• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Politikanët milionerë në shtet të varfër

February 4, 2014 by dgreca

Nga Nadie Ahmeti/

Kosova konsiderohet i vendi më i varfër në rajon. Por, me gjithë shkallën e lartë të papunësisë dhe varfërisë, edhe në Kosovë ka qytetarë milionerë.
Disa përfaqësues të partive politike apo zyrtarë në institucione të larta, qoftë qendrore apo lokale, janë milionerë dhe të tjerë vlerësohen shumë të pasur.
Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, para të gatshme dhe vetura luksoze.
Ndërkaq, pagat për ta sillen rreth 17 mijë euro vjetore.
Profesioni më fitimprurës në Kosovë vlerësohet të jetë politika, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët shpesh kanë ngritur këtë çështje, madje duke e vlerësuar shqetësuese këtë fakt, në një vend ku një pjesë e qytetarëve mezi sigurojnë bukën.
Në Kosovë, ku paga mesatare është deri në 400 euro, gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër, sipas drejtorit të Agjencisë Kundër-korrupsion,Hasan Pretenit, është shumë e vështirë të arrihet pasuria milionëshe.
Ai thotë se diferenca e krijuar në shoqëri në vitet e pasluftës është e pajustifikueshme.
Preteni thotë se nuk është problem të jesh milioner, por më rëndësi është që të gjenden ata që kanë krijuar milionat, për një periudhë të shkurtër kohore, duke mos e respektuar ligjin.
“Është e vërtet se është vështirë të përballohet me zyrtarë të  lartë të cilët kanë deklaruar vlera të lartë monetare apo kanë pasuri të patundshme që përkojnë të jenë milionerë. Ndoshta nuk janë të tillë, por janë shuma të larta të cilat vështirë të besohet se në Kosovë për një kohë të shkurtë janë fituar”, tha Preteni.
Në vitin 2011, Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit kishte bërë të ditur se një nga 10 politikanët që ishin pretendentë për të hyrë në Kuvend, është milioner.
Paradoks e quan këtë situatë Fidan Kalaja, nga organizatat joqeveritare “Fol”.
Aspekti më i tmerrshëm, sipas tij, është se në Kosovë rreth 20 për qind e popullatës jetojnë në varfëri, kurse rreth tre për qind e popullatës, siç thotë ai, të instaluar në institucione të ndryshme publike, pasuria e tyre llogaritet të jetë deri në një miliard euro.
“Burimi i krejt kësaj pasurie është shumë i thjeshtë – abuzimi më pushtetin ka bërë që të kemi politikan që kanë pasuri milionëshe apo edhe miliardshe.
Këta zyrtarë kanë shfrytëzuar pushtetin që krijojnë miliona dhe kanë shfrytëzuar pushtetin që të formojnë biznese, biznese këto që më pas kanë përfituar nga pushteti”, thotë Kalaja për Radion Evropa e Lirë.
Përfaqësues të shoqërisë civile kanë vlerësuar se pasurimi i elitës politike, e ka varfëruar popullatën.
Edhe Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest” shprehet i çuditur me faktin se në Kosovë milionerë nuk janë biznesmenët, por një pasuri të tillë e kanë politikanët.
Me standardet e jetesës dhe më pagat e administratës publike, Abdixhiku konsideron se ka një shpërputhje të madhe  më pasurinë e politikanëve në vend
“Është e pakuptimtë se si politikanët kosovarë gjenerojnë kaq shumë pasuri me një pagë simbolike në relacion pasurinë e tyre. Duhet të ketë resurse apo burime tjera të financimit të kësaj pasurie jashtë politikes”.
“Me nivelin e lartë të korrupsionit dhe më gjithë këtë perceptim të keqpërdorimit të parasë publike është e drejtë të ngrihet dyshimi që ka keqpërdorime të mëdha, të cilat në fund të përfundojnë te pasuria individuale e politikanëve të Kosovës”, shprehet Abdixhiku.
Sidoqoftë, Ministri i Financave, Besim Beqaj ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave janë të përkushtuara që me reformat e nisura të rrisin edhe më shumë transparencën dhe kredibilitetin e sistemit për menaxhim me paratë publike.

 

Milionerë nga biznesi apo politika?

 

Kompanitë më të suksesshme private në Kosovë thuhet se janë të afërta me zyrtarë të partive të ndryshme politike që veprojnë në vend, apo që janë të krijuara nga vetë politikanët dhe deputetët në Kuvendin e Kosovës.
Përfaqësues nga organizatat joqeveritare dhe njohës të çështjeve ekonomike konsiderojnë se aktualisht bizneset në Kosovë janë të orientuara dhe të ndikuara nga politika. Sipas disa hulumtimeve që ka bërë Organizata për Demokraci, Anti- Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thuhet se sektori privat është tepër i varur nga sektori publik dhe shumë shpesh kompanitë më të suksesshme janë të afërta ose të themeluara nga politikanët.
Udhëheqësi i kësaj organizate, Avni Zogiani, thotë se kjo ndërlidhje ndërmjet biznesit dhe politikës, rezulton me mbijetesën e kompanive të caktuara, por edhe me ngufatjen e bizneseve tjera. 
“Sipas hulumtimeve të fundit të organizatës ‘Çohu’, kemi gjetur se 10 milionë euro nga tenderët publikë, iu shkojnë kompanive që kanë financuar apo përkrahur politikën në një mënyrë apo një tjetër, ose kanë qenë të themeluara nga politikanët apo nga të afërmit e tyre”, shprehet Zogiani.

Vetë fakti se shumë biznesmenë kanë hyrë në politikë, apo politikanët  janë bërë biznesmenë, thotë profesori i ekonomisë, Musa limani, tregon dominimin e politikës në jetën ekonomike.
Një numër i deputetëve dhe zyrtarëve të lartë në ekzekutiv jo zyrtarisht janë edhe biznesmenë, thotë Limani, duke shtuar se kjo ka bërë që të bëhen milionerë në një shtet ku varfëria dhe papunësia është shumë e madhe.

…për fat të keq, politika ka ndikim të veçantë për zhvillimin e bizneseve për disa individë të caktuar.

“Unë them se njerëzit që gjenden në institucione edhe më të larta shtetërore, deputetë, ministra, zëvendësministra, të cilët i kanë bizneset e veta dhe faktikisht duke keqpërdorur pozitën e tyre në këto institucione, mbështesin dhe e favorizojnë biznesin e tyre. Prandaj unë plotësisht pajtohem se për fat të keq, politika ka ndikim të veçantë për zhvillimin e bizneseve për disa individë të caktuar”, thotë Limani.
Në Kuvendin e Kosovës konsiderohet se janë rreth 40 deputete, të cilët kanë deklaruar pasurinë e tyre më shumë se një milion euro. Këta deputetë janë nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Vetëvendosja. Disa nga ta janë zyrtarisht pronarë të kompanive të ndryshme, e disa jo zyrtarisht njihen si biznesmenë.

Por, megjithatë, deputetët biznesmenë nuk mund të ndikojnë në jetën ekonomike, thotë Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë dhe Industri në Kuvendin e Kosovës.
Edhe pse ai pranon se disa deputetë, anëtarë të këtij komisioni, njihen edhe si biznesmenë, Pajaziti shprehet se prezenca e tyre në këtë komisionin ka ndihmuar shumë në përmirësimin e mekanizmave ligjorë sa i përket sektorit privat.
“Në fakt, në komisionin që drejtoj unë, ka disa deputetë që kanë bizneset e tyre, por për të qenë plotësisht korrekt dhe i sinqertë, krejt çka kam vërejtur unë, ata në procesin e trajtimit të ligjeve kanë shfaqur më shumë njohuri dhe interesim për shkak se e njohin më mirë atë profil.  Por, nuk ka pasur asnjë rast që ndikimi i biznesit të tyre, të ketë ndikuar te profili i ligjit apo të mbrojnë fizionominë e ligjeve për të mbrojtur bizneset e tyre”, thekson Pajaziti.
Zyrtarë të Qeverise së Kosovës, tashmë kanë deklaruar se Qeveria nuk ka lidhje me komunitetin e biznesit. Sipas tyre, ekzekutivi ka krijuar ambient të përshtatshëm për zhvillimin e veprimtarive të tyre dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë kompani nuk ka interesa të caktuara.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne shtet te varfer, Politikanet milionere

Idriz Lamaj: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”

February 4, 2014 by dgreca

Nga ANTON  ÇEFA/

Hulumtimi rreth ngjarjeve të së kaluarës dhe ndriçimi i figurave që kanë luajtur njëfarë roli historik, i jetës dhe veprimtarisë së tyre është i domosdoshëm, qoftë për ndërtimin e godinës historike kombëtare mbi themele të sakta-një detyrim qytetërues ndaj së kaluarës, qoftë për t’u orientuar në shtigjet politike të së tashmes-një detyrim i dyfishtë ndaj së sotmes dhe së ardhmes, qoftë për vlerësimin e veprimtarisë së tyre-një detyrim ndaj përpjekjeve, mundimeve e sakrificave të tyre, një detyrim që duhet ta lajë heret a vonë një komb i qytetëruar. Këtij qëllimi i shërben libri i fundit i studjuesit Idriz Lamaj mbi figurën e Xhafer Devës: “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, botuar në NY, kohët e fundit.

Le të kujtojmë gjithnjë thënien e famshme të filozofit amerikan, Santayanës: “Ata që nuk kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin atë”.

Duke qenë se për një kohë të gjatë historia jonë kombëtare, si në Shqipëri ashtu  edhe në trojet e robëruara, ka qenë mohuar, shtrembëruar, përbaltur, mallkuar, për ne shqiptarët, dritësimi i fakteve, ngjarjeve, personaliteteve ka një rëndësi të dorës së  parë.

Duke medituar për gjendjen e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, autori hulumton me zell e durim “si një vëzhgues i akullt i kohës” shkrimet dhe letrat e personaliteteve, që hodhën vallen e politikës shqiptare në mërgim dhe u jep dritë atyre mbi bazën  e  kujtimeve të veta në marrëdhënie me to, duke sendërtuar kështu një shërbesë me vlerë për një trajtim sa më objektiv të jetës dhe veprimtarisë së tyre.

Përveç njohjes e letërkëmbimit personal me Devën, përveç shkrimeve të botuara në shtypin e emigracionit, ku autori ka luajtur një rol aktiv, përveç letërkëmbimit për rreth 40 vjet të Devës me shokun e  mikun e tij të ngushtë, dr. Rexhep Krasniqin, Lamaj, me përpjekjet këmbëngulëse që e karakterizojnë,  siguroi  edhe korrespondencën që dispononte familja e Devës dhe që ia kishte dorëzuar z. Qefali Hamdisë.

“Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i mirrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihej një periudhë prej mbi 30 vjetësh, 1945-1978”-shkruan autori dhe sqaron: “Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë-tetë gjuhë. Korrespondenca e tij  është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht”.

Për trajtimin e kapitullit: “Marrëdhëniet e Xhafer Devës me Blokun Kombëtar Indipendent dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri dhe Kosovë”, autori u vu në lidhje me vëllezërit Kapidan Ndue Gjomarkaj dhe Nikollë Gjomarkaj, të cilët përveç vënies në dispozicion të lëndës së nevojshme, i ndihmuan në shqyrtimin e dokumenteve dhe në deshifrimin, transkribimin dhe përkthimin nga italishtja të materialeve të papublikuara deri më sot dhe që u botuan në këtë kapitull.

Libri fillon me një parathënie të shkurtër, mbas së cilës jepet një skicë  e jetës dhe e veprimtarisë së Xhafer Devës në mërgim, së cilës i shtohen disa të dhëna edhe për jetën e mëparshme në kapitullin “Xhafer Deva në SHBA.”; vijon parashtrimi me hollësi i veprimtarisë së Xhafer Devës në bashkëpunim me Blokun Indipendent për organizimin e zbarkimit të parashutistëve në Shqipëri e Kosovë dhe përpjekjet e tij për krijimin e një qendre sekrete informative në Kosovë në shërbim të amerikanëve dhe riorganizimin e Lidhjes së Prizrenit në Amerikë, (gjë që u bë me inisiativën e Grupit Kosovar me banim në NY, në emër të të cilit vepronte dr. Rexhep Krasniqi, megjithëse ishte kryetar i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë), si një organizatë politike kosovare e pavarur në botën e lirë. Flitet për organizimin e kongreseve të saj, në vitet 1966 dhe 1971; për pjesëmarrjen e Devës, në vitin 1972, në mbledhjen e Madridit për koordinimin e veprimtarisë së partive politike shqiptare në megrim.

Duke u mbështetur në frymën tradicionale të Lidhjes së Parë historike të Prizrenit dhe Lidhjes së Dytë, Lidhja e Prizrenit në Mërgim pati për qëllim realizimin e bashkimit të popullatës shqiptare që jeton në trojet e veta nën robërinë jugosllave me Shqipërinë, mbi bazën e së drejtës së popujve për vetëvendosje.

Lidhja e Prizrenit në Mërgim, nën drejtimin e Xhafer Devës, u bë një organizatë e fuqishme që luajti një rol të rëndësishëm për të paraqitur gjendjen reale dhe kërkesat e drejta të popullsisë shqiptare të pushtuar nga Jugosllavia. Ajo krijoi disa degë në SHBA, dy degë në Kanada, degë në Bruksel, Paris, 3-4 degë në Gjermani, Stamboll dhe Australi.

Nëpërmjet korrespondencës së Devës, autori ka dhënë edhe disa skica portretesh për disa nga udhëheqësit dhe veprimtarët kryesorë të Lidhjes së Prizrenit në Mërgim: Kalosh Hamdia, Hysen Terpeza, Ismet Berisha, Shemsedin Vendresha, Gjon Shtufaj dhe Zef Nekaj..

Deva, gjithashtu, luajti deri në njëfarë mase rolin e një katalizatori në lëvizjen politike shqiptare në mërgim. Ai ishte për një veprimtari të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare, në përpjekje për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe çlirimit të trojeve të pushtuara nga Jugosllavia. Duke gëzuar një reputacion të tillë, ai u zgjodh për të drejtuar tubimin e Madridit.

Libri mbyllet me kapitullin : “Shkrime të Xhafer Devës”, ku janë botuar : “Sfondi i depërtimit të suksesshëm të Bashkimit Sovjetik në Lindjen e Mesme” (një analizë politike që Deva e lexoi në Akademinë Ushtarake Amerikane në Ëst Point, material që botohet për herë të pare); një relacion i gjatë që Deva ia dërgoi Ministrive të Jashtme Italiane e Amerikane, nga fundi i vitit 1953 (i pabotuar) dhe një Fjalim i Xhafer Devës me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Blokut Kombëtar Indipendent.

Forcat politike në mërgim mbështetën Lidhjen e Prizrenit në Mërgim. Që në Kongresin e saj të Parë, në vitin 1966, në emër të “Vatrës”, z. Antoni Athanas-kryetar i atëhershëm i saj, u zotua  se “do të ndiqte me besnikëri idealet e Lidhjes së Prizrenit në Mërgim për realizimin e Shqipërisë etnike”. Në letrën e falënderimit që Deva i dërgon z. Athanas, shkruan: “Pjësëmarrja Juaj në Kongresin e Parë të Lidhjes së Prizrenit ishte një nderim i veçantë për mua dhe një garanci e vazhdimit të idealeve të Vatrës ndaj realizimit të Shqipërisë etnike. Fjalimi i Juaj prekës dhe zotimi se, ‘do të mbështesni me vendosmëri të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës për bashkim me shtetin e lirë shqiptar’, jam i bindur se do të dëgjohen në Ëashington me respekt dhe seriozitet…”

Shtjellimin e lëndës, autori e përfundon me kërkesën për kthimin në atdhe të ështrave të Devës: “Është detyrë morale e kosovarëve, sot në Kosovën e lirë prej pushtuesit serb, ta kthejnë Xhafer Devën në Kosovë, sepse varri i tij në vendlindje do të ishte një piramidë kufiri, e cila do t’i bënte roje atdheut më shumë se një ushtar i mbërthyer në armë.”

Libri është shkruar me një ndjenjë të ngrohtë dashurie e nderimi për personalitetin e Devës e veprimtarinë e tij politike dhe, përveç vlerës historike, aty-këtu ka pjesë të bukura letrare. Nuk mungojnë as fotografitë. Botimi i tij u bë i mundur me sponsorizimin e një grupi shqiptaro-amerikanësh.

Në emër të vatranëve përgëzoj autorin, z. Idriz Lamaj, anëtar i këshillit të “Vatrës”, për botimin e këtij libri dhe botimet e tjera me vlerë dhe i uroj shëndet dhe suksese në veprimtarinë e tij të mëtejshme krijuese e botuese.( Autori ishte editor i Diellit nga viti 1994-2009 Dielli-Arkiv)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Anton Cefa, Idriz Lamaj, mergata, Xhaferr Deva

Udhëkryqet e Serbisë

February 4, 2014 by dgreca

Nga Zeno JAHAJ/

Një vend udhëkryq është një mundësi fati e po aq ndoshta edhe për sfida. Serbia është një vend i tillë. Nëse udhëkryqet gjeografike e historike kanë një emër, ata me siguri do të quheshin Serbi. Çka dihet me siguri është se udhëkryqet gjeografike, si për këdo, edhe për Serbinë, mbeten të përjetshme. E pasigurt është nëse do të ndodhë kështu edhe me ata që janë formësuar nga gjeopolitika, historia, interesat apo orientimet strategjike. 

Udhëkryqi gjeopolitik

E shtrirë në qendër të Ballkanit , pikërisht aty ku lidhen vendet e Europës Qendrore me ato të Europës Juglindore, si dhe ato të Europës Perëndimore me Turqinë e Lindjen e Afërt, Serbia gëzon kështu të gjitha mundësitë e lehtësitë për shkëmbime të gjera vlerash, njerëzish e mallrash. Dy rrugëkalimet e vetme strategjike veri-jug kalojnë pikërisht përmes Serbisë: njëri përgjatë luginave të lumenjve Velika dhe Juzna Morava dhe tjetri paralel me të që kalon Beograd – G. Milanovac – Kraljevo – Prishtinë – Shkup. Falë vendvendosjes strategjike, Serbia mban nën kontroll korridoret e rëndësishme të transportit të lumit Danub dhe lumit Morava. Ndërkohë, fakti që ky vend nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me dete, e detyron të kërkojë e të krijojë patjetër rrugë komunikimi me vendet e tjera.Historia do t’i rezervonte Serbisë gjithashtu një hapësirë ndoshta unike, duke e përfshirë në qendër të zhvillimeve me rrjedhime rajonale e më gjerë. E ndodhur midis dy perandorive më të mëdha të kohërave, Perandorisë Austro-Hungareze dhe Perandorisë Otomane, fati i të cilave do të ishte shpërbërja pikërisht në prag dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, Serbia nuk mund të mos ishte pothuajse në të njëjtën masë sa molla e sherrit, aq edhe e fituara e kësaj lufte. Këtë terren e kishte përgatitur me agresivitet që në luftërat ballkanike.

Pozicioni i saj gjeostrategjik, si dhe zbrazëtitë që u krijuan nga shpërbërja e dy perandorive, do ta nxisnin Serbinë të kërkonte hapësira edhe më të mëdha për të krijuar të ashtuquajturën “Serbi e Madhe”. Brenda këtij koncepti, me përfundimin e Luftës së Parë Botërore do të shpallej Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e cila më 1929 do të ri-pagëzohej me emrin “Jugosllavia” dhe do të sundohej përsëri nga serbët. Një regjim politik mbretëror në një hapësirë ku ishin përzier gjithfarë kombesh, popujsh, fesh e gjuhësh e ku predominonin serbët, nuk mund të ishte gjë tjetër veçse legalizimi i sundimit të Serbisë.

Kur për herë të parë e të fundit në Luftën e Dytë Botërore Perëndimi u gjet në aleancë me Lindjen në luftën kundër nazizmit e fashizmit, Serbia – Jugosllavia e atëhershme, u gjet edhe ajo për herë të parë e të fundit në aleancë, si me Anglo-Amerikanët, ashtu edhe me Rusët, madje me një kontribut veçanërisht të vlerësuar.

Lufta e Ftohtë do ta rikthejë Serbinë në rrugëkryq. Pas formulës së famshme të Çërçillit, ajo do të mbetej përsëri në rolin e sfungjerit, duke e përcaktuar 50% nën influencën perëndimore dhe po aq nën influencën lindore. Në këto kushte, Serbia-Jugosllavia e atëhershme do të luante lojën e vendit të paangazhuar, por duke përfituar gjithsesi mbështetje të jashtëzakonshme financiare nga Perëndimi, sidomos nga SHBA, për të mos lejuar rritje të influencës sovjetike në Ballkanin Perëndimor. Ky kuadër “asnjanës” do t’ia linte duart të zgjidhura për të mbajtur nën kontroll të hekurt popujt e popullsitë heterogjene që përbënin Jugosllavinë, pavarësisht se në krye të Federatës do ishte një katolik kroat si Tito e, madje, për një kohë relativisht të gjatë.

Në kohët moderne, Serbia do të rikthehej në qendër të zhvillimeve e të konfrontimeve. Me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe me ardhjen e ultra-nacionalistit Millosheviç në krye të Serbisë, Jugosllavia u përfshi nga luftëra të ashpra ndëretnike, të cilat sollën fillimisht pavarësimin e Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë më 1991 e pastaj, të Bosnjës më 1992. Pjesa e mbetur nga Ish Jugosllavia (Serbia dhe Mali i Zi) në prill 1992 u deklarua si “Republika Federale e Jugosllavisë”. Ruajtja e emërtimit “Jugosllavi” s’ishte gjë tjetër veçse një mburojë politike për fushatat e egra ushtarake të regjimit të Millosheviçit për të krijuar e mbajtur me dhunë “Serbinë e Madhe.” Këtij qëllimi do t’i shërbenin gjenocidi në Bosnjë e, më pas, spastrimi etnik në Kosovë. Por fushatat e saj do të ndeshnin në vullnetet dhe në forcat e bashkërenduara të komunitetit ndërkombëtar, si dhe të popujve që ishin bërë pré e dhunës serbe, me qëllim që të parandaloheshin trajtat e rrezikshme dhe rrjedhimet e rënda për sigurinë kombëtare të popujve të Ballkanit Perëndimor që mund të merrnin ngjarjet e veçanërisht, të evitoheshin shkëndijat e një konfrontimi të mundshëm në një shkallë më të gjerë. Menaxhimi i një fuqie qendrore të Ballkanit Perëndimor, sikurse ishte Serbia, e cila vijonte të luante rrezikshëm lojën me kungulleshkat e përqindjeve të influencave të përcaktuara në Konferencën e Jaltës në funksion të orekseve të saj nacionaliste, do të detyronte Europën e SHBA-në për të bërë ndërhyrjen e parë ushtarake jashtë zonës formale të përgjegjësisë së NATO-s, por brenda vlerave dhe përgjegjësive morale të kësaj organizate.

      Drejt tregut Perëndimor

Kohët e kanë prurë tashmë që Serbia, ashtu si tërë Ballkani, të gjenden, për herë të parë në histori, brenda zonës së sigurisë e prosperitetit të dy organizatave më autoritare perëndimore, përkatësisht të NATO e BE. Në këtë kuadër, rreth dy të tretat e kufirit shtetëror të Serbisë kufizohet me vende anëtare të NATO-s e të BE-së. Nëse do të shtonim edhe faktin tjetër se, si NATO-edhe BE pritet ta zgjerojnë edhe më thellë në Ballkan anëtarësinë e tyre, duke pranuar, hë për hë, edhe Malin e Zi e Maqedoninë, atëherë në këto kushte, Serbia s’mbetet veçse si një ishull brenda detit të madh politik, ekonomik e të sigurisë perëndimore. Ky fakt, tej paragjykimeve apo përdredhjeve diplomatike të klasës politike serbe, përbën një mjedis sigurie e prosperiteti vendesh demokratike nga ku rrjedhin vetëm përfitime edhe për Serbinë. Mjafton të përmendim se mbi dy të tretat e volumit të eksport-importit të Serbisë realizohen me vende anëtare të NATO-s e BE, kryesisht me Gjermaninë e Italinë.Pasi ka lënë pas trashëgiminë mbretërore e atë komuniste, sot Serbia është shndërruar në një republikë parlamentare, ku pushteti politik i nënshtrohet rregullave të lojës demokratike dhe atyre të ekonomisë së tregut. Brenda këtyre vlerave, ajo është shprehur politikisht për pranimin në BE duke bërë edhe hapat e nevojshme në këtë drejtim derisa ka arritur tashmë të marrë statusin e vendit kandidat në këtë organizatë. Serbia merr pjesë në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, duke u deklaruar se do të kufizohet vetëm me statusin e vendit partner dhe jo të vendit anëtar. Ndërkohë, trupa të Forcave të Armatosura Serbe marrin pjesë në disa misione paqeruajtëse shumëkombëshe nën flamurin e OKB-së, si në Liban, Qipro, Bregu i Fildishtë, Liberi, etj. Angazhimet politike e ushtarake si më sipër krijojnë një kuadër që e përafron Serbinë me vlerat perëndimore, duke ndikuar njëherësh, për t’u shkëputur nga politika e saj tradicionale shoviniste dhe për të hyrë në rrugën e bashkëjetesës paqësore e të prosperitetit me vendet e tjera të rajonit.

  Me vështrim nga Lindja

Në të vërtetë, udhëkryqi historik e ka gjetur Serbinë të afruar më së shumti me Rusinë, aq sa kjo e fundit në qarqe diplomatike pranohet si padroni e mbrojtësi i Serbisë, apo aleati tradicional i saj, për shkak të bashkësisë në familjen sllave dhe fenë ortodokse. Fuqizimi i lidhjeve me Rusinë shprehet qartazi në fushat politike, ekonomike e ushtarake. Rusia, duke u bazuar në lidhjet tradicionale me Serbinë, ka shfrytëzuar e shfrytëzon çdo hapësirë që të ruajë këto lidhje sidomos përmes investimeve.

Në pikëpamje tregtare, Serbia përpiqet të ruajë një balancë midis Europës e Rusisë, duke u kushtëzuar nga kjo e fundit sidomos në fushën e importeve. Por Rusia ka fituar avantazh ndaj Europës në garën e vet për ta përfshirë në sferën Serbinë në sferën e saj, duke i hapur rrugë liberalizimit tregtar me Bashkimin Doganor Rus, si dhe me ndërtimin e Gazsjellësit South Stream. Serbia është i vetmi vend jashtë Komonuelthit të Shteteve të Pavarura që gëzon Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Rusinë, ku specifikohet zyrtarisht se mallrat ruse të prodhuara në Serbi konsiderohen si të origjinës Serbe dhe eksportohen si të tilla në Rusi të lira nga doganimi.

Ndërkaq, firmave Serbe u janë hapur të gjitha dritat jeshile për të investuar e punuar për Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Rusi (Sochi) gjatë vitit 2014. Përllogaritet që gazsjellësi South Stream të krijojë 2.5 mijë vende pune dhe do të sjellë rreth gjysmë miliardë investime të drejtpërdrejta në Serbi.

Në pikëpamje ushtarake, Serbia qysh prej fillim-vitit  2013 përftoi statusin e vëzhguesit të përhershëm në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive – një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia. Ndërkohë, në nivel bilateral, Rusia dhe Serbia kanë rinovuar në nëntor 2013 marrëveshjen trashmë pesëmbëdhjetë vjeçare të bashkëpunimit ushtarak. Në 2011, Rusia hapi në Nish një qendër infrastrukturore, e motivuar në dukje për raste emergjencash, por që rrezja e përdorimit të saj synon shumë më tepër se kaq.

    Në simetrinë Lindje – Perëndim

Duket se ka një simetri lëvizjesh, apo më saktë, një garë midis NATO-s e BE nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër për të kapur rrugëkryqin Serb. Në çastin që njëra palë është e lodhur apo e pafuqishme për të vepruar, atëherë iniciativën strategjike e merr pala tjetër. Një çast të tillë përbën, për shembull, e ashtuquajtura “lodhje nga e zgjerimi” e BE-së ndaj vendeve të Europës lindore. Sapo Europa ka dhënë shenja të tilla, në atë masë është vërsulur edhe Rusia për të mbushur zbrazëtinë. Në këtë kënd, Rusia e shikon mbështetjen ndaj Serbisë jo aq si mbështetje ndaj “vëllait të vet më të vogël,” por si mbështetje ndaj një vendi jo anëtar të NATO-s e BE-së. 

Sidoqoftë, asetet Ruse në Ballkan përgjithësisht e, për këtë arsye, edhe në Serbi e kanë humbur peshën që kishin në çastet e përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ballkani rrethohet tashmë nga një hark gjigant sigurie e prosperiteti Perëndimor që fillon në Detin e Zi e përfundon në Detin Baltik. Pothuajse të gjitha betejat ushtarake e politike të pasluftës së Ftohtë në rajonin e Ballkanit i fitoi Perëndimi. Ballkani e, respektivisht Serbia, nuk janë më sfungjeri i dikurshëm ku përplaseshin perandoritë e ideologjitë politike. Shumë-shumë, një status gare relativisht më të butë për influencë në këtë rajon e ruajnë vetëm fetë, të cilat, gjithsesi, nuk e kanë më mbështetjen politike, ekonomike e sociale që kanë pasur më parë.

Kësisoj, Serbisë i është dashur gjithnjë të luajë midis dy fuqive: midis gjeografisë dhe historisë, midis interesave dhe vlerave. Ky vlerësim ka edhe trajektoren e vet në kohë. Rusia doli e dobët nga Lufta e Ftohtë e, për më tepër, nuk është më në kontakt gjeografik me Serbinë sikurse ishte gjatë asaj kohe. Përkundrazi, partnerët kryesorë europianë të Serbisë, sidomos Gjermania, renditen ndër ekonomitë më të fuqishme kontinentale e globale dhe sfera e ndikimit të tyre është shumë më e afërt edhe gjeografikisht.

Pikërisht këtu gjenden arsyet e mëdyshjes serbe në politikat ndërkombëtare. Serbia, duke u ndodhur gjeografikisht midis dy sferave, si në pikëpamje vlerash, ashtu edhe interesash, është përpjekur e do të vijojë të përpiqet të bëjë sa lojën e Europës Perëndimore, aq edhe lojën e Rusisë.

Rusia është cilësuar apo vetë-trumbetuar si aleat tradicional i Serbisë, për shkak të lidhjeve të përbashkëta sllave e ortodokse. Por Serbia, ashtu siç është rreshtuar shpesh kundër  Perëndimit, jo rrallë herë në historinë e vet është rreshtuar edhe kundër Rusisë, sidomos përgjatë Luftës së Ftohtë. Prandaj, e vërteta është se lajkat që i bëjnë njëra tjetrës si aleatë tradicionalë duket se më së shumti kanë ngjyrën e interesave, sesa të klanit apo fesë. Por, më tepër se këto dy arsye të dukshme, interesi i Rusisë për Serbinë është ruajtja e me çdo kusht e një vend-bazimi në Ballkan, nga ku mbahet gjallë synimi i kahershëm për të depërtuar në Mesdhe e për të krijuar lidhje operacionale me bazat e tjera ruse në Siri e gjetkë e në këtë rajon.

Kësisoj, kemi të bëjmë më shumë me një fenomen gjeopolitik, se sa  me një dashuri bashkësie. Marrëdhëniet midis Serbisë e Rusisë përdoren më së shumti për të krijuar e mbajtur gjallë efekte politike e ekonomike, sesa marrëdhënie solidariteti. Kështu, për shembull, kur Millosheviçi erdhi në krye të shtetit serb, ai e përdori Rusinë për të demonstruar se nuk ishte i vetëm në aventurën e tij të ruajtjes me çdo kusht të “integritetit” të Jugosllavisë dhe, se pas shpinës së tij qëndronte një “Fuqi e Madhe.” Nga ana e saj, Rusia e atëhershme e përdori Serbinë për t’i demonstruar Perëndimit dhe botës se Rusia mbetej një Fuqi e Madhe pavarësisht se Ish Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë. Kësisoj, ndërsa Beogradi i përkëdhelte Rusisë egoizmin për t’u dukur se kishte mbetur ende në statusin e një superfuqie, Moska, nga ana e vet, shfrytëzonte imagjinatat e sëmura që ushqente Serbia për t’u shndërruar në një fuqi rajonale imperialiste.

     Drejt tregut ballkanik për influencë

E ndodhur në kushte ambiguiteti e udhëkryqesh, Serbia përpiqet e do të përpiqet të luajë një lojë të tretë, duke shfrytëzuar avantazhet gjeostrategjike për të përfituar si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi e duke u shtirur njëherësh as me Lindjen, as me Perëndimin, me synimin e vetëm për të zgjeruar influencën si fuqi rajonale. Serbia e ka kuptuar tashmë se lojës së ekspansionit për të kapur hapësira gjeografike i ka ikur koha. Për fatkeqësinë e saj, ajo e kuptoi e fundit në Europë vetëvrasjen e kësaj loje. Prandaj ajo i është drejtuar tani lojës për të fituar më shumë influencë. Këtij qëllimi i shërben edhe lëvizja e saj e fundit për të nxitur të gjitha vendet e ish Jugosllavisë për të krijuar zyra të përbashkëta diplomatike e konsullore, një iniciativë ndaj të cilës, jo çuditërisht, pjesa më e madhe e shteteve të shkëputura nga ish Jugosllavia i janë përgjigjur pozitivisht, gjoja për arsye kostosh e efektiviteti ekonomik. 

Sot ekonomia e Serbisë është një ekonomi ku predominon ekonomia e tregut, megjithëse ekonomia shtetërore akoma mban nën kontroll themelet e veprimtarisë ekonomike të vendit. Me asetet që zotëron, ajo është fuqia më e madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor, falë gërshetimit të popullsisë dhe ajo zotëron forcën më të madhe ushtarake në rajon.

Sidoqoftë, papunësia e madhe (25.9% në vitin 2012), të ardhurat relativisht të pakta për frymë (10.600 dollarë), reformat e papërfunduara strukturore, etj, kanë bërë që ekonomia të ketë vetëm një rritje simbolike prej 1.8% në vitin 2012. Borxhi publik ka arritur në 59.2 të GDP-së në fund të vitit 2012. In 2012, eksportet ranë 3.6% në krahasim me vitin 2011. Sfida të tjera që janë pamjaftueshmëria e sistemit juridik, nivelet e larta të korrupsionit dhe një popullsi në plakje. Të tilla problematika mund të shkaktojnë edhe më shumë makth ekonomik, ndarje politike e trazira sociale, sikurse kanë ndodhur jo pak herë në këta 10-15 vjetët e fundit. Si rregull, situata të tilla kanë shërbyer apo janë shfrytëzuar për të rritur dozat e nacionalizmit në politikën e jashtme.

    Tej udhëkryqeve

Fenomene të tilla siç përjeton Serbia, i kanë përjetuar më parë edhe vende të tjera të ngjashme në pikëpamje gjeostrategjike. Por e kanë gjetur rrugën e duhur përmes komunikimit e bashkëpunimit. Në këtë frymë, një dialog shpresëdhënës është nisur e po zhvillohet midis kryeministrave të Serbisë e Kosovës. Fakti që ky dialog zhvillohet nën kujdestarinë e BE-së do të thotë shumë. Në fund të fundit, rruga e prosperitetit ekonomik që frymëzohet e mishërohet nga BE-ja nuk mund të mos ketë rrjedhime edhe në fushat politike e të sigurisë, ku udhëkryqi serb është edhe më dyshues. Ndërkohë Kryeministri i Shqipërisë pritet të vizitojë Beogradin – një mesazh tjetër i frymës së re të bashkëpunimit që synon të lërë prapa sjelljen tipike ballkanase të përjashtimit e të konfrontimit.  

Problemi i Serbisë, por edhe i aktorëve të tjerë ballkanikë që lidhen me të, nuk janë udhëkryqet në vetvete, as zhdukja e tyre nga harta fizike, por krijimi i një harte mendimi e vlerash tej udhëkryqeve. Në të mirë të vetë Serbisë, ashtu si edhe të gjithë vendeve të rajonit përreth saj e më gjerë, është shndërrimi i udhëkryqit tradicional në një trafik sigurie e prosperiteti, në një nyje të shëndetshme komunikimi me tërë vendet e popujt e shumëvuajtur të rajonit. Ka ardhur tashmë koha që Serbia dhe ballkanasit përgjithësisht, të ndërgjegjësohen përfundimisht se ekuilibri i Ballkanit nuk mund të jetë monopol i askujt dhe se janë kufijtë e varfërisë që na ndajnë nga Europa, jo kufijtë politikë. Perspektiva e integrimit në Bashkimin Europian siguron si paqen, edhe sigurinë, edhe stabilitetin. Përpara sesa qeveritarët, këtë prirje të natyrshme e kanë kuptuar vetë popujt. Populli i Ukrainës p e dëshmon këtë. Pa kuptuar këto vlera, koha do të rezervojë vetëm udhëkryqe.

Filed Under: Featured Tagged With: udhekryqet e Serbise, Zeno jahaj

QENDRIMI NDRYSHE I EQEREM KARAJT

February 3, 2014 by dgreca

U nda nga jeta në moshën 79 vjeçare Eqerem Karaj, biri i denjë i Tiranës mëmë/

Nga Hektor ZOTAJ/ Virxhinia/

Pas një sëmundje të rëndë, u shua nga jeta, një nga ata që mban emrin e merituar-Njeri, iku ky tiranas autokton i mrekullushëm. Tirana-bazë tabani nuk i besoi komunizmit dhe nuk u pajtua kurrë me të. Jetën e ka mbështetur në punën e ndershme, në djersën e ballit. Fisi Karaj-burimi i Eqeremit, është i atij tabani. Ndërsa “jugori i kohës sonë” ishte ndryshe. Ai me mbarimin e luftës, me programin e komunizmit, vërshoi pa rreshtur për në Tiranë, dhe nuk e la atë kryeqytet të të gjithë shqiptarëve siç e gjeti, por u kthye në kryeqytetin e tij. Ky vërshim veshur  me pushtet, gjeti jetën të shtruar me të gjitha privilegjet, që politika ua siguroi vetëm atyre.

Përkëdhelja bëri që ata gjithnjë e më shumë të ndjeheshin më mirë se të tjerët, që atyre u takonte jeta, që kishin ardhur në botë për të sunduar, i shikonin ata të “biografisë” dhe vendalinjët si të dorës së dytë. Aq sa pasardhësit e tyre sot, u duket vetja si” racë e zgjedhur”. Harruan atë që kishin lënë pas-bukën e misrit të pjekur në hirin e vatrës, dhallën dhe gunën me lesh dhie. Jo se kjo prejardhje popullore është për t’u sharë, por sepse jeta e privilegjuar, e siguruar jo me përpjekje, jo me aftësitë e njeriut, por e dhuruar nga politika, është e turpshme dhe e përbuzur deri në neveri për shoqërinë njerëzore. Me këtë lloj jete të sajuar me anë të dhunës, si në asnjë vend tjetër të botës, Eqeremi qëndroi ndryshe. Në vitet e para tona të gjimnazit, pak shokë na bashkonte loja e varfër e rrugës, loja e topit. Ajo shoqëri e vogël çunakësh u kthye në një miqësi të ngushtë që vazhdoi gjithë jetën tonë. Trekëndshi i jetës së Eqerem Karajt, pas mbarimit të shkollës së lartë për bujqësi, qe në Tiranë, Berat, e përsëri në Tiranë. Ai bëri emër me punën e tij të nivelit të lartë profesional, me karakterin në marrdhëniet në punë e në jetë, duke krijuar një rreth shoqëror shumë të gjërë. Krijoi familjen e tij me një vajzë nga një familje e lashtë e fismee Beratit, e plotësuar me dy fëmijë, djalë e vajzë, që kanë marrë rrugën e jetës si qytetarë të denjë të këtij shekulli.

Me gjithë njohjen e gjërë që kishte , në ato vite të asaj lloj jete, sferën e shoqërimit e bënte shumë të përcaktuar, në përshtatje me botkuptimin e tij për jetën. Përçmonte, përbuzte, e urrente, atë jetë të çmëndur të politikës, që sundonte gjithë hapësirën tonë, e gjithë qenien tonë.

Rezistenca e heshtur- ishte qëndrimi ndryshe i Eqeremit, siç qe e përgjithshme për gjithë shtresën mëmë të Tiranës të brezit të tij e më vonë.

Regjimi u përpoq të afronte nga kjo shtresë e Tiranësve, për të rregulluar sadopak imazhin e tij të mbaruar. Edhe në ato raste që tiransit u përzjenë për qëllime praktike, asnjëherë natyrën e tyre nuk e ndryshuan. Ata mbetën bijë të vërtetë të shtresës që u atkonte. Ata nuk bënë kurrë “luftë klase”, urrejtje klasore, përkundrazi, kur mundej zgjidhnin nën rrogoz edhe ndonjë hall të deklasuarëve.

Tiranën mëmë, kurr nuk mundi ta deformojë regjimi, me përjashtim të ndonjë “hibridi”. Kur filluan ndryshimet në Shqipëri,  në vitin 1991, Eqerem Karaj u përfshi menjëherë dhe pa rezerva. Ai megjithëse kishte kapacitetin, intelektin, reputacionin, nuk synoi asnjë karrierë në këtë përfshirje, bëri vetëm detyrën e një qytetari me dinjitet, duke shprehur hapur revoltën e tij, për atë regjim të urryer dhe të përçmuar. Ai u udhëhoq në jetën e tij të zakonshme, qytetare, duke përbuzur çdo cak për pushtet, e çdo pasuri të përfituar nëpërmjet politikës!

E ky është përsëri qëndrimi ndryshe i tij. Ai do t’i mungojë familjes që la në pikëllim të madh, do të na mungojë neve, të gjithë shokëve dhe miqëve të tij. Ai iku duke lënë pas portretin e tij, portretin e një njeriu të mirë, që i mungon aq shumë shoqërisë shqiptare sot.

Filed Under: ESSE Tagged With: Hektor Zotaj, homazh, i eqerem Karajt, qendrimi ndryshe

U nda nga jeta Mihane Sina – Damzi – (1935-2014)

February 3, 2014 by dgreca

Ajo kishte mbetur si një shenjë – si një pikë loti… iku dhe u tretë në moshën 79 vjeçare….!/

Nga Avenir SINA – New York/

TIRANE : Javën e kaluar në shtëpinë e saj – në Tiranë, rrethuar nga fëmijët, nipat dhe mbesat, bashkëshortit të saj Llanë Damzi, njeriu me të cilin ajo ndau dashurinë e rinisë së saj, pjestojë jetën e saj me të mirat e vështërsitë e saj – u nda nga jeta njëra nga pinjollet e shtëpisë së madhe të Sinës së Dibrës – Mihane Sina Damzi. E cila, kishte mbetur si një shenjë – ose një pikë loti – që iku dhe u tretë në moshën 79 vjeçare.  Mihana, ishte bijë fisnike e familjeve të mëdha dibrane, mbesa e Kaloshëve të zëshëm të Dibrës, e bija e Beqir Sinës, një nga patriotët dhe anti-komunistët e njohur në Dibër. Ajo duke trashëguar atë trashgmnin e prindërve të saj – babait Beqirit dhe nënës së saj Kafile Kaloshes, u bë nga vetë jeta e saj, plot trazira,simbol  i virtyteve dhe sakrificave të shtresës së të përndjekurve nga regjimi komunist, në Shqipëri.

Në moshën 14 vjeç “Sulltanesha” e Sinajve, e bukur dhe gjatë, martohet me djaloshin e Damzëve të Luzinës, edhe ky biri i një familje e njohur në këtë zonë, Damzi, është fisë me tradita të vyera patriotike, familje fisnike dhe luftëtare për komb, familje e madhe me miq shumë në Dibër.

Mihane Beqir Sina, ka lindur më 20 Tetor 1935 në katundin Rreth-Kale, prefektuara e Muhurrit në Kullën e Rushit Sinës, në familjen e famshme të komandatit, ish luftëtarit, trimit dhe patriotit shqiptarë, i cili luftojë kundra shkajut me çetën e dalluar të dibranëve në Luftën e Shkodrës – kundra hordhive serbo – malazezëve.

Mihana, ishte fëmija i shtatë nga 9 fëmijët të prindërve Beqir dhe Kafile Sinës ( nga këta tani vetëm një ka mbetur gjallë, dhe ai është Hashim Sina – që jeton në moshë në Staten Island – SHBA prej 50 vjetëve. Ajo ishte vajza më e madhe, ish oficerit ushtarak me gradën Togerr – Komandantit të Xhandarmërisë dhe Nën Prefektit, të Mbretit Zog. Si  në Dibër të Madhe, Lushnje, Rroskovec, Delvinë dhe Elbasan, figurë historike e përmasave kombëtare, për të cilin gjithë populli i Dibrës, ushqen respekt e nderim të njëjtë, ashtu si edhe në ato vende ku ai shërbeu gjatë kohës ë Mbretit Zog, si N/prefekt dhe Komnadant Xhandarmërie.

Mihana, ishte e martuar me Llanë Damzin, një pinjollët e Sefë Damzit, ose e njohur në ato anë si Shtëpia e Damzit, në Luzni. Ajo ishte nënë e gjashtë fëmijëve, djemëve Haxhiut, Rexhepit, dhe Kaloshit dhe tri vajzave, Habibes , Bardhës dhe Flutrës.

Fati ia solli që qysh në moshën 8 vjeçare, kur ajo akoma po rritej , si nje gonxhe e bukur , së bashku me motrën e saj të ndjerë Remën, këtë motër, që ajo e donte si shpirtin e saj –  fillon kalvari i madh i vuajtjeve dhe i tmerreve të pafund . E gjithë familja mes një terrori, ku nuk u kursyen as fëmijët e këtyre familjeve të mëdha , patriotike dhe intelektuale, ajo me Sojniken në ballë, si i thërrsnin në interrnim asaj, internohet fillimisht në Berat.

Një vit pas kësaj zemrat e dy motrave dhe 7 vëllezërve, hidhen në mes të “katër rrugve”  zemrat e tyre të vogla do të shprisheshin – do të mbuloheshin “me gjak”, me shumë dhimbje dhe shumë hidhërim – nga ato që kapluan mbarë familjen Sina, mbasi në mal në përpjekje me forcat e ndjekjes – vritet nga forcat e sigurimit, Batalionit famëkeq Hakmarrja –  i pari i shtëpisë, Beqir Sina në moshën 42 vjeç.

Më pasë – mbas prishjes me Jugosllavinë e Titos, për fëmijët e Beqir Sinës, nisi internimimi dhe burgu dhe ndëshkimi për shkak të aktivitetit të prindërve, i urdhëruar dhe ekzekutuar nga komunistët, pas ardhjes në pushtet të “çlirimtarëve” komunistë me yllin moskovit në ballë.

Arsyeja dihet: – babai i Mihanes ishte shpallur Armik i Popullit nga Partia dhe mentorët e tyre serbo sllavë. Si pasojë do të dënohej e gjithë familja Sina, dhe mbarë fisi, për të mos thënë e gjithë Dibra. Si ishin dënuar edhe fëmijët, pleqtë dhe krejt anëtarët e parisë së Dibrës dhe gjithë Shqipërisë. Të gjitha familjet patriote dhe fisnike – familjet e mëdha dhe të dëgjuara, pushkatohen, burgosen e internohen qysh në muajt e parë të vitit 1945, fillimisht në Berat dhe pastaj në Porto Palermo, Tepelenë, Delvinë, Këneta e Maliqit, Radostin, Zvernec, Fabrika e Tullave, e tjer.

Këtu do të humbte jetën Selman Sina ( në Berat) edhe Sojnikja – Kafile Kaloshja do të vdiste në interrnim  në Savër Lushnje, dhe disa prej pjesëtarëve të familjes Sina dhe Kaloshi.

Në këtë kohë, meqense i biri i Beqir Sinës, Ferit Sina ( ish studenti i Normales së Elbasanit ) ishte caktuar komisar politik, i çetës së Dibrës, dhe kishte luftuar deri në Nish, së bashku me forcat partizane, Kaloshët dhe Ndreun – u bëhet një “lëshim” nga qeveria e atëhershme, një pjesë e familjes sëbashku me Mihanën dhe me të motrën Remen – lirohen nga internimi dhe i dërgojnë në vendlindjen e tyre , në Rreth Kale. Në mes kushtesh tragjike, e të një mjerimi të tejskajshëm si në ato të filmave….

Kështuqë, ata të ngelur në mes “katër rrugëve” si i thonë nga Dibra, ku nuk kishin një strehë për të futur kokën , pasi shtëpia – u ishte djegur, gjendet për ta një kasolle e nënës së Ramadan Sinës, si i thërrisnin asaj në fshat.

Shkrimtari i njohur Klajd Kapinova, studiues dhe njohës i mirë i historisë së Shqipërisë e ka përshkruar jetën për këtë familje, në një shkrim të tij rreth familjes Sina, se :”Duke shfrytëzuar mjetet rrethanore dhe teknikën e ndërtimit asokohe, ata e  rrethuan me qepa (një lloj materiali i përdorur gjerësisht asokohe) e veshën me thupra dhe më pas e suvatuan me baltë e harasan.

Kjo ishte gjendja e mjeruar asokohe e Dibrës dhe në tërësi e Shqipërisë, thotë Kapinova, shkrimtari me renome , duke folur për atë që askohe familja Sina po përpiqej të luftonte mjerimin dhe prapambetjen, që u thellua me ardhjen në pushtet të proletarëve pa fe, atdhe e ide. Tashmë varfëria ekstreme u ul këmbkryq ne familjet shqiptare në qytet e katund…thekson ai

Duke shtuar se :”Por nga ana e tjetër, gjesti bujar, për t’iu gjendur në nevoj kësaj familje fisnike nuk mungoi, sepse të gjithë i donin dhe respektonin Sinajt…”

Aty, pra në këto kushte të mjerueshme, ata kaluan një pjesë të jetës së tyre, mes këtyre njerëzve fisnik e bujar, dhe kalvari i vuajtjeve vazhdoi .

Por shpejt, ëndërra e adolishentes errësohet dhe vendin e saj dhe dikur shtëpinë e saj –  e zë mjerimi dhe vuajtjet e njëpasnjëshme, që nuk kanë të sosur në familjen Sina, për shumë dekada, gjatë kohës së sundimit të kuqalashëve me hu, litar dhe mashtrim propagandist të Tiranës së kuqe prej 1944-1990.

Ky ishte pra fati i keq i kësaj bije, nëne dhe motre, gjyshe së fundi, që në hapat e para të jetës, regjimi komunistë do të tregohej shumë i pamëshirshëm. Pa ndonjë shkak tjetër, por veçse ishte e bija e Beqir Sinës, dhe motra e 5 vëllezërve të arratisur si kundërshtar të përbetuar të regjimit të Enver Hoxhës, atë në çdo pjesë të jetës do t’a ndiqte hija e keqe e sigurimit të shtetit -dhe damka “E bija e Armikut të Popullit”.

Megjithëse, emri i saj, dhe i motrës së saj të ndjer Remes, ndonëse ishte kudo në këto fshatara  mishërim i dimensionit më të thellë të qenies njerëzore – dashurisë, bujarisë dhe humorit- rezultoi në fakt në një zhgënjim të pa merituar për këta njerëz, në një dënim.

Jeta e e dy motrave fisnike, që nga fëmijëria, e tyre engjëllore, deri sa kaluan edhe në amshim, ishte praktikisht një dënim i pafundëm – duke parë me sytë e tyre edhe si fëmijë, vetëm pushkatime, interrnime, pranga e tela me gjemba( vëllai i tyre Musa vuajti në burg 28 vjetë).

Kalvari i vuajtjeve nisi me shkak ardhjen në pushtet, të komunistëve, dhe ngaqë Rushiti, Beqiri, njihej si luftëtar i përbetuar i serbo – malazezëve, dhe të kuqve, sllavo komunistëve, Feiriti dhe vëllai i tij Rushit Sina, me djemtë e Kaloshëve dhe Ndreut, u pushkatuan në brugun e tmerrshëm të Kalasë së Shkupit, dhe trupat thuhet ua hodhën në Vardar.

Ata thuhet se u pushkatuan nga sigurimi i shtetit që vepronte edhe në tokat shqiptare nën ish Jogosllavi, në bashkëpunim me UDB Jugosllave në kalanë e Shkupit. Në korrik të vitit 1957 , arratisen në Jugosllavi, dhe më pasë emigrojnë në SHBA, vëllezërit Rasim, Hashim dhe Besim Sina. Dhe në këtë kohë nënën e tyre Kafile Sinën e burgosin dhe më pas e internojnë në Savër të Lushnjes…

Megjithatë, Mihana arrin të mbijetojë për të dëshmuar vitalitetin dhe forcën e genit fisnik të familjes e fisit të saj, pas shumë stërmundimesh mes sakrificash të panumërta e privimesh që tashmë njihen nga të gjithë, ajo rritë me ndershmëri dhe djersë e ballit gjashtë fëmijë, tre djemët ; Haxhiun, Rexhepin, dhe Kaloshin dhe tri vajzat, Habiben , Bardhën dhe Flutrën..

Vitet e fundit të jetës Mihana, i kaloi mes gëzmit dhe lumturisë së ardhjes së lirisë dhe demokracisë, sa në Peshkopi,  Tiranë – , mes shumë nipash e mbesash, si një nënë e dhembshur dhe shpirtmadhe, duke u lënë si trashëgim mësimet e hidhura të jetës nën diktaturën komuniste, dashurinë shëmbullore, bujarinë dhe humorin e saj. Ajo kishte mbetur si një shenjë – ose një pikë loti – që iku dhe u tretë në moshën 79 vjeçare.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Mihane Sina, u nda nga jeta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4896
  • 4897
  • 4898
  • 4899
  • 4900
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT