• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KESHILLI KOMBETAR SHQIPTARO-AMERIKAN NDEROHET ME URDHERIN”GJERGJ KASTRIOTI”

September 29, 2014 by dgreca

Presidenti i Shqipërisë zoti Bujar Nishani ka dekoruar KKSHA-në me urdhërin “Gjergj Kastrioti” si dhe me “Nderi i Kombit” aktivistët: Anthony Athanas (pas vdekjes), Nikolla Pano, Harry Bajraktari, Richard Lukaj dhe Jim Xhema./
NGA BEQIR SINA, New York City/
BIG APPLE NYC : Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, në ditën e fundit të qëndrimit të tij në Nju Jork, nderoi mbrëmë në lokalin e njohur Russian Tea Room në Nju Jork, me medalje dhe urdhra një organizatë dhe 5 personalitete të dalluara të diasporës shqiptare në Amerikë.
Në një ceremoni të organizuar nga Misioni i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, zoti Nishani falenderoi dhe vlerësoi lart kontributin e shqiptarëve të Amerikës, në dobi të çështjes kombëtare si dhe nderoi me këtë rast figurat e shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe sidomos disa personalitete të dalluara në diasporë, për kontributin e tyre në çështjen kombëtare.
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me këtë rast u shprehu mirënjohjen shqiptaro-amerikanëve për ndihmesën e tyre në krijimin dhe mbrojtjen e shtetit shqiptar, pavarësinë e Shqipërisë dhe Kosovës, për lirinë dhe demokracinë, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe Maqedoni dhe në afrimin më të madh mes shqiptarëve dhe popullit amerikan.
Në fillim të fjalës së tij duke thënë se vizita e tij në vendin më të madh të demokracisë, e ka inspiruar gjithmonë, atë, ai tha:
“Andaj e ndjejë si obligim ta përsërisë kënaqësin time dhe të vendit timë – Shqipërisë, dhe të gjithë shqiptarëve për rolin dhe kontributin historik të gjithë diasporës shqiptare në SHBA – për të mbështetur fort të gjitha çështjet kombëtare shqiptare – Pavarësinë e Shqipërisë , pavarësinë e Kosovës për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni , Luginënë e Preshevës në Mal të Zi dhe kudo ku janë shqiptarët”.
Zoti Nishani tha se vlerësonte me nota të larta kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë në sfidat e vështira që kaloi kombi shqiptar në vitet e izolimit total komunist, sidomos në Shqipëri.
“Gjatë periudhës së izolimit të plotë absurd të Shqipërisë komuniste, shqiptarët e Amerikës ishin i vetmi zë që artikulonte interesat e shqiptarëve kudo në botë. Ata u kthyen në ambasadorë të aspiratave tona për liri dhe demokraci dhe zhvillim. Dhe, kurr nuk u dekurajuan nga sulmi plot vrer dhe itiketimet me baza ideologjike, që vinin në atë kohë nga elita komuniste.”
Ai foli më pas edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në përparimin e shqiptarëve në Ballkan, miqësin e madhe mes popullit amerikan dhe shqipëtar, kontributin historik të shqiptarëve të Amerikës të cilët tha Presidenti Nishani vendosën urat e lidhjes së kësaj miqësie, që i ka themelet e saj prej nga Presidenti Uillsion dhe deri në ditët e sotme.
“Sot është rasti të themi që jemi miku i madh dhe i përjetëshëm i SHBA, aleatë në NATO, jemi partnerë strategjikë, dhe jemi vazhdimisht në një bashkudhëtim që do ta çojë Shqipërinë në arritje të reja”.
Presidenti i Shqipërisë zoti Nishani falenderoi më pas dhe foli për figurat e shquara shqiptaro-amerikane, personalitetet e nderuara në mbrëmjen kushtuar shqiptarëve të Amerikës, duke dekoruar KKSHA-në me urdhërin “Gjergj Kastrioti” si dhe me “Nderi i Kombit” aktivistët: Anthony Athanas (pas vdekjes), Nikolla Pano, Harry Bajraktari, Richard Lukaj dhe Jim Xhema.
Gazeta shqiptaro amerikane Illyria shkruan sot se Presdenti Nishani u prezantua mbrëmë “Si një president i të gjithë shqiptarëve”
Mbasi si thotë editori i saj Ruben Avxhiu, në fjalimin e tij të mbrëmjes, presidenti Nishani ishte gjithëpërfshirës, ndonëse urdhërat dhe nderimet po bëheshin në emër të shtetit të Shqipërisë, argumenti mbështetës ishte mbarëshqiptar.
“Nga fati i Kosovës, te shqiptarët e Preshevës, te faktori shtetformues në Maqedoni, apo te komuniteti në Malin e Zi, të gjithë u përmendën disa herë dhe në fakt, kontributi i atyre që u nderuan nuk është penguar nga kufijtë ekzistues. Ku ka pasur shqiptarë ka pasur një kauzë për të mbrojtur”, tha ai.
Në fakt, ndërsa profesori Pano dhe i ndjeri Athanas erdhën nga jugu i Shqipërisë, Jim Xhema është nga Lugina, Harry Bajraktari nga Kosova, ndërsa Richard Lukaj nga Mali i Zi. KKSHA që u nderua ka për President Bordi, një shqiptar nga Mali i Zi, Martin Shkreli, ndërsa zëvendës Ilir Rusin nga Dibra e shqiptarëve të Maqedonisë. Drejtori ekzekutiv është Avni Mustafaj nga Tropoja e zonat në Kosovë e Shqipëri.
Kështuqë në aktivitetin e të nderuarve nuk ka pasur dallime krahinore, fetare, ideologjike e partiake. Ka qenë një aktivitet kombëtar e qytetërues, demokratik e liridashës, në emër të paqes e begatisë.
Presidenti Nishani vlerësoi faktin që shqiptarët e Amerikës nuk e humbën shpresën dhe përkushtimin, as në 50 vitet që vetë Shqipëria i la jashtë, në kohën e sundimit komunist. Ai u tha të pranishmëve se shteti dhe shoqëria shqiptare u mbetet mirënjohëse shqiptarëve të Amërikës për gjithshka që kanë bërë.
Presidenti Nishani e dekoroi KKSHA-në (National Albanian American Council) me urdhërin “Gjergj Kastrioti”, për të vijuar më pas me nderimin e pesë individëve të tjerë, veprimtaria e të cilëve në periudha të caktuara lidhet gjithashtu me këtë organizatë.
Antoni Athanasin (Pas vdekjes) me motivacionin: “Veprimtarit të shquar të emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili gjithë jetën qëndroi i lidhur fort me fatet e kombit dhe të vendit të tij e që derën e mbajti hapur për këdo bashkëkombës që kishte nevojë për mbështetje dhe ndihmë – Për kontribut të çmuar në zgjerimin dhe forcimin e veprimtarisë së Federatës “VATRA”, për ruajtjen e frymës kombëtare tek shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të përkushtimit të tyre ndaj vendit amë”.
Harry Bajraktari ka qenë qysh në vitet e para e deri sot, një nga figurat më të angazhuara. Themelues i gazetës “Illyria” dhe biznesmen i suksesshëm, ai ia përkushtoi suksesin e tij veprimtarisë lobuese në Ëashington.
Ai kujtoi se sa e panjohur ishte kauza shqiptare 25 vjet më parë kur bashkë me miqtë e tij kishte filluar angazhimin e drejtpërdrejtë në kryeqytetin amerikan për të edukuar politikanët e diplomatët amerikanë me të vërtetën për shqiptarët dhe Ballkanin.
Harry Bajraktari përmendi në veçanti kongresistin Eliot Engel me të cilin kanë tashmë një bashkëpunim prej një çerekshekulli si shembull të miqve të rëndësishëm që shqiptarët bënë në Ëashington e me të cilët bashkëpunuan në vite.
Vetë kongresisti Engel që kishte ardhur për të ndjekur ceremoninë, mori fjalën dhe kujtoi takimin e tij të parë me Harry Bajraktarin dhe bisedën e tyre të parë për Kosovën.
Engel, ky “Amerikano-Shqiptar” siç e etiketoi Presidenti Nishani, është tashmë një figurë e pandarë e veprimtarisë shqiptare në SHBA.
Edhe Avni Mustafaj nga KKSHA kujtoi një episod udhëtimi me Engelin dhe bashkëkryetaren e asaj kohe të Kaukusit Shqiptar në Kongresin Amerikan, një grup kongresistësh të themeluar nga Engel, që vepron edhe sot.
I jashtëzakonshëm në kontribute po kurrë i gjendur në ndonjë podium, aktivisti Jim Xhema nuk u pa të merrte çmimin dhe nuk ishte i pranishëm në ceremoni. Mirëpo, më i riu në moshë nga të nderuarit, Richard Lukaj, e quajti gati të pabesueshëm që po shpallej “Nderi i Kombit”. Bankieri i njohur që priti pak ditë më parë në shtëpinë e tij, zv-presidentin Joe Biden, kujtoi edhe ai angazhimin e hershëm dhe takimin me Anthony Athanas, një takim të cilin e kishte shtyrë nga droja për të takuar një njeri aq të njohur dhe pastaj kishte zbuluar se ai jo vetëm që e njihte por kishte pasur dëshirën vetë që ta takonte.
Në kontrast prej tij, djali i madh i Anthony Athanas-it e pranoi nderimin e babait pa bërë asnjë koment.
Profesor Nikolla Pano e plotësonte të mozaik figurash të komunitetit. Eksperti i çështjeve shqiptare dhe studiuesi serioz ka një kontribut të gjatë në jetën e komunitetit dhe tëakademisë amerikane. Tashmë në pension pas një karriere të gjatë, ai foli në shqip, me emocion, duke marrë nderimin dhe duke premtuar se do të mbetej krenar që ishte shqiptar deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Për këta njerëz, shqiptarët dhe Shqipëria janë një, pavarësisht kufijve shtetërorë e ndarjeve të tjera. Ky sentiment shprehej më së miri në fjalët e Harry Bajraktarit kushtuar këtij nderimi.
“Vendlindja ime ishte jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë ndërsa unë u rrita në Amerikë. Por, Shqipëria ka qenë gjithnjë në zemrën dhe shpirtin tim dhe gjithmonë jam prezantuar me krenari si Shqiptar”, tha ai. “Historia na ka ndarë në disa shtete për më shumë se 100, po kemi mbetur të bashkuar si një komb, një shpirt dhe në vizion”.
Shembull i kësaj ishte edhe fakti që një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Kosova merrte urdhërin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë.
Kjo ceremoni u mbyllë kur pothuajse çdo i pranishëm “rrëmbeu” një fotografi kujtime të paharruar me çfitin presidencial Bujar e Odeta Nishani si dhe me performinin e dy artistëve të mirënjohur të komunitetit të cilët do të riktheheshin në skenë për të ofruar një repertor muzikor që do ta mbyllte mbrëmjen me klasin që u shkon ceremonive të tilla presidenciale.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Antoni Athanas-pas vdekjes, harry bajraktari, Jim Xhema, Keshilli Kombetar Shqiptaro-Amerikan, nderohet, Nikolla Pano:, richard lukaj, Urdheri "Gjergj kastrioti"

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES “VATRA” U DEKORUA ME “URDHËRIN E FLAMURIT”

September 28, 2014 by dgreca

Ndërkohë që VATRA u dekorua me dekoratën më të lartë të Shtetit Shqiptar, residenti i nderit i Vatrës, Agim Karagjozi dhe Kryetari aktual i VATRES Gjon BUcaj, u dekoruan me Urdhërin”Nderi i KOMBIT”/
Në mbrëmjen e së shtunës së 27 Shtatorit, në restorantin e njohur MAESTROS, vatranët dhe 15 shoqata të komunitetit shqiptar, pritën bujarisht presidentin e Republikës së Shqipërisë zotin Bujar Nishani.
Zotit Nishani ia uroi mirëseardhjen nën/kryetari i Vatrës, Agim Rexhaj.
Në fjalën e hapjes, z. Rexhaj, duke iu drejtuar të pranishmëve tha:” Më lejoni që në emërin tuaj t’ia urojmë mirëseradhjen Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Bujar NISHANI dhe Delegacioneve që e shoqërojnë:
MIRËSE ERDHËT ZOTI PRESIDENT!
Është kënaqësi që në këtë darkë, vijon tradita 104 Vjecare e Federatës Vatra, më e vjetra, më historikja e Kombit, ku bashkësitë Fetare janë së bashku, Luten së bashku, duke përcjellë kështu, traditën e tolerancës dhe vëllazërimit ndërfetar, traditë që edhe Papa Francesku, e potencoi dhe e ngriti aq lartë, gjatë dhe pas vizitës së tij të suksesshme në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë Etnike.
Po ashtu Vatra ndjehet mirë që në këtë mbrëmje përfaqësohen përvec saj edhe shoqatat e New Yorkut dhe më gjërë si: Shoqata Camëria,Bashkimi Kombëtar dhe Shkolla Shqipe, Fondacioni Plavë e Guci, Levizja e Legalitetit,New York, Shoqata Atdhetare Malësia e Madhe” Detroit, Shoqata Atdhetare “Ana e malit” New York, Fondacioni “Dedë Gjo Luli” në New York,Fondacioni “Dom Simon Filipaj” -New York, Fondacioni Humanitar “Malësia” në New York, Shoqata Atdhetare “Kraja” New York, Shoqata Atdhetare”Ulqini” Chikago, Shoqata “Rugova” në New York, Shoqata Kelmendi, Shoqata e Shkrimtareve etj. Pra e gjithë Shqipëria Etnike sic e ka ba Zoti ndodhet sonte këtu në këtë darkë bujare, duke përcjellë mesazhin e Kombit të bashkuar.
Kam nderin dhe privilegjin e vecantë që në emër të Vatrës dhe Vatranëve nga Amerika dhe Kanadaja, si dhe të gjitha shoqatave t’i uroj mirëseardhjen Zotit President dhe delegacioneve të vendlindjes. Mirë se keni ardhë në vendin e mikut më të madh të Popullit dhe Kombit Shqiptar, në Amerikën e Presidentit Ëillson, Klinton, Bush, që na janë gjendur në caste të vështira dhe kanë kontribut të vecantë në ekzistencën e Kombit Shqiptar.
Më pas ai ftoi koordinatoren e kësaj mbrëmjeje, studenten e dalluar shqiptaro-amerikane, fituese e një bursi të Fondit të Studentëve të Vatrës dhe së fundi përfituese e Fondit prestigjioz FulBright, zonjushën KRISELA KARAJA.
Më pas darkën e ka drejtuar studentja Krisela Karaja, e cila pas prezantimit të mysafirëve, ka ftuar pjesmarrësit që të ngrihen në këmbë dhe të përcjellin Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe të Hymnin Kombëtar Shqiptar.
Më pas:Një minut Heshtje për të rënët e Kombit!
Imam Edin Gjoni ka përcjellë Lutjen Fetare në emër të tre besimeve Fetare, rit ky tradicional i Vatrës që prej 104 vitesh.
Fjalën përshëndetëse në emër të Vatrës dhe të gjitha shoqatave e ka mbajtë Kryetari i Shoqatës CAMËRIA, Fuat Mamo.
Më pas ka përshëndetur Diplomati nga Kosova Korab Mushkolaj.
Presidenti Nishani ka fituar duartrokitjet e qindra pjesmarërsve tek ka vlerësuar diasporën shqiptare, Vatrën Historike dhe fjala e tij u shoqërua me duartrokitje të zgjatura.(Të plotë do të publikohet në Diellin e printuar)
Casti kulmor i mbrëmjes ishte dekorimi i Vatrës nga Presidenti Bujar Nishani me dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë” URDHËERI I FLAMURIT”. Po ashtu u dekorua me “Nderi i KOMBIT” Kryetari i nderit i VATRËS z. Agim KARAGJOZI dhe kryetari aktual Gjon BUCAJ. Duke marrë dekoratën e lartë, kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Bucaj, tha:
I nderuem z. President,
Në emën tim, të bashkëpuntorëve të mij dhe të gjithë vatranëvet dhe të dashamirëve te VATRËS, Ju shpreh mirënjohjen e thellë për nderimin që Ju i bani kësaj organizate 102 vjeçare, me dekoratën ma të lartë, Urdhëri i Flamurit Kombëtar, të cilën e marrim në dorëzim me krenari, si vlersim për ata patriotë të mëdhaj që e themeluen në frymën e atdhedashunisë dhe mbi bazat e demokracisë amerikane, dhe për të gjithë ata që e mbajtën pandërpremje në shërbim të kombit e të atdheut.
Për vatranët e sotëm dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan në përgjithësi, ky çmim prestigjoz na vjen edhe si mbështetje e fortë morale, në përpjekjet tona per t’a rritë dhe fuqizue Vatrën, që të mundet me i shërbye me dobi ma efektive çashtjes kombëtare. Me forcën morale dhe me prestigjin që i jep trashigimia e vet historike, ky institucion duhet të shfrytzohet për dobinë e kombit, me nji platformë që në rend të parë synon bashkimin e kombit dhe ecjen e tij drejt integrimit europjan, fitoren dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëvet që jetojnë në trojet e veta në shtetet për rreth, me nji përkushtim të veçantë për zgjidhjen e çashtjes çame.
Me këtë rast due të përshëndes të gjithë vatranët që, në këto dekadat e fundit, e kanë mbajtë Vatrën me përkushtim e sakrifica, si edhe vatranët e rij që po shtohen dita-ditës dhe që ata do t’ua përcjellin atë, të forte e të shëndoshtë, breznive të ardhshme.

********
Përsa i përket dekoratës time, Z. President, kjo më vjen si nji e papritun shumë e kandëshme, nji nderim i madh, për të cilin ju jam thellësisht mirënjohës, por edhe si nji obligim për t’u kujtue gjithmonë se shërbimi dhe nderimi për kombin janë detyra të vazhdueshme.
Gëzimin për këtë dekorim e shton fakti se, në këtë vit, me propozimin e VATRËS, do të dekoroni edhe vatranët që ranë viktima të pafajshme të regjimit gjakatar komunist.
Këtë nderim të sotem due t’a ndaj me bashkëpuntorët e mij dhe me të gjithë vatranët, si të hershmit për punën e përbashkët gjatë katër dekadave të fundit, ndër ta zoti Agim Karagjozi të cilin ju e dekoronii sonte me plot meritë, ashtu edhe me vatranët e rij që tash 3-4 vite i janë bashkue dhe gjithnji vazhdojnë t’i bashkohen VATRËS, tue krijue degë të reja në vendet ku banojnë shqiptarë në ShBA dhe ne Kanada, me vullnetin e fortë dhe me dëshirën për t’i shërbye çashtjes kombëtare me emnin dhe potecialin e saj. Jam i sigurtë se shumë prej tyne do të nderohen me çmime e dekorata të meritueme në të ardhmen.
Në anën përsonale, e ndjej nevojën me përmendë me krenari e mirënjohje farefisin tim dhe të gjithë banorët e katundin Arst, i ngjitun bashkë me Miliska, ku kam lindë dhe kam kalue fëmininë e parë, banorë të vorfën por fisnikë si të gjitha malsinat tona. E kujtoj me mall e mirënjohje Nanën, ndjesë pastë, që me ka dhanë bekimin me u largue në moshë të re, në kërkim të shkollimit, megjithë nevojën që kishte për ndimën e ma të madhit me i rritë katër fëmijt e mbetun heret pa babë.
Fati më ka sjellë me pasë mësuesa të mirë, shokë, miq te moshuem e të ri, në shtegtimin e gjatë prej vendlindjes, në Shkodër, ne Kosovë, në Itali dhe këtu në Amerikë, që kanë ndikue në formimin tim, me etjen për dituni dhe me frymën e atdhedashunisë. Tash jam bashkshort dhe prind i lumtun, dhe përjetoj gëzim të pafund kur ndëgjoj thirrjet në gjuhën shqipe: “Baba Gjysh, të due shumë”.
Në emër të z. Agim Karagjozi ka falenderuar i biri, Zuhdi Karagjozi dhe e bija.
Të pranishmit u argëtuan nga DJ Bujar Uka me bashkëshorten Anila , ndërsa Shoqëria Kulturore KELMENDI dhe Bashkimi Kombëtar, sollën Shqipërinë në sallën e mbrëmjes.
Deri në mesnatë ka vazhduar darka me këngë e valle shqiptare.(Me gjërë do të lexoni në Diellin e Printuar).

Filed Under: Vatra Tagged With: agim karagjozi, Gjon Bucaj, Nderi i Kombit, presidenti Nishani, Urdheri i Flamurit, Vatra

Papa Françesku në Shqipëri – porosi dhe trashëgimi për ne

September 28, 2014 by dgreca

Shkruan: Nga Don Lush Gjergji/
Gjithnjë jetoj dhe përjetoj skenat madhore të kësaj vizite baritore Kishës Katolike në popullin shqiptar, Shqipërisë, të gjithë shqiptarëve në Ballkan, në Evropë dhe në botë. Ishte një takim, edhe më tepër përqafim, mes Papës dhe neve, kur hapte dorën për të përshendetur dhe bekuar morinë e popullit nga aereoporti “Nëna Tereze”, nëpër sheshin “Nëna Tereze”, nëpër rrugët e Tiranës. Kudo brohoritje, gëzim, ngazëllim, kënaqësi, shikime në sy ndaj Atit të Shenjtë, pastaj ndaj njëri-tjetrit, si ta pyesnin njëri-tjetrin: a është e vërtetë, e mundshme, reale kjo, apo po ëndërrojmë?
Fatbardhësisht është e vërtetë! Papa Françesku ishte në Tiranë, në Shqipëri, në vizitë baritore mbarë popullit shqiptar. Unë këtë ngjarje e kam cilësuar si “mrekulli” dhe dhuratë të Zotit, të Kishës, të Papës për shumë arsye, ndër të cilat janë ato që vetë Papa Françesku i ka cekur: martirizimin dhe bashkëjetesën ndërfetare.
“E para sepse shqiptarët kanë arritur të krijojnë një shtet të unitetit kombëtar midis tri feve kryesore të shqiptarëve, islamizmit, ortodoksisë dhe katolicizmit, falë një Këshilli Ndërfetar që vepron me shumë ekuilibrim”. Kjo tha Papa është një gjë e mirë dhe shtoi se, “Prania e Papës (në Shqipëri) do të shërbejë për t’i thënë të gjithë popujve të botës se është e mundur të punohet dhe të veprohet së bashku.”
Arsyeja e dytë me rëndësi pse ai po viziton Shqipërinë në shtator, ka të bëjë me historinë e Shqipërisë, e cila sipas tij, ishte unike ndër vendet ish-komuniste, kushtetuta e së cilës ndalonte me ligj fenë dhe se ishte shpallur vend ateist. “Të merrje pjesë në meshë, ishte kundër kushtetutës” së regjimit komunist, u tha Papa gazetarëve të huaj. Sipas Radio Vatikanit, gjatë përgjigjes ndaj pyetjes mbi vizitën e ardhëshme në Tiranë, ai përmendi gjithashtu edhe shkatërrimin e kishave gjatë sundimit komunist dhe si përfundim, ai sot e ndjenë si detyrë që të vizitojë atë vend fisnik”, është cituar të ketë thënë Papa.
Papa Françesku ndër të tjera tha kështu në intervistën lamtumirëse nga Shqipëria: “Shqiptarët nuk janë tolerantë, ata janë vëllezër pa dallime feje. Së bashku kanë përballuar martirizimin, së bashku kanë ndërtuar demokracinë, së bashku jetojnë dhe veprojnë…”.
Cila ishte porosia kryesore e pranisë dhe fjalës së Papës Françeskut në Shqipëri? Çka tha, çka gjeti në Shqipëri, çka na la si porosi dhe trashëgimi? Sigurisht se për një kohë të gjatë mjetet pamoro-dëgjimore, njerëzit, analistet do të mundohen nga këndvështrimet e ndryshme ta ndriçojnë, interpretojnë, shqyrtojnë, trajtojnë këtë vizitë, çastet kulmore, fjalimet, gjestet, mbi të gjitha jehonën dhe domethënien për ne dhe për botën e sotme. Unë do t’i theksoj disa elemente të rëndësishme dhe shumë aktuale.
1.LASHTËSIA E KRISHTËRIMIT NDËR NE
PapaFrançesku ndër të tjera ka çmuar dhe përkujtuar, për ne dhe për botën, një gjë të madhe dhe të rëndësishme, që shpesh harrohet apo anashkalohet, historinë e krishtërimit tonë që nga kohët apostolike, pra, lashtësinë tonë si të krishterë, sepse ishin ndër të parët e këtyre trojeve që e kemi pranuar Krishtin dhe porosinë ungjillore. Ja fjala dhe theksimi i Papës Françeskut në homeli lidhur me lashtësinë e krishtërimit tonë: “Paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj!… Ata që kishin frikë nga e vërteta e nga liria, bënin ç’ish e mundur ta dëbonin Hyjin nga zemra e njeriut e ta përjashtonin Krishtin e Kishën nga historia e vendit tuaj; ndonëse ai që më të hershmit që mori dritën e Ungjillit… Në Leximin e dytë, dëgjuam të përmendet Iliria, në kohën e apostullimit të Palit, përfshirë edhe trojet e Shqipërisë së sotme…”.
Të mërkurën, më 24 shtator 2014, në Audiencën e Përgjithshme në Romë, Papa Françesku përkujtoi dhe komentoi kështu udhëtimin e tij në Shqipëri: “Falënderoj edhe një herë Zotin, sepse, në këtë Udhëtim, më dha mundësinë të takohem me një popull të guximshëm e të fortë, që nuk u përkul para dhimbjes. Vëllezërve e motrave të Shqipërisë u përsëris ftesën për të pasur guximin e së mirës, për të ndërtuar të tashmen e të ardhmen në vendin e tyre e në Evropë”.
2-MARTIRIZIMI SHEKULLOR
Kjo gjë na ka kushtuar shumë gjatë shekujve, nën sundimin e parandorisë romake, gjatë dyndjeve të popujve sllavë, në sundimin pesëshekullor turko-otoman, sidomos nën sundimin e egër komunisto-ateist me martirët e lavdishëm. Papa Françesku ndër të tjera në homelinë e Meshës në Tiranë tha“Duke sjellë përsëri në mendje dhjetëvjeçarët e vuajtjeve mizore e të pesekutimeve të egra kundër katolikëve, ortodokëve, myslimanëve, mund të themi Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre… Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur në këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahët e shqiponjës, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit… Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për të mbëshetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë afër nesh, posaçërisht në çaste të vështira… Kishë, që jeton në këto troje të Shqipërisë, falëinderit për shembulliun e besnikërisë ndaj Ungjillit. Shumë nga bijtë e bijat tuaja vuajtën për Krishtin, edhe deri në flijim e jetës…”.
Përshtypja më e thellë e Papës Françesku ishte mbrëmësorja në katedralen “Shën Pali” në Tiranë, pas dëgjimit të vëmendshëm ta dy dëshmive rrënqethëse të Don Ernest Troshanit dhe motrës Maria Kaleta. Papa qau. Së bashku me të qajtem edhe ne. Ishin lot gëzimi, rrënqerhjeje, tronditjeje, aq sa Papa e la tekstin e përgatitur dhe foli në mënyrë spontane. “Nuk e kam ditur se keni vuajtur kaq shumë… Sot kam prekur me dorë martitrët…Feja e vëretë është burim paqeje e jo dhune! Askush nuk mund ta përdorë emrin e Hyjit për të ushtruar dhunë. Të vrasësh në emër të Hyjit është sakrilegj i madh. Të diskriminosh në emër të Hyjit është çnjerëzore…Vijoni të jeni për vendin tuaj, e jo vetëm, shenjë që tregon se janë të mundura marrëdhëniet e përzemërta të bashkpunimit të frytshëm ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare… Jam befasuar shumë… nuk e dija që populli juaj ka vuajtuir kas shumë…”.
Në Audiencën e Përgjithshme të mërkurën pas vizitës në Shqipëri, Papa Françesku, prapë iu kthye përjetimeve dhe vlerësimeve të këtij takimi, ku ndër të tjera tha kështu: “Prandaj, martirët nuk janë të mundur, por fitimtarë: në dëshminë e tyre heroike shndrit sërish gjithpushteti i Zotit, që gjithnjë e ngushëllon populline vet, duke hapur udhë të reja e horizonte shprese. Këtë mesazh shprese, bazuar në fenë e Krishtit e në kujtimin e së kaluarës, ia besova krejt popullsisë shqiptare, të cilën e pashë entuziaste dhe të gëzuar në vendet e takimeve e në kremtime, ashtu si edhe në rrugët e Tiranës…”.
Papa Françesku duke folur në mënyrë spontane për simbolin tonë kombëtar, Shqiponjën, ndër të tjera përkujtoi dhe tha seajo e ka çerdhen e vet, por fluturon në lartësi, figurë tejet e bukur dhe domethënëse për popullin tonë, dhe di rishtas të kthehet në çerdhen e saj.
“Shqiponja jonë” e Lumja Nëna Tereze, është pa dyshim fryt i martirizimit dhe bashkëjetesës, vëllazërisë gjithshqiptare, që ajo e ka realizuar në mbarë botën me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.
3.POPULL I RI DHE SHPRESËDHËNËS
Jemi populli më i ri në Evropë, me shumë gjallëri dhe vullnet për jetë dhe për punë. Këtë e ka hetuar edhe Papa Françesku, i cili risnisë sonë ia dha një frymëzim për jetë, ardhmëri, duke u ruajtur prej “tundimeve” të sotme, siç janë materializmi, konsumizmi, hedonizmi, relativizmi dhe ateizmi praktik. Ai në mbarim të meshës në Tiranë, ndër të tjera ia la këtë porosi rinisë shqiptare. “Me forcën e Ungjillit e me shembullin e martirëve, të dini t’i thoni “jo” idhujtarisë së parasë; “jo” lirisë së rreme individualiste; “jo” varësive e dhunës; e t’i thoni “po” kulturës së takimit e të solidaritetit; “po” bukurisë së pandashme nga e mira e nga e vërteta; “po” jetës së shkrirë për ideale të mëdha, por besnike edhe në gjërat e vogla. Kështu, do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë e një botë më të mirë…”.
4-VËLLAZËRIA DHE BASHKËJETESA NDËRFETARE SHQIPTARE
Në takimin e Papës Françesku me udhëheqësit e feve tjera ai ndër të tjera tha: “Është e rëndësishme që jeni këtu së bashku: është shenjë e dialogut që jetoni ditë për ditë, duke u përpjekur të lidhni me njëri-tjetrin marrëdhënie bashkëpunimi vëllazëror, për të mirën e mbarë shoqërisë… Nuk mund të dialogohet, nëse nuk nisemi nga identiteti vetjak, nuk shërben. Secili nga ne ka identitetin e vet, është besnik ndaj tij… E kështu, si vëllezër, ecim së bashku. E secili nga ne ia ofron tjetrit dëshminë e identiteti të vet e dialogon me tjetrin, së bashku, pa tradhtuar identitetin e fesë, pa e maskuar, pa hipokrizi… Të dashur miq, ju bëj thirrje të mbani dhe të thelloni traditën e marrëdhënieve të mira ndërmjet bashkësive fetare në Shqipëri dhe të ndjeheni të bashkuar në shërbim ndaj atdheut tuaj të shtrenjtë… Të gjithë bashkë, për të mirën e Atdheut e të njerëzimit! Vijoni të jeni për vendin tuaj, e jo vetëm, shenjë që tregon se janë të mundura marrëdhëniet e përzemërta dhe të bashkpunimit të frytshëm ndër njerëz me përkatësi të ndryshme fetare…”.
Ja përjetimi dhe dëshmia bindëse e Papës Françeskut dhënë të mërkurën pas vizitës së tij në Shqipëri, në Audiencën e Përgjithshme, duke thënë: “Për këtë, në qendër të këtij Udhëtimi, qe një takim ndërfetar, në të cilin pata mundësi të shoh me mkënaqësi të thellë se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve e bashkësive, që u përkasin feve të ndryshme, jo vetëm mund të dëshirohet, por është konkretisht e mundur dhe e zbatueshme në praktikë. Ata e praktikojnë! Është fjala për një dialog të vërtetë e të frytshëm, larg relativizmit, duke pasur parasysh identitetin e secilit. Në fakt, ajo që i bashkon shprehjet e ndryshme të fesë, është udha e jetës, vullneti për t’i bërë mirë të afërmit, pa e mohuar e pa e nënvlerësuar identitetin e secilit…”.
Nëpërmjet Papës Françesku ishim edhe një herë në “skenën botërore” për ta treguar dhe dëshmuar para Papës, para mbarë botës, kush kemi qenë dhe jemi si shqiptarë dhe si fetarë, çka duam, presim dhe kërkojmë prej njëri-tjetrit, prej botës, cili është orjentimi dhe përcaktimi ynë kulturor, shpirtëror dhe shoqëror, për të tashmen dhe për ardhmerinë tonë sa më të mirë.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe trashëgimi, don Lush Gjergji, Papa Françesku në Shqipëri – porosi, për ne

Nishani: Kontributi më i mirë që mund t`i jepni botës shqiptare është integrimi në shoqërinë ku jetoni

September 28, 2014 by dgreca

Presidenti Nishani takohet me Rrjetin e Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë/
Gjatë qëndrimit të tij në New York, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit nё njё atmosferё shumё tё ngrohtё nga anёtarё tё shumtё dhe drejtues tё Rrjetit tё Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë (Albanian Professionals and Entrepreneurs Network) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me tё cilёt zhvilloi njё bashkёbisedim tё hapur pёr zhvillimet nё Shqipёri, perspektivёn e integrimit, marrёdhёniet me Shtetet e Bashkuara, bashkёpunimin me diasporёn, etj.
Presidenti Nishani ishte gjithashtu i ftuar edhe nga Organizata “Rrёnjёt Shqiptare”, njё organizatё qё punon pёr promovimin e trashёgimisё kultuore shqiptare, pёr tё kremtuar pesёvjetorin e themelimit tё saj.
Mё poshtё ёshtё fjala pёrshёndetёse e Presidentit të Republikës në takimin me Rrjetin e Profesionistёve dhe Sipёrmarrёsve Shqiptarё:
“Të nderuar miq,
Bashkatdhetarë,
Motra e vëllezër,
Zonja e zotërinj,
Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem sërish me ju në çfarë është bërë tashmë një takim i rregullt, për të ndarë mendime dhe ide për çështje, të cilat janë me interes për të gjithë ne, dhe të cilat kanë të bëjnë me rrugëtimin tonë përgjatë rrugës së zhvillimit dhe progresit. Më lejoni të përfitoj nga ky rast t’ju falenderoj për ftesën tuaj, për praninë tuaj, dhe për mundësinë që ju më keni dhënë për një bisedë të hapur dhe të sinqertë.
Në kohërat e sotme të komunikimit të menjëhershëm, të mundësive të gjithanshme të informimit të shpejtë, kur pothuajse çdo gjë është publike dhe zhvillimet ndiqen shpeshherë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe interpretohen në forma e mënyra të ndryshme nga gjithsecili, është e vështirë të vish nga Tirana për të sjellë ndonjë gjë të re, të paditur. Duhen vetëm pak sekonda për të mësuar nga çdo cep i botës, çfarë ndodh përditë në Shqipëri dhe në Kosovë. Do të doja, megjithatë, që këto pak minuta t’i shfrytëzoja për të theksuar disa momente që mendoj se paraqesin interes edhe për ju:
Së pari, ne nuk do të lodhemi duke përmendur dhe përsëritur atë që është arritur në histori si kontributi më i madh, që janë përpjekjet e admirueshme dhe mbështetja e ofruar nga komuniteti shqiptar në Amerikë, bijtë dhe bijat e Shqipërisë, zemra e të cilëve, pavarësisht distancës, kurrë nuk pushuan së rrahuri me ritmin e vëllezërve dhe motrave në atdhe. Respekti ynë dhe vlerësimi për ta është vendosur përfundimisht në altarin e vlerave më të larta të kombit.
Megjithatë, për fat të mirë, kohët kanë ndryshuar. Dhe kanë ndryshuar shumë dhe për mirë në lidhje me atë që edhe ëndërrimtarët më të guximshëm vështirë se e kishin imagjinuar. Shqipëria dhe Kosova janë duke jetuar në realitete që nuk kanë të krahasuar me asgjë të ngjashme në historinë tonë. Ne jetojmë në paqe, në bashkëpunim dhe mirëkuptim, në marrëdhënie dinamike, por edhe në një konkurrencë të shëndoshë me të tjerët. Krahasimet me të kaluarën shërbejnë pa dyshim si leksione të mrekullueshme të historisë, edhe pse obligimet tona maten sipas angazhimeve, të cilat rinovohen çdo vit, dhe shpesh në terma edhe më afat-shkurtra.
Reformat dhe progresi i Shqipërisë janë, para së gjithash, një arritje e qytetarëve shqiptarë, janë prova e përpjekjeve të tyre me ndikim të gjerë, dhe janë një përkthim i natyrshëm i dëshirave, ëndrrave dhe qëllimeve kolektive. Ato janë investim i brezit të sotëm për të kompensuar të kaluarën sa më shpejt të jetë e mundur, për të fituar kohë, për të investuar në të tashmen dhe për të siguruar më mirë të ardhmen. Megjithatë, reformat dhe zhvillimi jonë janë padyshim rezultat i bashkëpunimit të vendosur me partnerët, miqtë dhe me mbështetësit tanë dashamirës jashtë vendit, mes të cilëve SHBA zënë një vend kryesor.
Është gjithashtu një e vërtetë e padiskutueshme se rreth 1.2 milion shqiptarë – më shumë se një e treta e popullsisë në vend sot – të cilët e kanë bërë zgjedhjen, gjatë dy dekadave të fundit, të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, japin një kontribut të çmuar dhe të mirëpritur në mënyra dhe forma të ndryshme, madje edhe kur ai nuk është drejtpërdrejt i dukshëm. U deshën disa vite për të kuptuar një gjë të thjeshtë: mungesa e shqiptarëve në tribunat e nderit, në altarët e vlerësimit apo tribunat e shkëlqimit nuk kishte të bënte me ndonjë lloj pamundësie të qenies tonë. Kjo kishte të bënte me sistemin që nuk i jepte atyre një mundësi për të qenë të realizuar. Artistë, aktorë, këngëtarë, atletë, gazetarë, studentë të shkëlqyer në universitete të famshme, sipërmarrës të rinj dhe të suksesshëm në fusha të ndryshme, me pak fjalë, ju që jeni sot këtu jeni një dëshmi e vlerave të fshehura, aftësive të pashfrytëzuara dhe rezultateve të munguara. Me suksesin tuaj, ju i keni dhënë vetes dhe familjes tuaj, por edhe Shqipërisë një krenari të ligjshme dhe ju meritoni mirënjohjen tonë. Jeta dhe interesat tuaja këtu, në këtë shoqëri, por unë ju inkurajoj që të vazhdoni të jeni të interesuar dhe të lidhur me Shqipërinë, me zhvillimet atje, sepse përvoja të tjera, këshilla dhe kontributet kurrë nuk do të jenë të tepërta apo të panevojshme.
Shqipëria është anëtare e NATO-s – dhe pas zhvillimeve dramatike në Ukrainë, të gjithë e kuptuan menjëherë rëndësinë strategjike të kësaj arritje të madhe të Shqipërisë. Ndërkohë, Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat në BE disa muaj më parë dhe ajo është më afër se kurrë me BE-në. Pikërisht për arsyen se jemi në rrugën e një zhvillimi dinamik, me qëllime ambicioze, dhe duke u përballur, si çdo vend, me atë që e ardhmja parashikon për ne, ne kemi nevojë edhe për më shumë miq, më shumë lidhje, më shumë njohje, dhe më shumë mundësi. Prandaj, një organizim më i mirë, bashkëpunim edhe më i afërt për të maksimizuar ndikimin në shoqërinë në të cilën ne jemi të integruar, është ndoshta mbështetja më e madhe dhe cilësore që mund të jepet për Shqipërinë, për Kosovën, për botën shqiptare, si pjesë e pandarë e botës perëndimore.
Në një vend si SHBA, ku organizimi i komunitetit është jo vetëm një e drejtë, por një mënyrë e funksionimit të shoqërisë, aftësia për të bashkuar kontributet personale është një garanci për sukses. Kështu, unë do të doja t’ju inkurajoj që të ofroni praninë e aktivitetit tuaj në këtë vend në të gjitha dimensionet e mundshme të suksesit dhe prosperitetit për ju dhe familjet tuaja, por edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë.
Edhe pse gjeopolitika e sotme nuk mund të përcaktohet lehtë, nuk ka dyshim se roli, zëri, ndikimi dhe impakti i Shteteve të Bashkuara në botë do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm në aspektin e politikës të zhvillimit ndërkombëtar. Ky vend ka mbërritur këtu, ku është tani, falë lirisë, iniciativës individuale, kurajos për tu përballur me rreziqe dhe, për shkak se është bazuar tek barazia shoqërore para ligjit. Mundësia, të cilën çdo qytetar gëzon në lidhje me arritjen e niveleve më të larta, deri në pozitën e qytetarit të parë të vendit, është në themel të zhvillimit të këtij vendi dhe garanci për të ardhmen. Mark Gjonaj është bërë tashmë shembulli që tregon se nuk ekzistojnë më pengesa apo kufij të pakapërcyeshëm për brezin e ri të shqiptaro-amerikanëve. Unë jam i sigurt se suksesi i tij është sukses i komunitetit shqiptar këtu dhe se ndihma dhe mbështetja juaj ishin vendimtare për fitoren e programit dhe ideve të tij.
Më lejoni të theksoj se kontributi më i mirë, më i vyer që mund t`i jepni Shqipërisë dhe gjithë botës shqiptare është të organizoheni, të gjeni mënyrën për të qenë sa më të integruar në shoqërinë ku jetoni dhe si të tillë e me një zë të fortë të mund të ndikoni aty ku keni mundësi për të bërë që të tjerët të na njohin, me ato që kemi më të mira dhe të mundësoni që interesat që na lidhin e bashkojnë të mbrohen e nxiten më së miri.
Duke ju uruar sukses e begati në të gjitha planet, unë jam i gatshëm t’i përgjigjem ndonjë interesimi të veçantë.
Ju falemnderit!”(Foto:Kortezi: Beqir Sina)

Filed Under: Komunitet Tagged With: APN, Nishani, organizohuni

Liri Berisha merr Çmimin e Arritjes Globale për Autizmin

September 27, 2014 by dgreca

7th Annual World Focus on Autism Takes Place in NYC/
Nga BEQIR SINA – New York City/
NEW YORK CITY : Organizata më e madhe botërore “Autism Speaks” ka nderuar me Çmimin për Arritjet Globale për Autizmin, Presidenten e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, zonjën Liri Berisha për Arritjet Globale në Luftën Kundër Autizmit. Ky është viti i dytë që “Autism Speaks” jep një çmim të tillë, ndërsa është hera e parë që i akordohet zonjës Berisha. Çmimi ju dorëzua gjatë punimeve të takimit të 7-vjetor të Fokusit Botëror për Autizmin, që po mbahet paralelisht me punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.
E pranishme ishte Princesha e Monakos, zonja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon si dhe zonja të tjera të para nga vende të ndryshme dhe personalitete të ndryshme në luftën kundër autizmit. Suzzane Wright, drejtuese e “Autism Speaks” vlerësoi punën e Presidentes së Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, duke u shprehur se, ajo ka ndryshuar të ardhmen për njerëzit me autizëm në Shqipëri dhe tani ajo po punon në të gjithë rajonin.
“Dr. Liri Berisha është një kombinim unik e një largpamëseje dhe luftëtareje. E dija, që nga momenti i parë që ne u takuam në Forumin e Shafallah-së në Katar, në 2008, se ajo do të ndryshonte botën. Ajo ka ndryshuar të ardhmen për njerëzit me autizëm në Shqipëri dhe tani ajo po punon në të gjithë rajonin”, u shpreh Suzzane Wright.
Çmimi i dhënë vjen për spikatjen e zonjës Berisha në Komunitetin Ndërkombëtar të Autizmit, si një drejtuese e shquar në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe profesional për autizmin në Shqipëri, për ngritjen në Tiranë të qendrës klinike bashkëkohore si dhe për mbështetjen e saj në krijimin e Rrjetit të Autizmit për Evropën Juglindore të ministrave të Shëndetësisë nga vendet e Rajonit.
Zonja Berisha i falenderoi për këtë çmim dhe u shpreh se, ky çmim është një lajm i mirë për çdo shqiptar. Për zonjën Berisha ky është një vlerësim i përpjekjeve të të gjithë personelit të Qendrës Rajonale të Autizmit, në mënyrë të veçantë për prindërit e përkushtuar ndaj fëmijëve të tyre. “Të dashur Suzzane dhe Bob, ky çmim është një dedikim për ju, për ndriçimin e shpresës për të gjithë ata që sfidojnë autizmin në mbarë botën. Si nënë, pediatre dhe Presidente e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, nuk mund të mendoj për një vlerësim më të mirë për punën e vështirë dhe arritjet që ne kemi bërë gjatë viteve të fundit, duke përmirësuar jetën e të gjithë atyre të prekur nga autizmi në Shqipëri”, u shpreh Liri Berisha.
Organizata Ndërkombëtare “Autism Speaks” në takimin e shtatë vjetor e vuri theksin në rritjen e shpejtë të numrit të fëmijëve autik në botë dhe nevojave në rritje të këtij komuniteti. Të dhënat tregojnë se, autizmi po prek rreth 1% të popullsisë globale.

Filed Under: Kronike Tagged With: Çmimin e Arritjes Globale, Liri Berisha, për Autizmin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4381
  • 4382
  • 4383
  • 4384
  • 4385
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT