• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një darkë që nuk e kam “paguar” akoma

April 15, 2014 by dgreca

Kujtimit të Atë Dhimitër Priftit/
Tregim i jetuar/
Nga Përparim Hysi/
Kisha dy vjet që punoja në atë fshat të largët. Qe aq larg nga shtëpia ime, sa , po ta bëja të gjithë rrugën në këmbë, donte pa frikë nja 7 orë të mira. Shpesh unë në këmbë e bëja dhe, vetëm disa raste, të paktën gjysmën e rrugës e bëja në këmbë. Flitet për vitin 1960 kur, ende, në atë krahinë të largët të Fierit, nuk kish rrugë për makina. Qeshë emëruar mësues në shkollën 7-vjeçare të Ndërnënasit, fshati më i largët që përfshihej në lokalitetin e Libofshës. Fshati qe goxha i madh dhe, përfshirë në kooperativën e bashkuar, qe si qendra e disa fshatrave. Vërtet larg nga Fieri dhe, gati 10km, nga Libofsha që qe dhe qendra e lokalitetit, por nxënësit ishin jo vetëm të urtë, por dhe të dhënë pas mësimeve. Unë punova tri vjet (nga viti 1959-1962), por përshtypjet për fshatin dhe për nxënësit e kësaj klase (janë të vitit shkollor 1960-1961), i kam nga më prekëset. Klasa kishte gati 25 nxënës (flitet për klasën e shtatë) dhe qenë aq të mirë,sa nuk dije kujt t’i vije katër e kujt pesë. Katër e pesë, se në ato vite, nota më e lartë qe pesa. Ata qenë njëri më i mirë se tjetri dhe ky përparim cilësor i tyre çoi në një tregues që dhe sot më emocionon. Të gjithë ata nxënës cilësorë, u arsimuan më tej dhe tri të katërtat e tyre u bënë mësues dhe të tjerët: kush ekonomist, kush agronom; kush oficer; kush mekanik dhe njëri që qe,si pak veçantë, u bë muzikant. Që në shkollë, i binte violinës. Violinë që e kish bërë me dorën e vetë. Po ju mos kujtoni se në këtë “skërkë” të fundit ( më tej kishte vetëm det ose kënetë) ja doli një muzikant made in Stradivar. Jo, po ai nxënësi i veçantë me vesh për muzikë,atë violinë pati si “pasaportë” që mori porvimet e lirimit (qe i vetmi që s’para ia thoshte për mësime) dhe, më tej, kur shkoi ushtar mbante në këmbë gjithë regjimentin. Po atje, në regjiment, kishte një violinë të vërtetë. “Stradivari” i vogël qe Llaqi i Petro Dhanit. Në nuk po zgjatem edhe më për atë “Stradivarin” e vogël nga Ndërnënasi i Libofshës, e bëj për faktin se në këtë tregim do flas po për një nxënëse të asaj klase cilësore që qe bashkëshoqe klase me muzikantin. Kam arsye të qëndroj tek kjo nxënëse. E kam fjalën për nxënësen time të asaj kohe (më vonë ajo u bë mësuese shumë e mirë për gjuhë e letërsi shqipe), Jorgjie Dhimitër Prifti.

* * *
Në po e veçoj Jorgjien nga bashkëshokët e saj të asaj klase, kam një arsye madhore. Jorgjia ishte vajza e priftit të fshatit. Në ato vite bursat për të vazhduar shkollat e mesme jepeshin nga shkolla. Drejtoria merrej me listat për nxënësit ku kirteri dihej: politika në plan të parë. Nga kjo anë, ata meritonin që të shkonin që të gjithë në shkollë. Dhe, pothuaj, që të gjithë shkuan. Bursa kishte me shumicë dhe kishte raste që “tepronin”,se familjet nuk kishin mundësira më elementare për t’i dërguar në shkolla. Rrezikohej Jorgjia ( si çupë prifti) dhe, veç saj,edhe Perikli Çuni. Ky i fundit se i ati qe anti kooperativë. Në gjithë atë fshat të bashkuar, Llukë Çuni, e ndizte oxhakun veç. E pati parë kooperativën me syrin e njerkës dhe shteti e partia i vinte kufirin tek thana: Perikliu, ai floriri i vogël i klasës, mbeti pa bursë. *
Pra, Jorgjia, që, pothuaj, ma rrëmbente fjalën nga goja kur flisja për letërsinë rrezikohej. Sado që qe vënë barrierë e tillë, e bisedova me drejtorin (qe njeri shumë i mirë) që mund ta dërgonim dhe Jorgjien për në pedagogjike. Dhe unë u futa në “valle”, por pak me shejtanllëk.
* * *
Atë Dhimitri qe prift. Qe burrë i zgjuar dhe kishe qejf të bëje muhabet me të. Jo vetëm kaq: ekonomikisht, sado që kishte një tuf me fëmijë,qe mirë. Mbi nivelin e jetesës të të gjithë fshatarëve, me përjashtim të atij “antit”, Llukë Çunit! Atë Dhimitri, sa i zgjuar qe, po aq dhe hokatar. Nuk ia hante qeni shkopin kollaj dhe, tek bisedonte me dikë që s’e njihte, e vinte në kandar: ia vlente apo nuk ia vlente. Mua më hahej muhabeti me të, por asnjëherë nuk kish ndodhur që të më thoshte (unë flija në fshat), urdhëro andej nga shtëpia. Bashkëfshatarët që ia dinin huqet thoshin për të:- Zor se fut njeri në shtëpi, por, po e futi, nuk ka njeri më të pritur. Unë tanimë e kisha marrë këtë “informacion” dhe sikur i vura vetes detyrë që, o të haja një darkë atje, në shtëpinë e tij, o do bëhej kiameti. Dhe, tek Jorgjia e kish mbaruar klasën e shtatë me të gjitha pesa, i them Atë Dhimtrit:- Dëgjo, po të rregullova një bursë për Jorgjien, e shtron një darkë ti “papu” a jo? – Po në vend,- m’u përgjigj: çak-fak. E thënë,e bërë. Frymën unë tek drejtori dhe i them:- Një bursë për pedagogjike do ja japim Jorgjies,se është me të gjitha notat pesa! Sidomos, në lëndët e mia,qe nga më të mirat! E di që, po ta lexojnë tregimin tim shumë nga nxënësit e mi (ata sot janë në pension) mund të mërziten,se me pesa kanë qenë dhe ata, si: Perikliu,Hilli,Liria,Naunka,Lefteria, Olimbia,Sokrati e të tjerë, por Jorgjien e veçoj për arsye tjetër.

* * *
Pasi e mbushi drejtori, Andon Gjerazi, shkresën për akordimin e bursës me atë në xhep dhe drejt e tek prifti. – Ta gëzosh,- i them. Në shtator Jorgjia do shkoj në pedagogjike të Tiranës. Tek ia zgjata shkresën, e pashë që fytyrën ia mbuloi një buzëqeshje, por vetëm për pak. Pastaj ai u bë, po ai: Atë Dhmitri që unë,si të gjithë për reth, i thoshin “Papu”. Unë, me që e kisha bërë realitet detyrën time, prisja që jo vetëm të më falnderonte, por dhe të më ftonte për darkë. Po kështu e kishmim dhe “kontratën” me të. Po ai as i zi dhe as i bardhë. Unë po mënd po plasja nga e keqja. E kisha marrë si me revan. Gojën tërë jetës e kam patur brisk. Dhe këtë radhë e zbraza:- Të bëmë goxha nder, po të çojmë Jorgjien në shkollë për mësuese dhe ti as po na fton për darkë?!!! Po ku ia hante qeni shkopin kollaj atij njeriu aq të zjguar dhe aq të mirë? – U bëre ti, një “fiçorr” nga Petova, të më bësh nder? Nderin ma ka bërë partia e punës, dhaskal!!! Kur tha, kështu, ia dha një të qeshuri, sikur me këtë po më thoshte: vëri majat nga ke thëmbrat! Gjete qishë ku të falesh! Dhe,vërtet, asi kohe unë qeshë një “fiçorr”.
Natyrisht, ky dush me ujë të ftohtë ma nxori dalldinë e darkës që do haja, dhe bërë si ajo era që fryn për të nxjerrë shi, frymën e mbajta tek dhoma ku flija. Xha Zariku, roja e atij mjedisit ku kishte depo kooperativa, më pa dhe lexoj shqetësimin tim. Më pyeti dhe ia tregova se ç’ma “punoi” ai “Papu”. Aha,- tha Xha Zariku,- nuk futet “Papu” aq lehtë në kular, por bukën nuk e ha thatë ai,dhaskal. Digjo, xha Zarikun ti, prapa i vjen haberi këtij muhabeti. – Po ç’prapa, o xha Zarik, -turfullova
unë,- i bëmë gjithë atë nder dhe të ma bëj kështu. – Or çun, mos e merr përpjekur. Kush e merr përpjekur, rrëxohet. Ma mbaj vesh llafin plakut ti. Po unë, tanimë, qeshë ndarë me darkën apo drekën e Paput.

* * *
Kishin kaluar nja dy-tri ditë dhe një perëndim dielli, tek po kaloja (rruga shkonte mu pranë shtëpisë së priftit) rugës për tek dhoma ku flija,pashë priftin në oborr. Bëra përshëndetje me të dhe, tek i thashë natën e mirë, dëgjova që tha, si nëpër dhëmbë:- Po pse nuk kthehesh për darkë? Kaq. Vetëm njëherë,po ai kish harruar që unë mezi e prisja një ftesë të tillë. – Ja, u ktheva,- thashë. Dhe hyra në oborr.
Po ai shpotitës siç qe, ma pati:- Ku do vesh? Po unë sa shalova kalin dhe do iki në Shën Kozma! Po ku dëgjoja unë me atë vesh. Flakë për flakë:-Shko daç për Shën Kozma dhe daç për Shën Gjergj. Dhe bëra për brënda. Pa u ulur mirë, ai mbrriti, më hodhi duarët në qafë dhe, prapë shpotitës, sulmoi:- Ore, e di ti që ku hyn pa ftuar, e gjen pa shtruar!!! Opo lëri ato,se nuk luaj unë. E, kështu, hidh e prit me “rrotulla”, dhe ja tek ulemi ballë për ballë. Filloi muhabeti dhe,pastaj, sofra. Ajo sofër me gjithë ato të mira. Ajo pritje që zor se ia kam gjetur shoqen kund. Qe aq i çiltër dhe aq gazmor, sa të jepte përshtypjen se mezi e kish pritur një takim të tillë. Nuk la fjalë pa më falnderuar për nderin që i kisha bërë , por nga shpotia as që hiqte dorë. Më thotë aty nga mesnata, kur bëheshim gati të flinim gjumë,:- Ore, dhaskal, ti je skrapali rritur në Myzeqe, por nuk i di zakonet tona. Po prisja që ta çonte më tej ligjëratën dhe e mbaj mend mirë që më tha:- Në Myezeqe, dhaskal, thonë : – Po there pulën e botës, bëj hazër tënden! E kuptova ç’donte të thoshte dhe ia prita:- Po kur të duash, o Papu! Derën hapur,e kam! Në flas me superlativa për atë darkë, e kam jo vetëm për sofrën e mbushur me gjithë të mirat, por dhe atë çiltërsinë, ku i zoti i shtëpisë bëhej kurban për mikun. Fjeta aty dhe e mbaj mend që ka qenë ditë e premte. Të shtunën (njëherë në javë shkoja në shtëpi) dhe, kur të hënën, mbasdite vonë po kthehesha për tek dhoma, Papu më preu rrugën.

* * *
– I kishe goxha ata “dobiçat” e fshatit,- më tha. Ta shpëtuan erzin! Nuk po e kuptoja se ku do të dilte. Dhe e pyes:- Po ku i pe ata “dobiça?!”. -Qeshë në mbledhje me Papë Polizoin ( më i madhi i klerit orthodoks për Fierin) dhe më zuri dmbasditja vonë, aty, në Mbrostar-Urën ku rri ti. Epo, po kthehem tek dhaskali,- i dhashë karar. E ktheva kalin nga xhadeja për tek pallatet. Sa hyra në fshat, kur m’u lëshuan ata “dobiçat” e fshatit: “Ta lashë, njëri! Ta lashë tjetri! Dhe pse pushonin? Dëgjove,dhaskal,- thashë me vete,- shpëtove. Kamzhikun kalit dhe sosa në hijezen time. Dhe ia dha të qeshurit. Po ke për ta “paguar” një ditë,- më tha duke qeshur.
Po nuk qe e thënë. Darkën që hëngra tek ky njueri aq i mirë, ende, nuk e kam “paguar”, por, sidoqoftë, duke shkruar këtë përjetim,s’kam se si mos e kujtoj me dashuri jo vetëm atë, por edhe Jorgjien që tani ka dalë në pension dhe, njëkohësisht,edhe ata nxënës aq të mirë të atij viti shkollor 1960-1961. Më bëhet qejfi që djali i Jorgjies, Ylli, është drejtor shkolle,atje, në Ndërnënas të Libofshës. E sa për atë tjetrin, Perikliun,apo “floririn e vogël” të Llukan Çunit që qe anti kooperativë, ju them se u bë oficer i zoti deri komandant i brigadës tankeve në Elbasan ku jeton (tani ka dalë në pension). Këtë përjetim sikur e kam për të gjithë ata nxënës aq të mirë të vitit shkollor 1960-1961 të Ndërnënasit të Libofshës në Fier.

Tiranë, 14 prill 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: nje darke i papaguar, perparim Hysi, Tregim

TAKIM NË KONSULLATËN E KOSOVËS NË NEW YORK

April 14, 2014 by dgreca

KRYETARIT TË DEGËS SË VATRËS NË JACKSONVILLE-FLORIDA,Z. ADRIATIK SPAHIU, IU DHURUAN LIBRA PËR SHKOLLËN SHQIPE QË DO TË HAPET SË SHPEJTI NGA DEGA E VATRËS/
Ditën e hënë me 14 Prill, kryetari i degës së Vatrës në Jacksonville-Florida, z. Adriatik Spahiu i shoqëruar nga editori i Diellit Dalip Greca dhe drejtori i TV Kultura Shqiptare, Adem Belliu, u pritën në Konsullatën e Kosovës nga ambasadori Bekim Sejdiu dhe ndihmësi i tij, Konsulli Korab Mushkolaj. Ambasador Sejdiu i uroi mysafirit nga Florida mirëseardhjen dhe e përgëzoi për punën e palodhur në cështjen Kombëtare, për veprimtaritë e degës së Vatrës, si dhe për inisiativën që kjo degë dhe kryetari i saj kanë marrë për hapjen e shkollës shqipe në Jacksonville, ku jetonë më shumë se 7-8000 shqiptarë. Ambasadori u ndal edhe në regjistrimin e domosdoshëm të shqiptarëve kudo që ndodhen në SHBA. Më pas ai foli për përparësinë që merr hapja e shkollave shqipe për të ruajtur gjuhën e Kombit nga vijmë, kulturën dhe traditat kombëtare.
Kryetari i degës së Vatrës në Jacksonville informoi për punën atdhetare që po bën dega e Vatrës atje, duke plotësuar një boshllëk të ndjeshëm në komunitetin shqiptar atje. Ai tha se insiativa për krijimin e degës pat filluar që në 100 vjetorin e Vatrës, por ditëpërditë ajo u rrit dhe tash ka rreth vetes një komunitet të shumtë, që po vjen duke u shtuar. Spahiu informoi edhe për festimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në Jacksonvillë, tha Spahiu, jetojnë rreth 150 shqiptarë të Kosovës. Ata po i afrohen përditë e më shumë Vatrës. Vetëm në ditën e festës për pavarësinë e Kosovës, u anëtarësuan në Vatër 15 veta. Shkolla shqipe që do të hapet së shpejti do ta gjallërojë akoma më shumë degën e Vatrës dhe do t’i bëjë më të intëresuar shqiptarët e atjeshëm.
Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit Shqiptaro Amerikan, z. Martin Shkreli. U bisedua gjatë për cështjen Kombëtare dhe bashkërendimin e shoqatave që veprojnë në Amerikë.
Duke i dhuruar librat për Shkollën Shqipe në Jacksonville, ambasador Bekim Sejdiu, falenderoi edhe një herë për inisiativën, ndërsa zoti Spahiu falenderoi shtetin e Kosovës për librat e dhuruara.

Filed Under: Vatra Tagged With: Adem Belliu, Adriatik Spahiu, ambasador Sejdiu, dalip greca, ne New York, TAKIM NË KONSULLATËN E KOSOVËS

NDRYSHONI LIGJIN PËR PASAPORTAT E FËMIJËVE

April 14, 2014 by dgreca

“MËZI” I MESELESË DHE BARRA MBI KURRIZIN E FËMIJËVE MËRGIMTARË /
Fejton nga Abdurrahim Ashiku/ Athine/
Komisioni i Ligjeve i Kuvendit të Shqipërisë bëri një ndryshim ligjor. Përpara se të përcjell paksa më gjatë ndryshimin dhe lajmin që tash ka marrë dhenë po ju përcjell një mesele dibrane, nga ato që tregohen odave mbushur plot me kuvendarë popullorë, me raste mortesh apo dasmash, mesele që nganjëherë rrahin më shumë se shkopi i policit…
***
Meseleja
UDHËTARI: EJ ZOT! MA BJER NJI KALË T’I HIPI…
Një njeri ecte një udhe malore gjithë dushke e kthesa, një vape që lugun e kurrizit ia kishte ba përrue.
Lodhet shumë i shkreti, gjen një hije e ulet të pushojë.
– Ej Zot, lutet përkulur kokën në tokë, – ma bjer nji kalë t’i hipi !
Ndërsa ëndërronte, merr kthesën një oficer osman mbi kalë, armatosur nga këmbët në kokë, me shpatë e kobure, me një karvan kuajsh mbrapa.
Befas karvanin e ndali një hingëllimë e oficeri zbriti nga kali. Hingëllima ishte gëzimi i një pele që lajmëroi se u nënë. Një mëz i shëndetshëm lëvrinte te këmbët e saj…
Oficeri thërret udhëtarin dhe ia ngarkon mëzin mbi shpinë.
Udhëtari i mërzitur, me shpirt në dhëmbë e lumë djerse kurrizit, i foli të lartmadhnueshmit:
– Or Zot! A nuk dita unë të të lutem, apo nuk e more vesh me më dhanë atë që të kërkova?

FËMIJËT NË MËRGIM: EJ SHTET! NA I NDREQ TOPONIMET…
Shteti nxjerr tellallin…
Hej milet, mbi tokë e mbi det…
Të gjithë fëmijët që janë pajisur me pasaporta 10-vjeçare në periudhën prill 2009-korrik 2010 duhet të ri-aplikojnë për pasaportë të re. Kjo për shkak të një gabimi të bërë nga Ministria e Brendshme në atë periudhë. Fëmijët deri në 6 vjeç duhet të kenë pasaportë 5-vjeçare dhe jo 10 vjeçare.
Ky ndryshim ligjor u miratua në Komisionin e Ligjeve.
Të gjithë prindërit që kanë marrë pasaporta 10 vjeçare për fëmijët e tyre duhet të aplikojë sërish për pasaportë të re me afat 5 vjeçar, për këtë kanë afat 1 vit…

* * *

Tellalli shtetëror më poshtë sqaron se nuk janë pak por 156 mijë fëmijë që duhet të ri-aplikojnë për të marrë pasaportë të re me afat 5-vjeçar.
Deri sot nuk ishte bërë i ditur numëri i fëmijëve të cilët kanë pasaportë ndërkombëtare, pasaportë e cila për fëmijët në Greqi (por edhe ata në të pesë kontinentet) është shkruajtur me gabime të tmerrshme drejtshkrimore dhe me një toponomastikë tërësisht në kundërshtim me rregullat e vendosura nga OKB.
Sipas Komisionit të Ligjeve ky numër është 156 mijë. Nuk ka dyshim se të gjithë janë fëmijë mërgimtarësh. Dhe të gjithë pasaportat i kanë me gabime drejtshkrimore dhe me gabime në të shkruarit e vendlindjeve (toponimeve). Dhe të gjithë, të 156 mijët, brenda një viti duhet të marrin pasaportë të re. Dhe shumica (për të mos thënë të gjithë) pasaportat do të jenë të detyruar t’i bëjnë pranë ambasadave ose konsullatave shqiptare duke paguar dyfishin e shumës që paguhet në Shqipëri. Llogaritur me 100 euro (minimalja teorike) çdo pasaportë, në arkën e shtetit do të futen 15.600.000 euro.
Është kjo një shumë që nuk mund t’i shpëtojë asnjë familje emigrante pa e paguar.
Jam i sigurt se lëçitësi zyrtar i këtyre radhëve do të thotë se këto 156 mijë fëmijë do t’i paguanin këto para sikur të ishte zbatuar ligji i dhënies së pasaportave jo për 10 por për 5 vjet (!)
Jam dakord me lëçitësin, por unë që ka më se një vit që në pozicionin e gazetarit nuk kam lënë derë e adresë pushtetarësh pa trokitur e shkruar, duke kërkuar që Komisioni i Ligjeve të dalë publikisht dhe të pranojë se “Ministria e Brendëshme në atë periudhë bëri një gabim me pasoja të rënda duke i plotësuar pasaportat e fëmijëve në mërgim në kundërshtim me kërkesat elementare në shqip dhe në anglisht dhe me gabime të pafalshme në të shkruarit e vendlindjeve (toponimeve) dhe për këtë “brenda një muaji tërheq të gjitha pasaportat e fëmijëve për t’i plotësuar me shpenzimet e fajtorëve”.
Zërat e fëmijëve që qajnë e lotojnë në pikat e kalimit kufitar midis Shqipërisë dhe Greqisë sepse shteti shqiptar vetëm pse në pasaportën e tyre në vend që të shkruhet vendlindja Athens apo Greece (siç e kërkon dokumenti në shqip dhe anglisht) është shkruar Athinë apo Greqi Komisioni i Ligjeve nuk i ka dëgjuar dhe nuk donë t’i dëgjojë.
“Të Martën e Madhe” (sipas orthodhoksisë helene) të javës së pashkëve, shqiptarët janë ftuar të protestojnë para Parlamentit grek për toponimet shkruar gabim mbi pasaportat e fëmijëve të tyre.
Mirë bëjnë. Por unë do të thosha, duke marrë parasysh “Lejen 22 ditore -13 prill-5 maj 2014”, një lejë turpi dhe mëshire kristiane, e mira ishte të shkonin të protestonin para Kuvendit të Shqipërisë, për t’a detyruar Komisionin e Ligjeve dhe Kuvendin, të hartojnë dhe miratojnë ligjin për heqjen nga kurrizi i njomë i fëmijëve të mërgimtarëve të “toponimeve”, kësaj barre të jashtzakonshme para së cilës “mëzi” i meselesë është thjesht një pupël zogu.

Abdurahim Ashiku

Athinë, 14 prill 2014

Filed Under: Emigracion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, ndryshoni Ligjin, per Pasaportat e femijeve

CIKËL POEZISH NGA PETRIT DERRAJ – SMOKTHINA

April 14, 2014 by dgreca

KUR U VRA CANE MIFTARI*/
Cane Miftari,kryetrimi lab i kryengritjeve antiturke, bashkëluftëtar i Zenel Gjolekës, së Kuçe./

Gjithandej u hap një gjëmë,/
Dhe zija mbuloi vendë./
Kur u vra Cane Miftari,/
Humbi jeshillëkun bari./
Qyqet e shtuan vajtimin,/
Zoqtë e ndalën cicërimin./
Eres fuqitë iu gjysmuan,/
Shkëmbijtë sikur u thërrmuan./
Dhe lumi sikur u shter,
S`rrithte ujë po rrithte vrer.
Nga dhimbja u tundën malet,
Luleve u ranë petalet.
Dafina degët i vari,
Për t`iu bërë kurorë te varri.

I FELT ZEMRA ZEMRES
I flet djali nënës,
Ç`i thot dielli hënës?!
I flet vëllai motrës,
Ç`ithot mali kodrës?!
I flet vajza nënës,
Ç`i thot zemra zemrës?!

VILË E GJUSHËRVE TË MI
Moj oda ime e lashtë
Dritë brënda dritë jashtë
Themelet hedhur mbi shkëmb
Asnjë stuhi s`të ka shemb
Anës vatrës dy qoshe
Me oxhakun si kube
Dërras pishe dyshemeja
Zemër lisi qeresteja
Mbi vatër mbi një pllak guri
Gdhëndur me mjeshtëri flamuri
Qylimat shtruar e hedhur
Nga labet – artiste endur
Sixhadet varur në mur
Të jepnin dritë edhe nur
Tabakaja plot me pije
Tavani si qiell me yje
Brënda ulur pesëdhejt burra
Kënga buronte si gurra
Hapur kanë qenë ato dyer
Për shokët e miqtë e vyer
S`të ndërroj me asnjë shtëpi
Vil` e gjyshërve të mi.

NË BALLIN TËND
Në ballin tënd të rrudhur
Një pentagram me nota dhimbjeje.
Në ballin tënd të vuar
Një dhimbje e kompozuar.

QËNDISTARJA DHE POETI
Qëndistraja mbi beze nis një qëndimë
Poeti me fjalë flakë ndez poezinë.
Qëndistaria me majë të gjiplërës bën art
Poeti me ngulm fjalën gdhënd si me daltë.
Njëri ngjan me detin, tjetra ngjan me valën
Njëra qëndis lulen, tjetri qëndis fjalën.

G J U H A
Gjuha fshihet pas një dhembi
Që të mos shpojë si gjembi.
Gjuha është edhe drapër
Gjuha është edhe gjarpër.
Gjuha të pret si me shpatë
Gjuha është edhe mjaltë.
Gjuha si plumbi të vret
Tule është po hekur pret.
• Poezite i dergoi per Gazeten”DIELLI” bashkepunetori studiuesi Enver Memishaj.

Filed Under: Sofra Poetike

UNË JAM ARBËR: 800 VJET SHTET !

April 14, 2014 by dgreca

Shkruan:Azgan HAKLAJ/
Të nderuar bashkëkombas, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar në bashkëpunim me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar, Qëndren e Studimeve Albanologjike të Akademisë së Shkencave, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, organizon më datën 18 prill 2014, në Hotel Tirana Internacional (Salla Balshaj) Sesionin Akademiko-Shkencor , me rastin e 800 vjetorit të Shtetit të Arbërit, shek. XI-XII.
Në orën 18.00 në qytetin e Krujës, (Kryeqytet i Shtetit të Arbërit) Unioni Artistik i Kombit Shqiptar në bashkëpunim me Bashkinë e Qytetit të Krujës, organizon koncertin tematiko-patriotik me artistë nga të gjitha trojet shqiptare, të titulluar “Unë jam Arbër: 800 vjet Shtet” .
800 vjetori i Shtetit të Arbërit është ngjarje madhore në historinë e Kombit Shqiptar. Me dhjetra libra memorandume e takime në kancelatitë më të rëndësishmë të Perëndimit, ku shpesh është përcaktuar fati i popujve të Ballkanit, qarqet shoviniste serbe e greke janë munduar të argumentojnë para fuqive të mëdha oreksin e tyre për të zhbërë etninë e Shqiptarëve e më vonë shtetin e sapoformuar në vitin 1912 me tezën se Shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese, se ata janë një popull baritor, shtegtar, pa gjuhë e kulturë të tyren dhe se ata më në fund duke qënë një popullsi e egër (sipas tyre) përbëjnë rrezik për Ballkanin dhe civilizimin evropian. Kanë patur mjaf sukses në këtë sipërmarrje në dëm të trojeve etnike shqiptare. Mjafton të theksojmë faktin se Shteti Shqiptar, njohur nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, nuk përfshin në gjirin e vet, as gjysmën e teritorit që banohej në shekuj e mijëravjeçarë nga shqiptarët.
Është kjo arsyeja që Shteti i Arbërit, i themeluar 800 vjet më parë nga Progoni e i udhëhequr pas vdekjes së tij nga djemtë, Gjini e Dhimitri, shkëlqen sot në dritën e historisë si një yll i shëndritshëm në organizimin Politiko-Shtetëror dhe në orientimin e Popullit Shqiptar drejt vlerave të Qytetërimit Perëndimor Latin dhe besimit të tij katolik-roman si një nga tre kombet bashkëthemeluese të Krishtërimit të hershëm.
Është fakt historik se në preludin e formimit të Shtetit të Arbërit edhe pse pjesa më e madhe e trojeve shqiptare administrohej nga Perandoria Bizantine, e cila impononte organizimin shoqëror, jetën ekonomike, kulturën e besimin, familjet me të fuqishme të fisnikërisë vëndase rivalizonin me këtë perandori dhe prisnin rastin e volitshëm për t’u çliruar nga pushtuesi.
Në fundin e shekullit të 12-të , sundimtari më i fuqishëm ishte Progoni, i cili arriti në kushte shumë të vështira historike mes dallgëve të ashpra Lindje-Perëndim, rivalitet ky që përfshinte jo vetëm atë ushtarak por edhe atë fetar; të krijonte të parin shtet në Mesjetën e Hershme, i cili është praktikisht Shteti i parë Kombëtar me atributet që ka sot ky nocion. Edhe pse nuk arriti të shtrihej në të gjitha teritoret ku banonte popullsia arbërore, ky shtet do të kishte konseguenca themelore për fatet e popullit shqiptar në kohën e tij dhe në shekujt që erdhën pas.
Lulëzimin më të madh Shteti i Arbërit e pati nën udhëheqjen e Dhimitrit në vitet 1208-1216.
Dhimitri krijoi një shtet të fuqishëm me qendër Mirditën (Gëziqin). Ai organizoi një ushtri e administratë të aftë dhe u tregua një diplomat i zoti.
Akti i parë politik i Dhimitrit ishte konvertimi i tij (e më vonë i nënshtetasve të tij) në besim katolik. Me këtë akt vizionar ai arriti të siguronte një aleat të fuqishëm si Vatikani, të fuqizonte pozitat e Arbërit drejt kulturës, gjuhës e besimit latin.
Dhimitri zmbrapsi inkursionet e Bizantinëve nga lindja e të Venedikut nga perëndimi dhe lidhi aleanca të fuqishme përveç Papës Irrokenti i III-të ; edhe me sundimtarin e Rashës Stefanin, me despotin e Epirit, Mihal Angjel Komenin, etj.
Egziston një dokument me vlera të jashtëzakonshme historike i firmosur nga kryetari i Shtetit të Arbërit, Dhimitri. Bëhet fjalë për një marrëveshje tregëtare me Republikën e Raguzës, ku ai, si kryetar i shtetit, zotohet të lejoi të bëjnë tregëti të lirë “në detet e tokën e tij” tregëtarët e Raguzës pa i ngarkuar ata me asnjë taksë e madje duke i marrë në mbrojtjen e tij.
Si kryetar i Shtetit të Arbërit, Dhimitri, mbante titujt e lartë : “Arkond i Madh” , “Panhyperzvast” (Gjykatës), “Sundimtar i Madh”, etj. dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë. Ai i dha jetë ndërgjegjies nacionale dhe ëndrrës për krijimin e një shteti komb.
Pas tij dolën në skenën historike dinasti të fuqishme të feudalëve shqiptar si Balshajt, Blinishti, Kastriotët, Dukagjinët, Topiasit, Aranitët, Muzakajt, Spanët, etj., të cilët në zjarrin e luftës së shekullit të XV-të, prirë nga Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, krijuan shtetin e përqëndruar arbëresh duke triumfuar 25 vjet kundër Perandorisë Otomane.
Fillimet e të Drejtës Zakonore Shqiptare duhen kërkuar pikërisht në kohën e Shtetit të Arbërit, tek Progoni e Dhimitri, të cilët zëvëndësuan legjislacionin e shtetit bizantin me normat vetëqeverisëse Iliro-Arbënore.
Këtë fakt e përforcon e vërteta historike se Mirdita, Kryeqendra e Shtetit të Arbërit, mbeti në shekuj e lirë dhe e vetëqeverisur, dhe është epiqendra jo vetëm e qëndresës për liri, por edhe e Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Nderimi e mirënjohja për burrat korifej që krijuan e udhëhoqën Shtetin e Arbërit tetë shekuj më parë është borxh ndaj atdheut e historisë së tij.
Ky Jubile i 800 vjetorit të Shtetit të Arbërit, do të kremtohet ashtu siç e meriton, si një eveniment i madh historik që është një ogur i mbarë për rikthimin e kujtesës sonë historike dhe të ndërgjegjies kombëtare..
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar u bën thirrje të gjitha shoqatave e shoqërive kulturore, që janë antarë të Unionit dhe shoqatave partnere të Kombit Shqiptar, që aktivitetet kulturore të këtij viti të zhvillohen nën emblemën e Shtetit të Arbërit.

Filed Under: Editorial Tagged With: Azgan haklaj, UNË JAM ARBËR: 800 VJET SHTET !

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4689
  • 4690
  • 4691
  • 4692
  • 4693
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT