• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT JANË NJË NË TROJET E VETA

January 10, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

“Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpatëve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve.  Sot kjo familje asht shue.  Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve të historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme.  Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë, banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore.  Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore.  Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejnë të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë.  Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrënjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.” 

Nga fjalimi i At Gjergj Fishtës mbajtur në Konferencën e Paqës në Paris – 1919

Shkas për këtë shkrim u bë një artikull që lexova në faqen e internetit të Agjencisë së lajmeve INA, me qendër në Shkup.  Redaksia e INA-së me të drejtë ankohet për një problem që e quan aktual, por në të vërtetë është një problem i vjetër dhe i vazhdueshëm.  Por, për më tepër, është një fenomen shqetsues edhe për nga fakti se ka mbijetuar në median shqiptare, dhe që në të vërtetë është një çpikje dhe shpifje e politikës dhe medias anti-shqiptare të fqinjve, ç’prej shekullit të kaluar, kur Shqiptarët në trojet e veta në ish-Jugosllavi, cilësoheshin me lloj-lloj epitetesh fyese për t’i dalluar ata nga “Shqiptarët e vërtetë” të Shqipërisë së cunguar, në përputhje me zbatimin e strategjisë politikës sllave se shqiptarët nën ish-Jugosllavi nuk janë aty në trojet e veta, por të ardhur.

Agjencia Ina specifikisht ankohet ndaj disa “mediave në Shqipëri, që vazhdojnë t’i quajnë Shqiptarët e Maqedonisë si shqiptaro-maqedonas”, duke shkruar se epitete të tilla, “përbëjnë një skandal”.  Ajo citon profesorin  e Universitetit të Shkupit, Avzi Mustafa, i cili shpreh zemërimin e tij ndaj këtij fenomeni në median shqiptare duke thënë se,

“Duhet të ndërpriten emërtimet e tilla.  Sepse me këto emërtime ata na llogarisin se ne jemi si emigrantë apo diasporë në Maqedoni.  Shqiptarët e Maqedonisë janë autoktonë dhe duhet të llogariten ashtu siç janë, e jo të emërtohen ashtu siç është praktikë në mediat e Shqipërisë, si maqedonas apo shqiptaro -maqedonas.  Në kontekstin gjeografik nëse duhet të përdoret, atëherë le të përdoret ajo që u takon shqiptarëve, dhe të quhen shqiptarë të Shqipërisë Lindore. Por, do të ishte më e drejtë që shqiptarët që jetojnë në Maqedoni të thirren shqiptarë të Maqedonisë”, u shpreh për Agjencinë INA, Profesori i Albanologjisë në Universitetin e Shkupit, Avzi Mustafa.   “Ne jemi një komb, kemi një identitet shqiptar dhe nuk dallojmë me shqiptarët në Shqipëri, ndërsa dallojmë shumë nga maqedonasit”, tha në deklaratën e tij për INA-n, Profesori Mustafa.

Agjencia INA njofton gjithashtu se me nismën e saj, një grup intelektualësh së shpejti do i drejtojë një peticion mediave, institucioneve dhe udhëheqësve më të lartë të Shqipërisë me qëllim që të, ”ndërpriten së përdoruri emërtime të tilla shpifëse ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.”   Naser Pajaziti, njëri ndër drejtuesit e Agjencisë së lajmeve INA deklaroi në lidhje me këtë nismë se, “Qëllimi ynë është që të ndërpriten praktika të tillë, sepse konsiderohen si fyese dhe denigruese për çdo shqiptar në Maqedoni.  Me këtë fushatë kërkojmë mbështetje nga mediat, intelektualët shqiptarë dhe institucionet që të ndërpritet emërtimi i tillë i shpifur”, u shpreh Naser Pajaziti, i agjencisë INA.

Kjo nismë e Agjencisë INA meriton mbështetjen e të gjithëve, si një çështje prioritare, sidomos të përfaqsuesve të medias por edhe të gjitha enteve politike, akademike dhe kulturore, anë e mbanë trojeve shqiptare, pasi ky nuk është vetëm një problem për shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoni, por për të gjithë shqiptarët kudo, përfshirë shqiptarët në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore, ndaj të cilëve janë përdorur epitete shpifëse e denigruese.  Nuk ka të falur që media shqiptare të bie pre e përdorimit të këtyre epiteteve kur shkruan për shqiptarët në trojet e veta.

Mediat dhe politika sllave që i kanë çpikur këto epitete fyese ndaj shqiptarëve, i kanë përdorur dhe vazhdojnë t’i përdorin për qëllime të caktuara politike dhe gjeopolitike.  Por, këtë nuk duhet ta bëjnë media dhe politika shqiptare.  Në përpjekje për të përçarë e sunduar, politika sllave i përcaktonte shqiptarët që jetonin në trojet e veta në ish-Jugosllavi, me termin denigrues “shiptari” ose me epitetin edhe më denigrues, “shiftari”, për t’i dalluar ata nga shqiptarët e Shqipërisë, termi sllav për të cilët është “albanci”.   Qëllimi i kësaj politike shekullore anti-shqiptare nga fqinjtë ishte që të zhdukeshin gjurmët e karakterit të kombit shqiptar në tokat e pushtuara prej tyre,  siç ka thënë edhe At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës në Paris pothuaj 100-vjetë më parë është,  “për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqës se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.”  Pra, sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqën”.

Prandaj, gjithnjë sipas Fishtës në të njëjtin fjalim, pasi “shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare” si e tillë atëherë,  të gjithë shqiptarët kudo, sidomos brenda kufijve të vetë etnikë dhe gjeografikë, duhet të përdorin parime të njëjta drejtshkrimore në lidhje me përcaktime të tilla në media, por edhe në prononcime e deklarata politike, si një ndërmarrje kjo e pandashme e ndërgjegjes dhe e identitetit të përbashkët kombëtar.

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: At Gjergj Fishta, Frank shkreli, Jemi nje

Psikologjia etnike si dëshmi e origjinës ilire të popullit tonë

January 10, 2014 by dgreca

NGA ANTON ÇEFA*/

    Prejardhja e shqiptarëve prej ilirëve është pranuar dhe argumentuar shkencërisht nga historia, arkeologjia, antropologjia, gjuhësia, si leksik dhe si strukturë gramatikore, toponimia, antroponimia, etnografia, historia e artit, gjeografia, gjenetika.

Argumente të shëndosha për këtë fakt na japin edhe mjaft përbërës etnopsikologjikë të përbashkët të ilirëve dhe të shqiptarëve, që po përpiqemi t’i parashtrojmë këtu.

Historikisht është pranuar që ilirët erdhen në Ballkan nga fundi i neolitit dhe fillimi i kohës së bronxit, rreth 4000 vjet më parë, dhe u formuan si etnos autokton si rrjedhojë e një procesi të gjatë simbioze me popullsinë e lashtë pellazge, që gjetën në këto troje.

Në kohën e hekurit, shek. IX-V p.e.r., ilirët kishin arritur të krijojnë “një kulturë materiale e shpirtërore me tipare të përbashkëta”. 1). Ata përparuan shumë dhe qenë bërë një faktor i rëndësishëm historik në Europën Juglindore. Gjatë shekujve të gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të parë zhvillohet procesi i mbrujtjes etnike të shqiptarëve, që përfundoi me kristalizimin e kombësisë shqiptare. Në këtë proces të gjatë mbrujtjeje etnike, tharmet më me peshë sigurisht i përbëjnë “substancat shpirtërore”. Kështu, trashëgimia ilire në psikën shqiptare vjen si element vazhdimësie, dhe, si rrjedhim, si argument i origjinës ilire të popullit tonë, i mbijetesës shqiptare nga ama ilire. Çdo krijim në fushën e kulturës, qoftë lëndore, qoftë ideale, ka vulën e shpirtit etnik, që qëndron gjithnjë në rrënjët e vetëdijes dhe të nënvetëdijes së njeriut si prush i pafikur i vatrës.

Duke folur për lidhjet e popullit tonë me ilirët, dhe kryesisht duke venë në dukje vazhdimësinë iliro-shqiptare në elemente të kulturës shpirtërore, Shuflaj, në librin “Serbët dhe shqiptarët”, ka shkruar: “Baza etnike e këtij populli, në kohën e vjetër qe nji faktor i fortë i historisë, i cili njihej me emnin ilir. Mandej u zhduk per synin e historishkruesvet nder pshtjellimet e Gadishullit Ballkan, por fshehtazi bashkëpunonte në lulzimet gjuhësore e folklorike të kombeve ballkanike. Ma në fund, kur u shndrrue n’emnin shqiptar, dha shenja të reja të fuqisë së vet krijuese . . .” 2).

Trashëgimia shpirtërore ilire në psikën tonë është e gjerë, e larmishme dhe e një rëndësie të dorës së parë. Ajo përfshin të gjitha hiset e saj: atë ndjenjësore-emocionale, atë intelektuale dhe atë volitive.

Ideali i lirisë, ndjenja e fuqishme për lirinë, qëndresa e vazhdueshme për ta mbrojtur dhe për ta rifituar lirinë e humbur, trimëria dhe heroizmi që e shoqërojnë dhe e jetësojnë këtë ideal dhe këtë ndjenjë, janë atribute shpirtërore të ilirëve, të arbërve dhe të shqiptarëve. “Si familja ashtu edhe heroizmi dhe një dëshirë e flaktë për liri janë shtysa të forta në karakterin dhe në qëndrimin shpirtëror të shqiptarëve si edhe të stërgjyshërve të tyre ilirë.”, ka shkruar Çabej. 3). Dijetari gjerman, Falmerajer, e ka cilësuar popullin tonë “fanatikisht liridashës”.4).

Lidhur ngusht me idealin dhe ndjenjën e lirisë qe ngjizur në shpirtin ilir karakteri luftarak, veti që u trashëgua më vonë tek shqiptarët. “Ilirët qenë më shumë se çdo gjë tjetër, luftëtarë”, ka shkruar Karl Patcsh në veprën e tij “Ilirët”5). Dhe më poshtë: “Puna kryekrejet për ta ishte lufta . . .”. I njëjti tipar karakteri është pohuar edhe për ne nga shumë e shumë të huaj, shkencëtarë a udhëtarë të zakonshëm, që kanë kaluar nëpër vendin tonë. “Zotësia ushtarake i është lindur kësaj race, shkruan Çabej, ajo i ka ngjitur shqiptarit vulën e ushtarit të përjetshëm.”6).

Të parëve tanë ilirë dhe ne shqiptarëve, na është dashur të luftojmë tërë jetën për t’u përballuar sulmeve pushtuese të perandorive të fuqishme: Perandorisë Romake, Perandorisë Bizantine, Perandorive mesjetare kalimtare Bullgare e Serbe, Perandorisë Osmane, dhe pushtuesve të tjerë të mëvonshëm italianë e gjermanë; por shqiptari “gjithnjë është rebeluar”, siç është shprehur Herbert Louis 7), dhe nuk është nënshtruar. A nuk është ky “rebelim” një medalion i artë në shpirtin e shqiptarit siç ka qenë i varur edhe në gjokset ilire! Me të drejtë, ka shkruar arkeologu Italian Ugolini: “Qenë pushtuesa të huej në Shqipni, por nuk qenë zotnuesa mbi të tanë shqiptarët”8). Ndërsa vetë malësorët tanë të Veriut janë shprehur: “Na jemi si rana qi rrin, i hueji si shiu qi vjen e shkon.” 9).

Ilirët kanë qenë të njohur për grindjet mes fiseve, siç e dëshmon historia e tyre dhe siç na e ka pohuar edhe Karl Patsch, por në kohën e rreziqeve të përbashkëta, ata bashkonin armët në luftë kundër armikut. “Asht nji gja mallëngjyese me vu re se, në orvatjen supreme për të mbrojtë pamvarsinë e tyne kundër nji anmiku të huej, të tri mbretnit që themeloi raca e Ilirve luftuen së bashku.” 10), ka shkruar Zavalani. A nuk ka ndodhur kështu gjithnjë edhe me shqiptarët?

Luftat e vazhdueshme për liri kultivuan në shpirtin iliro-shqiptar një dashuri të veçantë dhe një nderim thuaj mistik për armët. Karl Patsch na e ka vënë në dukje këtë atribut shpirtëror të ilirëve: “Si një popull luftarak u jipnin ilirët, sikurse shqiptarët e sotëm, një rëndësi të posaçme armëve të mira e të bukura.” 11). Dhe, më poshtë: “Se sa fort i kishin për zemër armët e tregojnë sendet e stolisjes së trupit e të shtëpisë së tyre, të cilat i bënin në ngjasim e në formë harqesh, shigjetash, shishash, etj.” 12). Këtë nderim të veçantë për armët e kanë ruajtur shqiptarët, sidomos ata të maleve. Shqiptarët i prodhonin vetë armët dhe i zbukuronin me motive atdhetare dhe artistike nga më të ndryshmet. Të gjithë burrat e malësive ishin të armatosur. Djemve, që në moshën 12-15 vjeçare u jepeshin armët, bile organizoheshin ceremoni të veçanta për këtë eveniment. Një nga lojërat e preferuara ndër male tona qe gjuajtja e shenjit.

Gjatë historisë së vet, shqiptari është karakterizuar për aftësitë e tij organizative e administrative, bile për problemet më të larta shtetërore. Mjerisht, rrethanat historike kanë kushtëzuar që këtë veti të çmueshme karakteri, ai ta shfaqë kryesisht në dobi të të huajve. Perandorinë Romake, në kohën kur ajo qe gati të shembej nga sulmet e fiseve barbare, qenë perandorët me origjinë ilire që e shpëtuan dhe e futën në rrugët e stabilitetit dhe të prosperitetit. Dhe sa e sa vezirë e udhëheqës të lartë shqiptarë, mjafton të përmendim vetëm Qiprilinjët, e qeverisën dhe e drejtuan Perandorinë Otomane për aq e aq kohë! Apo nuk qe edhe një Mehmet Ali që themeloi shtetin modern të Egjiptit!

Gjithsesi nuk mund t’u mohohet shqiptarëve dhe paraardhësve të tyre ilirë fakti që këtë dhunti shpirtërore e kanë vënë edhe në dobi të tyre; çka e shfaqen në ndjenjën dhe në aftësitë e tyre intelektuale për të bërë ligje, mbi bazën e të cilave të rregullonin e të disiplinonin jetën e tyre individuale e shoqërore.

Dihet se elementi i qëndrueshëm i organizimit shoqëror të ilirëve dhe më vonë të shqiptarëve ishte fisi, i cili vetëqeverisej në bazë të normave ligjore tradicionale, përbërës të të cilave u trashëguan tek ne. Ishte ky organizim i brendshëm shoqëror mbi bazën e të drejtës zakonore, që u detyruan t’ua njohin ilirëve pushtuesit romakë dhe shqiptarëve pushtuesit osmanë.

Çështjet me rëndësi shoqërore e politike të fiseve, katundeve, krahinave shqyrtoheshin dhe zgjidheshin në kuvende, d. m. th. në mbledhjet e përgjithshme të burrave. Kuvendet qenë organizma vetëqeverisëse si për ilirët si edhe për shqiptarët. “Kuvendet e bajrakëve në kohën e sundimit otoman, ka shkruar Zavalani, kanë qenë sigurisht vazhdimi i traditave të trashigueme nga fiset iliriane” 13).

Siç e kemi thënë edhe në shkrimet e mëparshme, ligjet kanunore qenë ndërtuar nën frymëzimin dhe mbi bazën e virtyteve të çmueshme të shpirtit tonë etnik: burrërisë dhe nderit, besës dhe ndores, mikpritjes dhe faljes, ndjenjave dhe idealeve për liri e drejtësi, respektit për njeriun, etj. A i patën ilirët këto virtyte? Ne që trashëguam ligjet ilire të vetëqeverisjes, trashëguam pa asnjë mëdyshje edhe frymën e tyre, strukturën etike mbi bazën e së cilës u ndërtuan këto ligje. Trashëgimia e kësaj kuintesence psikike nga ilirët tek shqiptarët është një argument i padiskutueshëm i lidhjes së tyre gjenetike.

Nga ato pak të dhëna që kemi për të drejtën zakonore të ilirëve, nga normat juridike të kuvendeve ilire (nuk dimë ende nëse qenë përmbledhur ato në ndonjë kod të shkruar si e drejta zakonore romake tek “12 Tabelat”), ne hamendësojmë atë ideal dhe ndjenjë lirie, që përmendëm më lart, po edhe idealin dhe ndjenjën për drejtësi dhe barazi të individit, që patën të parët tanë ilirë dhe që frymëzoi atë të drejtë.

Na dëshmohen konkretisht tek kanuni ynë edhe disa institucione juridike ilire. “Vazhdimësinë iliro-shqiptare, shkruan Nicholas Brent (alias Nelson Çabej), e dëshmojnë edhe disa të dhëna nga fusha e së drejtës zakonore . . . të shqiptarëve. Kështu, është konstatuar se ekziston një ngjashmëri e dukshme midis institucioneve juridike provinciale të Ilirikut (ku siç dihet u ruajtën institucionet juridike të vetë ilirëve) dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe deri në shekullin tonë në Shqipëri janë ruajtur e kanë funksionuar tre institucione origjinale ilire: e drejta e parablerjes, institucioni i vëllamërisë dhe institucioni kanunor i martesës me grabitje dhe me blerje.” 14).

Vlen të theksohet këtu, në mënyrë të veçantë, institucioni i kumbarisë në të prerët e flokëve, doke e gjallë në malet tona qysh prej Dibre e deri në Malësi të Madhe, që Palaj, ky njohës i thellë i psikës dhe i dokeve të maleve, vetë bir i tyre, e quan një “doke aq të bukur të jetës iliro-pagane.” 15). Tek “Kanuni i Skanderbegut”, Dom Frano Illia, mbledhës e kodifikues i këtij Kanuni, ka vënë shënimin: “Si në përgjithësi kumaria e flokve në veçanti ka per qellim zgjanimin e rrethit shoqnor, asht jasht riteve fetare e përdoret ma të shumten per të lidhë dy shtëpi besimesh të ndryshme.” 16). Vëllamëria, kumbaria në të prerët e flokëve, zakonet e mikpritjes janë pasqyrë e prirjeve të një shpirti kozmopolit. Me admirim për mirëpritjen shqiptare me zemër të hapur edhe ndaj një të huaji që i troket në derë, Durham ka shkruar

në parathënien e librit “High Albania”: “Nëse një njeri është i hirshëm dhe i sjellshëm ndaj të huajve, kjo tregon se ai është Qytetar i Botës, dhe se zemra e tij nuk është ishull i shkëputur nga tokët e tjera, por është kontinent që i bashkon ato”17).

Elemente të këtyre institucioneve i gjejmë edhe në eposin tonë të kreshnikëve, ku kryekreshniku Muji mbasi pi qumështin e zanave bëhet vëllamë me to, dhe ato e ndihmojnë kur ai gjendet në rrezik.18).

Një fill psikologjik i përbashkët mes ilirëve dhe shqiptarëve na përshkohet në qëndrimin e tyre ndaj pushtetit qëndror, qoftë ky edhe i huaj. Kështu “Kanuni i njeh pushtetin fuqisë që sundon ‘kalanë’, pra atij që ka në dorë selinë tradicionale të trevës, por kjo gja nuk shtyn individin me ja dorëzue vetveten atij pushteti” 19), shkruan Ardian Ndreca. Dhe ai vetë sqaron më poshtë: “Autoriteti suprem mbetë ndërgjegjja e personit e përpara gjykatës së kësaj ndërgjegjeje nuk ka asnji forcë të jashtme që mund të sundojë. Asht kjo ndërgjegje që dënon por edhe din me falë, që vret por edhe që shpëton, që merr por edhe që jep – tue i lanë të mbinatyrshmes një vend krejt të veçantë, personal dhe të pashprehshëm në terma juridike.” 20).

Krejt në analogji më këtë qëndrim kanë vepruar edhe ilirët. Zavalani shkruan: “Në Shqipni fiset e maleve ruejten vetqeverimin e tyne si komunitete të veçueme. Por malcorët dhe katundarët ilirian ishin besnikë ndaj Perandorit dhe i shtroheshin autoritetit të përfaqësuesve të tij për çdo çashtje që kapërxente kufijt e administratës së tyne lokale. Ata ishin pronarë të vegjël dhe mbanin me kambëngulje të drejtat e tyne kundër orvatjeve të tregtarëve të Romës me përvehtësue toka e me sigurue privilegje në dam të tyne.” 21). (Po japim në referenca një dokument që vërteton këtë qëndrim. *).

  *   *   *

                       

Duke iu referuar historisë, Çabej, ka aritur në përfundimin që “është fuqia e personalitetit ajo që . . .  luan tek shqiptarët si edhe tek stërgjyshët e tyre, ilirët, një rol më të rëndësishëm sesa gjetiu. Një fytyrë e tillë e fortë i bashkonte shqiptarët dhe ngjallte për pak kohë ndjenjën e bashkëjetesës kombëtare. Historia e Shqipërisë është histori e personalitetit.” 22). Këtë tipar të psikës sonë, Çabej e ilustron me Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin-Skendërbeun dhe me Ali Pashë Tepelenën. (* * Sqarimi tek referencat).

Lidhur me këtë problem, para së gjithash, duhet të dallojmë autoritetin e zgjedhur ose të fituar me merita nga ai i imponuari. Në rastin e parë, nëse duam t’i vëmë këtij atributi shpirtëror një argument psikologjik që qëndron si shkak i kësaj dukurie, duhet të pranojmë se shqiptari i kanunit pranon me ndërgjegje autoritetin e zgjedhur. Ja çka thotë Zef Valentini: Shqiptari, “në diskutim, flet si privat . . . ; por botërisht, duke lënë peng fjalën dhe zërin zyrtar të vetin, ai nuk këqyr opinionin e vet, por, me një shpirt të çuditshëm brenda kufijve të lirisë e të demokracisë së tij, pikërisht pse është demokrat i vertetë, është seriozisht i respektueshem ndaj autoritetit, d. m. th. kundrejt të parëve që kanë pasur qindra vjetësh eksperiencë, kundrejt ligjit që është fryti i eksperiencës dhe kundrejt autoriteteve që mishërojnë personin dhe vullnetin e komunitetit. Parimi është: në shtëpinë time unë jam privat e mbret; në katund ose në kishë unë jam gjymtyrë e komunitetit.” 23).

Tradita në rrafshin psikologjik është tradita e maleve. Malet kanë ushqyer gjithnjë fushat dhe qytetet; kështu që ndikimi i tyre ka qenë gjithnjë i dukshëm. Aq më tepër që Shqipëria dhe trojet shqiptare, në përgjithësi janë malore.

Mjaft përbërës të psikës ilire kanë ardhur deri në ditët tona nga fusha e mitologjisë, folkorit, besimeve e kulteve popullore, etj. Me interes të veçantë shkencor është ruajtja në ndërgjegjen e malësorëve të Veriut deri vonë e besimit në hyjninë e Tokës, një besim tejet i lashtë i kohëve kur njerëzit adhuronin kafshët, drurët dhe dukuri të ndryshme të natyrës. Bernardin Palaj na tregon një episod që e dëshmom këtë: një burrë ndjek gjaksin e djalit në lëndinë dhe bash atëherë kur i matet për ta vrarë detyrohet ta falë dhe t’i japë besë e ndore, sepse gjaksin e zë gjaku dhe i bie ndore tokës (“pse gjaku atë e xuni, e tuj u ra gjujve, ndore tokës i rá!”). 24). Pra, i bie ndore dhe i kërkon besë hyjneshës Tokë. Një besim i tillë është më i lashtë se i qytetërimit ilir; ai i takon qytetërimit proto-indoeuropian pellazg.

Gjeçovi, duke folur për zakonet e mikpritjes, na ka përmendur emrin e një perëndie ilire, si duket, antropomorfe. Ndër të tjera, i zoti i shtëpisë i drejtohet mikut me këtë betim: “Në laça dorën e anmikut me të prekun në bukë e në krypë t’eme, Zoti Parun më gjoftë e më sterfartë me rrfet e veta!” 25). Duket qartë se këtu kemi të bëjmë më një perëndi pagane të kohëve ilire, ndoshta me perëndinë mbrojtëse të mikut dhe të mikpritjes që ka mbijetuar në besimin e malësorëve.

Shumë i përhapur dhe i çmuar ndër ilirë ka qenë besimi tek perëndia e Diellit, besim që ka mbetur i gjallë deri vonë ndër male tona. Nuk është çudi që sot e kësaj dite mund të dëgjosh nga goja e malësorëve të Veriut betime në diell. Për më tepër: “Çamët edhe sot i këndojnë perëndisë së lashtë të diellit, Zeusit: ‘Diell- o diell-o / ama buk’ e miell-o / sa të hamë premë / bashkë me t’ime ëmë.” 26).

Perandori romak me origjinë ilire, Aureliani, ngriti në Romë Tempullin e Diellit. “Si ilir i vërtetë, shkruan Zavalani, kishte nji devocion të veçantë për Perëndin e Dritës, tue besue se prej tij i kishin ardhur të gjitha të mirat.” 27). Aq i fuqishëm ka qenë ndër ilirë besimi në diellin sa vetë “perandori romak Konstantini i Madh, siç na e pohon studiuesi Zef Mirdita, përkundrejt faktit se me Ediktin e Milanit, të vitit 313, ia dha lirinë krishtenizmit, ai edhe më tutje mbeti adhurues i hyjnisë solare.” (diellore, sqarimi im, A. Ç.) 28). Vetëm pak para se të vdiste, ai u pagëzua, duke u bërë kristian. 29). Në eposin e kreshnikëve, Muji i lutet diellit për ta ndihmuar: “fill kah dielli kenka sjellë / edhe ndihmë i paska lypë” 30).

 

  *   *   *

Duke iu përkushtuar kryesisht veprimtarive luftarake dhe administrative, ilirët duket se nuk e vlerësuan a më mirë të themi, nuk lavruan sa duhet në fushat e veprimtarisë mendore. Nuk kemi një tekst ilirisht dhe as të dhëna nga shkrimtarë grekë e romakë për këtë problem. Karl Patsch, në veprën e tij të përmendur më lart, ka shkruar: “Interesat shpirtërore të ilirëve nuk do të kenë qenë të mëdhaja, mbasi ata pjesën më të madhe të kohës ia kushtonin luftës dhe kohën e lirshme e përdornin ndër argëtime në të ngrënë dhe në të pirë.” 31). Ndoshta ilirët nuk u morën me shkrime, jo pse nuk do të kënë pasur interesa shpirtërore, mbasi veprimtaria e tyre në fusha të artit si skulpturë, pikturë, muzikë, etj., dëshmon të kundërtën, por sepse rrethanat historike ua pengonin këtë aspekt jete e veprimtarie. Edhe shqiptarët qenë të dëshiruar për dije e kulturë, por atyre gjatë sundimit otoman iu ndalua shkolla, shtypi në gjuhën amtare, iu ndalua vetë gjuha.

Provë të gjalla të shpirtit iliro-shqiptar krijues artistik gjejmë te folklori, muzika, vallet, kostumet, etj. Studiues të ndryshëm kanë shfaqur mendimin se tharmet e eposit të kreshnikëve kanë rrënjë të hershme ilire dhe edhe më të hershme. Ja çfarë thotë Alfred Uçi : “Epika jonë heroike legjendare  ka një bërthamë, që është ngjizur në themel të mendimt poetik parahistorik” 32).

“Dëshmitë e para të muzikës shqiptare i përkasin antikitetit. Ilirët e zhvilluan muzikën në të gjitha drejtimet që njohu muzika e kohës së tyre” 33). “Muzika dhe vallet popullore kanë një vazhdimësi të pandërprerë që nga kohët e lashta e deri më sot” 34). “Lidhjet me kulturën muzikore polifonike të lashtësisë së vonë ilire janë dëshmi e origjinalitetit dhe të karakterit autokton të polifonisë popullore shqiptare”. 35). Lashtësia ilire manifestohet edhe në vallet tona. “Vallet pirike, të cilat luheshin në lashtësi, interpretohen edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Çamçja në Jug dhe vallja e shqiponjave në Veri janë të njëjta me vallet pirrike të lashtësisë, që pasqyronin momente luftarake në beteja.” 36).

Lidhjet ilire-shqiptare përfshijnë gjithashtu hapësirat e pafund të kulturës lëndore, ku janë shkrirë përbërës nga më të ndryshmit të shpirtit krijues. Nga moria e larmishme e kostumeve, që shquajnë për origjinalitet dhe shije artistike, po përmend këtu më të lashtat e më karakteristiket, ato me origjinë ilire: xhubletën, që është prototipi i xhubletës ilire dhe që përdoret edhe sot në Malësi të Madhe dhe në Dukagjin, fustanellën, tirqit, këmishën e tipit “dalmatika”.

Shije të holla estetike dhe aftësi të rralla artistike, elemente me rëndësi të psikës së përbashkët iliro-shqiptare, dëshmohen edhe në motivet zbukuruese të veshjeve dhe të stolive, sidomos të grave; bile vetë veshjet si dhe objekte të tjera materiale kryejnë funksione estetike. “Stolitë arbërore (është fjala për stolitë e gjetura në varrezën e Komanit, që i takon mesjetës së hershme, Sqarimi im, A. Ç.) janë të zbukuruara me motive gjeometrike që vijnë nga fondi i kulturës ilire” 37).

 *   *   *

            Dy fjalë për gjuhën. Është trajtuar ajo si shprehja më e gjallë dhe prova më e palëkundshme e vijimësisë së një etnie, çka nuk është gjithnjë e pranueshme, sepse, siç dihet  frankët, spanjolët, një pjesë e mirë e thrakëve, dakët, mbas disa shekujsh kolonizimi romak i humbën gjuhët  e tyre. Veç kësaj, gjuha në vetvete, nuk është gjithnjë element dallues i personalitetit të një kombi, sepse popuj të ndryshëm si p.sh. francezët e belgjikasit flasin të njëjtën gjuhë; po kështu anglezët, irlandezët dhe amerikanët, etj.

Nuk ndodhi kështu me ilirët, të cilët, megjithëse pushtimi romak zgjati gjashtë shekuj, nuk humbën gjuhën dhe vetitë e tyre etnike. Shkenca botërore ka pranuar prejardhjen e shqipes prej ilirishtes. Në këtë trajtesë nuk është fjala për argumente të origjinës ilire të gjuhës sonë në leksik, strukturë gramatikore, etj., pra, në rrafsh shkencor linguistik; por në rrafsh psikologjik, si vlerë ndjenjësore, intelektuale e shprehjes së një mendimi, e dhënies së një kumti, e përcaktimit të një norme morale, e shqiptimit të një ligji.

Nëse vërejmë me kujdes gjuhën e kanunit, me të cilën populli ynë ka krijuar dhe ruajtur doke, zakone, norma morale, ligje të pashkruara, etj., të trashëguara brez pas brezi prej kohëve më të lashta të njerëzimit, do të bindemi për aftësitë e tij për t’u shprehur në mënyrë lakonike të thjeshtë e të pastër, gjithnjë të hijshme dhe të rënduar nga kuptimi. Bernardin Palaj, duke e krahasuar gjuhën e kanunit tonë me gjuhën e ligjeve më të lashta të njerëzimit, ato të Bibles, të Dymbëdhjetë Tabelave të romakëve, të kanunit të gjermanëve, ka shkruar: “Kërkund s’ke me gjetë motërzime aq të gjalla e shprehun ma klasikisht, sa ndër ato shprehjet e shkurtuna mijëvjeçare të kanunit të maleve t’ona. . . . Thanjet e kthiellta të kanunit, të gjitha sa lakonike aq kuptimplote, lmue neper rrymen e shekujvet . . .  i mblon nji msheftësi arkaike, shpesh herë të pakuptueshme prej atij qi nuk leu e s’u rrit në ket botëkuptim të maleve t’ona.” 38). Këtë “msheftësi arkaike” ia jep pikërisht shqiptimi i saj që prej kohërave të hershme e deri në ditët tona në gojën e shqiptarit dhe të paraardhësve tanë ilirë. Pothuajse ashtu, është shprehur edhe Koliqi: “Në shka ká të njinjishme ndër fise të ndryshme, ky kanû përmbahet sidomos në nji systhem parimesh morali qytetár e së drejte konstitucjonale të shprehun në nji trajtë edhè mâ të permbledhtë se ligjët lakonike të XII dërrasavet, e kaq të gjalla n’atë stilin e tyne metaforik por të téjpashëm, sá me mujtë m’u vû krahas ligjët metrike të sá vendeve tjera.”39).
Sot e kësaj dite, kjo dukuri po bëhet fakt shkencor: një varg i gjatë shkencëtarësh po shpjegojnë pellazgishten, etruskishten nëpërmjet shqipes. Prof. Luigi Cavalli Sforza dhe shkencëtarë të tjerë, kanë ardhur në përfundimin se shqipja është ama e të gjitha gjuhëve indo- europiane, dhe e kanë përcaktuar si gjuhë e parë europiane (proto-europiane), duke i bërë ndryshime edhe pemës gjenealogjike të Scleicherit..

Shumë norma kanunore janë dhënë përmes shptehjeve që spikasin për një sens tejet të ngarkuar kuptimi, për hijeshi artistike dhe shpesh për harmoni tingullore, p. sh. “E mira e përbashkët i paravehet damit të veçantë.”, “Për nji shpi s’lehet m’u tha nji katund”, “Fjala mort s’ban”, “Kah del shpirti del fjala”, “Fala, s’ta fala, kanuni s’e kapë.”, “Pertè benë nuk shtyhet mllefi”, “Gjaku s’bahet gjobë”, “ E matmja si e ramja, e ramja si e vramja”, “Krushku-krushk, miku-mik” . Të njëjtën natyrë gjuhe gjejmë tek Eposi i kreshnikëve: “Deka vjen mbas mikut t’pre / deka vjen mbas besës s’thyeme.”, “Besa e burrit, pesha e gurit”, “Trimi trimit gjithmonë besë i nxe”, “Paj për dekë, tha, trimi bre çikë ȃ” (asht, A.Ç.), “Buka jonë, bre shokë, ne na ka vrae”, “Fjalëve lak, lum nana, mos ju jep”, etj. Ky koncentrim kuptimor dhe ky ndërtim lakonik jo vetëm tregojnë lashtësinë, por edhe “vërtet e dëshmojnë shqiptarin syhollë në çështje filozofike”, siç është shprehur Valentini.

Gjithë sa thamë, idealet e ndjenjat e lirisë, qëndresa, trimëria, heroizmi, karakteri luftarak, nderimi për armët, aftësitë organizative e administrative, e drejta zakonore dhe etika e fisme që e frymëzon atë, gjurmët e mbetjeve të paganizmit ilir, prirjet dhe aftësitë krijuese në fushën e folklorit dhe të arteve, skulpturës, muzikës, pikturës, valleve, gjuha me vlerat e saj shpirtërore, etj., na dëshmojnë të njëjtin fill psikologjik që i nisur nga zanafilla ilire përshkon psikën e sotme shqiptare dhe argumenton katërcipërisht lidhjen tonë gjenetike me të parët tanë ilirë.

 

 

 

Referenca dhe sqarime

 

 

1). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, f. 1043.

2). Suflay, “Serbët dhe shqiptarët”; cituar sipas Atë Marin Sirdanit, “Ndriçime të historisë, kulturës dhe të artit shqiptar”, “Shpresa”, Prishtinë, 2002, f. 16; zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha.

3). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”; përgatiti për shtyp Brikena Çabej, shtëpia botuese “MÇM”, Tiranë, 1994, f. 61.

4). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, f. 254, zëri “Falmerajer Jakob Filip”, përgatitur nga Aleks Buda.

5). Karl Patsch, “Karakteri, zakonet dhe besimi i ilirëve”, “Illyria”, # 1601, Nëntor 28-Dhjetor 4, 2006.

6). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 27.

7). Cituar sipas Eqren Çabej, vepër e cituar më lart, f. 29.

8). Cituar sipas Atë Marin Sirdanit, vepër e cituar më lart, f.82.

9). Po aty.

10). Tajar Zavalani, “Histori e Shqipnis”, botues “Phoenix & Shtëpia e librit”, 1998, f. 31.

11). Karl Patsch, shkrimi i cituar më lart.

12). Karl Patsch, po aty.

13). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f. 36.

14). Nicholas Brent, (alias Nelson Çabej), “Ilirët që mbijetuan”, Albanet Publishing, Dumont, NJ, 2009, f. 7.

15). Atë Bernardin Palaj, “Mitologji, doke dhe zakone shqiptare” Zgjodhi, shtjelloi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, Shpresa, Prishtinë, 2000, f. 82.

16). “Kanuni i Skanderbegut”, Mbledhë e kodifikue nga Dom Frano Illia, Editrice La Rosa, Milot, 1993, & 86, f. 23.

17). Edith Durham, “High Albania”, Beacon Press, Boston, 1994.

18). Foto Malo, “Vështrim krahasues mbi epikën heroike shqiptare dhe poemat homerike” në “Çështje të folklorit shqiptar-3”, Botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë – Instituti i Kulturës Popullore”, Botuar në Kombinatin Poligrafik, Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1987, f.444.

19). Ardian Ndreca, “Ndikimi i kanunit në ruejtjen e identitetit shqiptar”, botuar në “Hylli i Dritës”, nr. 1, 2007, Shkodër, f. 44.

20). Po aty.

21). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f.36.

* “Nji dokument i skalitun mbi gur në vitin 194 mbas J.K., që asht gjetë në  krahinën e Orestëve (midis Korçës dhe Liqenit të Pogradecit) ban fjalë për nji kuvend të parisë lokale, ku janë shprehë ankime kundër qytetarve romakë, zyrtarë apo privat, që mundohen me shtrie  dorë mbi tokë komunale, megjithqë nuk gëzojnë të drejtat e qytetarit n’at vend. Kuvendi riafirmon parimin e pranuem që vetëm Orestët të shfrytzojnë tokat e përbashkta të krahinnës, dhe vendos që kjo rezolutë t’i njoftohet governatorit të provincës së Maqedhonis me anë të kasnecve të posaçëm që duhet të jenë prej fisit të Orestëve. Mbas aprovimit të governatorit, kuvendi vendos që rezoluta të shpallet publikisht.

Fiset malcore iliriane mblidheshin në kuvendet e tyne për çdo vjet, me rastin e festës së Augustit. Kjo bahej për të riafirmue besniknin e tyne ndaj Perandorit dhe për të konsolidue të drejtat politike me randësi që ju ishin njoftë.” (T. Zavalani, vepër e cituar, f. 36).

22) Eqrem Çabej, vepër e cituar, f.29.

* * “Në pragun e kohës së re ia mbërrin Gjergj Kastrioti të bashkojë fiset e shpërndara shqiptare dhe t’i fusë aktivisht në histori. Shekuj më vonë Shqipëria u vë veshin veprave të Ali Pashë Tepelenës. Ky shtron nën fuqinë e tij një pjesë të madhe të vendit; fiset më të shumta shqiptare shërbejnë nën armët e tij. Vdekja dramatike e tij në Janinë bashkon në ndjenjën e zisë gjithë Shqipërinë. Kënga popullore shqiptare e vajton edhe sot që prej Çamërie gjer në Shkodër.”

24). Zef Valentini, “Fisi shqipëtar në shërbim të botës” tek “Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare VATRA, përmbledhur nga Dr. Hamdi H. Oruçi, Tipografia Dario Detti, Roma, f. 74.

24). Atë Bernardin Palaj, vepër e cituuar, f. 59.

25). Atë Shtjefen Gjeçovi, “Agimi i gjytetnis”. .Cituar simbas antologjisë “Bota shqiptare”, Tiranë, 1943, f. 355.

26). Rasim Bedo, “Tempulli i lashtë i Dodonës dhe mitologjia e Çamërisë”. “Illyria”, # 1461, 12-14 korrik, 2005.

27). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f. 46-47.

28). Zef Mirdita, “Gjashtë shekujt e parë të krishtenizmit në trevat iliro shqiptare”, në Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, “Krishtërimi ndër shqiptarë – Simpozium Ndërkombëtar, Tiranë, 16-19 Nëntor 1999, f. 44.

29). Zef Mirdita, po aty.

30). Foto Malo, shkrim i cituar, f. 445. Referim nga Z. Sako- Q. Haxhihasani, “Epika legjendare”, vëllimi I, f. 469.

31). Karl Patsch, artikulli i cituar më lart.

32). Alfred Uçi, “Epika heroike dhe roli i saj në folklorin shqiptar” në “Çështje të folklorit shqiptar – 2”, Botim i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë – Instituti i Kulturës Popullore”, Botuar në Kombinatin Poligrafik, Shtypshkronja e Re, Tiranë, 1985, f.15.

33). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, zëri “Muzika”, f. 734, autorë Simon Gjoni dhe Zana Shuteriqi.

34). Thoma Kacorri, “Shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve”, Revista Haemus, nr. 18-20, viti 2003, f. 25.

35). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, zëri “Polifonia popullore”, f. 856, autor Beniamin Kruta.

36). Thoma Kacorri, shkrim i cituar, f. 21.

37). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, f. 572, zëri “Kultura e Komanit”, përgatitur nga Hëna Spahiu.

38). Atë Bernardin Palaj, vepër e cituar, f. 55.

39). Ernest Koliqi, “E Drejta e Kanunit Shqiptar dhe E Drejta Rromake” , cituar sipas “albanovaonline.com”.

* Poeti dhe studiuesi Anton Cefa ka edituar editor i Gazetes Dielli

Filed Under: Featured

Statusi, Shqipëria dhe Serbia

January 10, 2014 by dgreca

NGA SULEJMAN GJANA/*

Shtyrja momentale dhe caktimi në qershorin e ardhshëm i datës së rishqyrtimit të statusit, ne legalistëve nuk më befasoi aspak, përveçse më trishtoi. Nuk më befasoi, pasi për shkak të njohjes personale e të thelluar të strategjisë së zgjerimit të BE dhe kontakteve në Bruksel me qarqe të mirinformuara, e dija mirë se, edhe në rast të firmosjes nga PS dhe dhënies së konsensusit për 3 ligjet, në majin e këtij viti, kërkuar nga komisionerët e Komisionit për Zgjerimin e BE, miratimi i statusit nuk varej prej tyre, por prej ministrave të Jashtëm dhe krerëve të qeverive të vendeve anëtare të BE, sikundër edhe ndodhi. Madje asokohe na habiti reduktimi i “detyrave të shtëpisë”, nga 12 në 3, pa u pohuar dhe deklaruar publikisht prej komisionerëve, plotësimi i 9 syresh. Mbushja e Komisionit të Zgjerimit me komisionerë me origjinë nga Europa Lindore, në tërësi dashamirës të Shqipërisë, nuk na e hoqi aspak ne legalistëve bindjen se punët e zgjerimit i dinë perëndimorët vendimmarrës fundorë, zotërit e vërtetë të “shtëpisë” së madhe të BE. Iluzioni se në BE nuk ka hierarki vendimmarrjeje dhe se vota e një vendi anëtar “rishtar” ardhur nga Lindja, është e barabartë me votën e Gjermanisë, Britanisë dhe Francës, është mendjelehtësi që zhgënjen shpejt. Natyrisht që, formimi dhe përvoja profesionale më bën të besoj se nuk mund të jetë “Lazarati” kupola e krimit të organizuar shqiptar me gjoja 5 miliardë $ që qarkullon, e që është një shifër më e lartë edhe se ajo e buxhetit më të guximshëm të qeverive shqiptare të viteve të fundit. Dhe kjo sepse po të ishte e vërtetë qoftë dhe gjysma e kësaj shifre “lazaratase”, e cila do të riatdhesohej kollaj në vendin tonë “han pa porta” dhe me informalitet të frikshëm, sot ekonomia shqiptare nuk do të ishte në gjendje kolapsi financiar.Interpoli, agjencitë e Inteligjencës dhe BE e dinë mjaft mirë faktin se, ishte pikërisht zbatimi i rreptë shumëvjeçar i “Moratoriumit për skafet”, shtysa që devijoi përfundimisht linjat e trafikut ndërkombëtar të drogës, nga territori shqiptar në korridore të vendeve të tjera të Ballkanit Jugperëndimor, çka do të thotë se lartësia e stekës-pengesë të kinse krimit të organizuar shqiptar është ekzagjeruar jo rastësisht, ndonëse perceptimi i amplifikuar mediatikisht jashtë kufijve tanë, është tejet i disfavorshëm për Shqipërinë dhe aspiratën e anëtarësimit. Edhe largimi i parave të korrupsionit jashtë Shqipërisë e drejt parajsave fiskale të bankave të vendeve anëtare të BE, për shkak të “gjurmëve” që ato lënë gjatë transaksioneve, apo depozitimit qoftë edhe me dërgesa valixhesh, sa kohë që dihet shtetësia e pronarit – është fenomen me përmasa sasiore të precizuara dhe tejet i njohur nga shefat e qeverive të vendeve kryesore të BE. Nëse kupola e BE do të kish të dhëna implikuese për politikanë e qeveritarë të lartë shqiptarë lidhur me trafikun e drogës dhe parave të “eksportuara” të korrupsionit, nuk do të ngurronte për t’ua deklaruar autoriteteve shqiptare, konfidencialisht ose publikisht, pasi nuk na kanë frikë. Mendoj dhe jam i bindur se thelbi kryesor i detyrave që deklaroi zonja Merkel në Bundestag për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, e që kryeministri Rama nuk e ka kuptuar, ose bën sikur nuk e kupton, është shqetësimi i njëmendtë i BE për përmasat e frikshme të grabitjes së pronës private e shtetërore në Shqipëri gjatë 23 viteve, sidomos të trojeve në bregdetin shqiptar, asete pronësore këto që kapin shifra kolosale, në dhjetëra miliarda euro, në vendin tonë mesdhetar me bregdet të virgjër dhe perspektivë të jashtëzakonshme zhvillimi. Rama gabohet kur mendon se zonja Merkel dhe kryeministri britanik, bashkatdhetarët e të cilëve harxhojnë mbi 100 miliardë euro çdo vit nëpër resortet turistike të Mesdheut, të mos e kualifikojnë si krim të organizuar dhe korrupsion të frikshëm strategjinë e hartuar dhe zbatuar në praktikë prej tij e socialistëve, për shtënien në dorë të trojeve të bregdetit shqiptar nëpërmjet pushtetit vendor socialist dikur në opozitë dhe atij vendor e qendror sot.

Zonja Merkel dhe të tjerë liderë të vendeve të ftohta të Europës, të cilat i merr malli për pakëz diell, padyshim që e pandehin dhe kundrojnë Ramën si sheik dhe pronar të pasurive përrallore, sidomos kur bën edhe konferenca për strategji të zhvillimit të bregdetit shqiptar, ku mbledh biznesmenët e majtë pas të cilëve qëndrojnë ata të lidershipit socialist të partisë që pretendon se mbron shtresat e paprivilegjuara. E nëse flasim për korrupsion dhe krim të organizuar në Shqipëri, nisur nga përmasat financiare në tërësi, nga vlera e aseteve të përfituara në mënyrë të paligjshme, nga vlera kolosale e përfitimeve pas investimit dhe sidomos nga shkalla e abuzimeve të pushtetit vendor socialist në të gjitha njësitë e bregdetit të fituara rregullisht prej tyre, do të pohonim pa droje se socialistët, me Ramën në krye, kanë pjesën e luanit.
Tashmë të gjithë e dimë se në të kaluarën, ‘placdarma’ e të gjitha llojeve të trafiqeve drejt Perëndimit ka qenë dhe mbetet bregdeti shqiptar nën juridiksionin e pushtetit vendor socialist. Dhe këtë të vërtetë ndërkombëtarët e njohin mirë. E kjo do të thotë se, edhe nëse e kalojmë provimin në qershor 2014 dhe na mundësojnë hapjen e negociatave, problemi i pazgjidhur i pronës legjitime në Shqipëri do të jetë kockë në fyt dhe pengesa kryesore që do të pasojë shtyrjen në kalendat greke të anëtarësimit tonë në BE. Ky konkluzion nuk e relativizon problemin akut të rrezikshmërisë së krimit të organizuar dhe korrupsionit me koperturë politike në Shqipëri, si përparësi dhe parakushte për integrimin, por thjesht e identifikon dhe e përkufizon atë, gjë që do ta testojë koha shumë shpejt. Personalisht jam i keqardhur për faktin se opozita aktuale ka identifikuar shkaqe të tjera, më periferike, për vendimin e shtyrjes së statusit, çka më ndërmend natyrshëm nënvleftësimin që ajo i bëri zgjidhjes së problemit të pronësisë së ligjshme gjatë kohës kur qeverisi, por sidomos injorimin që i bëri strategjisë së PS për fitimin me çdo çmim të njësive vendore bregdetare në vazhdimësi, e që e ka zanafillën qysh në zgjedhjet vendore të 26 korrikut të vitit 1992, fituar bindshëm këto nga opozita e majtë, të cilën populli e mbyti me pështymë në 22 marsin e atij viti. Deklarimi i zonjës Merkel në Bundestag dhe ndjeshmëria me të cilën e shoqëroi kumtin e saj, duhen marrë tejet seriozisht, sepse gjetja e asaj tribune në Berlin, larg Brukselit, ishte paralajmërimi se Gjermania nuk i harron shqiptarët, se është krah tyre dhe pret reagimin e klasës sonë politike, e se në fundore do të jetë Kancelarja që do të vulosë statusin në qershor 2014.
* * *
Vendimi i Brukselit për marrjen e statusit nga Serbia dhe hapja e procedurave për fillimin e negociatave për anëtarësim, ‘de facto’ zhvleftësoi teorinë absurde të “lodhjes” së BE nga zgjerimi. Për fatin tonë të keq, Gjermania që kishte vënë kushte të pakalueshme për Serbinë për shkak të raporteve të saj politike me Kosovën, i hoqi ato me ndihmën e vetë politikanëve pushtetarë të Kosovës, teksa BE u garantua nga baronesha Ashton, e cila me entuziazëm e kaloi matanë bregut Serbinë, a thua se ky shtet nuk kishte probleme e detyra të tjera të papërmbushura, përveç atyre me Kosovën. Natyrisht Serbinë, përveç miqve të kahershëm në BE, e ndihmoi edhe konjuktura e zhvillimeve të fundit në Ukrainë, ku miliardat e BE dhe sfilitjet politike shkuan djerrë, teksa Putini e bleu Janukoviçin me 15 miliardë $ kredi të butë afatgjatë, me ulje të ndjeshme të çmimit të gazit rus, me lehtësira dhe favore të tranzitit nëpër territorin ukrainas drejt vendeve anëtare të BE kufitare me Kievin, natyrisht edhe me shantazhe dhe ndihmë të pakursyer për të qëndruar në pushtet. Kësisoj BE-në e kapi paniku se mos Ukraina bëhej shembull dhe precedent për Serbinë, çka do të prishte ndjeshëm balancat e brishta midis Brukselit dhe Moskës. Por askush me mend në kokë nuk ka dyshim se Serbia do të luajë me dy porta, tash dhe në të ardhmen. Do të luajë kështu e do të kërcejë “Kalinkën”, jo vetëm se e di mirë destinin historik të të qenit “përroi” që derdhet doemos në “lumin rus”, por edhe sepse i ka këmbët dhe duart të lidhura nga Marrëveshja e Partneritetit Strategjik me Rusinë, nga miliarda eurot e dhëna nga Putini, nga marrëveshja strategjike e përcaktimit si depozita ballkanike dhe si nyja e tranzitit të gazit të “Gazprom”-it drejt vendeve fqinje të Europës Qendrore, nga ndihma e pakursyer ushtarake e politike, sidomos për çështjen e Kosovës në OKB, teksa ka vetëpranuar dhënien Rusisë të statusit të protektorit si nëna e madhe e të gjithë sllavëve.Serbia e bën me zell dhe dëshirë rolin e “gruas së Lindjes dhe dashnores së Perëndimit”, çka e dëshmojnë dhjetëra studiuesit serbë që kanë marrë grada shkencore, janë hierarkuar e shpërblyer për trajtimin në thellësi e gjerësi të të gjitha stacioneve historike, rrafsheve dhe aspekteve të marrëdhënieve të shkëlqyera afro dyshekullore midis Serbisë dhe Fuqive të Mëdha perëndimore në njërin kah dhe Rusisë në kahun tjetër, përjashtuar Austro-Hungarinë historikisht dhe Gjermaninë në dy luftërat botërore. Gjithmonë serbët kanë adhuruar Perëndimin e ndritshëm, por janë falur veçse në tempujt e Lindjes, teksa kanë zgjedhur për “Mekë” Moskën, pa përtuar të shkojnë për “haxhillëk” edhe në Kinë dhe Iran, dhe pas “kthimit” edhe në Irak, Siri dhe Egjipt. Të gjitha këto zdërhallje Europa i di mirë, ndaj edhe ka ngulmuar për të nënshkruar me Serbinë marrëveshjen e Partneritetit për Paqe (që është paradhomë e NATO-s), dhe me të drejtë, sepse Serbia është faktori më i fuqishëm stabilizues dhe destabilizues në Ballkanin Perëndimor, bazuar në arsenalin gjigant të armatimit strategjik konvencional. Do të mjaftonte vetëm ky fakt që ne shqiptarët t’i japim fund vetëmburrjes se “jemi faktor dhe kontributor i rëndësishëm stabiliteti në rajon”, sa kohë që s’mund të krahasohemi ushtarakisht me Serbinë, teksa nga zelli i habitshëm për t’u vetëçarmatosur, e kemi reduktuar dispozitivin tonë ushtarak shumë më poshtë se Brigada që ka dislokuar Serbia në Luginën e Preshevës. Në Perëndim nënqeshin kur ne vetëshpallemi si faktor stabiliteti në rajon, teksa e dinë se nuk mund të jetë i tillë ai vend që nuk mund të destabilizojë, përveçse të turbullojë paksa ujërat, qoftë edhe kur e merr seriozisht këtë synim. Ndaj dhe në rivalitetin e dy vendeve me të kaluar konfliktuale, për hyrje preferenciale në paradhomën e BE u përzgjodh Serbia para nesh, teksa neve na thanë “laguni sot t’ju rruajmë mot”. Për naivët do të shërbenin thjesht raportet zyrtare të OJQ-ve serbe të financuara nga BE, për të konstatuar situatën alarmante të korrupsionit, krimit ordiner e të organizuar, gjendjen e rënduar të sigurisë juridike, të sigurisë së jetës e të të drejtave elementare të pakicave etnike në Serbi, por këto të dhëna dhe ato të agjencive të Inteligjencës, Perëndimi i mban si “as nën mëngë” dhe nuk merakoset t’i ulë entuziazmin proserb baroneshës Ashton për “harenë” në tryezën ku ajo është ulur në bashin e vendit si kryenegociatore. Dhe kjo sepse Perëndimit, për arsye politike dhe etike, i konvenon t’i krijojë përshtypjen aristokrates angleze se gjoja e ka harruar entuziazmin e dikurshëm dhe më pas zhgënjimin e bashkatdhetarit të saj, lordit Kerrington, në tryezat me Millosheviçin.
Ndoshta baroneshës nuk do t’i ngrijë gazi në buzë, sa kohë që shqiptarët firmosin e zbatojnë kartat serbe që ua kanë vënë para për t’i firmosur, por zonja Merkel di ta përdorë mjaft mirë kartën “Hollbruk”, nëse Serbia përdor skemat prej kopuku të Millosheviçit.Perëndimi e di mirë se duhet pasur kujdes me Daçiç-kryekëshill-tarin e Sllobos, i cili kurrë nuk pati diferenca qëndrimesh me shefin e tij. Perëndimi e di mirë se liderët serbë, edhe kur parashutohen në politikë nga letërsia apo pasarelat, janë po aq të rrezikshëm, sa kohë që kanë në kokë të bëjnë Millosheviçizmin pa Sllobon. Dhe këtë e dëshmojnë strukturat paralele që mbajnë në Mitrovicën e Veriut, ku janë atashuar paramilitarët e luftërave në ish-Jugosllavi, që nuk e kanë të vështirë të ekzekutojnë me snajperë ushtarët e UNMIK-ut kur u prishen pazaret dhe trafiqet në dogana, ushtarë këta që u trimëruan kur pushkatuan para 10 vjetësh 4 qytetarë të paarmatosur shqiptarë që protestuan në mes të Prishtinës. Në të dyja rastet askush nuk u penalizua, por cinizmi ulëriti kur ushtarët rumunë në fjalë u justifikuan se kishin harruar që i kishin mbushur armët me plumba të vërtetë dhe jo me plumba plastikë. Tashmë EULEX-i, edhe pas dështimit të shumicës së proceseve fajësuese të ish-komandantëve të UÇK-së për krime lufte, ia ka arritur më në fund të balancojë krimin e madh gjenocidal të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë, duke fajësuar njësoj të dyja palët, me ndryshimin se nuk ka mundur të çojë në bankën e të akuzuarve mijëra paramilitarë serbë, me justifikimin se nuk mundet t’i arrestojë sepse janë fshehur nëpër Serbi. Pra EULEX-i pranon se “Serbia demokratike” nuk e ndihmon për të kryer kinse detyrën, por nuk ka shpallur asnjë listë kriminelësh, sikurse shpalli atë të “kriminelëve” shqiptarë. Europa mbarë e dinte se kryekrimineli serb gjatë luftës në Kosovë ishte bash ish-komandanti i Armatës III serbe në Kosovë, Nebojsha Pavkoviç, i cili jo vetëm nuk u procedua penalisht si kriminel lufte, por disa vjet më pas shpalli kandidaturën për President të Serbisë, në garën që e humbi për pak gjë. Nëse rasti do ta sillte të fitonte, mund të ishte ai bashkëbiseduesi i baroneshës Ashton dhe njëkohësisht garanti “proeuropian” i Serbisë. Tashmë kur ojdaniçët e Sllobos kanë fluturuar nga qelitë e Hagës, teksa i kanë kryer dënimet simbolike, atje kanë lënë Sheshelin që ka marrë përsipër gjithçka, për të bërë kundërpartin kontrastues të “demokratëve europeistë” të Beogradit, me qëllim që Serbia të anëtarësohet me përparësi në BE. Tashmë Serbia është para nesh dhe do të kushtëzojë integrimin tonë në ardhmëri, ndonëse nuk e hapëm gojën për 20 mijë të vrarët tanë, për 3 mijë të zhdukurit, për dhjetëra mijëra vilat dhe shtëpitë e djegura, për miliarda $ të grabitur nga fondi i pensioneve të Kosovës, për Trepçën që po e shfrytëzojnë miqtë e Serbisë, për fondet e grabitura të kadastrave, hipotekave, bibliotekave, muze-umeve e mbarë institucioneve shtetërore, të Albanologjisë dhe artefakteve të qytetërimit iliro-dardan, që tashmë është përvetësuar nga serbët, që na kanë dalë autoktonë në Kosovë, kurse shqiptarët i kanë nxjerrë ardhacakë nga Kaukazi para 7 shekujsh.
Tashmë ata janë bujtës në shtëpinë e BE, ndërsa ne shqiptarët mbetemi ende jashtë, ku “na ka xanë nata”.

E solli per Diellin Ahmet HOTI

Filed Under: Analiza Tagged With: shqiperia dhe Serbia, Statusi, Sulejamn Gjana

Shqipja i asht veshë per parzëm

January 10, 2014 by dgreca

Shkruan: Fritz RADOVANI/ Melbourne/

Ka disa vite që Shqipja ia ka mberthye edhe krahët e nuk e lè me lujtë vendit…/

Shqipja i asht veshë per parzëm…/

Ajo e frymzon…Ka shkrue…Edhe vazhdon me shkrue…/

Shqipja me dy krenat e veta asht kafazi i krahnorit të Tij, që e mbushë me frymë…

Ky Burrë ka dy palë mushkni…Prandej, nuk e ndijnë kurrë mungesen e frymëmarrjes…

Po, as frikën nuk e njeh! Mburoja e Tij ngjason me parzmorën e Kastriotit…

Shkrimet e Tij të duken sikur janë shkrue me ngjyren e Flamurit…

Dhe shkelqejnë nga ngjyra e puplave të krahëve të Shqipes,

Asht bash Shqipja e çerdheve të Maleve të Bajram Currit…

A e njihni kush asht?

Asht Miku i të gjithë Atyne që kanë Zemer Shqiptare,

Asht ZEQIR LUSHAJ.

Rrnosh sa Shqipja Yte… që t’ ka rrokë aq fort, o Zeqir Lushaj!

Melbourne, Janar 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: asht ves, Fritz radovani, per parzem, shqipja, Zeqir lushaj

VIZITË NË BAZILIKËN NOTRE DAME MONTREAL

January 10, 2014 by dgreca

Nga Luan Çipi/

Qyteti i Montrealit është i madh e i rëndësishëm. Ai ka afër 1.7 milion banorë (i dyti pas Torontos) dhe njëkohësisht është quajtur dhe “Kryeqyteti kulturor i Kanadasë”, pa përjashtuar cilësimin historik të tij si “Kryeqyteti tregtar i Kanadasë”. Qyteti dhe e gjithë krahina e Kebekut, ku ai bënë pjese nga ana territoriale dhe administrative, përfshin zonën frankofone të Kanadasë. Frëngjishtja është gjuha zyrtare e qytetit dhe në shtëpitë rreth 56% e banorëve flasin frëngjisht dhe vetëm 18% anglisht.

Montreali, padyshim edhe sot, mbetet një qendër e rëndësishme e tregtisë, e financave, e teknologjisë, projektimit, turizmit, hapësirës ajrore, kulturës, sportit dhe kinematografisë.

Edhe pse i ka këto përparësi në shkallë kombëtare Montreali, merr edhe më shumë vlera, duke pasur në qendër të vetë një objekt kulti religjioz me rëndësi e madhësi botërore, siç është Bazilika Katolike “Notre Dame Montreal”, Kisha më e madhe në Amerikën e Veriut dhe e dyta në shkallë botërore.

Ky institucion shumë i rëndësishëm i besimit katolik, u ndërtua për nder dhe me emrin e Shën Mërisë, në një objekt më të vogël, në vitin 1829 qe u dëmtua kryesisht për shkak te djegies së tij dhe nisi të rindërtohet, rikonstruktohet e zgjerohet në formën e tanishme, si bashkësi dy kishash, qysh nga viti 1980.

Për ndërtimin e Kishës së Madhe u zgjodh projektuesi dhe ndërtuesi i famshëm Amerikan, me origjinë Irlandeze, James D’Onell, protestan, që u konvertua në katolik dhe u nderua e u varros po aty.

Të ardhur në Otava, për vizitë te ime bije, që ndodhet familjarisht me banim dhe punë prej vitesh në Kanada, duke qenë vetëm rreth 200 km. larg Bazilikës Notre Dame të Montrealit, nuk mund të rinim pa e vizituar këtë perlë botërore, që rrezaton fuqishëm në të gjithë botën e krishterë, madhështi edhe besim hyjnor tradicional Katolik. Së bashku me Hanëmen, gruan time të pandarë në çdo ngjarje, si dhe me Linditën, vajzën time, me Mihailin, dhëndrin kanadez dhe djalin tim, Kamanin, (ardhur për mua posaçërisht nga Çikago me gruan dhe të dy djemtë e tij çamarrokë), në një ditë tepër të ftohtë (-31 gradë C), me dy autovetura, nisemi të çalltisim e të shuajmë këtë kuriozitet e dëshirë të kahershme, që nuk e ka fat gjithkush dhe gjithmonë.

Pasi premë biletat dhe paguam një kuotë hyrjeje (më shumë për solidaritet dhe detyrë humane dhe duhet thënë, pa asnjë detyrim) edhe të përshpejtuar nga të ftohtit e padurueshëm, u futëm në Portën e Kishës, ku menjëherë ngelëm të befasuar nga pamja mahnitëse, që të impononte madhështi e deri misticizëm:

Një sallë e madhe, që s’i shihje dot fundin, me aftësi mbajtëse mijëra veta, shumica me vënde për t’u ulur në kushte komode, një ndriçim paksa i errët, disi i mbytur dhe ëndërrimtar.

Kudo të sheh syri llambadarë, shandanë, ndriçues e abazhurë disaformash dhe shumëmadhësish. Xhamat e dritareve janë tjetërsoj të bukur e të ngjyrosur me teknologji të posaçme. Ka gjithfarësoj, basoreliev dhe statuja shenjtorësh dhe engjëjsh, ornamente e piktura të çmuara dhe punime druri (bliri kryesisht), e të papara artistikisht tjetërkund.

Në të djathtë janë vendosur dhomat e rrëfimit dhe të faljes së mëkateve, krejt xham dhe në të majtë, janë këndet e lutjeve dhe të përshpirtjes, me qirinj në ndriçim apo gati për ndezje.

Po të ngresh sytë lart drejt tavanit, admiron 1827 korniza me xham te ngjyrosur, të thurur aq bukur deri në ultësirën e kurbuar, sa të duket sikur sheh qiellin blu. Kjo u ofron vizitorëve një ndjenjë befasuese për të qenë më të hapur, më kolektiv, më të dashur për njëri tjetrin, më dorëdhënës, solidar e bujar, nën një qiell rrezatues të  improvizuar e që të benë vetvetiu të ndikuar nga fryma hyjnore.

Ngjyra e mureve, në të katër anët e Bazilikës, është e pazakontë, e shumëllojtë e deri në mrekulli, ku dominon bluja dhe ari. Një ar, jo i lyer si bojë e i sajuar, po krejt i vërtetë dhe natyrisht me shumë vlerë. Siç janë të bukura e të kushtueshme, të bëra me dorë, çdo detal e pjesë përbërëse ndërtimore dhe çdo pajisje e instaluar, në këto mjedise të arenduara me mjeshtëri të rrallë, ku çdo pikturë, reliev, statuje tregon për një ngjarje fetare, për një shenjt, për engjëjt, për një porosi ungjillore, inspiruar nga Bibla..

Altari ballor kryesor i kishës së madhe, sarkofagu, kasollja e famshme ku lindi Jezu Krishti, etj. ndërtuar si shumë çudi të tjera, nga arkitekti Viktor Bourgen, janë secila më vete, një kryevepër monumentale, që rrallë gjendet tjetër kund. Jezusi, me madhështinë dhe bukurinë e tij, dominon gjithë mjedisin e harmonizuar për rreth, ku numërohen dhjetëra pamje ikone në pikturë, të gdhendura si basorelieve, apo statuja të madhësive të ndryshme, që shihen me pamje te lirë nga salla e madhe, apo po të kalosh e t’i soditësh në shkallinat e shumta drejt lozhave, nga të tre anët e saj.

Tjetër mrekulli e veçanti e kësaj Bazilike Madhështore është Kambanorja, me një kambanë gjigante prej 12 ton, që vihet në lëvizje me forcën e njëkohshme të 12  burrave dhe qe tingëllimi i saj dëgjohet prej 37 km larg. Natyrisht përdorimi i kambanës kufizohet vetëm në ditët solemne ceremoniale e në të shenjtat fetare dominante, ndryshe, nga fuqia e madhe akustike, do arrinte deri në dëmtimin e mureve. Veç Sallës së Madhe kryesore, nevojat e shpeshta ceremoniale, sidomos për martesat, diktuan edhe ndërtimin e një kishe të dyte, ngjitur dhe që komunikon me Bazilikën. “Sacred Heart Chapel”, duhet thënë dhe kjo, ka bukurinë dhe stilin e vet të posaçëm e funksional dhe përballon thuajse gjithë nevojat e këtij qyteti të madh, që me rrethinat si popullatë, ia kalon shumë edhe Shqipërisë.

Salla e Madhe e Bazilikës Notre Dame Montreal, përdoret si Kishë për ritet fetare më të spikatura dhe në raste solemne e të jashtëzakonshme dhe bashke me ata që mund të rijnë në këmbë, pranon 9 mije spektatorë. Kjo Bazilikë e rëndësishme në shumë raste ka qenë edhe arenë e ngjarjeve të bujshme shoqërore e shtetërore për krejt provincën e Kebekut dhe të gjithë vendit, për të përballuar deri koncerte të mëdha, duke arritur kulmin me debutimin e suksesshëm të Luçiano Pavarotit të famshëm.

Një tjetër çudi dhe madhështi e Bazilikës Notre Dame Montreal është Organoja e saj, me përmasa jashtëdimensionale dhe cilësi akustike të jashtëzakonshme. Kjo  kërkon dhe mjeshtëri kulmore, për të luajtur me virtuozitetin që meriton, ky instrument i rrallë në shkallë botëror, siç bënë prej dyzetedy vjetësh, Pjeri, që luan aty ende me pasion rinor, në kërkim të përsosmërisë.

Kthehemi për në vendin tonë, në Shqipërinë e vogël dhe të largët, të entuziazmuar dhe me përshtypjet me të mira për popullin Kanadez dhe arritjet e tij të jashtëzakonshme, në të gjitha drejtimet.

Kjo Bazilikë Madhështore tregon gjithashtu forcën e këtij kombi vital dhe të përparuar drejt përsosmërisë, në harmoni midis shtetasve të vet, pavarësisht gjuhëve e besimeve të ndryshme fetare dhe me një politikë sociale e mirëkuptimi shembullore.

Otava, Kanada, 10.01.2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: Luan Cipi, Montreal, Notre Dame, vizite ne Baziliken

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4955
  • 4956
  • 4957
  • 4958
  • 4959
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT