• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FATI TRAGJIK MBI FATE TRAGJIKE …

July 14, 2020 by dgreca

-Nën Lupën e Një Shoqërie Indiferente dhe pa Katharsisis/

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Kur një i ri 23 vjeçar i arratiset vendit të vet prej tmerrit që e pret aty, kur ikën nga sytë këmbët nga vendi që ia njeh qiellin, burimet, ku rrugët nëpër pyll ia përshkon edhe me sy mbyllur natën pa hënë,
megjithëse me gjithë shpirt do të deshte të plaket e të bëhet 1000 vjeç në atë vend,
por vendos të ikë
sepse i duhet të zgjedhë ose Atdheun ku e pret vdekja,
ose jetën
atëhere ky 23 vjeçar zgjedh jetën.
“Cilido ëndërron një shteg, kurse jeta të përplas andej ku s’ta pret mendja.”, thotë Petro Marko tek Qyteti i fundit. Jetën Petro Markos ia shpëtoi Ernest Koliqi, ndërsa diktatura totalitariste ia vrau.
A do të kishte qenë shpëtim për Petro Markon arratisja nga Atdheu pas burgosjes?
Do të kishte qenë, Petro Marko do të çmendej nga malli për Dhërmiun e Bregun por do të fitonte lirinë, një liri me çmim të shtrenjtë por duke shkruar kryevepra që nuk i shkroi dot nën diktaturë.
Arratisja nga Atdheu është akti më tragjik për njeriun.
Ernest Heminguej jetoi në Kubë për 30 vjet. I dukej sikur Kuba ishte pjesë e Atdheut të tij. Gjatë martesës me gazetaren e luftës Martha Gellhorn bleu në periferi të Havanës një shtëpi që sot është muze Finca Vigía. Aty Hemingway jetoi rreth 20 vite të jetës, duke i ikur të ftohtit dimëror të Idahos për të shkruar. Në këtë shtëpi ai ka shkruar Plaku dhe Deti. Aty kishte kujtimet, dorëshkrimet, jetën e vet personale. Me ardhjen në pushtet të diktatorit Fidel Kastro, Ernest Hemingway më 1960 ishte i detyruar ta linte Finca Vigía dhe Kubën e të kthehej në Idaho, ku më 1961 kreu vetëvrasje. Nuk i përballoi dot kufizimin e lirive nga diktatura kastriste, kur ai Kubën e donte si vendin e tij.
Jeta e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt në mërgim ka qenë me plot tallaze, stërmundimi i tyre për të patur profil elitar europian, duke iu dedikuar me mish e shpirt kulturës, gjuhës shqipe dhe Albanalogjisë u bë në kushte shumë të pamundura, të dënuar dhe të mohuar si armiq të popullit nga diktatura komuniste, të ndaluar të lexohej vepra e tyre dhe të ndaluar të preknin tokën shqiptare.
Është kriminale prirja për të rehabilituar diktaturën duke rigjykuar viktimat e saj apo kur midis viktimave bëhen dallime, për të zbuluar patriotin tek njëri dhe tradhtarin tek tjetri, siç ishte rasti i poetit Havzi Nela, i krahasuar me shkrimtarin Martin Camaj, duke dënuar të dytin që paska pranuar të bëhet spiun i UDB-së, ndërsa tjetri jo! Kjo do të thotë të errësosh errësirën.
Të krahasosh Martin Camajn me Havzi Nelën, për të ulur njëri e ngritur tjetrin, dmth nga pozita të cinizmit absolut të krahasosh dy fate tragjike shkrimtarësh, dy tragjedi njerëzore të shfaqura në shtjella të ndryshme, jo si tragjedi skenike, zhanër i teatrit i lindur në antikitetin grek me personazhë për Eskilin, Sofokliun apo për prozën ekzistencialiste të Albert Camus, por tragjedi reale. Si një realityshow makabër që ekzekutohet përpara syve të një shoqërie skllave!
Dy ishin mënyrat :
të vdisje si Havzi Nela i vrarë nga diktatura dhe i poshtruar e i pështyrë nga shoqëria e mjerë shqiptare
ose t’i ikje këtij tmerri me qëllimin për ta shembur këtë ngrehinë kriminale nga jashtë ose me qëllimin e thjeshtë për të jetuar!
“Fati i njeriut” i Mikhail Sholokhov është një zinxhir tragjedie vdekjesh që ndeshet me etjen e çmendur të njeriut për ta jetuar jetën!
Nuk është krim ta duash jetën, për ta kthyer çdo objekt të botës, në gërmë, tingull shqip e frymë shqip deri në frymën e fundit, të shkruash shqip, të ëndërrosh shqip në një vend të huaj sikur vepruan kollosët e kulturës që ia dedikuan shqipes jetën!
A nuk është aq heroik ky akt sa heroika e Bethovenit!
Si trinom Ernest Koliqi, Havzi Nela dhe Martin Camaj, renditje sipas kohës kur dhanë frymën e fundit, nuk mund t’i ndajë askush.
Janë 3 milionë shqiptare në eksodin e trazicionit prej 1991 deri sot.
3 milionë jetë, fate njerëzish të traumatizuara nga mosnjohja e asaj që i pret dhe nga njohja e tmerrshme në Atdheun e tyre, kur vendi yt nuk të siguron as kushtet minimale të jetesës për fëmijët, as siguri, as dinjitet, ku të drejtën e joie de vivre e gëzon vetëm pushteti uzurpator me nepotizmin, klientët, dashnoret, ku injoranca dhe mosvrasja e ndërgjegjes justifikojnë çdo makabritet.
Mbijetesa e emigrantëve është si një rrugëtim nëpër rrathët e ferrit, pa pasur asnjë faj, çdo histori emigranti është një dramë që shpesh ka perfunduar tragjikisht në fund të detit apo të mbytur nga asfikësia nëper maune, apo si shkelës ligji.
Të bëhesh prokuror i të dënuarve nga diktatura është sikur të rinkarnosh prokurorët e diktaturës për të rindezur tek opinioni tërbimin kolektiv për t’i rishpallur fajtorë ata që diktatura i vrau në mënyrat e saj më mizore, me fis e farë!
A del kush që të bëhet avokat i viktimave të diktaturës?
Kujt i pëlqen roli i prokurorit, le të dënojë ata që e detyruan Camajn dhe Koliqin t’iu digjej shpirti per Atdhe e për të afermit e tyre të burgosur e internuar, ndërsa Havzi Nelën e varën në litar!
Tim eti, poetit Vehbi Skënderi i kërkuan të bëhej spiun i Sigurimit të Shtetit. Nuk pranoi. Ky verdikt i tij më la mua pa shkollë, dmth pa të ardhme. Di shkrimtarë që janë bërë spiunë të Sigurimit dhe fëmijët e tyre kanë vijuar jetën normale. Nuk e di me çfarë çmimi!
Por nëse tim atë do ta kushtëzonin duke i venë në rrezik jetën dhe dinjitetin tim, ai ose do të vriste veten sikur edhe tentoi kur i dhanë urdhërin se do të interneheshim të tre në një fshat të humbur matanë malit të Dajtit, ose do të pranonte ta firmoste ate dokument, por një gjë eshte e sigurt se im atë nuk do të merrte askënd në qafe.
Nën tortura fizike, nën tortura psikologjike, nën torturën kur shoqëria të neverit si “armik i partisë” apo “bijë e armikut të partisë” njeriu thyhet si qelqi sepse atij i kanë shkelur me kēmbë çdo të drejtë njerëzore dhe dinjitetin!
Kur jeta të krijon dilema torturash – të zgjedhësh midis dy torturave, ose njërën ose tjetrën torturë, do të zgjedhësh njërën torturë. Se nuk ke alternativë tjetër.
Deri kur do të vijë momenti të kujtohesh se ekziston jeta pa torturë, në liri dhe etja për jetën dhe lirinë të dikton të këpusësh zinxhirët, prangat dhe t’i denoncosh shkaktarët e kësaj torture që vetëm jetë nuk është !
Mallkojeni, dënojeni, denoncojeni sistemin totalitar dhe këtë tranzicion makabër. Nuk ishin armiqtë e shqiptarëve as Martin Camaj, as Ernest Koliqi, as Havzi Nela dhe as ata mijra e mijra të burgosur, pushkatuar e të dënuar nëpër internime, por sistemi totalitarist që i vrau! Totalitarizmi na vrau, na i shplau trutë, na detyroi të shkruanim vepra të socrealizmit, na përçau! Ai është armiku i shqiptarëve!
Për absurd ndodh që dashuria për Atdheun të bën ta braktisësh Atdheun, sepse vetëm kështu kjo dashuri mund të jetojë e gjallë!
Në fakt, nuk je ti që e braktis Atdheun, por Atdheu të braktis kur e detyrojnë të ketë pamjen e shtetit totalitarist, i pashpirt dhe mizor ndaj bijtëve të vet!
Fatalitetin e jetës të njeriut në një sistem totalitarist, qoftë diktaturë e majtë, e djathtë apo diktaturë e kapjes të shtetit nga korrupsioni, e ka dhënë më mënyrën më të skalitur Albert Camues tek I Huaji!
Ka vetëm një mënyrë për t’i shpëtuar këtij fataliteti, ose t’i ikësh, t’i arratisesh ose të rebelohesh kundër tij ose të rebelohesh në mënyrat që mund.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Sigurimi i Shtetit, VEHBI SKËNDERI

A SUPERHEATED AIR FILTER DESIGNED BY UNIVERSITIY OF HOUSTON CAN DESTROY CORONAVIRUS

July 14, 2020 by dgreca

By Rafaela Prifti /
A University of Houston team has designed a new air filter that they say can kill COVID-19 instantly. The findings of the tests were published in a research paper published in Materials Today Physics. Conducted at the Galveston National Laboratory, the tests show that 99.8 % of the virus was killed in a single pass through the air filter. The filter, described in detail in the paper, is made from commercially available nickel foam heated to 200 degrees Centigrade. Director of the Texas Center for Superconductivity at University of Houston, Zhifeng Ren, collaborated with Monzer Hourani, CEO of Medistar, a Houston-based medical real estate development firm, and other researchers to develop the filter. The release by the University of Houston states that the filter could be useful for killing COVID-19 in public places.
The virus cannot survive temperatures above 70 degrees Centigrade, about 158 degrees Fahrenheit, so the researchers used a heated filter by setting the temperature to 200 degrees Centigrade. The electrically heated filter minimized the amount of heat that escaped from the filter, allowing air conditioning to function with minimal strain. The indoor air protection technology provides protection and prevention against transmission of airborne SARS-CoV-2 and will be on the forefront of technologies available to combat the current pandemic and any future airborne bio-threats in indoor environments, say the researchers.
In high-risk states such as Florida, Texas and Arizona, efforts are being made to provide the filters “in the next 60 days.” The team has called for a phased roll-out of the device, “beginning with high-priority venues, where essential workers are at elevated risk of exposure -particularly schools, hospitals and health care facilities, as well as public transit environs such as airplanes.” Medistar Executives are proposing a desk-top model, capable of purifying the air in an office worker’s immediate surroundings. Director Ren said a prototype satisfied the requirements for conventional heating, ventilation and air conditioning (HVAC) systems. Since the recent announcement indicating the virus airborne features, there was an added urgency to control the spread of the virus in air-conditioned spaces such as office buildings, schools, homes etc. According to the report, HVAC systems can be retrofitted with the filters and the filters can clean the air up to 12 times per hour. Adding that it will get very hot, yet it should not be a fire hazard since it’s contained in a frame that can withstand up to 1,000 degrees Fahrenheit.
By way of warning, the report states that the filter isn’t a fix-all. Wearing masks and practicing social distancing are still effective in combating the virus.

Filed Under: Analiza Tagged With: A SUPERHEATED AIR FILTER, Rafaela Prifti

GJYQE

July 14, 2020 by dgreca

NGA ASHTRIT LULUSHI/

Akuza; Pro-fashist,/
Dënohesh me vdekje/
(në mungesë)./
Gjyqi vazhdon
Në mendësinë e tyre./

Komunistë të veshur sport/
Si dikur etërit mafiozë/
Me kapele republike/
E këpucë të bardha,/
Rihapin të njëjtat çështje,/
Ku shtojnë fjalën “poli-agjent”,
Pas emrit që përdorën
Për shokët e tyre, dhe i qërruan.

Oreksi për të zbuluar, damkosur
Vrarë përsëri është rihapur.
“Hakmarrje!”, thërrasin,
Por thirrja bumerang kthehet;
Janë ata ndaj të cilëve
Haku duhet të merret
Prej atyre që dje hoqën,
Për një fjalë goje,
Në burgje, gropa e qeli nëndhe.

Enden ministrive e parlamenteve,
Palarë, rrugeçër dikur,
Sot kashaisur si kuaj cirku,
Dje, Djem të bashkuar të ideve k….
Këta çuna, Çebatikë të kohës sonë,
Trotuareve bredhin
Atlete adidas veshur
Kamulflazh e kilota,
Taksa mbledhin dhe
Studiuesit e nomenklaturës
I lëshojnë arkivave si zagarë
për të kapur gjahun e tyre.

Shqipëria vazhdon të sundohet
Nga e njëjta parti me emër tjetër;
Mendojnë se një ditë populli
Do t’i harrojë krimet e tyre.
Brezi i vuajtësve ngadalë po shuhet,
Njerëzit pas nuk e dinë si ishte,
Por le të shohin këtë kohë,
Që i ngjan asaj periudhe
Si të ishin dy pika uji.

Pellg ujëndënjur, Shqipëri,
Këtë e ke nga bijtë e tu
Që i lave, i pastrove
I mëkove, i ushqeve,
Por u ndanë me të njerkës
Që një ditë për ty të thonë,
Se nuk ishe nënë e mirë.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Astrit Lulushi, Gjyqe

Marrëzia e radhës e “Rilindjes”- Shëmbet Shkolla Amerikane

July 13, 2020 by dgreca

-Shëmbet shkolla bujqësore amerikane “Charles Telford Erickson”/

Nga: Mal Berisha/

E themeluar me 20.09.1925, ajo bashkë me Shkollën Teknike “Harry Fultz”, ishte dëshmia e parë e Investimeve Amerikane në Shqipëri dhe vatra e edukimit të mijëra agronomëve, veterinerëve, zooteknikëve dhe speciaistëve të bujqësisë shqiptare;

Themelet e saj ishin ndërtuar me një donacion prej 10.000 dollarësh të dhënë nga Presidenti i 31- të amerikan, Herbert Hoover;

Më 1925 shkolla quhej Instituti Shqiptaro – Amerikan, deri më 1939; Më pas Teknikumi Bujqësor “Ylli i Kuq”; Në vitin 2012 mori emrin Shkolla Profesionale “Charles Telford Erickson”.

Enver Hoxha në librin e tij “Rreziku Anglo – Amerikan për Shqipërinë” kishte deklaruar: “Kurrë nuk do të shkelin më këtu armiq të Shqipërisë siç ka bërë Charles Telford Erickson”, pra themeluesi i kësaj shkolle.

Herë pas here shkoi dhe vizitoi shkollën Bujqësore “Charles Telford Erickson”, në Golem, pasi më duket sikur aty gjej gjurmët e lëna nga një njeri që e deshi Shqipërinë me gjithë forcën e shpirtit, duke bërë sakrificat më të mëdha deri në humbjen e një fëmije dhe të bashkëshortes. Këto ditë korriku ndërkohë që isha me pushime në Qerret, mendova të shkoja edhe një herë, veç të tjerash,  të bëja edhe një donacion me librat që kam shkruar për këtë shkollë.  Ajo çfarë pashë aty, më tmerroi.

Rrënimi i trashëgimisë tonë Shqiptaro – Amerikane

Në vijim të shkatërrimit të trashëgimisë perëndimore dhe të akteve vandaliste, këto ditë është shembur simboli i parë i mardhënjeve Shqiptaro – Amerikane:  Instituti Bujqësor Amerikan i Kavajës, i themeluar me datën 20 Shtator 1925. Ky akt është kryer në kohë Pandemie, në shkelje të çdo ligji dhe rregulli dhe në heshtje të plotë, jashtë syve të publikut, fshehurazi dhe për interesa të mafias së ndërtimit, pranë qeverisë.

Kujdesi i Legatës Amerikane në Tiranë për atë  shkollë:

Më 28 Korrik 1922 në Tiranë pat filluar punën Legata Amerikane. Ministri i parë amerikan ishte Ulyses Grand – Smith. Në stafin e tij bënin pjesë Rodgers, J. Donals,  sekretar i Parë,  Minor Georg dhe Charles Telford Erickson, zyrtar të legatës, ndërsa nga stafi lokal ishte Kol Kuqali, i cili u pushkatua në vitin 1947 nga rregjimi i Enver Hoxhës.

Hapja e Legatës  Amerikane  u prit me gëzim të madh si  rrjedhojë e një simpatie të madhe që ishte krijuar në Shqipëri për Amerikën, për shkak të mbrojtjes që Presidenti Wilson i bëri Shqipërisë në Konferencën e Paqës në Paris, 1919. Nga ana tjetër shqiptarët kishin arritur të fitonin simpatinë e Amerikës nëpërmjet të Federatës Pan – Shqiptare, “VATRA”.

Ishte VATRA që e kishte dërguar pranë delegacionit shqiptar të drejtuar nga Turkhan Pasha në Konferencën e Paqës në Paris, misionarin e shquar dhe mikun e jashtëzakonëshëm të Shqipërisë, Charles Telford Erickson, një diplomat të cilit i takoi edhe nderi që të merrej me hapjen e Legatës Amerikane në Tiranë, në vitin 1922-1923.

Kush ishte Charles Telford Erickson:        

Për herë të parë, Erickson erdhi në Shqipëri bashkë me të shoqen Carry – in dhe tre fëmijë, në vitin 1908 dhe qëndroi deri në vitin1937, herë në Shqipëri dhe herë jashtë saj, por pa reshtur së punuari për vendin tonë, gjë që e bëri edhe pas largimit, deri sa vdiq në moshën 99 vjeçare, në vitin 1966. Ai jetoi pak kohë në Korçë dhe më pas një vit në Tiranë, 1908 – 1909. Që aty u dëbua prej turqëve dhe u vendos në Elbasan, 1909 – 1912, ku hapi një shkollë shqipe. Aty u shtua me dy vajza por i vdiq djali i madh. Në vitin 1912 pushtuesit serbë e arrestuan në Durrës dhe e dëbuan  si  armik i Serbisë dhe mik i shqiptarëve. Në vitin 1913, u kthye në Shqipëri si korrespendent i revistës angleze “The Economist” ku shkruajti një seri artikujsh për Shqipërinë dhe Kosovën.  Erickson iu përgjigj  ftesës së “VATRËS” për t’ju bashkëngjitur delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin1919.

Historia e mbrojtjes së Shqipërisë nga Presidenti i 28-të amerikan, Woodrow Wilson në Konferencën e Paqës në Paris, është e lidhur plotësisht me veprën e Erickson-it pasi ai për 15 ditë rresht e “bombardoi” Presidentin Wilson me letra, duke i shpjeguar se kush janë shqiptarët, ndërsa i tregon edhe për lakmitë e fqinjëve tanë në ato kohëra. Me 24 Prill 1919, Wilson lëshon deklaratë në mbrojtje të Shqipërisë.

Më 20 Shtator 1925 Erickson inaguron Institutin Shqiptaro –  Amerikan të Bujqësisë, në Golem të Kavajës. Ai sjell mësues nga Amerika dhe e drejton shkollën për vite të tëra.

Në vitin 1931, për kontributin e vyer që kishte dhënë ndaj Shqipërisë, Mbreti Zog i I – rë e dekoron me Urdhrin e Kalorësit të Skënderbeut. Erickson pasi largohet nga Shqipëria u caktua nga VATRA si vëzhgues në Konferencën Themeluese të Kombeve të Bashkuara, në San Francisko, në vitin 1945. Më pas ai shkruan pesë libra nën një titull të përbashkët: “Shqipëria – Enigma e Ballkanit” të cilat mbetën të pabotuara në fondin e tij, në Yale University Divinity Library, në Hartford, Connecticut, në Amerikë. Autori i këtij shkrimi ka patur nderin t’i zbulojë, t’i përkthejë, dhe t’i botojë në një libër tre volumesh në vitin 2012.

Midis tërë këtyre gjërave që ai bëri për vendin tonë ishte hapja e asaj shkolle  si dhe një shkollë tjetër për vajza, në Kavajë.

Një histori e shkurtër e Shkollës “Charles Telford Erickson” në Golem, Kavajë.

Themeluesi i kësaj shkolle ka patur miqësi me Fan Nolin. Ty dy kishin ardhur në Shqipëri nga Amerika dhe të dy pajtoheshin se arsimimi në Shqipëri mbetej me të vërtetë prapa asaj çfarë kishin bërë vendet e tjera ballkanike.

Më 15 nëntor 1921, Fan Noli, në postin e Ministrit të Jashtëm,  i kërkoi Erickson-it të paraqiste me shkrim një propozim, ku të përqendrohej në ato zona ku arsimi shqiptar duhej të luante një rol kryesor në shoqëri. Disa ditë më vonë, ai bashkë me Ali Cungun, i paraqitën qeverisë shqiptare propozimin për ndërtimin e shkollës së Kavajës.  Më 16 Tetor 1922 qeveria shqiptare i komunikoi Erickson-it se në përgjithësi ata e miratonin idenë e tij për një Kolegj Bujqësor, megjithëse, siç theksohej, qeveria ende nuk ishte në situatë të përshtatshme financiare.

Meqë financimet për këtë projekt do të vinin nga ShBA-ja, Erickson-i i kërkoi qeverisë t’i jepte ndonjë zonë që ishte në pronësi të shtetit, ku të ngrihej Kolegji Kombëtar i Bujqësisë, me një fermë model dhe stacion eksperimental pranë tij.

Me datën 8 Mars 1922, Kryeministri i kohës, Ahmet Zogu, e informoi Erickson-in se atij i lejohej të zgjidhte nga një listë prej tetë ose dhjetë fermash më të mira në pronësi të shtetit, për ta ngritur shkollën. Më 4 korrik 1922, Erickson-i u njoftua se qeveria i kishte dhënë lejen për tokën e Kavajës. Më 28 maj 1923, Parlamenti Shqiptar i dha miratimin përfundimtar projektit të Erickson-it. Në veçanti, Erickson-i i ishte mirënjohës përpjekjeve personale të Ahmet Zogut, i cili, që në fillim, kuptoi ndikimin potencial që do të kishte projekti i tij.

Erickson-i u nis për mbledhje fondesh në Shtetet e Bashkuara, por Zogu i kërkoi atij që të themelonte edhe një shkollë vajzash, sepse, sipas tij, “në qoftë se Shqipëria donte të kishte sukses në proçesin e ndërtimit të shtetit, edhe gratë duhej të ndihmonin me kontributin dhe përpjekjet e tyre.”

Më 4 shkurt 1924, Erickson-i i dërgoi kolonelit Ernest T. Bisknell një letër dhe një kopje bashkëngjitur, të memorandumit mbi shkollën, në të cilën i shpjegonte qeverisë amerikane se qeveria shqiptare e kishte caktuar atë të themelonte Shkollën Amerikane – Shqiptare të Bujqësisë, e cila do të mbështetej financiarisht prej një Bordi Amerikan të besuarish. Erickson-i u vu në kontakt me Herbert Hoover-in, në atë kohë Sekretar i Shtetit për Tregtinë, i cili më vonë u bë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më 9 shkurt të vitit 1924, Erickson-i, në një letër që i dërgonte Hoover-it theksonte se nevoja më e madhe e menjëhershme e Shqipërisë ishte modernizimi i bujqësisë së saj.   Erickson-i i shkruan me aq dhimbje dhe simpati për shqiptarët, sa askush tjetër nuk kishte bërë:

“Shqiptarët janë njerëz të tillë që më mirë vdesin sesa të kërkojnë, më mirë mbarojnë në dëshpërimin e vet, sesa të qahen… ata janë një popull tragjik, por një racë heroike”.

Departamenti i Shtetit, më 11 shkurt 1924, e miratoi hapjen e shkollës. Në të thuhej:

“…Projekti i z. Erickson për themelimin e një shkolle për mësimdhënien në fushën e bujqësisë dhe tregtisë në Shqipëri ka miratimin tonë që buron nga zemra.”  

Duke qenë plotësisht i kënaqur me raportin e lëshuar nga Departamenti i Shtetit, Herbert Hoover vendosi t’i jepte mbështetjen e tij këtij projekti, duke dhënë një donacion prej 10.000 dollarësh, nga llogaria e tij personale, në kushte anonime, me kusht që brenda një viti, Erickson-i të mblidhte edhe një shtesë prej 100.000 dollarësh të tjerë për shkollën.

Erickson-i mblodhi 350.000 dollarë, erdhi dhe  e ndërtoi shkollën bujqësore. Ajo ishte shkolla më e organizuar në Shqipëri dhe njëra prej tre shkollave të huaja të cilat Mbreti Zog nuk i mbylli gjatë “Reformës Ivanaj”, në vitin 1933, për shkak të frymës kombëtare që kishte zbatuar Erickson- i dhe stafi i tij.

Pas ardhjes në fuqi të komunistëve, emri i amerikanëve u zhduk nga faqja e dheut, ndërsa emri  i Erickson – it u ndalua me urdhër të diktatorit. Shkolla e vijoi punën, tanimë nën emërtimin komunist: “Ylli i Kuq”.

Në vitin 2012, me rastin e promovimit të librit historik: “Ch.T.Erickson – Një Amerikan që i kushtoi jetën Shqipërisë”, arrita të sillja në Shqipëri, mbesën e Erickson- it, Mery Morris, nipat e tij, Paul Erickson, i riu, dhe Donald Jonson i biri i Grace Erickson, e lindur në Shqipëri në vitin 1913. Me atë rast, Ministria e Arsmit e emëroi shkollën:

Shkolla Bujqësore “Charles Telford Erickson”.

Sot në hyrjen kryesore të kompleksit shkollor është vënë një tabelë me inicialet:

“Republika e Shqipërisë, M.M.S.R., SHKOLLA PROFESIONALE “Charles Telford Erickson”  Golem Kavajë, 20.09.1925. Ndërsa në hyrjen e shkollës së re ajo mban iniciale të tjera me të njejtën titull: M.A.SH.

Një investim shumë i mirë i Fondit të Zhvillimit ka sjellë ndërtimin e një shkollë të re, brenda këtij kompleksi bujqësor. Por toka e shkollës është tkurrur prej ndërtimeve agresive duke mos iu lënë vend nxënësve as për fiskulturë e jo më për parcela eksperimentale.

Ndërtesa 95 vjeçare e Shkollës Profesionale “Charles Telford Erickson, pëson fatin e Teatrit Kombëtar

Ndërtesa e vjetër,  e ndërtuar nga amerikanët, ishte në gjendje shumë të mirë dhe u kthye në konvikt. Ajo mbarte jo vetëm vlera përdorimi por më shumë se aq edhe vlera historike. Natyrsht që mosha 95 vjeçare e ndërtesës mund të ketë kërkuar riparime dhe mirëmbajtje. Por në vazhdën e tendencës dhe joshjes së papërmbajtshme për të zhdukur çdo gjë nga tradita jonë përendimore, “Rilindja” vendosi t’i rezervojë edhe asaj shkolle fatin e Teatrit Kombëtar.

Momenti ishte ideal: Pandemia dhe zona disi jashtë syve dhe vemëndjes së njerëzve. Kështu u plotësua edhe një kërkesë e mafias së ndërtimit nëpërmjet të zyrtarëve të korruptuar të lidhur me të.

Shembja e asaj ndërtese përbën një atak të turpshëm ndaj historisë së mardhënjeve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo shkon në një vijë me atë që Enver Hoxha pati thënë për Erickson-in.

Dua të kujtoj këtu fjalën e Ambasadorit Amerikan Herman Bernstein, mbajtur tek ajo shkollë me rastin e inagurimit të një shtese, me datën 2 Prill 1933: Ai midis tjerash thotë:

“Unë jam posaçërisht i lumtur të shoh këtë kontribut të çmuar  të ndihmës bujare të ardhur nga Amerika e të sjellur këtu në këtë vend të vogël buzë Adriatikut, me njerëz të lashtë, e përsëri të rinj. Fondacioni që ka mbledhur fonde për këtë shkollë iu ka zgjatur dorën vëllazërore të bashkëpunimit me dëshirën e mirë dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë, larg nga çfarëdo motivi egoist apo agjende të fshehtë.”

Nuk e di nëse stafi i sotëm i Ambasadës Amerikane është njohur me këtë akt vandal – anti – amerikan të autoriteteve të sotme shqiptare, por natyrisht që ajo do të njoftohet edhe në rrugë formale edhe nëpërmjet të këtij shkrimi.

Ndërkohë, organet e Prokurorisë duhet të fillojnë menjëherë hetimin: Kush e prishi, kush e vlerësoi se duhej prishur, përse është prishur pa asnjë njoftim, a është njoftuar Ambasada Amerikane e cila ka patur dhe duhet të ketë shumë interes për këtë simbol të Amerikës në Shqipëri?

Nga të dhënat e para mua më rezulton se shkolla është prishur, veç tjerash sepse:

1 – Strehimi i studentëve i ka kaluar një firme private e lidhur me qeverinë, e cila ka një hotel aty afër, e që përfiton  para korruptive  nga buxheti i shtetit;

2.- Një ndërtues i fuqishëm do të ndërtojë aty me lejet e agjensive qeveritare, në një nga zonat më piktoreske të bregdetit tonë.

3.- Agjensia e ALUIZM – it, si vegël e Rilindjes anti perëndim,  ka një interes të veçantë në shkatërrimin e kësaj vepre të trashëgimisë tonë kulturore dhe politike, në përmbushje të agjendës rilindase alla Teatri Kombëtar.

95 vjet Histori Shqiptaro – Amerikane tani gjenden nën rrënojat e “Rilindjes”.

O Zot në çfarë kohe po jetojmë!

Filed Under: Featured Tagged With: Mal Berisha, Shembete shkolla“Charles Telford Erickson

PROF. MARTIN CAMAJ E KAM NJOFTË NË DITË TË VËSHTIRA

July 13, 2020 by dgreca

– Zotni Tare, vene gishtin në tamth e mendo mirë kur t’i shpifësh dikuj.-/

NGA LORO STAJKA- VIRGINIA/ USA/

I nderuemi zotni editor i gazetës Dielli,

Ju lutem të botoni këto pak rreshta që kanë të bajnë me nji shkrim, që mu duk shumë i ultë dhe i pa drejtë, kur ban fjalë për Prof Martin Camaj.

I tregoj artikullshkruesit se Prof. Camaj e kam njoftë nër ditë shumë të vështira. E kam njoftë në vend që as gjumi nuk na merte prej ujet.E njofta po sa dola prej burgut famëkeq Bugdanovkraj Cetinë të Malit të Zi ,pra u takuem në kampin e Barashumanovic, Mali I Zi (Cerna Gora) Martin Camaj i flente në nji dhomë me të ndertin P Danjel Gjegjaj e Pader Bernard Serreqin O.F.M .

Mund të them se ishim moshatarë ,ai kje student në gjimnazin e jezuitve e unë student në gjimnazin Iliricum Franceskan ,Shkodër.Ishte i edukuem me nji moral të shndoshë dhe me mish e shpirt antikomunist. Përsëri jemi taku në Beograd ,gjatë studimeve, e kemi pas nji shoqni të ngushtë se na lidhte nji ideal ,pra kje nji kundërshtar i komunizmit e ju me i vue dangën si spiun ashtë krejt gabim. Zotni ju tregoj nji rast; ishte dimni 1954. Në Beograd binte borë. Si unë si prof. Camaj, atëherë studenta, ishim pa kapota dimnit dhe bashkë shkueme deri në Marshallat ( Zyrja e Titos ) me lyp kapota e nuk na u dha. Mendoni ju se U.D.B-ja e la spijunin pa kapotë?!

Zotni vene gishtin në tamth e mendo mirë kur t’i shpifësh dikuj.

Loro Stajka   

Virginia/USA

Filed Under: Editorial, Opinion Tagged With: Auron Tare, Loro Stajka, Martin Camaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 476
  • 477
  • 478
  • 479
  • 480
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT