Nga Nadie Ahmeti/
Kosova konsiderohet i vendi më i varfër në rajon. Por, me gjithë shkallën e lartë të papunësisë dhe varfërisë, edhe në Kosovë ka qytetarë milionerë.
Disa përfaqësues të partive politike apo zyrtarë në institucione të larta, qoftë qendrore apo lokale, janë milionerë dhe të tjerë vlerësohen shumë të pasur.
Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, para të gatshme dhe vetura luksoze.
Ndërkaq, pagat për ta sillen rreth 17 mijë euro vjetore.
Profesioni më fitimprurës në Kosovë vlerësohet të jetë politika, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët shpesh kanë ngritur këtë çështje, madje duke e vlerësuar shqetësuese këtë fakt, në një vend ku një pjesë e qytetarëve mezi sigurojnë bukën.
Në Kosovë, ku paga mesatare është deri në 400 euro, gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër, sipas drejtorit të Agjencisë Kundër-korrupsion,Hasan Pretenit, është shumë e vështirë të arrihet pasuria milionëshe.
Ai thotë se diferenca e krijuar në shoqëri në vitet e pasluftës është e pajustifikueshme.
Preteni thotë se nuk është problem të jesh milioner, por më rëndësi është që të gjenden ata që kanë krijuar milionat, për një periudhë të shkurtër kohore, duke mos e respektuar ligjin.
“Është e vërtet se është vështirë të përballohet me zyrtarë të lartë të cilët kanë deklaruar vlera të lartë monetare apo kanë pasuri të patundshme që përkojnë të jenë milionerë. Ndoshta nuk janë të tillë, por janë shuma të larta të cilat vështirë të besohet se në Kosovë për një kohë të shkurtë janë fituar”, tha Preteni.
Në vitin 2011, Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit kishte bërë të ditur se një nga 10 politikanët që ishin pretendentë për të hyrë në Kuvend, është milioner.
Paradoks e quan këtë situatë Fidan Kalaja, nga organizatat joqeveritare “Fol”.
Aspekti më i tmerrshëm, sipas tij, është se në Kosovë rreth 20 për qind e popullatës jetojnë në varfëri, kurse rreth tre për qind e popullatës, siç thotë ai, të instaluar në institucione të ndryshme publike, pasuria e tyre llogaritet të jetë deri në një miliard euro.
“Burimi i krejt kësaj pasurie është shumë i thjeshtë – abuzimi më pushtetin ka bërë që të kemi politikan që kanë pasuri milionëshe apo edhe miliardshe.
Këta zyrtarë kanë shfrytëzuar pushtetin që krijojnë miliona dhe kanë shfrytëzuar pushtetin që të formojnë biznese, biznese këto që më pas kanë përfituar nga pushteti”, thotë Kalaja për Radion Evropa e Lirë.
Përfaqësues të shoqërisë civile kanë vlerësuar se pasurimi i elitës politike, e ka varfëruar popullatën.
Edhe Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest” shprehet i çuditur me faktin se në Kosovë milionerë nuk janë biznesmenët, por një pasuri të tillë e kanë politikanët.
Me standardet e jetesës dhe më pagat e administratës publike, Abdixhiku konsideron se ka një shpërputhje të madhe më pasurinë e politikanëve në vend
“Është e pakuptimtë se si politikanët kosovarë gjenerojnë kaq shumë pasuri me një pagë simbolike në relacion pasurinë e tyre. Duhet të ketë resurse apo burime tjera të financimit të kësaj pasurie jashtë politikes”.
“Me nivelin e lartë të korrupsionit dhe më gjithë këtë perceptim të keqpërdorimit të parasë publike është e drejtë të ngrihet dyshimi që ka keqpërdorime të mëdha, të cilat në fund të përfundojnë te pasuria individuale e politikanëve të Kosovës”, shprehet Abdixhiku.
Sidoqoftë, Ministri i Financave, Besim Beqaj ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave janë të përkushtuara që me reformat e nisura të rrisin edhe më shumë transparencën dhe kredibilitetin e sistemit për menaxhim me paratë publike.
Milionerë nga biznesi apo politika?
Kompanitë më të suksesshme private në Kosovë thuhet se janë të afërta me zyrtarë të partive të ndryshme politike që veprojnë në vend, apo që janë të krijuara nga vetë politikanët dhe deputetët në Kuvendin e Kosovës.
Përfaqësues nga organizatat joqeveritare dhe njohës të çështjeve ekonomike konsiderojnë se aktualisht bizneset në Kosovë janë të orientuara dhe të ndikuara nga politika. Sipas disa hulumtimeve që ka bërë Organizata për Demokraci, Anti- Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thuhet se sektori privat është tepër i varur nga sektori publik dhe shumë shpesh kompanitë më të suksesshme janë të afërta ose të themeluara nga politikanët.
Udhëheqësi i kësaj organizate, Avni Zogiani, thotë se kjo ndërlidhje ndërmjet biznesit dhe politikës, rezulton me mbijetesën e kompanive të caktuara, por edhe me ngufatjen e bizneseve tjera.
“Sipas hulumtimeve të fundit të organizatës ‘Çohu’, kemi gjetur se 10 milionë euro nga tenderët publikë, iu shkojnë kompanive që kanë financuar apo përkrahur politikën në një mënyrë apo një tjetër, ose kanë qenë të themeluara nga politikanët apo nga të afërmit e tyre”, shprehet Zogiani.
Vetë fakti se shumë biznesmenë kanë hyrë në politikë, apo politikanët janë bërë biznesmenë, thotë profesori i ekonomisë, Musa limani, tregon dominimin e politikës në jetën ekonomike.
Një numër i deputetëve dhe zyrtarëve të lartë në ekzekutiv jo zyrtarisht janë edhe biznesmenë, thotë Limani, duke shtuar se kjo ka bërë që të bëhen milionerë në një shtet ku varfëria dhe papunësia është shumë e madhe.
…për fat të keq, politika ka ndikim të veçantë për zhvillimin e bizneseve për disa individë të caktuar.
“Unë them se njerëzit që gjenden në institucione edhe më të larta shtetërore, deputetë, ministra, zëvendësministra, të cilët i kanë bizneset e veta dhe faktikisht duke keqpërdorur pozitën e tyre në këto institucione, mbështesin dhe e favorizojnë biznesin e tyre. Prandaj unë plotësisht pajtohem se për fat të keq, politika ka ndikim të veçantë për zhvillimin e bizneseve për disa individë të caktuar”, thotë Limani.
Në Kuvendin e Kosovës konsiderohet se janë rreth 40 deputete, të cilët kanë deklaruar pasurinë e tyre më shumë se një milion euro. Këta deputetë janë nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Vetëvendosja. Disa nga ta janë zyrtarisht pronarë të kompanive të ndryshme, e disa jo zyrtarisht njihen si biznesmenë.
Por, megjithatë, deputetët biznesmenë nuk mund të ndikojnë në jetën ekonomike, thotë Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë dhe Industri në Kuvendin e Kosovës.
Edhe pse ai pranon se disa deputetë, anëtarë të këtij komisioni, njihen edhe si biznesmenë, Pajaziti shprehet se prezenca e tyre në këtë komisionin ka ndihmuar shumë në përmirësimin e mekanizmave ligjorë sa i përket sektorit privat.
“Në fakt, në komisionin që drejtoj unë, ka disa deputetë që kanë bizneset e tyre, por për të qenë plotësisht korrekt dhe i sinqertë, krejt çka kam vërejtur unë, ata në procesin e trajtimit të ligjeve kanë shfaqur më shumë njohuri dhe interesim për shkak se e njohin më mirë atë profil. Por, nuk ka pasur asnjë rast që ndikimi i biznesit të tyre, të ketë ndikuar te profili i ligjit apo të mbrojnë fizionominë e ligjeve për të mbrojtur bizneset e tyre”, thekson Pajaziti.
Zyrtarë të Qeverise së Kosovës, tashmë kanë deklaruar se Qeveria nuk ka lidhje me komunitetin e biznesit. Sipas tyre, ekzekutivi ka krijuar ambient të përshtatshëm për zhvillimin e veprimtarive të tyre dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë kompani nuk ka interesa të caktuara.