyrë fatale…
Edhe pse nuk dua të flas për politikën …po e bëj sepse nuk dua që përgojimi i saj të jetë ”axhetacione -propaganda ” e dikurshme që kryqëzonte jetë, njerëz , fate .Sipas një raporti të OKB -së vetëm 57 % e popullsisë së botës mund të quhen plotësisht demokratike nga ku lind dilema ime nëse një popull gëzon demokracinë a është kjo meritë e tij apo e liderëve që zgjedh?!
Politika jonë duket si një aksident ku populli tifoz, viktimizohet, deformohet ,anohet ,duke shkaktuar një kaos jo vetëm politik por dhe shoqëror ,kulturor, që madje ndërhyn edhe në cdo qelizë jete. Dilemë e madhe ; ta refuzosh këtë lloj aksidenti politik, apo ti nënshtrohesh atij ! Duket sikur ka kthyer përmbys edhe bazat mbi të cilat u ndërtuan sistemet politike . Kur Sartori etimologjikisht shprehej …”Demokraci = Demos + Popull+kratis= sundim, pushtet” keqpërdorimi vazhdon , regjimet keqpërdorin konceptet si ajo kafshata e hedhur në turmën e uritur … Nuk e di nëse populli është i etur për demokraci apo nuk ia njeh aspak konturet asaj, si tërësi të drejtash por edhe përgjegjësish nga ku rregulli është djep i cdo lirije.Unë nuk e di se kush i drejton fatet e vendit tonë , edhe pse thellë -thellë mendoj se sejcili duhet të drejtojë jetën e tij, fatin e tij në mënyrë jo aksidentale, as të nënshtruar deri në verbëri kulturore, ekonomike, politike.Askush nuk mund të jetë dhurues i të mirave tona, nuk duhet të jetë,përndryshe prirjet autoritare janë aty, si metastaza të vjetra regjimesh të padrejta që na përndjekin. Ata që drejtuan shkencën duket se duhet ta drejtojnë edhe politikën si jo aksident.Dikur Ajnshtajni fliste për ”antropologji globale”si një sistem vlerash civile ,qytetare, morale dhe juridike…Ishte viti 1947…Ishte vetëm një përpjekje gjeniu drejt qëndrueshmërisë globale. Antropologjia e shumicës në demokraci është e lidhur ngushtë me atë individuale që nuk duhet mbytur kur i shërben jetës ( tri pyetjet e Erisa Zykajt )…që politika aksident të mos përmbysë liri, të drejta ,përgjegjësi, detyra … Edhe pse termi ” aksident” shkakton frikë parandalimi i tij në politikë është i mundshëm, është njerëzor .Si ta shpëtojmë politikën aksident nga pasojat që vazhdojnë të kërcënojnë ardhmërinë ?
Brooklyn, tetor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Marjana Bulku, Politika, si aksident

Në përkujtim të 10 vjetorit të Anita Bitrit

October 21, 2014 by dgreca

(Mbresa dhe kujtime nga një tragjedi shqiptare në Amerikë që mori jetën e tri hyjneshave shqiptare)/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Ndonëse ka kaluar një dekadë që nga ikja tragjike e artistes së madhe shqiptare Anita Bitrit, përsëri Diaspora, gjithë dashamirësit e Anitës dhe artdashësit e kujtojnë me dhimbje tragjedinë që ndodhi në qytetin ku jetoi në Staten Island, në New York. Ishte një ngjarje tejet e dhimbshme ku u trondit çdo qënie njërezore që e dëgjoi në lajmet amerikane dhe shqiptare, ngase humbën tri jetë njerëzish. Ishin tri gjenerata: Anita, e bija Sibora dhe nëna e saj Hazbija. Ato u mbytën nga gazi, monoksidi i karbonit.
Ditën e shtunë në Brooklyn bashkësia shqiptare e udhëhequr nga Pastori amerikan Steve Galegor dha një përshpirtje në gjuhën shqipe në përkujtim të Anitës, bijës dhe nënës së saj, në 10 vjetorin e tragjedisë së humbjes së jetës së tyre. Pastori amerikan Galegor, i cili të befason me të folurën e bukur të gjuhës shqipe tha se edhe pse nuk kam qenë atë ditë në koncertin e lamtumirës, pasi ishja me shërbim në Tiranë, e përjetova me dhimbje të madhe humbjen e tri krijesave të Zotit që u ndanë nga ne para kohe. Gjithmonë do t’i kujtojmë me dhimbje e dashuri Anitën, Siborën dhe nënë Hazbijen të cilat humbën jetën tragjikisht në mjediset e shtëpisë së tyre në Staten Island në New York tha pastori amerikan Steve Galegor në përshpirtje. Në këtë përshpirtje ishte dhe vëllai i Anitës, Arben Bitri së bashku me të fejuarën e tij Kinon.
Në intervisten që dha për TV Alba Life në New York, ai kujtoi me dhimbje dhe lot në sy tragjedinë e tmerrshme që i ndodhi familjes së tij. Ai vazhdoi se sonte ndodhemi pikërisht në këtë vend të shenjtë në Kishën First Evangelical Free Church në Brooklyn, ku dhjetë vjet më parë të gjithë artistët e Komunitetit, Diaspora, artdashësit e shumtë, së bashku me Qemal Zylon si organizator kryesor në bashkëpunim të ngushtë me artistin e shquar Frederik Ndocin dhe orkestrën mirënjohur “Alba” të udhëhequr nga kitaristi i talentuar Edi Xhani, organizuan një koncert lamtumire në nderim të artistes vlonjate mbarë kombëtare Anita Bitrit. Ai shprehu mirënjohjen e pakufishme në emër të gjithë familjes së tij për nderimin e veprës që i bën Anitës dhe tha se do të punojë së bashku me artistët për të realizuar një dokumentar që trashëgimia e vyer e saj t’u ngelet brezave. Ndërkohë Q.Zylo kujtoi të gjithë bashkëpunëtorët, veçanërisht Frederik Ndocin, Edi Xhanin, ambasadorët e kulturës shqiptare Merita Halilin dhe Raif Hysenin, Vait Hajdarin, Sokol Asllanin dhe Maksim Vathin, artistët e shumtë, dashamirësit, mediat si Adem Belliun për kulturën shqiptare, Dalip Grecën për gazetën “Illyria”, të cilët u ndodhën pranë në vendin e ngjarjes pasi e dëgjuan gjëmën që ndodhi, ngjarje që u publikua në mediat e shumta. Ai shprehu dhe mirënjohjen për të gjithë amerikanët dhe bordin e kishës First Evangelical Free Church, pasi si i punësuar aty për vite me radhë, kujtoi ditën që kjo kishë hapi të gjitha dyertë për të organizuar koncertin e lamtumirës. Ajo që do të më ngelet gjatë në kujtesë vazhdoi ai është se në vendin që u organizua koncerti i lamtumirës, ishte planifikuar me kohë të organizohej ceremonia e një dasme amerikane, por kur bordit i paraqita se me shqiptarët duam të organizojmë një koncert lamtumire për artisten e shquar shqiptare, familjarët dhe Bordi me zemërgjerësinë më të madhe pranuan të shkonin në katin e nëndheshëm, përdhes, (basement siç e quajnë amerikanët) dhe na lejuan që ne t’i bënim nderimet e duhura tri gjeneratave që humbën jetën tragjikisht.
Çdo njeri mbart kujtimet e tij në atë ngjarje tragjike, dhe ne kësi rastesh është e vështirë të ngjesh fjalë ngushëlluese. Personalisht kurre s’do ta harroj telefonatën në kolegj në Brooklyn të Frederik Ndocit i cili me një zë vajtues më dha i pari lajmin e kobshëm për tri gjeneratat të mbytura nga monksidi i karbonit. Tepër e rëndë ishte për vellain e Anitës, Benin jo vetëm tragjedia, por edhe sepse ai se kishte takuar kurrë Siborën, për shkak dokumentash, një ëngjëll që premtonte shumë për të ardhmen, por mjerisht ai erdhi për të përcjellë trupat në Atdhe, në Vlorë. Beni kishte dëgjuar vetëm zërin e saj qindra herë në telefon, dhe shprehjen aq të bukur të mbesës së tij Siborës duke i thënë në anglisht: “I love you Daja”!
Arti i Anitës, këngët e saj, violina e bukur, tekstet muzikore që krijonte, i përkasin fondit të artë të muzikës shqiptare. Nga të gjithë folësit atë ditë ajo u pagëzua si Pop Star i muzikës shqiptare, por mjerisht shpesh herë na duhen histori të dhimbshme si tek kalaja e Rozafës, që të dalin në pah madhështia dhe gjenialiteti i popullit tonë. Nga shpirti atë ditë në ceremoni i dhashë lamtumirën me këtë poezi: Kjo vdekja e zezë/ muret i çanë/ për tri hyjneshat që vdekjen panë/. Tmerruar nga lajmi rrugën mora/ kalova me drita të kuqe vetëtimë/ në cep të rrugës frymën ndalova/ ngriva statujë kur pashë shtëpinë/. Zemra më rrihte si e zënë në faj/ si labe e qava: e mjera e mjera/ ndenja gjatë, por porta s’u hap/ ndeza qiririn dhe e vura tek dera/. Vitet do të ikin dhe shpejt do të kalojnë/ loti i mërgimtarit do të ngelet në derë/ Orkestra “Alba” shpesh do të ekzekutojë/ këngët e tua në tastierë/. More helmin në zemër, ike larg Anita/ ndoshta të gjeje qetësinë/ bashkë me violinën si shelg lotues, le dhe këngën/ dhe me zërin tënd pavdeksinë!
Duke përfunduar në vesh ende kam zërin e vogëlushes, zërin e një ëngjëlli Siborës e cila i këndon mamit të saj si: Jam e bekuar si ty, kënga ime le të jehojë, për mamin le ta dëgjojnë…
Kënga dhe Zëri i Anitës kur këndon me të bijën e saj Siborën në duet duket sikur vazhdon të mbush qiellin si cicërima zogjsh, si zëra në përjetësi!

Tetor, 2014
Brooklyn, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Zylo, Në përkujtim të 10 vjetorit, të Anita Bitrit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4343
  • 4344
  • 4345
  • 4346
  • 4347
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT