• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbi luftën, Ramushin, drejtësinë dhe Europën!

July 18, 2013 by dgreca

Në vend të replikës me Fatos Lubonjën /

Nga Ilir KULLA/
E kam ndier veten të zhgënjyer si qytetar, si intelektual dhe si shqiptar me shkrimin e botuar dje në gazetën “Panorama” nga një intelektual shumë i çmuar i Shqipërisë së sotme si Fatos Lubonja. Që në adoleshencë jemi rritur me intelektualin Lubonja, i cili ka qenë emblemë sakrifice, vuajtjeje, opozitarizmi, persekutimi, qëndrestarie dhe rreshtimi për nga vërtetësia dhe e drejta. Pikërisht duke lexuar dje një qëndrim komplet të kundërt në raport me këto shtylla përbërëse të historisë së Lubonjës, është e domosdoshme t’i analizojmë të gjitha, një e nga një, në raport me ngjarjet, historitë, personazhet dhe realitetin e sotshëm.
* * *
Lufta popullit të Kosovës iu imponua nga makina shtetërore e dhunshme e Serbisë së atyre viteve, e cila ishte komplet e kundërta e shtetit të së drejtës, të tipit europian. Në një lloj mënyre, Serbisë dhe Milosheviçit i takon “merita” e krijimit të UÇK-së. Ajo lindi nga njerëzit e thjeshtë të Kosovës, nëpër fshatra, nëpër familje të persekutuara nga komunizmi jugosllav e më tej serbomadh që nga koha e Shaban Polluzhës e ndoshta dhe më parë. Nëse sot mund të themi që a ka pasur themelues ideator UÇK-ja, patjetër, e shumë madje, por në krye të tyre qëndron Adem Demaçi, i cili po ashtu si zoti Lubonja e kaloi rininë dhe jetën nëpër burgje, i ndrydhur pas hekurave si i burgosur i ndërgjegjes, asaj ndërgjegjeje kombëtare qytetare shqiptare, e cila kërkonte të drejtën e shkollimit në gjuhën e vet, të përfaqësimit, të të shprehurit, të lirisë dhe jo në emër të ultranacionalizmit, njëlloj si z. Lubonja. Adem Demaçi dhe shokët e tij të lëvizjes së ’68-s në Kosovë, ashtu si në të gjithë Europën, mbajtën në Kosovë flakën e lirisë të ndezur për brezat e mëvonshëm, ata që luftuan dhe e fituan lirinë.
* * *
Jugosllavia e pas Dejtonit ishte një Jugosllavi e cunguar, ishte Jugosllavia e Milosheviçit, ku kishte katër lloj qytetarësh, niveli i parë serbët “të përzgjedhurit” e Zotit që kishin lindur për të sunduar të tjerët. Malazezët, të cilët e dinin shumë mirë se një shkëputje me luftë nga Serbia do të thoshte shkatërrim dhe rrënim si në Bosnjë dhe ata ishin shumë të vegjël, kështu që ia vlente të vazhdonin të jetonin nën Serbi për shkak të detit dhe të 45% të popullsisë serbe, dhe jo për shkak të dashurisë mes tyre. Hungarezët e Vojvodinës, të cilët për shkak të pozitës gjeografike dhe industrive jugosllave kishin pozita të avantazhuara nga pikëpamja ekonomike dhe politike në krahasim me të tjerët, pavarësisht se ishin vetëm një krahinë autonome. Shqiptarët e Kosovës, të cilët pavarësisht se me numër qytetarësh ishin me shume se Mali i Zi e Vojvodina, bashkë ishin të dënuar të jetonin, nën aparteid të papërfaqësuar, nën dhunë të vazhdueshme të makinës ushtarake shtetërore. Mjafton të përmendim që armata më e madhe e Jugosllavisë të mbetur ishte e tëra e vendosur me trupa dhe mjete të rënda në mënyrë permanente në Kosovë, nën mungesën e drejtësisë që nga ajo e pronësisë e deri tek ajo e të folurit. Qëndresës historike paqësore të Rugovës dhe LDK-së iu përgjigjën me indiferencë të plotë dhe me dhunë sistematike shtetërore.
* * *
Në vitin 1997, ditën e protestave të studentëve, të udhëhequr nga Albin Kurti, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Bujar Dugolli etj., ishte në krye me studentët dhe një intelektual i shquar i asaj kohe, profesor Ejup Statovci, që u masakrua live nga forcat speciale të policisë serbe para kamerave të mbarë botës. E pra, Statovci e studentët të cilët një vit më pas do ishin të tërë në UÇK, ishin më paqësorë se vetë gandistët vetëm pak muaj para luftës. Më 28 nëntor të atij viti, në Drenicë tre njerëz dolën para kamerave me uniformën e UÇK-së, një ndër ta ishte nxënës 17-vjeçar, i cili paradite kishte qenë në shkollë. Emri i tij ishte Daut Haradinaj, vëllai i vogël i Luanit, që ishte vrarë atë vit në kufirin Shqipëri-Kosovë nga ushtria serbe, i Ramushit që kishte lënë Perëndimin e ishte kthyer të mbronte shtëpinë e vet, i Shkëlzenit që dy javë para se të përfundonte lufta u vra po ashtu nga ushtria serbe. Në mars të 1998-s ushtria serbe nuk masakroi vetëm familjen Jasharaj në Prekaz, por edhe familjen Haradinaj në Deçan. Të gjithë ata që u vranë ishin civilë, femra dhe fëmijë, kështu u krijua UÇK-ja, fshat më fshat e shtëpi më shtëpi. Një luftë që të imponohet është një luftë e drejtë, sepse me atë ruhet dinjiteti, identiteti, qytetaria, origjina, prona gjuha dhe liria; ky nuk është nacionalizëm, por patriotizëm.
* * *
Rusvelti e dinte shumë mirë se kur të hidhej bomba bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki, nuk do të vritej Perandori japonez apo as komandantët e ushtrisë, por do të vriteshin shumë civilë, dhe një pjesë e madhe e tyre të pafajshëm. Por në emër të asaj bombe do t’i jepej fund një lufte, e cila mund të vazhdonte në Paqësor edhe për 20 vjet. Natyrisht, nuk mund të mendosh që lufta e Kosovës mund të ketë qenë një luftë ku janë zbatuar të gjitha konventat e të drejtat e njeriut, pasi çdo luftë është e pisët, por luftërat ku ushtria e shtetit lufton kundër qytetarëve të vet, pra lufta civile, është 10 herë më e pisët dhe e vështirë. Megjithatë, nën qiellin e Europës për shumë vite kjo u lejua në ish-Jugosllavi, deri kur “Pëllumbi i Paqes” së Dejtonit, Milosheviçi, nuk i theu hundët pikërisht nga ata fëmijët e katundarëve të Kosovës, bijtë e thjeshtë të popullit fukara, të cilët krijuan ushtrinë që na riktheu krenarinë qytetare e kombëtare: UÇK-në. Një ditë të bukur, në burgun e Shevingenit në Hagë, teksa Sllobodani ishte në ashensor, u gjend me Ramushin vetëm për vetëm dhe uli kokën teksa Ramushi i tha: “Eh zoti President, a ta merrte mendja ndonjëherë se një ditë do gjendeshe me mua këtu?”…. E pra, njëri u largua me arkivol nga aty, e tjetri u kthye dy herë i lirë dhe hero te njerëzit e vet. Por jo sepse gjoja ishin zhdukur dëshmitarët, por sepse në atë luftë kishte një humbës dhe një fitues, humbësit qëndruan me humbësit dhe fituesit me fituesit.
* * *
Kenedi i madh ka thënë: “Mos pyet ç’ka bërë atdheu yt për ty, por ç’ke bërë ti për atdheun tënd”. E pra, Kenedi nuk ishte nacionalist e ultranacionalist, ishte patriot, jetoi e vdiq si i tillë. Nëse një burokrate e shpifur dhe e dështuar si zonja Del Ponte, që në vend të shkruante libra duhej të bënte punën e vet si prokurore, për shumë vite kërkoi të na mbushte mendjen se Ramushi, Fatmir Limaj, Rustem Mustafa dhe e gjithë UÇK ishin kriminelë, për ta dhe për ata që mendojnë si Del Ponte ka vetëm një përgjigje: një popull i tërë nuk mund të jetë kriminel, liria nuk fitohet me pallavra, por me gjak e sakrifica.(Kortezi Panorama)

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Kulla, me Fatos Lubonjen, ne vend te replikes

IDRIZ SEFERI, HEROI KOMBETAR QE LUFTOI PER BASHKIMIN E TOKAVE SHQIPTARE

July 18, 2013 by dgreca

“U munova tanë jetën me çliru dhe bashku këtë vend, por po vdes me ixhram që nuk munda ti bëj tokat shqiptare Shqipni”,  Idriz Seferi !

Shkruan: Nga Gani Qarri /

Atdhetari i madh, heroi i kombit, si dhe njëri ndër organizatorët dhe udhëheqësit kryesor ushtarak të kryengritjeve kombëtare për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare, Idriz Seferi, u lind në vitin 1847 në fshatin Sefer të trevës së Karadakut afër Shkupit dhe vdiq në vitin 1927 me dëshpërimin e thellë në shpirt,ngase përkundër aq shumë vuajtjesh, luftërash e përpjekjesh kombëtare, shqiptarët asnjëherë nuk arritën ti bashkonin të gjitha trojet e tyre etnike dhe bënin – Shqipëri.

Shpirti i tij luftarak dhe shtypja e madhe e bashkëkombësve nga Perandoria turke,e shtynë heroin e atyre viteve të rënda e të vështira për kombin,kur një popull i tërë luftonte për jetë a vdekje,që qysh në moshën e tij të re, duke mos duruar shtypjen e mëtejme dhe varfërinë e cila do të keqësohej së tepërmi , sidomos pas reformave të Tanzimatit, të hidhej në luftë të armatosur kundër pushtuesve osman, për çka në vitin 1875, kur ishte vetëm 28 vjeçar , do të burgosej nga pushtetarët turq.

Si patriot dhe luftëtar i shquar që ishte, Idriz Seferi u ftua dhe mori pjesë në të gjitha ngjarjet kryesore të kohës, kuvendet me rëndësi dhe luftërat vendimtare që bëheshin kundër kësaj Perandorie, për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtimi shumë shekullor i saj.

Ai kudo u shqua me aftësitë e tij organizative dhe udhëheqjet e dëshmuara për strategji të larta ushtarake, i cili me të drejtë do të caktohej-udhëheqës i Betejës së Kaçanikut dhe njëri ndër prijësit kryesor të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912 në Kosovë.

Idriz Seferi, ishte njëri ndër strategët kryesor të betejave për çlirimin e Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Gjilanit, Ferizajt e vendbanimeve të tjera shqiptare në këto dhe më gjerë në trojet tona.

Edhe pse me kërkesat e Fuqive të Mëdha, luftëtarët kombëtar nga fundi i muajit gusht të vitit 1912,do të detyroheshin të çarmatoseshin dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre, pas fillimit të luftërave ballkanike, në tetor të vitit 1912, kur tokat shqiptare do të sulmoheshin nga të gjitha anët, ai do të mobilizohej përsëri dhe me vullnetarët e tubuar nga të gjitha trojet,do të hidhej në mbrojtjen e Bujanocit, Llapit, Gollakut, Kumanovës,e vendeve tjera,nga sulmet e pushtuesve serbomëdhenj, të cilëve do t’u shkaktonte humbje të mëdha, por me gjithë përpjekjet heroike, jo edhe t’i ndalte për kohë të gjatë, nga mungesa e armëve, municionit dhe ushqimeve, kur trojet shqiptare që të gjitha njëkohësisht, digjeshin në flakët e luftës nga çdo anë, të sulmuara njëherësh prej shumë shteteve ballkanike, si Serbia, Mali Zi, Greqia dhe Bullgaria.

Megjithatë, kryengritjet e tij për liri kundër pushtuesve serbë në vitet 1913 deri më 1915, dhe pushtuesve bullgarë  nga vitet 1916 deri më 1918, asnjëherë nuk do të ndaleshin, për çlirimin e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, deri në fund të jetës së tij.

Pra shqiptarët, për fat të keq, nuk kishin vetëm një armik,kështu që pushtuesi i radhës-qeveria shoviniste serbe,që nga viti 1900,kishte filluar ti forconte agjenturat e saj, përmes mësuesve dhe priftërinjve sllavo-ortodoks, nëpër fshatrat e përziera dhe të banuara me sllavë, të cilat vepronin nën emrin e njohur si “Dora e zezë”.

Madje ajo, do të dërgonte edhe oficer të lart ushtarak,dhe nga viti 1907, do të krijonte edhe çeta të armatosura çetnikësh,të cilat kishin për detyrë të përgatisnin terrenin për ndërhyrjen ushtarake serbe në Kosovë, pas largimit të Perandorisë Turke nga tokat tona.

Banda të armatosura dhe grupe spiunazhi,përherë  janë mbajtur dhe strehuar në kishat dhe manastiret serbe,gjithandej trojeve tona, të cilat gjatë gjithë kohës ishin dhe mbetën, vatra të agjenturave të fshehta ushtarake të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë

Një çetë të tillë çetnikësh, që në vitin 1907,Serbia do ta formonte edhe në fshatin Pasjan,në lindje të Gjilanit,e cila për një kohë do të strehohej e kamufluar në kishën sllavo-ortodokse të këtij fshati të banuar jo tërësisht me serbë. Por,pas paraqitjes publike, prijësi popullor i kryengritësve shqiptar, heroi Idriz Seferi do të urdhëronte asgjësimin e kësaj çete të armatosur,bashkë me udhëheqësin e saj, oficerin e lartë ushtarak,  Dragolub Nikoliq, i cili ishte dërguar enkas nga Beogradi,për këtë detyrë.

Kjo ishte vetëm një pjesë e vogël nga historia e gjatë e luftërave dhe trimërive të shumta të këtij Burri.

Ndaj,për betejat që udhëhoqi dhe heroizmat e treguara gjatë atyre viteve të vështira për kombin dhe atdheun e shqiptarëve, Idriz Seferi bashkë me Isa Buletinin u shndërruan në mite,kurse luftimet e fuqishme që ata organizuan dhe udhëhoqën me trimëri, të zhvilluara me aq sukses, në përballje me ushtri shumë herë më të mëdha armike,në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar u kthyen në  legjenda dhe vlerësuan lartë në historinë e kombit tonë.

Kryengritjet e tyre, kundër pushtimit osman, të cilat që nga reformat e Tanzimatit, nuk u ndalën asnjë herë, deri në përzënien përfundimtare të Perandorisë Osmane nga trojet tona, si dhe organizimi i mbrojtjes,për aq sa ishte e mundur nën kushtet e një lufte pothuajse duarthatë kundër shteteve ballkanike, ishin përpjekje titanike të cilat do të çonin në shpalljen historike të Pavarësisë së Shqipërisë etnike më 1912 në Vlorë, edhe pse ai do të vdiste me “ixhram” si shumë patriot tjerë të kombit,të cilët me gjithë luftën që bënë dhe vuajtjet që përjetuan,nuk arritën ti bënin të gjitha tokat shqiptare Shqipni.

*Pjesë nga libri “Krijuesit e Historisë”

 

Filed Under: Featured Tagged With: Heroi Kombetar, Idriz Seferi, Kombetar, qe luftoi per bashkim

Fatos Lubonja – kjo qyqe në folenë e shqipes

July 18, 2013 by dgreca

Nga Fahri Xharra/

Qyqet janë mbrojtëse të armiqve djallzorë, të cilët vrasin e djegin gjithçka  që ndeshin në rrugën e tyre. Qyqja, ky zog i llahtarshëm me ngjyra të çelta që e mbështjellin pjesën më të madhe të trupit të saj, me fytyrën e saj në formë zemreje, me sytë e saj të mprehtë gjatë natës, me aftësinë e saj të rrotullimin të kokes për 270 shkallë pa e lëvizur trupin, me krihët e saj pa fishkullimë gjatë fluturimit, gjuan vetëm kur bie muzgu i natës, këto aftësi e bëjnë zogun më të frikshëm të natës. Qyqet e kanë  një veti shumë të rrezikshme,ato i lëshojnë vetë në foletë e zogjve tjerë. Të huajt që kaluan mbi ne, i lëshuan vetë e qyqes në foletë e shqiponjave . Kur ata ikën,zogjtë e qyqeve shpëtuan falë jozgjuarësisë së shqiponjave.  Një lloj i qyqes është edhe Fatos Lubonja  që gjuan  në një moment jo fort të volitshëm për popullin tonë.

Ç`farë këqësie do të ndiente Fatos Lubonja, apo thënë ndryshe a do ta shihte misionin e tij të përfunduar sikur:-“ shkencëtarisht të vërtetohej e të pranohej se shqiptaret janë popull pa prejardhje”,-“ të dokumentohej se ilirët ishin fise bredhëse të Balkanit dhe erdhën në të njejtën

kohë me sllavët këtu ku janë “,-“ që autoktonët e parë të Balkanit ishin Grekërit, e civilizimi ka filluar me ta ,atëherë kur ilirët ende nuk kishin lindur si barbarët e ardhëshem që prishnin qetësinë e civilizimeve”,-“ të thuhej e të shkruhej se tokat  e banuara nga sllavët u populluan me një race shqiptare ,të cilet i solli turku nga Azia,për baraspeshë për të pushtuarit sllavë”,-“ sikur të dokumentohej që Gjergj Kastrioti –Skënderbeu  ishte një surogat serb apo malazez dhe në kohën e tij i mbronte tokat sllave si bir i tyre ,kundër turkut”,- “sikur Lidhja e Prizrenit të dilte si lojë turke  vetem për  t`i kënaqur do apetite falso”,-“ të shkruhej se akti madhështor i Ismail Qemalit i shpalljës së pavarësisë, bëri krim ndaj turkut, dhe i pengoi sllavët t`i këthejnë tokat e tyre”,-“sikur plejada e Rilindasve të shpallej si renegatë të perendimit ,pa qëllime konkrete vetëm për t`iu kundervuar turkut”, -“ sikur Nëna e Madhe Terezë ,të shpallej e të pranohej  botërisht si bijë e sllavëve të ish Maqedonisë,apo bijë vllehësh”,- “ që Ismail Kadare të vërtetonte përfundimisht se ishte frikacak dhe se shkruante here për interesa të Rusisë, herë për interesa të perendimit”,

– “ të shpallej nga Parlamenti i Kosovës që gjuha zyrtare e Kosovës është Kosovarishtja,e formuar nga disa nën dialekte të saj”,-“ sikur që lindja e një shteti të ri  të shoqërohej me lindjen e një kombi të ri,kombit kosovar ,që ka origjinë shqiptare e që nuk janë shqiptarë”,-“ sikur GJND-ja të  thoshte që shpallja e pavarësisë së Kosovës është një shpallje jolegjitime në tokat e një provinceje serbe”,-“ sikur shteti Kosovës të fillonte haptas armiqësitë ideologjike me Shqipërinë “,-“  sikur Natoja t`i bie pishmnan dhe të terhiqej nga marrëveshja me Shqipërinë,”- “ sikur KFOR-i të tërhiqej e t`iu lëshonte Kosovën forcave serbe të ushtrisë “,_ “sikur shqiptarët të shpalleshin vrasësit më të medhenj të hebrenjve”,- “ sikur shqiptarët e Maqedonisë që të gjithë t`a pranonin kombësinë turke si të veten”,-“ sikur Jugu i Shqiperise pa dallim feje të regjistrohej grek”,?

Po i ceki vetëm disa çmenduri antikombëtare të Lubonjes. Ai konsideron se Nëna Tereze nuk perfaqëson popullin shqiptar, sepse sipas tij, njeriu është prodhim i kultures, një sistemi vlerash, besimi dhe traditash, që në  rastin e Nënës Tereze nuk kanë të bëjnë aspak me vlerat, traditen dhe besimin e popullit shqiptar. Me këtë pozicionim, Lubonja është në përputhje të qartë me pozicionimet Serbe përsa i përket katolikes shqiptare.

Sa i përket Skënderbeut, thotë se shqiptaret e kanë edhe një problem para se të të aftësohen ta ndajnë të vërtetën nga fantazia, të vërtetën nga miti. Serbofobia është origjina e  nacionalizmit të shqiptarit të sotëm. Skenderbeu i tradhëtoi turqit në Nish, Skenderbeu  preferoi të mos i sulmon serbet dhe u këthye në vendlindje.

Fatos Lubonja i thotë  edhe këto:

– “Nacionalizmi shqiptar nuk lindi si një deshirë e domosdoshme për çlirim nga Turqia,siç ndodhi me nacionalizmin grek ose serb.”

– “ Midis miteve kryesore janë ata që mburrin lashtësinë e popullit shqiptar dhe gjuhen shqipe si një nga me  të vjetrat.”

Eshtë shumë e quditshme me ne, se si lejohen këta njerëz të kullosin lirëshëm në livadhet tona duke vjellur vazhdimisht vrerë për identitetin shqiptar.

Me të gjitha këto “ të vërteta shkencore”, athua  do të shterrej truri i mbimendësit (superintelektuali) shqiptar?  Athua më në fund do të pranonte se “ The mission is over”?

Po,për çka do t`i mbetej pastaj të flas e të shkruaj? Kush do na i mbushte ekranet televizive, çdo mbrëmje?

Për njohtim, për ata që se dijnë Fatos Lubonja i ka mbajtur 17  vjet burg gjatë kohës së diktaturës, dhe është liruar pas `91-shës.

Por tani me të vërtetë po duket se ka ardhë koha që shqiponjat të pastrojnë foletë e tyre. Ne duhet të ndalojmë kukamat e qyqeve ndjellakeqe para se lakuriqët e natës, çakejtë dhe hienat të kërkojnë gjakun dhe tokën e shqiponjave, e kjo ditë duhet të vij pa tjetër.

*(Ky shkrim eshte shkruar ne Prill 2011)

Filed Under: Analiza Tagged With: e shqipes, Fatos Lubonja, qyqe ne folene

TË FTUAR NË SOFRËN POETIKE TË DIELLIT

July 18, 2013 by dgreca

Të ftuar në këtë publikim të Sofrës poetike të Diellit janë: Julia GJIKA- Massachusetts, Vullnet MATO, Shqipëri, Gani Qarri-Zvicër/

 

JULIA GJIKA/

MUZGU THEPISET/

Qielli zbras me shtamba shiun e dëndur./

Brenda meje, curg rjedh një tjetër shi trishtimi./

Muzgu thepiset./

E harruar, si një spirancë e vjetër buzë detit,/

mes tokës e qiellit, diku buzë ujrave frymoj/

duke pritur diten e re, qe vjen monotone/

si ajo qe dje shkoi./

Bota hesht rreth meje, përvidhet./

Varg valësh përparojnë, tërhiqen.

Pastaj marin vrull të paparë, përparojnë

për t’u ngritur lart dallgë perceshkumë.

Lëkundem mes tokës dhe dallgësh, me sy nga qielli.

Zogjve të detit u kam lënë supin tim.

Të shplodhen në këtë braktisjen time.

Takohem kështu me mirënjohjen,

që ecën në kah të kundërt me botën e shurdhër.

Muzgu thepiset.

Tingulli që përhap sqepi i zogut të shpresës, më përmend

se në këtë gjithësi ka njerës,

që si kulprat e egra, i ngjiten trungut të shëndetshëm të pemës,

për t’i marë frymën.

Sopata e druvarit nuk arin dot në kohën e duhur.

Nuk gjej dot me mendjen time arsyen, pse?

Borxh të kërkoj një tjetër mendje, nuk më përgjigjet.

Kaq e errët errësira që ndehet para meje!

Dhe duket kaq e qetë.

Ka qenë errësirë për kohë të gjatë

dhe nuk e paskam vënë re.

Cudi si errësira është kaq e qetë,

ndërsa mendja zhurmon, bluan, bluan si një mulli.

Përpiqem t’a thyej, por është kaq e madhe.

Nuk mund të nxjer zë, më duket se do të më trembë zëri im.

Fjalët më mbeten në grykë,

të burgosura, nuk kanë fuqi të luftojnë për të drejtën e tyre.

Sa shumë hije lëvizin përreth.

Zgjaten në forma të papara,

afër kaq afër, para fytyrës, me ngjiten në lëkurë,

ashtu si kulprat e egra që u përdridhen trungut të pemës,

më marin frymën.

Muzgu është thepisur.

Po shkon mesnata. Edhe pak do të agojë. Shiu ka pushuar.

Ditë e re zgjohet, me nuanca të reja shumë ngjyrëshe

sekondë pas sekonde, njëra tjetrën do të mohojnë.

Ashtu si bejnë gratë kur ndrojnë ngjyrat e shalleve

për të qënë në harmoni të reme me stinën .

 

***

Vullnet Mato/

 

O NËNA IME, MOJ !…/

(Elegji në përvjetorin kur mbylli sytë)/

 

Kam ardhur sot të thërres: O nëna ime, moj!…

Siç thërrisja kur ishe gjallë te pragu i portës.

Të derdh petale malli mbi mermerin ku lotoj,

siç lotoje, kur kthehesha nga largësitë e botës.

 

Te kjo varrezë e pikëlluar, buzë detit me valë,

ku mbylle sytë e prehesh, si në sënduk nusërie,

më vetëtiu kujtesën, ajo ditë kur kishe dalë,

më prisje te porti, të kthehesha me anije…

 

Më kish zënë deti dhe ti faqet ngjyrë vrer,

më puthje si nizamin e kthyer nga Qabeja.

Ndonëse kishe nën pupla pesë zogj të tjerë,

të digjej shpirti për zogun e ikur nga foleja.

 

Doje kurdoherë të na kishe të gjithë pranë,

dhe s’na lije kurrë të na rrëmbenin zënkat.

Na thoshe,“Sa herë grindet vëllai me vëllanë,

nënës suaj i shkulen copa nga zemra”…

 

Na ushqeje urtësi dhe në pjatën e racionuar,

me atë barazi, që s’na lije fjalë për të thënë.

Ah, sa të ëmbla dilnin nga buzët fjalët e tua,

kur me to dhe të uritur, na bëje të ngrënë.

 

Ti mbretëroje deri ku zienin sherret e mëhallës,

dhe me zërin tënd u vije kapakun e pajtimit.

Më duket sikur dhe këtu afër, ku grinden dallgët,

dëgjoj zërin tënd, që u lutet të zbutin zemërimin.

 

Fjalët e tua ishin më të buta nga çdo butësi,

por me një fortësi magjike, aq të fuqishme,

sa matrapiku që thyen gurët e malit përbri,

s’do i thyente dot si ti, hallet tona të përditshme.

 

Na mëkove, si çdo nënë me qumësht perëndie,

por dhe me oksigjeni e mirësisë që kishe në gji.

Ndjesitë na i thure me frymë dhembshurie,

sikur ishe motra e vogël e shenjtores Mari!…

 

Oh, ajo dorë e shenjtë, kur më lëmoje kokën!

Ndjeja sikur gishtat e tu, më bëheshin flatra

dhe ëndërroja të fluturoja në të gjithë botën,

të sillja atë begati që s’të erdhi kurrë te vatra.

Të ndriste dielli fytyrën, kur vija nga mërgimi,

dhe të breronte shiu, sa herë ndaheshim bashkë.

Tek më përcillje, në çastet kur afrohej largimi,

puthje xhamin e ftohtë të autobusit nga jashtë.

 

Sikur të isha bërë miliarderi më i pasur i botës,

dhe paraja të kish fuqi të çonte njeriun nga varri,

do falja të gjitha miliardat, si kokrrën e mollës,

të ndizej prapë ai syri yt me vezullim margaritari.

 

Por meqë jeta dhurohet veç një herë për çdo njeri,

dhe unë dhuratën tënde gjer në fund po e harxhoj,

do vij të trokas sërish, te porta e qiellit, ku je ti,

të thërres me zërin e shpirtit: O nëna ime, moj!…

***

 

GANI QARRI/

TË FITOJË SHQIPËRIA /

Shqipëri o Nënë e madhe
Paske pasur shumë Hambare
Të kullosnin grek e sulltana
dhe do nga djemët, që lindi nëna

Eh, sa të kullosnin osmanlia
dridhej populli nga uria
hanin grekët e romakët
të pacipët matrazapët

se që i ngrisnin turinjët
meshtarët, priftërinjët
helmuesit, gjarpërinjët
të ndëshkonin me tatim e fe
të rrëzuan për dhe

Shqiptari nuk pranoj kurrë robërim
Por i duhej prirës dhe kushtrim

E fati qëlloj me ne
ishte një prijës i zjarrt për Atdhe
I madhi Skënderbe
kokat turqëve ua pati pre

Pas tij prinë djalë pas djali
pushtuesëve kurrë luftën súa ndali
deri te Ismail Qemali
Për bashkim luftën se ndali

Pas këtyre sakrifica e vlerash
lindi një shtet bunkerash
i veshur me petk të varfërimit
me ide të carit e Stalinit

Lavde thurnin nga nëntoka
Shqipërinë e ndanë në copa
e kurthe i bënin vëllaut
për hirrë të grekut e shkjaut
Kështu lëngoj Shqipëri nënë shkreta
deri në vitet e 90-ta,
të ngrirë nga ndarjet, skamja e uria
thanë po vjen demokracia
U hodhën në këmbë shumë sorollap
me gënjeshtra mbi popullin bënë jotak
thonin jemi demokratë

Premtuan parajsë, vend pa të meta
nuk kishin ndryshuar, veç ndërronin xhaketa
ato xhaketat me yll, në dry i kishin mbyllë
vishnin xhaketa të kuqe, rrinin nëpër kolltuqe
populli i uritur, disa refugjatë, tjeret në burgje

Betoheshin do të ndërtojmë Shqipërinë
e së bënin as ndonjë uzinë
popullit nuk i ndaleshin haraqet
krerët vazhdonin mandatet
Shaheshin në parlament e kuvend
popullit i shitshin mend
rraheshin si kalamajt
të ndarë në të djathtë e të majtë

Eh Shqipëri, nënë Shqipëria
populli vuan, e gëzon paria
thuaj djemave, prekne kokën
kush gënjen, mos i jep votën

Njëqind vjet, shtet po kremtohesh
mbete e vockël, nuk po shtohesh
nëse don të ndritësh e të rritesh
zgjidh më të mirët, bijët e shqipes

Veq kërkoj, se shumë i ke
Si ka ditë me lindë ky dhe
si të madhin Kadare
Ke do të mira, që gufon trolli
mund i gjenë te Devolli
që si trembi as Anadolli
shumë të tjerë sikur Agolli

burra të shejtë, koka intelektuali
ka Shqipëria djalë pas djali
janë të rrebtë sikur shkëndija
me ta do fitojë Shqipëria

LAMTUMIRË NËNË

Lamtumirë nënë
po iku, unë biri yt
sa më vjen rëndë
Po shpirti më ka ardhë në fyt

Lamtumirë vëllezër
e të dashur miq
për hirrë të kafshatës
duhet të ikim të ligj

Idashuri atdhe
kurrë nuk të kthyam shpinën
Ishim përbetuar ne
të ndjekim katilen

Të zinjët e ullirit e hoqëm
e kurrë nuk u ngopëm
Qëndruam në skamje e uri
vetëm për pak Liri.

Gjaku i të rënëve gufoj
ja lirinë ua pruna
asgjë nuk ndryshoj
na mungon buka e puna
shpirti na ka ardhë te hunda

nuk na ndihmoj shkolla,as grykëholla
sdi çka po ndodhë
nga skamja jemi lodhë

Digjemi si urnë
për një vend punë
për një kafshatë
ikim refugjatë

Eh, jemi të fortë si lisa
kalojmë kufij pa viza
me ne tregëtojnë sllav e rumun
nuk na duan askund

Jemi një grumbull Rini
botën e kemi marrë në sy
shkojmë, s´dijmë nga jemi nisur
na shpërndau, kjo varfëri e krisur

Edhe sa kohë
edhe sa vjet?
I duhen shqiptarit
të mos braktisë vendin e vet!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: dielli, Gani Qarri, Julia Gjika, ne sofren poetike, Vullnet Mato

Arsimi dhe vendi i tij në OSBE

July 18, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Universiteti Fan S. Noli, Korçë /

Arsimi dhe përsëri arsimi, ky është dhe do të mbetet lajtmotivi më madhor i një vendi nëse dëshiron që e ardhmja vërtet t’i buzëqeshë. Bota ose më mirë pjesa dërmuese e saj e ka kuptuar qysh në agimet e shoqërisë, e kupton edhe sot, pavarëisht se dituria ka arritur shkallë të tilla që dikur ishin vetëm ëndrra. Me arsimim mund të arrihet dhe të fitohet mbi çdo sfidë. Me arsim projekton vizione dhe arrin rezultate. Me arsim fiton njeriun dhe ngre një shoqëri të denjë për kohën. Por  tek ne në të gjitha këto vite, nuk janë pak, por 8-të, arsimimi i njeriut u pa si një gjë e dorës së dytë, pa të cilin mund të mbijetosh në pushtet, por që shumë shpejt tregoi se është vetëm një iluzion që herët a vonë do të shpërthente. Ta reduktosh sektorin më strategjik të një vendi në një synim ku vetëm teknologjia është primare, ndërsa njeriu skllav i tij që vetëm thith, por kurrë nuk mendon, rezulton gabim fatal. Arsimi është si një shoqëri që kërkon vëmendje të gjithanshme, por dy shtyllat kryesore nuk mund të lëvizen: forma dhe përmbajtja. Të investosh vetëm për të parën dhe këtu nënkuptoj të gjithë infrastrukturën apo modele të shëmtuara të Perëndimit, do të thotë të mos kuptosh abc-në e thelbit. Forma është logjika e përmbajtjes, por tek ne kjo e dyta, e humbi të gjithë vlerën, pasi u prodhuan reforma që në realitet e shkatërruan krejtësisht atë. Ideja e politikës militantiste bëri që shkolla shqiptare të endej në paformësi përmbajtjesh dhe ndryshime të pathemelta që nuk mund të mbanin dot peshën e rëndë të dijes. Kur idetë apo orientimet dalin nga kaosi politik, detyrimisht që edhe shkolla do të ishte një kaos i vërtetë. Një produkt i menduar si një plotësues i nevojave të politikës rrugace për synime afatshkurtëra, nuk mund të funksiononte normalisht dhe me jetëgjatësi. Po të fillojmë dhe të ballafaqohemi pak me Europën ku ende vazhdojmë të bërtasim se duam të hyjmë në të, do të shohim se jemi afër gjeografikisht, sepse me ëndrrën politike ia kemi kaluar, do ta kuptojmë sesa na kushtoi i gjithë shkatërrimi 8 vjeçar.  Jo shumë larg, porn ë ditët e fundit të muajit të kaluar, OSBE-ja nxori raportin e saj të përvitshëm që lidhet me arsimin në të gjitha vendet që e përbëjnë atë. Por më tërhoqën vëmendjen dy fakte që lidhen me shifra të shprehura në investime për arsimin dhe tjetri kur investimi nuk realizohet në % e disa vendeve lidër, kriza e ka mbërthyer keq edhe vetë Europën, i mëshohet faktorit njeri dhe brezave të arsimitarëve të përgatitur dhe formuar në vite. Qeveria e re që do të instalohet në muajin shtator dhe që mori plebishitin mbarëpopullor, duhet të fillojë të mendojë seriozisht që t’i vendosë mbi brazda të reja dhe baza të qëndrueshme të gjitha nivelet e arsimit. Europa kërkon standarte dhe këto duhen siguruar sa më mirë dhe shpejt. E kuptoj se kriza ka bërë punën e vet dhe ndoshta investimet nuk do të jenë në masën që duhet, por kemi në dorë faktorin e dytë që të mund ta mbyllim disi plagën. Përzgjedhja e mësuesve dhe pedagogëve nuk duhet më t’i lihet në dorë militantizmit, por një seleksionimi tepër të rreptë. Përmbajtja është faktor i cili nuk mund të nënvleftësohet më, prandaj profesionistët e arsimit duhet ta thonë fjalën e vet. Në raportin e OSBE-së një prej vendeve që u kritikua për progress të vogël është Italia. Përveç moshës së mësuesve, ky nuk do të ishte problem, nëse ndryshojnë ligjet e pensionit, ka mungesë të theksuar të diplomuarisht që të përgatiten për punësim në arsim.  Por edhe paga e tyre është shumë më e vogël se e vendeve kryesore europiane që në disa prej tyre ëshët edhe dyfishi. Ndërsa tek ne të diplomuarit janë të panumërt, sigurisht dihen nivelet e tyre, dhe universitetet janë shndërruar në fabrika diplomash. Për më tepër, ironia e fatit, po bëjmë me diploma edhe të huajt që nuk janë në gjendje t’i marrin në vendin e tyre. Ky është niveli real i universiteteve shqiptare përballë atyre simotrave europiane.

Instituti i njohur i Parisit, pas raportit të OSBE-së, botoi një tjetër raport që lidhet me arsimin në vitin 2013, duke evidentuar të gjitha të metat e sistemit të formimit Italian. Sipas tij Italia është i vetmi vend i OSBE-së që nuk e ka rritur shpenzimin për nxënës në dy nivelet e para të shkollës që nga viti 1995. Kur ndërkohë vendet e B.E-së e kanë rritur mesatarisht 62% nivelin e shpenzimeve për të njëjtat nivele arsimore. Pyetja është e pashmangshme: tek ne sa herë janë rritur shpenzimet për nxënës në 8 vjetët e qeverisjes së djathtë? Nuk është nevoja që të jepen shifra fiktive sa për të dhëna, por duhen parë saktësisht që më pas të bëhet dallimi me qeverisjen e mëparshme. Ky do të ishte hapi i parë i qeverisë Rama që më pas të krijohen strategjitë e drejta të arsimit. Sa ka investuar shteti shqiptar për njeriun dhe sa situata e sotme kërkon që të investohen. Përsa u përket  universiteteve italia ka një meritë, pasi qëndron më lart se vendet e tjera, me një investim prej 39% që në vendet e OSBE-së është në masën 15%. Por kjo rritje i detyrohet financimeve që vijnë nga burime private – sipas gazetave italiane. Ndërsa tek në kultmin e krizës, financimet shtetërore u kaluan edhe për sektorin privat të arsimit. Por përsëri niveli i shpenzimeve është një raport tepër i vogël me vendet e tjera që shpenzojnë një mestare prej 13.528 dollarë për student, ndaj 9580 që shpenzohen në Itali. Politikat e këtyre vendeve të përparuara janë të qarta dhe largpamëse, pasi që të jenë konkurruese në treg, duhet  investojnë për arsimin universitar. Nga ana tjetër duke kursyer për arsimin, është rritur numëri i nxënësve për mësues dhe i orëve vjetore të mësimit për ta, ndërsa ka një pakësim të orëve për nxënësit. Një masë e tillë mund të kishte dëmtuar mundësinë e të mësuarit, por nuk e kanë bërë këtë gjë: në vlerësime 15 vjeçarët  kanë rezultate të qëndrueshme në lexim dhe janë përmirësuar më matematikë dhe shkenca. Ka një përmirësim të efikasitetit në përdorimin e burimeve, por pjesa tjetër është shkatërrim – theksojnë gazetat. Disa shifra të tjera flasin qartë për gjendjen aktuale të të diplomuarve: Të diplomuarit janë të paktë, 15% e popullsisë nga 24-64 vjeç, ndaj një mestareje 32% të OSBE-së. Në vitet 2003-2009 ka rënie të 15 vjeçarëve që shpresonin të merrnin diplomë, nga 52 në 41%. Sipas Senatores Puglisi duhet dyfishuar numëri i të diplomuarve dhe përgjysëmuar humbja brenda vitit 2020. Në reduktimin e numërit del kriza e besimit tek të rinjtë. Deri këtu pamë sesi është administruar fakti i parë me probleme të shumta për të ardhmen e vetë Italisë, pasi shifra të tilla do të thotë se pas një periudhe 20 vjeçare, do të duhet të përballen me mangësi të shumta në kudro. Por fakti I dytë është më domethënësi sipas zonjës Di Menna e sindikatave UIL, e cila përsërit qëndrimin e sindikatës për rritjen e shpenzimeve në arsim, si për nxënësit, ashtu dhe për që janë  më të ulta në Europë. Rezultatet – vazhdon ajo – vijnë si rezultat i impenjimit profesional të mësuesve, pavarësisht  numërit  në rritje të nxënësve për klasë. Italia është një ndër vendet më të industrializuara të botës dhe nga politika të gabuara arsimore, po i paguan sot ato në renditjen europiane, që do të thotë një vend më pak kompetitiv në tregun e përbashkët europian. Por kemi edhe një fakt tjetër shumë domethënës, pasi shumë të diplomuar, duke mos gjetur punësim në Itali, po detyrohen të largohen drejt vendeve që u ofrojnë kushte më të mira pune dhe pagese. Në një krizë të tillë alarmante është dhe Greqia e cila vitin e kaluar pa t’i largoheshin rreth 40% e të diplomuarve drejt Amerikës dhe Europës.

Uroj që qeveria e re ta marrë shumë në konsideratë arsimin, për ta bërë atë siç ka qënë dikur të fortë dhe tani konkurrues në një realitet të ri, atë europian. Kjo kërkon prej saj një impenjim që në ditët e para, me përzgjedhjen e satfeve fituese, ndaj korrupsionit dhe apatisë. Një shkollë e rënuar nga korrupsioni, paaftësia dhe plogështia, do të ishte gjemb në këmbë në të ardhem e kombit.


Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Arsimi, dhe vendi i tij, në OSBE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5330
  • 5331
  • 5332
  • 5333
  • 5334
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT